31.5 C
Tirana
E diel, 20 Korrik, 2025

Sulmi kimik ndaj opozitës, ekspertiza: Nuk u shkaktua nga prozhektorët

Ekspertët kanë dalë në konkluzionin përfundimtar se, helmimi i 140 personave që ndodheshin në mitingun e PD nuk është shkaktuar nga prozhektorët. Mësohet se konkluzioni ka qenë që prozhektorët nuk e shkaktojnë problemin shëndetësor në formën dhe në masën që u është shfaqur më se 140 personave pjesëmarrës në mitingun e PD. Pikërisht, bazuar në këtë përfundim që pritet t’i shkojë edhe me shkrim Prokurorisë, grupi i hetimit ka administruar analizat e gjakut të personave të dëmtuar, për të kuptuar se me çfarë janë helmuar të dëmtuarit.
Prokuroria dërgon një letërporosi në Gjermani në lidhje me hetimin për helmimin e 146 pjesëmarrësve në mitingun hapës të fushatës elektorale të Partisë Demokratike në kryeqytet. Ditën e djeshme, Prokuroria ka bërë me dije, se Mjekësia Ligjore në Tiranë ka kthyer përgjigje me shkrim se e ka të pamundur të kryejë ekspertimet e kërkuara për 146 mbështetësit e PD-së të paraqitur në spital me shenja helmimi menjëherë pas mitingut të hapjes së fushatës. Mjekësia Ligjore në Tiranë ka thënë se duhet të analizohen 32 mijë elementë për përcaktimin e lëndës që ka sjellë pasojat dhe për këtë arsye, ekspertimi është jashtë mundësive të saj ekonomike e njerëzore.
Ndërkohë 37 monstra gjaku nga personat e lënduar janë dërguar në Gjermani, për të mësuar shkakun e vërtetë të problemeve shëndetësore. Analizat e 20 personave, të cilët janë me kartelë mjekësore, pasi kanë qëndruar dy ditë në spital do të dërgohen në një laborator gjerman.
Grupi hetimor shpreson, që brenda disa ditësh të ketë përgjigjen e saktë se çfarë solli helmimin e pjesëmarrësve në miting. Për Prokurorinë është një hetim kompleks dhe i vështirë. Prokuroria dyshon se, shkak mund të jenë bërë edhe ndriçuesit që u përdoren në miting. Ndërkohë, një tjetër ekspertim do të ketë për rrobat e personave të helmuar. Në dosjen e referuar pranë Prokurorisë së Tiranës, policia thotë se në përfundim të aktivitetit elektoral të PD për zgjedhjet parlamentare 2017, disa pjesëmarrës në të u regjistruan në kartela për ndihmë mjekësore, me simptomat e skuqjes së fytyrës, syve dhe qafës. Të tjerët janë paraqitur në spital për këshillim mjekësor, duke e çuar numrin e të dëmtuarve në 146.

Aksidenti tragjik i Kavajës ku humbën jetën 2 fëmijët, dosja në gjykatë

Një vit më pas vërtetohet zyrtarisht se shkaku kryesor i aksidentit tragjik ku humbën jetën dy fëmijë në Kavajë dosja ka shkuar në Gjykatë. Ishte pasdite e 7 majit 2017.  Silva kishte marrë në makinë tre fëmijët e saj, përkatësisht 1, 3 dhe 5 vjeç dhe ishte nisur drejt burgut të Rrogozhinës, sepse fëmijët donin të çmalleshin me të atin e tyre. Afër Qerretit, përplasja fatale i merr jetën dy fëmijëve. Parmakët janë lënë me teh prerës pa elementët amortizues, në formën e “lopatës konvekse”, pra janë vendosur duke qenë jashtë kushteve teknike).
Prandaj Prokuroria mbyll hetimet dhe çon në gjykatë 4 anëtarët e komisionit të koaludimit të rrugës, ByPass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë” Loti 5 ku në vitin 2016, si pasojë e një aksidenti automobilistik humbën jetën dy fëmijë të mitur.
Për gjykim janë dërguar Ardian Kroi, Astrit Qafa, Ardian Nako dhe Malvina Kallabaku (kolaudues). Ata akuzohen për “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.  “Nga   procesverbali   i   këqyrjes   së   vendit   të   ngjarjes   dhe   nga   aktet   e   ekspertimit mjekoligjor, si dhe nga akti i ekspertimit autoteknik, rezulton se pasoja e rëndë “vdekja e dy fëmijëve” është shkaktuar nga goditja e kockave të kapakut dhe kupës së kokës me mjete të forta, të mprehta. Nga këto të dhëna, konkludohet se referuar lidhjeve shkaksore, pasoja e rëndë (vdekja e dy fëmijëve), nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor; shkaku   kryesor,   përcaktues   i   ardhjes   së   pasojës   së   rëndë   është   elementi   horizontal   i mbrojtëses metalike anësore të rrugës, çka do të thotë se rruga është lejuar të shfrytëzohet jashtë kushteve teknike të sigurisë në rrugë dhe të jetës. Në këtë vendim Gjykata, – Shënim i redaksisë: Flitet për vendimin e Gjykatës Penale të Apelit Durrës, e cila ka vendosur deklarimin fajtor te pandehurës S.N për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, të parashikuar nga neni 290/4 i K. Penal)  – arsyeton: “… shkelja e akteve ligjore e nënligjore të kryera nga përfaqësuesit e entit rrugor (ARRSH) çmohet se përbëjnë shkaqe pa të cilat nuk do të kishte ardhur pasoja e rëndë, vdekja e dy fëmijëve të mitur”. Arsyetimi ligjor”, thuhet në dosje.
Sipas Prokurorisë, “Katër anëtarët e grupit kolaudues të caktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e ARRSH-së, me veprimet e mosveprimet e tyre kanë çertifikuar si të shfrytëzueshme një rrugë (Loti 5) me mangësi të theksuara rrezikshmërie shoqërore për shëndetin (jetën) e sigurinë nga përdorim i rrugës, çka do të thotë se nuk kanë kryer detyrën e tyre funksionale, parashikuar në ligjin dhe në aktet nënligjore të cituara”.

Berisha: Rama fsheh dosjet e koncesioneve

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka denoncuar se, Kryeministri Edi Rama ka bllokuar marrëveshjen mes PS dhe PD përmes sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi. Në një status në Facebook, Berisha shkruan se Agaçi ka urdhëruar zv/ministrat që të mos zbatojnë urdhrat dhe vendimet e ministrave teknikë, që kanë të bëjnë me ndalimin në fushatë elektorale të nëpunësve të administratës shtetërore. Sipas ish-Kryeministrit, Agaçi ka urdhëruar gjithashtu sekretaret e përgjithshme të Ministrive që të mos u japin asnjë dosje të koncesioneve ministrave teknikë dhe të bllokojnë çdo mundësi kontrolli nga ana e tyre. “Rama në panik, me sekretarin e përgjithshëm të mafies shtetërore. Agaçi bllokon marrëveshjen me opozitën: shkruan Berisha, ndërsa publikon denoncimin e qytetarit. “Panik i madh në administratën shtetërore për zgjedhjet. Janë penduar shumë për marrëveshjen prandaj Rama, pasi ka urdhëruar sekretaret e përgjithshmë që t’i japin leje për fushatë elektorale gjatë muajit qershor 1/3-tës së administratës publike, kërkoi të anulojë nëpërmjet zëvendësministrave, urdhërat e ministrave teknikë për kthimin në detyrë të të gjithë punonjësve të larguar me leje. Rama urdhëron sekretarët e përgjithshëm, që me urdhër verbal dhe porosi të tij, administrata publike të mos zbatojë urdhërin e tij dhe vendimin e KM për mospjesëmarrjen e administratës në zbatim të ligjeve në fushatë elektorale të partive. Sekretarët e përgjithshëm të mos u japin ministrave teknikë asnjë dosje të koncesioneve dhe tenderave elektoral. Rama ka urdhëruar Don Agaçin, që sekretarët e përgjithshëm të bllokojnë çdo mundësi kontrolli të ministrave teknik, duke mos ju akorduar mjetet e nevojshme për ushtrimin e kontrolleve të shkeljeve flagrante të ligjit elektoral dhe ligjeve të tjera nga punonjësit militant!”

Zgjedhjet, kreu i KQZ pret delegacionin e Asamblesë Parlamentare të KiE

Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, priti anëtarët e misionit parazgjedhor të Komisionit Ad Hoc për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Delegacioni i Asamblesë së Këshillit të Evropës, kryesohej nga Paolo Corsini, i Grupit Parlamentar të Partive Socialiste. Qëllimi i takimit ka qenë mbledhja e fakteve për situatën parazgjedhore në Shqipëri dhe përgatitjet që po bëhen nga KQZ për zgjedhjet e datës 25 qershor 2017. Kryetari i KQZ-së, Zguri duke i falënderuar për vizitën, i njohu anëtarët e delegacionit me ecurinë e deri tanishme të përgatitjeve për procesin zgjedhor. Interesit të delegacionit lidhur me ndryshimet e fundit ligjore të bëra nga Kuvendi i Shqipërisë, Zguri u shpreh se, këto e kanë vënë KQZ-në në sfidën e kohës, por KQZ si institucioni kyç në monitorimin e financimit dhe shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës zgjedhore, po punon me intensitet për të nxjerrë të gjithë aktet ligjore të nevojshme dhe po asistohet me ekspertizë nga Këshilli Evropës, Instituti Demokratik Amerikan (NDI) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA). Gjatë takimit u nënvizua fakti se objekt i monitorimit të KQZ-së, përmes Bordit të Monitorimit të Medias është edhe pasqyrimi i fushatës elektorale në media, dhe se ndryshimet në ligjin për “Partitë Politike” sollën reagim të operatorëve audioviziv privat. Dje, përfaqësuesit e KiE kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të Partisë Demorkatike. “Sot u takuam me Misionin parazgjedhor të Këshillit të Europës për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, kryesuar nga zoti Paolo Corsini. Në takimin me të dërguarit e asamblesë së KiE u diskutua gjerësisht mbi zgjedhjet e 25 qershorit dhe rëndësinë e tyre për të ardhmen e vendit. I parashtruam të dërguarve të KiE problematikën që kanë këto zgjedhje, duke filluar që nga influenca e tonelatave të drogës paratë e të cilës mund të përdoren gjatë fushatës dhe për të diktuar votën, tek angazhimi i administratës shtetërore në fushatë në kundërshtim me ligjin. Tashmë janë bërë publike me dhjetëra raste të përfshirjes së administratës në zgjedhje dhe presionit mbi punonjësit. Bizneset kanë denoncuar dhjetëra raste të presionit të organeve tatimore. Po kështu në takim u fol dhe për njëanshmërinë e mediave në favor të PS dhe LSI diktuar nga presioni i tyre”.

22.2 milionë dollarë për udhëtimet e luksit të qeverisë në 2016

Qeveritarët shqiptarë shpenzuan për udhëtimet e tyre jashtë vendit 2.6 milionë dollarë në vitin 2016 me një rritje 46 për qind në krahasim me vitin 2015. Gjithsej shpenzimet buxhetore jashtë vendit ishin 22.2 milionë dollarë vitin e kaluar me një rritje vjetore 7.6 për qind. Analiza sipas zërave tregon për një tkurrje me 21 për qind të shpenzimeve për pagat e stafit të ambasadave. Ministria e Financave sqaron se, pagat për trupin diplomatik vitin e kaluar kushtuan 3.6 milionë dollarë nga 4.6 milionë dollarë më 2015, teksa shihet se janë rritur shpenzimet e tjera për ambasadat, duke arritur në 8.2 milionë dollarë më 2016 ose 34% më shumë se më 2015. Gjithashtu në vitin e kaluar, Shqipëria ka paguar kuota të anëtarësimeve në organizmat ndërkombëtare me vlerë 7 milionë dollarë. Gjithsesi shpenzimet buxhetore jashtë vendit janë përgjysmuar në raport me vitin 2014, ku vlera e tyre ishte mbi 42.6 milionë dollarë. Gati gjysma e këtyre shpenzimeve dominohej nga shpenzimet e udhëtimit të zyrtarëve shqiptarë jashtë vendit me mbi 9 milionë euro. Pas rotacionit të qeverisjes me 2013, stafi i zotit Rama realizoi shumë udhëtime më 2014 për t’u prezantuar në rrafshin ndërkombëtar. Gjithashtu në vitin 2014, qeveria realizoi një reformë në stafin e Trupit Diplomatik, duke shkurtuar rreth 30 për qind të tij. Shpenzimet për ambasadat në vitin 2016 ishin 18% më të ulëta se më 2014.

12 zyrtarë të PS-LSI shkarkohen për përfshirje në fushatë elektorale

Standardi për mos përfshirjen e administratës publike në fushatën elektorale po konsolidohet. Për herë të parë, në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri, administrata po frenohet me ligj për t’u bërë pjesë e fushatës elektorale. 12 zyrtarë të tjerë i janë shtuar listës së të penalizuarve me shkarkim të menjëhershëm nga detyra për shkak të përfshirjes së tyre në fushatën zgjedhore. Drejtori i Postave, Majlind Lazimi është liruar nga detyra dhe shkak mësohet se ka qenë fushata elektorale. Gjithashtu, është shkarkuar edhe drejtoresha e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Marisa Kaçori. Ajo është shkarkuar me motivacionin e pjesëmarrjes në fushatën e Partisë Socialiste dhe përdorimin e administratës për fushatë. Ky është një nga disa shkarkimet që kanë ardhur si rrjedhojë e pjesëmarrjes së drejtorëve në fushatë. Shkarkimi ka ardhur nga ministrja e re, Xhulieta Kërtusha. Po dje, është kallëzuar penalisht Drejtoresha e Postës në Berat, Haris Ngjeqari. Ajo është kallëzuar penalisht nga zëvendëskryeministrja Mandia, për shkak se u ka kërkuar punonjësve të plotësojnë një formular, qëllimi i të cilit ka qenë favorizimi i subjektit politik LSI. Shkarkimi i tyre erdhi dje, menjëherë pas ngritjes së task-forcës, e cila do të monitorojë rreptësisht administratën dhe sjelljen e saj gjatë gjithë fushatës zgjedhore deri në mbajtjen e zgjedhjeve më 25 qershor. Në fakt, marrëveshja e firmosur më 18 maj këtë kishte si qëllim, shmangien e përfshirjes së administratës në fushatën zgjedhore. Problemi u rëndua, sidomos kur bëhet fjalë për arsimin, gjatë kohës kur Rama ndërmori takime me ata që votojnë për herë të parë, e cila është dhe pjesa, e cila në mendësinë e tij mund të joshet më lehtë në këto prag votimesh. Nga të gjitha anët e vendit vinin pamje të autobusëve të mbushur me nxënës që shkonin nga një rreth në tjetrin, për të mbushur takimet e Ramës. Natyrisht në krye të këtij aksioni ishin drejtorët e Drejtorive Arsimore, por dhe drejtorët e gjimnazeve. Kulmi do të ishte, kur zhvilloi takimin e Tiranës, ku mësimi u bë me orë të shkurtuara, madje u premtua dhe ditë pushimi të nesërmen për ata që do të merrnin pjesë në këtë takim elektoral. Bëhet fjalë për takimin, ku ish-drejtoresha e Doganave do e krahasonte Ramën me Skënderbeun. Por jo vetëm kaq. Përfshirja e PS-së me anë të FRESSH në gjimnaze ishte kthyer në një gangrenë dhe për mësuesit, pasi ata që angazhoheshin në fushatë për Ramën u ishte dhënë e drejta me anë të një urdhri të pashkruar që jo vetëm të mos merrnin pjesë në mësime, por dhe notat të vendoseshin fiktive, duke dhënë kështu shembullin më të keq për të rinjtë. Nga ana tjetër, janë kjo kategori personash, të cilët shkojnë gjimnaz më gjimnaz, duke premtuar bursa apo të drejta studimi, të gjitha në këmbim të një vote në zgjedhjet e përgjithshme. Firmosja e marrëveshjes ku ministria kaloi me drejtues teknikë dhe ndryshimet në Kodin Penal, pritet ta frenojnë në maksimum këtë fenomen. PS ka nisur një fushatë agresive, duke përpjekur të mbushë takimet elektorale me punonjës të administratës. Denoncime të përditshme po publikohen në rrjetet sociale nga qytetarë të ndryshëm, të cilët me foto tregojnë se si drejtues të administratës publike bëjnë fushatë në krah të ministrave socialistë. Kjo situatë ka degraduar edhe më tej, me kërcënimet dhe shantazhet e hapura që po u bëhen punonjësve të administratës për të marrë pjesë në takimet elektorale të PS. Janë të përditshme rastet, ku drejtoritë e shkollave apo spitaleve nxjerrin mësuesit, mjekët, infermierët apo gjithë personelin të marrë me detyrim në takimet elektorale, duke mbyllur shkollat e spitalet.

Interi presion Nisës për mbrojtësin brazilian

Nëpërmjet drejtuesit Ausilio, Interi i ka bërë një ofertë klubit francez të Nisës për mbrojtësin Henrike Dalbert. 23-vjeçari ka qenë një nga zbulimet e kampionatit francez në sezonin që sapo u mbyll dhe mbi të janë sytë e disa prej klubeve më në zë europiane. Për brazilianin, klubi nga jugu i Francës kërkon 30 milionë euro, shumë kjo e cilësuar e tepërt, pasi lojtari ka zhvilluar vetëm një sezon në nivele të larta dhe përvoja e tij në Europë është e paktë.
Sidoqoftë, drejtuesit zikaltër nuk duan të heqin dorë nga mëngjarashi për të cilin patën ofruar fillimisht 6 milionë euro, ndaj po përgatisin një ofertë të re për të bindur drejtuesit francezë, pasi lojtari mesa duket ka dhënë pëlqimin e tij për këtë transferim.
Përveç klubit, një problem tjetër që shqetëson jo pak është pasaporta e futbollistit, pasi ai nuk është komunitar dhe blerja e tij kërkon një studim më të hollësishëm, sidomos në kuadër të blerjeve të tjera që synohen në merkaton e klubit me qendër në rrugën “Vitorio Emanuele” të Milanos.
Kërkesa siç thamë, 30 milionëshe, është një përpjekje për të arritur në një arkëtim prej 15 milionë eurosh, shifër që sidoqoftë zikaltrit nuk kanë ndër mend të shpenzojnë për 23-vjeçarin. Nëse edhe oferta e radhës do të refuzohet, atëherë Ausilio do të përpiqet të përfshijë në marrëveshje dy lojtarë të ekipit të të rinjve zikaltër, siç janë francezët Ondre Gravijon dhe Aksel Bakajoko.
Nëse për lojtarin e Nisës ka disa probleme, mediat gjermane shprehen të sigurta për fatin e Luiz Gustavos. Mesfushori do të jetë përforcimi për mesfushën zikaltër, pavarësisht se për të flitej një kalim te Milanit, zëra të përgënjeshtruara nga vetë agjenti i futbollistit.
Dyshja gjermane si “Sport Bild” dhe “Kicker”, duke analizuar largimet e mundshme nga Volfsburgu, flet për brazilianin dhe kolegët e tij Diego Benalio dhe Rikardo Rodriguez si largimet e para pas shpëtimit prej rënies nga kategoria.
Kostoja e 30-vjeçarit është gjithashtu 15 milionë euro, ashtu si për Dalbert, por ndryshe nga patrioti për Gustavon nuk përfshihen diskutime të natyrave teknike apo pasaporte, duke qenë se prej 5 vitesh është “gjerman”.

Fitore ndaj Izraelit

Ergys Kaçe është një ndër risitë kryesore të listës së fundit të kombëtares, është rikthyer me kuqezinjtë pas një periudhe plot oshilacione gjatë së cilës është folur edhe për një raport aspak idilik me trajnerin De Biasi, që ndonjëherë nuk ka kursyer edhe tonet e forta në drejtim të tij në deklaratat publike. Por çfarë ka ndodhur realisht, në prononcimin e tij mesfushori e lidh gjithçka me formën e tij sportive që nuk ka qenë gjithmonë maksimale.
“Futbolli i ka këto, ndodhin gjëra një herë je mirë dhe një herë nuk je mirë dhe kjo ka qenë nga arsyet që nuk kam qenë në kombëtare. Tani gjendja ime është më e mirë dhe jam shumë i kënaqur që jam grumbulluar sërish, sepse kam vite që jam pjesë e ekipit përfaqësues”, u shpreh Kaçe.
Shqipëria vjen në përballjet me Luksemburgun dhe Izraelin pas disa zhgënjimeve radhazi. Klima diametralisht e kundërt me atë të një viti më parë kur ishte në dyert e Europianit. Kaçe nuk beson se përgjegjësitë mund t’i ngarkohen vetëm mesfushës, ndërkohë që është besimplotë se një fitore ndaj Izraelit mund të ndryshojë situatën.
“Besoj se skuadra përpara 1 viti apo 2 vitesh ishte më mirë. Nuk mendoj se është faji i mesfushës, pasi çdo repart ka patur rënie, kemi bërë ndeshje të shkëlqyera si ajo në Portugali. Kohët e fundit nuk kemi kaluar një moment shumë pozitiv, por po përmirësohemi, tashmë duam të bëjmë mirë të fitojmë në Izrael dhe të pozicionohemi sa më lart në renditje”, tha ai.
Shpresë për një rikthim të kuqezinjve aty ku duhet dhe arritjen e vendit të tretë, e sigurt është se potenciali kësaj skuadre nuk i mungon. “Kemi shumë lojtarë të mirë në skuadër, kemi bërë gjëra të mëdhaja dhe duam t’u rikthehemi rezultateve pozitive dhe të shfaqim në fushë të njëjtin nivel si para një viti. Kam besim se do t’ia arrijmë”, tha Kaçe.
“Kemi potencial për t’i mbyllur eliminatoret në vendin e 3-të. Fizikisht jam shumë mirë edhe pse nuk kam luajtur rregullisht, duam t’i fitojmë këto dy ndeshje për t’u rikthyer në nivelin e mëparshëm”, tha ai.
Kaçe ndihet në gjendje optimale fizikisht edhe pse jemi në fund të sezonit, ndërkohë që në planin personal edhe pse shpeshherë është folur për interesimin e ekipeve të mëdha mbetet te Paoku, gjithsesi pa përjashtuar surprizat që në merkato janë gjithmonë pas porte. “Është folur shumë mbi të ardhmen time, por momentalisht unë jam te Paoku, kam kontratë 3-vjeçare me Paokun, nuk e di se çfarë mund të ndodhë me të ardhmen time dhe shpresoj që të luaj sa më shumë me Paokun, kjo është më e rëndësishmja”, përfundoi Kaçe.

Stazhe për 10 mijë studentë, 100 milionë euro për fermerët

Lulzim Basha dhe ekipi i tij shpallën programin dje në Pogradec. Fëmijët në shkolla deri në orën 16.00, me drekë të paguar. Stazhe për 10 mijë të rinj, para për fermerët, 300 kilovat dhe fatura e ujit e paguar për njerëzit në nevojë. Basha tha se Republika e re është ulje taksash, para për fermerët, pension minimal prej 250 mijë lekësh. Basha premtoi ulje të taksave dhe TVSH dhe si dhe subvencione për bujqësinë. “100 milionë euro mbështetje financiare për fermerët shqiptarë. Para në dorë që do të bëjnë të mundur zerimin e kostos mekanike dhe uljen e kostos së plehrave kimike. Do të nxirrni prodhimet tuaja me kosto të përballueshme. Me 15 milionë më 2013 e patë çfarë rezultati patëm me agrumet, mollët? Me 100 milionë euro bujqësia shqiptare do të ngrejë kokën dhe do të konkurrojë denjësisht. Le ta dinë mirë se trau i doganës do të mbyllet për të gjitha prodhimet e jashtme bujqësore që konkurrojnë padrejtësisht djersën e fermerëve shqiptarë. Tarifa proporcionale. Fermerë shqiptarë, Republika e re do të garantojë që prodhimet tuaja kurrë më të mos kalben e të mbeten pa shitur. Taksa të ulëta, stazhe për 10 mijë të rinj, subvencione për fermerët, mbështetje për ata që hapin vende pune, hapje fabrikash, do të kenë mbështetje direkte financiare. Ky është plani ekonomik. Kjo është e vërteta e kryeministrit të ekonomisë, kryeministrit që do të jem unë me votën tuaj. Nuk do të merremi me barsaleta e fasada. Koha e palmave do të mbarojë. Do të zgjidhim problemet e shqiptarëve. Do të rikthejmë punën dhe punësimin”, tha Basha. Më tej, kryetari i opozitës paraqiti pika të tjera të alternativës së tij. “Çfarë është e nesërma e sigurtë e Republikës së re?! Së pari, për fëmijët shqiptarë, për prindërit dhe nënat shqiptare është shkolla publike nga kopshti deri në fund të maturës me drekë falas për fëmijët shqiptarë. Së dyti, aktivitete passhkollore deri në orën 4. E nesërme e sigurtë do të thotë pension minimal prej 250 mijë lekësh për pensionistët, ndihmë ekonomike për të gjitha familjet që kanë nevojë për ndihmë pa diskriminim dhe jo lëmoshë. Fatura e energjisë për konsumin familjar dhe fatura e ujit për konsumin familjar do të paguhet si shtesë në të gjitha familjet në nevojë ekonomike. Kjo është Republika e re. Pushteti në duart tuaja, ulja e taksave, hapja e vendeve të punës, investimi tek fëmijët tanë. Kjo është Republika e re, konkrete, e prekshme, e realizueshme”, tha Basha.

Rama pa bilanc, frikë nga debati publik me Bashën

Kryedemokrati Basha komentoi edhe refuzimin e ftesës për debat nga Edi Rama. “Mbrëmë Edi Rama refuzoi debatin me mua, nuk kam pse të shkoj në debat tha. Pse thoni që e refuzoi? Ju thoni ka frikë. Po çfarë do t’i bëj unë, nuk do ta sulmoj fizikisht. Nuk ka atë lloj frike. Bilanc nuk ka, program nuk ka. Kjo është frika e Edi Ramës. 300 mijë shqiptarë në azil. Rrogat kanë rënë për herë të parë në 27 vite. Kjo është arsyeja pse Edi Rama nuk do debat me mua. Gjithë fushatën do ta kthejë në një shfaqe ku do të merret me gjithçka, përveç çështjeve që ju interesojnë ju. Kjo është fushata e tij, vazhdim i teatrit të kukullave. Demokracia e meriton debatin. Shëndesi falas, shëndetësia në pikiatë. Do të rris rrogat, rrogat kanë rënë. Edhe INSTAT-i thotë që rrogat kanë rënë në 27 vite. Kjo është arsyeja që Edi Rama nuk do debat me mua”, tha Basha.

Koha e klientelizmit ka marrë fund, asnjë votë pazarit politik

Në takimin elektoral me qytetarët e Pogradecit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha se kryeministri Edi Rama, refuzon debatin pasi sipas tij nuk ka bilanc dhe ka braktisur çdo premtim. Sipas Bashës, ekonomia, papunësia dhe shëndetësia nuk janë pjesë e fushatës së Ramës. Basha reagoi edhe ndaj LSI, kur ftoi pogradecarët të dalin nga pengmarrja e kësaj partie dhe të kthehen në shtëpinë e tyre, PD. “Këtu në Pogradec ka dhjetëra e qindra qytetarët që LSI i përdori si klientë, duke i detyruar të marrin karta anëtarësimi për një vend pune. Koha e klientelizmit ka marrë fund. Kthehuni në shtëpinë tuaj. Vota për LSI janë vota në gjol. Nuk do të ketë më pazar. Ndëshkoni Ramën me votë, mos u jepni asnjë votë partive të tjera të pazarit politik”. Sipas Bashës, në katër vite u pasuruan Kryeministri dhe një grup oligarkësh rreth tij. “Nuk ka punë, nuk ka lekë. Subvencione nuk ka, ndihmë për krijimin e vendeve të punës nuk ka. Në katër vite u pasuruan vetëm një grup pushtetarësh. Rama thotë se Shqipëria është mirë. Një herë në dy javë poston foto nga projekti i rrugës që nisëm ne dhe në katër vjet nuk e mbaroi. Edi Rama jeton me këto kartolina siç jeton me pikturat e tij, palmat, shatërvanet. Kur Rama thotë ekonomia është mirë, e ka fjalën për ekonominë e vet dhe një grushti njerëzish. Por ju e dini që ekonomia është katastrofë, taksat dhe çmimet janë rritur, 300 mijë vendet e punës nuk u hapën kurrë. Më 25 qershor është koha që i rrethuar nga flluskat e vizatimeve, pikturave, ekspozitave, batutave, estradave, të ngrihesh njëherë e mirë në ballonin ku jeton dhe të largohesh nga pushteti për t’i hapur rrugë një Republike të re të qytetarëve shqiptarë dhe një Kryeministri për qytetarët e thjeshtë, një Kryeministri për ekonominë e vërtetë. Unë do të jem Kryeministri juaj, jo i fasadave, jo i barsaletave, jo i batutave, jo i palmave, jo i shpenzimeve rrush e kumbulla, por Kryeministri i halleve dhe zgjidhjeve”. Kreu i PD u ndal dhe tek ndryshimet kushtetuese që parashikohen të bëhen, kur tha se deputetët do të zgjidhen dhe pushohen nga populli edhe në mes të mandatit. Ai propozoi që e njëjta formulë të ndiqet dhe për Kryeministrin. Basha: “Ndryshimet kushtetuese që janë pjesë e marrëveshjes politike, ndryshimi i parë do të bëjë të mundur që këtej e tutje deputetët të zgjidhen drejtpërdrejtë nga qytetarët dhe jo kryetarët dhe çdo deputet që nuk mban premtimet, që nuk ju përfaqëson, që harron zonën, nuk do të prisni katër vjet, por mund ta shkarkoni në mes të mandatit. Sa më takon mua i njëjti rregull duhet të përdoret dhe për Kryeministrin. Një rregull amerikan. Erdhe me premtime, nuk i mbajte, nuk pritet katër vjet, por populli do ta zgjidhë kontratën njësoj si në çdo marrëdhënie kontraktuale. Do të keni në dorë fijet e pushtetit”.

Partitë politike po përdorin resurset publike në fushatë

Rreth 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian pritet të përcjellin nga afër procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Udhëheqësi i Misionit vëzhgues nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle tha se zgjedhjet e 11 qershorit, kur do të zgjidhen përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Kosovës, janë shumë sfiduese dhe shihen si një mundësi e mirë për të demonstruar pjekurinë demokratike të Kosovës. Misioni vëzhgues i zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian për të tretën herë po përcjell nga afër proceset zgjedhore në Kosovë. Vëzhgimi i zgjedhjeve, sipas Peterle, do të monitorojë gjithë procesin dhe jo vetëm ditën e votimeve. Ai tha se tashmë kanë zhvilluar takime me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë dhe të gjithë aktorët e përfshirë në proces. “Të gjithë aktorët politikë duhet të përmbahen nga gjuha fyese ose format e trysnisë dhe frikësimit, e cila do të minonte integritetin e procesit zgjedhor”, tha Peterle. Ai tha po ashtu se Misioni vëzhgues nga BE-ja, dëshiron të sigurohet që të gjithë votuesit me të drejtë vote nga të gjitha komunitetet të kenë mundësinë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Sa i përket pjesës veriore të Kosovës të banuar nga shumica serbe dhe ku ndikimi i Serbisë është i theksuar, Peterle tha se kjo nuk e ndryshon misionin dhe as metodologjinë e punës së vëzhguesve nga BE-ja. “Ne do të jemi njësoj të vëmendshëm në procesin zgjedhor, këtu dhe atje, në veri”, u shpreh Peterle. Ndërkohë, edhe vëzhguesit vendorë tashmë janë duke e përcjellë nga afër procesin. Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, ka prezantuar vlerësimet e para rreth ditëve të deritashme të fushatës. Ismet Kryeziu nga “Demokracia në Veprim” tha se janë përcjellë 77 takime apo tubimeve publike nga të cilat ai nxori edhe konkludimet e para. “Deri tani kemi arritur të përcjellim 77 takime publike të subjekteve politike, gjatë dy ditëve. Në të gjitha këto takime siguria publike për pjesëmarrje ka qenë e garantuar dhe siguruar nga Policia e Kosovës dhe qytetarët ku mund të marrin pjesë pa e ndjerë ndonjë kërcënim apo rrezik për pjesëmarrje në këto takime”. “Resurset publike, të cilat janë përdorur nga partitë, nga 77 aktivitete, në 13 prej tyre kemi parë që partitë politike kanë përdorur resurse shtetërore, përfshi veturat zyrtare dhe shërbyesit civilë që kanë marrë pjesën për tubime”, tha Kryeziu.

Xhaka reagon pas mosgrumbullimit!

Mungon në grumbullimin me kombëtaren, por me zemër është aty dhe ashtu siç është kthyer tanimë një modë në futbollin modern, ka preferuar ta bëjë gjithçka të ditur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Taulant Xhaka shkruan pak fjalë mbi foton e tij me fanellën kuqezi, por që thonë shumë. “….. Vijnë e ikin, por unë gjithmonë kuqezi, lutem me fitore”. Është ky mesazhi i Xhakës ku natyrisht nuk kërkon ndonjë sforco të madhe për të kuptuar se pikat i referohen fjalës trajnerët dhe më kontretisht marrëdhënies së tij të kompromentuar me Gianni de Biasin.
Mesfushori la grumbullimin e kombëtares pa pritur miqësoren me Bosnjen pas ndeshjes me Italinë, i irrituar për mungesën e aktivizimit e të një shpjegimi nga ana e De Biasit se përse nuk ishte preferuar për sfidën me të kaltërit. Edhe pse trajneri u përpoq ta amortizonte çështjen Taulant Xhaka u shfaq i drejtpëdrejtë në një komunikatë të mëpasshme ku i shprehu hapur pakënaqësitë e tij në lidhje me trajtimin e rezervuar nga trajneri. De Biasi nuk e përfshiu 26-vjeçarin në grumbullimin e radhës për ndeshjet me Luksemburgun dhe Izraelin dhe duket e vështirë që krisja e raportit mes tyre të ketë një rikuperim në të ardhmen e afërt. Ky është reagimi i parë i Taulant Xhakës pas mosgrumbullimin me kombëtaren ku ndër rreshta është e lehtë të lexohet se ai mbetet me zemër e mendje me kuqezinjtë, edhe pse mund të mos ketë më një ftesë për të në epokën e De Biasit.