25.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Me bombë “molotov” ndaj zyrës së Ramës

Një i ri nga Fieri ka gjetur një mënyrë ekstreme për të shprehur revoltën e tij ndaj qeverisë. I revoltuar nga moszgjidhja e halleve në zyrat e shtetit, Ardian Peshtanaku ka ardhur nga Fieri ku banon, ka përgatitur bombën “molotov” dhe e ka vërvitur drejt selisë së qeverisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ka qenë ora 13:30 e ditës së hënë kur nuk kishte njerëz në rrugë në momentin kur ai qëlloi me bombë molotov godinën e Kryeministrisë.
25-vjeçari Peshtanaku pasi i vuri flakën shishes me benzinë, e hodhi para godinës së Kryeministrisë. Nga shpërthimi pati vetëm dëme të lehta materiale, ndërsa i riu pas këtij veprimi u ndalua nga Garda dhe më pas iu dorëzua policisë. Gjatë marrjes në pyetje nga policia, ai ka treguar arsyet e këtij veprimi. Sipas burimeve, 25-vjeçari Peshtanaku ka rrëfyer në polici se, këtë akt e ka kryer për shkak se, “ka disa probleme që nuk po i zgjidhen nga qeveria”. “Jam i mërzitur me shtetin që nuk më zgjidh hallet”, është shprehur përpara policisë 25-vjeçari.
Policia bëri të ditur dje nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, ngjarja ndodhi mesditën e të hënës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” tek godina e Kryeministrisë, ndërsa nga hedhja e lëndës plasëse nuk ka të lënduar, përveç dëmeve materiale. “Më datë 24.07.2017, u arrestua në flagrancë shtetasi A. P. 25 vjeç, banues në Fier, sepse në orën 13:30, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, ka hedhur një shishe me lëngë ndezëse, e cila ka shpërthyer po pa shkaktuar probleme në njerëz”, thuhet në njoftimin e policisë. Oficerët e Policisë së Komisariatit Nr.1 në Tiranë kanë ngritur akuzë ndaj të riut për “shkatërrim prone me dashje”.
Nuk dihet se çfarë problemesh nuk i janë zgjidhur nga shteti të riut nga Fieri, por ai ka deklarur se ka hedhur bombën molotov mbi Kryeministrinë për të shprehur revoltën e tij. Ashtu si në të gjithë vendin edhe në Fier, qytetarët po përballen me arrogancën e qeverisë nëpër zyrat e shtetit. Shumë qytetarë sorollaten me ditë e javë të tëra në zyrat e shtetit pa mundur të zgjidhin hallet e tyre. Një nga problemet më të mëdha që hasin qytetarët është problemi i pronësisë. Edhe pse qeveria e ka për detyrë të bëjë kompensimin e pronave për pronarët, një gjë e tillë bëhet vetëm nëse u jep 20 përqindshin zyrtarëve të qeverisë së Ramës.
Rama këto ditë ka nisur dëgjesat me popullin, por në të gjitha takimet që ka zhvilluar deri tani nuk ka zgjidhur hallet e problemet e qytetarëve, por ka bërë shou. Në një nga këto “dëgjesa”, një ditë më parë një qytetare nga Shkodra i deklaroi Ramës se, prej tre vitesh nuk i zgjidhej problemi i saj i pronësisë edhe pse i kishte dokumentat e rregullta. Ajo tha se, ishte socialiste dhe e sorollasnin nëpër zyra pa i zgjidhur hallin. Rama i indinjuar i rrëmbeu mikrofonin socialistes dhe nuk e lejoi të fliste. “Atëherë po e mbyll gojën”, u shpreh e revoltuar qytetarja. Po ashtu, Rama u ka ndërprerë fjalën edhe mjaft qytetarëve të tjerë që kërkonin zgjidhjen e halleve në zyrat e shtetit dhe lejonte të flisnin vetëm ata që i thurnin elozhe Ramës dhe zyrtarëve të tij.
Që të zgjidhësh një hall në zyrat e shtetit duhet të paguash shuma të majme, por qytetarët hallexhinj nuk kanë asnjë mundësi që të paguajnë zyrtarët e korruptuar. Korrupsioni drejtohet nga vetë Rama, i cili merr pjesën e tij, ndërsa pronarët sorollaten nëpër zyra. Vetëm ata që kanë paguar 20 përqindëshin kanë arritur të marrin kompensimin, ndërsa pjesa dërrmuese vazhdojnë të sorollaten nëpër zyra, duke iu sosur durimi.
Sulmi i të riut me bombë molotov ndaj zyrës së Ramës flet për revoltën e qytetarëve ndaj qeverisë. Në mjaft raste të tjera, qytetarët kanë ndërmarrë veprime ekstreme, pasi nuk arrijnë të zgjidhin hallet e tyre në zyrat e shtetit. Mjaft qytetarë kanë hipur në tarraca pallatesh apo në majën e oxhakut të Uzinës së Naftës, siç qe rasti i një qytetari në Ballsh para disa kohësh. Naftëtari kishte 4 muaj pa marrë rrogën dhe u desh që ai të ndërmerrte një veprim ekstrem që shteti t’i jepte hakun e djersës së tij.

R.POLISI

Ish-kreu i Hipotekave do të dëshmojë ndaj Shullazit

Ish-kreu i Hipotekave, Ilirjan Muho do të jetë dëshmitari i radhës që do të dëshmojë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin ndaj Emiliano Shullazit dhe anëtarëve të tjerë të bandës. Pas kërkesës së Prokurorisë, trupi gjykues ka pranuar të thërrasë Muhon në cilësinë e dëshmitarit në lidhje me pronësinë e ish-hotel “Vollgës”, ndërsa krahas tij në Gjykatë do të dëshmojnë edhe pronarët shqiptarë të ish-hotelit Fejzi Kodra dhe Luljeta Kodra.
Gjatë seancës së kaluar, ish-kryeregjistruesi i Durrësit, Jurgis Çyrbja, deklaroi se kishte diskutuar disa herë me kryregjistruesin Ilirjan Muho për këtë çështje. Procesi do të zhvillohet në 12 shtator për shkak të pushimeve të verës.
Ndërkohë në seancën e kësaj here u paraqit para Gjykatës noterja Drita Pepi, e cila u pyet për noterizimin e dy aktmarrëveshjeve në zyrën e saj mes Ylvi Beqajt dhe Emiliano Shullazit. Pepi tha se kjo kishte ndodhur në vitin 2014 dhe se nënshkrimi i kontratave ishte bërë me vullnet të dyja palëve.
Ndërsa një tjetër dëshmitar Nazmi Çanga nga Fushë Preza dëshmoi në Gjykatë se me Ylvi Beqajn kishin marrëdhënie miqësie, ndërsa ky i fundit i kishte marrë një hua prej 150 mijë eurosh, të cilën nuk ia kishte kthyer më. Gjithashtu sipas Çangës, Beqja u kishte marrë para borxh edhe disa bashkëfshatarëve të tij, për të cilat ai vetë ishte bërë garant. Dëshmia e Çangut u kundërshtua pjesërisht nga Prokuroria.

Shukriu do të gjykohet edhe për fshehje pasurie

Prokuroria e Dibrës dërgon për gjykim ish-kryetarin e Bashkisë, Shukri Xhelili, i akuzuar për veprën penale të “Mosdeklarim dhe deklarim i rremë i interesave private” (pasurisë), në vijim të hetimit të nisur në bazë të kallëzimit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKPKI). Për këtë procedim, i pandehuri është hetuar pa masë sigurimi.
Në bazë të veprimeve hetimore të Prokurorisë së Dibrës, rezultoi se i pandehuri nuk justifikon me dokumente zyrtare kontratën për blerjen e një apartamenti në Durrës, me vlerë 34.000 euro, në emër të djalit të tij.
Në kallëzimin e dorëzuar nga ILDKP, pretendohej edhe për disa asete të tjera, të krijuara në mënyrë të dyshimtë ose të padeklaruara, por nga hetimi rezultoi se këto elementë të kallëzimit nuk provoheshin përtej dyshimit të arsyeshëm.
Përsa i përket apartamentit në Durrës, për të cilën është marrë i pandehur subjekti Shukri Xhelili, ai deklaron se: Në vitin 2013, një ndër marrëveshjet që ka lidhur djali i tij Ervis Xhelili ka qenë me kompaninë T…C…. shpk, ku ka marrë përsipër vendosjen e dritareve, grilave si dhe të gjitha punimet e natyrës së shërbimit që ofronim, në kushtet kur firma T…C…. shpk i ka ofruar një apartament për të likuiduar shumën e shërbimit të ofruar, djali ka bërë marrëveshje fillimisht verbale në mirëbesim në emër të firmës, ndërsa kontratën e sipërmarjes e ka bërë në emrin e tij jo në emrin e firmës. Deri në këto momente pavarësisht kontratës, kjo kompani nuk ka kaluar në emrin e djalit Ervis Xhelili titullin e pronësisë, pra akoma nuk është pajisur me hipotekë, pasi ajo është e parashikuar në kontratë në një pikë të saj, ku thuhet se për kalimin e pronësisë në emër të porositësit Ervis Xhelili, duhet të lidhet një kontratë tjetër për kalimin e pronësisë mbi aparatamentin përpara noterit. Në këto kushte, i pandehuri ka menduar se duke mos pasur një titull pronësie, hipotekën, nuk e kam deklaruar në deklaratën e paraqitur pranë ILDKP-së, për më tepër me këtë kompani akoma nuk janë përfunduar të gjitha punimet me shërbimin që i janë ofruar. Për të provuar faktin që shoqëria T..C… shpk nuk ka pasur një marrveshje për kryerjen e punimeve me djalin Ervis Xhelilin, janë paraqitur faturat tatimore të shitjes, të subjektit Viklo shpk (me administrator djalin e të pandehurit), për të gjitha punimet e kryera pranë firmës T…C…  shpk, për të vërtetuar edhe një herë faktin se, kontrata e sipërmarrjes është lidhur gabimisht në emër të Ervis Xhelilit, pasi faktikisht ajo duhet të ishte lidhur në emër të firmës Viklo shpk.
Por, ndërkohë, me procesverbalin e këqyrjes të datës 26.06.2017 është administruar kopje e kontratës së sipërmarrjes datë 18.02.2014, për ndërtimin e apartamentit me sipërfaqe 91.78 m2 ndodhur në plazh kundrejt shumës prej 34 000 eurosh ndërmjet shoqërisë “T…C…” dhe porositësit “Ervis Xhelili”. Në nenin 3 të kontratës thuhet: “1. Shuma totale e apartamentit objekt porosie është 34 000 euro. Pagesa për këtë apartament objekt porosie është bërë si më poshtë: shuma e mësipërme është likuiduar totalisht nga porositësi cash në dorë, duke mos pasur asnjë lloj detyrimi ndaj njëri-tjetrit. 2. Duke qenë se likuidimet e apartamentit objekt porosie është kryer totalisht nga porositësi tek sipërmarrësi dhe midis tyre nuk ka asnjë detyrim financiar … ky i fundit i jep të drejtën porositësit që apartamentit objekt porosie ta shesë, ta japë me qira, ta ndërrojë …” Ndërsa në nenin 4 të kontratës rregullon mënyrën e kalimit të pronësisë, pasi të përfundohet apartamenti, veprim i cili do të bëhet me kontratë të veçantë.
Pra, në bazë të kontratës, rezulton se është paguar shuma prej 34.000 euro, gjë e cila nuk është e deklaruar në formularin përkatës.
Ndërkohë, në kallëzimin e ILDKPKI pretendohej se në deklaratën e interesave privatë  “Periodikë/Vjetorë” të vitit 2014 ndër të tjera është deklaruar blerja e një autoveture në vlerën 20 000 euro nga shoqëria “D..A…”. Sipas ILDKPKI, kjo marrëveshje është e dyshimtë, pasi sipas marrëveshjes bëhet fjalë për kompensim punimesh të kryera.
Nga të dhënat hetimore të Prokurorisë së Dibrës, rezultoi se blerja e këtij automjeti është i justifikuar me burime të ligjshme.
Po ashtu, ILDKPKI pretendon në kallëzim se, në emër të djalit të të pandehurit, figuron edhe një apartament në Kashar, Tiranë. Sipas kallëzimit, kjo provohet me faktin se në emrin Ervis Xhelili figuron një kontratë furnizimi me energji elektrike për një apartament në Tiranë.
Nga hetimi i Prokurorisë së Dibrës, rezultoi se nuk bëhej fjalë për të njëjtin shtetas.

Tjetërsoi pronën, arrestohet ish-kreu i Hipotekës Krujë

Gjykata e Krujës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-drejtuesin e Hipotekës së qytetit, si edhe ish-sekretarin e Komunës Thumanë, të cilët dyshohet se i kanë regjistruar në mënyrë të kundërligjshme një shtetasi, një tokë me sipërfaqe 13.300 m2. Masa e sigurisë u përcaktua në bazë të një hetimi të Prokurorisë së Krujës, sipas të cilës kjo tokë, pasi është përfituar në mënyrë të paligjshme, i është shitur më pas një kompanie private.
Me qëllim ruajtjen nga tjetërsimi i mëtejshëm i pronësisë së kësaj sipërfaqe, Prokuroria ka vendosur edhe sekuestrimin e tokës, pas lejes së marrë nga Gjykata. Në zbatim të masave të caktuara nga Gjykata, është bërë i mundur arrestimi nga ana e Policisë i shtetasit Fatmir Shani, ish-drejtues i Hipotekës Krujës, ndërkohë që është shpallur në kërkim Muharrem Rroli, ish-sekretar i Komunës Thumanë.
Pas arrestimit të Shanit, Gjykata ka caktuar ndaj tij masën “arrest në shtëpi”, bazuar në përcaktimet ligjore për zbutjen e masës së sigurimit që ishte dhënë më parë. Në bazë të veprimeve hetimore të Prokurorisë së Krujës, ka rezultuar se: “Shtetasi Asllan Loci është banor i qytetit të Fushë-Krujës dhe për periudhën kohore 01.02.1987 deri më 15.07.1992 ka punuar në ndërmarrjen NB.Krujë+F.Krujë pranë sektorit Derven”.
“Në kallëzimin e tij ky shtetas parashtron faktin se është furnizuar me tokë në bazë të Ligjit Nr.7501 datë 19.07.1991. Është furnizuar me këtë sipërfaqe toke duke qenë se ka punuar në ndërmarrjen NB-Derven, dhe në këtë mënyrë është pajisur me Aktin e marrjes së tokës në pronësi me nr.208, fshati Derven, muaji mars i vitit 1999, në emrin e shtetasit Asllan S.Loci, por vërtetimin në origjinal të aktit të marrjes në pronësi nuk e ka tërhequr asnjëherë si edhe nuk ka firmosur kurrë në të, pasi e ka lënë në Bashkinë e Thomanës. Asllan S.Loci është emri i tij, pasi më parë është njohur me emrin Islam”, thotë Prokuroria.
Së fundmi, kallëzuesi është vënë në dijeni rastësisht se Zyra Vendore e Pasurive të Paluajtshme Krujë, ka regjistruar pasurinë me nr.250/30 vol.5, fq.150  në emër të shtetasit Asllan Laci, pasuri e cila ka qenë më parë e regjistruar në emër të shtetasit Asllan Loci. Lidhur me pasurinë që kallëzuesi pretendon se është e tij, disponon aktin e marrjes së tokës në pronësi (në fotokopje) si edhe një kopje të librit të ngastrave. Pra, toka është përfituar si punonjës i ish- Ndërmarrjes Bujqësore Derven dhe është furnizuar për shtatë frymë, pasi kjo ka qenë përbërja familjare e kohës referuar edhe çertifikatës familjare.
Nga aktet rezulton se, kallëzuesi nuk ka qenë kurrë banor i Komunës Thumanë, por ka qenë punëtor në Ndërmarrjen Bujqësore Derven. “Krahas këtij fakti, kallëzuesi është vënë në dijeni se një shtetas i quajtur Asllan Laci, duke përfituar nga ngjashmëria e mbiemrave, duke përdorur dokumenta të falsifikuara, si edhe me një vërtetim të marrë nga ana e Komunës Thumanë lëshuar nga sekretari i Komunës Thumanë, shtetasi Muharrem Rroli, ka regjistruar pronën pranë ZVRPP Krujë në emër të tij.
Nga aktet e administruara në fashikullin penal rezulton se, shtetasi Asllan Loci është banor i fshatit Borizanë dhe është i martuar me shtetasen Bukurije Laci, e cila ka punuar në ndërmarrjen NB-Derven Krujë, me qendër punë NB Thumanë Pemëtore. Referuar akteve të marrjes në pronësi AMTP nr.208 rezulton se në mars të vitit 1999, për fshatin Derven, të rrethit të Krujës familjes së Asllan S.Loci, i jepet 13 300 m2 tokë, ku për komisionin e tokës në fshat ka firmosur shtetasi Pëllumb Rroshi dhe Islam Tonuzi.
Ndërsa shtetasi Asllan Xhumali Laci është pajisur me aktin e marrjes së tokës në pronësi me nr.502 për fshatin Borizanë, data 29.02.2001 me 8200 m2 tokë ku për Komisionin e Tokës në fshat ka firmosur shtetasi Pëllumb Rroshi dhe Islam Tonuzi”.
Rezulton se nga kartela e pasurisë së paluajtshme vol.5, fq.150 ZK.1475, nr.pasurie 250/30 për pasurinë në rrethin e Krujës, Derven më datë 17.04.1999 është regjistruar në emër të shtetasit Asllan S Loçi, me adresë Krujë-Derven, ndërkohë që kjo pasuri mbi bazën e një vendimi për “korrigjimin e emrit të datës 27.04.2011 të marrë nga kryeresgjistruesi Fatmir Shani shprehet se, “korrigjohet emri sipas dokumentit të sjellë nga Komuna Thumanë”.
Për këtë ka shërbyer vërtetimi bashkangjitur, i cili është ai vërtetim lëshuar nga Komuna Thumanë me nr. Extra prot, datë 15.04.2011 e cila vërteton se AMTP Nr.208 datë mars 1999 i përket Asllan Xhumali Laçi dhe jo Asllan S Laci, i cili është shënuar gabim, i cili pas aktit të ekspertimit grafik rezulton se është nënshkruar nga ana e shtetasit Muharrem Roli.
Nisur nga hetimet, Prokuroria thotë se shtetasi Asllan Laci në vitin 2011, mbi bazën e një vërtetimi të falsifikuar, të lëshuar përtej kompetencave ligjore nga ana e sekretarit të Komunës Thumanë, shtetasit Muharrem Rroli ka regjistruar pronën që është në përkatësi të shtetasit Asllan Loci. Ky regjistrim është bërë në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë në kundërshtim me ligjin nga ana e regjistruesit, shtetasit Fatmir Shani.

Problemi me çmimin e naftës

Nga Deutsche Welle

Gjatë dy javëve të fundit çmimi i naftës është rritur: gati 47 dollarë për barrelë (159 litra fuçi) ndërkohë që nafta e Detit të Veriut Brent arriti gati në 50 dollarë. Nëse do të rritet edhe më shumë çmimi ose do të bjerë, kjo qartësohet nga e hëna (24.07.2017). Sepse në Shën Peterburg takohet Komiteti i Verifikimit lidhur me shkurtimin e prodhimit.
Ky komitet çdo muaj, se deri në ç’masë vendet që nxjerrin naftë u përmbahen premtimeve, për ta kufizuar nxjerrjen e naftës. Një masë e tillë shkurtimi u vendos nga OPEC në nëntor dhe afati i saj u shty në maj. Sipas këtij vendimi deri në mars 2018 duhet të prodhohen 1,8 milionë barrel më pak naftë. Në këtë mënyrë rezervat e naftës së depozituar duhet të ulen sërish në kuotën e mesatares për pesë vjet me 2,7 miliardë barrel. Shkurtimi i përgjigjet rreth dy përqind të prodhimit ditor botëror e kjo madje me një ofertë me tepricë. Megjithatë, kjo marrëveshje vlen jo vetëm për vendet e OPEC-ut, por edhe për dhjetë vende të tjera prodhuese jashtë OPEC-ut, si p.sh. Rusia.

Marrëveshja për shkurtimin nuk ndihmon shumë

Takimi fiton peshë, sepse krahas Rusisë si vend organizator, edhe Arabia Saudite do të jetë e pranishme. Do të ketë nevojë për diskutim beson Barbara Lambrecht, eksperte e lëndëve të para në Commerzbank. Në takim vëmendja do të përqendrohet kryesisht tek Libia dhe Nigeria, që deri më tani për shkak të luftërave civile në këto vende janë përjashtuar nga marrëveshja. Këto vende nga ana tjetër e kanë shfrytëzuar këtë periudhë për të rritur fuqishëm prodhimin e naftës: “Rreth gjysma e sasisë së dakorduar në marrëveshje për t’u shkurtuar është neutralizuar si rrjedhojë”, thotë Lambrecht.
Por të dy vendet duket se nuk janë të gatshme, që ta ndryshojnë këtë raport, përkundrazi: Libia do madje që deri në fund të vitit ta rrisë prodhimin. Kësaj i shtohet edhe Ekuadori. Ky vend nxjerr vetëm rreth 25.000 fuçi në ditë. Por muajin e kaluar, ai është shkëputur nga marrëveshja. Disa vëzhgues druajnë, se kjo mund të jetë efekti domino, sepse edhe Iraku dhe Kazakistani nuk i përmbahen më marrëveshjes për shkurtimin e prodhimit, pra disiplina mund të bjerë.
Megjithatë vëzhguesit nuk parashikojnë një shkurtim të mëtejshëm të prodhimit. “OPEC nuk do të kundërvihet me masa”, mendon Gabor Vogel nga DZ-Bank. Sepse nëse prej kësaj do të bjerë më shpejt çmimi i naftës, atëherë SHBA sërish do ta rrisë prodhimin. E për sipërmarrjet e shpimeve do t’ia vlejë sërish prodhimi. “Vetëm fare pak kanë fiitm nëse çmimi i naftës është 30 dollarë”, thotë Thomas Benedix, ekspert i lëndëve të para në Union Investment.

Euro e fuqishme e neutralizon efektin ndaj konsumatorit

Shumica mund të punojë me fitim vetëm nëse çmimi është afër 50 dollarë për barrel. Ai nuk beson, që nafta do të lirohet, madje sipas tij deri në fund të vitit çmimi mund të shkojë deri në 55 euro. Depozitat në SHBA gjatë javëve të fundit janë ulur, e ky pakësim do të vazhdojë për aq kohë sa rritet ekonomia globale. Shkurtimi i prodhimit influencon ndaj vendeve që nxjerrin naftë.
Për konsumatorin kjo do të thotë që është e arsyeshme që këtë verë të mbushet serbatori me naftë. Konsumatorët në zonën e euros nuk e ndiejnë shumë rritjen e çmimit, sepse nafta llogaritet në dollarë. E që nga fillimi i vitit monedha amerikane ka humbur më shumë se 10 për qind kundrejt euros.

Kukan uron Bashën: Kontribut për të ardhmen europiane të Shqipërisë

Europarlamentari Eduard Kukan ka uruar dje, kryetarin e PD-së, Lulzim Basha për rizgjedhjen e tij në krye të partisë. Në një mesazh të publikuar në Twitter dje, Kukan shkruan:
“Urime të sinqerta z. Lulzim Basha, për rizgjedhjen e tij për të drejtuar Partinë Demokratike shqiptare. Shpresoj se me udhëheqjen e tij do të kontribuojë në të ardhmen europiane të Shqipërisë. Jam duke pritur bashkëpunimin tonë të ndërsjelltë në muajt në vijim”.

Foto, masakra e pyjeve jo nga zjarri por nga bizneset pranë Ramës

Prej katër vitesh prerja e pyjeve është shndërruar në një biznes të mirëfilltë për njerëzit e lidhur me pushtetin. Aktualisht, duke përfituar edhe nga situata kaotike e përfshirjes së shumë pyjeve të vendit nga zjarret, këto biznese të jashtëligjshme po vijojnë intensivisht. Nga Veriu në Jug të vendit, përgjatë gjithë vitit edhe aktualisht prerja e pyjeve nuk ka të ndalur. E nëse deri pak më parë këto biznese barbare e ushtronin aktivitetin e tyre gjatë natës, tashmë e kanë shtuar aktivitetin e tyre edhe gjatë ditës.
Foto që shihni ngjitur këtij lajmi është publikuar dje në media dhe shfaq një kamion me dru të prera nga pyjet e Kukësit. Ndërkohë që kamionë të tillë lëvizin lirshëm në të katër anët e vendit. Në Kukës, pyjet rrezikohen më shumë nga prerjet pa kriter për t’u përdorur për dru zjarri sesa nga zjarret. Shtatë vatra flakësh të kësaj vere janë shuar, ndërsa autoritetet thonë se përballen me raste të shtuara të prerjes së paligjshme të pyjeve dhe se kanë  sekuestruar sasi të konsiderueshme lënde drusore. Shtatë vatra zjarri që janë shënuar deri më tani në Qarkun e Kukësit janë shuar, mirëpo situata mbetet e rrezikshme për shkak të temperaturave të larta dhe thatësirës.
Por, problemi më i madh për autoritetet në këtë zonë mbetet prerja e paligjshme e pyjeve. Në Bashkinë e Kukësit, thonë se gjatë muajit korrik, Drejtoria  e Administrimit të Pyjeve ka konstatuar disa raste të prerjes së pyjeve pa kriter dhe ka sekuestruar sasi të konsiderueshme drush zjarri. Në Kukës, prerja e pyjeve për t’i shfrytëzuar për dru zjarri në stinën e ftohtë rritet ndjeshëm gjatë sezonit veror.
Autoritetet shtetërore janë në dijeni të këtij trafiku të paligjshëm, madje e quajnë një situatë skandaloze, por shprehen se kjo kërkon angazhimin e Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur parandalimin dhe ndëshkimin. Moratoriumi dhjetëvjeçar i pyjeve hyri në fuqi më 11 shkurt 2016. Gjatë vitit të kaluar nga Inspektorati i Pyjeve janë realizuar 8,204 inspektime ose 82.3% më shumë krahasuar me vitin 2015, kur janë realizuar 4,500 inspektime.
Sipas të dhënave të doganave dhe të sjella nga Inspektorati i Pyjeve vetëm gjatë periudhës shkurt 2016-janar 2017, importi i lëndës drusore për përdorim të brendshëm u rrit me rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, sipas të njëjtit burim, po t’u referohemi shifrave të importit, me mesataren e periudhës 2008-2012, rritja e importeve në vlerë monetare është rreth 60 herë më e madhe gjatë vitit 2016. Të dhënat zyrtare tregojnë se, për periudhën janar-dhjetor 2016 në shkallë vendi janë prerë ilegalisht 18,703 drurë, me volum rreth 3593.6 m³ ose 36% më pak drurë krahasuar me vitin 2015 kur janë prerë ilegalisht 27.506 drurë, me volum rreth 5480m³. Gjatë periudhës janar–dhjetor 2016 nga ISHMP në rang kombëtar janë mbajtur gjithsej 368 procesverbale për kundërvajtje në fondin pyjor, ku vlen të theksohet se për shkelje me pasoja të rënda në pyje, janë proceduar dhe dërguar për ndjekje penale 32 raste kallëzimesh ose 20% më pak krahasuar me 2015, çka tregon një ndërgjegjësim të qytetarëve për zbatimin e ligjit.

Urdhri i Ramës: Të hartohen listat e shkarkimeve nga puna në shtator

Edi Rama po përgatit një tjetër masakër dhe largime masive nga puna menjëherë sapo të miratojë qeverinë në shtator. Burime nga PS thanë se me anë të një “direktive” të brendshme, ka kërkuar nga kryetarët e degëve në rrethe për të evidentuar të gjithë personat e “padëshirueshëm” në rang qëndror lokal, dhe të përpilohen lista të sakta të atyre që duhen larguar nga puna. Të njëjtat burime thanë se, për këto largime hë për hë po bëhen pengesë ministrat teknikë, apo dhe aleatët, dhe Rama i druhet ndonjë konfrontimi të drejtpërdrejtë me ta për shkelje kompentencash. Në shënjestër nuk do të jenë vetëm punësimet që kanë bërë ish-aleatët e tij, por edhe ata që për Ramën apo të tijët janë shpalluar të padishirueshëm. Do vëzhgohet pjesëmarrja në fushatë e gjithsecilit, dhe sa të gatshëm kanë qenë për të zbatuar urdhërat e epërorëve të tyre. Shembullin po e jep vetë Edi Rama me sulmet e tij selektive qoftë me takimet ku paguan njerëz për të sulmuar gjithfarë drejtorësh, por qoftë dhe me listat denigruese që paraqet si “ankesa të qytetarëve në Facebook”.

Administrata

Administrata shtetërore ka tashmë rreth 90 mijë të punësuar dhe është nga sektorët më të mëdhenj të punësimit. Rama përgjatë gjithë fushatës këtë kishte si synim, të marrë vetë në dorë frenat e administratës, madje kjo u bë dhe refreni i përditshëm i tij. Sot, nga kjo marrëzi e Ramës më shumë se 15 mijë punonjës të administratës në nivel qëndror dhe lokal, janë në ankth se çfarë do të ndodhë pas datës 9 shtator kur pritet të formohet dhe qeveria. Në të gjitha sektorët, ka një shkrehje të punës, pasi askush nuk e ka vendin e sigurt, madje as ata që janë punësuar me direktivë partie, por që nuk kanë qenë aktivë në fushatë elektorale.  Burimet shprehen se, Rama pritet të ndërtojë një tjetër administratë tërësisht me të besuar të tij, dhe nuk përjashtohet dhe infiltrimi në nivele të dyta apo të treta të saj të sekserëve të blerjes së votave, të cilët në shumicë janë persona me të shkuar kriminale.

Viti 2013

Menjëherë pas marrjes së pushtetit nga Rama në vitin 2013 u vu re një vërshim i militantëve në poste të tilla si dogana, tatime, arsim, energjitikë, polici, shëndetësi dhe kudo ku janë shpenzimet më të mëdha të buxhetit. Shumë shpejt u vu re një fenomen që u denoncua jo pak herë nga Partia Demokratike. Persona me të shkuar kriminale u emëruan drejtorë drejtorish, sekretarë të përgjithshëm, kapitenë të parë në port. Në përgjithësi ishin persona të dënuar më parë për krime si trafik droge apo trafik të qenieve njerëzore, por edhe për plagosje apo vrasje. Si asnjëherë më parë, këta persona morën në dorë çdo gjë dhe ishin ata që drejtonin punët e shtetit. Lufta e PD-së atë kohë bëri që  Rama të detyrohej të hiqte nga puna një pjesë të mirë të tyre, por në përgjithësi vetëm sa u ndryshoi vendin e punës, por ata sërish shfaqeshin në vende të tjera, në poste më të ulta. Nga ana tjetër, u vu re dhe një pakënaqësi në rritje tek elektorati socialist, i cili pretendonte vende pune në këmbim të votës. Jo më kot Rama, në fushatën e 2017, në krye të listave vendosi ministrat apo drejtorët më të korruptuar të tij. Në Dibër Beqja, në Korçë Spiropali, në Vlorë Gjiknuri e kështu me radhë. Kryefjala e gjithçkaje ishte premtimi për punësim pa asnjë lloj kriteri në administratë, duke  u shfajësuar se “vendet e tyre i kishin zënë aleatët”. Rama duket se do ripërsërisë dhe një herë maskarën administrative të 4 viteve më parë, por këtë herë, nuk do jenë më demokratët që do pushohen nga puna, por kryesisht specialistët më të mirë që kanë punuar në çdo sistem, punësimet e bëra nga aleatët,  por dhe socialistët që nuk kanë fituar besimin dhe simpatinë e kryetarit.
Pa shlyer ende borxhet e vitit 2013 krijohet një tjetër borxh nga gjykatat
Por duket se sëpata e Ramës dhe kapriçiot e tij të largimit do të sjellin një tjetër mishmash gjyqësor, mes shtetit dhe individëve që largohen në mënyrë të padrejtë nga puna. Për shembull largimet e padrejta nga puna, që janë shpallur si të tilla me vendim gjykate, i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 30 milionë dollarë ose 3.75 miliardë lekë, ose rreth 30 milionë dollarë deri në vitin 2015. Fatura është paguar nga Ministria e Financave, e cila bën të ditur se deri më datë 31 dhjetor 2015, kishte alokuar në total rreth 18.38 miliardë lekë detyrime të prapambetura. Këtu nuk përfshihen vendimet e dhëna pas vitit 2015, rikthimet në punë me vendim gjykate që nuk janë zbatuar akoma, apo dhe vendimet për pagat që i detyrohet shteti individëve që kanë fituar në shkallë të tjera të gjykatës. “Në lidhje me detyrimet e krijuara nga vendimet gjyqësore, nisur edhe nga vetë natyra e këtij detyrimi, ku procesi gjyqësor nuk ka një afat të përcaktuar kohëzgjatjeje, institucionet buxhetore nuk janë në gjendje të parashikojnë lindjen e tij apo edhe vlerën përkatëse. Për këtë arsye, këto detyrime trajtohen me një Udhëzim të veçantë të Këshillit të Ministrave, nr.1, datë 4.06.2014, “Për mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve monetare të njësive të Qeverisjes së Përgjithshme në llogari të thesarit”, i cili ka në përmbajtjen e tij, parimin e likuidimin të vendimeve gjyqësore, jo më vonë se një vit buxhetor nga data e paraqitjes së tij në institucionet përgjegjëse për shlyerjen e vendimit gjyqësor, si dhe parashikon edhe mënyrën e shlyerjes së tyre në rastet e vlerave të konsiderueshme dhe buxheteve të limituara të miratuara për institucionin buxhetor. Ministria e Financave dhe institucionet në varësi të saj, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha ministritë e linjës që përdorin para publike, është e angazhuar për të respektuar detyrimet ligjore sa i përket ekzekutimit të detyrimeve monetare”, thuhej në buxhetin e ministrisë në atë kohë. Pra, borxhit të pashlyer ende të vitit 2013, pritet t’i shtohet dhe një borxh tjetër, i cili pritet të vijë nga “tepsia” që Rama e kërkoi me aq ngulm në fushatë.

Spastrimet, si justifikim për manipulimin e votave të 17 qershorit

Por Rama ka dhe një arsye tjetër pse po del qytet më qytet, ndërkohë që duhet të ishte në zyrë. Ai e di fort mirë se çfarë ka ndodhur më 25 qershor. Ai e di fort mirë, se komuniteti ndërkombëtar e ka të vështirë të pranojë manipulimin dhe deformimin e rezultatit. Si fajtori që kthehet në vendin e krimit, ai me këtë rast kërkon të manipulojë opinionin publik se këtë manipulim e bëri në “emër të së mirës së përbashkët”. Rama kërkon të luajë rolin e liderit “dashamirës autokratik” që në literaturën e shkencës politike dhe menaxhimin e burimeve njerëzore përkufizohet kështu. “Ky stil paternalist lidershipi presupozon që shumica e vendimeve merret nga eprori, i cili përpiqet t’i bindë vartësit se ai vepron, duke pasur gjithnjë në konsideratë interesat e tyre. Duke u bazuar në shpërblimet dhe pjesërisht në frikën apo dënime”. Rama duket që ka frikë, dhe për këtë arsye i ka hyrë një shoë të panevojshëm me masat, duke huazuar veprimet e liderit të tij shpirtëror. Persona të paguar, ose të porositur më parë atakojnë punonjës të administratës që Rama më pas me sëpatën e tij të vendosë drejtësinë. Turi i Ramës, nuk është gjë tjetër vetëm se një pastrim dhe hedhje e njerëzve në rrugë, që ai kërkon ta kthejë në një shoë të neveritshëm ku turmat të duartrokasin. Çështjet që duhet të zgjidhen nga auditet dhe strukturat antikorrupsion, po lihen në duar të njerëzve të porositur dhe paguar, një inskenim i cili ka si qëllim të prodhojë sa më shumë koka të prera, të lirojë ca vende për militantët e pakënaqur, dhe të rrisë akoma më shumë kostot për administratën.

Show i Beratit, Rama detyroi drejtorin të shkelte ligjin dhe më pas e pushoi

Edi Rama nuk po bën gjë tjetër vetëm se po planifikon spastrimin e administratës, nga të “padëshiruarit”. Jo vetëm nga punonjësit e LSI dhe PDIU, aspak. Rama po përgatit sëpatën për të gjithë ata që si duhen më, duke na dhënë shembuj tipikë komunistë se si “luftohet burokratizmi në administatë”. Show që dha me drejtorin e ALUIZNI-t në Berat, para do kohe  ka pasur në fokus diçka tjetër. Në media u raportua se bashkë me drejtorin është shkrirë dhe e gjithë dega e ALUIZNI-t Berat, dhe janë pushuar 15 persona. Askush nuk u interesua nëse ishte brenda ligjeve apo jo legalizimi i asaj ndërtese, ishin respektuar rregullat urbanistikë, e të tjera si këto. Të nesërmen u raportua se personi që  kish “denoncuar” ishte në proces gjyqësor. Pra, aty ku ajo kish ndërtuar pretendohej nga pronari, dhe drejtori i ALUIZNI-t tashmë duhet të shkojë në burg, sepse ka shkelur ligjin me urdhër të Ramës. Nga ky veprim më shumë se 18 persona, duke përfshirë dhe rojen e godinës humbën punën, se një “banore iu ankua kryeministrit”. Grupi antiparti u gjet. Me sa shihet, Rama nuk ka qenë i kënaqur nga rezultati i zgjedhjeve në këtë qark. Por ngjarja e Beratit nuk u përsërit në Vlorë. Dhe atje kishte ankesa për pronat dhe legalizimet, por me sa duket drejtori i Vlorës i duhet ende. Huri po ngrihet që të jetë gati për në shtator, dhe filozofia e Ramës këtë ka për qëllim. Po del përpara njerëzve që të thotë se nuk është ai fajtori për situatën e krijuar, se nuk është ai që çoi drejt vetëvrasjes njerëzit për drita, por nuk e pushoi drejtorin e OSHEE Berat, kur gruaja para tij ja tha copë se para zgjedhjeve ja lidhi dritat Ermonela Felaj dhe më pas erdhën sërish dhe ja prenë sapo mbaruan zgjedhjet. Por me sa duket dhe drejtori i OSHEE i duhet, ashtu siç i duhen dhe një grusht njerëzish që bëjnë korrupsionin në dogana e tatime, që mbjellin dhe korrin hashashin për të blerë votat. Inskenimi është i shëmtuar dhe ky pastrim që po ndodh i dëmshëm. Pas nxjerrjes në rrugë të punonjësve në Berat ai do shkruante. “Sa më shumë anëtarë dhe anëtare të regjistrohen në Aleancën për Shqipërinë që Duam, aq më e madhe do të jetë rrjeta njerëzore që do të kapë e nxjerrë jashtë nga zyrat e shtetit, peshqit parazitë e grabitqarë që jetojnë me gjakun e taksapaguesve”, kjo është gjuha e kryeministrit, e cila ngjason me atë të diktatorit në fillimet e luftës së tij kundër “borgjezëve dhe kulakëve, që kanë pirë gjakun e popullit”.

Basha: Rritja e çmimit të ujit, veprim kriminal

Kreu i PD, Lulzim Basha reagoi ashpër dje në lidhje me vendimin e Bashkisë Tiranë për rritjen e çmimit të ujit. Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Basha e ka cilësuar këtë akt si një veprim kriminal të Ramës dhe Veliajt. Basha u bëri thirrje këshilltarëve të djathtë demokratë të votojnë kundër vendimit.
“Rritja e çmimit të ujit të pijshëm është veprim kriminal ndaj qytetarëve i Ramës dhe Veliajt. Është një tjetër rekord i një qeverie thellësisht antipopull. Pasi harxhoi më shumë se 500 milionë euro të parave publike për fasada dhe luks, Edi Rama u kujtua se qytetarët e Tiranës nuk kanë ujë. Për të kompensuar keqmenaxhimin dhe vjedhjen në ujësjellësin e Tiranës, Edi Rama përmes Erion Veliajt ka vendosur të dënojë qytetarët duke jua faturuar atyre koston e keqqeverisjes së tij. Partia Demokratike do të votojë nesër kundër këtij vendimi antipopullor dhe ju bën thirrje të gjithë këshilltarëve të tjerë bashkiakë të votojnë për interesat e qytetarëve që ata përfaqësojnë dhe jo të dyshes Rama e Veliaj”, shkruan Basha në reagimin e tij.

Këshilltarët e PD, thirrje qytetarëve për të kundërshtuar

Këshilltarët e PD i kanë bërë dje thirrje qytetarëve të Tiranës që të bashkohen dhe të kundërshtojnë rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Në një deklaratë për mediat, këshilltarët e PD kanë deklaruar votën e tyre kundër kësaj takse të re të Bashkisë dhe i kanë bërë thirrje këshilltarëve të LSI dhe PS që të mos e votojë propozimin e Veliajt. “Ne jemi në mbrojtje të interesave të qytetarëve”, u shpreh kreu i grupit të këshilltarëve të PD, Olli.
Për demokratët është e qartë se rritja e çmimit të ujit bëhet për arsye krejt të ndryshme nga ato që deklarohen zyrtarisht nga Bashkia. “Është një abuzim i pastër sepse nuk ka asnjë justifikim dhe asnjë motivim për rritjen e çmimit të ujit, ndërkohë që vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka gjetur në një gjendje të degraduar sa i takon menaxhimit të të ardhurave, në Ndërmarrjen Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë”, thotë Olli.

Deklarata

Nesër (sot) është vendosur mbledhja e Këshillit Bashkiak, ku si zakonisht u njoftua në mesnatë, një praktikë e njohur kjo, e mungesës së transparencës nga z. Veliaj dhe ashtu si në çdo rast, grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike ka zhvilluar takimin konsultativ për qëndrimet politike dhe teknike, në raport me projektaktet që do të na paraqiten, ku tërheqin vëmendjen dy çështje madhore.
Ajo e rritjes së tarifës së ujit të pijshëm, që në gjykimin tonë njëzëri u konsiderua si një akt abuziv i pastër në vjedhje sërish të qytetarëve të Tiranës dhe nga ana tjetër një megaaferë korruptive, sikundër është kalimi i fondit prej 60 milionë eurosh për ndërtimin e shkollave me partneritet publik privat.
Rritja e tarifës së ujit të pijshëm është një element që prek të gjithë qytetarët e Tiranës. Është një abuzim i pastër sepse nuk ka asnjë justifikim dhe asnjë motivim për rritjen e çmimit të ujit, ndërkohë që vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka gjetur në një gjendje të degraduar sa i takon menaxhimit të të ardhurave, në Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë.
Është një veprim i pajustifikuar që tenton vetëm të rrisë buxhetet, të cilat nuk do të përdoren, jemi mëse të bindur për qëllimet që paraqiten. Ashtu sikurse u mashtruan edhe me çështjen e biletës dhe u premtua një shërbim më cilësor dhe ju jeni të gjithë dëshmitarë që nuk ka ndryshuar asgjë, e njëjta situatë dramatike, do të pasojë edhe me ujin e pijshëm, por vetëm me një ndryshim të madh, që do të kemi një tarifë me rritje me mbi 35% e çmimit të metrit kub.
U bëjmë apel të gjithë qytetarëve të Tiranës, që të bashkohen rreth një të drejte të tyre legjitime dhe kushtetuese për të patur ujë të pijshëm. Kjo është një betejë jo thjesht e këshilltarëve, ne jemi këtu në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Tiranës.
U bëj apel këshilltarëve të Partisë Socialiste dhe të forcave të tjera politike që të reflektojnë në dobi dhe në interes të qytetarit dhe jo në interesa të kryemafiozit Veliaj.