25.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Lufta ndaj korrupsionit duhet të fillojë nga Rama

Rama do ishte ai që do akuzohej nga OSBE se ka 200 milionë euro të fshehura në kompanitë offshore përtej oqeanit, por kjo shifër është publikuar para rreth dy vjetëve. Në këto shifra nuk janë futur shpenzimet qeveritare të luksit, rikonstruksione qindra miliona euroshe, fasada me të cilat duhet të ishte zgjidhur përfundimisht problemi i strehimit në këtë vend e kështui me radhë
Rama ska dhënë ende përgjigje për shifrat marramendëse që ka lënë në dorë të Vilma Nushit dhe një grupi oligarkësh që punojnë për të, dhe sot jep leksione të luftës kundër korrupsionit
Edi Rama prej ditësh ka nisur një tur të “takimeve me njerëzit” ku preferon të flasë për korrupsionin, në administratë njësoj si të ishte kryetar i ndonjë partie në opozitë dhe jo përgjegjësi kryesor për këtë fenomen. Dje nga Shkodra, me pyetje të porositura ka  sulmuar dhe një herë sistemin gjyqësor, por edhe kryetaren e Bashkisë së qytetit verior Voltana Ademi. Një ditë më parë ishte në Bulqizë, ku përdori të njëjtën gjuhë për korrupsionin, sikur kërkon të lajë duart nga gjithçka ka ndodhur në këto katër vjet në këtë vend.

Korrupsioni

Lufta kundër korrupsionit duhet të nisë pikërisht nga vetë koka që qëndron në majë të gjithë kësaj piramide rryshfeti dhe vjedhjeje, që është vetë Edi Rama. Në rast se ka një ideator për koncesionet në shëndetësi që është Ilir Beqja, ai këtë e ka bërë me firmën e Ramës. Në rast se qehajai i drogës në të gjithë vendin ishte Sajmir Tahiri, pronari i saj real ishte vetë Edi Rama. Në rast se shkopi për katrahurën e ndërtimeve që po bëhet në Tiranë është Erion Velija, dora që e drejton është Edi Rama, e kështu me radhë. Rama do ishte ai që do akuzohej nga OSBE se ka 200 milionë euro të fshehura në kompanitë offshore përtej oqeanit, por kjo shifër është publikuar para rreth dy vjetëve. Në këto shifra nuk janë futur shpenzimet qeveritare të luksit, rikonstruksione qindra miliona euroshe, fasada me të cilat duhet të ishte zgjidhur përfundimisht problemi i strehimit në këtë vend e kështui me radhë. Rama ska dhënë ende përgjigje për shifrat marramendëse që ka lënë në dorë të Vilma Nushit dhe një grupi oligarkësh që punojnë për të, dhe sot jep leksione të luftës kundër korrupsionit.

Banka e Lindës

Shqipëria është i vetmi që ka një kryeministër, ku bashkëshortja e të cilit është vënë në krye të një banke, e cila ka dyshime të forta se përdoret për pastrimin e parave. Ishin këto banka, të cilët në dy javët e fushatës, nxorën prej tyre në mënyrë të pakontrolluar jo pak, por më shumë se 150 milionë euro. Pronarët e bankës ashtu si dhe kompanitë e Ramës rezultojnë në regjistrat offshore të ishujve Virxhin. Pronësia e saj është e pagjurmueshme, pasi kalon përmes parajsave fiskale. Të gjitha bankat e licencuara në Shqipëri zotërohen nga grupe të mirënjohura financiare kryesisht nga Europa Perëndimore. Pronësia e tyre është transparente dhe aksionerët që i zotërojnë janë të njohur publikisht. Por në rastin e ABI Bank, çuditërisht kjo traditë u thye, duke ngritur dyshime të forta edhe ligjore për licencimin e bankës në dhjetor të vitit 2015. Banka Amerikane e Investimeve zotërohet 100 për qind nga një fond financiar i quajtur Tranzit sh.p.k. Por ky i fundit, zotërohet nga 3 aksionerë, një shtetas shqiptar me emrin Andi Ballta dhe dy fonde të tjera, NCH Balkan Fund dhe New Century Holding. Të dy këto fonde, të cilat zotërojnë 70 për qind të Bankës Amerikane të Investimeve janë të regjistruar në parajsën fiskale të ishujve Cayman. NCH Balkan Fund, L.P është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Ishujt Cayman me numër regjistri MC-15214. Në po të njëjtin vend, pra në ishujt Cayman është regjistruar edhe kompania tjetër që ka në bashkëpronësi Tranzit sh.p.k, New Century Holdings XI, L.P e cila ka si numër regjistri CR-10711. Askush nuk e di se kush qëndron pas NCH Balkan Fund dhe New Century Holdings, për shkak të sekretit që ofrojnë parajsat fiskale. Ky fakt ngre dyshime të forta. Kush qëndron pas ABI Bank dhe pse BSH pranoi të licencojë një bankë nga parajsat fiskale?

“Follow the Money”, përse i duhet Ramës një bankë?

E pra është e thjeshtë. Mjafton një vullnet i organeve ligjzbatuese që kryeministri të përfundojë para ligjit. Mjafton të ndiqet parimi “Follow the money” (ndiq paratë) dhe atëherë do shikohet se përse i duhet kryministrit të një vendi kontrolli i një banke. Deklaratat e tij të pasurisë nuk vlejnë për asgjë, teksa të gjithë e njohin jetën luksoze të tij, hapjen e ekspozitave qindra mijëra euroshe etj. Në këtë vend mendohet se vetëm në vitin 2016 kanë qarkulluar sipas shifrave zyrtare 2 miliardë euro të ardhura nga  trafiqet e paligjshme. Natyrisht, duhet një bankë për t’i pastruar ato. Specialistët shprehen se dy janë rrugët ku pastrimi i parave është më eficent. Nëpërmjet bankave, ose sektori i ndërtimit. Janë dy sektorë, të cilët mund të qarkullojnë miliona pa u vënë re. Natyrisht janë dhe kazionotë, por këto të fundit, u shërbejnë më shumë trafikantëve të vegjël, të cilët pastrojnë shuma 10-20 apo 30 mijë euro. Ndërsa banka është rruga më e lehtë. Bankierët e dinë fare mirë se në rast se një shumë parash futet në bankë, ajo është automatikisht e pastruar. Këtë, pavarësisht deficiteve që ka në ekonomi e ka kuptuar dhe kryeministri.

Kronika e një gare në një parti vërtet demokratike

Për më shumë se 22 ditë, Partia Demokratike u përfshi në një fushatë elektorale, në një garë të cilën mund ta bëjë vetëm ajo. Në 22 ditë, nga të dy kandidatët u shpalosën alternativa, platforma dhe analiza, të cilat në thelb kishin bashkimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike pas humbjes së 25 qershorit. Kjo garë do të finalizohej me zgjedhjet e së shtunës të 22 korrikut, ku Lulzim Basha do të rezultonte fitues me gati 54 mijë vota nga më shumë se 59 mijë që morën pjesë në zgjedhje. Nga ana e tij, kandidati rival, Eduard Selami u shpreh se e njihte rezultatin dhe ish zhvilluar një garë korrekte.

Fushata
Që në ditët e para të garës, diskursi u vendos tek problematika e 25 qershorit. Nga ana e tij kryetari i PD, Lulzim Basha, u shpreh se paratë e drogës dhe fenomeni i Dibrës u shtri në çdo qelizë të vendit. Natyrisht, duke njohur dhe gabimet e tij, për shumë probleme që janë thënë e stërthënë jo vetëm nga rivalët, por dhe nga fraksionet brenda PD-së. Nga ana e tij, Selami filloi një fushatë të egër, ju vu në dispozicion e gjithë infrastruktura e nevojshme dhe koha mediatike ndahej në mënyrë të barabartë mes tij dhe Bashës. Në 22 ditë gjuha e Selamit nuk ishte aspak ndryshe nga ajo e të tjerëve që preferuan të rrinë me vullnetin e tyre jashtë garës dhe konkurrimit për postin e kryetarit, madje ditët e fundit kjo gjuhë erdhi duke u shtuar. Zyra e Shtypit dhe organi zyrtar i PD-së, raportuan në mënyrë korrekte gjithë diskutimet, madje në faqet e saj nuk munguan as deklaratat e atyre që shpesh janë trajtuar si fraksion brenda PD-së. Një fushatë mediatike ku barazia ishte e shenjtë dhe zbatohej me përpikmëri. Ka më demokratike se kaq?

Basha
Është thënë dhe më parë që garat brenda partisë në këtë vend zhvillohen vetëm nga njëri krah politik që është e djathta, pasi nga e majta është parë se çfarë ndodh. Si në çdo garë ka humbës dhe fitues. Natyrshëm pas saj vijnë dhe kontestime nga ata që janë të pakënaqur me punën e kryetarit. Në një parti me 105 mijë anëtarë jo çdokush ka mendim të njëjtë me kryetarin e partisë. Por këto janë vlerat e demokracisë. Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, do të ishte kryetari i sapozgjedhur Lulzim Basha që do të shprehej se zhvillimi i zgjedhjeve në Partinë  Demokratike nuk është një derë e mbyllur për askënd. Akti i djeshëm, nuk është aspak një derë e mbyllur. Përkundrazi tregon se çdokush që vendos Partinë Demokratike të parën, që zgjedh kauzën e drejtë të zgjedhjeve të lira e të ndershme, që zgjedh qytetarin e jo rehatinë personale, që vendos të luftojë drogën, krimin e korrupsionin, është i mirëpritur, është pjesë e jona, dhe jemi të gëzuar ta kemi mes nesh edhe nëse për një moment ka humbur rrugën”, tha Basha. Pas datës 23 korrik dhe shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, demokratët do të dinë të bashkohen, ashtu siç kanë bërë në momentet më të vështira për partinë e tyre. PD është foshnja që lindi mes tërbimit të diktaturës dhe s’ka para droge dhe korrupsioni që ta tjetërsojë këtë fakt.

Berisha
Rruga duket se do të jetë e vështirë, por jo e pamundur. Kryetari Basha ka premtuar vendimmarrje në duart e anëtarëve të partisë. Në fakt janë ata që e dinë më mirë se çdokush se ku janë mangësitë dhe çfarë lëngon në funksionimin e gjërave. Janë qindra e mijëra që lanë mënjanë tronditjen nga humbja dhe u bashkuan sërish për të ecur përpara. Vetë ish-kreu i PD-së Sali Berisha ditën e votimit do të pohonte se humbja është e thellë, “por ajo kthehet në fatale, në rast se ti e trajton si fatale”.  Dhe për demokratët nuk ka kohë të presin. Ata hynë në garë dhe zgjodhën kryetarin, pas zgjedhjeve do të vijë dhe analiza siç e ka premtuar dhe kryetari Basha. Do të fillojë ristrukturimi i saj, që pritet të kalojë nëpërmjet vendimmarrjes së anëtarësisë. Në Partinë Demokratike asnjë s’është i tepërt, dhe askush i larguar. Zgjedhjet e 22 korrikut e treguan këtë, anëtarët e saj votuan sipas vullnetit të tyre, të pandikuar nga askush. Në 22 ditët e fushatës ata dëgjuan debatet mes kandidatëve, rivalitetin mes tyre dhe në fund zgjodhën për atë që kanë më shumë besim. Kryetarit Lulzim Basha ata i dhanë një shans të dytë, me bindjen se është humbur një betejë, por kjo s’do të thotë se është humbur lufta. Lufta kundër korrupsionit, lufta kundër drogës, lufta kundër koncesioneve korruptive, lufta për një shëndetësi më të mirë, kundër çmimeve të energjisë, kundër varfërisë kundër të gjithë atyre çka sjell blerja e votës, nuk do të rreshtë, ajo do të vazhdojë.

Paniku nga drejtësia, Rama fut në gijotinë gjyqtarët dhe prokurorët

Para disa kohësh, Rama do publikonte në faqen e tij zyrtare një listë me emrat e 101 zyrtarëve të administratës, të cilët sipas tij ishin përfolur në komentet e tij në Facebook. Mes tyre dhe emra prokurorësh dhe gjyqtarësh. Në fakt, këto lloj fletërrufesh si ato të kontrollove punëtore nuk janë praktikë e një kryeministri serioz, për sa kohë ai ka të gjitha mekanizmat kontrolluese që burojnë nga pushteti i tij. Por duket qartë se ajo listë, ka qenë dhe një presion që i bëhet sistemit të drejtësisë. Jo më kot ajo u publikua në kohën kur vettingu sapo ka nisur. Kryeministri del me një listë të zezë me emrat e gjykatësve dhe prokurorëve të padëshiruar prej tij. Kjo do të thotë as më shumë e as më pak se, Rama nuk ka pasur nevojë të komunikojë fshehtas me strukturat që do të bëjnë vetingun. Ai e ka shpallur publikisht se kush do të jenë njerëzit që nuk dëshiron të mbeten në gjyqësor. Në listën e publikuar nga Rama renditen 30 gjyqtarë, prokurorë, noterë dhe përmbarues, për të cilët kryeministri kërkon t’i largojë nga sistemi i drejtësisë, duke kompromentuar gjithë procesin e vetingut, i cili aktualisht është duke u marrë konkretisht me verifikimin e pasurive të anëtarëve të sistemit të drejtësisë. Duke vendosur sistemin e drejtësisë tërësisht në gijotinë, Rama nuk po bën gjë tjetër, veçse po përforcon instalimin e regjimit diktatorial në Shqipëri, duke u përpjekur për të vendosur tërësisht nën kontrollin e tij edhe sistemin gjyqësor. Ky është një akt skandaloz, i cili dublon dhe dikton tërësisht procesin e vetingut. Aktualisht, institucionet e administratës shtetërore kanë filluar punën për kontrollin e pasurive të punonjësve të institucioneve të drejtësisë, të cilët do të verifikohen nëse kanë bërë deklarime të sakta të pronave të regjistruara dhe parave që kanë në bankë. Në media janë publikuar dy kopje të shkresave konfidenciale që Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka çuar në zyrën qendrore të hipotekave, ku kërkon verifikimin për dy kategori: 13 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorëve dhe Këshillit të Lartë të Gjyqtarëve, si dhe 775 gjyqtarët e prokurorët të punësuar në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë. Në letrën zyrtare të dërguar pranë Hipotekës, ILDKPI kërkon që të nisë menjëherë vettingu për anëtarët e KLP-së dhe KLGJ-së, pasi puna për ta fillon në shtator. Pas tyre, radha e verifikimeve do të jetë për magjistratët e tjerë. Kërkesa e firmosur nga kryeregjistruesi për anëtarët e këtyre organeve mban datën 30 qershor, ndërsa kërkon të dhëna për pasuritë që kanë krijuar deri më 16 janar 2017-të, kohë kur ka përfunduar edhe afati për dorëzimin e formularit të Vettingut. Përveç regjistrimit të pronave në emër të tyre dhe pjesëtarëve të familjes, ILDKPKI kërkon informacion edhe nëse ka patur shitje apo ndryshime të pronësisë gjatë kohës kur kanë dorëzuar të dhënat. Në urdhrin që kryeregjistruesi i ka dërguar administratës së Hipotekës, kërkohen që të gjithë të dhënat të dokumentohen brenda 5 ditëve, përndryshe do të merren masa të rrepta administrative. Por i gjithë ky proces rrezikon të hidhet në erë nga vetë Rama, i cili po përpiqet që të diktojë tërësisht procesin e vetingut, duke shpallur publikisht emrat e gjyqtarëve dhe prokurëve që ai i sheh si kërcënim në goditjen e aferave, vjedhjeve dhe korrupsionit të tij dhe njerëzve pranë tij.

Kapen në Itali 1.5 ton drogë nga Shqipëria

1.5 ton drogë nga Shqipëria është kapur në Itali mbrëmjen e të dielës. Mediat e shtetit fqinj shkruajnë se, Policia italiane në bashkëpunim me rojën bregdetare të Termolit në provincën e Kampobasos në rajonin e Molises kanë ekzekutuar gjatë mbrëmjes të së dielës operacionin detar antidrogë, i cili ka çuar në sekuestrimin e një gomone me rreth 1.5 tonë drogë të tipit marijuanë, e arrestimin e dy skafistëve shqiptarë në moshë mjaft të re. Roja bregdetare italiane nën drejtimin e komandantit të repartit të Termolit, kolonel Roberto Di Vito kanë identifikuar gomonen nën ujërat e komunës së Petacciatas, ndërsa po lundronte me shpejtësi të madhe.
Menjëherë dy skafe të rojës bregdetare italiane janë vënë në ndjekje të gomones, duke bërë të mundur ndalimin e saj dhe arrestimin e dy skafistëve shqiptarë. Në bordin e gomones janë gjetur rreth 1 tonë e gjysmë marijuanë. Sipas policisë italiane dy skafistët e arrestuar janë të nënshtetësisë shqiptare e mjaft të rinj në moshë.
Gjatë operacionit u arrestuan dy shqiptarët me inicialet Rr.A 30 vjeç dhe A.I. 44 vjeç. Gomonia me gjatësi 7.5 metra është bllokuar në orët e para të datës 23 korrik. Pas sekuestrimit të drogës në Itali, policia shqiptare u mundua të mashtrojë opinionin publik se gjoja “operacioni ishte zhvilluar nga Guarda di Finanza italiane në bashkëpunim me policinë shqiptare”. Mediat italiane nuk shkruajnë asnjë fjalë për përfshirjen e policisë shqiptare në operacion. Policia shqiptare mban përgjegjësi, sepse është lejuar që droga të kalojë nga kufiktë shqiptarë drejt Italisë. Për t’iu shmangur përgjegjësisë, policia shqiptare mashtron se gjoja ka marrë pjesë në operacion.
Para disa ditësh policia italiane sekuestroi 3.5 tonë marijuanë me vlerë prej 35 milionë eurosh, një kallashnikov, një skaf dhe dy gomone. Droga ishte futur nga Shqipëria në Itali përmes Adriatikut. 14 persona janë vënë në pranga nga Policia italiane, si anëtarë të një bande që merrej me trafikun e drogës mes Salentos dhe Shqipërisë. Urdhër arrestimi u ekzekutua nga Policia financiare e Brindizit në bashkëpunim me atë të Leçes. Sipas hetimeve të Policisë italiane, kjo organizatë kriminale ishte e ndarë në dy grupe; grupi i trafikantëve shqiptarë që transportonin marijuanë përmes detit nga Shqipëria drejt territorit të Puglias dhe grupi i italianëve të aftë për të trafikuar lëndën narkotike në territorin italian.
Nuk është rastësi, shkruan gazeta italiane, që shumica e të arrestuarve në të vërtetë janë ish-kontrabandistë të ricikluar në trafikun e drogës. Ata kanë qenë të caktuara në detyra të posaçme për të drejtuar anijet e shpejta dhe të vogla në Detin në Adriatik, por edhe për të vepruar si vrojtues në porte, nga ku vijnë mjetet e Policisë bregdetare e më pas njoftoheshin bashkëpunëtorët.
Ata ishin të kujdesshëm me inspektimet në det dhe për të monitoruar vendndodhjen e mjeteve të transportuar për të shmangur surprizat. Italianët kujdeseshin për ruajtjen e drogës, duke e fshehur në të çara dhe në shpella të vogla të plazhit dhe më pas ua jepnin shqiptarëve që kryenin rolin e korrierëve. Më pas, ishin italianët që menaxhonin transportin në rajone të tjera të Italisë si dhe marketingun e shitjes me pakicë.

R.POLISI

Djali rrëmben armën dhe vret babain polic e plagos nënën

Një krim i rëndë në familje ka ndodhur dje në Tiranë, ku djali ka vrarë të atin dhe ka plagosur të ëmën. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 11:20 në Bathore. Sipas burimeve, 21-vjeçari, Mirald Metallari ka qëlluar të dy prindërit me armën e shërbimit të të atit. Pas tre javësh në familjen Metallari do të bëhej dasma e vajzës së madhe.
Përgatitjet kishin filluar dhe djalit të tyre 21 vjeç, prindërit i kishin lënë në porosi ndërtimin e një muri në oborr. Mur i cili solli edhe ndarjen e përjetshme të babait të tyre. 21-vjeçari, Metallari, nuk mundi të ndërtonte këtë pjesë betoni gjë e cila ka revotuar babain e tij. Ata kanë debatuar ashpër me njëri-tjetrin.
Derisa i riu ka hyrë në banesë dhe ka marrë armën e babait të tij polic. I është drejtuar dhe e ka qëlluar disa herë me pistoletë. E ëma e ka parë të gjithë ngjarjen. Edhe pse tentoi të qetësonte sado pak konfliktin mes babait dhe të birit, nuk ja doli. Mirald Metallari e qëllon edhe atë duke e lënë të plagosur. Kur pa prindërit e shtrirë përtokë e të gjakosur, Metollari kalon në gjendje shoku. Nga vrasës ai përpiqet të kthehet në shpëtimtarin e tyre. Babai ndërroi jetë në vend, ndërsa mamanë e dërgon në spital me makinë.
Ndërsa 21-vjeçari ishte rrugës për në Spitalin Ushtarak, banorët e lagjes njoftojnë policinë. Kjo e fundit e arreston autorin rrugës teksa po dërgonte mamanë e tij për në spital. Ka qenë e vështire për policinë t’i marrë dëshminë 21- vjeçarit që vrau babain e tij dhe plagosi nënën. Gjendja e tij psikologjike është tepër e rënduar.
E vetmja gjë që ka mundur të shprehë është pendesa për atë që i shkaktoi familjes së tij. Me pak fjalë, ai rrëfeu për debatin që pati me babain e tij, por pa qenë i qartë për shkak të tronditjes. Mirald Metallari nuk është person me precedent penal dhe nuk njihet si person problematik në zonë. Edhe të afërmit thonë se, në familjen e tyre nuk ka pasur debate dhe kjo që ndodhi ishte e papritur për të gjithë.
21-vjeçari po mbahet në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Tiranë, ku ka deklaruar se vrasjen e ka bërë në kushte të tronditjes psikologjike pas sherrit me të atin. Ai është shprehur se në asnjë moment nuk ka dashur të qëllojë mbi nënën dhe për këtë arsye ka bërë të gjitha që ta transportonte drejt spitalit për t’i shpëtuar asaj jetën. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se i riu vazhdimisht interesohet për shëndetin e nënës së tij, Nurie Metallari 47 vjeç.

Motorët e vdekjes, 15 pushues kanë humbur jetën në plazhe

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për ngjarjen tronditëse ku një turiste ruse humbi jetën, pasi u godit nga një skaf në det në Ksamil. Berisha shkruan në një postim në Facebook, se deri tani kanë humbur jetën 15 pushues në brigjet tona. “Një ngjarje tjetër fatale tronditëse ndodhi këto ditë, ku një turiste ruse, vajza 15-vjeçare, që kishte ardhur me nënën e saj për të festuar ditëlindjen në Ksamil. Një mjet lundrues i këputi asaj jetën dhe iku si hienë dhe e la pa ndihmë të vdekur në ujërat e Jonit. Akt makabër i ndodhur edhe më parë në Himarë me një turist tjetër rus.
Me këtë rast le t’i shprehim ne nënës dhe familjes së viktimës ngushëllimet më të sinqerta dhe dënojmë me forcën më të madhe krimin e shëmtuar.
I bëjmë thirrje Prokurorisë të vendosë me rreptësinë më të madhe para ligjit vrasësin e saj. Por theksojmë gjithashtu se këtë verë deri tani në ujërat e brigjeve tona kanë humbur jetën 15 pushues. Që të gjithë pa përjashtim për mungeseë të plotë të çdo lloj kujdesi, ndihme apo kontrolli për pushuesit që kalojnë pushimet në brigjet tona.
Ky është një tregues konkret i dështimit të shtetit në menaxhimin e sezonit turistik. Kjo mungesë vëmendje dhe vizioni nga qeveria e Norieges ndaj turizmit në Shqipëri, dhe fokusimi dhe promovimi i turizmit të kanabisit është tregues sesi Shqipëria do të jetë në 4 vitet në vazhdim. Dëmi që i shkaktohet Shqipërisë në arenën ndërkombëtare si në aspektin e turizmit, ashtu edhe në atë të sigurisë është i madh.
Duke dënuar me forcën më të madhe paaftësinë e qeverisë aktuale për të garantuar sigurinë e turistëve vendas dhe të huaj në sezonin turistik, i bëj thirrje Prokurorisë të verë para ligjit të gjithë ata që nuk marrin masat e parashikuara për parandalimin e këtyre tragjedive”, shkruan Berisha.

Ndizet Shqipëria nga Jugu në Veri, 16 vatra vetëm dje

Situata nga zjarret sa vjen e përkeqësohet. Në Tepelenë, Kukës dhe Dibër janë riaktivizuar vatrat e zjarrit, duke shkrumbuar qindra hektarë pyje e kullota, ndërsa vetëm ditën e djeshme janë shfaqur 16 vatra të reja. Zjarret po rrezikojnë edhe Parqet Kombëtare. Bëhet e ditur se, deri tani janë regjistruar 15 raste të rënies së zjarrit në Parqet Kombëtare.
Hapësira e gjelbërt në Ujin e Ftohtë në Tepelenë vijon të digjet. Bëhet e ditur se, zjarri është përqendruar në pjesën e poshtme të pyllit dhe po i afrohet kurorës së gjelbërt. Terreni i vështirë dhe i thepisur nuk lejon ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Bëhet e ditur se, zjarrvënia ka qenë e qëllimshme.
Gjatë ditës së djeshme në të gjithë vendin janë shënuar 16 vatra zjarri në Shkodër, Vlorë, Elbasan, Tiranë dhe Gjirokastër, Lezhë, Kukës dhe Fier. Emergjencat Civile bëjnë të ditur se, në fshatin Luzat, Tepelenë ka rënë zjarr në një sipërfaqe të madhe pyjore. Në fshatin Grahot, Gjirokastër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me kullotë. Forcat zjarrfikëse kanë shkuar me shpejtësi në vendngjarje dhe kanë bërë izolimin e flakëve. Si pasojë e zjarrit u dogj 10 ha kullotë. Në fshatin Sofranik, Dropull, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe sherebel. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe 0.3 ha me shkurre, ferra dhe 0.3 ha sherebel.
Vatra e zjarrit në fshatin Malaj, Mirditë u rindez gjatë ditës së djeshme. Rreth 30 forca ushtarake dhe një helikopter janë angazhuar për shuarjen e këtij zjarri. Në fshatin Ibë, Tiranë, u rindez zjarri ditën e dielë në një sipërfaqe pyjore me pisha.
Në fshatin Hekal, Tiranë, ra zjarr në sipërfaqen e mbrojtur pyjore me pisha të Parkut të Dajtit. Për shkak të terrenit shumë malor, ndërhyrja me forca tokësore ka qenë e pamundur. Nga zjarri u dogjën 0,7 ha pisha të shkurtra dhe u shpëtuan antenat.
Në zonën e Ujit të Ftohtë, Bashkia Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse kanë shkuar edhe vullnetarë, të cilët pavarësisht terrenit malor kanë arritur të shuajnë flakët. Si pasojë u dogj një sipërfaqe 4 ha shkurre dhe ferra. Në Njësinë Administrative Armen, Selenicë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe 3 ha me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Poti i Mazrekut, Has, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe kullotë. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre, ferra dhe kullotë.
Në Prrenjas, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me hamullore, shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 8 ha hamullore dhe 1 ha pisha të shkurtra.
Në afërsi të stacionit të trenit Librazhd, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj 0.6 ha me shkurre dhe ferra. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.
Në fshatin Llimas, Elbasan, ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Si pasojë e zjarrit u dogj 0.1 ha me shkurre dhe ferra dhe 30 rrënjë ullinj. Në fshatin Lolaj, Peqin, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj 0.4 ha me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Caljan, Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe 20 rrënjë ullinj.
Në Malin Hebe, Shkodër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0.2 ha me shkurre dhe ferra. Në fshatin Mollas, Kolonjë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej 5 dynym shkurre dhe ferra.

Meta merr Presidencën: Besnik i dialogut dhe gjithëpërfshirjes

Nga sot, Ilir Meta do të drejtojë zyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ceremonia e inaugurimit të tij nisi me betimin në Parlament, e më pas u zhvendos në selinë e Presidencës, ku u prit nga Bujar Nishani. Të ftuar në ceremoninë e betimit ishin krerët e partive politike në vend, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri, drejtuesit e komuniteteve fetare, drejtuesit e institucioneve të pavarura. Meta falënderoi ish-Presidentin Nishani, për kontributin e tij dhe për punën e bërë në këto 5 vite. “Një vlerësim kam për qetësinë dhe qëndrimin e ekuilibruar të Nishanit, me të cilin kam bashkëpunuar në shumë rrethana të vështira. Shteti shqiptar ka përgjegjësinë e një populli me vlera madhore. Të jesh në krye të këtij shteti, është më shumë se përgjegjësi para Kushtetutës, por para historisë së këtij kombi. Sapo u betova duke u angazhuar që të gjitha aftësitë e mia politike do të jenë në ruajtje të tolerancës e bashkëjetesës. Gjithnjë ja ka vlejtur të mos kursehesh për të gjetur se çfarë na bashkon. Përvoja politike më inkurajon të pohoj se gjithnjë ia ka vlejtur të bësh lëshimet dhe kompromiset e nevojshme për hir të mbarësisë kombëtare. Jam besnik i palëkundur i dialogut dhe konsensit. Demokracia është jetike për një vend si yni. Demokracia e ka dimension jetik lirinë e medias, si liri e të shprehurit të shoqërisë. S’mund të ketë demokraci të shëndetshme pa shoqëri aktive. Shqipëria evropiane që duam kërkon cilësi të lartë mendimi, që nuk arrihet pa përfshirje të botës akademike universitare. Aspirata e madhe evropiane nuk mund të vlerësohet me rritje të vogla përqindjesh ekonomike, apo me statistika sa do optimiste janë ato”, tha Meta. Mes të tjerash, Meta tha se Shqipëria do të bëhet europiane këtu ku është. “Shqipëria jonë i ka të gjitha resurset. Shqipëria do të bëhet europiane këtu ku është. Ndaj dua që të nënvizoj faktin se duhet të punojmë për rritjen e besimit të qytetarëve tek politika. Duke forcuar dhe intensifikuar më tej marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, do i përballojmë këto sfida. Shqiptarët kanë gjetur të që vijojnë drejt BE. Personalisht që nga lëvizja e ‘90, kam qenë i angazhuar që Shqipëria të ecë para. Do të mbështes çdo angazhim për të vijuar drejt BE. Le të na inkurajojnë vlerat tolerante të vendit, siç janë toleranca dhe bashkëpunimi”, pohoi Meta. Ai e mbylli fjalën e tij me një thënie të Papa Franceskut, ndërsa lexoi edhe mesazhin e urimit që i shenjti i kishte dërguar Metës pak ditë më parë.

Betimi në Parlament

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në seancë të jashtëzakonshme për betimin e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. “Kushtetutshmëria, asnjanësia politike, si dhe respektimi i shtetit të së drejtës, do të jenë referencat kryesore të vendimeve dhe akteve të mia Presidenciale. Gjithmonë do t’i shërbej frymës së konsensusit, dialogut, bashkëpunimit e gjithëpërfshirjes në interes të forcimit të institucioneve e bashkëpunimit ndërinstitucional e sidomos të avancimit të reformave më jetike që e bëjnë Shqipërinë një vend më demokratik, më të qëndrueshëm, më të sigurt e plotësisht europian”, tha Meta gjatë fjalës në Parlament. Gjatë fjalës së tij të parë si President, pas betimit në Kuvend, Ilir Meta tha se shpalli kandidaturën si president më 28 prill më shumë me mendje sesa me zemër. Ndërsa sot, tha Meta jam betuar plotësisht me zemër. “Në 28 prill vendosa të kandidoj për President më shumë me mendje sesa me zemër, sepse opozita nuk ishte këtu. Por sot dua tju siguroj se betimin e kam bërë plotësisht me zemër dhe bindje të plotë se zgjedhja që bëra në atë moment dha kontributin e saj modest edhe për të evituar një krizë që vendi dhe e ardhmja e tij europiane nuk e meritonin”.

Kryemadhi, jo në rolin e Zonjës së Parë

Ashtu siç edhe e kishte deklaruar më herët, Kryemadhi ka hequr dorë nga privilegjet dhe detyrat e ‘Zonjës së Parë’, duke mos e shoqëruar bashkëshortin e saj as në këtë moment historik. Meta është parë në krah me ish-Presidentin tashmë Bujar Nishani dhe bashkëshorten e tij Odeta Nishani. Krah Ilir Metës si Presidenti i Republikës do të qëndrojnë fëmijët e tij, ku vajza e madhe Bora do ta shoqërojë Kreun e Shtetit në të gjitha takimet dhe evenimentet.

Inaugurimi i Metës, Rama thyen protokollin

Në thyerje të Protokollit të Shtetit, Kryeministri Edi Rama, u shfaq me kostum dhe atlete sportive në ceremoninë e betimit të Presidenti të ri të zgjedhur Ilir Meta. Pas shfaqjes në Parlament, kreu i qeverisë po ashtu ka shkuar dhe në Presidencë, ku Meta do të takohej me Nishanin dhe do të mbajë fjalën e tij. Ky është një rast tipik i ndjekur nga Rama për tërhequr vëmendjen në aktivitete të tilla, siç ishte edhe rasti i Samitit të Triestes, ku i vetmi lajm i prodhuar andej për Shqipërinë nuk ishin përftimet e fondeve, por veshja me atlete e Ramës teksa takonte liderët europianë.

Presidenti i 7-të i Shqipërisë së periudhës pas komuniste

Ilir Meta do të jetë Presidenti i shtatë i Shqipërisë së periudhës pas komuniste. Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake në Shqipëri të zhvilluara më 31 mars 1991, Parlamenti i ri pluralist i dominuar nga deputetët e PPSH-së, më 30 prill 1991 zgjodhën Ramiz Alinë, President të Republikës.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 22 marsit 1992 ku fitoi koalicioni i opozitës, më 3 prill 1992, Alia jep dorëheqjen nga detyra.
Pas fitores në zgjedhje të parakohshme të vitit 1992, koalicioni opozitar fiton zgjedhjet, ndërkohë më 9 prill 1992, Sali Berisha zgjidhet President i Republikës, detyrë në të cilën u rizgjodh edhe më 3 shkurt 1997, por pak muaj më pas, Berisha jep dorëheqjen pas humbjes në zgjedhje prej PD-së dhe fitores së koalicionit të majtë.
Në 24 korrik të po këtij viti në krye të Presidencës zgjidhet Rexhep Meidani i propozuar nga Partia Socialiste, e cila fitoi shumicën e Kuvendit.
Mandatin e Presidentit të katërt në vitin 2002 e merr Alfred Moisiu. Emri i tij është propozuar përmes një procesi diskutimesh mes opozitës së drejtuar prej Sali Berishës dhe mazhorancës së drejtuar prej Fatos Nanos. Zgjedhja e emrit përmes konsensusit vjen dhe përmes kërkesës së ndërkombëtarëve.
Ndërkohë pas Moisiut në krye të Presidencës vjen Bamir Topi deri në atë kohë nënkryetar i PD-së. Ai e ka marrë mandatin në 24 korrik 2007. Por dhe në zgjedhjen e Topit President u kërkua vijimi i procedurës së konsensusit, por pa arritur në kompromis.
Po në 24 korrik të vitit 2012, detyrën e Presidentit e merr Bujar Nishani, i cili zgjidhet në Parlament me votat e mazhorancës.
Tashmë pas përfundimit të mandatit të Nishanit, është Meta që do të nisë këtë detyrë.

Aksidente në Tiranë e Durrës, një i vdekur dhe 3 të plagosur

Një person ka gjetur vdekjen dhe tre të tjerë janë plagosur në dy aksidente që ndodhën ditën e djeshme në Tiranë dhe Durrës. Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur dje në aksin rrugor, Durrës-Rrogozhinë. Burimet e Policisë Vendore bëjnë të ditur se, sot shërbimet e Policisë Kavajë, arrestuan në flagrancë Soren Veshaj, 28 vjeç, banues në Vlorë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, në rrugën “Durrës-Rrogozhinë” në vendin e quajtur “Mbikalimi Vorrezave”, duke drejtuar mjetin tip “Mercedes”, është përplasur në pjesën e prapme të mjetit tip “Iveco” me drejtues shtetasin B. Xh., 49 vjeç, i cili kishte ndaluar në rrugën kryesore.
Nga përplasja e mjeteve ka gjetur vdekjen Xh. Xh., 24 vjeç, banues në Vlorë, pasagjer në mjetin tip “Mercedes”. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit S.V., për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290 i Kodit Penal.
Në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet ka ndodhur një aksident automobilistik. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, autobuzi i linjës së Yzberishtit u përplas me atë të Tiranës së Re. Shkaktar për përplasjen ka qenë një automjet tip “Fuoristradë”, i cili i preu rrugën urbanit të Tiranës së Re dhe në momentin e frenimit goditi autobuzin e linjës së Yzberishtit, i cili po udhëtonte me shpejtësi pas tij.
Sipas të dhënave në aksident kanë mbetur të plagosur 3 persona që udhëtonin me autobuzin e Tiranës së Re. Pasqyra e përparme e autobusit të Yzberishtit hyri në pjesën e pasme të autobusit të Unazës së re, duke goditur pas koke një zonjë rreth 50 vjeç, e cila mbeti e gjakosur në kokë dhe krahë. Ndërsa dy persona të tjerë kanë marrë plagë në qafë dhe në krahë nga krisja e xhamit. Ambulanca dhe policia arritën në vendngjarje 10 minuta pas aksidentit.

Një i dënuar arratiset nga burgu i Drenovës

Një i dënuar për vjedhje është arratisur nga burgu i Drenovës. Lajmi është bërë i ditur nga burimet policore. Sipas tyre, Denis Radici i dënuar për vjedhur kishte marrë një leje shpërblyese. Por pasi e ka mbaruar lejen, ai ka vendosur të largohet dhe të mos kthehet më në qelitë e burgut të Drenovës ku po vuante dënimin. Nga të dhënat, mësohet se Radici ishte arrestuar në vitin 2013 për vjedhjen e një banese.