“Diana, nëna jonë: jeta dhe trashëgimia e saj” është titulli i një dokumentari të ri rreth jetës së Princeshës së ndjerë Diana e Uellsit. Filmi tregon historinë e jetës së Dianës, nga miqtë e saj dhe njerëzit që ishin pranë saj. Por në thelb, dokumentari është një intervistë e gjatë me dy djemtë e saj, të cilët flasin hapur rreth kohëve të lumtura me të ëmën dhe si e përjetuan ata vdekjen e saj tragjike.
Duhej pak punë për t’i bindur Princin William dhe Princin Harry që të flisnin për nënën e tyre të ndjerë, thonë krijuesit e dokumentarit të ri televiziv “Diana, Our Mother: Her Life and Legacy” – “Diana, nëna jonë: jeta dhe trashëgimia e saj”.
“Nëna jonë e kishte shpirtin si fëmijë. Kur njerëzit më thonë, na jep një shembull se si ajo kishte qejf argëtimin, më vjen në mendje e qeshura e saj. Një e qeshur e çmendur, lumturi e pastër që shfaqej hapur në fytyrën e saj”, thotë princi Harry.
Regjisori Ashley Gething, i cili ka punuar më parë me familjen mbretërore për filmin televiziv të vitit 2016 “Mbretëresha jonë 90 vjeç”, tha se princat kishin dëshirë ta kujtonin mamanë e tyre, 20 vjet pas vdekje së saj tragjike. Princi William ishte 15 vjeç kur vdiq Diana, ndërsa Harry ishte 12 vjeç.
“Nëse keni patur rastin të shihni funeralin e saj, patjetër keni parë ata djem që ecnin prapa arkivolit të mamasë të tyre dhe duhet të keni pyetur veten se si mund ta përballonin atë tragjedi; përgjigjen ata e japin në këtë film”, thotë regjisori.
Në dokumentar, princat kujtojnë momente të lumtura të fëmijërisë së tyre, duke folur për Princeshën Diana si një mama e dashur, e bukur dhe çapkëne, e cila i ndihmonte ata të merrnin ëmblësira kur nuk u lejohej.
“Duket se ka pasur shumë momente të lumtura, shumë të qeshura, ka pasur shumë dashuri, shumë përqafime… është një histori tejet personale që ata tregojnë për jetën me nënën e tyre”.
Gething thotë se dokumentari tregon jetën familjare të Dianës, larg syve të publikut. Princat William dhe Harry flasin gjithashtu për tronditjen që përjetuan kur nëna e tyre 36-vjeçare vdiq në vitin 1997, bisedën e fundit telefonike me të nga Parisi, natën kur ajo u vra, dhe hidhërimin që pasoi humbjen e saj.
Regjisori Gething bisedoi për realizimin e dokumentarit për Princeshën e Uellsit edhe me njerëz të tjerë rreth, si miqtë e fëmijërisë dhe vëllain e saj.
Dokumentari “Diana, Nëna jonë: Jeta dhe Trashëgimia e saj” shfaqet në kanalin televiziv “HBO” më 24 korrik 2017.
Flasin dy djemtë e Princeshës Diana
Neymar qëndron tek Barcelona!
Seriali “Neymar” është pasuruar me një episod tjetër që ndryshon linjën e diskutimeve për të ardhmen e futbollistit. Ditët e kaluara u fol për kalimin pothuajse të sigurt të brazilianit në drejtim të Paris Saint Germain, por duket se situata është kthyer në favor të Barcelonës pasi 25-vjeçari ka vendosur të qëndrojë te katalanasit.
Ishte Gerard Pique ai që vendosi të qetësojë tifozët e Barcelonës teksa në rrjetet sociale postoi një foto të tij me Neymar të shoqëruar me mesazhin: Qëndron këtu. Një postim që gjeti një pasqyrim të gjerë në media sidomos atë katalanase, të cilat filluan të zbulojnë edhe detajet në lidhje me përpjekjet e bëra nga Barcelona për të mbajtur yllin brazilian në radhët e saj.
Sipas “Sport”, pasditen e së premtes Barcelona, nëpërmjet përfaqësuesve të futbollistit, morën sinjalet e largimit të Neymar nga skuadra. Në këtë moment klubi vendosi të vërë në lëvizje të gjitha mekanizmat dhe këtu ishte edhe përfshirja e futbollistëve kyç të saj.
Mësohet se Lionel Messi dhe Luis Suarez zhvilluan një bisedë me Neymar që zgjati 1 orë, duke i shpjeguar rëndësinë që ka ai në skuadër, një lëvizje që më pas e bëri edhe vetë Pique, duke i thënë se nuk mund të largohet në këtë moment. Bisedat duken se patën efekt te Neymar që u duk i bindur për të qëndruar. Kur u mendua se situata ishte në kontroll, në skenë hyri babai i Neymar, për të zhvilluar bisedimet me drejtuesit e klubit dhe palët u dukën të distancuara, duke bërë që të rritej pesimizmi te katalanasit.
Ditën e diel, situata duket se ndryshoi sërish për shkak të telefonatave të vazhdueshme të Bartomeut ndaj të gjitha palëve të përfshira në këtë çështje. Përfaqësuesit e Neymar konfirmuan për “Sport” se këto biseda e afrojnë akoma më shumë Neymar me Barcelonën, por gjithsesi kjo histori nuk është mbyllur ende, pasi është futbollisti atij që i takon të bëjë të ditur vendimin e tij…
Sheiku Al Khelaifi është gati të derdhë 222 mln euro në arkën e katalanasve për të afruar sulmuesin e Selecaos që vazhdon të mbetet i dyzuar mes Barcelonës dhe Parisit. Pas 2 golave të shënuar në miqësoren me Juventusin, Neymar mbetet në qendër të vëmendjes edhe pse në takimin e parë të zhvilluar me shokët e skuadrës, Messi, Suarez e Pique u duk se ai e kishte marrë vendimin për të mos lëvizur nga Katalonja. Në skenë ka dalë edhe i ati dhe agjenti i tij, i cili është takuar me drejtues të lartë të PSG menjëherë pas ndeshjes së zhvilluar në SHBA dhe u ka dhënë fjalën se sulmuesi brazilian do të pranonte ofertën e PSG.
Marrëveshja verbale është arritur dhe të enjten, stafi i lojtarit do të zbarkojë në Barcelonë për të rinegociuar detajet e kontratës aktuale që ai ka, në të kundërt Neymar do të largohet me destinacion Francën pasi klauzola e lejon të marrë një vendim të tillë i pandikuar nga klubi. 8 muaj më parë, sulmuesi firmosi kontratën e re me Barcelonën, por tashmë mesa duket nevojitet një tjetër ndërhyrje në çështjen e pagës pasi PSG ofron rreth 40 milionë euro në sezon. Lajmi bëhet i ditur nga mediat braziliane, por gjen konfirmim edhe në Spanjë ku gazeta “AS” thekson se me shumë mundësi, ditët e Neymar te Barcelona janë të numëruara.
Prezantohet Danilo
Danilo Luiz da Silva është zyrtarisht futbollist i Manchester City-t. 26-vjeçari brazilian u prezantua si blerja më e re nga trajneri Pep Guardiola dhe shefi ekzekutiv Soriano, për të programuar më pas nisjen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do t’u bashkohet Citizens për fazën përgatitore. Danilo firmosi kontratë 5-vjeçare, me City-n që shpenzoi 26.5 milionë paund për kartonin e tij, para që shkuan në arkat e Realit të Madridit. “Për mua është një ditë e madhe sepse po firmos për një klub të madh, si Manchester City. Shpresoj të përmbush pritshmëritë dhe të fitoj Champions League-n me skuadrën time të re. Para është një sfidë të cilën dua ta fitoj”, u shpreh Danilo.
Fakti që për Danilon këmbënguli Pep Guardiola, ishte një motiv më shumë për brazilianin për t’i thënë po ofertës së City-t. “Guardiola ka patur shumë peshë në këtë vendim timin, sepse e dashuroj stilin e lojës që ai aplikon. U binda edhe më shumë nga biseda që pata me të. Mezi po pres të nis punën me trajnerin tim të ri. Jo vetëm Guardiola, por edhe projekti ambicioz i klubit më shtyu të vija këtu”, tha ai.
Danilo është një futbollist që përshtatet në disa pozicione dhe pikërisht kjo aftësi e tij i ka dhënë avantazh në përmbylljen me sukses të bisedimeve mes Realit të Madridit dhe Manchester City-t.
“Mendoj se një lojtar që luan në disa role ka një avantazh të madh në këto nivele dhe është shumë i rëndësishëm për skuadrën. Përgjithësisht kam luajtur si anësor i djathtë, por Guardiola më tha se mund të vendosem edhe në të majtë apo në mesfushë, por për mua më shumë rëndësi ka që të jem pjesë e formacionit”, tha Danilo.
Por çmenduria e transferimeve në skuadrën angleze nuk ka fund. Edhe pse momentalisht janë shpenzuar plot 133 milionë paund për 2 mbrojtësa dhe 1 portier, klubi nga Mançesteri është gati për një tjetër goditje në merkato. Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë të Monakos, Benjamin Mendi. 52 milionë paund është oferta që Siti i ka bërë klubit francez për transferimin e 23-vjeçarit në Mançester. Mediat angleze raportojnë se kampionët e Francës, e kanë pranuar ofertën marramendëse dhe mbrojtësi pritet të transferohet shumë shpejt në Premier Ligë.
Në këtë mënyrë, mbrojtja që Pep Guardiola do të ketë në dispozicion do të jetë më e shtrenjta e historisë së futbollit, por ndoshta jo më e mira. Në total shpenzimet për repartin difensiv kapin shifrën e 185 milionë paund.
Kolarov kalon tek Roma, Juventus synon Hummels
Tashmë është zyrtare, Aleksandër Kolarov do të veshë fanellën e Romës në sezonin e ri. Bisedimet mes palëve u finalizuan me sukses, me mbrojtësin që firmosi kontratë deri më 30 qershor të vitit 2020, me një pagë prej 5 milionë eurosh. Pasi hodhi të zezën mbi të bardhë, Kolarov deklaroi se do të japë më shumë se 100% për verdhekuqtë dhe se objektivi i tij është gjithmonë fitorja.
Pasi humbi shërbimet e Leonardo Bunuccit, i cili u transferua te Milani, Juventusi ka nisur punën për të gjetur zëvendësuesin e mbrojtësit. Sipas lajmeve më të fundit nga Gjermania, bardhezinjtë kanë shënjestruar Mats Hummels të Bayern Munich. Megjithatë klubi bavarez nuk e lë të lirë lojtarin 28-vjeçar, për më pak se 50 milionë euro, një shifër kjo jo e ulët për kartonin e tij.
Merkatoja e Milanit nuk është mbyllur ende. Administratori Fassone bën të ëndërrojë më shumë tifozët kuqezi, teksa në një intervistë të dhënë, shprehet se klubi do të bëjë edhe një goditje të madhe. Emrat në listën e Milanit janë të shumtë dhe lojtarë të klasit të lartë. Mbetet vetëm të presim se cili yll do të zbarkojë te Milani deri në fund të merkatos, me Fassone që nuk dëshiron të nxitohet në blerjen e radhës.
Bologna dëshiron të bëjë dy goditje në mesfushë dhe në sulm. Sipas mediave italiane, shoqëria kuqeblu po monitoron situatën e Rincon te Juventusi dhe Rodrigo Palacio, i cili ka mbetur pa skuadër, pas largimit nga Interi. Cilësi dhe eksperiencë, është pikërisht kjo ajo që i nevojitet trajnerit Donadoni në skuadër.
Murinjo mposht Zizou
Jose Murinjo dhe Manchester United vazhdojnë të buzëqeshin në miqësoret e verës. “Djajtë e Kuq” mposhtën Realin e Madridit me penallti, në duelin e vlefshëm për International Champions Cup. Në “Levi’s Stadium” të Santa Klaras, United kaloi në avantazh me Lingard, i shërbyer në mënyrë të shkëlqyer nga Martial. Madrilenët barazuan shifrat me Casemiron me 11-metërsh, por kjo nuk mjaftoi, pasi penalltitë janë kthyer në makthin e skuadrës së Zinedine Zidane.
Në ekzekutimin nga pika e bardhë, Manchester United realizoi dy herë, ndërsa Reali vetëm një. Kjo edhe për meritë të portierit De Gea, prej kohësh një prej dëshirave më të mëdha të “Los Blancos” në merkato. Reali i Madridit realizoi vetëm një nga pesë penalltitë e ekzekutuara, ndërsa ishte pikërisht Casemiro ai që bëri gabimin vendimtar, duke goditur traversën.
U-21, Bushi: Në Irlandë dhe Islandë të luajmë me zemër
Më 31 gusht transferta kundër Irlandës së Veriut në “Mourneview Park” të Lurgan dhe 4 ditë më pas një tjetër ndeshje e vështirë në Islandë kundër nordikëve në Reykjavik. Fundi i muajit të ardhshëm dhe fillimi i shtatorit do të jetë i zjarrtë për 21-vjeçarët e Alban Bushit që do të luajnë dy sfida vendimtare për eliminatoret e Euro 2019. “Pushimet janë shumë pak, por nuk mendojmë për pushimet, por për lojtarët sepse më 31 gusht nuk kanë ndeshje kampionati dhe nuk mund të jenë në gjendjen e tyre optimale”, tha Bushi.
Barazimi me Estoninë në sfidën e parë eliminatore të grupit 2 rezultoi një ndeshje e pafat për kuqezinjtë, por Bushi kërkon nga skuadra që të tregojë të njëjtin shpirt gare në fushë edhe për dy ndeshjet e radhës. “Futbolli është i çuditshëm, por unë jam i kënaqur nëse do të luajmë si me Estoninë. Nëse luajmë keq dhe pa dëshirë atëherë është një problem i madh”, tha ai.
Bare në miqësoren me Tolucan
Kejdi Bare në ekipin e parë të Atletico Madrid. Diego Simeone beson verbërisht te talenti shqiptar duke e përfshirë në skuadrën e sezonit të ardhshëm dhe sinjalet për këtë po i jep gjatë fazës përgatitore të verës ku 19-vjeçari është bërë pjesë e skuadrës së parë. Sipas komunikatës së publikuar nga faqja zyrtare e Atleticos së Madridit, Bare është përfshirë në listën me 24 emrat që kanë udhëtuar drejt Meksikës për miqësoren e 25 korrikut kundër Tolucas për ndeshjen e 100-vjetorit të themelimit të klubit meksikan.
Talenti shqiptar bashkë me të riun Sergi janë dy afrimet e reja të trajnerit argjentinas, i cili synon t’i japë sa më shumë hapësira lojtarit kuqezi gjatë sezonit të ri. Bare do të mbajë fanellën me numër 27 dhe në këtë mënyrë, ai po bëhet gati për të nisur si pjesë e skuadrës së parë sezonin e ri futbollistik në Spanjë.
Abrashi “hiqet” nga merkato
Skuadra gjermane që këtë javë do të sfidojë Domzalen në turin e tretë të Europa League, e ka përfshirë në listën e lojtarëve të grumbulluar mesfushorin kuqezi edhe pse zërat e merkatos për të nuk kishin munguar. 27-vjeçari shqiptar do të jetë i gatshëm për duelin e datës 27 Kkorrik që do të luhet në stadiumin “Schwarzwald” në orën 21:05. Në këtë mënyrë, ekipi gjerman arrin të rezistojë ndaj tundimit për ta shitur mesfushorin që gjatë dy sezoneve të fundit ka rezultuar një element shumë i vlefshëm për skuadrën që rikthehet në kupat europiane.
Në duelin e parë ndaj sllovenëve, Abrashi ka mundësinë të përballet me një tjetër shqiptar edhe pse me më shumë pak mundësi për të luajtur disa minuta. Bëhet fjalë për sulmuesin shkodran, Rubin Hebaj, i cili është përfshirë në listën e lojtarëve që do të udhëtojnë drejt Gjermanisë për këtë transfertë. Hebaj u transferua te Donzale gjatë merkatos së verës dhe kërkon ende kohë për t’u ambientuar në klubin slloven që beson te aftësitë e talentit shqiptar të kombëtares së 21-vjeçarëve.
Jashtë listës së Europa League
“Sa të pasur jemi!”. Kjo është motoja e re të tifozëve të Milanit, pas investimeve rekord të pronarëve të rinj të klubit. Por, në futboll, si edhe në jetë, ka gjëra që paratë nuk mund t’i zgjidhin. Në rastin e kuqezinjve janë çështjet burokratike të dy transferimeve të rëndësishme, Leonardo Bonuçi dhe Lucas Biglia. Lojtarët nuk do të jenë në fushë të enjten, në ndeshjen e parë zyrtare të Milanit për këtë sezon përballë Universitatea Craiova, në turin e tretë kualifikues të Europa League.
Bonuçi dhe Biglia nuk janë përfshirë në listën zyrtare që klubi dorëzoi te UEFA, për futbollistët që regjistrohen për të luajtur. Administratori i Milanit, Fassone bëri të ditur se emrat e lojtarëve mungojnë për probleme teknike që lidhen me vonesat e transferimeve dhe kohën e nevojshme që kërkon realizimi i blerjeve në merkato. Faktor që ndikoi në këtë drejtim është edhe turneu në Kinë ku skuadra është e angazhuar. Klubi nuk ka pasur kohë fizike për të realizuar në formë paradhënie 20 për qind të këstit të nevojshëm për të përballuar shpenzimet e sezonit 2017-2018 dhe të japë garanci për pjesën tjetër të shifrës së nevojshme.
Shpresa e Milanit dhe trajnerit Montela lidhet me rregulloren e UEFA-s, e cila i lejon klubet që deri në mesnatën e së mërkurës të shtojë një lojtar në listën e skuadrës për sfidat europiane. Në këtë mënyrë, njëri ndërmjet Bonuçit ose Biglias mund të luajë prej sfidës së radhës, e natyrisht që në rast të kualifikimit të Milanit në fazën “play off” të dy do të jenë në fushën e lojës.
E ardhmja e Ivan Perisiç te Interi është ende në pikëpyetje. Manchester United prej kohësh interesohet për lojtarin e Interit, por nga ana tjetër edhe klubi zikaltërit nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e tij. Spalletti e konsideron pjesë të rëndësishme të ekipit, por trajneri nuk e përjashton mundësinë e largimit të tij në rast të një oferte të mirë në drejtim të kroatit.
Vjen Milani i madh
“Kjo është një verë ëndrrash për mua, por e bukura është se ende nuk ka përfunduar asgjë”. Me këtë fjali Vicenzo Montela i bën një analizë momentit aspak normal të Milanit që brenda pak javësh është rikthyer i madh, të paktën në letër edhe pse askush në Itali dhe Europë nuk e priste që drejtuesit e rinj të klubit të ishin kaq agresivë në merkato. Timonieri i stolit flet për herë të parë në lidhje me afrimet e rëndësishme.
“Klubi po bën diçka shumë të rëndësishme. Kjo është një skuadër që do t’i rezistojë kohës dhe nuk do të zhvlerësohet. Më pëlqen që të jem unë njeriu që do të drejtojë gjithë këtë sipërmarrje për ta kthyer Milanin mes 5 klubeve më të mëdha të planetit brenda vitit 2022 ashtu siç e tha edhe Fassone”, u shpreh Montela.
Në vijim të intervistës ai e pranon se tashmë fokusi është te afrimi i një qendërsulmuesi me peshë dhe më pas te një sulmues krahu dhe një mesfushor krahu. “Janë të nevojshëm për skuadrën, por gjithsesi tani nuk jemi më të nxituar si disa javë më parë. Nëse synon të afrohesh sa më shumë me Napolin që luan një futboll shumë të bukur, duhet të bësh një merkato agresive. Është shpejt për të thënë nëse e kemi ngushtuar diferencën me Napolin dhe Romën, por nuk duhet të fshihemi”, tha ai.
Në fund një koment edhe për goditjen e madhe të merkatos, Leonardo Bonucci. “Isha i bindur se do ta transferonim sepse u besoja njerëzve që ma thoshin një gjë të tillë. I dërgoja Mirabellit të paktën 10 sms në ditë me vetëm tre fjalë, mirëdita, mirëmbrëma drejtor: Bonucci. Do të jetë një shembull shumë i mirë për të rinjtë dhe një lojtar lider në skuadër”, tha Montela.
Pas largimit të Leonardo Bonucci-t, Juventus po vlerëson disa pista për t’u përforcuar në mbrojtje. Sipas “La Repubblica”, klubi bardhezi po monitoron situatën e holandezit Stefan de Vrij te Lazio. 25-vjeçari sezonin e ardhshëm mund të lirohet me parametër zero nga bardhekaltërit. Nga ana tjetër “Zonja e Vjetër” ka hequr dorë edhe nga Nemanja Matiç i Chelsea.
Presidenti i Romës, James Pallotta është i bindur se skuadra e këtij sezoni do të zhvillojë një vit të madh. Verdhekuqtë, sezonin e kaluar u renditën në vendin e dytë dhe numri një i klubit italian beson se do të jenë sërish ata rivali kryesor i Juventus-it. Përsa i përket largimit të Sabatini-t, Pallotta tha se i vjen keq dhe se nuk e dëshironte ikjen e tij.
Hrvoje Miliç, tashmë një lojtar i Olympiacos në Greqi, përmes një postimi në Instagram falenderoi ish-skuadrën e tij, Fiorentinën. Lojtari kroat shkruajti se kaloi një vit fantastik në Firenze, pasi luajti në një klub që ka histori dhe pasion. Më tej 28-vjeçari shprehu mirënjohjen e tij ndaj klubit, stafit, shokëve të skuadrës dhe tifozëve për mbështetjen e dhënë gjatë gjithë kohës.