25.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Vala e koncesioneve, 10 milionë euro dy HEC-e të reja

Ministria e Energjisë dhe Industrisë (MEI) shpalli fituesit e dy koncesioneve për hidrocentralin Bushtrica 2 dhe Bushtrica 3, të cilat ishin shpallur për shprehje interesi para dhe gjatë fushatës elektorale. Vlera e investimit për të dy HEC-et llogaritet në rreth 10 milionë USD.
Por cilat janë kompanitë që kanë fituar të drejtën për këto koncesione dhe ofertat e tyre që i kanë shpallur fitues. Kujtojmë që sasinë më të madhe të pikëve e merrte fuqia e instaluar e propozuar dhe tarifa koncesionare.

Bushtrica 2
Për hidrocentralin Bushtrica 2 janë paraqitur dy oferta. E para nga shoqëria “2T” sh.p.k. që është skualifikuar pasi sipas MEI nuk ka paraqitur dokumentacionin e plotë. E dyta që është dhe kompania fituese është bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Doko” sh.p.k. dhe “Erniku” sh.p.k. Sipas ofertës së kësaj kompanie fuqia e instaluar është parashikuar 4060 kw me prodhim të parashikuar prej 18,553,391 kWh. Vlera e tarifës koncesionare është në nivelin  2.02% (374,778 kWh).
Afati për zbatimin e kontratës është caktuar në 12 muaj dhe vlera totale e investimit pa TVSH është 600 milionë lekë.

Bushtrica 3
Ministria ka dhënë detaje edhe për fituesit e koncesionit Bushtrica 3. Edhe në këtë procedurë pjesë e garës janë bërë dy kompani. E para shoqëria “Restaurim Gurra – Kaca” sh.p.k., e cila është skualifikuar pasi nuk ka dorëzuar gjithë dokumentacionin e kërkuar dhe e dyta bashkimi i përkohshëm i shoqërive  “Vega” sh.p.k., “Enolio” sh.p.k. dhe “EL-BU 2009” sh.p.k. Sipas ofertës fituese me të cilën ministria do të hyjë në negociata fuqia e instaluar e përcaktuar në projekt është 6700 kW me një prodhim 28,268,538 kWh dhe një vlerë tarifë koncesionare prej 2.1% (593,639 kWh). Koha e zbatimit të projektit është ofruar 24 muaj dhe vlera e investimit rreth 560 milionë lekë pa TVSH.
Të dy koncesionet janë të formës partneritet publik privat dhe me një afat 35-vjeçar. Aktualisht Ministria e Energjisë ka hapur garën edhe për hidrocentralin e katërt në pellgun ujëmbledhës të Bushtricës, kurse në Komisionin e Prokurimit Publik rezulton i ankimuar procesi për Bushtrica 1 nga kompania “2T” sh.p.k.
Në fazë vlerësimi janë edhe disa koncesione të tjera si Kalivaçi, Gojan, Luniku, Grabovë 1 dhe 2.

Luksemburgu i shqetësuar për fluksin e azilkërkuesve shqiptarë

Rritja e ndjeshme të numrit të azilkërkuesve shqiptarë në Luksemburg si në çdo vend tjetër të Europës ka detyruar ambasadoren e Luksemburgut në Tiranë, Nadia Ernzer të zhvillojë një takim me zv.ministren e Jashtme të Shqipërisë. Në qendër të bisedimeve mësohet se ka qenë çështja e emigrantëve shqiptarë që kërkojnë azil në vendet e ndryshme të Bashkimit Europian. Midis dy zyrtarëve është diskutuar për këtë fenomen, si dhe masat që duhen ndërmarrë për reduktimin e kërkesave për azil nga qytetarët shqiptarë. Për këtë ata kanë iniciuar një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Luksemburgut për shkëmbimin e informacionit për çështjet e migracionit dhe azilit.
Po ashtu nga burimet brenda ministrisë është mësuar se zv.ministrja Voda informoi ambasadoren Ernzer se deklarata noteriale shoqëruese që do të plotësohet nga prindërit do të përmbajë të dhëna të detajuara. Ato do t’i dërgohen vendeve të interesuara, nëse do të ketë shkelje të afateve. Ajo theksoi se reforma në drejtësi pritet të përmirësojë aftësinë ndëshkuese të organeve ligjzbatuese edhe në kontekstin e këtij fenomeni. Për ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë për të mos shkelur rregullat e lëvizjes në zonën Shengen, është folur që të ketë një fushatë intensive.

Rritje drastike e faturave të çmimit të ujit

Prej disa ditësh Bashkia e Tiranës ka paraqitur rritjen e çmimin e ujit të pijshëm dhe kërkon miratimin nga e ana e Këshillit Bashkiak.
Nga kjo rritje Erion Veliaj deklaroi se, qytetarët do të paguajnë më pak sesa çmimi i një gazete dhe sipas tij kjo ishte e domosdoshme pasi do të merret një kredi që do të bëjë një sistem të ri që mund të furnizojë Tiranën me 24 orë ujë.
Por si qëndron llogaritja sipas shifrave të reja?
Aktivistja Rezearta Çaushaj ka përllogarritur çmimin e ujit të pijshëm të një fature sipas tarifave të reja të publikuara nga Bashkia e Tiranës.
Fatura ka pësuar një rritje dhe kjo nuk është e paktë. Sipas aktivistes qytetari do të detyrohet që të paguajë 47% më shumë në krahasim me tarifat e vjetra.
Nga 9.300 lekë të vjetra që duhet të paguante qytetari për konsumin e ujit sipas tarifave të vjetra, me tarifat e reja duhet të paguajë 13.630 lekë.

Kostoja e dështimit

Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, ka vendosur të dyfishojë çmimin e ujit të pijshëm për familjet dhe bizneset e Tiranës. Ështe një vendim që do të prekë qindra mijëra familje dhe do të ketë ndikim në koston e jetesës së familjeve të varfëra.
Në projektvendimin e paraqitur nga Bashkia pranë Këshillit Bashkiak thuhet se, vendimi për rritjen e çmimit të ujit bazohet në strategjinë 5-vjeçare të hartuar nga kompania Ujësjellës-Kanalizime e Tiranës (UKT) dhe nga një raport i vetë Bashkisë i bazuar në të dhënat e INSTAT për statistikat e rritjes së numrit të popullsisë në Tiranë. Asnjë nga këto dokumente nuk është publik.
Vetë kryebashkiaku Erion Veliaj dha një tjetër version dje në mëngjes në “Neës24”, ku u shpreh se dyfishimi i çmimit bëhet sepse UKT është zhytur në borxhe, situatë për të cilën fajësoi paraardhësin:
“Kur pati deficit financiar Berisha i tha Bankës së Shqipërisë bli Hotel Dajtin, ndërsa Bashkisë së Lulzim Bashës i tha bli Lana Bregasin. Që të mbushte deficitin, Basha e la peng ujësjellësin në një bankë të nivelit të dytë. Ne na duhet të marrim një kredi në rastin e një reforme që do të sillte ujë 24 orë. Duhen 220 milionë euro, e pamundur të të financojë njeri kur nuk ke të ardhura”.
Ne nuk patëm mundësi të verifikonim situatën e kredive të UKT-së, por kjo deklaratë e Veliajt bie tërësisht ndesh me qëndrimin e tij një vit më parë, kur ai u mburr publikisht me gjendjen e suksesshme të UKT-së. Në gusht të vitit 2016, Veliaj shpalli se UKT do të privatizohet dhe për të kishte oferta nga disa kompani serioze dhe me njërën prej tyre, një kompani kineze të paidentifikuar prej tij, ishin bërë hapa konkretë.
Sipas tij, ky interes ishte “një kompliment për punën e UKT-së, …. që po kuotohet në treg falë perfomancës në rritje edhe arkëtimeve nga qytetarët”.
Deklarimin e Veliajt ne e quajtëm që në fillim manovër për shpërqendrimin e publikut, pasi ato ditë Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një raport të ashpër për UKT-në, duke e akuzuar për keqmenaxhim dhe abuzime financiare. Sikurse ne parashikuam, që nga ajo kohë as Veliaj dhe askush tjetër nga Bashkia Tiranë nuk është shprehur më për interesin e madh të “kompanive serioze” botërore, as për kompaninë kineze që ishte në diskutime të përparuara me UKT-në dhe as për privatizimin në përgjithësi.
Një tjetër nismë e reklamuar shumë nga Bashkia Tiranë në lidhje me UKT-në ka qenë edhe bashkëpunimi me ujësjellësin e Pulias. Në nëntor 2015, kryebashkiaku Veliaj firmosi me bujë dhe reklamoi me të madhe një memorandum mirëkuptimi me Presidentin e Rajonit të Pulias, Michele Emiliano. Ky memorandum parashikonte ekspertizën dhe investimet e ujësjellësit të Pulias në UKT-në e Tiranës. Veliaj deklaroi atëherë se:
“Do të auditojmë ndërmarrjen për të kuptuar në nivelin teknik dhe financiar se çfarë nuk shkon me këtë kompani dhe ku duhet të fillojnë investimet e reja. Më pas, do të kalojmë në një fazë investimesh, ku bashkë me ujësjellësin e Pulias do të sigurohemi që çdo qindarkë që investohet të ketë një dobi konkrete”.
Kanë kaluar gati dy vjet, por përveçse fotografive dhe deklaratave të firmosjes, nuk ka patur asnjë informacion për zbatimin e këtij memorandumi. Nuk dihet nëse u bë ndonjëherë auditimi i UKT-së nga puliezët, a u afrua ndonjëherë ekspertizë prej tyre, a u bë ndonjë investim prej tyre.
Dje në mbrëmje, Erion Veliaj hodhi në publik një tjetër justifikim për arsyen pse po tenton të dyfishojë çmimin e ujit të pijshëm. Në programin “Tonight” në “Ora Neës” ai u shpreh se, dyfishimi i tarifës së ujit është i nevojshëm për të bërë investime në zonën e Astirit në Komunën e Kasharit ku nuk ka fare rrjet ujësjellësi.
“Për situatën e ujit… Për herë të parë Bashkia e Tiranës ka marrë përsipër menaxhimin e ujit kur kryetar ishte Lulzim Basha, por kur ishte vetëm Tirana, por sot Bashkia ka marrë edhe zona si Kashari. Një pjesë që nuk ka qenë fare në Tiranë janë ujësjellës-kanalizime të fshatrave. Gjatë kohës që PD menaxhoi Komunën Kashar dha vetëm leje dhe pa vendosur fare rrjetin e ujit”.
Është një justifikim skandaloz. Të tentosh të ndërtosh ujësjellës-kanalizime me të ardhurat e nxjerra nga rritja e çmimit të ujit është absurd nga pikëpamja shoqërore, ekonomike dhe politike. Këto janë investime infrastrukturore, të cilat gjithmonë mbulohen nga fondet e investimeve të dhënë nga qeveria, prandaj Bashkia Tiranë duhet të shpjegojë pse nuk e ka përfshirë ujësjellësin e Kasharit në projektet e investimeve publike që financohen nga qeveria.
Kryebashkiaku Veliaj duhet të shpjegojë se mbi çfarë prioritetesh dhe logjike ai kërkoi dhe mori mbi 13 milionë euro nga qeveria për të rindërtuar Sheshin Skënderbej që nuk ka ndikim fare në jetën e qytetarëve dhe nuk ka kërkuar për furnizimin jetik me ujë të qytetarëve. Ai duhet të shpjegojë se, përse ka kërkuar dhe ka marrë angazhimin financiar të qeverisë për 130 milionë euro për të ndërtuar një djegës plehrash të panevojshëm, i cili mund të ndërtohet edhe nga privatët dhe nuk ka kërkuar për infrastrukturën e furnizimit me ujë të qytetarëve.
Çdo lloj shpjegim i arsyeshëm i vendimit të Bashkisë Tiranë duket i vështirë edhe për faktin se në faqen e Bashkisë Tiranë dhe të UKT Tiranë nuk gjen asnjë informacion mbi dokumentet, marrëveshjet, strategjitë e UKT-së. I gjithë informacioni mbi menaxhimin e kompanisë aty është i vjetëruar dhe jo transparent. Një strategji e botuar në faqen e kompanisë është e vitit 2011 dhe nuk i përgjigjet në asnjë aspekt realitetit të sotëm.
Shpjegimi më i besueshëm i veprimit të Bashkisë është kriza në menaxhim që ka sjellë krizë financiare të UKT-së, daljen prej së cilës Bashkia ka vendousr t’ja u faturojë qytetarëve përmes dyfishimit të çmimit të ujit të pijshëm të ofruar nga UKT.
Ky vendim nuk është mbështetur në asnjë analizë të bërë publike, asnjë strategji, asnjë projekt. Është vendim krejtësisht arbitrar dhe si gjithmonë fjala e kryebashkiakut para kamerave është e vërteta institucionale dhe ligji.
Por në ndryshim nga deklarimet e tjera, kjo e dyfishimit të ujit të pijshëm prek direkt koston e jetesës së qytetarëve, ndaj është e vështirë që kryebashiaku Veliaj ta dyfishojë çmimin e ujit vetëm me një fjalë goje.
Është momenti që ai të bëjë transparencë të plotë mbi gjendjen e UKT-së, aktivitetin e kompanisë dhe mbi të gjitha mbi menaxhimin e saj.
Së pari, zoti Veliaj do të duhet:
Të botojë dhe bëjë publik bilancin e UKT-së për vitet 2015 dhe 2016 siç e kërkon ligji, çfarë do të hedhë dritë mbi menaxhimin financiar të kompanisë, përfshi detyrimet kreditore dhe debitore.
Të botojë raportin vjetor të kompanisë për vitet 2015 dhe 2016, siç e kërkon ligji, çfarë do të hedhë dritë mbi menaxhimin e përgjithshëm të kompansië, përfshi menaxhimin e burimeve njerëzore.
Të raportojë se çfarë masash ka marrë UKT dhe Bashkia për trajtimin e vërejtjeve dhe problemeve të ngritura nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit i vitit 2016 për menaxhimin financiar të kompanisë.
Të botojë buxhetin vjetor të realizuar të Bashkisë Tiranë për vitin 2015 dhe 2016, për të kuptuar prioritetet e investimeve të Bashkisë Tiranë.
Mbi të gjitha, kryebashkiaku Veliaj duhet të argumentojë para publikut si ka arritur në përfundimin se dyfishimi i çmimit të ujit është zgjidhja më e mirë për problemet e UKT-së.
Për këtë ai duhet të bëjë publike analizën apo studimin që ka rekomanduar rritjen e çmimit si politikën më të mirë publike dhe të shpjegojë përse masat e tjera si ulja e kostos, përmirësimet teknologjike, huamarrja në tregun privat apo investimi nga qeveria nuk janë alternativa të bëshme.

Qytetarët paralajmërojnë protesta

Nisma “Thurrje” dhe Lëvizja “Qytetarët për Parkun” kanë paralajmëruar dje ngritjen në protesta kundër rritjes së çmimit të ujit. “Nesër (sot) qytetarë të Tiranës do të protestojnë kundër rritjes së çmimit të ujit që Bashkia Tiranë ka planifikuar të propozojë në Këshillin Bashkiak. Pavarësisht se Ndërmarrja e Ujësjellësit është një ndërmarrje që rezulton me fitim, Bashkia ka vendosur të ngrejë çmimin. Kjo sepse pas kësaj manovre fshihen interesa të errëta të klientëve të kryetarit të Bashkisë. Pasi rriti taksat për interesat e tij dhe pa asnjë efekt për qytetin, pasi mori nga xhepat e familjarëve miliarda lekë nëpërmjet taksës së infrastrukturës arsimore dhe më pas vendosi t’i japë shkollat me koncesion, pasi rriti biletën e autobusit pa ndryshuar asnjë gramë shërbimin, pasi rriti taksën e pastrimit dhe si përfundim plehrat digjen në periferi të Tiranës duke rrezikuar jetën e njerëzve, tashmë Lali Eri i ka hedhur sytë nga megaafera me çmimin e ujit dhe Ndërmarrjen e Ujësjellësit. Dëmi i shkaktuar tek kjo ndërmarrje i konstatuar nga KLSH ka qenë rreth 6 milionë euro, por edhe këto duket s’i mjaftojnë kryetarit që e ka oreksin shumë të madh. Ne nuk mund të lejojmë që Lali Eri të na rrëmbejë bukën e fëmijëve sepse ai vetë dhe klientët e tij janë të pangopur! Prandaj nesër (sot) në orën 18:00 te Bashkia për të ndalur këtë maskaradë”.

Ujësjellësi i Tiranës prodhon 3 herë më shumë sesa faturon

Ujësjellësi i Tiranës prodhon 3 herë më shumë sesa faturon! Mungesa e parave në arkë nuk zgjidhet duke rritur çmimin e vënë gjoba, por duke arkëtuar sasinë e prodhimit. Me këto shifra, duhet që çmimi të ulet dhe prapë ujësjellësi del me më shumë të ardhura se zakonisht sikur të mos abuzonte po vetë ky institucion së bashku me Bashkinë e Tiranës. Ujësjellësi dhe qyteti kanë nevojë për administrim e jo për gjobaxhinj e taksidarë. Rritja e çmimit të ujit nga Bashkia Tiranë u paralajmërua një javë më parë, teksa UKT bashkë me Veliajn u bëri një thirrje të beftë të gjithë konsumatorëve e bizneseve të kursenin ujin në çdo pikë pasi përndryshe do të kishte pasoja. E gjithë lëvizja e UKT, e orkestruar nga Veliaj u bë si qëllim për propozimin e rritjes së tarifave të planifikuar qysh kohë më parë. Çmimi i ujit në Tiranë do të rritet nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset. Rritja e çmimit do të prekë edhe tarifën fikse mujore. Aktualisht, çdo familje paguan 100 lekë në muaj si tarifë fikse dhe propozohet që kjo tarifë të dyfishohet në 200 lekë në muaj. Relacioni i Bashkisë flet për rritje të investimeve dhe sigurimin e ujit 24 orë për Tiranën. Në vendim, parashikohet që të mos ndryshojë tarifa për ujërat e ndotura. Që pas zgjedhjeve, Bashkia ka nisur një fushatë agresive kundër lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm dhe kjo jo pa qëllim. Duket se kjo po i paraprin vendimit të ri. Këshilli Bashkiak do të mblidhet ditën e mërkurë, ku pritet të ketë debate të gjata për tarifën e re. Bashkia argumenton se, “bazuar tek nevoja totale për të ardhura, UKT sha., ka zhvilluar një strategji të tarifave dhe çmimeve për periudhën 5-vjeçare. Tarifat propozohen të ndryshojnë në të gjithë komponentët e secilës kategori konsumatori duke u bazuar në shitjet e ujit dhe normat e arkëtimit, të cilat rriten nga 90% në vitin 2017 në 91% në vitin 2018″. Tarifat rriten edhe për furrat e bukës apo buxhetorët. Sipas projektvendimit, furrat e bukës do të paguajnë nga 95 lekë/m3 që është tarifa aktuale në 130 lekë/m3. Mediat kanë botuar tabelën e plotë të tarifave ekzistuese dhe sa do të bëhen. Çmimet e reja parashikohet të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2018. Bashkia ka bërë edhe analizën e saj për të argumentuar rritjen e tarifave. Element i rëndësishëm i kësaj analize është studimi i statistikave mbi popullsinë. “Bazuar në të dhënat e INSTAT dhe regjistrit civil në ish-NJQV (Bashkia Tiranë), popullsia totale është 832,302 brenda kufijve administrativë të Bashkisë. Mbulimi është 85% (Tirana e madhe) ose 707.800 banorë dhe objektivi është arritja e mbulimit mesatar prej 95.3% UKT”, thuhet në relacion. Analiza e kërkesës për ujë ka parashikuar ndryshimin në nivelin e prodhimit të ujit deri në vitin 2021. “Prodhimi aktual është 106 milionë/m3 dhe deri në vitin 2021 parashikohet të shkojë në 62 milionë/m3 që ndryshe përkthehet ulje prej 42%. Ky reduktim vjen si rezultat i zbatimit të aksioneve për uljen e nivelit të ujit pa të ardhura, si dhe një menaxhimi më efikas të kërkesës për ujë nëpërmjet zbatimit të një programi tërësor të matjes nga burimi tek konsumatori”. Bashkia argumenton se shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e Planit të Biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës, nga 75% më 2016 në 97% për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021 dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018”.

Edhe shkollat me koncesion, fatura 60 milionë euro

Bashkia e Tiranës pritet të shqyrtojë në mbledhjen e radhës të ditës së mërkurë studimin e fizibilitetit dhe të kontratës “Tip” në Këshillin Bashkiak të Tiranës që pritet të miratojë të mërkurën skemën 60 milionë euroshe të dhënies me koncesion të ndërtimit të shkollave në Tiranë. Është një vendim që Bashkia e ka mbajtur me kujdes jashtë vëmendjes së publikut, ndër të tjera duke e shpërqendruar vëmendjen me deklarimin e rritjes së tarifës së ujit.
Dyfishimi i çmimit të ujit të pijshëm është një masë me pasoja të rënda për shumë familje të kryeqytetit, ndaj njoftimi i kësaj mase do të rrëmbente patjetër vëmendjen e opinionit dhe do të ngjallte patjetër kundërshti qytetare. Mesa duket ky ka qenë edhe qëllimi parësor i bërjes publike të kësaj mase që me gjasa nuk do të miratohet: largimi i vëmendjes së publikut nga një skemë gjigante klienteliste e dhënies së 60 milionë eurove koncesion kompanive private për ndërtimin e shkollave të reja në Tiranë.
Në të njëjtën mbledhje ku është përfshirë rritja e tarifës së ujit, Këshilli Bashkiak do të diskutojë projektvendimin “Për miratimin në parim të studimit të fizibilitetit dhe të kontratës ‘Tip’ të partneritetit publik privat ‘Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë Tiranë’”, ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe partnerit privat.
Anëtarëve të Këshillit Bashkiak nuk u është dhënë as studimi i fizibilitetit, as kontrata “Tip” që përmendet në titullin e vendimit. Kryebashkiaku Veliaj u ka dërguar atyre paraprakisht vetëm një relacion të përgjithshëm informues, pa asnjë detaj dhe asnjë argumentim. Praktikisht relacioni thjesht bën me dije se:
Bashkia kërkon të ndërtojë 17 shkolla fillore dhe të mesme;
Bashkia do të ofrojë falas tokën publike për ndërtimin e këtyre shkollave ose në disa raste tokë private të shtetëzuar prej saj;
Kostoja e ndërtimit, që do t’i paguhet privatit, është vendosur në rreth 350 euro për m2 për shkollat dhe 410 euro për m2 për kopshtet;
Kostoja totale e projektit të shkollave me koncesion është llogaritur 60 milionë euro, nga të cilat rreth 40 milionë euro është kostoja e ndërtimit dhe 20 milionë euro fitimi që do t’i paguhet privatit.
Projekti do të zgjasë 7 vjet;
E gjithë kostoja e projektit do të paguhet nga qytetarët e Tiranës përmes taksës speciale të arsimit që ka vendosur Bashkia Tiranë dhe një fondi që do të marrë nga qeveria po nga taksat e qytetarëve.
Asnjë analizë si është arritur në këtë propozim, asnjë e dhënë teknike për projektin, asnjë argumentim dhe justifikim ligjor, politik, administrativ apo teknik nuk u është bërë e ditur paraprakisht këshilltarëve bashkiakë që do të duhet të marrin vendimin. Gjithçka është paravendosur dhe Këshilli Bashkiak duhet vetëm të vulosë formalisht një vendim të kryebashiakut Veliaj dhe Kryeministrit Rama.
Projekti është në fakt një skemë e sofistikuar antiligjore dhe klienteliste, ku shteti, pra Bashkia Tiranë, merr përsipër të gjitha kostot dhe paguan për gjithçka, koston e ndërtimit, fitimin e bankave që do t’u japin kredi privatëve dhe fitimin e privatëve që do të ndërtojnë. Skema funksionion në mënyrë të thjeshtuar kështu:
Privati merr hua në bankë;
Huanë e siguron qeveria/bashkia duke garantuar pagesat vjetore të privatit nga të cilat privati garanton pagesën e kësteve të bankës;
Privati projekton, financon dhe ndërton shkollën me kredinë që ka marrë nga banka;
Shkolla mbetet pronë e privatit derisa shteti të ketë shlyer të gjithë koston e privatit plus fitimin e tij;
Shteti paguan çdo vit me këste vjetore për shtatë vjet rrjesht privatin.
Është skemë antiligjore pasi kjo formulë kontraktimi nuk përbën rast që justifikon dhënien me koncesion, pasi privati nuk merr asnjë risk dhe në thelb nuk ofron asgjë. Është skemë e marrjes së fshehur të borxhit publik, pasi 60 milionët e programit janë borxh i pastër që do të paguhet nga Bashkia, por që formalisht nuk do të llogariten si pjesë e borxhit publik. Është skemë abuzive pasi bashkia nuk siguron dhe nuk garanton dot as cilësinë dhe as koston e punimeve, të cilat do të projektohen nga vetë privati.
Është skemë me rrezik për pronësinë publike, pasi pronësia e shkollave, pra edhe e drejta e përdorimit të tyre i takon privatit dhe askush nuk e ndalon privatin t’i përdorë ato pjesërisht për qëllime që nuk kanë lidhje me arsimimin dhe edukimin e fëmijëve.
Është skemë me kosto të lartë pasi përveç kostos së ndërtimit do të garantojë fitime të mira për bankat dhe për privatin. Por është pikërisht ky fakt, sigurimi i fitimeve për bankat dhe për ndërtuesit privatë, që me gjasa është motivimi kryesor për projektimin e saj.
Në një artikull të mëparshëm ne kemi analizuar këtë skemë dhe dëmin që ajo i sjell interesit publik. Sikurse kemi shpjeguar në artikull, Bashkia e Tiranës kishte një mënyrë të thjeshtë, me kosto më të ulët dhe më të sigurt, e cila përdoret në çdo cep të botës: të merrte vetë hua me kosto shumë më të ulët se privati- qeveria gjithmonë ka interesat më të ulëta dhe kushtet më të mira në huamarrje se sa kompanitë private -dhe me kontratë të thjeshtë prokurimi mund të ndërtonte shkollat.

Si arsimi publik do t’i kalojë privatit

Partneritet publik privat “Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë Tiranë”, ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe partnerit privat.
Sipas relacionit, ky projekt synon zgjidhjen e problemeve të mbikapaciteteve përmes ndërtimit të 17 shkollave të reja, nga të cilat 10 do të jenë shkolla 9-vjeçare dhe 7 shkolla të mesme.
Aktualisht, sipas Bashkisë, në Tiranë gjenden gjithsej 191 shkolla publike. Nga llogaritjet e bëra rezulton se 61 shkolla kanë më shumë nxënës se sa kapaciteti i tyre maksimal dhe 57 shkolla e zhvillojnë mësimin me dy turne. Në total, në Bashkinë Tiranë janë 14,292 nxënës mbi kapacitetin maksimal të infrastrukturës arsimore dhe 14,919 nxënës që e zhvillojnë mësimin gjatë turnit të dytë.
Sipas relacionit, me taksën e arsimit, që u vendos nga janari 2016, synohej që të ardhurat e siguruara nga kjo taksë do të përdoren vetëm me synimin për t´i dhënë fund mësimit me dy turne përmes ndërtimit të shkollave të reja.
Bashkia pohon se skema e koncesionit/partneriteti publik privat, ku shkollat e reja projektohen, financohen, ndërtohen dhe mirëmbahen nga koncesionari për një periudhë kohore 7-vjeçare, është teknikisht dhe ekonomikisht i realizueshëm dhe financiarisht i përshtashëm.
Kostoja e ndërtimit të shkollave dhe kopshteve është përcaktuar sipas preventivave të projekteve të realizuara nga Bashkia Tiranë gjatë viteve të shkuara, të cilat janë indeksuar me “Ndryshimet mesatare vjetore të indeksit të kushtimit në ndërtim (për banesa), 1994-2015” të INSTAT. Bazuar në relacionin e marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike, nr.prot. 21407/2, datë 09.08.2016, kostoja për ndërtimin e shkollave është 46,331.67 lekë/m2, ndërsa për ndërtimin e kopshteve është 54,380.83 lekë/m2. Duke llogaritur gjithashtu edhe kostot e tjera të projektit, si kostoja e mobilimit, kostoja e mirëmbajtjes, studim projektimi, mbikëqyrja e punimeve, kolaudimi, oponenca teknike, mbrojtja ndaj zjarrit dhe leja mjedisore.
Në total, kostoja direkte e investimit për ndërtimin e 17 shkollave të reja është përllogaritur 5,406,768,353 lekë. Duke qenë se koncesionari do të paguhet me këste vjetore nga Bashkia Tiranë për një periudhë 7-vjeçare, atëherë ai do të duhet të rimbursohet për vlerën në kohë të parasë. Për këtë arsye si marzh fitimi kemi marrë si tavan normën mesatare të obligacioneve të qeverisë shqiptare, për obligacione 7-vjeçare fikse, e cila është përllogaritur 6,28%. Pas 7 vjetësh, në përfundim të kontratës, së bashku me koston e mirëmbajtjes, kostoja totale e skemës së koncesionit/partneritetit publik privat do të jetë 7,997,517,960 lekë, thuhet në relacion.
Këstet vjetore që do t’i paguhen koncesionarit do të mbulohen nga të ardhurat nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe transferta e kushtëzuar nga Ministria e Financave.

“Exit.al”

Si po vritet Vjosa, mrekullia e fundit blu e Europës

“Die Spiegel”

Në Shqipëri ambientalistët dhe qytetarët janë ngritur kundër ndërtimit të hidrocentraleve të reja në lumenjtë e vendit. Ujërat e fundit natyrore në Evropë janë rrezik, e bashkë me to dhe habitate të rrallë.
Media gjermane “Spiegel”, në një artikull të sajin flet për vizitën dhe studimin e dy biologëve nga Instituti i Hidrobiologjisë dhe Menaxhimit të Ekosistemeve Ujorë në Vjenë, në lumin e Vjosës në Shqipëri. Ndër të tjera në artikull shkruhet:
Lugina e Vjosës, rreth 50 kilometra përpara grykës së Adriatikut, është si parajsë. Asnjë rrugë apo urë nuk e pengon apo ndërpret pamjen piktoreske prej 270 kilometrash të Vjosës e degëve të saj.
Kodra e male ngjiten në krah të saj, madje në maja vihet re ende dëbora edhe pse jemi në muajin maj. Ullishte rriten në shpatet e tyre.
Por kjo pamje piktoreske në jug të Shqipërisë është në rrezik. Në Poçem, ku njëri prej biologëve, Paul Meulenbroek nxjerr njëri pas tjetrit disa peshq nga uji, do të ndërtohet së shpejti diga e një hidrocentrali. Habitati tipik i peshkut të lumit do të shkatërrohej, shumë lloje të tjera të gjallesa e bimëve që rriten aty rrezikojnë të zhduken. Vetë banorët që jetojnë e ushqehen nga ky lumë rrezikojnë të humbasin jetesën e tyre.
Shqipëria nuk është ende anëtare e Bashkimit Evropian, por një Vendim për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis për ndërtimin e hidrocentraleve kërkohet nga ligji edhe këtu.
Kompania turke “Kovlu Energji”, që do të ndërtojë hidrocentralin, në të vërtetë e ka paraqitur një dokument të tillë. Ai u hartua nga një kompani konsulence private në Tiranë. Por për profesorin e zoologjisë në Universitetin e Vjenës, Friesdrich Schiemer, dokumenti është thjesht një karikaturë e kopjuar.
“Dokumenti përbëhet kryesisht nga pasazhe të kopjuara nga opinione ekspertësh të ndryshëm dhe nuk është bërë asnjëherë ndonjë studim në terren”.
Së bashku me kolegë të tjerë Schiemer ka organizuar një inventar të florës dhe faunës – mbështetur nga organizatat në mbrojtje të mjedisit, Riverwatch nga Vjena dhe EcoAlbania nga Tirana. 30 studiues e shkencëtarë nga Austria, Gjermania dhe Shqipëria kanë punuar në luginën e Vjosës.
“Kam pasur vetëm një ide të përafërt se çfarë speciesh mund të jetonin këtu”, shprehet bilogou Meulenbroek. Ai ka kapur më shumë se 20 lloje të ndryshme peshqish brenda tri ditësh – duke përfshirë ngjala, barbale dhe baleta, si dhe peshq që zakonisht nuk jetojnë në lumenj. Ai nuk e njeh shumicën e specieve. Pothuajse të gjitha kafshët lëshohen pas një studimi të shkurtër. Nëse diga do të ishte ndërtuar tashmë, asnjë nga peshqit nuk do të rritej më aty.
Fakti që studiues nga Gjermania e Austria luftojnë në Shqipëri për lumenjtë natyrorë është paksa ironike. Lumenjtë në vendet e tyre, Danubi, Maini e të tjerë janë betonizuar deri në atë pikë sa pothuaj nuk njihen më si vendbanime të specieve.
Vetëm gjatë 20-30 viteve të fundit kemi filluar të kuptojmë rëndësinë që kanë për natyrën, lumenjtë e paprekur, shprehen bilogët.
“Duam të parandalojmë që shqiptarët të përsërisin të njëjtat gabime që ne kemi bërë në të shkuarën”.

Fotografi nga Kalifornia zbulon “kuçedrën” shqiptare, që po “përpin” lumenjtë

Për katër vitet e fundit, fotografi Oegger St. Nick, me origjinë nga Kalifornia, ka eksploruar Shqipërinë, duke fotografuar peizazhet e saj të mrekullueshme dhe duke mësuar në lidhje me historinë komplekse të këtij vendi në Ballkanin Perëndimor, shkruan “The Calvert Journal”, e specializuar për udhëtimet dhe fotografinë. Ai u vendos për herë të parë në Shkodër, qyteti më i madh verior, në kufi të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Më pas fotografi kaloi në jug, ku ai thotë: “Ndihet më Mesdhe dhe ka një ndikim të fortë grek, më shumë kisha ortodokse dhe fshatrat minoritarë që flasin greqisht”. Duke përdorur lumin e fundit të egër të Europës, Vjosa, si një udhëzues, fotografi shpejt zbuloi se peizazhet e pastër dhe të egër, si dhe lumi vetë, ishin nën kërcënim nga një projekt i propozuar i digës së hidrocentralit. Seria e tij fotografike quhet “Kuçedra”, sipas një dragoi nga folklori shqiptar dhe tregon urgjencën e ruajtjes së këtij rajoni të virgjër.
Oegger St. Nick thotë se e zbuloi rastësisht këtë vend, pasi lexoi një artikull të vogël që fliste për kërcënimin që po i vinte lumit. Vjosa rrjedh nëpër një luginë në afërsi të fshatit Zhepë, në kufi me Greqinë. Lumi rrjedh pa pengesa për 270 km dhe derdhet në Detin Adriatik dhe shumë prej degëve të tij janë në gjendje të mirë, duke e bërë këtë sistemin e fundit të pacenuar të lumenjve të egër në Europë. Pavarësisht premtimeve për ta kthyer Vjosën në një park kombëtar, tetë projekte hidrocentrale janë propozuar përgjatë tij nga qeveria shqiptare.
Dy lumenjtë, ai i Drinos dhe Bença, bashkohen me Vjosën pranë qytetit të Tepelenës. Ndërtimi është duke u zhvilluar në Bençë tashmë dhe një tubacion që ka devijuar lumin në një stacion hidroenergjetik nëntokësor, ndërsa një projekt i ngecur në Kalivaç, aty pranë, ka shpallur sërish ofertat kohët e fundit. “Natyra në Shqipëri ka qenë një frymëzim i madh për mua; ajo është aq e pastër dhe e egër, kështu që unë vendosa se ishte me të vërtet e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi në lidhje me Vjosën. Digat në Vjosë do të dëmtonin këtë shembull të fundit të një ekosistemi të pacenuar të lumit në Evropë, si dhe të ndryshonin rrjedhën e jetës për njerëzit që jetojnë aty, pas përmbytjeve, humbjes së tokave bujqësore dhe do të frenonte turistët për të vizituar zonën”, thotë autori në artikull.
Përmeti është një qendër kulturore në jug të Shqipërisë, konsiderohet edhe për muzikën tradicionale të saj, artit dhe ushqimin. Vjosa është pjesë integrale e industrisë në rritje të turizmit në këtë zonë, duke u sjellë vizitorëve të interesuar në rafting dhe kayaking. Vendorët shqetësohen se prirja drejt hidrocentralit, që do të ketë pasoja për bizneset, të cilat janë të varura nga rrjedha e natyrshme e lumit. Ekoturizmi ka filluar ngadalë të zhvillohet në këtë zonë, duke tërhequr të pasionuarit për ecje, rafting dhe peshkim.
Fshati Kuta ka qenë ndër të parët që ka protestuar kundër projekteve të hidrocentraleve mbi Vjosë. Ndërtimi i një dige të propozuar në burimet e Poçemit do të përmbyste pjesën më të madhe të zonës bujqësore. Mundësitë janë të kufizuara në fshat dhe rruga me cilësi të dobët që lidh atë në autostradën kryesore pengon tregtinë me zonat e tjera. Autori jep foto të disa shkencëtarëve nga Gjermania dhe Austria, që po udhëtojnë me trap poshtë Vjosës pranë Kuta, duke mbledhur bimë të ujit dhe mostra të kafshëve për të ndërtuar një rast për bllokimin e ndërtimit të digës pranë burimeve të Poçemit. Diga mbi lumë do të ketë pasoja të rënda për peshqit migratorë, duke përfshirë edhe ngjala të rrezikuara dhe specie të tjera që tashmë janë zhdukur në Evropën Qendrore. Autori sjell dhe disa histori të fshatarëve të zonës, që ankohen se ndërtimi i hidrocentraleve do të prishë rrjedhën normale të jetës së tyre, si dhe sjell foto të disa zonave me pamje të egër, që do të zhdukeshin nga ndërtimi i digave.

Rënia drastike e turizmit, vdekje dhe ndotje në bregdetin shqiptar

Vdekje, ndotje dhe cilësi e dobët kushtesh e shërbimi, mungesë rojesh bregdetare, mungesë uji, energjie elektrike etj. Janë këto karakteristikat e frikshme dhe të rënda me të cilat përballet turizmi shqiptar këtë vit, ashtu si edhe pushuesit vendas e të huaj. Të paktën 15 pushues kanë humbur jetën duke u mbytur në det. Asnjë roje bregdetare nuk funksionon e për rrjedhojë siguria e pushuesve është në nivelin zero. Si rezultat i kësaj numri i personave të mbytur në një kohë kur jemi në pikun e sezonit turistik është rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë.
Para pak ditësh, një vajzë e huaj 15-vjeçare gjeti vdekjen teksa notonte në bregdetin e Ksamilit pasi një motor uji në mënyrë të paprecedent kaloi sipër saj duke i shkaktuar plagë të rënda e duke i marrë jetën. Një tjetër fenomen shqiptar ky, ku në kaosin e turizmit në vendin tonë, mungesa e rregullave të qarta përsa i përket zonave bregdetare ku duhet të lejohet qarkullimi i motorave të ujit edhe këtë vit, solli viktimën e parë. Ndërkohë, i njëjti fenomen, ku dy pushues humbën jetën nga plagët e marra nga motorët e ujit u shënua edhe vjet. Dy viktimat e vjetshme nuk shërbyen aspak për autoritetet përkatëse në marrjen e masave konkrete përsa i përket sigurinë mbi qarkullimin e lejuar të motorave të ujit.
Qeveria dështoi edhe këtë vit të disiplinojë këto mjete të rrezikshme që janë shqetësim dhe rrezik për jetën e mijëra pushuesve që frekuentojnë plazhet shqiptare. Edhe pse në të gjithë plazhin e jugut, nga Velipoja në Sarandë, nuk ka asnjë vend të lirë në hotel dhe nuk gjen asnjë vend të lirë në shezllone, pasi janë plot e përplot me turistë, policia shqiptare është inekzistente. Edhe pse për përdorimin e motorëve të ujit janë të përcaktuar rregullat se, ku duhet dhe si duhet të lëvizin në det, në të gjitha këto plazhe me dhjetëra mijëra pushues nuk gjen qoftë edhe një polic të vetëm, që të monitorojë ashtu siç duhet zbatimin e këtyre rregullave, që janë thelbësore për të garantuar jetën.
Për situatën më të fundit të turizmit shqiptar ka reaguar Jamarbër Malltezi, koordinator në PD për mjedisin. Në një postim të tij në Facebook, Malltezi shkruan për panoramën e zymtë të turizmit. Por, për sa kohë që shteti ka ikur në drejtim të paditur, kjo s’ka rëndësi, përveç unitetit të tepsixhiut.
“Turizmi shqiptar: pa drita, pa ujë, pa rend dhe me ballast dhe gjurmë nafte anijesh. Shteti ka ik në drejtim të paditur. Por besoj është ok për ata militantët që nuk duan as ujë, as bukë, as drita, as rritje pagash, as rrugë, veç të ketë unitetin tepsixhiu”.

Cilësia e plazheve

Bazuar në raportin e Agjencisë europiane të Mjedisit për cilësinë e ujërave më 2016-n, “Il Sole” ka publikuar hartën e cilësisë në plazhet e Mesdheut. Sipas hartës, Shqipëria ka numrin më të lartë të plazheve me cilësi të varfër në të gjithë Mesdheun, duke marrë në konsideratë dhe vijën bregdetare. Për të përshkruar cilësinë e ujërave, agjencia i ka ndarë në katër kategori: cilësi e shkëlqyer, cilësi e mirë, cilësi e mjaftueshme dhe cilësi e dobët.
Sipas të dhënave, janë 7 plazhe në Qarkun e Durrësit ku cilësia e ujit është e varfër dhe 5 ku cilësia vlerësohet e mjaftueshme, 4 në qytetin e Vlorës dhe 2 në Sarandë.  Ndërsa në Shkodër dhe Shëngjin, cilësia është më e mirë. Vendi fqinj, Greqia nuk ka asnjë plazh, ku ujërat të jenë të varfër në cilësi, ndërsa me cilësi të mjaftueshme vlerësohet vetëm plazhi Palaiochori. Sipas raportit vendet me cilësi më të mirë të ujërave në Mesdhe janë Qipro, Greqia, Kroacia dhe Malta. Megjithatë, rreth 85% e plazheve të Mesdheut janë të një cilësie të shkëlqyer, përjashtim bën Shqipëri.

Ndotja dhe mungesa e masave

Vlora dhe Durrësi vitin e kaluar patën plazhet më të ndotura, ndërsa plazhet më të pastra i takojnë Velipojës, Dhërmiut, Himarës, Borshit dhe Sarandës, sipas monitorimeve që ka bërë Ministria e Mjedisit dhe që janë referuar për publikun nga INSTAT. Raportet e monitorimit përfshijnë shumë pika, duke nxjerrë me ndotjen më të lartë plazhet e Durrësit. Durrësi ka vetëm 1 plazh me cilësi të lartë, 7 plazhe me cilësi të mirë, 4 plazhe me cilësi të mjaftueshme, por për 9 plazhe të tjera, situata paraqitet emergjente me superndotje, raporton INSTAT.
Më tej, në radhë vjen Vlora, e cila ka 5 plazhe me cilësi të lartë, 1 plazh me cilësi të mirë dhe 4 plazhe me cilësi shumë të ndotur dhe kërkohet ndërhyrje emergjente. Në plazhet e tjera të vendit, situata është më normale. Të dhënat për cilësinë e ujërave në plazhet e Shqipërisë u referohen matjeve të përsëritura në të gjitha plazhet detare. Këto të dhëna i referohen kryesisht përmbajtjes së kolonive të baktereve me origjinë nga shkarkimet në ujërat detare dhe lumenjve. Treguesit për cilësinë e ujërave larës në këtë botim janë administrativë dhe japin vlerat mesatare të përmbushjes së standardeve cilësore të ujërave në plazhin përkatës referuar standardeve të cilësisë vendosur nga OBSH.
Treguesit e cilësisë së ujërave larës në plazhet e Shqipërisë kanë qëndruar përgjithësisht në të njëjtat nivele, me cilësi të shkëlqyer ose të mirë në 85,0% të tyre. Shqipëria ende nuk ka e zgjidhur problemin e kanalizimeve të ujërave të zeza në plazhe.

Trump pyet Prokurorin: Pse nuk po heton “krimet” e Hillary?

Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump dhe një nga këshilltarët e tij të ngushtë, thotë se është takuar me zyrtarët rusë katër herë gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar dhe pas saj. Por ai thotë se nuk ka bashkëpunuar në mënyrë sekrete me ta apo me ndonjë qeveri tjetër të huaj.
Të hënën, zoti Kushner botoi një deklaratë prej 11 faqesh përpara dëshmisë së tij me dyer të mbyllura në Komisionin e Zbulimit të Senatit. Sot ai pritet të dëshmojë para Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve. Të dy komisionet e Kongresit po hetojnë mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar.
“Të dhënat dhe dokumentet që po jap do të tregojnë se kam pasur ndoshta katër kontakte me përfaqësues rusë nga mijëra të zhvilluara gjatë fushatës dhe periudhës së tranzicionit së pushtetit. Asnjë prej këtyre takimeve nuk pati ndonjë ndikim tek zgjedhjet apo që ia vlen të kujtohet në mënyrë të posaçme”, shkruante zoti Kushner.

Pamjet tregojnë mbërritjen e zoti Kushner në Capitol Hill

Më tej, zoti Kushner përshkruan disa takime të shkurtra me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ata diskutuan rreth një dëshire për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA-Rusi. Por zoti Kushner mohoi njoftimet në shtyp se, ai dhe ambasadori Sergej Kislyak, kishin zhvilluar biseda të mëtejshme me telefon.
Pritet që komisionet e Kongresit të kërkojnë informacion lidhur me kontaktet e zotit Kushner me Rusinë, përfshirë takimin e zhvilluar në muajin qershor të vitit 2016 me një avokate ruse dhe persona të tjerë të lidhur me Moskën.

Fokusi tek hetimet për Rusinë
Hetuesit amerikanë janë fokusuar tek takimi i qershorit, që prej momentit kur djali i madh i presidentit, Donald Trump Jr., publikoi e-mail-e ku shprehte padurimin e tij për atë çfarë ai besonte se avokatja ruse do t’i ofronte: materiale që do të dëmtonin demokraten Hillary Klinton, kundërshtarja e zotit Trump në garën presidenciale.
Deklarata e zotit Kushner erdhi pasi presidenti Donald Trump sulmoi sërish nëpërmjet komentesh në Twitter hetimet ndaj Rusisë që po konsumojnë presidencën e tij.
Ai ngrinte pyetjen se, pse komisionet e Kongresit, hetuesit dhe prokurori i Përgjithshëm “i sulmuar nga të gjitha anët”, Jeff Sessions nuk po “hetojnë” rreth “krimeve të Klintonit dhe marrëdhënieve të saj me Rusinë”, siç shkruante ai.
Javën e kaluar zoti Trump kritikoi zotin Sessions për vendimin e tij për të mos qenë pjesë e hetimeve të Departamentit të Drejtësisë lidhur me Rusinë, gjë që çoi në emërimin e një Prokurori të Posaçëm të pavarur nga zëvendësi i zotit Sessions.
Ndërkohë zoti Trump e cilësoi demokratin kryesor të Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Schiff të pasinqertë dhe krejtësisht të njëanshëm lidhur me hetimet ndaj Rusisë, që kalon, siç shkruan Presidenti, gjithë kohën në televizion duke justifikuar humbjen e demokratëve.
Në një tjetër Twitter zoti Trump shkruan se, “pas një viti hetimesh që nuk gjeti asnjë provë” për bashkëpunim të fshehtë ndërmjet zyrtarëve të fushatës së tij dhe Rusisë, një udhëheqës i demokratëve në Senat, Charles Schumer duke iu referuar zgjedhjeve të vitit të kaluar thotë se: “demokratët duhet të fajësojnë veten dhe jo Rusinë”.
Sikurse dhe në të shkuarën, zoti Trump shprehu pakënaqësi ndaj atyre që i cilëson forca që bashkëpunojnë kundër tij në Uashington, përfshirë dhe disa media kryesore. Ai tha se shprehja e tij “të thajmë kënetën duhet të ndryshojë në: ‘të thajmë kanalin’. Sipas tij situata është në të vërtetë shumë më keq se çdokush ka menduar ndonjëherë dhe kjo nis me lajmet e rreme”.

Shtyhet dëshmia në Kongres e Donald Trump Jr. dhe Paul Manafort
Djali i madh i presidentit Donald Trump Jr., si dhe menaxheri i fushatës së tij, Paul Manafort, i cili gjithashtu mori pjesë në takimin e qershorit, ishin planifikuar të paraqiteshin këtë javë përpara Komisionit Gjyqësor të Senatit. Por kjo dëshmi u shty me mirëkuptim që ata t’i ofrojnë komisionit të dhëna dhe informacione të tjera.
Zoti Kushner tha në deklaratën e tij se, ndërsa ai ishte në takim në “Trump Tower” në Nju Jork, nuk u zhvillua asnjë diskutim lidhur me fushatën zgjedhore dhe se ai shumë “shpejt kuptoi se po shpenzonte kohë kot në këtë takim”.
Ndërsa hetimet ndaj Rusisë po shqyrtojnë tashmë edhe njerëzit më të afërt të zotit Trump, janë ngritur pyetje rreth kompetencave të Presidentit për të falur. Anëtarë të ekipi ligjor të zotit Trump vënë në dukje se Kushtetuta i jep Presidentit kompetenca të gjera faljeje, por këmbëngulin se çështja nuk është në diskutim.
“Ne nuk po hulumtojmë mbi të sepse çështja e faljes nuk është në diskutim”, tha një nga avokatët e Presidentit Jay Sekulow në programin televiziv “This Week” të televizionit “ABC”. “Nuk ka asgjë për të falur”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, Shtëpia e Bardhë këmbëngul se përqendrimi i medias tek hetimi mbi Rusinë po keqpërdoret.
“Tre janë çështjet kryesore që u interesojnë amerikanëve, emigracioni, kujdesi shëndetësor dhe vendet e punës. Tre janë çështjet që shqetësojnë mediat Rusia, Rusia dhe Rusia”, thotë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.
Ligjvënësit e të dy krahëve politikë kanë bërë gjithashtu komentet e tyre. Kryetari i Komisionit për Drejtësinë në Senat kërkoi zbardhjen e plotë të një përgjimi të ambasadorit të Rusisë kryer nga shërbimet e zbulimit amerikan. Ambasadori i jep Moskës informacion mbi bisedën e tij me prokurorin e Përgjithshëm amerikan, Jeff Sessions, një mbështetës i hershëm i Presidentit.
Ambasadori Kislyak njofton Moskën se kishte diskutuar me zotin Sessions mbi fushatën presidenciale të zotit Trump.
Ndërkohë, demokrati më i rëndësishëm në Komisionin e Senatit për Zbulimin, Mark Warner u shpreh kundër çdo synimi për falje nga ana e presidentit të atyre që janë nën hetim lidhur me çështjen e Rusisë.

Trump kundër rebelëve në Siri

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se i ka dhënë fund programit për mbështetjen e rebelëve që luftojnë regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, pasi ai ka qenë “masiv, i rrezikshëm dhe i kotë”.
Deklarata e Trumpit vjen pak ditë pasi gjenerali Tony Thomas, udhëheqës i operacioneve speciale të SHBA-së, ka konfirmuar se operacioni katërvjeçar ka përfunduar, por ka mohuar se vendimi është marrë për të qetësuar Rusinë, e cila mbështet Assadin.
Trump, përmes një postimi në Twitter, tha se The Amazon “Washington Post” “i ka fabrikuar faktet” rreth përfundimit të pagesës për rebelët sirianë, që luftojnë Assadin.
Ky postim është përgjigje ndaj një artikulli të gazetës, e cila ka thënë se bashkëpunimi me Moskën është bërë çelësi i strategjisë së Trumpit në Siri.
Këtë muaj, SHBA dhe Rusia janë pajtuar për krijimin e zonave të sigurta në jug të Sirisë.
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ka miratuar programin sekret për rebelët sirianë në vitin 2013, pasi grupet e opozitës kanë kërkuar mbështetje nga jashtë në kryengritjen e tyre kundër Assadit.
Mijëra luftëtarë janë trajnuar dhe armatosur.

SHBA do furnizojë Ukrainën me armë

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për konfliktin në lindje të Ukrainës, Kurt Volker, i tha Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni është duke shqyrtuar dërgimin e armëve për forcat qeveritare të Ukrainës që luftojnë separatistët pro rusë.
Volker tha se armatosja e tyre mund të ndryshojë qasjen e Moskës në ish-Republikën sovjetike.
“Armët mbrojtëse, ato që do t’i mundësonin Ukrainës të mbrojë veten dhe të nxjerrë tanke për shembull, do të ndihmonin për të ndalur kërcënimin e Rusisë ndaj Ukrainës”, tha Volker.
Sipas tij, vendosja e paqes në lindje të Ukrainës kërkon “dialog të ri strategjik me Moskën”.
Volker, ish-ambasador i SHBA-së në NATO, ka vizituar pjesën lindore të Ukrainës më 23 korrik.
Ai është emëruar këtë muaj përfaqësues i posaçëm i Uashingtonit në negociatat për zgjidhjen e konflikt në Ukrainë.
Mbi 10,000 veta janë vrarë qëkur ka shpërthyer konflikti në prill të vitit 2014.

Dilema polake e drejtësisë

epa06106500 Polish President Andrzej Duda gestures during a press conference in the Presidential Palace in Warsaw, Poland, 24 July 2017. President Duda said in a statement that he will veto Supreme Court and National Judiciary Council bills. Large protests have been held across Poland in the past week over rules passed 20 July by the ruling party that would limit the independence of the judiciary. EPA/Pawel Supernak POLAND OUT

Zyra e presidentit të Polonisë, Andrzej Duda, tha se ka nënshkruar në ligj njërën prej tri reformave në gjyqësi, të cilat kanë shkaktuar protesta masive në këtë vend.
Të hënën, Duda ka thënë se do të vërë veto mbi dy reformat që, sipas kundërshtarëve, rrisin ndikimin e politikës në gjyqësi.
Zyra e Dudës tha të martën se presidenti e ka nënshkruar reformën e tretë.
Ajo i lejon ministrit të Drejtësisë, i cili është edhe prokuror i Përgjithshëm, të emërojë krerët e gjykatave më të ulëta.
Kritikët thonë se të tria reformat janë jokushtetuese, por kanë mirëpritur veton e presidentit mbi dy prej tyre.
Këto dy do t’i jepnin ministrit të Drejtësisë kompetencë për të shkarkuar të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe për të zgjedhur zëvendësimet e tyre. Komisioni Evropian ka paralajmëruar Poloninë se mund t’ia pezullojë të drejtat për votim nëse i miraton reformat e tilla gjyqësore.