Zonja e Parë në largim, Odeta Nishani, pak orë para se të lërë Presidencën, ka përshëndetur mbështetësit e saj në rrjetet sociale dhe në përgjithësi, të gjithë shqiptarët. Në mesazhin e saj, Odeta Nishani shkruante dje:
“Të dashur miqtë e mi,
Në mbyllje të mandatit presidencial dua t’ju falënderoj thellësisht nga zemra që më keni ndjekur dhe inkurajuar këto vite në aktivitetet si Zonjë e Parë. Shumë prej jush i kam takuar, kemi biseduar nga afër për problematika dhe sfida në fusha të ndryshme të jetës.
Në pamundësi për t’ju shtrënguar të gjithëve dorën sot dua t’ju uroj nëpërmjet FB, mbarësi në familjet tuaja, të jeni kontributorë të mirë në familje dhe shoqërinë tonë të përbashkët….miqësisht Odeta”.
Falenderimi i zonjës Odeta Nishani
Abuzim edhe me regjistrat, paditet Ndreca

Pasi e pushoi nga puna, ministrja teknike Mirela Karabina, e ka paditur Plarent Ndrecën në Prokurori, ky i fundit i pezulluar nga detyra e sekretarit të Përgjithshëm. Karabina ka kallëzuar në Prokurori Plarent Ndrecën për shpërdorim detyre, pasi sipas njoftimit, Ndreca ka abuzuar, duke nënshkruar një kontratë prej 86 milionë lekësh të vjetra (pa TVSH), për botime. Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, kallëzimi në Prokurorinë e Përgjithshme është bërë pasi Ndreca, në kundërshtim me aktet ligjore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ka firmosur si titullar i autoritetit kontraktor për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit një kontratë me një operator ekonomik. “Konsiderojmë se vazhdimi i ushtrimit të paligjshëm të funksioneve shtetërore nga ana e shtetasit Plarent Ndreca është shpërdorim i hapur i detyrës me pasoja të rënda ligjore dhe financiare për institucionin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe buxhetin e shtetit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të kallëzimit penal me Nr. 2466-M, datë 12.06.2017 për shtetasin Plarent Ndreca, për shkelje të rënda ligjore të bëra gjatë ushtrimit të detyrës së tij si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit deri më datën 13.06.2017, titullari i këtij institucioni znj. Mirela Karabina, ka depozituar, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimi penal me Nr. Prot extra 12, datë 24.07.2017 për shtetasin Plarent Ndreca, i pezulluar nga detyra e sekretarit të Përgjithshëm, si dhe i shfuqizuar nga kompetencat që përmban ky funksion.
Kallëzimi është bërë për shkak se z. Ndreca në kundërshtim me aktet ligjore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka firmosur si titullar i autoritetit kontraktor për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit një kontratë me operatorin ekonomik “Albdesign PSP”, sh.p.k., me objekt: Loti I: “Shtypja dhe botimi i dëftesave, regjistrave, dhe revistës ‘Mësuesi”’, me fond limit 8’600’937 (Tetë milion e gjashtëqind mijë e nëntëqind e tridhjetë e shtatë) lekë pa TVSH.
Përdorimi abuziv i titullit “Titullari i autoritetit kontraktor të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”, jemi të bindur se përbën vepër penale.
Konsiderojmë se vazhdimi i ushtrimit të paligjshëm të funksioneve shtetërore nga ana e shtetasit Plarent Ndreca është shpërdorim i hapur i detyrës me pasoja të rënda ligjore dhe financiare për institucionin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe buxhetin e shtetit.
Ministri i Arsimit dhe Sportit është i vendosur të denoncojë çdo rast që cenon funksionimin e institucionit, shpërdorimin e fondeve të buxhetit të shtetit, si dhe akte të korrupsionit, në institucionin që ajo drejton.
Gati vala e re e taksave për sigurinë rrugore
Ministria e Transporteve pranon se ka një ngërç lidhur me koordinimin institucional që lidhet me sigurinë në rrugë. Në një raport të dorëzuar pranë Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara (UNECE), krahas statistikave jepen edhe disa nga problematikat kyçe që hasen. Mes të tjerave raportimi shton se duhet financim jashtë buxhetit që të mbështesë sigurinë rrugore dhe si shembull sjell mundësinë e tarifave që mund të paguhen nga kompanitë e sigurimit apo një tarifë nga kurset e ndihmës së parë të Kryqit të Kuq. Një ndër propozimet që bëhet në dokumentin e raportuar pranë UNECE është kalimi i Komitetit Ndërministror për Sigurinë Rrugore nën varësinë direkte të Kryeministrit. Lidhur me financimin thuhet se duhet të mundësohet një fond i dedikuar që do të shkojë ekskluzivisht për projektet dhe programet e sigurisë rrugore. Informacioni për financimin duhet të jetë i aksesueshëm për publikun. Më poshtë renditen disa nga çështjet që ngre pala shqiptare si shqetësim sa i përket situatës së sigurisë rrugore mungesa e së cilës bën që rrugët e vendit të përgjaken pothuajse çdo ditë me aksidente. 1. Për momentin Komiteti Ndërministror i Sigurisë Rrugore nuk koordinon aktivitete në praktikë. Më tepër ka rolin e një organizmi vendimmarrës. 2. Ky komitet përfshin ministra të disa ministrive që mund të kenë në objektiv të tyre çështje të tjera më shqetësuese sesa siguria rrugore çka e bën të vështirë organizimin e mbledhjeve në baza të rregullta. 3. Sekretariati Teknik ekzistues nuk ka fuqi koordinuese dhe vetëm sa mundëson statistika dhe propozime. 4. Nuk ka fond të dedikuar për sigurinë rrugore. 5. Koordinimi me Autoritetin Rrugor Shqiptar shfaqet disi i vështirë sa i përket çështjeve të sigurisë rrugore. 6. Policia Rrugore ka axhendën e saj (të ndarë) si përsa i përket planifikimit edhe çështjeve. 7. Qeverisja vendore nuk po luan ndonjë rol domethënës në menaxhimin e sigurisë rrugore mungesës së vëmendjes nga çështja dhe financimit. 8. Në fund nuk ka veprime të koordinuara mes një sërë aktorëve dhe s’ka mbikëqyrje e masa cilësore e sistematike.
Edhe për qershorin, çmimet e konsumit pësuan rritje
Ndryshimi vjetor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në muajin qershor 2017 është 3,7%. Ky ndryshim, është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” me 8,8%, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,1%, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,8%, “argëtim dhe kulturë” me 1,6 %, etj. Ndërsa, çmimet e grupit “veshje dhe këpucë” u ulën me 2,4 %, pasuar nga grupi “mobilje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,4%. Në qershor 2017, ndryshimi mujor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit është -0,3%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “ushqime dhe pije jo alkoolike”. Inflacioni në Shqipëri, sipas metodologjisë së Eurostat, ka shënuar rritjen më të madhe në rang europian edhe në muajin maj 2017. INSTAT publikoi dje se, ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në maj 2017 është 3,4%. Deri në muajin prill, Shqipëria ishte vendi i parë në rang europian për ritmin më të lartë të rritjes së çmimeve, por në maj u rendit në vendin e dytë pas Estonisë. Sipas INSTAT, ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7,4%, pasuar nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,1%, “Argëtim dhe kulturë” me 2,4%, “Transport” me 2,3%, etj. Ndërsa, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 2,0%, pasuar nga grupi “Mobilie shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,2%. Në maj 2017, ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -1,6%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije”. Në fillim të këtij viti për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat II, janë ndërmarrë hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995. Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Të prapambetur edhe për teknologjinë e informacionit
Shqipëria është i vetmi vend në Europë me mesatare poshtë nivelit të mesatares botërore për sa i përket indeksit të zhvillimit të teknologjisë. Shqipëria renditet e fundit nga 40 shtetet europiane për sa i përket zhvillimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit sipas Indeksit të Zhvillimit të TIK për 2016-n, publikuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (International Telecommunication Union -ITU). Në total, indeksi ka renditur 175 ekonomi, ku Shqipëria renditet e 91-a, 10 vende më larg se Bosnja, e renditur e parafundit në rajon. Krahasuar me 2015-n, vlera e indeksit të teknologjisë është përmirësuar nga 4.62 në 4.92 më 2016-n. Në krahasim me një vit më parë, progresi më i madh është bërë me qasjen në internet dhe me rritjen e numrit të shtëpive që kanë një kompjuter. Norma e penetrimit e transmetimit me anë të kabllove të të dhënave u rrit nga 6.5% më 2014 në 7.6% më 2015. Çmimi për lidhjet kabllore të internetit ranë nga 29.79 dollarë më 2008-n në 9.52 dollarë më 2015-n. Çmimet e paketave të kompanive celulare ranë nga 32.13 dollarë në 6.35 dollarë më 2015. Edhe çmimet e paketave të internetit ranë nga 2012 më 2015. Rritja e numrit të përdoruesve të telefonisë celulare nga 30.9% më 2014 në 40.6% më 2015-n, kryesisht u nxit nga prezantimi LTE dhe LTE-A.
Basha hap dyert e PD-së për kritikët, pushteti tek anëtarët
Lulzim Basha do të drejtojë Partinë Demokratike edhe për katër vitet e ardhshme. Basha është shpallur kryetar i Partisë Demokratike pasi ka fituar garën kundër Eduard Selamit, me 91% të votave. Gjithsej votuan 59834 anëtarë të PD-së. Basha ka marrë 59067 vota, ndërsa Selami 5136 vota. Të pavlefshme 767 vota
Lulzim BASHA
Partia Demokratike tregoi dje se është forca politike më vitale në vend, me afro 60 mijë anëtarë, të cilët dolën dhe votuan duke shënuar me pjesëmarrjen më të madhe deri më sot në Shqipëri, në zgjedhjet një anëtar një votë.
Kjo pjesëmarrje masive në zgjedhjen e kryetarit, është dëshmia e besimit të demokratëve tek partia jonë dhe vlerat e demokracisë.
Është shenjë se ata janë të fortë, se ata janë bashkë. Por është edhe tregues se demokratët janë të vendosur të punojnë për forcimin e Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë. Është mesazhi se e ardhmja e Partisë Demokratike është e sigurtë.
Dua të falënderoj të gjithë anëtarët dhe drejtuesit e Partisë Demokratike që morën pjesë masivisht dhe aktivisht në bashkëbisedimin dhe debatin e fushatës për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike në të 68-të degët e saj anembanë vendit.
Dua të falënderoj komisionerët, numëruesit, vëzhguesit dhe të gjithë anëtarët e familjes tonë politike që kontribuan me përkushtim dhe integritet në administrimin e procesit zgjedhor.
Dua të falënderoj Eduard Selamin që i vlerësoi demokratët dhe shkoi para tyre me një projekt, me një alternativë dhe ju bëri atyre thirrje të marrin pjesë e ta votojnë.
Sot jam i prekur dhe thellësisht mirënjohës ndaj të gjithë ju demokratëve për besimin që më dhatë. Vota juaj më bën të ndihem thellësisht i përunjur. Sepse unë i njoh shqetësimet tuaja për gjendjen ku jemi, i di brengat tuaja, i di vërejtjet dhe pritshmëritë tuaja ndaj meje, sikurse i njoh shpresat dhe dëshirat tuaja.
Ndaj dua t’ju them se vota juaj është për mua një borxh i madh, një detyrim shpirti ndaj çdo demokrati, borxh që do jua kthej duke punuar çdo çast, me përkushtim dhe vendosmëri, me ndershmëri dhe dinjitet, borxh që mund të shlyhet vetëm duke e kthyer Partinë Demokratike në drejtim të fateve të vendit.
Vota e 60 mijë demokratëve konfirmoi dje se kauza jonë e zgjedhjeve të lira, e çlirimit të vendit nga korrupsioni e droga, e kthimit të politikës tek qytetari, është kauza e drejtë e kohës, është kauza me më shumë mbështetës të lirë e të vendosur sot, dhe një kauzë që do të shkojë përpara pa u ndalur.
Gara dhe mënyra qytetare dhe europiane e votimit për kryetarin e Partisë Demokratike treguan para të gjithëve se Partia Demokratike është parti e madhe, parti perëndimore, parti europiane.
Ne demokratët vërtet humbëm zgjedhjet, por nuk humbëm besimin tek partia jonë dhe tek vetja. Ne nuk kemi humbur vlerat, nuk kemi humbur dinjitetin, nuk kemi humbur forcën dhe kurajon, nuk kemi humbur qytetarinë, nuk kemi humbur shpirtin tonë europian.
Me vlerat tona, me vendosmërinë dhe punën tonë, ne do të rifitojmë besimin e shqiptarëve dhe do të japim kontributin tonë të pazëvendësueshëm për të ardhmen e Shqipërisë.
Misioni ynë është mision kombëtar dhe Partia Demokratike është garancia për përparimin e Shqipërisë, është forca që do ta çojë përpara vendin.
Që të përmbushim aspirat dhe pritshmëritë që ne kemi për veten, dhe që gjithë shqiptarët kanë ndaj nesh, ne duhet të shohim përpara, duke u përmirësuar, duke u demokratizuar, duke u modernizuar.
Sot dua të garantoj të gjithë se:
Partia Demokratike do të jetë më demokratike, duke i dhënë pushtet anëtarëve të saj dhe duke e kaluar vendimmarrjen për çështjet kryesore tek anëtarët.
Dua të siguroj të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike se vendimmarrja do të jetë në duart tuaja, se ju do të shpreheni, ju do të vendosni siç bëtë dje, çdo ditë në vijim, se kush do të jenë përfaqësuesit tuaj, të zgjedhurit tuaj.
Ju garantoj se asnjë prej jush nuk do të nëpërkëmbet, por do të pyetet e do të shprehet, dhe çdokush që do të marrë pushtet nga demokratët do ta dijë mirë këtë, e nuk do ta harrojë për asnjë çast.
Por po ashtu, akti i djeshëm, nuk është aspak një derë e mbyllur.
Përkundrazi tregon se çdokush që vendos Partinë Demokratike të parën, që zgjedh kauzën e drejtë të zgjedhjeve të lira e të ndershme, që zgjedh qytetarin e jo rehatinë personale, që vendos të luftojë drogën, krimin e korrupsionin, është i mirëpritur, është pjesë e jona dhe jemi të gëzuar ta kemi mes nesh edhe nëse për një moment ka humbur rrugën.
Vota dhe bashkimi i djeshëm është edhe një detyrë dhe kontratë e re, jo vetëm për demokratët, por për vendin, që na angazhon, e më angazhon mua shumëfish, me përgjegjësinë për ta bërë Shqipërinë një vend të mirë për të jetuar.
Një vend të sigurtë, të lirë, një vend ku sundon ligji, ku vendos qytetari, ku qeveria nuk shkel me këmbë, por shërben, ku paratë dhe instrumentet e shtetit janë për njerëzit, e jo njerëzit instrumente të pushtetarëve.
Për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, siç kumton thirrja që lindi Partinë Demokratike. Ky projekt u konfirmua dje dhe do të vazhdojë me çdo kusht.
Deputeti i CDU: Vetëm 46% votuan, është shqetësuese
Zgjedhjet në Shqipëri nuk e bindin Europën. Kreu i grupit për Europën Juglindore në Parlamentin gjerman thotë se pjesëmarrja në votime është e ulët. Po përse kjo situatë? Për deputetin gjerman është mjaft e qartë se tek shqiptarët ka humbur besimi tek demokracia. Ai sheh si një nga detyrat kryesore të qeverisë së re të rrisë besimin e qytetarëve tek demokracia, ndonëse hapat e fundit të hedhur nga qeveria flasin për të kundërtën, për një pushtet autoritar që po ngrihet nga dita në ditë duke zëvendësuar institucionet me kultin e individit në krye të qeverisë.
Stefan Albani, anëtar i Partisë të Unionit Kristian Demokratik në Gjermani, deputet dhe kryetar i Grupit parlamentar Gjermani–Europa Juglindore, ka dhënë një intervistë dje për “European Western Balkans” përmes të cilës jep disa komente për vendet e rajonit tonë dhe perspektivën e integrimit.
Sipas tij ka një ngadalësim shqetësues në kursin e reformave dhe se Shqipëria është pak e besueshme. Me këtë rast ai ka theksuar, se Serbia si vendi me popullsinë dhe ekonominë më të madhe ka përgjegjësi kryesore në rajon. Albani thotë gjithashtu, se anëtarësimin në BE mund ta marrin vetëm vendet që përmbushin kriteret e Kopenhagenit. I pyetur për fitoren e socialistëve të Edi Ramës në Shqipëri, ai bën këtë koment:
“Gjatë fushatës elektorale, socialistët shprehën mbështetjen e tyre, për reforma të thella që do të hapin rrugën drejt BE-së. Këto përfshijnë për shembull, reformën e sistemit gjyqësor që vlerësohet si i korruptuar. Shumica absolute tani mori një mandat të qartë nga votuesit për të lëvizur në këtë drejtim.
Pavarësisht kësaj e konsideroj pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje prej 46% që nuk ka precedent, si shqetësuese. Shpresoj shumë që qeveria e re të përmbushë premtimet e veta, duke përforcuar besimin e shqiptarëve te demokracia. Reforma në drejtësi ëshhtë një projekt kyç për anëtarësimin në BE. Shumë shpejt do të bëhet e qartë nëse bllokada e imponuar deri më tani nga PD-ja do të tejkalohet”.
Vendimi i fundit si President i Nishanit, dekorimi i 11 martirëve
Ahmet ZANI
Presidenti Nishani dekoron “Martirë të demokracisë” të 11 heronjtë antikomunistë (pas vdekjes) nga familja Lala (Qypi) dhe pishtari i demokracisë për ish-të burgosurin politik të komunizmit Mark Alija përbën një akt të reflektimit të shtetit shqiptar mbi të vërtetën historike deri tani të deformuar të historisë. Për familjet dhe banorët e Kurbinit ky është një moment krenarie legjitime, por efektet e këtij nderimi janë sigurisht më të mëdha. Këto dekorata të z. Nishani janë në fakt piketa për historiografinë zyrtare, e cila do të jetë e detyruar të shkruajë për ta dhe në mënyrë të drejtë e të vërtetë. Vrasja në luftë me armë në dorë kundër shtetit komunist të 11 pjesëtarëve të një familjeje më 1952 është një sakrificë mbinjerëzore, por edhe prova që në Shqipëri ka pasur një rezistencë të fortë antikomuniste, e cila deri tani nuk është vlerësuar drejt dhe në përmasat reale të saj. Shteti, politika, shoqëria shqiptare ka detyrim ndaj këtyre martirëve antikomunistë që i vunë gjoksin diktaturës dhe derdhën gjakun e tyre për lirinë e demokracinë kur të tjerët zgjodhën të përulen apo edhe më keq të bashkëpunojnë me krimin komunist. Kjo ngjarje këta luftëtarë martirë të lirisë meritojnë shumë më shumë se kaq. Një medalje qoftë edhe nga kreu i shtetit, të cilin gjej rastin ta përgëzoj është shumë pak me nderin që këta burra të Malit të Bardhë i bënë vetes duke u flijuar për lirinë, demokracinë dhe dinjitet njerëzor.
Në këtë ceremoni asistuan deputetë nga Qarku Lezhë, drejtues nga Partia Demokratike, si dhe të afërm nga familja Lala, të cilët në emër të atyre që u flijuan, morën dekoratat e akorduar nga Presidenti Nishani. Ndue Lala ka përshëndetur në emër të familjarëve të martirëve.
Reagimi i familjarëve
Jam shumë i kënaqur nga vendimi i Presidentit Bujar Nishani në dekorimin e dhjetë martirëve nga familja Lala (Qypi), kështu është shprehur Ndue Lala tashmë 67 vjeç, fëmija më i vogël i Pjetrit i rënë në betejën e famshme të Bushneshit. Ndueja ka ardhur posaçërisht nga Amerika e largët të asistojë në ceremoninë e dekorimit të martirëve nga kjo familje e nderuar në Kurbin.
Ndue Lala më pesë maj të këtij viti investoi nga ceremonia e organizuar në qytetin e Laçit në përkujtim të këtyre martirëve. Pas vizitave në varrezat e të rënëve në fshatin Mali i Bardhë, më pas do të sillnin në kujtesë heroizmin e këtyre burrave, të vendosur kundra regjimit famëkeq, nga përpjekjet e tyre dhe rezistencën ndaj veglave të ish-sigurimit të asokohe. Por Ndue Lala ka treguar më shumë se një mesazh të veprës së babait të tij Pjetër Lala dhe veprimtarëve, të cilët u flijuan për kauzën.
Teksa bisedon me Nduen ai të tregon historinë e babait dhe burrave nga fisi Lala, por dhe mesazhi i tij është i fortë. “Jo vetëm fisi ynë tashmë i zgjeruar, por çdo shqiptar duhet të ruajë harmoninë, të respektojmë vlerat, sikurse të sjellim në kujtesë patriotizmin e martirëve” burrave që u martirizuan vetëm për demokracinë e brishtë.
Më së fundmi presidenti tashmë i larguar në ditët e fundit nga mandati i tij tregoi vullnetin e madh duke dekoruar këta patriotë nga fisi Lala (Qypi) në ceremoninë e organizuar nën kujdesin e degës së PD Kurbin dhe familjes Lala. Ndue Lala i entuziazmuar, nga dekorimi i babait dhe familjarëve nga ky fis, tregon se ka gjetur qetësinë e 27 viteve të shkuara.
Rritja më e madhe e borxhit në histori 89.5%
Edhe pse kryeministri Rama nuk e ka pranuar hapur, Shqipëria ka një borxh të lartë publik. Ndonëse në trajektore ulëse borxhi publik i Shqipërisë renditet nga më të lartët edhe në vendet e BE-së. Sipas një tabele krahasuese që publikoi Eurostat në lidhje me treguesit e borxhit, 16 vende të BE renditen me borxh publik më të ulët se Shqipëria. Ministria e Financave javën e kaluar raportoi se borxhi publik në raport me PBB arriti në 66.8% në fund të 6-mujorit 2017, por në fund të vitit stoku i detyrimeve në raport me PBB rrezikon të jetë më i lartë pasi parashikimi me PBB do të mbetet i njëjtë teksa borxhi në vlera neto do të rritet. Eurostat raportoi se në fund të tremujorit të parë të vitit 2017, borxhi i qeverisë ndaj PBB-së në zonën e euros (19 vende) qëndroi në 89.5%, krahasuar me 89.2% në fund të tremujorit të katërt të vitit 2016. Ndërsa në 28 vendet anëtare të BE, raporti i borxhit është rritur nga 83.6% në 84.1%. Siç shihet nga të dhënat borxh më të ulët se Shqipëria kanë vende të tilla si Estonia me 9.9% të PBB-së, Luksemburgu me 21.9% të PBB-së, Bullgaria me 29% të PBB-së, Danimarka me 39.4% të PBB-së, Rumania me 37.1% të PBB-së, Lituania me 39% të PBB-së, Lituania 39.3%, Republika Çeke 39.9%, Suedia me 41%, Sllovakia 53.5%, Polonia 54.0%, Malta me 59.0% etj. Vendet me detyrimet më të larta në mesin e BE vijojnë të jenë Greqia me 176% të PBB-së, Italia me 132%, Portugalia me 130%, Belgjika me 107%, Qipro me 107%, Spanja me 100% të PBB-së, Franca me 98% të PBB, Britania e Madhe 88%, Kroacia me 86.4% të PBB-së etj. Gjithashtu Shqipëria bashkë me Serbinë janë në mesin e vendeve me borxhin më të lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë të aderojnë në BE, shkruan “Monitor”.
Mashtrimi Rama
Borxhi ishte parashikuar të arrinte në 71.7% më 2014 dhe në 69.3% të PBB-së më 2016, por në vend të kësaj, raporti i borxhit ndaj PBB-së u rrit në vitin 2015 në 73.7% dhe nuk parashikohet të jetë nën 70%. Në një vlerësim të fundit të programit me Shqipërinë, Banka Botërore e vlerësoi të kënaqshme reformën në energji, duke konstatuar një ngadalësim të saj në prag të zgjedhjeve, por gjithashtu ka vënë në dukje se qeveria shqiptare nuk e arriti objektivin që i kishte vënë vetes për uljen e borxhit. Qeveria e Shqipërisë përmirësoi bilancin parësor në buxhet, duke lëvizur nga një deficit prej 2.6% të PBB-së në vitin 2014 në një tepricë 0.7% të PBB-së në vitin 2016. Megjithatë, banka vë në dukje se rënia e pritshme e borxhit të përgjithshëm është vonuar nga disa vjet. Borxhi ishte parashikuar të arrinte në 71.7% më 2014 dhe në 69.3% të PBB-së më 2016, por në vend të kësaj, raporti i borxhit ndaj PBB-së u rrit në vitin 2015 në 73.7% dhe nuk parashikohet të jetë nën 70% edhe këtë vit. Banka thotë se arsyet e mosrënies së borxhit lidhen me disa faktorë, duke përfshirë zhvlerësimin e këmbimit kundrejt dollarit, inflacionin më të lartë se sa pritej dhe rritjen e ekonomisë më pak se pritshmëritë dhe performancën e ulët të të ardhurave sidomos më 2015. “Zbatimi i reformave të sektorit të energjisë ishte gjithashtu më i ngadalshëm se sa pritej, sidomos përcaktimi i tarifave në raport me kostot në disa segmente të caktuara të tregut”, thuhet në raportin e BB për reformën në energji. Gjithashtu, banka konstatoi vonesa në kalimin e legjislacionit dytësor dhe në rritjen e efikasitetit të investimeve. Investimet dhe procesi i reformës filluan të humbin vrullin në prag të zgjedhjeve, por nuk vërehet rrëshqitje dhe arritjet kanë qenë të qëndrueshme, thuhet në vlerësim. Banka vëren se deficiti buxhetor ka rënë ndjeshëm, nga 5.5% e PBB-së në vitin 2014 në 1.7% më 2016.
78 milionë euro në tre muaj
Borxhi i qeverisë u shtua edhe me 78 milionë euro në tremujorin e parë të vitit, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë. Në fund të muajit mars të vitit 2017, Borxhi i Jashtëm Bruto (BJB) i Shqipërisë arriti rreth 7.96 miliardë euro. Gjatë tremujorit të parë të vitit, stoku i BJB u rrit me rreth 96 milionë euro, ndërsa zgjerimi vjetor shënon 238 milionë euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, sektori i qeverisë së përgjithshme mban peshën kryesore në stokun e BJB-së. Në harkun kohor të një viti, borxhi i jashtëm i këtij sektori është zgjeruar me 6% dhe në fund të muajit mars 2017, shënon 3.48 mld euro nga 3.29 mld euro që ishte në fund të 2016-ës. Detyrimet e qeverisë së përgjithshme prezantohen kryesisht si hua afatgjata, obligacione dhe dëftesa. Teprica e huave afatgjata në terma vjetorë është zgjeruar me rreth 207 milionë euro, ndërsa ajo e obligacioneve ra me 14 milionë euro – në vijim të blerjes së obligacionit të emetuar nga sektorë rezidentë. Huatë e qeverisë së përgjithshme përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ‘90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve. Në fund të periudhës, huatë e riskeduluara përfaqësojnë rreth 1% të stokut të huave afatgjata të këtij sektori. Shërbimi i borxhit (pagesat e principalit dhe të interesit) për të gjithë sektorët e ekonomisë, gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, shënoi vlerën 74.3 milionë euro dhe ka ardhur në rënie krahasimisht me periudhën paraardhëse. Nga këto, rreth 37.4 milionë euro u paguan nga qeveria e përgjithshme, 13 milionë euro nga sektorët e tjerë, 21.9 milionë euro nga sistemi bankar dhe 2 milionë euro nga autoriteti monetar. Shërbimi i borxhit gjatë periudhës në masën 76% ka qenë për shlyerje të kryegjësë (principalit) dhe në 24% për shlyerjen e interesave.
Basha rikonfirmohet në krye të Partisë Demokratike
Lulzim Basha rikonfirmohet kryetar i Partisë Demokratike. Nga numërimi i të gjitha votave, Basha ka marrë 53931 vota kundrejt kandidatit Selami që ka marrë 5136 vota. Në procesin e votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike morën pjesë 57.5 % e anëtarësisë, ose 59.766 anëtarë, nga 103.952 që ishin në listë. 767 vota ishin të pavlefshme.
Pas shpalljes së fitores, Basha falënderoi të gjithë demokratët për votën e tyre, duke shprehur mirënjohje edhe për rivalin e tij, Eduard Selami. “Demorkatet dolën dhe votuan duke shënuar rekord në zgjedhjet një anëtar një votë. Kjo pjesëmarrje masive është besim i demokratëve tek partia jonë. Kjo është shenjë që ata janë bashkë. Janë të vendosur të punojnë për forcimin e PD. Është mesazhi se e ardhmja e PD është e sigurt. Dua të falenderoj edhe Selamin për garën”. tha Basha.
Mes të tjerash kreu i PD-së theksoi se votat për të tashmë është borxh i madh për të, të cilin ai premtoi se do ua kthente. “Vota juaj për mua është një borxh i madh, Borxh që do ua ktheje për të pranuar në çdo çast, me vendosmëri dhe dinjitet. Borxh që mund të shlyet vetëm me kthimin e PD për fatin e vendit.
Kauza jon është që të ketë më shumë mbështet të lirë. pushteti tashmë është i juaj. Akti i djeshëm nuk është aspak një derë e mbyllur. Pro përkundrazi ai që zgjedh kauzën e drejtë, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që vendos të luftojë drogës, është i mirëpritur, është pjesa e jonë. Jemi të gëzuar ta kemi mes nesh, edhe nëse ka humbur rrugën. Duam të bëjmë Shqipërinë një vend të lirë, të sigurt. Ku paratë janë për njerëzit dhe jo njerëzit instrumente të qytetarëve. Ky projekt u konfirmua dje dhe do vazhdojë me përmbushje. Zoti i bekoftë demokratët dhe Shqipërinë”, tha Basha.
Selami pranon humbjen e zgjedhjeve: I urova fitoren Bashës
Ish-kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Eduart Selami pranoi sot në një dalje publike rezultatin e zgjedhjeve ku u mund thellë nga kandidati Lulzim Basha. Selami tha se do të vijojë të punojë për ringritjen e PD, ndërsa shtoi se ka telefonuar kryedemokratin Lulzim Basha dhe e ka uruar për fitoren. “Unë jam një demokrat krenar”, tha Selami teksa i kërkoi të gjithë demokratëve të bashkohen për të bërë më të fortë PD.
“Pavarsisht nga rezultati unë do të punoj për ringritjen e PD. Falenderoj të gjithë ata që u morën me zgjedhjet brenda PD. Kjo është demokracia, është bërë një votim dhe unë e pranoj. Kam telefonuar Bashën sot në mëngjes dhe e kam uruar për fitoren dhe dua t’i them demokratëve të bashkohemi dhe të ngremë Partinë Demokratike. PD ka dalë më e fortë dhe unë do të vazhdoj kontributin tim. Unë jam një demokrat krenar”, u shpreh Selami.