Është vetëm 19-vjeçar, e pavarësisht moshës ka status “veterani” në kombëtaren Shpresa. Pas edicionit të kaluar ku ishte titullar fiks me përfaqësuesen e 21-vjeçarëve, në kualifikueset e Europianit 2019 Keidi Bare do të jetë një prej pikave të referimit të skuadrës. Duke nisur nga miqësorja e 5 qershorit me Francën, që do të luhet në orën 21:05 në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.
“Franca është një ekip me shumë kualitet dhe lojtarë cilësorë, që luajnë në skuadra europiane. Kjo është një ndeshje deçizive për ne, sepse do të përgatitemi për sfidën kualifikuese me Estoninë. Ndeshja me Francën do të na ndihmojë të njohim edhe më mirë njëri-tjetrin dhe shpresoj, përse jo të dalim me fitore”, u shpreh Bare.
Nga Franca te Estonia, kundërshtari i parë në ndeshjet zyrtare në Grupin 2, aty ku si kundërshtarë janë edhe Spanja, Sllovakia, Islanda dhe Irlanda e Veriut. Mesfushori fierak beson se Shqipëria mund të luajë shanset e saj për t’u kualifikuar në fazën finale. Talenti kuqezi shpreson në një sezon protagonisti edhe te Atletico e Madridit. Pas gjashtë muajve në ekipin e parë nën urdhërat e Diego Simeones dhe me merkaton e “Colchoneros” të bllokuar nga FIFA, Bare beson që do të ketë shanset e tij për të qenë protagonist.
Bare, Franca dhe e ardhmja te Atletico
Abrashi: Dua të luaj ndaj Izraelit
Nga kombëtarja është larguar në të njëjtën ditë me Taulant Xhakën, diçka më shumë se dy muaj më parë. Të dy të mërzitur me mosaktivizimin preferuan të mos ktheheshin në Tiranë, por Amir Abrashi e motivoi vendimin me argumentin se ishte i dëmtuar. Sot është sërish në kombëtare dhe bashkë me Ergys Kaçen ishin të parët që hapën serinë e konferencave për shtyp për ndeshjet e radhës. Abrashi pranon se nuk mund të bashkëjetojë lehtë me stolin, por mohon të ketë patur konflikt me trajnerin De Biasi.
“Jam një futbollist që dua të luaj në çdo ndeshje, por është trajneri ai që vendos formacionin, por në skuadër unë nuk jam i vetmi që dua të jem në fushë, sepse janë më shumë se 20 futbollistë që duan të luajnë me ekipin përfaqësues. Unë do të jap maksimumin sa herë që do të më jepet mundësia për të luajtur edhe pse në mesfushë, rivaliteti është shumë i madh. Nuk kam pas asnjë problem me trajnerin, edhe pse dua të luaj gjithmonë e rëndësishme është që skuadra të paraqitet mirë. Duam të marrim pikë ndaj Izrealit dhe kjo është më e rëndësishmja”, u shpreh Abrashi.
Një ndër lojtarët më të besuar në Europianin francez, Abrashi ka munguar ndaj Spanjës, Izraelit e Italisë, një seri humbjesh që ia dedikon në njëfarë mënyre edhe mungesës së preferencave të fatit. “Jemi një grup i mirë, por nuk kemi patur as fatin me vete siç ndodhi ndaj Izrealit. Ndaj një skuadre si Spanja është gjithmonë e vështirë, ndërsa ndaj Italisë treguam se kishim potencial duke humbur dy shanse të mira që në minutat e para që mund të ndryshonin fatin e ndeshjes”, tha ai.
Për të shpjeguar sindromën e ekipeve të vogla që e kanë të vështirë të përsërisin suksese të mëdha, vlen shumë edhe një paralelizëm mes Shqipërisë dhe Freiburgut, kura në futboll është universale, besim dhe kurrë të mos dorëzohesh. Besimi është fjala kod edhe për përballjen me Izraelin, në funksion të tij miqësorja me Luksemburgun. “Duhet të paraqitemi mirë me Luksemburgun, të fitojmë, të shënojmë gola në mënyrë që çdo lojtar të fitojë besim, në mënyrë që të shkojmë në Izrael për të dhënë maksimumin dhe pse jo për të fituar edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Ne gjithmonë si skuadër kemi patur një mbrojtje të fortë, objektivi ynë është të mos pësojmë gol dhe të krijojmë disa raste për t’i fituar ndeshjet”, tha ai.
20 ndeshje të luajtura në këtë sezon të Bundesligës me Freiburgun që shikon këtë verë dritaren e Europa League, por për një motor të vërtetë të mesfushës si Abrashi fjala lodhje nuk ekziston, aq më shumë kur bëhet fjalë për të rifituar një vend në formacionin e kombëtares. “Unë fizikisht jam shumë mirë, jam plotësisht i gatshëm për dy sfidat e radhës me kombëtaren”, tha Abrashi.
Fëmijët shqiptarë renditen të fundit në Ballkan për standardin e fëmijërisë
Një raport i publikuar nga Save the Children tregoi se, fëmijët në Ballkan hasen me fëmijëri të vështirë, norma të larta vdekshmërie, kequshqim dhe pasoja të konflikteve, ndërsa Shqipëria u rendit në pozicionin më të keq. Një raport i ri ndërkombëtar i Save the Children i publikuar të mërkurën, titulluar “Fëmijëritë e vjedhura”, tregon për boshllëqet e mëdha në standardet e jetës së fëmijëve në vendet më të pasura dhe më të varfra në Ballkan. Indeksi Fundi i Fëmijërisë fokusohet te disa ngjarje të ndryshimit të jetës, të cilat sinjalizojnë ndërprerjen e fëmijërisë dhe rendit 172 vende nga vendet ku fëmijëria është më e paprekur deri te ato ku është më e penguar. Kriteret sipas të cilave renditen vendet janë shkalla e vdekshmërisë foshnjore, përqindja e fëmijëve të kequshqyer dhe përqindja e fëmijëve jashtë shkolle, të cilët kanë filluar të punojnë, të martohen, të kenë një fëmijë ose që kanë përfunduar si viktima të dhunës ekstreme. Raporti tregon një hendek të madh midis vendeve të Ballkanit të renditura më mirë dhe më keq. Krocia doli më e mira në rajon, në vendin e 25-të, ndërsa Shqipëria ishte e fundit në vendit e 71. Pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit u renditën midis këtyre dy skajeve. Save the Children raportoi se 23 për qind e fëmijëve deri në pesë vjeç nuk kanë zhvillim trupor për shkak të kequshqimit në Shqipëri. Shqipëria është gjithashtu vendi më i keqrenditur në Ballkan për vdekshmërinë e fëmijëve, ku humbin jetën 14 nga 1000 fëmijë nën moshën pesë vjeç. Bosnja renditet në vendin e 35, ku 4.6 për qind e fëmijëve janë zhvendosur me forcë nga konflikti sipas raportit. Serbia u rendit në vendin e 41, pasi raporti vlerësoi se 3.3 për qind e fëmijëve janë të zhvendosur nga konflikti. Megjithatë, ky numër përfshin edhe Kosovën, e cila nuk është monitoruar në mënyrë të pavarur mes 172 vendeve. Mali i Zi renditet në vendin e 44 dhe Bullgaria, ku rreth 37 në 1000 vajza të moshës 15-19 vjeç kanë lindur fëmijë, është në vendin e 49-të. Rumania gjithashtu ka një normë të lartë lindjeje në adoleshencë, 34 në 1000 fëmijë, gjë që e rendit atë në vendin e 52-të. Maqedonia është në vendin e 56-të. Save the Children raportoi se fëmijëria ka përfunduar para kohe për të paktën 700 milionë fëmijë në mbarë botën – shifër kjo edhe më e lartë – për shkak të shëndetit të keq, konflikteve, dhunës ekstreme, martesës në fëmijëri, shtatzënisë së hershme, kequshqyerjes, përjashtimit nga arsimi dhe punës së fëmijëve.
Rriten kostot e ndërtimit, a do të transferohen te çmimi?!
Instituti i Statistikave ka publikuar Indeksin e Kushtimit të Banesave për tremujorin e parë të vitit 2017. Sipas raportit të INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti në tremujorin e parë të 2017 në 102.9 kundrejt tremujorit të parë të 2011-ës (T1 2011=100). Në tremujorin e parë 2017, ndryshimi vjetor i indeksit të kushtimit në ndërtim është 0,9% dhe ndryshimi tremujor është 0,2%. Ndryshimi vjetor i indeksit të kushtimit në ndërtim është 0,9%. Një vit më parë ky ndryshim ishte -0,2%. Grupi “shpenzime materiale” ka shënuar rritje 1,6% dhe grupi “shpenzime për paga” 1,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2016, ulja më e madhe vjetore vërehet në grupin “shpenzime transporti” me 2,0%, pasuar nga grupi “shpenzime makinerie” me 0,3%. Në tremujorin e parë 2017, ndryshimi i indeksit të kushtimit në ndërtim është 0,2%. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2016, grupi “shpenzime për paga” shënoi rritje me 0,5%. Ndërsa, ulja më e madhe vërehet te grupi “shpenzime transporti” me 2,1%, pasuar nga grupi “shpenzime makinerie” me 0,8%. Sipas zotit Sokol Kika, administrator i kompanisë “Kika Construction”, ndikimi në rritjen e shpenzimeve për materiale ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së çmimit në bursa të disa prej materialeve bazë, si hekuri. Çmimi i hekurit arriti nivelet më të larta të tri viteve në tregjet ndërkombëtare. Ndërsa rritjen në shpenzimet për paga, zoti Kika e argumentoi me efektin e formalizimit. Sipas tij rritja e kontrolleve ka sjellë që të rritet numri i punëtorëve dhe pagesa të kryhet e plotë nëpërmjet bankave. Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (për Banesa) (IKN) mat ecurinë e çmimeve të materialeve të ndërtimit, të fuqisë punëtore dhe të shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një banese tip (8-10 kate). IKN është një tregues i rëndësishëm ekonomik për sektorin e ndërtimit.
Shqipëria ka humbur kapacitetet për ndërmarrjet e mëdha
Ekonomia shqiptare duket se është e përqendruar tek bizneset mikro, ndërsa ritmi i shtimit të bizneseve të mëdha ka qenë i ngadaltë. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria dhe Kosova janë më të varurat nga bizneset e vogla, të cilat ndonëse janë më të shumta në numër, kanë një ndikim më të vogël në punësim dhe ekonomi. Në fund të vitit 2016, mikrondërmarrjet numëronin mbi 145 mijë nga 160 mijë ndërmarrje në total. Rreth 95,2% e këtyre ndërmarrjeve punësojnë deri në 9 persona, ndërsa 90,5% e ndërmarrjeve në Shqipëri kanë më pak se katër të punësuar. Gjatë vitit 2016 trendi i regjistrimit të bizneseve mikro është rritur dhe nga 31,377 biznese të reja, 98,2% e tyre punësonin deri në katër persona. Në vitin 2016 janë regjistruar vetëm 6 biznese të mëdha, ku gjysma i takojnë sektorit të ndërtimit. Në total bizneset e mëdha përbëjnë 1,1% të totalit dhe punësojnë 48,3% të individëve. Situata paraqitet e njëjtë edhe në Kosovë, ku nga bizneset e reja të regjistruara gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, 99% e tyre janë biznese mikro. Ashtu si në vendin tonë, edhe në Kosovë janë ndërmarrjet e tregtisë me shumicë dhe pakicë, si dhe njësitë e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore, ato që përbëjnë numrin më të madh të ndërmarrjeve. Mikrondërmarrjet përbëjnë 98,4% të të gjithë ndërmarrjeve, ato të vogla dhe 1,4%, ato të mesme (50-249 të punësuar) përbëjnë 0,2%, ndërsa ato të mëdha përbëjnë vetëm 0,1% me rreth 58 kompani të tilla. Sa i takon punësimit, Kosova është edhe më e varur se Shqipëria në numrin e të punësuarve në mikrondërmarrje, të cilët janë 64% të totalit. Ndërmarrjet me 50+ të punësuar ofrojnë vende pune për vetëm 27% të të punësuarve. Në Serbi ndërkohë, bizneset mikro, që punësojnë deri në 9 persona përbëjnë sipas të dhënave të zyrës së statistikave në vend, 87% të totalit të bizneseve. Ndërkohë që numri i bizneseve me mbi 50 punonjës është 2506. Ky numër bën më shumë përshtypje kur e krahasojmë me vendin tonë, i cili ka vetëm 1690 biznese të tilla, pavarësisht se rezultojnë të regjistruara pothuajse dyfishi i ndërmarrjeve. Mbi të gjitha, diferenca është më e ndjeshme tek punësimi, ku ndërmarrjet me mbi 50 punonjës punësojnë pothuajse 62% të individëve. Në Republikën e Maqedonisë rezultojnë aktive për vitin 2016 rreth 56,725 biznese mikro, ose 79,3% e totalit prej 71,519 ndërmarrjeve. Ndërkohë, bizneset e mëdha që punësojnë mbi 50 persona përbëjnë 2,2% të totalit, shumë mbi mesataren e Shqipërisë e Kosovës. Sa i takon megabizneseve që punësojnë mbi 250 persona, në Maqedoni rezultojnë 233 ndërmarrje aktive. Të dhënat e Malit të Zi i llogarisin të dhënat e ndërmarrjeve sipas prodhimit bruto, por gjithsesi duket se janë në një situatë më favorizuese se Shqipëria, ku 48% e aktivitetit ekonomik mbështetet tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme; ndërsa pjesa tjetër tek bizneset që punësojnë mbi 50 punonjës.
Konkurrenca heton edhe monopolin me majanë e bukës
Autoriteti i Konkurrencës nisi procedurën e hetimit paraprak në tregun e tregtimit të produkteve lëndë e parë për prodhimin e brumërave për bukë dhe nënproduktet e saj, konkretisht ndaj ndërmarrjes “Nelly” SHPK.
Sipas njoftimit zyrtar të Autoritetit të Konkurrencës, më datë 12.04.2017 është paraqitur ankesë ndaj ndërmarrjes “Nelly” Sh.p.k, e cila ushtron aktivitet në tregun e tregtimit të produkteve lëndë e parë për prodhimin e brumërave për bukë dhe nënproduktet e saj.
Sipas ankimuesve ndërmarrja “Nelly” Sh.p.k është distributor ekskluziv i produkteve “Maja” dhe “Miell” të markës “Zrnopan” të tipit “S”, “Plus” dhe “T” të prodhuar nga kompania “Lesaffre”, kompani franceze, me qendër rajonale në Kroaci.
Ankimuesit pretendojnë se janë ndodhur përpara faktit të mosfurnizimit me këto produkte nga ndërmarrja “Nelly” Sh.p.k dhe për këtë arsye kanë kontaktuar në telefon me z. Haki Hoxha, administratori i ndërmarrjes “Nelly” Sh.p.k, i cili i ka deklaruar se nuk do t’i furnizojë më, pasi ankimuesit kanë hapur një furrë buke (pikë shitjeje) në zonën e “Don Boskos” përballë furrës së bukës së kompanisë “SOMEG” dhe konkurrojnë këtë të fundit, i cili rezulton të jetë miku i z. Haki Hoxha, administrator i ndërmarrjes “Nelly” Sh.p.k.
Sipas ankimuesve, ndërmarrja “Nelly” Sh.p.k është i vetmi distributor i këtij produkti në Republikën e Shqipërisë, produkt të cilin e importon nga Kroacia dhe sipas tyre ky produkt nuk ka zëvendësues të tjerë në vend, duke i dhënë ndërmarrjes “Nelly” Sh.p.k pozita “monopol” në tregtimin e këtij produkti, pozita të cilat ajo i përdor për të goditur ankimuesit, duke shkelur nenin 9 të Ligjit 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (i ndryshuar).
Ndërprerja e furnizimit me këtë produkt i shkakton një dëm të rëndë dhe të pariparueshëm ankimuesve, pasi këta të fundit kanë kontrata me të tretë për furnizimin me bukë speciale, të cilat prodhohen me këto produkte dhe mospërmbushja e kontratës i ngarkon me penalitete, gjithashtu ankimuesit pretendojnë se 40% të produkteve të bukës që tregtojnë i prodhojnë me “Maja” dhe “Miell” të markës “Zrnopan” të tipit “S”, “Plus” dhe “T” të prodhuar nga kompania “Lesaffre” me distributor në Shqipëri ndërmarrjen “Nelly” Sh.p.k.
Për sa më sipër, nga pretendimet e ankimuesit, si dhe faktet dhe provat e paraqitura prej tij rezulton se sjellja e ndërmarrjes “Nelly” shpk në tregun e tregtimit të produkteve lëndë e parë për prodhimin e brumrave për bukë dhe nënproduktet e saj, duke refuzuar të furnizojë ankimuesit z. Hysen Caka, z.Ardian Caka dhe Znj. Lima Caka me produkte “Maja” dhe “Miell” të markës “Zrnopan” të tipit “S”, “Plus” dhe “T”, bazuar në nenin 9, pika 2 të Ligjit 9121/2003 mund të pengojë, kufizojë ose shtrëmbërojë konkurrencën në këtë treg.
Kosova, 8 milionë euro çdo vit Serbisë për energjinë elektrike
Që nga koha e pas luftës në Kosovë, llogaritet që çdo vit qytetarët kanë paguar mbi tetë milionë euro rrymë për banorët serbë të komunave në veri të Kosovës. Këto kanë dalë si rezultat i përfundimit të hetimeve nga institucioni i Avokatit të Popullit.
Hetimet e nisura në fillim të muajit prill fillimisht mbi dyshimet për shkelje të të drejtave të njeriut, kanë nxjerrë ndoshta skandalin më të madh, mbi atë se shqiptarët dhe komunitetet e tjera janë duke paguar faturat e energjisë elektrike edhe për komunat serbe në veri.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në një intervistë për “Indeksonline”, ka treguar për rezultatin e përfundimit të hetimeve të nisura nga ky institucion, ku pas disa ditësh pritet që ai të dalë para mediave dhe të tregojë faktet mbi skandalin, i cili llogaritet që ka shkelur rëndë të drejtat e njeriut në Kosovë.
Jashari ka thënë se shuma që qytetarët e Kosovës paguajnë për serbët e komunave veriore, është tetë milionë euro për çdo vit, ku sipas tij kjo ka ndodhur me vetëdijen e institucioneve përgjegjëse të Kosovës.
“Kemi marrë një përgjigje prej Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe më pas kemi realizuar një takim me zyrtarë të ZRRE-s ku kemi kërkuar shpjegime shtesë për situatën e krijuar. Ndërkohë kemi përcjellë tri letra menjëherë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe është pranuar nga ZRRE-ja se kosovarëve u janë shtuar në faturën e tyre, 4.5 për qind e shumës, e cila është paguar për pjesën veriore të Kosovës. Është bërë një interpretim se gjoja se ky 4.5 për qind njihet si humbje komerciale sipas interpretimit që jep zyra komerciale e ZRRE-së”, ka thënë ai.
Jashari tregon se shuma totale që kanë shpenzuar komunat serbe në veri është paguar tërësisht nga konsumatorët e komunave të tjera.
“Si duket kjo ka ndodhur gjatë gjithë kohës me vite të tëra, dyshohet prej pas luftës, ku vazhdon edhe në ditët e sotme kjo ka ndodhur si duket edhe në relacion me një vendim që ka nxjerrë ZRRE në vitin 2012. Shuma totale që kosovarët kanë paguar faturat e energjisë për komunat serbe në veri në baza vjetore është mbi 8 milionë euro”, ka treguar Jashari.
Avokati ka thënë se tani janë në pritje të përgjigjeve të fundit prej ministrive përkatëse nga të cilat ai ka kërkuar opinionet dhe interpretimet juridike dhe se cilat janë masat që ata kanë paraparë të merren me problemin në fjalë.
“Kjo bie ndesh sa i përket ligjit për të drejtat e konsumatorit dhe ligjit të marrëdhënieve dhe detyrimeve dhe me një varg ligjesh të tjera që definitivisht kanë kërcënuar në formën çfarë është bërë sipas vlerësimit tonë preliminar. Mirëpo tani jemi duke pritur dy përgjigjet e fundit nga ministritë ku më pas do të dalim me një qëndrim me një opinion për qytetarët, mirëpo edhe për autoritetet përkatëse, sepse ky është një trajtim i pabarabartë pra, mund të jetë një bazë e mjaftueshme për të konsideruar që ka pas diskriminim”, ka thënë Jashari.
Ndalohet shprehja e bindjeve politike në publik për nëpunësit
Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija ka reaguar pas vendimit të Këshillit të Ministrave për ngritjen e Task Forcës për monitorimin e administratës gjatë fushatës zgjedhore. Në një deklaratë për mediat, Mandija thotë se nëpunësi civil jashtë orarit zyrtar ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike. Mandija sqaron gjithashtu se pavarësisht se mund të marrë pjesë në veprimtari politike, nëpunësit nuk i lejohet të shprehë publikisht bindjet dhe preferencat e tij politike. “Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija, në vijim të deklaratave të këtyre ditëve dhe me qëllim qartësimin e opinionit publik, në referim të legjislacionit në fuqi, veçanërisht nenit 37, të Ligjit nr. 152/2013 ‘Për nëpunësin civil’, si dhe qëndrimit të komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, sqaron se nëpunësi civil jashtë orarit zyrtar ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike, por nuk i lejohet të shprehë publikisht bindjet dhe preferencat e tij politike. Kjo do të thotë që nuk i lejohet të ndërmarrë veprime, të bëjë fushatë për një subjekt politik/zgjedhor apo kandidat, të jetë protagonist në aktivitete/veprimtari politike apo të manifestojë me pankarta, parulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht. Gjithashtu, sqarojmë që gjatë orarit zyrtar të punës çdo lloj pjesëmarrjeje në veprimtari politike apo fushatë zgjedhore për një parti politike ose kandidat është e ndaluar për çdo punonjës të administratës shtetërore nëpunës civil, administrativ apo me kontratë pune. Çdo pjesëmarrje në kundërshtim me këto rregulla sjell përgjegjësi penale, sipas ndryshimeve më të fundit të miratuara në Kodin Penal nga Kuvendi i Shqipërisë. Zëvendëskryeministrja znj. Mandija shpreh besimin e plotë se titullarët e të gjitha institucioneve shtetërore do të marrin masat e nevojshme në përputhje me ligjin, për respektimin e detyrimeve të punonjësve të administratës shtetërore dhe do të procedojnë sipas ligjit për çdo shkelje të evidentuar”, thuhet në njoftim.
Përbërja e Task Forcës
Për koordinimin e procesit të monitorimit sipas këtij vendimi, krijohet Task Forca që drejtohet nga zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje:
– Ministrin e Punëve të Brendshme;
– Ministrin e Mbrojtjes;
– Ministrin e Financave;
– Ministrin e Arsimit dhe Sportit;
– Ministrin e Drejtësisë;
– Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;
– Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore;
– Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave;
– Drejtorin e Departamentit të Administratës Publike;
– Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
– Drejtorin e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave.
Në mbledhjet e Task Forcës ftohen të marrin pjesë:
– Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;
– Avokati i Popullit;
– Një përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme;
– Një përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kush do të penalizohet për përfshirje në fushatë
Këshilli i Ministrave ka miratuar ngritjen e një Task Force që do të kontrollojë veprimtarinë e fushatës politike, përdorimin e mjeteve logjistike dhe financiare në fushatë, si dhe kur nëpunësit e administratës lejohet të marrin pjesë në fushata elektorale dhe kur u ndalohet.
Kjo Task Forcë do të drejtohet nga zv/kryeministrja Ledina Mandia, në bazë të marrëveshjes së arritur mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.
– Administratë shtetërore është administrata nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, sipas nenit 1, të Ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, ku përfshihen institucionet e përmendura në pikën 2, të nenit 4, të këtij ligji, ndaj të cilëve ky vendim do të zbatohet;
– Punonjës të administratës shtetërore, ndaj të cilëve zbatohet ky vendim, sipas statusit të tyre janë nëpunës civilë dhe punonjës administrativë, në përputhje me përkufizimet e dhëna në nenin 4, të Ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, si dhe punonjës të tjerë civilë, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen me Kodin e Punës;
– Funksionarë kabineti janë nëpunës të administratës, sipas përkufizimit të nenit 4, të Ligjit nr. 152/2013, ndaj të cilëve nuk zbatohet ky vendim;
– Punonjës policie, punonjës të shërbimit të jashtëm, të përmendur në nenin 3, të Ligjit nr. 152/2013, si dhe punonjës të tjerë, statusi i të cilëve ose elementë të tjerë rregullohen me ligje të posaçme, janë punonjës të administratës shtetërore, ndaj të cilëve, përveç dispozitave të përgjithshme të këtij vendimi, do të zbatohen edhe dispozitat e veçanta për secilën prej kategorive të përmendura, për çdo rast, në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë vendim.
3. Punonjësit të administratës shtetërore, gjatë periudhës së procesit zgjedhor, i krijohen kushtet e nevojshme dhe i garantohet moscenimi i të drejtave dhe lirive themelore, kushtetuese, për të shprehur fjalën e lirë dhe për të marrë pjesë në veprimtari politike, brenda kufizimeve dhe ndalimeve, të përcaktuara me dispozita të veçanta të legjislacionit në fuqi, që rregullojnë dhe janë të vlefshme gjatë këtij procesi zgjedhor.
4. Punonjësi i administratës shtetërore, pas orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore, ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike apo zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
5. Punonjësi i administratës shtetërore ka të drejtë të angazhohet si komisioner zgjedhor, në përbërje të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, pasi të ketë njoftuar paraprakisht me shkrim eprorin direkt dhe njësinë e personelit për këtë veprimtari dhe të ketë marrë lejen me shkrim nga eprori direkt. Angazhimi si komisioner nuk duhet të ndikojë në përmbushjen e detyrave funksionale si pjesë e shërbimit civil.
6. Punonjësit e administratës shtetërore, gjatë orarit zyrtar të punës dhe brenda mjediseve të institucioneve shtetërore, i ndalohet çdo lloj pjesëmarrjeje në veprimtari politike apo fushatë zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
7. Nëpunësit civilë, gjatë pjesëmarrjes në veprimtari, sipas pikës 4, të këtij vendimi, në kuptim të nenit 37, të Ligjit nr. 152/2013, të ndryshuar, i ndalohet:
a) të bëjë fushatë për një subjekt zgjedhor;
b) të manifestojë me pankarta, parulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht;
c) të jetë protagonist në aktivitetet/veprimtaritë politike.
8. Punonjësit e Policisë së Shtetit i ndalohet:
– të jetë anëtar i një partie ose organizate politike;
– të mbështetë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.
9. Punonjësit e Gardës së Republikës i ndalohet:
– të sillet dhe të mbajë qëndrime që cenojnë natyrën e depolitizuar të Gardës;
– anëtarësimi e pjesëmarrja në veprimtari të partive a të shoqatave politike.
10. Punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit i ndalohet:
– të manifestojë sjellje dhe të mbajë qëndrime, që cenojnë natyrën e depolitizuar të institucionit;
– anëtarësimi dhe pjesëmarrja në veprimtaritë e partive apo të shoqatave politike;
– të bëjë propagandë në favor ose kundër partive, shoqatave politike ose kundër kandidatëve në zgjedhje.
11. Ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura i ndalohet:
– të jetë anëtar i partive politike, i organizatave ose shoqatave me karakter politik;
– të marrë pjesë në veprimtaritë politike që organizohen prej tyre.
12. Punonjësit të administratës shtetërore i ndalohet të përdorë të mirat publike, funksionin ose veprimtarinë shtetërore ose burimet financiare a njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
13. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre të organizojnë menjëherë punën dhe të marrin masat e nevojshme për garantimin e zbatimit të detyrimeve ligjore, për ndalimin e vënies në përdorim për subjektet zgjedhore të veprimtarisë së tyre institucionale, mjeteve, fondeve e materialeve të ndryshme, pronë e administratës shtetërore, si dhe të burimeve njerëzore të institucioneve të administratës shtetërore, të çdo niveli, për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 25 qershor 2017.
14. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre të kontrollojnë në mënyrë periodike veprimtarinë e nëpunësve nën varësinë e tyre, me qëllim shmangien dhe parandalimin e nxitjes apo kërkesës për përfshirjen e punonjësve të administratës shtetërore në veprimtari politike apo në mbështetje të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
Për efekt të zbatimit të kësaj pike, përveç masave të tjera, titullarët janë të detyruar që të publikojnë të dhënat e tyre të kontaktit në faqen zyrtare të internetit, duke kërkuar denoncimin e çdo rasti të përfshirjes ose nxitjes apo kërkesës për përfshirjen e punonjësve të administratës shtetërore në veprimtari politike apo në mbështetje të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
15. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre verifikojnë dhe analizojnë të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me përdorimin e mjeteve, fondeve e materialeve të ndryshme, si dhe mënyrën e ushtrimit të veprimtarisë institucionale, gjatë periudhës përpara fillimit dhe gjatë fushatës zgjedhore, në funksion të evidentimit të përdorimit ose jo të tyre për qëllime elektorale.
16. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre marrin masa dhe realizojnë monitorimin e zbatimit të tyre, për të garantuar mospërdorimin e:
a) burimeve njerëzore të institucionit në funksion të veprimtarisë së fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara për këto zgjedhje, në zbatim të nenit 14, të Ligjit nr. 9131, datë 8.9.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”;
b) fondeve të institucioneve për veprimtaritë e fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara për këto zgjedhje;
c) mjeteve dhe materialeve në inventar të institucionit për veprimtaritë e fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara për këto zgjedhje;
ç) zhvillimit të fushatës zgjedhore në institucionet publike apo realizimit të propagandës politike në to;
d) veprimtarisë shtetërore për të favorizuar subjekte të caktuara zgjedhore;
dh) detyruar, në fushatë zgjedhore, të administratës së institucionit brenda ose jashtë orarit të punës, si dhe të nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar brenda ose jashtë orarit mësimor.
17. Në zbatim të përcaktimeve të pikës 4, të nenit 63, të Ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe të nenit 37, të Ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, titullarët e ministrive ose drejtuesit e institucioneve të varësisë marrin masa për pezullimin nga detyra të nëpunësve civilë të institucioneve të tyre, të cilët janë regjistruar si kandidatë për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 25 qershor 2017. Për nëpunësit e tjerë, marrëdhënia e punës të të cilëve rregullohet nga Kodi i Punës, merren masa, sipas rastit, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës apo pezullimin nga detyra në rastet kur rezultojnë që janë regjistruar si kandidatë në listat e zgjedhjeve.
18. Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, automjetet, si dhe karburanti, në përdorim të titullarit apo institucionit të administratës shtetërore, ndalohen të përdoren për veprimtari të fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara në zgjedhje.
Bën përjashtim nga ky ndalim përdorimi i automjeteve të Gardës së Republikës dhe të Policisë së Shtetit, në përmbushje të detyrave të tyre funksionale.
Strukturat e Policisë së Shtetit, kur konstatojnë përdorimin e automjeteve shtetërore të institucioneve të pushtetit qendror e vendor për veprimtari të fushatës zgjedhore, të bëjnë bllokimin e tyre dhe menjëherë, të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe titullarin e institucionit në përdorim të të cilit është automjeti. Automjeti të zhbllokohet pas ekzekutimit të masës së marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përputhje me Kodin Zgjedhor. Në këtë rast, struktura e Policisë së Shtetit bën referim në organet kompetente për përdorimin e të mirave publike në favor të subjekteve zgjedhore.
19. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre marrin masa për të iniciuar procedura të reja prokurimi publik, koncesioni apo partneritet publik privat, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi deri në përfundimin e fushatës zgjedhore, me përjashtim të rastit të procedurave urgjente dhe të domosdoshme për funksionimin e institucionit, të cilat vlerësohen dhe miratohen rast pas rasti për të gjitha institucionet e varësisë nga ministri përgjegjës i fushës, pas miratimit paraprak nga Kryeministri.
20. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, në zbatim të detyrimeve të tij për organizimin e mbledhjes së Këshillit të Ministrave, të marrë masa dhe t’i parashtrojë Kryeministrit mospërfshirjen në rendin e ditës të projektvendimeve në lidhje me koncesione, kontrata apo angazhime të tilla politike, ekonomike apo sociale që nuk vijnë në zbatim të programit analitik të çdo ministrie/institucioni, siç është miratuar nga Këshilli i Ministrave.
21. Ministritë dhe institucionet e varësisë, me qëllim shmangien e keqpërdorimit dhe keqinterpretimit të aktiviteteve institucionale me fushatën elektorale, të publikojnë në faqen e tyre zyrtare:
a) deri në datën 5 qershor 2017, të dhënat për aktivitetet publike, të programuara për muajt qershor dhe korrik, që kanë lidhje me veprimtarinë e institucionit;
b) listën e projekteve të nisura prej 12 (dymbëdhjetë) muajsh, në ushtrim të punës dhe veprimtarisë së institucionit, të cilat janë në proces përfundimi, si dhe të gjitha procedurat publike konkurruese të realizuara gjatë 12 (dymbëdhjetë) muajve të fundit.
22. Ministritë dhe institucionet/organet e varësisë t’u krijojnë vëzhguesve dhe shoqatave të regjistruara në KQZ, si vëzhguese të procesit zgjedhor, akses të plotë për të marrë informacion në lidhje me detyrimet ligjore të administratës publike në procesin zgjedhor. Ministritë dhe institucionet/organet e varësisë informojnë publikun në mënyrë të vijueshme për monitorimin e realizuar në kuadër të këtij vendimi.
23. Për koordinimin e procesit të monitorimit sipas këtij vendimi, krijohet Task Forca që drejtohet nga zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje:
– Ministrin e Punëve të Brendshme;
– Ministrin e Mbrojtjes;
– Ministrin e Financave;
– Ministrin e Arsimit dhe Sportit;
– Ministrin e Drejtësisë;
– Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;
– Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore;
– Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave;
– Drejtorin e Departamentit të Administratës Publike;
– Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
– Drejtorin e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave.
Në mbledhjet e Task Forcës ftohen të marrin pjesë:
– Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;
– Avokati i Popullit;
– Një përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme;
– Një përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në mbledhjet e Task Forcës ftohen të marrin pjesë përfaqësues nga organizma ndërkombëtarë, në raste kur Task Forca e gjykon të nevojshme marrjen e asistencës teknike lidhur me çështje të procesit zgjedhor.
24. Task Forca mbështetet nga një sekretariat teknik i përbërë, përkatësisht, nga një nëpunës i kabinetit të Kryeministrit, kabinetit të zëvendëskryeministrit, aparatit të Këshillit të Ministrave. Çdo institucion i përfaqësuar me anëtarë në përbërje të Task Forcës cakton një punonjës kontakti që asiston sekretariatin teknik gjatë veprimtarisë së tij. Sekretariati teknik përpunon të gjithë informacionin e mbledhur dhe ia referon Task Forcës.
25. Task Forca mblidhet me njoftim nga kryetari periodikisht të paktën një herë në javë ose sa herë që vlerësohet e nevojshme prej tij ose të paktën prej 2 anëtarëve. Në mbledhjet e saj Task Forca, sipas rastit, cakton detyra më të detajuara për secilin anëtar, si dhe nëse e konsideron të nevojshme, miraton një plan veprimi apo masash për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në këtë vendim.
Çdo institucion shtetëror dhe institucion i pavarur, pjesë e Task Forcës, raporton me shkrim periodikisht lidhur me zbatimin e masave e të detyrave të ngarkuara, si dhe për problematikat e hasura gjatë procesit të monitorimit sipas këtij vendimi.
26. Ngarkohen Policia e Shtetit dhe/ose Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave t’i raportojnë me shkrim Task Forcës çdo rast kur konstatojnë përdorim në procesin zgjedhor të mjeteve financiare të krijuara nga veprimtari të paligjshme.
27. Task Forca, brenda sferës së veprimtarisë së vet, kur e gjykon të nevojshme, mund t’i kërkojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve informacion me shkrim për veprimtari në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, për të cilat ky i fundit merr dijeni nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik.
28. Task Forca, nëpërmjet zyrës së shtypit të Kryeministrit, komunikon me publikun për çështjet e shqyrtuara dhe masat e marra.
29. Task Forca të ushtrojë funksionet dhe të përmbushë detyrat e sipërpërmendura deri në përfundimin e procesit zgjedhor.
30. Titullarët e ministrive urdhërojnë ngritjen e grupeve të monitorimit/inspektimit për mënyrën e zbatimit të këtij vendimi dhe në funksion të informimit të Task Forcës, duke përcaktuar edhe detyrat konkrete dhe veprimtarinë që do të mbikëqyrin këto grupe.
Monitorimin e punonjësve gjatë orarit të punës
Këshilli i Ministrave miraton ngritjen e një Task Force nën drejtimin e zv/kryeministres Ledina Mandija për monitorimin e veprimtarisë së administratës shtetërore gjatë procesit të zgjedhjeve 2017. Në një vendim të publikuar në faqen e Kryeministrisë, thuhet se Taksa Forca në fjalë krijohet me qëllim nxitjen e paanshmërisë dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral, si dhe për mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime partiake. “Punonjësit të administratës shtetërore, gjatë periudhës së procesit zgjedhor, i krijohen kushtet e nevojshme dhe i garantohet moscenimi i të drejtave dhe lirive themelore, kushtetuese, për të shprehur fjalën e lirë dhe për të marrë pjesë në veprimtari politike, brenda kufizimeve dhe ndalimeve, të përcaktuara me dispozita të veçanta të legjislacionit në fuqi, që rregullojnë dhe janë të vlefshme gjatë këtij procesi zgjedhor”, thuhet në pikën 3 të vendimit. Ndërsa në pikën vijuese, jashtë orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore, punonjësit kanë të drejtë të marrin pjesë në veprimtari politike apo zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje. Në pikën 14 të vendimit, ngarkohen titullarët e ministrive dhe drejtuesit e institucioneve në varësi që të “kontrollojnë në mënyrë periodike veprimtarinë e nëpunësve nën varësinë e tyre, me qëllim shmangien dhe parandalimin e nxitjes apo kërkesës për përfshirjen e punonjësve të administratës shtetërore në veprimtari politike apo në mbështetje të një partie politike ose kandidati në zgjedhje”. Për këtë arsye, titullarët janë të detyruar të publikojnë adresat e kontaktit për të marrë denoncimet nga qytetarët. Gjithashtu, drejtuesve të institucioneve u ndalohet përdorimi i makinave dhe karburantit të blerë me paratë e shtetit për fushatë, praktikë e përdorur rëndomtë vitet e shkuara. Pjesëmarrja në fushatë u ndalohet edhe punonjësve të Gardës së Republikës, punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror, sigurisht Forcave të Armatosura, si dhe strukturat e Policisë së Shtetit. Ndërkohë, strukturat e Policisë së Shtetit, kur konstatojnë përdorimin e automjeteve shtetërore të institucioneve të pushtetit qendror e vendor për veprimtari të fushatës zgjedhore, të bëjnë bllokimin e tyre dhe menjëherë, të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe titullarin e institucionit në përdorim të të cilit është automjeti. Taska Forca do të monitorojë procesin zgjedhor, përfshirë ditën e votimit, në funksion të mospërfshirjes në të të zyrtarëve apo personave të tjerë që ndodhen në institucione shtetërore, përfshirë personat e burgosur dhe marrjen e masave për ndëshkimin e atyre zyrtarëve që veprojnë në kundërshtim me ligjin. Pjesë e kësaj detyre është edhe monitorimi i lëvizjes së nëpunësve të lartë dhe të mesëm shtetërorë në qendër dhe qarqe apo bashki gjatë procesit zgjedhor; Mbledhja e Taskë Forcës do të bëhen një herë në javë, ndërsa do të monitorojë dhe ndjekë problematikat me listat e zgjedhësve, si dhe monitorimin e zbatimit të masave për pezullimin e iniciativave për kontrata të përkohshme në nivel qendror e vendor; Në rastet e shkeljeve do të bëhet kallëzimi në Prokurorinë e Përgjithshme, si dhe do të njoftohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për problematika të procesit zgjedhor.
Cilat do të jenë detyrat e Task Forcës në monitorimin e gjithë procesit zgjedhor
a) Monitorimin e sjelljes dhe veprimtarisë së administratës shtetërore sipas këtij vendimi;
b) Monitorimin e administratës shtetërore në drejtim të përdorimit të autoritetit shtetëror vetëm në përputhje me ligjin duke mos lejuar përdorimin e burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të shtetit gjatë procesit zgjedhor, si dhe duke mos lejuar kryerjen e veprimeve dhe/ose dhënien e premtimeve, favoreve apo moscenimin e të drejtave të shtetasve, si mekanizëm për favorizimin apo dhënien e votës një subjekti të caktuar politik;
c) Monitorimin e procesit zgjedhor me qëllim konstatimin dhe raportimin e përdorimit gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor të mjeteve financiare nga burime të paligjshme apo të krijuara nga veprimtari të paligjshme;
ç) Monitorimin e procesit zgjedhor, përfshirë ditën e votimit, në funksion të mospërfshirjes në të të zyrtarëve apo personave të tjerë që ndodhen në institucione shtetërore, përfshirë personat e burgosur dhe marrjen e masave për ndëshkimin e atyre zyrtarëve që veprojnë në kundërshtim me ligjin. Pjesë e kësaj detyre është edhe monitorimi i lëvizjes së nëpunësve të lartë dhe të mesëm shtetërorë në qendër dhe qarqe apo bashki gjatë procesit zgjedhor;
d) Monitorimin e përditësimit dhe ndjekjen e problematikave me listat e zgjedhësve;
dh) Monitorimin e zbatimit të masave për pezullimin e iniciativave për kontrata të përkohshme në nivel qendror e vendor;
e) Monitorimin e përditësimit të akteve të komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;
ë) Njoftimin apo kryerjen e kallëzimit penal në Prokurorinë e Përgjithshme për raste të marrjes/vënies në dijeni për kryerjen e veprave penale në fushën zgjedhore;
f) Njoftimin e Avokatit të Popullit kur merr apo vihet në dijeni për kryerjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë procesit zgjedhor;
g) Njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kur merr dijeni apo vihet në dijeni për problematika të procesit zgjedhor;
gj) Bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës me Policinë e Shtetit në funksion të marrjes së masave të menjëhershme në përputhje me ligjin kur konstatohen raste të sjelljeve apo veprimtarive të kundërligjshme gjatë procesit zgjedhor;
h) Çdo detyrë tjetër në funksion të monitorimit të zbatimit të këtij vendimi.
32. Moszbatimi i rregullave dhe detyrimeve të parashikuara në këtë vendim passjell përgjegjësi disiplinore dhe ligjore, sipas kuadrit ligjor në fuqi.
33. Urdhri nr. 65, datë 12.5.2017, i Kryeministrit, “Për marrjen e masave për ndalimin e vënies në përdorim për subjektet zgjedhore të mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme, pronë e administratës publike, si dhe të burimeve njerëzore të institucioneve të administratës publike të çdo niveli për zgjedhjet e Kuvendit të datës 18 qershor 2017”, shfuqizohet.
34. Ngarkohen anëtarët e Task Forcës, ministrat, titullarët e institucioneve të administratës shtetërore, Departamenti i Administratës Publike dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Shëndetësia falas, 230 milionë euro për Vilmën
Në vitin 2013, Edi Rama do të premtonte shëndetësi falas për të gjithë, një premtim që sot e kësaj dite ka rezultuar një mashtrim i radhës, në listën e atyre premtimeve që bëri për të marrë pushtetin. Duhet thënë se shëndetësia gjatë katër viteve të Ramës ka marrë një pjesë jo të vogël të buxhetit. Në krye të saj, do të vihej Ilir Beqaj, një njeri që përgjatë katër viteve sa mbajti postin e ministrit do të kthehej në simbolin e korrupsionit të qeverisë Rama. Vetëm nga kjo ministri janë dhënë mbi 400 milionë euro koncesione, ku më shumë se 230 milionë prej tyre i ka marrë një kliente e qeverisë, që quhet Vilma Nushi. Sot gjendja në spitalet tona është e mjerueshme dhe politikat e Ramës s’kanë bërë gjë tjetër vetëm se kanë thelluar hendekun e atyre që s’mund të paguajnë. Kjo është pjesa më e dukshme, sepse Vilma Nushi ka ndërhyrë në thuajse çdo tender të zhvilluar në shëndetësi. Shumica e medikamenteve dhe pajisjeve që furnizojnë spitalet tona duhet patjetër të kalojnë nëpërmjet duarve të saj. Duket sikur kemi të bëjmë me një vjedhje dhe abuzim të shfrenuar që përqendrohet vetëm në duart e një njeriu. Shifra që përmendet, pra ajo e 230 milionë eurove me dy koncesione do të ishte e mjaftueshme për të ngritur të paktën 10 spitale të rinj për çdo qark të vendit, me përmasat e një hoteli luksoz, ku të afroheshin jo check up falas, por të gjithë shërbimet që i duhen pacientëve me kushtet bashkëkohore.
Tenderi i check up
Në tetorin e vitit 2014, zonja Nushi do të shpallej fituese e një tenderi shumëmilionësh që do e kishin zili dhe oligarkët rusë. 120 milionë euro për 10 vjet nga koncesioni për kontrollin e popullsisë. Një vlerë kjo e barabartë sa vlera e disa spitaleve luksoze që mund të kryenin shërbime të tilla në të gjithë vendin. Në lidhje me këtë tender Prokuroria një vit më vonë hapi hetimet. Akuza ka të bëjë që me fillesat e këtij koncesioni; tenderimin e tij dhe abuzimin e hapur të jashtëligjshëm që është bërë me procedurat favorizuese ndaj përfitueses Vilma Nushi, kliente personale e kryeministrit Rama. “Koncesioni i check up-it i është dhënë kompanisë që e ka pasur ofertën 25 për qind më të lartë sesa oferta e grupit të kompanive, e cila nuk e fitoi. 18.5 milionë është dëmi ekonomik vetëm në procesin e tenderimin”, thuhet në dosje vetëm për mënyrën sesi është dhënë ky koncesion. Përveç mënyrës abuzive të tenderimit, po hetohet edhe për implementimin e këtij shërbimi. Është vërtetuar se janë paguar afro 1.5 milion euro, për shërbime të pamarra. Që nga muaji mars i vitit 2015-të kur nisi ky shërbim dhe deri në dhjetor të vitit 2016 kompania e Vilma Nushit duhej të bënte kontrollin e afro 365 mijë qytetarëve, por shërbimi sipas shifrave zyrtare, është marrë vetëm nga 244,420 pacientë. Pa u futur në vërtetësinë e shërbimit edhe për rreth 250 mijë qytetarët e deklaruar, skandali qëndron te fakti se kompania ka marrë paratë, edhe për rreth 120 mijë check up-e që nuk i ka kryer. Por Beqaj nuk është ndalur me kaq. Ai po hetohet edhe lidhur me vendimin flagrant korruptiv për zgjerimin e fashës së personave që kryejnë check up-in nga 45–65 që ishte sipas kontratës fillestare duke e çuar në 35–75 vjeç. Ky ndryshim u bë jo vetëm për të mbuluar dështimin total të check up–it, por edhe për të rritur fondet shtetërore, për kompaninë e mikeshës së kryeministrit. Bëhet fjalë për 50 milionë euro plus, për 10 vitet e ardhshme, si për habinë e të gjithëve, po atë vit pra, në dhjetorin e vitit 2015 Rama do të niste një fushatë të ethshme kundër prokurorëve dhe gjykatësve me reformën e tij në drejtësi.
Tenderi i laboratorëve, vjedhje e buxhetit, por dhe rritje faturave të shërbimit
Por hyrja e 2017-ës do të ishte sërish një vit i begatë për kompaninë e Vilma Nushit, e cila këtë herë do të fitonte një koncesion, atë të laboratorëve ose 80 për qind në rang vendi të këtij shërbimi. Në fillim u fol për 65 milionë euro që do i jepeshin kompanisë, por më pas u shtuan dhe 25 milionë euro dhe shuma shkoi në 100. Kjo realizohej nëpërmjet një kompanie tjetër të hapur jo në emër të saj, por të një shtetasi grek me emrin Jani Karathano, një kompani e cila deklarohet me 137 mijë humbje vjetore. Në fakt, koncesioni është një aferë e pastër korrupsioni dhe termat me të cilat është dhënë i shkojnë për shtat një kompanie me humbje. Kjo sepse marrëveshja parashikon që me nisjen e punës, fitimi ndahet në 45 për qind të klientit, 20 për qind të shtetit dhe 35 për qind që mbetet për investime. Për çdokënd që ka njohuritë më minimale në ekonomi, kjo do të thotë që këtë punë mund ta bëjë dhe qytetari më i thjeshtë i këtij vendi. Ndërtesat janë, paratë janë marrë me kredi, klientela e garantuar dhe 45 për qind të fitimit janë të pastra në xhep. Po t’i shtosh këtu dhe 35 për qind të tjera, që me demek janë për investime shkon në 80 për qind. Pra, një person fizik që ka një numër NIPT-i që hapet me 200 lekë të vjetra në QKR. Është si të thuash të ngrysesh fukara dhe gdhihesh milioner, pa pasur asnjë qindrakë në xhep. Ose më qartë, pronari dhe investitori që në këtë rast është shteti të mjaftohet me 20 për qind të fitimit, ndërsa “hyzmetqari” që është koncesionari të marrë pjesën tjetër prej 80%. Kjo lloj teorie ekonomike nuk mund të ndodhë në asnjë sistem, qoftë në ekonomi tregu apo të centralizuar. Janë 18 laboratorët publikë spitalorë, që përbëjnë 80% të tregut aktual, të cilët do të privatizohen. Me gjithë ndërtesat, pajisjet, reagentet, gjithçka.
Koncesioni i dyshimtë i sterilizimit, emigranti nga Italia fiton 100 milionë euro
Sterilizimi i pajisjeve mjekësore i kushton buxhetit të shtetit 71 milionë euro pa TVSH, për 10 vitet e ardhshme dhe vlera totale shkon në 100 milionë euro. Vitin e shkuar media publikoi një hetim për procedurat e fitimit të këtij koncesioni, nga “Investital llc”, “Servizi Italia spa”, “U.Jet srl” dhe “Tecnosanimed Investital” që del kompania kryesore në këtë sipërmarrje, është e regjistruar në Kosovë me pronar biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili përpara se të shpallej fitues u shfaq edhe publikisht në shoqëri të ngushtë me Ilir Beqajn dhe Edi Ramën, veçanërisht në kohën kur ishin në opozitë. Pas investigimit në fjalë rezultoi se Rrapaj nuk ka asnjë eksperiencë në fushën e shërbimeve mjekësore; kompania e tij në Itali, vepronte në fushën e “artizanaleve” dhe ishte aq e fuqishme saqë kishte të deklaruar vetëm një punonjës dhe një kapital qesharak. Pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste më 2013, Rrapaj u kthye në Shqipëri dhe ndërtoi një marrëdhënie të ngushtë me ish-ministrin Beqaj. Ai e prezantoi atë, edhe me ortakët e tij italianë. Rrapaj mori pjesë në një aktivitet të qeverisë në nëntor të 2013-ës dhe më pas, ish-ministri Beqaj udhëtoi për në Perugia në dhjetor të 2013-ës, ku u takuan sërish. Beqaj udhëtoi dhe disa herë të tjera për në Perugia dhe firmosi disa marrëveshje me institucionet vendore, gjithmonë në prani të klientit rishtar Rrapaj.
Hemodializën me vlerë 86 milionë euro e fiton pronari i kioskës nga Berati
Kontrata për shërbimin e hemodializës u dha me kohëzgjatje prej 10 vjet, me një vlerë të përgjithshme prej 63.5 milionë euro pa TVSH ose 86 milionë dollarë. Qëllim i saj ishte dhënia e shërbimit të hemodializës në Tiranë, rindërtimi i hapësirave mjekësore në Vlorë e Shkodër dhe krijimi i tri qendrave shëndetësore në Lezhë, Korçë dhe Elbasan, sipas standardeve shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë hapi procedurën për tenderin e hemodializës, në maj të vitit 2015. Sipas një tjetër investigimi, kompania përfaqësuese e bashkimit të kompanive që fituan tenderin, “Evita shpk”, është një kompani e cila vepron në fushën e farmaceutikës. Sipas dokumenteve publike, “Evita”, e themeluar në maj të vitit 2013, u rrit shpejt nën qeverinë Rama, nga një kapital prej qinda eurosh (736 euro) në një kapital, prej 221,735 mijë euro vetëm gjatë vitit 2015. Pronarja e kompanisë “Evita”, Majlinda Fetiu, nuk ka asnjë shkollim në farmaceutikë apo ndonjë profesion tjetër në fushën e shëndetësisë; ajo është kushërira e administratorit të një spitali privat në Tiranë. Administrator i “Evitës” është një ish-nëpunës i të njëjtit spital dhe “Evita” kishte adresë zyrtare katin e dytë të ndërtesës së spitalit. “Evita” e fitoi tenderin e hemodializës në konkurrim me tetë ofertues, edhe pse ishte kompania e dytë me ofertën më të lartë. Është e paqartë se cilat kritere e kthyen kompaninë “Evita” në të preferuarën e qeverisë. Ajo nuk ka asnjë eksperiencë të mëparshme në dhënien e shërbimit të hemodializës.
Ngritja e nuses së djalit të Gogo Nushit
Por kush është gruaja, e cila po thith në mënyrë të përbindshme buxhetin e shtetit? As më shumë e as s’më pak ajo është bashkëshortja e njërit prej djemve të Gogo Nushit, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe një mbështetëse e kahershme e rilindjes së Edi Ramës dhe financuese e fushatave të saj. Deri në vitin 2013 ajo zotëronte një kompani, e cila merrej kryesisht me shpërndarjen e duhanit dhe të mallrave kozmetike. Natyrisht që edhe deri në atë kohë njihej në fushën e biznesit, por pas vitit 2013 pati një hov të madh të biznesit kryesisht me fondet që kanë të bëjnë me buxhetin e shtetit. Kështu, sipas të dhënave figuron se deri në vjeshtën e vitit 2014 qeveria dhe të gjitha insitucionet e saj blenë të gjitha materialet kancelarike tek firma e saj. Dhe nuk bëhet fjalë për pak institucione: Kompania “Marketing & Distribution” shpk furnizoi me mjete kancelarie Policinë e Shtetit; Këshillin e Ministrave; Ministrinë e Punëve të Brendshme; Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës; Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës; Ministrinë e Shëndetësisë; Ministrinë e Drejtësisë; Ministrinë e Ekonomisë; Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve; Shërbimin Sekret; INSTAT; Qendrën Kombëtare të Regjistrimit; Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Qendrën Shëndetësore “Nënë Tereza”; Drejtorinë e Burgjeve; Gardën e Republikës; Drejtorinë e Krimit të Organizuar, njësitë ushtarake e plot të tjera.
Nushi nuk ndalet, fiton dhe tenderin 10 milionë euro të ortopedisë
Vilma Nushi ka fituar më shumë se 100 tendera në vit, rreth 11 miliardë lekë të vjetra pa llogaritur 120 milionë eurot e check up-it. Ky është rezultati i një hulumtimi të imtësishëm në thuajse 3 vjet e gjysmë qeverisje të Edi Ramës dhe ish-ministrit të tij të Shëndetësisë, Ilir Beqajt. Vilma Nushi ka marrë thuajse 128 milionë euro gjatë qeverisjes së socialistëve. Në ka një kompani që ka rezultuar më e suksesshmja në tenderat e shëndetësisë është pikërisht “Trimed” SHPK, me të cilën operon kryesisht sipërmarrësja Vilma Nushi në prokurime. Dhe mesa duket, mesatarja e tenderave të fituar në një vit të çon në konkluzionin se është me të vërtetë kompania e preferuar e procesit të kalimit të parave nga shteti drejt privatit. E fokusuar në mbledhjen e parave publike me tendera, të mëdhenj, të vegjël, Nushi ka fituar plot 11 miliardë lekë në furnizimin me ilaçe të spitaleve anembanë vendit, tenderin e ortopedisë dhe pajisjeve mjekësore. Një pjesë të tenderave Nushi i ka fituar në bashkëpunim me kompaninë “Medicamenta”.
Masakra mbi Valbonë edhe me vendim gjykate
Gjykata Administrative në Tiranë rrëzoi dje kërkesën e 27 banorëve të Luginës së Valbonës dhe Shoqatës për Ruajtjen e Alpeve Shqiptare (Shoqata “Toka”) për pezullimin e punimeve për ndërtimin e HEC-it në Valbonë.
Rrëzimi i kërkesës i hap rrugë vazhdimit të punimeve, të nisura rreth një vit më parë nga dy kompani koncesionare, të cilat kanë marrë miratimin e qeverisë shqiptare për ndërtimin e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës.
Gjithashtu, Gjykata e Apelit vendosi shqyrtimin në themel të çështjes, duke nisur nga seanca e ardhshme, e cila u caktua nga gjykata për datën 14 qershor.
Vendimi i gjykatës i ka lënë të pakënaqur banorët e Luginës së Valbonës. Përfaqësuesi i tyre ligjor në këtë proces deklaroi në përfundim të seancës gjyqësore se vendimi do të ankimohet në Gjykatën Administrative të Apelit.
Muajin e kaluar, 27 banorë të Luginës së Valbonës, që i përkasin fshatrave Rragam, Valbonë, Dragobi dhe Çerem, të mbështetur nga Shoqata për Ruajtjen e Alpeve Shqiptare (Shoqata “Toka”) dorëzuan në Gjykatën Administrative të Tiranës padinë për kundërshtimin e ndërtimit të dy hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar të Luginës së Valbonës. Pas kësaj, gjykata vendosi pezullimin e përkohshëm të punimeve.
Kërkesa në Gjykatën Administrative ishte hapi më i fundit i banorëve të Luginës së Valbonës, në përpjekjen thuajse dyvjeçare për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar.
Përmes kësaj padie, banorët kërkuan që gjykata të deklarojë pavlefshmërinë absolute të kontratës koncesionare, si dhe të lejeve të ndërtimit, lejeve mjedisore, si dhe lejeve për përdorimin e rezervave ujore. Dy kompanitë koncesionare kanë nisur përpjekjet për marrjen e koncesioneve për ndërtimin e HEC-eve në Luginën e Valbonës që para vitit 2000.
Sipas banorëve të Valbonës dhe Shoqatës “Toka” janë konstatuar një numër shkeljesh proceduriale dhe materiale nga Ministria e Ekonomisë dhe Industrisë, Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, si dhe Këshilli i Basenit Ujor “Drin-Buna”.
Në fillim të këtij viti, Ministria e Energjetikës dhe Industrisë refuzoi kërkesën e Shoqatës për Ruajtjen e Alpeve Shqiptare për dhënien e kopjes së kontratës koncesionare të lidhur me Shoqërinë “Gener 2” shpk, si dhe dosjen e plotë me dokumentacionin e Shoqërisë “TPLAN” shpk, shoqëri këto që po ndërtojnë hidrocentrale në Luginën e Valbonës.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit e ka quajtur refuzimin për dhënien e këtij dokumentacioni si shkelje të ligjit për të drejtën e informimit dhe ka urdhëruar Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë për të vënë në dispozicion të shoqatës dokumentacionin e kërkuar prej saj, gjë që nuk është zbatuar deri tani.
Me moton “Mos ma prek Valbonën”, prej gati dy vitesh, banorët vendas dhe shoqata “Toka”, të përkrahur nga WWF dhe organizata të tjera, kombëtare dhe ndërkombëtare të mjedisit dhe shoqërisë civile, kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndaluar këtë projekt, që krijon sipas tyre një seri dëmesh të pariparueshme, si në mjedisin natyror të Luginës së Valbonës, ashtu edhe në mirëqenien dhe jetën e komunitetit që jeton përgjatë Luginës së Valbonës.
Qeveria shqiptare ka dhënë me koncesion një numër të madh lejesh për ndërtimin e hiodrocentraleve në shtretërit e lumejve të egër të vendit dhe në brendësi të zonave të mbrojtura natyrore, gjë që eshtë shoqëruar me reagime në rritje nga ana e komuniteve lokale dhe shoqatave mjedisore.