22.5 C
Tirana
E hënë, 21 Korrik, 2025

Si zhvaten shqiptarët, biletat ajrore 5 herë më shumë se në Gjermani

Shqipëria është vendi i 13-të në botë me çmimet më të lartë për biletat ajrore. Të dhënat janë bërë publike nga Flight Price Index, siti më prestigjioz në botë që krahason kostot e fluturimeve ajrore. Sipas të dhënave, në Shqipëri çmimi i biletave të avionëve është 36.7 dollarë amerikanë për 100 kilometër, një nga shifrat më të larta në botë duke lënë pas edhe ekonomitë më të zhvilluara në botë. Për krahasim, në Gjermani ku të ardhurat për frymë janë disa herë më të larta se sa në Shqipëri çmimi i biletave është 7 dollarë për 100 kilometra ose 5 herë më pak, ndërsa në Itali dhe Francë ato janë respektivisht 4 dhe 6.5 dollarë për 100 kilometra. Në të gjitha vendet e tjera të rajonit, përveç Serbisë të udhëtosh me avion kushton deri në 15 herë më pak se sa në Shqipëri. Sipas të dhënave të Flight Price Index, qytetarët rumunë paguajnë vetëm 3 dollarë për 100 kilometra, ndërsa në Bullgari çmimi mesatar i biletave të avionëve është 3.18 dollarë për 100 kilometra.

Monopolet që grabisin shqiptarët

Mjafton një klikim i thjeshtë në internet për të parë skandalin e çmimeve të larta, që paguajnë shqiptarët, të cilët udhëtojnë me avion nga Tirana drejt vendeve të tjera. Por pse qytetarët paguajnë më shtrenjt kur udhëtojnë nga aeroporti “Nënë Tereza”? Një nga arsyet është numri i paktë i kompanive ajrore që fluturojnë drejt Shqipërisë. Të dhënat tregojnë se numri i kompanive ajrore që bëjnë fluturime të rregullta në aeroportin e Tiranës është më i ulët edhe se sa ai i atyre që operojnë në Kosovë, e cila ka një popullsi më të vogël. Por veç kësaj, ajo bën që çmimi i biletave në Shqipëri të jetë ndër më të lartët në Europë janë edhe taksat e larta. Për një biletë vetëm vajtje, një qytetar që udhëton nga Tirana paguan 26.5 euro taksa, nga 12 euro që paguan një udhëtarë nga Korfuzi. Por nuk mbaron këtu. Çmimit të kripur të biletave, përveç taksave i shtohet edhe çmimi i lartë i karburantit për avionet për shkak të ekzistencës së një operatori të vetëm aktualisht në Tirana International Airport. Çmimi mesatar i një litër nafte në aeroportin “Nënë Tereza” rezulton të jetë 25% më i lartë se në Paris. Shërbimet e shtrenjta aeroportuale monopol të aeroportit të Tiranës për shkak të koncesionarit të vetëm gjerman, bëjnë që tregu shqiptar të mos jetë aspak tërheqës për kompanitë low cost dhe charter. Për këtë arsye, përqendrimi i kompanive të fluturimit në pak duar, bën që çmimet në Shqipëri të jenë ndër më të lartat në rajon, Evropë dhe më gjerë.

Financimi i partive politike edhe nga adresat e dyshimta

Mungesa e transparencës financiare të subjekteve politike ka ngritur dilema të mëdha te përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë, lidhur me mënyrën e financimit, përfshirë edhe fushatat zgjedhore. Fushata zgjedhore në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit. Ata thonë se partitë politike bëjnë shpenzime shumë më të mëdha financiare, krahasuar me mjetet që atyre u ndahen nga buxheti i Kosovës çdo vit. Në vit, partive politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës nga buxheti i Kosovës, u ndahen më shumë se 4 milionë euro. Kjo shumë atyre u ndahet më pas mbi bazën e përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat. Petrit Zogaj, analist dhe drejtor ekzekutiv i organizatës “Fol”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në vazhdimësi ka pasur mungesë të shpjegimit nga ana e partive politike për burimet e financimit. “Nuk besoj që mjetet financiare të buxhetit të Kosovës që ndahen për partitë politike janë ato që partitë politike shpenzojnë dhe të njëjtat janë të mjaftueshme për to. Partitë politike në vazhdimësi kanë hezitim të bëjnë auditime për shpenzimet e tyre”. “Problemi më i madh i financimit të partive politike është gjatë kalendarit zgjedhor, ku çdo herë ka pasur probleme me transparencën e këtyre financave që partitë politike kanë dhe mungesën e shpjegimit të burimeve nga vijnë”, thekson Zogaj. Mungesa e llogaridhënies nga partitë politike rreth financimit të tyre, kryesisht të fushatave zgjedhore, sipas Zogajt, “ka të bëjë me atë se brenda këtyre financave të panjohura të partive politike ka diçka të dyshimtë”. “Arsyeja pse partitë politike nuk janë transparente është se ka diçka për të fshehur para publikut, ka diçka të jashtëligjshme brenda subjektit apo ka diçka që organet e pavarura mund të iniciojnë procedura hetimore”. “Pra, ka të bëjë me mjete që janë të dyshimta, me mjetet që mund të jenë të krimit të organizuar, mjete që mundohen të hyjnë në sistemin financiar të jashtëligjshëm. Ky është problemi pse një subjekt politik nuk dëshiron të jetë transparent”, thekson Zogaj. Financimi transparent i partive politike ka qenë në vazhdimësi kërkesë edhe e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër raportet e progresit që publikon Komisioni Evropian. Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje për të kontaktuar përfaqësuesit e partive kryesore politike në Kosovë mbi këtë çështje, por nuk ka arritur të marrë përgjigje. Megjithatë, ato kanë nënshkruar të hënën, me nismën e Institutit Demokraci për Zhvillim, deklaratën për rritje të transparencës dhe llogaridhënies financiare gjatë fushatës zgjedhore. Me nënshkrimin e kësaj deklarate, partitë politike zotohen se “do t’i bëjnë publike raportet e tyre financiare me kohë ashtu siç parashihet me Ligjin mbi Financimin e Partive Politike”. Drejtori ekzekutiv i Institutit për Demokraci për Zhvillim, Shpend Emini, ka thënë se mungesa e auditimit të financave të partive politike është e dëmshme për proceset demokratike në Kosovë. “Ne si shoqëri civile kemi kritikuar vonesat që bëhen në proceset e auditimit të financave të partive politike. Kryerja e auditimit kontrollit dhe zbardhja e fondeve të financimit të partive politike do të ishte një hap i madh drejt transparencës dhe llogaridhënies të partive politike”, thekson Emini. Në bazë të ligjit për financimin e subjekteve politike, partitë janë të obliguara që të publikojnë për çdo vit raportin vjetor financiar, që tregon të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partisë. Raportet financiare të partive politike pas dorëzimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duhet të auditohen nga auditorët, të cilët i përzgjedh Kuvendi i Kosovës nëpërmjet Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, me anë të një thirrjeje të hapur publike për aplikim. Por, që nga viti 2013, nuk është bërë një auditim i tillë.

Kallëzim penal Drejtoreshës së Postës në Berat

Zv/Kryeministrja Mandija, në cilësinë e kryesueses së Task-Forcës, ka kallëzuar sot penalisht Drejtoren e Filialit Berat të Posta Shqiptare, zj.Haris Ngjeqari e cila me veprimet dhe mosveprimet e saj të kryera me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 238/a “Detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike”të Kodit Penal, Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.473, datë 01.06.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017” si dhe me Urdhrin e mëparshëm  nr.65, datë 12.5.2017 të Kryeministrit.
Task-Forca  e drejtuar nga Zëvendëskryeministrja, në zbatim të detyrimeve ligjore është vënë në dijeni të faktit se Drejtorja e Filialit të Posta Shqiptare sh. a., zj. Haris Ngjeqari, gjatë ushtrimit të detyrës së saj shtetërore, përdor në mënyrë të kundraligjshme funksionin e saj në këtë shoqëri me pronësi shtetërore, me qëllim favorizimin e një subjekti politik “Lëvizja Socialiste për Integrim” pjesëmarrës në zgjedhjet e qershorit 2017.
Znj, Ngjeqari konkretishtka shpërndarë për administratën në varësi, një formular  për të paraqitur në tëtë dhëna personale, me anë të të cilit u kërkohet informacion që mund t’i shërbejë një subjekti politik konkurrues në zgjedhje; ka kërcënuar punonjësit në varësi të saj se,nëse nuk e plotësojnë këtë formular do tëlargohen nga puna dhe madje ka larguar nga puna punonjës për këtë shkak; ka lejuar kandidatë apo përfaqësues të subjektit politik “Lëvizja Socialiste për Integrim”të bëjnë takime me qëllime propagandistike politike në ambiente të ndryshme të institucionit, madje edhe në zyrën e saj duke thirrur punonjësit një nga një; ka lejuar persona të caktuar në varësi të saj,të angazhohen në veprimtari politike të subjektit politik të sipërcituar gjatë orarit zyrtar të punës  duke u paguar rregullisht!
Zv/Kryeministrja Mandija siguron se është e vendosur në zbatimin e ligjit  për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin e punonjësve të administratës shtetërore. Zv/Kryeministrja inkurajon punonjësit e administratës  dhe çdo qytetar të denoncojë pranë Task-Forcës të drejtuar prej saj,  të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor pranë

Nishani- Steinmeier, përshëndetet marrëveshja politike

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e pjesëmarrjes në Takimin e 22-të Ndërkombëtar të Berlinit, u prit sot nga Presidenti Federal i Gjermanisë, Frank-Ëalter Steinmeier, me të cilin pas një bisede të shkurtër kokë më kokë, bisedoi mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, si dhe çështjet e procesit të integrimit evropian dhe të zhvillimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhduar dhe shumë domethënëse të Gjermanisë në vite, si dhe besimin se marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik do të vijojnë të forcohen e thellohen më tej. Kreu i Shtetit shqiptar e siguroi gjithashtu Presidentin Steinmeier se, Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë gjithmonë mirënjohës dhe partnerë të besueshëm të Gjermanisë. “Asistenca gjermane për një zhvillim të qëndrueshëm social-ekonomik të vendit, anëtarësimi në NATO dhe mbështetja e qenësishme në procesin e integrimit evropian, kanë krijuar një lidhje shumë të fortë mes të dy vendeve. Shqipëria sot nuk është thjesht konsumatore, por kontribuese aktive për sigurinë dhe paqen, si në nivel rajonal ashtu nivel botëror”, u shpreh Presidenti Nishani. Kreu i Shtetit, duke iu referuar procesit të integrimit evropian në përgjithësi, si dhe reformave të thella të ndërmarra brenda vendit, theksoi se procesi i integrimit evropian mbetet mekanizmi më i mirë nxitës për vendin dhe për shqiptarët, ky është projekti më madhor, pas anëtarësimit në NATO. Presidenti Nishani e njohu homologun e tij gjerman mbi vëmendjen e veçantë që i kushtohet këtij procesi dhe kryerjes së refomave përkatëse, por edhe me sfidat me të cilat ballafaqohet shoqëria shqiptare në përgjithësi dhe përgjegjësitë e klasës politike për ta bërë realitet këtë kërkesë mbarëpopullore. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Nishani u ndal në Reformën në Drejtësi dhe fillimin e procesit të zbatimit të saj, duke vlerësuar dhe kontributin individual të Gjermanisë dhe ekspertëve të saj në hartimin e legjislacionit përkatës, konform standardeve më të mira gjermane e evropiane. Presidenti gjerman, Steinmeier nga ana e tij e përshëndeti marrëveshjen politike për Reformën në Drejtësi si dhe shprehu besimin se kjo reformë do të përmbushet me sukses dhe në kohën e duhur. “Është shumë e rëndësishme për investitorët gjermanë, që të gjejnë një ambient të përshtatshëm investimesh, pasi përtej asistencës, Gjermania ka ambicien të jetë partner tregtar dhe investues në Shqipëri e vende të tjera të rajonit”, u shpreh Presidenti gjerman.

Refuzoni mashtrimet e Ramës, hidhjani në fytyrë tesesat LSI-së

Kreu i opozitës Lulzim Basha në hapjen e fushatës elektorale në Korçë u ka bërë thirrje shqiptarëve që të ndëshkojnë me votë PS-LSI. Sipas tij, qytetarët shqiptarë kanë tashmë në dorë fatin e tyre, për t’u treguar ministrave arrogantë dhe qeverisë vendin që ju takon. Basha deklaroi se, as LSI nuk është ndryshe nga PS, prandaj kërkoj që të gjithë qytetarët e Korçës t’i ndëshkojnë me votë. “Refuzojeni me votë njësoj si Edi Ramën, hidhja në fytyrë teserat LSI-së. Nuk jeni skllevër as të LSI-së as të Edi Ramës. Jemi të gjithë bashkë si asnjëherë këtu. Ky ministër ju pat thënë fermerëve votoni për ne, pastaj të shohim çfarë do të bëjmë për t’u dëmshpërblyer. Fermerë mos ja hapni derën këtij mashtruesi. Refuzojini sekserët, përzijini matrapazët. Merreni Korçën në dorë më 25 qershor. Duke votuar për Republikën e Re, votoni për ekonominë e fortë dhe për të nesërmen e sigurt, deklaroi Basha. Kreu i PD, Lulzim Basha, ka reaguar nga Korça për shkarkimet e fundit në administratë. Gjatë një takimi elektoral në qytetin Juglindor, Basha tha se, ligjet e Republikës së Re po funksionojnë. Ai ftoi të gjithë qytetarët të denoncojnë presionet për prekjen e votës. “Sot republika e vjetër është sprapsur. Kjo ishte fitorja e parë e korçarëve të bashkuar, e qytetarëve të bashkuar. Vetëm sot janë shkarkuar mbi 12 zyrtarë të niveleve të larta dhe të mesme, që kanë shkelur Kodin Penal. Shumë prej tyre do të shkojnë për ndjekje penale, Republika e Re e ka arritur hapin e parë. Kushdo që guxon të prekë votën e shqiptarëve, kartat e identitetit e pret ligji i Republikës së Re. Shkarkimi i menjëhershëm, ndjekja penale dhe të paktën 1 vit burg për cenimin e të drejtës së votës. Kjo është arritja juaj. Ndaj denonconi çdo përpjekje për t’ju prekur votën”. Gjatë hapjes së fushatës elektorale në qytetin e Korçës, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se kushdo që prek votën e lirë të qytetarëve do e presë ndëshkimi i ligjit. “Një vendim i madh u mor në Tiranë dhe Korça solli mendjen e vet për Republikën e Re. Bashkë me ju hodhëm themelet e kësaj republike në 90 ditë. Vetëm ditën e sotme janë shkarkuar 12 zyrtarë që kanë shkelur ligjin dhe shumë prej tyre do të shkojnë për ndjekje penale. Kushdo që guxon të prekë votën e shqiptarëve e pret ligji i Republikës së Re. Kjo është arritja juaj ndaj denonconi çdo përpjekje për t’ju prekur votën”, tha Basha. Ndër të tjera, Basha tha se, Ramës nuk i interesojnë qytetarët, por shkon në Korçë për qejfet e tij. Ai u shpreh se, Niko Peleshi ka bërë një pedonale dhe një kullë në qytet që t’i bëjë qejfin Edi Ramës. “Rama e trajtoi biznesin e vogël si një lopë për t’u mjelë. Edi Ramës i pëlqen të vijë këtu për fundjava dhe kur vjen ka hotelet e tij të preferuara, ka verat e tij të preferuara. Për t’i bërë qejfin, Nikua i bëri edhe një pedonale dhe një kullë. Kush e pagoi kullën? Miliona euro për qejfet dhe tekat e Ramës”, tha Basha.

2600 biznese të mbyllura vetëm në Korçë

Një nga shtresat më të goditura në Korçë krahas ekonomisë së gjithë qytetarëve, janë bizneset ku numërohen rreth 2600 të tilla të mbyllura, ashtu si edhe fermerët, prodhimet e tyre po shkatërrohen për shkak të keqqeverisjes Rama. Basha ndau dje me korçarët hallet dhe problemet e tyre, ndërsa ofroi zgjidhje për ta përmes programit të Partisë Demokratike. “2600 biznese të mbyllura vetëm në Korçë. Por a janë hapur të reja? A janë hapur vende pune? Sa prej jush kanë kërkuar dhe kanë gjetur një vend pune në katër vite? Kush e ka rrogën më të lartë këto katër vite? Paguan taksa më të ulëta, faturë më të ulët të energjisë? A i bleni më lirë apo më shtrenjtë ushqimet? Ilaçet? Shërbime? Këto janë bëmat e Ramës me Korçën, ky është bilanci i tij punëtor, por hallemadh, kjo është e vërteta e qytetit të Korçës dhe akoma më e dhimbshme e fermerëve të Korçës, të cilët gjenden në ditët më të vështira”, tha Basha. Kreu i PD u ndal tek fisnikëria e qytetit të Korçës, ndërsa shprehu bindjen se korçarët janë rreshtuar në krah të Republikës së Re. “Korça ka standardin e artë republikan. Në ditë të zeza të kombit, korçarët ditën të bashkohen rreth vlerave të Republikës dhe unë e di se sot ju jo vetëm prisni me padurim 25 qershorin, por me këtë prani në këtë shesh tregoni qartë para Shqipërisë dhe para Korçës, se Korça nuk është thjeshtë dhe vetëm pjesë, por lidere e Republikës së Re, Republikës së Korçës, së korçarëve dhe gjithë qytetarëve. Ju e dini çfarë do të thotë kjo. Për katër vite me radhë, keni duruar dhe hequr mbi shpinë arrogancën dhe zullumin e republikës së vjetër që ju poshtëroi, ju varfëroi dhe ju shtyu drejt dëshpërimit”, tha Basha.

1.5 miliardë euro ka kushtuar shëndetësia

Me shifra reale, kreu i PD Basha denoncoi dje nga Korça, abuzimet e qeverisjes Rama në katër vitet e qeverisjes së tij. “Rama refuzon bilancin, refuzon të shpjegojë se përse nuk hapi 300 mijë vende pune, por çoi 300 mijë shqiptarë, korçarë, rininë e Korçës, intelektualë e sipërmarrës, në Gjermani, në Itali, në Amerikë e me radhë. Njerëzit për të cilët Korça ka më shumë nevojë, njerëzit me ide i detyroi të ikin nga Korça dhe ia dorëzoi Korçën dhe Shqipërinë një grushti kriminelësh. E ka të vështirë të vijë në Korçë të tregojë se ku është shëndetësia falas që premtoi, kush nga ju merr shërbim shëndetësor falas, a jeni të kënaqur me gjendjen e shëndetësisë në Korçë. Sepse shëndetësi falas nuk ka. Në katër vite, 1.5 miliardë euro ka kushtuar shëndetësia nga taksat tuaja, por taksat asnjëherë nuk u kthyen në shërbime se i mori Vilma me katër shokë dhe katër shoqe. Kjo është e vërteta, Shqipëria e Ramës është Shqipëria e miqve të tij që morën 350 milionë euro tendera. Shqipëria e Edi Ramës është Shqipëria e 250 milionë euro shpenzime për makina, për udhëtime, për orendi. Miliona euro të hedhura dëm për ta kthyer Bibliotekën e Korçës, monumentin e standardit të dijes në zyra për administratën, për njerëzit që janë kthyer në shushunja për ju. 400 milionë euro të tjera të shpenzuara për pllaka dhe palma, miliona euro të marra nga taksat që u rritën, dhe që nuk u kthyen asnjëherë tek ju, sepse Shqipëria për Edi Ramën është fasada”, u shpreh Basha.

Kryebashkiaku i Pukës dhunon shefin e shtabit të fushatës së PD

Kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjoni, ka ushtruar dhunë ndaj kryetarit të grupseksionit të PD dhe shtabit të fushatës, Demir Hyseni. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme ku kryebashkiaku i Pukës, ka urdhëruar shkatërrimin e biznesit të Hysenit për motive politike. Me urdhër të Gjonaj, forcat e Policisë së Rendit dhe të Policisë Bashkiake ka rrethuar lokalin e kreut të fushatës së PD, Demir Hyseni dhe më pas kanë shkatërruar karrigen dhe pajisjet e tjera.
Bëhet e ditur se policia ka ushtruar dhunë ndaj Demirit dhe ka marrë me forcë të gjitha karriget dhe tavolinat që ndodheshin në lokalin e tij. Policia Bashkiake ka pretenduar se karriget dhe tavolinat janë marrë nga lokali për shkak se është zënë hapësira publike, por në lokalet e tjera nuk është ndërmarrë një aksion i tillë.
Dhuna dhe terrori ndaj shefit të shtabit të fushatës së Partisë Demokratike të Pukës, Demir Hyseni, është ushtruar për motive politike. Pas nisjes së fushatës zgjedhore, Hyseni është kërcënuar vazhdimisht nga trafikantët e drogës që të mos bëjë fushatë për Partinë Demokratike.
Frika e humbjes së zgjedhjeve ka tërbuar PS-në atje dhe të dërguarin e Ramës, Dimir Bushati. Bushati i Ramës ka angazhuar trafikantët e drogës për të bërë fushatë për Partinë Socialiste. Prej vitit 2015, Puka u shndërrua në një nga zonat më të mëdha për kultivimin e drogës. Zonat më të prekura ishin ato të Gjegjanit dhe Qelës, për shkak dhe të burimeve ujore. Me ndihmën e policisë, këtu bëhej dhe një luftë e diferencuar, ku aksionet përqendrohen në parcelat e qyqarëve pa përkrahje politike, por nuk prekeshin parcelat e personave që kishin lidhje me kupolën e pushtetit.
Në vitin 2016, Puka do të renditej e dyta për sipërfaqen e mbjellë dhe aksi Pukë-Fushë-Arrëz-Gjegjan mund të konsiderohej dhe si trekëndëshi i drogës. Në magazinat e mbushura për tharje me gjithë denoncimet, policia nuk do të ndërhynte asnjëherë. Ishin të përfshirë të gjithë, policia, pushteti lokal dhe të gjithë të tjerët, që merrnin fitime nga ky aktivitet kriminal. Për banorët e Pukës, një nga zonat më të varfëra të Shqipërisë, ky realitet nuk do të ndryshonte asgjë. Ndaj tyre u shtua represioni, qoftë për energjinë, qoftë për taksat e tjera. Ata që pasuroheshin janë pikërisht këta që sot ndihmojnë Ditmir Bushatin dhe Ramën në fushatë, duke shtuar akoma më shumë varfërinë e njerëzve atje.

Reagon PD: Gjon Gjoni të vihet para ligjit

Partia Demokratike ka reaguar ashpër për dhunën e ushtruar nga kryetari i Bashkisë së Pukës, ndaj kreut të fushatës së PD, Demir Hyseni, duke i kërkuar qeverisë dhe autoriteteve të vendosin para përgjegjësisë ligjore Gjon Gjonin.
Në njoftimin për shtyp të PD thuhet se, Partia Demokratike dënon dhunën e ushtruar nga kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjoni dhe veglat e tij, ndaj kryetarit të grupseksionit të PD dhe shtabit të fushatës, Demir Hyseni. “Demir Hyseni ka qenë vazhdimisht nën presionet dhe kërcënimet e kryetarit të Bashkisë Pukë, që është në fakt një mercenar i Frrokut, por sot, me nisjen e fushatës elektorale, është bastisur dhe dhunuar prona e funksionarit demokrat.
Pa marrë në konsideratë dokumentacionin e Hysenit që tregon ligjshmërinë e aktivitetit të tij, kryetari i Bashkisë së Pukës, ka urdhëruar shkatërrimin e biznesit të Hysenit thjesht për motive politike”, thuhet në njoftimin e PD.
Partia Demokratike i kërkon qeverisë dhe autoriteteve të ndërhyjnë menjëherë dhe të vënë para përgjegjësisë ligjore kryetarin e Bashkisë Pukë, dhe çdo polic që është bërë pjesë e urdhërave të paligjshëm dhe politik.

Nard Ndoka: Si u dhunua shefi i shtabit të fushatës së opozitës

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka postuar një video në Facebook, ku shihet se si është bastisur lokali i shefit të shtabit të fushatës elektorale të opozitës nga policët bashkiakë dhe ata të rendit.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Ndoka akuzon Gjon Gjonin, se po vazhdon të ushtrojë dhunë fizike ndaj aktivistëve dhe drejtuesve të opozitës edhe në njësi të tjera administrative. Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka kërkon shkarkimin e kreut të Bashkisë së Pukës, Gjon Gjoni.
“Dhunohet lokali i shefit të shtabit elektoral të ‘Opozitës së Bashkuar’, zoti Demir Hyseni, në qytetin e Pukës. Me urdhër të Kryetarit të Bashkisë Pukë, Gjoni Gjoni, Policia Bashkiake dhe Policia e Rendit bastisin lokalin, pa paraqitur asnjë dokument.
Terrori politik i ushtruar nga Kryetari i Bashkisë Pukë, po vazhdon edhe në njësi të tjera administrative, duke dhunuar edhe fizikisht aktivistë dhe drejtues të opozitës.
I kërkojmë Kryeministrit Rama, shkarkimin e Kryetarit Bashkisë Pukë, zotin Gjon Gjoni, mbasi ka shkelur ligjin dhe ka ushtruar presion dhe dhunë mbi drejtuesit e aktivistët e Shtabit Elektoral të opozitës”, shkruan Ndoka.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme, ku me urdhër të kryebashkiakut të Pukës, Gjon Gjoni, Policia Bashkiake bastis lokalin e shefit të degës së PD-së në Pukë, pa asnjë dokument. Për këtë ngjarje reagoi edhe Partia Demokratike, duke i kërkuar qeverisë dhe autoriteteve të vendosin para përgjegjësisë ligjore Gjon Gjonin.

Enton DOÇI

Kryetari i PS Kavajë, drekë me dy trafikantët e drogës

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një foto të kryetarit të PS Kavajë, Gentian Daja, duke drekuar me dy trafikantët e drogës të arrestuar nga policia mbrëmjen e të enjtes, pasi u kapën me kokainë në makinën e tij. Fotografia i është dërguar Berishës nga një qytetar nga Kavaja pas kapjes së drogës në makinën e kryetarit të PS të këtij qyteti, Gentian Daja. Qytetari përgënjeshtron mediat pranë Ramës se, gjoja makina ku u kap droga nuk është pronë e kreut të PS. Ai shkruan në mesazhin e tij dërguar Berishës se, makina është e Gentian Dajës, por është regjistruar në emrin e shoferit të tij.
“Qytetari dixhital përgënjeshtron mediat: Tregon të vërtetën për makinën e Gentian Dajës, që u kap mbrëmë me kokainë. Dërgon dhe foton, në të cilën Gentian Daja po drekon me të dy bashkëpunëtorët e tij që u arrestuan nga Antidroga në makinën e tij, pasi u gjetën me kokainë!”, shkruan Berisha.
“Mirëmëngjes doktor. Për informacion dhe për të përgënjeshtruar gazetarët dhe halabakët e ‘rilindjes’. ‘Audi’ i kapur mbrëmë është pronë e Gentian Dajës, por për arsye që dihen nuk e ka regjistruar në emrin e tij personal, por në emër të shoferit të tij personal dhe të familjes, i cili quhet Bledar Qerosi, i cili ka qenë dhe shofer i Kuvendit në shërbim të ish-deputetit socialist”, shkruan qytetari nga Kavaja.
“Përshëndetje z. Berisha, në këtë foto Gentian Daja me dy djemtë që u kapen sot me kokainë, Rem Shabani dhe Redi Duka”, shkruan një qytetar tjetër.
Mbrëmjen e të enjtes, policia e Antidrogës sekuestroi një sasi kokaine në makinën e kryetarit të PS Kavajë, Gentian Daja dhe vuri në pranga dy trafikantët. Aksioni është kryer nga Forcat e Posaçme Operacionale të Tiranës. Sipas burimeve të policisë, të arrestuarit janë Ramadan Shabani, 28 vjeç dhe Enred Duka, 28 vjeç, të dy nga Kavaja. Bëhet e ditur se dy personat e arrestuar kanë qenë në kërkim nga policia për trafik droge. Shabani dhe Duka kanë masë sigurie arrest me burg nga Gjykata e Kavajës dhe ishin në kërkim nga policia prej disa kohësh.
Ditën e djeshme, ish-Kryeministri Berisha publikoi një mesazh të dërguar në adresë të tij nga një qytetar nga Kavaja, i cili shkruante se në makinën e kreut të PS është kapur kokainë. Qytetari i shkruan Berishës se, makina e Gentian Dajës, tip “Audi” me targa AA202NO drejtohet nga Shabani, i cili është mik i ngushtë i Gentian Dajës. “Në makinën e Gentian Dajës, kryetarit të partisë së krimit në Kavajë, Antidroga kap kokainë. Lexoni mesazhin, shikoni fotot e qytetarit dixhital!”, shkruante Berisha.
“Doktor, lajm i fundit në Kavajë. Rem Shabani kapet me kokainë nga forcat e rendit teksa lëvizte me makinën e kreut të PS, Gentian Daja. Makina e Gentian Dajës, ‘Audi’ me targa AA202NO drejtohet nga Shabani, i cili është mik i ngushtë i Gentian Dajës. Fotot më poshtë janë bërë sot pas aksionit ku u gjet drogë në makinën e kreut të PS”, shkruan qytetari.
Gentian Daja, njeriu në krye të PS-së së Kavajës, ka qënë i dënuar për trafik droge në Itali. Ai propozoi bashkëshorten e tij si kandidate për Bashkinë e Kavajës, por pas presionit të qytetarëve, Rama urdhëroi bashkëshorten e tij që të tërhiqej nga kandidimi. Gentian Daja u shpreh se ka dhënë dhe dorëheqjen nga posti i kryetarit të PS-së për t’ia lënë vendin Ervis Roshit, por pas dorëhqejs së gruas së tij nga kandidimi u kthye sërish në krye të PS të Kavajës.

Media italiane: Skandal i policisë shqiptare, la të lirë vrasësin

Akuza të rënda ndaj policisë shqiptare janë ato që formulohen nga media italiane “Varese News”, që nëse rezultojnë të vërteta përbëjnë një skandal të mirëfilltë. Akuzat vijnë për rastin e vrasjes mafioze të dy kushërinjve Leshaj (Alban e Agron) në komunën italiane Canegrate, pjesë e provincës së Milanos, më 10 nëntor 2016. Krim për të cilin media italiane raporton se një nga autorët e mundshëm, i cili dyshohet se fshihet në rrethin e Matit, nuk është kërkuar nga policia shqiptare, duke injoruar kështu një urdhër të kolegëve italianë.
Sipas hetimeve të deritanishme të autoriteteve italiane, vrasja ka ndodhur në vrazhdën e një përplasje mes dy grupeve për pazaret e drogës. “Një nga pesë të kërkuarit nuk është arrestuar nga policia shqiptare dhe ndoshta kurrë nuk është kërkuar, kur hetuesit italianë kanë urdhëruar kërkimin e tij në Ulëz të Matit. Operacioni që duhet të zhvillohej në të njëjtën kohë në Itali e Belgjikë, nuk ka nisur kurrë (në Shqipëri), duke i lënë këtij të dyshuari mundësinë për t’i shpëtuar drejtësisë italiane”, shkruan “Varese News”.
“Mëngjesin e 5 majit në fakt, u krye një aksion në nivel ndërkombëtar për të arrestuar të gjithë grupin që dyshohen kanë marrë pjesë në pritën në rrugën ‘Morbegno’. Ajo që mungon në Gjykatën e Apelit është pikërisht personi që dyshohet se është fshehur në banesën e prindërve të tij në Shqipëri”, vijon raportimin media italiane.
Kujtojmë se pikërisht më 5 maj, mediat italiane kanë raportuar për një aksion ndërkombëtar në Itali dhe Belgjikë ku u arrestuan 5 persona. Ndërkohë, nga policia shqiptare, nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar lidhur me zhvillimin e një aksioni policor për kërkimin e personit, për të cilin sipas raportimeve, kanë marrë indikacione nga kolegët italianë për vendndodhjen e mundshme.
“Anëtarët e klanit që kanë qëlluar viktimat kanë të njëjtin mbiemër me viktimat (pra Lleshaj), por thonë që nuk janë të afërm. Vështirësitë e hasura nga zëvendësprokurori Luca Pisciotta, i cili në pak muaj ka arritur të rindërtojë formimin e strukturuar të dy grupeve, lidhen kryesisht me mungesën e bashkëpunimit nga ana e të gjithëve, kryesisht të arrestuarve. Nëse është bërë e mundur gjetja e autorëve të atentatit, më e vështira (për momentin) është rindërtimi i trafikut për të cilat ishin duke luftuar të dy grupet”, shkruhet në artikullin e publikuar këtë të enjte nga “Varese News”.

Mësuesit dhe mjekët merren forcërisht në mitingun e Ramës

Mësuesit e gjimnazeve të Lezhës dhe mjekët e infermierët e Kurbinit janë marrë me forcë në mitingun elektoral të Partisë Socialiste ditën e mërkurë. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha, i cili i referohet informacionit, fotove dhe videos së qytetarit dixhital. “Shikoni si detyrohen punonjësit për të shkuar në takime të Ramës! Lexoni mesazhet dhe shikoni fotot dhe videon e qytetarëve dixhitalë”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“‪Shiko si po zbresin nga autobuzi mësuesit e gjimnazeve të gjithë Qarkut Lezhë edhe gruaja drejtorit të Arsimit, Bardhok Pula me të gjithë zyshat, duke u marrë me fushatën e Partisë siçiliste”, shkruan qytetari.
“Zoti Sali kam një shqetësim shumë të madh… në spitalin e qytetit Kurbin janë marrë me forcë i gjithë personeli i spitalit për t’i dërguar në mitingun e partisë siçiliste, prandaj ndaj këtë shqetësim me ju se ne qytetarët e thjeshtë s’kemi nga të ankohemi i gjithë stafi i spitalit është marrë nga kryetari i Partisë Socialiste të Kurbinit dhe po u bëjnë presion të gjithë këtyre se kush nuk vjen në miting të lerë vendin e punës. Flm për mirëkuptimin. Anonim, ju lutem”, shkruan një qytetar tjetër.
Një ditë më parë, ish-Kryeministri Berisha denoncoi përfshirjen e të gjithë administratës së Delvinës dhe Sarandës në fushatën zgjedhore të PS. Berisha ka publikuar një lajm të portalit “Boom.al”, duke e shoqëruar edhe me fotot e punonjësve të administratës, të cilët bëjnë fushatë në orarin e punës. “Në narko shtetin e Noriegës të gjithë punonjësit e administratës janë pronë e Partisë-Shtet! Lexoni shkrimin dhe shikoni fotot e mëposhtme!”, shkruan Berisha.