Fundi i korrikut në Europë mund të shënojë disa lëvizje vërtet të mëdha në tregun e futbollistëve, pasi të gjitha të dhënat të çojnë në një drejtim, atë që lidh Barcelonën me Parisin për transferimin e Neymar, por jo vetëm. Kutinjo është vetëm një hap larg nga katalanasit, pasi klubi spanjoll ka arritur në parim marrëveshjen me Liverpoolin për transferimin e brazilianit në “Camp Nou” për 75 milionë euro. Kush mendon se Kutinjo te Barcelona do të ankorohet për të zëvendësuar Neymar, gabohet.
Drejtuesit e klubit katalanas besojnë se afrimi i talentit të Seleçaos do ta bëjë Neymar të qëndrojë, pavarësisht ofertës tunduese të PSG. Një lëvizje e zgjuar nga ana e Barcelonës, pasi sipas “Le Parisien”, PSG planifikonte pikërisht blerjen e Kutinjos për të plotësuar dëshirat e Neymar. I qartë duket edhe trajneri Unai Emery që nga SHBA ku skuadra ndodhet për turneun veror u përgjigj: “Klubi po punon mirë që ne të zhvillojmë një sezon pozitiv me ata që janë dhe me ata që do të mbërrijnë”.
Regjisori i këtij filmi duket se është i ati i Messit, i cili ka një influencë të madhe në botën e futbollit. Është pikërisht sulmuesi argjentinas që i ka kërkuar të bëjë lëvizjet e tij për të nxitur transferimin e Kutinjos në Barcelonë, por arsyeja nuk dihet. Ka nga ata që mendojnë se Messi dëshiron qëndrimin e Neymar, por nuk mungojnë as aludimet se numri 10 synon ta largojë përfundimisht brazilianin nga Katalonja. Cila është e vërteta? Vetëm fundi i merkatos së çmendur të verës do të nxjerrë në shesh shumë prapaskena.
Ndërkohë, drejtuesit e Paris Saint-Germain i kanë dhënë ultimatum Neymarit që të vendosë për të ardhmen. Sipas gazetës sportive franceze, “L’Equipe”, drejtuesit e Paris Saint-Germain nuk do ta presin gjatë Neymarin që të vendosë për të ardhmen. “L’Equipe” shkruan se Paris Saint-Germain i kanë dhënë ultimatum Neymarit që të kthejë një përgjigje deri në fund të javës së ardhshme. Thuhet se Paris Saint-Germain është e gatshme të shpenzojë 222 milionë euro për transferimin e Neymarit nga Barcelona.
Kutinjo te Barcelona
Kasemiro kundër Mbape: Kemi BBC
Kasemiro, mesfushori brazilian, mendon se Realit të Madridit nuk i duhet asgjë transferimi i yllit të Monakos, Kylian Mbape. Mesfushori i Real Madridit, Kasemiro, është kundër transferimit të Kylian Mbapesë nga Monako.
Braziliani mendon se ylli i Monakos nuk i duhet Los Blancos, pasi këta të fundit kanë super sulmues në skuadër si: Cristiano Ronaldo, Gareth Bale e Karim Benzema. “Ne jemi të vetëdijshëm se ai është një lojtar i madh, por ne kemi këtu BBC-në (Balen, Benzemanë dhe Cristianon), të cilët mund të bëjnë kërdi të vërtetë”, ka deklaruar Kasemiro. “Sa më shumë lojtarë që kemi, aq më mirë është për ne. Por unë po them që lojtarët më të mirë janë tashmë këtu”, ka theksuar ai.
“Ne kemi lojtarin më të mirë në botë këtu Ronaldon, pastaj Balen, i cili po punon shumë dhe Benzemanë, i cili ka cilësi të shkëlqyeshme, pastaj vijnë Isco, Borja”, ka përfunduar ai. “Marca” të martën ka raportuar se Real Madridi dhe Monako kanë arritur marrëveshje për transferimin e Mbapesë në “Santiago Bernabeu” për 180 milionë euro.
Prestigjiozja spanjolle “Marca” ka raportuar se klubi i drejtuar nga Florentino Perez ka gjetur në parim akordin me Monakon për transferimin e sulmuesit francez 18-vjeçar, Kilian Mbape. Shifra e marrëveshjes thyen çdo rekord në tregun e transferimeve, teksa bëhet fjalë për një operacion me kosto 180 milionë euro. Sipas raportimeve, kjo shumë përbëhet nga 150 ose 160 milionë që do të paguhen menjëherë dhe pjesa tjetër në varësi të klauzolave në kontratë.
Mazrekaj kalon te FK Prishtina
Merr fund saga Mentor Mazrekaj. Të martën ai është prezantuar zyrtarisht si futbollist i Prishtinës, pas negociatave që zgjatën disa ditë mes tij dhe klubit. Më 19 korrik, presidenti i Partizanit, Gazmend Demi kishte rënë rakord me presidentin e Prishtinës Remzi Ejupin që Mazrekaj të transferohet te bardhekaltërit, megjithatë derisa Prishtina gjeti gjuhën e përbashkët për të plotësuar kërkesat e 28-vjeçarit kaluan disa ditë.
Mazrekaj ka nënshkruar kontratë 1-vjeçare dhe sipas burimeve është bërë futbollisti më i paguar në Superligën e Kosovës. Në këtë mënyrë, mesfushori ofensiv i ka dhënë fund karrierës së suksesshme te Partizani ku luajti për 4 sezone. Ai rikthehet te Prishtina ku ka fituar gjithçka çfarë fitohet në futbollin kosovar. Për 4 vite me bardhekaltërit ka zhvilluar 104 ndeshje dhe ka shënuar 16 gola.
Elis Bakaj, midis Izraelit dhe Shkëndijës
Elis Bakaj është një nga emrat më cilësorë të kampionatit shqiptar, që për momentin gjendet i lirë dhe pa skuadër. Ish-sulmuesi i Vllaznisë në gjysmën e edicionit të kaluar, po shikon mundësinë e aktivizimit në kampionatet e huaja. 30-vjeçari pas bisedimeve me Flamurtarin, ku nuk arriti marrëveshjen dhe me disa skuadra në Rumani, ka nisur bisedimet për t’u transferuar në kampionatin izraelit. Burimet bëjnë të ditur se janë 3 ekipe të interesuara për shërbimet e Elis Bakajt, që pas aventurës në Kroaci gjysmën e parë të sezonit të shkuar kërkon sërish të provojë veten në një tjetër kampionat.
Megjithatë interesimi për ish-sulmuesin e Partizanit, Dinamos dhe Tiranës vjen edhe nga Shkëndija e Tetovës, e cila këtë vit synon të ulë nga froni Vardarin e Shkupit. Tek kuqezinjtë tetovarë Bakaj pritet t’i bashkohet një tjetër futbollisti që ka luajtur më parë me Tiranën, Olsi Teqja, i cili u bashkua me kuqezinjtë gjatë kësaj vere. E ardhmja e Elisit shihet larg Kategorisë Superiore, me vetë futbollistin që duhet të zgjedhë midis ofertave të ardhura në adresë të tij.
Elozhe për Besnik Hasin
“Gazzetta.gr” në Greqi ngre në qiell trajnerin shqiptar në ndeshjen e parë zyrtare në një transfertë delikate si ajo në fushën e Partizanit, ku Olympiacos dominoi në lojë dhe rezultat. “Ajo fitore u ndërtua prej tij dhe merita i shkon vetëm Hasit”, thekson gazeta prestigjioze greke që i njeh meritat trajnerit shqiptar duke shtuar se fitorja 3-1 i jep shumë besim trajnerit që u pa me skepticizëm nga ambienti dhe tifozët e Olympiacos vetëm për faktin se është shqiptar. Në vijim të shkrimit, “gazzetta.gr” shton se zgjedhjet që Hasi bëri i dhanë të drejtë, duke ushtruar presing në gjysmëfushën e kundërshtarëve për ta kapur Partizanin e Beogradit në befasi.
“Hasi ka ndërtuar një skuadër të disiplinuar dhe të qartë në veprime, pasi të vetmet momente të rrezikshme ishin ato kur vetë lojtarët e Olympiacos gabonin. Ajo ndeshje në fushën e Partizanit ishte e vështirë për shumë arsye, pasi Olympiacos hasi në shumë pengesa, por rezultoi një fitore e lehtë. Në fund të fundit, puna e mirë që Hasi ka bërë duhet njohur, për pjesën tjetër do të jetë një rrugë e gjatë dhe e vështirë”, theksoi në fund gazeta greke.
Edhe portali “Sportdog.gr” veçon punën e bërë nga Hasi që i ka ndryshuar fytyrën Olympiacosit, duke e shndërruar në një skuadër ofensive. “Trajneri mori vendimet e duhura dhe bëri një punë të shkëlqyer duke hedhur në fushë lojtarët më të mirë për të dominuar Partizanin në një fushë shumë të nxehtë”. Më pas ky portal analizon gjithë repartet e skuadrës nga Pireu, duke dalë në përfundimin se trajneri shqiptar ua ka mbyllur gojën skeptikëve me punën që po bën në heshtje me skuadrën më të suksesshme të Greqisë.
Kongresi voton: S’ka lehtësim sanksionesh
Sanksionet e reja që ndëshkojnë Rusinë për ndërhyrjen e saj në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar bënë një hap me rëndësi të martën: Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një ligj që zgjeron kontrollin e Kongresit mbi sanksionet dhe nuk lejon Presidentin Donald Trump t’i zbutë ato.
Pas më shumë se një muaj bisedimesh mes dy partive dhe vonesave procedurale, Dhoma e Përfaqësuesve përfshiu në projektligj masa të reja që i japin asaj të drejtën për mbikëqyrjen e sanksioneve. Një version më i hershëm i projektligjit u miratua me shumicë dërrmuese nga Senati në qershor me rezultatin 97 vota pro dhe 2 kundër.
Legjislacioni i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve me 419 vota pro dhe 3 kundër, përfshin edhe sanksione kundër Iranit dhe Koresë së Veriut, përveç atyre që ndëshkojnë Rusinë për një sërë aktivitetesh.
“Këto tri regjime në pjesë të ndryshme të botës po kërcënojnë interesat jetike të SHBA dhe po destabilizojnë fqinjët”, tha të martën kongresmeni republikan i Kalifornisë, Ed Royce.
Miratimi i Kongresit
Zoti Royce tha se projektligji garanton lënien në fuqi të sanksioneve të ashpra ekonomike dhe diplomatike, duke i dhënë fuqi Kongresit për të mos miratuar lehtësimin e sanksioneve.
“Nëse presidenti Trump dëshiron të luajë golf apo të bëjë diçka me shokun e tij, zotin Putin, ai nuk duhet të llogarisë mbështetjen e Kongresit, sepse ne do ta ndëshkojmë z. Putin”, tha zv.kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel.
Masa për të kufizuar kompetencat e Presidentit lidhur me sanksionet ndaj Rusisë
Marrëveshja dypartiake për të kufizuar kompetencat e Presidentit lidhur me sanksionet vjen në klimën e hetimeve të Kongresit rreth lidhjeve të dyshuara mes ekipit të fushatës së zotit Trump dhe Rusisë.
“Ky është një kufi i rëndësishëm që i vihet Presidentit Trump, sepse asnjë president nuk dëshiron të humbasë aftësinë për të hequr sanksionet”, tha për “Zërin e Amerikës”, William Pomeranz, zëvendësdrejtor i Institutit Kennan pranë Qendrës Wilson. “Është diçka shumë e rrallë në fakt që Kongresi po e afirmon këtë të drejtë, pra për të kontrolluar vetë ligjin mbi sanksionet. Por qartazi, ai e bëri në këtë rast, edhe pse kjo mund të ketë një seri pasojash politike”.
Përgjigjja e Shtëpisë së Bardhë
Administrata e Presidentit Trump tani po i mbështet sanksionet edhe pse nuk ishte dakord me ndryshimet. Në javët përpara votimit, Shtëpia e Bardhë i kundërshtoi përpjekjet për të kufizuar aftësinë e ekzekutivit për zbutjen e sanksioneve. Arsyeja e dhënë prej saj ishte se kjo do të kufizonte përpjekjet amerikane për të ndikuar te sjellja e Rusisë dhe për të ndërtuar një marrëdhënie më të mirë me zotin Putin.
Nëse miratohet përfundimisht, ligji do t’i jepte Kongresit një procedurë të shpejtë për të shfuqizuar çdo hap që mund të ndërmarrë presidenti për t’u dhënë fund sanksioneve.
“Presidenti i mbështet shumë sanksionet ndaj atyre vendeve dhe dëshiron që këto sanksione të mbeten në fuqi, por në të njëjtën kohë dëshiron që ne të mund të arrijmë marrëveshje të favorshme. Këto dy gjëra janë shumë të rëndësishme për presidentin”, tha zëvendëssekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders për gazetarët.
Nëse zoti Trump i vë veton projektligjit, ai me siguri do të përballej me kundërshtime në Kongres, i cili ka vota të mjaftueshme për ta kapërcyer veton. Gjithashtu, kjo do t’i bënte të pamundura sanksionet kundër Iranit dhe Koresë së Veriut, të cilat administrata e tij i mbështet.
Ndryshimet në versionet e Dhomës dhe të Senatit do të duhet të harmonizohen përpara se të dërgohen në tryezën e presidentit për t’u nënshkruar në ligj. Kongresmeni Engel i tha “Zërit të Amerikës” se, shpreson që Senati të mund t’i zgjidhë këto çështje përpara se ligjvënësit e Dhomës të largohen për pushimet e gushtit.
Hetimet për Rusinë në një fazë të re?
Dy prej anëtarëve kryesorë të fushatës presidenciale të zotit Donald Trump u takuan të martën me ekspertët e Kongresit që po hetojnë rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.
Dhëndri dhe këshilltari i Presidentit Trump, Jared Kushner, shkoi përsëri në Kongres për takime private, këtë herë për një bisedë me dyer të mbyllura me ligjvënësit e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin.
Ndërkaq, ish-menaxheri i fushatës së zotit Trump, Paul Manafort u takua me stafin e Komisionit të Senatit për Zbulimin. Zëdhënësi i tij, Jason Maloni tha se zoti Manafort “iu përgjigj plotësisht pyetjeve të tyre”.
Sipas agjencisë së lajmeve “Associated Press”, takimi i zotit Manafort me stafin e komisionit u përqendrua te një takim i qershorit 2016 me një avokate ruse në Kullën Trump të Nju Jorkut, sipas dy personave të brendshëm, të cilët nuk pranuan të idenfikohen.
Zoti Manafort gjithashtu dorëzoi shënimet e mbajtura prej tij në kohën e takimit, tha njëri prej personave. Personi tjetër tha se zoti Manafort ka rënë dakord për takime shtesë me stafin e komisionit të Senatit mbi tema të tjera. Takimet e tjera ende nuk janë planifikuar.
Si Manafort ashtu edhe Kushner po përballen me pyetje të shumta rreth takimit në Kullën Trump, i cili është përshkruar në e-mail-et e shkëmbyera mes Donald Trump Jr., dhe personave të tjerë si pjesë e një përpjekjeje të qeverisë ruse për të ndihmuar fushatën presidenciale të zotit Trump.
Të hënën, zoti Kushner iu përgjigj pyetjeve të stafit në Komisionin e Senatit për Zbulimin, ku ai pranoi se kishte patur katër takime me rusët gjatë dhe pas fushatës së zotit Trump për Shtëpinë e Bardhë. Ai nguli këmbë se nuk kishte asgjë për të fshehur.
Ai doli përpara mediave duke buzëqeshur dhe deklaroi publikisht: “Të gjitha veprimet e mia kanë qenë të justifikuara”.
Dalja e një pjesëtari të rrethit të ngushtë të presidentit si Jared Kushner përpara një komisioni në Kongres, e fut në një fazë të re procesin e hetimeve për lidhjet me Rusinë.
Jared Kushner, që mund të cilësohet si krahu i djathtë i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, pranoi të ketë zhvilluar disa takime me zyrtarë rusë dhe të tjerë të lidhur me Moskën, por ai këmbëngul se gjithçka ishte e ligjshme.
“Nuk kam bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Rusinë, as nuk di që dikush tjetër gjatë fushatës ta ketë bërë këtë. Nuk kam patur asnjë kontakt të papërshtashëm”, tha Jared Kushner, këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërsa Presidenti Trump sulmoi edhe një herë hetimet për lidhjet me Rusisë nëpërmjet një mesazhi në Twitter, zoti Kushner ofroi një kritikë më të kujdesshme ndaj asaj që Shtëpia e Bardhë e sheh si përpjekje të gjerë për të delegjitimuar fitoren e Donald Trumpit.
“Donald Trumpi kishte një mesazh më të mirë dhe zhvilloi një fushatë më të zgjuar, ndaj dhe fitoi. Të mendosh ndryshe, do të thotë të tallesh me ata që votuan për të”.
Përpara deklaratës në Shtëpinë e Bardhë, Jared Kushner ishte në Kongres për t’iu përgjigjur pyetjeve të Komisionit të Zbulimit në Senat, një takim që zgjati më shumë se tre orë.
Përveç ish-menaxherit të fushatës, Paul Manafort, pritet që edhe djali i presidentit, Donald Trump Jr., të merret në pyetje nga një tjetër komision i Senatit. Ata dhe zoti Kushner u takuan qershorin e kaluar me një avokate ruse dhe të tjerë persona të lidhur me Moskën. Një takim që u konfimua nga e-mail-et e bëra publike nga vetë Trump Jr., dhe nga i cili prisnin të siguronin materiale që do të dëmtonin Hillary Clintonin.
Por nëpërmjet një deklarate që i parapriu dëshmisë së tij në Senat, zoti Kushner tha se mbërriti vonë në takim, për të cilin siç shkruante, nuk dinte asgjë dhe ku dëgjoi të flitet vetëm për çështje adoptimi të fëmijëve rusë.
“Ishte e qartë se ai ishte instruktuar nga avokatët e tij. Ishte gjithashtu e qartë që ai po tregohej shumë i kujdesshëm për të folur vetëm për veten dhe të mos pohonte atë që dikush tjetër në ekipin Trump, përfshirë edhe kunatin e tij, bënë ose jo”, thotë Elaine Kamarck e Institutit “Brookings”.
Por disa ligjvënës duan të dinë më shumë. Senatori demokrat Ron Wyden tha se deklarata e Jared Kushnerit ngriti më shumë pyetje sesa dha përgjigje dhe se nuk duhet supozuar se ai po thotë gjithë të vërtetën. Senatori Wyden kërkon që zoti Kushner të zhvillojë një dëshmi nën betim dhe në një seancë publike përpara Komisionit të Zbulimit.
Greqia kthehet në tregun e kapitalit
Letra me vlerë me një volum prej tre miliardë eurosh është lëvruar për investitorët me një interes fitimi prej 4,625 për qind dhe me një përqindje 4,375 për qind. Në treg llogaritej me një interes fitimi edhe më të lartë. Kërkesa për këtë bonus thesari ishte dyfish më e lartë se sa volumi i pozicionimit të saj në treg, sipas të dhënave të filialit Thomson Reuters të IFR.
Ky emision është për vendin e tronditur nga borxhet një provë e rëndësishme, nëse në të ardhmen vendi do të mund të mbahet në forcat e veta pa qenë nevoja më për ombrellën e shpëtimit të euros. Në gusht 2018 mbaron afati i paketës së tretë të ndihmave në volumin e 86 miliardë eurove. Pozicionimi i këtij bonusi thesari është “fillimi” dhe një shenjë e parë e besimit tek ekonomia greke, tha ministri i Ekonomisë, Euclid Tsakalotos.
“Këtej e tutje ne jemi fokusuar tek gushti 2018”. Grekët kanë vuajtur shumë, më shumë nga sa e meritonin. Por do të ketë edhe emisionin e dytë dhe të tretë, në mënyrë që të shkojmë me besim deri në gusht 2018 dhe të dalim nga paketa e ndihmave, tha ministri.
Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble e përshëndeti kthimin e Greqisë në tregun e kapitalit. “Ky është rezultat i reformave të vështira të ndërmarra bashkë me partnerët ndërkombëtarë dhe europianë”, tha një zëdhënëse e ministrit. Tani duhet që të forcohet besimi i fituar, të forcohen reformat edhe më tej dhe verifikimi i ardhshëm, i treti në radhë për programin e ndihmave të përmbyllet brenda afatit. Greqia së fundi më 2014 ka mundur të qarkullojë paranë përmes tregut të kapitalit.
Me këtë emision ishin ngarkuar bankat Deutsche Bank, BNP Paribas, Bank of America Merrill Lynch, Citigroup, Goldman Sachs dhe HSBC. Kur më 2014 investitorët i blenë bonuse thesari Greqisë në volumin e 3 miliardë eurove interesi ishte 4,75%. Asokohe kërkesa prej më shumë se 600 investitorëve arriti një volum prej 20 miliardë eurosh. Disa muaj më vonë ky vend sërish guxoi të dalë në tregun e kapitalit, përpara se t’i dilnin probleme të tjera financiare.
Erdogan akuza Gjermanisë për spiunazh dhe kërcënime
Rexhep Tayip Erdogan u prononcua në grupin parlamentar të partisë së tij AKP në Ankara. Në fjalën e tij presidenti turk pretendoi, ndër të tjera, se aktivisti gjerman i të drejtave të njeriut, Peter Steudtner ka planifikuar një kryengritje në Turqi dhe se ndodhet me të drejtë në arrest hetimor. Ai kritikoi, që po shkaktohet një krizë diplomatike, kur në Turqi arrestohen njerëz për aktivitet spiunazhi, të cilët kanë pasur synim të krijojnë kaos shoqëror. Qeveria gjermane ia ka refuzuar Erdoganit dhe ministrave të tij daljet publike në Gjermani, por “agjentët e saj vijnë në Gjermani, mblidhen nëpër hotele dhe përçajnë vendin tim”. Turqia e akuzon Gjermaninë se, mbron militantët kurdë dhe të majtët, si dhe personat, që kanë qenë të involvuar në puçin e dështuar.
Qeveria gjermane i hedh poshtë akuzat
Ndaj deklarimit të qeverisë gjermane, se për shkak të arrestimit të Steudtner-it do të shqyrtojë mundësinë e sanksioneve ndaj Turqisë, Erdogan u kundërpërgjigj, se Turqia nuk lejon të frikësohet përmes bllokadave tregtare. Gjermania duhet të marrë parasysh, se “do t’i duhet vetë të paguajë një çmim të lartë”. Deri tani Ministria e Jashtme gjermane i ka ashpërsuar paralajmërimet ndaj shtetasve gjermanë për udhëtimet në Turqi për shkak të gjendjes së sigurisë. Erdogan bëri gjithashtu të ditur, se “ata, që në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore kanë kryer masakrat më të përgjakshme dhe më djallëzore, nuk duhet të na japin ne leksione për humanizmin”. Edhe disa media turke ndërkaq kanë përdorur tone të ashpra ndaj Gjermanisë.
Aktivistët e të drejtave të njeriut si spiunë dhe puçistë
Steudtner dhe kolegu i tij suedez Ali Gharavi drejtonin së bashku një workshop disa ditor për aktivistët e të drejtave të njeriut në afërsi të Stambollit. Seminari me temë siguria e të dhënave dhe përballimi i situatave me stres dhe trauma përfundoi papritur, kur policia më 5 korrik e arrestoi këtë grup. Ndër të arrestuarit është edhe drejtorja e organizatës turke Amnesty International, Idil Eser. Ata akuzohen për afërsi me organizatorët e tentativës së dështuar për puç vitin e kaluar, të cilët kanë pasur për qëllim “kaosin shoqëror”, sipas akuzës.
Kundër trajnerit Peter Steudtner dhe gjashtë aktivistëve të tjerë është vendosur masa e arrestit hetimor. Gazeta “Star” shkruan, se qeveria gjermane, ka pasur dijeni për kryengritjen e planifikuar nga aktivitstët e të drejtave të njeriut. “Star” i referohet një programi kompjuteri të emërtuar “Elephant” ose “Elepant”, me të cilin konsullata e përgjithshme gjermane ka ndjekur çdo hap të seminarit.
Faktikisht kemi të bëjmë me një listë profilaktike krize të emërtuar “Elefand”, në të cilën mund të regjistrohen me vullnet të lirë në ambasadat gjermane gjermanët që shkojnë jashtë vendit. Qëllimi i këtij regjistrimi është, që përfaqësia përkatëse diplomatike në rast rreziku të mund të kontaktojë shpejt me gjermanët, thuhet në Ministrinë e Jashtme në Berlin lidhur me këtë listë. Kjo nuk ka të bëjë me mbikëqyrje.
Zëdhënësi i presidentit turk, Ibrahim Kalin, shkruan në gazetën e afërt me qeverinë “Daily Sabah”: “Nuk ka asnjë rrezik për shtetasit gjermanë dhe të tjerë shtetas të huaj, nëse ata duan të vizitojnë Turqinë apo të bëjnë biznes në të”. Ai njëkohësisht kritikoi “fiksimin e mediave gjermane tek Erdogani”. Ai i cilësoi raportimet në media si “mendime alogjike të të sëmurëve nga mendja”.
Akuza edhe Izraelit
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan e shtoi dje retorikën antiperëndimore, duke thënë se ka marrë fund epoka kur Turqia përulej ndaj çdo kërkese perëndimore. Zoti Erdogan i bëri komentet ndërkohë që zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian zhvillonin bisedime me ministrin e Jashtëm turk në Bruksel.
Turqia është përfshirë në një grindje diplomatike me Gjermaninë, pas arrestimit javën e kaluar të një grupi veprimtarësh për të drejtat e njeriut, mes tyre edhe një shtetas gjerman, që ajo i akuzon për mbështetje të terrorizmit.
Udhëheqësi turk akuzoi gjithashtu Izraelin se përdor luftën kundër terrorizmit si pretekst për t’u marrë myslimanëve objektet e shenjta në Jeruzalem.
Britania do rrisë tregtinë me SHBA në 40 miliardë USD
Shtetet e Bashkuara dhe Britania po fillojnë bisedime paraprake në Uashington për një marrëveshje tregtare që do të krijojë një marrëdhënie të re mes dy vendeve, pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian. Britania shpreson se heqja e barrierave nga marrëveshja që ka tani me BE-në, do të rrisë tregtinë me Shtetet e Bashkuara me 40 miliardë dollarë deri në vitin 2030. Por, siç njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Luis Ramirez nga Londra, askush nuk pret që këto të jenë negociata të lehta.
Britania duket se do të ketë një pozitë të preferuar në negociatat tregtare me Shtetet e Bashkuara, tani që ka kaluar pak më shumë se një vit, që kur presidenti i atëhershëm Barack Obama paralajmëroi britanikët rreth të ardhmes së marrëdhënieve tregtare, nëse ata votonin për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.
Qeveria e kryeministres Theresa May shpreson se dalja nga BE-ja dhe politika “Amerika e Para” e Presidentit Donald Trump mund të shmangin kurthet e proteksionizmit.
“Është shumë e rëndësishme që t’i mbajmë Shtetet e Bashkuara të orientuara drejt një qasje të tregtisë së lirë dhe të hapur, pasi është ekonomia më e madhe e botës dhe çfarë ndodh atje do të ndikojë tek gjithë të tjerët. Kështu që mendoj se drejtimi i debatit larg proteksionizmit tek tregu i lirë, debati i bazuar në rregulla është një diskutim shumë i rëndësishëm që duhet të kemi”.
Bisedimet janë vetëm paraprake. Britania nuk ka autoritet të hyjë në marrëveshje tregtare derisa të largohet përfundimisht nga Bashkimi Evropian dhe kjo është dy vjet larg.
Por piketimi i shpejtë i kornizës së bisedimeve është politikisht i rëndësishëm, ndërsa rritet popullariteti i rivalit të majtë të zonjës May, Jeremy Corbyn dhe po ashtu shqetësimet se një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara mund të nënkuptojë hapjen e sistemit shëndetësor të Britanisë për firmat amerikane.
“Nuk jam i sigurtë se qeveria britanike do të ketë mbështetjen e opinionit publik në arritjen e një marrëveshjeje tregtare me Shtetet e Bashkuara. Mund të bëhet një çështje shumë, shumë e debatueshme”.
Për britanikët, bujqësia është një pikë e rëndësishme. Ekzistojnë dallime të mëdha mes metodave bujqësore britanike dhe amerikane për përdorimin e antibiotikëve dhe bimëve të modifikuara gjenetikisht, asnjë prej të cilave nuk është e mirëpritur në tregun britanik.
Në sektorin e rëndësishëm të shërbimeve finaciare lidhjet janë tashmë të fuqishme dhe disa besojnë se një marrëveshje e drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara mund të çojë në më shumë rritje ekonomike, thotë investitori Rob Misselbrook.
“Kur ke të bësh me BE-në, për të arritur një marrëveshje tregtare duhet të merresh me shumë pika delikate që vijnë që nga prodhuesit italianë të verës tek prodhuesit francezë të djathit dhe ata gjermanë të makinave. Kështu që çdo marrëveshje me Shtetet e Bashkuara mund të mbetet peng e këtyre elementëve. Një marrëveshje e drejtpërdrejtë është mes tyre dhe nesh. Ne flasim të njëjtën gjuhë në shumë drejtime”.
Presidenti Trump thotë se ai kërkon të lëvizë shumë shpejt për një marrëveshje tregtare me Britaninë. Britanikët erdhën në Uashington me besim dhe zoti Trump dhe Kongresi janë në anën e tyre.