14.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

A po vijnë kohë të vështira për evazorët?

SELAMI XHEPA

Nga rreth 600 milionë euro që pritet të arkëtohen më shumë në buxhetin e shtetit në tri vitet e ardhshme, më pak se 90 milionë euro do të jenë si pasojë e ndryshimeve të normave tatimore. E gjithë pjesa tjetër, më shumë se 500 milionë euro, do të arkëtohen nga lufta ndaj evazionit të paligjshëm dhe shmangieve tatimore, që janë mundësuar nga praktikat përjashtuese të legjislacionit fiskal.

Duke lexuar Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, 2024-2027, evidentohen disa risi të rëndësishme, që pritet të ndodhin në politikat fiskale në tri vitet e ardhshme.

Së pari, vetë hartimi i një strategjie të tillë është me rëndësi për arsye informimi të agjentëve ekonomikë, të investitorëve vendës dhe të huaj, mbi drejtimet e pritshme të reformave fiskale. Kjo ka rëndësi pasi adreson problemin e përhershëm të paparashikueshmërisë së ndryshimeve të politikave nga ana e biznesit, duke ndikuar negativisht në klimën e biznesit. Hartimi i një dokumenti të tillë jep një informacion shumë të dobishëm për të rritur parashikueshmërinë e politikave të ardhshme dhe përfshirjen e tyre në planet e ardhshme të biznesit.

Së dyti, dokumenti ofron një perspektivë deri diku afatgjatë se si do të arrihet konsolidimi fiskal i vendit. Në kushtet e nevojave shumë të mëdha të ekonomisë për politika aktive publike, si për të mbështetur investimet publike në infrastrukturë, arsim e shëndetësi, për përmirësimin e politikave të mirëqenies përmes rritjes së pagave dhe pensioneve dhe programeve të tjera të mirëqenies, kërkojnë burime financiare shtesë, të cilat sigurohen përmes sistemit të taksave dhe tatimeve. Strategjia vendos si objektiv që konsolidimi fiskal të realizohet përmes rritjes së të ardhurave me 2.5% të PBB-së, duke vendosur si objektiv strategjik që të ardhurat e buxhetit të shtetit deri në vitin 2023 të arrijë në 30-31% të PBB-së. Pas zbatimit të kësaj strategjie, pritet që të ardhurat tatimore të arrijnë në 27.7% të PBBsë, një shifër që mbetet sërish mjaft më e ulët edhe se vendet e rajonit. (Totali të ardhurave buxhetore arrin në mbi 50% të PBB-së për vendet anëtare të BE-së, mbi 40% të PBB-së në Serbi dhe 30.6% për Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të FMN në faqen e saj zyrtare). Arritja e shifrës së totalit të të ardhurave në 30% të PBB-së mendoj se do të shënojë një moment me rëndësi për financat publike të vendit. Atëherë duhet të nisim një diskutim se sa të madh e duam shtetin tonë: do të duam një shtet të madh si në Europë, me një rol shumë aktiv ekonomik dhe social, apo një shtet të vogël të ngjashëm me modelin amerikan. Por, ky debat do të zhvillohet në një kohë tjetër: tani prioritet themelor është rritja e të ardhurave të buxhetit për të arritur te ky objektiv, i cili do të mundësojë politika publike më aktive ekonomike dhe sociale. Ky konsolidim fiskal duket se është synuar të arrihet në mënyrë shumë graduale: brenda gjashtë viteve të ardhshme pritet të arrihet në nivelin ku është sot Maqedonia e Veriut. Kjo do të thotë se është synuar të balancohen interesat midis ruajtjes së klimës së biznesit duke mos ndërmarrë masa të forta agresive të menjëhershme dhe rritjes graduale të të ardhurave buxhetore.

Së treti, dokumenti ofron një meny të detajuar veprimesh që pritet të realizohen në fushën e përmirësimit të politikave fiskale dhe në sistemin e administrimit tatimor dhe të administratës doganore.

Humbjet e të ardhurave buxhetore për shkak të trajtimeve preferenciale tatimore dhe përjashtimeve që ofrohen për sektor apo kategori të caktuara të aktorëve ekonomikë, vlerësohet se i kushtojnë buxhetit mbi 1 miliard euro në vit! Këto shuma të mëdha parash të munguara nuk është se shkojnë në xhepat e grupeve sociale me të ardhura të ulëta apo shtresës së mesme shoqërore. Edhe të ardhurat shtesë që mund të marrin sot ata me të ardhura të ulëta, duket se shkojnë në përmirësimin e të ardhurave sot, por do të dëmtohen seriozisht në moshën e pleqërisë kur pensionet e tyre të jenë sa pensionet minimale. Thjesht nëndeklarimi sot e shtyn në kohë efektin e vet negativ mbi të ardhurat e ardhshme të individit.

Eliminimi i përjashtimeve tatimore, qoftë nga TVSH, akcizat apo tatimet direkte mbi të ardhurat dhe pasurinë, vendosin parimin e drejtësisë tatimore. Për të ardhura të barabarta, normë e njëjtë tatimore, pavarësisht sektorit ku punon apo punës që kryen. Akcizë zero për pronarët e jahteve dhe akcizë e lartë për fermerët dhe peshkatarët, janë të papranueshme në një shoqëri demokratike. Biznesi i vogël me zero taksë është gjithashtu i papranueshëm. Një sistem i thjeshtuar tatimi që parashikohet të zëvendësojë sistemin aktual përjashtimor që do të vazhdojë deri në vitin 2029, duhet të mbetet i qëndrueshëm dhe të mos jetë më një karamele elektorale, e cila dëmton interesat e shoqërisë.

Politikat e nxitjes së investimeve në vend përmes stimujve fiskalë janë provuar gjerësisht nga kërkimet dhe studimet e shumta në këtë fushë, se janë joefikase; madje janë kundërproduktive pasi krijojnë premisa për shmangie tatimore. Duhet të kalohet nga përdorimi i këtyre stimujve, te mbështetjet e drejtpërdrejta për uljen e kostove të prodhimit dhe rritjen e konkurrueshmërisë. Mosdeklarimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe nënraportimi i pagave për efekte të pagimit të kontributeve janë shkaktarët kryesorë të niveleve mjerane të pensioneve të pleqërisë. Akumulimi i pasurive personale duke shmangur pagimin e detyrimeve tatimore përmes kalimit të këtyre shpenzimeve te firmat kanë dëmtuar jo vetëm financat publike, por kanë thelluar ndjeshëm pabarazitë sociale në pasuri. Ose edhe investimet masive që janë kryer në blerjen e pasurive të paluajtshme, shpeshherë duke pastruar paratë e korrupsionit dhe mospagimi i tatimeve mbi këto pasuri janë një realitet gjithashtu i patolerueshëm. Masat e strategjisë duken shpresëdhënëse se këto praktika do të vihen nën një kontroll më të rreptë nga administrata. Duke filluar nga krijimi i regjistrit të aseteve të personave të pasur, krijimi kadastrës tatimore dhe masat me karakter administrativ për krijimin e sistemeve informative dhe vlerësimit të riskut do të mundësojnë krijimin e një klime mbytëse për evazorët dhe klime të shëndetshme për biznes të ndershëm dhe pasurim përmes punës.

Kështu e shkruar (besoj nga specialistët e FMN-së) kjo strategji tingëllon optimiste. Por, si përherë, problemi serioz në Shqipëri qëndron te zbatimi i saj në praktikë, tek diskrecioni i administratës tatimore, zbatimi selektiv i politikave, frika e administratës për të trokitur në zyrat e “të fortëve”, zotëruesve të monopoleve dhe të pasurive të vendit. Problemi i dytë mbetet zvarritja në kohë e reformave. Në veçanti tatimi mbi pronën përmes krijimit të kadastrës tatimore vazhdon prej kohësh dhe nuk po finalizohet. Edhe në strategji, shumë ndryshime pritet të ndodhin pas vitit 2026, duke dëshmuar qartë se procesi politik elektoral i vitit të ardhshëm do t’i shtyjë reformat edhe për dy vite. Reformat “stop and go”, zvarritja e tyre në kohë, herë për arsye të axhendës politike e herë të kapjes nga grupet e interesave e kanë mbajtur peng progresin e vendit. Do të ishte e udhës që në procesin e vlerësimit dhe monitorimit të progresit në zbatimin e kësaj strategjie të përfshihen edhe aktorë shoqërorë përtej zyrtarëve publikë, në mënyrë që të ketë një kontroll të publikut mbi zbatimin e këtij dokumenti, që ka rëndësi të veçantë për financat publike të vendit.

Profesor në UET

“Rama tallet me betakshinjtë shqiptarë”, Basha: Është një UFO jashtë realiteti, nuk ka lidhje me hallet dhe dëshirat e shqiptarëve

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në intervistën për Euronews foli për projektin e kryeministrit për shtetin e bektashi që sipas tij është një tallje që po bëhet me bektashinjtë.

Basha tha se bektashinjtë shqiptarë kanë derdhur gjakë për flamurin kuq e zi dhe kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rilindjen kombëtare dhe në pavarësimin e Shqipërisë dhe nuk kanë nevojë për shtet tjetër.

Ai më tej tha se Rama përdor këtë tallje për të hequr vëmendjen nga problemet kryesore që kanë shqiptarët.

Pjesë nga intervista e Bashës:

Edi Rama tallet me bektashinjtë. Edi Rama është kryeministër i shqiptarëve, nuk është Kryegjyshi. Si kreministër i shqiptarëve nuk është aty për t’u marrë me kryegjyshatën, por për të zgjidhur problemet e vendit. Tregon që ky sillet si një ufo, është jashtë realitetit, nuk ka asnjë lidhje me hallet e shqiptarëve, me problemet e shqiptarëve, me shqetësimet e shqiptarëve, me dëshirat e shqiptarëve dhe të fëmijëve të tyre. Nuk ka asnjë lidhje dhe tallet botërisht me bektashinjtë në radhë të parë. Tallet me bektashinjtë sepse bektashinjtë shqiptarë kanë derdhur gjakë për flamurin kuq e zi. Kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rilindjen kombëtare dhe në pavarësimin e Shqipërisë.
Kur bektashinjtë vet kanë luftuar për Shqipërinë dhe për shtetin e Shqipërisë, del ky tani dhe thotë do bëjmë shtetin e bektashinjve. Është një tallje në radhë të parë që tregon se sa i shkëputur është Edi Rama, se si është izoluar tërrësisht nga shqiptarët dhe problemet e tyre. Edi Rama është një nga arsyet pse shoqëria shqiptare lëngon. Është si një pacient që lëngon, është arsyeja kryesore që përmes korrupsionit qeveritar, përmes praktikave të lidhura me krimin e organizuar të cilat janë të denoncuara nga raportet ndërkombëtare dhe përmes zhbërjes së shtetit në shërbim të qytetarëve, e ka raskapitur shoqërinë shqiptare e cila sot përballet me problem të paimagjinueshme. Jemi vendi me të ardhurat më të ulëta në Europë dhe kemi naftën e 7 më të shtrenjtë në botë. Në vend që të flasim për këtë, shkojmë pas marrëzive të tij për shtetin e bektashinjve. Jemi numri 1 në botë azil kërkues, shqiptarët janë numër 1 për azil kërkues, në vend që të kërkojë ndjesë, të bëj mënjanë dhe të lejojë kurimin e këtij pacienti të shtrirë që është shoqëria shqiptare, thotë prit se po të bëj dhe një tatuazh. Se do të ta shërojë tatuazhi pasi të kam thyer çdo eshtër, do të bëj dhe një tatuazh.

FOTO/ Sulmohet me armë zjarri zyra elektorale e Kamala Harris, reagon menaxheri i fushatës! Si ndodhi ngjarja në Arizona

Zyra e fushatës së Zëvendës Presidentes së SHBA Kamala Harris në Arizona është sulmuar me armë zjarri.

 

Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të natës, ndërsa policia thotë se për fat të mirë nuk ka persona të lënduar.

Sean McEnerney, menaxher i fushatës së Partisë Demokratike të Arizonës, tha: “Ne i jemi mirënjohës policisë që erdhi shpejt në vendngjarje dhe jemi me fat që askush nuk ishte i pranishëm apo i lënduar.”

Siç duket edhe në këto foto, në xhamat e godinës ku është e vendosura zyra elektorale e Kamala Harris shihen shenjat e plumbave, raportojnë mediat amerikane.

Ky incident vjen pak më shumë se një javë pasi u bë një tentativë e dytë për të vrarë ish-presidentin Donald Trump.

Ndërtimet në kryeqytet, Musaj: Problem, planifikimi urban. Gjurma më e madhe historike e Tiranës është zhdukur

Urbanistja Doriana Musaj tha në studion e MCN Informacion se problemi tek ndërtimet në Tiranë qëndron tek planifikimi urban.

Sipas Musajt, gjurma më e madhe historike e Tiranës është zhdukur.

“Problemi është planifikimi urban. Instrumenti i planifikimit mund të na japë zgjidhje për problemet.

Kemi punuar shumë me strategji, vazhdimisht dëgjojë për këtë gjë, por kemi çeduar në planifikim.

Gjurma më e madhe historike e Tiranës është zhdukur, në rast se nuk është zhdukur është manipuluar do të thoja unë. Kemi disa prej objekteve që kanë qenë emblematike dhe kanë qenë pjesë e kartolinave të Tiranës, që sot janë sfumuar. Janë shkatërruar si imazhe duke u nisur dhe nga xhamia e Et’hem Beut. Edhe pse qëndron në këmbë, në fakt nuk është sepse i është prishur i gjithë ansambli. Objekti nuk e ka identitetin e vet siç e kishte.”

“Uji kaloi rreth 1 metër sipër asfaltit”- Efektivi i FNSH-së u gjet i pajetë në kanal, banorët: Po udhëtonte me motor kur… Koha ishte e keqe, por tek ne s’është problem shiu! Shteti të ndërhyjë

Efektivi i FNSH-së, Nikol Lekndreaj, ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të sotëm, pasi pësoi një aksident me motor si pasojë e motit të keq.

Ai po udhëtonte me motor për në banesë rreth orës 02:00 në fshatin Bardhaj, kur humbi drejtimin e mjetit dhe ra në kanal.

Sipas policisë, efektivin e mori rrjedha e ujit dhe për pasojë ka humbur jetën. Trupi i tij u gjet pas disa orësh kërkime në gjatë kontrollit të kanalit që të çon në lumin Kir.

Por, banorët shprehet se në momentin kur ka ndodhur aksidenti, niveli i ujit ka qenë rreth 1 metër mbi asfalt. Ata thanë për mediat se “problemi nuk është shiu, por kanalet”, duke shtuar se janë lënë të papastruara dhe për pasojë shkaktohen përmbytje.

“Koha ka qenë shumë e keqe, por tek ne nuk është problemi i shiut, por kanalet. Janë të papastruara, është problem i shtetit. Niveli i ujit ka qenë 70 cm, halli i këtij që është mbytur në ujë.

Nuk e di si ka rënë, e njihnim, ishte person shumë i mirë. Ne s’kemi as bashki, as kërkënd, nuk i bie kujt mendja. Vetëm të marrin lekë për vete”, tha një banor.

Ndërsa një tjetër u shpreh: “Uji ka kaluar rreth 1 metër sipër asfaltit. Polici ka qenë duke ardhur me motor, ka rënë në kanal dhe ka vdekur. Rrugën e kanë lënë të papastruar.”

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 02:50, në fshatin Bardhaj, shtetasi N. L., 51 vjeç, (punonjës policie i Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, i cili ishte jashtë orarit të shërbimit), duke drejtuar motomjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit, si pasojë e motit të keq, dhe për pasojë motomjeti ka dalë nga rruga, duke rënë në një kanal me ujë.

Shtetasin N. L. e ka marrë rrjedha e ujit dhe për pasojë ka humbur jetën.

Shërbimet e Policisë, përgjatë orëve të mëngjesit, gjatë kontrollit të kanalit që të çon në lumin Kir, kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të 51-vjeçarit.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti.

Shteti i ri, Gupi: Rama po përgatit veten të bëhet kryegjysh i bektashinjve në të gjithë botën

Pedagogu Marsid Gupi tha në studion e Zonë e Lirë në MCN Tv se ideja për krijimin e shtetit të ri bektashi mund të jetë një ambicie e Ramës që të jetë kryegjysh i bektashinjve në të gjithë botën.

Sipas Gupit, mund të jetë edhe një ide për të qenë sa më afër Perëndimit.

” Unë besoj se është lojë e vetë Ramës.

Rama ka vendosur që kostumi i kryeministrit po i rri i ngushtë dhe është kënaqur me të. Po i hedh sytë nga qefini i bardhë i Baba Mondit.

Kur filloi Rama të lërë mjekrën, u duk sikur po e bënte për shkak të një ngjashmërie me Ismail Qemalin. Unë mendoj se po përgatit veten për të qenë një “baba”. Dhe ku më mirë se pensioni i vet politik, përveç se për të qenë kryeministër mund të jetë që të bëhet një kryegjysh i të gjithë bektashinjve në të gjithë botën.

Ose luan për veten, e dyta është që po mundohet të ofrojë një frymë tjetër religjioze, jo të islamit tradicional, por të islamit liberal.

Rama në këtë situatë që është bota mundohet të ripozicionojë veten jo në islamin tradicional, por në një islam më të butë. Është ide për të qenë sa më afër Perëndimit kolektiv, mund të ketë lidhje me zaptimet e deep state-it izraelit.”

Dosja gjigande me 500 faqe/ Mbyllen hetimet për Berishën, avokatët paraqiten në SPAK për të tërhequr aktet

Avokatja Klodiana Gjyzari u paraqit në orën 10.00 në Prokurorinë e Posaçme, për të firmosur mbylljen e hetimeve të dosjes “Partizani”, për financieren Andia Pustina.

E njëjtë avokate mbron edhe ish kryeministrin Sali Berisha dhe pritet të vijë sërish në SPAK në orën 12.00 për të firmosur edhe për të si dhe për të tërhequr të gjitha aketet hetimore.

Ndërsa në orën 09.00 në dyert e SPAK mbërriti edhe mbrojtësi ligjor i Xhimi Begeja, po për të kryer të njëjtën procedurë.

Prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai kanë thirrur në orën 14.00 Jamarbër Malltezin, që po ashtu do njihet me përfundimin e hetimeve.

Prokuroria e Posaçme të hënën mbylli hetimet për privatizimin e ish klubit sportiv “Partizani”, ndërsa thirri të pandehurit të vinin në SPAK për të firmosur përfundimin e dosjes.

Më herët, struktura e posaçme i komunikoi akuzën pesë të pandehurve, Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Andia Pustina dhe Xhimi Begeja.

 

14 gjyqtarë të Gjykatës së Posaçme ndodhen në SHBA, ambasada: Trajnime dhe takime të rëndësishme!

Shtatë gjyqtarë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe 7 të Apelit po zhvillojnë një vizitë në Shtetet e Bashkuara për të shkëmbyer përvoja me homologët amerikanë mbi çështje të pavarësisë dhe integritetit gjyqësor.

Udhëtimi, i organizuar nga Zyra Tejoqeanike për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT) dhe financuar nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit (INL) , synon forcimin e mëtejshëm të sistemit gjyqësor shqiptar.

Postimi i plotë:

Këtë javë, shtatë gjyqtarë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe shtatë nga Gjykata e Posaçme e Apelit po vizitojnë Shtetet e Bashkuara në një udhëtim të udhëhequr nga Zyra Tejoqeanike për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT) dhe financuar nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit (INL) për të shkëmbyer ide me gjyqtarë dhe prokurorë mbi tema kyçe, përfshirë pavarësinë, integritetin dhe efikasitetin gjyqësor. Delegacioni filloi vizitën në Denver, Kolorado të hënën, ku u takua me dymbëdhjetë gjyqtarë amerikanë të themelit dhe të apelit dhe vëzhguan procedurat gjyqësore.

Gjyqtarët amerikanë shprehën admirimin dhe mbështetjen e tyre për punën jetike të gjyqtarëve të Gjykatës Speciale, duke theksuar rëndësinë e vendosjes së çështjeve në mënyrë të pavarur, pa ndikim të jashtëm dhe këmbëngulje pavarësisht kritikave dhe kërcënimeve. Kjo vizitë vjen pas udhëtimit në korrik në Shqipëri të tre të ftuarve të rëndësishëm amerikanë:

Kryetari i Gjykatës së Rrethit Robert J. Shelby, gjyqtarja e Gjykatës Supreme të Utah, Paige Petersen dhe Prokurorja e SHBA Trina Higgins. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme dhe për t’i nxitur ata të vendosin në mënyrë të pavarur, bazuar vetëm në ligj dhe fakte.

14 gjyqtarë të Gjykatës së Posaçme ndodhen në

 

Shtetet nuk ndërtohen me një intervistë në ‘New York Times’

Nga Ervis Iljazaj

Ideja e një shteti fetar bektashi të pavarur brenda Shqipërisë të tipit “Vatikan”, ishte aq befasuese , aq edhe si një rrufe në qiell të hapur, po aq ide edhe e ‘’çmendur’’, sa që i ka përfshirë të gjithë në debat, të madh e të vogël, besimtar apo ateist. Këtë ide e ka hedhur Kryeministri Rama në një intervistë dhënë për New York Times.

Ndoshta qëllimi ishte pikërisht ky. Fakti që po debatohet kaq shumë, dhe do të ndodhë edhe në ditët në vijim, intervista ja ka arritull qëllimit. Edhe për faktin se kjo ide është hedhur pikërisht në një nga gazetat më presitigjoze dhe me më ndikim të botës, është një çështje që duhet diskutuar. Përderisa New York Times e ka marrë seriozisht, përse mos ta marrim edhe ne, të prekurit direkt nga kjo ide.

Ajo që më ka bërë përshtypje në këtë ide nuk është diskutimi nëse është mirë ose jo të ndërtohet një shtet i tillë. Sigurisht kjo ide mund të ketë avantazhet dhe disavantazhet e veta. Ajo që bën më shumë, është fakti se si mund të hidhet një ide e tillë për herë të parë në një intervistë gazetareske., qoftë kur bëhet fjalë për një shtet shpirtëror por që gjithesesi do të ketë sovranitet. A thua se ndërtimi i një shteti, sado i vogël qoftë, i çfarëdo lloji qoftë, është thjesht një çështje interviste dhe kaq.

Pa e ditur askush më parë, pa u diskutuar dhe pa u bërë e ditur për opinionin publik, me dy rreshta intervistë hidhet ideja e një shteti, a thua se ato ndërtohen në laborator.

Ndërtimi i një shteti, edhe ai i atyre me pak hektarë tokë, ka ardhur si pasojë e një konteksti historik, kulturor apo diplomatik. Nuk ka ardhur si një ide iluminuese i një njeriu.
Për shembull Vatikani, që ju referua Kryeminstri në intervistën e tij, nuk u krijua si shenjë e tolerancës fetare, apo si mëshirë. U krijua sepse Shteti Papal i Romës ka ekzistuar prej shekujsh me në krye Papën, i cili shtrihej deri në Bolonja. Kur u bë bashkimi i Italisë lindi një problematikë, ajo që quhet çështja romane. Çdo të bëhej me pushtetin e Papës, me pronat dhe autoritetin e tij. Në vitin 1929 Musolini bëri një marrëveshje me Papën dhe krijoi shtetin e pavararur të Vatikanit, duke e lënë thjesht si një shtet shpirtëror pasi Papa e kishte humbur pushtetin politik në Romë. Dhe si kompensimi për humbjen e pushtetit të tij i dha një dëmshpërblim financiar të madh.

Vatikani ka qenë një shtet me në krye Papën me ushtrinë e tij, me ligjet e tij dhe me të gjitha strukturat e një shteti modern. Nuk u ngrit Musolini një ditë të bukur dhe tha se do të ndërtojmë një shtet brenda shtetit. Po kështu është dhe historia e shumë minishteteve që ekzistojnë në Europë. Ato kanë një arsye historike, një kontekst të të caktuar politik dhe diplomatik në shumë raste.

Nuk dua të paragjykoj idenë e një shteti të tillë, aq më tepër kur vetë jam i fesë bektashiane. Por kjo nuk është mënyra se si ndërtohet një shtet sovran. Është një çmenduri të mendosh që me një të rënë të lapsit mund të bësh ç’të duash kur bëhet fjalë për çështje kushtetutese, kulturore dhe fetare që i përkasin një populli./ Liberale.al

Media gjermane: Shteti bektashi, një pikturë abstrakte e piktorit amator Edi Rama!

Nga Markus Schönherr

Kostum, kravatë shumëngjyrëshe, atlete: Kjo nuk është një veshje e pazakontë për kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, madje u pa edhe javën e kaluar, kur presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen ftoi krerët e shteteve dhe qeverive nga Ballkani Perëndimor në një drekë pune në Bruksel.

Rama, një piktor amator dhe ish-basketbollist profesionist, i pëlqen gjërat jokonvencionale. Por projekti i tij i fundit mund të errësojë të gjitha ekscentricitetet e tij të mëparshme: ai dëshiron të krijojë një mini-shtet mysliman në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

Mini-shteti i planifikuar do të marrë si model Vatikanin. Këtë e ka bërë të ditur tashmë Rama dhe kreu i urdhrit bektashi, Baba Mondi. Bektashinjtë janë një nga rendet më me ndikim të sufinjve në Ballkan, që përfaqësojnë një islam shpirtëror dhe mjaft tolerant. Prandaj, shteti i ri dëshiron të heqë dorë nga ndalimi i alkoolit ose kërkesa që gratë të mbajnë shami. Duhet ta ruajmë këtë thesar të tolerancës fetare dhe të mos e marrim kurrë si të mirëqenë”, tha Rama. “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi” do të formojë një “enklavë sovrane” në Tiranë. Ka informacione të ndryshme për zonën që mund të mbulojë nga 14 deri në 38 fusha futbolli.

Projektet si “strategji e zgjuar e komunikimit”

“Bektashinjtë shqiptarë janë sigurisht të kënaqur”, thotë Christiane Jaenicke, autore dhe eksperte e Shqipërisë. “Baba Mondi theksoi në intervistat fillestare se nisma do të “paralajmëronte një epokë të re të tolerancës fetare globale dhe promovimit të paqes”, tha ajo.

Por vëzhguesit janë skeptikë; për shembull politologu, Ardian Hackaj në Tiranë. Ai njeh një “strategji të zgjuar komunikimi” në një botë lufte dhe konflikti. Këtu po forcohet imazhi i Shqipërisë si një vend tolerant fetar,” tha Hackaj. Në fakt, ai beson se një “Vatikan bektashi” nuk ka gjasa në të ardhmen e afërt – “veçanërisht nëse marrim parasysh qeverisjen institucionale të Vatikanit, protokollet, njohjen ndërkombëtare dhe ndikimin diplomatik, apo fuqinë e tij financiare.”

Shqipëria dhe feja – kjo është një temë më vete. Në vitin 1967, diktatori i atëhershëm Enver Hoxha e shpalli vendin e tij shtetin e parë ateist në botë. Priftërinjtë u pushkatuan. Kushdo që festonte Krishtlindjet përfundonte në një kamp internimi. A duhet të jetë teokracia e re një dëmshpërblim? Politologu Hackaj thotë: “Do të ishte rasti i parë i njohur në të cilin politikanët ballkanikë korrigjohen”.

Vatikani shqiptar duket shumë më tepër si një nga pikturat shumëngjyrëshe abstrakte që artisti amator Rama ka pikturuar në muret e zyrës së tij. “Rama është i njohur për përpjekjet e tij solo,” thotë eksperti i shtetit Jaenicke. Këtë e dëshmon edhe marrëveshja e diskutueshme e emigrantëve, në të cilën Shqipëria kërkon të marrë emigrantët nga Italia nga muaji i ardhshëm. Opozita dhe shumë shqiptarë janë të mërzitur nga përpjekjet solo të Ramës.

“Popullit i është mjaftuar kjo qeveri”, deklaroi në shkurt politikani i opozitës, Edi Paloka. Partia e tij Demokratike Shqiptare akuzon Ramën se ka ngritur një “diktaturë”. Një tregues i qartë është arresti shtëpiak që gjykata i vendosi ish-kryeministrit Sali Berisha për akuzën e korrupsionit. Këtë vit pati protesta masive kundër Ramës.

Politologu Hackaj me siguri mund të shohë diçka në idenë e një Vatikani shqiptar – për shembull, nëse “Forumi për Tolerancën Fetare” kontribuon në zgjidhjen e konflikteve në rajon dhe në botë. Autori Jaenicke thotë: “Bektashinjtë janë vërtet të njohur në Shqipëri për tolerancën e tyre fetare dhe kanë një reputacion shumë të mirë dhe një histori të gjatë”.

Fari i tolerancës mund të dështojë. Sipas Jaenicke, projekti u prit me “habi, skepticizëm dhe refuzim” mes shqiptarëve. Opozita dhe përfaqësuesit e krishterë dyshojnë për shkelje të kushtetutës së Shqipërisë. Dhe sipas raportimeve të mediave, udhëheqja myslimane refuzon gjithashtu një shtet për pakicën bektashiane, e cila përbën dy për qind të popullsisë. Në një kohë kur nuk ka konflikt fetar në vend dhe tashmë ka dialog, teokracia e re mund të krijojë një “precedent të rrezikshëm”. /Përshtatur nga “Domradio.de”