Paolo Dybala ia lë në dorë drejtuesve të Juventusit të ardhmen e tij. Sulmuesi i bardhezinjve në një intervistë të dhënë ka folur në lidhje me të ardhmen e tij. Kohët e fundit rreth argjentinasit kanë qarkulluar zëra për një interesim nga ana e Barcelonës në drejtim të 23-vjeçarit, por është vetë Dybala ai që kujdeset për të qetësuar disi situatën, duke deklaruar se ai ndihet mirë tek Juventusi dhe përsa i përket të ardhmes, kjo është një pjesë për të cilën duhet të vendosin drejtuesit e skuadrës e më pas ai vetë.
“Unë ndihem mirë tek Juventusi dhe po punoj fort, në mënyrë që të jem në formën time më të mirë fizike, për të zhvilluar një sezon fantastik. Nëse për mua kanë ardhur oferta, kjo është një pjesë që i takon drejtuesve të skuadrës. Personalisht ndihem mirë këtu”, u shpreh Dybala.
Talenti argjentinas më pas foli dhe për ardhjet e reja në skuadër. Dybala u shpreh se shumë shpejt ata do të ambientohen me ekipin dhe me mënyrën e lojës, kjo falë edhe punës së trajnerit Massimiliano Allegri.
Dybala qëndron tek Juventusi
Seria A
Administratori i deleguar i Milanit, Marco Fassone përgënjeshtroi zërat që flasin për një largim të M’Baye Niang nga kuqezinjtë. Ai deklaroi se pavarësisht blerjeve të reja, 22-vjeçari nuk e rrezikon aspak vendin e tij në skuadër. Fassone pohoi se sulmuesi po zhvillon një punë të mirë dhe se i pëlqen shumë trajnerit Montella, i cili e ka përfshirë në projektin e klubit për të ardhmen. Gjithashtu drejtuesi kuqezi tha se klubi nuk e ka në politikën e tij të largojë lojtarë që dëshirojnë të qëndrojnë dhe që janë të rëndësishëm për ekipin.
Juventusi vazhdon punën për përforcimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Drejtori i Përgjithshëm, Beppe Marotta pohoi se klubi është vënë në kërkim të një mesfushori me eksperiencë dhe të një sulmuesi. Ai tha se Matuidi i Paris Saint Germain është një mundësi, por po shqyrtojnë edhe alternativa të tjera. Përsa i takon repartit të avancuar, Marotta deklaroi se i ka ofruar Lazios shumën e 20 milionë eurove për kartonin e Keita dhe se është në pritje të një përgjigjeje nga presidenti i bardhekaltërve Lotito.
“Schick është shumë mirë dhe nuk kam ndërmed ta shes”. Me këto fjalë presidenti i Sampdorias, Massimo Ferrero u shpreh qartë për të ardhmen e sulmuesit, i cili u rikthye në Genoa pasi nuk kaloi vizitat mjekësore me Juventusin. Numri një i klubit theksoi se e rëndësishme është gjendja shëndetësore e lojtarit, i cili është vetëm 20 vjeç dhe sipas tij do të bëhet një nga futbollistët më të mirë në botë. Ferrero gjithashtu pohoi se nëse ndonjë skuadër do ta kërkojë sulmuesin do t’i duhet të paguajë dyfishin e çmimit.
Presidenti i Torinos, Urbano Cairo i jep fund zërave të merkatos përsa i takon të ardhmes së Andrea Belottit. Cairo e bëri të qartë se sulmuesi do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës edhe sezonin e ardhshëm. Ai tha se shumë skuadra janë të interesuara për 23-vjeçarin, por asnjë nuk i është afruar shumës së klauzolës së lojtarit prej 100 milionë eurosh. Cairo ritheksoi se Belotti është futbollist i tyre dhe se nuk ka aspak ndërmend të privohet nga ai, pasi e konsideron të rëndësishëm për të ardhmen e skuadrës.
Investimet jashtë, bankat, 2.7 miliardë euro te jorezidentët

Dobësia e kreditimit të ekonomisë së brendshme dhe teprica e fondeve në euro po bën që bankat të rrisin investimet jashtë vendit edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i pretendimeve ndaj jorezidentëve në fund të muajit maj kishte vlerën e 364 miliardë lekëve ose rreth 2.7 miliardë euro.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, pretendimet ndaj subjekteve jorezidente janë rritur me afro 5% që nga fillimi i vitit. Pretendimet ndaj jorezidentëve përfshijnë investimet në tituj borxhi të qeverive apo korporatave të huaja, vendosje të valutës në formë depozitash në banka jashtë vendit apo edhe hua për individë apo biznese jo rezidente.
Në veçanti, kreditimi i jorezidentëve ka marrë përmasa të konsiderueshme në dy vitet e fundit, ndonëse i përqendruar në pak banka të sistemit. Vendosjet dhe investimet jashtë vendit përbëjnë një zë mjaft të rëndësishëm në bilance, me rreth 25% të totalit të aktiveve të sistemit bankar shqiptar.
Sipas “Tv Scan” në paketën e masave për nxitjen e kreditimit, miratuar në vitin 2013, Banka e Shqipërisë tentoi të kufizonte nxjerrjen e parave jashtë vendit, për t’i nxitur bankat të financojnë më shumë ekonominë e brendshme. Në thelb, masat e Bankës së Shqipërisë rrisnin kërkesën për kapital rregullator për paratë që bankat investojnë jashtë vendit. Sidoqoftë, fakti që ky zë është rritur në bilancet e bankave tregon se qëllimi i Bankës Qendrore është arritur vetëm pjesërisht.
Investimet jashtë vendit nuk kryhen edhe aq për të siguruar fitime domethënëse, po të kemi parasysh se normat e interesit janë shumë të ulëta në të gjithë tregjet europiane. Arsyeja kryesore është se bankat nuk kanë alternativa në tregun e brendshëm, edhe sepse kreditimi po orientohet drejt monedhës vendase.
Nga ana tjetër, rritja e depozitave në euro ka shtuar sasinë e fondeve të lira në monedhën europiane. Që prej vitit 2014, Banka e Shqipërisë aplikon interesa negative për vendosjet në valutë të bankave tregtare në llogarinë e saj. Duke qenë se praktikisht bankat duhet të paguajnë për të mbajtur fondet e papërdorura në euro, atëherë ato kërkojnë mënyra për t’i investuar ato, qoftë edhe me interesa minimale.
Thomas Lemar objektivi i Arsenalit
Mesfushori i skuadrës së Monaco-s është vendosur në qendër të vëmendjes nga ana e “Topçinjve” të Londrës. Ekipi nga Principata duket se nuk ka ndërmend të largojë nga radhët e skuadrës futbollistin e talentuar, por pavarësisht rezistencës, klubi anglez ka përgatitur një superofertë për 21-vjeçarin. 63 milionë euro është shuma që Arsenal do të ofrojë për të realizuar transferimin e Thomas Lemar.
Lukaku tek Man.United falë Jose Mourinho. Sulmuesi belg në një intervistë të dhënë është shprehur se është tekniku i “Djajve të Kuq” ai që e bindi të transferohej tek kjo skuadër. 24-vjeçari nuk harron ta falënderojë portugezin për mundësinë që i ka dhënë, duke shtuar se tashmë për të objektivi i radhës është suksesi në Champions League.
Largohet Fatih Terim
Skandalit nuk i shpëton as Perandori. Fatih Terim nuk është më trajner i Turqisë. Lajmi u zyrtarizua nga Federata turke e Futbollit. Ish-trajneri i Milanit, Fiorentinës e Galatasaray-t, ndoshta emri më i madh i trajningut që ka nxjerrë futbolli turk, e mbyll në këtë mënyrë edhe etapën e tij të tretë në udhëheqje të kombëtares pas dy periudhave të mëparshme gjatë viteve 1993-1996 dhe 2005-2009. Rezultati i tij më i mirë mbetet vendi i tretë në Europianin e vitit 2008. Siç bën të ditur e përditshmja turke “Hurriyet”, Terim largohet pas skandalit të thuajse dy javëve më parë kur u përfshi në një zënkë me pronarin e një restoranti në qendrën turistike të Alaçati.
Mediat turke bëjnë të ditur se zënka ka ndodhur pasi personi me të cilin u konfliktua fizikisht Terim ka pasur një rivalitet të vjetër me dhëndrin e teknikut, edhe ky pronar i një strukture në afërsi të asaj ku ndodhi incidenti. Personi në fjalë ka bërë një denoncim penal kundër Terim që i duhet të merret edhe me drejtësinë, ndërsa imazhet e zënkës të kapura nga një nga kamerat e survejimit janë shfaqur gjerësisht në mediat turke.
Nolito nga City kthehet tek Sevilla
Sulmuesi i ka dhënë fund aventurës së tij me Manchester City, duke iu ribashkuar sërish klubit spanjoll. Në prezantimin e tij përpara mediave, Nolito u shpreh i lumtur që këtë sezon do të luajë për andaluzianët. Në lidhje me vendimin e marrë për t’u larguar nga Citizens, 30-vjeçari u shpreh se ka të bëjë me nevojën për të qëndruar pranë familjes së tij.
Villareal kërkon Giovani Simeone. Drejtuesit e “Nëndetëses së Verdhë”, kanë pasur një takim me homologët e tyre italianë, në lidhje me sulmuesin. Oferta e bërë nga ana e Villareal është 10 milionë euro, ndërkohë që Genova kërkon 15 milionë euro për ta lënë të lirë talentin 22-vjeçar.
Matia Ferndandez është pranë kalimit tek Valencia. Mesfushori duket se e pëlqen një kalim të mundshëm në kampionatin spanjoll. Menaxheri i futbollistit ka nisur bisedimet me Valencian dhe në ditët në vazhdim me shumë gjasa mund të vijë dhe zyrtarizimi.
Arda Turan pranë kalimit te Galatasaray. Mesfushori i Barcelonës duket gjithnjë e më larg katalanasve. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, vetë turku e dëshiron largimin nga blaugranat, ndërkohë nga ana tjetër dhe drejtuesit e Barcelonës, kanë vendosur ta shesin futbollistin.
Villareal troket në dyert e Crotones. Drejtuesit e klubit spanjoll kërkojnë të sigurojnë shërbimet e mbrojtësit Francesco Ceccherini. 25-vjeçari ka një kontratë me Crotonen, e cila skadon më 2019. Marrëveshja mes palëve duket shumë pranë finalizimit.
Marcelino Garcia Toral nuk heq dorë nga Santi Mina. Trajneri i Valencia-s e ka shprehur hapur mendimin për sulmuesin 21-vjeçar. Toral deklaroi se Santi Mina nuk do të largohet nga skuadra. Spanjolli u transferua nga radhët e Celta Vigos tek Valencia dy sezone më parë dhe që nga ai moment minutat që atij i janë vënë në dispozicion kanë qenë të pakta. Pavarësisht këtij fakti duket se dhe dëshira e Santi Mina është të qëndrojë tek Valencia dhe të punojë fort për të siguruar një vend në formacion.
Barcelona shtyn transferimin e Paulinho për në janar. Drejtuesit e klubit blaugrana kanë vendosur të rinisin tratativat për transferimin e mesfushorit gjatë merkatos dimërore. Ky nuk është një vendim përfundimtar, por të paktën për momentin bisedimet për arritjen e marrëveshjes mes palëve janë pezulluar.
Çështja “Neymar”!
Paris Saint Germain vazhdon të insistojë për Neymar. Sipas prestigjiozes franceze “L’Equipe”, klubi parisien, pasi ka arritur marrëveshjen me vetë futbollistin brazilian, tani ka nisur kontaktet me Barcelonën, për të kryer transferimin më të shtrenjtë në historinë e futbollit. Për të ulur disi kostot fiskale, drejtuesit e PSG kanë pranuar të derdhin plot 222 milionë euro që, është klauzola e largimit të lojtarit, direkt në arkat e blaugranave dhe jo në llogarinë e Neymar.
Barcelona ndërkohë mohon çdo tratativë me ekipin francez dhe sipas “Sport” nuk ka ndërmend as t’i nisë bisedimet, sepse nuk dëshiron të përforcojë një rival të drejtpërdrejtë në Europë, duke e konsideruar brazilianin thelbësor për projektin e bluagranave. Katalanasve nuk u ka pëlqyer sjellja e drejtuesve të Parisit për çështjen “Verratti” ndaj po mbajnë një qëndrim të ftohtë ndaj tyre sa i përket transferimit të mundshëm të Neymar në Francë.
PSG megjithatë nuk ka ndërmend të heqë dorë, madje ka vendosur t’ia paguajë të plotë klauzolën e largimit Barçës, pas marrëveshjes që ka arritur me vetë lojtarin, i cili do të përfitojë 30 milionë euro neto në sezon plus premio dhe bonuse të tjera nga kontratat komerciale që tashmë i ka të garantuara.
Filipe Kutinjo ishte një nga kërkesat e Neymarit për drejtuesit e PSG-së, por Barcelona u tregua më e zgjuar dhe në pak orë duket se arriti të ndryshonte fatin e njërit prej brazilianëve.
Pas kësaj tratative fshihet babai i Mesit, i cili po bën gjithçka për të transferuar Kutinjon në Spanjë dhe për të bindur Neymarin që të vazhdojë ende me katalanasit. Mesi gjithashtu do të ishte shumë i lumtur nëse “O Ney” do të ishte shoku i tij i repartit edhe për sezonet e ardhshme.
Asgjë e sigurt dhe shumë paqartësi për momentin, por gjithçka pritet të varet nga përgjigjja që Neymar do t’i japë PSG-së. Deri atëherë, merkato e emrave të mëdhenj në Europë duket e “ngrirë” sepse nëse ndodh një largim i tillë, atëherë do të ketë shumë lëvizje të mëdha dhe do të përfshihen skuadra si Juventusi, Napoli, Liverpuli dhe të tjera.
Neymar është ëndrra e madhe e kësaj merkatoje për PSG-në, por këta të fundit nuk kanë ndërmend ta presin për shumë kohë. Dje është mësuar se drejtuesit e ekipit francez i kanë vënë kushte brazilianit që të kthejë përgjigje sa më shpejt për ofertën që i është bërë.
Ata do ta presin deri javën e ardhshme dhe nëse Neymar nuk do të vendosë, atëherë gjithçka mund të dështojë. Braziliani është në momentet e tij më të vështira dhe duhet të bëjë zgjedhjen e jetës. Luks, miliona euro dhe lider i një ekipi apo pjesë e Barcelonës?! Numërimi mbrapsht ka filluar, Neymar duhet të vendosë.
Atletiko Madrid, Bare shkëlqen në miqësore
Nuk u aktivizua titullar, por në ato minuta që gjeti hapësirë bëri pratikisht gjithçka përveç golit. Keidi Bare po bind me paraqitjet e tij në skuadrën e Atletiko Madrid. Këtë sezon ai është grumbulluar që nga dita e parë e fazës përgatitore dhe ishte një nga 24 emrat që udhëtoi me ekipin për miqësoren meksikane kundër Tolucas për 100-vjetorin e themelimit të këtij klubi. Në sfidën e zhvilluar në tokën meksikane Bare hyri në lojë në pjesën e dytë dhe i mjaftuan vetëm pak sekonda për të krijuar shkëndijën e parë.
Po në minutën e 47, mesfushori shqiptar dhuroi një top të bukur që nuk u shfrytëzua nga shokët e skuadrës. Ishte sërish Bare që sulmoi thellësinë e zonës së rreptësisë pas një krosimi të ardhur nga e djathta, por nuk arriti ta devijonte topin në rrjetë, ndërsa në të 67-ën, talenti kuqezi tentoi nga jashtë zonës, por pa arritur të shënjestronte kuadratin. Praktikisht të gjitha rastet e pjesës së dytë për Atletikon kaluan nga këmbët e Bares që la një shije të mirë dhe dha sinjale të rëndësishme për trajnerin Diego Simeone, i cili mund t’i besojë më shumë ndeshje zyrtare gjatë sezonit të ri në Primera Division, Champions League apo Kupën e Mbretit.
Sadiku nuk ndalet, shënon edhe në Champions
Armando Sadiku sërish protagonist me Legian e Varshavës. Bomberi kuqezi ka arritur edhe një herë tjetër të tregojë vlerat e tij si sulmues, duke gjetur sërish golin me fanellën e klubit polak, këtë herë jo në kampionat, por në Champions League, aty ku Legia e Varshavës u ndesh me ekipin e Astana, në raundin e dytë eliminator të këtij turneu, me kazakët që arritën të rrëmbenin një fitore të thellë me rezultatin 3 me 1. Tekniku i Leagias së Varshavës, Jacek Mageira vendosi ta aktivizonte Armando Sadikun në pjesën e dytë të takimit, në minutën e 70 dhe vetëm 9 minuta më pas, bomberi i kombëtares kuqezi, arriti të gjente fundin e rrjetës, pas një krosimi në zonë, me sulmuesin që ndodhej në vendin e duhur, në momentin e duhur. Kështu Sadiku shfaqet sërish si protagonist me fanellën e Legias së Varshavës.
Pas golit të realizuar në debutin e tij në kampionat, bomberi të njëjtën gjë arrin të realizojë edhe në arenën e madhe europiane të Champions League, duke mbajtur gjallë shpresat e skuadrës për një kualifikim të mundshëm në ndeshjen e kthimit, si dhe treguar e vërtetuar se transferimi i tij është një goditje cilësore e realizuar nga ana e drejtuesve të klubit polak.
Ajeti shumë pranë transferimit te Crotone
Transferimi i Arlind Ajetit nga Torino te Crotone në Serinë A mbetet çështje orësh. Ta paktën kështu sugjerojnë mediat sportive italiane, që u referohen bisedimeve më të fundit mes klubit piemontez dhe atij kalabrez. Palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe shumë shpejt do të zyrtarizohet marrëveshja që e zhvendos mbrojtësin shqiptar nga veriu i Italisë në skajin jugor. Ajeti konsiderohet përforcim shumë i rëndësishëm për Crotonen, skuadër që sezonin e kaluar arriti të mbijetonte mes më të mirave në futbollit italian pikërisht në javën e fundit, falë fitores 3-1 me Lazion, teksa Empoli u mund 2-1 nga Palermo.
Arlind Ajeti mbeti jashtë listës së të preferuarve të Sinisa Mihajloviç për sezonin e ri futbollistik te Torino, ndaj ishte i detyruar të kërkonte një destinacion të ri. Për 23-vjeçarin është interesuar edhe Benevento, si dhe Palermo në Serinë B, por Crotone duket se ka qenë më bindëse në ofertën e saj. Mbetet për t’u parë nëse klubi kalabrez do ta marrë shqiptarin në formë huazimi apo do ta blejë kartonin e tij.
Për Ajetin rikonfirmimi në elitën e futbollit italian mbetet një sfidë për t’u fituar pas një sezoni zhgënjyes te Torino, skuadër me të cilën u aktivizua në vetëm 4 ndeshje të kampionatit, duke shënuar një gol, por edhe autogol në fitoren 5-3 me Pescarën.