23.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Problemi me çmimin e naftës nën 50 dollarë

Gjatë dy javëve të fundit çmimi i naftës është rritur: gati 47 dollarë për barrelë (159 litra fuçi) ndërkohë që nafta e Detit të Veriut Brent arriti gati në 50 dollarë. Nëse do të rritet edhe më shumë çmimi ose do të bjerë, kjo qartësohet nga e hëna.
Sepse në Shën Peterburg takohet komiteti i verifikimit lidhur me shkurtimin e prodhimit.
Ky komitet çdo muaj, se deri në ç’masë vendet që nxjerrin naftë u përmbahen premtimeve, për ta kufizuar nxjerrjen e naftës. Një masë e tillë shkurtimi u vendos nga OPEC në nëntor dhe afati i saj u shty në maj. Sipas këtij vendimi deri në mars 2018 duhet të prodhohen 1,8 milionë barrelë më pak naftë. Në këtë mënyrë rezervat e naftës së depozituar duhet të ulen sërish në kuotën e mesatares për pesë vjet me 2,7 miliardë barrelë. Shkurtimi i përgjigjet rreth dy për qind të prodhimit ditor botëror e kjo madje me një ofertë me tepricë. Megjithatë kjo marrëveshje vlen jo vetëm për vendet e OPEC-ut, por edhe për dhjetë vende të tjera prodhuese jashtë OPEC-ut, si për shembull, Rusia.

Marrëveshja për shkurtimin nuk ndihmon shumë
Takimi fiton peshë, sepse krahas Rusisë si vend organizator, edhe Arabia Saudite do të jetë e pranishme. Do të ketë nevojë për diskutim beson Barbara Lambrecht, eksperte e lëndëve të para në Commerzbank. Në takim vëmendja do të përqendrohet kryesisht tek Libia dhe Nigeria, që deri më tani për shkak të luftrave civile në këto vende janë përjashtuar nga marrëveshja. Këto vende nga ana tjetër e kanë shfrytëzuar këtë periudhë për të rritur fuqishëm prodhimin e naftës: “Rreth gjysma e sasisë së dakorduar në marrëveshje për t’u shkurtuar është neutralizuar si rrjedhojë”, thotë Lambrecht.
Por të dy vendet duket se nuk janë të gatshme, që ta ndryshojnë këtë raport, përkundrazi: Libia do madje që deri në fund të vitit ta rrisë prodhimin. Kësaj i shtohet edhe Ekuadori. Ky vend nxjerr vetëm rreth 25.000 fuçi në ditë. Por muajin e kaluar ai është shkëputur nga marrëveshja. Disa vëzhgues druajnë, se kjo mund të jetë efektin domino, sepse edhe Iraku dhe Kazakistani nuk i përmbahen më marrëveshjes për shkurtimin e prodhimit, pra disiplina mund të bjerë.
Megjithatë vëzhguesit nuk parashikojnë një shkurtim të mëtejshëm të prodhimit. “OPEC nuk do të kundërvihet me masa”, mendon Gabor Vogel nga DZ-Bank. Sepse nëse prej kësaj do të bjerë më shpejt çmimi i naftës, atëherë SHBA sërish do ta rrisë prodhimin. E për sipërmarrjet e shpimeve do t’ia vlejë sërish prodhimi. “Vetëm fare pak kanë fitim nëse çmimi i naftës është 30 dollarë”, thotë Thomas Benedix, ekspert i lëndëve të para në Union Investment.

Euro e fuqishme e neutralizon efektin ndaj konsumatorit
Shumica mund të punojë me fitim vetëm nëse çmimi është afër 50 dollarë për barrelë. Ai nuk beson, që nafta do të lirohet, madje sipas tij deri në fund të vitit çmimi mund të shkojë deri në 55 euro. Depozitat në SHBA gjatë javëve të fundit janë ulur, e ky pakësim do të vazhdojë për aq kohë sa rritet ekonomia globale. Shkurtimi i prodhimit influencon ndaj vendeve që nxjerrin naftë.
Për konsumatorin kjo do të thotë që është e arsyeshme që këtë verë të mbushet serbatori me naftë. Konsumatorët në zonën e euros nuk e ndiejnë shumë rritjen e çmimit, sepse nafta llogaritet në dollarë. E që nga fillimi i vitit monedha amerikane ka humbur më shumë se 10 për qind kundrejt euros.

Xhamia në Prishtinë do të ndërtohet

Projekti për ndërtimin e xhamisë në lagjen “Dardania”, në Prishtinë është prezantuar para asamblistëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku këtyre të fundit nga Bashkësia Islame e Kosovës, iu është kërkuar që të mbështesin këtë projekt.
Resul Rexhepi, sekretar i Bashkësisë Islame të Kosovës ka thënë se çështja e kësaj xhamie ka nisur 17 vjet më parë dhe deri më tani, përveç gurëthemelit të saj, asgjë nuk është bërë.
Ai ka shtuar se kryeqytetit i duhet një xhami madhështore, një xhami që sipas tij, do të ngërthente në veti edhe traditën.
“Kemi nevojë për përkrahjen tuaj, kemi nevojë që të na ndihmoni në zbatimin e projektit dhe nesër edhe kryeqyteti ta ketë një simbol me të cilin do të identifikohemi. Ne kemi përzgjedhur një xhami madhështore, të bukur. Duhet të na besoni një gjë, ne e dimë më shumë se çka na duhet neve në këtë kohë dhe në këtë vend”, ka thënë Rexhepi.
Xhamia qendrore e kryeqytetit ka shtuar Rexhepi, nuk ka të bëjë me asnjë parti politike dhe se ajo është jashtë pretendimeve partiake dhe sipas tij, xhamia është e besimtarëve.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se xhamia do të ndërtohet, por që për projektin e kësaj xhamie duhet të ketë konsensus politik dhe shoqëror.
“Po ndërtojmë xhaminë më të madhe në Kosovë dhe kjo është përtej mandatit tim dhe nuk është çështje e një kryetari apo një partie politike. Askush nuk po e dikton lokacionin, askush nuk po e diskuton se, a do të ndërtohet xhamia, xhamia do të ndërtohet”, ka thënë Ahmeti.
Gurëthemeli për ndërtimin e kësaj xhamie, si një nga objektet më të mëdha fetare të besimit islam në Kosovë, ishte vënë në tetor të vitit 2012.
Atë kohë, gurëthemelin e patën vendosur përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe krerët e institucioneve ekzekutive dhe legjislative të vendit.

Prokurori Sessions: Pse u tërhoqa nga hetimi rus

Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions po ndeshet me presion në rritje nga Kongresi dhe nga Shtëpia e Bardhë lidhur me kontaktet me ish-të dërguar rusë në Uashington, si dhe me vendimin që mori më pas për t’u shkëputur nga hetimet që po zhvillonte Departamenti i Drejtësisë mbi dyshimet se mund të ketë pasur marrëveshje të fshehta mes ekipit të Presidentit Trump gjatë zgjedhjeve dhe Rusisë.
Dy ditë radhazi Presidenti Trump postoi në Twitter komente ku kritikonte zotin Sessions dhe aludonte se hetimet duhet të përfshinin edhe ish-kandidaten demokrate Hillary Klinton.
“Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions është treguar shumë i dobët ndaj krimeve të Hillary Klintonit (ku janë e-mail-et dhe serveri i Komitetit Kombëtar të Demokratëve?) si dhe me ata që nxjerrin informata sekrete”, shkruante Presidenti. Të hënën ai e cilësonte zotin Sessions si “Prokurori ynë me telashe” dhe pyeste përse ai “nuk kishte hetuar Hillary-n për krime dhe për kontakte me Rusinë?”.
Senatorja Dianne Feinstein i kërkoi zotit Sessions të hënën të dilte para Komisionit të Senatit për Gjyqësorin sa më parë për t’iu përgjigjur pyetjeve për bisedat me ish-ambasadorin rus në Uashington, Sergey Kislyak, gjatë fushatës së 2016. Në atë kohë zoti Sessions ishte këshilltar i ekipit Trump, por edhe anëtar i Senatit.
Gazeta “Washington Post” njoftoi të premten se Kislyak u kishte thënë eprorëve në Moskë vitin e kaluar se kishte diskutuar çështje të fushatës me Sessions, ndryshe nga deklarimet që bëri Sessions lidhur me këto takime. Gazeta shkruante se informatat ishin nxjerrë nga biseda të interceptuara mes Kislyakut dhe Moskës.
“Kjo është një çështje serioze dhe Komisioni duhet të dëgjojë shpjegimet e drejtpërdrejta të prokurorit të Përgjithshëm”, shkruante senatorja Feinstein në një letër në adresë të kryetarit të Komisionit Chuck Grassley, ku e nxiste atë të thërriste zotin Sessions për të dëshmuar.
Al Franken, një tjetër anëtar demokrat i komisionit dhe kritik i zotit Trump, e cilësoi bisedën e përshkruar në gazetë mes Sessions dhe Kislyakut një “zhvillim shumë shqetësues në marrëdhëniet mes ekipit të zotit Trump dhe Rusisë”.
“Tani është më e qartë se kurrë se Jeff Session duhet të dëshmojë përsëri para komisionit që ne të dimë përgjigjet”, shkruante senatori Frankel në Facebook të premten. Megjithatë, më pas ai tha në intervistë me rrjetin “CNN” se kryetari i komisionit nuk do ta thërrasë Sessions për të dëshmuar përsëri.
Një zëdhënës për kryetarin e Komisionit të Senatit për Gjyqësorin, Chuck Grassley tha për “Zërin e Amerikës” të hënën se zoti Grassley do ta thërrasë Sessions të dëshmojë më vonë, pasi të jetë emëruar gjithë ekipi i prokurorit të Përgjithshëm. Zëdhënësi Taylor Foy tha se pakica demokrate në Senat ka “këmbëngulur për të zvarritur emërimet e zyrtarëve për Departamentin e Drejtësisë” dhe se kjo e ka vështirësuar punën mbikëqyrëse që kryen komisioni mbi strukturat e drejtësinë.
Komisioni i Senatit për Drejtësinë mbikëqyr punën e Departamentit të Drejtësisë dhe është një ndër komisionet e përfshira në hetimet mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016.
Në mars, Jeff Sessions u tërhoq nga hetimet mbi Rusinë, pas njoftimeve se ai nuk kishte treguar gjithçka mbi kontaktet e tij me ish-ambasadorin rus Kisliak kur kishte dëshmuar para komisionit në seancën për miratimin e emërimit të tij si Prokuror i Përgjithshëm.
Zoti Sessions ka hedhur poshtë akuzat se ka dhënë dëshmi çorientuese para senatorëve, duke shtuar se tërheqja e tij nga procesi hetimor u bë si rezultat i rolit të tij si këshilltar i ekipit të Trump gjatë fushatës.
Presidenti Trump shprehu revoltim në përgjigje të shkëputjes së zotit Sessions nga procesi hetimor dhe më pas ai e fajësoi prokurorin e Përgjithshëm për emërimin e Robert Muellerit si prokuror special për të drejtuar këto hetime.
Në një intervistë me gazetën “New York Times” javën e kaluar, Presidenti Trump tha se ai nuk do ta kishte emëruar kurrë Jeff Sessions për prokuror të Përgjithshëm po ta kishte ditur se ai do të tërhiqej nga hetimi mbi rolin që ka luajtur Rusia në zgjedhje.

La Liga

Zinedine Zidane uron Alvaro Moratën për aventurën e tij të re. Tekniku i “Los Blancos” në një intervistë të dhënë i ka uruar sulmuesit suksese tek Chelsea. Më tej francezi deklaroi se vendimi për t’u larguar ishte i 25-vjeçarit, gjithsesi Zidane shtoi se dyert e Reali të Madridit do të jenë gjithmonë të hapura për Alvaron.
Sevilla shumë pranë transferimit të Simon Kjaer. Mbrojtësi aktualisht aktivizohet tek Fenerbahçe, kampionat të cilin ai kërkon ta braktisë. Andaluzianët kanë marrë konfirmimin e Kajer, ndërkohë që mes klubeve ende nuk është arritur gjuha e përbashkët.
Alvaro Negredo  i jep lamtumirën Valencias. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, sulmuesi nuk është më në planet e teknikut Marcelino, nisur nga ky fakt, Negredo duke nisur që nga sezoni i ardhshëm do të luajë tek Besiktas.
Ernesto Valverde i kënaqur me skuadrën e tij të re. Tekniku i Barcelonës edhe pse pak ditë në krye të stolit katalanas është shprehur i lumtur për organikën që ai ka në dispozicion, gjithashtu ai shtoi se skuadra i ka të gjitha mundësitë për të arritur gjëra të mëdha këtë sezon në La Liga.

Ronaldo nuk lëviz nga Real Madrid

Nuk do të ketë lamtumirë të dhembshme. “Los Blancos” mbetet në të ardhmen e Cristiano Ronaldos. Sulmuesi është i përqendruar vetëm te Reali i Madridit dhe pavarësisht se vazhdon periudhën e pushimeve e do t’i bashkohet ekipit vetëm në fund të korrikut, mbetet i lidhur me projektin në “Santiago Bernabeu”. Lajmin e mirë për tifozët madrilenë e dha e përditshmja “Marca”, që përdorte titullin e madh “Do të qëndrojë”, ndërsa citon edhe fjalët e lojtarit. “Fitimi i trofeve të rëndësishëm gjatë vitit të kaluar me klubin tim ishte një arritje fantastike. Do të ishte e bukur t’i përsërisnim sukseset”.
Kjo ishte deklarata e Cristiano Ronaldos rreth së ardhmes së tij, duke konfirmuar se dëshiron të qëndrojë te kampionët e Europës dhe të vazhdojë të fitojë trofe në Madrid. Pas problemeve me tatimet dhe akuzat për evazion fiskal në vlerën e disa miliona eurove, fillimisht Reali u trondit nga zërat se 4 herë fituesi i Topit të Artë do të largohej nga “Santiago Bernabeu”, ndërsa mes skuadrave të interesuara për ta blerë ishin Paris Saint-Germain dhe Manchester United.
Ronaldo e udhëhoqi Realin e Madridit drejt fitimit të katër trofeve gjatë sezonit të kaluar, duke përfshirë këtu edhe suksesin në Champions dhe titullin e parë në La Ligan spanjolle prej vitit 2012. Me portugezin që do të qëndrojë në skuadër, “Los Blancos” vazhdojnë të ëndërrojnë.

Mbape, 180 milionë

Real Madridi është shumë pranë realizimit të një transferimi historik në botën e futbollit. Prestigjiozja spanjolle “Marca” ka raportuar se klubi i drejtuar nga Florentino Perez ka gjetur në parim akordin me Monakon për transferimin e sulmuesit francez 18-vjeçar, Kilian Mbape. Shifra e marrëveshjes thyen çdo rekord në tregun e transferimeve, teksa bëhet fjalë për një operacion me kosto 180 milionë euro. Sipas raportimeve, kjo shumë përbëhet nga 150 ose 160 milionë që do të paguhen menjëherë dhe pjesa tjetër në varësi të klauzolave në kontratë.
Duke parë se edhe PSG po përflitet gjithnjë e më shumë për një blerje me shifra stratosferike për Nejmarin, rekordi i Mançester Junajtidit me 105 milionë eurot e paguara për Pogbanë në verën e shkuar nuk do të rezistojë gjatë.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez ka vendosur të shesë sulmuesin francez Karim Benzema, pas tetë viteve të kaluara në “Santiago Bernabeu”. Perez beson se koha e Banzema ka përfunduar dhe më e mira për skuadrën do të ishte që ai të largohet, shkruan “Diario Gol”. Me paratë e Benzemasë, Danilos dhe Alvaro Moratës, Real Madrid do të transferojë sulmuesin e Monakos, Kylian Mbape. Për Benzemanë tashmë interesim kanë shprehur shumë skuadra si Arsenal, PSG dhe Milan.
Reali shfaq interes për Marcus Rashford. Kampionët e Spanjës, pas largimit të Alvaro Moratës po kërkojnë të gjejnë zëvendësuesin e tij. Si alternativë shihet sulmuesi i Man.United, Marcus Rashford. Pavarësisht dëshirës, klubi “Los Blancos” nuk do ta ketë aq të lehtë të arrijë akordin, pasi talenti i “Djajve të Kuq” cilësohet si një garanci më shumë për United në vijën e parë të sulmit.
Monako është momentalisht klubi numër një në botë për sa i përket të ardhurave të arkëtuara nga merkatoja e këtij sezoni. Futbollisti i fundit që u largua ishte mbrojtësi Mendi, i cili kaloi te Mançester Siti për 52 milionë paund, duke u bërë mbrojtësi i dytë më i shtrenjtë në botë pas Kajl Uolkerit.
Vetëm në këtë sezon arkat e klubit nga principata janë mbushur me 167 milionë euro. Bernardo Silva (50), Bakaioko (40), German (8), Dialo (5) Xhen (3.5) dhe Dirar (3.5) janë lojtarët e larguar në këtë sezon nga klubi francez. Por transferimet nuk pritet të mbarojnë këtu, pasi në treg janë edhe “xhevahirët e mëdhenj” si Lemar, Fabinho dhe Kilian Mbape. Oferta marramendëse kanë mbërritur në drejtim të tyre dhe klubi e ka mjaft të vështirë t’i refuzojë. Pas Monakos, në vendin e dytë përsa i përket të ardhurave nga transferimi i lojtarëve ndodhet Reali i Madridit me 45.5 milionë më pak.

Konte, 280 milionë euro në dispozicion për 4 emra

Pasi rinovoi kontratën duke vendosur të vijojë me projektin e Chelsea-t, Antonio Konte po projekton afrimet e reja në merkato. 80 milionë eurot e shpenzuara për Alvaro Moratën janë vetëm fillimi i një merkatoje në hyrje për Blutë e Londrës. Trajneri italian ka qëndruar me synimin për të mbrojtur titullin kampion, teksa kushti i parë ishte përforcimi i skuadrës, duke qenë se këtë sezon Chelsea rikthehet të luajë në Europë pas një viti mungesë. Sipas shtypit anglez, në dispozicion të Kontes janë plot 280 milionë euro për të përforcuar ekipin, ndërsa vetë trajneri ka piketuar emrat që dëshiron të afrojë. Nuk është më një mister që mbrojtësi brazilian i Juventusit, Alex Sandro është një preferencë e Kontes teksa mbyllja e marrëveshjes me klubin torinez nuk duket e pamundur.
Një tjetër emër që përflitet prej javësh është ai i Fernando Llorentes, sulmuesi i Swansea, një njohje e vjetër e trajnerit italian. Për të përforcuar mbrojtjen Konte kërkon me ngulm Virgil van Dijk të Southampton, madje holandezi nuk stërvitet me ekipin prej disa ditësh, pasi ka kërkuar të largohet. Emri i fundit në listën e 48-vjeçarit italian është bashkëkombasi i tij, mesfushori i Interit, Antonio Candreva. Ditët e fundit ka qenë menaxheri i futbollistit të kombëtares italiane ai që ka hapur një dritare për largimin e mesfushorit, që me shumë mundësi mund t’i bashkohet londinezëve për një aventurë të re. Për të 4 këta futbollistë Konte ka një buxhet prej 280 milionë eurosh dhe tashmë ka nisur tratativat për t’i veshur me fanellën e Chelsea-t, në mënyrë që kampionët të nisin sezonin të kompletuar me objektivin për të mbrojtur titullin, por edhe për të shkuar sa më larg në Champions League.

Asensio i vendos kushte Realit

Marco Asensio dëshiron të shpërblehet nga Real Madrid. Talenti spanjoll, Marco Asensio ka refuzuar skuadrat angleze, Liverpool, Arsenal dhe Manchester United për të qëndruar në Real Madrid.
Ai tashmë dëshiron të shpërblehet nga Real Madrid, duke e vendosur të luajë më shpesh këtë sezon se sa sezonin e kaluar. Për më shumë, Asensio ka kërkuar edhe vazhdimin e kontratës, duke përfituar aq sa i kishin ofruar skuadrat angleze.

Arbitra maltezë për Skënderbeun, irlandezë për Shkëndijën

Skënderbeu dhe Shkëndija, dy skuadrat shqiptare të mbetura në arenën ndërkombëtare, njohin arbitrat për sfidat e turit të tretë kualifikues të Europa League. Duelin e kësaj të enjteje të Skënderbeut në fushën e Mlada Boleslav do ta drejtojë gjyqtari maltez Alan Mario Sant. Bëhet fjalë për një arbitër të ri në moshë, por që ka mjaft eksperiencë ndërkombëtare, pasi mban stemën e FIFA-s prej 7 vitesh. 36-vjeçari njihet si një prej më të mirëve në Maltë, ndërsa është një gjyqtar që lejon edhe luftën e fortë sportive në fushë, duke dhënë mesatarisht vetëm 3 kartonë të verdhë për ndeshje në duelet ndërkombëtare. Ai arrin t’i menaxhojë mjaft mirë situatat në fushë, edhe prej profesionit si menaxher i burimeve njerëzore në vendlindje.
Alan Mario Sant nuk ka asnjë precedent me ekipet shqiptare, ndërsa në një rast që ka drejtuar Mlada Boleslav i ka sjellë fat ekipit çek. Kjo ka ndodhur në turin e dytë kualifikues të Europa League në sezonin 2014-2015, me Mladan që fitoi 4-0 në fushën e boshnjakëve të Siroki Brijeg. Për sfidën e kësaj të enjte, në orën 18:00 asistentë të Sant në stadiumin “Mestsky” do të jenë Roberto Vella dhe Luke Portelli, ndërsa arbitër i katërt Malcolm Spiteri, të gjithë nga Malta.
Ndërkohë, ndeshja e Shkëndijës përballë Trakait në Lituani do të arbitrohet nga irlandezi Neil Doyle. Një emër i njohur për shqiptarët, edhe sepse më 10 korrik 2014 ai drejtoi sfidën e turit të parë kualifikues të Europa League, ku Kukësi barazoi 0-0 ndaj Kairat Almaty. Më 12 tetor 2012 Doyle ka drejtuar edhe ndeshjen kualifikuese ndërmjet përfaqësueses së 19-vjeçarëve të Italisë dhe Shqipërisë, e cila u fitua 3-0 nga të kaltërit, ndërsa mes gjashtë kartonëve të verdhë, arbitri irlandez largoi me karton të kuq nga fusha edhe një futbollist shqiptar.
Katërshja e gjyqtarëve është e gjitha nga Irlanda, me Neil Doyle që në sfidën në Vilnius në orën 18:30 do të ketë si asistentë Emmet Dynan dhe Dermot Broughton, ndërsa gjyqtar i katërt është Rob Harvey.

Shkëndija përgatitet ndaj Trakait

Shkëndija ka nisur përgatitjet për ndeshjen e raundit të tretë të Europa League ndaj lituanezëve të Trakait. Pas eliminimit të JHK Helsinki dhe kthimit në Tetovë, futbollistët kuqezi nën drejtimin e trajnerit Qatip Osmani po përgatiten për të synuar kalimin për në raundin e play off përballë një kundërshtari që mund të konsiderohet si një surprizë e këtij turneu deri në këto momente, duke qenë se në raundet paraardhëse ka mundur të eliminojë një skuadër skoceze dhe një suedeze.
Atmosfera në kampin e Shkëndijës ka qenë shumë pozitive dhe tetovarët do të stërvitjen në qytetin e tyre deri në nisjen e ekipit për në Lituani në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Stafi teknik është bazuar kryesisht në stërvitjet me një ngarkesë të lehtë fizike e lojën me top, ndërsa me skemat pritet të punohet në stërvitjen që do të zhvillojnë në Lituani gjatë së mërkurës pasdite. Ndeshjen e parë me Trakain, skuadra tetovare do ta luajë në transfertë të enjten në orën 18:30 me synimin për të arritur kualifikimin në fazën e play off, ku ishte e pranishme dhe vjet teksa u eliminua nga belgët e Gentit.