18.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Sion prezantoi Ermir Lenjanin

Sion prezantoi këtë të mërkurë zyrtarisht Ermir Lenjanin si blerjen e re të klubit. Në faqen zyrtare të skuadrës zvicerane u lajmërua se, Lenjani ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me skuadrën që drejtohet nga Tramezzani dhe theksohet se futbollisti kuqezi është një zgjedhje e vetë trajnerit, që e ka drejtuar në periudhën kur mbulonte rolin e asistentit të De Biasit. Për Lenjanin ky është një rikthim në kampionatin zviceran që prej vitit 2015, kur u transferua te Rennes në Francë. Më parë ai ka luajtur me skuadrat e Grasshopers dhe St.Gallen, teksa në dy vite me këta të fundit ka luajtur në total 60 ndeshje.
Më 2015 Lenjani u transferua në Ligue 1 te Rennes, për t’u huazuar më pas te Nantes, ndërsa tani rikthehet në Zvicër duke kërkuar që të ketë sërish një rol prej protagonisti në fushë pas një viti të vështirë në futbollin francez. Klubi zviceran thekson dhe faktin se Lenjani ka qenë pjesë dhe e Shqipërisë në Euro 2016, ndërsa është vendosur dhe fanella që ai do të mbajë veshur te skuadra e tij e re, do të ketë numrin 33. Bashkë me Lenjanin në të njëjtën ditë u zyrtarizua nga Sion dhe blerja e sulmuesit të njohur italian, Roberto Acquafresca.

Tepsia e Tiranës

Bledi KASMI

Në Bashkinë e Tiranës tepsia është kthyer dje në një kazan. Një lojë me numrat për të kundërshtuar rritjen me çmimin e ujit është kthyer në biznes me LSI. Pyteja nëse kjo forcë politike mund të votonte rritjen e çmimit të ujit ka sjellë edhe një përgjigje trishtuese.
Të gjithë ata që kanë menduar se tek LSI ka ende vend për vlerat dhe parimet e politikës nuk kanë kuptuar asgjë. Për këtë forcë politike katër ditët e fundit kanë qenë një moment i artë për filozofinë e babëzisë politike dhe lukuninë e klientelës që qëndron pas tyre.
Katër ditë negociata. Në njërën anë peshonin votat e 13 këshilltarëve të LSI dhe në anën tjetër tepsia e bashkisë që merrte nga dita në ditë forma nga më të ndryshmet. Herë bëhej katrore, herë vezake dhe herë në formën e trekëndëshit. Copëtohej nga çdo anë. Jo tepsia, por Tirana e kthyer në tepsi.
“Mandati im është mandat floriri” deklaronte Dritan Prifti në vitin 2009. Edhe dje ato 13 vota të LSI ishin vota floriri për LSI. Faktorizim publik, interes politik dhe mbi të gjitha një pazar i qëruar. Sa kanë kushtuar ato 13 vota që në fund u reduktuan në 2, sepse aq nevojitej për shumicën e thjeshtë në Këshillin Bashkiak?
Ato vota i kanë kushtuar kryeqytetit disa kulla në qendër të Tiranës dhe afër saj. Disa emra koncesionarësh që do të përfitojnë nga bashkia 79 miliardë lekë për 17 shkollat që do të jepen me koncesion. Biznes i pistë në kurriz të atyre qytetarëve të Tiranës që dje qëndronin me shpresë se mos vallë këtyre bastardëve të politikës u ka mbetur ende një fije njerëzore sa dikush të mund të mendojë për ta.
Qytetarët janë grabitur dy herë dje në pazarin e fundit mes Ramës, Metës dhe Veliajt. Një herë të grabitur duke i vënë barrën e rëndë të rritjes së çmimit të ujit të pijshëm me 45% dhe një herë tjetër të grabitur nga pazari, duke i përvetësuar kryeqytetit sipërfaqe publike për ndërtimin e kullave për bizneset e këtij takëmi politik.
A mund të ndodhë sot ndokund tjetër në këtë Europë që nënshtrimi i një populli të kthehet në biznes sikurse ndodh këtu? A mund të ndodhë kund tjetër në Europë që mbi varfërinë e shumicës së popullsisë të ngrihet parajsa e tre apo katër individëve? A mund të ndodhë kund që të heshtet përpara monstruoziteteve të tilla sikurse ndodh këtu dhe bota e civilizuar të mbyllë sytë dhe të vazhdojë të mos dëgjojë klithmat e kësaj padrejtësie të ngritur në sistem?
Natyrisht që kjo nuk ndodh askund tjetër në Europë, sepse vetëm në Shqipëri nuk votohet më dhe pushtetarët që duhet të ishin përgjegjës para votuesve për vendimet e tyre nuk kanë më asnjë frikë nga institucioni i votës së lirë. Ata e ndjejnë veten se janë të përjetshëm në këtë lloj pushteti që kanë ngritur dhe po ndajnë pasurinë si të jetë pronë e çifligjeve të tyre të ngritura me djersën e gjakun e njerëzve të shndërruar në skllevër të blerë.
Dikush do të vajtojë në fund të muajit tjetër se nuk do të ketë mundësi të paguajë edhe taksën e rritur në faturën e ujit të pijshëm, por kjo pak vlerë përpara kullave të reja që Kryeministri, Presidenti dhe kryetari i bashkisë kanë ndarë dje mes tyre bashkë me miliardat për ndërtimin me koncesion të 17 shkollave në Tiranë.
Realiteti është i trishtë. Ndërsa në njërën anë është një pakicë me pasuri faraonike të vëna nga pushteti i kthyer në biznes, në anën tjetër qëndron një shumicë e heshtur e ngjashme me skllevërit, që prisnin udhëheqjen e Moisiut për ti shpëtuar nga faraoni mizor.

Vjedhja e Veliajt me dy tenderat 4 miliardë lekë

Vala e tenderave miliardëshe në Bashkinë Tiranë nuk ka të ndalur. Disa të dhëna të publikuara dje nga portali i të dhënave i Open Data kanë zbardhur shifrat stratosferike të dy tenderave të Bashkisë Tiranë, vlera e të cilave të dyja së bashku arrin në 4 miliardë lekë. Në rastin e të dyja tenderave, vlerat përkatëse nuk justifikojnë aspak objektet për të cilat është hapur tenderi. Ato cilësohen si tendera abuzivë dhe korruptivë.
I pari ka të bëjë me ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “Kosova”, ku tenderi i shpallur nga Veliaj për këtë projekt kap shifrën e 216 727 812 lekëve apo ndryshe 2.1 miliardë lekë. Sipas të dhënave të Open Data, fitues është bashkimi i operatorëve “Ed Konstruksioni” shpk me “Alba Konstruksion” shpk.
Në tender morën pjesë edhe dy konkurrentë të tjerë, të cilët u skualifikuan. Projektet me shkollat, ndërtimin apo restaurimin e tyre janë ndër të parapëlqyerat e Veliajt nisur nga shifrat marramendëse të çdo tenderi përkatës. Nuk janë të pakta rastet, kur ai është shfaqur duke vizituar edhe shkolla, çerdhe apo kopshte të rikonstruktuara nga bashkia e mëparshme e të shitura prej tij si investim i freskët pas ardhjes së Veliajt në pushtet.
E gjitha kjo për të justifikuar shifrat e tenderuara dhe paratë gjoja të shpenzuara me qëllim realizimin e këtyre investimeve, që në realitet ose nuk kanë ndodhur ose janë realizuar me të paktën gjysmën e fondeve të dhëna. Pjesa tjetër e parave shkon në xhepin e Veliajt dhe njerëzve pranë tij.
E njëjta situatë paraqitet edhe me tenderin tjetër. 1.9 miliardë lekë për ndërtimin e një piste vrapimi në Parkun e Liqenit. Një projekt tërësisht abuziv, që më shumë se sa gjoja është hartuar me qëllim shërbimin ndaj qytetarëve ka si qëllim të vetëm zhvatjen e një tufe të mirë parash nga Veliaj.
“Itinerare këmbësorësh me pistë vrapimi dhe biçikletash në Parkun e Liqenit Artificial. Burimi i financimit: Vënë në dispozicion nga Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve. Vlera e kontratës 197 635 666 lekë. Fitues bashkimi i operatorëve ‘Alb Building’ shpk dhe ‘Delia Group’ shpk. Në garë u skualifikuan tre operatorët e tjerë pjesëmarrës ‘Be IS’ shpk në bashkim me ‘Egland’ shpk; ‘Curri’ Shpk dhe ‘Alko Impex General Construcion’”, thuhet në tenderin e shpallur rishtazi nga Veliaj.
Ky tender abuziv vjen si pjesë e projektit famëkeq të Veliajt për betonizimin e Parkut të Liqenit dhe ngritjen e disa bizneseve aty. Për shkak të reagimit qytetar, Veliaj ka fragmentizuar projektin, duke e lançuar pjesë-pjesë atë përmes tenderave të ndarë në hapësira të ndryshme kohore.
Në këtë rast vlen të theksojmë se tek Parku i Liqenit ekziston aktualisht një pistë e mirëfilltë ku qytetarët mund të ushtrojnë sportin e vrapit. Tenderimi i 1.9 miliardë lekëve për të ndërtuar një pistë që aktualisht ekziston dëshmon më së miri qëllimet e këtij tenderi dhe destinacionin final të parave të alokuara për realizimin e tij.
Të dyja këto tendera, ashtu si edhe disa tendera të tjerë të bashkive të majta të publikuara dje në portalin Open Data janë cilësuar si tendera me risk të lartë përsa i përket abuzimit.

Bashkitë e Ramës, çdo tender nis nga 1 miliard e lart

Dhjetë tendera me vlera të larta ku fituesi është i vetmi operator konkurrues i paskualifikuar u denoncuan dje në portalin Open Data për pabarazi dhe dyshime për abuzime. Në pasaportat e realizuara në portalin Open Data ka informacione të detajuara për procedurën, duke shfaqur edhe arsye të skualifikimeve. Karakteristikë e secilit tender është fakti se të gjithë nisin me shifrën mbi 1 miliard. Pjesa më e madhe e tenderave janë hapur gjatë periudhës zgjedhore, ku kuptohet që zhvatja e sa më shumë parave për blerje votash arriti kulmin e saj pikërisht në prag zgjedhjesh, fund maji dhe qershor.

Tenderat me risk për nepotizëm dhe keqpërdorim fondesh

Në portalin Prokurime Transparente Open Procurement Albania (Open Data), gjenden  të dhëna për të gjitha procedurat prokuruese të realizuara në periudhën korrin 2015 e në vijim nga bashkitë dhe institucionet në vartësi të tyre. Aktualisht përveç informacionit të mirëstrukturuar portali ka edhe një opsion tjetër, markimin me Red Flag për procedura që paraqesin situata me risk për keqpërdorim fondesh, raste pabarazie, nepotizëm etj.
Një shënim me RedFlag është një fakt, ngjarje ose grup i rrethanave ose informacioneve të tjera që mund të tregojnë një shqetësim apo ekspozim dhe mbi rrezik potencial të pajtueshmërisë ligjore për sjellje të paligjshme ose joetike të biznesit, veçanërisht në lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektimit të ligjeve antikorrupsion.
Vlerësimi për këto kategori do të bëhet në mënyrë automatike, me filtra analitikë të paracaktuar.
Një nga elementët e riskut për një procedurë tenderimi është konsideruar rasti kur të gjithë operatorët ofertues skualifikohen dhe mbetet pa u skualifikuar vetëm ofertuesi, i cili gjithashtu shpallet fitues. Këto procedura kanë më shumë interes për investigim dhe monitorim civil.

1 miliard lekë tender nga Bashkia e Krujës pesë ditë para zgjedhjeve

Nga të dhënat e Bashkisë Krujë, një tender prej 1 miliard lekësh është akorduar për zgjerimin e një rruge dhe rikualifikimin e një sheshi. Tenderi është dhënë pesë ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit, ndërkohë që deri dje asnjë nga punimet e dy projekteve të tenderuara nuk ka nisur. Historiku i projekteve të tilla është i njëjtë, ato nisin me vonesë, zvarriten për disa vite me radhë, ndërkohë që paratë janë vjedhur dhe realizimi i objektit mbetet në harresë.
“Zgjerim i rrugës kryesore, si dhe rikualifikimi i sheshit ‘Mustafa Merlika’ (Kruja). Vlera e kontratës me TVSH 108 826 668 lekë, në tender morën pjesë shtatë operatorë konkretisht: ‘Shendelli’ Shpk & ‘Shkelqimi 07’ Shpk; -‘B-93’ Shpk & ‘Bajrami’; ‘N’ Shpk – ‘Kthella’ Shpk & ‘Nika’ Shpk; ‘Sireta 2F’ Shpk & ‘Agri Konstruksion’ Shpk; ‘Bami’ Shpk; ‘Geci’ Shpk; ‘BE-IS’ Shpk. Fitues u shpall ‘Bami’ shpk dhe të gjashtë kompanitë e tjera janë skualifikuar. Procesi nuk është shoqëruar me ankesa. Kontrata është lidhur në datën 20.06.2017”, thuhet në tenderin e Bashkisë Krujë.

2 miliardë lekë tender nga Bashkia Elbasan për një “rikualifikim”

Rikualifikimi urban i Parkut qendror Rinia, Bashkia Elbasan, ku vlera e ofertës fituese me TVSH është 204 058 767 lekë dhe fitues është “Bajrami N” shpk dhe në tender morën pjesë gjithsej 4 operatorë ku u skualifikuan: “Alko-Impex General Construction” Shpk; “Victoria Invest” Shpk dhe “Shendelli” Shpk. Për procedurën e skualifikimit nuk ka pasur ankesa.

1 miliard lekë nga Bashkia Librazhd për vetëm një lot

Ndërtim rruga Orenjë-Librazhd, loti 2. Vlera e kontratës së lidhur me TVSH është 108 393 937 lekë. Në tender morën pjesë pesë operatorë ekonomikë, konkretisht: “Victoria Invest” shpk; “Bajrami-N” shpk; “Vëllezrit Hysa”; “Ali Hyko” dhe “Çaushi” shpk. Në tender u skualifikuan katër operatorë dhe mbeti fitues “Vëllezrit Hysa” shpk. Për këtë tender ka patur ankesa pranë Komisionit të Prokurimeve Publike.

1.1 miliard lekë nga Bashkia Fier për një rikonstruksion

Rehabilitim i fasadave dhe rikonstruksion i rrugës “Rauf Nallbani”, si dhe rrjetëzimi i hapësirës së terminalit të autobusave Bashkia Fier. Vlera e kontratës së lidhur është 118 674 808 lekë. Kompania fituese është “A.L-Asfalt” shpk. Në tender morën pjesë edhe dy kompani të tjera, të cilat u skualifikuan dhe nuk paraqitën ankesa. Kompanitë janë “Boshnjaku B” shpk dhe “Shendelli” shpk. Arsyetimin për skualifikim e gjeni tek pasaporta e tenderit në portalin Open Procurement Albania. Kontrata është lidhur në datën 7.06.2017. Ende nuk kanë nisur punimet mbi këtë projekt megjithëse fondi është alokuar në fillim të muajit qershor, tre javë para zgjedhjeve.

1.1 miliardë lekë edhe nga Gjushi për një rikonstruksion

Rikonstruksion i Sheshit Publik para Hyrjes së Portit, Faza II, Bashkia Durrës. Vlera e tenderit 118 697 400 lekë. Fituese bashkimi i kompanive “Everest” shpk dhe “G.P.G Company” shpk. Të skualifikuar bashkimi i operatorëve “BE-IS” shpk dhe “Curri” shpk, si dhe “ALKO-IMPEX General Construction”. Skualifikimet nuk janë shoqëruar me ankesa. Kontrata është lidhur në datën 04.07.2017. Edhe në këtë rast punimet ende nuk kanë nisur.

Edhe Himara nuk mbetet pas, 1.3 miliardë lekë tender për rikonstruksion

Rikonstruksioni i rrugës Kthesë e Pilurit (Himarë–Vumblo) me vlerë kontrate 136 485 450 lekë, fituar nga “Salillari” shpk. Në këtë tender morën pjesë tre operatorë ku u skualifikuan “MANE/S” shpk, për mospërmbushje të kritereve të veçanta të vendosura nga autoriteti kontraktor dhe operatori ekonomik “BAMI” shpk, është skualifikuar për mospërmbushje të kritereve të vendosura nga autoriteti kontraktor. Për kualifikimet e këtij tenderi nuk ka patur ankesa.

Si Ujësjellësi fshehu të dhënat

Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës (UKT) kontraktoi në fund të vitit 2015 firmën ndërkombëtare audituese Grant Thorton për të kryer auditimin dhe çertifikimin e bilancit të UKT-së për vitin 2015. Në raportin e auditit, të datës 17 korrik 2016, pasi ka renditur një sërë dokumentesh që mungonin ose nuk iu vunë në dispozicion grupit të auditimit, Grant Thorton refuzoi të çertifikojë bilancin duke u shprehur se, “grupi ynë i punës nuk ka arritur të marrë ndonjë informacion shtesë për të hequr dyshimin mbi këto paqartësi të evidentuara më herët”. Në botën normale, një vlerësim i këtij lloji do të çonte në shkarkimin e të gjithë atyre që kanë përgatitur të dhënat e bilancit. Nëse drejtuesit nuk do e bënin një gjë të tillë, ata do të diskreditonin emrin dhe besueshmërinë e kompanisë, pasi mosçertifikimi i bilancit tregon se kompania gjendet në vështirësi financiare dhe kërkon t’ua fshehë këtë fakt palëve të treta të interesuara.
Bërja publike e bilancit të një shoqërie shërben pikërisht për të mbrojtur palët e treta, ortakët në minorancë, furnizuesit, klientët dhe në rastin e një kompanie publike si UKT, për informimin e publikut. Madje, bilanci duhet të çertifikohet nga një auditues i jashtëm profesionist për të garantuar se ai është përpiluar në mënyrë të saktë dhe përmban informacion të vërtetë mbi mbarëvajtjen financiare të shoqërisë. Pra, vlerësimi i “mosdhënies së opinionit” i shprehur nga një auditues është një lloj dënimi me vdekje. Nëse ekipi drejtues i shoqërisë, pasi merr vlerësimin “mosdhënie opinioni”, vendos të ndryshojë çertifikuesin, sikurse bëri UKT në fund të vitit 2016, atëherë kjo do të thotë se diçka me të vërtetë nuk shkon mirë: ose çertifikuesi i mëparshëm nuk është i aftë dhe duhet të largohet nga tregu, ose ndoshta çertifikuesi kërkon të deklarojë atë që konstaton dhe jo atë që mund t’i kërkojë kompania të deklarojë.
Në fund të vitit 2016, shoqëria audituese Grant Thorton u zëvendësua me shoqërinë audituese Mazars, e mbështetur nga audituesi i pavarur Sokol Toska. Por edhe Mazart dhe Toska janë treguar të matur dhe njësoj sikurse ndodhi me Grant Thorton, hartuan një letër çertifikimi për bilancin e UKT-së për vitin 2016 duke dhënë “opinion me rezerva”, duke shprehur të njëjtat shqetësime dhe ngritur të njëjtat pika të referuara nga Grant Thorton, të cilat fatkeqësisht përfaqësojnë pjesën më të madhe të bilancit.
Ajo çfarë në të vërtetë habit është se as Asambleja e Ortakëve të UKT-së, as administratori, as bordi drejtues i përbërë nga gjashtë anëtarë, as eksperti kontabël historik që ka 17 vjet që kryen bilancin e shoqërisë, nuk kanë përfshirë në procesverbal ndonjë vëzhgim mbi auditimin e bilancit, i cili fundos, për të dytin vit radhazi, çdo besueshmëri në drejtimin dhe gjendjen financiare të UKT-së. Mesa duket atyre u mjafton që UKT ka dyfishuar shpenzimet dhe shpërblimet për udhëtimet e anëtarëve të bordit gjatë vitit 2016. Mesa duket ata nuk besojnë, ose më keq akoma nuk i dinë, përgjegjësitë e tyre penale të parashikuara qartësisht në ligjet shqiptare.

“Exit.al”

SHISH zbulon parcelat me kanabis në fshatin e Tahirit

Në fshatin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri janë zbuluar dje disa parcela me kanabis. Burime nga policia bënë të ditur se, informacioni në lidhje me këto parcela droge është dhënë nga SHISH. Burimet thanë se, në fshatin Gusmar të Tepelenës ndodhen 3 parcela të mëdha me më shumë se 3 mijë rrënjë kanabis sativa. Pas marrjes së informacionit nga SHSIH, operacioni ka nisur në orën 03:00 të mëngjesit dhe kanë marrë pjesë forca të shumta të FNSH-së, të Policisë së Tepelenës dhe nga Ministria e Brendshme. Burimet thanë se, zona ku ishte mbjellë droga ishte 2 orë në këmbë nga Tepelena. Bëhet e ditur se, gjatë operacionit policor janë shkatërruar 2 mijë rrënjë kanabis sativa.
Duke ditur se një pjesë e mirë e drejtuesve të policisë janë me origjinë nga kjo zonë, ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ka qenë vetë në krye të aksionit për t’i dhënë zemër policëve. Bëhet e ditur se Demiraj e ka vëzhguar nga afër aksionin përgjatë gjithë kohës. “Ministri Demiraj është i vendosur ta pastrojë Shqipërinë nga harta e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, njofton zyra e tij, në një njoftim për mediat.
Bëhet e ditur se, lëndë narkotike janë zbuluar edhe në fshatin Nivicë të Tepelenës në zonën e thepisur të quajtur Backovë. Gjatë operacionit përveç parcelave me kanabis janë gjetur edhe kubikë me kanabis e fishekë. “650 bimë të kultivuara, të dyshuara narkotike kanabis sativa” u gjetën në fshatin Gusmar të Tepelenës”, thuhet në njoftimin e policisë. Policia bën të ditur se është ndaluar kryeplaku i fshatit Gusmar, 29-vjeçari E.K. Policia bën të ditur se gjatë operacioneve në Tepelenë janë shkatërruar gjithsesj 2 mijë rrënjë kanabis.
Kultivimi i kanabisit mori një hov të gjerë gjatë katër viteve të qeverisë së “Rilindjes”. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur pushtimi masiv i vendit nga kanabisi siç ndodhi në katër vitet e shkuara, me mbikëqyrjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në fshatin e Tahirit kultivimi i kanabisit bëhej nga trafikantët në bashkëpunim me policinë. Edhe pse në shumë raste u denoncuan me foto parcelat e mbjella me kanabis, policia nuk ndërhynte për t’i shkatërruar, sepse pas këtyre plantacioneve me drogë qëndronte vetë Tahiri.
Ishin vetë kryepleqtë e fshatrave që denoncuan policinë për bashkëpunim me trafikantët në kultivimin e kanabisit. Tahiri gjatë kohës që ishte ministër i Brendshëm nuk lejoi helikopterin italian që të patrullonte mbi Tepelenë për të verifikuar parcelat me kanabis.
Droga e mbjellë në Tepelenë u grumbullua në magazinat dhe tunelet e ushtrisë dhe pasi u përpunua u trafikua jashtë shtetit. Tonelatat e drogës ruheshin me Ramën nga forcat e policisë dhe trafikantët.
Policia bënte gjoja sikur organizonte aksione për shkatërrimin e parcelave me kanabis, por në fakt shkatërronte ato parcela, të cilat nuk zotëroheshin nga Tahiri dhe njerëzit e tij, por të disa “hallexhinjve”. Apo më keq akoma, korrte kanabisin, pasi ishte vjelë droga nga trafikantët.
Droga e kultivuar në vitin 2016 vazhdon ende të trafikohet drejt Italisë dhe Greqisë. Autoritetet italiane kanë shprehur shqetësim për trafikun e drogës nga Shqipëria. Para katër ditësh u sekuestrua në Itali 1.5 ton drogë e futur nga brigjet shqiptare. Kjo sasi droge dhe tonelatat e tjera që kanë mundur të futen në Itali i përket grupit të fuqishëm të trafikantëve që kanë lidhje direkt me zyrtarët e lartë të policisë.

R.POLISI

Vrasja në Borsh, i riu kërkoi ndihmë, policia: Eja nesër se sot është vonë

Dalin në dritë detaje të reja për vrasjen e një të riu dhe plagosjen e tre të tjerëve në Borsh të Sarandës. Bëhet e ditur se viktima kishte shkuar në rajonin e Policisë në Borsh për të kërkuar ndihmë, pasi po kërcënohej me jetë nga disa persona, por policia nuk ka ndërhyrë.
Denoncimi i këtij skandali është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas marrjes së një mesazhi nga një qytetar nga Borshi, i cili shkruan se, viktima Enea Myftaraj kishte shkuar në rajonin e policisë në Borsh dhe kishte kërkuar ndihmë, pasi po kërcënohej me jetë nga disa persona, por oficeri i policisë i ka thënë: “Eja nesër se sot është vonë”. “I riu Enea Myftaraj, që u masakrua me thika në Borsh, 30 minuta para vrasjes kërkoi ndihmën e policisë. Çunat e krimit i thanë “le të të vrasin ty sot se nesër do merremi me ta?!?!” Krim i shëmtuar! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Përshëndetje dr Berisha, të uroj shëndet. Po të informoj për ngjarjen tragjike në fshatin Borsh. Djali që ka qenë i kërcënuar nga dora gjakatare, Enea Myftaraj është kërcënuar me jetë 30 minuta para ngjarjes. Enea ka shkuar në postën e Policisë kanabiste, Borsh dhe ka njoftuar pseudopolicin Shefqet Toçi; “Më rrezikohet jeta nga disa persona”. Përgjigjja e policit ka qenë e prerë; “Nesër e zgjidhim se është vonë”. Eneas, sipas informaconeve, i kanë dalë prapë banda para. Duke parë situatën, ka thirrur shokët në mbrojtje se policia po flinte. Kjo papërgjegjshmëri e policisë çoi në konflikt me mjete të mprehta, vdekjen e një djali të ndershëm dhe punëtor dhe plagosjen e 3 të tjerëve, dhe këta të pafajshëm. Të lutem anonim se ç’nuk pret nga kanabistët”, shkruan qytetari.

Ngjarja tragjike

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Borsh të Sarandës gjatë orëve të para të ditës së djeshme. Katër persona i kanë zënë pritë 31-vjeçarit në rrugë dhe e kanë goditur me thika. Policia bëri të ditur se gjatë përleshjes me thika ka humbur jetën 31-vjeçari Premtim Bega, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ende nuk dihet motivet e ngjarjes, ndërsa personat e plagosur janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Viktima shkruan në faqen e tij në Facebook se banon në Borshin e vjetër; ka kryer shkollën e kulinarisë dhe punon si kuzhinier. Mësohet se një 24-vjeçar me inicialet E.O ndodhet në gjendje kritike për jetën. Policia bëri të ditur se ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa pritet të merren dëshmitë e personave të plagosur.
Ndërkohë, policia bëri të ditur se janë arrestuar tre persona për këtë ngjarje. “Në datë 26.07.2017 rreth orës 00:40, në sallën operative Sarandë mbërriti një telefonatë që njoftoi se në fshatin Borsh, në rrugën kryesore ka ndodhur një konflikt midis disa të rinjve me disa të dëmtuar. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë ku ka rezultuar se në konflikt janë përfshirë disa persona për motive të dobëta. Gjatë konfliktit ata kanë përdorur mjete të mprehta shpuese, e për pasojë kanë marrë dëmtime të rënda në trup shtetasit P.B., 31 vjeç, banues në Borsh, i cili ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në Qendrën Shëndetësore. E.O., 24 vjeç, banues në Borsh, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital. D.K., 24 vjeç, banues në Borsh. E.M, 23 vjeç, banues në Borsh, dy të fundit kanë pësuar dëmtime të lehta.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm, shërbimet e Policisë Sarandë kanë kapur në flagrancë njërin prej autorëve të dyshuar, shtetasin R.Sh., 19 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu janë arrestuar disa minuta më vonë dy autorët e tjerë të dyshuar N.H.20 vjeç dhe Xh.M. Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë. Policia nuk jep asnjë informacion për shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Dëshmitari: Pashë shokun tim që po goditej me thikë

Një nga të plagosurit, Redinel Ormenaj tha se, u përfshi në sherrin e ndodhur pak pas mesnate. Redinel Ormenaj është miku i viktimës Premtim Bega, i cili mbeti i vrarë pas një sherri me thika në Borsh. Mësohet se në konfliktin që ka nisur për shkaqe banale, u përfshinë 7 persona. Redinel Ormenaj, i cili ndodhet në spital, ka dhënë dëshminë e tij për Policinë. “Pashë shokun tim që po konfliktohej me disa të tjerë. Nuk e dija çfarë kishte ndodhur. Shkova vetëm t’i ndaja, mirëpo katër vetë më goditën disa herë me kaçavida. Aty rashë në tokë. Ata ishin të përgatitur”, tha ai për Policinë.
Edhe dëshmi të tjera konfirmojnë se ndaj të riut Premtim Bega ishte ngritur një pritë në Borsh. “Unë nuk e di për çfarë janë zënë. Thuhet se mbas sherrit që nuk e di ku nisi, njëri nga grupet i ka bërë pritë në rrugë dhe i kanë goditur ata të grupit tjetër. I kanë bërë copa me thika. Këtu kanë marrë goditjen e fundit, tek rruga që të çon për në plazh”, tha një dëshmitar tjetër. Ai thekson faktin se, ambulanca u vonua shumë për t’u dhënë ndihmën e parë të plagosurve.

Rama ndalohet nga policia në Aeroportin e Amsterdamit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është ndaluar nga policia në Aeroportin e Amsterdamit mesnatën e të hënës për një kontroll të imtësishëm. Pas mbarimit të ceremonisë së betimit të Presidentit Ilir Meta, kryeministri Rama është nisur drejt Rinasit. Aty e priste një çarter dhe rreth orës 24:00 të ditës së martës, Rama ka udhëtuar për jashtë vendit me destinacion sekret. Një qytetare që ndodhej në Aeroportin e Amsterdamit ka shkrepur një foto të Edi Ramës, ku sipas saj, kryeministri po shoqërohet nga Policia e Aeroportit për verifikim në një zyrë.
“Kryeministri i Rilindjes udhëtonte mbrëmë për Holandë, si karagjoz që është, prapë me atlete sikur po shkon të luaj futboll. E ndalon policia holandeze dhe e merr në zyrë. Ky nuk është kryeministri im, por i deleve që e votuan. Shkoi me pushime në Holandë, po ju pabuksa që e votuat ku do i bëni pushimet? Apo po mendoni ku të gjeni lekë për librat e fëmijëve tuaj?”, shkruan dërguesja e fotos.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha, i cili ka publikuar në faqen e tij sociale Facebook edhe foton e kryeministrit Rama i bllokuar në Aeroportin e Amsterdamit për një kontroll të imtësishëm. “Parmbrëmë vonë u nis me çarter privat si Sheik nga Shqipëria, por bllokohet si suspekt gjatë një kontrolli nga policia në Aeroportin e një vendi të BE! Nuk dihet nëse çarterin e paguan takspaguesit shqiptarë apo dikush e peshoi në çarter Noriegën shqiptar!”, shkruan Berisha.
Lajmi është publikuar dje nga shumë portale online, të cilat kanë zbuluar detaje të tjera të udhëtimit të Edi Ramës në Holandë. Një zyrtar i Kryeministrisë tha se, në momentin kur u bë fotoja që është shpërndarë në rrjetet sociale, Rama ishte duke u bërë një kontroll i pasaportës, më pas ai është urdhëruar nga kontrollorët që të spostohej nga sporteli për një kontroll të imtësishëm. Disa punonjës policie e kanë shoqëruar në një zyrë dhe pas kontrollit të rreptë e kanë lënë të lirë kryeministrin shqiptar.
Nuk dihet qëllimi i udhëtimit të kryeministrit Rama drejt Holandës. Sipas informacioneve, Rama ka mbërritur rreth orës 02:00 të natës në Aeroportin e Amsterdamit. Siç dallohet edhe nga fotot e publikuara tashmë në media, Rama nuk shoqërohej nga eskorta e tij, pasi ishte në një udhëtim privat.
Fotoja u shpërnda në rrjetet sociale dhe më pas në portale me interpretimin se, kryeministri ishte ndaluar dhe po i kryhej një kontroll specifik. Më pas, Rama është lënë i lirë të lerë Aeroportin e Amsterdamit.

Tentuan të trafikojnë 1.2 ton drogë në Itali, arrestohen 3 persona

Tre persona janë arrestuar nga policia me urdhër të Prokurorisë për Krimet e Rënda, pasi në dhjetor të vitit të kaluar kanë tentuar të trafikojnë 1,2 ton kanabis nga Vlora drejt Italisë. Ndaj Fatmir Face, Saimir Osmria dhe Murat Marta u caktua masa e sigurisë arrest me burg nga Gjykata për akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike të mbetur në tentativë. Në bazë të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, nisur nga referimi i Policisë së Shtetit, Gjykata ka caktuar masën e sigurimit ‘arrest në burg’ për disa persona, të dyshuar se po përgatiteshin të trafikonin mbi 1.2 ton lëndë narkotike kanabis sativa nga Vlora në drejtim të Italisë.
Në bazë të veprimeve hetimore, ka rezultuar se më datë 23.12.2016 nga ana e punonjësve të Policisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë gjatë patrullimit që ata kryenin në breg të detit mes Stacionit të Policisë Kufitare dhe molit që shërben për ankorimin e anijeve në Petroliferë është konstatuar një automjet. Në momentin që është afruar policia, personat që kanë qenë në mjet janë larguar me shpejtësi, duke lënë mjetin e braktisur.
Në momentin që janë afruar tek mjeti, forcat e policisë kanë konstatuar se mjeti ishte një kamion tip frigoriferik, ku pranë tij në tokë janë gjetur pako të mbështjella me natriban. Gjithashtu është vënë re se dhe në brendësi të automjetit ka patur pako të tjera të mbështjella me natriban. Fillimisht për shkak të karakteristikave të pakove të gjetura, të cilat janë sekuestruar më pas me cilësinë e provës materiale është dyshuar se në to, të gjendeshin lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.
Nga ana e forcave të policisë janë kryer veprimet e para hetimore me iniciativë, duke u sekuestruar lënda e dyshuar si narkotike. Në afërsi të mjetit të ngarkuar me lëndë narkotike janë gjetur dhe dy mjete të tjera. Në mjetin kamion janë gjetur 116 pako të mbështjella, të cilat pas peshimit rezulton të kenë peshën 1240 kg e 100 gramë.
Në vijim të veprimeve proceduriale, Prokuroria për Krime të Rënda ka evidentuar disa persona të dyshuar si pjesëmarrës në këtë aktivitet të paligjshëm dhe ka kërkuar në Gjykatën për Krime të Rënda caktimin e masës së sigurisë për personat e dyshuar, kërkesa e cila është pranuar nga Gjykata.

Mbytet një tjetër pushues në Kavajë

Një person ka humbur jetën i mbytur në plazhin e Vilebashtovës në Kavajë. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme. Viktima është 58-vjeçari M.H., banues në fshatin Gosë, i cili dyshohet se është futur në det për t’u larë dhe nuk ka mundur të dalë më në breg. Dyshimet janë se 58-vjeçari, teksa ishte duke u larë ka pësuar atakt kardiak. Lidhur me ngjarjen materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë, për ngjarje aksidentale.
Ndërkohë, një pushues ka gjetur vdekjen nga një atak kardiak. Ditët që duhet të ishin relaksuese për një familje fierake në Jug të vendit, janë kthyer në një tragjedi. Familja nga Patosi i Fierit ka shkuar me pushime në Ksamil, por gjatë ditës së djeshme, kryefamiljari A. T., 45 vjeç, është ndjerë keq në gabinën e plazhit që ata kishin prenotuar. Familjarët e kanë transportuar për në spital, por 45-vjeçari ka ndërruar jetë rrugës. Nga informacionet paraprake, mësohet se A. T., ka humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak.