29.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Të fshehtat e mendjes

Shumica e gjërave që nuk kuptojmë nga qenia jonë njerëzore është në kokën tonë. Truri është një organ i pashpjegueshëm, siç janë pyetjet e vërteta të jetës dhe vdekjes, vetëdijes, gjumit dhe shumë më tepër.

Ndërgjegjja
Kur zgjohemi në mëngjes e dimë që dielli ngjitet, dëgjoni zogjtë që cicërojnë dhe ndjeni flladin e freskët të mëngjesit. Me fjalë të tjera je i ndërgjegjshëm. Kjo temë ka qenë e pllakosur në komunitetin shkencor që nga lashtësia. Ajo që më së shumti ka kërkuar shpjegim ka qenë mënyra se si truri jonë rritet nga eksperiencat subjektive.

Ngrirje e thellë
Të jetuarit përgjithmonë nuk mund të jetë realitet. Por një fushë pioniere e quajtur “cryonics” mund t’i japë njerëzve dy jetë. Disa qendra në SHBA, i fusin organet e njeriut pas vdekjes në vaska me akull e nitrogjen të lëngët në temperaturë nën 320 gradë. Ideja është që një person, i cili vdes nga një sëmundje e pashërueshme do të mund të ringjallet në të ardhmen kur të jetë gjetur kura e duhur.

Misteri i vdekjes
Të jetuarit përgjithmonë është vetëm në Hollywood. Por pse plaken njerëzit? Kur lindim trupi ka disa mekanizma që luftojnë sëmundjet e lëndimet, që ju bën të mendoni se ky është një proces që duhet të vazhdojë gjithnjë. Por kur plakemi, mekanizmat e riparimit dalin jashtë forme. Plakja është pjesë e gjeneve humane.

Natyra dhe të ushqyerit
Në një betejë të stërgjatë që nëse mendimet tona dhe personalitetet janë të kontrolluara nga gjenet apo mjedisi, shkencëtarët po ndërtojnë prova që mund të mos jetë asnjëra, por edhe mund të jenë njëkohësisht të dyja.

Lëvizja e trurit
E qeshura është një nga sjelljet njerëzore më pak të kuptuara. Shkencëtarët kanë zbuluar se gjatë qeshjes, tre pjesë të trurin ndriçohen. Një pjesë mendimi që të ndihmon të kuptosh shakanë, një zonë që tregon lëvizjen e muskujve dhe një pjesë emocionale që prek ndjenjat.

Kujtesa
Disa eksperienca janë të vështira për t’u harruar, si ndoshta puthja e parë. Por si arrin truri t’i mbajë mend këto sekuenca të jetës? Duke përdorur teknikat e imazhit të trurit, shkencëtarët po zbulojnë mekanizmin përgjegjës për krijimin dhe ruajtjen e kujtimeve. Është “hippocampus”, zona që vepron si kuti memorieje.

Misioni i kontrollit
E ashtuquajtura ora biologjike e trurit, programon trupin për të ndjekur misionet në një ritëm prej 24 orësh. Efekti më evident i ritmit kirkadian është cikli gjumë-zgjim, por ora biologjike gjithashtu ndikon në tretjen e ushqimit, temperaturën e trupit, tensionin e gjakut dhe prodhimin e hormoneve.

Ndjenjat fantazmë
Është vlerësuar se rreth 80% e ndjesisë së gjymtyrëve, përfshi ngrohtësinë, kruarjen, presionin, dhembjen vijnë nga “gjymtyrët e zhdukura”. Njerëzit që e përjetojnë këtë fenomen njihet si “gjymtyra fantazmë”, të ndjesh sikur gjymtyrë jo reale të jenë pjesë e trupit tënd.

Mbyllja e syve
Çdo lloj kafshe apo gjallese e bën një gjë të tillë. Është kaq thelbësore për njeriun. Ne shpenzojmë më shumë se ¼ e jetës sonë në gjumë. Megjithatë arsyet themelore për nevojën për gjumë nuk janë ende plotësisht të zgjidhura.

Ëndrrat e bukura
Nëse do të pyesësh 10 persona se nga se bëhen ëndrrat, ndoshta të 10 do të të jepnin përgjigje të ndryshme. Kjo është arsyeja që shkencëtarët janë ende në përpjekje të zbulimit të këtij misteri. Ndoshta ëndrrat ndodhin nga trafikimi e stimulimi i sinapseve që ndodhen mes qelizave të trurit. Një teori tjetër thotë se janë emocionet e detyrat për të cilat njerëzit nuk kanë arritur të kujdesen gjatë ditës.

Durrsakët ngrihen në protestë kundër Dakos

Qytetarët e Durrësit, marshuan dje në mbrëmje kundër betonizimit të qytetit të tyre. Në orën 18:30 ata u nisën nga sheshi qendror i qytetit përpara Teatrit “Aleksandër Moisiu”, për të shkuar drejt “Velierës” qindra qytetarët të Durrësit do të marshojnë kundra betonizmit të strukturave romake të shekullit të II pas Lindjes së Krishtit të zbuluara gjatë ndërtimit të Sheshit “Veliera”, dhe për shpalljen e tyre monument kulture. Ky marshim organizohet pasi, pak ditë më parë Bashkia e Durrësit “varrosi” me beton një pilastër romake, e cila shërbente për mbajtjen, përforcimin e murit rrethues të qytetit, ku supozohet prania e një porte. Pavarësisht se në 16 shkurt, Gjykata Administrative vendosi ndërprerjen e pjesshme të punimeve me arsyetimin se gjatë gërmimeve janë gjetur themelet e një ndërtese mijëra vjeçare bizantine, Bashkia Durrës vazhdoi me punimet në Sheshin “Veliera”, duke betonizuar zonën ku u gjendën themelet e një ndërtese mijëra vjeçare. Përveç ndërtimit të Sheshit “Veliera” edhe një tjetër projekt i Bashkisë Durrës po vë në rrezik trashëgiminë arkeologjike dhe kulturore në këtë qytet. Portali Amfora ka bërë të ditur se rindërtimi i shkollës 9 -vjeçare “Marie Kaçulini”, në perimetrin rrethuesh të së cilës gjendet mozaiku i shekullit të III-IV pas Krishtit, monument kulture i kategorisë së parë, prej muajsh po zhvillohet gjatë natës, në një shesh të pandriçuar dhe pa praninë e arkelogëve, duke rrezikuar mozaikun. Grupimi në mbrojtje të tashëgimisë kulturore të Durrësit “Aktiv për Durrësin” ka hapur edhe një peticion online, ku deri më tani është firmosur nga 500 qytetarë.

Zgjerimi i BE-së, Ballkani Perëndimor duhet të arrijë normën e rritjes prej 6%

Dobësia strukturore ekonomike e Ballkanit Perëndimor, me shumë mundësi do të shndërrohet në një problem politik, por BE-ja, deri më tani, nuk e ka trajtuar në mënyrën e duhur çështjen e politikës së zgjerimit. Sipas një studimi të kohëve të fundit të kryer nga Banka Botërore, ekonomive të Ballkanit Perëndimor do t’i duhet të rriten me ritme vjetore prej së paku 6%, nëse duan që të përputhen me mesataren e BE-së deri në fund të viteve 2030. Pas rreth një dekade pa kurrfarë rritjeje, të dhënat aktuale me vështirësi të madhe e kalojnë 3%, shumë të ulëta në krahasim me targetin e vendosur. Megjithatë, një nivel i krahasueshëm i PBB-së për frymë është ai që do të duhej për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Përkundrazi, hendeku po rritet, gjë kjo që po e ekspozon edhe më shumë rajonin ndaj tundimeve populiste, nacionaliste dhe rrymave të tjera antieuropiane. Politika e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor ka qenë një histori dështimi. Dhe një fakt i tillë duhet të pranohet, edhe nëse Brukseli do të theksojë hapjen e kapitujve të rinj negociues me Malin e Zi dhe Serbinë, ose Samitin e katërt të Ballkanit Perëndimor, duke sjellë së bashku anëtarët kryesorë të BE-së me kandidatët e pranimit në Trieste më 12 korrik (si pjesë e Procesit të Berlinit). Të shumtë janë ata në rajonin e Ballkanit që bien dakord me dyshimin se Brukseli tregon interes vetëm kur krizat lokale kërcënojnë vetë Bashkimin Europian, si çështja e emigracionit, si një ndër burimet kryesore të krimit të organizuar dhe terrorizmit islamik, apo konfliktin e Perëndimit me Moskën. Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë zbatuar gjerësisht reformat themelore të kërkuara nga Bashkimi Europian, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nën të ashtuquajturin “Konsensus i Uashingtonit”. Ata i kanë hapur tregjet e tyre ndaj Bashkimit Europian, privatizuan dhe liberalizuan ekonomitë e tyre dhe vendosën politika shtrënguese. Ideja që fshihet pas Konsensusit të Uashingtonit ka të bëjë me reformat, në përputhje me miratimin gradual të ligjeve, parimeve dhe aktiviteteve të BE-së, për të krijuar ekonomi të tregut dhe për të hapur rrugën për anëtarësimin në BE.

Berisha: Strategji e re për një PD fituese

Lideri historik i PD, Sali Berisha deklaroi dje pas votimit për Kryetarin e ri të PD, se Partisë Demokratike i duhet një stratetgji e  re politike për ta bërë atë një partri fituese, e cila duhet të kalojë përmes bashkimit të të gjitha kontributeve. Berisha deklaroi për të parën herë se, përse ka heshtur duke sqaruar se i ka qëndruar besnik vendimit të tij të dorëheqjes të katër viteve më parë, ndonëse sikurse pohoi ka pasur shumë mesazhe për një rikthim. Berisha ka sqaruar edhe se cili do të jetë pozicioni i tij i ardhshëm në politikë. “Nëse doni të dini rolin tim, ai është një opozitë me kreun e qeverisë dhe pasardhësin e tij”, tha Berisha.
Lideri historik i PD pranoi se PD është në një moment të vështirë pas humbjes në zgjedhje, por a deklaroi se humbje fatale nuk ka.
“Dëshiroj të uroj në paradhënie fitimtarin, cilido që të fitojë. Gjykoj se kjo është një garë e rëndësishme, e cila, në vlerësimin tim qendron në përputhje me statutin. Pati momentin e saj të fillimit me një gabim, duhet t’i them haptas gjërat, të zotit Paloka dhe zotit Spaho, të cilët shpallën datën, por ky gabim u korrigjua plotësisht nga Kryesia e PD. Aq sa vlen precedenti, data e shpallur 4 vite më parë ka qenë pas mbledhjes së Kryesisë, por Kryesia e PD u mblodh dhe e diskutoi çështjen e datës, votoi dhe me shumicë votash, Kryesia e PD vendosi të zhvillohen sot zgjedhjet në PD. Pra, në këtë kontekst konsideroj se procesi, në vlerësimin tim është zhvilluar në përputhje me satutin e PD. Duke thënë këtë, kam patur mirëkuptim të plotë për të gjitha kërkesat, qoftë për dorëheqjen e kryetarit, qoftë shtyrjen e datës, por përsëri them se ky proces, në vlerësimin tim, është në përputhje me statutin e PD dhe gara, siç e patë, nuk po merrem me vlerësimin e saj, por me polemika, me kritika, me diskutime.
Dua të them për mediat, për demokratët dhe për qytetarët se pse unë nuk kam folur përveçse në fillim. Nuk kam folur, sepse unë kam dhënë një dorëheqje pa rikthim, dhe atë që e kam bërë, e kam bërë me ndërgjegjen më të plotë dhe, përveç atij që ka gjithë fuqitë, fuqi tjetër nuk më rikthen mua nga ky vendim nuk ka dhe nuk mund të ketë.
Në këtë drejtim unë kërkoj mirëkuptimin. Janë me mijëra demokratë që më kanë kërkuar të rikthehem, kanë kërkuar që të ndërhyjë, por unë  i jam mbajtur atij vendimi që kam shpallur para demokratëve dhe para shqiptarëve.
Duke thënë këtë, dua të them sot se, PD pa diskutim që është në vështirësi serioze. Ajo ka pësuar humbjen më të thellë në historinë e saj. Mesazhi im për miqtë e mi, demokratë kudo që janë është ky: Humbje fatale nuk ka. Humbjet janë të hidhura, humbjet janë të thella, por humbjet fatale i bën t’i me dorën tënde. Ndaj dhe ftoj çdo njeri që e do këtë parti, çdo anëtar, çdo drejtues të punojë me përkushtim për një strategji të re, e cila e kthen PD në forcë të sigurtë të pushtetit të ardhshëm. Kjo është strategji plotësisht e mundshme, por kjo strategji kalon nëpërmjet bashkimit.
Ndaj dhe uroj që në këtë vorbull kundërshtirash që ka, të bëhen të gjitha përpjekjet në radhë të parë nga kryetari i ardhshëm i PD, se atij i takon të bëj përpjekjet më të mëdha, por përpjekje të përbashkëta nga të gjitha anët. Nuk ka humbje fatale nëse nuk e bën ti vetë fatale. Sikundër po kaq fatale është dehja në humbje. Duke u zhveshur nga emocionet, dhe kam besim të madh, do të gjendet mençuria, vullneti e përkushtimi për një strategji të re fitimtare të PD, që PD përsëri të rikthejë besimin tek elektorati i saj dhe tek shqiptarët, sepse në fakt e meritojnë”.

– Kur flisni për bashkim e keni dhe për ata ish-bashkëpunëtorë, ish-ministra, ish-drejtues që sot janë kundërshtarë të zotit Basha?
Unë mendoj se kur flas, të gjithë ata që kanë investuar në PD në vlerësimin tim e kanë vendin në PD. Dhe PD jo që s’ka për të humbur e për të larguar, por PD duhet të bëjë gjithçka për të gjetur kohezionin më të madh me çdo kontribut brenda saj dhe elektoratin që kësaj here qëndroi inert ndaj saj.

– Si është e mundur kjo, kur ata këtë garë e quajnë farsë?
Unë gjykoj se, jashtë emocioneve, duhet të jetë statuti që do të bëjë të gjitha palët dhe çdo demokrat të nënshtrohet para statutit.
Është normale t’i kërkosh dorëheqjen Lulzim Bashës, por nuk mund t’ja imponoje, sepse statuti i PD nuk e ka të shkruar që të thotë jep dorëheqjen. Është normale t’i kërkosh shtyrjen e afatit, por u mblodh Kryesia, e diskutoi, e votoi dhe ky është rregulli i statutit. Është normale të kërkosh dorëheqje të parevokueshme, por s’ka statut që të detyron atë që të japë dorëheqje të parevokueshme. Unë nuk dua të mbaj anën e askujt, por e vetmja gjë që kërkoj, dhe e uroj dhe dëshiroj është që këta të gjejnë të gjithë demokratët, të gjejnë gjuhën e përbashkët në mënyrë që të ndërtojnë një strategji të re.
PD ka nevojë për një strategji të re fitoreje. Kjo strategji ndërtohet, duke analizuar edhe cilat ishin gabimet, por edhe cilat janë kërkesat e kohës. A ka mundësi të bëhet kjo? Ka mundësi absolutisht pa asnjë diskutim.

– Cili do të jetë roli juaj në këtë proces?
Unë përpiqem nga mëngjesi deri në darkë të luftoj Edi Ramën, do luftoj edhe pasardhësin e tij, por unë kurrë nuk do të ndërhyjë në problemet e brendshme të PD. Po të më pyesin u jap me sinqeritet mendimet e mia siç kam bërë me zotin Basha, me zotin  Selami, me zotin Patozi, mendime të cilat nuk i kam shprehur publikisht, por sot e ndjeva për detyrë ndaj atyre që kanë kërkuar që unë të ndërhyë, të lëviz etj.

– Thirrjet për bojkot a do ndikojnë në pjesëmarrjen e sotme?
Në radhë të parë, unë po flas për një strategji e cila të bashkojë të gjitha kontributet në PD. Një fushatë është një fushatë, dhe një fushatë edhe brenda PD ka larmi deklaratash, të cilat janë të pashmangshme, por është jetike një strategji që të bëj që kjo humbje të harrohet dhe të ecet drejt fitores që PD meriton.

– Me fraksione zoti Berisha?
Unë nuk po jap asnjë mendim, sepse thashë se nuk ka rikthim. Po të jepja mendim publik, unë do i qëndroja, por unë nuk kam ndërmend as të qëndrojë, as të angazhohem. Unë kam dhënë dorëheqjen dhe kërkoj  mirëkuptimin e çdo demokrati. Kushdo që më pyet, unë atë çka mendoj ja them privatisht.

– Zoti Berisha, një nga kandidatët akuzon se gara është e pabarabartë…
Nuk po merrem me komentet e kandidatit por unë, në raport me statutin e partisë…sepse unë nuk jam këtu sot as për Lulzim Bashën, as për Eduard Selamin. por kam ardhur këtu për statutin e PD, kam ardhur këtu si anëtar i saj. Nëse statuti do ishte shkelur dhe në ndërgjegjen time do kisha konstatuar se është dhunuar ligji, atëherë unë do kisha patur qëndrim tjetër.

Statuti i partisë nuk parashikonte dorëheqjen

– A mendoni se zoti Basha mund ta kishte shmangur përçarjen brenda PD duke i dhënë garanci kritikëve të tij të bëhen pjesë e garës?
Kërkesat e tyre për dorëheqjen e Bashës kanë qenë absolutisht të drejta. Por statuti nuk e parashikonte. Ka kryetar si puna e atij tjetrit, që mori 2 milionë e 700 mijë shpulla kundër, i cili jo që s’jep dorëheqjen, por ai bën votim në anëtarësi që të mos votohet. Ka kryetar që jep dorëheqjen, ka kryetar që thotë le të votohem. Eshtë në dorën e demokratëve të përcaktojnë cili do jetë qëndrimi i kryetarit në këtë e atë rrethanë. Deri thani unë them se në çdo gjykatë po ta çojnë do ta gjejnë statutore vendimin. Mua këtu më ka sjellë ky fakt. Unë jam sot këtu sepse e konsideroj një proces statutor.

– A ka vend për një straregji të re siç thoni ju kur kundërshtarët e zotit Basha thonë se ai e çon PD drejt shkatërrimit dhe jo drejt fitores?
Pa asnjë diskutim përgjegjësi më kryesor i këtij rezultati është Lulzim Basha. Por pa i hequr asnjë nonagram përgjegjësie atij, përgjegjësi kanë me radhë, në shumë aspekte. Po t’i marrim kështu, secili duhet të shohë se ku e ka një copëz përgjegjësie. Dhe secili duhet të shohë edhe në bazë, edhe në degë, një strategji krejt tjetër duhet. Cili ishte organizimi i PD në këto katër vite? Pra PD i ka të gjitha instrumentat, të gjitha përgjegjësitë që të bëj një analizë të plotë, e cila t’i shpërbejë totalisht në fuksion të një strategjie të re, e cila do ta çojë atë drejt fitores. Unë e kuptoj që një palë sot nuk voton, ka edhe demokratë të tjerë të zemëruar në bazë që nuk votojnë, por këto janë masat, janë hapat. Tani le të zhvishemi gradualisht nga emocioni, nuk e shohim humbjen si fatalitet, nuk dehemi nga humbja se kjo është akoma më fatalitet, por ulemi dhe gjejmë rrugët në mënyrë që kjo të mos na përsëritet. A ka PD potencial? Absolutisht të jashtëzakonshëm e ka dhe unë kam besim të madh se do ulen dhe do ta bëjnë këtë.

I Çmenduri çmend vendin, Shqipëria në depresion

Blerina Hoxha

Arjana Rreli është një psikiatre me përvojë të gjatë pune, por vitin e kaluar u përball me një klientelë jo të zakontë. Biznesmenët kishin qenë pacientë të rrallë më parë, po dy vitet e fundit janë shtuar. “Siç duket, punët nuk po iu shkojnë mbarë”, pohon Arjana, e cila zotëron me kompetencë profesionin e saj dhe është më e rezervuar për shkaqet që kanë çuar në ankth të pasurit. Ky konstatim i Rrelit vjen në akordancë me një aksion masiv kundër informalitetit në ekonomi, që në muajt e fundit të 2015-s dhe pjesën e parë të 2016-s, ishte tejet agresiv. Të gjendur përballë situatave të paparashikuara, që mund të sillnin edhe dënimin me burg, shumë biznesmenë kanë rënë pre e ankthit dhe depresionit, aq sa kanë zënë edhe dyert e spitaleve dhe klinikave të specializuara.
Kjo gjendje stresi dhe ankthi, që është shtrirë me shpejtësi edhe në shtresa të tjera të popullatës, i ka dhënë drejtim tjetër zhvillimit ekonomik të vendit. Bizneset po hezitojnë të investojnë dhe konsumatorët shmangin blerjet e mëdha. Radha në Qendrën e Shëndetit Mendor në Tiranë është e gjatë që në orët e para të ditës. Burra, gra të reja, nëna, pleq presin të çelet dera e psikiatrit.
Numri i pacientëve që kërkojnë shërbimet mjekësore është rritur tre vitet e fundit, por doktoresha pohon se situata në realitet është edhe më e rëndë, pasi shoqëria ende nuk ka kulturën e mjaftueshme për të marrë diagnozë te mjeku dhe më pas trajtimin e nevojshëm. Rreli thotë se një shoqëri e stresuar minimalisht nuk është produktive dhe krijon predispozitë për të përthithur edhe pjesën tjetër të shëndoshë të popullatës. Depresioni është ndër sëmundjet më të kushtueshme, me ndikime negative zinxhir në ekonomi.
E lodhur nga tranzicioni i gjatë, krizat politike dhe ekonomike që nuk po ndahen dhe me pak mundësi në sfond, shoqëria shqiptare është duke përjetuar një gjendje të thelluar të stresit. Konfirmimi vjen nga rritja dramatike e konsumit të medikamenteve kundër depresionit.
Sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, importet e Loram-it, Xanax-it dhe Citolex-it janë rritur ndjeshëm tre vitet e fundit. Për vitin 2016, ato janë 6-17% më të larta sipas llojit të medikamentit. Më 2016 u zhdoganuan 195,137 pako Loram (2.5 miligramë) nga 167,000 më 2015, me një rritje vjetore 18%. Me ritme dyshifrore (11%) janë rritur edhe importet e Xanax-it dhe rritje 6% edhe ato të Ciltolex-it. Burimet në dogana pohojnë se ritmet e rritjes së importeve të këtyre medikamenteve kanë qenë të larta në dy vitet paraardhëse.

Zhdoganimet e antidepresivëve

Sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, importet e Loram-it, Xanax-it dhe Citolex-it janë rritur ndjeshëm tre vitet e fundit. Për vitin 2016, ato janë 6-17% më të larta sipas llojit të medikamentit. Më 2016 u zhdoganuan 195,137 pako Loram (2.5 miligramë) nga 167,000 më 2015, me një rritje vjetore 18%. Me ritme dyshifrore (11%) janë rritur edhe importet e Xanax-it dhe rritje 6% edhe ato të Ciltolex-it.

Farmacitë: Konsumi i antidepresivëve, në rritje të shpejtë

“Monitor” ushtroi një vrojtim në të paktën 20 farmaci në rajonin Tiranë-Durrës, 18 prej të cilave pohuan njëzëri se është rritur konsumi i antidepresivëve, ndërsa 2 refuzuan përgjigjet. Në Tiranë, farmacitë e pyetura ishin në zonën e spitaleve, Medresesë, Siri Kodrës, 5 Majit dhe në zonën e Bllokut. Pothuajse të gjitha njësitë e shitjes së medikamenteve pohuan se është shtuar konsumi nga moshat 25-40 vjeç. Loram-i, një medikament popullor kundër shenjave të para të stresit dhe depresionit që në Shqipëri konsumohej më së shumti nga të moshuarit me Parkinson dhe Alzhaimer, tani po merret nga moshat e reja, pohojnë farmacistët. Shumica e tyre pohuan se këto medikamente po konsumohen nga kategori të shoqërisë që më parë nuk ishin klientë. Biznesmenë, punonjës të administratës, persona në vështirësi ekonomike, personat që jetojnë vetëm dhe adoleshentët janë klientët e rinj të antidepresivëve, pohojnë farmacistët. Ata shtojnë se ka një numër të madh personash që kërkojnë të blejnë pa recetë qetësues për gjumë, si Diazepam etj.
Gjithashtu shumica e farmacive të pyetura pohuan se është shtuar numri i të rinjve që konsumojnë antidepresivë. Ka rritje të numrit të rasteve nga të rinjtë që konsumojnë hashash, efekti i të cilit në disa persona është gjendja e depresionit. Kështu që përdoruesit e hashashit, në një masë të konsiderueshme, po përjetojnë përkeqësim të shëndetit mendor e për pasojë, po konsumojnë më shumë antidepresivë. Farmacitë në rajonin e Durrësit pohuan kryesisht fenomenin e depresionit nga përdoruesit e hashashit. Ndërsa njësitë e shitjes së ilaçeve në Tiranë pohuan se konsumatorët e antidepresivëve janë më së shumti të ardhurit në Tiranë, të cilët gjenden nën presionin e ndryshimit të kushteve të jetesës dhe përshtatjes me kultura të tjera.
Alban Ylli, mjek ekspert në Institutin e Shëndetit Publik, tha se depresioni është sëmundje e nëndiagnostikuar në Shqipëri për shkak të mungesës së kulturës për trajtim që ka shoqëria jonë. Ai tha se mbetet shumë shqetësues fakti që kjo kategori personash nuk u drejtohet mjekëve specialistë dhe tentojnë mjekim amator pa recetën e mjekut. Ylli vuri në dukje se konsumi i qetësuesve pa recetë është shumë i lartë dhe se të prekurit nga depresioni e përkeqësojnë edhe më tej situatën, duke u trajtuar në këtë mënyrë. Përveçse me depresion, ata krijojnë varësi nga medikamenti, duke e bërë më pas mjekimin protokollar edhe më të vështirë.

Kostot ekonomike

Dy vitet e fundit, shqiptarët janë populli që kanë emigruar më së shumti në Europë, pas vendeve të Lindjes së Mesme që janë në luftë të tilla si Siria. Rreth 67 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil politik në vendet e Bashkimit Europian në vitin 2015, ndërsa gjatë vitit të kaluar, edhe rreth 29 mijë të tjerë.
Për dy vite, 4% e popullsisë së vendit ka tentuar të largohet vetëm në vendet e BE-së. Mjekët shpjegojnë se emigracioni është treguesi më i qartë se vendi është duke kaluar një situatë jo të mirë psikologjike. Doktoresha Rreli thotë se faktori ekonomik, përveç predispozitës biologjike, është ndër më kryesorët që krijon depresion. Ajo shton se sëmundjet e shëndetit mendor kanë kosto të shumëfishta në jetën ekonomike dhe sociale të një vendi. Një shoqëri që ka stres të shtuar dhe depresion, më e pakta që mund të ndodhë është mungesa e eficencës, domethënë e të bërit të gjërave mirë. Por nga ana tjetër, trajtimi i sëmundjeve mentale është i kushtueshëm. Këta persona kërkojnë angazhimin e shumë burimeve të tjera si njerëzore edhe materiale. Medikamentet që trajtojnë shëndetin mendor kushtojnë shumë, ndërkohë që depresioni nuk zgjedh. Në këtë këndvështrim, Shqipëria një vend i vogël, por me problematika të mprehta, nuk ka mjete të mjaftueshme për të trajtuar me dinjitet këto kategori pacientësh që po shtohen çdo ditë e më shumë,  shton doktoreshë Arjana.
Studimet globale mbi depresionin kanë gjetur se, fenomeni është mjaft i përhapur në vendet në tranzicion. Sëmundja po vjen në rritje gjithnjë e më shumë. Organizata Botërore e Shëndetit ka gjetur se njerëzit e prekur nga çrregullimet mendore, kryesisht depresioni, kanë performancë të ulët në punë, sigurojnë pak të ardhura dhe kanë cilësi të ulët martese. Gjithashtu këto sëmundje bëhen shkak për invaliditet, vdekje më të hershme, shumica e të cilave janë vetëvrasje.
Organizata Botërore e Shëndetësisë i rendit çrregullimet depresive si faktorin e katërt që krijon aftësinë e kufizuar, por deri më 2020, OBSH vlerëson se depresioni do të jetë shkaku i dytë.
Edhe pse të dhënat për prevalencën dhe kostot e depresionit nuk ekzistojnë për shumicën e vendeve, anketat psikiatrike janë kryer në shumë vende të zhvilluara, si dhe në një numër në rritje të vendeve në zhvillim dhe rezultatet tregojnë rritje të sëmundjes.
Kosto e sëmundjes dhe hulumtimet rreth saj kanë treguar se depresioni krijon një barrë të madhe ekonomike. Një studim i fundit tregon se depresioni i kushton SHBA-së 210 miliardë dollarë në vit. Sipas studimit, 40% e kësaj shume është kosto e drejtpërdrejtë që lidhet me depresionin, por shumica janë të lidhura me shëndetin mendor, të tilla si ankthi dhe stresi posttraumatik, si dhe për shkak të sëmundjeve të tjera apo çrregullime të gjumit dhe migrenës. Studimi ka gjetur se për çdo dollar të shpenzuar për trajtimin e depresionit, një shtesë 4.7 dollarësh ka shkuar në shërbime direkte apo indirekte, që lidhen me sëmundjen, 1.9 dollarë të tjera janë humbje që vjen si rezultat i kombinimit të faktorëve që lidhen me produktivitetin në punë dhe vetëvrasjet, që lidhen direkt me depresionin.
Të dhënat për sëmundjen kanë lidhje të drejtë me ciklin ekonomik të një vendi. Studimi për SHBA ka gjetur se në periudha të mira ekonomike, të sëmurët me depresion kanë më shumë mundësi për punësim dhe më shumë mjete në dispozicion për të shmangur faktorët e jashtëm që stimulojnë depresionin. Ndërsa është vënë re një prevalencë shumë e lartë e sëmundjes pas krizës ekonomike, ku mundësitë për punësim janë më të kufizuara. Studimi tregon se rritja e depresionit në një shoqëri ndikon në zinxhirin e të gjithë ekonomisë që nga konsumi deri tek investimet dhe prodhimi.

Kostot sociale

Fenomenet sociale që reflekton një shoqëri në depresion lidhen me cilësinë e ulët të martesave, nivelin e lartë të divorceve dhe emigracionin e lartë, shpjegojnë mjekët.
Koeficienti bruto i martesave në Shqipëri ka pasur luhatje përgjatë viteve 2001-2015, nga një vlerë minimale 6,9 në vlerë maksimale 9,0 martesa për 1.000 banorë. Viti 2015 karakterizohet nga 8,7 martesa për 1.000 banorë. Divorcet kanë shënuar një rritje drastike nga viti 2001 në vitin 2015, përkatësisht nga 9,6 në 21,0 divorce për 100 martesa. Viti 2015 shënon vlerën dhe normën më të lartë të divorceve ndër vite, përkatësisht 5.255 divorce dhe 21,0 divorce për 100 martesa.
Ndërsa burimet nga QSUT pohojnë se janë rritur ndjeshëm rastet e tentativave për t’i dhënë fund jetës, në mënyra të ndryshme, sidomos helme. Madje fenomeni është shtuar dukshëm tek adoleshentët, aq sa qendra spitalore më e madhe në vend ka shtuar kapacitetet e trajtimit me mjekë dhe shtretër.

Numri i vetëvrasjeve, tre herë më i lartë se ai i vrasjeve

Depresioni në shkallën e tij më të lartë i çon në vetëvrasje ata që vuajnë. Psikiatrikja Arjana Rreli thotë se numri i vetëvrasjeve dhe sidomos tentativave për të kryer aktin është rritur.
Opinioni publik në vendin tonë është mësuar të konsiderojë vdekje nga vrasjet rastet kur personat marrin jetën e njëri-tjetrit, por pakkujt ia merrte mendja se numri i vetëvrasjeve është trefish më i lartë se numri i vrasjeve.
Për vitin 2016 sipas të dhënave të INSTAT personat e vrarë nga të tjerët ishin 85 gjithsej, ndërsa personat që kishin vrarë veten në të njëjtin vit ishin 235.
Vendet e tjera në Europë kur raportojnë statistikat e krimeve njoftojnë si numrin e vrasjeve dhe atë të vetëvrasjeve, por në Shqipëri nuk ekziston kjo praktike. Treguesit u zbardhën në mënyrë indirekte kur INSTAT raportoi javën e kaluar shkaqet e vdekjeve në Shqipëri.
Sipas portalit më të madh global mbi statistikat e shëndetit, “Healthdata”, stresi dhe depresioni janë shkaktari i tretë për aftësinë e kufizuar në Shqipëri, sipas të dhënave të vitit 2015. Rregullimet nga depresioni që janë bërë shkak për aftësinë e kufizuar janë rritur me 9.3% në vitin 2015 në krahasim me 2005. Por ndërkohë sëmundja është e nëntrajtuar dhe e nëndiagnostikuar. Ekspertët e ISSH pohojnë se nuk ka një regjistër kombëtar mbi nivelin e sëmundjeve që kanë lidhje me shëndetin mendor. Të dhënat referohen me mesatarizime.
Në vendin tonë, niveli i vdekshmërisë nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes në vitin 2010 ishte 5.3 për 100,000 banorë te meshkujt dhe 2.3 për 100,000 banorë te femrat. Në të dy gjinitë, niveli i vdekjeve nga këto çrregullime u rrit gradualisht nga viti 1990 më 2010, sidomos te meshkujt, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik.
Niveli i standardizuar në total i vdekjeve nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes në Shqipëri në vitin 2010 (3.6 vdekje për 100,000 banorë) ishte i krahasueshëm me atë të Malit të Zi dhe Greqisë, por më i ulët se i Serbisë, Sllovenisë dhe sidomos Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Në fakt, në Bosnjë-Hercegovinë dhe Slloveni, niveli i vdekjeve nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes ka mbetur praktikisht i pandryshuar në dy dekadat e fundit (në Slloveni: 5.9 dhe 5.8 respektivisht në vitin 1990 dhe 2010, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë: 8.3 dhe 8.5, respektivisht).

Kanabisi, si shkak shtesë

Nga vrojtimi i farmacive doli në dukje fakti se shumë të rinj përdorues të hashashit po japin shenja në rritje të depresionit. Përdorimi kronik i bimës krijon efektet e depresionit në disa raste, prandaj të prekurit kanë nisur mjekimin me antidepresivë.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, krahasuar me vitin 2011, në vitin 2015 u vu re një rritje e prevalencës së konsumit të marijuanës të paktën një herë në jetë me 2.2 pikë përqindje në tërësi (nga 4.4% në 6.6%) dhe për çdo grup në studim. Krahasuar me vitin 2011, në vitin 2015 rritja ishte më e madhe te nxënësit e shkollave tekniko-profesionale (me 7.8 pikë përqindje), nxënësit e shkollave private (me 3.8 pikë përqindje) dhe te djemtë (me 3.5 pikë përqindje).
ISHP analizon se përdorimi i kanabisit nga të rinjtë është i lidhur me një numër problemesh shëndetësore, duke përfshirë rritjen e rrezikut për lëndime, sëmundje kronike, depresion dhe probleme të tjera të shëndetit mendor. Përdorimi i kanabisit lidhet me faktorë të tillë si deprimimi ekonomik, mjedisi rrethues, koha e gjatë që kalohet me bashkëmoshatarë që janë përdorues të drogës, si dhe mbikëqyrja e paktë nga prindërit.
Studimi i ISHP në vitin 2015 ka nxjerrë në pah se, përdorimi i rregullt i marijuanës ishte në mënyrë domethënëse më i lartë në shkollat tekniko-profesionale (2.7%) dhe social-kulturore e gjimnazet (1.3% secila vs. 0.9% në klasat e 9-ta), në shkollat private (1.9% vs. 1.1% në shkollat publike), shkollat urbane (1.4% vs. 0.7% në shkollat rurale) dhe pothuajse i njëjtë në shkollat e Tiranës vs. shkollat e rretheve të tjera (1.1% vs. 1.2%, përkatësisht). Këto tendenca janë të ngjashme me ato të raportuara në vitin 2011, me përjashtim të shkollave të Tiranës vs. rretheve të tjera, të cilat në vitin 2011 kishin një diferencë prej 0.5 pikësh përqindje në favor të shkollave të Tiranës.
ISHP referon se në vitin 2015 bie në sy ulja e përdoruesve rastësorë “1-2 herë në muaj” dhe rritja e përdoruesve të shpeshtë të marijuanës dhe tek vajzat këto tendenca janë më të theksuara, krahasuar me vitin 2011. Për shembull, midis atyre që përdorën marijuanë në vitin 2015, 9.7% e djemve dhe 25% e vajzave e përdorën atë në 40 raste ose më shumë gjatë muajit të fundit (krahasuar me 11% dhe 12.5%, përkatësisht në vitin 2011). Kurse përdoruesit rastësorë u ulën me 12 dhe 29.5 pikë përqindje tek djemtë dhe vajzat përkatësisht në vitin 2015, krahasuar me vitin 2011.

Si po rritet fenomeni

Depresioni është një problem shëndetësor shumë i shpeshtë në popullatë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, vlerësohet se rreth 1 në 4 persona vuajnë nga depresioni të paktën një herë në jetën e tyre. Për fat të keq, ky problem nuk trajtohet si sëmundjet e tjera, por rrethohet nga stigma. Për një kohë të gjatë, depresioni në vendet komuniste është konsideruar gabimisht si shenjë e dobësisë së karakterit.
Gjithmonë e më shumë vërehet se depresioni rrit rrezikun për sëmundje të tjera të rëndësishme, si sëmundjet kardiovaskulare.
Në Shqipëri, përhapja e depresionit në popullatë është shumë më e madhe sesa mund të vlerësohej nga rastet e diagnostikuara në shërbimet shëndetësore. Kështu, Studimi Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri (ADHS) i vitit 2009 nuk identifikonte më shumë se 2% të popullatës 15-49 vjeç, si persona të cilët një mjek i kishte diagnostikuar me depresion. Në të vërtetë, prevalenca e problemit në popullatë është shumë herë më e madhe dhe shumica dërrmuese e individëve, të rinj apo të moshuar, vuajnë më gjatë dhe më rëndë nga ç’do të ndodhte nëse do të flisnin për të dhe do të merrnin trajtimin apo mbështetjen e duhur.
Ka dy studime të Institutit të Shëndetit Publik, që kanë mundur të matin përmasat e depresionit vitet e fundit në Tiranë, bazuar në metodologji të krahasueshme. Një studim me ndjekje 2012-2016 te një kampion (kohorte) të moshuarish dhe një studim transversal te një kampion të rinjsh të shkollave të mesme i vitit 2013.
Nga kohorti prej rreth 400 të moshuarish, të ndjekur gjatë 5 viteve lidhur me shenjat e depresionit, vërehet se, pavarësisht një rënieje në vite, ai ngelet shumë i lartë krahasuar me popullata të tjera në vende të zhvilluara, por në disa raste ngelet më i lartë edhe në vende me zhvillim të ngjashëm ekonomik. Në vitin 2016, 1 në 4 të moshuar kishte probleme me depresionin. Femrat gjithmonë janë në rrezik më të madh për të vuajtur nga depresioni.
Faktorë socialë rreziku për depresionin mes të moshuarve në Tiranë rezultojnë arsimi më i ulët dhe pamjaftueshmëria e të ardhurave, ndërsa mes faktorëve biologjikë, më të rëndësishmit janë prania e më shumë se dy sëmundjeve kronike. Rrjetet e dobëta sociale dhe familjare rritin gjithashtu rrezikun.
Studimi dëshmon një proporcion shumë të ulët (më pak se 5%) të angazhimit të të moshuarve në jetën sociale (përfshirje në shoqata, klube e organizata të tjera me natyra të ndryshme).
Një studim i vitit 2013, që përdorte metodologji të ngjashme tek të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës (14-18 vjeç), tregonte se rreth 1 në 3 prej tyre paraqisnin shenja të depresionit. Sërish rreziku është shumë i madh mes femrave. Studimi tregoi se të rinjtë kanë ende shumë vështirësi për të komunikuar me profesionistët për çështje të lidhura me depresionin.
Ka tregues në vendin tonë që dëshmojnë se depresioni nuk menaxhohet mirë nga pikëpamja mjekësore në popullatë. Kështu, vërehet një nivel i lartë i përdorimit të anksiolitikëve pa kontrollin e mjekut (pa recetë), ndërkohë që përdorimi i medikamenteve antidepresive është minimal.
Programi i kontrollit bazë mjekësor 40-65 vjeç (i zgjeruar tashmë edhe në moshat 35-70 vjeç) përfshin mes të tjerash edhe një pyetësor të shkurtër për matjen e depresionit dhe kapjen e trajtimin e hershëm të tij nga mjekët e kujdesit parësor. Ndërkohë që programi po funksionon mjaft mirë me testet e tjera biologjike, nga një vlerësim i shpejtë pranë qendrave shëndetësore vërehet se shumica e personave nuk pranojnë ta kryejnë pyetësorin e depresionit, mesa duket për shkak të stigmës që e rrethon këtë sëmundje.
Instituti i Shëndetit Publik thotë se ngelen prioritete të rëndësishme lufta kundër stigmës që rrethon depresionin, rritja e besimit mes komuniteteve dhe profesionistëve, integrimi i grupeve vulnerabël në shoqëri, shtimi i mundësive për një jetë më aktive etj.

“Monitor”

Veliaj rrit me 35% çmimin e ujit, a do të protestohet?

Me një vendim absurd dhe në pabesi ndaj komunitetit vemja e Tiranës në bashkëpunim me kryehajdutin në krye të qeverisë kanë vendosur në pabesi ndaj komunitetit të rrisin me 35% çmimin e ujit të pijshëm. Vendimi vjen vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të blera të 25 qershorit dhe është sinjal i qartë se mandati i dytë do të jetë sërish mandat i rritjes së taksave dhe zhvatjes së tyre nga një grusht i vogël pushtetarësh përmes tenderave dhe koncesioneve.
Veliaj vendosi rritjen me gati 35% të çmimit të ujit për metër kub. Dje mediat kanë zbardhur vendimin që propozon Bashkia Tiranë për Këshillin Bashkiak, ku janë parashikuar të gjitha tarifat e reja. Sipas tabelës përkatëse çmimi i ujit të pijshëm do të rritet në masën 35% për familjarët ashtu si edhe për bizneset. Rritja e çmimit të ujit nga Bashkia Tiranë u paralajmërua një javë më parë, teksa UKT bashkë me Veliajn u bëri një thirrje të beftë të gjithë konsumatorëve e bizneseve të kursenin ujin në çdo pikë pasi përndryshe do të kishte pasoja. E gjithë lëvizja e UKT, e orkestruar nga Veliaj u bë si qëllim për propozimin e rritjes së tarifave të planifikuar qysh kohë më parë. Çmimi i ujit në Tiranë do të rritet nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset.  Rritja e çmimit do të prekë edhe tarifën fikse mujore. Aktualisht, çdo familje paguan 100 lekë në muaj si tarifë fikse dhe propozohet që kjo tarifë të dyfishohet në 200 lekë në muaj. Relacioni i Bashkisë flet për rritje të investimeve dhe sigurimin e ujit 24 orë për Tiranën. Në vendim, parashikohet që të mos ndryshojë tarifa për ujërat e ndotura. Që pas zgjedhjeve, bashkia ka nisur një fushatë agresive kundër lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm dhe kjo jo pa qëllim. Duket se kjo po i paraprin vendimit të ri. Këshilli Bashkiak do të mblidhet ditën e mërkurë, ku pritet të ketë debate të gjata për tarifën e re. Bashkia argumenton se, “bazuar tek nevoja totale për të ardhura, UKT sha., ka zhvilluar një strategji të tarifave dhe çmimeve për periudhën 5-vjeçare. Tarifat propozohen të ndryshojnë në të gjithë komponentët e secilës kategori konsumatori duke u bazuar në shitjet e ujit dhe normat e arkëtimit, të cilat rriten nga 90% në vitin 2017 në 91% në vitin 2018?. Tarifat rriten edhe për furrat e bukës apo buxhetorët. Sipas projektvendimit, furrat e bukës do të paguajnë nga 95 lekë/m3 që është tarifa aktuale në 130 lekë/m3. Mediat kanë botuar tabelën e plotë të tarifave ekzistuese dhe sa do të bëhen. Çmimet e reja parashikohet të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2018. Bashkia ka bërë edhe analizën e saj për të argumentuar rritjen e tarifave. Element i rëndësishëm i kësaj analize është studimi i statistikave mbi popullsinë. “Bazuar në të dhënat e INSTAT dhe regjistrit civil në ish-NJQV (Bashkia Tiranë), popullsia totale është 832,302 brenda kufijve administrativë të Bashkisë. Mbulimi është 85% (Tirana e madhe) ose 707.800 banorë dhe objektivi është arritja e mbulimit mesatar prej 95.3% UKT”, thuhet në relacion. Analiza e kërkesës për ujë ka parashikuar ndryshimin në nivelin e prodhimit të ujit deri në vitin 2021. “Prodhimi aktual është 106 milionë/m3 dhe deri në vitin 2021 parashikohet të shkojë në 62 milionë/m3 që ndryshe përkthehet ulje prej 42%. Ky reduktim vjen si rezultat i zbatimit të aksioneve për uljen e nivelit të ujit pa të ardhura, si dhe një menaxhimi më efikas të kërkesës për ujë nëpërmjet zbatimit të një programi tërësor të matjes nga burimi tek konsumatori”. Bashkia argumenton se shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e Planit të Biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës, nga 75% më 2016 në 97% për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021 dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018″.

Veliaj shpiku “thatësirën” për të rritur çmimin

Nuk është thatësira që la pa ujë qytetarët e Tiranës prej dy javësh, siç pretendoi kreu i Bashkisë, Erion Veliaj. Liqeni i Bovillës është plot e përplot me ujë, por Veliaj po mashtron qytetarët për të rritur çmimin e ujit të pijshëm. Një qytetar ka denoncuar mashtrimin e Veliajt, duke i dërguar një foto të rezervuarit të Bovillës që është plot me ujë. Qytetari shkruan se inxhinieri që ndodhej në Bovillë është shprehur se po mashtrohet për mungesën e ujit për të rritur çmimin. Ish-kryeministri Berisha shkruan në faqen e tij në Facebook se, situata e rëndë e furnizimit me ujë në Tiranë është krijuar nga Veliaj. “Diga e Bovillës është plot, por Tirana pa ujë! Lal plehu shuan etjen e banorëve me mashtrime. Ai do të rrisë çmimin e ujit. Lexoni mesazhin dhe shikoni foton e Liqenit të Bovillës që ka dërguar për ju qytetari dixhital”, shkruan Berisha. “Përshëndetje zoti Berisha. Sot isha në Bovillë për qejf dhe çfarë thotë Veliaj se nuk ka ujë Bovilla, është mashtrim. Po të shkosh në Bovillë do të shikosh se ka ujë boll dhe për fat ishte edhe inxhinieri aty. E pyes pse mashtrojnë këta që nuk ka ujë, ai thotë duan të rrisin çmimin e ujit, prandaj thonë s’ka ujë, por Bovilla është plotë”, shkruan qytetari, i cili i ka dërguar Berishës edhe një foto të Bovillës. Tirana nuk ka ujë në çezma në shtëpitë e qytetarëve, pasi sipas Veliajt, mungon uji i Bovillës për shkak të thatësirave, por ky është një mashtrim i tij, pasi Bovilla është plot e përplot me ujë. Veliaj kërkon të terrorizojë banorët për gjoja mungesën e ujit për ta patur më të lehtë që të rrisë çmimin e ujit të pijshëm. Në këtë mënyrë, ai kërkon të justifikohet se mungesa e ujit në Bovillë e detyron të rrisë çmimin. Ndonëse jetike për qytetarët, Veliaj fsheh arsyet e vërteta se përse kryeqytetasit duhet të përballen me mungesën e ujit. Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka argumentuar se shkak i mosfurnizimit me ujë është thatësira e madhe dhe rritja e kërkesës për konsum nga ana e qytetarëve. Janë qytetarët, ata të cilët vuajnë mungesën e ujit. Madje shumë zona në Tiranë rrezikojnë përhapjen e epidemive. Tirana prej ditësh është prekur nga ndërprerjet e vazhdueshme të furnizimit me ujë të pijshëm, aq sa edhe pse jemi në vitin 2017, qytetarët ju rikthyen sërish “radhës”, për të mbushur ujë rrëzë Dajtit.

E njëjta skemë edhe me rritjen e çmimit të biletave të urbanëve

Me t’u ulur në karrigen e kryebashkiakut, Veliaj rriti taksat dhe çmimin e biletës të autobusëve urbanë. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi më 30 dhjetor 2015, në kushtet e mungesës së transparencës, pa e publikuar më parë projektvendimin dhe pa konsultim publik, rritjen e çmimit të biletës së transportit urban nga 30 në 40 lekë. Veliaj mashtroi qytetarët, duke thënë se rritja e çmimit të biletës për urbanët u bë për indeksim. Por KLSH zbuloi se ishte shkelje e Bashkisë rritja e çmimit të biletës së urbanëve. Bashkia e Tiranës pranoi se konkluzionet e një raporti kritik të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi vendimin për rritjen e çmimit të biletës së transportit urban, qëndrojnë se dhe në të vërtetë, rritja e çmimit nuk qe indeksim, por thjesht një rritje e ndërmarrë për të kënaqur operatorët privatë të transportit publik. Bashkia pranoi gjithashtu se, formula e përcaktuar në rregullimin e indeksimit të çmimit nuk është zbatuar, siç është vërejtur edhe nga raporti i KLSH-së. Indeksimi i çmimit nënkupton rritjen e një çmimi të kontrolluar nga autoritetet sipas normës së inflacionit zyrtar të matur nga Instituti i Statistikave. Rritja e çmimit të biletës së transportit urban nga 30 në 40 lekë, e cila nënkupton rritjen e çmimit me 33 për qind, në fakt qe shumë më e lartë se sa rritja e inflacionit nga viti 2008 deri në vitin 2015.

Bashkia Tiranë, rekord për rritjen e taksave

Qeveria pranon në një dokument të saj të fundit se bashkitë në vend kanë rritur shpenzimet e tyre për paga. Referuar këtij dokumenti thuhet se ajo që mund të ketë ndodhur është ose rritja e nivelit të pagave për punonjësit aktualë ose rritja e numrit të të punësuarve në bashki. Gjithsesi kjo rritje e shpenzimeve nuk është në linjë me atë që synonte reforma territoriale. “Megjithëse është ende herët për të dalë në konkluzione përfundimtare, rritja e shpenzimeve të personelit dhe atyre operative nuk pajtohet me objektivin madhor të reformës administrative territoriale për eficiencë operacionale dhe reduktim të kostove administrative. Nga ana tjetër, megjithëse, kostot operacionale nuk duket të vijnë në ulje, duhet të mbahet në konsideratë fakti se bashkitë kanë rritur shpenzimet për investime”, thuhet në dokumentin e qeverisë. Shpenzimet për personelin në tremujorin e parë të këtij viti rezultojnë 4.3 miliardë lekë nga 3.5 miliardë lekë që ishin në tremujorin e parë të vitit 2016. Kjo rritje me të paktën 25% në fondin që shkon për personelin justifikohet pjesërisht edhe me financimin e funksioneve të reja, por jo totalisht. Mbledhja e të ardhurave ka qenë dhe mbetet një sfidë për pushtetin vendor, i cili në shumë raste has ngërçin e mungesës së kapaciteteve. Gjithsesi duket se tremujori i parë 2017 reflekton një ecuri të mirë në zërin e të ardhurave për bashkitë, kjo në veçanti për Bashkinë e Tiranës, e cila mban edhe peshën kryesore. Në tremujorin e parë të vitit 2017 të ardhurat nga taksat vendore janë dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që të ardhurat nga tarifat vendore janë rritur me 15% në terma vjetore. Megjithatë, një analizë më e detajuar, tregon se dyfishimi i të ardhurave nga taksat vendore, vjen i gjithi nga të ardhurat e mbledhura nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë në Bashkinë e Tiranës”, thuhet në raport. Nëse nga totali i të ardhurave zhvishet efekti i Bashkisë së Tiranës të ardhurat vendore nga taksat dhe tarifat janë rritur me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vlerë taksa e ndikimit në infrastrukturë vetëm në Bashkinë e Tiranës është 1.3 miliardë lekë ndërkohë që për të gjitha bashkitë e tjera është 400 milionë lekë në total. Tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël ka pësuar edhe rënien më drastike nga gjithë zërat e tjerë tek të ardhurat. Në tremujorin e parë 2017 kemi një rënie me 93% krahasuar me tremujorin e një viti më parë. Një tjetër problematikë duket se po shfaqet edhe për taksën mbi truallin. “Vlen të evidentohet se të ardhurat nga taksa mbi truallin urban e prezantuar së fundmi, janë në nivelin zero për tremujorin e parë. Ky nivel mund të lidhet me problematikat e mungesës pothuajse totale të regjistrave të bazës së taksës (dhe taksapaguesve). Gjithashtu mund të jemi përballë edhe një problemi të raportimit financiar dhe një vlerësim më i thellë do të duhej të bëhej nga autoritetet”.

1 milion litra naftë e refuzuar nga Kosova shitet në Shqipëri

Nafta e destinuar për t’u eksportuar në Kosovë, pas disa ditësh qëndrimi në kufi, është rikthyer në Porto Romano të Durrësit, për shkak të mungesës së cilësisë. Tre laboratorë në Kosovë e nxorën karburantin të papërdorshëm. Administrata Doganore shqiptare ka konfirmuar për “Vizion Plus” se, janë gjithsej 6 bote me naftë, të cilat pala kosovare pretendon se nuk përmbushin një nga elementet e cilësisë. Sipas këtij institucioni, ky është një konflikt mes shitësit dhe blerësit dhe deri sa të dy palët të zgjidhin pretendimet e tyre, dogana nuk mund të ndërhyjë.  Tashmë pritet të këtë edhe një analizë të dytë për sasinë që do të eksportohej, me qëllim për të marrë një vendim përfundimtar. Por kthimi i naftës nga Kosova dhe rezultatet e laboratorëve atje, ngrenë pikëpyetje mbi ndryshimin e cilësisë së naftës nga importi në eksport. Tregu shqiptar i hidrokarbureve në vend është shoqëruar gjithmonë me dyshime, të cilat shpesh herë janë mbështetur edhe me deklarata zyrtare të institucioneve, se nafta në vend ka probleme të theksuara me cilësinë. Ky fakt vjen si pasojë e përzierjes që i bëhet produktit që vjen nga importi, me naftën që prodhohet në vend apo me lloje të tjerë holluesish, duke rritur artificialisht sasinë. Konflikti i krijuar mes dy bizneseve, atij shqiptar dhe atij kosovar, nuk është gjë tjetër veçse një dëshmi që tregu i hidrokarbureve vijon të ketë probleme të theksuara sa i takon kontrollit, duke dëmtuar rëndë konsumatorët dhe mjetet.

Rezultatet lobaratorike të Kosovës

Më shumë se 1 milion litra naftë e cilësisë shumë të dobët gati prej një jave u bllokua në terminalin doganor në Morinë, pasi nga analizat e bëra në laboratorin e Doganës, si dhe në dy laboratorë privatë të akredituar në Kosovë, ka rezultuar se nafta në fjalë nuk i plotëson kriteret e parapara në vendin tonë. Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci, konfirmoi për gazetën “Zëri” se numri i mauneve me naftë jocilësore, të bllokuar në terminalin doganor në Morinë ishte rreth 40.
Por, pavarësisht se në tri analizat e bëra në vendin tonë, nafta në fjalë ka dalë të jetë jashtë parametrave, me insistimin e pronarëve të kompanive, të cilëve u është bllokuar nafta, Dogana i ka dërguar mostrat për superanalizë në Maqedoni, e ku ka dyshime të manipulimit të tyre.
Gazeta “Zëri” nga Dogana e Kosovës ka kërkuar më shumë informacione për naftën e bllokuar në kufij, por ata pos konfirmimit të bllokimit të një sasie të madhe të naftës nuk kanë dhënë detaje më të hollësishme.
Jo zyrtarisht mësohet se nafta e bllokuar gati prej një jave në terminalin doganor ka qenë e destinuar për “HIB Petroll”-in, “Lab Oil”-in dhe “Ex Fis”-in.

Nafta, jocilësore

Gazeta ka kërkuar informacione edhe nga laboratorët, të cilët kanë bërë analizat e naftës, por nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje. Por jozyrtarisht gazeta “Zëri” ka mësuar se nafta e bllokuar është e cilësisë shumë të dobët. “Është naftë e cilësisë tepër të ulët apo gati naftë industriale”, ka thënë një burim i gazetës “Zëri”.
Në anën tjetër Ibrahim Bucaliu, nga “HIB Petrol”-i, thotë se vazhdimisht kanë kërkuar që të ketë kontroll të cilësisë. “Ne vazhdimisht kemi kërkuar që të vendoset kontrolli në sektorin e naftës. Shpresojmë që kësaj radhe të funksionojë”, ka thënë Bucaliu për gazetën “Fjala”. Po ashtu, edhe Raif Gashi nga “Lab Oil”-i e ka quajtur procedurë deri-diku normale aksionin e Doganave, por ka thënë se dyshon në profesionalizmin e tyre, ka raportuar gazeta “Fjala”.

70% e naftës në Shqipëri nga kompania e ortakut të Ramës

Gjysma e prodhimit në fushat e Patos-Marinzës hidhet për tregun vendas, e cila shitet si naftë importi. Në një shkrim të revistës “Monitor” bëhet me dije se, për vitin 2017 50% e naftës së prodhuar nga Bankers Petrolium i është shitur kompanisë “Ionian Refining & Trading Co. – IRTC SH.A” (IRTC), pas së cilës qëndron biznesmeni klient i Edi Ramës, Besnik Sula i “Tajvanit”. Sasia për vitin 2016 e naftës së nxjerrë ka qenë rreth 1.2 milionë tonë naftë, ndërsa sivjet pritet që të ulet me 1 milion tonë. Më parë, thuajse e gjithë sasia që prodhohej shkonte për eksport, pasi ARMO, e cila ka ndryshuar emrin në IRTC, nuk kishte kapacitet dhe teknologji përpunimi për shkak të cilësisë së ulët të saj. Ndërkohë që IRTC vazhdon me teknologjinë e vjetër të ARMO, Bankers Petroleum po shet naftën e Patosit për përpunim tek kjo firmë. Më pas, kjo e fundit e hedh në tregun vendas, në formën e përpunuar të naftës apo benzinës, por që është shumë më e ulët në cilësi se nafta e importit. Nuk janë pak, por rreth 500 mijë tonë naftë ose sa 60 deri në 70 për qind e konsumit vjetor. Pra, në rast se keni problem me cilësinë e karburantit, duhet ta dini që nuk është faji i pikave, por makutëria e Kryeministrit dhe e klientëve të tij, ka sjellë këtë situatë monopol që po na kushton jo pak.

Transferimi i Berishës tek Atalanta

Në Suedi “qajnë” 150 mijë euro. Skuadra e Kalmarit, që rriti portierin e Kombëtares shqiptare Etrit Berisha, pretendon se duhet të kishte përfituar 150 mijë euro nga shitja e kartonit të tij nga Lacio drejt Atalantës. Në një shkrim të publikuar nga mediat suedeze, zbulohet se ekipi zikaltër i Atalantës e bleu shqiptarin për afro 5 milionë euro dhe nga llogaritjet rezultonte se duhet të përfitonin të paktën 150 mijë euro.
Një shumë që nuk do të shkojë në arkat e ekipit ku u rrit Berisha. Njëra prej arsyeve është se gardiani kuqezi u largua nga Suedia në moshën 24-vjeçare, ndërkohë që fondi i solidaritetit për lojtarët që rriten në një klub jepet deri në moshën 23-vjeçare.
Mirëpo, ky nuk ishte problemi i vetëm që pengoi Kalmarin që të përfitonte sadopak nga Etrit Berisha. Në kampionatin italian, skuadrat nuk i bëjnë publike marrëveshjet dhe dokumentet e transferimit të një lojtari, kështu që është e vështirë që të gjendej shuma ekzakte që do të merrte Kalmari nga shitja e Berishës nga Lacio drejt Atalantës.
Talenti shqiptar transferohet te Juventusi
Jo vetëm goditje “big” në merkato, klubi i Juventusit iu kushton rëndësi edhe të rinjve, të cilët janë kontingjent premtues për të ardhmen.
Mediat italiane raportojnë se bardhezinjtë kanë arritur akordin me 3 talente, ku një ndër ta është edhe futbollisti me origjinë shqiptare, Qëndrim Kameraj, i cili luan si sulmues qendror dhe anësor.
Shqiptari i lindur në Luzernë, do të jetë pjesë e të rinjve të Juvestusit për sezonin e ardhshëm. Kameraj është vetëm 18 vjeç dhe kaloi te klubi bardhezi nga të rinjtë e Luzernës. Ai bën pjesë te Kombëtarja U-18 e Zvicrës, ku në 2 ndeshje ka realizuar 1 gol.

Mallkimi i Premier

Zakonisht bisedat mbi futbollin me anglezët përqendrohen te fjalia e tyre klishe: “Futbollin e shpikëm ne”. Ndoshta kanë të drejtë se kanë shpikur një nga lojërat më të bukura në botë, por dy dekadat e fundit, ata nuk janë zotë në shtëpinë e tyre për sa u përket trajnerëve. Me mbi një shekull histori, kampionati anglez ka shumë shenja triumfi të strategëve anglezë, por vitet e fundit ata po hasin vështirësi të shpallen kampionë.
Sipas britanikëve të “The Sun”, në 25 vitet e fundit nuk ka asnjë trajner anglez që të ketë shpallur skuadrën e tij kampione të Premier Ligës. I fundit në listën e ishullorëve kampionë është Hauard Uilkinson, i cili në vitin 1992 shpallte Lidsin e tij kampion të Anglisë. Për këtë mallkim, “fajet” bien mbi Aleks Fergusonin, i cili me triumfet e tij në krye të “Djajve të Kuq” vendosi gati një diktaturë futbollistike mbi kampionatin e Mbretëreshës Elizabetë, aq sa kjo e fundit e emëroi “Sër” pas gjithë atyre sukseseve të panumërta.
Bashkëfajtorë me skocezin e Mançester Junajtid janë edhe disa italianë. Karlo Ançeloti dhe Konte, në kampionatin e fundit me Çelsin, kanë rrëmbyer nga një trofe secili, pa harruar dhe mrekullinë e vitit të kaluar nga Klaudio Ranieri, i cili shpalli kampion të pamendueshmin Leiçester.
Hoze Murinjo dhe francezi Arsen Venger kanë rrëmbyer nga tri herë trofeun e kampionit të Anglisë. Një tjetër skocez është Keni Dalglish, që me Blekburnin e tij bëri një mrekulli më vete. Ishte pikërisht ky i fundit që i dha fillesë ciklit të mallkimit për trajnerët anglezë, të cilët kanë harruar të shpallen kampionë në vendin e tyre.
Pasi pagoi 56 milionë euro, për afrimin e mbrojtësit të Tottenham, Kyle Walker, i cilësuar si çmimi më i lartë i paguar për një mbrojtës, Manchester City duket i gatshëm të thyejë këtë rekord. Pep Guardiola dëshiron me çdo kusht të ketë nën urdhrat e tij mbrojtësin francez të Monakos, Benjamin Mendy dhe dy klubet janë duke finalizuar marrëveshjen e transferimit të tij në Manchester, për shifrën e 58 milionë eurove.
Mbrojtësi 23-vjeçar zhvilloi një sezon si protagonist te Monako dhe u bë objekt dëshirash për shumë klube, por City tashmë ka arritur akordin me klubin francez dhe po negocion me vetë futbollistin.
Por, krahas Walker dhe Mendy, Manchester City po punon për afrimin e një tjetër mbrojtësi anësor. Bëhet fjalë për brazilianin e Real Madridit, Danilo. Mediat spanjolle raportojnë se është arritur akordi total mes klubeve dhe futbollistit, i cili do të nënshkruajë për 5 vite me City-n, ndërsa Reali do të arkëtojë 30 milionë euro plus 5 të tjera bonus.

Milan magjik, mposht 4-0 Bayern Munich

Kuqezinjtë nuk dhurojnë spektakël vetëm në merkato, një gjë të tillë kanë arritur ta tregojnë edhe në takimin e radhës miqësor në “International Champions Cup”, përballë Bayerni të Mynihut. Fitore shumë e rëndësishme përballë kampionëve të Gjermanisë, me rezultatin e thellë 4-0. Formacioni i Vicenzo Montella nuk vonon shumë të gjejë golin e epërsisë në minutën e 14, pas një krosimi në zonë nga ana e Ricardo Rodriguez, Kessi arrin të dërgojë topin në fundin e rrjetës. Më pas është i riu Crutone, ai që kujdeset për të thelluar akoma edhe më shumë avantazhin me një dygolësh, me minutën e 25 dhe të 43.
Bavarezët tentojnë të reagojnë, por misioni duket thuajse i pamundur, pasi kundërshtari që ka përballë ruan mirë ekuilibrat në fushë. Vulos fitoren me një gol spektakolar nga një distancë prej 30 metrash, Hakan Calhanoglu. Ndërkohë në takimin ndaj Bayernit debutoi me fanellën e Milanit dhe dy blerjet më të reja të klubit italian, Leonardo Bonucci dhe Lucas Biglia. Pas humbjes ndaj Bourssia Dortmund, kuqezinjtë kanë arritur të reagojnë shpejt përballë një kundërshtari të vështirë edhe një takimi miqësor, Milani me të drejtë mund të fillojë të ëndërrojë për sezon fantastik.