Si duhet riorganizuar e djathta
Fatmir MEDIU
Sot bëhen votimet në PD. Pa dashur të hyj në polemikat e PD-së, por dhe si aleat i Partisë Demokratike do uroja që PD të jetë sa më e fortë dhe e bashkuar.
Jo vetëm procesi i bashkimit dhe forcimit të PD-së si forca kryesore e opozitës, por dhe riorganizimi i të djathtës është vendimtar.
Partitë tradicionale si Legaliteti dhe Balli Kombëtar (të dy partitë) duhet të jenë pjesë e rëndësishme e këtij riorganizimi.
Të përndjekurit politik dhe pronarët janë jo vetëm historia e të djathtës për të cilët duhet të krenohemi të gjithë, por dhe një forcë e jashtëzakonshme politike dhe elektorale injorimi i të cilëve ka sjellë pasoja të mëdha në peshën politike të së djathtës. Marrëdhënia me ta duhet të ridimensionohet dhe ata duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe konkurrimit elektoral.
Po ashtu njëherë e mirë profili ynë në mbështetje të biznesit duhet jo vetëm të shpjegohet si mundësia e vetme e zhvillimit ekonomik të vendit, por edhe si një marrëdhënie e përditshme shumë solide që duhet të synojë në një angazhim të përditshëm për të fituar besimin dhe mbështetjen e tyre.
Rinia ka qenë forca e të djathtës dhe luftëtarët e lirisë, pragmatizmi i së majtës, duke e kushtëzuar të ardhmen e tyre me pushtetin dhe punën e shtetit ka krijuar dhe do krijojë një hendek të madh në demokracinë tonë të manipuluar nga Etatizmi i së majtës, prandaj angazhimi i tyre si forcë lëvizje drejtuese dhe jo skalion mbështetës është domosdoshmëri.
Pushtetit i marrë i së majtës që po shkatërron çdo vlerë tradicionale dhe konkurruese, me blerjen e votës, varfërinë dhe largimin masiv nga Shqipëria kërkon një gjykim dhe politikë krejt ndryshe të së djathtës.
Rama po shkatërron çdo vlerë pozitive të shoqërisë sonë, duke tentuar që korrupsionin e qeverisë dhe të majtës ta kthejë në një korrupsion të pranueshëm të shoqërisë.
E djathta duhet të jetë një strukturë politike dhe organizative vendimmarrëse ndoshta në një organizim federativ ku gjithë faktorët e saj të jenë pjesë e gjykimit dhe vendimmarrjes.
E djathta është një mozaik vlerash që bazohet tek Liria dhe Besimi, në luftë me pushtetin që kufizon lirinë dhe vendimmarrjen tonë.
Sfida nis nga sot, 60 mijë demokratë flasin me votë
Në procesin e votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike morën pjesë gjithë 57.5% të anëtarësisë, ose 59.766 anëtarë, nga 103.952 që ishin në listë.
Plot 104 mijë anëtarë të PD-së u thirrën dje të marrin pjesë në votim për të shprehur verdiktin e tyre se kush duhet ta drejtojë Partinë Demokratike në 4 vitet në vijim, midis dy kandidatëve Lulzim Basha dhe Eduard Selami. Nga sa u raportua nga Komisioni i operacioneve elektorale, por dhe në rrethe që ndoqën këtë proces, votimi shkoi normalisht. Procesi i numërimit ka nisur mbarë afër mesnatës dhe pritet që në orët e para të mëngjesit demokratët të zyrtarizojnë emrin e Kryetarit që do tiu udhëheqë në një mandat të ri politik përgjatë katër viteve të ardhshme.
Nga sot nis një sfidë për Kryetarin e PD që ka marrë dje mandatin e afro 60 mijë demokratëve. Një pjesëmarrje e lartë, e cila ka kaluar edhe pjesëmarrjen e anëtarësisë të katër viteve më parë me afro 10%. Në të njëjtën kohë, kjo pjesëmarrje dhe ky angazhim është një përgjegjësi për Kryetarin e PD dhe të gjitha strukturat përgjatë ditëve, javëve dhe muajve të ardhshëm.
Vendit i duhet opozita dhe opozitës i duhet lideri që të udhëheqë popullin opozitar në betejat politike, të cilat nuk do të jenë të lehta. Ndoshta nuk duhet pritur as shtatori për të bërë bilancet. Larg burokracive opozita duhet të nisë punë që nga 26 korriku, dita kur kryebashkiaku i Tiranës në bashkëpunim me kreun e qeverisë kanë rënë dakort që të rrisin çmimin e ujit të pijshëm për qytetarët e Tiranës me 35% pa bërë asnjë konsultim dhe pa dhënë asnjë arsye se përse duhet rritur ky çmim në mënyrë kaq drastike.
Me 26 korrik duhet të ndahet mirë edhe se kush do të jetë opozita e vërtetë dhe kush do të jetë opozita e dyzuar me pushtetin. Kush do të jetë në anën e qytetarëve dhe kush në anën e përfitimeve. Kush zgjedh pushimet në politikë dhe kush zgjedh dylyftimet politike. 26 korriku do të konsiderohet si testi i parë i opozitës.
Një opozitë më afër qytetarëve do ta ketë më të lehtë të rifitojë besimin e humbur. Kjo është rruga nga duhet të kalojë ringritja e PD. Larg podiumeve dhe më afër shesheve. Larg konferencave dhe më afër protestave. Mos e kërkoni ringritjen dhe bashkimin e demokratëve tek bisedat e gjata në odat e pafund të politikës që më tepër se të afrojnë tek suksesi real të fusin në labirinthe pazaresh pa skrupuj.
Dëshpërimi nuk është i vogël. Shqipëria ka humbur betejën me zgjedhjet e lira më 25 qershor. Tani i duhet të fitojë betejën e opozitarizmit.
Gjana: Procesi korrekt, ndërhyrje për foton e Bashës
Jemin Gjana, kreu i Komisionit Qendror Elektoral për zgjedhjet në PD, ka reaguar pas deklaratës së Eduard Selamit, i cili tha se gjatë procesit janë shfaqur parregullsi. Sipas Gjanës, procesi deri tani i drejtë dhe korrekt.
Lidhur me deklaratën e Selamit, se ka pasur raste të mungesës në listë, të anëtarëve të PD-së që kanë shprehur më herët votën për të, Gjana tha: S‘ka pasur asnjë ankimim.
“Është një zyrë që merret me kryqëzimin e të dhënat, të atyre që nuk kanë emrin në listë, por kanë një kartë anëtarësie. E kemi bërë këtë kryqëzim për të gjithë republikën, për 73 komisionet e votimit. Janë 4 operatorë që punojnë pa ndërprerje që gjithkush të votojë, por gjithkush të mos ta përdorë një teser partie për të votuar në dy vende. Nëse dikush është paraqitur nuk ka patur emrin në listë, por ska pasur edhe asnjë dokument ndër vite, mund të ketë edhe raste të tilla”, shtoi ai.
Ndërsa akuzën tjetër se në qendra votimi ka qenë e varur fotografia e zotit Basha, Gjana e pohoi: Jam vënë në dijeni në orët e mëngjesit. Ka patur një problem që ka të bëjë me fotografitë për faktin se një pjesë e degëve të PD i kanë patur vend votimet në zyrat e partisë dhe për fat të keq nuk është normale. Ne i kemi dhënë porosi që t’i heqin fotografitë, ato kanë qenë zyra partie dhe i kanë pasur fotografitë aty. Nuk është bërë në mënyrë të qëllimshme, sepse nuk janë marrë fotografitë dhe të vihen atje, por ne kemi ndërtuar vendet e votimit dhe nuk është bërë në mënyrë të qëllimshme.
Pjesëmarrja në zgjedhje është gati e njëjtë me zgjedhjet e 2013-ës, tha më tej Gjana.
Si u votua në të gjitha degët e PD
Shkodër, votuan 4727 votues, nga 8777 anëtarë
Lezhë, votuan 3852 votues, nga 5820 anëtarë
Kukës, votuan 1707 votues, nga 5105 anëtarë
Dibër, votuan 3723 votues, nga 5570 anëtarë
Durrës, votuan 3125 votues, nga 7966 anëtarë
Tiranë, votuan 19937 votues, nga 30314 anëtarë
Elbasan, votuan 4470 votues, nga 6985 anëtarë
Korçë, votuan 5948 votues, nga 8140 anëtarë
Berat, votuan 1946 votues, nga 4877 anëtarë
Fier, votuan 5545 votues, nga 11718 anëtarë
Vlorë, votuan 2423 votues, nga 5093 anëtarë
Gjirokastër, votuan 2363 votues, nga 3587 anëtarë
Selami: U shkelën rregullat e lojës në disa qendra votimi
Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami ka denoncuar parregullsi, që sipas tij, janë shfaqur në zgjedhjet e djeshme për kreun e PD-së.
Ai tha se kryetarë të degëve kanë bërë presione, duke u kërkuar anëtarëve të PD-së të votojmë kundërshtarin e tij, Bashën.
“Këto zgjedhje pavarësisht se janë një hap në drejtimin e duhur kanë qenë dhe kanë filluar të pabarabarta. Fatkeqësisht kjo pabarazi është reflektuar nga disa probleme që kanë dalë, që unë falënderoj edhe median që i ka publikuar. Probleme që kanë të bëjnë me si me ndërhyrjen e disa kryetarëve të degëve, jo të gjithë, por disa prej tyre kanë ndërhyrë, duke prishur atë neutralitetin, kanë bërë presione dhe i kanë kërkuar anëtarëve që të votojnë për Bashën. Kjo është një shkelje e rregullave të lojës. Po kështu në mjaft nga këto qendra votimi fotografia e zotit Basha është e varur në qendrën e votimit”.
“Këto kërkesa unë ja kam kaluar përfaqësuesit tim dhe në emrin tim i ka bërë në KQZ. KQZ ka shprehur mirëkuptimin për këto gjera, por këto nuk janë zgjidhur akoma. Edhe këtu në qendrën tonë vazhdon kryetari i degës 2 që është miku im, por miqësia mënjanë. Ose nuk i njeh rregullat e demokracisë ose nuk di se çfarë është.
Ai shtoi se ka pasur raste të mungesës në listë, të anëtarëve të PD-së që kanë shprehur më herët votën për të:
“Po kështu ka pasur raste të mungesës së emrit në listë, seksione të tëra që nuk kanë qenë të regjistruar dhe kanë shprehur votën për mua”.
I pyetur nga gazetarët lidhur me qendrat ku janë vërejtur parregullsi, përveç degës në lagjen numër dy në Tiranë, Selami futi edhe qytetin e Fierit.
Selami u shpreh gjithashtu: “Megjithëse ky proces është i paplotë, është një proces në vazhdim dhe nuk dua të paragjykoj. Është shpejt për të nxjerrë një rezultat. Ka momente të rëndësishme siç është mbyllja e procesit të votimit, transportimi i kutive të votimi në qendër. Unë e kam shprehur që në këto kushte ku jemi do të ishte më mirë që numërimi të bëhej në degët e rretheve dhe pastaj procesi i numërimit”.
Deklarata e Selamit u bë dy orë para përfundimit të orarit zyrtar të zgjedhjeve për kryetar të Partisë Demokratike.
Demokratët zgjedhin Kryetarin e ri
Demokratët iu drejtuan dje kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të PD. Procesi nisi rreth orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm, duke vijuar i qetë dhe pa asnjë incident deri në orën 19:00 të mbrëmjes. Rreth 103 mijë anëtarë u thirrën për të marrë pjesë në votime, ndaj të cilët, sipas të dhënave zyrtare të komisionit të operacioneve elektorale në PD, nga 103.952 mijë anëtarë, dje votuan 59.766 anëtarë demokratë.
I pari që iu drejtua selisë së PD për të votuar ishte kandidati Eduard Selami, i cili pas votimit në një reagim për mediat shprehu vlerësimin për procesin e rregullt dhe të qetë. Më pas, drejt selisë së PD, për të votuar u drejtua kandidati tjetër Lulzim Basha. Në një reagim për mediat, Basha vlerësoi organizimin e procesit zgjedhor, ndërsa falënderoi Selamin për modelin e fushatës së ndjekur në përballjen mes dy kandidatëve. Të dy kandidatët, si Selami ashtu edhe Basha shprehën bindjen se pas këtyre zgjedhjeve, kushdo që të jetë fituesi Partia Demokratike do të dalë më e bashkuar dhe të frymëzuar për t’u ringritur sërish.
Në selinë qendrore ku ishte ngritur qendra e Degës Nr. 2, votuan përveç anëtarëve të thjeshtë, edhe anëtarët e Kryesisë, anëtarët e Këshillit Kombëtar, deputetët e vjetër e të rinj. Në çdo qendër votimi u ngrit një komision që u miratua nga kryesia e degës, dhe kryetar u zgjodh një nga nënkryetarët e degës dhe dy anëtarë, dhe nga një përfaqësues për secilin kandidat. Votimi u zhvillua me të njëjtat kriteret si në rastet e votimit për zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale, me të njëjtat kritere si ato që parashikon Kodi Zgjedhor me kodet, si mbyllet kutia, me votat e pavlefshme, pra të gjitha”.
Gara për kreun e PD solli risinë e përballjes mes dy kandidatëve dhe konfrontimin e programeve të tyre ashtu si edhe vizionin për drejtimin e PD në katër vitet e ardhshme. Dy kandidatët janë shfaqur përballë njëri-tjetrit në shumë qytete të vendit, ku kanë shkëmbyer pikëpamje, por edhe replika mbi ringritjen e Partisë Demokratike dhe rikthimin e fuqishëm të saj në pushtet. Gara reale e dy kandidatëve përfshiu në takime gjithë anëtarësinë e Partisë Demokratike në bazë nga Veriu në Jug të vendit. Në listën përfundimtare të votimit u përfshirë dhe 3 kategori anëtarësh, të cilët ishin anëtarë të degëve të PD-së në Selanik, Romë, Londër. Organizmat e PD morën të gjitha masat për një proces të rregullt, të ndershëm dhe të barabartë sipas statutit të Partisë Demokratike.
Transparenca, numërimi i votave para mediave
Siç ishte paralajmëruar procesi i numërimit të votave nisi rreth mesnatës, fill pas momentit ku të gjitha kutitë e votimit të 73 degëve ku u votua u sollën në Tiranë. Për të garantuar një proces të plotë transparent, komisioni operacional i zgjedhjeve kishte vendosur që pas mbylljes së procesit të votimit, të gjitha kutitë e votimit të të gjitha qendrave në vend të vuloseshin sipas procesverbaleve përkatëse dhe të dërgoheshin për t’u numëruar në selinë qendrore në Tiranë. Në shërbim të transparencës, u vendos që numërimi i votave të zhvillohej tërësish para mediave.
Procesi i qetë dhe me standarde, asnjë incident
Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami doli pasdite në një konferencë për mediat nga selia blu, ndonëse votimet brenda PD nuk kanë përfunduar ende. Ashtu siç edhe raportoi më herët gazetarja Elda Menga, demokrati Selami denoncoi pjesëmarrjen e kryetarëve të degëve të PD në këtë proces. Edhe më herët, Selami tha se kryetarët e degëve të Partisë Demokratike nuk duhet të jenë në komisionet e votimit, pasi sipas tij mund të ketë ndikime në anëtarësi për të votuar një kandidat apo tjetrin. Gjatë ditës së sotme Selami u shpreh se, gara brenda PD për kreun e partisë nuk është e barabartë. Në deklaratën për mediat, kandidati për kreun e PD dha edhe gjykimin e tij për ecurinë e procesit. Në përgjigje të shqetësimit të Selamit, pak minuta më vonë doli në një deklaratë për mediat kryetari i Komisionit të Votimit për kreun e ri të PD-së, Jemin Gjana. Ai ka treguar se ecuria e votimit është e kënaqshme dhe se nuk ka asnjë parregullsi e incident.
Sipas Gjanës “deri në orën 17:00 ka një shifër të kënaqshme votuesish, por kjo shifër do të shkojë në rritje deri në orën 19:00. Në rrethet e mëdha numri është më i ulët, ndërsa përqindja më e lartë e votuesve është në rrethet e vogla”. Gjana falënderoi komisionerët, përfaqësuesit e kandidateve për ecurinë e votimeve në 73 komisionet e votimit në të 68 degët e PD-së në vend. “S’ka probleme, s’ka incidente dhe e konsiderojmë e vlerësojmë votimin e procesin të rregullt e korrekt, tha Gjana. Pasi të mbyllet votimi, do të bëhet rakordimi dhe mbledhja e gjithë kutive të votimit dhe procesi i numërimit do të nisë nga mesnata”… Lidhur me fotografitë e Lulzim Bashës në qendrat e votimit, Gjana e shprehu si shqetësim të drejtë, por të justifikuar, pasi votimet janë kryer në zyrat e PD-së, të cilat e kanë pasur aty portretin e kryetarit dhe në shumicën dërrmuese të tyre këto fotografi janë hequr. Ndërsa me mungesën e disa emrave, atë që shprehu pak më parë Selami si shqetësim, Gjana tha se nuk kemi sinjale në këtë drejtim.
Basha: Më të fortë dhe të bashkuar nga gara
Dua të falënderoj të gjithë demokratët që janë bërë pjesë për herë të dytë e procesit një anëtar një votë, për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike.
Shpreh mirënjohjen time më të thellë për turin e bashkëbisedimit që më ofruan mua dhe kandidatit tjetër, z.Selami gjatë një fushate intensive anembanë vendit, në çdo degë të Partisë Demokratike.
Dua të shpreh mirënjohjen komisionerëve dhe gjithë infrastrukturës zgjedhore të Partisë Demokratike për punën e shkëlqyeshme që kanë bërë.
Procesi po ecën në mënyrë të qetë, të civilizuar dhe demokratike.
Jam i bindur se Partia Demokratike dhe demokratët dalin nga ky proces më të fortë, më të bashkuar dhe gati për t’u kthyer në forcën e vetme që përfaqëson të ardhmen e shpresën e çdo shqiptari të ndershëm në këtë vend.
Selami: Jam i zhgënjyer nga ata që kërkojnë bojkotin
Reagimi i kandidatit për Kryetar të PD, Eduard Selami pas votimit. Ka filluar një proces, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Partinë Demokratike, por edhe për Shqipërinë, për opozitën në përgjithësi dhe mbi të gjitha për të ardhmen tonë. Ky proces i sotëm ka filluar në mënyrë të qetë, në mënyrë të rregullt dhe siç e kam thënë edhe përpara, pavarësisht nga pabarazia që ka patur kjo garë, unë mendoj që demokratët do të dinë që me votën e tyre të fshehtë, të zgjedhin jo thjesht kryetarin, por të zgjedhin modelin më të mire, i cili do t’i kthejë besimin dhe shpresën, jo vetëm demokratëve, por edhe shqiptarëve.
Dhe jam i bindur që votimi i sotëm do ta bëjë më të bashkuar dhe do ta ringrejë Partinë Demokratike edhe një herë, me shpresë për të ardhmen dhe Shqipërinë.
– A mundet një garë e pabarabartë të nxjerrë një rezultat të drejtë?
Unë mendoj që gara e pabarabartë nuk mund të nxjerrë një rezultat klinikisht të drejtë. Por ato çka humbas në procedura, unë e fitoj në avantazhin që ka modeli im.
– Si po shkon procesi nga ana organizative?
Nga ana organizative sot nuk kam ndonjë shqetësim, me të cilin lidhet ndonjë lloj deformimi i rezultatit. Thjesht, janë gjëra teknike që deri tani po shkojnë mirë. Unë do ju mbaj në kontakt dhe për çdo problem, do të komunikojmë. Qëllimi ynë është që kjo garë, e cila në vetvete siç kam thënë nuk është një garë e lehtë, garat brenda partive politike janë të vështira dhe në vende me demokraci shumë të zhvilluar, megjithatë unë do të bëj përpjekje maksimale dhe mendoj edhe të gjithë demokratët, që PD të dalë sa më e fortë nga ky proces.
– A mendoni se do të ketë pjesëmarrje meqenëse ka një grup që ka bërë thirrje për bojkot të votimit?
Besoj se pjesëmarrja është e lartë nga kontaktet dhe informacionet që unë kam. Unë mendoj që bojkoti nuk është ide e mirë dhe kam qenë gjithmonë kundër bojkotit, nuk e kam pranuar. Them se bojkoti është një gjë që i përket të kaluarës. Jam i zhgënjyer nga kolegët e partisë, njerëz me kontribute, të cilët ofrojnë bojkotin. Demokracia është rreth alternativave, rreth konkurimit, demokracia është rreth votimit dhe bojkoti është i së kaluarës. Unë shpreh zhgënjimin tim, por kam mendimin dhe besimin që shumë demokratë ndajnë të njëjtin qëndrim.
Motorët e vdekjes që marrin jetë turistësh
Në bregdetin tonë ka vrasës që shëtisin të pashqetësuar nga askush. Mjaft të rinj bëjnë manovra të rrezikshme në det fare pranë kokave të pushuesve. Një devijim i mjetit të ujit, “Ski Jet” do të sillte pa frikë viktimën e radhës. Në çdo vend të botës, motorët e ujit lëvizin 2 km larg bregut dhe kur afrohen duhet të ecin me 4 milje të orë.
Bregdeti ynë është lënë në duart e disa individëve të papërgjegjshëm që kanë një motor uji dhe bëjnë çfarë të duan me të! Pse heshtin institucionet përballë kësaj situate alarmante? Rama u justifikua për tre viktimat në Zvernec se është “plazh i egër”, por Ksamili dhe Dhërmiu nuk janë plazhe të egra. Ato janë plazhet më të bukura dhe më të frekuentuara ku nuk ka as Polici Kufitare që ruan detin dhe as vëzhgues në kulla që ruajnë bregdetin.
Një turiste e huaj mbeti e vdekur, sepse një mjet uji e goditi teksa lahej në plazhet e Ksamilit. Ashtu si turistja ruse, mijëra pushues të tjerë rrezikojnë çdo ditë nga motorët e ujit që bëjnë xhiro me shpejtësi marramendëse mbi kokat e pushuesve pa u shqetësuar nga askush. Qeveria dështoi edhe këtë vit të disiplinojë këto mjete të rrezikshme që janë shqetësim dhe rrezik për jetën e mijëra pushuesve që frekuentojnë plazhet shqiptare.
Edhe pse në të gjithë plazhin e jugut nga Velipoja në Sarandë nuk ka asnjë vend të lirë në hotel dhe nuk gjen asnjë vend të lirë në shezlone, pasi janë plot e përplot me turistë, policia shqiptare është inekzistente. Edhe pse për përdorimin e motorëve të ujit janë të përcaktuar rregulla se ku duhet dhe si duhet të lëvizin në det, në të gjitha këto plazhe me dhjetëra mijëra pushues nuk gjen qoftë edhe një polic të vetëm që të monitorojë ashtu siç duhet zbatimin e këtyre rregullave thelbësore për të garantuar jetën.
Në çdo vend të botës zonat ku duhet të lëvizin motorët e ujit, por në Shqipëri jo vetëm mungojnë shenjat, por këto mjete nisen që nga bregu i detit me shpejtësi. Ekziston dhe një vendim i Këshillit të Ministrave që përcakton rregulla, por ky vendim nuk zbatohet nga organet shtetërore dhe policia, ç’ka përbën një provë që policia ka dështuar në betejën për të siguruar jetën nga këto mjete.
Pushuesit shqiptarë i shohin këto motorë të ujit çdo ditë t’u rrezikojnë jetën, por ndihen të pafuqishëm e të pambrojtur, sepse policia që e ka për detyrë t’i mbrojë nuk ekziston. Ashtu si pushuesja ruse nga këta persona të papërgjegjshëm që përdorin motorët e ujit në pjesën ku lahen pushuesit rrezikojnë jetën edhe të tjerë turistë vendas apo të huaj, sepse inekzistenca e shtetit dhe e forcave të policisë i bën plazhet shqiptare si të jenë xhungël ku mbizotëron logjika e më të fortit dhe jo rregulli.
Pushuesit që kanë zgjedhur Ksamilin janë terrorizur nga ajo që kanë parë e dëgjuar kur adoleshentja ruse, vetëm 15-vjeçare hyri të lahej në det, por doli e vdekur e masakruar. Ndonëse policia deklaron se ngjarja e djeshme ka ndodhur në një distancë të largët nga deti, mjaft pushues, të terrorizuar nga ngjarja, u shprehën dje se situata në Ksamil është e frikshme.
Sipas tyre, motorët e ujit qarkullojnë me shpejtësi skëterrë në një distancë më të afërt se 200 metra larg bregut, duke rrezikuar seriozisht jetën e qindra plazhistëve. Pavarësisht kësaj situate, ata thonë se askush nuk ndërhyn. Ndërkaq, mësohet se nëna e 15-vjeçares ndodhet ende në gjendje shoku pas ngjarjes së rëndë që i mori jetën tragjikisht së bijës.
R.POLISI
Zjarret po i afrohen Tiranës, digjet pylli me pisha në Ibë
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat e fshatit Ibë në Tiranë, ditën e djeshme. Flakët e zjarrit kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe me pisha, pemë dhe shkurre dhe për shkak të erës rrezikojnë të përhapen edhe pranë zonave të banuara. Bëhet e ditur se përhapja e zjarrit rrezikon disa banesa. Sipas burimeve, zjarri pranë fshatit Ibë, në periferi të Tiranës po i afrohet Teatrit “Kame”. Mësohet se flakët mund të përhapen për shkak të erës, duke rrezikuar edhe shtëpitë e fshatit Ibë. Në vendngjarje, ka shkuar edhe ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj.
Një ditë më parë, një zjarr shkrumboi disa ha në masivin e malit të Dajtit, afër antenave celulare. Pylli i ndezur përbëhet nga drurë halorë, kryesisht pisha dhe bredha. Për shuarjen e flakëve u angazhuan edhe banorët e zonës, pasi forcat e zjarrfikëses dhe të Pyjores nuk mund të ndërhynin për shkak të terrenit të thyer.
Zjarret e ditëve të fundit, jo vetëm që po shkrumbojnë mijëra hektarë me pyje e kullota, por janë duke shkaktuar edhe dëme në rrjetin elektrik. Kështu, për shkak të rënies së zjarrit në nënstacionin e Rubikut, OSHEE njofton se ka qenë e detyruar të stakojë energjinë deri në shuarjen e flakëve. Po ashtu, OSHEE sqaron se ky vendim është marrë për të mos rrezikuar jetën e personelit të operatorëve që po punojnë për të vënë situatën nën kontroll. Ndërsa, mësohet se aktualisht janë pa energji zonat e Rubikut, Kaçinarit dhe Rrëshenit.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 12 vatra zjarri në Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Berat, Lezhë dhe Fier.
Në fshatin Hajdaran, Bashkia Elbasan, ka rënë zjarr në banesën e një shtetaseje. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë, duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj pjesërisht dhoma e gjumit, por nuk pati njerëz të lënduar. Në fshatin Kusarth, Bashkia Elbasan, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me hamullorë dhe ullishte. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha hamullorë dhe u dëmtuan rreth 13 rrënjë ullinj.
Në fshatin Shumrizë, Bashkia Gramsh, ka rënë zjarr në magazinën e një shtetasi. Zjarrfikësit kanë arritur të shuajnë zjarrin. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.
Në fshatin Koplik i Sipërm, Bashkia Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, hamullore dhe bimë medicinale. U dogj një sipërfaqe rreth 1 ha shkurre, hamullore dhe 1 dynym bimë medicinale sherebel, në pronësi të një shtetasi.
Në fshatin Zgërdhesh, të Bashkisë Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 4 ha me shkurre.
Në fshatin Frakull e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë me mjete dhe personel. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 2 dynym me shkurre dhe 20 rrënjë ullinj.
Në fshatin Moravë, Bashkia Berat, ka rënë zjarr në banesën e një shtetasi. Ndërhyrja e zjarrfikësve bëri të mundur shuarjen e flakëve. Nga zjarri u dogjën disa pajisje dhe orendi të shtëpisë.
Në fshatin Podgorie, Bashkia Maliq, ka rënë zjarr në 2 banesa të pa banuara. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë, duke shuar zjarrin. Si pasojë e flakëve, njëra nga banesat u dogj plotësisht, kurse tjetra pjesërisht.
Në fshatin Shullaz, Bashkia Kurbin, ra zjarr në një ndërtesë të pabanuar në pronësi të një shtetasi. Specialistët zjarrfikës kanë ndërhyrë dhe kanë shuar zjarrin.
Hetimet, Turistja ruse u godit nga mjeti lundrues në Ksamil
Turistja ruse dyshohet se u godit nga një mjet lundrues në Ksamil. Policia e Sarandës ka arrestuar autorin që dyshohet se i ka shkaktuar vdekjen 15-vjeçares ruse në plazhin e Ksamilit. Sipas saj, mjeti lundrues që drejtohej nga Ermal Fataj ka kaluar me shpejtësi në hapësirën ujore ku po notonte shtetësja ruse dhe e ka goditur me helikë.
Por, Prokuroria po heton në dy pista për vdekjen e 15-vjeçares ruse Ksenia Roik, e cila humbi jetën mesditën e së premtes në plazhin e Ksamilit. Grupi hetimor konfirmon se turistja e cila ishte duke notuar në det gjeti vdekjen si pasojë e goditjeve të forta me mjete prerëse në kokë dhe trup.
Trupi i 15-vjeçares ndodhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, nga ku pritet të dalë shkaku i vdekjes së adoleshtentes ruse, e cila po pushonte me familjen e saj në bregdetin shqiptar.
Hetuesit janë fokusuar më së shumti tek pista e goditjes nga ndonjë mjet lundrues shkaf ose motor uji, që ka lëvizur i pakontrolluar në det, pasi në trupin e viktimës janë gjetur plagë të shkaktuara nga mjete prerëse. Por për hetuesit nuk përjashtohen edhe ato të përplasjes me ndonjë shkëmb, një version më pak i besueshëm që hidhet poshtë edhe nga dëshmitë e pushuesve.
Grupi hetimor në disa prej mjeteve lundruese ka gjetur disa gjurmë, kryesisht flokë, të cilat duhen ekspertuar. Vetëm pas krahasimit me flokët e viktimës mund të thuhet se ato i përkasin 15-vjeçares dhe të hidhet më shumë dritë mbi të vërtetën. Por ajo ç’ka e vështirëson hetimin e Prokurorisë është prishja e pajisjes që do të bënte ekspertimin në laboratorin e policisë. Burimet sqarojnë se, pajisja mund të rikthehet në gjendje pune pas 3 ose 4 javësh. Për këtë fakt deri në rregullimin e saj hetimi mbetet pezull ose prokurorët do të kërkojnë një rrugë alternative për ta kryer këtë ekspertim.
Trupi i 15 vjeçares ndodhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, nga ku pritet të dalë shkaku i vdekjes së adoleshentes ruse, e cila po pushonte me familjen e saj në bregdetin shqiptar.
Hetuesit janë fokusuar më së shumti tek pista e goditjes nga ndonjë mjet lundrues, skaf ose motor uji, që ka lëvizur i pakontrolluar në det, por nuk përjashton edhe atë të përplasjes me ndonjë shkëmb, një version më pak i besueshëm që hidhet poshtë edhe nga dëshmitë e pushuesve.
Grupi hetimor në disa prej tyre ka gjetur disa gjurmë, kryesisht flokë, të cilat duhen ekspertuar. Vetëm pas krahasimit me flokët e viktimës mund të thuhet se ato i përkasin 15 vjeçares dhe të hidhet më shumë dritë mbi të vërtetën. Por ajo çka e vështirëson hetimin e Prokurorisë është prishja e pajisjes së ekspertimit në laboratorin e policisë. Burimet sqarojnë se ajo mund të rikthehet në gjendje pune, pas 3 ose 4 javësh. Për këtë fakt, deri në rregullimin e saj, hetimi mbetet pezull ose prokurorët do të kërkojnë një rrugë alternative për ta kryer këtë ekspertim.
Zjarret, Demiraj: Piromanët do të ndiqen rreptësisht, dënime të ashpra
Duke u nisur nga situata e rënduar e zjarreve, dhe rasti më i fundit në Ibë, ministri i Brendshëm Dritan Demiraj ka kërkuar ndihmën e banorëve që të kontribuojnë në parandalimin e zjarreve. Në një postim në Facebook, Demiraj paralajmëron të gjithë ata që vënë qëllimisht zjarre do të ndiqen rreptësisht dhe dënimet do të jenë të ashpra.
“Temperaturat e larta që janë shënuar gjatë ditëve të fundit në vendin tonë, kanë shtuar dukshëm mundësinë e përhapjes së zjarreve nëpër pyje përfshirë edhe pyjet në Parqet Kombëtare. Ngjarja e pasdites në kodrat e Ibës në Tiranë ishte shumë e rrezikshme për banorët dhe shtëpitë e tyre. Situata është nën kontroll dhe po punohet për fikjen e plotë të vatrave të zjarrit.
Ministria e Brendshme, Emergjencat Civile, shërbimet zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, Viva Copter, pushteti lokal, etj., po punojnë me intensitet.
Me këtë rast apelojmë të gjithë qytetarët të kenë kujdes maksimal në parandalimin dhe sinjalizimin e zjarreve që cenojnë sigurinë Kombëtare. Piromanët do të ndiqen rreptësisht dhe dënimet do të jenë të ashpra, sipas ligjit. I bëj thirrje dhe banorëve që të kontribojnë gjithashtu në lajmërimin, kontributin dhe vendosjen e zjarreve nën kontroll”, shkruan Demiraj.
Lokali i djegur nga energjia faturohet tre muaj dhe pse nuk kishte drita
Florinte Marashi, banore në komunën e Fushë Kuqes në Laç denoncoi në emisionin “Boom” faturimin e padrejtë nga OSHEE për tre muaj. Historia e saj nis në 23 janar të 2014, kur lokali që ka në këtë zonë i digjet. Ekspertiza nxori se djegia erdhi si rezultat i luhatjes së tensionit, ku edhe sot vijon procesin e gjyqit me OSHEE.
Nga e gjithë katrahura shpëtoi vetëm matësi i energjisë. Por edhe pse u ndërpre energjia në janar, zonjës i ka shkuar fatura e energjisë për tre muaj, konkretisht mars, prill dhe qershor. Me ndërhyrjen e “Boom” u bë mundësimi i rikthimit të energjisë elektrike në lokalin e zonjës, po ashtu u depozitua dhe ankesa në zyrën qendrore të OSHEE Tiranë lidhur me faturimin e tre muajve.
“Më 23 janar 2014 më është djegur lokali. Rezultoi se lokali është djegur për arsye të energjisë elektrike, nga luhatjet. Sahati për fat nuk është djegur, ka ardhur përgjegjësi i zonës, Jah Toplana, e ka verifikuar dhe kur erdhi me bë faturimin e muajit, e pa lokalin, shkruajtën kilovatët e janarit 19 mijë lekë, sepse unë këtu kam vetëm frigoriferin dhe muzikën, sepse të tjerat i kam me gaz. Në janar e pagova, në shkurt erdhi fatura 3400 lekë. Me të thënë të drejtën vazhdova me gjyqin dhe nuk u interesova më për atë punë, për 3400 lekët se do i paguaja përnjëherë se nuk ishte ndonjë shumë e madhe. Kur më erdhën pas 6 muajsh ekspertët, del lokali pa drita. Dalin tre fatura pa paguar. Kishin futur në mars faturë 9.542 lekë, në prill 1.856 lekë dhe në qershor 36.700 lekë”, tregon Marashi.
Arrestohen 3 tatimorët, morën 400 mijë lekë
Tre punonjës të Tatimeve të Tiranës janë vënë në pranga nga policia, pasi akuzohen se kanë marrë një shumë prej 400 mijë lekësh të vjetra. Denoncimi është bërë administratorja e një biznesi në Spille të Kavajës dhe më pas është organizuar operacioni i koduar “TND”. Sipas policisë në pranga janë vënë Ermal Harizaj, 37 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Tiranë. Ervin Pupuleku, 29 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, me detyrë inspektor i zbatimit të hetimit tatimor në Drejtorinë Rajonale Tiranë, dhe Arben Disha, 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me detyrë inspektor i zbatimit të hetimit tatimor në Drejtorinë Rajonale Tiranë.
Arrestimi i këtyre personave u bë, pasi, më datë 21.07.2017, ora 17:00, të tre këta punonjës kanë shkuar për kontroll, pranë një subjekti privat në Spille Kavajë, me administratore shtetasen A. M., duke shpërdoruar detyrën i kanë marrë administratores shumën prej 40 mijë lekë (të rinj). Vijon puna për dokumentimin, nëse ka raste të tjera të ngjashme të abuzimit me detyrën ndaj bizneseve.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 259 dhe 248 e 25 të Kodit Penal, për ndjekje dhe hetime të mëtejshme.
Policia e Shtetit u bën thirrje çdo sipërmarrjeje apo subjekti tregtar, që gjendet në kushte shtrënguese si pasojë e sjelljes abuzive të punonjësve të shtetit, të denoncojnë pa ngurrim dhe i siguron të gjithë për gatishmërinë për të reaguar në kohë reale e në mbështetje të çdo viktime të shpërdorimit të detyrës.