28.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Koncesioni i shkollave, afera 79 miliardë lekë

Nga Valmora Gogo

Prej disa ditësh vëmendja e qytetarëve dhe zërave të opinionit publik është fokusuar te rritja e çmimit të ujit për metër kub: nga 45 lekë në 65 lekë. E shoqëruar edhe me protesta, qytetarët vazhdojnë ta kundërshtojnë. Këshilltarët e PD-së dhe LSI-së janë pozicionuar kundër rritjes së çmimit të ujit. Megjithatë pas gjithë këtij debati fshihet diçka edhe më e madhe. S’ka të bëjë me rritjen e çmimit, por me një tjetër “Projekt” të kryebashkiakut Veliaj, që ka gjasa të kalojë fare pa u vënë re: Miratimin e një skeme koncesioni për ndërtimin e plot 17 shkollave në kryeqytet.
Dy ditë më parë “Exit.al” nxori i pari informacionin rreth këtij projekti, shumë ambicioz sa u përket kostove, por dje “Shuplaka” zbulon relacionin për kontratën TIP, ku thuhet qartësisht: “Ndërtimi i këtyre 17 shkollave të reja përmes një skeme koncesioni/partneriteti publik privat, ku shkollat e reja projektohen, financohen, ndërtohen dhe mirëmbahen nga koncesionari për një periudhë kohore 7-vjeçare, është teknikisht dhe ekonomikisht i realizueshëm dhe financiarisht i përshtashëm”.

Kostot e një afere të pistë

Mbi 460 mijë lekë të vjetra për metër katrorë. Kaq ka llogaritur projektuesi i Veliajt për koston e ndërtimit të shkollave. Mbi 54 miliardë lekë të vjetra do të kushtojë ndërtimi për 17 shkollat (5,406,768,353 lekë të reja).
“Bazuar në relacionin e marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike, nr.prot. 21407/2, datë 09.08.2016, kostoja për ndërtimin e shkollave është 46,331.67 lekë/m2, ndërsa për ndërtimin e kopshteve është 54,380.83 lekë/m2. Llogaritur gjithashtu edhe kostot e tjera të projektit, si kostoja e mobilimit, kostoja e mirëmbajtjes, studim projektimi, mbikëqyrja e punimeve, kolaudimi, oponenca teknike, mbrojtja ndaj zjarrit dhe leja mjedisore. Në total, kostoja direkte e investimit për ndërtimin e 17 shkollave të reja është përllogaritur 5,406,768,353 lekë”, thuhet në relacionin e kontratës TIP.
Si do të punohet me koncesionarin? Fare thjeshtë sipas llogarive të bashkisë: për 7 vjet do të rimbursohet për vlerën në kohë të parasë që i përdor bashkia.
“Duke qenë se koncensionari do të paguhet me këste vjetore nga Bashkia Tiranë për një periudhë 7-vjeçare, atëherë ai do të duhet të rimbursohet për vlerën në kohë të parasë. Për këtë arsye si marzh fitimi kemi marrë si tavan normën mesatare të obligacioneve të qeverisë shqiptare, për obligacione 7-vjeçare fikse, e cila është përllogaritur 6,28%”, thuhet më tej.
Mendoni se 54 miliardë lekë është kostoja totale? Jo! Asaj do t’i shtohen miliarda të tjera.
“Pas 7 vjetësh, në përfundim të kontratës, së bashku me koston e mirëmbajtjes, kostoja totale e skemës së koncesionit/partneritetit publik privat do të jetë 7,997,517,960 lekë”, sqarohen miliardat “stratosferike”, mbi 79 miliardë lekë të vjetra.

Mënyra e prokurimit

Veliaj me projektuesit e tij mendon se ky koncesion jo vetëm është fitimprurës për sektorin privat, por “lehtësisht i realizueshëm brenda mundësive buxhetore të Bashkisë Tiranë”.
“Këstet vjetore që do t’i paguhen koncesionarit do të mbulohen nga të ardhurat nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe transferta e kushtëzuar nga Ministria e Financave. Në këtë mënyrë, ky koncesion/partneritet publik privat nuk e vendos aspak në vështirësi kapacitetin financiar të Bashkisë Tiranë, duke bërë të mundur që fondi i invesimeve dhe gjithë zërat e tjerë të buxhetit të mbeten të paprekur”, thuhet më tej.
Për prokurimin, Veliaj mendon se një kontratë me koncesion/PPP është më e dobishme. Vërtet?! Dyshohej të thuhej ndryshe për këtë plan që po kalon në fshehtësi kaq të madhe?!
“…realizimi i këtij projekti nëpërmjet dhënies së një kontrate me koncesion/PPP është më e dobishme krahasuar me mundësinë e dhënies përmes një kontrate prokurimi publik. Për ndërtimin e 17 shkollave të reja përmes metodave tradicionale të prokurimit, Bashkia Tiranë mund të përdorë tri mënyra: prokurimin e drejtpërdrejt të menjëhershëm të 17 shkollave të reja, prokurimin e 17 shkollave të reja duke e shtrirë në një periudhë 3-vjeçare dhe prokurimin e një apo disa shkollave në vit sipas mundësive të veta financiare”, thuhet në relacion ku shtohet se duke pasur parasysh koston totale të projektit, dy mundësitë e para janë dukshëm përtej mundësive financiare të Bashkisë Tiranë.
“Pra, përmes këtyre dy metodave tradicionale të prokurimit, projekti është financiarisht i parealizueshëm. Mundësia e tretë e sipërpërmendur nuk e realizon plotësisht projektin pasi përmes saj mund të ndërtohen vetëm 14 nga 17 shkollat që nevojiten. Gjithashtu, edhe 14 shkollat që mund të ndërtohen, nuk ndërtohen menjëherë, por përgjatë 9 viteve të ardhshme.
Në ndryshim nga tre mundësitë e prokurimit tradicional të projektit, me skemën e propozuar të koncesionit/partneritetit publik privat, projekti është jo vetëm i realizueshëm menjëherë dhe me fizibilitet, por edhe pa kosto shtesë për buxhetin e Bashkisë Tiranë duke qenë se ai nuk e prek fare fondin e investimeve për vitet e ardhshme. Përmes kësaj skeme, Bashkia Tiranë e zgjidh brenda dy viteve të ardhshme problemin e mbipopullimit dhe të zhvillimit të mësimit me dy turne”, përfundon versionin e saj Bashkia.
Pas gjithë këtyre detajeve që “Shuplaka” ka mundur t’i mësojë me të drejtë lindin disa pyetje:
– Pse u mbajt i fshehtë ky koncesion?!
– A duhej diskutuar mënyra më efikase për ndërtimin e 17 shkollave, për të cilat ka nevojë Tirana?!
– Cilat janë kompanitë që do të përfitojnë?!
– Si do të pozicionohen këshilltarët e PD-së dhe LSI?!
– A u nxit debati për rritjen e çmimit të ujit me qëllim mbulimin e miliarda lekëve të tjera, vendimi për të cilat po kalon pa u diskutuar aspak?!

Ku shkojnë taksat që i paguajmë Bashkisë?

Njësoj siç veproi më 30 dhjetor të vitit 2015, kur kaloi në Këshillin Bashkiak vendimin për të rritur çmimin e biletës së transportit urban në kryeqytet, Erion Veliaj pritet të kalojë edhe vendimin për të dyfishuar çmimin e ujit të pijshëm në Tiranë. Përtej kundërshtisë se rritja e çmimit të ujit nuk bazohet në kurrfarë argumenti dhe se UKT është një ndërmarrje rentabël, interesant është edhe një detaj që nuk mund të anashkalohet. Pikërisht momenti që Veliaj ka zgjedhur të kalojë në Këshill këtë vendim që kurrsesi nuk mund të duartrokitet nga banorët e Tiranës. Fundkorriku dhe muaji gusht shfrytëzohen nga qytetarët për të pushuar.
Jo më kot kryebashkiaku ka zgjedhur tinëz këtë kohë. Tirana është pothuajse e zbrazët, vëmendja e publikut është e ulët, protestat në këtë pikë vape zor dhe të mendohen e jo më të organizohen. Prandaj, si manipulator dhe mjeshtër i propagandës, Erion Veliaj kërkon ta shfrytëzojë këtë periudhë për të kaluar pa shumë zhurmë në Këshillin Bashkiak vendimin për dyfishimin e çmimit të ujit. E njëjta strategji u përdor edhe për të rritur çmimin e biletës nga 30 në 40 lekë.
Kujtoni se vendimi në Këshillin Bashkiak u miratua me shumicë një natë përpara se shqiptarët të festonin Vitin e Ri. Sigurisht që nuk ishte e rastësishme të lihej ai vendim për atë kohë. Sikundër nuk është rastësi që vendimi për çmimin e ri të ujit të kalojë. Ky është vendimi më i fundit në serinë e disa vendimeve të tjera të Erion Veliajt, që kanë shtrenjtuar ndjeshëm jetesën në kryeqytet. “Lapsi.al” sjell në vëmendje disa prej tyre.
Në nëntor 2015 janë miratuar tarifat e reja të parkingjeve. 71 rrugë të Tiranës, rreth 60% e parkingjeve janë bërë me pagesë. Tarifat variojnë nga 20 lekë deri në 100 lekë/orë. Në rrugët kryesore për të parkuar makinën duhet të paguani 100 lekë/orë.
Jashtë çdo logjike, Erion Veliaj vendosi për banorët e kryeqytetit edhe taksën e arsimit, 1800 lekë në vit për familjarët dhe 4000 lekë për bizneset e vogla dhe akoma më shumë për bizneset e mesme e ato VIP. Heqja e taksës për biznesin e vogël nuk ishte asgjë përpara këtyre taksave.
Që prej shkurtit të vitit 2016, qytetarët në Tiranë e paguajnë më shtrenjtë biletën e autobusit pas vendimit të Veliajt për ta rritur në 40 lekë. Ndërkohë që shërbimi që ofrojnë kompanitë e transportit vazhdon të jetë katastrofë. KLSH në një raport kishte konstatuar se rritja ishte jo transparente dhe e paargumentuar.
Taksa 8% e ndërtimit e vendosur prej kryebashkiakut Erion Veliaj është një tjetër rëndesë në xhepat e atyre që duan të blejnë apartamente në Tiranë apo njësi shërbimi në kryeqytet. Kjo taksë, tha Veliaj, shihet si një mënyrë për të siguruar më shumë të ardhura nga fitimet e ndërtuesve. Por këta të fundit e transferojnë këtë taksë në çmimin me të cilin shesin apartamentet apo njësitë e tjera të shërbimit.
Në faturën e ujit, e cila do të vijë dyfish më shumë, janë ndërkohë që prej shkurtit 2016 edhe tri taksa të reja të vendosura nga Veliaj. Bëhet fjalë për taksën për pronën, atë të pastrimit dhe infrastrukturës arsimore.
Dje Erion Veliaj u shpreh se nuk dorëzohet për të kaluar vendimin për rritjen e çmimit të ujit, qoftë edhe sikur “e gjithë qenëria e Tiranës t’i vihet pas”.
PD është shprehur kundër, ndërsa LSI ka kërkuar dëgjesë publike me kryebashkiakun dhe kategorizim për abonentët familjarë. Kryebashkiaku Erion Veliaj në dy vitet e para të mandatit, me taksat dhe tarifat që ka vendosur, i ka dhënë një goditje të madhe xhepave të kryeqytetasve dhe bizneseve që operojnë në Tiranë. Mbase edhe në këtë rast vlen ajo që ka thënë Rama në fillim të mandatit si Kryeministër, se s’kemi parë gjë akoma…

“Lapsi.al”

Ujërat e zeza pushtojnë Ksamilin

Ksamil. Qindra pushues janë tmerruar dje teksa nën shezlongun ku ata po pushonin kanë vërshuar si lumë ujërat e zeza dhe të bardha për shkak të shpërthimit të pusetave. Paralajmërimet e banorëve dhe thirrjet e tyre prej disa javësh për situatën alarmante mbi erën e rëndë që kishte përfshirë qytetin dhe zonën e plazhit, dje dhanë rezultatin e tyre. Një masakër e vërtetë. Deti si kristal i Ksamilit e rëra e bardhë e tij, bashkë me plazhin unik në gjithë Europën u pushtuan nga ujërat e zeza.
Nga shpërthimi i pusetave, ujërat e zeza kanë pushtuar bregdetin në plazhin “Gjiri Poda” tek “Tre ishujt” në Ksamil. Turistët dhe pushuesit janë larguar të shqetësuar nga plazhi. Burimet thonë se ata janë tmerruar nga kjo situatë e paprecedent që nuk kishte ndodhur më parë. Ujërat e zeza e kanë bërë të pamundur pushimin në këtë zonë të Ksamilit edhe sepse ato kanë përfunduar në det, duke e bërë të pamundur edhe futjen për t’u larë.
Prej disa javësh, pusetat e ujërave të zeza në qendër të Ksamilit lëshonin erë të rëndë saqë po largonin pushuesit nga banesat dhe hotelet e zonës. Banorët ankoheshin për Ujësjellësin që ka lënë hapur pusetat, por drejtori Sheme Luloi deklaronte se faji për erën e keqe është i vetë banorëve që kanë kryer lidhje të paligjshme të ujërave të zeza. Ai premtoi ndërhyrje për pastrimin e rrjetit, por nga kjo deklaratë e deri dje kur në plazhin e Ksamili ka ndodhur një masakër e vërtetë, asnjë masë nuk u ndërmor.
Sezoni turistik është në muajt e pikut dhe Ksamili është mbushur me pushues vendas e të huaj, por ajo që ndodhi dje e shkatërron krejt imazhin e Ksamilit, i cili mesa duket do të mbyllë para sezonit dyert për turistët. Kështu, në qendër të Ksamilit, banorët ankoheshin për erën e keqe sidomos në orët e pasdites që sipas tyre vjen nga pusetat anës rrugës.
Për të mbytur erën, ata i kanë mbuluar me qese plastike, ndërsa thonë se kjo situatë po largon pushuesit nga banesat dhe hotelet e zonës. Nëpër lagje sapo kishte përfunduar një projekt i komunitetit europian dhe qeverisë shqiptare për sistemin e rrjetit të ujërave të bardha dhe të zeza, si dhe ishin vendosur 5 stacione pompimi për heqjen e ujërave të zeza. Projekti i përfunduar nuk është marrë në dorëzim nga Bashkia e Sarandës. Administratorja e Ksamilit, Valbona Oruçi, tha jashtë kamerave se është në dijeni të shqetësimit të banorëve, por sipas saj fajin duhet ta ketë Ndërmarrja e Ujësjellësit të Sarandës.
Drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Sarandës, Sheme Luloi, ndërkaq thotë se është konstatuar një problem i tillë dhe se faji është i disa banorëve, të cilët në mënyrë të jashtëligjshme kanë lidhur shkarkimin e ujërave të zeza në kolektorin e ujërave të bardha. “Momenti i tanishëm ka defektet dhe mangësitë e veta. Sot kam marrë masat, po përgatis agregatin që të shkojë të bëjë pastrimin e asaj pjese tek qendra e Ksamilit. Pastaj hap pas hapi të evidentojmë se cilat janë këta persona që kanë bërë shkarkimin e godinave të tyre tek rrjeti i ujërave të bardha. T’i evidentojmë, t’i riparojmë dhe më mbrapa të marrim dhe masa të ndryshme po qe e nevojshme”. Sipas drejtorit Luloi, do të pastrohet i gjithë rrjeti nga ujërat e zeza, si edhe do të evidentohen dhe priten të gjitha lidhjet në kolektorin e ujërave të bardha.
Por ndërsa autoritetet përkatëse merreshin duke fajësuar njëri-tjetrin mbi përgjegjësitë që duhet të marrë secila palë, Ksamili u shndërrua dje në një vatër të madhe ujërash të zeza, dëmet e të cilët do të rezultojnë fatale për turizmin shqiptar.

Ndotja dhe mungesa e masave

Vlora dhe Durrësi vitin e kaluar patën plazhet më të ndotura, ndërsa plazhet më të pastra i takojnë Velipojës, Dhërmiut, Himarës, Borshit dhe Sarandës, sipas monitorimeve që ka bërë Ministria e Mjedisit dhe që janë referuar për publikun nga INSTAT. Raportet e monitorimit përfshijnë shumë pika, duke nxjerrë me ndotjen më të lartë plazhet e Durrësit. Durrësi ka vetëm 1 plazh me cilësi të lartë, 7 plazhe me cilësi të mirë, 4 plazhe me cilësi të mjaftueshme, por për 9 plazhe të tjera, situata paraqitet emergjente me superndotje, raporton INSTAT.
Më tej, në radhë vjen Vlora, e cila ka 5 plazhe me cilësi të lartë, 1 plazh me cilësi të mirë dhe 4 plazhe me cilësi shumë të ndotur dhe kërkohet ndërhyrje emergjente. Në plazhet e tjera të vendit, situata është më normale. Të dhënat për cilësinë e ujërave në plazhet e Shqipërisë u referohen matjeve të përsëritura në të gjitha plazhet detare. Këto të dhëna i referohen kryesisht përmbajtjes së kolonive të baktereve me origjinë nga shkarkimet në ujërat detare dhe lumenjve. Treguesit për cilësinë e ujërave larës në këtë botim janë administrativë dhe japin vlerat mesatare të përmbushjes së standardeve cilësore të ujërave në plazhin përkatës referuar standardeve të cilësisë vendosur nga OBSH.
Treguesit e cilësisë së ujërave larës në plazhet e Shqipërisë kanë qëndruar përgjithësisht në të njëjtat nivele, me cilësi të shkëlqyer ose të mirë në 85,0% të tyre. Shqipëria ende nuk ka e zgjidhur problemin e kanalizimeve të ujërave të zeza në plazhe.

Pazaret e qeverisë me linjat e reja, paralizohet transporti interurban

Transporti interurban është paralizuar ditën e martë, si pasojë e një proteste të zhvilluar nga Shoqata e Transportit Ndërqytetas. Protesta njëditore erdhi pas një vendimi, të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, për shtimin e linjave që kryejnë itineraret interurbane. Ndërkohë që, sipas nënkryetarit të shoqatës, Nexhdet Dalipi po i hapet rruga dhënies së lejeve për linja që do të operojnë në zona informale, të cilat sipas tij, do të punojnë abuzivisht.
“Ligji shprehet qartë që çdo linjë ka një operator. Nga vetë fjala ‘linja ndërqytetëse’ ka lidhje nga qendra e qarkut në një bashki. Tani këta kanë filluar të japin linja nga qendra fshatrash, nga zona informale, ku të gjithë këto operatorë do të futen në linjat tona, do të punojnë abuzivisht, siç vazhdojnë e punojnë sot e kësaj dite”, u shpreh nënkryetari i shoqatës, Nexhdet Dalipi.
Pas protestës ka reaguar edhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, e cila e ka cilësuar si të paligjshme protestën. Sipas këtij institucioni bllokimi i shërbimit është gjithashtu shkelje e kushteve të licencës dhe shërbimit ndaj qytetarëve, duke u shkaktuar atyre dëm.
Nga ana tjetër, Ministria e Transportit bëri me dije përgjatë një periudhe 6-mujore në këtë institucion kanë ardhur mbi 150 kërkesa për shtim linjash, por janë aprovuar vetëm 90, që nuk kishin mbivendosje dhe ishin territore të pambuluara me shërbim.
Sipas ministrisë plotësimi i rrjetit me linjat e nevojshme bëhet me qëllim përmirësimin e sistemit të orareve, ndërsa fton të gjithë operatorët e transportit ndërqytetas, të vazhdojnë aplikimet për licencim sipas rregullave të përcaktuara për këtë proces.

Tenderi për transportin ndërqytetës

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës njoftoi se ka hapur garën për operatorët e interesuar në fushën e transportit ndërqytetës që duan të operojnë të paktën 1 nga 91 linjat e miratuara me një udhëzim të veçantë. Për këtë është ngritur edhe një komision i posaçëm për vlerësimin e ofertave.
“Komisioni vlerësues do të shqyrtojë dokumentacionin e të gjithë subjekteve të interesuara për këto linja, që do të aplikojnë deri më datë 04.08.2017, ora 13.00, në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës dhe sipas ligjit do të përzgjedhë vetëm një subjekt për linjë, që do të operojë në këto linja”, thuhet në njoftimin e ministrisë. Bazë të vlerësimit të ofertave do të jenë kriteret e përcaktuara në udhëzimin  Nr. 5627, datë 18.11.2016 “Pёr përcaktimin e kritereve, rregullave dhe dokumentacionit për lëshimin e licencave dhe çertifikatave për ushtrimin e veprimtarisë në transportin rrugor të udhëtarëve brenda vendit”, si dhe ofrimi i një shërbimi sa më cilësor për transportin në linjat specifike.
Referuar listës së re të linjave rezulton që për Qarkun Berat të jenë shtuar 8 të tilla, për Dibrën 4, Durrësi 10, Elbasani 13, Fieri 8, Gjirokastër 9, Korçë 3, Kukës 2, Lezhë 4, Tiranë 23, Vlorë 8. Aktualisht Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka shpallur fituesit për disa linja në vend vetëm pak kohë më parë dhe do të vijojë me plotësimin e gjithë linjave të reja.
Gjatë ditëve të fundit ka pasur një reagim nga Shoqata e Transportit Ndërqytetës, e cila ka akuzuar ministrinë se miratimi i linjave është dublim i atyre ekzistuese dhe se mbijetesa e kompanive në këto kushte është e pamundur. Kjo situatë u përshkallëzua edhe në një pezullim njëditor të transportit ndërqytetës për zonën e Juglindjes së Shqipërisë, por pavarësisht këtyre kundërshtimeve Transportet deklaruan se do të vazhdojnë me procedurat dhe se do të rrisin kontrollet për përmbushjen e kushteve nga subjektet operuese.

Fabregas nuk i trembet konkurrencës

LONDON, ENGLAND - AUGUST 23: Cesc Fabregas of Chelsea during the EFL Cup match between Chelsea and Bristol Rovers at Stamford Bridge on August 23, 2016 in London, England. (Photo by Catherine Ivill - AMA/Getty Images)

Cesc Fabregas nuk i trembet aspak konkurrencës në radhët e Chelsea-t. Mesfushori spanjoll shprehet se është gati për të dhënë maksimumin në sezonin e ri, pavarësisht se konkurrenca në mesfushë është rritur pas transferimit të të riut Tiemoue Bakayoko nga Monaco.
Liverpuli është në pritje të një përgjigjeje përfundimtare nga Southampton për transferimin e mbrojtësit belg, Van Dijk. Klubi i kuq e ka rritur ofertën në 50 mln paund për shtatlartin dhe njëkohësisht ka kërkuar falje pas akuzave të “The Saints” se po ushtronte presion për transferimin e lojtarit.
Tottenham nuk ka nevojë për të afruar lojtarë të tjerë dhe është gati të luftojë për titullin kampion në Premier League. Këtë e thotë mesfushori Mousa Dembele që shton se largimi i Walker është një minus i madh për skuadrën, por shton se grupi është i plotë dhe gati për një sezon të gjatë. Ndërkohë, Sisoko po stërvitet i vetëm në Londër pasi nuk është përfshirë në listën e turit veror nga Pochettino që gjithsesi ka konfirmuar se lojtari do të jetë pjesë e ekipit.
Henrikh Mkitaryan e pranon se nuk e ka justifikuar ende shumën e paguar nga Mourinho për transferimin e tij një vit më parë. Sulmuesi armen që u bashkua me “Djajtë e Kuq” për 26 mln paund thekson se do të japë maksimumin për të bindur portugezin, i cili beson shumë tek aftësitë e tij.
Jurgen Klopp kërkon Max Krusen te Liverpool. Sipas mediave angleze, trajneri gjerman i ka kërkuar drejtuesve të klubit anglez të insistojnë për sulmuesin e Werder Bremen, kontrata e të cilit me skuadrën gjermane përfundon në vitin 2019. Për 29-vjeçarin interesohet edhe Spartaku i Moskës, por rusët vështirë që mund të konkurrojnë me Liverpulin për shërbimet e Kruses.
Pasi përfitoi rreth 30 milionë euro nga shitja e Arnautoviç te West Ham, Stoke City po punon për të gjetur zëvendësuesin e sulmuesit austriak. Sipas raportimeve nga media angleze, drejtuesit e Stoke janë fokusuar te Yevhen Konoplyanka, i cili nuk do ta vazhdojë karrierën te Schalke.
Antonio Conte synon t’i rrëmbejë Interit Antonio Kandrevën. Raportohet se Chelsea është gati të ofrojë 25 milionë euro për futbollistin italian. Zikaltrit në parim janë gati ta shesin 30-vjeçarin, por synojnë të përfitojnë sa më shumë nga kartoni i tij. Kandreva sezonin e kaluar u aktivizua në të gjithë ndeshjet e Serisë A, duke shërbyer 5 gola.

Rekord shpenzimesh

998 milionë euro të shpenzuara në 10 vjet, jo për llogarinë e tij, por për klubet në të cilat ka punuar. Në planet nuk ka asnjë trajner që ka shpenzuar më shumë se Pep Guardiola, i cili ka drejtuar tre nga klubet më të pasura të planetit, fillimisht Barcelonën dhe më pas Bayern Munchen e Manchester City. Një mal me para që do të mjaftonte për të blerë dy apo tri klube të njohura europiane. Aspekti i vetëm pozitiv është fakti se pas largimit të tij, Guardiola lë një pasuri të madhe në klubet ku ka punuar, sektorin e të rinjve tërësisht të ristrukturuar dhe të gatshëm për të prodhuar talente të kalibrit botëror.
Në klubet që ka drejtuar, trajneri katalanas ka kërkuar përherë sakrifica të mëdha ekonomike nga drejtuesit dhe në shumicën e rasteve, presidentët ia kanë plotësuar dëshirat. I fundit në radhën e shpenzimeve marramendëse është mbrojtësi i krahut të majtë Benjamin Mendy, të cilin e shkëputi nga Monaco për 57 milionë euro. Një rekord më vete për një mbrojtës që thyen rekordin e John Stones edhe ai i blerë nga City verën e shkuar për 55 milionë. Përveç Mendy, gjatë kësaj vere “Citizens” kanë shpenzuar në total 138 milionë vetëm për mbrojtjen pasi me skuadrën janë bashkuar edhe Walker e Danilo.
Gati një miliard euro që prej vitit 2008 dhe deri më sot, nga të cilat 240 milionë të shpenzuara nga City vetëm gjatë kësaj merkatoje. Po të kthehemi pas në kohë, te Barcelona vetëm në vitin e parë Guardiola shpenzoi 96 milionë euro për të afruar Dani Alves e Keita. Në total, si timonier i Citizens, Pep ka arritur të shpenzojë 453 milionë, pothuajse dyfishin e shpenzimeve që ka bërë me Barcelonën dhe Bayernin pasi te katalanasit i shkëputi klubit 341 milionë, ndërsa në Bavari nuk e kaloi kufirin e 203 milionëve. Në klasifikimin e përgjithshëm të blerjeve më të shtrenjta vendin e parë e mban Zlatan Ibrahimoviç me rreth 70 milionë, i ndjekur nga Mendy, Stones, Walker, Sane, Silva, Villa, Ederson, Gotze dhe Vidal që mbyll klasifikimin me 37 milionë.
Ndërkohë, Manchester United po kërkon një përforcim cilësor për mesfushën dhe emri që pëlqehet më shumë nga Jose Mourinho është Eric Dier, mirëpo Tottenhami është i vendosur për të mos u privuar nga shërbimet e futbollistit. Për këtë arsye “Djajtë e Kuq” kanë hedhur sytë edhe nga Renato Sanches i Bayernit, që synohet gjithashtu edhe nga Milani.

La Liga, Mateo Kovaçiç drejt largimit nga Reali

Reali i Madridit përgatit një tjetër largim. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, klubi “Los Blancos” është gati të pranojë ofertën e Tottenham për mesfushorin Mateo Kovaçiç. Për të siguar shërbimet e kroatit, klubi anglez do të derdhë në arkat e Realit të Madridit 40 milionë euro.
Jonathan dos Santos mund të largohet nga Villarreal. Reparti i avancuar tek “Nëndetësja e Verdhë” është i mbingarkuar, nisur nga ky fakt me shumë gjasa ai që do t’i japë lamtumirën ekipit është pikërisht meksikani, i cili mund të nisë një aventurë të re, në Amerikë tek Los Angeles Galaxy, aty ku luan vëllai tij Giovano dos Santos.
Premier League mund të jetë destinacioni i radhës për Aymen Abdennour. Mbrojtësi i Valencia-s shumë shpejt mund të nisë një aventurë të re në kampionatin anglez, tek Watford. Drejtuesit e Valencia-s nuk janë të kënaqur me paraqitjet e tunizianit dhe nisur nga ky fakt ata e shohin si të arsyeshme largimin e tij.
Sevilla vazhdon të jetë e interesuar për Jesus Navas. Presidenti i skuadrës andaluziane, Jose Castro ka konfirmuar interesin e tij për të rikthyer në skuadër spanjollin, madje i kanë paraqitur dhe ofertën e tyre Man.City. Më tej numri një i Sevilla-s shtoi se ata janë besimplotë se në ditët në vazhdim do të arrihet dhe akordi për transferimin e 31-vjeçarit.

Inter ofron yllin e skuadrës për Di Marian

Drejtuesit e Interit ende nuk kanë hequr dorë nga transferimi i Angel di Marias. Angel di Maria, ylli i Paris Saint-Germain, vazhdon të mbetet objektiv i Interit për këtë afat kalimtar veror. Nerazzurrët janë duke shpresuar që shumë shpejt ta mbyllin transferimin e argjentinasit në “San Siro”, shkruan “Calciomercato.com”. Thuhet se Interi është i gatshëm t’i ofrojë klubit nga Parisi yllin e skuadrës, Geoffrey Kondogbia për t’ia marrë Di Marian.
Interi duhet të rrisë ofertën nëse dëshiron të marrë Keita Balde nga Lazio. Klubi zikaltër ka ofruar 22 milionë euro plus 3 milionë bonuse, por kjo shifër është konsideruar e ulët nga presidenti Claudio Lotito, i cili kërkon më shumë për të lënë të lirë lojtarin. Nga ana tjetër klubi bardhekaltër ka refuzuar edhe oferta nga Liverpool e Monaco, pasi sulmuesi dëshiron qëndrimin në Serie A.
Në shtëpinë e Juventusit vazhdojnë punën për të përforcuar repartin e mesfushës. Ëndrra e “Zonjës së Vjetër” mbetet Emre Can i Liverpool, por së fundmi, bardhezinjtë kanë rifshfaqur interesin për Blaise Matuidi, kontrata e të cilit me PSG skadon në vitin 2018. Për francezin, Marotta është i gatshëm të shpenzojë 15 mln euro dhe agjenti i tij, Raiola, por përpiqet të bindë pronarin Al-Khelaifi.
Mesfushori kilian, Matias Fernandez, i cili në sezonin e fundit luajti në formë huazimi te Milani, është pranë zgjidhjes së kontratës me klubin e Fiorentinës. 31-vjeçari mund ta vijojë karrierën e tij në Spanjë, pasi për të ka shfaqur interes Valencia. Një mundësi e mirë kjo për Fernandez, që nuk bën pjesë në planet e klubit vjollcë për sezonin e ri.

Albian Ajeti transferohet në Serie A

Albian Ajeti është pranë transferimit te skuadra e Serie A, Spal. Sulmuesi kosovar, Albian Ajeti është pranë transferimit në Serie A. Vëllai i vogël i Arlind Ajetit, ndiqet me interes nga klubi i inkuadruar në elitën e futbollit italian, Spal.
Ekipi italian ka filluar prej kohësh negociatat me futbollistin dhe St.Gallenin, e cila zotëron kartonin e lojtarit. “Gianluca di Marzio” raporton se ka një akord parimor mes palëve për transferimin e lojtarit në Itali, por të shtunën do të zhvillohet një takim që do të sqarojë përfundimisht detajet e kësaj marrëveshjeje, pasi nuk dihet nëse do të bëhet me formulën e huazimit apo shitjen e kartonit. Ish-sulmuesi i Augsburgut dhe Baselit ka pasur një sezon të mirë te St.Gallen. Ai ka shënuar 10 gola në 29 ndeshje me këtë skuadër.

Arlind Ajeti kërkohet nga Krotone

Foto Fabio Ferrari - LaPresse 12/02/2017 Torino ( Italia ) Sport Torino Fc vs Pescara - Campionato italiano di calcio Serie A TIM 2016/2017 - Stadio Olimpico Grande Torino. Nella foto Arlind Ajeti (Torino Fc) esulta dopo rete 2-0 photo Fabio Ferrari / LaPresse February 12, 2017 Turin ( Italy ) Sport Torino Fc vs Pescara - Italian Football Championship League A TIM 2016/2017 - Stadium "Olimpico Grande Torino". In the pic: Arlind Ajeti (Torino Fc) celebrates

Arlind Ajeti pritet ta vazhdojë karrierën në Serie A. Mbrojtësi kosovar, Arlind Ajeti ka mundësinë konkrete për të vazhduar të qëndrojë në kampionatin italian të futbollit. Futbollisti i Torinos kërkohet nga skuadra e Krotones, e cila mbijetoi në elitën e futbollit italian në xhiron e fundit të sezonit të kaluar.
“Kemi bërë disa lëvizje, por pritet të bëjmë edhe disa të tjera. Prioriteti mbetet një qendërmbrojtës. A mund të jetë Ajeti emri i duhur? Po, ai është një futbollist që na intereson”, ka deklaruar presidenti i Krotones, Raffaele Vrenna për “Calciomercato.com”. Ajeti ka kontratë me Torinon deri në vitin 2019, por pritet të largohet gjatë kësaj vere pasi nuk bën pjesë në planet e trajnerit serb, Sinisa Mihajloviç.

Milan s’ka të ndalur, transferon një yll

Milani ka siguruar shërbimet e Renato Sanchesit. Sipas të përditshmes sportive franceze, “L’Equipe” Renato Sanches ka arritur marrëveshje për transferim te Milan. “L’Equipe” shkruan se Sanches së shpejti do të niset për në Itali për të finalizuar transferimin te skuadra nga “San Siro”.
Thuhet se rossonerët do t’i paguajnë Bayern Munichut 40 milionë euro për reprezentuesin portugez. Sanches do të jetë transferimi i njëmbëdhjetë gjatë kësaj vere.
Në pritje për të firmosur me Mahrez të Leicester, Roma po studion edhe pista të tjera. Sipas katalanases “Sport”, klubi verdhekuq kërkon Munir të Barcelona-s, për të cilin klubi italian është gati të paguajë 25 mln euro për 21-vjeçarin. Gjithsesi oferta është refuzuar menjëherë, pasi blaugranat e konsiderojnë të ulët shifrën e ofruar nga Roma.
Roma, ashtu siç raporton “Sky Sport” po mendon të blindojë Kostas Manolas, duke i ofruar një kontratë të re mbrojtësit grek. Kjo pasi lojtari ka përfunduar në “orbitën” e shumë skuadrave, veçanërisht rivalëve të Juventusit. Shoqëria verdhekuqe, pas dështimit të kalimit të Manolas te Zeniti, synon ta mbajë në skuadër 26-vjeçarin, pasi nuk dëshiron të përforcojë ekipet rivale.
Lazio pranë goditjes Sardar Azmoun. Klubi bardhekaltër prej kohësh ka shfaqur interes për lojtarin e Rubin Kazan dhe pas refuzimit të ofertës së parë, italianët kanë përmirësuar termat financiarë. Tashmë Lazio ofron 15 milionë euro plus bonuse dhe vetë lojtarit kontratë 5-vjeçare, për ta sjellë 22-vjeçarin në kryeqytetin italian.
Mbetet ende për t’u përcaktuar e ardhmja e Stefano Sturaro te Juventusi. Mesfushori ka përfunduar në “radarët” e shumë ekipeve që duan të përforcohen në mesfushë. Sipas mediave italiane, pistat janë 3: Fiorentina, Lazio dhe West Ham. Megjithatë për ta lënë të lirë 24-vjeçarin, klubi bardhezi dëshiron 18 milionë euro për kartonin e tij.
Aventura e Përparim Hetemajt te Chievo mund të mbyllet që këtë verë. Mesfushori 30-vjeçar nuk konsiderohet pjesë e projektit të klubit italian për sezonin e ri dhe për këtë është vendosur në merkato. Kërkesat për Hetemajn gjithsesi nuk mungojnë, me lojtarin që pëlqehet në Turqi nga skuadra e Trabzonspor.