Efektivët e policisë të liruar apo shkarkuar nga detyra për dy vjet, nuk kthehen më në radhët e policisë. Sipas Ligjit të ri të Policisë, i cili ka hyrë në fuqi dje në 25 maj, penalizohen më shumë se 700 policë të liruar nga detyra në vitin 2013, kur në Ministrinë e Brendshme u vendos si ministër Saimir Tahiri.
Pak ditë më parë, hyri në fuqi Ligji i ri i Policisë, i cili saktëson se çdo efektiv i policisë i liruar, shkarkuar apo pezulluar nga detyra, liruar qoftë për shkak të shkurtimit të funksionit apo janë larguan për arsye personale për një periudhe 2-vjeçare, nuk mund të kthehen më në radhët e policisë.
Arben Hajdarmataj, ish-drejtues i Policisë thotë se, ky ligj është antikushtetues, i cili penalizon me shume 700 punonjës policie që janë liruar nga detyra.
Sindikata e policisë thotë se, depozitoi një padi lidhur me këtë ligj, pasi bie ndesh me parimet europiane të të drejtave të njeriut. Këta efektivë mund të rikthehen në detyrë vetëm me vendim gjykate, por sindikata thotë se, zbatimi i këtyre vendimeve mbetet problem.
Skandal me ligjin e ri, kush u lirua para 2015 nuk kthehet më në polici
Zbulohet shkaku i vdekjes të dy të rinjve shqiptarë në Itali
Dy të rinjtë shqiptarë në Itali kanë rënë nga një lartësi prej 40 metrash gjatë një tentative për arratisjes. Vdekja ka ndodhur për shkak të rënies tragjike brenda një ish-guroreje në qarkun e dell’Acquasanta në qytetin e La Spezia. Ky është shkaku i vdekjes tragjike të dy të rinjve shqiptar, trupat e të cilëve u gjetën dy ditë më parë. Kjo është hipoteza e konfirmuar nga agjentët e policisë dhe mjekët ligjor.
Ndërkohë që dalin detaje të reja rreth ngjarjes, ende nuk dihet identiteti i viktimës së dytë, ndërsa njëri prej tyre është Fabiol Kyçyku, 19 vjeç, i cili ka jetuar në La Spezia për rreth tri vite. Trupat e tyre kanë dëmtime të shumta, ndërsa kanë përfunduar në gropën e thellë mbrëmjen e së dielës së shkuar.
Tek njëra viktimë janë gjetur 11 kaçavida, me të cilat mendohet se kryheshin vjedhjet. Mendohet se të dielën në mbrëmje është dhënë një alarm për një tentativë grabitjeje në një banesë në afërsi të dell’Acquasanta. Sipas mediave italiane, të dy trupat ishin të veshura me rroba të errëta, ndërsa në trupat nuk ka shenja plagësh nga thika apo armë zjarri. Hetimet janë duke vazhduar ende.
Paniku i humbjes, Rama SMS kandidatëve: Shkatërroni partitë aleate
Pavarësisht, se kërkon të japë figurën e fitimtarit në zgjedhje, Rama duket se është në panik nga rrjedhja e votave, jo vetëm nga pakënaqësia në masë që ka shkaktuar qeverisja e tij, por dhe nga dalja më vete e partive të tjera aleate. Portali, “lapsi.al” ka publikuar një sms të tij që ja dërgon kandidatëve për deputetë ku “kërkon mobilizim më të madh prej tyre, që të luftojnë sa më shumë për fitoren e PS-së”. Në mënyrë të veçantë porosit të vetët që të “peshkojnë” kandidatët e partive të vogla. Sipas tij përfaqësuesit e PS-së duhet t’i bindin këta kandidatë se nuk kanë asnjë shans të fitojnë mandat dhe se “me këtë hanë vota kot nga e majta”. Më poshtë teksti i mesazhit të Ramës. “Kapni dhe çmobilizoni sa të jetë e mundur kandidatët e partive të vogla! S’kanë asnjë shans të fitojnë mandat dhe vetëm hanë vota kot nga e majta. Përfshihini sa të mundeni në fushatën tonë. Kudo ku flisni, me këdo që flisni, edhe brenda organizatave, jepuni mesazhin që janë vota për të dëmtuar objektivin e PS, duke ndihmuar padashje PD apo LSI në kurriz të PS! Forca! Intensitet maksimal. Ditë-natë! Mobilizoni miq, kushërinj, nipa, mbesa, fis e farë, me telefon, kudo ku i keni, që të luftojnë për PS! Fitore!”, shkruan Rama në mesazhin e shpërndarë tek të gjithë kandidatët. Ky mesazh i Ramës lë të kuptohet panikun e tij për fundin e afërt dhe se objektivi që ka shpallur se do të fitojë 71 mandate deputetësh, është shumë larg realitetit dhe ekziston vetëm në fantazinë e tij. Pas marrëveshjes që ai arriti me kreun e opozitës, Lulzim Basha, të gjitha partitë garojnë të vetme në zgjedhjet e 25 qershorit, jashtë çdo koalicioni paraelektoral. Kjo rëndon pozitat e partive të vogla, por vështirëson akoma më shumë dhe pozitat e Ramës në këto zgjedhje. Dy ditë më parë, Rama bindi disa prej partive të vogla të spektrit të majtë që të dalin në zgjedhje nën siglën e PS-së, për të mos humbur kështu asnjë votë potenciale. Duket se luftën tashmë Rama se ka vetëm me opozitën, por edhe me aleatët e tij, të cilët kërkon t’i nxjerrë përfundimisht nga jeta politike në vend. Në fakt, këtë plan ai e ka pasur që kur ka hipur në krye të Partisë Socialiste në vitin 2005, dhe e vuri më shumë në zbatim kur mori mandatin qeverisës. Parti aleate tradicionale të tij, që nuk arritën të futen në Kuvend, por dërguan jo pak vota në thesin e majtë mbetën me gisht në gojë sapo Rama mori frenat e pushtetit.
3.5 milionë fletë votimi për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit
Shtyrja e datës së zgjedhjeve me marrëveshjen politike të 18 majit PS-PD, ndryshoi dhe listën e zgjedhësve dhe si rrjedhim edhe numrin e zgjedhësve mbi të cilën bazohet sasia e fletëve të votimit që do të duhet të prodhohen për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi të premten, që sipas të dhënave të reja nga Gjendja Civile, se sasia e fletëve të votimit që do të duhet të prodhohen për këto zgjedhje është 3.518.657 fletë votimi, ose 442 fletëvotimi më shumë se sa ato të miratuara me vendimin e KQZ-së të datës 9 maj (3.518.295). Nga përpunimi i të dhënave, rezulton se në rang vendi janë gjithsej 5362 qendra votimi (QV) me gjithsej 3.452.260 zgjedhës. Bazuar në urdhërimet e Kodit Zgjedhor, sasia e fletëve të votimit që duhet të prodhohet duke shtuar 2-për qindëshin mbi numrin e zgjedhësve për çdo QV, është 3.518.657 fletë votimi gjithsej. Gjithashtu, KQZ miratoi të premten dhe kërkesën e OSBE/ODIHR-t për akreditimin e 31 përkthyesve për vëzhgimin e procesit zgjedhor për zgjedhjet për Kuvendin më 25 qershor.
“Zhduken” bizneset, kreditorët, tatimet e punonjësit i kërkojnë
Janë me dhjetëra rastet, kur biznese, individë, organet tatimore apo dhe bankat i drejtohen gjykatës dhe përmbaruesve për të kërkuar një detyrim të pashlyer, por kompania borxhlie rezulton e larguar nga adresa zyrtare që ajo ka dhënë. Kjo e vështirëson marrjen mbrapsht të detyrimeve përmes organeve ligjore, ndërsa tregon informalitetin e lartë të bizneseve shqiptare, mungesën e korrektesës në marrëdhëniet mes palëve, nivelin e sipërmarrjeve të ekonomisë shqiptare, por dhe vështirësitë me të cilat po hasen shumë prej tyre, që shoqërohen me mbyllje e falimentime të sipërmarrjeve. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shpallur disa herë hapjen e procedurave të falimentit për kompaninë Kuid (pjesë e ish-grupit Taçi Oil), por në fletëthirrjen e dërguar rezulton shënimi “Larguar”. Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 26 maj.
Edhe shoqëria Taçi Kontruksion Millenium rezulton me shënimin larguar, ndërsa kërkohet nga kreditori Alek Moçi (kompania në QKB rezulton e çregjistruar që në prill të vitit 2015). Të shumtë janë dhe punonjësit që kërkojnë marrjen e pagave tek shoqëria e naftës ARMO, por edhe njoftimet e tyre kthehen me shënimin se adresa nuk gjendet. Shoqëria Future Call, me aktivitet në call center, është paditur nga tre ish-punonjës të saj për detyrimin e pagimit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, por gjykata është detyruar të bëjë njoftim me shpallje, pasi kompania rezulton se nuk merr dijeni proceduralisht në adresën e shënuar Future Call rezulton në QKB që ka kaluar me status të pezulluar në fund të tetorit 2016. Future Call ishte krijuar në maj të vitit 2015 me aktivitet në shërbimet e call center “in dhe out-band”; -promovimin dhe menaxhimin e fushatave publicitare.
Arjan Zykollari, person fizik, kërkon likuidimin e një fature nga kompania “Albania Food Production”, por njoftimi drejtuar të paditurit ka ardhur me shënimin larguar. Probleme kanë edhe personat që kanë porositur për të blerë një shtëpi, por ndërtuesi nuk gjendet më. Arben Zenelaj ka paditur shoqërinë “Bitraj-98”, për përmbushjen e kërkesave të një kontrate porositëse të lidhur që në vitin 2008, si dhe shpërblim dëmi pasuror. Fletëthirrja është kthyer nga shërbimi postar me shënimin “larguar”. Kompania rezulton ende aktive në QKB, por urdhrat e sekuestros ndaj saj janë të shumtë. Një shqetësim të ngjashëm ka dhe Arjan Agaraj, i cili kërkon kthimin e një shume nga kompania ndërtuese Kristi Ko, por kjo e fundit sërish nuk gjendet në adresën e dhënë.
Agjenti serb tek dhuna në Maqedoni
Autoritetet shtetërore maqedonase i kanë kërkuar ambasadores serbe në Shkup që të shpjegojë praninë e këshilltarit të kësaj ambasade në sulmet e dhunshme brenda Parlamentit të Maqedonisë më 27 prill. Këshilltari Goran Zhivaljeviç është njëkohësisht oficer i shërbimit serb të zbulimit, BIA.
Ambasadorja Dushanka Divjak-Tomiç ditën e premte u shpjegua në Ministrinë maqedonase të Punëve të Jashtme lidhur me incidentin.
Por, kryeministri serb Aleksandar Vuçiç pas një takimi të shkurtër me kryeministrin e mandatuar të Maqedonisë, Zoran Zaev, të mërkurën në mbrëmje në Bruksel, është shprehur se agjenti Zhivaljeviç nuk ka kryer ndonjë vepër penale me praninë e tij në turmë, “sepse kjo është detyrë e tij”.
Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç është shprehur ngjashëm, se “këshilltari i ambasadës ka qenë aty për të parë nëse ka shtetas serbë të përfshirë në ato zhvillime”. Ndërkaq, Zaev shpreson se shërbimet përkatëse do të japin përgjigje mbi rolin e agjentit serb në ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit.
Marrëdhëniet midis autoriteteve më të larta serbe dhe kryeministrit të mandatuar maqedonas, nuk shihen si të mira, prej se ky i fundit kritikonte nëpër intervista presidentin e zgjedhur serb për një qasje nacionaliste dhe përpjekje për ndjelljen e frikës në Serbi pas asaj që po i ndodhte Maqedonisë me fitoren e social-demokratëve.
Ndërsa, kryeministri serb Vuçiç kishte komentuar se Zaev po përzihej në punët e brendshme të shtetit fqinj.
Mbështetësit e VMRO-DPMNE-së, ndërhynë me dhunë në Parlamentin e Maqedonisë më 27 prill, pak pasi shumica parlamentare e përbërë nga Lidhja Social-Demokrate dhe partitë politike shqiptare, zgjodhi Talat Xhaferin për kryetar të Parlamentit.
Disa deputetë u lënduan nga pasojat e dhunës, përfshirë udhëheqësin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev. Një gjykatë në Shkup u caktoi dënime me kusht nëntë të akuzuarve për përfshirje në ngjarjet e dhunshme në Parlament.
Isa Sakja për Kavajën: Ne do të jemi fitues!
Partia Demokratike ka zyrtarizuar kandidaturën e saj për zgjedhjet e pjesshme për kryetar Bashkie të Kavajës. PD do të garojë me Isa Sakjan, aktualisht kryetar i degës së kësaj partie në Kavajë. Sakja do të përballet në këtë garë me Dorian Muratin e PS dhe Maksim Konën e LSI. Zgjedhjet e pjesshme vendore në Kavajë do të mbahen në të njëjtën ditë me ato parlamentare, më 25 qershor 2017. Në një reagim në Facebook, Sakja ka shprehur mirënjohjen ndaj kreut të PD, Basha për besimin e dhënë në kandidimin për kreun e Bashkisë së Kavajës, ndërsa ka ftuar të gjithë qytetarët të mbështesin PD në zgjedhjet e 25 qershorit. “Partia Demokratike e Shqipërisë, kryetari i saj, zoti Lulzim Basha sapo më zyrtarizuan kandidimin tim për postin e kryetarit të Bashkisë Kavajë. Ndjehem pafundësisht mirënjohës ndaj këtij kandidimi dhe përunjësisht ju kërkoj mbështetjen tuaj. Unë e di që kjo garë nuk është e lehtë, por: Ne do të jemi fitues, pra le të startojmë! Angazhimi i gjithsecilit prej jush është i mirëpritur”, është shprehur Sakja. Më datë 5 maj Rama tërhoqi kandidatin e saj për zgjedhjet në Kavajë. Të trembur nga një revoltë që pikënisjen kishte Kavajën, nuk ishin të paktë zërat që i kishin këshilluar Ramës tërheqjen nga marrëzia për të shkuar vetëm në zgjedhjet lokale atje. Por ajo që e ka bërë Ramën të tërhiqet nga qëndrimet e tij, ka të bëjë edhe me frikën që ai ndjen në rast se situata del jashtë kontrollit. Basha e pati deklaruar që më datë 25 mars, se zgjedhje në Kavajë nuk kishte për të pasur dhe ashtu ndodhi vërtet. Edi Rama në panik ka tërhequr më 5 maj kandidatin e tij, nga gara për kryetar të Bashkisë Kavajë. Në fakt, Edi Rama u mundua ta argumentonte qëndrimin e tij me avazin e stabilitetit, por ndërkohë shkatërroi zgjedhjet në Kavajë. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e pati deklaruar që më datë 25 mars, se zgjedhje në Kavajë nuk kishte për të pasur dhe ashtu ndodhi vërtet. Ishte ora 17:15 minuta e së premtes së 5 majit kur kryeministri doli në një konferencë të paparalajmëruar shtypi, ku shfaqej qartë dëshpërimi në fytyrën e tij. Pasi dha leksione demokracie, që duhet thënë se është njeriu më i papërshtatshëm për të bërë këtë, Kryeministri do e justifikonte tërheqjen e tij nga frika, me një fantazi të përfolur shpesh kohët e fundit në mediat pranë tij, për një “plan të huaj destabilizimi”. “Ka disa prej jush që e kanë mendjen në Kavajë më 7 maj. Ka shumë që i druhen. Ka njerëz që i druhen një përplasje fizike, ka të tjerë që druhen se ka një konflikt në Shqipëri. Ka një plan për destabilizimin e këtij vendi dhe çadra është ngritur për këtë qëllim. Këto nuk janë hamendje, por fakt. Shqipëria nuk do të destabilizohet nga ky plan. Sfida jonë nuk është 7 maji i Kavajës”, do të shprehej Rama duke u munduar të qetësojë militantët e tij. Më tej ai shtoi se, “Kavaja nuk do të bëhet sheshi për një shesh të neveritshëm. Unë i kam sugjeruar kandidatit tonë në Kavajë që të tërhiqet. Këtë ja kam kërkuar edhe kandidatit tjetër”, shprehej Rama. Në fakt, lëvizja e papritur e Ramës kishte kohë që përflitej dhe në ambientet brenda PS-së. Të trembur nga një revoltë që pikënisjen kishte Kavajën, nuk ishin të paktë zërat që i kishin këshilluar atij tërheqjen nga marrëzia për të shkuar vetëm në zgjedhjet lokale atje.
Fotot, PS nxjerr të gjithë administratën në fushatë
Partia Socialiste ka nxjerrë gjithë administratën në fushatë elektorale. Të gjithë punonjësve u bëhet presion e shantazh se do të shkarkohen nga puna në rast se nuk bëhen pjesë e takimeve elektorale të PS. Institucionet publike pothuajse kanë stopuar funksionimin normal të punës, punonjësit nxirren me pahir nga zyrat për të mbushur takimet elektorale të Ramës. Në situatë e tillë po ndodh në të gjitha qytetet e vendit. Fotot në krah të këtij lajmi tregojnë se si punonjësit e administratës publike në Lushnjë janë nxjerrë nga puna për t’u transportuar me autobusë drejt takimeve të Ramës.
Denoncimi vjen nga kreu i PD për Degën Lushnjë, Myslim Murrizi, i cili bën të ditur se dje punonjësit e Spitalit të Lushnjës dhe punonjësit e shkollave me urdhër nga lart janë nxjerrë për t’u transportuar drejt Fierit, ku Rama kishte hapjen e fushatës elektorale të PS atje. Murrizi bën të ditur se përdorimi i administratës publike është i dokumentuar me foto dhe video dhe do t’u depozitohet organeve përkatëse.
“Para 30 minutash të gjitha femrat e administratës së rrethit Lushnjë të detyruara për të hipur në autobus që të marrin pjesë në takimin e Ramës në Fier. Drejtoresha e spitalit ka urdhëruar mjekë e infermierë. Drejtori i arsimit ka urdhëruar mësues.
Po nuk jeni sot në autobusët para poliklinikës Lushnjë, ju kanë thënë, nesër hiqeni nga puna. E gjithë administrata nën komandën e partisë së punës. Ky është tmerri që rilindja e kalbur ndjen. Ky është abuzim i hapur me pushtetin. Ne si PD i kemi filmuar të gjitha çfarë ka ndodhur sot nga ora 16:30-17:00 tek autobusët e turpit tuaj. Nga sikleti i kamerave drejtoresha e spitalit i ka futur nëpër kafe me zor. Koha që do të ndëshkoheni është shumë e afërt.
Ju bëj thirrje punonjësve të administratës të mos frikësohen nga pseudodrejtorët që shumë shpejt do të fluturojnë prej karrigeve të pista e të kalbura ku janë ulur. Ja çfarë më shkruan një qytetare:
Z.kryetar përshëndetje, e di jeni shumë i ngarkuar këto ditë, por sot në fshatin tim më bëri diçka përshtypje, që e gjithë administrata dhe sidomos arsimi domethënë (mësueset) po shkojnë shtëpi më shtëpi për të mbledhur gra sepse vjen ai i gjati në Fier. Kështu do të vazhdojnë akoma këta”, shkruan Murrizi në denoncimin e tij.
Nxënësit nxirren nga klasat për t’u lënë vendin takimeve elektorale të PS
Administrata publike dhe mjetet shtetërore janë vënë tërësisht në shërbim të fushatës elektorale të PS. Murrizi denoncon se në Lushnjë, e në fakt ashtu siç po ndodh në të gjithë vendin, ambientet e shkollave janë shndërruar në vende takimesh elektorale. Nxënësit nxirret nga klasat për t’u lënë vendin takimeve elektorale të PS.
“Vazhdon arroganca e rilindjes duke përdorur shkollat si seli të PS. Pas shkollës së fshatit Rrapëz në Njësinë Administrative Kolonjë Bashkia Lushnjë, kandidatët e rilindjes janë përsëri në ‘mësim’ elektoral në shkollën e fshatit Gorre të kësaj njësie.
Drejtori i shkollës Gorre, Gent Andrea në fushatë brenda ambienteve të shkollës ‘Mihal Davidhi’. Këtyre nuk ju bën përshtypje shkelja e ligjit, por Ministria e Arsimit deri kur do të heshtë????? Zj. Ministre! Nuk jeni aty as roje godine as e punësuar si njeri në hall. Marrëveshja Basha-Rama si rezultat i qëndresës së demokratëve 90 ditë në protestë, nuk ishte për t’ju gjetur punë ju, por për të mos lejuar militantë të asnjë force politike dhe institucionet e depolitizuara të përdoren për fushatë. Reagoni siç ju ngarkon ligji ose nëse keni frikë ikni. Populli thotë: më mirë djepja bosh, sesa dreqi brenda”, shprehet Murrizi.
Ai i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit të ndalojë përdorimin e shkollave si ambiente elektorale.
“Kandidatët për deputetë të PS në Lushnjë kanë filluar të ‘bëjnë mësim’ në shkollë mbasdite. Jo vetëm që përdorin administratën për fushatë, por bëjnë takime elektorale brenda në shkollë. I bëj thirrje Ministrisë së Arsimit të marrë masa të menjëhershme se nuk kanë shkuar me detyrë roje godine në ministri, por ministër me të gjithë kompetencat që përcakton Kushtetuta e Shqipërisë. Përdorimi i administratës dhe i shkollave për fushatë elektorale është e papranueshme. Ja çfarë më shkruan një qytetare nga fshati ku sapo mbaroi ky takim ‘mësimor-elektoral’ i rilindjes”. Murrizi sjell të tjera fakte se si po përdoret për fushatë administrata dhe institucionet shtetërore. “Shkolla 9-vjeçare Rrapëz… Mbledhja ka filluar diku nga ora 4 deri në 5… Ata që drejtojnë mbledhjen janë Genti Nushi, nënkryetar i bashkisë. Roland Ziu, sekretar partie. Sifi Prifti, punonjës i ujit. Midis tyre është edhe drejtori i shkollës Rrapëz. Mësues, drejtoresha e shkollës Gorre edhe mësues, deputetë nuk më zunë sytë as mua. Kjo situatë po ndodh në të gjithë vendin. Ambientet e shkollave janë shndërruar në ambiente takimesh elektorale të fushatës së PS. Nga njëra anë po përdoren mjetet shtetërore për fushatën e PS e nga ana tjetër punonjësit e administratës përmes urdhrave të fshehtë janë duke u nxjerrë në takimet elektorale të PS nën presionin se do t’i largojnë nga puna”, thekson ndër të tjera Murrizi.
Përdorimi i mjeteve publike dhe administratës dënohet deri në 4 vite burg
Përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, me ndryshimet e reja në Kodin Penal, do të dënohet vetëm me burgim, nga 1 deri në 4 vjet.
Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime.
Gjithashtu, do të forcohen rregullat për të mbikëqyrur financimin e partive dhe ndalimin e financimeve të paligjshme.
Të gjitha këto masa dhe ndërhyrje, bëhen për të garantuar qytetarët shqiptarë nga presionet dhe shitblerja e votës dhe garë të ndershme për partitë politike në fushatën zgjedhore.
Shitblerja e votës do të dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg. Nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. Kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme.
Do të dënohet nga 1 deri në 7 vite burg marrësi dhe dhënësi i kartave të identitetit.
Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike do të jetë vepër penale dhe të dënohet deri në 5 vjet burgim.
Konkretisht marrëveshja e 18 majit parashikonte ndryshimin e Kodit Penal për forcimin e politikës penale nëpërmjet ashpërsimit të sanksioneve, krijimit të veprave të reja penale, kthimin e shitblerjes së votës në vepër korrupsioni.
Forcimi i kuadrit ligjor të financimit të partive politike nëpërmjet rregullimit dhe kufizimit të shpenzimeve zgjedhore, përfshirë ato materiale, kostove dhe transparencës në lidhje me to.
Përmirësimi i standardeve të pasqyrimit të fushatës elektorale në media.
Një tjetër pikë e rëndësishme është ndryshimi i ligjit për financimin e partive. Sipas propozimit të PD-së, partitë politike nuk duhet të përfitojnë më financime nga subjektet private, por vetëm nga financat publike. Megjithatë, kjo çështje është ende në diskutim mes palëve politike. Pas miratimit të kësaj pakete në Parlament, që do të jetë në funksion të zgjedhjeve të afërme, reforma zgjedhore do të pasohet nga një ndërhyrje më e thellë në legjislacionin elektoral, që pritet të nisë në muajin shtator dhe që synon rritjen e standardeve zgjedhore në Shqipëri.
A.Shahini
Shqiptarët në bllok në qeverinë e re
Përfaqësues nga partitë politike në Maqedoni, që përbëjnë shumicën parlamentare, bëjnë të ditur se brenda ditës, e më së voni gjatë kësaj fundjave, pritet të përmbyllen bisedimet për formimin e qeverisë së re.
Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili është i përfaqësuar me dhjetë ulëse në Parlamentin e Maqedonisë, do të marrë pjesë në qeverinë e udhëhequr nga Zoran Zaevi duke drejtuar pothuajse dikasteret e njëjta që ka drejtuar edhe gjatë qeverisë së kaluar.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se do ta mbështesin qeverinë reformatore të Zaevit me tre deputetë, por nuk kanë vendosur ende rreth pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në qeveri.
Nga Lëvizja Besa thonë për Radion Evropa e Lirë se janë në pritje të ridefenimit edhe të disa kushteve.
Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se është “momenti historik” që e imponon nevojën e veprimit të të gjitha partive politike shqiptare si bllok në kuadër të qeverisë së re të Maqedonisë.
“Unë mendoj se të gjitha partitë politike shqiptare tani duhet të veprojnë si bllok, të kenë një program të përbashkët dhe bashkërisht të përcaktojnë dinamikën e realizimit të kërkesave që kanë të bëjnë me interesat e shqiptarëve të Maqedonisë”.
“Mendoj se partitë politike shqiptare duhet të bëhen si një bllok dhe të përkrahin qeverinë e Zaevit, i cili është zotuar se do të angazhohet për sundimin e drejtësisë dhe departizimin e sistemit gjyqësor, sepse pikërisht drejtësia është ajo që u ka munguar shqiptarëve”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë shqiptarë.
Ngjashëm shprehet edhe Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike. Ai konsideron se partitë politike, në këtë moment, duhet të jenë më të përqendruara në kthimin e normalitetit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
“Formimi i qeverisë së re të Maqedonisë paraqet një hap të rëndësishëm drejt kapërcimit të krizës politike. Çdo kushtëzim le të themi për këtë qeveri gjatë formimit, paraqet dhe kushtëzim për tejkalimin e krizës”.
Trump kërkon hetime ndaj shërbimit sekret
Presidenti Trump u shpreh thellësisht i shqetësuar në lidhje me zbulimin e informacioneve sekrete nga agjenci qeveritare amerikane. “Këto rrjedhje informacionesh sekrete janë një kërcënim serioz për sigurinë tonë kombëtare”, tha Trump në Bruksel. Ai do t’i kërkojë Departamentit të Drejtësisë që të nisë hetimet.
Të martën në mbrëmje, mediat amerikane kishin publikuar emrin e atentatorit vetëvrasës, para se autoritetet britanike ta kishin bërë këtë informacion të njohur për publikun. Pas kësaj, “New York Times” botoi fotografi me detaje nga hetimet në vendin e ngjarjes. Edhe këto ishin mesa duket pjesë e materialit hetimor që shërbimet sekrete britanike u transmetuan nën vulën e konfidencialitetit partnerëve të tyre amerikanë. Britania e Madhe beson se duhet të kenë qenë shërbimet sekrete amerikane që ia kanë dhënë fotografitë gazetës “New York Times”. Diplomatët amerikanë thanë se qeveria në Uashington po përpiqet për të gjetur përgjegjësit.
Policia britanike antiterror thotë se prej botimit të informacioneve në SHBA pengohet puna e saj hetimore. Shkëmbimi i “informacioneve të ndjeshme” me vendet partnere bazohet tek besimi, tha një zëdhënës. “Nëse me këtë besim abuzohet, atëherë kjo minon marrëdhëniet tona”.
Sipas informacioneve të “BBC”, për shkak të rrjedhjes së informacioneve policia britanike nuk po i njofton më autoritetet amerikane për hetimet, edhe pse kjo është në fakt e zakonshme në mesin e vendeve partnere. Sipas të dhënave të autoriteteve gjermane, atentatori Salam A., nënshtetas britanik me prejardhje nga Libia, ka shkuar në Britaninë e Madhe përmes aeroportit të Dyseldorfit. Por deri tani nuk ka të dhëna për lidhje të tij me persona të dyshuar në landin NRW.
3000 të dyshuar nën vëzhgim
Autoritetet gjermane njoftuan po ashtu se Salam A., nuk ka qenë i regjistruar në listat e vëzhgimit të personave të dyshuar si islamistë. Në Britaninë e Madhe vazhdon shkalla më e lartë e sigurisë. Popullsisë i kërkohet të jetë vigjilente. Nën vëzhgim janë 3000 vetë.