13.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Investigimi i “Vetting”/ Si mbetjet toksike shkojnë në Turqi! Pronarja e “Sokolaj shpk” aksionere në 4 kompani. Lëvizjet e shumta në QKR

 

Transporti i mbetjeve të rrezikshme drejt vendeve aziatike vijon të mbajë Shqipërinë në qendër të lajmeve dhe vëzhgimeve ndërkombëtare, ndërkohë që institucionet shtetërore i kalojnë përgjegjësitë njëra-tjetrës.

Nga ajo që “Vetting” ka ndjekur dhe më parë, rezulton se rrjeti i trafikimit të mbetjeve është shumë i sofistikuar, ndërkohë që institucionet që duhet të monitorojnë heshtin shpesh nuk kanë përgjigje për pyetjet që kanë lindur pas anijeve të nisura si eksporti i paligjshëm nga Porti i Durrësit. Sipas kryetarit të Partisë “Mundësia”, njëkohësisht edhe deputetit Agron Shehaj: “Ka mbi dy muaj që është ngritur alarmi dhe nuk kemi asnjë përgjigje nga institucionet shqiptare se çfarë po ndodh, sa mbetje toksike prodhohen, ku shkojnë, nuk kemi absolutisht asnjë përgjigje”.

Ndërsa, gazetari Gjergj Thanasi për emision “Vetting” shprehet se: “Ky trafik me patjetër ka nevojë për një përkrahje të madhe shtetërore, pra nuk e ka bërë me kokë të vet kapteri te porti, apo doganieri i thjeshtë me kokë të vet”. E me gjithë mospërgjigjet për trafikimin e mbetjeve toksike, problemi për mjedisin dhe shëndetin publik rëndohet. Madje, në debatin publik dhe në prononcimin e paktë të institucioneve gjithçka duket se synon të spostojë pyetjen se ku shkojnë këto mbetje. Madje, është ngritur dhe hipoteza “a janë vërtet mbetjet e rrezikshme toksike?”

RREZIKSHMËRIA E MBETJEVE

Në një prononcim të saj ministrja e Turizmit dhe Mjediset, Mirela Kumbaro shprehet se: “Modeli që ne kemi, nuk e kemi shpikur ne, është modeli europian i mbetjeve të rrezikshme dhe të parrezikshme. Kujdes! Të rrezikshme nuk do të thotë automatikisht toksike sepse shoh që ka një konfuzion në media dhe ka një abuzim dhe duke krijuar dhe një lloj paniku të pavend.” Sipas Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (EPA) mbetjet toksike janë mbetje “që janë të dëmshme ose fatale për organizmat e gjallë kur absorbohen ose gëlltiten”. Mbetjet e rrezikshme janë niveli më i ulët i substancave potencialisht të dëmshme, toksike është më e lartë. “Mbetjet e rrezikshme mund të jenë, por nuk janë domosdoshmërish toksike”, shkruan Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit në SHBA. Kur këto mbetje nuk eliminohen, nuk eksportohen ose nuk përpunohen siç ka ndodhur rëndom në Shqipëri, por ekspozohen nën trysninë e shiut, erës dhe tokës kthehen në mbetje toksike me rrezikshmëri maksimale. “Vetting” ka kryer një investigim ku zbulon se çfarë ka ndodhur me mbetjet e rrezikshme që gjenerojnë industritë e nxjerrjes, përpunimit të hidrokarbureve dhe industrisë së rëndë, të cilat kanë lidhje me skandalin ndërkombëtar të mbetjeve, që shtrihen në Kosovë, Serbi e deri në Zvicër. Ndërkohë, pavarësisht devijimit apo jo të debatit, “Vetting” ka faktuar se, vetëm vitin e kaluar, Shqipëria gjeneroi 39 mijë tonë mbetjesh të rrezikshme, duke përjashtuar mbetjet e rrezikshme spitalore, të cilat u kalohen kompanive private nëpërmjet tenderave publikë. Sot që flasim, Shqipëria nuk ka asnjë impiant incenerimi ose asgjësimi të mbetjeve toksike.

MISTERI PËR MBETJET E 2023-T

Sipas Ligjit 10463/2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, mbetjet e rrezikshme trajtohen nëpërmjet procesit të rikuperimit, riciklimit dhe asgjësimit. Sipas procedurave ligjore, mbetjet e rrezikshme nuk duhet të ruhen në venddepozitime për një periudhë më të gjatë se 1 vit në qoftë se ato janë cilësuar për asgjësim ose jo më shumë se 3 vjet nëse ato janë të paracaktuara për riciklim/trajtim. Pra, mijëra tonë mbetjesh nga industria e hidrokarbureve dhe industrisë së rëndë nuk mund të lihen më shumë se një vit në një vend pasi paraqesin rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik. Duke hulumtuar dokumente nga Ministria e Mjedisit dhe Doganat, “Vetting” ka faktuar se mbetjet toksike nuk përpunohen apo eksportohen sa duhet, investigim që ka nisur me episodin e kaluar “Trafiku i mbetjeve të rrezikshme”. Duke analizuar raportet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, “Vetting” ka zbuluar se eksporti i mbetjeve të rrezikshme për vitin 2021 dhe 2022 është shumë i ulët, për të mos thënë i papërfillshëm në krahasim me atë që gjenerohet nga industria. Madje bie në sy fakti se në raportet zyrtare shpeshherë disa nga të dhënat ose mungojnë ose janë të shpërndara në mënyrë kaotike. Por, le të ndalemi te viti 2020 sepse te dokumentet e Ministrisë së Mjedisit nuk kemi asgjë të deklaruar për eksport mbetjesh toksike, të cilat na nxjerrin në konkluzionin se nuk kemi pasur eksport. Te raporti i 2021 kemi zbuluar se janë eksportuar rreth 48 mijë ton mbetjesh, nga të cilat vetëm 97 ton janë mbetje të rrezikshme me kod 12 01 06*, që përkon me sasinë e mbetjeve të vajrave të përdorur dhe 1.6 ton mbetjesh spitalore të rrezikshme dhe dentare me kod 07 01 02*. Praktikisht është eksportuar diçka më tepër sesa 1%, ku përfshihen mbetje të rrezikshme spitalore dhe produkte të lëngshme ujore. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e eksportuar janë mbetje, që shkojnë për riciklim si qelq, metale, dru, plastikë, letër dhe karton. Raportet nga Ministria e Mjedisit jo vetëm që tregojnë një amulli totale me mbetjet toksike, por ngrenë pyetjen se si nuk është menduar apo planifikuar të zgjidhet kjo situatë, e cila shton sasinë e mbetjeve të rrezikshme të papërpunuara. Në vitin 2022, industria shqiptare ka transferuar 17 mijë tonë mbetjesh të rrezikshme, që kanë nevojë për përpunim ose eksportim për t’u eliminuar si rrezik për ekosistemin dhe njerëzit. Të dhënat nga Ministria evidentojnë se në vitin 2022, vendi ynë ka eksportuar rreth 52,240 kg mbetje, nga të cilat sasia më e madhe i përket mbetjeve të metaleve. Përsëri mbetjet e rrezikshme janë në sasi të vogël. Në raport, Ministria e Mjedisit thekson se eksporti është më i madh se sa në vitin 2021, por çfarë thonë shifrat? Konkretisht nga 52 ton mbetjesh të eksportuara për vitin 2022 janë eksportuar vetëm 37 kg, e cila është një shifër e papërfillshme kur e krahason me mbetjet e rrezikshme që janë gjeneruar paraprakisht në vitin 2021, por edhe më herët. Madje në vitin 2023 nuk ka asnjë informacion për eksportin e mbetjeve të rrezikshme. Në këtë raport duhet të ishte i publikuar eksporti i mbetjeve të rrezikshme, por Ministria dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit ose e kanë mbajtur të fshehtë ose nuk kemi pasur absolutisht eksport mbetjesh të rrezikshme në këtë rast. Pra, për vitin 2023 nuk dihet se çfarë ka ndodhur me 39 mijë tonë mbetjesh të rrezikshme, duke përjashtuar mbetjet e rrezikshme spitalore që llogariten më vete. Vetëm në vitin 2023, Ministria e Mjedisit ka lëshuar 56 autorizime për eksportin e mbetjeve të rrezikshme dhe të parrezikshme dhe këto mbetje janë eksportuar në Maqedoninë e Veriut, Itali, Belgjikë, Poloni, Slloveni, Greqi, Gjermani, Bullgari dhe Holandë. Madje, burime konfidenciale për “Vetting” zbulojnë se këto mbetje janë eksportuar edhe në Turqi.

SKEMA “SOKOLAJ SHPK”!

Para disa ditësh, Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro ishte e ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24”, ku foli edhe për problemin e mbetjeve të rrezikshme. Paraprakisht, “Vetting” kishte zbuluar se kompania “Sokolaj” në pronësi të Gjovana Sokolaj, e cila është nën hetim nga Prokuroria e Durrësit kishte shtuar një kod në vitin 2023 nga licenca që kishte marrë miratimin nga Ministria dhe Agjencia e Mjedisit për transportin e mbetjeve të rrezikshme. Kompania ka përfituar kodin e ri “12 01 17*”, i cili bën fjalë për mbetjet e materialeve shpërthyese, të tjera nga ato që përmenden te kodi 12 06 01. Misteri me këtë kod lidhet me faktin se askush nuk e di se për çfarë mbetjesh të rrezikshme bëhet fjalë. Gjatë një prononcimi të ministres Kumbaro, për “News 24” e ftuar nga gazetarja Nisida Tufa, e cila u pyet: “ Një vit më pas leja e kompanisë pëson ndryshime, të cilat do të rrisnin kapacitetet e mbetjeve toksike dhe është çështja e kodeve, që të mos i hyjmë çështjes së kodeve…ajo që shqetëson publikun, por nuk di nëse mund ta marr nga ju këtë përgjigje. Për çfarë mbetjesh materialesh shpërthyese flasim që përdoren nga kompanitë private apo nga ushtria? Mirela Kumbaro: “Licenca që nuk i intereson publikut se si quhet, është licenca e parashikuar nga ligji III.2.B.” Pavarësisht shqetësimit se për çfarë mbetjesh të rrezikshme të lëndëve plasëse bëhej fjalë, ministrja Kumbaro nuk iu përgjigj pyetjes së gazetares Nisida Tufa, por edhe shqetësimit të ngritur më herët nga emisioni “Vetting”. Por le të rikthehemi te dokumentet zyrtare të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, ku në vitin 2022 janë eksportuar vetëm 37 kg mbetjesh toksike. Përveç vitit 2022 që përkon me licencën e marrë nga “SOKOLAJ” shpk kemi edhe një detaj të rëndësishëm që vjen për herë të parë nga “Vetting”. Në raportin zyrtar për gjendjen e mjedisit evidentohet se janë eksportuar nga Shqipëria 37 kg mbetjesh të rrezikshme, që përmbajnë absorbente, lecka të kontaminuara, paketime të kontaminuara, filtra naftë, mbetjesh materiale shpërthyese etj. Duhet theksuar se këto mbetje nuk janë specifikuar dhe janë vendosur bashkë dhe ngrihet pyetja: Si është bërë eksporti?

Pra, gjenerimi i një sërë transaksionesh, veprimesh dhe marrja e një autorizimi nga Ministria e Mjedisit për vetëm 37 kg mbetje toksike, ngrenë pikëpyetje se me çfarë mbetjesh toksike kemi pasur të bëjmë.

Por si arriti një kompani si “Sokolaj shpk” të marri një licencë kaq të rëndësishme dhe të krijojë një grup kompanish me shtrirje jashtë Shqipërisë? Kjo kompani është themeluar në vitin 2006 nga Gjovana Sokolaj dhe bashkëshorti Doni Sokolaj dhe ka pasur si aksioner edhe turkun Serdar Can Hakliol, i cili aktualisht rezulton aksioner te kompania “Florester Metalik” së bashku me Gjovana Sokolaj. Ky subjekt ka si veprimtari kryesore tregtimin me shumicë dhe pakicë të të gjitha materialeve të ndërtimit dhe çdo materiali tjetër që përdoret në sektorin e ndërtimit.

Megjithatë një detaj i rëndësishëm është evidentuar nga transporti i dyshuar për eksportimin e mbetjeve të rrezikshme. Çfarë ka ndodhur?

“Vetting” zbulon se “Sokolaj shpk” ka eksportuar oksid hekuri pa autorizimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit nga Porti i Durrësit. Nga informacionet zyrtare nga Agjencia e Mjedisit rezulton se nga dokumenti doganor “Sokolaj shpk” ka kryer eksport të oksidit të hekurit, ku theksohet se mbetje te smarcit dhe okalines, që klasifikohen si okside hekuri dalin nga procesi teknologjik i punës së shoqërisë “Kurum International sh.a.” Sipas ekspertëve mjedisorë, oksidi i hekurit është mbetje e parrezikshme. Pra, sipas Agjencisë së Mjedisit kemi vetëm oksid hekuri, por pa autorizimin e Ministres Mirela Kumbaro, e cila ka konfirmuar këtë fakt edhe në deklaratën për “News 24”. Ministrja Kumbaro u shpreh se subjekti në fjalë nuk ka marrë kodin e autorizimit nga institucioni, i cili shërben për gjurmueshmërinë e tij.

KUSH FSHIHET PAS KOMPANISË SOKOLAJ

Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se Gjovana Sokolaj është aksionere te 4 kompani, “Florester Metalik”, “Sokolaj” shpk, “S Corp” dhe “Scholz” shpk. Kompania “S Corp” sh.a ka patur si veprimtari fushën e energjisë dhe e ka kryer aktivitetin për vetëm 3 vite pasi ka filluar procedurat e likuidimit. Kjo kompani rezulton në pronësi të Gjovana dhe Doni Sokolaj me qendër në qytetin e Lushnjës. Familja Sokolaj ka aksione edhe te kompania “Scholz” shpk, të cilën e ka në bashkëpronësi me 50% të aksioneve me kompani gjermane, e cila ka pjesën tjetër të aksioneve dhe rezulton me pronarë fundorë kompaninë private kineze “Chiho Environmental Group Limited”. “Scholz” shpk ka si objekt veprimtarie grumbullimin, përpunimin, riciklimin, tranzitimin, transportimin dhe eksportimin e mbetjeve të ngurta dhe të vëllimshme me përmbajtje metalore, si edhe riciklimin e pjesëve dhe mbetjeve te hekurit. Në vitin 2014, kjo kompani ka marrë licencën III.2.B nga Agjencia e Mjedisit dhe ka një pikë grumbullimi në zonën e Xhafzotaj në rrugën e Fllakës. “Scholz” ka një histori të gjatë me ndryshimin e aksionerëve dhe administratorëve, ku disa prej tyre janë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Kjo kompani është themeluar në 4 shtator 2008 nga kompania gjermane “Scholz Internationale Handelsgesellschaft”, e cila në 2016 kaloi në pronësi të kompanisë kineze, me Drejtor të Përgjithshëm shtetasin malazez Branislav Pejovic dhe ky i fundit i përfaqësuar nga shqiptari Rado Brajoviq. Në 14 nëntor 2012, Branislav Pejovic dhe Rado Brajoviq largohen për t’ia lënë vendin si administrator të kompanisë kroatit, Kruno Kovaçeviç dhe kosovarit Arsim Muja. Një vit më pas, në nëntor 2013 emërohet administratore Gjovana Sokolaj duke zëvendësuar Arsim Mujën dhe Kruno Kovaçeviç, e cila është edhe pronarja e “SOKOLAJ” shpk. Në nëntor 2014, kompania gjermane emëron si administrator shtetasin maqedonas Blazhe Mitrevski dhe shkarkon Gjovana Sokolaj.

Një detaj i rëndësishëm do të shënjonte historikun e kësaj kompanie, e cila paraprakisht, në 17 maj 2014 do të bënte një marrëveshje për transferimin e 50 % të aksioneve, përkatësisht 25% të Doni Sokolaj dhe 25% të Gjovana Sokolaj me vlerë 250 euro. Në kundërshtim me ligjin, kjo kompani nuk ka deklaruar bilancet e saj vjetore në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku mungojnë të dhënat për vitin 2014.

Duke parë vetëm të dhënat për bilancin e vitit 2012, është e habitshme se si një kompani që ka të ardhura 225 milionë lekë ose 2.2 milionë euro i shet aksionet me këtë vlerë, por një fakt interesant del në skenë. Për periudhën 2014-2023 kompania “SOKOLAJ” kishte transferuar 3.2 milionë euro te kompania “Hakliol Madencilik” në Turqi. Ekskluzivisht “Vetting” zbulon se kjo kompani rezulton e përfshirë edhe në marrëveshjen midis gjermanëve dhe familjes Sokolaj, duke ndryshuar edhe emrin e operatorit nga “SCHOLZ” në “Scholz & Sokolaj”. Por para dy muajsh, ortaku turk Serdar Can Hakliol i shet pjesën e vet Gjovana Sokolaj te kompania “SOKOLAJ” shpk. Nga kërkimet e “Vetting” në regjistrin zyrtar të biznesit në Turqi, kompania me kodin e afishuar në dokumentet zyrtare që është bërë transaksioni në Shqipëri rezulton me statusin e fshirë dhe me emrin “REKOR PASTAHANESÝ TANAÞ PERÝFTÝ VE LEONÝDA YOTO ÞÝRKETÝ”. Sipas të dhënave, kjo kompani ka pasur si objekt veprimi fushën e pastiçerisë, por rezulton e fshirë nga regjistri zyrtar dhe nuk gjendet asnjë lloj informacioni për aksionerët dhe administratorët.

Denoncimi nga organizata ndërkombëtare mjedisore “Basel Action Network” ekspozoi inekzistencën e institucioneve shtetërore, të cilat duhet të kishin zbuluar trafikun e mbetjeve.

Dokumentet e publikuara nga BAN me qendër në Bazel zbuluan se prej muajsh në Kinë, në Portin e Nanshas, janë bllokuar 115 kontejnerë nga dogana kineze Fangcheng, që kanë ardhur nga Porti i Durrësit. Sipas dokumenteve të përkthyera në anglisht nga BAN BAZEL rezulton se kemi deklarime të ndryshme nga ajo që është deklaruar në Portin e Durrësit pasi kemi të bëjmë me mbetje të ngurta. Në dokumente deklarohet koncentrat zinku, kurse nga analizat e kryera në laboratorët kinezë ka mbetje të ngurta. Për herë të parë, zbulohet se duke ndjekur gjurmën e kontejnerëve sipas sistemit të gjurmimit MAERSK, ngarkesat në anije janë vendosur në Portin e Pireut duke nxjerrë zbuluar se kontejnerët janë shkarkuar në Greqi për t’u ngarkuar përsëri me destinacion final Kinën. “Vetting” u përpoq të kontaktonte me zyrën e shtypit të Maersk, me Pavl Rasmussen për çështjen e kontejnerëve në Kinë që sipas BAN Basel kanë dalë me mbetje të ngurta, por kësaj radhe përfaqësuesi i MAERSK nuk pati asnjë koment. Të dhënat zyrtare nga regjistri zviceran i biznesit tregojnë se si përfaqësues të kësaj kompania janë, Jeton Islami dhe Sefik Ibraimi. Prej vitit 2018 kjo kompani kryen veprimtarinë minerale, në kërkime gjeologjike dhe shfrytëzimin e kromit në zonën e masivit të Lubotenit në Kosovë nëpërmjet dy degëve të saj “Achro – shpk” dhe Achro-gl shpk”. “Achroshpk” ka si aksioner “Achroag” zvicerane me 80% dhe Visar Suhodolli me 20% dhe drejtor Arjan Djeladini. Ndërkohë “Achro-Gl” shpk ka si drejtor Kujtim Hamidin dhe është plotësisht në pronësi të kompanisë zvicerane.

“Vetting” u përpoq të kontaktonte në linjë telefonike Visar Suhodollin dhe përfaqësues të kompanisë “Achro” shpk në Kosovë dhe “Albrecovery” në Shqipëri, por deri në publikimin e këtij materiali ishin të paarritshëm. Por në Kosovë, Gjovana Sokolaj ka edhe një tjetër kompani “GG SA 2019” shpk, të cilën e ka në bashkëpronësi me Adriatik Hoxhën. Nga të dhënat zyrtare në regjistrin kombëtar të biznesit në Kosovë, kjo kompani është themeluar në vitin 2019 dhe si drejtoreshë ka znj. Sokolaj. Ashtu si kompania në Shqipëri, edhe kjo kompani me qendër në Prishtinë ka si objekt grumbullimin, transferimin dhe asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme. Nga hulumtimi i të dhënave bie në sy fakti që pronarët e kompanisë kanë vendosur si opsion te veprimtaria e kompanisë edhe përpunimin e lëndës djegëse nukleare. Kosova nuk është e përfshirë në vendet që përdorin si burim energjie lëndët nukleare. Për të kuptuar më shumë “Vetting” kontaktoi zyrën e Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore. Më herët, Doganat e Kosovës kanë dalë në deklaratë për mediat pas deklaratës së Drejtorisë së Doganave në Shqipëri. “Eksporte të ngjashme bëhen vazhdimisht nga industria e Republikës së Kosovës dhe nuk ka pasur ndonjëherë pretendime për klasifikim të këtyre produkteve si mbetje të rrezikshme”, deklaron Dogana Kosovë duke iu referuar koncentratit të Zinkut. Dogana e Kosovës shton se ka hapur një hetim mbi këtë çështje dhe do të shqyrtojë të gjitha rastet që lidhen me këto dërgesa dhe do të informojë publikun.

Dhunon nxënësin, arrestohet mësuesi

Një mësues në fshatin Mollas të Elbasanit është proceduar penalisht nga Policia.

Sipas një komunikate dyshohet se 40-vjeçari ka goditur një nxënës.

Njoftimi i policisë:

Komisariati i Policisë Cërrik referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin:

A. C., 40 vjeç, mësues në shkollën e fshatit Mollas, pasi dyshohet se ka goditur me shuplakë, një nxënës të klasës së shtatë.

Ku shkon o shqiptar?

Nga Artan Fuga

Unë mendoj se ne shqiptarët nuk e kemi përfunduar formimin mendor, shpirtëror dhe madje edhe politik si komb i pjekur përfundimisht.

Pavarësisht traditave tona gjigande në kulturë dhe qytetërim. Pavarësisht se sikurse unë mendoj shteti i parë shqiptar është në shekullin e 15 me Gjergj Kastriotin, themeluar në Lezhë, dhe jo në shekullin e 20-të.

Por, lidhja jonë shpirtërore si një komb i pjekur nuk e mbaroi dot procesin e pjekurisë së vet.

Mbetëm në gjysmë të rrugës, fatkeqësisht.

Nga kjo vuajmë sot jashtëzakonisht shumë. Shumë ngjarje dhe proceseve që prekin sipërfaqshëm politikanë që hiqen si ideologë, ideologë gjysmakë që hiqen si opinionistë, opinionistë që në fakt janë propagandistë, etj., nuk shpjegohen në mënyrë fluturake.

Fakti që procesi i pjekurisë së lidhjes sonë shpirtërore kombëtare nuk ka përfunduar, u la në mes, është thelbi i të gjitha tragjedive tona të reja, i rreziqeve që na përballin edhe me çbërjen e mundshme nëse nuk arrijmë t’i thërrasim mendjes!

Ku po shkon o shqiptar?

Kjo ndërprerje e formimit tonë shpirtëror dhe politik kombëtar ka ardhur nga shumë rrethana që kanë nevojë të studiohen thellë jo të kemi përgjigje me klithma e të bërtitura si prej ushtarakësh në rezervë !

Gjergj Kastriotit iu ndërpre projekti i tij i formimit kombëtar që ai e pati në mendje sepse në shpatë nuk mund ta kishte, meqë shpata osmane ishte sigurisht më e fortë. Projekti i tij erdhi shpejt, si mimoza në dimër, prandaj rreshjet e shiut dhe dëborës anadolliane e thanë. Kombet e tjera evropiane në atë kohë ishin ende në gjumë.

Pesëqind vjet, mimoza sikurse do ta thoshte Sami Frashëri, ndejti e fshehur në dëborë.

Rilindasi menduan bukur mirë ta zgjonin sidomos kur panë se Stambolli po na merrte me vete. Por, edhe ata ishin shumë të ndikuar me Stamboll.

Nuk kishin ç’bënin tjetër veçse na thanë se jemi një sepse flasim një gjuhë. Na mblodhën rreth një gjëje materiale, por jo shpirtrore.

Ata e krijuan kombin në letërsinë dhe ideologjinë e tyre, por mbeti një komb virtual, intelektual, në libra, sepse ideja nuk mund të rrëmbejë dhe të rrënjoset në mendjet e njerëzve, (sidomos dikur analfabetë ) kaq shpejt. Kombeve të tjerë u janë dashur disa shekujt në liri që ta bëjnë. Ne nuk na e dha historia shansin.

Pas luftrave të shekullit të 20, erdhi lufta e klasave që si mekanizëm është që ta përçajë kombin jo ta formojë.

Autoritarizmi i Enverit krijoi idenë sa me propagandë aq dhe me politikë që ne ishim formuar si komb çeliku. Por, unitetin iluzior na e krijonte mbyllja me tela me gjemba e kufirit jo lidhja jonë e përbashkët shpirtore si komb. Teli me gjemba krijoi frymëzimin që sapo të binte, shqiptari të ikte nga foleja – komb që i ishte bërë burg.

Procesi kishte mbetur përgjysëm kur u hap çdo gjë, kufij, mendja, erëra ideologjike globaliste dhe ne na ka marrë era.

Na shpërndau era globale cep më cep.

Sepse nuk ishim ngjizur ende me njeri tjetrin shpirtërisht për të qenë një komb që nuk e lë individin t’i largohet forcës cenntripete.

Ne jemi centrifugë dhe jo centripetë!

Zamku i hedhur për të na bashkuar, ngjitur, me njeri tjetrin, nuk ishte tharë mirë dhe liddhja u shqit.

Grindemi me nënë e me babë me njeri tjetrin, mbyllemi në regjionalizma krahinore sikurse Noli na e vinte në dukje aq me cinizëm, por realisht.

Me shqiptarët kosovarë një mërzi dhe mëri që veç dreqi e kupton se kush e fut në lojë.

Hallet na bëjnë si zogjtë e kombit? Jo! Halle ka pasur boshnjaku, serbi, kroati, gjermani, francezi, italiani, greku, por nuk është gjymtuar kështu, ka qëndruar, edhe kur ka ikur ka riardhur në mjaft raste.

Dalin nxënësit nga shkollimi dhe i pyet: Mor po kush ishte Petro Nini Luarasi? Të sheh me sy të habitur. Kush është Gjergj Fishta? Kujton se po i flet për ndonjë aktor filmash në Hollywood me origjinë shqiptare.

Duhet ta kuptojmë këtë se përndryshe këngët me theks kombëtar do t’i dëgjojmë vetëm në stadiume, si këngë tifozësh të ndërkryer, atje ku nuk duhet, ndërkohë që në fushë luajnë lojtarët, çunat tanë, por që nuk dihet se sa pasaporta kanë!

Amerika në 2 ditë, aktivizoi 3 “sulme” kundër Edi Ramës

Nga Sokol Pepushaj

Edi Rama i ka ditë të numëruara. Ka disa orë që kështu flitet gjithandej nëpër fshat.

U tërbua sa “urdhëron” drejtësinë të dënoi me burg edhe deputet të opozitës, vetëm se deklarojnë se filan vëlla ministri është i dënuar në Itali si trafikant droge dhe në Shqipëri vazhdon kontrabandën të lirë.

Por të mos largohemi nga tema e ditës që po i numëron orët këtij sistemi kriminal.

Në dy ditë, u regjistruan tre sulme shkatërrimtare për mikun e gjithë matrapazëve të globit që është armiqësuar me popullin e vet.

1-Amerika fshiu nga harta e Mafies shtetin e Baba Mondit, ditën që Babloku i Surrelit u bë gati t’i festojë ditëlindjen.

2-Autorizoi Senatin Amerikan për të ndjekur gjurmët se kush desh ja fali si sadaka ishullin e Sazanit Kompania amerikane “Affinity Partners”, e dyshuar si panterë e egër që do “hante” në një sahan me Bablokun tonë, Aleksandër Vuçiç, Richard Grenell dhe ca grepa që do të jenë në sitën e drejtësisë.

3-Hegjemonët të DEA-s Amerikane i lexuan Altin Dumanit kartën, se do të vendosin selinë e tyre në Tiranë për të ndjekur gjurmët e karteleve të drogës.

Tre ngjarjet janë rrethim i familjes kryeministrore.

Shtetin e Baba Mondit e treti toka shpejt, por Babloku ka shumë dhjamë e shkrirja do të vazhdoi me hetime të hollësishme, derisa edhe “tepsia” e Altin Dumanit, të lëpihet me gishta nga të gjithë kurba e kriminelëve që mendonin se me paratë e vjedhura, blejnë edhe DEA-n, edhe FBI-në, edhe Kongresin Amerikan.

Dita e gjykimit nuk qenka dhe aq budallaqe.

U zgjua nga gjumi në momentin që “vdiq” Shteti i Baba Mondit, territor brenda kokës së Bablokut. Atë çast lindi “Shteti i DEA-s”, territori amerikan, ku vëlla Olsi, nëse janë të vërteta hetimet e hetuesve të Hanovrit, do të shkoi si Çeçua, ku tjetër, përveçse në sekuestro dhe burg.

Logjikisht, do të grisen fletët e dosjes së ‘Xibrakës’ në SPAK, pasi mendohet të jenë spanuar akuzat, sa nuk marrin shtrëngim me çelësat e ca prokurorëve kontingjent për shokë burgu me Olsin, Saliun, Ilirin, Edin, Engjëllin, Fatmirin dhe gjithë këta që fati nuk i deshi të jenë të përjetshëm.

Pra DEA nuk vjen për kortezi, por për të veshur me të zeza familjen kryeministrore.

Nga sot e mbrapa, hiqeni nga truri, se Edi Rama është administratori i fateve dhe fatkeqësive.

Nuk gjen tokë ku të ngulë këmbët.

Përballë ka Senatin Amerikan, djathtas DEA-an, majtas FBI-në e mbrapa popullin që e përcjellë me “gurë” e mallkim, qofsh i fundit hajdut në krye të këtij vendi mik i Amerikës!/Pamfleti

Përplasen dy mjete, mbetet i lënduar njëri prej drejtuesve

Një aksident ka ndodhur sot në në aksin rrugor “Laç- Milot”, ku dy mjete janë përplasur me njëra-tjetrën.

 

Për pasojë, drejtuesi i njërit prej mjeteve ka mbetur i lënduar dhe është transportuar në spital.

Grupi hetimor vijon veprimet në vendngjarje për përcaktimin e shkakut të aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 14:30, në aksin rrugor “Laç- Milot”, automjeti me drejtues shtetasin E. M., është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin N. P.

Si pasojë është dëmtuar lehtë drejtuesi i automjetit shtetasi E. M., i cili u transportua në spital për ndihmë mjekësore.

Grupi hetimor vijon veprimet në vendngjarje për përcaktimin e shkakut të aksidentit.

Ligji i ri: Nxënësit që fyejnë mësuesit gjobiten 10 mijë euro!

Dhoma e deputetëve italianë i ka dhënë dritën jeshile përfundimtare projektligjit të ministrit të Arsimit Giuseppe Valditara, lidhur me sjelljen e nxënësve në shkolla. Qeveria e Giorgia Melonit po e rikthen këtë politikë të kohës së Benito Mussolinit për të rikthyer respektin në klasë dhe shkollat e vendit.

Ministri e prezantoi ligjin si një hap themelor për ndërtimin e një sistemi shkollor që rikthen autoritetin te mësuesit.

“Me këtë reformë, sjellja e nxënësve do të rëndojë në vlerësimin e përgjithshëm të karrierës shkollore dhe pranimit në provimet shtetërore. Ndryshon institucioni i pezullimit. Për nxënësin që shkel rregullat e bashkëjetesës civile; për rastet më të rënda do të ketë punësim në veprimtari solidariteti qytetar. Objektivi është të mbështesim punën e përditshme të mësuesve dhe të gjithë stafit të shkollës, në mënyrë që të rinjtë të kenë të qartë jo vetëm të drejtat, por edhe detyrat që rrjedhin nga përkatësia në një komunitet, duke filluar nga detyra e respektit ndaj tjetrit”.

Gjoba për ata që fyejnë stafin e shkollës!

Projektligji i Valditarës, vendos sanksione për këdo që ofendon stafin e shkollës. Siç thuhet në nenin 3 të ligjit, urdhërohet pagesa e një shume prej 500 deri në 10.000 euro në favor të institucionit arsimor, në rast se nxënësi sillet keq në shkollë. Për notën e sjelljes do të ndikojë edhe në notën përfundimtare të provimit të maturës. Nëse pezullimi zgjat më shumë se dy ditë, studentët duhet të angazhohen në aktivitete solidariteti qytetar.

Ligji hyn në fuqi këtë vit shkollor.

Investigimi/ “Spitali i vdekjes”, Onkologjiku pa ilaçe dhe me aparatura të prishura!

Disa javë pas skandalit që preku Spitalin Onkologjik në QSUT, ku mjekët kishin krijuar një skemë për t’i çuar pacientët te privati, ky repart vijon të lëngojë.

Qindra pacientë me sëmundje kancerogjene po vuajnë sorollatjet në këtë spital, duke rrezikuar edhe jetën. Fiks Fare ka bërë një vëzhgim disa javor në këtë spital, ku ka mungesa në medikamente jetësore dhe prishje të aparaturave po jetësore për të bërë kimioterapi dhe rreze. Por, për çudi, ilaçet që janë për përdorim spitalor gjenden në farmacitë afër QSUT-së.

Dy ditët e fundit, të mërkurën dhe të enjten (26.09.2024), qindra pacientë që vuajnë nga kanceri i zorrës së trashë janë lajmëruar me telefon nga stafi i këtij spitali se aparatura që bën këto rreze është prishur.

Mungojnë ilaçet e zorrës së trashë dhe vezoreve

Fiks Fare ka bërë një vëzhgim disa javor në Spitalin Onkologjik në QSUT, ku është konstatuar mungesa e dy medikamenteve, të cilat përdoren për kimioterapi. Këto dy medikamente janë “Irinotekani” dhe “Carboplatine”. “Irinotekani” është një medikament, i cili shërben për trajtimin e kancerit të zorrës së trashë. Ndërkohë, “Carboplatina” përdoret për trajtimin e kancerit të avancuar të vezoreve.

Gazetarët e Fiks Fare biseduan me pacientë, të cilët tregojnë se kanë hasur shumë vështirësi në gjetjen e ilaçeve për kimioterapitë. Dy pacientë tregojnë se e blejnë ilaçin në farmaci private afër QSUT-së, pasi në Onkologjik nuk ka dhe se këtë medikament, pasi e blejnë në privat, e bëjnë në spital. Fiksi bisedoi edhe me kryeinfermierin dhe një infermiere të Onkologjikut, të cilët pranojnë se ka mungesë të këtyre medikamenteve. Ata pranojnë se këto dy medikamente janë në mungesë prej ditësh dhe se nuk e dinë se kur mund te vijnë. Kryeinfermieri tha se ka nisur një mesazh në mëngjes që këto medikamente mungojnë dhe se janë në pritje të përgjigjes së tyre.

Por, çfarë u ndodh pacientëve nëse nuk marrin këto medikamente?! Mjekja e vetë Onkologjikut thotë se “Carboplantina” mund të zëvendësohet, por s’ka të njëjtin efekt! “Këto ilaçe janë në mungesë dhe nuk e dimë se kur mund të vijnë. Ajo thotë se medikamenti “Irinotekan” nuk ka zëvendësues. Mjekja pohon se gazetarët e Fiksit duhet të flasin me mjeken që e ndjek pacienten dhe ajo mund të ndryshojë dozën.

Ilaçet spitalore mungojnë në shtet, blihen në farmaci private!

Përgjegjësit e Onkologjikut e pranojnë se ka mungesa të dy medikamenteve, por ato gjenden lehtësisht në farmacitë private edhe pse janë ilaçe spitalore. Fiksi nuk e gjeti ilaçin në Onkologjik, por në farmaci private, shumë afër derës së QSUT-së!

“Irinotekani” dhe “Carboplatina” janë dy medikamente që nuk lejohet të shiten në farmaci. Fiksi u interesua në një nga farmacitë pranë spitalit të QSUT dhe arritën të gjenin “Carboplatinën”, e cila kushtonte 100 mijë lekë.

Pas këtyre problematikave, Fiksi shkoi në Drejtorinë e Spitalit “Nënë Tereza”, për të pyetur për dy medikamentet jetësorë. Por, edhe në këto zyra, gjen të tjerë pacientë dhe të afërm të tyre që kërkojnë të trajtohen. Ata prisnin një përgjigje për mungesën e medikamentit “Irinotekan”. Një nga qytetarët thotë se është hera e katërt që ka mungesa të tilla dhe se kjo gjë po kthehet në një problem shumë të madh, pasi nuk po arrijnë të marrin mjekimet në kohë.

Gjithashtu, pacientja tha se ka 4 kimioterapi që nuk i ka bërë, të cilat dita ditës po i shtyn si pasojë e mungesës së këtij ilaçi dhe gjithmonë është e njëjta situatë. Ky është një ilaç i cili mund të merret vetëm pranë spitalit pasi në farmaci nuk është e lejuar të shitet.

Ndërsa, për spitalet private, pacientët thonë se nuk kanë mundësi që t’i marrin. Gjithashtu ata thanë se kanë shkuar disa herë pranë zyrave të QSUT-së për informacion, por nuk marrin asnjë përgjigje.

Një nga pacientet që ndodhej në atë zyrë u shpreh se ka bërë një kërkesë pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe në përgjigjen që i ka ardhur nga ata ju është thënë se bari “Irinotekan” nuk ka mungesë në Onkologjik dhe se spitali është furnizuar. Por, dhe pas kësaj përgjigje, në spital mungon ky medikament!

QSUT-ja: Lekët janë, por ka pasur vonesa në furnizim dhe prodhim!

Shefja e informacionit thotë se bari “Irinotekan” ka mungesë, ndërsa për “Carboplatinën” tha që nuk ka asnjë informacion. “‘Irinotekani’ do të vijë ditën e hënë dhe se kjo është përgjigja ime e fundit” pohon përgjegjësja. Gjithashtu ajo shton se magazina-depoja nga e cila e marrin këtë medikament, nuk ka pasur në gjendje për momentin.

Fiks Fare kërkoi një informacion zyrtar nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ky institucion, në përgjigjen e tyre, shprehet se: “Lidhur me kërkesën tuaj për barin ‘Irinotekan’, ju informojmë se kemi furnizim të mjaftueshëm për të mbuluar nevojat dhe çdo pacient është duke marrë terapinë e indikuar nga mjekët”. Por, krejt të kundërtën thonë pacientët, të cilët thanë se kanë humbur nga 4 seanca kimioterapie për mungesën e këtij bari.

Më tej, në përgjigje QSUT shton se “ka një kontratë në fuqi për furnizim me bar ‘Irinotekan’ dhe furnizimi ka qenë periodik, por me raste sporadike kemi pasur vonesa në furnizimin me këtë medikament”. Pra, Spitali pranon se ka pasur vonesa në furnizim me këtë medikament!

Ndërkohë, për mungesën e barit “Carboplatin”, QSUT shkruan se “ka kontratë të lidhur për furnizimin e tij, por si pasojë e problematikave të prodhimit, herë pas here kemi hasur në mungesa, të cilat lidhen me prodhimin, jo me fondet apo procedurat e QSUT. Nga ana jonë janë marrë të gjitha masat për të mbuluar nevojat.” Për të dyja ilaçet, drejtoria e Spitalit ka pranuar se ka mungesa. Mungesa të cilat sorollasin dhe rrezikojnë jetën e pacientëve me sëmundje të rënda!

Prishet aparatura e rrezeve, mjekët: Tani, me shpresë te Zoti!

Në redaksinë e Fiks Fare kanë mbërritur të tjera informacione për Spitalin Onkologjik. Pacientë dhe familjarë të tyre ankohen edhe për aparatin e rrezeve, i cili iu bëhet të sëmurëve me kancer të zorrës së trashë.

Këta pacientë duhet të bëjnë një seri trajtimesh, 5 herë në javë, nga e hëna në të premte, pa ndërprerje. I gjithë procesi zgjat rreth 1 muaj.

Por, ditën e mërkurë dhe ditën e enjte (sot, 26.09.2024) pacientët dhe familjarë të tyre janë lajmëruar nga stafi i Onkologjikut se ky aparat është prishur. Sipas mjekëve dhe personelit, po bëhet një tentativë për ta rregulluar, por ajo dështoi të mërkurën dhe të enjten. Për ditën e premte, stafi shkruan se “me shpresë të Zotit”.

Kamera e Fiksit shkoi sërish në Spitalin Onkologjik, ku pyeti personelin për prishjen e këtij aparatit të rrezeve. Ata pranojnë se një aparaturë e quajtur “Vomat” është prishur prej disa ditësh. Sipas tyre, punon një tjetër aparaturë e ngjashme, por ajo nuk është efektive.

Veprimet apo mosveprimet e drejtuesve të Spitalit Onkologjik rrezikojnë çdo ditë që mijëra pacientë të mos trajtohen me ilaçe dhe aparature jetësore.

“Ekonomia gjermane nuk po del nga stanjacioni”/ DW: Prodhimi i përgjithshëm bruto pritet të ulet më 0.1%. Përmirësim i lehtë në vitin…

Institutet më të njohura të ekonomisë në Gjermani publikuan prognozën e tyre për ekonominë e vendit. Edhe këtë vit prodhimi i përgjithshëm bruto i Gjermanisë pritet të ulet më 0.1%. Përmirësim i lehtë pritet në 2025-n.

Institutet më të njohura studimore gjermane për ekonominë kanë prezantuar së bashku prognozën koniunkturore. Ata presin një zhvillim ekonomik të dobët në Gjermani.  Sipas prognozës së tyre prodhimi i përgjithshëm bruto në këtë vit në vazhdim do të ulet me 0,1%. Në pranverë ata kishin parashikuar një plus me 0,1% dhe kishin konstatuar se”ekonomia në Gjermani është e dobësuar.”

Përmirësim i lehtë pritet në vitin 2025, një plus prej 0,8%, por në pranverë institutet kishin llogaritur një plus me 1,4%. Në bazë të prognozave të deritanishme në vitin 2026 pritet një rritje ekonomike prej 1,3%.

Ndryshimi strukturor dhe konkurrenca nga Kina

Dobësimi koniunkturor në Gjermani zgjat prej kohësh. Në vitin 2023 ekonomia më e madhe europiane u tkurr me 0,3%. “Krahas dobësimit koniunkturor ekonominë gjermane e rëndon edhe transformimi strukturor”, citon portali tagesschau Geraldine Dany-Knedlik, drejtuesja e departamentit “Prognozë dhe Politikë Koniunkturore” në Institutin Gjerman të Ekonomisë, DIW. “Dekarbonizimi, digjitalizimi, ndryshimi demografik dhe po ashtu konkurrenca më e fortë me kompani në Kina kanë vënë në lëvizje procese rregullatore strukturore që i ulin perspektivat e rritjes të ekonomisë gjermane.”

Kritika ndaj paketës për rritjen ekonomike të qeverisë gjermaneQeveria federale planifikon një paketë të rritjes ekonomike për shkak të dobësimit të ekonomisë. Megjithatë, masat nuk janë të mjaftueshme për shoqatat e fuqishme të biznesit. Ato kërkojnë reforma themelore dhe ankohen për çmimet e larta të energjisë krahasuar në shkallë ndërkombëtare, por edhe burokracinë e tepërt dhe mungesën e punëtorëve të kualifikuar. 

Prognoza e përbashkët ekonomike është përgatitur nga DIW, Instituti Ifo, Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore, Instituti Leibniz për Kërkime Ekonomike, Halle dhe RWI – Instituti Leibniz për Kërkime Ekonomike Essen. Ajo i shërben qeverisë federale si orientim për parashikimet e saj në tetor, të cilat merren si bazë për vlerësimin e të ardhurave të taksave./DW

“Diskriminim në kufi të racizmit”- Analiza e REL: Si është të jesh shqiptar në Serbi? Pasivizimi i adresave, formë e spastrimit etnik

Dy herë, në më pak se dy muaj, shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë ngritur zërin kundër diskriminimit që ata thonë se e përjetojnë çdo ditë në Serbi.

 

Përgjigjja e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për protestat e tyre?

“Askush nuk po i rrah, nuk po i ngacmon, apo diçka tjetër. Serbia është shtet demokratik dhe ne do të vazhdojmë të sillemi në këtë mënyrë”.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Në Kuvendin e Serbisë, shqiptarët kanë vetëm një zë: deputetin Shaip Kamberi.

Kërkesat kryesore

Në protestat e mbajtura, fillimisht në Bujanoc, e më pas në Preshevë, u bë thirrje për njohje të diplomave të Kosovës, për integrim nëpër institucionet shtetërore të Serbisë, për lejim të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare dhe për zgjidhjen e çështjes së pasivizimit të adresave.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.

Nëse vërtetohet që një banor nuk jeton në atë adresë, merret vendimi për pasivizimin e saj, dhe banori obligohet që të regjistrojë adresën e re brenda tetë ditëve, pas pranimit të vendimit.

Ndonëse ligji parasheh të drejtën për apel, qytetarët kanë thënë se, në disa raste, as nuk kanë mundur të ankohen ndaj vendimit, pasi nuk janë informuar me kohë për pasivizimin.

Kjo çështje është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.

Në të është thënë se pasivizimi i adresave duket se është kryer në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, sidomos në Medvegjë.

Diskriminim “në kufi të racizmit”

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar – organ përfaqësues i shqiptarëve në Serbi – ka thënë pas protestës së 23 shtatorit se diskriminimi i shqiptarëve “ka prekur kufijtë e racizmit”.

Sipas Nevzad Lutfiut, “nuk ka familje shqiptare, e cila nuk është prekur në ndonjë formë diskriminimi – e drejta është në anën tonë, dhe ne nuk do të heshtim derisa kërkesat të realizohen”.

Dhjetëra shqiptarë të Luginës kanë folur ndër vite për Radion Evropa e Lirë për mungesën e perspektivës në këtë rajon. Disa prej tyre paguhen sikurse të kenë shkollim të mesëm, meqë diplomat e lëshuara prej institucioneve të Kosovës nuk u janë njohur kurrë.

Çështja e diplomave është rregulluar me disa marrëveshje të arritura në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe me një marrëveshje mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit. Kosova i ka respektuar këto marrëveshje.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar në të kaluarën me disa serbë, të cilëve u janë pranuar në Kosovë diplomat e lëshuara nga Serbia dhe që kanë arritur të punësohen.

Banorët e Luginës dhe udhëheqës të komunave atje kanë kërkuar disa herë që të ketë prani të mekanizmave ndërkombëtarë, në mënyrë që të monitorohen kushtet e jetesës në atë pjesë.

Ata kanë akuzuar përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar në Beograd për mosreagim ndaj trajtimit që u bëhet.

Pasivizimi i adresave, “formë e spastrimit etnik”

Në raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Serbi, të vitit 2021, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përshkruhen si pengje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas raportit, çështja e pasivizimit të adresave “në thelb është formë e spastrimit etnik nëpërmjet metodave administrative”.

“Shqiptarët e kanë shfaqur dëshirën për integrim, mirëpo Beogradi nuk ka treguar vullnet politik. Ndonëse nuk ka tension mes qytetarëve, vërehet rritja e mosbesimit ndaj institucioneve”, përmendet mes tjerash në raport.

Përfaqësuesit e Luginës dhe shteti serb kanë arritur tri marrëveshje – më 2001, 2007 dhe 2013 – që parashohin mbrojtjen e të drejtave dhe integrimin e pakicës shqiptare, por nuk janë bërë lëvizje në zbatimin e tyre.

Në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian për Serbinë, për vitin 2023, është vlerësuar që “me gjithë detyrimin ligjor për ta marrë parasysh përbërjen etnike të popullsisë, pakicat kombëtare janë ende të nënpërfaqësuara në administratën shtetërore”.

Integrimi i shqiptarëve në institucione është pjesë e obligimeve të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ndihma e Kosovës për Luginën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë pas protestës së mbajtur në gusht se shqiptarët po përballen me situatë të papranueshme, dhe se mbetet i përkushtuar për të ngritur zërin për shqetësimet e tyre.

Në nëntor të vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se ndihma e shtetit për Luginën e Preshevës këtë vit do të jetë 3 milionë euro, një milion më shumë se në periudhën paraprake.

Ditë më parë, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për ndarje fondesh për sigurim të teksteve mësimore shqip për 3.708 nxënës shqiptarë të Luginës.

Megjithatë, mungesa e investimeve dhe barrierat e vazhdueshme besohet se kanë ndikuar në largimin e rreth 20.000 shqiptarëve prej këtij rajoni, kryesisht drejt shtetit të Kosovës./REL

“Ndërsa u dukën eshtrat e para shtriva…”- Dëshmia e trishtë e ish-të burgosurit politik: Duke renditur çdo kockë që nxirrnim u dukën edhe opingat pa prishur dhe dy kafka

Nga Shkëlqim ABAZI

 

Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.

 “Vend kemi plot”! – ndërhyri Faiku.

“Jo, do nisemi nga pragu i shtëpisë. Nesër më shtatë te ura e Vodicës”, – i dha udhë Muharremi.

“Duam të dalim nga dera e babait”! – e mbështeti mbesa.

Pasi u ndamë shkova në Komisariat, takova I-në dhe i fola për ç’u vendos.

Të nesërmen u takuam në Vodicë me familjarët e Aliut, pimë kafet në Mbrakull, pa vajtur ora shtatë dhe hodhëm lumin në va. Nga zalli i Osumit, morëm përpjetë ullishtën për Malinat, në bregun e Trëndafilit.

I.-ja, sugjeroi të ndalnim dhe vetë u fut grykës së përroit e humbi mes mareve. Pas pak bëri zë t’i afroheshim: “Çunat me kazma, të vijnë pas meje, të tjerët prisni aty”!

Katër vetë zbritën zabelit, kurse ne zumë kojkën dhe i ndiqnim nën mjegullën si bashkë leshi, që na lëbyri pamjen.

“E-e-ej, ejani poshtë”! – uturiu lugu i përroit.

Zbritëm dy-tri tarraca, rreth njëzet metër të gjata e, tri-katër të gjera. I.-ja këqyrte vendin, si strategu sheshbetejën e ardhshme, diku u shkëput nga grupi, kaloi në krahun e kundërt dhe u zhduk në marishte, nga ku doli me një deng thuprash, kërceu dy tarraca njëra pas tjetrës dhe ndali ku qe së pari. Çapiti në një anë, nguli një purtekë, eci në të kundërt, duke kthyer kryet, si gjeometri kur piketon themelet e godinës, nguli edhe një thupër, pastaj vuri dorën strehë:

“Këtu ka qenë përrua, para se ta tarraconin”! – pëshpëriti si të bindte veten, se s’kishte gabuar koordinata. Në mezhdë shquhej, një hulli e shkëputur nga sheshet, që po ta bashkoje në një vijë imagjinare, do përftoje përroin e dikurshëm.

“Ngjatjeta burra”! – përshëndetën që sipër dhe tri silueta u varën teposhtë.

“Ua bëftë Zoti dritë”! – uroi më i vjetri, që mbahej mbi dorak.

“Amin”! – iu fal Muharremi.

“Kam prurë çunat t’u ndihmojnë”! – plaku drejtoi gishtin nga dy të rinj, me kazmë dhe lopatë.

“Ta paça borxh”! – ia ktheu Muharremi.

“Kemi detyrim, or mik”! – u hodh i porsaardhuri. – “Ishallah e gjejmë, se ka ndryshuar vendi”! Nga ana tjetër u afrua I.-ja dhe u përshëndet si mik i vjetër me plakun:

“Si je, o Shako”?

“Mirë me hirin e Zotit! Po ti komandant, si ja ke çuar këto vite”?

“Të falem nderit”! – ia ktheu I.

“Je akoma në bukë të qeverisë”!

“Se mos di të bëj tjetër”!

“Jo, je burrë i mirë ti, të kemi pasur krahë”.

“Edhe unë s’e harroj bukën e vjetër” – qeshi I. – “A të kujtohet vendi Xha Shako”?

“Eh-u, ka ndryshuar që atëherë. E shpyllëzuan, u hapën tarracat dhe u bë prapë pyll”.

“Ke të drejtë, është shpërfytyruar”! – pohoj I.

“Këtu ka qenë përroi” – plaku tregoi mezhdën.

“Dhe monopati që ngjitej në bregun e Trëndafilit”, – rrëfeu një hulli, që s’ ngjiste me asnjë udhëz, veçse shkurret ishin pak më të rralla.

“Po, kështu ka qenë”! – ia përforcoi I.

“Dhe këtu gropa ku gjetën merhumin”, – me majën e bastunit shënoi cepin e tarracës. – “Mbi këtë sop, bënte roje qeni. Po tashti s’duket se ka shkarë”, – shtriu shkopin në boshllëk.

“Ke të drejtë, atje e gjetëm të ngordhur”.

“Të vrarë thuaj”! – e kundërshtoi plaku.

“Si të urdhërosh zotërote”!

“Ashtu, e kam parë me këtë dritë”! – plaku vuri gishtat mbi sy.

“Xhaxha, kujtohu ku mund ta kenë varrosur”? – ndërhyra unë.

“Ça kanë varrosur, ore?! S’varroset robi ndër gropa pylli! E groposën, o djalë”! – m’u hakërrye, si të isha xhahil i prapësive të vjetra.

“Më fal, u shpreha gabim”! – kërkova ndjesë.

“Kam ngulur dy kunja, një këtu e një atje”, -I.-ja u spostua pranë piketave, që kishte futur në dhe.

“Mirë, po sikur je zgjeruar shumë”! – e qortoi plaku.

“S’ka problem, të nisim, pa po qe nevoja, e ngushtojmë rrezen”, – ndërhyra së dyti.

“Edhe dy të tjera, një këtu, tjetrën pesë çapa më tej”, – plaku shtriu dy hapa dhe qëndroi. – “Nëse s’i kanë nxjerrë bishat, apo qentë, do t’i gjejmë”! – dha verdiktin dhe heshti.

Dy djemtë ngulën purtekat ku shënjoi plaku dhe morën kazmat të rrëmihnin.

“Ngadalë çuna”! – ai hoqi këpucët, mori drejtqëndrim me fytyrë nga mendonte se binte Meka dhe nisi mërmërimat, duke kthyer kokën sa në një krah në tjetrin, thirri tri here; “bëjani hallall”, priti ta përsëritnim, veshi këpucët, çoi në ajri edhe një “Zoti kabull” dhe urdhëroi:

“Na qoftë për hair”!

Tashmë valoi kazma; një rrëmihte, të tjerët pastronin me lopatë, kurse ne prisnim me ankth.

Me të fshatit, u bashkuan katër-pesë tanët, po punimet ecnin avash, ndërsa dielli sa vinte e nxehej. Plaku udhëzonte si brigadierët e qëmotit:

“S’ka qenë vendi shesh, dikur ishte grope”, – llomotiste dhe hynte e dilte nga maret.

Gjer në mesditë, dherat e mënjanuar formuan do bregore mes gropës së dikurshme. Prej thellësisë, dolën kërcunj gjysmë të kalbur, po eshtra s’po dukeshin. Na kaploi padurimi, sidomos të bijën që logoriste me ankth dhe I.-ja që gulçonte, linte kazmën dhe i sulej lopatës, si i ndërkryer.

“Pusho pak”! – e këshillova, kur pashë se po i shkonin djersët çurkë.

“S’ka mundësi”! – ngulte kazmën si i ndërkryer. – “Po, ka qenë grope”! – shfrente.

“Do ta gjejmë”! – i jepja kurajë.

“Jam i sigurt”! – mbase donte të bindte veten. – “Xha Shako, të kujtohet apo jo”?

“Si jo ore”! – ia kthente plaku.

“Po kanë kaluar gjithë ato vite”! – sikur ngushëllohej I.

“Vendi s’ka luajtur, veç në i paçin nxjerrë bishat”! – përsëdyti plaku.

Nga dreka ja behu një karvan me dy hajvanë. Dy gratë diç folën me plakun dhe tendosën një sofrabezë, mbi ca degëzash mare dhe gushturice. Na shtinë të lanim duart nga një bidon që kishin sjellë me vete dhe zumë vend rreth drekës mortore, të Likes së ngratë.

Plaku bëri adetin e zotit të shtëpisë, me një aranxhatë rakie:

“Gëzuar dhe Zoti na ndihtë! Aliut i gjetët rahmet xhani, ku ka rënë”!

“Edhe qenit”! – më shpëtoi.

U stepa kur e kapa që fola profka. Po kërkoja një rrugëdalje, i bindur se lëndova ndjenjat e familjarëve, por e bija më nxori nga sikleti:

“Vetëm ai i mbeti besnik, gjetët rahmet, në pastë xhenet për kafshët”!

Pas saj, s’u ndje njeri. Balua fitoi statusin e martirit, të cilin ia kisha atribuar para shumë vitesh, ditën që e ndesha te burimi.

Mirëkuptimi mes qenit dhe të zot, ma shumëfishoi bindjen.

“Qasu biro, është miku im qy-o”! më oshtinë fjalët e Aliut dhe ham-hamet qenërishte, më shpuan timpanin.

Ktheva kokën, pas meje luante bishtin një qen i zi, në shenjë mirënjohje. Kur i hidhnin ndonjë kockë, ai e kullufiste dhe priste me gjuhën jashtë.

“U plakëm nashti Balo! Ruhu se vetëm ti më ke mbetur nga të gjallët, Balo xhani”! – si t’i fliste një robi, zefiri sillte këshillat e Aliut.

“Ham-hum-hëëëm” e butë, gjuha një pëllëmbë jashtë dhe sytë e Balos dritëzonin. – “Biro, fli se je lodhur gjithë natën”! e ledhatonte Likja.

“Qeni yt është ky?”- pyeta asohere.

“Vetëm qy më ka mbetur nga të gjallët, s’më tradhton Balua im”! dhe kujtova çastin e fundit, kur i zoti më tundi dorën dhe qeni bishtin e humbën në shkurre.

“Do t’i gjejmë se s’bën”! – thashë pa vetëdije.

“Kë, o”! – pyeti plaku.

“Të dy”! – ia ktheva me mendjen gjetkë.

“Hajt gëzuar”! – më pa me keqardhje, si të isha ndonjë ufo i mbirë nga planet tjetër.

“Të pyeti si jeni njohur”! –I.-ja më shpoi në brinjë.

“Ç’thatë, s’e pata mendjen”! – kërkova ndjesë.

“Që s’e ke mendjen s’do kallauz, po ku gjezdis xhanëm”? – bëri ironikun plaku. Duket shpërqendrimi im, e bëri plakun të mendonte se isha i shkarë nga binarët.

“Në kohët e lashta, xhaxha”!

“S’po më dukesh aq i moçëm, or çun”?!

“Mbase jo aq, sa do dëshiroje zotrote, po fati më dënoi të isha bashkëvuajtës dhe mik, me Aliun”!

“Si the”? – plakut iu shtua kërshëria dhe m’u kthye ballazi.

Kur të pranishmit i pohuan njohjen, plaku kurioz e zhvendosi vëmendjen drejt meje. S’m’u nda edhe kur rinisi puna, pyeste dhe priste, t’i tregoja edhe imtësi pa rëndësi. Kur shtresa u hollua, shterën edhe shpresat, nëse do t’i gjenim mbetjet në atë thellësi.

“Spostohuni më djathtas”! – urdhëroi I.-ja, ata që i dolën krye tarracës.

“Një copë shajaku”! – se kush tha.

“Ndalni”! – urdhëroi plaku.

“Do pastrojmë me dorë”! – shtoi I.

“Për Allah, i groposën siç ishin”! – plaku kaptoi pirgun dhe doli matanë.

“Avash, janë kilotat e Aliut”!

Tani punimet avanconin me hapin e breshkës. Pasi zhvendosën koren e epërme, rroba e shajaktë po merrte formë. Ca centimetra më thellë, u dukën do eshtra, të nxira nga koha.

“Ja ku janë”! – tha dikush.

“Ato mbi shajak”?! – vërejti një tjetër.

“Padyshim, duhet të jenë të Balos”! – ndërhyra unë.

“Po, të qenit janë”! – pohoi I.

“Avash, me kujdes”! – shtriva plastmasën dhe u vara mbi gropë, duke renditur çdo kockë që nxirrnim. Pas ndonjë ore, u dukën edhe opingat pa prishur, përveçse të deformuara nga koha.

Dy kafka pranë njëra-tjetrës.

“Jetuan bashkë, u tretën bashkë, ohi-ohi”! – ushtoi vaji i bijës që qante atin dhe qenin!

Kafka e qenit, ish shprishur në pjesën e prapme, si ta kishin shkalafitur me çekun e kazmës, ndërsa eshtrat e mikut, të shtresuara nën shajakun e dalë boje, si nën një savan të pakalbshëm Egjipti.

I seritëm si arkeologët, sarkofagët e lashtë, ndërsa në xhepin e brendshëm të jelekut, gjetëm një portofol meshini të ngrirë, që ish ngjitur pas cohës së kalbur.

E ndërpreva kuturinë nga droja, mos më mbetej në dorë. Mbaruam në perëndim të diellit.

“Do kthehemi në fshat”, – se kush tha.

“Sot jeni tek unë”! – urdhëroi plaku.

“Zakoni e kërkon, që i vdekuri ta gdhijë natën në shtëpinë e vet”! – ngulmoi Muharremi.

“I vdekuri, jo kockat”! – kundërshtoi plaku.

Tashmë errësira pllakosi lugjet dhe kodrat përreth, ndehu savanin e zi në horizont.

“Muharrem, do vazhdonim nesër, po të mos e kishim gjetur”? – pyeti plaku me djallëzi.

“Patjetër”! – u gjegj tjetri.

“Epo zëre se s’i gjetëm”!

“E gjetëm, o Shako”! – ngulmoi Muharremi.

“Tani jemi sagllam, do na zërë gjumi rehat”! – dhe urdhëroi: – “Ngarkoni hajvanët, se na zuri nata”! Djemtë s’pritën, hodhën thasët mbi samar, i lidhën pas koces dhe u vunë në udhë.

Natë.

Konturet u shkrinë me terrin.

“Hu-hu, hu-hu”!- cihati një hut. “Hu-hu, hu-hu”!,- ia kthyen nga shpati përbri, kurse qeni nisi t’i lehte hënës, “ham-ham, ham-ham”.

Terr… shpirtrat kërkojnë qetësi! 1

Na ndanë në fis, mua më mbajti xha Shakua.

Pimë kafenë mbi një minder demode dhe u kotëm në gjumë, ndërsa njerëzit e shtëpisë, eshperonin majë gisntave, mos të na zgjonin.

Në sfond m’u fanit Likja dhe Balua, njeriu këmbëkryq me shaminë ndehur mbi dheun e rrahur nga mijëra këmbë dhe kosoren mbi gjunje, qeni majë bishtit, me gjuhën jashtë.

Robi këqyrte vrenjtur nga poshtë vetullave, kafsha përgjonte sy kapsitur. “Fol o”! – “Ham-hum-hëmm”!

“Ta kanë kyçur të shkretën”? – “Ham-hëm”!

“Ç’kemi balo”? – iu drejtova qenit, meqë njeriu rrinte i ngrysur.

“Ham-hum, jemi bukuri këtu”!

“Si the”? – më çuditi qeni gojëtar.

“Shurdh je, o”! – ham-hëmmm

“Kujtoja se dije vetëm qenërishte, që kur e paske mësuar gjuhën tonë”?!

“Qëkur mileti po llapin qenërishte, Balua mësoi njerëzishten”! – m’u shkreh Aliu.

“Ngadalë o Like, pse nxehesh”? – u orvata ta merrja me të mirë.

“S’ta kam borxh të më fyesh djalin, o”!

“Pardon, se dija që e kishe djalë”!

“Ham-hum-hëmmm, ç’kemi nga të gjallët, o”?

“Hiq e mos këput”!

“Me ç’merreni ju”?

“Bëjmë pulitikë, o”!

“Politikë”!?

“S’ta mbush synë, o”?

“Syrin ma mbush, po mendjen s’ma mbush dot”!

“Po ta kishe mendjen sagllam, s’vije këtu, o”!

“Ku”?

“Në dynjanë e përtejme”!

“S’erdha vetë”.

“E di! Po pse të prunë, o”?

“Ku ta di unë”?!

“Ta thotë Likja, për haxhika”.

“Tani me kë agjiton, o Like”?

“Me Balon, o evlat”! – ham-ham, hum-hum, hëmmm

“Sollën darken”! – dëgjova nëpër tym.

“Ende s’qenka gdhirë”?

“Me ke po flisje, or mik”? – plaku më pa me merak.

“Axhitacon e prupagradë, se s’të rri buçja rehat ty”!

“Me Liken”!

“Qenke me hënë, shok-o”?

“Me Balon”!

“Thashë mos flisje me melaqetë”!

Plaku kish të drejtë, flisja me eshtrat në thes.

“Pi, se kemi gëzim, gjetëm eshtrat e Likes”! – desh të më nxiste plaku.

“Edhe të Balos”!

U këndellka robi, kur nxjerr relikte të groposura në kohën e nëmur! Homo-democraticus, iu gëzohet eshtrave të homo-politicus, të zhdukura nga homo-komunistus, si të ketë zbuluar misteret e botës!

“Kur do bëhet varrimi”? – pyeti plaka.

“Rivarrimi”!

“Rivarrimi makari”! – përsëriti mekanikisht, me siguri e dëgjonte së pari këtë fjalë.

“S’e di, duhen pyetur familjarët”!

“Me ç’pashë, them se je më familjar nga familjarët”! – u hodh plaku.

“E mbarova detyrën, u takon atyre të vendosin”! – ngulmova në timen.

“Ke qenë i afërt me qyqin Like”? – u interesua plaka.

“Kam qenë nja tre vjet”! – dhe iu ktheva plakut.

– “Xha Shako ç’di për vdekjen e Likes”? “Hiç o, i erdhi dhe vdiq”!

“Por vdiq garip i mjeri, pa njeri”! – ndërhyri plaka.

“Kishte Balon”!

“Qen besnik, e ruajti të zone, tri ditë mbi ledh”! – pohoi plaku.

“Si ndodhi”?

“E vranë, o”?

“Kë, Alinë”?

“Jo, qyqi Ali aq e pat, qenit i futën çiften në gojë”!

“Si”?!

“Për Perëndi! Ruante xhenazenë zavalli! E kujtoi në gjumë dhe e ruajti si përherë. Gjahtarët i binin atij shtegu, po s’i linte Balua. Aliu i vdekur në gropë, Balua bekçi mbi ledh. U qasën se ndjenë erë kërme, po gati i shqeu me çatallë. Dikur hipën mbi ledh, kur ç’të shohin? Në gropë një kufomë e buhavitur. Bënë t’i qasen, po Balua qe bërë ujk, ca se s’po i fliste i zoti, ca nga të pangrënët.

Kur i sulmoi gojëçapëlyer gjahtarët, e kujtuan të tërbuar dhe e mësynë, njëri ia shkrehu grykën e armës dhe qeni ra me kafkën copa-copa. I çuan haber policisë; u dhanë urdhër t’i mbulonin edhe robin edhe qenin. “Një armik më pak, mirë i bëhet Partisë”, i madhi solli ca hajdutë dhe i urdhëroi t’i groposnin.

Vendi u tarracua dhe u shpërfytyrua, njeri s’i kërkoi dhe u kalbën, o xhan i Shakos! E paçë mik dhe duheshim për kiamet, por na ndau lufta e klasave, or bir”! – përfundoi plaku. E gdhimë atë natë roje pranë thesit me “kokallat” e Likes dhe të Balos.

Pas ca ditësh, majë kodrës hapën dy varre, ku futën eshtrat e Aliut me shajak dhe portofolin ngjitur, si dhe të Balos, me kafkën shqyer nga saçmat. Dy miqtë e pandarë prehen pranë e pranë, nën tokën e lehtë! Memorie.al