Sulmuesi korçar, Sabjen Lilaj me golin e shënuar ndaj kazakëve “Kairat Almaty”, projektoi kualifikimin e skuadrës të Skëndërbeut në turin e tretë të kupës “Europa Legue”. Triumfi merr më tepër vlera, pasi ajo u arrit ndaj një skuadreje që jo vetëm kishte mposhtur më parë dy skuadra shqiptare (Kukësin dhe Teutën), por dhe ndaj një skuadreje milionere, të mbushur me futbollistë cilësorë të njohur në tregun europian. Pas ndeshjes siç pohon dhe sumuesi korçar është festuar gjatë në qytetin e serenatave. Një gëzim i ligjshëm jo vetëm për qytetin e Korçës por për mbarë futbollin shqiptar, pasi bardhekuqt (ngjyra zyrtare e skuadrës korçare) është e vetmja skuadër shqiptare që do të vazhdojë më tej garat europiane.
“Të gjithë skuadrat e ndjejnë të nevojshme forcimin e tyre me elementë cilësorë, por me grupin që kemi, kam besim që do të ecim përpara”, shprehet për gazetën “RD”, sulmuesi korçar që me golin e shënuar është i pari pas dëmtimit.
-Sabjen, urime për fitoren e arritur…
Faleminderit gazetës tuaj që është ndër të parët që po shprehem. Ishte një fitore e merituar. Goli i shënuar nga ju pati vlera, pasi ju u rikthyet pas një dëmtimi, por dhe projektoi kualifikimin e bardhekuqve …. Është detyra e çdo futbollisti të shënojë, por më tepër u kënaqa me kualifikimin e skuadrës. Mposhtëm një skuadër që ka një investim marramendës dhe kjo nuk është pak.
-Thuhet që është festuar deri në orët e para të mëngjesit të ditës së premte?
Ashtu është. Kemi festuar deri në orët e para të mëngjesit të sotëm (premte). Ishtë një gëzim i ligjshëm, pasi kaluam një kundërshtar me një koeficient vështirësie shumë të lartë. Kjo nuk është hera e parë që po e provojmë një kënaqësi të tillë, pasi skuadra jonë dy vite më parë ka qenë pjesëmarrëse në grupet e këtij kompeticioni.
-Ishte një fitore e mundimshme…. ?
Sigurisht që po, pasi në gjirin e saj kishte futbollistë të nivelit shumë të lartë. Mjafton të përmendim Arshavin, futbollistin e përfaqësueses ruse për të kuptuar cilësinë e kësaj skuadreje, por ne besuam qysh në ndeshjen e parë të zhvilluar në Kazakistan dhe nuk e teproj kur them se kualifikimin e projektuam që në ndeshjen e parë. Kisha besim se do ta kalonim me sukses këtë ndeshje.
-Ku ishte çelësi i këtij suksesi ?
Besimi te vetja dhe kompaktësia që kemi. Vlerësuam në maksimum skuadrën kundërshtare, zbatuam me përpikmëri detyrat e dhëna nga trajneri. Besoj se këto janë të mjaftueshëm për të arritur suksesin.
-Kaluat një skuadër milionerësh, besonit në kualifikim?
Çdo skuadër kur del në fushë, hyn me mendimin për ta fituar ndeshjen, por kur e ke përballë një skuadër cilësore si Kairat, gjërat ndryshojnë. Por ishte dëshira që mposhti çdo vështirësi dhe ja dolëm. Por tani nuk është e thënë që përballë ke një skuadër të mbushur me emra të mëdhenj dhe të eliminohesh. Mjafton të kesh besimin dhe të luash me zemër dhe gjithçka arrihet. Por në ndeshjen e së ejntes, një faktor përcaktues pati dhe tifozëria e mrekullueshme e Korçës, që na përkrahu gjatë gjithë ndeshjes, duke u bërë faktor frymëzues për arritjen e kualifikimit.
-Sa e njihni kundërshtarin e radhës Mllada Boleslav?
Nuk e njoh aspak. Tani do të mundohemi të marrim ndonjë informacion për të. Por ajo që duhet pranur është se futbolli çek është mjaft i mirë dhe kjo duhet vlerësuar në të gjitha parametrat.
-Deri ku mund të shkoj skuadra juaj këtë sezon? Në këtë rast m’u kujtua një shprehje e bukur popullore, “oreksi vjen duke ngrënë”, kam besim se do të ecim përpara, pse jo të mos arrijmë dhe një herë ndeshjet e grupeve. Tashmë skuadra ka krijuar profiln e saj e një skuadre që kërkon të lë gjurmë në kompeticionet europiane.
Bisedoi
Nderim GOCI
Lilaj: “Fituam me zemër”
Bernadeschi është i Juventusit
Goditja e radhës për Juventusin është Federico Bernadeschi. Kampionët e Italisë kanë arritur të sigurojnë shërbimet e sulmuesit të talentuar, për të cilin është rezervuar një kontratë 5-vjeçare, si dhe një pagë vjetore prej 4 milionë eurosh në sezon, ndërsa në arkat e Fiorentinës, skuadër në të cilin është aktivizuar 23-vjeçari do të shkojnë 40 milionë euro. Tratativat e gjata mes klubeve patën një fund të lumtur, ndërkohë që Bernadeschi pritet të mbërrijë në Torino ditën e hënë, ku do të kryejë vizitat mjekësore, si dhe do të firmosë kontratën e tij të re, më pas do të niset menjëherë në drejtim të SHBA, aty ku Juventusi po zhvillon fazën përgatitore, për t’iu bashkuar pjesës tjetër të skuadrës.
Në radhët e tifozërisë së Fiorentinës ka patur një lloj irritimi ndaj Bernadeschit në lidhje me vendimin e tij për t’u transferuar tek bardhezinjtë. Sidoqoftë drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” kanë gjetur gjuhën e përbashkët me homologët e tyre të klubit vjollcë, fakt që garanton shmangien e ndonjë surprize të pakëndshme në minutën e fundit. Tashmë akti final i kësaj marrëveshjeje është zyrtarizimi, i cili do të bëhet ditën e hënë. Kjo është goditja e dytë e Juventusit në vetëm pak ditë për vijën e parë të sulmit. Federico Bernadeschi prej 2014 ishte pjesë e Fiorentinës dhe përgjatë këtyre tri viteve, në total në 82 paraqitje ai ka arritur të realizojë 23 gola. Tashmë ai është gati për të nisur një aventurë të re, si dhe për të dhënë kontributin e tij maksimal me fanellën e kampionëve të Italisë.
Ditë vendimtare për Renato Sanches te Milani. Klubi kuqezi do të tentojë të mbyllë marrëveshjen me Bayern Munich për mesfushorin portugez. Formula e operacionit është ajo e huazimit për 7-8 mln euro, me të drejtë blerjeje përfundimtare të kartonit për 30 mln euro. Mësohet se dhe trajneri i bavarezëve, Ancelotti ka dhënë miratimin e tij për këtë transferim.
Një tjetër largim nga Fiorentina. Kroati Hrvoje Miliç transferohet te Olympiacos, me drejtorin e Përgjithshëm, Corvino që gjeti akordin me klubin grek për 28-vjeçarin. Megjithatë klubi vjollcë po punon edhe për të blerë lojtarë të rinj. Dy nga emrat më të kërkuar nga skuadra e Piolit janë Matias Kranevitter dhe M’Baye Niang.
Mattia de Sciglio komenton largimin nga Milani për të veshur fanellën e Juventusit. Mbrojtësi italian shprehet se kishte ardhur momenti i duhur për të, për të ndryshuar ambient dhe për të provuar stimuj të rinj. 24-vjeçari është i bindur se ka bërë zgjedhjen e duhur, pasi bardhezinjtë janë ekipi më i mirë me të cilët mund të firmoste.
Ciro Immobile zbulon disa prapaskena të merkato. Sulmuesi i Lazio-s, në një intervistë për mediat italiane shprehet se në drejtim të tij kanë ardhur disa oferta, por që nuk ka marrë asnjë në konsideratë. Kjo pasi 27-vjeçari ndihet shumë mirë te bardhekaltërit dhe do të largohet vetëm nëse dhe klubi e dëshiron diçka të tillë.
Shifra rekord!
Tanimë duket thjesht çështje kohe e ndoshta orësh, Neymar është me të vërtetë vetëm një hap larg Paris Saint Germain. Të paktën siç raporton edhe gazeta katalanase “Sport”, historikisht shumë pranë Barcelonës, klubi parisien ka përshpejtuar ndjeshëm tratativën, pasi i ka marrë miratimin menaxherit dhe njëkohësisht babait të futbollistit, i cili është bindur me një çmim të jashtëzakonshëm. Babai i Neymar do të marrë për firmën e të birit plot 100 milionë euro si shpërblim, më shumë se dyfishin e 40 milionëve që mori nga Barcelona kur u bind që ta çonte Neymar te katalanasit nga Santos. Rekord janë edhe shifrat e tjera të operacionit, që publikohen nga gazeta barcelonase, Neymar do të marrë 30 milionë euro neto në çdo sezon për 5 vitet e ardhshme, do të fusë në xhep në total plot 150 milionë euro, ndërkohë që dihet tanimë prej ditësh edhe shifra prej 222 milionë eurosh në klauzolën e tij që do të paguhet nga Al Khelaifi.
Risia në këtë rast qëndron në faktin se mediat katalanase bëjnë të ditur se klauzola do të paguhet deri të martën për t’i dhënë fund tërë kësaj çështjeje. Edhe pse Valverde në konferencë për shtyp bëri të ditur se ato në lidhje me Neymar janë thjesht zëra të merkatos, në Francë insistojnë se braziliani i ka thënë “Po” Paris Saint Germain, ndërkohë që një tjetër lajm i rëndësishëm është ai i takimit mes sulmuesit dhe Presidentit të Barcelonës Jose Maria Bartomeu, që më në fund ka patur një përballje kokë më kokë me sulmuesin në New Jersey ku Barça ndodhet për përgatitjet parasezonale. Takimi që ka zgjatur rreth 15 minuta është mbyllur me Neymar që i ka thënë drejtpërdrejt Presidentit synimin e tij për të lënë Barcelonën dhe për të shkuar te Paris Saint Germain. Raporti mes tij dhe klubit katalanas duket se ka arritur në fund.
Ylli brazilian, Neymar ka vendosur që të largohet nga Barcelona. Ai është i vendosur që të transferohet te Paris Saint-Germain. Sipas “La Parisien”, Neymar me t’iu bashkuar Barcelonës në stërvitje, iu ka bërë të ditur bashkëlojtarëve se do të transferohet në Paris Saint-Germain. Madje, thuhet se e vetmja gjë që ka mbetur është të saktësohen detajet e transferimit, i cili do të jetë më i shtrenjti në histori të futbollit.
Klubi nga Parisi është i gatshëm ta paguajë klauzolën e brazilianit, e cila ka vlerën e 22 milionë eurove. Kurse, lojtarit i ka ofruar një kontratë pesëvjeçare me një pagë marramendëse 596 mijë funte në javë (673 mijë euro në javë) ose rreth 33 milionë euro në sezon.
Arsenal në trativa me Ozil për rinovimin e kontratës
Arsenal në trativa me Mesut Ozil për rinovimin e kontratës. Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, mes “Topçinjve” të Londrës dhe mesfushorit është arritur në parim një marrëveshje, nga ku turko-gjermani pritet në përfitojë 340 mijë euro në javë. Me shumë mundësi në ditët në vazhdim pritet të vijë edhe firma nga Ozil.
West Ham tjetër goditje në sulm. Drejtuesit e “Hammers”, pasi arritën të siguronin shërbimet e meksikanit, Chicharito, kanë arritur të realizojnë një tjetër goditje në repartin e avancuar dhe ai është Marko Arnautoviç. Ndërkohë nga ky transferim Stoke City do të përfitojë 30 milionë euro. Arnautoviç do të firmosë një kontratë 5-vjeçare, përsa i përket pagës së tij ky është një detaj, i cili ende nuk është publik.
Jurgen Klopp i kënaqur me merkaton e zhvilluar deri më tani. Tekniku i Liverpool ka deklaruar se transferimet që kanë realizuar drejtuesit e skuadrës janë të kënaqshme. Gjithashtu ai shtoi se merkato ende nuk ka përfunduar dhe se do të ketë blerje të tjera të rëndësishme. Në ditët e fundit “The Reds” kanë intensifikuar bisedimet për mbrojtësin e Southampton, Virgil van Dijk dhe të mesfushorit të Leipzig, Naby Keita.
Kurt Zouma transferohet tek Stoke City. Mbrojtësi i skuadrës së Chelsit duke nisur që nga ky sezon do të luajë në radhët e Stoke City. Drejtuesit e dy klubeve kanë gjetur gjuhën e përbashkët në transferimin e 22-vjeçarit në formën e huazimit. Përpara se të realizohet kjo lëvizje, francezi do të firmosë një kontratë me “Blutë e Londrës”, e cila do të skadojë më 2022.
Murinjo shënjestron Aurier
Jose Murinjo shënjestron Serge Aurier. Tekniku i Man.United ka vendosur në qendër të vëmendjes mbrojtësin e krahut të djathtë të PSG. Transferimi mund të kryhet shumë shpejt, pasi drejtuesit e klubit francez e kanë nxjerrë në shitje Aurier, pasi krahu i djathtë është një repart, i cili këtë sezon do të mbulohet nga braziliani Alves.
Leicester City realizon goditjen surprizë. Drejtuesit e Dhelprave kanë arritur akordin me Man. City për transferimin e Iheanacho. Marrëveshja pritet t’i kushtojë Leicesterit plot 30 milionë euro. Në ditët në vazhdim pritet të vijë dhe zyrtarizimi.
Chelsea nuk bën zbritje për Diego Costa. Pavarësisht se sulmuesi nuk është më në planet e teknikut, Antonio Conte, drejtuesit e “Bluve të Londrës” nuk kanë ndërmend ta shesin futbollistin më pak se 50 milionë euro. Deri më tani Diego Costa i ka refuzuar të gjitha ofertat që kanë ardhur për të, përjashtim bën vetëm rasti i Atleticos së Madridit, por tek Los Colchoneros ai mund të transferohet vetëm në janar.
E ardhmja e Javier Hernandez është tek West Ham. Drejtuesit e Hammers kanë deklaruar se kanë gjetur gjuhën e përbashkët me homologët e tyre të Bayern Leverkusen, për transferimin e meksikanit në Angli. Në arkat e klubit gjerman do të shkojnë 15 milionë euro.
Derbi i parë i sezonit është për United
Manchester United fitoi derbin e parë të sezonit me Manchester City dhe pse në një miqësore, me blerjen e Romelo Lukaku që ishte protagonist kryesor teksa shënoi dhe 1 nga dy golat e Djajve të Kuq. Për skuadrën e Murinjos ky ishte suksesi i 3-të në po kaq ndeshje të luajtura në International Champions Cup. Gjithçka u zgjidh që në pjesën e parë nga ana e United me Lukakun që në minutën e 37-të i dha epërsinë të tijve pas një aksioni personal ku dribloi dhe portierin Ederson duke dërguar topin në rrjetë.
2 minuta më pas Djajtë e Kuq dyfishuan shifrat me Markus Rashord që mposhti për herë të dytë portierin brazilian të City-t. Nëse në pjesën e parë Djajtë e Kuq ishin dominues në lojë, në fraksionin e dytë City krijoi shumë më tepër raste, por pa arritur dot të shkurtojë diferencën. Kjo ishte ndeshja e parë për ekipin e Guardiolës në këtë turne, ndërsa Djajtë e Kuq deri tani kanë treguar se janë ekipi më në formë për më tepër dhe blerjet e reja, që duket se kanë qenë të goditura nga ana e trajnerit Murinjo.
Chelsi e City në garë për Mendy
Dy kandidatë nga Anglia për Benjamin Mendy. Mbrojtësi i Monacos falë paraqitjeve të tij përgjatë sezonit në Ligue One, ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha europiane. Në Angli dy janë kandidatët që kërkojnë të transferojnë francezin, Chelsi dhe Manchester City. Citizens janë të parët që kanë bërë hapa konkretë, duke i paraqitur ekipit nga Principata një ofertë, që kap shifrat e 50 milionë eurove, pavarësisht shumës duket se drejtuesit e Monacos nuk janë bindur dhe e kanë refuzuar atë.
Përsa i përket “Bluve të Londrës” tratativat janë vetëm në hapat e para të bisedimeve. Deri më tani të dy klubet kanë arritur t’i rrëmbejnë nga një futbollist Monacos. City Bernardo Silva, ndërsa Chelsi Timoue Bakayoko. Tashmë mbetet për t’u parë se cili prej dy klubeve angleze do të arrijë të realizojë një tjetër goditje në radhët e kampionëve të Francës. Ndërkohë në Francë, PSG duket se është shumë pranë transferimit të sulmuesit të Arsenal, Alexi Sanchez. Kiliani është parë në një hotel në Paris, madje sipas asaj që raportojnë mediat vendase është shumë pranë finalizimit. Transferimi do t’i kushtojë arkave të PSG rreth 63 milionë euro.
Mbyten 2 turistë të huaj në det, 8 viktima në një javë
Dy turistë të huaj që kishin ardhur për të pushuar në vendin tonë u mbytën ditën e djeshme në det. Fillimisht u mbyt një 16-vjeçare në Ksamil të Sarandës. Disa orë pas mbytjes së 16-vjeçares ruse në Ksamil, një tjetër turist i huaj humbi jetën në det, në një plazh në zonën e Kavajës. Burime nga policia janë shprehur se ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:45 në bregun e plazhit të Golemit. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca. Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se ka ndërruar jetë sllovaku Beres S., 66 vjeç. Sipas deklarimeve të bashkëshortes, 66 vjeçari është futur në det për të notuar, por nuk ka mundur të dalë nga uji.
Ndërsa turistja ruse, banuese në Shen Petersburg, u gjet e pajetë në ujërat e Ksamilit ku po pushonte, rreth mesditës. Pas transportimit të trupit të pajetë të 16-vjeçares me iniciale K.R në Morgun e Spitalit të Sarandës, në trupin e saj janë konstatuar dëmtime dhe prerje, në bërryl dhe në shpatullën e majtë.
Dyshohet se adoleshentja ruse është goditur nga ndonjë mjet në ujë. Personi që e gjeti atë në det u shoqërua për t’u pyetur. Po ashtu mësohet se janë shoqëruar edhe drejtuesit e disa skafeve dhe mjeteve të tjera lundruese në zonë.
Një prej dëshmitarëve deklaroi se 16-vjeçarja ruse nuk ra nga shkëmbi, por u godit nga një motor uji që ishte brenda zonës së ndaluar për këto mjete. Sipas të pranishmit, pasi ka çarë vajzën dhe ka parë që në ujë kanë nisur shenjat e gjakut, drejtuesi i motorit të ujit është larguar me shpejtësi, ndërsa një person me një varkë të thjeshtë ka nxjerrë në breg trupin e viktimës. Dëshmitari rrëfen se 16-vjeçarja kishte 20 minuta që nga momenti që e pa ruajtësi i varkave dhe policia është vonuar gati gjysëm ore për të ardhur në vendin e ngjarjes.
“Në tragjedinë që ndodhi në tre ishujt e Ksamilit, vajza është goditur me jetsky brenda kufirit të ishullit dhe personi me motorin e ujit është larguar sapo ka parë njollat e gjakut. Policia po e fsheh faktin që ka qenë një jetsky në ujë. Një person që rri tek varkat që marrim çdo ditë e nxori viktimën nga uji. Ajo ishte e goditur dhe kishte mbi 20 minuta nga momenti që e kishte parë ky. Ai mori në moment policinë dhe ata vonuan gati gjysmë ore, ndërkohë që jetsky u fut brenda kufirit që nuk lejohet dhe që është vetëm për pushuesit që notojnë. Ai që e ka vrarë është zhdukur dhe policia asgjë s’po bën për ta kapur. Theksoj, që nga deti vajzën e ka nxjerrë ky që transportonte njerëz për në ishull me një barkë të vogël. Ajo kishte çarje në trup dhe goditje në kokë”, tregon pushuesi për “JOQ”, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje.
Ai shton më tej se situata në Ksamil është me të vërtetë e frikshme, duke qenë se as 200 metra larg bregut të detit lundrojnë me shpejtësi motorë uji, të cilët rrezikojnë seriozisht jetën e të gjithëve dhe askush nuk bën as një gjë për të ndalur këtë rrëmujë të madhe.
8 pushues të mbytur në një javë
Ky sezon veror ka parë një rezultat tragjik, sa i përket pushuesve që kanë gjetur vdekjen nga mbytja në ujërat e bregdetit shqiptar. Në një javë janë mbytur 8 pushues në det. Vetëm një ditë më parë, një 35-vjeçar gjeti vdekjen, pasi u mbyt në plazhin e Velipojës. Policia njoftoi se është mbytur në det F.H. 35 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë. Nga deklarimet paraprake, është bërë me dije se F.H. ka hyrë në ujë për të shpëtuar bashkëshorten, por ka gjetur vdekjen.
Ngjarja më e rëndë është ajo e së shtunës në Vlorë, ku 4 të rinj u mbytën, mes tyre edhe një djalë 24-vjeçar nga Tetova e Maqedonisë. Njëra prej viktimave, është mbytur në det dhe dy të tjerët kanë shkuar për ta ndihmuar e për pasojë kanë humbur jetën edhe vetë. Pak orë më vonë, policia ka identifikuar tri viktimat. Ata janë Manuela Maraj, 27 vjeçe, banuese në Babicë të Madhe, Vlorë. Xhoana Cani, 25 vjeçe, banuese në Tiranë dhe Beniamin Ferati, 24 vjeç, banues në Tetovë, Maqedoni.
Të premten e kaluar u mbyt një 62-vjeçar nga Kosova në plazhin e Durrësit. Ngjarja ndodhi rreth mesditës në sektorin ‘Apolonia’. Shtetasi Rr.R., banues në Kosovë, kishte ardhur për pushime në Durrës, por është mbytur në rrethana ende të panjohura.
Që prej fillimit të sezonit veror, më shumë se 20 persona kanë humbur jetën në det. Në disa raste kanë qenë pushuesit që kanë ndihmuar të gjendurit në vështirësi, për shkak se kullat e vrojtimit mungojnë në çdo plazh të Shqipërisë. Mungesa e rojeve të plazhit dhe ndihmës së parë është kthyer vdekjeprurëse për shumë pushues. Vazhdimisht është ngritur shqetësimi nga qytetarët se mungojnë rojet e plazhit që do ta bënin bregdetin më të sigurtë dhe më me pak incidente.
R.POLISI
Pollo: Rrezikojmë rikthimin e vizave brenda 3 muajve
Deputeti i PD, Genc Pollo ka reaguar lidhur me alarmin e dhënë nga Franca për rritjen e numrit të emigrantëve shqiptarë. Në një postim në rrjetin social Facebook, Pollo shkruan se, e vërteta e vizitës së Bushatit në Francë është për faktin se francezët po mendojnë të rikthejnë vizat për shqiptarët për shkak të emigrantëve.
“Bushati sefte në Paris me qeveritarët e Presidentit Macron. Jo për investimet e tregtinë, as për integrimin në BE e as për ndonjë bashkëpunim tjetër dypalësh. Por për të ndaluar me plan masash kurbetin e shqiptarëve, që tashti po kap kulmin e po lë pas Afrikën e Lindjen e Mesme. Si me rilindistët 1 ashtu dhe me ata 2.0. Shqipëria që deshëm? Francezët thonë se do të vijnë pas tre muajsh në Tiranë për të kontrolluar zbatimin. Përmendet mundësia e rivendosjes së vizave Schengen. Shqipëria që deshëm?”, shkruan Pollo në reagimin e tij në Facebook.