18.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

18 vatra të reja zjarri nga Veriu në Jug të Shqipërisë

Situata nga zjarret vijon të jetë alarmante në të gjithë vendin. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 18 vatra të reja zjarri në disa qarqe, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Ka rënë zjarr në shkurre dhe kullotë.
Në fshatin Bajzë, Njësia Administrative Kastrat ka rënë një zjarr i madh ku si pasojë u dogj rreth 8 ha me shkurre dhe kullotë. Po ashtu, ka rënë zjarr në sipërfaqe me kullotë në fshatin Jubicë, Njësia Administrative Qendër. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.5 ha me kullotë.
Në Dibër, ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra pranë një sipërfaqe me ullishte në fshatin Helmas, Njësia Administrative Helmas, Bashkia Kavajë. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.1 ha me shkurre dhe ferra.
Ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra tek “Kodra e Sallakëve” në fshatin Rubjek, Njësia Administrative Maminas, Bashkia Shijak. Si pasojë u dogj rreth 0.3 ha me shkurre e ferra dhe rreth 70 rrënjë ullinj të rinj.
Ka rënë zjarr në shkurre e ferra dhe ullishte tek vendi i quajtur “Kuqla” në fshatin Krastë, të Bashkisë Krujë. Shërbimi vendor i MZSH të Bashkisë Krujë ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës që ka shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.3 ha me shkurre dhe ferra.
Në Tiranë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me mbeturina kashtë gruri në një tokë bujqësore në afërsi të “Caza Italia” në mbikalimin e Kamzës, Njësia Administrative Kashar, Bashkia Tiranë. Shërbimi vendor i MZSH të Bashkisë Tiranë ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues që ka shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0,5 ha sipërfaqe me mbeturina kashtë gruri.
Ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre e ferra dhe pyll dushku në faqen e një kodre me terren të thyer, afër Liqenit të Kasharit, në fshatin Kus, Njësia Administrative Kashar, Bashkia Tiranë. Forcat zjarrfikëse kanë punuar deri në mbrëmje vonë, duke izoluar vatrat më të madha të zjarrit, por 3 vatra në pjesën e sipërme të kodrës mbeten përsëri aktive. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe me shkurre e ferra dhe pyll dushku prej rreth 3 ha.
Ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra tek “Liqeni i Thatë” mbi Liqenin Artificial të qytetin e Tiranës. Shërbimi vendor i MZSH i Bashkisë Tiranë ka dërguar në vendngjarje 1 mjet zjarrfikës me personelin shoqërues që kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0,3 ha me shkurre dhe ferra.
Ka rënë zjarr në shkurre e ferra dhe në një varrezë automjetesh pranë një parcele pemëtarie në fshatin Valas, Njësi Administrative Papër, Bashkia Elbasan. Si pasojë e zjarrit u dogjën 3 pemë arre, 3 pemë hurme, 1 automjet i përdorur, si dhe 0.1 ha shkurre e ferra.
Ka rënë zjarr në shkurre e ferra dhe pyll dushku në fshatin Koshorisht, Njësia Administrative Lunik, Bashkia Librazhd. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 1.5 ha me shkurre e ferra dhe pyll dushku.
Ka rënë zjarr në një sipërfaqe me vreshtë në fshatin Hajdaran, Njësia Administrative Shushicë, Bashkia Elbasan. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.1 ha me vreshtë.
Ka rënë zjarr në një sipërfaqe pemëtarie në fshatin Mimias, Njësia Administrative Roshnik, Bashkia Berat. Si pasojë e zjarrit u dogjën 30 rrënjë ullinj, 50 pemë fiq dhe 20 pemë qershi.
Ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra në fshatin Kasnicë, Njësia Administrative Ruzhdie, Bashkia Patos. Forcat zjarrfikëse kanë shuar zjarrin me mjete rrethanore për shkak të terrenit të thyer. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.3 ha me shkurre dhe ferra.
Ka rënë zjarr në një kanal me shkurre dhe kallamishte, i cili rrezikonte një sipërfaqe me ullishte, pemë frutore dhe kullotë, në fshatin Bajkaj, Njësia Administrative Vergo, Bashkia Delvinë. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.4 ha me shkurre dhe kallamishte.
Ka rënë zjarr në barishte dhe shkurre tek një tokë arë në vendin e quajtur “Bregu i Mejdanit” të fshatit Leskovec, Njësia Administrative Dëshnicë, Bashkia Këlcyrë. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.6 ha me barishte dhe shkurre.
Kanë rënë zjarr në 2 vatra në fshatin Çlirim, Njësia Administrative Çlirim, Bashkia Kolonjë. Vatra e parë ka rënë në shkurre e dushqe dhe në 1 banesë të pabanueshme të veçuar nga fshati, ndërsa vatra e dytë ka rënë në një sipërfaqe me pyll pishe dhe lisi në afërsi të fshatit. Si pasojë e zjarrit u dogj në vatrën e parë rreth 1 ha me shkurre dhe dushqe, ndërsa në vatrën e dytë u dogj rreth 1 ha me pyll pishe dhe lisi.
Ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra tek Zona Industriale e qytetit Korçë. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0.3 ha me shkurre dhe ferra.

Prokuroria kërkon arrest me burg për 21-vjeçarin që vrau babanë

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon burg pa afat për Mirald Metollari. 21-vjeçari vrau me pistoletë babain e tij dhe plagosi rëndë nënën mesditën e së hënës pas një konflikti të çastit. Arrest me burg ka kërkuar Porkuroria për 21- vjeçarin Mirald Metallari, i cili 2 ditë më parë vrau babain dhe plagosi nënën në zonën e Bathores në Tiranë.
21-vjeçari pritet të dalë nesër para togave të zeza, ku do të njihet me masën e sigurisë. Në dosjen që Prokuroria i ka dorëzuar Gjykatës së Krimeve të Rënda është edhe dëshmia e 21-vjeçarit për atë ç’ka ndodhi mesditën e së hënës në banesën e tyre. Edhe pse në gjendje shoku, ai ka treguar shkurt dinamikën e ngjarjes, ndërsa nuk ka munguar pendesa në rrëfimin e tij.
21-vjeçari, student i vitit të parë Psikologji tregon, se së bashku me babain kanë qenë duke bërë disa punime në oborrin e shtëpisë së tyre. Në një moment, Miraldit i është derdhur karroca e mbushur me llaç në tokë. I ati e ka gjuajtur me grusht në pjesën e buzës dhe pas këtij veprimi, 21-vjeçari ka hyrë në banesë, ku ka marrë armën e shërbimit të babait dhe ka shtënë disa herë në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur. Prezente ishte edhe mamaja e tij, Nurie Metallari, e cila kur sheh skenën, i del përpara djalit të saj.
Ky i fundit ka treguar se në momentin që qëlloi, sytë i kishte të mbyllur dhe nuk e ka parë nënën e tij, e cila mbeti e plagosur rëndë. Në banesë ishin edhe dy motrat e Miraldit, por nuk e kanë parë atë që ndodhi. Ata kanë dëshmuar se kanë dëgjuar vetëm krismat dhe kanë dalë jashtë në oborr, ku panë trupat e prindërve të tyre të shtirë përtokë. 21- vjeçari akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” e mbetur në tentativë.

Aksidentet, vdes fëmija në Durrës një i moshuar në Velipojë

Dy ditë pasi u përplas nga një makinë, ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak në Tiranë vajza 9-vjeçe. E.B. ka ndërruar jetë këtë të mërkurë, sipas burimeve policore. Aksidenti ndodhi dy ditë më parë në periferi të Durrësit.
Vajza ishte duke ecur në këmbë në Katund Sukth, ku edhe banonte, kur është përplasur nga një makinë tip “Benz”, që drejtohej nga 52-vjeçari F.P. Vajza është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, por pavarësisht ndihmës së mjekëve për t’i ardhur në jetë, ka humbur jetën pas dy ditëve në agoni. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit është arrestuar nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Ai u vu në pranga ditën e aksidentit.
Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në aksin Shkodër-Velipojë. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës, kur një motorçikletë është përplasur me një makinë. Mësohet se nga aksidenti ka humbur jetën drejtuesi i motoçikletës, Prekë Kokli, 60 vjeç banues në Velipojë. Policia informon se makina, e cila u përplas me motoçikletën drejtohej nga komandanti i  trafikut në Komisariatin e Policisë në Malësinë e Madhe, i cili është shoqëruar në polici për të dhënë sqarime mbi aksidentin. Shkaku kryesor i këtij aksidenti me pasojë vdekjen është mungesa e ndriçimit në aksin Shkodër-Velipojë.
Ndërsa dy persona kanë mbetur të plagosur në një aksident automobilistik në aksion rrugor Kukës-Ura e Morinit. Sipas policisë, drejtuesi i një kamioni ka humbur kontrollin, duke u përplasur me një trafikndarës. Për pasojë është plagosur 30-vjeçari këmbësor me iniciale F.K dhe shoferi Ejup Rushiti 38 vjeç nga Prishtina.

Pazari Veliaj-LSI, tradhëton Tiranën

Erion Veliaj ia ka dalë që me votat e LSI-së të rrisë çmimin e ujit me 45% për konsumatorët familjarë, duke rënduar akoma më shumë buxhetin familjar të familjeve në Tiranë. Duket se opozita e LSI-së bëhet vetëm mediatikisht, pasi me Erion Veliajn vazhdon bashkëpunimi në nivel vendor, bashkëpunim që u vu re dhe në fushatë elektorale, ku asnjë nga palët nuk ngrinin akuza për njëri-tjetrin. Në fakt, kjo forcë politike kish dërguar në Këshill vetëm dy prej këshilltarëve të saj, Genta Mezini dhe Agim Kraja. Madje ky i fundit u shpreh se nuk është problem rritja e çmimit, pasi duhen investime. Pro vendimit të Veliajt votuan, 25 këshilltarë të PS, 3 të PDIU dhe 2 të LSI-së. Opozita e vërtetë dhe aleatët e saj nuk morën pjesë në miratimin e këtij vendimi kriminal, madje e kundërshtoi fort. Por Erion Veliajt nuk i duheshin të gjithë këshilltarët e Metës, nuk kishte pse ishin të gjithë, mjaftonin vetëm dy këshilltarë. LSI deklaron se është në opozitë, por dje provoi të kundërtën. Ajo nuk ka folur ende asnjë fjalë kundër kryehajdutit të Tiranës. Ska folur ende as për shpërdorimet me ndërtimin e sheshit, dhe as për vrasjen e Ardit Gjoklajt 16-vjeçarit që gjeti vdekjen në landfillin e Sharrës. Kjo u konfirmua edhe një herë dje, kur anëtarët e saj votuan vendimin e Veliajt për rritjen e çmimit të ujit, vendim, që ai jo pa qëllim e la pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Me sa shihet, më shumë se mungesa e të ardhurave për të cilat flet Veliaj, uji i Tiranës do të jetë një tjetër mall jetik që do të jepet tek privati me koncesion, dhe Veliaj në këtë rast nuk po bën gjë tjetër vetëm se po shtron rrugën për më tej. Natyrisht jashtë kësaj, nuk ka se si të qëndrojë LSI, e cila e konfirmoi dhe një herë bashkëpunimin me PS-në, pavarësisht se tepsia deri më tani  me sa shihet i ka kaluar Ramës ashtu siç e kërkoi.

Tepsia e Veliajt

LSI e kishte fare të lehtë, që ta ndalonte idenë korruptive të Veliajt për të rënduar dhe më tej xhepat e qytetarëve, por nuk e bëri, duke provuar se është ende pjesë e tepsisë. Këshilli Bashkiak përbëhet nga 61 anëtarë, nga ku PS ka vetëm 25 prej tyre. Pa 13 votat e LSI-së kuorumi ishte i pamundur të arrihej, dhe për vendime të rëndësishme duhet pjesëmarrja e më shumë se gjysmës së anëtarëve të Këshillit Bashkiak, pra duhen së paku 31 këshilltarë. PS nuk mund ta arrinte këtë shifër as me 3 votat e PDIU dhe as me një votë të FRD, e cila e çonte gjithsej në 29 këshilltarë kuorumin e përgjithshëm, por e kaloi me dy votat e partisë së Metës. LSI një ditë para se të votonte në Këshillin Bashkiak, kërkoi një seancë dëgjimore me Erion Veliajn, një veprim krejtësisht që më shumë se të bërit opozitë i dha mundësi Veliajt që të bënte propagandën e tij. Më tej, kreu i këshilltarëve bashkiakë duke dashur të bëjë opozitarin, u përqendrua te masat që do merren për familjet në nevojë dhe tek “abuzimet që bëjnë me ujin deputetët socialistë”. Në fakt, ky s’është problem thelbësor në këtë çështje. Në rast se do të donte të fliste apo të bënte opozitë, LSI mund të bënte llogaritë e saj dhe do e shikonte se justifikimet e Veliajt janë të pabaza dhe ajo çka thotë ai është vetëm një mashtrim. Në rast se do donte vërtet përmirësimin e shërbimit të ujit në Tiranë, Veliaj duhet ta niste pikërisht me këtë dhe jo të shpenzonte 28 milionë euro për ndërtimin e një sheshi për turp. Por Velija ka tjetër qëllim, ai kërkon ta kthejë në biznes personal dhe të klientëve të Ramës këtë shërbim, ashtu siç ka kthyer dhe shumë shërbime të tjera!

Rama shantazhoi një ditë më parë Metën me arrestimin e njeriut të tij

Por marrja në dorë e këtij biznesi duket se ka dhe mbështetjen e Edi Ramës, i cili po shantazhon LSI-në me anë të përjashtimeve nga puna dhe presionit duke i treguar derën e burgut. Vetëm një ditë më parë, Rama do të dërgonte për ndjekje penale një prej kandidatëve për deputet njeri i afërt me Presidentin Ilir Meta. Bëhet fjalë pikërisht për Agron Xhafën, drejtorin e Aeroportit të Kukësit dhe një prej njerëzve më të afërt të Presidentit. Rama me sa duket ka kërkuar t’i dërgojë mesazh, duke përdorur shkopin e pushtetit, një ditë përpara ngritjes së çmimit të ujit, por jo vetëm kaq. Ky mesazh është i qartë, se nëse do të kërkojë të bllokojë korrupsionin e tij, atëherë shumëkush nga forca e tij politike do të ketë fatin e Xhafajt. Për shumëkënd ky emër sdo të thotë asgjë, por Rama e di fare mirë se ku e dërgon mesazhin.  Dhe akuza është qesharake, akuzohet për dhënie pagash fiktive në prag të fushatës, ndërkohë që kjo ka ndodhur thuajse në të gjitha institucionet ku militojnë anëtarët e PS dhe LSI. Larg këtij pazari nuk qëndron as PDIU, e cila e ka kapërdirë pabesinë e Ramës në Tiranë, ku kryetari i saj Idrizi, mbeti pa mandat, dhe u rreshtua me kërkesa farsë për të justifikuar votën e saj në adresë të biznesit më të ri të Veliajt. Të dyja partitë, LSI dhe PDIU akoma shpresojnë tek zemërgjerësia e Ramës. Në rast se nuk i afron më ndonjë tjetër kockë, të paktën mos u marrë atë që kanë fituar deri më tani, dhe kjo është për të ardhur keq.

Topollaj: Nuk kishte kuorum vendimin do e ankimojmë në Gjykatë

Këshilltari i PD në Bashkinë e Tiranës, Fabian Topollaj ka thënë se qytetarët duhet të rrinë të qetë, pasi sipas tij vendimi për rritjen e çmimit të ujit në Tiranë nuk ka kaluar. Topollaj shpjegon dhe arsyen duke thënë se vendimi është marrë në mungesë kuorumi, pasi kanë votuar disa individë që nuk kanë qenë këshilltarë. “Është marrë në kushtet e mungesës së kuorumit. Ky është akt hajdutërie i kryebashkiakut Veliaj. Pas taksave të qytetit, pas parkingjeve dhe biletës së urbanit, rriti dhe ujin. Pavarësisht se Veliaj pretendon, kuorumi nuk është arritur. Këshilli e nis mbledhjen vetëm nëse ka 31 këshilltarë të Këshillit Bashkiak. Zëvendësimi i mandatit, kur ikën një këshilltar dhe vjen një tjetër, e merr vendimin vetë Këshilli. Kanë qenë 7 këshilltarë që janë zëvendësuar, dhe këta janë llogaritur në kuorum, individë pa qenë ende këshilltarë. Duhej të evidentohej prezenca e kuorumit në fillim të mbledhjes. Veliaj në panik për të kaluar vendimin e tij të radhës të hajdutërisë, kjo që ka bërë Veliaj sot është diçka e paprecedentë morale. E bëri pas zgjedhjeve se kishte frikë, sa mbaruan zgjedhjet e miratoi”, tha Topollaj.

Këshilltarët e opozitës braktisin mbledhjen Olli: Pazar politik PS-LSI

Këshilltarët e PD-së nuk morën pjesë në votim, ndërsa kryetari i këshilltarëve të opozitës e cilësoi më parë, si një pazar të pastër politik atë që po ndodhte në ambjentet e Bashkisë së Tiranës, ku këshilltarët e LSI-së u ulën në bisedime me Veliajn. Kryetari i këshilltarëve të PD, Leonard Olli, kërkoi ndërprerjen e mbledhjes, sepse nuk kishte kuorumin e nevojshëm në kushtet, kur edhe këshilltarët e LSI mungonin. “Ju kërkohet qytetarëve të Tiranës të paguajnë një shërbim që nuk e kanë marrë kurrë deri më sot. Dhe për më tepër kërkohet gati dyfishimi i çmimit të metrit kub dhe tarifës bazë çka është një abuzim i papranueshëm. Në sallë nuk mund të merret asnjë vendim, sepse nuk është kuorumi i nevojshëm”, tha Olli. Ndërkohë para nisjes së mbledhjes së Këshillit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ishin pranuar propozimet e LSI dhe se Këshilli ka votat për ta kaluar propozimin, pasi në sallë ishin prezent dy këshilltarët Mezini dhe Kraja. Ky lajm bëri që të reagojë menjëherë PD, përmes kryekëshilltarit Leonard Olli, duke e quajtur vendimin e LSI pazar të pastër politik. “Ky është pazar i pastër politik, sepse ne duke i kërkuar teknikisht për të ndaluar këtë akt të turpshëm sikurse është rritja e çmimit të ujit të pijshëm, i kërkuam mosprezencën në votim të kësaj pike çka do të bënte të pamundur votimin e aktit për arsye se PS nuk ka kuorumin e nevojshëm as për të zhvilluar mbledhjet në këtë sallë. I bëjmë thirrje LSI të mos bëhet patericë e këtij vendimi kriminal”, u shpreh Olli në daljen e tij të dytë para mediave. Paralelisht me zhvillimet e Këshillit Bashkiak para Bashkisë një përfaqësi e Shoqërisë Civile protestoi kundër rritjes së çmimit të ujit me 20 lekë.

A fshihet ndonjë kompani koncesionari pas rritjes së çmimit?

Ndërkohë, nga rritja e çmimit të ujit preken rreth 707 mijë banorë të Tiranës së madhe. Fatura pas hyrjes në fuqi pritet t’u dyfishohet fatura e ujit. Dyshimet janë se dhe ky sektor do të jepet me koncesion dhe Veliaj priti përfundimin e zgjedhjeve që të rriste tarifat. Më qesharake në pretendimet e Veliajt ishte fakti se kjo rritje kërkohej për të kryer investime në rrjet. Në fakt s’është aspak kështu. Dhe me 45 lekë për metër kub, ujësjellësi ka një fitim neto prej rreth 30 lekësh (shifra mendohet të jetë më e madhe, pasi me shumicë uji ka një çmim prej 12 lekësh). Në rast se do të bëhet një llogari vjetore, për rreth 84 milionë metra kub ujë në vit që prodhon Bovilla, atëherë rezulton që fitimi neto të jetë rreth 20 milionë euro në vit, ose 2,5 miliardë lekë. Dhe këtu nuk po futet çmimi i ujrave të përdorura, të cilët kanë një kosto të papërfillshme, por që merret 11 lekë për metër kub. Vetë Veliaj deklaroi se në vitin 2016, ujësjellësi kish kapur një normë fitimi prej 5 milionë euro, çka do të thotë që ky sektor është i paaftë të mbledhë më shumë se 25% të pagesave që duhet të bëjne konsumatorët. Ndërkohë me çmimin e ri, i bie që kjo shumë pra fitimi i UKT të shkojë në rreth 38 milionë euro në rast se do mblidhej, pra gati një dyfishim të shumës që do duhej të mblidhte UKT, por që do dalë nga xhepat e qytetarëve. Në fakt shuma është e përafërt se këtu nuk llogariten bizneset që kanë një tarifë tre herë më të lartë. Shkurt një biznes që do e kishin zili dhe kompanitë e mëdha që operojnë në bursë.

Fatura e ujit mbi 40 mijë lekë

Qytetarë dhe shoqata kundër rritjes së çmimit të ujit kanë paralajmëruar dje vijimin e protestave dhe revoltës deri në zhbërjen e vendimit të Veliajt për rritjen e çmimit të ujit. Tarifat aktuale të ujit në Tiranë deri 6 herë më të larta në raport me të ardhurat për frymë. E ndërsa aktualisht fatura e ujit që paguajnë konsumatorët shqiptarë varion nga 17 mijë lekë të vjetra e deri në 25 mijë lekë të vjetra, me rritjen e bërë dje në darkë nga Bashkia e Tiranës fatura do të kriposet edhe më shumë duke kapur nivelin e minimumit që paguajmë për energjinë elektrike, deri në vlerën e 40 mijë lekëve të vjetra.  Përgjatë kohës që mbahej mbledhja e Këshillit Bashkiak, ku Veliaj po mbyllte pazarin e tij, jashtë shumë qytetarë të Tiranës, të thirrur nga grupimi qytetar kundër rritjes së çmimit të ujit, organizuan një protestë. Me anë të një deklarate ata dolën kundër rritjes së çmimit të ujit, duke u shprehur se ajo është e paargumentuar dhe vjen vetëm si pasojë e keqmenaxhimit të Ujësjellës-Kanalizimeve. Një prej folësve tha se, Veliaj dhe në këtë rast po vepron njësoj, siç rriti taksat për biznesin dhe çdo taksë tjetër që rëndon mbi kurrizin e qytetarëve. Janë pikërisht këta qytetarë që mashtruesi që është në krye të Bashkisë do i konsideronte qenëri. Kryemashtruesi, që i rëndon mbi kurriz vdekja e 17-vjeçarit në landfillin e Sharrës, nuk ngurroi dhe një herë të ofendojë njerëzit e këtij qyteti, që po i vjedh dhe po i takson çdo ditë e më shumë.

Revolta e protestuesve

Në deklaratën e shpërndarë nga protestuesit theksohet qartë se, fajtori i vetëm për keqmenaxhimin e këtij sektori është Bashkia e Tiranës dhe pasojat e këtij keqmenaxhimi kërkon t’ua faturojë qytetarëve “Ne jemi një grup qytetarësh të angazhuar dhe të shqetësuar nga një informacion publik, i cili na bën me dije se në mbledhjen e datës 26 korrik 2017, ndër të tjera do të shqyrtohet edhe vendimi ‘për dhënie mendimi për ndryshimin e tarifave’. Më poshtë po shtjellojmë disa nga argumentet. Bashkia argumenton se UKT është një ndërmarrje jo rentabël, e cila nuk ka likuiditet që të kryejë investime, por bazuar në deklarimet publike vetëm për vitin 2016 UKT ka arkëtuar një fitim prej 5 milionë eurosh. Qartazi kompania nuk është në vështirësi financiare siç pretendon. Bashkia pretendon se rritja e çmimit do të përmirësojë shërbimin, por bazuar në informacionet zyrtare ne mendojmë që mungesa e shërbimit qëndron tek keqmenaxhimi dhe jo te tarifat. Më konkretisht, sipas raportit të ERU në vitin 2016, 67.1% e ujit të shpërndarë nga ujësjellësi nuk tarifohet. Praktikisht vetëm 22.9% e ujit të shpërndarë faturohet, pjesa tjetër ose vidhet ose shpërdorehet duke i shkaktuar dëme kompanisë. Nëse ndjekim një logjikë të thjeshtë bazuar tek tarifat e deklaruara nëse kompania do të mirëmenaxhohej dhe mos shpërdorohej, fitimi i saj minimalisht do të rritej me dhjetë milionë euro në vit, shumë kjo e mjaftueshme për të realizuar investimet. Sipas një raporti të BB, Shqipëria ka çmimin më të lartë të ujit në rajon. Ne ja kalojmë për shtrenjtësi të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që po sipas BB, Shqipëria ka popullsinë më të varfër të rajonit. Dhe të ardhurat duhet të jenë në proporcion. Kjo diferencë në çmim. Mungesa e shërbimit e ritheksojmë se nuk vjen si pasojë e mungesës së burimeve hidrike, se ne kemi burimet më të shumta në rajon, por si pasojë e keqmenaxhimit dhe korrupsionit. Rritja e çmimit nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e problemit dhe do të varfërojë dhe më shumë qytetarët shqiptarë. Tirana sot është qyteti më i shtrenjtë në Shqipëri. UKT ka nevojë urgjente për mirëmenaxhim. Një institucion kampion në shpërdorimin e parasë publike, nuk mund të kërkojë më të administrojë shumë fonde. Në raportin e KLSH theksohet qartë se vetëm si pasojë e largimit të punonjësve nga puna dhe punësimit jashtë kritereve ligjore, UKT ka shkaktuar një dëm prej 347 mijë eurosh, kjo brenda një viti. Ndërsa shpërdorimi i fondeve ka kapur shifrën e 5.5 milionë eurove. Përpara se t’i japim më shumë fonde kësaj kompanie është urgjente të mbyllen gropat e abuzivitetit”, thuhet në deklaratën e grupimit qytetar kundër rritjes së tarifave të ujit.

Tarifat aktuale të ujit në Tiranë deri 6 herë më të larta, por kjo nuk mjafton

Ka një parim të përbotshëm që karakterizon metodologjitë e miratimit të tarifave të ujit, ku familjet me të ardhura të ulëta duhet të jenë në gjendje të plotësojnë nevojat bazë të konsumit duke shpenzuar jo më shumë se 5% të të ardhurave të tyre për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizime. Ky parim bëhet i ditur nga Enti Rregullator i Ujit (ERU), i cili shpjegon se ky kufi vlen edhe për ndërmarrjet shqiptare të ujit, qoftë ato në pronësi publike apo private. ERU thotë se tarifa, që familjet më të ardhura të ulëta duhet të paguajnë, nuk duhet të jetë më shumë se 5 për qind e të ardhurave mujore, por në Tiranë tarifat aktuale të ujit jo vetëm që kapërcejnë këtë kufi po janë disa herë më të larta. Tarifa aforfe e ujit në Tiranë për personat që nuk kanë matës në zonën e Komunës së Parisit është 2340 lekë. Kjo vlerë është sa 15 për qind e pensionit mesatar në Tiranë. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore pensioni mesatar në zonat urbane në vitin 2016 ishte 14,873 lekë. Për rrjedhojë tarifa e faturës aforfe e ujit që duhet të paguajë një pensionist, që jeton vetëm, është sa 15 për qind të ardhurave mujore ku parimi që udhëheq vendosen e tarifave të ujit kërkon që të jetë më pak se 5%. Gjithashtu fatura aforfe e ujit zë 28 për qind të të ardhurave te një familje që jeton me ndihmë ekonomike, e cila aktualisht në nivelin maksimal të saj është 8000 lekë në muaj. Përllogaritjet tregojnë se fatura e ujit edhe me çmimet aktuale është më e lartë se aftësitë paguese të familjeve me të ardhura të ulëta. Sipas relacionit, për familjarët propozohet një rritje çmimi me 44%, nga 45 lekë/ m3 në 65 lekë/m3. Për bizneset, rritja e propozuar është po 44%, nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3. Sipas relacionit të Bashkisë, shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e planit të biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës, nga 75% më 2016, në 97% për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021 dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018”. Rritja e çmimit propozohet në një kohë që Ujësjellës-Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rikuperimit të detyrimeve të prapambetura. Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015.

Ministrat e PD, gati dorëheqjet nga qeveria

– Ftesa për opozitën përfshirë edhe LSI-në?
Këdo që është gati të bëjë opozitë, por jo pazar-opozitë. Opozita është e plotë. Nuk është me kohë të pjesshme, është e pandarë ndaj pushtetit, nuk është diku opozitë dhe diku pazar. Ndaj ftesa është për këdo që është gati të bëjë opozitën për të cilën ka kaq shumë nevojë ky vend. Opozitën dhe alternativën, Partia Demokratike i ka sot misionin e saj kryesor.

– Kur do t’i tërhiqni ministrat?
Ministrat po përfundojnë raportin dhe menjëherë pas kësaj më kanë informuar se kanë bërë gati dorëheqjen e tyre.

– Z. Basha, po për reformën zgjedhore a vazhdon marrëveshja?
Natyrisht që ne do të bëjmë çdo përpjekje që Shqipëria të ketë një sistem të drejtë zgjedhor e përfaqësues për qytetarët dhe të padhunueshëm nga bandat, nga milionat e drogës dhe përqindjet e tenderave dhe koncesioneve korruptive siç ndodhi edhe një herë në zgjedhjet e 25 qershorit ku pamë Dibrën e 2016 në nivel makro.
Beteja për zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të jetë një ndër beteja kryesore së bashku me betejën për një ndarje të drejtë territoriale që i përgjigjet interesave të qytetarëve dhe jo të politikës grabitqare dhe me reformat e tjera të rëndësishme për vendin.
Një gjë është e sigurtë, opozita jonë do të jetë opozitë institucionale parlamentare, por do të jetë po kështu opozitë aktive qytetare, e cila do të shtrihet në çdo hapësirë për të luftuar për të drejtat e qytetarëve.

– Po një analizë për zgjedhjet kur do ta bëni, zoti Basha?
Analiza, ç’është e vërteta bëhet në dy nivele, jo në nivelin sovjetik, në nivelin e analizimit të fakteve: çfarë ka ndodhur kuti votimi për kuti votimi, çfarë përfaqëson kjo për qytetarët që banojnë në atë zonë dhe çfarë përfaqëson për përgjegjësitë dhe reflektimet e strukturës.
Partia Demokratike do të dalë përmes një reflektimi të thellë, me një organizim edhe më të fortë, edhe më gjithpërfshirës, edhe më të hapur, edhe më luftarak për opozitën që ka nevojë ky vend.
Ndaj ju ftoj të gjithë së bashku ta mbajmë vëmendjen tek ajo që ka më shumë nevojë Shqipëria sot, një opozitë reale, një opozitë e fortë, një opozitë të vërtetë për hallet dhe problemet e njerëzve për të rikthyer shpresën, e cila edhe sot e kësaj dite po ja mbath nga sytë këmbët, duke shkaktuar një eksod në vazhdim të shqiptarëve.

Ikja masive, BE ktheu 42 mijë e 600 emigrantë ilegalë nga Shqipëria

Shifër e frikshme. Bashkimi Europian ktheu mbrapsht 42 mijë e 600 emigrantë ilegalë nga Shqipëria gjatë vitit të kaluar. Lajmin e ka bërë publik Instituti Europian i Statisitikave, i cili raportoi se shqiptarët kryesojnë listën e kthimeve nga vendet e BE me diferencë të madhe nga vendet e tjera. Sipas Eurostat, gjatë vitit 2016, vendet e Bashkimit Europian urdhëruan kthimin e 226 mijë emigrantëve të paligjshëm në total. Ky është numri më i lartë që nga viti 2008, kur Eurostat nisi të publikojë statistikat për hyrje-daljet e emigrantëve dhe çdo një në pesë të kthyer ishte shqiptar. Pas shqiptarëve, në vendin e dytë renditen emigrantët nga Ukraina me 22 mijë e 600 të kthyer. Iraku mban vendin e tretë me 17 mijë e 100 emigrantë të riatdhesuar, ndërsa në vendin e katërt renditet një tjetër shtet shqiptar, Kosova me mbi 13 mijë riatdhesime. Të dhënat zyrtare tregojnë se shqiptarët vazhdojnë të emigrojnë me ritme të larta drej vendeve të Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, vetëm në tre vitet e fundit 2014-2016, në vendet e BE-së kanë hyrë mbi 118 mijë emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria. Shumica dërrmuese e tyre, përkatësisht 101 mijë vetë janë kthyer mbrapsht me forcë, një proces i cili vazhdon edhe gjatë 2017-ës.

Statistikat

Sipas statistikave europiane, të paktën 32 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil vitin e kaluar në vendet e Bashkimit Europian. Nga këta, 7.445 shqiptarë aplikuan për azil në Francë. Më datë 15 qershor, në media do të qarkullonte lajmi se 10 familje prej dy muajsh jetojnë në çadra të improvizuara në një lagje të Lionit. Ky numër është rritur së tepërmi, çka do të thotë se numri është shtuar më shumë pas datës 26 qershor. Ky është vetëm një ndër kampet që janë ngritur në Lion të Francës dhe hemorragjia vazhdon edhe sot. Në fakt ka një tkurrje të prurjeve të emigrantëve nga Afganistani apo Siria përgjatë fundit të muajve të 2016 dhe vitit 2017. Vetëm nga Shqipëria jo. Këtu po flasim vetëm për të dhënat zyrtare që po synojnë kufijtë e BE, po ka shumë nga ata që megjithëse janë kthyer një herë dhe i është refuzuar azili i qëndrimit tentojnë të ikin sërish. Kjo është vetëm shenja e parë dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë të tjera grupe në vijim. Kjo ndodh kur pushteti uzurpohet nga despotë dhe nga njerëz që të vetmen alternativë kanë vetëm vjedhjen dhe korrupsionin. Në fakt, një sondazh i Gallup, jepte alarmin përpara zgjedhjeve se, 56 për qind e shqiptarëve kërkojnë të emigrojnë.

Përse largohen?

Në fakt vendet që braktisen në shumicën e rasteve janë ato që nuk kanë shpresë. Në Shqipëri mungon gjithçka, mungon punësimi, mungojnë të ardhurat, mungon perspektiva. Të pyetur se përse largohen, ata shprehen qartazi se arsyeja e parë është mungesa e punësimit dhe të ardhurat e pakta për të siguruar minimumin jetik për familjen. “Jemi pa punë, pa të ardhura, pa asgjë. Çfarë do të bëjmë atje, s’ka asnjë lloj mënyre për të jetuar. Këtu do të shohim ndonjë mundësi se është vend i madh, por dhe politikat janë të tilla që të paktën fëmijët të arrijnë të kenë një të ardhme”, thotë njëri prej tyre. Por Edi Rama në fushatë elektorale kishte vetëm mendjen tek tepsia se si ta gllabëronte i vetëm dhe asnjëherë nuk përmendi hallet e njerëzve, por mendoi se si t’u blinte votën pjesës më të madhe të shtresës së pambrojtur. Ajo pjesë që i rezistoi këtij tundimi sot shikon se ku mund të gjejë zgjidhjen dhe ajo mbetet një dhe unike. Të ikin nga sytë këmbët, më mirë atje në çadër në Lion apo gjetkë sesa në një Shqipëri, e cila nuk afron asgjë, në radhë të parë nuk afron shpresë. Shumica e shqiptarëve sot jetojnë nën minimumin jetik dhe kjo ishte një tjetër arsye se përse shumë prej tyre s’e menduan gjatë para se të shisnin votën. Vota u shit me idenë se si ta shtyjmë dhe një ditë më shumë për të plotësuar pak nga ato shumë nevoja jetike që kanë dhe jemi këtu ku jemi. Shqiptarët vazhdojnë të lenë Shqipërinë e tyre dhe kjo është një nga gjërat më të rënda që i ndodh një vendi. Të ikë forca më e kualifikuar e punës, një investim dhjetëra vjeçar do të thotë që një vend të rrënohet. Të ikin fëmijët e të rinjtë do të thotë që një vend të shkojë me shpejtësi drejt plakjes. Në rast se vazhdon me këtë ritëm të ikjes dhe braktisjeve ndoshta s’do të jetë e largët dita kur në Shqipëri nuk do të flitet më për popullsi të aftë për punë, por vetëm për popullsi të aftë për të tërhequr pensionin e pleqërisë.

Banka Botërore dyshime për zbatimin e kredisë 150 milionë dollarë për energjinë

Nga kredia e Bankës Botërore 150 milionë dollarë për ringritjen e sistemit energjetik, e cila është bërë efektive qysh në janar të vitit 2015, në vitin e tretë të zbatimit të saj janë disbursuar vetëm 13.7 milionë dollarë. Sipas të dhënave zyrtare nga projekti, Banka Botërore ka vlerësuar si rreziqe mjaft të larta për zbatimin e saj kapacitetet teknike për aplikimin e projektit të kredisë. Banka i vlerësoi komponentët teknikë të zbatimit të projektit, ato të mbikëqyrjes dhe angazhimin e palëve të interesit me risk të lartë.
Në vlerësimin e projektit, më herët gjatë qershorit të këtij viti, zbatimi i projektit u vlerësua me rrezik të lartë, duke marrë në konsideratë punën e më shumë se tri viteve për zbatimin e tij. Në dokumentin e vlerësimit, Banka pohon se, një paketë prej 46 milionë eurosh është në proces prokurimi për investimet në rrjet. Ndërsa shuma e mbetur prej 50 milionë eurosh pritet të prokurohet gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017. Nënprojektet kryesore janë nënstacione dhe investime në sistemin e matjes për balancën e energjisë elektrike.
Banka thotë se performanca e sektorit të energjisë është përmirësuar ndjeshëm nga rritja e arkëtimeve në mbi 92% dhe borxhet ndërmjet kompanive janë fashitur, teksa OSHEE ka investuar nga fondet e veta më 2015-2016 rreth 80 milionë euro.
Banka pohon se pozita financiare e kompanive është përmirësuar, por kërkon që të bëhet më shumë punë për të siguruar që këto arritje të jenë të qëndrueshme në afat të gjatë dhe të përfshijnë ndër të tjera përditësimin e kuadrit rregullator ekzistues dhe metodologjinë e tarifave. Por që nga muaji qershor, kur banka bëri vlerësimin, sektori energjetik dhe kompanitë të përfshira në projekt po përjetojnë një situatë emergjencë që ka krijuar mungesa e reshjeve. Harxhimet për importet e verës deri në fund të shtatorit kërkojnë së paku 70 milionë euro, shumë kjo përveçse angazhon të gjithë fitimin e kompanive, shkurton planet e tyre të investimeve dhe rrezikon t’i çojë ato në akumulimin e detyrimeve të reja nëse thatësira do të zgjasë.

Banka e Shqipërisë ka blerë deri 24 mln euro në 7 muajt e parë të vitit

Banka e Shqipërisë, në deklaratën për ndërhyrjet në tregun e parasë në tremujorin e parë 2017, ka bërë të ditur se ajo ka blerë tre herë valutë në tregun e brendshëm gjatë pjesës së parë të vitit 2017, me synim rritjen e rezervës valutore. Sipas kalendarit të Bankës, ajo ka ndërhyrë në treg në datat 10 prill, 11 qershor dhe 20 korrik. Nuk bëhet e ditur shuma që është blerë çdo herë, por në planifikimin e fillimvitit synohej të blihet nga 3-8 milionë euro për çdo datë. Shuma maksimale që mund të jetë blerë arrin në këtë mënyrë deri në 24 mln euro. Banka pritet të bëjë edhe katër ndërhyrje të tjera deri në fund të vitit, përkatësisht në datat 11 gusht, 20 tetor, 17 nëntor dhe 15 dhjetor, ku shuma e synuar për t’u blerë sërish luhatet nga 3 deri në 8 milionë euro.
Këtë vit Banka ka pasur avantazhin që të blejë rezervën valutore më lirë, sidomos atë në monedhën e përbashkët, teksa euro është këmbyer mesatarisht mes 132 dhe 135 lekëve. Në datat e ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë për të blerë valutë, nuk është konstatuar mbiçmim i euros për shkak të rritjes së kërkesës nga institucioni monetar qendror. Në fund të vitit 2016, sipas statistikave të BSH-së, rezervat valutore ishin 2.94 miliardë euro, të nevojshme për të mbuluar 7.2 muaj importe.
Krahas ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valuator, Banka e Shqipërisë njoftoi se në tremujorin e parë 2017, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë konsistojnë në operacionet e tregut të hapur dhe veprimet me qëllim administrimin e portofolit të saj të bonove të thesarit. Krahasuar me tremujorin e fundit 2016, këtë tremujor, nevoja e sistemit bankar për likuiditet u reduktua me rreth 1 miliard lekë, duke u injektuar në total mesatarisht 30 miliardë lekë. Në funksion të operacioneve të tregut të hapur, Banka e Shqipërisë ka përdorur instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, për injektim të përkohshëm të likuiditetit për mesatarisht 20.9 miliardë lekë kundrejt 23.6 miliardë lekëve në tremujorin e katërt të 2016-ës. Por, me qëllim menaxhimin më të mirë të likuiditetit të sistemit, gjatë kësaj periudhe u rinovuan injektimet e gjata për shuma më të larta, për mesatarisht 9.4 miliardë lekë kundrejt 6.5 miliardë lekëve gjatë tremujorit të mëparshëm.
Operacioni rregullues për injektim njëditor është përdorur në 2 raste për 1.4-1.5 miliardë lekë, për të akomoduar nevojën e bankave për likuiditet në fund të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar në muajin mars. Depozita njëditore është përdorur në mënyrë konstante për shumat 1.7-6.7 miliardë lekë, me tendencë rënëse drejt fundit të periudhës deri në 4 miliardë lekë. Ndërkohë, kredia njëditore është përdorur në vetëm 3 raste në ditët e fundit kundrejt 7 rasteve gjatë tremujorit të mëparshëm, me shuma nga 0.08-3 miliardë lekë në 0.8-2.7 miliardë lekë, njoftoi BSH.

Basha: Opozitë të fortë, 20 mijë të larguar në dy muaj

Opozita bëhet gati për një opozitë të fortë kundër Ramës dhe qeverisë së re socialiste. Kryetari i PD, Basha ka mbledhur grupin e ri parlamentar për të vendosur piketat e para të lëvizjes opozitare. Mbedhja e grupit është bërë vetëm pak pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve çertifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit.
Porosia kryesore e Bashës për deputetët ka qenë kontakti direkt dhe i vazhdueshëm me njerëzit.
“Ishte mbledhja e parë e grupit të ri parlamentar të opozitës, të Partisë Demokratike. Ishte një takim i parë midis të gjithë deputetëve të këtij grupi parlamentar, ku ka një ndërthyrje midis përvojës dhe prurjeve të reja.
Mesazhi i parë dhe kryesor është që Partia Demokratike bëhet gati për një opozitë të fortë, të pakompromis dhe ballore me Edi Ramën dhe qeverinë e tij me të cilën nuk na bashkon asgjë, as vizioni, as qëllimet dhe as vlerat tona”, tha Basha.
Basha ka denoncuar faktin se vetëm brenda dy muajve të fundit, qershorit dhe korrikut janë larguar nga Shqipëria 20 mijë shtetas, të cilët kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Europian. Kjo për Bashën është e qartë. Për shqiptarët nuk ka shpresë me Ramën.
“Ne na bashkojnë këto vlera, këto qëllime dhe ky vizion me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, në emër të të cilëve do të bëjmë një opozitë të fortë që nis nga kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit, që është edhe porosia ime kryesore për deputetët, i vazhdueshëm me ta. Vazhdon me denoncimin që është një detyrë akoma më e rëndësishme në kushtet kur pavarësisht prej punës tuaj si gazetarë, kapja e mediave e bën denoncimin e problemeve më të vështirë. Përmenda një fakt: sipas të dhënave zyrtare, në qershor dhe në korrik, 20 mijë shqiptarë janë larguar për të kërkuar azil në vendet e Europës Perëndimore. Kjo tregon edhe një herë atë që kemi thënë prej fillimit se me Edi Ramën dhe qeverinë e tij nuk ka dhe nuk mund të ketë as shpresë as dritë në fund të tunelit”, tha Basha.
Kryetari i PD tha se demokratët janë të hapur të mirëpresin këdo në opozitë që është gati të bëjë opozitë të fortë dhe jo pazar, ndërsa prioritet do të jenë vetëm hallet e njerëzve.
“Opozita jonë do të jetë një opozitë, e cila buron nga hallet dhe problemet e njerëzve që denoncon paudhësitë, zullumet e qeverisjes së lidhur me krimin, me bandat, me drogën, me korrupsionin, por që po kështu propozon në emër të qytetarëve zgjidhjet për të cilat jam i sigurtë që do të marrin jetë vetëm përmes mbështetjes në vlerat e vërteta, me opozitën e vërtetë, siç ka qenë dhe siç është Partia Demokratike, në të cilën mirëpresim këdo që është gati të bëjë opozitë, por jo pazar-opozitë…”, tha Basha.