Bashkimi Evropian thotë se do ta fillojë aksionin juridik kundër Polonisë për shkak të reformës kundërthënëse gjyqësore, për të cilën kritikët thonë se i jep Partisë për Ligj dhe Drejtësi në qeveri, ndikim tejet të madh në gjykata.
Në kumtesën e djeshme, Komisioni Evropian tha se në fokus të këtij aksioni është legjislacioni, i cili dy ditë më parë është nënshkruar nga presidenti i Polonisë, Andrzej Duda. Ky ligj e lejon ministrin e Drejtësisë, i cili është edhe prokuror i Përgjithshëm, që t’i emërojë shefat e të gjitha gjykatave më të ulëta.
Megjithatë, zoti Duda i ka kënaqur protestuesit në Poloni duke i paraqitur veto një legjislacioni tjetër kundërthënës me të cilin parashihej që ministri i Drejtësisë të ketë të drejtë t’i shkarkojë të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe t’i zgjedhë gjyqtarët e tjerë.
Komisioni Evropian tha se po e lanson një “procedurë për shkelje kundër Polonisë, për shkak të mosrespektimit të legjislacionit të BE-së”, lidhur me legjislacionin që e ka nënshkruar presidenti Duda.
Edhe BE në aksion ndaj Polonisë
Rusia, sanksione ndaj Polonisë
Dhoma e Epërme e Parlamentit të Rusisë ka kërkuar nga presidenti Vladimir Putin, që ta fillojë përgatitjen e sanksioneve kundër Polonisë, për shkak të planeve për shkatërrimin e monumenteve sovjetike, kanë raportuar mbrëmë mediat shtetërore ruse.
Por, Kremlini ka thënë se Putin ende nuk e ka ndërmarrë ndonjë masë kundër Polonisë, për shkak të legjislacionit të miratuar aktualisht në Varshavë, me të cilin qeveria autorizohet për shkatërrimin e mëse 500 monumenteve sovjetike, që konsiderohen si relikte të regjimit autoritar.
Zyrtarët polakë kanë thënë se ish-Bashkimi Sovjetik ishte një shtet okupues gjatë katër dekadave pas Luftës së Dytë Botërore dhe derisa po shtohen ndjenjat nacionaliste, ata dëshirojnë t’i shkatërrojnë qindra monumente të ndërtuara gjatë asaj periudhe.
Vendimet e LSI që kalojnë nga zorra e deputetit!
Bledi KASMI
A do të kalojë vendimmarrja politike e LSI përmes arrestimeve të Ramës?
Një nga kandidatët për deputetë të LSI në Tiranë është arrestuar dje. Si drejtori i Aeroportit fantazmë të Kukësit ai kishte paguar në mënyrë fiktive 70 punonjës gjatë fushatës elektorale. Një shkelje hapur e ligjit me qëllim ndikimin në fushatë elektorale.
Pak kush u mor dje me emrin që qëndron pas këtij arrestimi. E vërteta është se Agron Xhafa është një nga njerëzit e afërt të Presidentit Meta me kontribute në LSI, jo gjatë muajve të fundit, por për shumë vite me radhë. A mund të jetë arrestimi i tij i rastësishëm?
Rama ka projekt gjuetie. Ai do të bëjë politikë me arrestimet përtej gardhit të tij. Këtë e ka paralajmëruar prej kohësh, duke kompromentuar edhe rolin e drejtësisë. Qëllimi është të shantazhojë kundërshtarët. Loja e nisur është ajo e nënshtrimit, që kur nuk funksionon politika e biskotës, atëherë të vihet në përdorim politika e goditjes me shkop.
Arrestimi i mikut të Presidentit dhe kontribuesit të LSI koincidon me një vendim të rëndësishëm që LSI duhet të marrë sot në Këshillin Bashkiak të Tiranës nëse do të mbështesë rritjen e çmimit të ujit të pijshëm nga Veliaj me 45%, apo do të qëndrojë në anën e qytetarëve!?
Raportet në Këshillin Bashkiak nuk janë favorizuese për socialistët. PS ka 25 këshilltarë, por nuk ka mazhorancën në vendimmarje pa LSI, sepse PD ka 17 këshilltarë dhe LSI ka 13 dhe të dyja bashkë bëjnë 30. Edhe votat e PDIU apo dy këshilltarëve të tjerë që janë më afër opozitës nuk i zgjidhin problemin sot Veliajt pa llogarinë e LSI.
Dita e sotme do të jetë një test për LSI. Gjatë ditëve të fundit zëri i Monikës si Kryetare e re e LSI është mekur. Nuk është më ai i katër javëve më parë kur deklaronte prerë dhe artikulonte fort se LSI do të jetë një opozitë e fortë ndaj pushtetit. Zërat e tjerë brenda kësaj force politike që ishin po aq të zjarrtë gjatë ditëve të fundit janë sfumuar.
Katër javë më parë, Monika fliste për një opozitë të fortë, dje ndryshoi. Me një postim të shkurtër në rrjetet sociale ajo nuk shprehej më për një opozitë të fortë, por për një opozitë konstruktive. Ndërkohë, këshilltarët e LSI, disa fëmijë pa asnjë eksperiencë politike thanë se kusht për të votuar rritjen me 45% të çmimit të ujit për 1 milion banorë të Tiranës ishte zorra e deputetit Qefalia që ujit lulet pa leje në bizneset e tij.
Dje kur qytetarët prisnin një përgjigje tjetër nga kjo forcë politike, LSI u tha atyre se nga zorra e këtij deputeti varet halli i 1 milion qytetarëve që do t’u rriten faturat e çmimit të ujit. Që LSI dhe këshilltarët e saj të mbeten të varur tek zorra e Qefalisë, kjo është një zgjedhje e tyre, ndërkohë problemi i rritjes së çmimit të ujit është shumë herë më tepër serioz.
Sot është një test i rëndësishëm për zonjën Kryemadhi si kryetare e re e LSI dhe për vetë LSI të deklaruar me pompozitet si opozitë. A do të jetë LSI një forcë opozitare apo një forcë politike lehtësisht e kapshme nga pushteti përmes shantazheve? Kjo mbetet për t’u parë sot në votimin në Këshillin Bashkiak. Nëse funksionon, atëhere mund të thuhet me siguri se në zgjedhjet e ardhshme, LSI do të dalë forcë e parë në burgje.
Përderisa në Tiranë e paguajnë faturën e ujit vetëm 22.9% e familjeve, atëherë ulja e informalitetit dhe rritja e bazës së familjeve që duhet të paguajnë faturat e ujit është zgjidhja e vetme për të ndalur rritjen e çmimit për atë pakicë që është e ndershme me shtetin.
Çmimi i ujit dhe lehtësia e papërballueshme e qeverisjes
Enton Abilekaj
Mënyra se si u mor vesh rritja e çmimit të ujit, e bëri të duket si një plan mafioz. I projektuar në fshehtësi, i dekonspiruar nga Sali Berisha me informatorët dixhitalë, u zbulua nga mediat më pak se një javë përpara votimit në Këshillin Bashkiak. Një relacion që flet për falimentimin e Ujësjellësit, vetëm sa fyen këshilltarët që duhet ta votojnë dhe qytetarët që duhet ta pësojnë. Humbjet në rrjet dhe nevoja për një reformë të ujit, jo si ajo që filloi Rama para dy vjetësh, mund të gjejë konsensusin e qytetarëve dhe këshilltarëve, por më parë duhet grisur relacioni fyes që ka përgatitur Bashkia dhe të paraqiten dokumentet që kërkon ligji dhe ato që kërkon votimi në Këshill.
Nënkryetari i Bashkisë, Mazniku informoi se do të investohen 220 mln euro në 5 vitet e ardhshme për të arritur që Tirana të ketë ujë të pijshëm 24 orë. Sot, nuk ka as ujë të pijshëm dhe as furnizim 24 orë. Do të ishte një projekt ambicioz ky i Bashkisë, një projekt që do të justifikonte edhe rritjen e çmimit. Nëse do të kishte projekt. Fjalët e Maznikut dhe të Veliajt nuk janë projekt. Ato janë premtime, që mund të verifikohen si mashtrime pas disa vitesh, kur situata të mos ketë ndryshuar.
Nëse do të kishin projekt, atëherë do të shpjegonin gjithë strategjinë që Bashkia pretendon se ka për të furnizuar Tiranën 24 orë më ujë të pijshëm. Në radhë të parë, për transparencën që nuk është pika më e fortë e Veliajt, duhet sqaruar se sa kapacitet kanë rezervuarët aktualë, sa e përballon rrjeti furnizimin. Mazniku e quan të amortizuar, por nuk ka asnjë shifër se sa përqind e rrjetit është e amortizuar dhe sa kosto do të ketë rindërtimi i tij. Në këtë kosto përfshihen edhe rrugët që do të çahen përsëri, edhe ndotja që do të shkaktojnë, edhe trafiku që do të përkeqësojnë.
Nëse do të kishte një projekt sado joserioz, do të kishte një studim sado të keq, për rezervuarin e ri, për burimet e reja ujore dhe për kostot e tyre, do të kishte një shpjegim pse uji që vjen në rubinetat nuk është i përdorshëm as për të larë duart, sa është niveli i baktereve, pse kanë dështuar investimet e mëparshme dhe si do bëhet që të mos dështojnë 220 milionë euro të tjera investime.
Sa është kostoja e metrit kub të ujit sot në Tiranë? Si shpjegohet që megjithë humbjet mbi 65% në rrjet, UKT del me 5 milionë euro fitim? Projekti duhet t’u jepte përgjigje këtyre pyetjeve, nëse do të ekzistonte. A do të rritet çmimi për të investuar apo do të përballojë koston e metrit kub? Sa është kostoja e m3 të ujit sot dhe sa do të jetë pas këtij investimi? A do të ketë rritje të çmimit, pasi uji të bëhet i pijshëm? Pse vendet e rajonit kanë ujë të pijshëm 24 orë me kosto më të ulët se e jona, ndërkohë që kanë shumë më pak burime ujore se ne? Pse ujësjellësi duhet të dalë me 5 milionë euro fitim, ndërkohë që uji është nevojë jetike? Ku ka shkuar deri sot fitimi i UKT? Projekti që nuk ekziston duhet t’u jepte përgjigje këtyre pyetjeve dhe më pas të kërkonte rritjen e kontributit. Sepse kjo nuk mund të quhet rritje çmimi për sa kohë malli nuk është bërë më i shtrenjtë, pra nuk është bërë më cilësor dhe për sa kohë ujësjellësi del me fitim, pra qytetarët e paguajnë mbi kosto.
Kjo që kërkon Bashkia quhet rritje e kontributit të qytetarëve, që për të njëjtin shërbim që vetë Bashkia e quan të keq, do paguajnë më shumë. Këto kontribute mund t’u merreshin edhe të pasurve, atyre që përdorin ujin pa kriter në bizneset e tyre, mund të ndërtohej një skemë pagese progresive, për të mbrojtur shtresat në nevojë dhe për t’i bërë ata që fitojnë nga konsumi i ujit, të paguajnë më shumë.
Kjo nuk është politikë e Rilindjes që anuloi pagesën progresive të energjisë dhe nuk e zbatoi taksën progresive tek të pasurit, megjithëse vazhdon ta përdorë për propagandë. Nuk do të ketë çmim progresiv, të pasurit nuk do të preken, paratë do u merren të varfërve se ata janë shumë. Kështu, një familje me 4 vetë që paguan sot ujin 45 lekë për m3 dhe fatura e ujit me TVSH i shkon rreth 1 mijë lekë të reja në muaj, do të paguajë rreth 14 mijë lekë në muaj, 40 për qind më shumë. Kjo është një shifër që e kalon pagesën mujore të një anëtari të një familjeje në ndihmë ekonomike dhe, të paktën për 5 vitet e ardhshme, nuk i siguron furnizimin me ujë të pijshëm. Ai do të duhet të blejë ujë të pijshëm, të paguajë edhe energjinë dhe të sigurojë edhe ushqim.
Është e qarte që nuk ka asnjë strategji, sepse asnjërës prej pyetjeve dhe nevoja minimale nuk u jepet përgjigje. E vetmja përgjigje është që të mbyllet rubineti sikur të jesh punonjës lavazhi dhe ta lësh rubinetin hapur. Nëse do të kishte një strategji ajo duhej të ishtë miratuar nga Enti Rregullator i Ujit, bashkë me masat shoqëruese si rritja e çmimit.
Nga fshehtësia dhe niveli i propagandës, ngjan me një plan djallëzor që do çojë një përfitim tek njëri nga oligarkët e Rilindjes. Këtë nuk e përjashtoi as vetë nënkryetari i Bashkisë, Arbian Mazniku në një intervistë dhënë për “New24”, kur tha se, “Partneritet Publik Privat pritet të merret në konsideratë në një kohë të dytë”. Ose është një aksion partizan, nga ata që e karakterizon qeverisje qendrore dhe vendore. Kujtohen për problemet vetëm kur u dalin përpara. E solli thatësira problemin dhe u vendos të zgjidhej me një aksion, që do të bjerë si gjithmonë në kurrizin e të pambrojturve. Tipike për një qeverisje që projekte strategjike tenton t’i zgjidhë me aksione fasadë, ndërsa fasadat i zgjidh me projekte strategjike. Kjo është lehtësia e papërballueshme e qeverisjes.
70 paga fiktive, arrestohet njeriu i Metës, Agron Xhafa
Drejtori i Aeroportit të Kukësit, që ende nuk është vënë në punë, Agron Xhafa ka përfunduar në pranga ditën e djeshme, pasi ka paguar 70 punonjës pa qenë në punë. Nga këta 70 punonjës, 40 kanë marrë rrogën fiktivisht gjatë kohës së fushatës së zgjedhjeve të 25 qershorit pa qenë asnjë ditë në punë. Policia bëri të ditur se, bashkë me Agron Xhafën është arrestuar edhe shefi i Financës së këtij Aeroporti. Agron Xhafa njihet si një nga njerëzit e afërt të Ilir Metës dhe gjatë zgjedhjeve të fundit ka qenë kandidat për deputet në listën e LSI-së.
Po ashtu është shpallur në kërkim, ish-drejtori i aeroportit Arben Carkanji, i cili ka mbajtur këtë funksion nga viti 2013, deri në janar të vitit 2017. Të tre këta zyrtarë, akuzohen se kanë paguar rrogat e rreth 70 punonjësve që prej muajit janar të këtij viti deri në periudhën zgjedhore. Por sipas hetimit të kryer asnjë prej punonjësve, të cilët kanë përfituar pagat nuk janë paraqitur në punë.
Pas hetimit të kryer nga Prokuroria, Gjykata e Kukësit ka nxjerrë vendimet e arrestit për të tre personat. Pagat e personelit e Autoritetit të Aviacionit Civil paguhen nga Shoqata e Transportit Ajror, nga përfitimet e shfrytëzimit të hapësirës ajrore shqiptare nga kompanitë ndërkombëtare të fluturimeve. Hetimet pritet të zbardhin detaje të reja në lidhje me abuzimet e mundshme.
Hetimet e Prokurorisë
Prokuroria ka nisur hetimet ndaj drejtuesve të Aeroportit të Kukësit, pasi kishte dyshime se janë emëruar dhe paguar 70 punonjës pa qenë në punë. Të paguarit që dyshohet se i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik janë emëruar si punonjës të Aeroportit të Kukësit, aeroport i cili nuk funksionon dhe ndërkohë ata paguhen çdo muaj.
Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për zyrtarë të lartë të Autoritetit të Aviacionit Civil për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa ende nuk bëhen me dije emrat e personave që rezultojnë përgjegjës. Burimet treguan se do të jenë hetimet në vazhdim ku do të mësohen detaje në lidhje me faktin se ku kanë shkuar paratë dhe si është arritur të ndodh një akt i tillë në atë drejtori.
Të dhënat e Prokurorisë bëjnë me dije se, hetimi është përqendruar ndaj ish-titullarëve të institucionit dhe këtyre aktual, pasi rezulton se kanë punësuar dhe paguar 70 persona pa qenë në punë. Sipas akuzës, nga hetimet paraprake, rezulton se titullarët e Autoritetit të Aviacionit Civil si dhe Drejtoria e Aeroporteve ka punësuar 70 persona me detyra të ndryshme në Aeroportin e Kukësit nga vitit 2016 e këtej. Por pavarësisht emërimit dhe vendimit si të punësuar në Aeroportin e Kukësit, këta punonjës nuk kanë shkuar një ditë në vendin e punës për shkak se aeroporti nuk funksionon.
Kështu 70 punonjësit paguheshin çdo muaj me rroga të ndryshme sipas pozicioneve të punës pa qenë në punë. Veç rrogës, Prokuroria ka ngritur dyshime se këta punonjës në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të Autoritetit të Aviacionit Civil kanë marrë në financën e institucionit edhe dieta udhëtimi çdo muaj dhe ushqimi në shuma të mëdha. Për këtë fakt, Prokuroria mësohet se ka caktuar tre ekspertë kontabël që të llogarisin dëmin e shkaktuar ndaj shtetit nga pagat e paguara për punonjës që nuk paraqiten një ditë në punë.
Për llogari të këtij hetimi, burimet pranë organit të akuzës bëjnë me dije se Prokuroria veç sekuestrimit të vendimeve të emërimit të këtyre dhe urdhrat e shërbimit, ka kërkuar sekuestrimin edhe të pamjeve filmike të kamerave të sigurisë të Kukësit. Ky veprim procedurial, thonë burimet, bëhet për të provuar se këta 70 të punësuarit nuk kanë qenë në detyrë në aeroport, por kanë marrë rrogën.
R.POLISI
Mziu: Veliaj gënjen, në Kamëz një familje paguan 1000 lekë ujë
Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, ka reaguar pas mashtrimit të Erion Veliajt, i cili deklaroi se, “do të rris çmimin e ujit të pijshëm për banorët e kryeqytetit ashtu siç bëri Xhelal Mziu me Kamzën”. Në një njoftim për shtyp të Bashkisë Kamëz thuhet se, Erion Veliaj gënjen në mënyrë të paturpshme për Bashkinë Kamëz teksa mundohet të justifikojë ngritjen e çmimit të ujit në Tiranë.
“I gjendur ngushtë përballë presionit qytetar dhe këshilltarëve bashkiakë, Veliaj po tenton të fshehë ndonjë aferë të tij teksa mundohet dhe rreket të justifikojë se edhe në Kamëz paguhet shtrenjtë uji. Nuk është aspak e vërtetë; në territorin e Bashkisë Kamëz një familje faturohet me 1000 lekë ujë, kur Bashkia e blen 4-fish më shtrenjtë ujin nga UKT, duke qenë se Bashkia Tiranë e prodhon vetë. Ndërsa në Kamëz po zbatohet projekti për furnizimin me ujë 24 orë dhe ka mbaruar faza e parë, në Tiranë qytetarët përballen me mungesën e furnizimit me ujë, kur për vitin e kaluar UKT rezultoi me 5 milionë euro fitim. Pyetja që i shtrojmë Veliajt është: Përse kryeqyteti përballet me mungesën e furnizimit me ujë dhe për çfarë po shpenzohen këto para?!”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Shoferët e autobusëve në protestë, bllokohen qytetarët
Shoferët e autobusëve të linjave ndërqytetase kanë ndaluar punën ditën e djeshme dhe janë ngritur në protestë kundër asaj që ata vetë e quajnë padrejtësi që po u bën Ministria e Transporteve. Në shumë qytete të vendit është paralizuar lëvizja e këtyre mjeteve e si pasojë mjaft udhëtarë kanë ngelur pa shkuar nga njëri qytet në tjetrin. Nga Korça autobusët nuk janë nisur për në Tiranë dhe destinacione të tjera mëngjesin e sotshëm.
Sa i takon terminalit të Jugut në Tiranë, ai ka qenë i mbushur me autobusë që nuk lëviznin nga vendi, shoferë që protestonin si dhe turistë të interesuar për të shkuar në destinacione turistike në jug, por edhe udhëtarë të tjerë. “Kemi tre orë këtu te terminali i Jugut për në Vlorë po autobusët janë në grevë. Ka shumë të huaj që kanë ardhur për turizëm dhe duan të shkojnë në Jug, po jemi dhe ne të tjerët që kemi hallet tona e s’po lëvizim dot. Ata protestojnë, sepse Ministria e Transportit në ikje do të japë licenca të reja, kanë ndryshuar kushtet”, thotë një qytetar.
Protesta 1 ditore erdhi për shkak të një vendimi të fundit të Ministrisë së Transporteve për shtimin e 80 linjave të tjera ndërqytetase. Sipas shoqatës, licencimi i 80 linjave të reja është i jashtëligjshëm dhe çon në faliment 360 linja aktuale. “Na çon në faliment. Janë linja paralele që hapen”, thotë Nexhdet Dalipi, nënkryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Ndërqytetas.
Të kundërtën mendojnë qytetarët, të cilët shtimin e autobusëve e shohin në favor të tyre. “Sa më shumë të shtohet aq më mirë është”, thonë qytetarët.
Nga protesta u prekën edhe turistë të huaj. “Jam shumë e shqetësuar, sepse kam një avion për të marrë nesër në mëngjes nga Korfuzi dhe duhet të shkoj në Sarandë sot të marr tragetin”, thotë një turiste. Shoqata Kombëtare e Transportit thotë se, nëse qeveria nuk tërhiqet nga shtimi i linjave të reja, protesta do të përshkallëzohet.
Zjarret nuk ndalen, në Gjirokastër rrezikohen disa banesa
Zjarret vijojnë të shkrumbojnë pyjet në të gjithë territorin e vendit, ndërsa gjatë ditës së djeshme janë shfaqur edhe 12 vatra të reja në disa qarqe. Një vatër zjarri ka shpërthyer pasditen e djeshme në kodrat e rrugës së Muzinës në Gjirokastër. Nga të dhënat paraprake mësohet, se nga flakët rrezikohen disa banesa në fshatrat Grapsh dhe Jorgucat. Ndërkohë, era e fortë favorizon përhapjen e flakëve të zjarrit, ndërsa kërkohet ndërhyrja e forcave zjarrfikëse. Qarku i Gjirokastrës ka qenë një ndër zonat e prekura nga zjarri, ku shumë sipërfaqe pyjore janë djegur.
Në fshatin Luzat, Bashkia Tepelenë, u rindez përsëri vatra e zjarrit e shuar para dy ditësh. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 0,4 ha me shkurre e ferra, kurse rreth 3 ha janë përshkuar nga zjarri.
Në fshatin Alipostan, Bashkia Përmet, ra zjarri në një ndërtesë të pabanuar në pronësi të një shtetasi. Si pasojë u dogj banesa, 1 ha me shkurre dhe pyll lisi, si dhe rreth 25 pemë frutore. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.
Në fshatin Malaj, Bashkia Mirditë u rindez përsëri zjarri i rënë në pyllin me pisha. Si pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre e ferra.
Në fshatin Shebe, Bashkia Mirditë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll pishe. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, flakët janë vënë nën kontroll. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me pyll pishe.
Në malin e Vinës, Kodovjat, Bashkia Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll ahu dhe lisi. Kanë ndërhyrë zjarrfikësit me mjete, duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 dynym me pyll ahu dhe lisi.
Në fshatin Fikas, Bashkia Elbasan, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre dhe 10 rrënjë ulliri.
Në fshatin Visokë, Bashkia Mallakastër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe mjeteve është bërë e mundur shuarja e flakëve. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0,8 ha me shkurre dhe rreth 200 rrënjë ullinj.
Në fshatin Sheqishtë, Bashkia Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, pemë frutore dhe ullinj. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0,5 ha me shkurre, 30 rrënjë ullinj dhe disa pemë arra, në pronësi të shtetasve.
Në fshatin Mallkuç, Bashkia Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve me mjete është shuar zjarri. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe rreth 20 rrënjë ullinj në pronësi të një shtetasi.
Në kodrën mbi Liqenin e Kasharit, Bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll të shkurtër. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pyll të shkurtër.
Në fshatin Fitore, Bashkia Devoll, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me bazë ushqimore. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe vogël me bazë ushqimore.
Vrau babain dhe plagosi nënën e tij, 21-vjeçari në depresion
21-vjeçari Mirald Metallari ka thënë në polici se në momentin kur qëlloi babain e tij, i ka pasur sytë e mbyllur dhe nuk e ka parë nënën që i doli përpara. Ai ka shfaqur shenja depresioni gjatë marrjes në pyetje. Mirald Metallari, 21- vjeçari që vrau me pistoletë babain e tij, ka treguar në polici se nuk ishte herë e parë që babë e bir konfliktoheshin.
Që kur është kthyer disa muaj më parë nga Angli, 21-vjeçari nuk ka qenë i qetë. Vazhdimisht ata përplaseshin për gjëra të vogla. Ai konfliktohej me pjesëtarët e familjes, duke shfaqur shenja depresioni. Por askush në familjen e tij nuk e kishte menduar që 21-vjeçari do të arrinte në këtë pikë.
Konflikti i së hënës midis Miraldit dhe babait të tij 62-vjeçar Myftar Metallari ishte më i ashpër se herët e tjera. Edhe pse motovi ishte krejt banal, ndërtimi i një muri betoni në oborrin e baneses së tyre në Bathore.
Miraldi nuk e kishte ndërtuar këtë mur betoni edhe pse e kishte porosi prej disa ditësh nga babai i tij. Ata kanë debatuar ashpër mes njëri-tjetrit dhe në një momemt 21-vjeçari merr pistoletën e babait të tij polic dhe e qëllon 5 herë në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Në shtëpi në këto momente ishte edhe mamaja e Miraldit. Kur pa të birin që po qëllonte në drejtim të babait të tij, ajo i del para, duke marrë 2 plumba në trup. Por në polici 21-vjeçari ka thënë se nuk e ka parë nënën e tij, pasi në momentin që qëlloi babain, sytë i kishte të mbyllur. Kur sheh trupat e prindërve të tij përtokë, ai përpiqet t’u japë ndihmën e parë. Nënën e dërgoi në Spitalin Ushtarak dhe fatmirësisht i shpëtoi plagëve të marra.