Gjykata e Sarandës ka vendosur 45 ditë burg me afat për Ermal Fatajn, i dyshuar se ka goditur me skaf turisten ruse 15-vjeçaren Ksenia Ryok, e cila humbi jetën katër ditë më parë. Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, e cila dyshon se Ermal Fataj mund të jete ai personi që ka goditur për vdekje me mjet lundrues 15-vjeçaren.
Dëshmia e Fatajt është mjaft e rëndësishme për hetimin, pasi pritet të zbardhë të gjithë dinamikën e ngjarjes. Gjatë këqyrjes së mjetit lundrues, policia gjeti në helikën e skafit të Fatajt flokë, të cilat janë dërguar për ekspertim në laboratorin e policisë. Vetëm pas krahasimit me flokët e viktimës mund të thuhet se ato i përkasin 15-vjeçares dhe të hidhet më shumë dritë mbi të vërtetën. Ajo që konfirmon grupi hetimor është se turistja, e cila ishte duke notuar në det ka humbur jetën si pasojë e goditjeve të forta me mjete prerëse në kokë dhe trup.
Nga verifikimet e policisë rezulton se 15-vjeçarja ka qenë duke u larë me nënën e saj në det dhe në një moment është larguar me not deri në hapësirën ujore ku parkohen mjetet lundruese. Në atë kohë, nëna e adoleshentes vërejti një mjet lundrues që kaloi me shpejtësi dhe që dyshohet se goditi me helikë 15-vjeçaren.
Por ajo çka e vështirëson hetimin e Prokurorisë është prishja e pajisjes së ekspertimit në laboratorin e policisë. Burimet sqarojnë se, ajo mund të rikthehet në gjendje pune pas 3 ose 4 javësh. Për këtë fakt, deri në rregullimin e saj hetimi mbetet pezull ose prokurorët do të kërkojnë një rrugë alternative për ta kryer këtë ekspertim.
Vdekja e turistes ruse në det, 45 ditë burg skafistit
Si u planifikua prej dy muajsh atentati në Tiranë ndaj aktorit
Plani për vrasjen e Mishel Prelës që u plagos në një atentat në afërsi të gjimnazit “Partizani” kishte nisur rreth 2 muaj më parë. Shkëlzen Buci, i cili ka qëlluar mbi aktorin njihej si i papunë dhe një muaj më parë kishte marrë një kredi prej 15 mijë eurosh dhe disa borxhe të tjera për kurimin e të vëllait. Pavarësisht kësaj, vëllai i sëmurë rëndë kishte vdekur rreth 1 muaj më parë.
Rreth dy muaj më parë, Buci është takuar me porositësin e krimit Ervin Zallumin, të cili i ka kërkuar që ta ndihmojë me një punë. Zallumi i ka thënë në shtëpinë e tij që nëse vriste Mishel Prelën ai do ta paguante 80 mijë euro. 50 do t’i merrte, pasi të kryente punën dhe 30 mijë të tjera në fund të vitit. Duke qenë se nuk besonte tek porositësi për pagesën, Buci e ka regjistruar këtë bisedë në telefon dhe ia ka dorëzuar prokurorëve.
Buci ka vazhduar në dëshminë e tij se ka qenë Zallumi, ai që i ka gjetur pistoletën me të cilin ka kryer qitje në malin e Dajtit. Të njëjtën version ka dhënë në dëshmi edhe Miklar Tola. Ky i fundit kishte për detyrë të vëzhgonte lëvizjen e objektivit dhe për këtë do të paguhej 25 mijë euro, pasi të kryhej vrasja.
Ditën e plagosjes Shkëlzen Buci dhe ai kanë qenë në mjetin e gruas së tij pranë gjimnazit “Partizani”, kur Mishel Prela ka kaluar aty me biçikletë. Në këtë kohë, Buci del nga makina, duke e thërritur në emër Mishelin. Pas kësaj, ai ka dëgjuar krisma. Përfshirja e Miklar Tolës në këtë krim vërtetohet dhe nga bisedat e përgjuara që ai ka bërë me të vëllain Ermirin.
Miklari e pyet nëse kanë ardhur lekët në shtëpi, ndërsa Ermiri i thotë që jo. Më pas, Miklari i thotë që të shkojë të takojë Shkëlzenin dhe ta pyeste për paratë ndryshe ai do të fliste. Për faktet e mësipërme, Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Ervin Zallumin, Shkëlzen Bucin dhe Miklar Tolën. Për Trim Hidrin është caktuar masa e sigurisë detyrim paraqitje. Ndërsa Emri Tola do të qëndrojë në arrest shtëpie.
Kushner, takime me rusët, por s’ka asnjë bashkëpunim
Jared Kushner, dhëndër dhe këshilltar i afërt i Presidentit Donald Trump, thotë se ai është takuar katër herë me zyrtarë rusë gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, por se nuk ka bashkëpunuar në fshehtësi me Rusinë apo ndonjë qeveri tjetër të huaj.
Zoti Kushner bëri publike dje një deklaratë me shkrim prej 11 faqesh, përpara se të paraqitej për t’iu përgjigjur pyetjeve në një seancë me dyer të mbyllura të Komisionit të Senatit për Zbulimin. Gjithashtu, një tjetër seancë dëgjimore është planifikuar për ditën e sotme tek Komisioni për Zbulimin i Dhomës së Përfaqësuesve, si pjesë e hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vjetshme në Shtetet e Bashkuara.
Zoti Kushner shkruan se: “Dokumentet dhe të dhënat që ofroj provojnë se unë kam patur ndoshta katër herë kontakte me përfaqësues të Rusisë, ndër mijëra kontakte të zhvilluara gjatë fushatës elektorale dhe periudhës së tranzicionit të qeverisë; asnjë nga këto kontakte nuk patën ndikim në asnjë mënyrë tek zgjedhjet apo ndonjë vlerë për t’u mbajtur mend”.
Ai përshkruan në vazhdim disa takime të shkurtra me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara, gjatë të cilave ai thotë se diskutuan rreth dëshirës për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA–Rusi, por ai mohon raportimet nga mediat se ka patur edhe biseda të mëtejshme telefonike me ambasadorin rus, Sergey Kislyak.
Komisionet e Kongresit pritet të kërkojnë informacion të mëtejshëm për konktatet e zotit Kushner me Rusinë, ndër to edhe për një takim të zhvilluar në muajin qershor të vitit të kaluar me një avokate ruse dhe personazhe të tjera të lidhura me Moskën.
Takimi në fjalë është vendosur në qendër të vëmendjes që kur i biri i Presidentit, Donald Trump Jr., bëri publike e-mail-e ku shprehej padurimi i tij për të dhënat që ai besonte se do të merrte nga juristja ruse, të dhëna të dëmshme për zonjën Hillary Clinton, rivalen e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2016.
Donald Trump Jr., dhe drejtori i fushatës Paul Manafort, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në atë takim, u përfshinë fillimisht në axhendën e kësaj jave të Komisionit të Senatit për Gjyqësorin. Por, dëshmia e tyre është shtyrë, bazuar në mirëkuptimin se do të ofrojnë dokumente dhe informacion të mëtejshëm për komisionin.
Zoti Kushner shprehet në deklaratën e tij me shkrim se ndërsa ai ndodhej në takim, nuk u diskutua fare për fushatën elektorale dhe se ai pati vendosur menjëherë se koha po i humbte kot në këtë takim.
Ndërsa hetimet për Rusinë po shqyrtojnë tashmë njerëzit më të afërt të Presidentit Trump, janë ngritur pikëpyetje rreth mundësisë së faljeve nëpërmjet dekreteve presidenciale. Ekipi ligjor i Presidentit Trump vuri në dukje se Kushtetuta amerikane i jep Presidentit autoritet të gjerë për të falur, por nënvizoi se nuk po mendohet për një gjë të tillë.
Avokati i Presidentit, Jay Sekulow, i tha rrjetit “ABC” se “nuk po e shqyrtojmë këtë aspekt, pasi nuk shtrohet çështja e faljeve. Nuk ka asgjë për të cilën të falen persona”.
Por, Shtëpia e Bardhë këmbëngul se fokusi i mediave tek hetimet për Rusinë është në drejtimin e gabuar.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, i tha kanalit “ABC” se “tre çështjet kryesore për amerikanët janë emigracioni, sistemi i kujdesit shëndetësor dhe vendet e punës. Ndërsa tre çështjet kryesore për mediat janë Rusia, Rusia, dhe Rusia”.
Edhe ligjvënësit nga të dyja kahet politike po thonë mendimin e tyre. Kreu republikan i Komisionit të Senatit për Gjyqësorin, Chuck Grassley, kërkoi nëpërmjet Twitter-it botimin e plotë të një përgjimi të raportimit në Moskë të ambasadorit rus për një bisedë me ish-senatorin Jeff Sessions, atëherë mbështetës i fushatës Trump dhe tashmë Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara.
Po kështu, kreu i demokratëve në Komisionin e Senatit për Zbulimin, Mark Warner, ka kritikuar ashpër përmendjen e faljeve të mundshme presidenciale si masa parandaluese për personat që po hetohen në kuadrin e hetimeve për Rusinë.
Veto e Presidentit polak
Presidenti i Polonisë thotë se do të përdorë veton ndaj dy prej tri projektligjeve të miratuara kohët e fundit nga ligjvënësit për të reformuar sistemin gjyqësor të vendit.
Presidenti Andrzej Duda njoftoi vendimin e tij në televizion të hënën, ditë pas protestave masive në rrugë.
“Unë kam vendosur të kthej në Parlament dy ligjet, që do të thotë se do të vë veton ndaj ligjit për Gjykatën e Lartë dhe ligjit për Këshillin Kombëtar të Drejtësisë”, tha ai.
Të dy këto ligje përgjithësisht konsiderohen si sfida për pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe janë pjesë e një rregullimi ligjor, të planifikuar nga Partia për Ligj dhe Drejtësi, që qeveris vendin.
Ligji i tretë riorganizon funksionimin e gjykatave lokale dhe presidenti Duda tha se do ta nënshkruante atë.
Projektligji për Gjykatën e Lartë do ta kishte vënë gjyqësorin nën kontrollin politik të partisë në pushtet, me ministrin e Drejtësisë, i cili është gjithashtu prokuror i Përgjithshëm dhe që ka fuqinë për emërimin e gjyqtarëve. Presidenti Duda ka kundërshtuar që një prokuror i Përgjithshëm të ketë kaq shumë kompetenca.
Në marrjen e vendimeve të tij, presidenti Duda doli hapur për herë të parë me Jaroslaw Kaczynskin, i cili është udhëheqësi i Partisë për Drejtësi, dhe udhëheqës de facto i vendit, por nuk mban post zyrtar.
Presidenti tha se besonte se Polonia ka nevojë për reforma të gjyqësorit, por nuk mendon se këto dy ligje do të ngrinin ndjenjën e sigurisë dhe drejtësisë në vend.
Gazetarët para gjyqit në Turqi
Punëtorët e gazetës opozitare turke, “Cumhuriyet”, përkatësisht 17 prej tyre, do të dalin në gjyq, pas disa muajve që kanë kaluar në paraburgim. Shumica e të dyshuarve ishin ndaluar në tetor të vitit 2016, periudhë në të cilën Turqia ishte në gjendje të jashtëzakonshme.
Gjendja e jashtëzakonshme në Turqi është shpallur pas tentimeve të dështuara për grushtshtet në korrikun e vitit të kaluar.
Autoritetet e fajësojnë klerikun Fethullah Gulen për këtë çështje. Gjykimi i gazetarëve dhe menaxherëve të gazetës “Cumhuriyet”, kanë rritur shqetësimet për lirinë e shtypit nën regjimin e presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Të pandehurit mund të dënohen deri me 43 vite burgim.
Punëtorët e gazetës “Cumhuriyet” akuzohen për publikim të sekreteve shtetërore dhe bashkëpunim me Gulenin.
Përmes një deklarate të përbashkët, grupet që mbrojnë lirinë e shtypit kanë thënë se “rasti i punëtorëve të gazetës ‘Cumhuriyet’ ka për qëllim heshtjen e një prej zërave të paktë opozitarë në vend”.
Sipas grupit për mbrojtjen e lirisë së shtypit, P24, aktualisht në Turqi janë 166 gazetarë të burgosur, shumica e të cilëve të arrestuar në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme në këtë vend. Mirëpo Erdogan ka insistuar këtë muaj se janë vetëm “ dy gazetarë të vërtetë” mbrapa grilave në Turqi.
Kosova kërkon punëtorë sezonalë me 450 euro muaji
Në Kosovë pothuajse për çdo vit, kompanitë private, konkretisht ato në sektorin e bujqësisë, ndërtimtarisë dhe lokalet shërbyese, përballen me problemin e punësimit sezonal të punëtorëve.
Ndonëse shkalla e papunësisë në Kosovë mbetet e lartë, sipas disa bizneseve private, shpesh ndodh që të papunët nuk janë të interesuar të punojnë në këta sektorë. Në anën tjetër, përfaqësues të punëtorëve, thonë se mosgatishmëria e qytetarëve për të punuar punë sezonale, paraqitet për shkak të kushteve të vështira në kompanitë private.
Një ndër kompanitë vendore që për çdo sezon përballet me mungesën e punëtorëve, është kompania “Pestova”, e cila merret me përpunimin e patates.
Bedri Kosumi, pronar i kësaj kompanie thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë kësaj periudhe për çdo ditë i nevojiten nga 20 punëtorë të rinj, por që, sipas tij, qytetarët po hezitojnë ta punojnë vjeljen e patates.
Ai tregon se paga mujore për punëtorët e interesuar është 450 euro, tetë orë punë dhe dy vakte ushqim gjatë ditës.
“Ne jemi në vlugun e punës, por punëtorë nuk po gjejmë. Nuk dëshirojnë të punojnë, edhe pse i kanë kushtet e mira. Ata dëshirojnë të punojnë në zyrë, në fabrikë, kurse në ara nuk janë të interesuar të punojnë”.
“Në Kosovë, po e them me mllef, nuk është e vërtetë se ka papunësi, por ka papunëtorë. Lokalet, kafenetë janë plot të rinj, e punë nuk dëshirojnë”, shprehet Kosumi.
Edhe sektori i ndërtimtarisë përballet po me këtë problem. Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Brahim Selimaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky sektor me mungesë të punëtorëve përballet gjatë gjithë kohës dhe jo vetëm gjatë sezonit të verës.
Si problem kryesor, ai e përmend mungesën e punëtorëve të kualifikuar.
“Mungesë tjetër e punëtorëve në treg, janë ata të kualifikuar. Unë mendoj se është mungesë e gatishmërisë së të papunëve që të dalin në treg dhe të punojnë”, pohon ai.
Trump i vendosur për të fshirë “Obamacare”
Senati i kontrolluar nga republikanët do të bëjë javën e ardhshme një tjetër përpjekje për të shfuqizuar ligjin për kujdesin shëndetësor të administratës së ish-presidentit Obama, në përpjekje për të realizuar një nga premtimet kryesore të Presidentit Trump, gjatë fushatës. Ndërkohë që fati i reformës shëndetësore është i pasigurt, përkrahësit e zotit Trump, kundërshtarët dhe analistët po përpiqen të parashikojnë se çfarë do të ndodhë me programin e tij ambicioz të politikave të brendshme.
Protestat kundër planit republikan për kujdes shëndetësor vazhduan, ndërsa senatorët republikanë shkuan në Shtëpinë e Bardhë, ku Presidenti Trump bëri një apel të ri:
“Për shtatë vjet i premtuat popullit amerikan se do ta shfuqizonit Obamacare. Njerëzit po vuajnë. Mosveprimi nuk është alternativë”.
Në një moment, zoti Trump la të kuptohej se mund të ketë ardhur koha që Obamacare thjesht të lejohet të dështojë. Përpjekja e ardhshme republikane ka si synim vetëm shfuqizimin e ligjit, diçka që demokratët si senatori Chuck Schumer e kundërshtojnë.
Zhgënjimi me kujdesin shëndetësor është një dështim politik për presidentin, thotë Molly Reynolds:
“Veçanërisht për një president që e përqendroi një pjesë të konsiderueshme të fushatës tek fitorja, kjo është një humbje e thellë për të”.
Republikanët mbeten të ndarë për mënyrën e zëvendësimit të Obamacare.
Por shumë prej tyre duan të plotësojnë premtimet e fushatës, thotë udhëheqësi i tyre në Senat, Mitch McConnell:
“Ka një shumicë senatorësh republikanë që duan t’i tregojnë popullit amerikan se do ta mbajnë premtimin që kanë bërë në katër cikle zgjedhore për të shfuqizuar Obamacare”.
Disa konservatorë thonë se plani nuk e ndryshon sa duhet ligjin Obamacare, ndërsa disa republikanë të moderuar janë të shqetësuar se mbi 20 milionë amerikanë mund të humbin kujdesin shëndetësor.
Dështimi i reformës së kujdesit shëndetësor mund t’u kushtojë republikanëve kontrollin e Kongresit, vitin e ardhshëm, thotë Kyle Kondik:
“Veçanërisht nëse niveli i mbështetjes për presidentin mbetet 40 për qind ose bie më shumë, sepse historikisht presidentët me mbështetje të ulët kanë pësuar humbje në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve”.
Nëse republikanët nuk i zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre, atyre mund t’u duhet të punojnë me demokratët për një kompromis, thotë eksperti i kujdesit shëndetësor, Matthew Fiedler:
“Nëse ky legjislacion dështon, do të kishte një interes për negociata dypartiake, në kërkim të disa ndryshimeve më të vogla”.
Përpjekja për kujdes shëndetësor ka vonuar punën për përparësi të tjera të politikës së brendshme të Presidentit Trump, përfshirë një tjetër premtim kyç të fushatës: reformën e sistemit të taksave.
Aksioni i Europol, 107 të arrestuar
Agjencia e zbatimit të ligjit e Bashkimit Evropian, Europol, ka njoftuar dje se 107 vetë janë arrestuar në kuadër të hetimeve të gjera për trafikim njerëzor dhe shfrytëzim seksual.
Në operacionin e udhëhequr nga policia e Austrisë, me përfshirjen e agjencive të zbatimit të ligjit nga 22 vende të Bashkimit Evropian dhe të palës së tretë, hetuesit i kishin marrë në shënjestër “grupet e krimit të organizuar për trafikimin e individëve të ndjeshëm për shfrytëzim seksual”, theksohet në kumtesën e Europolit, raporton agjencia “DPA”.
Kombësia e viktimave dhe e të dyshuarve sugjeron se numri më i madh i rrjeteve të trafikimit në BE është nga Nigeria, Amerika Jugore dhe Evropa Lindore, thotë Europoli.
Ky hetim ishte i një shkalle tejet të gjerë: janë kontrolluar mëse 125 mijë njerëz në afro 4 mijë lokacione, përfshirë edhe rajonet e prostitucionit, shtëpitë publike dhe sallonet e masazhit.
Europol thekson se “kujdes special” u është kushtuar shpalljeve në Internet ku janë vërejtur viktimat e shfrytëzimit seksual.
A dështuan mediat gjermane për refugjatët
Volker Wagener
Mediat gjermane e kanë trajtuar çështjen e refugjatëve në periudhën 2015/16 jo në mënyrë të pavarur, por në favor të qëndrimit që kishte kancelarja Angela Merkel për këtë çështje. Madje mediat në vend që të sqaronin në mënyrë të pavarur këto zhvillimeve komplekse, kanë bërë politikë në favor të qeverisë duke u përpjekur ta bindnin popullin për kulturën e mikpritjes dhe madje pothuajse duke e udhëruar për një gjë të tillë.
Redaktorët si edukatorë dhe moralizues
Kjo akuzë nuk është e re. Por deri tani atë e bënte vetëm partia e djathtë AfD. Tani në këtë përfundim ka arritur një studim shkencor i Hamburg Media School dhe i Universitetit të Lajpcigut. Ato kanë analizuar artikujt e katër mediave më të mëdha gjermane “Süddeutsche Zeitung” (SZ), “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), “Die Welt” dhe “Bild-Zeitung” dhe kanë arritur në përfundimin se gazetarët dhe redaktorët në vend që të raportonin dhe të shkruanin në mënyrë kritike, janë sjellë më tepër si edukatorë dhe moralizues. Në studim kritikohet në mënyrë masive mënyra e raportimit për krizën e refugjatëve.
Fjalët “kulturë e mikpritjes” dhe “mirëseardhje” u himnijëzuan prej mediave si fjalë magjike, thuhet në studim. Raportimi ka qenë tejet moralizues, dhe kush shprehej ndryshe, menjëherë damkosej si radikal i djathtë. Nga 35.000 artikujt e analizuar vetëm gjashtë për qind kanë qenë reportazhe apo artikuj që përbënin punë të mirëfilltë hulumtuese gazetareske. Pjesa dërrmuese e artikujve kanë qenë komente, konstaton drejtuesi i grupit studimor, Michael Haller.
Mungesë e distancës kritike
Sipas studimit 43 për qind e personave të cituar në artikujt e analizuar ishin përfaqësues të qeverisë federale gjermane, ministra apo deputetë. Po ashtu politikanët e partisë Ekologjike, që shpreheshin pro ardhjes së azilkërkuesve, janë marrë në intervista dy herë më tepër se ata të partisë E Majta. Kurse përfaqësues të partisë së ekstremit të djathë AfD, e cila është e përfaqësuar ndërkohë në shumë Parlamente landesh, thuajse nuk janë intervistuar asnjëherë.
Po ashtu pak janë marrë në intervista apo u është marrë mendimi edhe ekspertëve në lidhje me veçoritë etnike të azilkërkuesve. Thuajse fare nuk janë marrë në konsideratë në artikujt e analizuar vullnetarët që janë kujdesur për azilkërkuesit. Për ta është shkruar vetëm në 3,5% të artikujve.
Nga analiza del se 83% e artikujve janë shprehur pozitivisht ose shumë pozitivisht për çështjen e refugjatëve duke u bërë megafon i idesë së kulturës së mikpritjes të predikuar nga partitë në qeveri. Për ata që kishin rezerva ndaj politikës së qeverisë dhe të kancelares Merkel dhe argumentet e tyre, mediat kanë njoftuar vetëm në mënyrë periferike.
Shuplakë për mediat
Autorët kanë marrë në analizë edhe artikujt e shkruar pas sulmeve të migrantëve meshkuj ndaj vajzave dhe grave natën e Vitit të Ri në Këln. Në këto artikuj duket një lloj korrigjimi në qëndrimin ndaj temës së refugjatëve dhe sipas studiuesve të krijohet përshtypja, sikur gazetarët tani donin të përmirësonin në shkrimet e tyre ato që kishin lënë pas dore në shkrimet e mëparshme.
Kjo analizë – edhe pse vende-vende ka disa gjëra kontradiktore – është një shuplakë për mediat, sepse ato që konstatohen për gazetat, vlejnë në thelb edhe për raportimin në televizion, edhe pse kjo për arsye kohe nuk qe pjesë e posaçme e studimit.
Pazaret e Olsi Ramës me lojërat e fatit, kompanitë ngrihen në protestë
“Monitor”
Koncesioni për ndërtimin e sistemit të monitorimit online të lojërave të fatit ka ndezur një konflikt mes kompanive të këtij sektori, të përfaqësuar nga Shoqata e Shoqërive të Lojërave të Basteve Sportive dhe Ministrisë së Financave.
Shoqata ankohet se koncesioni, i miratuar në mars të këtij viti, dublon rolin e Autoritetit të Monitorimit të Lojërave të Fatit, duke i detyruar kompanitë të paguajnë disa herë tarifa për një shërbim që duhet ta kryente autoriteti.
Koncesioni
Qeveria, në mars të këtij viti, shpalli fituesin e koncesionit që do të ndërtojë Sistemin Qendror të Monitorimit të Lojërave të Fatit. Bashkimi i kompanive “Admiral Sportwetten” GmbH & “ATSI” spolka akcyjna & “MC Networking” sh.p.k. paraqitën edhe ofertën fituese përballë një tjetër kompanie siç ishte “Qualysoft” GmbH & “Comtrade”, d.o.o & “Starsat International” sh.p.k. & “Communication Progress” sh.p.k. Përfaqësuesja në Shqipëri e fituesit është kompania “Mc Networking” dhe ka një kapital të regjistruar prej 17.9 milionë lekë. Kompania ka në objekt të saj një listë të gjatë opsionesh që nis nga tregtia me pakicë dhe shumicë e kompjuterëve, aksesorëve të ndryshëm kompjuterikë, aksesorë të ndryshëm elektronikë, aksesorë të ndryshëm të informatikës, shërbim interneti me shumicë dhe pakicë, shërbim interneti me fibër optike e deri te monitorimi i shtypit apo import-eksport. Koncesioni për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të monitorimit të lojërave të fatit është parashikuar të jetë 30 vjet. Në fakt, ideja e një koncesioni për sistemin e monitorimit nuk është diçka e re. Edhe në kohën e qeverisë Berisha u lakua kjo mundësi, e cila erdhi si rrjedhojë e konkluzioneve të nxjerra nga një studim që u bë me mbështetjen e PNUD në Shqipëri.
Pretendimet e shoqatës në gjykatë
Në shkresën përmbledhëse të çështjes, shoqata thekson se sipas ligjit është Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ai që ka përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë gjatë ushtrimit të veprimtarisë në fushën e lojërave të fatit. Në këtë kontekst, kompanitë e lojërave të fatit paguajnë në llogarinë e AMLF 3% të të ardhurave bruto nga loja, por jo më pak se 1.5 milionë lekë në vit për secilin subjekt. “Rrjedhimisht, çdo shpenzim të nevojshëm që ka apo mund të ketë AMLF, si person juridik për të kryer detyrën e përcaktuar me ligj, duhet ta mbulojë me të ardhurat që disponon në bazë të buxhetit të saj, pasi kjo është arsyeja pse shoqëritë e licencuara paguajnë tarifën 3% sipas nenit 14 të ligjit. Në rast se një pjesë e mirë e detyrës do të kryhet nga një operator privat me anë të sistemit online, rrjedhimisht roli i AMLF-së ulet ndjeshëm dhe automatikisht, edhe shpenzimet e saj do të ulen, pasi nuk do të jetë më e njëjta ngarkesë pune. Atëherë nuk ka arsye pse shpenzimet e sistemit të mos paguhen nga fondi i të ardhurave të AMLF-së”, thuhet në pretendimin e shoqatës. Kjo e fundit pretendon se aktet normative bien ndesh me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, pasi në rastin konkret interesi është tërësisht i njëanshëm dhe të ardhurat nga tarifa e mirëmbajtjes nuk do të shkojnë në buxhet. Në këto kushte, shoqata kërkon vendosjen e një balance ndërmjet interesit publik përfaqësuar nga shteti dhe tarifës së mirëmbajtjes së një sistemi monitorimi e “pajustifikuar dhe e dispropocionuar në kosto”. Te pretendimet e shoqatës nënvizohet edhe fakti që ka një rritje të vazhdueshme të kostove, ku përveç 756 mijë eurove që do të paguhen për sistemin e monitorimit, në bazë të ligjit kompanitë e basteve paguajnë edhe 0.5% të xhiros vjetore. Kjo xhiro, sipas këtij segmenti, rezulton 72 milionë euro në vit, çka automatikisht e çon detyrimin për t’u paguar në 360 mijë euro. “Në total, për tarifën ditore dhe xhiron vjetore, kategoria e basteve paguan ndaj operatorit shumën 1.12 milionë euro”, thuhet në llogaritjen e shoqatës. Kjo e fundit rendit se vetëm për monitorimin sot paguhen tri tatime dhe tarifa: 3% e të ardhurave bruto nga loja, por jo më pak se 1.5 milionë lekë në vit për monitorimin nga AMLF, 0.5% mbi xhiron vjetore që faturon organizatori për mirëmbajtjen e sistemit online dhe së treti 0.70 euro pa TVSH si tarifë ditore për çdo qendër basti për mirëmbajtën e sistemit online. Shoqata pretendon se ka një shkelje të nenit 18 të Kushtetutës që lidhet me parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit, kjo në raport me mënyrën si janë trajtuar kazinotë elektronike dhe Lotaria Kombëtare. Në vëmendje sillet edhe aspekti se nuk ka një llogaritje të drejtë për tarifën e mirëmbajtjes, sepse kjo nuk është e bazuar sipas shoqatës në koston që ka operatori që ka fituar koncesionin. “Në rastin konkret, tarifimi paguhet mbi përqindjen e xhiros vjetore dhe tarifim për çdo njësi dhe jo mbi fitimin e shoqërive. Shërbimi i mirëmbajtjes nuk mund të jetë në përqindje mbi xhiron, por duhet të bazohet mbi kostot reale që i duhen operatorit që ndërton sistemin për mirëmbajtjen e sistemit. Tarifimi mbi xhiron është i padrejtë në kushtet kur shpenzimet e sistemit janë shumë herë më të vogla sesa përqindja që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara”, thuhet në pretendimin e shoqatës.
“Lumë” shkresash pas Kushtetueses
Menjëherë pas marrjes dijeni mbi dorëzimin e kërkesës nga ana e Shoqatës së Shoqërive që Operojnë në Fushën e Lotove dhe Basteve Sportive në Gjykatën Kushtetuese duket se është vënë në lëvizje i gjithë zinxhiri i institucioneve të përfshira në procesin që lidhet me koncesionin e sistemit të monitorimit të lojërave të fatit. Burime pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit konfirmuan se ka një “lumë” shkresash të shkëmbyera mes Ministrisë së Financave dhe këtij institucioni, ku kërkojnë detaje mbi kërkesën e ngritur në gjykatë. Në një shkresë të datës 5 korrik, drejtuar sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Financave, Gelardina Prodani, kreu i AMLF, Zhani Çakuli, jep edhe detajet mbi çështjen që ka mbërritur në Kushtetuese dhe pretendimet e shoqatës. “Së pari, në lidhje me pretendimin për cenimin e lirisë ekonomike që parashtron kërkuesi, mendojmë se parashikimet ligjore përmes të cilave shteti synon rregullimin e kushteve ku veprojnë operatorët ekonomikë në vetvete përfshijnë masa të cilat sjellin detyrime monetare, por kjo qartazi shprehur nga jurisprudenca dhe Gjykata Kushtetuese, nuk mund të trajtohet si cenim i lirisë ekonomike. Parashikimi i një mekanizimi të ri që sjell një model të ri mbikëqyrjeje për shumat që qarkullojnë operatorët në tregun e lojërave të fatit nuk mund të goditet me arsyetimin që cenon lirinë ekonomike. Ky është një sistem që në thelb synon rritje transparence në një sektor problematik si ai i lojërave të fatit, aq më tepër në një moment të tillë kur nevoja për transparencë dhe gjurmim të çdo transaksioni është emergjente, kjo edhe në respektim të rekomandimeve të Task Forcës për Veprimet Financiare. Në përputhje me rëndësinë që paraqet evidentimi në kohë reale i informacionit presim të garantohet përmes implementimit të SQMO-së mirëmbajtja e tij dhe mirëfunksionimi është thelbësor”, thuhet në shkresën e AMLF. Lidhur me cenimin e parimit të propocionalitetit i ngritur nga shoqata AMLF vlerëson se detyrimi që legjislatori i ka njohur subjekteve lojëra fati të trajtohet në kapërcim të nevojave dhe i kryer me mjete të papërshtatshme dhe përfitimi të jetë më i vogël se e drejta që cenohet. “SQMO-ja dhe rëndësia e të dhënave që eventualisht do të sigurojë dhe vërë në përdorim të institucioneve shtetërore justifikon dhe çdo detyrim mirëmbajtje pasi duhet garantuar vërtetësia, moscenueshmëria, funksionimi në vazhdimësi, ruajtja e informacionit dhe verifikimi i tij, pamundësia e cenimit apo ndërhyrjeve nga palët në informacionin që eventualisht do të mblidhet dhe administrohet përmes tij”, nënvizon Autoriteti. Lidhur me pretendimin e cenimit të barazisë i njëjti institucion vlerëson se kjo nuk qëndron pasi kjo do të ndodhte vetëm nëse brenda kategorisë së basteve sportive, operatorë të ndryshëm do të ishin objekt taksimi i diferencuar. Në fund, AMLF ka sqaruar se SQMO-ja nuk krijon përfitime për autoritetin, por siguron informacion sensitiv e për pasojë nevoja e sigurimit të tij është primare. “Informacioni që eventualisht do të administrohet përmes Sistemit Qendror të Monitorimit të Lojërave të Fatit është i rëndësishëm për rregullimin e tregut ku veprojnë operatorët e lojërave të fatit, shmangien dhe minimizimin e shkeljeve që sjellin pasoja direkte në buxhetin e shtetit, përmes një taksimi real për çdo operator në fushën e lojërave të fatit duket shmangur evazionin fiskal dhe konkurrenca e pandershme”, thuhet në mbyllje të shkresës firmosur nga kreu i AMLF, Zhani Çakuli.
Rama i dha koncesionin Olsit në mars të 2017
Në mars të këtij viti, përmes një koncesioni abuziv, Edi Rama i ka dhënë vëllait të tij Olsi Rama marrjen nën kontroll të aktivitetit të lojërave të fatit, me qëllim pastrimin e parave të pista. Në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, koncesioni i është dhënë kompanisë, Mc Networking, e cila zyrtarisht figuron në pronësi të ortakut të Olsi Ramës, Endri Meksi. Me këtë të fundit, Olsi Rama është bashkortak në kompaninë “Pegasus Communication”. Rama i besoi në kundërshtim me çdo ligj kompanisë të vëlla Olsit kontrollin e lojërave të fatit dhe dokumentet përkatëse. Sipas sqarimit të bërë publikisht nga një ekspert i lojërave të fatit, “Shoqëria fituese, do të ndërtojë dhe mirëmbajë këtë sistem. Çdo subjekt i lojërave të fatit do të paguajë një fee (faturë) për çdo pajisje, fee, e cila do të përfitohet nga koncesionari, për investimin dhe mirëmbajtjen e kryer nga ai. Pavarësisht se emërtimi, nuk është i tillë, kjo kontratë ka shumë elementë të njëjtë me atë të koncesionit. Përmbledhje mbi procedurën përzgjedhëse të operatorit që do të ndërtojë sistemin e Monitorimit të Lojërave të Fatit Online”. Më tej sqarohet se, “në dhjetor të 2015, pas shumë shtyrjesh u miratua Ligji i ri ‘Për lojërat e fatit’. Në nenin 48/2 të tij parashikohet se Këshilli i Ministrave përcakton mënyrën dhe kriteret e përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë sistemin qendror të monitorimit online, autoritetin përgjegjës që do të kryejë procedurat e përzgjedhjes, si dhe tarifën e mirëmbajtjes së Sistemit Qendror të Monitorimit Online që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara”. Në bazë të kësaj dispozite, me VKM nr. 647, datë 14.09.2016, u përcaktuan kriteret e përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë sistemin e monitorimit, si dhe Ministria e Financave, si autoriteti përgjegjës për zhvillimin e procedurës përzgjedhëse. Eksperti citon se, “Ministria e Financës shpalli procedurën përzgjedhëse për t’u zhvilluar në datë 12.01.2017, datë e cila e shty për më 23.01.2017. Nga ana tjetër, Endri Meksi, ortak i shoqërisë “PEGASUS COMMUNICATIONS” shpk, e regjistruar më 20.05.2014, me ortakë Olsi Ramën (35%) dhe Endri Meksin (35%) dhe Amant Josifin (30%), në datën 17.01.2017 (pra pak ditë para hapjes së ofertave) ia shet pjesën e tij (35%) një të treti dhe mbetet vetëm administrator, së bashku me Olsi Ramën, në këtë shoqëri”. “Në garë morën pjesë vetëm dy JV (joint ventures): 1. Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Admiral Sportwetten” GmbH & “ATSI Spolka Akcyjna” & “MC Networking” shpk (fituesi) 2. Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Qualysoft” GmbH & “Comtrade” d.o.o & “Starsat International” shpk & “Communication Progress” shpk. Shoqëria shqiptare e JV fitues, “MC Networking” shpk, zotërohet 100% nga Endri Meksi, formalisht ish-ortaku dhe bashkadministratori me Olsi Ramën tek shoqëria “PEGASUS COMMUNICATIONS” shpk.
Pse Rama mbajti sekret tarifat e koncesionarit mbi lojërat e fatit
Në prill të këtij viti, ashtu sikurse parashikohej në ligj, qeveria miratoi me një vendim të veçantë tarifat që do të aplikohen nga ana e koncesionarit mbi lojërat e fatit në funksion të shërbimit që lidhet me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit. Vendimi në fjalë nuk është publikuar në faqen e Kryeministrisë bashkë me vendimet e tjera të miratuara në datë 12 prill. Por cilat janë tarifat që do të aplikojë koncesionari mbi pikat e basteve, kazinotë elektronike dhe Lotarinë Kombëtare? Sipas vendimit, tarifa ditore për çdo pikë bastesh në vend do të jetë 0.70 euro ose 21 euro në muaj.
Kjo e çon totalin që do të paguajë një pikë basti në 252 euro në vit. Aktualisht sipas shifrave të deklaruara nga shoqata e shoqërive që operojnë në fushën e lotove dhe basteve sportive në treg janë rreth 3 mijë pika. Kjo do të thotë që totali që do të paguajnë pikat e bastit te koncesionari është 756 mijë euro. Kategoria e dytë që do të paguajë tarifë për sistemin e monitorimit është ajo e kazinove elektronike që do të jetë 1.25 euro për çdo aparaturë apo makinë loje. Kjo do të thotë që për një aparaturë në muaj do të paguhet 37.5 euro, çka në një vit e çon detyrimin për t’u paguar në 450 euro. Deri në vitin 2013, zyrtarisht rezultonin në treg 2200 aparate të instaluara brenda kazinove elektronike. Me këtë shifër, detyrimi total që ky segment do të paguajë është 990 mijë euro nëse do të kemi të njëjtën sasi makinash.
Lidhur me Lotarinë Kombëtare, tarifa që është parashikuar për t’u paguar është 1 euro në ditë për njësi. Sipas faqes zyrtare të Lotarisë Kombëtare në të gjithë vendin rezultojnë rreth 425 njësi që tregojnë lojërat e kësaj kompanie. Kjo do të thotë që çdo njësi do të paguajë në muaj 30 euro dhe në vit 360 euro ndaj koncesionarit. Në total, gjithë njësitë do të paguajnë 153 mijë euro për sistemin e monitorimit. Duke mbledhur të ardhurat nga të tre segmentet rezulton që koncesionari do të arkëtojë rreth 1.9 milionë euro. Të gjitha llogaritjet nuk kanë të përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Mbetet e paqartë se cili do të jetë fitimi i koncesionarit në këtë aspekt për aq kohë sa specifikimet me të cilat është rënë dakord edhe me qeverinë nuk janë bërë publike, përfshirë shpenzimet që do të ketë ndërtimi dhe mirëmbajtja e sistemit në një afat 30-vjeçar.