15.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

Mirela Karabina: Në çdo takim ndiej shpresën dhe nevojën për ndryshim, qytetarët kërkojnë më shumë për Elbasanin

Fushata elektorale në Elbasan vijon me një atmosferë të ngrohtë komunikimi mes kandidatëve dhe qytetarëve. Një ndër kandidatet që ka zgjedhur të ndërtojë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me qytetarët është Mirela Karabina, kandidate për deputete e Koalicionit Euroatlantik.

Në një reagim të fundit në rrjetet sociale, Karabina ndan eksperiencat e saj nga takimet në terren, ku thekson se fushata e saj bazohet në dëgjimin dhe dialogun me njerëzit. Ajo tregon se në çdo bisedë merr mesazhe mbështetjeje dhe shprese për një të ardhme më të mirë.

“Dëgjoj dhe mësoj, dëgjoj dhe më dëgjojnë, kështu është fushata ime. Ah, një kandidate që vjen vetë dhe na kërkon mbështetje, nuk na ka ardhur kush kështu, më thonë shumë qytetarë,” – shkruan Karabina.

Ajo ndan histori të veçanta nga rruga, si një vajzë që i tha se do ta votonte për shkak të përvojës së saj si pedagoge dhe mirësisë që shpreh, apo një zonjë që, pasi dëgjoi programin për familjen, rininë dhe biznesin, u bind për të dhënë votën e saj për Koalicionin Euroatlantik.

Ndër të tjera, Karabina përmend edhe një rast me një të ri të talentuar në programim, i cili tregoi se si të rinjtë e Elbasanit kanë nevojë për mbështetje dhe për një të ardhme më të mirë.

“Të flasësh me njerëzit, t’i dëgjosh dhe të dëgjojnë, mëson dhe mësojnë,” – përfundon ajo, duke i bërë thirrje qytetarëve të Elbasanit të votojnë Koalicionin Euroatlantik dhe të mbështesin një vizion të ri për Shqipërinë.

Postimi i plotë:

“Dëgjoj dhe mësoj, dëgjoj dhe më dëgjojnë, kështu është fushata ime.
Ah, një kandidate që vjen vetë dhe na kërkon mbështetje, nuk na ka ardhur kush kështu, më thonë shumë qytetarë.
Pse jo, do të votoj, më tha një vajzë një ditë, se je grua dhe pedagoge dhe shpreh mirësi❤️.
Pse po ma mbush mendjen që je e duhura, një zonjë më tha pasi më dëgjoi se çfarë do bënim ne për familjen, rininë e biznesin.
Duhet ndryshim, nuk ka qenë kurrë kështu situata, pohojnë.
Një djalë që vazhdonte dyvjeçare profesionale në programim në UE, për dy pikë nuk kishte kapur informatikën, bëri një analizë të saktë për partitë dhe pse do na votonte ne, KEA-n.
Ah sa bukur tek e dëgjoja!
Një rini që është e zonja dhe ka nevojë për ne.❤️
Të flasësh me njerëzit, t’i dëgjosh e të dëgjojnë, mëson dhe mësojnë.

#voto4
#mirelakarabina
#KoalicioniEuroatlantik
#elbasanimeritonmëshumë
#shqipëriameritonmeshumë”

Endri Hasa: Qytetarët po përqafojnë ndryshimin, mbështetje e jashtëzakonshme për Koalicionin Euroatlantik

Fushata elektorale në Elbasan po vijon me ritme të larta, ku kandidatët e Koalicionit Euroatlantik po zhvillojnë takime me qytetarët në çdo lagje dhe fshat.

Në një postim të fundit në rrjetet sociale, Endri Hasa shpreh entuziazmin për pritjen që po merr nga qytetarët elbasanas, duke theksuar se “Elbasani vazhdon të japë qartësisht mesazhin e ndryshimit”. Ai shprehet se alternativa e re që sjell Koalicioni Euroatlantik po përqafohet me entuziazëm në çdo takim dhe çdo bashkëbisedim me qytetarët.

“Elbasani vazhdon të japë qartësisht mesazhin e ndryshimit. Në çdo takim, në çdo lagje dhe çdo fshat, qytetarët po përqafojnë me entuziazëm alternativën e re që sjell Koalicioni Euroatlantik. Energjia dhe mbështetja që po marrim na japin besimin se shqiptarët duan një drejtim të ri, një Shqipëri më të ndershme, më të fortë dhe të lidhur ngushtë me vlerat euroatlantike,” – shkruan Hasa.

Në fund të mesazhit të tij, kandidati i Koalicionit Euroatlantik u bën thirrje qytetarëve që të besojnë te Shqipëria dhe të votojnë numrin 4 në fletën e votimit.

“Beso te Shqipëria
✅ Voto Nr. 4️⃣ – Koalicioni Euroatlantik
✅ Voto Endri Hasa,” – përfundon postimi i tij.

 

Endri Hasa, kandidat për deputet i Koalicionit Euroatlantik në Elbasan, shkruan:

“Elbasani vazhdon të japë qartësisht mesazhin e ndryshimit.
Në çdo takim, në çdo lagje dhe çdo fshat, qytetarët po përqafojnë me entuziazëm alternativën e re që sjell Koalicioni Euroatlantik.
Energjia dhe mbështetja që po marrim na japin besimin se shqiptarët duan një drejtim të ri, një Shqipëri më të ndershme, më të fortë dhe të lidhur ngushtë me vlerat euroatlantike.

Beso te Shqipëria
✅ Voto Nr. 4️⃣ – Koalicioni Euroatlantik
✅ Voto Endri Hasa”

OBSH jep alarmin: 1 në 4 të rinj europianë përdorues të alkoolit, rreth 2100 jetë të humbura çdo ditë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin për nivelin shqetësues të konsumit të alkoolit në Europë, veçanërisht tek të rinjtë. Sipas të dhënave të fundit, pothuajse 1 në 4 të rinj në kontinent konsumojnë alkool, duke u ekspozuar ndaj një sërë rreziqesh serioze shëndetësore dhe sociale.

OBSH paralajmëron se pirja e hershme e alkoolit lidhet ngushtë me probleme të shëndetit mendor, rezultate të ulëta akademike, si dhe rreziqe të larta për varësi, depresion dhe vetëvrasje. Alkooli dëmton zhvillimin e trurit të të rinjve dhe rrit ndjeshëm probabilitetin për probleme kronike shëndetësore në të ardhmen.

Statistikat janë alarmante: një në çdo 11 vdekje në Rajonin Evropian lidhet me përdorimin e alkoolit, duke përbërë rreth 800 mijë vdekje në vit. Ky rajon përfaqëson gati një të tretën e të gjitha vdekjeve globale të shkaktuara nga alkooli. Bashkimi Evropian konsiderohet si zona me konsumin më të lartë të alkoolit në botë, me 7 nga 10 vendet me konsum më të lartë për frymë.

Kanceri është shkaktari kryesor i vdekjeve të lidhura me alkoolin në BE, duke përbërë një të tretën e tyre. Për më tepër, përdorimi i alkoolit shoqërohet me më shumë se 200 sëmundje dhe gjendje shëndetësore, përfshirë sëmundjet e mëlçisë, kanceret dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Situata është veçanërisht e rëndë tek të rinjtë: në grupmoshën 19-24 vjeç, një në katër vdekje lidhet drejtpërdrejt me konsumimin e alkoolit. Çdo ditë, mbi 2100 persona në Europë humbin jetën për shkak të pasojave të alkoolit.

VIDEO/ Finale spektakolare! Barcelona mposht Realin në Kupën e Mbretit pas 120 minutash lojë dhe mban gjallë ëndrrën për tripletën

Finale spektakolare me plot 5 gola të shënuar! Barcelona triumfoi ndaj Realit me rezultatin 3-2 në finalen e Kupës së Mbretit duke fituar trofeun e 32-të në histori.

Një triumf ky që mban gjallë ëndrrën që katalanasit të fitojnë tripletën këtë sezon. Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 1-0 falë golit të Pedrit.

Në fragmentin e dytë të sfidës, madrilenët përmbysën përkohësisht sfidën me Mbape dhe Tçuamenit në minutat 70 dhe 77, ndërkohë që goli i Ferran Torres në minutën e 84-t, çoi ndeshjen në shtesa.

Nuk mungoi as tensioni si dhe pretendimet për penallti si dhe 11-metërshat e anuluar nga VAR-i. Për golin e fitores mendoi Kunde në minutën e 116-të.

FT BARCELONA-REAL MADRID 3-2
28′ Pedri, 84′ F.Torres, 116′ Kunde  / 70′ Mbape, 77′ Tçuameni

NGJARJET KRYESORE

Mbyllet supersfida!

116′ GOOOOOL BARCELONA 3-2/ Kunde ngreh peshë zemrat e tifozëve katalanas. Gol fantastik i mbrojtësit francez. (VIDEO) 

113′ Harkim nga e djathta, Bellingham zhytet me kokë, por nuk arrin dot t’i gjejë kohën sferës për ta dërguar në rrjetë.

105′ Starton shtesa e dytë.

Mbyllet shtesa e parë. 

104′ Pranë golit të tretë Barcelona me Ferran Torres, por gjuajtja e tij shkon ngjitur me shtyllën. (VIDEO) 

100′ Skuadrat shfaqin lodhje në këmbët e tyre. Gjithsesi madrilenët shfaqen më kërkues.

93′ Reali e nis në sulm shtesën e parë në kërkim të golit të tretë.

91′ Starton shtesa e parë.

Mbyllet koha e rregullt, finalja shkon me shtesa! 

90+6′ Gjyqtari akordon penallti pas duelit Rafinja-Asensio, por pas konsultës me VAR-in,  vendos ta anulojë dhe ndëshkon me karton të verdhë sulmuesin e skuadrës katalanas. (VIDEO) 

90+4′ Torres kërkon penallti, por gjyqtari nuk është i këtij mendimi. Vazhdon loja. (VIDEO) 

90′ Akordohen 6 minuta shtesë.

84′ GOOOOOL BARCELONA 2-2/ Finale e çmendur, katalanasit rigjejnë baraspeshën me Ferran Torres që përfiton nga një mosmarrveshje e Rudiger me portierin Kurtua. (VIDEO) 

82′ Superpritje e Kurtua, që i mohon golin e barazimit Lamin Jamalit. Fantastik portieri belg. (VIDEO) 

77′ GOOOOOL REALI 1-2/ Përmbysin madrilenët, Tçuameni godet saktë me kokë, pas harkimit të Arda Gyler nga këndi. (VIDEO) 

74′ Tjetër shans i artë për Realin, me dyshen Mbape-Vinicius, por shpëton për mrekulli porta katalanase (VIDEO) 

70′ GOOOOL REALI 1-1/ Mbape realizon nga goditja e dënimit, me një gjuajtje potente që prek shtyllën dhe shkon në rrjetë. (VIDEO) 

68′ De Jong bën një faull taktik ndaj Mbape në hyrje të zonës dhe ndëshkohet me karton të verdhë (VIDEO) 

61′ Rafinja sfumon një tjetër mundësi shënimi, braziliani nuk ka shënjestrën e duhur. (VIDEO) 

59′ Momenti i Real Madrid, që është hedhur në sulm, dy tentativa të rrezikshme të Vinicius Zhunior. (VIDEO) 

56′ Aksion i shpejt në krahun tjetër të fushës, me Mbape dhe Vinicius që nuk finalizojnë dot. (VIDEO) 

55′ Pranë golit Barcelona me Rafinjën që shpërdoron një shans të artë duke e dërguar topin jashtë kuadratit. (VIDEO) 

49′ Kundërpërgjigje e Realit me Vinicius, fantastik Shezni që pret dy herë gjuajtjet e sulmuesit brazilian. (VIDEO) 

48′ Barcelona nuk heq dorë nga sulmet e rrezikshme duke provuar me Rafinjën dhe Pedrin. Në vështirësi madrilenët.

46′ Katalanasit e nisin në sulm, gjuajtja e Jamal, ndalet nga portieri Kurtua.

46′ Starton pjesa e dytë.

45’+5’ Mbyllet me shifrat 1-0 për Barcelonën pjesa e parë e ndeshjes.

45’+2’ Vinicius niset me shpejtësi drejt zonës, ku rrëzohet nga Inigo Martinez. Por në vend të penalltisë, gjyqtari vërshëllen për pozicion jashtë loje. (VIDEO)

44’ Shtylla shpëton madrilenët nga autogoli! Pas një goditje këndi, topi devijohet në zonë në fund nga Rydiger, i cili çon sferën në shtyllën e portës së tij. (VIDEO)

38’ Ferran Torres niset i vetëm drejt zonës, por më pas ndalet nga Rudiger në momentin e fundit.

35’ Bellingam merr një top në qendër të zonës dhe mposht Sheznin, por goli i tij anulohet për pozicion jashtë loje. (VIDEO)

28’ GOOOL BARCELONA! Jamal shkëputet në të djathtën, sheh Pedrin në qendër dhe pason për mesfushorin i cili lëshon nga jashtë zonës një predhë të pakapshme për Kurtua. (VIDEO)

26’ Ançeloti kërkon me zë të lartë një prekje topi me dorë të lojtarëve të Barçës dhe përfundon i ndëshkuar me karton të verdhë për protesta. (VIDEO)

21’ Pas një goditje dënimi të harkuar në zonë, Kunde gjuan me kokë por Kurtua devijon mbi traversë. (VIDEO)

19’ Jamal provon me të majtën, sfera shkon jashtë, jo shumë larg shtyllës së largët. (VIDEO)

17’ Katalanasit kërkojnë penallti, për një prekje të topit me dorë në zonë nga Valverde, gjyqtari lë lojën të vazhdojë. (VIDEO)

13’ Shpërthim i Jamal në krahun e djathtë, detyron madrilenët t’i dhurojnë një goditje këndi.

8’-11’ Reali humb menjëherë një lojtar, pasi Mendi dëmtohet pas një kontakti me Kunde dhe kërkon zëvendësim. Në lojë hyn Fran Garsia.

6’ Vinicius zihet në pozicionin e famshëm jashtë loje të katalanasve që në tentativën e parë për të dalë në krahun e majtë. (VIDEO)

3’ Ferran Torres hyn në zonë nga e majta, pasimi në qendër largohet nga Tçuameni në këndore. (VIDEO)

1’ Nis dueli në Sevilje.

FORMACIONET ZYRTARE

Barcelona: Shezni; Gerard Martin, Kubarsi, Martinez, Kunde, Pedri, Olmo, De Jong, Jamal, Ferran, Rafinja

Trajner: Hansi Flik

Real Madrid: Kurtua; Mendi, Rudiger, Asencio, Vaskez, Bellingam, Sebajos, Tçuameni, Valverde, Vinicius, Rodrigo

Trajner: Karlo Ançeloti

Lodhja – Shkaqet dhe Ushqimet që të Japin Krahë dhe Energji

Që nga mëngjesi e deri në mbrëmje shpesh ankohemi që nuk kemi energji.

Plogështinë mundohemi ta luftojmë me sakrificë dhe më kafeinë, por na nevojitet më shumë se kaq.

E vërteta është se mjaftojmë të bëjmë disa ndryshime të vogla në stilin tonë të ushqyerjes dhe gjallëria do të kthehet një herë e mirë. AgroWeb.org do t’ju mësojë se si të mposhtni plogështinë e të jeni energjikë në mënyrë natyrale.

Rikthimi i energjisë

Ndiheni të pangopur me gjumë dhe nuk mendoni dot për asgjë tjetër përveç se rehatisë së shtratit? Ndiqni këshillat e mëposhtme të listuara nga AgroWeb.org që të transformoni trupin tuaj dhe të gjallëroni mendjen.

Lëvizni

Vetëm 10 minuta ecje dhe do të ndiheni energjikë për të paktën 2 orë, thonë studimet.

Provoni shtriqjen

Qëndroni në prag të derës me këmbët e ndara pak centimetra. Përpiquni të kapni pjesën e sipërme të derës.

Mbajini gishtat të puthitur fort dhe ngrijeni kraharorin lart deri sa të ndieni shtriqjen e trupit. Qëndroni në atë pozicion për 30 sekonda.

Kjo metodë stimulon sistemin nervor, që është më aktivi, ndaj do të kuptoni menjëherë rikthimin e energjisë në trup dhe në tru.

Aktiviteti fizik

Të dhënat tregojnë se 60% e njerëzve ndihen më energjikë pas stërvitjes ose aktivitetit fizik.

Hani shëndetshëm

Studimet kanë treguar se acidet yndyrore Omega-3 përmirësojnë funksionet e trurit, humorin dhe janë thelbësorë kundër plogështisë së mesditës.

Energjia do ushqim

Nëse dëshironi të përmirësoni energjinë tuaj çdo ditë, zëvëndësoni proteinat shtazore me ato bimore. Proteinat bimore janë të dobishme për bakteret e mira në aparatin tretës dhe forcojnë imunitetin. Ato kanë aftësinë të përmirësojnë humorin. AgroWeb.org do t’ju tregojë një menu të thjeshtë për ditën ideale.

Mëngjesi: Një lëng me fruta pylli. Përzieni në mikser gjysmë gote me fruta pylli, avokado dhe dhe një gotë qumësht soje. Ky lëng do t’ju plotësojë nevojën për fibër dhe proteina dhe do të mbajë nivelet e sheqerit në gjak të qëndrueshme deri në drekë.

Dreka: Supë me thjerëza dhe sallatë jeshile. Thjerëzat dhe sallata jeshile janë një kombinim fantastik që ofron proteina, fibër, hekur, kalium, zink, folat dhe shumë të tjera.

Zemra: Fruta dhe arrorë. Kjo dyshe fantastike përbën ekuilibrin e duhur të karbohidrateve, proteinave dhe yndyrnave që do ju japin fuqi deri pasdite.

Darka: Perime. Kombinoni pak fasule, sallatën jeshile, domatet, avokadon në një pite të hollë misri. Ky është një vakt i lehtë që nuk do t’ju prishë gjumin. Duhet të hani të paktën 2 orë përpara gjumit.

Mos e injoroni lodhjen!

Ndonjëherë gjumi nuk mjafton për të zgjidhur problemin e lodhjes. Më poshtë, do të gjeni disa shpjegime mjekësore për energjinë e munguar.

Anemia. Kjo sëmundje shfaqet kryesisht te femrat. Anemia ndodh kur organizmi nuk ka mjaftueshëm qeliza të kuqe gjaku të shëndetshme që të transportojnë oksigjenin. Nëse analizat e gjakut tregojnë se vuani nga anemia atëherë duhet të shtoni dozën e suplmenteve të hekurit.

Sëmundja e celiakisë. Një nga simptomat kryesore të kësaj sëmundjeje është lodhja. Kjo sëmundje shkaktohet nga reagimet imunitare ndaj dëmit që shkakton gluteni në sistemin tretës. Nëse analizat e gjakut sugjerojnë se vuani nga kjo sëmundje, terapia më e mirë janë ushqimet pa gluten.

Sëmundjet e zemrës. 70 përqind e njerëzve që kanë vuajtur nga një atak në zemër, kanë treguar se kanë përjetuar një lodhje të pazakontë, pothuaj një muaj përpara goditjes.

Hipotiroidizimi. Nëse organizmi nuk prodhon mjaftueshëm hormonin e tiroides, atëherë do të përjetoni një lodhje dhe këputje të vazhdueshme. Ky çrregullim mund të trajtohet me mjekime, sipas këshillës së mjekëve./AgroWeb.org

Marinela Ziu, Kandidate e KEA në Qarkun Korçë, denoncon asfaltin elektoral në fshatrat e Korçës

Pas denoncimeve nga qytetarët, shkova për të parë nga afër asfaltin elektoral në hyrje të fshatit Sheqeras, vetëm pak kilometra larg qytetit të Korçës.

Nuk ka asnjë tabelë që të tregojë objektin dhe vlerën e punimeve, si dhe asnjë njoftim apo komunikim që të sqarojë se kush është autoriteti kontraktor për ndërtimin e kësaj rruge.

Madje, siç shihet qartë, asfalti elektoral hidhet vetëm në disa pjesë të rrugës, me nxitim dhe sa për sy e faqe. Të gjithë e dimë se, në vetëm pak javë, për shkak të cilësisë shumë të dobët të punimeve, kjo rrugë do të shkatërrohet sërish… dhe ata që paguajnë jeni sërish ju, si taksapaguesit më të varfër të Europës.

Nuk është gjë tjetër veçse një nga rrugët e lëna rrugëve në gjithë këto vite të kësaj qeverisjeje, për të cilën kujtohen vetëm në periudhë zgjedhore.

Ju siguroj se as asfalti elektoral, as presionet dhe as blerja e votës nuk do të pengojë #ndryshimin që po vjen.

Më 11 maj, ju ftoj t’i bashkoheni #ndryshimit duke votuar numrin 4 – Koalicionin Euroatlantik.

✅ Voto4️⃣Koalicioni Euroatlantik
✅ Voto️Marinela Ziu

TikTokerë për Parlament, Shqipëria mes batutave dhe turpit politik

Nga Rigels Seliman

Sikur të mos na mjaftonte lodhja nga tre mandate qeverisje, tani kandidatet e reja të Edi Ramës kanë dalë të na bindin se paskemi katër! Njëra, që mezi dallon se ku mbaron politika dhe ku fillon TikToku, na thërret me patos: “Hapni sytë vëllezër e motra, se po zbritëm Hënën në tokë do kërkojmë edhe Diellin!” E kuptuat pra? Ata kanë zbritur Hënën, dhe në vend që të kërkojnë llogari, këta kërkojnë edhe Diellin.

Ndërkohë, një tjetër në Fier, një farë Zegjine, më shumë ngjan me një influencuese që bën sfida ‘trend’ sesa me një përfaqësuese të halleve të qytetarëve.
Në vend të zërit të popullit në Parlament, këto pritet të çojnë tutoriale make-up-i dhe ‘prank videos’ nga Kuvendi.
Në këtë shfaqje politike, qytetari shqiptar s’di nëse duhet të qeshë apo të qajë.
Në vend të ideve dhe projekteve, na serviren batuta për planetë dhe emisione imagjinare në hapësirë.
Kandidatet e reja të PS-së duket sikur kanë dalë nga një kurs intensiv “si të flasim shumë, pa thënë asgjë”.
Turp që politika shqiptare është kthyer në një ‘casting show’, ku më shumë rëndësi ka sa ‘viral’ bëhesh sesa sa ide mbështet.

E ndërkohë që kjo estradë qesharake vazhdon, opozita është thjesht një zbukurim folklorik, i ngujuar në një muze politik të quajtur “Berisha”.
Pra, shqiptarëve u duhet të zgjedhin: ose të qeshin me kandidatët-influencerë, ose të qajnë me opozitën që s’po ngrihet dot nga shtrati i vjetër.
Në këtë fushatë, vetëm hëna nuk ka dalë në fletën e votimit.
Vaj halli për votuesin që duhet të zgjedhë mes një politike që tallet me mendjen dhe një opozite që tallet me vetveten.
Kështu që hapni sytë vëllezër e motra: jo për të zbritur Hënën në tokë, por për të mos rënë më poshtë se toka vetë!

“Shteti duhet të qëndrojë jashtë organizimit të profesioneve të lira”, Basha: KLSH do ta shndërrojmë në gjykatë auditi me fuqi ekzekutive

Gjatë takimit me profesionistë të lirë në Tiranë, drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, theksoi rëndësinë e vetëorganizimit të profesioneve të lira si një e drejtë dhe një e mirë publike, duke vënë në dukje se këto struktura nuk duhet të shndërrohen në korporata me synime monopoliste. Ai vlerësoi kontributin e urdhrave profesionalë në rritjen e standardeve dhe theksoi se shteti duhet të qëndrojë jashtë ndërhyrjes në organizimin e tyre.

“Padiskutim që organizimi dhe vetëorganizimi i profesioneve të lira është një e drejtë dhe një e mirë publike, për sa kohë që nuk shërben si një korporatë me synime kuazimonopoliste. Sepse kjo pastaj do të ktheheshte kundër interesit publik. Po unë e di që kjo s’ka qenë kurrë as qëllimi as axhenda për urdhrin e inxhinierëve apo për urdhrat e tjerë profesional. Për sa kohë që mbron të drejtat dhe kërkon përparimin e mëtejshëm të standarteve profesionale të cilido profesion, sektori publik, shteti, qeveria nuk ka asnjë punë të përfshihet në këto forma të vetëorganimit përveçse duke nxitur përqafimin e praktikave më të mira si Bashkimi Europian” – tha Basha.

Basha foli edhe për pikën e programit që parashikon reformimin e KLSH, duke theksuar se synimi është kthimi i këtij institucioni në një gjykatë auditi me fuqi ekzekutive. Sipas tij, nuk mjafton më të japë vetëm rekomandime, por gjetjet e saj duhet të kenë pasojë të drejtpërdrejtë ligjore.

“Angazhimi ynë në raporte me KLSH-n është kthimi i saj në një entitet me fuiqi ekzekutuese. Pra, sot KLSH ka fuqinë e rekomandimit. Pra, është një far avokati i populli. Sigurisht mund të referojnë në Prokurori, vet raportet e saj si rregull duhet të jenë indicje për ndjekjen penale, padiskutim si rregull. Tani me praninë e SPAK, janë indicje dhe ne e dimë që shumë hetimekanë nisur për shkak të raportereve të auditit të KLSH. Por ne do të marrim praktikën më të avancuar, duke shndërruar KLSH-n në një gjykatë të auditit, ku gjetjet e kësaj gjykate do të kenë fuqi ekzekutive dhe jo thjesht të jenë rekomandime. Kjo është shpalosur në planin tonë të publikuar që më datë 1 qershor të vitit të kaluar. Kështu që e gjeni tek faqja jonë, voto 4 pikë al” – tha ai.

“O me drejtësinë, o me politikanët që duan të shpëtojnë njëri-tjetrin nga burgu” – Basha me profesionistët e lirë: Mbështetja me vepra për SPAK-un është garancia që shteti të jetë në duart e qytetarëve, jo të korruptuarve

Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me përfaqësues të profesioneve të lira në tiranë, ku theksoi se korrupsioni është problemi më i madh që pengon zhvillimin ekonomik dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Në fjalën e tij, Basha deklaroi se mungesa e transparencës dhe shkatërrimi i institucioneve që duhet të mbikëqyrin qeverinë, si Kontrolli i Lartë i Shtetit, kanë çuar në abuzime që kapin shifrën e 7 miliardë eurove. Këto fonde, sipas tij, do të mjaftonin për politika ambicioze sociale dhe ekonomike.

Ai theksoi mbështetjen e plotë për SPAK-un, duke e konsideruar si një nga institucionet e pakta që funksionon me standarde perëndimore dhe nuk ndikohet nga politika. Basha tha se angazhimi i forcës politike që drejton është për rritje të fondeve, burimeve njerëzore dhe infrastrukturës ligjore për SPAK, që sipas tij mbështetjen e ka treguar dhe me vepra me propozimet që ndodhen në Parlament për vettingun e politikanëve dhe heqjen e imunitetit parlamentar, si hapa të domosdoshëm për të larguar korrupsionin nga politika.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Prodhimi më i keq i regjimeve hibride është korrupsioni. Mungesa e transparencës, mungesa e llogaridhënies, mungesa e innstitucioneve që mund ta bëjnë këtë. Shkatërrimi i institucioneve që mund ta bëjnë këtë, duke filluar me KLSH-n. E cila vit për vit nxjerr raportin e abuzimeve nga administrata shtetërore që kanë arritur në shifra prej 7 miliardë euro. Është një shifër e mjaftueshme për të kryer politika më ambicioze që nga rritja e pensioneve, tek subvencionimi i fermerëve, tek ulja e taksave, tek ndihma sociale, tek investimet për rininë jo për katër por për tëtë vite. Korrupsioni është problemi kryesor. Ne besojmë tek politika me fytyrë njerëzore. Ne besojmë se institucionet i takojnë qytetarëve, jo politikës, se roli i tyre është zbatimi iligjit në dobi të qytetarëve. Dhe se vetëm kështu mund të kemi një zhvillim të vërtetë ekonomik, luftë të vërtetë kundër korrupsionit. Kjo është arsyeja pse mbështesim SPAK-un. SPAK-u ka treguar se për një kohë të shkurtër arrin të veprojë si një institucion pothuajse perëndimor. Nuk merr komanda politike, që ka ligjin dhe zbatimin e ligjit mandrën e vet në punën e vet të përditshme, që nuk ka frikë nga të pandëshkueshmi e deri sotëm dhe që në këtë mënyrë të paktën deri më sot, ka kryer një shërbim të madh jo thjesht duke vendosur të korruptuarit aty ku e kanë vendin.

Angazhimi ynë kryesor në raport me shoqërinë por që prek drejtpërdrejtë interesat tuaja si shtresë e mesme është që SPAK-ut t’i japim edhe më shumë fuqi. Si? Më shumë financa, më shumë burime njerëzore, infrastrukturë më të mirë ligjore në mënyrë që problemi numër 1 i Shqipërisë, korrupsioni që është pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik për integrimin europian, të marrë goditje sa më vdekjeprurëse. Pa i shkuar deri në fund kësaj asgjë s’ka për t’u zgjidhur, Kush premton se mund të zgjidh problemin e urdhrit të inxhinierit apo niveli i taksave, apo informaliteti, apo problemeve të tjera të ngritura sot këtu, pa luftuar problemin e korrupsionit thjesht dhe vetëm gënjen, mashtron.

Ne qëndrojmë në krah të SPAK dhe kundër korrupsionit dhe jo me fjalë. Ne jemi të vetmit që kemi një vit e gjysmë që kemi çuar në Parlament amendamentet për t’i dhënë SPAK-ut më shumë fonde, më shumë burime njerëzore, infrastrukturë ligjore, siç e kërkoi para Parlamanetit por po e bëjnë veshin e shurdhët. Sepse nuk duan t’ia japin. Sepse njëri e krahason me sigurimin e shtetit sapo i kapet kryebashkiaku i Tiranës bashkë me gjysmën e kabinetit që i ka të shpërndarë tek 313-ta dhe burgjet e tjera të Shqipërisë. Dhe tjetri pretendon se do luftojë korrupsionin duke bërë deputet Ilir Metën. Vettingu i politikanëve, është një masë për t’i dhënë fund praktikës së trajtimit të politikës si biznes, apo si streh kundër drejtësisë. Si, kontroll të përvitshëm të aseteve të çdo politikani, familjes së politikanit, rrethit të tij shoqëror, kontakteve të papërshtatshme, përgjim preventiv të telefonit, absolutisht. Edhe ky ligj është në Parlament, nuk e sjellin. Heqja e imuniteteit të parlamentarëve, barazi. Pse një inxhinier mund të arrestohet siç edhe duhet të arrestohet nga ligji me dyshimin dhe me bazën ligjore dhe me kërkesë të prokurorit dhe me urdhër të gjykatës, por një politikan jo, sepse duhet të marr konsensusin e kolegëve të vetë. Pra, kolegët e vet janë gyjykatë mbi gjykatat?! Pse që t’i japim kohë që të arratiset si Arben Ahmetaj?

Pra, e para dhe kryesorja është mirëfunksionimi i demokracisë dhe i shtetit të së drejtës dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit. Dhe këtu unë pres dhe kam bindjen se kam tek shtresa e mesme shqiptare, te profesionistët shqiptarë mbështetje pa kusht. Nuk ka profesionist të lirë, sipërmarrës të ndershëm t’i thotë jo kësaj.

Dr. Eljan Kasa: Shqipëria nuk ndryshon nga mëndje të burgosura!!

Nga dr. Eljan Kasa

Në Shqipëri prej dekadash, një nga format më të rënda të burgimit nuk ka qenë vetëm varfëria, padrejtësia apo mungesa e shanseve por ka qenë skllavërimi i mendjes.
Na kanë mësuar të mendojmë se ky është fati ynë, se më mirë nuk bëhet, se këta që janë qoftë në qeveri apo në opozitë, janë njëlloj. Na kanë ushqyer çdo ditë me idenë që nuk kemi fuqi, që jemi të vegjël për të ndryshuar gjërat. E kështu, shumë prej nesh kanë zgjedhur të mos ëndërrojnë më, të mos luftojnë më, të mos kërkojnë më.
Por burgu më i keq nuk është ai fizik. Burgu më i keq është ai që ndërtohet në mendje. Është frika për të kërkuar të drejtën tënde, dorëzimi përballë padrejtësisë, normalizimi i varfërisë dhe korrupsionit, pranimi i të keqes si e vetmja alternativë.
Nëse mendja jonë mbetet e burgosur, atëherë as ndryshimi politik, as ekonomia, as e ardhmja nuk mund të ndryshojnë realisht.
Prandaj sot, më shumë se kurrë, është momenti të çlirohemi nga zinxhirët që na kanë lidhur me modelet e dështuara politike. Është koha të mos pranojmë më zgjedhjen mes të keqes dhe të keqes tjetër. Është koha të mendojmë ndryshe, të kërkojmë ndershmëri, të votojmë për alternativa të reja që nuk janë pjellë e sistemit të kalbur.
Mos lejoni që mendja juaj të mbetet e mbyllur në kafaz, ndërkohë që dritarja e ndryshimit është hapur.
Mos lejoni që frika të jetë më e fortë se shpresa.
Shqipëria e nesërme varet nga çlirimi që secili prej nesh bën sot në mendje, në zemër dhe në veprim.
Lirohuni nga frika dhe pasiguria.
Mendoni dhe votoni me zemër të lirë, për një Shqipëri më të drejtë!