Nga zërat se mund të largohej në merkato apo se Zurichu nuk e cilësonte pjesë të projektit prej moshës së madhe, Burim Kukeli e nis në mënyrë të shkëlqyer sezonin e ri në Zvicër. Me një rol të ri në fushë, ku ashtu siç i ka ndodhur shpesh në kombëtare u përshtat si mbrojtës, lojtari nga Gjakova ishte një garanci për Zurich në fitoren 2-0 në fushën e Grasshopper, në javën e parë të Superligës zvicerane. Kukeli u aktivizua gjatë gjithë lojës si qendër e majtë në mbrojtje, ndërsa u ndëshkua edhe me karton të verdhë në minutën e 71-të, në ndeshjen që u vendos nga dy golat e Dwamenas.
Për paraqitjen e jashtëzakonshme gazeta zvicerane “Blick” e përfshiu në Formacionin më të Mirë të Javës, duke vlerësuar se 33-vjeçari dha siguri në pozicionin e ri, ku për t’u theksuar ishte fakti se ndihej mjaft komod. Paraqitja e mirë e ndihmon Burim Kukelin të konsolidojë pozitat e tij në skuadër, pas interesimit të ish-zv.trajnerit të kombëtares, Tramezzani, që synonte ta transferonte te Sioni. Por me freskinë e treguar, eksperiencën e madhe që zotëron dhe faktin se mund të mbulojë disa role në fushë, tashmë duket e vështirë që Zurichu të privohet nga shërbimet e shqiptarit.
Burim Kukeli e nis me këmbën e mbarë sezonin e ri në Superligën zvicerane. Lojtari i kombëtares kuqezi që ka zgjedhur të vazhdojë karrierën te Zyrihu, zhvilloi ndeshjen e parë titullar me Zyrihun në derbin kundër Grasshopers të fituar me rezultatin 2-0. Risia më e madhe e këtij takimi për Zyrihun ishte zhvendosja e Kukelit në mbrojtje. Trajneri Ulrich Forte hodhi në fushë formacionin 3-5-2 duke e zhvendosur disa metra më mbrapa lojtarin shqiptar në krahun e majtë të mbrojtjes me tre lojtarë.
Zvicër, Burim Kukeli në formacionin e javës

“Hysaj refuzoi një emër të madh për Napolin”

Që kur u transferua nga Empoli te Napoli dy vite më parë, Elseid Hysaj pati një rritje eksponenciale, aq sa vendi i titullarit në formacionit e Maurizio Sarrit është i padiskutueshëm për të. Dhe jo vetëm. Edhe në kombëtaren shqiptare, Hysaj është një ndër elementët kryesorë, që i jep më shumë autoritet skuadrës në përballjet me ekipet më të mëdha. Në rolin e tij si mbrojtës i krahut të djathtë konsiderohet ndër më të mirët në Europë, madje edhe ofertat nga klube të mëdha nuk kanë munguar, por 23-vjeçari ka vendosur të qëndrojë në qytetin pranë Vezuvit sepse është i bindur se do të fitojë titullin kampion. Pak ditë më parë shkodrani deklaroi se mund të përmirësohet edhe më shumë si futbollist dhe se i pëlqen të shënojë, por një futbollist i rolit të tij e ka të vështirë ta gjejë rrjetën.
Menaxheri i Hysajt, Mario Giuffredi, zbuloi në një prononcim për mediat italiane se për klientin e tij ka patur ofertë konkrete, serioze dhe reale nga një klub i madh europian, por nuk u largua nga Napoli sepse dëshiron të fitojë “Skudeton”. Elseidi, vijoi më tej Giuffredi, nëse do ta pranonte këtë ofertë do të përfitonte një pagë shumë më të lartë se ajo që merr te Napoli. Për cilën skuadër e kishte fjalën menaxheri i shqiptarët? Pavarësisht këmbënguljes së gazetarëve ai zbuloi vetëm një detaj shumë të rëndësishëm. E ka mbyllur sezonin në vendin e dytë në një nga kampionatet më të forta në Europë.
S’është e vështirë për ta kuptuar se është një mes Barcelonës, PSG, Tottenhamit dhe Liepzigut. Ndoshta verën e ardhshme Hysajn do ta shohim përkrah emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.
Edhe Palermo synon Ajetin
Edhe pse Sinisa Mihajloviç e ka lënë jashtë kontingjentit të Torinos për sezonin e ri, klubet e interesuara për Arlind Ajetin sa vijnë edhe shtohen. Më e fundit në listë është Palermo, që pasi ra një kategori më poshtë, synon të krijojë menjëherë një grup cilësor për të synuar menjëherë rikthimin në elitën e futbollit. Edhe pse është një piacë e rëndësishme dhe i garanton një fanellë titullari, skuadra siçiliane penalizohet nga fakti se mbrojtësi kuqezi dëshiron të qëndrojë në Serinë A. 23-vjeçari po pret ofertën e duhur në këtë drejtim, ndërsa Krotone cilësohet si skuadra më e mundshme për ta afruar.
Ekipi i drejtuar nga Davide Nicola ka qenë e para që ka shprehur interes konkret për Ajetin, të cilin e cilëson një element mjaft të rëndësishëm për të përforcuar repartin difensiv. Përfaqësuesit e futbollistit shqiptar dhe klubi i Krotones kanë arritur marrëveshjen në parim, duke qenë në avantazh ndaj Bolognas, Spal dhe Beneventos. Klubi kalabrez ka nisur gjithashtu negociatat edhe me Torinon, që pret ofertën e duhur për kartonin e mbrojtësit të lindur në Bazel, me kartonin e Ajetit që vlerësohet 1,5 milionë euro në merkato.
Rey Manaj drejt Carpit
Ditë vendimtare për të ardhmen e sulmuesit shqiptar të Interit, Rey Manaj. Pas një sezoni plot dritëhije mes Milanos dhe Piza-s, bomberi kuqezi tashmë shikon drejt një tjetër horizonti. Skuadra nga provinca e Modenas që këtë sezon do të luajë në Serie B, synon të huazojë lojtarin e lindur në Lushnjë. Disa ditë më parë, marrëveshja mes klubeve ishte shumë pranë finalizimit, por situata nuk ka ndryshuar. Manaj vazhdon të mbetet një lojtar i Interit dhe me afrimin e trajnerit Calabro, Manaj mund të hedhë të zezën mbi të bardhë gjatë ditëve të ardhshme.
Nuk bëhet e ditur nëse 20-vjeçari do të huazohet apo do të transferohet përfundimisht te Carpi, por kjo lëvizje mund të rezultojë e duhura për lojtarin që kërkon më shumë hapësira, çka nuk ia siguron aspak trajneri Luciano Spalleti. Gjatë sezonit të shkuar në radhët e Piza-s, Manaj u aktivizua 17 ndeshje, por nuk arriti të linte gjurmë pasi shënoi vetëm 2 gola duke mos e ndihmuar skuadrën e Gatusos për të mbijetuar në Serie B.
Baton, mos na trondit më kështu
Artur ZHEJI
Lexova me tmerr shkrimin më të fundit të Baton Haxhiut dhe mendova se ç’po ndodh në këtë vend. Batoni komentonte këpucët sportive të Ramës dhe merrte nën mbrojtje këpucët e kryeministrit, si artist dhe si estet demek.
Ku dreqin e lexova, se mund të më kishte shpëtuar pa lexuar këto ditë vere… por ja ndodhi.
Këpucëkomentimi i kryeministrit, nga dashuria apo nënshtrimi, më duket një tregues për nivelin ku po rrokullisemi, në këtë greminë qesharake, që na largon nga besimi i njerëzve. Këtë këpucëkomentim, mund ta bënte si mëkat fillimkarriere ndonjë zonjushë e pamartuar apo ndonjë gazetarzog i sapodalë veze, nën urdhër të pronarit maskara, por nga Batoni nuk e prisja kurrsesi. Me Batonin njihem prej vitesh, madje kam derdhur lotë të sinqertë, kur, në kohën e luftës së Kosovës, u hap lajmi i rremë që u vra nga serbët.
Dhe e kam përqafuar me dashuri vëllazërore kur e takova gjallë, në Tetovë, si emigrant lufte dhe e kemi gdhirë duke zbrazur gota mjerimi dhe duke bërë analiza të trishta, te klubi “B52”, për Kosovën që digjej dhe të ardhmen e panjohur.
I mërzitur, por optimist ishte atëherë Batoni, por kishte dinjitet dhe bënte gazetën dhe lajme në kushte të vështira.
E pra, pash Zotin!, Baton, si mundesh sot ti, Batoni i ironisë së hollë, të komentosh këpucët e Ramës dhe të marrësh nën mbrojtje huqet e tij, deri në nivelin e këpucëve sportive me ngjyra apo pa ngjyra.
Sepse ashtu si more së fundi nën shqyrtim këpucët, more në shqyrtim dhe mbrojtje edhe kanabisin që nuk ishte sipas teje, dhe ngrite lart, edhe qeverisjen e dështueme 4-vjeçare 2013-2017 dhe iu vërsule gojëhidhur kundërshtarëve politikë të tij. Por hajt mo, kjo edhe hahej deri diku.
Por këpucëkomentimi, jo!
Dhe padyshim ai, këpucëkomentuari, ta ka hedh dorën në qafë, sa herë që të takon, besoj me dashuri dhe me kunja të vrerosura, për ata, që e sulmojnë nga “xhelozia” dhe “smira” dhe që nuk ia mirëkuptojnë këpucët snobe në Samitin e Triestes.
Nga ai Samit me këpucë sportive, Shqipëria doli duarbosh, por ti komenton këpucët dhe në këtë mjerim pa skaj, e krahason me Isa Boletinin dhe pisqollën e tij të famshme, të fshehur në brez në takimet e Londrës me kryeministrin britanik, një shekull e kusur më parë, për njohjen e Shqipërisë dhe të Kosovës, që atëherë në mendjet e shqiptarëve ishin një.
Hajte more ku je?!…
Ndonjë hall të madh do të kesh o mik, o vlla! Se nuk do ta bënte një Baton pa ndonjë “hall”, këtë keqtrajtim publik të Batonit, në këpucëkomentimin e kryeministrit, që nuk i ka menduar këto punë kaq thellë sa ti. Ndoshta ka pasur ndonjë kallo që i dhembte, apo edhe në ka apo s’ka kallo në këmbë, ti ke informacion ekskluziv?
Ka mundësi… ka mundësi…
Por, si në kohët e vjetra të vitit të largët 1992, kur ndenjëm ca herë së bashku me Ibrahim Rugovën në Romë dhe me shallin e tij, sepse ai shall, mendoj se kish shumë më shumë kuptim se sa këpucët që ti merr sot nën mbrojtje, në emër të atyre kohëve pra Baton, ngrije stekën e gjykimit dhe të komentit pak më lart, vlla.
Nga mesi e lart, pra. Nga rripi e deri te ndonjë vath, që kryeministrit mund t’i teket ta vendosë në vesh apo ndonjë pirs në vetull apo në hundë.
Dhe një këshillë: Pas shkrimit këpucëkomentues, rri ca kohë pushim, qoftë edhe në Qeparo apo Vuno, sa të harrohet capak.
Dhe mos na trondit më kështu, se të duam ndryshe.
Udhëtimet janë kripa e jetës
Carmen-Francesca Banciu
Sapo zgjaten ditët dhe drita dhe dielli bëhen më të fuqishëm, ne duam të lëshohemi jashtë, të dalim nga banesat. Ne na hipën dëshira e madhe për t’u lëshuar drejt pafundësisë së botës. Papritmas, ne jemi të gatshëm për të injoruar pengesat dhe vështirësitë. Dhe për të marrë vullnetarisht rreziqe në konsideratë.
Ç’është kjo dëshirë dhe pse na mbërthen? Të rinj ose pleq, të pasur apo të varfër. Të arsimuar ose më pak të arsimuar. Vetëm apo me familje – dëshira i kap të gjithë.
Dëshira për udhëtime është e lashtë
Për një kohë të gjatë pelegrinazhet konsideroheshin si udhëtime të vërteta plot me sakrifica të mëdha që i bënin edhe njerëzit e zakonshëm, ndërsa udhëtimet edukative ishin për njerëzit e shtresës së lartë. Sot pothuajse të gjithë mund të bëjnë udhëtime turistike. Udhëtimet konsiderohen zakonisht si pasurim, si shërim, si forcim karakteri, zgjerim njohurish, si efekt pozitiv.
Nëse Odisea ka ekzistuar vërtet nuk dihet. Megjithatë, kthimi i tij përshkruhet nga Homeri si gabim dhe që nga kohët e lashta transmetohet si pronë e rëndësishme kulturore. Ndoshta kjo është shprehja e një skepticizmi të shëndoshë si kundërpol ndaj dëshirës dhe euforisë për udhëtime.
Dëshira për të udhëtuar si ëndërr
Kolumbi, Marko Polo apo Amerigo Vespucci, Vasco da Gama, Magelani, Alexander von Humboldt – të gjithë ata bënë zbulime dhe i bënë një shërbim të madh njerëzimit.
Pionierja e turizimit Nellie Bly donte të hidhte poshtë paragjykimet ndaj grave dhe në vitin 1890 përshkoi vetëm me një valixhe dhe një fustan të qepur apostafat, botën për 72 ditë, 6 orë dhe 11 minuta – më shumë se Files Fugu i romanit të Zhyl Vernit, të cilit iu deshën 80 ditë për këtë.
Për evropianolindorët që kanë jetuar të izoluar në diktaturë udhëtimet janë një gjë e jashtëzakonshme. Dikur për shembull në Rumani njerëzit e zakonshëm nuk kishin as pasaporta dhe as leje për të dalë jashtë vendit. Njerëzit si unë i bënin udhëtimet në imagjinatë përmes librave apo filmave që shihnim.
Vajtja në vende të tjera, të afërta apo të largëta, lidhej me konceptim e lirisë dhe përfytyrimin e fatit. Kjo ndryshoi me anëtarësimin në BE.
Traditë e gjatë në Gjermani
Në Gjermani dëshira për të zbuluar vise dhe vende të tjera është tepër e madhe. Këtu prindërit i dërgojnë fëmijët pas përfundimit të shkollës jashtë vendit që të punojnë si vullnetarë për rindërtimin e zonave të luftës apo për të bërë praktikë në ndonjë vend të largët. Kjo i mëson ata si të mbijetojnë në një kulturë të huaj, si të përgatiten për të marrë përgjegjësi për provimin e jetës.
Unë kam miq që përpara se ato të shkojnë në ndonjë vend lexojnë libra të tërë për historinë, letërsinë, kulturën e vendit ku shkojnë. Ata thithin njohuri për vendin ku shkojnë, madje mësojnë edhe ca fjalë nga gjuha e vendit.
Por njoh edhe njerëz që nuk janë të pranishëm në vendin që shkojnë se e kanë mendjen të bëjnë fotografi dhe t’i postojnë në Facebook. Apo që kanë me vete një listë me gjërat që duhet të shikojnë dhe i vizitojnë ato me shpejtësi rrufeje.
Parajsat e vogla
Edhe pse shumica jonë duan të udhëtojnë, ne i përbuzim turistët. Harrojmë se dhe ne vetë jemi të tillë, kudo ku nuk jemi në shtëpi. Ne duam të gjejmë vende ku natyra është e paprekur, plazhet bosh, muzeumet në dispozicionin tonë. Madje shumë do të donin edhe një Greqi pa grekë. Disa njerëz shkojnë në vende të largëta për të shijuar atje në tokë të huaj në mesin e bashkatdhetarëve të tyre ato gatime që i njohin nga vendi i tyre. Dhe vrasin mendjen se si mund ta ndryshojnë parajsën e vogël dhe ta shndërrojnë në një vend të njohur.
Ka udhëtime të mëdha dhe të vogla që na çojnë në pafundësinë e botës, ose në botën tonë të brendshme. Ato mund të shndërrohen të gjitha në aventura të mëdha. Pa marrë parasysh përse vendosim, ato do të lënë gjurmë, sepse: na ndryshojnë, rinojnë, na zbukurojnë jetën tonë, nëse ne takohemi me botën dhe njerëzit e saj me kureshtje.
Carmen-Francesca Banciu është shkrimtare dhe docente rumuno-gjermane. Që nga nëntori i vitit 1990 ajo jeton si shkrimtare e pavarur në Berlin dhe ofron seminare për shkrim kreativ. Që nga viti 1996, ajo shkruan edhe në gjuhën gjermane. Së fundi ajo ka botuar libra “Erë e lehtë në Parajsë” dhe “Berlini është Parisi im – Tregime nga kryeqyteti”
Mesazhi i Selamit për ata që bojkotuan: T’i japim vendit, opozitë të fortë
Eduard Selami ka pranuar rezultatin e dalë nga zgjedhjet me një anëtar një votë për kryetarin e PD dhe ka deklaruar se ai do të jetë një hap përpara në rigritjen dhe forcimin e PD. “Unë e respektoj vendimin e demokratëve”, ka thënë Selami duke mbajtur një qëndrim dinjitoz si në garën për kryetar, ku ai ishte një kritik i ashpër i Bashës ashtu edhe në përfundim të rezultatit të votimeve.
“Ne kishim zgjedhjet. Zgjedhje shumë të rëndësishme në historinë e Partisë Demokratike, të cilat unë mendoj se, pavarësisht nga rezultati, sikurse kam thënë përherë, do të jem dhe jam një hap përpara në forcimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike.
Më lejoni të falënderoj të gjithë ata që na votuan, të gjithë votuesit e PD, të gjithë ata që u morën me përgatitjet e këtyre zgjedhjeve, të gjithë ata që votuan vizionin tonë, i cili mendoj se ishte vizioni më i mirë për ta ringritur PD, për ta bërë dhe një herë shpresë për demokratët, për të djathtët dhe për Shqipërinë.
Gjithsesi kjo është: demokracia. Ka një votim, ky votim është bërë dhe unë e respektoj këtë votim. E kam telefonuar zotin Basha sot dhe e kam uruar për fitoren dhe i bëj thirje të gjithë demokratëve të gjithë atyre që kanë votuar për mua dhe atyre që s’kanë votuar për mua dhe atyre që kanë bojkotuar, hajde të bashkohemi, t’i japim Shqipërisë një opozitë të fortë për të cilën ka shumë nevojë vendi. Dhe unë do të jap gjithë kontributin tim dhe përpjekjet e mia që, kjo të realizohet.
Pavarësisht se zgjedhjet ishin të pabarabarta ky ishte një hap i rëndësishëm përpara dhe siç e dini unë kam hartuar një platformë konkrete në konsultë me demokratët nga e gjithë Shqipëria që këto zgjedhje që vijnë, t’i bëjmë akoma më të mira dhe kjo do të jetë fryma e bashkëpunimit. Unë mendoj se PD ka dalë më e fortë nga kjo garë dhe unë do të vazhdoj kontributin tim si anëtar i PD, që Partia Demokratike të kthehet dhe një herë shpresë për të gjithë shqiptarët”, tha Selami.
Cila do të jetë e ardhmja e Selamit? Ai i është përgjigjur me modesti se do të vazhdojë të kontribuojë si një demokrat i thjeshtë në Njësinë Nr. 2. “Platforma ime është shpalosur. Tashmë unë jam një demokrat krenar si gjithmonë, anëtar i seksionit të njësisë dy, dega Tiranë”, tha Selami.
Ngjela: Rama po imiton intelektin e Hoxhës që të çon në terrorizëm!
Një prej aleatëve dhe njëherësh kritikë të Edi Ramës, avokati Spartak Ngjela në një reagim të tij i bën thirrje kryeministrit që të kujtojë edhe shtresën e ish-të dënuarve politikë të vrarë nga regjimi i Enver Hoxhës.
Në një postim në Facebook, Ngjela lëshon kritika edhe mbi një çështje shumë të rëndësishme siç është Reforma në Drejtësi.
Reagimi
Na habit Rama me një vajzë që na paskan vrarë gjermanët në luftë. Pse nuk merret ky “humanist i madh” me të vrarët që iu bëri Enver Hoxha prapa krahëve bashkëluftëtarëve të tij shqiptarë, që nga Qemal Stafa e deri te Vasil Shanto; nga Asim Zeneli e deri te Raqi Qirinxhi; që nga Mustafa Gjinishi e deri te të tjerë me radhë; ai që e dorëzoi gjeneralin britanik, Devis, te gjermanët edhe pse e kishte aleat!
Dhe më duket se Rama e di vlerë këtë.
Këtë politikë kërkon të imitosh ti Ramë; domethënë vobektësinë e intelektit Hoxha që të çon në terrorizëm!
Vërtet mendon se e mallëngjen Angela Merkelin me ato broçkulla që përmend kot, pa fare lidhje!
Shtroju reformës Ramëziu, se nuk shpëton dot po ke futur duart dhe leri përkujtimoret dhe Lulzim Bashën, në vendin e tyre, se hetimi ka filluar.
ll. Asnjë kacidhe nuk merr dot Rama në Perëndim pa Reformën në Drejtësi. Dhe nëse nuk merr dot: përse ta duan shqiptarët, që t’i shohin atletet!
Nuk heq dorë Uashingtoni nga Reforma, mjerë ata që mendojnë apo kanë menduar për Rusinë!
lll. Filloi Rama të merret me Gjermaninë tani se ka presionin e Merkelit. Çështë kjo politikë shterpë si ajo e Enver Hoxhës pikërisht ku duhet të fillojë demokracia me rrënjë katërfishe në Shqipëri: në procesin zgjedhor; në sistemin gjyqësor; në pushtetin lokal, në riinstitucionalizimin e shtetit shqiptar. Të shohim… por shenjat nuk janë të mira për Ramën.
Pollo: Vota e anëtarësisë tregoi atë që ndihej e dihej
Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, deputeti i PD, Genc Pollo i ka shprehur urimet e tij kreut të kësaj force Lulzim Basha. Pollo shkruan se vota e anëtarësisë tregoi atë që ndihej e dihej. Ai shtoi më tej se sfida jo të lehta e presin PD e Shqipërinë. Megjithatë nuk harroi as të përgëzonte kundështarin e Bashës, Eduard Selamin për qëndrimin ndaj rezultatit e urimin e fituesit. “Urimet më të pëzemërta kryetarit të PD Lulzim Basha. Vota e anëtarësisë tregoi atë që ndihej e dihej. Përkrahje për sfidat jo të lehta që presin PD e Shqipërinë. Përgëzime z. Selami për fushatën gojëmprehtë e sidomos për qëndrimin ndaj rezultatit e urimin e fituesit. Koha për të parë përpara e për të kontribuar për Partinë Demokratike e për një opozitë efikase kundrejt rilindistëve 2.0 që me gjasë do të shtojnë zullumin”, shkruan Pollo.
Tritan Shehu: Bashkë për betejën e ardhshme
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar pas rizgjedhjes së Lulzim Bashës si kryetar i PD-së. Nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook ai ka uruar Bashën dhe i ka ofruar të gjithë mbështetjen e tij. “PD përmbylli sot në mënyrë demokratike e me një pjesëmarrje të lartë procesin e zgjedhjes së kryetarit të saj. Demokratët votuan masivisht z. Basha. Urimet më të mira dhe të gjithë mbështetjen atij. Dua të theksoj se demokratët me pjesëmarrjen dhe votën e tyre ishin koshientë të ‘asaj se çfarë po bënin” dhe bënë më të mirën e mundshme! Dëshiroj të përshëndes gjithashtu dhe z. Selami për shpirtin demokratik, civil e bashkëpunues që tregoi gjatë gjithë këtij procesi! Dhe tashti të gjithë së bashku në betejat tona të ardhshme politike!”.