23.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Urrejtja jonë për socialistët

Nga Indrit Vokshi

Me Rudin (Erebara) po diskutonim një natë. Urrejtja jonë për socialistët ka qenë pasuria më e madhe e Sali Berishës.

Po mendoj, ai në bashkëpunim me familjet tona na e kanë futur ketë shiringë qysh kalamaj. Ne ishim brezi i cili drama dhe frustrimi i prindërve tanë prej diktaturës, jeta paksa e zymtë e tyre në diktaturë, i shtyu ata të na fusnin hipotekë te Sali Berisha e PD. Njëlloj si në Mesjete kur familjet i dorëzonin fëmijët te oborret e sundimtarëve me shpresën se duke qenë aty, garancia e mbrojtja ishin më të larta.

Dhe nga kjo urrejtje e jona ka përfituar vetëm ai, vetëm ata, vetëm tarafi i tyre; ketë e dëshmojnë faktet sot, shikoni kush i ka pasuritë, vendimmarrjen, pronat. Shikoni se si ka lulëzuar mardhënia feudale; si dikur, bajraktari e beu kishin misër, kishin monopolin e misrit, fshatari shkonte e lypte misër për të kaluar dimrin, pastaj duhet tia dinte për nder gjithë jetën. Sot vetëm ai e ka monopolin e misrit kah e djathta, askush ska. Sepse ka pasur kujdes preciz që askush tjetër të mos mëkëmbet. Kjo falë urrejtjes tonë, falë gatishmërisë tonë për të dyshuar si tradhëtar secilin që nuk i qëndron vijës së besnikërisë krejt personale, për t’i shërbyer kësaj ndarjeje e për t’i fryrë këtij dallimi artificial.

Socialistët janë shqiptarë si ne. Na është thënë se janë anti-shqiptarë. I bie vetë Sali Berisha ishte anti-shqiptar kur ishte anëtar i Partisë së Punës e Sekretar Partie, pastaj brenda natës u bë pro-shqiptar? Psh, Kastriot Islami është anti-shqiptar kur është me ata, shqiptar kur i shërben Sali Berishës. Ilir Meta kriminel e anti-shqiptar kur ishte në PS, shqiptar e patriot kur u bë me Sali Berishën, madje së fundmi edhe hero dhe i burgosur politik. Ka raste pa fund për ta provuar ketë turp. Kushti e kriteri për tu quajtur shqiptar apo anti-shqiptar është qëndrimi ndaj Sali Berishës? Kjo ka qenë drama e tragjedia e një pjese të ish PD.

Ne sot kemi humbur politikisht. Jemi humbës në të gjitha drejtimet. Nuk na kanë mposhtur socialistët. Mirëpo qytetarisht si shqiptarë kemi fituar diçka të madhe, lirinë për të mos qenë pengje të një urrejtjeje artificiale e cila sna shërben ne, i shërben vetëm një personi për të mbajtur ushtarë e pastaj përmes ushtarëve për të negociuar pazar, ekonomi, leje, pushtet, karriera.

Rreth 200 mijë opozitarë në këto zgjedhje kanë fituar mbi Sali Berishën, jo numerikisht por kanë fituar guximin e lirinë për të mos u kompleksuar prej klithmës e britmës se kush nuk voton Sali Berishën, quhet se u shërben socialistëve anti-shqiptarë. Kanë fituar mbi poshtërsinë për ta kompleksuar e frustruar njeriun te gjëja më e shenjtë, te identiteti kombëtar, te qenia shqiptar. Prirja është që edhe më shumë shqiptarë të çlirohen në vazhdim nga kjo nyje mendore.

Ideologjikisht e si besim sdo pajtohem ndonjëherë me socializmin, pasi mendoj se është dështim, nuk i jep rehati njeriut e nuk e lejon të shpërfaqë më të mirën e tij. Mirëpo kurrë, asnjëherë, nuk do të pajtohem me bolshevizmin e shartuar me tribalizëm e i maskuar pas etiketës “E Djathtë” pa pasur asgjë të djathtë. Shikojeni, nuk iu bindet rregullave që ka miratuar vetë, neneve që i ka shkruar vetë, premtimeve që i ka dhënë vetë. E kjo më kujton një pyetje të konstitucionalistëve: Pse diktaturat kanë kushtetutë kur ata nuk e zbatojnë kushtetutën? E kanë për tu legjitimuar para popullit e para botës, sepse e dinë që njerëzit duan kushtetutë e garanci. Pse partia ka statut kur nuk e zbatojnë statutin? Njëlloj si diktaturat pra, e dinë që njerëzit patën nevojë për statut, patën nevojë për rotacion brenda partisë kur humben zgjedhjet dhe, u premtoi njerëzve atë çfarë ata deshën të dëgjonin, për tu legjitimuar. Tani nuk pyet për atë nen e për atë statut. Çfarë quhet kjo? Demokraci? E djathtë? Aspak. Është bolshevizmi tribal i maskuar pas rregullave të civilizimit politik.

Për ta mbyllur, njerëzit nuk do t’i japin mundësinë askujt që të mbijetojë e të pasurohet duke pasur si armë urrejtjen e tyre për ata që ai na ka këshilluar t’i urrejmë. Do urrejmë kë të duam vetë ose, sdo urrejmë askënd.

Një ekstremist i djathtë dhe një liberal pro-evropian/ Analiza e DW: Rumania zgjedh mes dy botëve, me pasoja për Evropën

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani kërkojnë votën e rumunëve një ekstremist i krahut të djathtë, George Simion dhe liberali pro-evropian Nicusor Dan.

 

“Demokraci apo joliberalizëm”, “Evropë apo izolim”, “kampion i matematikës apo huligan futbolli” – tituj dhe klasifikime të tilla mund të lexohen ose dëgjohen pothuajse në të gjitha mediat e pavarura rumune këto ditë. Para raundit të dytë, vendimtar të zgjedhjeve presidenciale në Rumani të dielën(18 maj 2025), opinioni publik është më i tensionuar se kurrë më parë në dekadat e fundit. Pa përjashtim, të gjithë komentuesit dhe vëzhguesit e shohin vendin në udhëkryq dhe në një moment të rëndësishëm historik.

Asnjë zgjedhje presidenciale që nga rënia e diktaturës komuniste në vitet 1989/90 nuk është karakterizuar nga kundërshtime kaq radikale midis dy kandidatëve dhe ndarje kaq të thella shoqërore si aktualisht. Rrallë herë më parë rezultati i zgjedhjeve ka qenë kaq i paparashikueshëm. Të dy kandidatët theksojnë se ata nuk rrjedhin nga “sistemi” dhe nuk përfaqësohen nga partitë tradicionale postkomuniste të Rumanisë.

Në kaos me Simionin
Në njërën anë qëndron George Simion, 38 vjeçar, lider i partisë së ekstremit të djathtë, e afërt me Rusinë, “Aleanca për Bashkimin e Rumunëve” (AUR), një ish- huligan futbolli, tani i deklaruar “sovranist” dhe fan i presidentit të SHBA, Donald Trump e kryeministrit hungarez Viktor Orban. Simion ishte fituesi i qartë i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 4 maj, duke marrë pothuajse 41 për qind.

Rivali politik i tij: Nicusor Dan, 55 vjeçar, kryebashkiak pa parti i Bukureshtit, matematikan, ish-aktivist qytetar kundër korrupsionit dhe një njeri me pikëpamje qartësisht pro-evropiane, kryesisht liberale dhe pjesërisht konservatore. Ai u rendit pas Simion në raundin e parë, duke shënuar vetëm 21 për qind.

Këto janë zgjedhje me rëndësi të madhe si për Rumaninë edhe për Evropën. Rumania është vendi i gjashtë më i madh i BE-së dhe më i madhi në Evropën Juglindore. Ajo ka kufirin më të gjatë të BE-së me Ukrainën, bazën më të rëndësishme të NATO-s dhe mburojën më të rëndësishme të mbrojtjes raketore në rajon. Deri më tani, Rumania ka qenë një partner i besueshëm dhe i parashikueshëm në Bashkimin Evropian dhe NATO. Me një president pro-rus, të ekstremit të djathtë Simion, kjo mund të ndryshojë – dhe Rumania mund të hyjë në një kaos të ngjashëm si SHBA-të nën Trump.

Presidenti nuk ka kompetenca të mëdha ekzekutive në Rumani. Por ai është Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe Kryetar i Këshillit të Lartë për Mbrojtjen Kombëtare (CSAT). Ai emëron kryeministrin, krerët e dy shërbimeve kryesore të inteligjencës dhe disa nga gjyqtarët kushtetues dhe përfaqëson Rumaninë në BE dhe NATO. Ai gjithashtu mund të marrë pjesë në mbledhjet e qeverisë. E gjithë kjo i jep atij ndikim të madh si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme.

Shumica e sondazheve gjatë dy javëve të fundit kanë treguar Simion pak më përpara, ndonjëherë dukshëm kryesues. Megjithatë, në një nga sondazhet më të fundit, dy kandidatët janë gati barazim. Por sondazhet zgjedhore në Rumani janë shpesh të pasakta. Asnjë institut i vetëm nuk e kishte parashikuar fitoren e Simion në raundin e parë.

Kthesa e Simion
Lideri i AUR-së shpesh kryesonte titujt e mediave vitet e fundit me paraqitje të ashpra, ndonjëherë të dhunshme fizikisht, ai premtonte rregullisht “të shkatërronte sistemin”. Jo drejtpërdrejt ai bënte fjalë për daljen nga BE dhe NATO, dhe se Republika e Moldavisë dhe rajonet jugperëndimore të Ukrainës do të bashkoheshin me Rumaninë. Simion binte në sy me simpatitë e tij pro-ruse dhe agjitacionin nacionalist kundër pakicës hungareze në Rumani.

Simion është larguar papritur nga këto pozicione kohët e fundit. Ai shfaqet i qetë për të, duke u përmbajtur nga shprehjet vulgare dhe britmat. Në vend që të flasë për daljen nga BE dhe NATO, ai flet për respekt dhe dinjitet për Rumaninë dhe se me të si president vendi do të jetë një partner “në nivel të barabartë dhe jo më i përulur”. Por ajo që mbetet është agjitacioni anti-ukrainas, për shembull, kur përhap gënjeshtra për trajtimin e supozuar preferencial të azilkërkuesve ukrainas ndaj qytetarëve rumunë. Po ashtu nuk ka ndryshuar që Simion ka pak njohuri për administratën publike, ekonominë, Bashkimin Evropian dhe politikën e jashtme dhe të mbrojtjes.

“Antisistemi” përfaqëson sistemin
Me Danin, Rumania dhe BE-ja do të kishin një president që i mbetet besnik një kursi pro-evropian, sundimit të ligjit, transparencës, me të ka parashikueshmëri. Dan ofron mbështetje të pakushtëzuar për Ukrainën. Si kryebashkiak i Bukureshtit, Dan ka dëshmuar se mund të shtyjë reforma, edhe nëse nuk ka mundur të përmbushë disa nga premtimet e tij deri tani. Problemi i tij është se ai nganjëherë ngatërrohet në kompleksitetin e mendimit. Në debatet televizive me kundërshtarin e tij në javët e fundit, ai shpesh reagoi mendjemprehtë. Por po ashtu e shmangte përballjen aty ku nuk duhej dhe shpesh sillej defensiv.

Nicusor Dan ka njoftuar se nëse fiton zgjedhjet, do të emërojë presidentin e përkohshëm Ilie Bolojan si kryeministër. Bolojan është një politikan që konsiderohet kryesisht me integritet dhe gëzonte reputacion të mirë si kryebashkiak i qytetit perëndimor rumun të Oradea (Oradea). Megjithatë, si një politikan udhëheqës për një kohë të gjatë i Partisë Nacional Liberale (PNL), ai përfaqëson “sistemin” – kjo i ndikon negativisht shanset elektorale të Danit, sepse ka pakënaqësi të madhe brenda shume pjesëve të shoqërisë rumune ndaj establishmentit, kjo duket se është forca lëvizëse në këto zgjedhje.

Ndërkohë i vetëshpalluri “prishës i sistemit” George Simion përfaqëson vazhdimësinë me sistemin e vjetër nacional-stalinist Çaushesku, pjesë të të cilit kanë mbijetuar deri në ditët e sotme – ndër të tjera në partinë AUR. Simion do të emëronte gjithashtu ezoterikun pro-rus Calin Georgescu si kryeministër. Ekstremistit të krahut të djathtë i ishte ndaluar të kandidonte sërish për president. Dhe në gjithë karrierën e tij politike Georgescu ka mbrojtur ish-diplomatët e Çausheskut dhe punonjës të shërbimit sekret famëkeq, Securitate.

Në një ese, aktivisti i të drejtave civile dhe ish-kundërshtar i regjimit të Çausheskut, Gabriel Andreescu, përfundon: “Një fitore për George Simion do të ishte faza e fundit në ringjalljen e rrjeteve ish-komuniste të pushtetit.”/DW

Rrahu për vdekje një person në Greqi, Prokuroria Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq autorin! Historia e ngjarjes ndodhur 15 vite më parë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin Dritan hoxha  për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ e kryer në bashkëpunim.

 

Në përfundim të hetimit  rezultoi se ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin Besim Besimaj kanë shkaktuar vrasjen e shtetasit Andon Veshaj në krahinën e Larisës në Greqi më 17.05.2010.

Hetimet nisën në vitin 2017 pas kallëzimit të bërë nga xhaxhai i viktimës, i cili denoncoi se nipi i tij u gjet i rrahur për vdekje brenda makinës së tij.

“Nga hetimet e kryera rezultoi se shtetasi D.H. kishte njohje me viktimën dhe natën e krimit kanë qenë në të njëjtin bar që administrohej nga viktima duke konsumuar alkool. Prokuroria provoi se ata janë larguar në të njëjtën kohë dhe nga tabulatet telefonike rezultoi se autori ka komunikuar me bashkëpunëtorin tjetër shtetasin B.B. Të dy këta shtetas kanë ushtruar dhunë fizike duke e goditur në këmbë, duar e pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë e dhunës, viktima ndërroi jetë. Pas këtyre akteve, ata e kanë futur viktimën në mjetin e tij dhe e kanë lëvizur nga vendi i ngjarjes”, thote Prokuroria.

Natën e ngjarjes, viktima ka pasur tre çeqe me vlerë 150 mijë euro me vete. Ai humbi jetën si pasojë e goditjeve të rënda të kokës.

“Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, rezultoi e provuar se Dritan Hoxha ka konsumuar në bashkëpunim me shtetasin  Besim Besimaj  kanë kryer veprën penale të ‘Vrasjes me paramendim’ në dëm të viktimës Andon Veshaj “, thote prokuroria.

Futbollistët e Kombëtares tani janë të suksesshëm jashtë, një brez që di të fitojë tituj kampion

Sot, një pjesë e mirë e Kombëtares shqiptare përbëhet nga futbollistë që kanë shijuar shijen e titullit kampion në kampionate të ndryshme. Kjo përvojë dhe ky mentalitet fitues përkthehet në një përfaqësuese më të fortë, më të pjekur dhe më ambicioze. Nga stadiumet e Kroacisë dhe Polonisë, Belgjikë e Letoni, për të mbërritur te Asllani në Itali, kuqezinjtë po lënë gjurmë.

 

ZVICËR DHE KROACI- Arlind Ajeti ka qenë pjesë e Bazelit gjatë periudhës së artë të klubit (2010–2015), ku fitoi 5 tituj kampionë. Naser Aliji, një tjetër produkt i të njëjtit klub, fitoi gjithashtu 3 tituj radhazi. Në Kroaci, Endri Çekiçi u shpall kampion me Dinamo Zagrebin në tri sezone (2014–‘15, 2015–‘16, 2017–‘18), ndërkohë së fundmi, Arbër Hoxha ka ndjekur hapat e tij, duke fituar titullin në sezonin 2023–‘24 me të njëjtin klub.

POLONI DHE HUNGARI – Sadiku dhe Muçi. Armando Sadiku ngriti trofeun me Legia Varshavën në sezonin 2017– ‘18. Ndërsa Ernest Muçi, pjesë e brezit të ri, fitoi titullin me të njëjtin klub në sezonin 2022–‘23. Armando arriti të fitonte edhe një titull tjetër në kampionatin indian. Ndërkaq, në Hungari, Myrto Uzuni fitoi dy herë radhazi titullin kampion me Ferencvaroshin.

BELGJIKË DHE ÇEKI- Muja, Laçi dhe Tuci. Arbnor Muja fitoi titullin me Antverpin në sezonin 2022–‘23. Qazim Laçi dhe Indrit Tuci, të dy pjesë e Sparta Pragës, janë kampionë në dy sezonet e fundit, duke shënuar një tjetër sukses për kuqezinjtë në Europën Qendrore.

SUEDI DHE LETONI- Etrit Berisha, portieri legjendar, fitoi titullin me Kalmarin në Suedi në sezonin e largët 2007–‘08, një nga të parët që shijoi suksesin ndërkombëtar, ndërsa Herdi Prenga, edhe pse në Kombëtare është thirrur vetëm si zëvendësues, është një tjetër kampion i shumëfishtë, me 2 tituj me Riga FC dhe 2 të tjerë me RFS, duke e bërë atë një ndër më të suksesshmit në këtë listë.

SHQIPËRI DHE MAQEDONI- Në Shqipëri, ka qenë Taulant Seferi që është shpallur kampion me Tiranën, ndërsa me Partizanin, kanë festuar Asani dhe Hadroj, në sezone të ndryshme. Seferi ka dalë kampion edhe në Maqedoni me Rabotniçkin, ndërsa Asani tri herë me Vardarin.

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes paralajmëron: Putin nuk do të pranojë paqen derisa të rindërtojë Perandorinë Ruse

Ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, tha në një intervistë për “Face the Nation” të CBS tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka gjasa të pranojë ndonjë marrëveshje paqeje në Ukrainë nëse nuk arrin qëllimin e tij të kahershëm për rindërtimin e perandorisë ruse.

 

“Mendimi im personal, pasi kam punuar me të dhe kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime duke u marrë me Rusinë dhe Bashkimin Sovjetik, është se Putini e sheh fatin e tij si rivendosjen e Perandorisë Ruse”, tha Gates.

Kujtojmë se delegacionet e rangut më të ulët ukrainas dhe rus u takuan dje në Stamboll, por negociatat nuk sollën përparim drejt armëpushimit apo marrëveshjes së paqes.

Bëhet e ditur se kërkesat e Rusisë mbeten të pandryshuara. Ajo kërkon kapitullimin de facto të Ukrainës – dobësimin e ushtrisë së saj, pranimin e një qeverie kukull dhe dorëzimin e territoreve të pushtuara Moskës.

Gates beson se Putin e sheh Ukrainën si çelësin për arritjen e rindërtimit të perandorisë ruse.

SPAK i sekuestroi telefonin Elvis Rroshit, policia: I gjenden fatura, kupona nafte dhe listë zgjedhësish! Së bashku me 4 persona të tjerë akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje

Policia e Shtetit thotë se ka zhvilluar një operacion kundër krimeve zgjedhore, duke ushtruar kontrolle fizike dhe në banesa të 5 shtetasve, mes tyre edhe ish kryetari të bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, të cilit SPAK i sekuestroi edhe celularin.

 

Policia thote se gjate kontrollit në një ambient në pronësi të Roshit u gjetën dhe u sekuestruan fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish.

“Shtetasve O. S., 38 vjeç, T. Rr., 44 vjeç, të dy banues në Kavajë, dhe shtetasit T. H., 35 vjeç, banues në Qerret, Durrës, Policia u sekuestroi telefonat celularë. Ndërsa shtetasit M. S., 37 vjeç, banues në Kavajë, Policia i sekuestroi një DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër”, thote policia.

Këta persona dyshohen për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe hetimet në kuadër të procedimit penal vijojnë.

Njoftimi: 

Operacion në kuadër të hetimeve për krime zgjedhore, kontroll fizik dhe në banesat e 5 shtetasve të dyshuar.

Sekuestrohen fatura, kupona nafte, lista zgjedhësish, DVR, pistoletë manovër dhe 5 telefona celularë.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerët e BKH-së, në funksion të procedimit penal nr. 82, i vitit 2025, ekzekutuan vendimin e datës 17.05.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për kontrollin fizik dhe atë në banesat e 5 shtetasve.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit E. Rr., 50 vjeç, banues në Kavajë, iu bllokua telefoni celular, si dhe në një ambient në pronësi të tij u gjetën dhe u sekuestruan fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish.

Shtetasve O. S., 38 vjeç, T. Rr., 44 vjeç, të dy banues në Kavajë, dhe shtetasit T. H., 35 vjeç, banues në Qerret, Durrës, Policia u sekuestroi telefonat celularë.

Ndërsa shtetasit M. S., 37 vjeç, banues në Kavajë, Policia i sekuestroi një DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër.

Këta shtetas dyshohen për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe hetimet në kuadër të procedimit penal vijojnë.

Si po rikthehet Elvis Roshi me pesë emra dhe dy parti në qendër të vëmendjes

Elvis Roshi, ish-kryebashkiaku me pesë emra i Kavajës, rikthehet në qendër të vëmendjes. Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ai deklaroi publikisht se do të mbështeste Partinë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, nën siglën e së cilës garonte majit kushëriri i tij.

Dje, emri i tij ishte thuajse në të gjitha mediat në vend. SPAK iu drejtua Gjykatës së Posaçme dhe mori leje për sekuestrimin e celularit të ish-kryebashkiakut, pasi kishte dyshime të forta se ai ishte përfshirë në aktivitetin kriminal të shitblerjes së votës.

Nga hetimet e para rezultonte se pas takimit me Roshin, një gruaje i ishte sekuestruar një listë me emra zgjedhësish. Por, siç konfirmojnë burime, janë zbuluar edhe prova të tjera që ngrejnë dyshime se jemi përpara një krimi zgjedhor. Krahas Roshit, u sekuestruan edhe tre celularë të tjerë, lidhje të afërta të ish-kryebashkiakut, si dhe u kontrolluan disa ambiente. Përgjatë dy javëve të fundit, në kuadër të hetimeve për krim zgjedhor, SPAK ka sekuestruar dhjetëra telefona. Por emri i Roshit, sigurisht, tërheq vëmendje për shkak edhe të të kaluarës së tij.

Por si nisi historia e ish-kryetarit të bashkisë së Kavajës? Ish socialistit që arriti t’i rrëmbente votat bastionit të demokratëve për të drejtuar si kryebashkiak Kavajën.

Për vite me radhë, ai ishte ndoshta kryebashkiaku më i përfolur në vend. Së pari, për shkak të historisë së ish-gruas së tij, Griseldës, e cila inskenoi një shtatzëni të rreme. Në fund, pasi kaluan nëntë muaj, ajo denoncoi se ishte rrëmbyer nga persona të maskuar dhe i kishin hequr foshnjën.Ngjarja e qershorit 2011, kur Roshi sapo ishte zgjedhur kryebashkiak, ngriti në këmbë Policinë e Shtetit dhe shokoi opinionin publik, ndërsa politika u vu në lëvizje dhe alarmoi të gjitha përfaqësitë diplomatike.

Asokohe, Erion Veliaj i shkruante selive diplomatike në Tiranë dhe jo vetëm:

“Një lajm i trishtuar na ka shokuar të gjithëve ne në PS. Natën e kaluar, gruaja shtatzënë e kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, u rrëmbye në një qendër tregtare në Tiranë. Pasi është keqtrajtuar barbarisht nga rrëmbyesit, ajo është dërguar në një vend të panjohur, ku i kanë hequr fëmijën.” Në fund, ngjarja rezultoi të ishte një sajesë e ish-bashkëshortes së Elvis Roshit.

Ky i fundit, pas këtij momenti tronditës, u duk se nisi një jetë normale, por shpejt telashe të reja do të shfaqeshin në horizont.

Pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit, kryebashkiaku u vu në qendër të akuzave të opozitës, pasi kishte fshehur rekordet kriminale jashtë vendit. Kryebashkiaku rezultonte të kishte përdorur pesë emra dhe përpjekjet e Edi Ramës për të relativizuar çështjen nuk dhanë rezultat, pasi u zbuluan jo një, por disa dosje kriminale të Elvis Roshit. Ai rezultonte i dënuar për akuzën e përdhunimit, ngjarje e ndodhur në Itali në 1995, dhe ishte dëbuar në 1993 nga Zvicra. Në 1997 rezultonte të ishte arrestuar po në Zvicër dhe se kishte përdorur pesë emra të ndryshëm.

Roshi ishte vënë edhe në shënjestër të DEA-s amerikane për dyshimet për trafik droge. Pasi la politikën, Roshi sërish u përball me organet e hetimit, pasi u referua në prokurori për abuzime financiare me detyrën. Pas kësaj, siç ndodh rëndom, Edi Rama e braktisi të preferuarin e tij që i dha fitoren në bastionin e demokratëve. Për disa kohë Roshi qëndroi në hije të politikës për t’u rishfaqur disa muaj më parë. Lënia mënjanë nga ana e Edi Ramës duket se nuk u prit mirë nga Roshi. Që zgjodhi këtë herë t’i jepte një dorë kushëririt të tij që garonte me siglën e PD-së. Ndryshe nga shokët e tij brenda PS-së që kanë zgjedhur të rrinë “urtë” kur marrin goditje nga partia, Elvis Roshi zgjodhi të përballet me ish-shefin e tij në fushëbetejën e zgjedhjeve parlamentare të një jave më parë.

Dhe, në fakt, nuk duket të jetë i pakënaqur nga rezultati për sa kohë Kavaja arriti të sigurojë një numër rekord votash për PD-në, edhe pse kjo e fundit dështoi të kishte të njëjtin rezultat në qarqet e tjera.

Sa për Elvis Roshin, angazhimi në zgjedhjet e 11 majit, por edhe shumë bëma të tjera, të çojnë logjikshëm në përfundimin se në finale është një personazh me shumë dritëhije dhe probleme me drejtësinë. Sigurisht, ai dhe të ngjashëm me të do të duhej të qëndronin larg proceseve zgjedhore. Por, siç ndodh rëndom në fushata elektorale, politika të majtë e të djathtë, pavarësisht retorikës së fushatës, i thërret në ndihmë këta personazhe për të mbushur thesin me vota, duke dëmtuar kështu standardin e zgjedhjeve, që në respekt të qytetarëve duhet të jetë një proces jashtë personazheve si Elvis Roshi me 5 emra dhe 2 parti. I gatshëm të mbushë thesin e votave në këmbim të favoreve politike dhe për të shfajësuar veten para drejtësisë.

Azgan Haklaj: Rama dhe Berisha shkatërruan zgjedhjet, ndërkombëtarët të ndërhyjnë

Nga Azgan Haklaj

Promemorie!

Drejtuar Trupit Diplomatik akredituar në Republikën e Shqipërisë.

Shkëlqësi të nderuar!

Ju drejtoj këtë kujtesë të rëdësishme lidhur me skandalin elektoral të ndodhur në vendin tim në zgjedhjet e 11-të majit 2025.
Jam i vetëdijshëm për principet diplomatike që ju shoqërojnë në aktivitetin tuaj dhe limitet e interveninimit në punët e brendshme të një shteti por rasti nuk është vetëm lokal.
Fenomeni skandaloz i vjedhjes e manipulimit të zgjedhjeve tejkalon e shpërfill gjithë konventat e ligjet demokratike ndërkombëtare duke shkelur rëndë të drejtat themeltare të lirive të njeriut.
Kjo është gjëja më e rëndë që i bëhet një populli të një vendi sovran pas agresionit të armatosur.
Shteti autokratik aktual shqiptar tashmë i deshmuar si narko shtet e korruptiv ndërkombëtarisht drejtuar nga Edi Rama në bashkëpunim me një tjetër figurë politike të opzitës po aq te errët në periudhën post-komuniste si Sali Berisha në unison manipuluan e shkatërruan edhe sistemin zgjedhor duke kaluar të gjithe votat e shqiptarëve abuzivisht në anën e tyre.
-Me forcën e kartonit e pse jo dhe me bekim parcial ndërkombëtar përmes trupit diplomatik ata sajuan një kod zgjedhor jodemokratik e përfitues duke minimizuar deri në eliminim shanset demokratike të konkurimit të lirë.
-U përdor mekanizmi i shantazhit e patronazhimit, administrata e burimet financiare shtetërore në shërbim të tjetërsimit të votës.
-Vota e emigracionit u manipulua plotësisht duke injoruar verdiktin real te bashkëatdhetarëve tanë rezident në shumë vende demokratike si në Greqi, Itali, Francë, Angli, SHBA etj duke përdorur shërbime postare të dyshimta të lidhura me milionat e dhëna nga tendere abuzive.
-U përdorën segmente të korruptuara të gjykatave shqiptare për rrëmbimin e legjitimitetit juridik e financiar të partive politike brutalisht e në kundërshtim flagrant me ligjin.
Këto argumente shoqëruar me deshmi e fakte të pakundërshtueshme që prishin e deformojnë ç’do normalitet demokratik e njerëzor elektoral do sjellin pasoja të rënda jo vetëm për funksionimin e shtetit ligjor por në vijimësi do mbartin konflikte të thella sociale deri në përshkallëzim të një destabiliteti në vend.
Ky konkluzion logjik e juridik besoj që e bën jo vetëm të nevojshëm por jetik intervenimin tuaj diplomatik pranë qeverive tuaja për rishikimin e përseritjen e zgjedhjeve nën një mbikqyrje të rreptë të faktorit ndërkombëtar me një qeveri kujdestare.
Këtij fakti të pamohueshëm i bashkëngjitet dhe raporti paraprak alarmues i vezhguesve të OSBE-ODHIR-it.
Do të mjaftonte një fakt alarmues ku kandidatëve opozitarë në zgjedhje të mos i figurojë asnjë votë e familjarëve të vetë që ta bëjë sa qesharake dhe tragjike situatën elektorale që përjetoi vendi ynë.
Ne me të gjithe fuqinë tonë, me dokumente të pa kontestueshme do ju drejtohemi organeve tona aktuale ligjzbatuese por besoj se është e drejtë sa aq dhe logjike sugjerimi juaj pranë organeve të drejtësisë së re për të cilat shtetet dhe qeveritë tuaja janë investuar ndër vite.
Shkëlqësi ambasador!
Rama dhe Berisha grabitën pushtetin për të asgjësuar drejtësinë e re për të cilën ju keni investuar.
Duke mbetur me shpresë dhe besim në serozitetin me të cilin do të konsideroni këtë rast të rëndë të minimit të demokracisë ju përcjell përshendetjet e mia.

Me respekt Azgan Haklaj, ish -deputet i Kuvendit të Shqiplrisë, kandidat i Koalicionit Euroatlantik në zgjedhjet e 11 majit.

Votat preferianciale të PS si primaret e Saliut/ Çfarë na tregon rezultati i socialistëve për Tiranën

Në rezultatet e votave preferenciale të Qarkut Tiranë ka të paktën 2 shifra që duhet të analizohen nga këndvështrimi i standardeve të zgjedhjeve.

Në qarkun Tiranë, kandidonin në Listë të hapur 3 ministra, Blendi Gonxhja, Ervin Hoxha dhe Anila Denaj.

Deri tani rezultatet paraprake për këta Ministra rezultojnë si vijon:

Blendi Gonxhja – 22.000 vota, Ervin Hoxha 19.000 vota dhe Anila Denaj 8.700 vota.

Pas tyre rreshtohen të tjerët. Mes tyre rezultojnë 2 socialistë historik si Erjon Braçe me më shune se 20.000 dhe Fatmir Xhafaj me me shumë se 12.000 vota. Tek shifrat e Xhafajt veç një rënie prej 3.000 votash në raport me rezultatin e vitit 2021, nuk ka shumë surpriza.

Vijnë më pas Xhemal Qefalia me Orlando Rakipin me rreth 9.000 vota dhe më pas lista normale vijon e kryesuar nga Toni Gogu me 6.000 vota.

Ndërkohë pritet votimi i zarfeve të Greqisë por edhe deri këtu ka një shpjegim logjik edhe per votat e Xhemal Qefalise, ose Orlando Rakipit e që lidhet me ndikimin dhe networkun që i siguron atyre mbështetje në terren.

Por ka vetëm një shpjegim të logjikshëm për rezultatin e votave preferenciale për 2 (dhe mbase 3) Ministra të qeverisë Rama që garuan në listë të hapur.

Nëse verifikon rezultatet e votave preferenciale, Blendi Gonxhja rezulton se është përhapur në gjithë territorin e Tiranës. Shifrat që dilnin nga kutitë japin rezultate te habitshme për Ministrin e Super ministrisë së Ramës.

Ato shifra mund të justifikojnë rezultatin për një politikan rrace, por ç’punë kanë me politikanin e rracën Gonxhja? Ose akoma më keq Zoti Hoxha? Ky i fundit edhe postin e ministrit ka vetëm 4 muaj që e shijon.

Votimi kapilar i 2 Ministrave në të gjitha QV, nxjerr zbuluar përdorimin e stafeve të ministrive si mbledhës votash për Ministrin Gonxhja dhe Hoxha.

Akoma më shumë shtohet faji, pasi abuzimin dhe përdorimin e ekipeve, dhe eventualisht kompetencave, këta 2 Ministra e kanë zgjeruar jo vetëm për sigurimin e votave për siglën PS.

Profanizmi i të dyve dhe etja për të grumbulluar vota preferenciale pa kuptuar dëmin që po i shkaktonin jo vetëm “shokëve të skuadrës” por edhe zgjedhjeve dhe standartit të tyre, i bën këta përfaqësues të një rrace tjetër larg asaj të politikanit.

Për ministrin Hoxha janë kërkuar vota nga çdo uniformë policie, për familjarë dhe rreth shoqëror deri tek kompanitë e sigurisë e të tjera që licencohen apo kanë marrëdhënie kontraktuale me struktura, pjesë e Ministrisë së Brendshme. Shifra nuk do habiste kaq shumë sikur ministri të ish psh. Erjon Braçe.

Por Ervin Hoxha!?
Kush dreqin është ky Ervin Hoxha për anëtarësinë socialiste?
Kush dreqin e njeh në elektoratin e majtë Ervin Hoxhën?
Çfarë heroizmi ka bërë ky Ervini qe bindi popullin e Tiranës që ta votojë masivisht?
Njëjtë edhe për ministrin Blendi Gonxhja. Me çfarë oratorie politike arriti Gonxhja në shtëpitë e banorëve te Tiranës?

Ministrat ke gjasë do gëzojnë mandatet e mbase nuk do e kuptojnë kurrë dëmin që i kanë shkaktuar zgjedhjeve dhe standardit të tyre.
Fundja duhet të jesh pak politikan rrace që t’a kuptosh këtë!

Ose mbase Blendi Gonxhja do ta ndjejë valën qe t’i kthehet mbrapsh kur të kërkojë votën si kandidat për Bashkinë Tiranë. Atëherë do duhet të fillojë të ribëjë llogaritë.

Me 22.000 vota si ministër mund te zgjidhesh edhe deputet, por për Kryetar Bashkie duhen nja 150.000.

Gonxhja po e kërkonte me çdo kusht rezultatin e votave prefenciale për të arritur kandidimin për Bashkinë Tiranë, qoftë edhe me koston e ndotjes se zgjedhjeve. Do të thotë që kur hynte në sinore të të tjerëve shokë (ideali), me kokën lart nuk mendonte për pasojat e grumbullimit që po i bënte preferencialeve. Kësaj i thonë ta trajtosh rezultatin në vota preferenciale në zgjedhje për Kuvendin si primaret e Partisë Demokratike për zgjedhjet lokale.

Nëse beson kështu, atëherë Ginxhja duhet ta nisi duke u kërkuar falje me kokën ulur shokëve që “i vodhi” me portofol ministri.

Sa për dëmin që i ka shkaktuar zgjedhjeve, për këtë duhet t’i kërkojë falje Partise Socialiste. Ne të tjerët thjesht bëjmë sehir, nuk presim të na kërkojë falje Gonxhja./vna.al

A mund të bëhet Euro një monedhë globale? The Economist: Me rënien e Dollarit, europianët kanë një mundësi

Me rënien e Dollarit, europianët kanë një mundësi, shkruan The Economist

Monedha e parë rezervë e Europës ishte tetradrahmi, mbi të cilën ishte gdhendur një buf. Simboli i mençurisë kishte për qëllim të frymëzonte besimin te sundimtarët e Athinës së lashtë.

Ky zog shfaqet edhe sot në versionin grek të monedhës 1 €.

Tetradrahmi nuk njihet vetëm për këtë mes ekonomistëve modernë. Siç vë në dukje Barry Eichengreen nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley, gjatë historisë, çdo monedhë kryesore i ka përkitur një republike ose demokracie.

Dhe Athina ishte një demokraci. Kufizimi i pushtetit të njerëzve më të fuqishëm nëpërmjet votës së popullit, premton një shkallë qëndrueshmërie, e cila, së bashku me një ekonomi të madhe dhe fuqi ushtarake, është përbërës kyç për çdo monedhë.

Mungesa e një qëndrueshmërie të tillë sot në Amerikë po i shtyn investitorët dhe politikanët të vënë në dyshim rolin e Dollarit si monedha rezervë botërore.

Në këto kohë vështirësish për Dollarin, a mund të ngrejë krye Euro? Christine Lagarde, presidentja e Bankës Qendrore Europiane (BQE), dhe Paschal Donohoe, kreu i Eurogroup, kanë folur së fundmi për mënyrat si mund të rritet roli ndërkombëtar i monedhës.

Euro nuk është ende gati të zëvendësojë Dollarin. Por mund të luajë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Dhe nëse shfrytëzohet mirë ky rast i volitshëm, Europa mund të përfitojë nga ndryshimet në rendin financiar global.

Që nga lindja në vitin 1999, Euro ka qenë një pretendent për statusin global. Në prag të krizës financiare të viteve 2007-09, zyrtarët europianë kishin shpresë se me kalimin e kohës, monedha mund të rivalizonte Dollarin.

Më pas erdhi kriza e Euros e viteve 2010. BQE-ja nuk ishte krijuar për të qenë një huadhënës i mundësisë së fundit, gjë që rriste rrezikun e shitjeve të bonove qeveritare.

Sistemi bankar i Europës ishte i ndarë përgjatë vijave kombëtare dhe i prirë ndaj krizave, si pasojë e lidhjes së dobët midis borxheve të lëkundura sovrane dhe institucioneve financiare edhe më të lëkundura.

Tregjet e kapitalit ishin tepër të vogla për të kompensuar një rrezik të tillë. Eurozona siguronte pak asete të sigurta për ata që kërkonin të “parkonin” paratë: emetuesit e bonove ishin ose tepër të kursyer (si në rastin e Gjermanisë) ose nuk kishin besueshmëri (si në rastin e Italisë dhe Spanjës).

Borxhi i përbashkët, i mbështetur nga gjithë blloku, ekzistonte me vështirësi. Perspektivat e zymta të rritjes ekonomike, më pas i detyruan yield-et afatshkurtra dhe afatgjata të shkonin nën zero.

Asetet europiane ofronin kthime të ulëta fitimi, kështu që kishte pak kërkesë për Euron dhe nuk bëhej fjalë për një rol ndërkombëtar të monedhës.

Ndërrimi i pllakave

Sot, Euro është në vend të dytë, por shumë larg Dollarit, duke përbërë një të pestën e rezervave globale të bankave qendrore, kundrejt tre të pestave që zë monedha e gjelbër. Edhe për sa i përket emetimit të bonove në valutë të huaj, ka shifra të ngjashme.

Gjatë dekadës së fundit, ndërsa bota është larguar ngadalë nga Dollari, Euro e ka pasur të vështirë të fitojë terren. Megjithatë, disa zyrtarë europianë tani besojnë se kjo mund të ndryshojë, për katër arsye.

E para është se arkitektura financiare e Eurozonës është bërë më e sigurt. BQE-ja tashmë ka marrë rolin si një huadhënës i mundësisë së fundit, edhe pse jo në teori. Kjo filloi me përgjigjen e bankës ndaj krizës së Euros. Asokohe institucioni drejtohej nga Mario Draghi.

Gjatë pandemisë Covid-19, banka krijoi një program të blerjes së bonove, me një buxhet prej më shumë se 1.8 trilionë eurosh (2.1 trilionë dollarë). Kur yield-et e bonove sovrane u zgjeruan së tepërmi gjatë inflacionit të vitit 2022, përgjegjësit monetarë krijuan një skemë të pakufizuar të blerjes së bonove, për të parandaluar që dallime të tilla të shkaktonin kriza në të ardhmen.

Investitorët kanë kuptuar gjithashtu se Bashkimi Europian do të mbështesë qeveritë në vështirësi dhe do ta bëjë këtë në një mënyrë bujare.

Gjatë pandemisë, blloku krijoi një plan rimëkëmbjeje me vlerë 807 miliardë euro, të financuar nga borxhi i përbashkët i BE-së, për të ndihmuar vendet në vështirësi.

Për më tepër, BQE-ja po mbikëqyr 114 bankat më të mëdha të Europës, të cilat së bashku mbajnë 82% të totalit të aseteve bankare të kontinentit.

Gjithashtu, investimi në Europë është bërë më i drejtpërdrejtë, një arsye e dytë për optimizëm. Fondi i rimëkëmbjes së pandemisë së Europës krijoi shumë borxhe të përbashkëta, dhe asete të sigurta europiane. Gjermania është gati të fillojë të shpenzojë shuma të mëdha, përmes një deficiti të financuar nga gjithë kontinenti për shpenzimet e mbrojtjes.

Arsyeja e tretë është se institucionet e Europës tani duken më tërheqëse, të paktën kur krahasohen me ato të Amerikës. Partitë e së djathtës së rreptë janë popullore dhe po fitojnë terren në vende si Gjermania dhe Franca.

Njëra është në pushtet në Itali. Megjithatë, në të njëjtën kohë, Euro është monedha e përbashkët e 20 shteteve sovrane dhe ka një bankë qendrore jashtëzakonisht të pavarur që e mbikëqyr atë. Anëtarët duhet të pajtohen njëzëri për çdo ndryshim në mënyrën e qeverisjes së monedhës.

Për më tepër, sanksionet ndaj vendeve të tjera do të kërkonin pëlqimin e 27 anëtarëve të BE-së. Sundimi i ligjit është thelbësor në BE. Baraspesha dhe kontrolli i pushtetit nuk vihen në dyshim.

Në bllok mbizotëron mendimi se BE-ja duhet të jetë sa më e hapur ndaj tregtisë dhe investimeve të huaja.

BQE-ja ka krijuar një kornizë për ofrimin e likuiditetit në Euro për vendet jashtë Eurozonës, gjë që mund të jetë më tërheqëse për vendet e goditura nga kriza, sesa rregullat e Rezervës Federale Amerikane, në rast se Trump vazhdon me politikën e tanishme. Askush nuk dëshiron t’i japë presidentit amerikan më shumë ndikim.

Kontinent i vjetër, truke të reja

Ka dhe një arsye të fundit për optimizëm: gjendja e tregtisë ndërkombëtare. Ndërsa Amerika po tërhiqet nga tregtia globale, Europa do të luajë një rol më të rëndësishëm.

Mallrat dhe shërbimet e faturuara në Euro, do të krijojnë tregje dytësore në këtë monedhë, si për financimin e tregtisë, sigurimet dhe derivativët mbrojtës për normat e interesit dhe valutat.

Edhe pse derivativët e monedhës jashtë bursës vazhdojnë të mbizotërohen nga Dollari, derivativët e normës së interesit në Euro ua kanë kaluar së fundmi atyre në monedhën e gjelbër.

Lidhjet e reja tregtare do të çojnë gjithashtu në krijimin e llogarive kreditore dhe depozitave në Euro, në të gjithë botën.

Këto, nga ana tjetër, do të rrisin kërkesën për Euro dhe më pas për rezerva të bankave qendrore në Euro, pasi çdo huadhënës i mundësisë së fundit, duhet të ruajë rezervë monedhat e mbajtura nga institucionet financiare vendase.

Europa ka shansin për të marrë drejtimin në një rend të ri tregtar liberal, i cili do të krijonte mundësi për të ndryshuar sistemin financiar. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vëren se “shumë vende në mbarë botën, dëshirojnë të punojnë me ne”.

Sipas hulumtimit të BQE-së, në vitet 2000, fqinjët lindorë të Eurozonës filluan të faturojnë tregtinë në Euro për shkak të lidhjeve më të ngushta tregtare me bllokun; tani e njëjta dukuri mund të përhapet gjetiu. Kapitali zakonisht ndjek shtrirjen gjeopolitike.

Hulumtimet nga Elisabeth Kempf dhe bashkautorët në Universitetin e Çikagos, zbulojnë se menaxherët e aseteve dhe bankat investojnë më pak në shtete të udhëhequra nga qeveri me prirje politike të ndryshme nga të tyret.

Megjithatë, këto mundësi nuk do t’u bien në prehër europianëve. Do të nevojiten reforma të vështira.

Së pari, vendet me borxhe të larta, në veçanti Franca dhe Italia, duhet të nxisin rritjen ekonomike në mënyrë që të kenë qëndrueshmëri fiskale, në vend që të shtojnë grumbullin e bonove të investueshme thjesht për të mbajtur në funksion buxhetet e tyre.

Gjermania, Holanda dhe vendet skandinave, përballen me detyrën e kundërt: ato duhet të përdorin hapësirën fiskale për investime, në mënyrë për të krijuar asete të sigurta.

Rritja ekonomike në të gjithë BE-në do të ndihmonte në rritjen e aseteve në Euro, duke përfshirë bonot qeveritare dhe duke i bërë ato ende më tërheqëse.

Europa gjithashtu ka nevojë për tregje më të mëdha dhe më të thella të kapitalit, për t’u dhënë investitorëve më shumë asete. Politikëbërësit deri tani janë përqendruar në përfitime të lehta teksa po përpiqen të lidhin së bashku tregjet e përçara kombëtare.

Ata po merren më tepër me çështje si procesi i sigurimit të aseteve, në vend të temave më polemike, si harmonizimi i ligjeve të falimentimit dhe rregullimi i biznesit.

Planet e BQE-së për të lidhur vendet e treta me sistemin e saj të brendshëm të pagesave duhet të përparojnë më shpejt. Këtu do të ndihmonte edhe krijimi i euros dixhitale.

Zyrtarët europianë dëshirojnë ta bëjnë kontinentin më pak të varur nga Amerika dhe Kina. Një Euro më ndërkombëtare do të ulte kostot e huamarrjes për qeveritë kombëtare, gjë që do të ishte jashtëzakonisht e dobishme në këtë kohë të rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes.

Tani për tani, pak politikanë europianë i kanë shprehur publikisht ambicie të tilla, sepse e dinë se kjo do të provokonte zemërimin e administratës Trump. Por kjo nuk ka rëndësi.

Financat ndërkombëtare funksionojnë sipas rregullave të caktuara dhe nuk kanë nevojë për fjalime madhështore. Mjafton të pyesni athinasit.