Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se terrorizmi dhe Koreja e Veriut janë temat kryesore të takimit të G7-ës, që do t’i zhvillojë punimet të premten në Siçili, ishullin më të madh të Mesdheut.
Duke folur gjatë një takimi me kryeministrin japonez, Shinzo Abe, presidenti amerikan tha se takimi do të ketë “përqendrim të veçantë në problemin e Koresë së Veriut”.
Derisa terrorizmi do të jetë shqetësim parësor për udhëheqësit gjatë dy ditëve të takimit në ishullin italian, provat bërthamore dhe ato me raketa balistike të Koresë së Veriut, paraqesin “problem të madh, problem botëror”, tha presidenti Trump. “Kjo do të zgjidhet një ditë. Do të zgjidhet. Mund të vini bast për këtë”, tha ai.
Tregtia është një temë tjetër me peshë tek udhëheqësit e tjerë të vendeve të këtij grupi, që është mbledhur në qytetin turistik Taormina. Ata shpresojnë të zbusin qëndrimin e presidentit Trump mbi tregtinë dhe ndryshimet klimatike.
“Ne do të kemi një debat të fortë mbi tregun dhe do të bisedojmë për atë se çfarë është (tregu) i hapur dhe i lirë”, u tha gazetarëve gjatë një bashkëbisedimi në avionin presidencial rrugës nga Belgjika për Siçili, drejtori i Këshillit Kombëtar Ekonomik, Gary Cohn.
Në Bruksel, gjatë hapjes së selisë së re të NATO-s, presidenti Trump, kërkoi nga aleatët që të shtojnë kontributin e tyre për buxhetin e aleancës, duke i quajtur shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s të pamjaftueshme. 23 nga 28 vendet e aleancës, tha ai, nuk paguajnë kuotat e tyre të plota. Presidenti po ashtu theksoi se lufta kundër terrorizmit duhet të jetë një përparësi e aleancës.
Presidenti Trump është në kundërshtim me udhëheqësit e tjerë rreth ndryshimeve klimatike.
Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në të cilën ai shfaqi shumë qëndrime kundërthënëse, presidenti Trump i ishte referuar ngrohjes globale si “një shaka”.
Përveç Shteteve të Bashkuara, anëtarë të G7-ës janë edhe Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Britania e Madhe. Në takim merr pjesë edhe Bashkimi Evropian.
Grupi i vendeve më të zhvilluara përfshinte edhe Rusinë ndërmjet viteve 1997 dhe 2014 dhe njihej si G8, por pas aneksimit të Krimesë nga Moska, pjesëmarrja e Rusisë u pezullua.
Terrorizmi dhe Koreja e Veriut në qendër të takimit G7
Presidenti maqedonas pritet përzemërsisht në Moskë
Gjatë një vizite në Rusi, presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, pritet të takohet me presidentin Putin “për të diskutuar çështje që lidhen me zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh”, shkroi zyra e Putinit në një njoftim për shtyp.
“Ata gjithashtu do të shkëmbejnë mendime për çështjet aktuale në rajon dhe për situatën në Ballkan”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Një ditë më parë, Ivanov u prit përzemërsisht në Moskë dhe iu dha “Çmimi i Patriarkut Alexi II”, një medalje e Fondacionit Ndërkombëtar Publik për Unitetin e Kombeve të Krishtera Ortodokse, IFUOCN.
Çmimi, i dhënë personalisht nga patriarku ortodoks rus Kirill, lidhej me “përpjekjet e Ivanovit për të forcuar rolin e fesë në shoqëri, për të promovuar vlerat e krishtera dhe tolerancën fetare, si dhe për të përmirësuar lidhjet midis shteteve ortodokse”, tha agjencia shtetërore e lajmeve, “MIA” në Maqedoni.
“E pranoj këtë vlerësim si president i Maqedonisë dhe një ortodoks i lindur dhe i rritur nën ombrellën e kishës së ringjallur të Shën Klementit, Kishës Ortodokse maqedonase”, tha Ivanov në marrjen e çmimit.
Kisha Ortodokse e Maqedonisë shpalli pavarësinë e saj, një formë të pavarësisë kishtare, në vitin 1967 – të cilën shumica e kishave të tjera ortodokse nuk e kanë njohur.
Marrësit e tjerë të çmimit fetar janë presidenti i Rusisë, Putin, kryeministri i saj, Dimitri Medvedev dhe ministri i Jashtëm Sergej Lavrov. Vitin e kaluar çmimi iu akordua presidentit serb, Tomisllav Nikoliç.
Vizita e Ivanov në Moskë u planifikua papritur – dhe pason dorëzimin e tij ndaj presionit diplomatik nga Perëndimi për të lejuar Social Demokratët të formojnë një qeveri.
Muajt e fundit, Ivanovi luajti një rol parandalues në transferimin e pushtetit në Maqedoni nga partia nacionaliste VMRO-DPMNE – të cilën Moska e favorizoi te Social Demokratët pro perëndimorë.
Gjatë kësaj periudhe, Rusia mbështeti qëndrimet e VMRO dhe të Ivanov, duke e akuzuar Perëndimin se po ndërhyn në punët e brendshme të Maqedonisë. Megjithatë, Ivanov më në fund i dha të mërkurën e kaluar mandatin Zaev për formimin e qeverisë.
Kjo ndodhi pasi mbështetësit e partisë VMRO-DPMNE sulmuan Parlamentin në Shkup më 27 prill, duke plagosur rreth 100 persona, përfshirë 10 deputetë dhe pas bisedimeve të presidentit me zv.ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee.
Limaj i lirë nga akuzat për krime lufte
Gjykata e Lartë e Kosovës ka refuzuar apelin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, PSRK, kundër lirimit të hershëm nga akuzat të ish-komandantit të UÇK-së, Fatmir Limaj dhe nëntë të tjerë të akuzuar për krime lufte të kryera në vitin 1999, në të ashtuquajturën “çështja Kleçka”.
Civilë dhe të burgosur shqiptarë dhe serbë u rrahën dhe u torturuan nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në qendrën e paraburgimit në Kleçkë gjatë luftës në Kosovë.
Por Gjykata e Lartë tha se apeli kundër lirimit nga akuzat ishte pa baza.
Florin Vertopi, avokati i një prej të pandehurve, përshëndeti fitoren në Facebook. “Çështja Kleçka më në fund përfundoi. Mocioni për mbrojtjen e drejtësisë të PSRK u refuzua”, shkroi ai.
Avokati i Limajt, Tahir Rreçi, tha për “BIRN” se, “Limaj tani është më në fund i pafajshëm”.
Çështja Kleçka u hap në vitin 2011 me një padi të ngritur nga një prokuror i EULEX-it. Gjyqi filloi në janar të vitit 2012, por ai u mbështet në dëshminë e një dëshmitari të vetëm, Agim Zogaj, i cili kreu vetëvrasje ndërsa ishte nën mbrojtjen e EULEX-it në Gjermani.
Në aktakuzë ishin të përfshirë 10 të pandehur – Limaj, Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj.
Në maj 2012, Limaj dhe tre të tjerë u liruan nga akuzat, duke ndjekur kështu lirimin e mëparshëm nga akuzat të pesë të pandehurve të tjerë në mars të atij viti. Gjykata kishte vendosur ta ndante çështjen në dy çështje të ndryshme, “Kleçka 1” dhe “Kleçka 2”.
Në janar 2013 Gjykata e Lartë e Kosovës pranoi apelin e PSRK, urdhëroi një rigjykim të çështjes dhe Limaj u ndalua.
Në dhjetor 2013, Gjykata e Shkallës së Parë e Prishtinës liroi nga akuzat Limajn dhe të tjerë, në një proces ku shumë dëshmitarë ndryshuan deklaratat e tyre. Në maj 2016, duke iu përgjigjur një apeli nga PSRK, Gjykata e Apelit çertifikoi vendimin për lirimin nga akuzat të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.
PSRK atëherë kërkoi të ashtuquajturën mbrojtje e ligjshmërisë së vendimit apelues të Gjykatës së Apelit.
Gjykata e Lartë e Kosovës, si instanca e fundit gjyqësore në sistemin gjyqësor në Kosovë, e refuzoi këtë më 12 maj dhe i dorëzoi vendimin avokatëve të mërkurën.
Armiqësia ndaj emigrantëve

“New Scientist”
Imigrimi dhe kërkimi i strehimit nuk do të largohen. Vendet që integrojnë imigrantët me sukses kanë më pak gjasa të ndiejnë stresin dhe më shumë gjasa të marrin përfitimet. Janë të shumtë ata që e kanë kuptuar këtë gjë së fundmi dhe po zbatojnë politika të reja: Task Forca e Obamës për Amerikanët e Rinj është një shembull. Ato vende që vendosin thjesht të përplasin derën janë vënë në kërkim të telasheve.
Në shtator 2014, SHBA u përball me një krizë. Dhjetëra mijëra fëmijë të pashoqëruar nga Amerika Qendrore kishin kaluar kufirin me Meksikën në mënyrë të paligjshme dhe po mbaheshin në qendrat e ndalimit të imigrantëve. Pati debate të polarizuar dhe plot zemërim për mënyrën si duhej përgjigjur. Presidenti Obama e quajti një “krizë humanitare” dhe punoi për strehimin dhe ushqimin e fëmijëve. Të tjerë kundërshtuan përdorimin e burimeve të SHBA për t’u kujdesur për ta. Në pothuaj të njëjtën kohë, në Europë shpërtheu një grindje në lidhje me anijet e migrantëve në Mesdhe. Italia i pezulloi misionet e shpëtimit dhe Mbretëria e Bashkuar refuzoi të mbështesë një operacion të ri kërkim-shpëtimi të BE-së, duke pretenduar se do të inkurajonte më shumë imigrantë që të përpiqeshin të kalonin detin. Agjencitë e ndihmës dhe komisioneri i Lartë i OKB për Refugjatët u përgjigjën se këto operacione ishin të domosdoshëm për të shpëtuar jetë.
Migrimi ndërkombëtar është një prej problemeve të mëdhenj socialë të ditës. Më shumë njerëz jetojnë jashtë vendit ku kanë lindur, se në çdo kohë tjetër në histori – 232 milionë në vitin 2013 – dhe ky numër pritet të rritet. Rritja e migrimit është rezultat i shumë tendencave globale, duke përfshirë rritjen e pabarazisë mes kombeve, kërkesës për krah pune në vendet ku ka rënie të lindjeve, si dhe një rritje në numrin e refugjatëve dhe atyre që kërkojnë strehim.
Kundërshtimi ndaj imigrimit është i përhapur në shumë vende perëndimore. Aktivistët antiimigrim, media dhe elitat politike kanë krijuar një mentalitet krize në të cilin imigrantët paraqiten si “armiqtë tek porta”. Imigrantët – sidomos jo të bardhët – paraqiten si fajtorë për të gjithë problemet e shoqërisë. Dhe kjo gjë nxit mbështetjen për platforma politike më ekstreme.
Edhe imigrimi i paligjshëm është bërë objekt debatesh, me grupe si UKIP në Britaninë e Madhe që propozojnë kontrolle më striktë mbi migrantët nga disa pjesë të BE-së.
Psikologët kanë shumë për të kontribuar sa i përket të kuptuarit se çfarë mund t’i ketë nxitur këto sjellje. Megjithatë, me pak përjashtime, kemi qenë të ngadaltë për të hyrë në këtë fushë.
Nuk po fillojmë nga zeroja. Sjelljet dhe paragjykimet janë studiuar prej dekadash dhe ka metoda eksperimentale për të shqyrtuar shkaqet në themel të tyre.
Një zonë veçanërisht e rrahur e kërkimit është ajo e rolit të konkurrencës në marrëdhëniet mes grupeve. Psikologët ka vite që e kanë debatuar këtë gjë. Në kontekstin e imigrimit, rezulton që të jetë shumë e rëndësishme.
Si rregull, pjesëtarët e grupeve socialë dominues kanë prirjen të besojnë se grupi i tyre është superior dhe si pasojë, ka të drejtën e burimeve dhe privilegjeve. Për të ruajtur dominimin e tyre, ata duhet të ngrenë “kufirin tek thana” ndaj grupeve “pushtues” që duket se konkurrojnë me ta për burime që janë të pamjaftueshëm, përfshirë vendet e punës, pushtetin politik, si dhe ndikimin kulturor dhe fetar. Kjo mund të ndodhë pavarësisht nëse ka me të vërtetë burime të pamjaftueshëm dhe konkurrencë reale për ta.
Ky besim se në konkurrencën me shumë zero është qendror për sjelljet ndaj imigrimit. Ka një besim të përhapur se çdo fitim që kanë imigrantët duhet të vijë në dëm të anëtarëve të shoqërisë që i pret ata. Ky besim është i ngulitur thellë në shoqërinë perëndimore, ndonëse rrallë herë është i justifikuar. Kjo lloj sjelljeje merr formën e armiqësisë ndaj imigrantëve, “vetëfryrjes” – shpeshherë në formën e nacionalizmit – dhe mbështetjes për përjashtimin e imigrantëve dhe refugjatëve. Kur migrantët lejohen të vendosen në një vend të ri, ata shpeshherë përballen me dilemën “hall të shkojmë, hall të mos shkojmë”. Nëse janë ekonomikisht të suksesshëm, shihen si njerëz që u marrin vendet e punës vendësve; nëse nuk janë të suksesshëm, shihen thjesht si parazitë në sistem.
Refugjatët dhe ata që kërkojnë strehim ka më shumë gjasa të shihen në mënyrë armiqësore. Studimet kanë treguar se temat më të zakonshme në media – duke përfshirë ankesat se kërkuesit e strehimit janë “të rremë” dhe të lidhur me kriminelë, terroristë dhe sëmundje – shkaktojnë dehumanizim. Ky perceptim i lejon disa në vendet pritës që të thonë se refugjatët e meritojnë trajtimin e padrejtë dhe jonjerëzor që marrin.
Këto reagime ndryshojnë në varësi të faktorëve të jashtëm që rrisin pasigurinë dhe ankthin, si dhe sfidojnë status quo-në. Recesioni ekonomik, fatkeqësitë natyrore dhe kërkesat për të drejta të barabarta për migrantët mund të theksojnë më shumë perceptimin për konkurrencën me shumë zero dhe rreziqet nga jashtë. Shpërthimi i Ebolës, për shembull, ndihmoi për të ndezur ndjenjat antiimigrim kundër hispanikëve në SHBA, ndonëse nuk ka patur raste të Ebolës në vendet e Amerikës Latine.
Ndryshimi i këtyre sjelljeve nuk është i lehtë. Ne dimë që thjesht t’u thuash njerëzve që imigrantët nuk po marrin burime, shkakton “kundërplasje”. Kjo mund të ndodhë se besimi i “shumës zero” është i ngulitur thellë.
Ndryshimi mund të jetë më i lehtë në vende të ndërtuar mbi imigrimin, si Kanadaja, SHBA dhe Australia. Duke u fokusuar në historinë e tyre, mbi atë që imigrantët e sotëm kanë të përbashkët me ata të djeshëm, si dhe në përfitimet që sjellin imigrantët, mund të ndihmojë për krijimin e një identiteti të përbashkët dhe qasje më pozitive.
Megjithatë, kjo nuk do të funksionojë në vende si Mbretëria e Bashkuar, që nuk e shohin veten si të ndërtuar mbi imigrimin. Në këta vende, përpjekja për të përshkruar imigrantët si pjesë e një grupi brendashtetëror mundet që thjesht të përforcojë sjelljen negative.
Ajo që është boll e qartë, është se imigrimi dhe kërkimi i strehimit nuk do të largohen. Vendet që integrojnë imigrantët me sukses kanë më pak gjasa të ndiejnë stresin dhe më shumë gjasa të marrin përfitimet. Janë të shumtë ata që e kanë kuptuar këtë gjë së fundmi dhe po zbatojnë politika të reja: Task Forca e Obamës për Amerikanët e Rinj është një shembull. Ato vende që vendosin thjesht të përplasin derën janë vënë në kërkim të telasheve.
* Victoria Esses është profesore e psikologjisë dhe drejtore e Qendrës për Kërkime mbi Migrimin dhe Marrëdhënieve Etnike në Universitetin e Ontarios Perëndimore, Kanada
Runi jashtë Kombëtares
Kombëtarja angleze ka bërë publike listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet ndaj Skocisë dhe Francës. Trajneri Southgeit ka lënë jashtë skuadrës kapitenin e Mançester Junajtid, Uejn Runin.
Edhe pse Runi është aktualisht golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Kombëtare, dhe po gëzon një formë të mirë me klubin e tij javët e fundit, duke luajtur rregullisht, trajneri përsëri nuk e ka thirrur në Kombëtare. Në ketë listë bie në sy dhe përfshirja e mbrojtësit të Totenhamit Triper. Kjo është përfshirja e parë e tij në Kombëtare.
Manxukiç rinovon me Juventusin
Mario Manxukiç dhe Juventusi do të vazhdojnë së bashku… Sulmuesi kroat ka rinovuar zyrtarisht dje kontratën e tij deri në vitin 2020. Lajmi është konfirmuar dje nga vetë faqja e klubit bardhezi, me anë të një komunikate zyrtare. “I fortë, zemërgjerë, këmbëngulës dhe gati për të mos i lejuar asnjë centimetër kundërshtarit deri në sekondën e fundit të ndeshjes, madje… deri në fund.
Është kjo panorama e Mario Manxukiç, sulmuesit që me teknikën, eksperiencën e tij dhe shpirtin e sakrificës ka pasur një rol të jashtëzakonshëm në 84 prezencat e tij, që nga vera e vitit 2015 e deri më sot, në udhëheqjen e Juventusit te dopieta titullkupë e tretë radhazi, përveçse tek arritja në finalen e Champions-it, në Kardif.
Mario është një nga simbolet e kësaj skuadre dhe do të vazhdojë të jetë ende për një kohë të gjatë. Sulmuesi kroat ka nënshkruar rinovimin e kontratës me Juventusin deri në vitin 2020, duke zgjatur për një tjetër vit akordin e mëparshëm”, thuhej në komunikate.
Ky rinovim kontrate nga ana e Mario Manxukiçit me Juventusin është një “asist” i rëndësishëm për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi. Ky i fundit ka tërhequr vëmendjen e klubit turk të Beshiktashit, ndonëse ëndrra e madhe e skuadrës nga Stambolli ishte pikërisht 30-vjeçari kroat, të cilit i ofruan 30 milionë euro në total për katër vitet e ardhshme.
Por, pasi ai refuzoi dhe zgjati marrëveshjen e tij me Juven, tani Cikalleshit i hapen të gjitha rrugët që të transferohet te Beshiktashi, i cili i ka bërë tashmë një ofertë zyrtare faraonike 26-vjeçarit nga Kavaja: 1 milion dollarë në vit, për të paktën katër sezone. Tani që ëndrra Manxukiç ka sfumuar, Beshiktashi dhe Cikalleshi janë gati të hedhin të zezën mbi të bardhë.
Milani i ri merr formë
Milani dhe Atalanta zhvilluan dje një takim në rang drejtuesish në “Casa Milan”. Në bisedime u fol për mbylljen e transferimit të Frenk Kesie te kuqezinjtë. Në arkat e bergamaskëve do të shkojnë plot 28 milionë euro, ndërsa për lojtarin flitet për një pagë prej 2.8 milionë eurosh në sezon.
Më ofertën e tyre, kuqezinjtë parakalojnë ndjeshëm Romën, duke siguruar kështu shërbimet e lojtarit nga Bregu i Fildishtë. Vizitat mjekësore do të kryhen gjatë javës në vazhdim, ku mund t’i bashkohet edhe Rikardo Rodriguez. Kesie, i cili përgjatë këtij sezoni ka qenë protagonist absolut tek Atalanta, duket se mesfushori e kishte bërë me kohë zgjedhjen e tij për t’u transferuar te kuqezinjtë. Roma dhe Milan kishin ofruar pothuajse të njëjtën shumë.
Një detaj i vogël që bëri diferencën dhe të mundur arritjen e akordit ishte paga vjetore që do të përfitonte Kesie. Kuqezinjtë ofruan 500 mijë euro më shumë, por më shumë sesa oferta e bërë zgjedhja mund konsiderohet më tepër si një çështje preferenciale sesa monetare. Milani i ri po merr jetë, tashmë pritet që në ditët në vazhdim emri i Kesie të pasohet edhe më të tjerë elementë cilësorë.
Në aksin Bergamo-Milano mund të lëvizin edhe mbrojtësi Andrea Konti, që ka zhvilluar një kampionat fantastik me ngjyrat zikaltër. Drejtori sportiv i Atalantës, Xhovan Sartori, kërkoi gjithashtu informacione edhe për Xhanfilipo Feliçolin, futbollistin e Askolit, ku është huazuar pikërisht nga Milani. Pas sistemimit të mbrojtjes dhe sigurimit të mesfushorit, kuqezinjtë do të kërkojnë edhe një metodist për të, regjinë e skuadrës.
Sytë janë nga Bilja i Lacios dhe si alternativë e lacialit po shqyrtohet Milan Badelj i Fiorentinës. Pasi të arkivohet edhe çështja e mesfushës, Mirabeli e Fasone do të mësyjnë drejt Madridit për kartonin e Moratës, i cili ka pranuar ofertën mbi pagën e bërë nga “Djalli”.
Për sulmin emrat e tjerë në axhendën e Jonghong Li janë Keita Balde dhe Nikola Kaliniç, por transferimet e tyre do të shqyrtohen pas shitjes përfundimtare të Karlos Bakës. Të gjitha sforcot ekonomike po bëhen për t’i garantuar Montelës interpretuesit e denjë në kuadër të ndryshimit të skemës, pasi Milani 2017-18 pritet të zbresë në fushë me 4-2-3-1.
Milani ka shfaqur interes edhe për mesfushorin e Romës, Radja Nainggolan. Mesfushori i Romës, Radja Nainggolan, është paraqitur në faqen e parë të promovimit të fanellave të reja të klubit për sezonin 2017-‘18. Sipas mediave ndërkombëtare, kjo lë të kuptohet se belgu nuk do të largohet nga Roma përkundër interesimit të madh të disa klubeve evropiane. Sipas Goal.com, kjo ua shuan shpresat Chelseat dhe Milanit për një transferim të mundshëm të Nainggolanit.
Enrike synon ta mbyllë me trofe
Luis Enrique kërkon ta mbyllë me trofe aventurën te Barcelona. Kupa e Mbretit është titulli i vetëm i mbetur në dispozicion të katalanëve, pas zhgënjimit në La Ligan spanjolle dhe në kupat e Europës. Mbrëmjen e kësaj të shtune, “blaugranat” do të luajnë finalen e kupës përballë Alaveshit, në atë që do të jetë ndeshja e fundit në stadiumin “Vicente Calderon” të Madridit. Tre vjet më parë, Luis Enrique e nisi aventurën në stolin e Barçës, duke fituar Champions, kampionatin dhe kupën. Në vitin e dytë, skuadra fitoi dy trofetë në Spanjë, ndërsa në këtë sezon kupa është ngushëllimi i vetëm, me mungesën e Luis Suarez të pezulluar për finalen, që pritet të peshojë.
“Kërkoj nga skuadra që të paraqitet mirë, sepse në këtë mënyrë do të kemi më tepër shanse për të fituar. Më tepër sesa i shqetësuar, jam i vetëdijshëm se Alaveshi është në formë të mirë dhe ka luajtur futboll të mirë. Për ata është një sfidë unike dhe nëse na krijohet iluzioni se e kemi të sigurt fitoren do ta pësonim. Megjithatë, nuk kam parë askund tjetër lojtarë më ambiciozë se te Barcelona. Kjo është një finale dhe gjithçka mund të ndodhë. Për këtë arsye, duhet të jemi të përgatitur për çdo skenar”, u shpreh Enrike.
Me Avaleshin që e ka mposhtur Barcelonën 2-1 në kampionat, trajneri Mauricio Pellegrino beson se skuadra e tij mund ta përsëritë këtë arritje dhe të rrëmbejë trofeun e Kupës së Mbretit.
Mauricio Pellegrino “Futbolli është i paparashikueshëm dhe askush nuk e di çfarë mund të ndodhë. Ndoshta mund të shënojmë prej minutave të para dhe Barcelona të detyrohet të luajë me një lojtar më pak. Nëse ndeshja do të shkojë normalisht, edhe Alaveshi ka shanset e tij për të fituar. Natyrisht që për ne do të jetë një sfidë e vështirë, pasi skuadrat e mëdha synojnë gjithmonë trofe dhe kanë mentalitet fituesi”, tha Pellegrino.
Vinicius vendos rekord
16-vjeçari brazilian Vinicius, që u transferua pak ditë më parë tek skuadra e Real Madrid ka vendosur një rekord, duke u bërë futbollisti më i shtrenjtë në botë për moshën nën 18 vjeç. Plot 45 milionë kanë paguar madrilenët për kartonin e talentit të Flamengos.
Vinicius ka lënë pas në listë lojtar si Kristiano Ronaldo, Runi apo edhe Serxhio Aguero. Diferenca e këtyre të fundit nga vendi i parë lëviz me një shifër goxha të lartë dhe disi absurde.
10 blerjet më të shtrenjta të historisë së futbollit, nën moshën 18 vjeç:
1) Vinicius Zhunior (Real Madrid, 2018/2019) – 45 milionë
2) Luk Shou (Mançester Junajtid, 2014/2015) – 37,50 milionë
3) Uejn Runi (Mançester Junajtid 2004/2005) – 37 milionë
4) Renato Sançez (Bajern Mynih, 2016/2017) – 35 milionë
5) Antonio Kasano (Roma, 2001/2002) -28,50 milionë
6) Aleksandër Pato (Milan, 2007/2008) – 22 milionë
7) Serxhio Aguero (Atletiko Madrid, 2006/2007) – 21,70 milionë
8) Kristiano Ronaldo (Mançester Junajtid 2003/2004) – 19 milionë
9) Stefan El Sharaui (Milan, 2011/2012) – 15,50 milionë
10) Romelo Lukaku (Çelsi, 2011/2012) – 15 milionë
3 blerje dhe ndryshim të skemës

Ernesto Valverde do të zyrtarizohet si trajner i Barcelonës ditën e hënë, kur do të firmosë për një kontratë 2-vjeçare, me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër. Dy ditë më parë, ai ndërpreu edhe marrëdhënien me klubin e Atletik Bilbaos, të cilin e drejtoi deri në fund të këtij edicioni.
Gjithsesi, prej disa kohësh, 50-vjeçari ka nisur të mendojë edhe planin për drejtimin e katalanasve. Në bisedën që ka pasur me drejtuesit, tekniku u ka bërë të ditur se cilat janë pozicionet që kërkon përforcim, pasi ka në plan që të ndryshojë edhe rreshtimin e skuadrës në fushë.
Valverde konsiderohet si një “mjeshtër” i modulit 4-2-3-1, pasi e ka aplikuar pothuajse gjatë gjithë karrierës. Ai ka vendosur që të njëjtën filozofi të implemtojë edhe te Barcelona, duke përfituar edhe prej faktit që ka në dispozicion jo vetëm një finalizues të shkëlqyer si Suarez, por edhe mbështetës ideal si Nejmar e Mesi. Sipas tij, kjo skemë i jep ekipit më tepër stabilitet se sa ajo 4-3-3.
Së pari, ai do një mbrojtës të djathtë dhe i përzgjedhuri është Hektor Bejerin i Arsenalit. Barcelona do të paguajë mbi 30 milionë euro për të siguruar shërbimet e tij. Së dyti, kërkohet një mesfushor që të organizojë lojën dhe të luajë në qendër të mesfushës së bashku me Busketsin.
Pasi kanë pasur vështirësi që të arrijnë te Marko Verrati, vetë Valverde u ka kërkuar që të marrin patjetër Herrerën e Mançester Junajtid, të cilin e njeh mirë edhe personalisht. Më tej, nevojitet edhe një lojtar që të bëjë diferencën në krah dhe duket se kanë vendosur që të “hapin thesin” për Kutinjon e Liverpulit. Edhe vetë lojtari ka shprehur dëshirën për të veshur fanellën e katalanasve, duke qenë një skenar i besueshëm.