Tre shqiptarë pjesë e një bande droge janë dënuar me rreth 20 vite burg, pasi u kapën me drogë të klasit A, në Cardiff të Uellsit. Mediat britanike shkruajne se shqiptarët e arrestuar janë Kristian Bujaj, 26 vjeç, Klaudio Doroftei, 25 vjeç dhe Ermal Zina, 39 vjeç. Ata dolën para Gjykatës së Cardiff ditën e enjte, pasi u shpallën fajtorë për pastrim parash dhe posedim droge me qëllim shpërndarjen.
Shqiptarët u arrestuan në një banesë në The Hawthorns të Pentwyn, pasi u kapën me dy pako me kokainë të pastër, peshore dhe telefona. Atyre iu gjet gjithashtu një sasi prej 6 mijë paundësh, para kesh, që i kishin fshehur nën dyshemenë e një banese në Nesta Road, në Canton, më 7 shkurt, shkruan “WalesOnline”
Sipas “WalesOnline” droga e sekuestruar nga autoritetet britanike, kapte vlerën e më shumë se 200 mijë paundëve. Tre shqiptarët u shpallën fajtorë dhe Gjykata vendosi që të dënojë me 6 vite dhe 8 muaj burg Doroftein dhe Zinën, ndërsa 6 vjet për Bujaj.
Detektiviti Ian Morgan tha se pas një pune intensive hetimore, efektivët e policisë kishin mbërritur në adresën e Pentwyun në kohën e duhur, duke i kapur mat tre shqiptarët. Sipas tij, kjo ishte dhe arsyeja përse e kishin të pamundur që të mohonin përfshirjen e tyre.
20 vjet burg për tre shqiptarët e kokainës në Britani
Thasë me drogë në makinë, kapet shqiptari në Athinë
Policia greke ka arrestuar të shtunën në mesditë një shtetas shqiptar, që akuzohet për transportimin e një sasie të madhe kanabisi. 33-vjeçari u ndalua në vendin e quajtur Sikula, 15 km nga Arta, në aksin rrugor drejt Athinës. Gjatë kontrollit në mjetin e tij, u gjet droga e llojit kanabis, e ambalazhuar në 16 pako të mëdha. Pesha e përgjithshme e kanabisit ishte 85 kilogramë. I arrestuari do të dërgohet në Prokurorinë e Artës, ndërsa shërbimi antidrogë po zhvillon hetimet e rastit.
Përplasje me armë në mes të një lokali në Elbasan
Një përplasje me armë ka ndodhur në një lokal në qytetin e Elbasanit, duke krijuar frikë dhe panik tek klientët dhe qytetarët e shumtë. Një sherr me grushte dhe që ka përfunduar në përplasje me armë ka ndodhur pak minuta më parë në një zonë rreth 10 kilometra larg qytetit të Elbasanit.
Dëshmitarë kanë treguar se në momentin kur ka ndodhur ngjarja ka pasur dhjetëra njerëz, klientë, fëmijë. Policia bëri të ditur se të shtënat me armë janë regjistruar në aksin rrugor Elbasan – Xibrakë rreth orës 16:00 të ditës së djeshme. Sipas policisë, ka pasur një konflikt midis disa shtetasve dhe “gjatë konfliktit dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri në ajër”. Nga të shtënat me armë zjarri nuk ka persona të dëmtuar.
“Njëri nga personat që është përfshirë në konflikt, shtetasi S.M, aktualisht është i shoqëruar në Komisariat dhe po merret në pyetje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes grupi hetimor në afërsi të karburantit në aksin rrugor Elbasan-Xibrakë ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja pistolete kalibër 9 mm”, informon Policia e Elbasanit. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shpërthen makina në ecje në Milot, plagoset shoferi
Një automjet, i cili ka qenë në lëvizje e sipër, në aksin rrugor Milot-Burrel, ka marrë flakë dhe është djegur pothuajse plotësisht. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40, të ditës së djeshme, ku sipas shërbimeve të policisë dhe grupit hetimor në vendin e ngjarjes, konkretisht në vendin e quajtur “Kongrazhd”, ka qenë një automjet tip “Range Rover”, me drejtues shtetasin A.K, 32 vjeç, banues në Peshkopi. Drejtuesi i automjetit në përpjekje për të shuar flakët ka marrë dëmtime të lehta sipërfaqësore në njërën dorë.
Shërbimet e policisë e kanë transportuar në Spitalin e Burrelit, për të marrë ndihmë mjekësore, ku pas marrjes së ndihmës së parë është larguar nga Spitali. Drejtuesi i automjetit po udhëtonte i vetëm në automjet.
Nga veprimet e kryera dhe nga deklarimet e drejtuesit të mjetit rezulton se shkaku i rënjes së zjarrit në automjet ka ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike në sistemin elektrik të mjetit. Për të gjitha veprimet e kryera është komunikuar me Prokurorin e gatshëm, dhe materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, si “Ngjarje Aksidentale”.
80 mijë euro për të ekzekutuar aktorin në Tiranë, ja kush e porositi
Zbardhen detaje nga atentati me armë ndaj aktorit te gjimnazi “Partizani” në Tiranë. Policia në një deklaratë për mediat sqaroi sot se atentati që përfundoi me plagosjen e aktorit Mishel Manoku (Prela) ishte i porositur me qëllim vrasjen e tij, madje kundrejt një shume të madhe parash.
Për këtë krim, sipas kreut të Policisë së Tiranës, Ardi Veliu, janë paguar 80 mijë euro për të vrarë Manokun. Në pranga sipas Veliut janë vënë, porositësi, ekzekutori dhe bashkëpunëtorët e tyre. Si ekzekutor është arrestuar Shkëlzen Buci nga Peshkopia dhe një bashkëpunëtori i tij.
Pas atentatit të ndodhur të enjten në mbrëmje përballë gjimnazit “Partizani” në Tiranë, qëndron një grup i strukturuar kriminal. Policia e Tiranës njoftoi se ka mundur të zbardhë këtë ngjarje, ku mbeti i plagosur Mishel Prela, për vrasjen e së cilit do të jepej një shumë prej 80 mijë eurosh.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 20.07.2017, në rrugën Tafaj, përballë shkollës së mesme “Partizani” Tiranë, ku është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi Mishel Prela, ju informojmë se: Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të strukturave të policisë, kryerjes së veprimeve profesionale dhe hetimore paraprake në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, grumbullimit të provave në vendngjarje, si dhe nga informacionet e marra nga vetë strukturat policore, është bërë e mundur që brenda 24 orëve të zbardhet dhe të dokumentohet e gjithë ngjarja”, tha drejtori i Policisë së Tiranës.
Ai sqaroi se, kemi të bëjmë me një vrasje me pagesë e mbetur në tentativë, nga një grup i struktruar kriminal. Policia ka arritur të arrestojë të gjithë anëtarët e grupit, duke filluar nga porositësi, ekzekutori dhe përkrahësit pas kryerjes së krimit.
Ervin Zallumi, 30 vjeç, nga Tirana, sipas policisë është personi që ka porositur vrasjen e Mishel Prelës, kundrejt shumës prej 80.000 eurosh, shumë të cilën do t’ia jepte Shkëlzen Bucit dhe bashkëpuntorëve të tij.
34-vjeçari Shkëlzen Buci, gjithashtu i arrestuar, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë, ka qenë në rolin e ekzekutorit, të cilit i është gjendur dhe sekuestruar arma e krimit, pistoletë model 54 (TT). Miklar Tola 32 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, sipas policisë është bashkëpunëtor në tentativën e vrasjes. Trim Hidri, 41 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i cili ka bërë të mundur largimin nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së krimit, të autorëve të krimit. Ermir Tola, 22 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë, vëllai i Miklar Tolës, pjesëtar aktiv i këtij grupi kriminal. Motivi i kësaj ngjarjeje është hakmarrja.
A do të guxojë Berlini të zëvendësojë Londrën?
James Rogers
Pothuajse me siguri, Mbretëria e Bashkuara do të ishte e pranishme qysh nga fillimi në çfarëdo përplasjeje midis Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. Dhe nuk do të kufizohej në pjesëmarrje aktive, por do të bënte si protagoniste. Kohët e fundit Brendan Simms, profesor në “Cambridge” University, e ka shpjeguar në mënyrë të qartë motivin: «Mbretëria e Bashkuar ka luajtur dhe luan një rol unik në sistemin europian. Nuk është në asnjë mënyrë e “ngjashme” me shtetet e tjera të “klubit” që po lë. (…) Bashkimi Europian mund të ndjehet si një klub dhe të vendosë të gjitha rregullat që do, por nuk duhet ta harrojë kurrë se anglo–amerikanët janë pronarët e terrenit mbi të cilin ngrihet cirku. Brukseli dhe kryeqytetet e tjera kontinentale maksimumi janë qiraxhinjtë, në shumë raste vetëm banorët, e këtij urdhëri.
E thënë ndryshe, Mbretëria e Bashkuar nuk është vetëm një “hapësirë” tjetër europiane për t’u rregulluar, por një prej fuqive kryesore rregulluese të kontinentit». Për të kuptuar mendimin e Simms është e nevojshme për një arkeologji të shkurtër gjeopolitike. Në shekullin e kaluar, përkrah Gjermanisë dhe Rusisë, britanikët janë demonstruar një prej 3 qendrave të mëdha të gravitetit gjeopolitik në kontinentin europian.
Motivet janë të shumta, por gjeografia ka një rol të madh. Siç e kuptoi në vitet ’40 gjeostrategu holandezo–amerikan Nicholas Spykman, ishujt britanikë zënë një pozicion komandues: të ndodhura pak larg Europës Veriperëndimore, mund të përdoren për t’i bllokuar aksesin kontinentit ose për t’i penguar vendet që e popullojnë të dalin në oqean. Kështu që janë një rëndësi si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për fuqitë e mëdha europiane – historikisht Spanja e Franca, sot Rusia e Gjermania. Në mënyrë të ngjashme, kur janë kërcënuar, u japin një bazë të pakrahasueshme njerëzve që e banojnë, duke qenë të pasura në resurse, të populluara dhe të pajisura me një seri portesh të mrekullueshme. Përbërës të përkryer për të ruajtur një Marinë të mrekullueshme që smbraps pushtimet, grumbullon fuqinë mbi brigjet kontinentale dhe projekton forcën ekonomiko–ushtarake të vendit që e komandon në zemër të Europës.
Kështu që nuk do të përbënte habi fakti që gjeografia e ishujve britanikë të drejtojë qasjen e Londrës në tokën kontinentale. Me përjashtim të ndonjë flirti sporadik me Francën Perëndimore gjatë luftërave të gjata të Mesjetës, Mbretëria e Bashkuar ka demonstruar interes të paktë ndaj një ekspansioni në kontinent: ishte shumë i kushtueshëm dhe shumë i bezdisshëm. Shtetarët britanikë kanë preferuar pothuajse gjithmonë një Europë «liberale», në të cilën asnjë fuqie të mos i lejohej që të dominonte vendet më të vegjël. Londra ka kërkuar gjithmonë të parandalojë shfaqjen e një hegjemonie europiane dhe – kur nuk ia ka arritur – ka dhënë të gjithë vetveten për të ndërtuar një koalicion që t’ia shuante ëndrrat fuqisë aspiruese.
Sër Winston Churchill e shprehu me elokuencë këtë qasje gjeostrategjike në të famshmin e tij “History of the English-Speaking Peoples” menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore: «Për 400 vjet me radhë, politika e jashtme e Anglisë ka qenë kundërvënia ndaj fuqive më të forta, më agresive e më dominuese të kontinentit dhe sidomos të pengonte që Vendet e Ulëta të binin në duart e një fuqie të tillë. (…) Mund të vëreni sesi politika e Anglisë nuk merr në konsideratë faktin se cili është kombi që tenton të dominojë Europën. Pyetja nuk është nëse është Spanja, monarkia franceze, perandoria franceze, perandoria gjermane apo regjimi i Hitlerit.
Nuk ka të bëjë aspak me qeveritarët apo me vendet; preokupohet vetëm me cilindo që është më i forti apo tiranin potencialisht dominues». Me ngjitjen e fuqisë amerikane në vitet dyzet, Uashingtoni nuk ka kërkuar vetëm ndihmën e Ishujve Britanikë – dhe për pasojë, të Mbretërisë së Bashkuar – për të mbështetur dispozitivin e vet global, por ka ndarë edhe qasjen «liberale» të Londrës ndaj tokës kontinentale. Amerikanët e kanë kuptuar shpejt se nuk do të kishin mundur të vepronin në Europë pa u kushtuar vëmendje interesave britanike: kishin nevojë për akses në bazat e mëdha e të sigurta ajrore të Mbretërisë së Bashkuar, ashtu si për territore të tjera britanike të përtejdetit.
Shtetet e Bashkuara kuptuan të ndanin perspektivën europiane të Londrës, vetëm se në shkallë më të gjerë. Spykman e përmbledh mirë: «Shkalla është ndryshe, njësitë më të mëdha dhe largësitë më të mëdha, por skema mbetet njësoj». Reciprokisht, Londra kuptoi – sidomos pas shenjave paralajmëruese lidhur me perandorinë e saj – se do të kishte mundur ta amplifikonte më mirë influencën e saj ndaj Europës duke shfrytëzuar lidhjet e farkëtuara nga historia, nga një gjuhë e përbashkët dhe nga gjaku me degën e saj veriamerikane. Por kjo kërkonte të përfshihej Uashingtoni (dhe Otava) në mënyrë të përhershme në sigurinë europiane. Me traktatin e Dunkerque të 1947 dhe të Brukselit të 1948, që i shtrinë garancitë e mbrojtjes britanike tek Franca dhe Vendet e Ulëta, Mbretëria e Bashkuar mori drejtimin e themelimit të rendit gjeopolitik europian të pasLuftës së Dytë Botërore. Bashkimi Europian Perëndimor, rezultat i marrëveshjes së Brukselit, i hap rrugën NATO-s, në të cilën amerikanët dhe kanadezët do të pranojnë të aderojnë më 1949.
Britanikët u pajisën edhe me bombë atomike për t’i shtrënguar amerikanët që ta thellojnë bashkëpunimin, përpjekje ekuivalente me ndarjen e inteligjencës nëpërmjet rrjetit Five Eyes, i prirur parasëgjithash të monitorojë çështjet europiane. Frikësuesi bërthamor anglo–amerikan, bashkë me traktatin relativ të mbrojtjes reciproke, u bënë skeleti rreth të cilit do të ndërtohej NATO. Të mbështetura nga fuqia e tyre mbresëlënëse ushtarake dhe financiare, demokracitë atlantike – Kanada, Shtete të Bashkuara, Mbretëri e Bashkuar – hodhën kështu themelet gjeopolitike, në cilësinë e pronarëve të tokës, të ndërtesës së integrimit europian.
Një çështje tjetër gjermane
Fuqia e re e Gjermanisë – pavarësisht nga fakti që është gjeneruar kinse apo prej fajeve të të tjerëve – është në gjendje të inaugurojë një çështje tjetër gjermane, ndoshta akoma më të rëndësishme për Mbretërinë e Bashkuar sesa për Shtetet e Bashkuara. Development, Concepts and Doctrine Centre e Ministrisë së Mbrojtjes britanike – celula e parashikimit strategjik e qeverisë së Madhërisë së Saj që përgatit strategjinë e sigurisë kombëtare dhe rishikimet e mbrojtjes e të sigurisë – ka qenë ndër organet e para ekzekutive që kanë nënvizuar implikimet e një hegjemonie eventuale gjermane në një raport të 2014: «Nëse një vend europian do ta mbizotëronte ndjeshëm pjesën tjetër të Bashkimit Europian nga pikëpamja financiare, preokupimet për politikën e brendshme mund t’i shtyjnë liderët e këtij shteti që ta përdorin influencën e tij për ta dominuar kontinentin jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht, duke e vënë seriozisht në rrezik kohezionin e Bashkimit Europian. Në këtë situatë, Europa mund të përçahej midis vendeve që varen nga një fuqi e tillë e madhe dhe ata që janë irrituar. Ekziston rreziku që NATO mund të humbasë efikasitet, në rast se vendet europiane e vënë besnikërinë apo kundërshtimin ndaj fuqisë ekonomike të sipërpërmendur mbi çdo aleancë tjetër». Paradoksalisht, vendimi i popullit britanik në qershor të 2016 për të dalë nga Bashkimi Europian ka kontribuar, duke e thelluar këtë tendencë. Duke folur për rezultatet e referendumit, Lordi Heseltine, ish-ministër i Jashtëm i Madhërisë së Saj, e ka thënë pak a shumë qartë: «Ky vend ka luajtur një rol unik në sigurimin e humbjes së Hitlerit. Gjermania ka humbur luftën. Tani i kemi ofruar në një pjatë të argjendtë rastin më të mirë për të fituar paqen. E gjej të papranueshme».
Me Brexit, Londra nuk do të jetë më e pranishme në brendësi të strukturave europiane për të balancuar peshën gjeoekonomike dhe më kontinentale të Berlinit. Gjermanisë i bëhet akuza se po kërkon të rindërtojë institucionet dhe politikat e Bashkimit Europian që t’u shërbejnë industrive dhe bizneseve të veta të prirura nga eksporti, me pak skrupuj për impaktin mbi periferitë jugore dhe lindore të Bashkimit. Pavarësisht nga vlefshmëria e pohimeve të tilla, për shkak të largimit të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermania ndodhet në vendet e komandimit. Nga një këndvështrim britanik, as një Gjermani më e fuqishme, as dominimi i saj në brendësi të Bashkimit Europian nuk janë domosdoshmërisht burime preokupimi, sidomos në qoftë se «detet» vazhdojnë të plazmojnë mendimin gjerman, siç kanë bërë qysh nga fundi i viteve ‘40.
Siç nënvizon Jeremy Cliffe, kryeredaktor në Berlin i “The Economist”, kjo Gjermani – punëtore, pragmatiste, e hapur – është familjare për shumë britanikë, që e admirojnë sepse e ndjejnë shumë të ngjashme me veten. Kjo Gjermani do të vazhdonte ta pranonte ekuilibrin euroatlantik, duke ia deleguar çështjet strategjike Mbretërisë së Bashkuar e Shteteve të Bashkuara dhe duke kuptuar sesi është më mirë të qëndrojë një banore e thjeshtë e Europës, pa dashur që t’i marrë përsipër përgjegjësitë. Përkundrazi, deri kur anglo-amerikanët të ruajnë asete strategjike globale, këto të fundit mund të shikojnë deri me favor një fuqizim të lidershipit gjerman. Sidomos nëse kjo do t’i mundësojë Berlinit që të zbusë kapjen e Rusisë mbi Europën Lindore dhe të rrisë përgjegjësinë fiskale në barkun e rrafshtë jugor të Bashkimit Europian. Si presidentët amerikanë Obama e Trump, ashtu edhe kryeministrat britanikë Cameron e May u kanë kërkuar aleatëve të tyre, jo e fundit Gjermania me sufiçitin e saj fiskal, që të shpenzojnë më shumë në mbrojtje për ta forcuar NATO-n.
Megjithatë, si në shekujt e kaluar, një Gjermani tjetër rrezikon të dalë në skenë: «Gjermania e lumenjve», e përshkruar nga Cliffe si «një tokë romantike me pyje të dendura plot mjegull dhe traumash të errëta të së kaluarës (…) paturpësisht kontinentale, që humbet gjak në vendet kufitare». Në një rast të tillë, qëndrimi i Londrës ndaj Berlinit ka mundësi që do të ashpërsohet. Lehtësisht kjo Gjermani, më pak detare, shumë më kontinentale dhe shumë më hipokrite dhe prepotente, do të kërkojë ta prishë rendin mbizotërues. Në mos duke i sfiduar drejtpërsëdrejti marrëveshjet e mëparshme të lokacionit, të paktën duke i injoruar apo duke kooptuar vendet progjermane në strukturat e reja europiane në shërbim të interesave të veta. Një Gjermani europiane do t’i hapte rrugën një Europë gjermanike, me Berlinin në qendër të një lloj Großraum gjeopolitik, në tentativën dinake për t’u bërë pronar në një hapësirë të re europiane. Një objektiv i ngjashëm sigurisht që do të kërkonte nivele të ndryshme integrimi; në disa aspekte, nuk do të ishte edhe aq ndryshe nga skenari i dëshiruar prej mbështetësve të një Europe me dy (ose më shumë) shpejtësi.
Në masën në të cilën një prej anëtarëve më të mëdhenj e më të fuqishëm të saj po largohet, vlerësimi teleologjik i Bashkimit Europian si një «bashkim gjithnjë e më i ngushtë» – në realitet vetë ideja e një bashkimi real europian – është dëmtuar seriozisht, në mos është copëtuar përfundimisht. Gjithsesi, Europa nuk është më në kabinën e pilotimit të botës: mbi të gjitha, 2017 nuk është as 1947, as 1957 dhe as 1987. Në atë kohë, preokupimi kryesor i Londrës dhe i Uashingtonit ishte pikërisht Kontinenti i Vjetër, sidomos për frenimin e Rusisë sovjetike në Europën Qendrore. Atëherë ishte Moska qendra e vetme domethënëse e gravitetit gjeopolitik e pajisur me mjetet për të sfiduar pushtetin e demokracive atlantike. Kurse sot kuadri gjeopolitik është shumë ndryshe: Europa nuk e tërheq më si dikur vëmendjen e amerikanëve.
Azia Lindore dhe zona më e gjerë Indo–Paqësore janë tani qendrorë në mendimin strategjik si amerikan, ashtu edhe britanik. Nëse demokracitë atlantike çimpenjohen nga Europa kontinentale, megjithëse me ritme të ndryshme, rreziku është që «Gjermania e lumenjve» të fitojë avantazhin në Berlin. Ajo teutonike është në shumë aspekte një fuqi kontinentale natyrale: jo vetëm nga pikëpamja gjeofizike, por edhe prej aksesit të kufizuar në det.
Ndërtimi i sistemit euroatlantik pas Luftës së Dytë Botërore e ka lidhur Gjermaninë me Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, duke e shtyrë drejt një vokacioni më detar. Ngritja e bazës prodhuese gjermane është futur në këtë tendencë, kjo për arsyen e vetme, sepse kërkonte të lidhej me rrugët e komunikacionit në dete për të importuar lëndë të para dhe eksportuar produkte të përfunduara. Me një influencë anglo–amerikane të reduktuar, Berlini mund të arrijë në konkluzionin se ka nevojë për një lidership më të madh në Bashkimin Europian, duke e shtyrë sërish drejt «lumenjve». Dhe duke e vënë në rrugën e përplasjes me Londrën.
Ajo që shkakton vërtet mosmarrëveshje në kontinent do të ishte tentativa e Gjermanisë që t’i japë Bashkimit Europian një rol më të madh në sektorin e mbrojtjes. Për Mbretërinë e Bashkuar, një çështje e tillë kërcënon vërtet që të hapë një të çarë në zemrën e rendit kontinental, në masën që do të sillte një theksim më të madh mbi komponenten europiane respektivisht asaj atlantike. Londra i ka paraqitur rezistencë çdo lëvizjeje të prirur që ta pajisë bashkimin ushtarak me struktura ushtarake komanduese dhe nuk duket komod ndaj tentativave për t’i dhënë një bazë industriale mbrojtjes europiane. Përveçse shikon me dyshim manovrat gjermane që synojnë të ankorojnë forca të armatosura të ndryshme të kontinentit pas Bundeswehr. Njëlloj me Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar i kundërvihet prej kohësh tentativave për ta reduktuar, replikuar apo dyfishuar NATO-n në rolin e saj të ruajtjes së paqes në Europë. Megjithatë, me të dalë nga Bashkimi Europian, nuk do të jetë më në gjendje t’i pengojë këto zhvillime, të paktën jo me të njëjtin efikasitet. Londrës do t’i duhet të kërkojë mjete të reja për të avancuar interesat e saj.
Është e qartë se qeveria britanike beson se ka në duar letra të mira për ta shmangur reduktimin e orientimit atlantik të sigurisë europiane. Kohët e fundit është impenjuar për ta rinovuar frikësuesin e saj bërthamor, nëpërmjet blerjes së një gjenerate të re nëndetësesh të pajisur me raketa balistike – të quajtura qëllimisht “Dreadnought”, nga anijet luftarake protagoniste të garës së armatimeve me Rajhun gjerman në fillimet e shekullit XX.
Ka dyfishuar impenjimet e saj në NATO, duke furnizuar numrin më të madh të ushtarëve dhe të pajisjeve ushtarake për ta shkurajuar agresivitetin rus në Europën Lindore dhe duke dislokuar forca tokësore dhe ajrore në Estoni, Poloni e Rumani dhe detare në Detin e Zi e në Detin Balltik. Ka vazhduar t’ia tërheqë nga vetja Atlantikun Francës, jo vetëm duke i mbështetur riintegrimin në strukturat ushtarake të NATO-s, por edhe nëpërmjet traktateve të Lancaster House, në kuadër të të cilave po bëhet operative një Combined Joint Expeditionary Force.
Ka mbështetur edhe një bashkëpunim më të ngushtë strategjik e ushtarak nëpërmjet të ashtuquajturit North Group, përfshi një forcë të përbashkët ekspedicionare, ku marrin pjesë shtetet balltikase. Në rast se Berlini mëshon për një integrim më të madh strategjik në nivel të Bashkimit Europian, pothuajse me siguri Mbretëria e Bashkuar do të kërkojë që të ushtrojë më shumë influencë në aspektet e sapopërmendura për ta penguar axhendën gjermane. Çdo tentative të Gjermanisë për t’u ngjitur në rangun e pronarit të tokës në Europë do të fillojë pothuajse me siguri që të tërheqë shikimet anglo–amerikane mbi aferat veterokontinentale.
Për ta përfunduar, edhe nëse Bashkimi Europian do të jetë gjithnjë e më shumë i tërhequr në drejtimin e preferuar nga Gjermania, nuk është shkruar se Londra do të ndeshet me Berlinin për trajektoren e arkitekturës gjeopolitike të kontinentit europian. Nuk është akoma e qartë se cila narrativë do të mbizotërojë në Gjermani – ajo e deteve apo ajo e lumenjve; ajo detare apo ajo tokësore. Nuk është as krejtësisht e qartë se cila narrativë do të mbizotërojë në Mbretërinë e Bashkuar: Brexit ia hap dyert një shteti britanik më të dobët e më provincial, i preokupuar sidomos me rinovimin e brendshëm dhe të pengojë kolapsin kushtetues, të paktën në periudhën afatmesme.
Motivet e shpresës nuk mungojnë: ekuilibri aktual i forcës në Europë nuk është edhe aq jo avantazhues për asnjërën nga të dyja palët dhe as për Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, nëse panorama strategjike do të mjegullohet seriozisht, asi në mëngë i Mbretërisë së Bashkuar mund të rezultojë Rusia: pavarësisht se marrëdhëniet e sotme midis Londrës dhe Moskës nuk janë në maksimum, nuk është e pamundur – duke parë presionin kinez në Lindje dhe atë gjerman në Perëndim – që Mbretëria e Bashkuar (dhe Shtetet e Bashkuara) të nisin e ta shikojnë Rusinë si një faktor potencial ekuilibrues. Tashmë topi ndodhet në gjysmëfushën e Gjermanisë.
Berlini duhet të vlerësojë nëse ia vlen barra qiranë të krijojë një grup ekskluziv në brendësi të Bashkimit Europian, sidomos një bërthamë të fortë që të uzurpojë NATO-n dhe të tentojë ta përjashtojë Londrën dhe Uashingtonin nga gjeopolitika europiane. Duhet të vlerësojë nëse ia vlen ta luajë këtë lojë.
Autori është drejtor i Global Britain Programme në The Henry Jackson Society të Londrës
Përgatiti
ARMIN TIRANA
Surpriza Portugali, 26 miliardë euro nga turizmi
Isabel Leiria, Joana Pereira Bastos
Në qoftë se një kinez kërkon destinacionet më të mira për muajin e mjaltit, ka shumë mundësi që në ekranin e tij të shfaqen imazhe romantike nga Portugalia. Në qoftë se një gjerman kërkon një vend për pushime, me siguri që midis rezultateve të para gjen një plazh portugez. Po në qoftë se një suedez i apasionuar pas golit do të kërkonte fushat më të mira? Edhe në këtë rast ka mundësi që Portugalia të jetë ndër destinacionet e sugjeruara. Vendi është në gojën e të gjithëve dhe në majë të rezultateve të kërkimit. Pothuajse 500 çmimet ndërkombëtare e fituara më 2016 (kundrejt 157 të vitit 2015) dhe rreth 16000 artikujt e botuara nga shtypi i huaj lidhur me turizmin në Portugali e kanë ushqyer këtë popullaritet, por nuk mjaftojnë për të shpjeguar fenomenin. Prapa kësaj shikueshmërie ka një strategji të planifikuar në detajet më të hollësishme nga ana e entit turistik portugez Turismo de Portugal për ta rritur praninë e vendit në rrjetet sociale, të përmbysë internetin dhe të imponohet në zgjedhjet e turistëve. Dhe Google ka rezultuar aleati më i mirë. Në Portugali nuk ka pasur kurrë kaq shumë turistë. Gjatë viteve të fundit janë thyer të gjitha rekordet e prenotimeve, pasagjerëve dhe të ardhurave. Turizmi është eksportuesi kryesor i shërbimeve dhe është afirmuar si një prej motorëve të ekonomisë. Turizmit i detyrohet një pjesë e madhe e rritjes ekonomike të regjistruar në Portugali në tremujorin e parë të 2017, më e larta e 10 viteve të fundit. Në muajt e parë të vitit janë krijuar rreth 37000 vende pune në sektorin turistik, pothuajse sa në të gjithë 2016. Me siguri paqëndrueshmëria e krijuar nga Pranvera Arabe dhe frika nga terrorizmi i kanë shtyrë miliona njerëz t’i ndryshojnë planet e tyre për pushimet, duke braktisur vende si Tunizia, Egjipti apo Turqia. Vendet e Europës Jugore kanë përfituar nga ky ndryshim, por nuk është arsyeja e vetme e rezultateve të shkëlqyera të arritura nga Portugalia. Midis viteve 2005 e 2015, sektori turistik portugez është rritur më shumë se ai i fqinjëve. Rritja e të ardhurave ka qenë dyfishi i të ardhurave të Spanjës.
Jashtë grupit
Momenti kyç ka qenë në fund të 2013, kur vendi përjetonte akoma efektet e krizës ekonomike dhe vizitat e kreditorëve ndërkombëtarë qenë të rregullta. Buxheti i Turismo de Portugal ishte i kufizuar dhe ishte nevoja që të shpenzohej më pak dhe më mirë. Por përpara se të hartohej plani i ri, duhet studiuar konkurrenca. Joao Cotrim de Figueiredo, që atëherë ishte Presidenti i entit, vari në muret e zyrës së tij pamje fushatash publicitare, panorama, broshura dhe faqe internetore të 15 vendeve të basenit të Mesdheut dhe të konkurrentëve të tjerë të Portugalisë.
Pastaj u kërkoi bashkëpunëtorëve të tij që të vendoseshin pak metra nga muri dhe t’i thoshin se cilat pamje i referoheshin Turqisë. “Ishte e pamundur”, kujton Cotrim de Figueiredo. “Qenë të gjitha njëlloj. Qiej të kaltër, familje të lumtura dhe slogane të llojit ‘jeto eksperiencën’. Nëse do të ishim hedhur në atë det komunikimi me 5 milionë euro, askush nuk do të na vinte re. Konkluzioni i natyrshëm ishte se shpenzimi i atyre parave në kanalet tradicionale do të kishte qenë harxhim i kotë. Ai mur më ka bërë të kuptoj se duhej të adoptonim një fjalor ndryshe”.
Për këtë arsye Turismo de Portugal vendosi që t’i braktisë posterat publicitarë dhe sponsorizimin e eventeve. Të gjitha fondet e disponueshme u kanalizuan në marketingun dixhital. Facebook dhe Instagram janë bërë më të rëndësishme se panairet e turizmit, pasi sot është në internet që njerëzit zgjedhin ku të shkojnë me pushime, të blejë biletat dhe kontrollojë hotelet, pa ndërmjetës dhe duke u bazuar ekskluzivisht mbi interesat e veta. E thjeshtë, por asnjë vend nuk e kishte bërë kurrë më parë. Për të qenë të sigurtë se strategjia e re do të kishte sukses, duhej siguruar që Portugalia të mos humbiste në pafundësinë e internetit. Për këtë arsye janë punësuar specialistë të optimizmit për motorët e kërkimit (SEO), që kishin detyrën të vepronin në mënyrë të atillë që plazhet, fushat e golfit, kështjellat, vreshtat e Douro dhe ultësirat e Alentejo të shfaqeshin në majë të rezultateve të kërkimeve.
Më shumë se gjysma e fondeve të alokuara nga Turismo de Portugal për promovim ka përfunduar në arkat e Google, për blerjen e fjalëkyçeve që do t’u garantonin sajteve portugeze më shumë shikueshmëri krahasuar me të tjerat. “Jemi bërë klienti kryesor i Google në Portugali”, kujton Cotrim de Figueiredo. Një tjetër fetë e majme e buxhetit, 25%, i ka shkuar Facebook. Por blerja e shikueshmërisë nuk mjaftonte. Duhej kuptuar se çfarë kërkonin llojet e ndryshme të turistëve në zonat e ndryshme të botës për të vendosur se çfarë mesazhi t’u dërgoje dhe në cilin moment.
Kështu, enti ka filluar të monitorojë të gjitha kërkimet e të huajve lidhur me Portugalinë duke u nisur nga IP-të e kompjuterëve të tyre. “E dinim kur dikush po përgatitej të vendoste ku të shkonte me pushime, pasi frekuenca e vizitave në sajte është e ndryshme nga faza paraprake e kërkimit. Në 48–72 orë nga zgjedhja arrinim që të dërgonim një mesazh më të hollësishëm. Për shembull, vepronim në mënyrë të atillë që një suedeze 35-vjeçare e apasionuar pas golfit të gjente në Facebook dhe në sajtet që po kontrollonte pamje fantastike grash që luanin folf në Portugali. Kjo mund të bëjë diferencën”, shpjegon ai. Luis Araujo, njeriu që ka zënë vendin e Figueiredo më 2016, ka ecur përpara në të njëjtën rrugë. “As nuk zhdukemi në tufë, as nuk ia lëmë çdo gjë rastësisë për të parë se çfarë ngec në grep. I gjithë promovimi është i personalizuar”.
Megjithatë, shumë informacione gjenden akoma nëpërmjet kanaleve tradicionalë. Falë një takimi me operatorin kryesor turistik në Kinë – që po bëhet një prej tregjeve më të rëndësishme – është zbuluar se kinezët e konsiderojnë Portugalinë një destinacion romantik. Dhe kështu fushatat e rregulluara për Kinën kanë braktisur pamjet e plazheve të izoluara duke i zëvendësuar me foto të Palacio da Pena në Sintra dhe darka nën dritën e hënës. Futbolli është tjetër karrem shumë efikas në Kinë dhe në këtë rast gjërat janë më të thjeshta: shpërndarja e bluzave të kombëtares të autografuara nga Cristiano Ronaldo në panairet e turizmit në Kinë funksionon gjithmonë. Kurse në Brazil, një vend i mësuar me futbollin e madh, topi nuk është një kartëvizitë shumë efikase. Më mirë të synohet tek ushqimi dhe në pamjet e kështjellat e monumenteve të tjera që tregojnë një histori mijëra vjeçare. Dhe në trojet e ftohta të Europës Veriore asgjë nuk funksionon më mirë se kombinacioni klasik det–diell.
Më mirë vonë
Historia e turizmit në Portugali ka më shumë se 100 vjet. Ka nisur gjithçka në mes të Atlantikut, kur britanikët mbërritën në Madeira për tregtinë e verës dhe u magjepsën nga bukuria e ishullit. Vite më pas, gjatë Luftës së Parë Botërore, qenë lokalitetet termale të qendrës së vendit që i tërhoqën vizitorët. Algarve u zbulua si objektiv turistik vetëm në vitet gjashtëdhjetë, sërish për meritë të britanikëve. Më pas kanë nisur fluturimet charter, paketat turistike dhe hotelet e mëdhenj. Por në vitet tetëdhjetë, kur vendi ishte ende nën tutelën e FMN-së, Portugalia ka mbetur e përjashtuar nga vala e madhe e industrializimit të turizmit që në fakt investoi plotësisht në Spanjë. Vite më pas, zhvillimi i munguar në atë periudhë ka rezultuar si avantazh për Portugalinë, sepse ka mbrojtur pjesën më të madhe të territorit nga masivizimi. “Ka qenë dhuratë nga Zoti. Është falë saj që sot mund të synojmë mbi një model më të diversifikuar, të orientuar drejt xhepave të vegjël, modern e të specializuar, në kundërvënie me logjikën e turizmit masiv dhe të markave të mëdha”, nënvizon Cotrim de Figueiredo. “Pa këtë faktor nuk do të kishte ndodhur kurrë rritja e regjistruar vitet e fundit, pavarësisht nga fushatat e promovimit”.
Vala e sërfit
Me shpëtimin e 2011, FMN-ja është kthyer në Portugali, edhe një herë akoma, kriza ekonomike ka rezultuar si mundësi për sektorin turistik. Në vitet e zeza të recesionit, mijëra portugezë kanë marrë valixhet dhe janë larguar. Shumë prej tyre që kanë qëndruar janë shtrënguar nga papunësia dhe nga mungesa e perspektivave për ndryshimin e jetës. Basti mbi turizmin, tashmë në rritje të plotë, ka qenë një rrugëdalje. Janë transformuar në biznesmenë dhe i kanë dhënë një dinamikë me të cilën vendi nuk ishte mësuar. Janë hapur aktivitete të reja dhe janë shumëfishuar shtretërit e fjetjes. Numrat flasin vetë. Nëse më 2008 kishte 285 kompani argëtimi turistik të regjistruara nga Turismo de Portugal, më 2012 kishte më shumë se 1000 dhe më 2015 kanë kaluar kuotën 2500. Më 2016 i janë shtuar edhe 1500 të tjera. Në kulmin e krizës ka ndodhur një tjetër zhvillim themelor. Duke filluar nga viti 2009, kompanitë ajrore low cost si Ryanair dhe EasyJet kanë përfshirë Porto, Faro e Lisbonën midis destinacioneve të tyre. Më 2010 kryeqyteti portugez ka mundur konkurrencën e Barcelonës e Kopenhagenit, që aspironin të bëheshin destinacione të EasyJet. Pas eventesh të tilla si Expo e 1998 dhe Europiani i Futbollit i 2004 potenciali turistik i qytetit ishte tashmë evident dhe impenjimi i qeverisë për të rritur investimet në sektor kanë luajtur një rol themelor. Por ka pasur edhe baste të fituara nga privatët, si ai i shfrytëzimit të golfit për të tërhequr vizitorë. Ideja ka lindur si përgjigje ndaj sezonalitetit të fortë të Algarve, që vizitohej pothuajse vetëm në verë, ndërsa golfi luhet faktikisht në dimër. Sot Portugalia konsiderohet destinacioni më i mirë europian për këtë sport. Duke ndjekur të njëjtë mënyrë të diversifikimit të përvojave dhe të publikut, edhe sërfi është futur e bërë pjesë e ofertës së Portugalisë. Në janar të 2013 fotografia e sërfistit amerikan Garrett McNamara, një pikë e vogël në një valë të përbindshme më shumë se 30 metra e lartë përpara fanarit të Nazare, është shfaqur në të përditshmen britanike “The Times”. Nazare e njihte tashmë McNamara dhe ai e njihte mirë potencialin e rajonit. Por ka qenë atëherë që bota i ka zbuluar që të dy, falë një fotografie të bërë virale në internet. “Kemi kuptuar menjëherë fuqinë e kësaj fotografie. Kemi zbuluar se kish ishte sërfisti dhe kemi shkuar në Nazare për të folur me të. Kemi mësuar se e dashuronte Portugalinë dhe e kemi paguar për të promovuar vendin tonë. Ka pasur edhe polemika të ndryshme për faktin që McNamara ishte i huaj”, kujton Cotrim de Figuereido. Administratat vendore të Nazare, Peniche dhe Mafra (plazhi i Ericeira është bërë një Mekë e sërfit botëror) kanë përfituar nga vala dhe i kanë rritur investimet. Deri më atëherë e panjohur në botën e sërfit, Portugalia është bërë destinacioni i parë i sërfistëve në Europë. Sot është vendi i vetëm europian që ka të gjitha provat e World Surf League dhe gjatë vitit është e mundur të shikohen menaxherët e City të Londrës që vijnë të bëjnë sërf në Portugali gjatë fundjavave. Në Peniche sezoni i pikut, që më parë kufizohej në korrik dhe gusht, sot fillon qysh në maj dhe mbaron në fund të tetorit.
Si në shtëpi
Por më shumë se sërfistët ishte imazhi i shoqëruar me sportin që ka qenë i interesuar për promovimin e vendit jashtë. Gjatë asaj periudhe është shqyrtuar gjithçka që shkruhej për Portugalinë në rrjetet sociale, në Booking dhe në TripAdvisor. Janë lexuar dhjetëra mijëra komente dhe postime për t’u futur në kokën e turistëve. Ekzistonte një shprehje e rëndomtë: në Portugali turistët ndjeheshin si në shtëpi. Ndjesia e komunitetit, e përbashkshmërisë, lirisë dhe relaksit shoqëruar me sërfin i përgjigjej të njëjtit koncept. Nga kjo shprehje ka lindur një plan marketingu për ta paraqitur vendin si një destinacion “i ngrohtë, romantik dhe i pëlqyeshëm”, ku të gjithë mund të ndjehen në shtëpi. Një shembull tjetër është ai i festivaleve muzikore. Edhe në këtë sektor shteti ka bashkëpunuar me privatët për të caktuar datat e eventeve dhe për t’u bërë publicitet jashtë vendit. Një tjetër bast i fituar: vitin e kaluar rreth 61000 turistë kanë ardhur në Portugali për të asistuar në një prej 8 festivaleve kryesore të vendit. Në Primavera Sound të Porto kanë marrë pjesë mesatarisht 10000 të huaj në ditë. Nos Alive në Alges ka regjistruar 32000 të tillë në edicionin e 2016. Në zyrën e Luis Araujo, Presidentit të Turismo de Portugal, janë varur pamje të fushatës së fundit. Janë histori të treguara nga të huaj – t’i dëgjosh të tregohen mrekullitë e vendit prej atyre që vijnë nga jashtë e bën mesazhin më të besueshëm – dhe të filmuara të gjitha në dhjetor. Mund të mendohet se ka muaj të vitit më të treguar, por ideja është pikërisht të demonstrohet se në Portugali është mirë edhe në dimër. Në njoftime nuk mund shprehja: “Këto fotografi janë bërë në dhjetor”. Drita dhe mestarja 259 ditë me diell në vit kanë qenë dy prej argumenteve më të përdorura gjatë një iniciative të kohëve të fundit në Indi, ku Portugalia është paraqitur si vend ideal për filmimet kinematografike. Araujo e kishte vizituar tashmë Kinën për të promovuar Portugalinë, lehtësuar dhënien e vizave dhe inauguruar lidhjen e parë të drejtpërdrejtë me avion. Gjiganti aziatik është burimi i parë botëror i turistëve dhe Portugalia dëshiron të bëhet një prej destinacioneve të parapëlqyera të kinezëve. Edhe pse turistët kinezë janë ata që shpenzojnë më shumë në dyqanet e luksit që ndodhen në Avenida da Liberdade. “Duam klientë të pasur që shpenzojnë shumë. Synojmë shtresën e lartë. Është për këtë arsye që kemi dashur të sjellim në Portugali Business of Luxury Summit e ‘Financial Times’”, që mbledh administratorët delegatë të markave të mëdha të luksit si Hermes apo Cartier. Organizimi i konferencave dhe i kongreseve ndërkombëtare është një prej sektorëve ku Portugalia synon më shumë. Në nëntor të 2016 Web Summit, panairi kryesor teknologjik europian, është spostuar nga Dublini në Lisbonë, duke tërhequr më shumë se 700000 vizitorë. Evente ku shërbejnë që të flitet për Portugalinë. Orteku i çmimeve të marra më 2016 ka kontribuar në transformimin e Portugalisë në një fenomen turistik, i treguar nga sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit si një shembull për t’u ndjekur.
Ortek
Ky sukses shpaloset në numrin e artikujve për turizmin në Portugali të botuar në shtypin e huaj. Më 2016 kanë qenë 16011 të tillë. Një pjesë është fryt i të ashtuquajturve press trip, udhëtimeve të shtypit, një strategji e vjetër, por ende shumë e përdorur nga Turismo de Portugal, që fton gazetarët nga e gjithë bota të vizitojnë vendin. Më 2016 udhëtimet e këtij lloji kanë qenë 1215 dhe kanë përfshirë 2165 gazetarë. Gjermanë, amerikanë, anglezë e spanjollë kanë qenë më të pranishmit. Nëse Lisbona, Madeira dhe Algarve mbesin destinacionet më të frekuentuara, ka vende të tjera që janë futur gjithnjë e më shpesh në udhëtimet promovuese, si Alentejo apo veriu. Objektivi është që turistët të vizitojnë vende të ndryshme: në qoftë se shkojnë në Porto, pse mos të vizitojnë edhe Douro apo të shkojnë deri në Fatima? Në qoftë se zgjedhin plazhet në Algarve apo në Alentejo, pse të mos përfitojnë një xhiro me biçikletë apo një ecje të gjatë në këmbë në brendësi të territorit? Kohët e fundit është lançuar një fushatë e re online. Objektivi nuk është vetëm të ftohen të huajt të vizitojnë Portugalinë dhe të “ndjehen si në shtëpi”, por të merret slogani kallëp dhe të binden të vendosen përgjithmonë në vend. “Nuk duam vetëm të promovojmë Portugalinë si destinacion pushimesh, por edhe si vend ku të investojnë, studiojnë dhe jetojnë”, sintetizon Araujo. Eventet dhe çmimet sjellin shikueshmëri që tërheq më shumë të huaj, që nga ana e tyre gjenerojnë shikueshmëri të mëtejshme. “Është si një ortek dëbore që lëviz”, shpjegon Araujo. Objektivi është që të mos pushohet rritja në 10 vitet e ardhshme, kur shpresohet që të arrihen 26 miliardë euro të ardhurat (dyfishi krahasuar me 2016) dhe 80 milionë prenotimet (27 milionë më shumë se vitin e kaluar). Mbetet për t’u kuptuar nëse ky ortek mos po rritet shumë, duke shkaktuar dëme. E vërteta është se në qendrat historike të Lisbonës dhe Portos, ku regjistrohet presioni më i madh turistik, po fillojnë tashmë ankesat e para.
“Expresso”
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
Ana e errët e inteligjencës
Will Kni
Një vit më parë një makinë e çuditshme pa shofer është nxjerrë nëpër rrugët e qeta të Monmouth County në New Jersey të Shteteve të Bashkuara. Prototipi, i zhvilluar nga një grup kërkuesish të prodhuesit të procesorëve grafikë Nvidia, kishte një pamje të ngjashme me atë të makinave të tjera që ecin vetë. Por kishte diçka krejtësisht të ndryshme karshi modeleve Google, Tesla dhe General Motors, që demonstronte fuqinë në rritje të inteligjencës artificiale. Makina e Nvidia nuk ndiqte udhëzimet e një inxhinieri apo të një programuesi, por i besonte tërësisht një algoritmi që kishte mësuar vetë të voziste duke vëzhguar një qenie njerëzore. Projektimi i një makine të këtij lloji është një ndërmarrje e jashtëzakonshme, por edhe shqetësuese, pasi nuk është krejtësisht e qartë sesi makina i merr vendimet e saj. Informacionet e regjistruara nga ndjesorët në një rrjet të madh neuronesh artificiale që përpunojnë të dhënat dhe japin udhëzimet e nevojshme për të përdorur timonin, frenat dhe sistemet e tjera. Rezultatet duken të ngjashme me sjelljen që do të pritej nga një shofer në mish e kocka. Por çfarë do të ndodhte nëse një ditë makina do të bënte një lëvizje të papritur, për shembull, të shkonte e të përplasej me një pemë apo të ndalej me semaforin jeshil? Në gjendjen aktuale do të ishte shumë e vështirë të kuptohej se pse ka ndodhur. Sistemi është aq i komplikuar saqë deri edhe inxhinierët që e kanë projektuar kanë vështirësi për t’i individualizuar motivet në origjinën e çdo vendimi. Është edhe e pamundur t’u kërkohet një shpjegim makinave: nuk ka një kriter të caktuar për ta projektuar sistemin në mënyrë që të jetë në gjendje të shpjegojë se pse e bën atë që bën.
Mendja misterioze e kësaj makine të çon në një çështje të hapur lidhur me inteligjencën artificiale. Teknologjia në themel të makinës, e njohur si deep learning, në vitet e fundit është demonstruar mjaft efikase në zgjidhjen e problemeve dhe shpesh është përdorur për qëllime si përkthimi, njohja vokale dhe image captioning (përshkrimi i imazheve nëpërmjet didaskalive). Tani pritet që të njëjtat teknika të jenë në gjendje të diagnostikojnë sëmundje vdekjeprurëse, të bëjnë investime milionëshe dhe të revolucionarizojë sektorë të tërë industrialë. Por e gjitha kjo nuk do të ndodhë (ose të paktën nuk do të duhej të ndodhte) në qoftë se nuk do të gjendet mënyra për t’i bërë teknikat si puna e deep learning më të kuptueshme për krijuesit e tyre dhe përgjegjësit kryesorë për atë që i përdor. Përndryshe do të jetë e vështirë të parashikohet se kur do të ketë probleme, se kur do të jenë të pashmangshme. Jo rastësisht, makina e Nvidia është akoma në fazë eksperimentale. Sot në Shtetet e Bashkuara përdoren tashmë modele matematikore për të zgjedhur, për shembull, se kush mund të sigurojë lirinë e vigjëluar, kush mund të marrë një hua dhe kush duhet të punësohet për një vend pune. Duke hyrë në këto modele mund të kuptohet mënyra e tyre e të arsyetuarit.
Megjithatë, kohët e fundit banka, ushtria, bizneset dhe subjekte të tjera po u kushtojnë vëmendje sistemeve komplekse të reja të kuptimit automatik që rrezikojnë të bëjnë krejtësisht të padepërtueshëm proceset vendimmarrëse të automatizuara. Deep learning, sistemi më i përhapur, është një mënyrë totalisht e re e programimit të kompjuterëve. “Qysh tani është problem i rëndësishëm dhe do të jetë shumë më tepër në të ardhmen”, vëren Tommi Jaakkola, një pedagog nga Massachusetts Institute of Technology (MIT) që punon për aplikacione të kuptimit automatik. “Për çdo vendim – në fushën financiare, mjekësore apo ushtarake – nuk mund t’i besohet thjesht një kutie të zezë”, domethënë një sistemi për të kuptuar ngjarjet vetëm me gjëra të mbaruara. Dikush thekson tashmë se mundësia për të kërkuar një inteligjencë artificiale siç është arritur në konkluzione të caktuara duhet të garantohet me ligj.
Nga vera e 2018, Bashkimi Europian mund t’u imponojë kompanive detyrimin për t’u shpjeguar klientëve vendimet e marra nga sistemet e automatizuara. Ndoshta do të rezultojë një ndërmarrje e pamundur, edhe për sisteme që në pamje të parë duken relativisht të thjeshta, si aplikacionet dhe uebsajtet që përdorin deep learning për reklamat apo për të rekomanduar playlist-a me këngë. Kompjuterët që menaxhojnë këto shërbime programohen vetë dhe askush nuk është në gjendje t’i kuptojë sesi e bëjnë. Nuk arrijnë as inxhinierët që i kanë zhvilluar aplikacionet. E gjitha kjo hap një seri pikëpyetjesh të vështira. Me avancimin e teknologjisë herët a vonë do të tejkalohet një prag përtej të cilit përdorimi i inteligjencës artificiale do të kërkojë një akt besimi. Është e vërtetë edhe që ne qeniet njerëzore nganjëherë nuk jemi në gjendje t’i shpjegojmë problemet tona mendore, por nganjëherë i besojmë intuitës për të vlerësuar njerëzit dhe të vendosim nëse t’u besojmë apo jo. Do të arrijnë ta bëjnë edhe me makinat që mendojnë dhe marrin vendime në mënyrë të ndryshme nga qeniet njerëzore? Kurrë më parë nuk qenë ndërtuar makina në gjendje që të bëjnë gjëra të pakuptueshme edhe prej atyre që i kanë krijuar. Si mendojmë të komunikojmë – dhe të biem dakord – me makina inteligjente që mund të rezultojnë të paparashikueshme dhe padepërtueshme? Këto pikëpyetje më kanë shtyrë që të bëj një udhëtim në kërkimin më të avancuar lidhur me inteligjencën artificiale, nga Google tek Apple, përfshi një takim me një prej filozofëve të mëdhenj të epokës tonë.
Shqyrtime klinike
Më 2015 një grup kërkuesish të Mount Sinai Hospital në New York ka vendosur që ta zbatojë deep learning për databazën e spitalit, që përfshin qindra informacione për pacientët, nga rezultatet e shqyrtimeve klinike tek vizitat mjekësore. Ka lindur një program i quajtur Deep Patient, që është krijuar për të përdorur të dhënat e rreth 700000 personave, ku është testuar në pacientët e rinj, është treguar jashtëzakonisht efikas në parashikimin e patologjive. Pa asnjë udhëzim nga ana e specialistëve, Deep Patient ka zbuluar elementë të përsëritur në brendësi të të dhënave spitalore falë të cilave ishte e mundur të parashikohej se kur një person ishte më i ekspozuar ndaj një serie sëmundjesh, midis të cilave tumori në mëlçinë e zezë. Ka metoda të shkëlqyera për parashikimin e sëmundjeve duke u nisur nga kartela klinike e pacientit, thotë Joel Dudley, kreu i grupit të kërkuesve të Mount Sinai Hospital. Por kjo, shton ai, “funksionon shumë më mirë”. Por, në shumë aspekte, Deep Patient është mister. Për shembull, arrin të parashikojë çuditërisht mirë shfaqjen e shqetësimeve psikiatrike si puna e skizofrenisë. Nga momenti që skizofrenia është e vështirë për t’u parashikuar, Dudley ka pyetur sesi ishte e mundur. Akoma nuk e ka gjetur një përgjigje. Deep Patient nuk ofron asnjë tregues lidhur me këtë. Për t’i dhënë një ndihmë reale mjekëve, një instrument duhet të japë një shpjegim racional të parashikimit të tij, të na sigurojë lidhur me saktësi dhe ndoshta të justifikojë përdorimin e ilaçeve të ndryshme nga ato që janë dhënë deri në atë moment. “Dimë si t’i ndërtojmë këto modele, por nuk dimë sesi funksionojnë”, thotë i trishtuar Dudley.
Inteligjenca artificiale nuk ka funksionuar gjithmonë në këtë mënyrë. Qysh nga fillimi ka pasur dy shkolla mendimi lidhur me atë sesa duhet të jetë e kuptueshme apo e shpjegueshme. Për shumë njerëz, gjëja më me kuptim ishte të ndërtoheshin makina që të arsyetonin sipas një serie rregullash dhe një logjike, duke e bërë transparent funksionimin e tyre ndaj kujtdo që do të donte t’i shqyrtonte kodin. Të tjerë theksonin se në fakt inteligjenca do të zhvillohej më lehtësisht sikur makinat të kishin ndjekur shembullin e biologjisë, duke mësuar nga vëzhgimi dhe nga përvoja. Kjo nënkuptonte që të përmbysej krejtësisht mënyra e programimit të kompjuterëve. Nuk ishte më programuesi që i shkruante komandat për zgjidhjen e një problemi, por ishte programi ai që gjeneronte vetë algoritmin mbi bazën e shembujve dhe të rezultatit të dëshiruar. Teknikat e kuptimit automatik që kanë evoluar në sisteme shumë të fuqishme të inteligjencës artificiale të sotme kanë ndjekur rrugën e dytë: në thelb, makina programohet vetë. Në fillim kjo metodë kishte zbatime praktike të kufizuara dhe në vitet gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë, ka mbetur margjinale. Më pas, kompjuterizimi i shumë sektorëve industrialë dhe dalja e serive të mëdha të të dhënave e kanë rinovuar interesin. E gjitha kjo ka çuar në zhvillimin e teknikave të kuptimit automatik më të evoluara dhe sidomos në evolucionin e një teknologjie të njohur si rrjeti artificial i neuroneve. Qysh në vitet nëntëdhjetë, rrjetet qenë në gjendje që t’i kuptonin karakteret e shkruara me dorë.
Por vetëm në fillimin e dekadës së fundit, pas rregullimesh dhe rafinimesh të ndryshme, rrjetet e mëdha të neuroneve (apo “rrjetet e thella të neuroneve”) kanë dhënë provë përmirësimesh substanciale në perceptimin automatik. Merita e shpërthimit aktual të inteligjencës artificiale është e deep learning, që u ka dhënë kompjuterëve kapacitete të jashtëzakonshme: për shembull atë të njohjes së gjuhës të folur pothuajse si një njeri në mish e kocka, një aftësi tejet komplekse për ta kodifikuar me anë të makinës. Deep learning e ka transformuar vizionin artificial dhe ka përmirësuar në mënyrë substanciale përkthimin informatik. Sot përdoret për vendime të rëndësishme të çdo lloji në mjekësi, në financë, në manifakturë dhe në sektorë të tjerë. Funksionimi i teknologjive të kuptimit automatik është në thelb më opake sesa sistemet e bazuara mbi rreshta të shkruara nga një programues. Kjo nuk do të thotë se të gjitha teknologjitë e ardhshme të inteligjencës artificiale do të jenë po aq të pakuptueshme. Por, për nga natyra e tij, deep learning është një “kuti e zezë” jashtëzakonisht e errët.
Nuk mjafton të shikohet në brendësi të një rrjeti neuronesh për të kuptuar sesi funksionon ajo. Skema e arsyetimit të një rrjeti është e ngulitur në sjelljen e mijëra neuroneve të simuluar, të organizuar në dhjetëra apo deri qindra shtresa të ndërlidhura midis tyre. Çdo neuron i shtresës së parë merr një input – për shembull intensitetin e një pikseli të një imazhi – dhe bën një llogari përpara se të emetojë sinjale të reja. Nga ana e tyre, këta janë transferuar nëpërmjet një rrjeti kompleks në neuronet e shtresës tjetër e kështu me radhë deri kur nuk arrihet në një rezultat komplesiv. Gjithë kësaj i shtohet një proces i njohur si back-propagation që prek llogaritjet e neuroneve të veçanta në mënyrë që t’i mundësojë rrjetit të mësojë sesi sigurohet një rezultat i caktuar. Shtresat e shumta që përbëjnë një rrjet të thellë i mundësojnë vetë rrjetit që t’i njohë informacionet në nivele të ndryshme abstragimi. Për shembull, në një sistem të projektuar për të njohur qentë, shtresa inferiore njeh informacione elementare si krifat dhe ngjyrat, shtresat superiore njohin tipare më komplekse si puna e qimeve dhe syve, dhe shtresa më e lartë njeh tërësinë e informacioneve, domethënë qenin. I njëjti sistem, duke i thjeshtuar, zbatohet për inputet e tjera që e bëjnë makinën të mësojë nga vetvetja: tingujt që formojnë fjalët në diskutim, germat dhe fjalët që përbëjnë shprehjet në brendësi të një teksti apo lëvizjet e timonit të nevojshme për të vozitur.
Janë përdorur sisteme shumë të sofistikuar për të kërkuar të kuptohet në detaj se çfarë ndodh në këto sisteme. Më 2015 kërkuesit e Google kanë modifikuar një algoritëm për njohjen e imazheve të bazuar mbi deep learning në mënyrë që në vend që të njohë objektet nëpër foto të jetë në gjendje t’i gjenerojë apo t’i modifikojë. Duke e zbatuar në fakt algoritmin së prapthi, kërkuesit kanë arritur të zbulojnë informacionet që programi i përdorur, për shembull, për të njohur një zog apo një shtëpi. Imazhet rezultuese, të prodhuara nga një sistem i quajtur Deep Dream, tregojnë kafshë groteske, të ngjashme me alienë, që dalin nga retë apo nga pemët dhe pagoda haluçinante që dalin nga pyjet apo vargmalet. Imazhet tregojnë se deep learning nuk është gjithmonë krejtësisht i pakuptueshëm dhe zbulojnë se, për të njohur zogjtë, algoritmet synojnë automatikisht ndaj tipareve të dukshme si sqepi dhe pushi. Por pamjet të bëjnë të kuptosh edhe sa është i ndryshëm deep learning nga perceptimi i qenies njerëzore, duke filluar nga fakti që nxjerr elementë prej informacioneve që ne tentojmë t’i injorojmë krejtësisht. Kërkuesit e Google kanë vërejtur për shembull se kur algoritmi gjeneron imazhin e një shtange për ngritje peshash krijon edhe atë të një krahu që e mban. Konkluzioni i makinës është se krahu është i gjithi një copë me shtangën. Përparime të tjera mund të vijnë nga neuroshkenca dhe nga shkenca konjitive. Një ekip kërkuesish i udhëhequr nga Jef Clune, asistent në Wyoming University, ka shfrytëzuar ekuivalentin e iluzioneve optike në fushën e inteligjencës artificiale për të vënë në provë rrjetet e thella të neuroneve. Më 2015 Clune ka treguar se imazhe të caktuara mund ta shtyjnë rrjetin të perceptojë gjëra që nuk ekzistojnë, pasi imazhet shfrytëzojnë skemat e njohjes në nivelin minimal që kërkon sistemi. Jason Yosinski, një bashkëpunëtor i Clune, ka krijuar një instrument që funksionon si një sondë e futur në tru. Instrumenti synon një neuron në mes të rrjetit dhe kërkon imazhin që e aktivizon më shumë. Janë të gjitha imazhe abstrakte (provoni të imagjinoni një përfaqësim impresionistik të një flamingoje apo një çante shkolle) dhe zbulojnë natyrën misteroze të aftësisë perceptuese të makinës.
Një mal me funksione
Këto janë tregues sesi funksionon inteligjenca artificiale. Duhet kërkuar të mësohet më shumë, por nuk është e lehtë. Është ndërveprimi i llogaritjeve në brendësi të një rrjeti të thellë neuronesh që përcakton skemat e njohjes dhe proceset vendimmarrëse më komplekse, por ato llogari janë një labirint funksionesh dhe ndryshoresh matematike. “Sikur rrjeti i neuroneve të ishte shumë i vogël, do të mund të arrinim ta deshifronim”, thotë Jaakkola. “Por kur bëhet shumë i madh, me mijëra njësi për çdo shtresë dhe mijëra shtresa, atëherë bëhet praktikisht i pakuptueshëm”. Në zyrën ngjitur me atë të Jaakkola punon Regina Barzilay, një docente e MIT-it që ka vendosur t’ia zbatojë kuptimin automatik mjekësisë. Më 2015, në moshën 43-vjeçare, i është diagnostikuar një tumor në gji. Diagnoza ishte në vetvete traumatike, por për të ka qenë edhe më tronditëse kur ka zbuluar se metodat statistikore dhe të kuptimit automatik nuk qenë përdorur në kërkimin onkologjik apo në zgjedhjen e terapive. Barzilay thekson se inteligjenca artificiale mund ta revolucionarizojë mjekësinë, por se për t’ia shfrytëzuar potencialitetet duhet shkuar përtej kartelave të thjeshta klinike. Ideja e saj është të përdoren më shumë të dhëna bruto që sot përdoren pak: “Të dhënat lidhur me diagnostikën për imazhe, ato mbi patologjitë, të gjithë këto informacione”.
Pas përfundimit të terapisë, Barzilay dhe studentët e saj kanë nisur të punojnë me mjekët e Massachusetts General Hospital për zhvillimin e një sistemi në gjendje të nxjerrë të dhëna nga shënimet e pacientëve për të individualizuar ato me karakteristika klinike interesante për kërkuesit. Por Barzilay ka kuptuar se sistemi duhej të jetë në gjendje t’i shpjegojë arsyetimet e saj. Kështu, me ndihmën e Jaakkola dhe të një studenti ka shtuar një pasazh: sistemi nxjerr dhe evidenton fragmente teksti përfaqësues të një tipari të caktuar. Veç kësaj, Barzilay dhe studentët e saj po zhvillojnë një algoritëm deep learning në gjendje që të zbulojë shenjat e para të tumorit në gji në imazhet mamografike dhe synojnë që t’i japin këtij sistemi ndonjë aftësi justifikuese të arsyetimit të tij. “Duhet gjetur një rreth vicioz në të cilin makina dhe njeriu bashkëpunojnë”, thotë Barzilay.
Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara po investojnë miliarda në projekte që parashikojnë përdorimin e makinave për të pilotuar automjete dhe mjete fluturuese, identifikuar objektiva dhe ndihmuar analistët që të filtrojnë sasira të mëdha të dhënash. Këtu më shumë se në çdo fushë tjetër, përfshi mjekësinë, ka pak hapësirë për misteret algoritmike dhe Departamenti i Mbrojtjes është i zënë me “shkëmbin” themelor të shpjegueshmërisë. David Gunning, një drejtues i Defense Advanced Research Projects Agency (DARPA), një agjenci qeveritare amerikane që investon në teknologjitë e sigurisë, po koordinon një program me emër jashtëzakonisht të përshtatshëm: Explainable Artificial Intelligence (Inteligjencë Artificiale të Shpjegueshme). Gunning shpjegon se automatizimi po zë vend në shumë sektorë të forcave të armatosura. Analistët e shërbimeve sekrete po testojnë kuptimin automatik për të individualizuar skema në sasitë e mëdha të të dhënave të survejimit në posedim të tyre. Shumë mjete tokësore dhe ajrore janë në fazë zhvillimi dhe testimi. Por ushtarët, ka shumë mundësi, nuk do të ndjeheshin komod në tanke të robotizuar që nuk janë në gjendje të shpjegojnë vendimet e tyre dhe analistët vështirë se do t’i përdorin informacionet në mungesë të një skeme arsyetimi. “Për kështu si janë bërë, shpesh këto sisteme të kuptimit automatik krijojnë alarme false, kështu që analistët kanë nevojë për ndonjë element më shumë që të kuptojnë se pse është një indikacion i tillë”, thotë Gunning.
Në muajin mars DARPA ka zgjedhur 13 projekte akademike dhe biznesore për t’u financuar në kuadër të programit të Gunning. Disa prej këtyre projekteve mund të shfrytëzojnë punën e Carlos Guestrin, profesor në Washington University. Grupi i Guestrin ka zhvilluar një sistem që u mundëson algoritmeve të kuptimit automatik që të justifikojnë rezultatet e tyre. Në thelb, kompjuteri nxjerr automatikisht nga shembujt e një serie të dhënash dhe i përdor për të dhënë një shpjegim të shpejtë. Për shembull, një sistem i projektuar për të klasifikuar e-mail-et e ardhur nga terroristët normalisht përdor miliona e-mail-e të ndryshëm gjatë procesit dhe kuptimit të vendimit. Kurse sistemi i Washington University është në gjendje të izolojë disa fjalëkyçe në një mesazh. Guestrin dhe kolegët e tij kanë gjetur edhe një sistem që u mundëson algoritmeve të njohjes së imazheve që ta kuptojnë skemën e tyre të arsyetimit duke evidentuar pjesët më domethënëse të një imazhi. Problem i këtij dhe i sistemeve të tjera të ngjashme – për shembull, ai i Barzilay – është se shpjegimet janë thjeshtëzuar gjithmonë. Kjo do të thotë se disa informacione të rëndësishme humbasin. “Ëndrra nuk është realizuar akoma. Objektivi është të ndërtohet një inteligjencë artificiale që të jetë e aftë të ndërveprojë me qenien njerëzore dhe të shpjegojë sjelljen e saj”, thotë Guestrin. “Jemi ende larg nga një inteligjencë artificiale vërtet e papenetrueshme”. Dija sesi arsyeton inteligjenca artificiale do të jetë themelore nëse vërtet teknologjia do të bëhet pjesë përbërëse e jetës tonë të përditshme. Tom Gruber, kreu i ekipit që po zhvillon asistentin virtual Siri të Apple, thotë se shpjegueshmëria është një objektiv kyç i grupit të tij.
Ai dhe kolegët e tij po punojnë për ta bërë Siri-n gjithnjë e më inteligjent e më të aftë. Gruber nuk flet për zhvillime të ardhshme, por është e lehtë të imagjinohet se nëse Siri na këshillon një restorant, do të donim ta dinim se pse. Ruslan Salakhutdinov, drejtor Kërkimesh mbi Inteligjencën Artificiale tek Apple dhe profesor i asociiuar në Carnegie Mellon University të Pittsburgh në Shtetet e Bashkuara, e konsideron shpjegueshmërinë zemrën e raportit midis qenies njerëzore dhe makinave inteligjente. Ashtu si për sjelljen njerëzore, edhe për inteligjencën artificiale ndoshta nuk do të jetë e mundur ta justifkojë gjithçka bën. “Edhe nëse dikush na jep një shpjegim që duket i arsyeshëm, na mundëson që do të jetë i paplotë dhe e njëjta mund të shërbejë për inteligjencën artificiale”, thotë Clune. “Për nga natyra e saj, inteligjenca është ndoshta e shpjegueshme në mënyrë racionale vetëm pjesërisht. Ekziston një pjesë që është thjesht instinktive, e pavullnetshme, jo e studiueshme”. Nëse gjërat janë kështu, në një moment të caktuar ose do të duhet t’i besojmë inteligjencës artificiale ose do të duhet të heqim dorë nga përdorimi i saj. Inteligjenca artificiale do të bëhet pjesërisht edhe inteligjencë sociale. Kontrata sociale mbështetet mbi një seri qëndrimesh të pritshme dhe kështu sistemet e inteligjencës artificiale do të duhet të projektohen për t’u përshtatur me normat tona sociale. Nëse vërtet do të ndërtonim tanke robotë dhe makina të tjera në gjendje të vrasin, është themelore që proceset e tyre vendimmarrëse të jenë në koherencë me gjykimet tona etike.
Traktat enciklopedik
Për të eksploruar këto koncepte metafizike kam shkuar në Tufts University të Boston, ku kam takuar filozofin Daniel Dennett. Një kapitull i librit të tij të fundit “From bacteria to Bach and back”, një lloj traktati enciklopedik lidhur me ndërgjegjen, hipotezon se një pjesë e evolucionit të inteligjencës do të jetë krijimi i sistemeve në gjendje që të zhvillojnë aktivitete që kush i ka krijuar nuk arrin t’i bëjë dot. “Pyetja është: çfarë masash duhet të marrim për t’i bërë gjërat në mënyrë të qetë, çfarë standardesh duhet t’u kërkojmë këtyre sistemeve dhe vetes tonë?”, pyet filozofi. Kështu, Dennett paralajmëron për rreziqet e lidhura me kërkimet e shpjegueshmërisë. “Nëse duhet t’i përdorim këto makina dhe duhet t’u besojmë atyre, atëherë duhet të kemi kontrollin maksimal mbi, si dhe pse na përgjigjen”, thotë ai. Por pasi që ka shumë të ngjarë se nuk ekzistojnë përgjigje të përsosura, duhet të mos u besojmë shpjegimeve të inteligjencës artificiale ashtu siç nuk u besojmë atyre të të ngjashmëve tanë, pavarësisht sesa do të ishte inteligjente makina. “Nëse inteligjenca artificiale nuk është në gjendje të shpjegojë më mirë se ne se çfarë bën”, konkludon ai, “atëherë nuk duhet t’i besojmë”.
“MIT Technology Review”
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
Rreziqet e modelit Macron
Carlo Invernizzi-Accetti, Francesco Ronchi
Në vijim të fitoreve mahnitëse elektorale të Emmanuel Macron-it, shumë në Evropë besojnë se kanë gjetur në Francë, strategjinë mbrojtëse që u nevojitet, për të luftuar kundër sulmeve të populizmit nacionalist në të gjithë kontinentin. Nuk është kaq e thjeshtë.
Thelbi i kësaj strategjie është një përqendrim i madh i pushtetit tek një lider karizmatik, i gatshëm për të shkuar përtej kundërvënies tradicionale të së majtës me të djathtën dhe për të inkorporuar elemente nga të dyja, në një përqafim të liberalizimit ekonomik dhe integrimit evropian.
Teoria është se votuesit kanë dëshirë për udhëheqës të fortë, të cilët mund të kontrollojnë opozitën. Nëse partitë kryesore nuk mund të ofrojnë këtë lloj lidershipi, atëherë do ta bëjnë lëvizjet në skaje, në të majtë ose në të djathtë të politikës.
Për reformat kushtetuese, Macron propozon të zvogëlojë ndikimin e Parlamentit, duke futur një element të përfaqësimit proporcional në Asamblenë Kombëtare. Kjo do ta dobësonte institucionin duke fragmentuar opozitën, pa i dhënë kompetenca reale. Është më shumë një strategji “përça e sundo”, sesa një përpjekje e vërtetë për të forcuar demokracinë. Ajo gjithashtu i hap dritë jeshile presidentit, që të sundojë me dekrete.
Megjithatë, ka arsye të forta për të besuar se modeli Macron do të jetë i vështirë për t’u eksportuar dhe mund të përfundojë duke përkeqësuar pikërisht ato probleme që duhej të zgjidhte.
Së pari, kjo strategji varet nga veçoritë e sistemit zgjedhor francez. Macron-i dhe partia e tij fituan vetëm rreth 24% të votave gjatë raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe rreth 30% gjatë raundit të parë të zgjedhjeve parlamentare. Duke llogaritur shkallën e lartë të abstenimit në të dyja rastet, kjo është më pak se 20% e elektoratit. Edhe me këtë nivel të dobët të mbështetjes popullore, Macron-i ishte në gjendje të siguronte kontroll të plotë mbi degën ekzekutive në vend, si dhe një shumicë absolute në Parlament.
Përvoja në vende të tjera tregon se partitë kryesore dhe kandidatët kërkojnë mbështetje më të gjerë për të fituar pushtetin. Në Britani, Partia Laburiste fitoi më shumë se 40% të votave në zgjedhjet e qershorit, e megjithatë u rendit pas konservatorëve, sa i përket vendeve në Parlament. Në Spanjë, një përqindje e votave, e ngjashme me ato të Macron-it, për Partinë Socialiste, ka shkaktuar një krizë të thellë për këtë parti.
Duke zgjedhur Macron-in, sistemi zgjedhor francez bëri pikërisht atë që është projektuar nga Charles de Gaulle: sigurimin e udhëheqjes së fortë, në kurriz të përfaqësimit demokratik dhe eliminimin e konfliktit nga institucionet qeverisëse, në emër të unitetit kombëtar. Kjo strategji përqendrimi mund të ketë qenë e efektshme kur politika franceze karakterizohej nga konflikte të forta ideologjike dhe parti politike me aftësi të mëdha rimëkëmbëse. I gjendur përballë joefikasitetit dhe pavendosmërisë së Republikës së Katërt, lidershipi i fortë u gjykua gjerësisht si i nevojshëm për të eliminuar bllokimet e polarizimit ideologjik.
Sot, megjithatë, të dyja ideologjitë dhe partitë janë në krizë. Besimi në partitë e vjetra kryesore ka rënë. Anëtarësimi është në rënie dhe të dyja partitë, ajo socialiste dhe ajo republikane e qendrës së djathtë, duken ideologjikisht konfuze.
Kjo i lë gjithnjë e më shumë të varura nga mekanizmat, si financimi i shtetit për të ecur përpara çalë-çalë, me forcën e strukturave të partisë që kanë ndërtuar në kohë më të mira. Partitë kanë një strukturë – zyrtarë dhe zyra, llogari bankare, fonde dhe një ndikim të caktuar në media. Por atyre u mungon një pikë referimi e qartë ideologjike në kuptimin e programit qeverisës apo përkrahësve në emër të të cilëve ta çojnë përpara atë program.
Si rezultat, Macron-i tani përballet me perspektivën e një qeverie, praktikisht të papenguar. Ndërkohë që kjo mund të duket tërheqëse për të dhe politikanë të tjerë në të gjithë Evropën, në fakt është një rrezik i madh për Francën dhe presidentin e saj të ri.
Nëse ka një rezultat të qëndrueshëm në të gjitha zgjedhjet e fundit, në të gjithë Evropën, ai është paqëndrueshmëria në rritje dhe fragmentimi i elektoratit. Përballë një peizazhi të tillë, një udhëheqje që synon të bashkojë të gjithë pas një udhëheqësi të vetëm, tejet popullor, si zoti Macron, do të thotë që disa grupe dhe interesa të caktuara shoqërore, do të lihen pashmangshmërisht jashtë. Konfliktet shoqërore që ziejnë, do të përkeqësohen më tej.
Pa gjetur shprehjen e duhur në nivel institucional, këto tensione do të transferohen në një kundërvënie ndaj vetë institucioneve. Populizmi antiestablishment lulëzon atëherë kur ka mungesë të një politike të hapur, institucionale dhe kundërshtuese. Përfaqësimi demokratik nuk është vetëm çështje parimi mendjesh të ndritura. Është një mënyrë efektive për të përmbajtur dhe menaxhuar konfliktet shoqërore. Siç e thoshte Friedrich Engelsi, ai shërben për “shndërrimin e gurëve në fletë votimi”.
Një udhëheqje e njëanshme ose jo aq përfaqësuese sa nevojitet, shpesh është shumë e ngurtë për t’iu përshtatur një mjedisi të ndryshueshëm politik dhe prandaj është e prirur të shkaktojë opozicion antidemokratik. Në të kundërt, dialogu dhe konflikti me një opozitë që lulëzon, u sjell dobi shumicave dhe i bën ato të përgjegjshme dhe reaguese.
Qeveria ka nevojë për një opozitë të fortë. Për këtë, përfaqësimi i drejtë dhe demokratik dhe konflikti janë të dobishëm nga pikëpamja pragmatiste. Duke kanalizuar opozitën politike në procesin qeverisës, shumicat mund të korrigjojnë dhe përshtatin pozicionet e tyre. Procesi i vendimmarrjes mund të jetë më i rrëmujshëm dhe më i gjatë, por rezultatet do të jenë më legjitime, më të besueshme dhe më të pranueshme.
Në vend që të fantazojë për një lidership vendimtar, por miqësor ndaj establishmentit, për të frenuar valën e populizmit nacionalist, Evropa do të bënte mirë të nxiste përfaqësimin e drejtë, demokratik, si dhe opozitën e fortë e të institucionalizuar.
* Z. Invernizzi-Accetti është profesor në City University në New York. Z. Ronchi është lektor në Institut d’Etudes Politiques de Paris (Sciences Po)
Misteret e Karl Jungut
“Nëse dëshirojmë që të gjitha civilizimet njerëzore t’i nënshtrojmë për disa qëllime më të ‘larta’, së pari do t’ua marrim fuqinë e mendimit të lirë, duke i ndarë kështu nga natyra e vërtetë që kanë. Me shkurtimin e krahëve të fuqisë së tyre të lirë mendore dhe shpirtërore, vëmendjen do t’ua fokusojmë në gjërat e parëndësishme sporadike”.
Për shumë dijetarë eminentë botërorë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e shkencës bashkëkohore, nuk mund të thuhet thjesht se kanë qenë vetëm gjeni të talentuar, por ata kanë zotëruar dhe janë marrë edhe me njohuri të fshehta okultiste, shënime këto që kurrë nuk janë publikuar haptas nga ana e biografëve të tyre. Nga lista e madhe e emrave të këtyre personaliteteve shkencore, pa dyshim, dallohet edhe psikiatri i famshëm me renome botërore Karl Gustav Jungu.
Karl Gustav Jungu, me profesion ishte mjek psikiatër, nxënës i dikurshëm dhe koleg i Sigmund Frojdit, ligjërues, shkencëtar dhe studiues i madh në lëmin e psikologjisë dhe psikiatrisë, autor i shumë punimeve dhe studimeve shkencore që e kanë futur atë në radhët e emrave më eminentë të shkencës bashkëkohore. Por, nga ana tjetër, vetëm një numër i vogël i njerëzve dinte se, Jungu gjatë hulumtimeve të veta, për së tepërmi ka qenë i interesuar për fenomene paranormale dhe parapsikologjike, e veçanërisht për telepatinë (bartjen e mendimeve nga larg) dhe projeksionin astral (udhëtimin e vetëdijshëm shpirtëror duke e braktisur trupin).
Sigurisht nga droja se mos i rrezikohet reputacioni i madh që kishte si shkencëtar, ai këtë interesim kurrë nuk e ka shprehur publikisht. Por, edhe sikur ta dinte opinioni i gjerë për këtë realitet, dyshoj se mund të merrej si diçka e pabesueshme, sepse botërisht ka qenë e njohur se fenomenet parapsikologjike në përgjithësi dhe marrja me to, ishin si mani e trashëgimisë familjare. Për nënën e Jungut thuhej se mbante një ditar ku regjistronte eksperiencat e veta paranormale, si dhe ato që i dëgjonte prej të tjerëve. Ka mjaft dëshmi nga bashkëkohësit e vet se edhe Jungu sa ishte fëmijë, dispononte aftësinë paranormale të telekinezës (lëvizjes së trupave fizikë përmes ndikimit mental). Pasi që kishte një pasion të madh për Niçen dhe filozofinë e tij, qysh sa ishte nxënës në gjimnaz, intuitivisht ia qëllon se filozofi i famshëm kishte Zaratustrën si model identifikimi dhe se ai ishte sëmurë psikikisht, mu pse Zaratustra ka sunduar me qenien e tij. Më pas, një gjë e njëjtë i ka ndodhur edhe vetë Jungut. Atij në ëndërr shpesh i paraqitej një plak me aftësi magjike që e këshillonte dhe udhëzonte në jetë. Plaku quhej “Filimon”. Më vonë, Jungu ka kuptuar se plaku i ëndrrave të hershme ishte vetëm UNI i tij i dytë (Alter ego).
Andaj, aspak nuk do të jetë i çuditshëm fakti se pse pikërisht paranormalja dhe fenomenet parapsikologjike kanë lënë gjurmë të rëndësishme në jetën dhe veprimtarinë e gjithmbarshme hulumtuese të këtij shkencëtari të madh. Ndoshta, nisur mu nga këto ndikime, ka ardhur edhe deri te shkëputja e tij definitive prej mësimeve të mësuesit të vet, S. Frojdit, i cili, atëbotë ishte tejet i popullarizuar me teorinë e tij famëmadhe të kushtëzimit të të gjitha raporteve dhe marrëdhënieve të sjelljes së jashtme të njeriut me veprimin e brendshëm të epshit seksual. Duke e kundërshtuar ashpër teorinë e Frojdit, Jungu konstatonte se në këto sjellje dhe raporte të jashtme të njeriut, nuk ndikon kryekëput vetëm epshi seksual, por ato janë të kushtëzuara edhe nga “fuqia jetësore” që trashëgohet nga e kaluara mijëvjeçare e njerëzimit. Këtë fuqi ai e quan si “ndërvetëdije kolektive”. Në mbështetjen shkencore të kësaj teorie, Jungu, në veprat e veta, prezantonte shumë shembuj, si ato të eksperiencave vetjake paranormale, ashtu edhe ato të regjistruara dhe hulumtuara si përjetime të të tjerëve.
Nga visari i madh i këtyre shembujve praktikë, si njëra ndër dëshmitë më dramatike dhe më të pasqaruara të përjetimit personal të paranormales, është “Misteri i librave të kuq”.
“Misteri i librave të kuq”
Një mbrëmje, pasi që e ndjente veten paksa më të lodhur, Jungu vendos të shkojë në shtrat më herët se zakonisht. Por, edhe përpos dhuntisë që me çdo kusht të flinte, atë nuk e zinte gjumi. Ishte i vërshuar tërësisht nga mendimet! Mu para disa orëve qe kthyer nga varrimi i një miku të vet që banonte afër. Duke qëndruar ashtu i shtrirë në shtrat dhe me sytë e hapur, profesor Jungu i bluante në kokë kujtimet e paharruara që kishte kaluar me mikun e posavarrosur.
Derisa në mendje merrej me këto mendime, për momentin e ndjen se dikush është në dhomën e tij të gjumit. Posa e vështron me vëmendje hapësirën përreth dhomës, para tij, tejet qartë paraqitet hija e figurës së një personi trupgjatë dhe të hollë për nga konstruksioni fizik. Këtë figurë Jungu e identifikon si të mikut të vet, në varrimin e të cilit ishte para disa orëve.
– “Qëndronte përballë shtratit tim mu afër këmbëve dhe dukej i njëjtë sikur e kam njohur të gjallë. Butësisht më ishte drejtuar me pyetjen, mos vallë dëshiroj të shkoj diku me të”, shkruante më vonë Jungu. – “Duke e vrojtuar me habi këtë paraqitje të pazakonshme, nuk e kisha ndjenjën e një pamje trupore fizike. Më tepër mund të thuhej se ishte si një vizion, të cilin vetes ia kumtova si fantazi. Meqë ende isha i shtrirë në shtrat dhe e vështroja këtë paraqitje me mosbesim, figura e mikut vazhdoi të ecë deri tek dera e daljes duke më bërë shenjë me dorë. Në atë çast, për veten konstatova se isha tërësisht në gjendje transi. Realisht nuk u ngrita nga shtrati, por ndjeva sikur shpirti im shkoi pas tij. Më çonte përmes rrugës, kah kopshti i shtëpisë së tij… dhe menjëherë, së bashku, u gjetëm në dhomën e punës së mikut. Hija përcjellëse hipi mbi një karrige dhe tregoi me gisht në librin e dytë nga shtatë librat e kuqe që ishin të vëna mbi raftin e fundit të librave”.
Me këtë përmbyllet ky vizion. Jungu, tërësisht i habitur brof nga shtrati i fjetjes. E ndez llambën që e kishte pranë dhe me të në dorë hulumton nëpër tërë shtëpinë. Pasi konstaton se dera kryesore e hyrjes qe e mbyllur si zakonisht dhe vëren përreth se çdo gjë ishte në vendin e vet, sërish shtrihet në shtrat dhe diku vonë e zë gjumi. Të nesërmen në mëngjes, ende i hutuar me ngjarjen e përjetuar nga nata e kaluar, me padurim priste që ta vizitonte vejushën e mikut të vdekur. Pa i treguar se çfarë i kishte ndodhur mbrëmë, nga ajo kërkon që në dhomën e punës së bashkëshortit të saj të ndjerë, të verifikojë se mos rastësisht aty e gjen një libër që i duhej. Ai ishte gjithmonë i mirëpritur në këtë shtëpi dhe për këtë dëshirë nga nikoqirja nuk hasi në kurrfarë pengesash. Me kureshtje të madhe hyn në dhomën e punës së mikut tashmë të ndjerë dhe mbetet i befasuar nga ajo që vëren. Afër librave ende ishte po ajo karriga ku mbrëmë, miku i vdekur, kishte hipur që t’ia tregonte librin. Menjëherë, sytë i drejton në raftin e fundit me libra. Për çudinë e tij edhe më të madhe, aty qëndronin të sistemuara shtatë libra me kopertina të kuqërremta. Merr librin e dytë sipas radhës dhe në të lexon titullin: “Forca e të vdekurve”.
Tashmë Jungu s’kishte dyshim në vete! Ajo që i kishte ndodhur mbrëmë, e tëra ishte e vërtetë.
Këtë rast të përjetimit vetjak, Jungu e ka publikuar me plot pompozitet edhe në literaturat e veta studimore shkencore. Meqë ai në jetën e përditshme ishte i njohur si njeri racional dhe serioz, ky rast edhe në qarqet shkencore është pranuar si prezantim i besueshëm.
I joshur nga këto fenomene që sot e kësaj dite mbeten ende të pasqaruara sa duhet, si një shkencëtar me reputacion, pa u frikuar fare nga normat rigoroze të standardeve shkencore, Jungu, në mënyrë origjinale, e ka trasuar rrugën e vet kërkimore kah thellësitë e panjohura të mendjes dhe shpirtit.
Edhe pse tejet i frytshëm dhe me një karrierë të bujshme shkencore, ndoshta mu për këtë shkas, ai edhe sot e kësaj dite, merrej si shkencëtar kontradiktor dhe alternativ në psikiatrinë bashkëkohore.
Dhe për fund, do të ishte interesante të konstatojmë edhe një realitet tjetër: pikërisht teoria e vënë nga Jungu mbi ndikimin e ndërvetëdijes kolektive të qenies njerëzore në sjelljet individuale të individit, nuk mund t’i vishej origjinalitetit të tij. Okultizmi, magjia, hermetizmi, alkimia, si dhe njohuri të tjera të urtësive të lashta, mijëra vite para Jungut e kanë njohur këtë fluid kolektiv dhe atë e quanin si “niveli astral gjithpërfshirës”. Andaj, fare nuk do të mbetej i pabazë konstatimi, të cilin e dhamë në fillim të këtij artikulli:
“Për shumë dijetarë eminentë botërorë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e shkencës bashkëkohore, nuk mund të thuhet thjesht se kanë qenë vetëm gjeni të talentuar, por ata kanë zotëruar dhe janë marrë edhe me njohuri të fshehta okultiste, shënime këto, që kurrë nuk janë publikuar haptas nga ana e biografëve të tyre”.