30.5 C
Tirana
E shtunë, 19 Korrik, 2025

Represioni nga shteti, investitorët e huaj “ia mbathin” nga Shqipëria

Klima e represionit ndaj biznesit që u nxit nga lufta antiinformalitet në vitin 2015 i dha efektet negative, edhe tek bizneset e huaja një vit më vonë. Sipas të dhënave nga INSTAT, në vitin 2016 numri i bizneseve të huaja pësoi rënie me 5%. Nga 5939 ndërmarrje të huaja që ishin aktive në vitin 2015, sipas INSTAT më 2016 rezultuan aktive vetëm 5637 ndërmarrje, raporton “Monitor”. Të dhënat e INSTAT tregojnë se 302 ndërmarrje të huaja kanë mbyllur aktivitetin në vitin 2016. Më së shumti janë mbyllur bizneset me origjinë greke, italiane dhe ato nga Kosova. Numri i bizneseve greke është pakësuar me 22.8 për qind. Nga 675 ndërmarrje që raportoi INSTAT në vitin 2015, vitin e kaluar kanë mbyllur aktivitetin 154 biznese. Gjithashtu aktivitetin e kanë mbyllur edhe 74 biznese italiane dhe 19 biznese nga Kosova. Të dhënat e INSTAT për investitorët e huaj përputhen me perceptimet që patën organizatat e huaja të biznesit për klimën e rënduar që pasoi dy vitet e kaluara. Në vitin 2015 numri i bizneseve të huaja në raport me 2014 u rrit me 16%. Sipas aktivitetit ekonomik, 30% e ndërmarrjeve të huaja janë të përqendruara në sektorin e tregtisë dhe 30% të tjera në sektorin e shërbimeve dhe 20% janë në sektorin e industrisë. Një tjetër arsye që ka ndikuar në mbylljen e kompanive të huaja më 2016-n është dhe pastrimi i regjistrave nga tatimet (subjektet që kishin më shumë se 12 muaj pa kryer aktivitet u kaluan si pasive), ku doli në pah që një pjesë e konsiderueshme e sipërmarrjeve italiane vetëm sa regjistronin aktivitetin në Shqipëri dhe më pas nuk kryenin asnjë veprim, një skemë e dyshuar kjo evazioni ose pastrimi parash nga kompanitë italiane. Sipas INSTAT, ndërmarrjet e mëdha me pronarë apo bashkëpronarë të huaj ushtrojnë aktivitetin ekonomik kryesisht në: call center, prodhim veshje e këpucë dhe aktivitetet bankare. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë dhe Durrës. Bie në sy që rreth 77% e sipërmarrjeve të huaja janë me 1-4 punonjës, duke treguar nivelin e ulët të kompanive që vijnë në Shqipëri dhe rrjedhimisht edhe të investimeve që ata sjellin.

Sa i kushtonte Marrëveshja e Klimës Shteteve të Bashkuara?

Të enjten, në një fjalim para Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump njoftoi vendimin për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, duke thënë se marrëveshja do të shkaktonte humbjen e mijëra vendeve të punës në vend. Ai tha se marrëveshja do të pengonte rritjen ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe do të dëmtonte familjet amerikane.
Presidenti theksoi se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë menjëherë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje të re mbi ndryshimet klimatike që do të jetë më e mirë për popullin amerikan.
“Marrëveshja e Parisit për Klimën është një shembull i hyrjes së Uashingtonit në marrëveshje që dëmtojnë Shtetet e Bashkuara”, tha presidenti Trump, duke shtuar se, “që nga ky moment ne do t’i japim fund zbatimit të marrëveshjeve të padetyrueshme”.
Marrëveshja e nënshkruar nga parardhësi i presidentit Trump, ish-presidenti Barack Obama në vitin 2015, e cila synon të reduktojnë çlirimin e gazeve karbonike në atmosferë, ka aktualisht mbështetjen e 194 vendeve.
Vendimi për tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit, vjen disa ditë pas debateve mbi atë nëse Presidenti Trump do të përmbushte premtimin e tij elektoral për tërheqje nga kjo marrëveshje.
Më parë të mërkurën, pas një takimi me Kryeministrin vjetnamez, Nguyen Xuan Phuc, zoti Trump tha se po dëgjonte mendimet e “shumë njerëzve nga të dyja skajet e debatit” për të analizuar opsionet.
Zëdhënësi Sean Spicer tha se personat me të cilët është konsultuar presidenti përfshijnë drejtues biznesi dhe krerë shtetesh të huaja.
Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit, shënon një hap prapa në politikat ambientaliste të ndjekura nga administrata e mëparshme amerikane, nën Presidentin Barak Obama. Tërheqja do të entuziazmojë bazën republikane të presidentit, por do të revoltonte ambientalistët dhe aleatët e Amerikës.
Njoftimet se Amerika mund të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit u përcollën me kundërshti nga komuniteti i organizatave dhe aktivistëve për mjedisin, si dhe nga kryebashkiakët e qyteteve më të mëdha amerikane, të cilët u zotuan t’i përmbahen marrëveshjes, pavarësisht nga vendimi që merr presidenti.
“Nëse Shtëpia e Bardhë tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, ne do ta zbatojmë marrëveshjen në Los Anxhelos”, u shpreh përmes një postimi në Twitter, kryebashkiaku i Los Anxhelosit, Eric Garcetti.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio postoi këtë koment në Twitter: “Do ta marrim situatën vetë në dorë. Kam në plan të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv për të ruajtuar angazhimin e qytetit të Nju Jorkut ndaj Marrëveshjes së Parisit”.
Aktivistët për klimën shprehën revoltim, duke kritikuar Presidentin Trump:
“Donald Trumpi ka bërë një gabim historik, të cilin nipat tanë do ta gjykojnë të shtangur dhe të pezmatuar duke pyetur veten se si mundet një udhëheqës botëror të jetë aq i shkëputur nga realiteti dhe morali”, tha përmes një deklarate për “Zërin e Amerikës” Michael Brune, presidenti i Klubit Sierra, një organizatë e fuqishme ambientaliste.
Një deklaratë të ngjashme nxorën edhe anëtarët e grupit Votuesit e Ligës së Mbrojtësve të Mjedisit, ku thoshin: “Me një vendim tepër të papërgjegjshëm, Presidenti Trump do të rrezikonte jo vetëm shëndetin dhe sigurinë e komuniteteve amerikane, por do të minonte edhe pozitën e Amerikës si udhëheqëse globale në një numër çështjesh”.
Elon Musk, miliarderi që zotëron kompanitë Tesla dhe Space X, ka thënë se nëse presidenti tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit, ai do të japë dorëheqjen nga tri grupe shkencore që ofrojnë konsulencë për Shtëpinë e Bardhë.
Ekonomisti Gary Hufbauer i Institutit Peterson me seli në Uashington tha për “Zërin e Amerikës” se, parashikon që vende të tjera do të mbeten pjesë e marrëveshjes dhe se vendimi i zotit Trump për t’u tërhequr do ta vinte Amerikën në një pozitë jo të mirë.
“Një deklaratë nga Presidenti Trump se Amerika po tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit nuk do të sjellë medoemos vendime të ngjashme nga vende të tjera. Ajo është më tepër një deklarim synimesh se sa një akt konkret tërheqjeje”, thotë ekonomisti.
Në pritje të vendimit të qeverisë amerikane, aleatët evropianë dhe të tjerë kanë shprehur shqetësimin e tyre.
“Unë po vazhdoj të loboj pranë autoriteteve amerikane në të gjitha nivelet për t’i marrë shumë seriozisht ndryshimet klimatike dhe për të treguar udhëheqjen që Amerika ka treguar në të kaluarën”, tha sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson për televizionin “Sky News”.
Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitri Peskov tha se marrëveshja ka një rëndësi të madhe, por se nuk do të jetë shumë e efektshme pa pjesëmarrjen e faktorëve kryesorë.
Kryeministri i Kinës, Li Keqiang tha se Kina do të respektojë angazhimin që ka marrë për të zbatuar marrëveshjen.
Llogaria zyrtare e Kombeve të Bashkuara në Twitter kishte mesazhin: “Ndryshimet klimatike nuk mund të vihen në dyshim. Mobilizimi për klimën është i pandalshëm. Zgjidhjet për klimën ofrojnë mundësi të pakrahasueshme”.
Ambasadori i Francës në SHBA, Gerard Araud, shkruante në Twitter: “Korporata të mëdha amerikane kanë shprehur mbështetje për Marrëveshjen e Parisit”.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha se Presidenti Donald Trump “nuk i kupton në tërësinë e tyre” termat e Marrëveshjes së Parisit. Zoti Juncker tha se udhëheqësit evropianë janë përpjekur t’ia shpjegojnë zotit Trump procesin e tërheqjes nga marrëveshja “me fjali të thjeshta dhe të qarta” gjatë takimeve të javës së kaluar.
Jean-Claude Juncker, një ndër udhëheqësit me të cilët u takua zoti Trump javën e kaluar, theksoi se duhen disa vjet për t’u tërhequr nga një pakt i ri ndërkombëtar. “Ky nocioni se: ‘Unë jam Trumpi; Unë jam amerikan; Amerika mbi të gjitha; dhe Unë do të tërhiqem’ nuk ka për t’u realizuar”, tha zoti Juncker.
Por nuk ka pasur vetëm reagime negative.
Një grup prej 22 senatorësh republikanë i kanë bërë thirrje zotit Trump të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për të shmangur rrezikun e padive gjyqësore që mund të ndërlikojnë përpjekjet e administratës aktuale për të anuluar projektet për energji të pastër të administratës së mëparshme.
Organizata Freedom Works, e cila punon drejt një synimi për një burokraci sa më të vogël qeveritare, arsyetonte në një deklaratë se respektimi i marrëveshjes do të shoqërohej me një kosto shumë të lartë për Amerikën, duke i kushtuar ekonomisë së vendit mbi 2 trilionë dollarë dhe mbylljen e afro 400 mijë vendeve të punës.

Trump: Ambasada do të qëndrojë në Tel Aviv

Presidenti Donald Trump njoftoi se ambasada amerikane në Izrael do të qëndrojë në Tel Aviv edhe pse kishte premtuar se do ta transferonte atë në Jeruzalem.
Gjatë fushatës së tij presidenciale, zoti Trump kishte premtuar zhvendosjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem duke u pajtuar me preferencën e kahershme të qeverisë izraelite. Por çështja është pjesë e një debati të gjatë mbi krijimin e shteteve të ndara hebraike dhe palestineze, kur si izraelitët ashtu dhe palestinezët pretendojnë se Jeruzalemi është kryeqyteti i tyre.
Të enjten Shtëpia e Bardhë tha se vendimi i presidentit Trump për të mbajtur ambasadën në Tel Aviv, atje ku shumica e qeverive të tjera të huaja kanë përfaqësitë e tyre diplomatike, nuk duhet të konsiderohet “në asnjë mënyrë si një tërheqje nga mbështetja e fortë e presidentit për Izraelin dhe aleancën SHBA-Izrael”.
Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se, zoti Trump bëri këtë zgjedhjen “për të rritur shanset për të negociuar një marrëveshje të suksesshme mes Izraelit dhe palestinezëve”.
“Ndërsa ai ka shprehur në mënyrë të përsëritur qëllimin e tij për të zhvendosur ambasadën”, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, “pyetja nuk është nëse kjo lëvizje ndodhi apo jo, por kur do të ndodhë?”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu u shpreh i zhgënjyer me vendimin e zotit Trump. Megjithatë, ai tha se shpreson që ambasada amerikane do të shkojë përfundimisht në Jeruzalem. Kryeministri izraelit Netanjahu vlerësoi ndërkohë shprehjen e miqësisë nga ana e presidentit amerikan.
“Pozita e vazhdueshme e Izraelit është që ambasada amerikane, si dhe ambasadat e të gjitha vendeve me të cilat kemi marrëdhënie diplomatike, të jenë në Jeruzalem, kryeqyteti ynë i përjetshëm”, tha zoti Netanyahu.

Vala e terrorit rritet kudo

Terrorizmi në botë ka shënuar një nivel rekord. Vitin e kaluar dhuna i kushtoi ekonomisë botërore 14.3 trilionë dollarë, me një kosto prej 2.5 trilionë dollarësh vetëm në Shtetet e Bashkuara.
Shifrat e reja të raportit mbi konfliktet dhe sigurinë të Indeksit mbi Paqen në Botë, tregojnë se gjatë dekadës së fundit kushtet për paqe po përkeqësohet nxitur kryesisht prej terrorizmit dhe konflikteve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.
Sipas raportit kjo ka ndërprerë procesin e masave përmirësuese afatgjata që bota kishte ndërmarrë prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Gjithashtu thuhet se numri vjetor i ngjarjeve me sfond terrorizmin është pothuajse trefishuar që nga viti 2011.
Vdekjet nga terrorizmi janë rritur me më shumë se 900 për qind që nga viti 2007 në të 35 vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.
Gjatë vitit të kaluar, në 23 prej tyre përfshirë Danimarkën, Suedinë, Francën dhe Turqinë, u shënuan vdekje të lidhura me terrorizmin.

Mark Felt dhe historia e skandalit “Watergate”

Former Associate FBI Director W. Mark Felt, and his wife Audrey, appear on NBC's "TODAY" television show in Washington, D.C. Tuesday, April 11, 1978. Felt, who was indicted on a charge of conspiring to violate the rights of citizens through unlawful break-ins, called the indictments a "tragic mistake." (AP Photo/Bob Daugherty)

Më 31 maj të vitit 2005, 31 vite pas dorëheqjes së Presidentit Richard Nixon, personi kryesor, që në mënyrë anonime i kishte dhënë informacione shtypit mbi skandalin “Watergate”, i njohur me nofkën “Zëri i Thellë”, “Deep Throat” zbuloi identitetin e tij në një artikull të botuar në revistën “Vanity Fair” (“Vanity Fair magazine”).
Veprimi i zotit Mark Felt shtangu gazetarët Bob Woodward dhe Carl Bernstein, të cilët përmes raportimeve të tyre në gazetën “The Washington Post” çuan në rrëzimin e Presidentit Richard Nixon. Dy gazetarët bënë përpjekje maksimale për të ruajtur identitetin e zotit Felt dhe kishin premtuar ta ruanin sekretin deri në vdekjen e tij.
Megjithëse, emri i tij u përfol në vitet pas dorëheqjes së Presidentit Nixon, Felt vazhdimisht i mohoi njoftimet se ai ishte burimi me nofkën “Deep Throat”.
“Unë kurrë nuk u kam dhënë informacione gazetarëve Woodward dhe Bernstein ose të tjerëve”, shkroi ai në shënimet e tij biografike të vitit 1979.
Në vitin 1999, gjashtë vjet para se të pranonte rolin e tij në rrjedhjen e informacionit rreth skandalit “Watergate”, Felt është cituar të ketë thënë se, “Rrjedhja e informacioneve do të ishte në kundërshtim me përgjegjësitë e mia si një punonjës besnik i FBI-së”. Mark Felt ishte zëvendësdrejtor i FBI-së në kohën kur shpërtheu skandali “Watergate”.
Në disa takime në mesnatë në një vendparkim në qytetin e Arlingtonit në Virxhinia, Felt u ka konfimuar gazetarëve njoftimet që lidhnin ekipin elektoral për rizgjedhjen e Presidentit Nixon me vjedhjet në “Watergate” (selia e atëhershme e Partisë Demokrate) dhe hetimet e paligjshme ndaj Partisë Demokrate.
Ai gjithashtu njoftoi gazetarin Woodward mbi natyrën e thellë të skandalit, duke aluduar se gjurmët e skandalit mund të çonin në nivele të larta të qeverisë, duke përfshirë edhe vetë Presidentin Nixon.
Nixon dha dorëheqjen, duke u bërë presidenti i parë amerikan që bëri një veprim të tillë, ndërkohë që ndaj tij ishin ngritur akuza për pengim të drejtësisë nga Kongresi. Këshilltarët e tij kryesorë, H.R. Haldeman, John Erlichman dhe konsulli i Shtëpisë së Bardhë, John Dean u dënuan me burg për rolin e tyre në skandalin “Watergate”.
Në mesin e zyrtarëve të tjerë të burgosur për rolin e tyre në këtë skandal ishin edhe Prokurori i Përgjithshëm, John Mitchell, anëtarët e personelit të Shtëpisë së Bardhë Howard Hunt dhe G. Gordon Liddy dhe këshilltari special i presidentit, Charles Colson.
Edhe pesë personat që u kapën në selinë e Partisë Demokrate në hotelin “Watergate”, duke vjedhur dokumente, u burgosën nga autoritetet.
Në vitin 1973, gazeta “The Washington Post” fitoi çmimin Pulitzer për mbulimin e ngjarjeve rreth skandalit “Watergate”. Hollivudi, në vitin 1976 realizoi një film të quajtur “All the President’s Men”, (Njerëzit e Presidentit) në të cilin rolet e personazheve kryesorë u luajtën nga aktorët e njohur Robert Redford dhe Dustin Hoffman.

Putin kërkon normalizim të marrëdhënieve me SHBA

Presidenti rus, Vladimir Putin ka kërkuar nga përfaqësues të biznesit amerikan të punojnë me administratën e presidentit Donald Trump, për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Duke folur në ngjarjen “Dialogu i Biznesit Rusi-SHBA” në margjinat e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, Putin u kërkoi udhëheqësve të pranishëm të SHBA-ve, “të ndihmojnë në rivendosjen e një dialogu normal politik”.
Ai ka deklaruar se Moska është duke punuar për të “normalizuar” marrëdhëniet dypalëshe. Rusia dhe Moska kishin nivel të ulët të bashkëpunimit gjatë udhëheqjes së ish-presidentit amerikan, Barack Obama.
Disa nga çështjet problematike ishin, aneksimi i rajonit ukrainas të Krimesë nga Rusia, mbështetja aktive e Moskës ndaj separatistëve në Ukrainën Lindore dhe mosmarrëveshjet mbi konfliktin në Siri.
Putin shtoi se Moska mbështet projekte të përbashkëta midis bizneseve ruse dhe amerikane.
“Shtetet e Bashkuara gjithmonë kanë qenë një partner tregtar i rëndësishëm për ne”, ka thënë Putin.

Vritet themeluesi i agjencisë së ISIS

Themeluesi i agjencisë së lajmeve të grupit militant Shtetit Islamik është vrarë, së bashku me të bijën, gjatë një sulmi ajror javën e kaluar në Siri. Lajmin e ka konfirmuar i vëllai i tij dhe disa aktivistë opozitarë në Siri.
Vetë IS-i nuk ka njoftuar mbi vdekjen e themeluesit të agjencisë “Amaq”, Baraa Kadek, i njohur gjithashtu edhe si Reyan Meshaal.
Aktivistët thanë se Meshaal ishte i afërt me lidershipin e IS-it dhe thuhet të jetë takuar me liderin enigmatik të grupit, Abu Bakr al-Baghdadi.
Vëllau i Meshaalit, Hozaifa, ka thënë në rrjetin social Facebook se ai ka vdekur gjatë një sulmi ajror nga Shtetet e Bashkuara, në qytetin Mayadeen, në provincën Deir el-Zour.
Agjencia e lajmeve “Amaq”, e themeluar në vitin 2014, konsiderohet si promotore e grupit militant dhe është shfrytëzuar nga IS-i për të marrë përgjegjësinë mbi disa sulme terroriste në botë.

Ish-Presidentes i ndalohet hyrja në Serbi, reagon BE

Autoritetet e Serbisë i ndaluan ish-Presidentes Atifete Jahjaga pjesëmarrjen në një aktivitet të shoqërisë civile, në Beograd. Ish-Presidentja e Kosovës, ishte e ftuar të merrte pjesë në Beograd në promovimin e librit “Unë dua të dëgjohem”, në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!” që dy ditët e fundit po zhvillohet në kryeqytetin e Serbisë.
Jahjaga, ishte e ftuar të mbante fjalim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Mirëpo, autoritetet serbe, në përgjigjen e tyre dërguar zyrës së ish-Presidentes Jahjaga, thonë se ata nuk mund t’i ofrojnë siguri në Serbi ish-Presidentes së Kosovës. Dy netët e para të festivalit në Beograd, janë shoqëruar me protesta të serbëve, të cilët kundërshtonin pjesëmarrjen e ish-Presidentes së Kosovës. Jahjaga në një postim në Facebook, thotë se “hyrja e saj në shtetin e Serbisë u pamundësua me një arsyetim absurd”.

“Shpjegimi absurd” i Serbisë
“Përgatitjet për vizitën janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë. Autoritetet e Kosovës i kanë njoftuar me kohë dhe me përpikmëri autoritetet e Serbisë, siç është e paraparë në marrëveshje. Por zyrtarët në Beograd kanë dështuar t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje, duke e shkelur atë me qëllim që të ndalojnë vizitën time”, thotë Atifete Jahjaga.
Sipas saj, “pranimi i së vërtetës mbi krimet e luftës në Kosovë është e vetmja mënyrë që shoqëritë e dy vendeve të ecin përpara”.
“Unë nuk kam iluzione që zyrtarët e sotëm të Serbisë do ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, sepse ata po e vazhdojnë politikën e viteve të ‘90-të, kur kanë qenë edhe protagonistë. Por dua të shpreh respektin tim për organizatorët e festivalit, një grup të rinjsh dhe aktivistë, që nuk do të lejojnë që e ardhmja e tyre dhe e tërë rajonit të mbahet peng nga këta udhëheqës që duan ta fshehin të vërtetën. E vërteta nuk njeh kufij”, thotë në reagimin e saj, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i ministres në detyrë për Dialogun me Serbinë, Edita Tahiri. Ajo thotë se ka njoftuar Bashkimin Evropian për ndalesën e vizitës së ish-presidentes, Atifete Jahjaga, në Beograd nga ana e autoriteteve të Serbisë duke theksuar se me këtë akt refuzimi, “Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe atë për vizita zyrtare midis dy shteteve”. “Akti i refuzimit nga Serbia tregon qartë se Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj agresore dhe gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe kjo po ashtu tregon se ata nuk janë të gatshëm për paqe, drejtësi dhe marrëdhënie fqinjësore midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, e cila është një objektiv kryesor i dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet në reagimin e Edita Tahirit.
Ndërkohë, nga Serbia aktivistja për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç, akuzon rëndë qeverinë e Serbisë që nuk ia mundësoi hyrjen në Serbi ish-Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Ish-Presidentja e Kosovës nuk ka marrë leje për hyrje në Serbi. Qeveria preferon shqiptarët në varreza masive, nën këmbët e gjeneral Dinkoviç”, shkruan Natasha Kandiç.

Lunaçek: Sjellja e Beogradit, e papranueshme

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ishte e ftuar për të promovuar librin “Unë dua të dëgjohem”, kushtuar rreth 20.000 femrave të dhunuara nga forcat serbe, gjatë luftës së Kosovës. Libri u prezantua dje në Beograd, në kuadër të Festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, i cili po mbahet në kryeqytetin e Serbisë. Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuese e posaçme për Kosovën, Ulrike Lunaçek e ka dënuar ashpër sjelljen e autoriteteve serbe.
“Është plotësisht e papranueshme që ish-Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, t’i pamundësohet nga autoritetet serbe pjesëmarrja në Festivalin ‘Mirëdita, Dobar Dan’”, thotë Lunaçek në një prononcim për “Deutsche Wellen”.

Autoritetet serbe të lejojnë futjen e Jahjagës
Ish-Presidentja Jahjaga kishte për qëllim të prezantonte atje librin “Unë dua të dëgjohem”, për femrat e dhunuara dhe keqtrajtuara në Kosovë gjatë kohës së luftës. “Kjo sjellje e autoriteteve serbe është edhe një kundërshtim tjetër i marrëdhënieve të mira fqinjësore, për të cilat Beogradi është obliguar në dialogun e Brukselit me Kosovën të ndëmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, pohon Lunacek, e cila kërkon që “autoritetet e Serbisë menjëherë të mundësojnë hyrjen e ish-Presidentes Jahjaga në Serbi me qëllim që sonte të mund të marrë pjesë në takimin ku është ftuar”.

185 milionë për Zinedin Zidanin

Te Reali i Madridit janë mësuar që të bëjnë gjëra madhore dhe duke parë se pas ndeshjes së sotme në Cardiff, e cila mbyll zyrtarisht sezonin për spanjollët, do të largohen disa lojtarë, si Pepe, Koentrao, James etj., presidenti Florentino Perez kërkon t’i bëjë një dopio dhuratë të madhe trajnerit Zinedin Zidan.
Prej kohësh, te “galaktikët” kërkojnë Eden Hazardin dhe David de Gean dhe kjo mund të jetë vera e duhur për t’i pasur të dy. Duke parë fitoren e kampionatit që mungonte prej disa kohësh, numri një i klubit shpreson edhe në suksesin e Champions-it, por sido që të shkojë, ai është i kënaqur nga puna e trajnerit francez dhe është gati që t’ia pasurojë edhe më shumë grupin e lojtarëve.
Në Angli, mediat janë të sigurta se Chelsea ka marrë një ofertë prej 110 milionë eurosh për kartonin e fantazistit belg dhe kjo shifër është tunduese. Më shumë sesa klubi, duket se është vetë Hazard që shtyn për të luajtur në Madrid dhe kjo mund të kushtëzojë bindshëm tratativën.
Nga ana tjetër, për portierin gjërat duken edhe më të lehta, sepse Mançester Junantid është dorëzuar përballë dëshirës së vetë futbollistit dhe i kanë kërkuar Florentino Perezit 69 milionë euro për kartonin e tij. Kjo shifër nuk e tremb aspak Realin e Madridit dhe me shumë mundësi, do të jetë De Gea mbrojtësi ekstrem i sezonit të ardhshëm që do të mbrojë portën e kampionëve të Spanjës.
Ndërkohë, Mariano Diaz pritet të largohet nga Real Madridi gjatë verës. Skuadra e Malagas po synon që ta transferojë sulmuesin e ri të Real Madridit, Mariano Diaz, shkruan e përditshmja sportive madrilene, “Marca”. Sulmuesi spanjoll ka kontratë me Los Blancos deri në vitin 2021, por mund të huazohet në Malaga për të fituar përvojë.
Diaz ka debutuar me Real Madridin në sezonin e sapopërfunduar. Ai ka zhvilluar 14 ndeshje, 8 në La Liga dhe 5 në Copa del Rey dhe ka shënuar 5 gola. Duhet theksuar se Diaz është transferuar si lojtar i lirë në Real Madrid nga Barcelona në vitin 2011.

Hakmarrje ndaj Realit

Kush mendonte se Sami Khedira ka projekte të tjera që nuk lidhen me Juventusin, atëherë duhet të përgënjeshtrohet, sepse ai konfirmon të qëndrojë dhe do hakmarrje ndaj Realit. “Nuk kam asnjë projekt tjetër në kokën time, nuk ka arsye pse të mendoj për diçka tjetër përveç Juventusit. Këtu jam shumë i lumtur dhe mund t’u garantoj se do të respektoj kontratën time deri në vitin 2019. Për më shumë, ka pak klube në Europë që mund të rivalizojnë me Juventusin. Finalja e Champions-it kundër Realit? Është një ndeshje, ku gjithçka mund të ndodhë dhe natyrisht që detajet do të bëjnë diferencën. Për të fituar fillimisht duhet të mbrohemi aq mirë saç bëmë me Barcelonën, por nuk do të përqendrohemi vetëm në mbrojtje. Reali ka një sulm shumë të fortë, por edhe ne kemi fenomene në repartin ofensiv. E kaluara ime te Reali? Edhe sikur të bëja 10 ndeshje të mira radhazi, në të 11-ën që nuk shkëlqeja menjëherë më kritikonin dhe vinin në dyshim nëse isha një lojtar i denjë për atë klub. Kjo nuk ishte një ndjesi e bukur, madje shpeshherë më kanë keqtrajtuar, prandaj tani ka ardhur ora që të hakmerrem në Cardiffit”, u shpreh Khedira.
Pas Real Madridit, edhe skuadra e Juventusit është nisur drejt Cardiffit, ku do të luhet finalja e Ligës së Kampionëve. Massimiliano Allegri dhe Dani Alves u shfaqën para gazetarëve në orën 17.15, derisa stërvitjen e mbajtën në ora 18:30. Finalja e Ligës së Kampionëve ndërmjet Juventusit dhe Real Madridit do të zhvillohet më 3 qershor në Cardiff të Uellsit.
Fiton apo jo Champions League, Juventusi sërish mbush xhepat. Për bardhezinjtë po afron momenti i shumëpritur, finalja e madhe kundër Realit të Madridit. Shpërblimi që do të përfitojë “Zonja e Vjetër” nëse do të arrijë të ngrejë trofeun e Champions, në arkat e Juventusit do të shkojnë plot 133.2 milionë euro, por edhe nëse nuk arrin dot ta përbushë misionin sërish bardhezinjtë nuk do të dalin duar bosh, pasi shpërblimi për ta do të jetë 128.7 milionë euro. Gjithsesi Uefa momentalisht për këtë kompeticion shpërndan rreth 1.3 miliardë euro, por sezoni i 2018-2019 do të ketë një rritje stratosferike të të ardhurave që do t’i shpërndahen klubeve, 3 miliardë euro, nga ku 2.4 janë të destinuara të shkojnë për skuadrat.
E përkthyer ndryshe, nëse për këtë vit Juventusi ka përfituar 130 milionë euro dhe për sezonin e ardhshëm arrin sërish në finale atëherë shuma që do të përfitojnë kampionët e Italisë do të ishte 230 milionë euro. Të ardhurat që kanë përfunduar në arkat e Zonjës së Vjetër kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, siç janë kualifikimi për në raundet pasardhëse, fitoret e arritura, pjesa e marketingut, të drejtat televizive dhe shitja e biletave. Në tre vitet e fundit bardhezinjtë kanë arritur të përfitojnë nga Champions League plot 280 milionë euro.