26.5 C
Tirana
E hënë, 16 Qershor, 2025

Sulmet ruse ndaj Europës/ Agjentë, sabotime dhe vrasje, cilat janë qëllimet e Moskës?

Akte sabotimi kundër dërgesave të armëve perëndimore në Ukrainë, propagandë pro-ruse, madje edhe vrasje: lista e operacioneve të inteligjencës ruse në Evropë po zgjatet gjithnjë e më shumë. Që nga fillimi i luftës së agresionit kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, numri i rasteve është rritur vazhdimisht, sipas një studimi nga Universiteti holandez i Leidenit.

Drejtuesi i projektit studimor, Bart Schuurman e sheh studimin e ekipit si një “thirrje zgjimi” për politikën në Evropë, shkruan Schuurman. Eksperti i sigurisë kryeson Grupin e Kërkimit për Terrorizmin dhe Dhunën Politike në Universitetin e Leidenit.

Sulme terroriste kundër aviacionit

Rusia nuk është përgjegjëse vetëm për “dëmet e konsiderueshme në infrastrukturën evropiane të energjisë dhe telekomunikacionit”, por edhe për “sulme terroriste ndaj aviacionit civil dhe kërcënimeve ndaj shërbimeve publike që mund të rrezikojnë mijëra njerëz”, tha Schuurman.

Sulmi me zjarrvënie ndaj një kontejneri ajror mallrash që i përkiste kompanisë gjermane të logjistikës DHL, pak para se të ngarkohej në një aeroplan, tregon se organizatorët e dyshuar rusë janë të përgatitur të pranojnë rrezikun e lëndimeve personale. Ashtu si në Luftën e Ftohtë, Rusia po përdor të gjithë gamën e masave të inteligjencës, thotë Gerhard Conrad, një ish-agjent i Shërbimit Federal të Inteligjencës Gjermane (BND), në një intervistë me DW. Bëhet fjalë për “frikësimin e popullsisë”, si dhe për “aktivitete spiunazhi kundër objektivave ushtarakisht të rëndësishëm, nga industria e armëve deri te bazat e Bundeswehr-it”, thotë Conrad.

Fenomen i ri: Rekrutimi i agjentëve të disponueshëm”

Ajo që është e re është rekrutimi i të ashtuquajturve “agjentë të disponueshëm”, thotë Conrad. Këta shpesh janë simpatizantë të Rusisë, të rekrutuar në vendet e BE-së për para që të shkaktojnë trazira. Nëse agjentë të tillë ekspozohen, dëmi për shërbimet e inteligjencës ruse është minimal. Në Gjermani, para zgjedhjeve për parlamentin kombëtar, Bundestag, një numër gjithnjë e në rritje i veprimeve të tilla ilegale nga sabotatorë jo-profesionistë dolën në dritë. Por Rusia tani po rekruton edhe spiunë të tillë amatorë për të spiunuar bazat ushtarake duke përdorur dronë.

Kërcënim nga viti 2014

Kërcënimi në rritje nga Rusia ka qenë i dukshëm “jo vetëm që nga viti 2022”, thotë ish-agjenti Conrad, “por më së voni që nga viti 2014”. Në atë kohë, Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë pas revolucionit pro-evropian të Maidanit dhe dërgoi ushtarë në rajonin Donbas në Ukrainën lindore.

Conrad, një ish-punonjës i BND-së, është i bindur se njerëzit në Evropë duhet të jenë të vetëdijshëm se kërcënimi nga Rusia nuk do të marrë fund nesër. Gjermania dhe Evropa duhet të përgatiten për një “mbrojtje kundër kërcënimeve hibride” afatgjatë. Shtetet e BE-së jo vetëm që duhet të përmirësojnë aftësitë e tyre ushtarake, por edhe shërbimet e tyre të inteligjencës. “Për ta bërë këtë, atyre u duhet shumë personel, u duhen shumë mundësi teknike, madje edhe mundësi ligjore, për të identifikuar këto struktura, këto modele sulmi, që në fillim”, shpjegon Conrad. Vetëm në këtë mënyrë sulmet hibride të Rusisë mund të zbulohen që në fillim./DW

Rritja e çmimeve fundos turizmin në Kroaci, braktiset masivisht nga vizitorët

Numri i turistëve që vizitojnë Kroacinë ka rënë ndjeshëm, duke i dhënë një goditje të madhe industrisë së turizmit.

Ky vend ballkanik ka qenë një destinacion i preferuar për vizitorë nga Gjermania, Austria, Republika Çeke dhe Italia, shumë prej tyre të tërhequr nga çmimet më të lira që ofronte Kroacia.

Megjithatë, gjatë tre viteve të fundit, çmimet në sektorin e turizmit në Kroaci janë rritur me plot 50%. Ky shpërthim i çmimeve e ka bërë Kroacinë më të shtrenjtë se dy nga rivalët e saj më të mëdhenj. Spanja dhe Greqia.

Në të dy vendet mesdhetare, kostot janë rritur vetëm me 15 deri në 20% gjatë së njëjtës periudhë./ Express

Ekonomia e minimalizmit, si shqiptarët po e ndryshojnë rrënjësisht mënyrën si shpenzojnë

Në një botë të sunduar nga reklamimi agresiv, ekonomia e konsumit dhe dëshira për më shumë, minimalizmi është shfaqur si një antidot ndaj mbikonsumit.

Në dekadat e fundit, globalizimi dhe dixhitalizimi kanë sjellë një bum të madh në industrinë e konsumit, duke nxitur blerje të shpejta dhe të vazhdueshme.

Reklamat e personalizuara, modelet e tregtisë elektronike dhe ofertat e vazhdueshme kanë krijuar një mjedis ku konsumi shihet si një mënyrë jetese dhe reflektim i suksesit personal.

Megjithatë, si një kundërpërgjigje ndaj kësaj kulture të mbingarkesës, minimalizmi po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet, sidomos në mesin e brezit të ri.

Duke zgjedhur të kufizojnë blerjet impulsive dhe të përqendrohen në cilësi, edhe si një zgjedhje ekonomike, njerëzit po përqafojnë një qasje më të qëndrueshme, duke u dhënë përparësi përvojave mbi materializmin dhe duke reduktuar ndikimin mjedisor.

Minimalizmi po ndryshon mënyrën se si individët shpenzojnë, duke ndikuar drejtpërdrejt në industri të tëra, nga moda deri te pasuritë e paluajtshme dhe teknologjia. Ndërsa kompanitë tradicionale përballen me një treg më të ndërgjegjshëm dhe përzgjedhës, markat që përshtaten me këtë filozofi, duke ofruar produkte më të qëndrueshme dhe me jetëgjatësi më të madhe, po shohin rritje të konsiderueshme.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Selami Xhepa, “nëse më shumë njerëz praktikojnë minimalizmin, atëherë konsumohet më pak.

Këtu duhet të pyesim: më pak nga çfarë? Nëse minimalizmi nënkupton reduktimin e konsumit të mallrave të shpejtë dhe produkteve të përdorshme, atëherë mund të goditet industria e produkteve të konsumit të shpejtë, ashtu si dhe sektori i modës së shpejtë në tregti. Ky është një efekt i menjëhershëm.

Në një periudhë më afatgjatë, edhe mallrat më të qëndrueshme mund të preken. Për shembull, familjet mund të zgjedhin të përdorin të njëjtën makinë për disa vite më tepër, në vend që ta zëvendësojnë pas pesë apo dhjetë viteve si zakonisht. Si rezultat, mund të humbasin vende pune në këto industri (tregti, automobilistikë, prodhim etj.).

Megjithatë, nëse ka më pak shpenzime, kjo do të çojë në më shumë kursime. Bankat do të mbajnë depozita më të larta, të cilat mund të investohen në sektorë të tjerë, si energjia, pasuritë e paluajtshme, bujqësia etj.

Si pasojë, vendet e punës në këta sektorë do të rriten. Gjithashtu, mund të argumentohet se individët mund të zgjedhin të investojnë kursimet e tyre drejtpërdrejt nëpërmjet mënyrave të ndryshme.

Minimalizmi nuk do të thotë që ndalohet krejtësisht konsumi; ai thjesht do të thotë se disa lloje të konsumit reduktohen, siç janë mallrat fizike, ndërsa të tjera mund të rriten, si shërbimet e njohurive.

Prandaj, mund të thuhet se minimalizmi ndihmon në zhvendosjen e vendeve të punës, duke krijuar mundësi në fusha të tjera.”- thotë ai.

Sociologia Marsi Simo thekson se, minimalizmi nga ana shoqërore konsiderohet si një goditje ndaj idealizmit të dukjes.

“Është e rëndësishme të theksohet se jetojmë në një shoqëri që i jep një vlerë të rreme zotërimit të më shumë gjërave, ndërsa në të njëjtën kohë nuk na lë mjaftueshëm kohë për t’i shijuar ato. Ngritja e vazhdueshme e standardeve për të pasur diçka më të madhe dhe më të mirë është një cikël i pafund.

Gjithmonë do të ketë një makinë më të bukur për të blerë ose një shtëpi më të madhe. Në fillim mund të duket si një sfidë e madhe, por sapo të fillosh të çlirohesh nga jeta e ndërtuar rreth zotërimit të më shumë gjërave, do ta shohësh stresin të zhduket dhe botën të ngadalësohet.

Zgjedhjet që bën do të ndihmojnë në formimin e një mënyre të re të jetesës, e cila mund të sjellë ndryshime thelbësore në jetën tënde”-përfundon ajo.

Nga mbingarkesa në vetëpërmbajtje

Minimalizmi nuk është një koncept i ri. Filozofitë lindore, si Zen Budizmi, gjithmonë kanë promovuar idenë e jetës me më pak. Megjithatë, në shekullin XXI, ai është kthyer në një formë rezistence ndaj mbikonsumit dhe jetesës së tejmbushur me gjëra materiale.

Dokumentarë si “Minimalism: A Documentary About the Important Things” dhe librat e autorëve si Marie Kondo kanë popullarizuar idenë se “më pak është më shumë”.

Kjo qasje ka ndikuar drejtpërdrejt në modelet e konsumit. Konsumatorët po bëhen më të kujdesshëm me blerjet e tyre, duke investuar në produkte më cilësore dhe të qëndrueshme, në vend që të ndjekin impulset e konsumit të shpejtë.

Si pasojë, tregjet e modës së shpejtë (fast fashion) dhe produkteve të konsumit të përditshëm po përballen me një rishikim të kërkesës.

Sipas ekspertes së marketingut, Suela Gjati, minimalizmi ka ndryshuar mënyrën se si markat komunikojnë me konsumatorët.

“Më parë, marketingu fokusohej te krijimi i nevojës për blerje të vazhdueshme. Sot, konsumatori i informuar kërkon më shumë autenticitet dhe vlerë reale. Por minimalizmi nuk ka të bëjë vetëm me pastrimin e shtëpisë nga sendet e tepërta apo me blerje më të ndërgjegjshme.

Ai është një filozofi jetese që përqafon thjeshtësinë në çdo aspekt, nga mënyra sesi organizojmë ditën, tek angazhimet shoqërore dhe mënyra si marrim informacion.

Në një epokë ku jemi të bombarduar me stimuj të pafundmë nga mediat sociale te kërkesat profesionale, minimalizmi bëhet një mjet për të rifituar kontrollin mbi kohën dhe mendjen tonë”, – shton znj. Gjati.

Ky trend po ndikon edhe në teknologji, me rritje të interesit për “digital minimalism”, një koncept i promovuar nga autori Cal Newport.

Shumë njerëz po kërkojnë të reduktojnë kohën para ekranit, të filtrojnë informacionin që konsumojnë dhe të kufizojnë ndërveprimet e panevojshme dixhitale për të krijuar një ekuilibër më të shëndetshëm mes jetës online dhe asaj reale.

Nga ana tjetër, ky transformim ka ndikime të mëdha në ekonomi dhe në industrinë e marketingut. Kompanitë po e kuptojnë se konsumatorët e sotëm nuk priren më të blejnë pa kriter, por kërkojnë autenticitet, transparencë dhe vlerë të qëndrueshme.

“Markat që kuptojnë këtë ndryshim dhe përshtasin strategji më të qëndrueshme do të mbijetojnë në një treg gjithnjë e më të ndërgjegjshëm”, thotë Suela Gjati.

Nga pronësia te përvojat

Brezi i Gen Z dhe një pjesë e Millennials kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën si shpenzojnë. Në vend që të investojnë në prona apo makina të shtrenjta, ata parapëlqejnë të shpenzojnë paratë për eksperienca si udhëtimet, koncertet, ushqimin dhe aktivitetet sociale.

Kjo tendencë është reflektuar edhe në rritjen e shërbimeve si Airbnb, Uber dhe platforma të tjera që ofrojnë akses ndaj shërbimeve pa pasur nevojë për pronësi.

Sipas Ilirida Travel, agjenci udhëtimesh në Tiranë, të rinjtë e brezit Gen Z po udhëtojnë më shumë se kurrë më parë. Ata parapëlqejnë të eksplorojnë destinacione të reja, të përjetojnë kultura të ndryshme dhe të investojnë në kujtime, jo në pasuri materiale.

“Ky trend ka sjellë rritje të konsiderueshme në prenotimet për udhëtime të shkurtra dhe përvoja të personalizuara”, – pohojnë ata.

Për më tepër, ky brez ka ndryshuar mënyrën se si ndërvepron me markat. Ata kërkojnë produkte dhe shërbime që përshtaten me vlerat e tyre personale, duke u dhënë përparësi markave të qëndrueshme, etike dhe të përgjegjshme ndaj mjedisit.

Kjo ka detyruar bizneset të ndryshojnë qasjen e tyre, duke krijuar modele më të përgjegjshme të prodhimit dhe konsumit.

Edhe turizmi i aventurës është në rritje të ndjeshme mes të rinjve.

“Brezi i ri është gjithnjë e më shumë i tërhequr nga aktivitetet e natyrës dhe eksplorimi i Shqipërisë nëpërmjet tureve të aventurës. Ata kërkojnë përvoja unike, larg turizmit masiv, si ecjet në male, rafting dhe kamping”, thotë Neri Ibi nga “My Albania Nature Explorer”.

Rritja e interesit ka nxitur zhvillimin e sektorit të turizmit të qëndrueshëm, duke e bërë Shqipërinë një destinacion të preferuar për eksploruesit e rinj.

Në përgjithësi, transformimi i sjelljes së konsumatorëve ka ndikime të mëdha në ekonomi, industri dhe mënyrën se si kompanitë operojnë. Të rinjtë e sotëm nuk priren më të blejnë pa kriter, por kërkojnë autenticitet, transparencë dhe përvoja me vlerë të qëndrueshme. Kjo po dikton rregulla të reja për tregun dhe modelet e biznesit të së ardhmes.

Ndikimi në industri: kush fiton dhe kush humbet?

Minimalizmi ka krijuar sfida për disa sektorë të ekonomisë, ndërsa ka hapur mundësi të reja për të tjerë. Në rastin konkret, Fast fashion-i po përballet me sfida të mëdha, pasi konsumatorët priren t’u shmangen blerjeve të shpejta e të lira në favor të produkteve më cilësore dhe të qëndrueshme.

Për më tepër, tregu i veshjeve të përdorura po përjeton një rritje të ndjeshme, duke ndikuar në uljen e prodhimit të veshjeve të reja dhe rritjen e vlerës së produkteve të ripërdorshme.

Trendi është i dukshëm edhe në industrinë e mobilieve dhe arredimit të brendshëm. Ilir Linza, përfaqësues i mobilierisë “BestSeller”, thotë se minimalistët po zgjedhin gjithnjë e më shumë mobilie të vogla, funksionale dhe me përdorim të shumëfishtë.

“Konsumatorët sot nuk blejnë më mobilie masive apo orendi të mbingarkuara. Në vend të tyre, ata po kërkojnë produkte që përshtaten me hapësira të vogla dhe me një stil jetese më praktik. Kjo është veçanërisht e dukshme te të rinjtë që jetojnë në apartamente të vogla ose në mjedise me hapësira të kufizuara.

Ne kemi parë një rritje të ndjeshme në shitjet e tavolinave të palosshme, rafteve modulare dhe divaneve që kanë hapësira të fshehura për magazinim. Është një qasje e cila nuk ka të bëjë vetëm me dizajnin, por edhe me funksionalitetin.

Sot, njerëzit nuk duan të mbushin shtëpitë e tyre me mobilie që nuk i përdorin çdo ditë”, – shprehet ai.

Për më tepër, z. Linza vëren se minimalistët nuk bëjnë kompromise kur vjen puna te cilësia:

“Edhe pse zgjedhin më pak mobilie, ata kërkojnë produkte më të mira. Për shembull, klientët tanë preferojnë dru të fortë dhe materiale natyrale në vend të opsioneve të lira dhe të përkohshme.

Ata janë të gatshëm të paguajnë më shumë për një mobilie që do të zgjasë më gjatë, në vend që të ndryshojnë arredimin çdo pak vite”, – shton ai.

Nga ana tjetër, arkitektja Megi Hoxha shpjegon se ndryshimi i preferencave ka sjellë një rritje të ndjeshme të kërkesës për arredime minimaliste dhe hapësira të dizajnuara në mënyrë më funksionale.

“Të rinjtë sot nuk duan më shtëpi të ngarkuara me mobilie dhe aksesorë të shumtë. Ata parapëlqejnë hapësira të hapura, të ndriçuara mirë dhe me pak elemente, por të zgjedhura me kujdes.

Për shembull, shumë prej klientëve të mi zgjedhin mobilie shumëfunksionale, si: një krevat me hapësirë magazinimi poshtë tij, një tavolinë ngrënieje që shërben edhe si tavolinë pune, apo një divan që kthehet në krevat për miqtë që vijnë për të qëndruar”, – thotë ajo.

Znj.Hoxha shton se minimalistët shpesh i japin përparësi funksionalitetit dhe ndjesisë së hapësirës:

“Minimalizmi nuk do të thotë vetëm më pak objekte në shtëpi, por edhe një ndjenjë më e madhe harmonie dhe lirshmërie. Një dhomë e mbingarkuar me mobilie mund të krijojë stres vizual dhe psikologjik, ndaj shumë të rinj zgjedhin të mbajnë vetëm gjërat e nevojshme dhe funksionale.

Dizajni skandinav dhe ai japonez janë frymëzimet kryesore, pasi të dyja këto stile e vënë theksin te pastërtia vizuale, drita natyrale dhe materialet e thjeshta”, – thekson ajo.

Ky ndryshim drejt minimalizmit tregon se konsumatorët po bëhen më të vetëdijshëm për cilësinë dhe ndikimin afatgjatë të blerjeve të tyre, duke favorizuar bizneset që ofrojnë produkte të menduara mirë dhe të qëndrueshme.

Ndërkohë që sektori i mobilieve dhe arkitekturës po përshtatet me këtë ndryshim, industria e produkteve masive dhe mobilieve të lira mund të përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha në të ardhmen.

“Minimalizmi nuk do të thotë domosdoshmërisht konsum më i vogël, por konsum më i zgjuar. Në vend që të blejnë çdo pajisje të re, konsumatorët minimalistë kërkojnë produkte me jetëgjatësi më të madhe dhe funksionalitet të shumanshëm. 

Ky trend ka shtyrë kompani si Apple dhe Samsung të fokusohen më shumë në qëndrueshmëri, riparueshmëri dhe riciklim. Programet e tregtimit të pajisjeve të vjetra dhe përdorimi i materialeve të ricikluara janë disa nga strategjitë që kompanitë po përdorin për të adresuar këtë ndryshim në sjelljen e konsumatorit.

Minimalizmi ka ndikuar edhe në mënyrën si njerëzit blejnë ushqim dhe produkte të tjera përditshmërie. Konsumatorët priren të zgjedhin produkte me më pak paketim, me burime të qëndrueshme dhe me më pak mbetje. 

Kompanitë e produkteve ushqimore dhe kozmetike po fokusohen në formulime më natyrale, më të thjeshta dhe me më pak kimikate, ndërsa konceptet “zero-waste” dhe “refill stations” po bëhen gjithnjë e më popullore.”

Një ndikim afatgjatë në ekonomi

Megjithëse disa argumentojnë se minimalizmi mund të dëmtojë ekonominë duke ulur konsumin, realiteti është më kompleks.

Konsumi nuk po zvogëlohet domosdoshmërisht, por po ndryshon drejt një modeli më të vetëdijshëm. Ndërsa produktet e lira dhe të prodhuara masivisht mund të humbasin terren, ato cilësore dhe të qëndrueshme mund të fitojnë besnikëri nga konsumatorët.

Sipas ekonomistit Selami Xhepa, ky ndryshim nuk duhet parë si një rënie e konsumit, por si një riorientim drejt shpenzimeve më strategjike. “Minimalizmi nuk është një tendencë kalimtare, por një reflektim i ndryshimeve në mendësinë e konsumatorëve.

Njerëzit po bëhen më të kujdesshëm në shpenzimet e tyre, duke shmangur blerjet impulsive dhe duke kërkuar produkte me vlerë të qëndrueshme. Ky është një transformim i rëndësishëm për ekonominë, sepse e orienton atë drejt një modeli më të ekuilibruar dhe më pak të bazuar në konsum të pakontrolluar”, – thotë ai.

Z. Xhepa thekson se ky mentalitet i ri do të ndikojë edhe te vetë bizneset: “Nëse më parë, kompanitë bazoheshin në një model shitjesh të mëdha dhe të shpejta, tani suksesi i tyre do të varet nga aftësia për të ofruar produkte cilësore dhe qëndrueshmëri në treg.

Konsumatorët po kërkojnë më shumë transparencë nga markat dhe kjo po ndikon në mënyrën se si operojnë bizneset. Kompanitë që nuk përshtaten me këtë ndryshim do ta kenë të vështirë të mbijetojnë”.

Ndërsa disa sektorë si “fast fashion”-i ose prodhimi masiv mund të përballen me sfida, të tjerë si industria e produkteve të personalizuara, mobilieve funksionale dhe tregu i sendeve të ripërdorshme do të kenë përfitime. Z. Xhepa parashikon se ky trend do të ketë efekte afatgjata edhe në mënyrën se si menaxhohen burimet ekonomike:

“Minimalizmi është gjithashtu një përgjigje ndaj një problemi më të gjerë ekonomik dhe mjedisor. Në një botë me burime të kufizuara, konsumi i mençur dhe i qëndrueshëm është domosdoshmëri dhe jo një zgjedhje.

Ky është një faktor që do të formësojë ekonominë e dekadave të ardhshme.”

“Antikonsumi

Ekonomia e antikonsumit, e nxitur nga minimalizmi, po sfidon themelet e kapitalizmit duke vënë në pikëpyetje ciklin e pandalshëm të prodhimit dhe konsumit. Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz po shkojnë drejt një mënyre jetese më të thjeshtë dhe më të vetëdijshme, kompanitë po detyrohen të rishikojnë modelet e tyre të biznesit dhe të fokusohen te zgjidhje më të qëndrueshme dhe etike. Kjo lëvizje nuk është thjesht një trend kalimtar, por pasqyron një ndryshim të thellë në qëndrimet e konsumatorëve ndaj konsumit, pronësisë dhe qëndrueshmërisë. Antikonsumi mund të jetë çelësi për një ekonomi të re, ku ndjekja e më shumë gjërave nuk është më e vetmja masë e suksesit.”/ Monitor

Polonia në alarm, aktivizon avionët luftarakë pas sulmit rus pranë kufirit

Ushtria polake njoftoi sot se kishte ngritur në ajër avionë luftarakë për shkak të një sulmi “intensiv” rus në Ukrainën perëndimore.

“Për shkak të sulmit intensiv ajror të Federatës Ruse kundër territorit të Ukrainës, avionët polakë dhe aleatë filluan të operonin në hapësirën ajrore polake në mëngjes”, shkroi shtabi i përgjithshëm i ushtrisë polake në një letër drejtuar shtypit.

“Avionët luftarakë u ngritën në çifte dhe sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe të zbulimit me radar u vunë në gatishmëri të lartë”, shtoi ai.

Një mobilizim i tillë është i zakonshëm kur raketat ose dronët rusë godasin zona në Ukrainën perëndimore, e cila kufizohet me Poloninë, një vend anëtar të NATO-s .

“Dhjetëra” dronë dhe raketa ruse u rrëzuan gjatë natës në rajonin Rivne të Ukrainës perëndimore, tha kryebashkiaku i qytetit Oleksandr Tretyak në Telegram.

Sipas guvernatorit rajonal Oleksandr Koval, Rivne pati “një natë shumë të vështirë” për shkak të “sulmeve masive ajrore të armikut”, të cilat plagosën të paktën një civil.

Kievi u shënjestrua gjithashtu nga një sulm rus, duke rezultuar në dëmtime të një pallati apartamentesh, theksoi kreu i autoriteteve të qytetit, Timur Tkachenko.

Betonizimi i Tiranës/ Bashkia dha leje për ndërtime me vlerë 1.8 miliardë euro në 2024

Shtimi i lejeve të ndërtimit dhe të detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë pas referencave, vijojnë t’i sigurojnë nga kjo taksë arkëtime rekord Bashkisë së Tiranës.

Në total, për 2024, nga taksa e ndikimit në infrastrukturë rezultojnë se janë arkëtuar 14,3 miliardë lekë apo rreth 147 milionë euro të ardhura, sipas burimeve zyrtare nga Bashkia. Krahasuar me planin fillestar prej 6,3 miliardë lekë të planifikuar, arkëtimet janë rritur 226%.

Për Tiranën, taksa e ndikikimit në infrastrukturë është në nivelin 8% dhe llogaritet për metër katror mbi çmimet e referencës të cilat prej muajt korrik 2023 (zbatimi nis nga muaji gusht) u rritën nga 5 deri 76% për 32 zonat kadastrale të Tiranës.

Arkëtimi prej 14.3 miliardë lekë për këtë taksë prej 8% do të thotë që Bashkia e Tiranës ka dhënë leje ndërtimi për një vlerë totale prej 179 miliardë lekë, ose rreth 1.8 miliardë euro, një rekord historik ky.

Për arkëtimet nga kjo taksë me rreth 2 herë rritje nga plani, Bashkia e Tiranës shprehet në relacionin e projektvendimit “Për miratimin e raportit të konsoliduar të zbatimit të buxhetit të Bashkisë Tiranë për 12-mujorin e vitit 2024”, dërguar për shqyrtim dhe miratim në mbledhjen e ardhshme Këshillit Bashkiak.

“Viti 2024 rezulton përsëri vit i suksesshëm për arkëtimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, duke arritur vlerën më të lartë të arkëtuar ndër vite me një tejkalim prej 226%”, thuhet në relacion.

Mesatarisht për çdo 4 mujor të 2024-s Bashkia e Tiranës ka arkëtuar rreth 49 mln euro prej taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja.

Arkëtimet nga kjo taksë janë jo vetëm 2 -fish më të lartë se plani, por edhe më të lartat historike të realizuara nga bashkia e Tiranës. Arkëtimet e 2024-s tejkalojnë edhe parashikimet për 2025 dhe 2026, ku bashkia pret të arkëtojë për secilin vit nga 6,5 miliardë lekë të ardhura.

Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë zunë rreth 54% të totalit të të ardhurave tatimore dhe jotatimore të realizuara për 2024. Në total të ardhurat tatimore dhe jotatimore të arkëtuara për 2024 ishin 26,6 miliardë lekë apo 146% më shumë se plani.

Rritja e arkëtimeve vijon të ndikohet prej shtimit të detyrimeve prej taksës së ndikimit në infrastrukturë pas rritjes së çmimeve të referencës nga muaji gushti 2023, si dhe rritja e sipërfaqes së lejeve të ndërtimit.

Taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja i nënshtrohen të gjitha subjektet që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera. Taksa paguhet nga ndërtuesit para zbardhjes së lejes së ndërtimit.

Në muajin shtator 2024 Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë depozitoi në Gjykatën Kushtetuese padinë për shfuqizim të pjesshëm të VKM që rriti çmimet e referencës për apartamentet, pasi ishte joproporcional, cenonte lirinë ekonomike, të drejtën e pronës private, parimin e sigurisë juridike.

Nga konkluzionet e prezantuara në Gjykatën Kushtetuese prej përfaqësuesve të Shoqatës së Ndërtuesve, pohuan se mbështetur në analizat konkrete për lejet e miratuara të ndërtimit, llogaritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë me çmimet e reja të referencës rrit 80% barrën fiskale te ndërtuesit.

Sipas tyre kjo do të rrisë çmimet e apartamenteve 200 deri 300 euro për metër katror.

Pas shqyrtimit të padisë Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Ndërtuesve për shfuqizimin e vendimit, duke e cilësuar pretendimin e tyre të pabazuar.

Në 2024-n, sipërfaqja e lejeve të ndërtimi arriti një nivel rekord prej mbi 1.9 milionë metra katror. Kjo është sipërfaqja më e lartë e dhënë ndonjëherë për ndërtim për kryeqytetin, të paktën që nga viti 2005, kur INSTAT raporton të dhënat për Tiranën.

Në krahasim me vitin e mëparshëm, sipërfaqja e dhënë për ndërtimin në 2024-n u rrit me rreth 36%, ndërkohë që është dhe rreth 7% më e lartë se në 2022, kur shënohej rekordi i deritanishëm me 1.8 milionë metra katror./MONITOR

  

Shpopullimi/ Një e treta e familjeve në Tiranë dhe Korçë me nga një person

Nivelet e larta të emigrimit, plakjes së popullsisë dhe urbanizmit kanë rritur numrin e familjeve me një person.

Të dhënat e Cens 2023 treguan se 25% e familjeve në rang vendi kishin vetëm një person, por në Tiranë, Korçë dhe Gjirokastër ato kishin një peshë më të madhe.

Të dhënat krahasuese tregojnë se numri i familjeve me person të vetëm është rritur ndjeshëm në dekadën e fundit duke u dyfishuar në krahasim me të dhënat e cens 2011, ku rreth 12.7% e familjeve përbëheshin nga vetëm një person që jetonte i vetëm në banesë.

Analiza e të dhënave Cens 2023 mbi përbërjen e familjeve në bashkitë e Shqipërisë tregon një prirje të theksuar drejt familjeve me vetëm një anëtar, një fenomen që shfaqet me intensitet në të gjithë vendin dhe që sugjeron zhvillime demografike dhe sociale të vrullshme në vijim.

Në kryeqytet, 31.9% e familjeve janë me vetëm një anëtar, përqindja më e lartë në rang kombëtar. Po në këtë nivel është dhe Korça.

Pas tyre vjen bashkia e Gjirokastrës me 30.4%, e ndjekur nga Dropulli (29.7%), Përmeti (29.6%) dhe Dibra (28.6%). Në këto bashki, një në tre familje është e përbërë nga vetëm një person. (shiko grafikun e mëposhtëm).

Në anën tjetër të spektrit, bashki të vogla si Pusteci (19.6%), Has (21.1%), Konispoli (26.3%) dhe Peqini (22.8%) kanë përqindje më të ulëta të familjeve me një person.

Në këto bashki ende dominon tradita historike me lidhje më të forta familjare dhe bashkëjetesë ndër-brezash, që po ndihmon në ruajtjen e strukturave më të mëdha familjare.

Përveç Tiranës, përqindje të larta të familjeve me një anëtar hasen edhe në Durrës (27.9%), Elbasan (28.0%), Fier (27.2%) dhe Shkodër (27.9%). Këto qytete të mëdha tërheqin individë të rinj që migrojnë për arsye punësimi ose studimi që shpesh zgjedhin të jetojnë vetëm.

Familjet me një person të vetëm janë më shumë tipar i zonave urbane me popullsi më të plakur.

Shqipëria po përballet me një transformim të thellë të strukturës familjare. Kjo kategori dominohet nga persona të moshuar.

Këto të dhëna sugjerojnë se institucionet publike duhet të rrisin vëmendjen ndaj politikave sociale, të strehimit, dhe të kujdesit ndaj të moshuarve.

Nëse ky trend vijon, do të ketë ndikim të madh në kërkesën për banesa të vogla, për shërbime sociale të personalizuara dhe në strukturën e mbështetjes sociale në nivel lokal dhe kombëtar./MONITOR

 

“Ky grup armik, hyri në marrëdhënie tregtare me SHBA për blerjen e mallrave amerikane”/ Akt-akuza e Aranit Çelës

Nga Dashnor Kaloçi

Plot 48 vite më parë, më 31 maj të vitit 1977, diku në periferi të Tiranës, në një vend që dhe sot e kësaj dite ka mbetur i pazbuluar ende, një skuadër pushkatimi e ngritur me porosi të veçantë të ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Kadri Hazbiut, ekzekutoi me plumb pas koke, Abdyl Këllezin Koço Theodhosin, dhe Xhavit Sallakun, të cilët ishin arrestuar që në vitin 1975, të akuzuar nga Enver Hoxha, si krerët kryesorë të “Grupit sabotator në Ekonomi”. Bashkë me Këllezin e Theodhosin, ishin dënuar me edhe dy ministrat e tjerë, Kiço Ngjela (ministri i Tregtisë) dhe Vasil Kati, (ministër i Tregtisë së Jashtme), përkatësisht me nga 20 dhe 15 vjet burg politik, e gjithashtu me dënime të rënda edhe disa kuadro të lartë nga dikasteri i Ekonomisë.

Këllëzi dhe Theodhosi, ish-anëtarë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, deputetë të Kuvendit Popullor dhe zv.kryeministra e ministra për më shumë se tri dekada me radhë, ishin ndër të pakët nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, që kishin studiuar e ishin diplomuar në Perëndim, që nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe po kështu, edhe Ngjela me Vasil Katin, kishin studiuar jashtë dhe ishin kthyer në Shqipëri menjëherë pas pushtimit të vendit nga Italia fashite, për t’u rreshtuar në radhët partizane, madje me funksione drejtuese. Me goditjen e këtij të ashtuquajturit “Grupi armiqësor sabotator në Ekonomi”, Enver Hoxha po godiste “trurin e Ekonomisë”, pasi nga mbarimi i luftës e deri në atë kohë, Këllezi, Theodhosi, Ngjela dhe Kati, kishin mbajtur funksionet kyçe të ekonomisë shqiptare.

Ndërsa këto gjëra tashmë janë shumë të njohura, pasi prej më shumë se tre dekadash që nga shembja e regjimit komunist, është folur dhe shkruar shumë, Memorie.al, ka siguruar disa dokumenta që i përkasin fondit të ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullor Socialiste të Shqipërisë, i kryesuar nga Haxhi Lleshi, i cili në atë kohë mori në shqyrtim çështjen e “Grupit sabotator në Ekonomi”, në bazë të relacioneve dhe raport-informacioneve që i kishte dërguar Gjykata e Lartë e kryesuar nga Aranit Çela, e cila zhvilloi dhe procesin gjyqësor ndaj atij “Grupi”.

Përveç sa më sipër, në dokumentet në fjalë, ndodhen edhe kërkesat e Këllezit dhe Theodhosit, (me shkrimin e tyre), dërguar Presidiumit të Kuvendit Popullor, për faljen e jetës, si proces-verbalet e mbledhjeve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, me diskutimet e Enver Hoxhës, (që ka mbajtur edhe raportin në fillim të mbledhjes) Haxhi Lleshit, Spiro Kolekës, Shefqet Peçit (dy nënkryetar të Presidiumit Kuvendit Popullor), Telo Mezinit (sekretar i Presidiumit), Jovan Bardhit, Muharrem Sefës, Nuredin Hoxhës, Pilo Peristerit, Rrapo Dervishit, Spiro Moisiut, Zina Franjës dhe Maliq Sadushit, anëtarë të Presidiumit, të cilat do i publikojmë në disa numra, bashkë me fotot e faksimilet përkatëse.

RELACIONI I KRYETARIT TË GJYKATËS SË LARTË, ARANIT ÇELA, PËR PRESIDIUMIN E KUVENDIT POPULLOR, MBI “VEPRIMTARINË ARMIQËSORE TË GRUPIT SABOTATOR NË EKONOMI”, ME NË KRYE A. KËLLEZIN, K. THEODHOSIN, K. NGJELËN DHE V. KATIN

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

Nr.316 Prot. Tiranë, më 23.V.1977

Lënda: Dërgim lutjesh për falje dënimi

PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR

Tiranë

Bashkëngjitur me këtë shkresë ju dërgojmë lutjet për faljen e jetës që të dënuarit me vdekje Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi i kanë drejtuar Atij Presidiumi si dhe relacionin përkatës.

KRYETARI I GJYKATËS SË LARTË

Aranit Çela

PËRMBLEDHJE VENDIMIT

MBI DËNIMIN ME VDEKJE TË ABDYL KËLLEZIT E KOÇO THEODHOSIT

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në vendimin e formës së prerë Nr. 4 datë 17 maj 1977, në bazë të neneve 72 e 73, paragrafi i I-rë, në kombinim me nenin 76 të Kodit Penal, dënoi me vdekje të pandehurit Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi dhe, respektivisht, në 20 dhe 15 vjet heqje lirie, të pandehurit Kiço Ngjela e Vasil Kati.

Nga hetimi dhe gjykimi i çështjes së tyre rezultoi se:

Të pandehurit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, në mënyrë të organizuar e sistematike, kanë zhvilluar veprimtari armiqësore kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe forcës së vetme udhëheqëse të saj – Partisë së Punës të Shqipërisë. Për një kohë të gjatë në forma të ndryshme, duke shfrytëzuar postet e larta shtetërore që zinin, kanë sabotuar zbatimin e direktivave dhe orientimeve të Partisë si dhe të vendimeve të Qeverisë në fushën e organizimit shtetëror dhe të ekonomisë socialiste.

Siç rezultoi nga zhvillimi i gjykimit të pandehurit janë armiq të vjetër të Partisë, të shtetit socialist dhe të popullit, por për një kohë të gjatë kanë mundur ta fshehin fytyrën e tyre të vërtetë. Abdyl Këllezi gjithmonë çdo qëndrim e aktivitet të tij e ka lidhur me interesat e klasave shfrytëzuese, me egoizmin, ambicien dhe etjen për pushtet. Vetë gjatë gjykimit të çështjes pohoi se: “Unë qenien në Parti dhe marrjen pjesë në luftë e lidhja me dëshirat për të bërë karrierë;…jam një armik i Partisë me rezerva të vjetra, të lashta, ndaj vijës së përgjithshme të saj”.

Dhe në fakt, qysh në vitin 1939, Abdyl Këllezi miraton pushtimin fashist të Atdheut tonë nga Italia. Më vonë, në vitet e pasçlirimit, bashkohet me Abedin Shehun, Isuf Keçin, Tuk Jakovën etj., zhvillon biseda armiqësore me ta dhe i merr në mbrojtje; bën kauzë të përbashkët me revizionistët jugosllavë e sovjetikë, politikën dhe ideologjinë e të cilëve e vë në themel të veprimtarisë së tij armiqësore. I tillë është edhe Koço Theodhosi. Në vitet e Luftës Nacional Çlirimtare, ky zhvillon biseda armiqësore kundër vijës së Partisë dhe interesave të kësaj lufte, me elementë antiparti dhe armiq, si Sejfulla Malëshova e Manol Konomi. Mbas çlirimit nuk pajtohet me masat e marra kundër klasave shfrytëzuese dhe armiqve të popullit.

Më vonë, duke përqafuar tezat themelore të revizionistëve sovjetikë e jugosllavë, krijon lidhje armiqësore me Maqo Çomon, Ramadan Xhangollin, Fadil Paçramin, Abdyl Këllezin, Kiço Ngjelën, Vasil Katin etj. Edhe ky armik para gjyqit pohoi: “Unë kam hyrë kontrabandë në Parti, për të fituar ndonjë post;…por kam qenë kundër politikës së saj”. Gjatë gjykimit doli e qartë se mbi bazën e unitetit të mendimeve dhe të qëndrimeve të tyre armiqësore, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, kanë patur të njëjtën platformë armiqësore politike, ideologjike, ekonomike dhe organizative.

Në fushën politike, bazën e kësaj platforme e përbën kundërshtimi i plotë i politikës së Partisë dhe të shtetit tonë, mbështetja e politikës së revizionistëve sovjetikë, jugosllavë dhe e gjithë revizionistëve të tjerë kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, forcimi i gjithanshëm i lidhjeve me vendet revizioniste. Në fushën ideologjike platforma armiqësore e tyre, në thelbin e saj, ka konsistuar në mohimin e diktaturës së proletariatit dhe, si rrjedhim, të rolit udhëheqës të klasës punëtore dhe të Partisë së saj, në mohimin e ekzistencës dhe ashpërsimit të luftës së klasave, në kushtet e ndërtimit të shoqërisë socialiste, si dhe në papajtueshmërinë me të gjitha masat e rëndësishme me karakter ideologjik të marra nga Partia dhe shteti ynë, kundër burokratizmit dhe liberalizmit.

Në fushën ekonomike dhe organizative platforma e tyre armiqësore ka konsistuar në kundërshtimin e hapur të politikës ekonomike të Partisë dhe të shtetit tonë socialist, brenda e jashtë vendit, si dhe në mbështetjen e plotë të tezave të njohura të revizionistëve sovjetikë, jugosllavë dhe të rrymave të tjera revizioniste. Një vijë të caktuar armiqësore kanë pasur armiqtë Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi etj. edhe në drejtim të rolit udhëheqës të Partisë dhe të shtetit në ekonomi. Që të gjithë këta pohuan se e kanë konsideruar rolin udhëheqës të Partisë, si një pengesë të pa kapërcyeshme për të realizuar veprimtarinë e tyre armiqësore dhe se kanë vepruar praktikisht për të sabotuar këtë rol.

Të gjitha këto koncepte dhe botëkuptime reaksionare, anti-marksiste, kanë përbërë platformën bazë të përgjithshme mbi të cilin është krijuar, ishte organizuar dhe ka vepruar praktikisht grupi armik e antiparti i sabotatorëve në organizimin shtetëror dhe në ekonomi, i kryesuar nga Abdyl Këllezi dhe me bashkëpunëtorë kryesorë Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën e Vasil Katin. Veprimtaria e këtij grupi ishte e lidhur ngushtë, e organizuar dhe e bashkërenduar me gjithë veprimtarinë armiqësore të zhvilluar në vendin tonë gjatë viteve të fundit dhe, në veçanti, me veprimtarinë armiqësore të grupit armik, antiparti e puçist në ushtri, me atë në fushën e arteve e të kulturës dhe me atë në industrinë e naftës e të gazit. Veprimtaria e përbashkët e gjithë këtyre grupeve, ishte pjesë e komplotit të madh të kurdisur kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë së Punës të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, veprimtaria armiqësore e grupit armik e antiparti të sabotatorëve në organizimin shtetëror dhe në ekonomi, të kryesuar nga Abdyl Këllezi, ndodhet plotësisht në shërbim të veprimtarisë armiqësore që zhvillojnë kundër R.P.S. të Shqipërisë, Partisë së Punës të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, imperialistët, social-imperialistët dhe revizionistët e tjerë modernë. Gjithë provat e administruara gjatë gjykimit vërtetuan këto konkluzione. Ky grup armik e antiparti synonte shkatërrimin e shtetit të diktaturës së proletariatit, të rendit socialist në përgjithësi dhe, nëpërmjet vendosjes së diktaturës borgjezo-revizioniste, restaurimin e rendit kapitalist në Shqipëri. Vetë armiku Abdyl Këllezi gjatë gjykimit pohoi: “…mua më duhej Beqir Balluku dhe grupi i tij, sepse ai kish në dorë armët e ushtrisë, me anën e të cilave do të rezonim pushtetin…! Në kushte e rrethana të caktuara nuk përjashtohej ndonjë ndërhyrje nga jashtë…! Pra, ne kishim: vënë në plan të përdorim pushkën kundër popullit. Edhe të pandehurit e tjerë, kanë qenë të një mendje me mua”.

Po kështu, edhe Koço Theodhosi pohoi: “Kisha për qëllim të rrëzoja pushtetin popullor…! Mendonja që pushteti do të rrëzohej me anë të një puçi; mendoja se do të kishte ndërhyrje dhe nga jashtë si edhe nga forcat e brendshme. Këtu do derdhej edhe gjaku deri sa të përmbysej pushteti popullor”. Për të arritur këtë objektiv thellësisht armiqësor, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, për vite me radhë kanë agjituar e propaganduar kundër Partisë dhe shtetit tonë socialist, duke bërë biseda të vazhdueshme e sistematike me njeri tjetrin, me armiqtë Beqir Balluku, Fadil Paçrami, Ramadan Xhangolli etj., si dhe duke unifikuar pikëpamjet armiqësore midis tyre. Për të arritur qëllimin e vet kriminal, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, kanë realizuar një veprimtari të gjerë sabotuese në disa drejtime kryesore dhe konkretisht:

1. Sabotuan luftën kundër burokratizmit, duke goditur parimin e centralizmit demokratik dhe duke futur forma të vetë administrimit revizionist në organizimin shtetëror dhe në ekonomi. Me synim të paracaktuar krijuan organizma ekonomikë e teknikë, reparte e linja të reja të panevojshme, që copëzonin e decentralizonin prodhimin; krijuan hallka drejtuese me kompetenca të mëdha vetadministrue se; shtuan dhe frynë byrotë teknologjike me personel të shumtë dhe të panevojshëm, që u hoqën nga prodhimi; frynë aparatet administrative dhe ekonomike me nëpunësa; shpikën list – organikat për të rritur në mënyrë disproporcionale numrin e personelit joprodhues në krahasim me fuqinë punëtore, për të unifikuar nëpunësit në punëtorët, si dhe për të degjeneruar shtetin dhe shoqërinë tonë socialiste.

Një rol të veçantë ka lozur në këtë drejtim sidomos Abdyl Këllezi, i ndihmuar nga Koço Theodhosi e Kiço Ngjela.

2. Sabotuan haptazi vijën e Partisë dhe ligjet e shtetit, lidhur me planifikimin socialist në përgjithësi dhe metodologjinë e planifikimit në veçanti, duke iu kundërvënë karakterit direktivë dhe të detyrueshëm të planit të shtetit, zhvillimit shkencor të tij: zbatimit të vijës së masave në planifikim, duke penguar aparatin e Komisionit të Planit të Shtetit, nga hartimi dhe kontrolli i zbatimit të planeve etj. Së bashku me Koço Theodhosin dhe bashkëpunëtorët e tjerë, Abdyl Këllezi, futi në planë zëra e shifra të fryra, të parealizueshme, për naftën, bujqësinë, import-eksportin etj., me qëllim që ti krijoheshin vështirësi artificiale dhe shpërpjesëtime në ekonomi.

Të gjithë së bashku sabotuan administrimin e përqendruar të fondeve dhe materialeve shtetërore. Abdyl Këllezi ka ndryshuar destinacionin e planifikuar të fondeve të investimeve dhe ndërtimeve themelore; ka përdorur fondin e veprave të mëdha për ndërtim objektesh të tjera të paplanifikuara dhe që nuk u shërbejnë këtyre veprave. Ky, me dijeninë e Koço Theodhosit dhe të pandehurve të tjerë, ka mbajtur fshehurazi Qeverisë një rezervë fondesh (prej 20-46 milion lekë) dhe e ka shpërndarë si ka dashur vetë, për të kompromentuar kuadrot dhe për të krijuar lavdi personale.

Po në të njëjtën mënyrë me urdhër direkt të Abdyl Këllezit dhe me dijeninë e të pandehurve të tjerë, ishte mbajtur një fond rezervë në valutë jashtë kufijve të importit, të planifikuar dikastereve të ndryshme dhe ky fond (prej disa milion lekë), është përdorur pa kriter nga këta, duke evituar kontrollin e qeverisë. Gjithashtu, Abdyl Këllezi, jashtë çdo kompetence, ka vënë dorë në rezervën shtetërore dhe, për vite me radhë, u ka shpërndarë ndërmarrjeve, institucioneve apo kooperativave, mallra e materiale që kushtojnë miliona lekë.

3. Sabotuan parimin e ligjshmërisë socialiste, për t’i hapur rrugë arbitraritetit dhe veprimeve të tyre të kundërligjshme. Të shumta janë aktet nënligjore që miratuan apo nxorën dhe që tërësisht ose pjesërisht vijnë në kundërshtim të hapur me ligjet e shtetit dhe vendimet e qeverisë. Nëpërmjet kësaj veprimtarie, këta armiq u përpoqën gjithkund të decentralizojnë kompetencat, të fusin format e vet-administrimit revizionist në organizimin shtetëror e në ekonomi, si dhe të dëmtojnë pasurinë e përbashkët.

4. Sabotuan dhe dëmtuan rëndë industrinë e naftës dhe të gazit duke bashkërenduar dhe duke udhëhequr në fakt punën e grupit të sabotatorëve Piro Gusho, Filip Nashi etj. Vetë i pandehuri Abdyl Këllezi, gjatë gjykimit pohoi: “…Unë dhe Koço Theodhosi, jemi koka e kësaj veprimtarie, kurse Lipe Nashi e të tjerët janë ekzekutorët”! Veprimtarinë e tyre sabotuese në këtë fushë, e realizuan konkretisht nëpërmjet mos-zbulimit të vend-burimeve të reja naftë – gazmbajtëse, shfrytëzimit barbar të vend-burimeve ekzistuese dhe inondimit të tyre me ujë dhe nëpërmjet vënies në shfrytëzim të puseve të vrojtimit.

Për të kuptuar pasojat serioze të kësaj veprimtarie, mjafton të vihet në dukje se për 5 vjet me radhë, e lanë Atdheun pa vend-burime naftë-gazmbajtëse, duke hallakatur kërkimet dhe duke lodhur kot punonjësit e naftës, se aktualisht në një përqindje të lartë të puseve në shfrytëzim në Ballsh, Visokë e Gorisht-Kocul, është avancuar kontakti naftë-ujë dhe se dëmi material që i është shkaktuar Shtetit nga gjithë sabotatorët në industrinë e naftës dhe të gazit, arrin shumën e përgjithshme 892 milion lekë. Një rol të theksuar armiqësor kanë lozur në këtë drejtim, sidomos Koço Theodhosi e Abdyl Këllezi.

5. Sabotuan sektorin e tregtisë socialiste.

Ky grup armik e antiparti nxiti sjelljen nga jashtë shtetit të shumë mallrave të konsumit të gjerë, që në fakt prodhoheshin në vend ose mund të prodhoheshin në vend (lavatriçe, artikuj elektro-shtëpiakë e kinkalerie, tekstile dhe sende luksi). Ky veprim, së bashku me planifikimin e keq të shpërndarjes së fondit të mallrave dhe me orientimin armiqësor të Kiço Ngjelës e Vasil Katit; “mos u trembni nga mallrat në depo”, pengoi zhvillimin e prodhimit në vend dhe rriti në proporcione shqetësuese gjendjen e mallrave mbi normativë e stoqe. Kështu, në fund të vitit 1974, mallrat e kësaj natyre arrinin vleftën 190 milion lekë dhe gjithmonë vinin duke u shtuar; kurse Abdyl Këllezi, nxit rritjen e tyre të mëtejshme, duke akorduar fonde mbi nevojat e xhiros.

Këta armiq sabotuan direktivat e Partisë dhe zbatimin e masave konkrete, për ngushtimin gradual të dallimeve esenciale midis fshatit e qytetit; pakësuan fondet e planifikuara për t’u dhënë fshatit dhe ja shtuan këto qytetit; furnizimin e fshatit me artikuj ushqimorë, e kanë bërë në sasira shumë më të vogla në krahasim me ato të qytetit; nuk muarrën masat e duhura për furnizimin e fshatarësisë me perime, qumësht etj., për sigurimin e bazës ushqimore të bagëtisë dhe për grumbullimin e prodhimeve bujqësore e blegtorale nga kooperativat e oborret kooperativiste; sabotuan shtimin e kontributit të shtetit me fonde, për përballimin e nevojave të fshatit për institucione arsimore-kulturore, shëndetësore dhe për pagesat e mamive.

Një rol më aktiv kanë lozur në këtë drejtim Abdyl Këllezi e Kiço Ngjela. Ky grup armik e antiparti sabotoi zbatimin e direktivave të Partisë dhe të Shtetit tonë në fushën e tregtisë së jashtme. Në kundërshtim me këto direktiva, zgjeruan së tepërmi tregtinë me vendet revizioniste dhe sidomos me Jugosllavinë; nga 7.5 milion rubla që ish xhirua tregtarë me Jugosllavinë në vitin 1971, u rrit në 39 milion rubla në vitin 1975; d.m.th., me ritme shumë më të larta se sa me vendet e tjera të tregut, divizë të lirë e në klering. Shumë herë tregtia me Jugosllavinë ka qenë e disfavoreshme për ne, sepse i janë shitur mallrat tona (krom, hekurbeton, çimento, duhan etj.) me çmime shumë më të ulta, nga çmimet e konjukturës ndërkombëtare. Për këtë shkak, vetëm për vitet 1973-1975, vendi ynë ka pësuar një dëm ekonomik, prej 974.309 dollarë.

Në kundërshtim me porositë kategorike të Komitetit Qendror të PPSh-së, ky grup armik e antiparti, për vite me radhë ka lejuar saldo pasive në disfavorin tonë, në tregtinë me vendet revizioniste; d.m.th., e kanë futur vendin tonë në borxhe; sidomos me Jugosllavinë, kjo saldo ka ardhur gjithmonë duke u zmadhuar dhe në prill të vitit 1975, arrin 3.690.000 rubla, ose 5.239.000 dollarë, në favor të jugosllavëve.Ky grup armik e antiparti, sabotoi zgjerimin e tregtisë sonë të jashtme me vendet e Azisë, Afrikës e Amerikës Latine, duke nxjerrë lloj lloj pretendime justifikuese të pabazuara, në një kohë kur siç rezulton nga dokumentet e shumta që u shqyrtuan në gjyq, shumë nga këto vende, kërkonin të bënin tregti me ne dhe kur mallrat tona shkonin në këto vende nëpërmjet shteteve të tjera revizioniste e kapitaliste që i blinin tek ne me të drejtë ri eksporti.

Së fundi; ky grup armik e antiparti, mbajti ilegalisht formën e vjetër të tregtisë kooperativiste, nëpërmjet ish BATKOP-it dhe hyri ne marrëdhënie tregtare me Shtetet e Bashkuara t’Amerikës. Të vendosur në këtë rrugë armiqësore, të gjithë të pandehurit kanë arritur deri atje sa që, për blerjen e disa mallrave nga firmat e ndryshme amerikane, kanë kërkuar lejen (liçencën) e Departamentit Amerikan të Tregtisë, d.m.th., të vetë Qeverisë Amerikane, në kundërshtim flagrant me politikën e Partisë e të shtetit tonë dhe me porositë e vazhdueshme që u ishin dhënë. Rol aktiv për sabotimet në fushën e tregtisë së jashtme, kanë lozur të pandehurit Kiço Ngjela e Abdyl Këllezi dhe Vasil Kati.

Për të evituar demaskimin e vetvetes dhe zbulimin e veprimtarisë së tyre armiqësore sabotuese dhe agjitative propagandistike, grupi armik e antiparti i sabotatorëve në organizimin shtetëror e në ekonomi, i kryesuar nga Abdyl Këllezi dhe me bashkëpunëtorë kryesore Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën e Vasil Katin, ka përdorur kamuflimin, mashtrimin e falsifikimin, fshehjen e realitetit të gjendjes para Udhëheqjes së Partisë e Shtetit, shtrembërimin e maskuar dhe shpërdorimin e orientimeve dhe direktivave të drejta të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe të Këshillit të Ministrave, përdorimin e arrogancës dhe prepotencës ndaj vartësve dhe forma të tjera pune të menduara e të koordinuara me njeri tjetrin. Gjykata konstatoi se Abdyl Këllezi ka qenë udhëheqësi, frymëzuesi dhe koordinuesi i veprimtarisë së këtij grupi. Gjithashtu një rol të veçantë ka lozur edhe Koço Theodhosi, veprimtaria e të cilit ka një karakter të gjerë, zë një kohë të gjatë dhe ka sjellë pasoja të rënda./ Memorie.al

Vrasës të huaj, kontratat e vdekjes që u lidhën me italianë, grekë, portugezë, marokenë e rumunë

Shumë vrasje që ndër vite mbeteshin pa autorë, i faturoheshin “profesionistëve”.

Dyshimet hidheshin në disa drejtime. Për disa krime autorët aludohej se mund të ishin “ekspertë”, si ish-ushtarakë apo ish-policë, të stërvitur për të goditur në shenjë.

E për disa të tjera, shpesh hetimet orientoheshin drejt vrasësve me pagesë, që nuk i lidhte asnjë motiv dhe asnjë provë me viktimën.

Ngjarje të tilla grupi hetimor i konsideronte të vështira për t’u zbardhur. Madje në ndonjë rast duke i konsideruar si “krime të përsosura”. Por kjo ngjante më shumë si një formë për të justifikuar pamundësinë për t’i zbardhur disa vrasje. Pamundësinë për të siguruar provat e në ndonjë rast edhe paaftësinë.

Koha ka treguar se në fakt asnjë krim nuk është i përsosur. Dikur do të gjendet me doemos një provë. Dikush, diku patjetër që të ketë parë e mund të dijë diçka.

Dhe kjo u dëshmua në disa ngjarje të rënda kriminale, që edhe pse ishin realizuar nga vrasës me pagesë, u arrit të dokumentohen. Disa me punë hetimore, disa me të penduar që bashkëpunuan me drejtësinë dhe rrëfyen edhe skutat me të errëta të krimit.

E teksa u vërtetua se në fakt edhe vrasësit me pagesë mund të kapeshin, pra nuk ishin edhe aq ekspertë sa supozohej, të tjera teori nisën të qarkullojnë me shpejtësi.

Vrasësit mund të ishin edhe shtetas të huaj.

Shumëkush i vuri në dyshim këto teori, të paktën deri në vitin 2015, kur në një krim të trefishtë në qendër të Tiranës, u përfshi edhe një shtetas italian, i cili sot është i dënuar me burgim të përjetshëm.

Zgjedhja e grupeve kriminale për të kontraktuar shtetas të huaj që të lanin hesapet e tyre në Shqipëri, ishte parë si një mundësi e përkryer. Ata ishin njerëz që nuk i njihte askush. Për pasojë identifikimi i tyre ishte më i vështirë. Të huajt kushtojnë më shumë, por janë më të sigurt për të mos u ekspozuar.

Megjithatë asgjë nuk është e pamundur.

Dosja “Metamorfoza” e vitit 2023 ishte një tregues i qartë se sa me lehtësi grupet shqiptare mund të kontraktonin vrasës të huaj. Bisedat e shpenguara që zhvillonin në platformën SKY treguan se për realizimin e një krimi në Shqipëri, ata mund të bënin ujdi me killera nga Serbia, madje edhe nga vendet Arabe.

Gjatë kësaj dekade kanë ndodhur disa vrasje që për Policinë dhe Prokurorinë, ka pasur të dhëna të sigurta që janë realizuar nga shtetas të huaj. Kryesisht vrasës të kontraktuar nga grupe kriminale shqiptare për të realizuar ekzekutimin e rivalëve të tyre në Shqipëri.

Të paktën tri prej tyre janë dokumentuar dhe vrasësit ndodhen pas hekurave. Dy të dënuar me burgim të përjetshëm dhe një i tretë që është ende në gjykim.

Por nga ana tjetër, gjatë vitit 2025, në një hark kohor prej tri javësh, ndodhën dy vrasje në Vlorë dhe në Durrës, për të cilat tashmë grupi hetimor ka të dhëna të sigurta që janë realizuar nga shtetas të huaj.

Po flasim për krime të konsideruara mafioze apo si vrasje me pagesë. Megjithatë nuk kanë munguar ngjarje të renda kriminale, kryesisht krime në familje, ku janë përfshirë shtetas të huaj që ndodheshin në vendin tonë në rrethana të ndryshme.

Dy prej vrasjeve të ndodhura në fund të muajit prill dhe në maj të vitit 2025 në Vlorë dhe Durrës, ka të dhëna të siguruara nga grupi hetimor, se janë realizuar nga vrasës të huaj. Deri tani asnjëri nuk është arritur të ndalohet, megjithatë duket se provat janë të mjaftueshme për t’i shpallur në kërkim.

Mëngjesin e 27 prillit të vitit 2025, 58-vjeçari Renato Hoxha, u ekzekutua me 4 plumba, pranë banesës së tij, në lagjen “Hajro Çakërri”, në Vlorë. Krimi dukej si një ngjarje që ekspozoi edhe një herë përplasjen mes grupeve të Vlorës, megjithëse viktima ishte një person pa të shkuar kriminale dhe me një profil të ulët. I ndaluar si person i dyshuar për bashkëpunim në vrasje, është 37-vjeçari Evis Mehmetaj, i cili mesditën e datës 1 maj 2025 u la në burg nga Gjykata e Vlorës, për përkrahje të autorit të krimit dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasjen e Renato Hoxhës. Evis Mehmetaj, me origjinë nga Tropoja, djali i ish-deputetit demokrat, Xhevdet Mehmetaj, jetonte në Tiranë por shpesh herë udhëtonte në Dubai. Nga ana tjetër ai njihet edhe si mik i Roan Brahimit, i ekzekutuar në maj të vitit 2024 në Athinë. Ndërsa më 17 prill 2025 Brahimit i vranë edhe të atin, Gjovalin Prendin, në Pllanë të Lezhës. Ngjarje që vijon të jetë pa autor.

Grupi hetimor ka dyshime se Renato Hoxha mund të jetë vrarë për hakmarrje, por edhe për t’i mbyllur gojën. Pasi ka dyshime që mund të ketë qenë person, që ka pasur dijeni për disa krime të ndodhura në Vlorë. Policia ka dyshime se Hoxhaj mund te ketë pasur rolin e informatorit dhe për këtë arsye është ekzekutuar. Një ndër ngjarjet që po hetohet si një lidhje e mundshme me vrasjen e Renato Hoxhës, është edhe ekzekutimi i Gëzim Sinomatajt me snajper, më 7 janar të vitit 2024. Por përveç saj po verifikohet edhe atentati me eksploziv ndaj Bernard Sinomatajt, i ndodhur në Tiranë më 21 dhjetor të vitit 2024. Të dy këto ngjarje, duket se kanë ngritur dyshime të dyfishta për hetuesit në lidhje me rolin e Renato Hoxhës, qoftë si person që mund të ketë pasur informacione për ngjarjen e parë në Vlorë, qoftë nëse ka dhënë informacione për ngjarjen e dytë të Tiranë. Ky dyshim e kthen atë në objektiv të dy grupeve rivale, por pa përcaktuar me saktësi se cilit prej tyre.

Një tjetër detaj që e ka shtyrë grupin hetimor drejt kësaj piste, është edhe fakti se Hoxha kohët e fundit kishte filluar të ruhej, i druhej një atentati, kjo edhe për shkak se kishte instaluar disa kamera pranë banesës së tij.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar lëvizjet e autorit të vrasjes, para dhe pas realizimit të ngjarjes, por pa arritur të identifikohej, për shkak të maskimit që kishte kryer. Nga verifikimet rezulton se vrasësi e ka pritur Hoxhën për afro 90 minuta pranë pallatit derisa ai të dilte. Ndërsa është mësuar edhe rruga që ai ka ndjekur me makinë për t’u afruar në vendngjarje e më tej për t’u larguar.

Hetuesit kanë mundur të zbulojnë edhe lëvizjet e vrasësit, i cili rezulton që deri në Ksamil të jetë larguar me të njëjtën makinë. Aty ekzekutori ka zbritur dhe ka ecur në këmbë ndërsa më pas ka përdorur një taksi. Sipas të dhënave të grupit hetimor ka dyshime se autori i vrasjes është larguar në Greqi ilegalisht përmes Qafë Botës.

Ndërsa pas arrestimit të Evis Mehmetaj, si person që ka dhënë ndihmë në ngjarje, duke pretenduar nga vetë ai se i ka dhënë makinën një miku, e cila më tej me targa të ndryshuar është përdorur në ngjarje. Makina e përdorur në krim, sipas Policisë i ishte blerë një gruaje nga Vlora nga Evis Mehmetaj. Nga ana tjetër, atij i është sekuestruar edhe telefoni. Përmes tij por edhe shumë provave të tjera, është arritur në përfundimin se urdhri për vrasjen e Renato Hoxhës është dhënë nga Dubai.

Më 23 maj 2025, tre persona u shpallën zyrtarisht në kërkim nga policia e Vlorës, për sa i përket vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxha. Të tre të dyshuari rezultoi se ishin larguar nga Shqipëria. Bëhet fjalë për një shtetas rumun, i cili dyshohet të ketë pasur rolin e ekzekutorit, si dhe dy shtetas shqiptarë, për të cilët ka dyshime të forta që kanë marrë pjesë dhe kanë organizuar vrasjen. Shtetasi rumun, dyshohet të jetë personi i maskuar që shfaqen në pamjet e kamerave të sigurisë, të sekuestruara nga Policia menjëherë pas ngjarjes. Ai është fiksuar edhe para ngjarjes, duke vëzhguar terrenin, por edhe pasi ka realizuar krimin dhe largohet nga vendngjarja.

Burime të Policisë thanë se është shpallur edhe Alesio Dobrozi, që sipas informacioneve rezulton se ndodhej në Dubai. Dobrozi po ashti njihet si miku i ngushtë i Roan Brahimit.

Të dy, Brahimi dhe Dobrozi u shpallën në kërkim fillimisht në vitin 2021, për një incident të rëndë që ndodhi në një lokal në Zejmen të Lezhës, më 13 nëntor të atij viti. Në lidhje me ngjarjen Policia e Lezhës arrestoi në atë kohë një 21-vjeçar pasi dyshohej se kishte bashkëpunuar i Ramazan Rrajës, Roan Brahimit dhe Alesio Dobrozit, të cilët u dyshuan si autorë të asaj ngjarjeje. Të armatosur dhe me maska, ata u futën në lokal për të gjetur kushëririn e pronarit të lokalit, me të cilin kishin konflikt. Në pranga ra Ardit Luli, i cili akuzohej se pas ngjarjes kishte fshehur tre autorët që të mos gjendeshin nga policia. Policia tha në atë kohë se tre të dyshuarit, ishin larguar jashtë vendit, në drejtim të Dubait. Tashmë, vetëm një prej tyre ndodhet në qeli, Ramazan Rraja. Roan Brahimi u vra në Greqi në maj të vitit 2024, ndërsa Alesio Dobrozi aktualisht është shpallur në kërkim për vrasjen në Vlorë.

Nga ana tjetër, Dobrozi ka qenë një ndër ata që ishte shpallur në kërkim policor edhe për vrasjen e Brilant Martinajt, si person që mund të kishte dijeni për krimin.

Bashkë me Dobrozin dhe shtetasin rumun, që dyshohet të ketë pasur rolin e ekzekutorit, në kërkim rezulton edhe një tjetër shtetas shqiptar, që po ashtu ndodhet jashtë vendit.

Një 29-vjeçar u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në Durrës në orët e vona të 19 majit 2025. Viktima, Ermir Dedja, nga Shijaku, i veshur me një kostum sportiv, po lëvizte në këmbë duke iu afruar një lokali, kur ndaj tij u qëllua disa herë pas shpine.

Ngjarja ndodhi shumë pranë qendrës shëndetësore, kur atentatorë që e prisnin brenda një makine të bardhë tip “Seat”, nisën breshëritë e kallashnikovit në drejtim të tij. I riu u dërgua me shenja jete në Spitalin e Durrësit, por aty dha frymën e fundit, duke mos arritur të mbijetojë. Në atentat dyshohet se morën pjesë të paktën 3 persona. Krismat tmerruan kalimtarët që në atë moment po lëviznin në rrugë.

Policia mundi të sekuestrojë pamjet e disa prej kamerave të sigurisë në zonë, disa prej të cilave kanë fiksuar momentin kur makina e autorëve lëviz në krahun e kundërt dhe pak çaste më vonë dëgjohen të shtënat. Në pamjet filmike, që janë edhe me audio, dëgjohen krismat e kallashnikovit por edhe të bërtiturat e njerëzve, disa prej të cilëve nxitojnë të kthehen mbrapsht për t’u shpëtuar plumbave.

Grupi hetimor fillimisht nisi të gërmojë rreth të shkuarës së Ermir Dedjas, që kishte pasur disa precedentë penal, kryesisht për çështje droge dhe përkrahje të autorit të krimit.

Në vitin 2015, ai ishte arrestuar pasi i kishte lëndë narkotike një grupi që synonte ta trafikonte në Kosovës, përmes pikës kufitare të Morinës. Ndërsa dy vite më vonë ra sërish në pranga, i dyshuar për përkrahjen të autorit të krimit. Konkretisht, u akuzua se kishte ndihmuar autorin e një plagosje të ndodhur në Shijak, shtetasin Ismail Nuredin. Nga ana tjetër, grupi hetimor kishte të dhëna se ai kishte vepruar edhe si pjesë e grupit të Avdylajve në Shijak, pasi kishte miqësi me njërin prej tyre, Aldo Avdylajn. Ermir Dedja, kohët e fundit kishte jetuar në Gjermani, ku dyshohet se ishte i përfshirë në veprimtari kriminale.

Nga verifikimi i pamjeve filmike rezulton se autorët kanë mbikëqyrur zonën për orë me radhë dhe më pas i kanë zënë pritë në rrugicën ku ai lëvizte më shpesh. Pasi realizuan vrasjen, autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me automjetin “Seat”, që pak orë më vonë u gjet i djegur nga Policia e Vorës, në afërsi të fshatit Gërdec. Në makinë u gjet e djegur edhe një kallashnikov, që sipas Policisë është arma e përdorur në krim.

Policia e Durrësit, tri ditë pas ngjarjes, zbuloi se automjeti i përdorur në këtë atentat, ka hyrë në territorin shqiptar më datë 18 maj, pra një ditë para vrasjes. Makina është sjellë nga Porti i Durrësit nga një shtetas maroken, i cili është larguar nga Shqipëria ditën pas ngjarjes. Autoritetet shqiptare kanë shpallur në kërkim shtetasin maroken dhe kanë kërkuar ndihmën e partnerëve për të bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e tij. Po ashtu, në lidhje me këtë ngjarje është identifikuar edhe një person tjetër i dyshuar, shtetas shqiptar, i cili është shpallur në kërkim.

Si pistë kryesore e ngritur nga grupi hetimor është ajo e vrasjes me motive hakmarrje, por pa përjashtuar edhe pista të tjera hetimore.

Pas një paqeje 24-vjeçare, gjakmarrja u rikthye sërish në Lezhë më 19 prill të vitit 2023, kur u vra biznesmeni Ardian Nikulaj. Madje në formën e një grupi të strukturuar kriminal, nga shtetas të huaj që nuk ia kanë idenë kanunit e të drejtës zakonore. Në orën 13:30, Nikulaj ishte ulur i vetëm duke pirë kafe në lokalin e tij dhe po fliste në telefon. Aty është futur një person i veshur me jelek fosforeshent, skafandër në kokë, i ngjashëm me korrierët që shpërndajnë postën.

Ky person shtatlartë, që u arrestua pak kohë më vonë në Marok, portugezi Ruben Saraiva, i është afruar Nikulajt pa e hequr skafandrën. Më pas, ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe e ka qëlluar 6 herë. Madje duke iu afruar shumë pranë. Pasi është siguruar që e ka vrarë, duke qenë se e qëlloi edhe në kokë, ai nxiton të largohet drejt motorit që e kishte lënë afro 200 metra larg lokalit “Coral”.

Ngjarja u zbardh në kohë rekord dhe ishte vetë drejtori i përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, që në një konferencë për shtyp tha se vrasja kishte ndodhur për gjakmarrje dhe autorët ishin identifikuar.

Të dyshuar për këtë ngjarje janë: Ruben Saraiva, shtetas nga Portugalia, i dyshuar si ekzekutor, bashkëpunëtorët Harry Simson, Harriet Bridgeman, Thomas Mithan, dhe Steven Hunt të gjithë shtetas britanikë, si dhe Edmond Haxhia, shtetas shqiptaro- britanik, që sipas Policisë dyshohet të jetë porositës, financues e planifikues i vrasjes së Ardian Nikulajt. Edmond Haxhia, është djali i dajës së Elton dhe Klodian Lekstakajt, të cilët jetojnë në Angli. Ishin në gjak me Nikulajn.

Grupi hetimor është ndalur te fakti se Edmond Haxhia iku nga Shqipëria përmes Rinasit vetëm pasi u bind se vrasja është kryer. Haxhia kishte jetuar shumë kohë jashtë vendit dhe kur u kthye askush nuk e njihte. Ai kishte ikur në Angli që kur ishte14 vjeç dhe ndërkohë ishte kthyer në zonë me qëllimin për të orientuar grupin e të huajve që duhej të vrisnin për gjakmarrje Ardian Nikulajn.

Edmond Haxhia dhe tre shtetas të tjerë britanikë janë ndaluar në Angli. Ata janë në paraburgim në pritje të miratimit të kërkesës për ekstradim. Me përjashtim të Harriet Bridgeman, për të cilën Gjykata vendosi të hetohej në gjendje të lirë, duke qenë se ishte nënë e një vajze të mitur. Më 27 gusht 2024, Gjykata e ekstradimeve “City of Westminster Magistrate Court”, vendosi të ata të ekstradoheshin.

Në shkurt të vitit 2025 atyre u është refuzuar kërkesa për të apeluar vendimin e lejimit të ekstradimit në vendin tonë. Gjykata e Apelit në Londër nuk e pranoi kërkesën e apelimit të Edmond Haxhisë, Thomas Mithan, Harry Simpson, Harriet Bridgeman dhe Steven Hunt. Ndërkohë, Gjykata atje pranoi parashtrimet e Ministrisë së Drejtësisë shqiptarë, që argumentonte pse nuk duhej pranuar apelimi. Pesë të dyshuarit, shtetasi shqiptarë dhe 4 britanikët tentuan që të rrëzonin vendimin për ekstradim, por pa sukses.

Tashmë, gjithçka është në dorën e Interpolit, për të realizuar ekstradimin e tyre, në mënyrë që të përballen me akuzat në Gjykatën e Lezhës, ku tashmë ka nisur gjykimi për vrasësin portugez, Ruben Saraiva. Prokuroria e Lezhës akuzon Edmond Haxhinë se ishte truri organizativ i vrasjes së Ardian Nikulajt. Ndërsa katër britanikët kanë pasur rolin e vëzhguesve, duke i përcjellë informacione ekzekutorit Saraiva.

Sipas të dhënave të dosjes hetimore, Edmond Haxhia ka marrë një makinë me qira në Shkodër. Më 14 shkurt ai është parë në Aeroportin e Rinasit ku ka marrë shtetasin portugez. Nga Rinasi ka shkuar në Shkodër. Në muajin Mars, Edmond Haxhia ka marrë në në Aeroportin e Rinasit edhe shtetasit britanikë Harriet Bridgeman, Thomas Mithan dhe Steven Hunt.

Ndërsa personi tjetër, i dyshuar si i përfshirë në ngjarje, Harry Simson, ka mbërritur në Rinas më 11 mars dhe është larguar menjëherë pas vrasjes, po nga Rinasi, më 19 prill.

Në kohën që të gjithë këta persona janë bërë bashkë, kanë nisur planin dhe organizimin e ngjarjes. Fillimisht vëzhgimin e perimetrit rreth godinës në Shëngjin, që është hotel, restorant dhe bar, si dhe kanë monitoruar të gjitha lëvizjet e Ardian Nikulajt.

Këta persona kanë qëndruar dhe janë akomoduar në zona të ndryshme, përfshirë edhe hotelin në pronësi të Nikulajt. Portugezi ka furnizuar motorin e tij në një pikë karburanti në autostradën Lezhë-Shkodër. Kjo është zbuluar pas këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe policia ka shoqëruar e pyetur punonjësin e karburantit, i cili ka komunikuar me drejtuesin e motorit.

Nga verifikimi i pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj ka mbërritur pranë vendit të ngjarjes 8 orë para vrasjes. Gjatë kësaj kohe ai ka qëndruar në një pallat në ndërtim nga ku ka dalë vetëm pasi është njoftuar se ishin krijuar kushtet e përshtatshme për kryerjen e ekzekutimit në lokalin “Coral”. Pallati në ndërtim e sipër ku qëndroi i fshehur vrasësi është rreth 100-150 metra larg vendit ku ndodhi vrasja.

Autori i maskuar me jelek fosforeshent dhe skafandër dyshohet se u njoftua që objektivi i tij ishte i vetëm në tavolinë dhe kreu ekzekutimin. Skema e ngjarjes, që nga organizimi dhe deri të vrasja është zbardhur për grupin hetimor nga një grua që është kthyer në bashkëpunëtore.

Ka folur me prokurorin e çështjes dhe shefin e Krimit të Organizuar duke treguar të gjitha lëvizjet e shtetasit portugez. Ajo ka treguar se Ruben Saraiva ka tentuar disa herë që të ekzekutojë Ardian Nikulajn, por nuk ka arritur të kryejë vrasjen. Madje edhe në rastet e mëparshme ka udhëtuar me të njëjtin motor.

Gruaja që është kthyer në bashkëpunëtore, ka deklaruar se vrasësi ishte mësuar të fliste disa fjalë në gjuhën shqipe, në mënyrë që të mos kuptohej që ishte shtetas i huaj. Gjatë veprimeve hetimore janë gjetur prova që kanë shërbyer për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pas ngjarjes, shtetasi portugez dhe 2 nga ata britanikë Harriet Bridgeman dhe Steven Hunt, janë larguar nga Shqipëria nga Kapshtica në drejtim të Greqisë, duke lëvizur në këmbë. Të tre janë regjistruar në sistemin TIMS.

Vrasësi i huaj që u kontraktuar për të realizuar ekzekutimin e Ardian Nikulajt për gjakmarrje, u arrestua më 8 maj të vitit 2023 në Marok. Ruben Saraiva, në momentin që autoritetet policore marokene ndërhynë për ta arrestuar, ishte i vetëm në një lokal në Rabat. Portugezi nuk bëri rezistencë kur pa se ishte rrethuar dhe u prangos. Gjatë arrestimit Saraivës nuk iu gjetën dokumente me vete, por dyshimet e hetuesve shqiptar janë se ai kishte shkuar në Marok me dokumente false, pasi me emrin e tij nuk ka dalë në mënyrë të rregullt nga Greqia, vend që e përdori për t’u larguar përmes pikës kufitare të Kapshticës ditën që vrau Ardian Nikulajn. Saraiva u ekstradua nga Maroku ne Shqipëri më 31 dhjetor të vitit 2023.

Më 20 shkurt 2025, pas mbylljes së hetimeve dhe komunikimit të akuzës në fund të vitit 2024, dosja penale në ngarkim të portugezit Ruben Saraiva i marrë i pandehur, për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lezhës. Dosja është e veçuar nga pesë personat e tjerë, të cilët nuk janë ekstraduar ende nga Britania e Madhe. Çështja u shqyrtua nga gjyqtari Renis Sheshi. Ndaj 30-vjeçarit portugez prokuroria e Lezhës ka ngritur akuzat “Vrasja për gjakmarrje” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në mars, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes së nuk kishte prova, Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë dhe kaloi për gjykim Saraivën.

Devi Kasmi, personi që ishte një nga të dyshuarit për vrasjen e Franc Konomit, u ekzekutua në një atentat të mirëorganizuar mbrëmjen e datës 29 janar të vitit 2018, në Tiranë.

Policia e Tiranës gjeti rreth 2.8 kg kokainë dhe një armë zjarri në banesën e tij. Menjëherë pas ngjarjes Policia tha se vrasja e Kasmit dyshohej të ishte kryer për shkak të përfshirjes së tij në trafikun e kokainës në Spanjë, ku kishte jetuar disa vite. Devi Kasmi u qëllua për vdekje në momentin që doli nga pallati, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, në kryeqytet. Ekzekutimi i tij u lidh nga Policia e Tiranës me atentatin që ai i kishte bërë në Spanjë Domart Konjarit, në vitin 2010. Madje Konjari u shpall në kërkim në lidhje me vrasjen.

Por gjatë hetimeve rezultoi se atentati ndaj Devi Kasmit kishte qenë i mirëorganizuar nga një grup personash, me role të përcaktuara, ku rolin e ekzekutorit e kishte një ish-komando grek, Eftimio Eftimiu.

Në maj të vitit 2023, Gjykata e Posaçme shpalli fajtor dhe dënoi me burgim të përjetshëm Aurel Hoxhallarin, i akuzuar si organizator dhe porositës i vrasjes së Devi Kasmit. Për këtë vrasje është dënuar me burgim të përjetshëm edhe ish-komando grek, Eftimio Eftimiu. Gjithashtu togat e zeza të Apelit të GJKKO-së, dënuan me 33 vite burg të bashkëpandehurin tjetër Elton Halipajn, i cili dyshohet se është personi që i siguroi grekut mjetet për të kryer vrasjen. Prokuroria e Posaçme thotë se nga hetimet rezultoi se Hoxhallari ka kontaktuar ish-efektivin grek për të kryer atentatin, ndërsa përgatitja e ngjarjes ka marr disa muaj.

Eftimio Eftimiu bashkë me Elton Halipajn i kanë bërë prit Devi Kasmit, pranë banesës së tij dhe më pas u larguan me furgon të bardhë, i cili ishte çelësi i zbardhjes së ngjarjes. Pas gjetjes së furgonit, Policia gjeti në të gjurmë ADN-je të shtetasit grek dhe nëpërmjet një kontrate shitje u arrit të personi tjetër Elton Halipaj. Motivi i këtij krimi mbetet ende i pazbardhur nga policia ndërsa dyshohet se pas përplasjeve mes grupeve kriminale persona ende të paidentifikuar paguan për ekzekutimin e Kasmit duke kontraktuar ish-komandon grek.

Në kohën kur në Shqipëri vazhdonin hetimet lidhur me vrasjen e Devi Kasmit në kryeqytet, mediat greke nisën të publikojnë detaje për të dyshuarin kryesor, Eftimio Eftimiu, i cili ka shërbyer në vendin fqinj si efektiv i forcave speciale për dy dekada. Gazeta greke “To Vima”, shkruante se Eftimiu, i cili në kohën kur realizoi vrasjen ishte 43 vjeç, ka punuar dhe si roje në ambasadën shqiptare në Greqi. Gjithashtu ne shkrim thuhet se në të shkuarën ai është përfshirë në trafik ndërkombëtar të drogës.

I dyshuari si vrasës me pagesë jeton në një fshat malor të Artës dhe është përfshirë në një rast të trafikimit të 6 kg kokainë nga Kolumbia në Aeroportin e Frankfurtit në vitin 2009. Një rrjet i gjerë i trafikimit dhe shpërndarjes së drogës u zbulua në maj 2016 në rajonin e Artës. Eftimiu është akuzuar së bashku me 20 persona të tjerë, shumica shqiptarë, për përfshirje në trafik kokaine. “Themis” siç njihej ai në rrethin kriminal, u dënua me 4 vite burg për posedim droge. Megjithatë ishte lënë i lirë pasi një dëshmitar u shpreh se drogën e kishte për përdorim personal.

Në shkurt të vitit 2018, Drejtoria i Policisë së Tiranës, njoftoi se Policia në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë finalizuan me sukses goditjen e grupit të strukturuar kriminal “Enigma”, ku u arrestuan në flagrancë 4 persona. Të arrestuarit ishin: Elton Halipaj, 36 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë; Eftimio Eftimiu, 43 vjeç, lindur e banues Arta, Greqi; Malvin Dinellari, 30 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë; Elton Hoxhallari, 36 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi Aurel (Altin) Hoxhallari, 41 vjeç, lindur e banues Tiranë.

Ky operacion është rezultat i një pune profesionale të pandërprerë duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 29 janar 2018, ku në rrugën ‘Petro Çani’ u vra me armë zjarri shtetasi Devi Kasmi. Shtetasi i shpallur në kërkim, Aurel Hoxhallari, dyshohet si organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal. Elton Halipaj dyshohet se ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit. Shtetasi grek dyshohet në rolin e ekzekutorit të shtetasit Devi Kasmi, si vrasës me pagesë. Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen. Shtetasi Malvin Dinellari dyshohet se ka siguruar mjetet dhe ka përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes. Gjithashtu edhe Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpunëtor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastrukturës për realizimin e vrasjes.

Gjatë këtij operacioni forca të shumta të Policisë së Tiranës kanë ushtruar kontrolle në disa banesa të autorëve të dyshuar, si dhe në një vilë të ndodhur në periferi të Tiranës, në fshatin Mëzez, në pronësi të organizatorit të këtij grupi, e cila shërbente si bazë e grupit. Si rezultat i kontrolleve të kryera në këtë vilë është gjetur një arsenal armësh, municionesh, eksplozivësh, raketa hedhës, armë të precizionit të lartë, minë me telekomandë, dylbi, radio ndërlidhje (si ato të policisë), të cilat funksiononin në grup, maska, veshje kamuflazhi, etj. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti, i cili dyshohet se është përdorur në kryerjen e vrasjes. Gjithashtu edhe 2 pistoleta, njëra prej tyre e dyshuar si arma e krimit, 4 armë automatike, 2 snajper, 4 pushkë automatike, 1 armë antitank me 2 predha, 1 bombë me telekomandim në distancë, sasi e konsiderueshme lënde eksplozive C4 dhe tritol, 4 radio marrëse, një dron, 2 maska dhe 110 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa.

Më 4 dhjetor të vitit 2024 Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me burg përjetë për shtetasin grek Eftimio Eftimiu. Ish-komando grek kishte dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë pasi në mars të vitit 2021, Apeli i Gjykatës së Posaçme e shpalli fajtor për vrasjen e Devi Kasmit dhe e dënoi me burgim të përjertshëm.

Më 27 maj të vitit 2015, tre persona mbetën të vrarë gjatë një përplasje me armë zjarri që ndodhi shumë afër qendrës së Tiranës. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:20, në Bulevardin “Zogu i Parë”, në hapësirën mes maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Viktimat ishin shtetasit, Mentor Lufi, 39 vjeç, shoku i tij, Gerti Goxhaj, 33 vjeç dhe Besnik Sulku, 34 vjeç, i cili ishte njëri prej atentatorëve. Burimet thanë në atë kohë se objekti i këtij atentati ishte shtetasi Mentor Lufi. Policia ndaloi 3 persona, dy nipat e Lufit, Markelian dhe Klevis Doçi, që dyshohet se janë kundërpërgjigjur me armë pasi është qëlluar xhaxhai i tyre dhe shtetasi italian Salvatore Lettizia, i konsideruar si vrasës me pagesë, i cili shoqërohej me atentatorin Besnik Sulku, i cili po ashtu mbeti i vrarë.

Sipas veprimeve të para që grupi hetimor ka kryer në vendin e ngjarjes, rezultoi se dy grupe personash, me precedentë të mëparshëm penal kanë pasur shkëmbim zjarri mes njëri-tjetrit. Mentor Lufi së bashku Gerti Goxhaj kanë qenë të ulur në një kafe pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Jashtë lokalit kanë qenë duke pritur dy nipat e Mentor Lufit, Markelian dhe Klevis Doçi, brenda një makine tip “Tuareg” që qëndronte e parkuar. Pasi kanë dalë nga kafja, Mentor Lufi ka hipur në mjetin tip “BMW” me targa AA 001 IK si pasagjer dhe drejtues mjeti ka qenë Gerti Goxhaj. Ndërkohë pas tyre vinte mjeti tip “Touareg” me targa AA 097 KE, me të cilin udhëtonin dy nipat e Lufit. Në momentin kur mjeti tip “BMW” ka filluar lëvizjen, në këmbë kanë qenë dy shtetas, të cilët kanë hapur zjarr duke qëlluar me pistoleta në drejtim të dy shtetasve që udhëtonin në këtë makinë. Burimet zyrtare të Policisë thanë se në këtë kohë janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dy nipat e Mentor Lufit, duke goditur me mjet një nga autorët e dyshuar, shtetasin italian Salvatore Lettizia e më pas edhe Besnik Sulkun, i cili hapi zjarr i pari ndaj xhaxhait dhe mikut të tij.

Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda është arritur në përfundimin se ngjarja e ndodhur më 27 maj 2015 në Tiranë është vijim i një konflikti të nisur më parë po në kryeqytet, në dhjetor të vitit 2014 dhe që ka vazhduar në Holandë, në prill 2015 e më tej, është shoqëruar me ngjarjen për të cilën akuzohen tre të pandehurit.

Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria për Krime të Rënda i paraqet Gjykatës dinamikën e ngjarjes, e cila është rindërtuar në bashkëpunim edhe me autoritetet holandeze. Në dhjetor 2014, shtetasi Mentor Lufi (Doçi) plagoset me armë zjarri në zonën e ish-Stadiumit “Dinamo”, në Tiranë dhe autorët largohen. Shënjestra e atentatit, Lufi, ka dyshuar se sulmi ndaj tij është organizuar nga vëllezërit Durim dhe Besnik Sulku. Ndërmjet Mentor Lufit dhe vëllezërve Sulku kishte nisur një konflikt në Holandë, ku ata udhëtonin dhe qëndronin shpesh.

Pas atentatit me pasojë plagosjen, Lufi organizon nipat e tij, Markeljan dhe Klevi Doçi, për t’u hakmarrë. Në Prill 2015, dy vëllezërit Doçi i bëjnë atentat me armë Durim Sulkut në qytetin Ridderkerk të Holandës. Nga veprimet hetimore të autoriteteve holandeze, rezulton se Durim Sulku gjendej në një automjet tip Smart, kur është qëlluar për vdekje disa herë me pistoletë nga Markeljan Doçi, i cili ishte i shoqëruar nga vëllai i tij, Klevi Doçi, gjithashtu i armatosur.

Pas atentatit në Holandë, vëllezërit Doçi rikthehen në Shqipëri, duke iu shmangur autoriteteve hollandeze. Pas thuajse dy muajsh nga vrasja në Hollandë, konkretisht pasditen e datës 27 Maj 2015, Mentor Lufi, dy nipat e tij Markeljan e Klevi Doçi, si edhe miku i tyre, Gerti Goxhaj, gjendeshin në një lokal pranë Fakultetit të Shkencave, në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë.

Sapo kanë hipur në automjete, në dy pjesët anësore të makinës së parë, janë afruar dy persona të armatosur, të cilët kanë qëlluar personat që gjendeshin në bordin e saj, konkretisht Mentor Lufin (Doçi) dhe Gert Goxhaj. Nga goditjet me armë ka vdekur në vend Goxhaj dhe është plagosur rëndë Lufi, i cili vdiq pak çaste më vonë. Në momentin e goditjes me armë, Markeljan Doçi afron me shpejtësi makinën drejt atentatorëve, duke përplasur fillimisht njërin prej tyre. Ky i fundit, i cili më pas rezultoi se ishte Besnik Sulku, ka qëlluar me pistoletë në drejtim të mjetit të dytë, por pa u shkaktuar dëme tek vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi. Të gjendur nën goditjen e armës tip pistoletë nga ana e Besnik Sulkut, Markeljani, gjithashtu i armatosur me pistoletë, ka reaguar duke qëlluar me armë. Markeljani dhe Sulku kanë vijuar të qëllojnë njëri-tjetrin, derisa Besnik Sulku ka mbetur i vdekur, pak metra larg nga automjetet.

Salvatore Letizia konsiderohet si kapoja i një prej klaneve mafioze të Camorra-s, që njihet me emrin Piccolo-Letizia. Gjithashtu ai është nipi i Armando Letizia, aktualisht 61 vjeç, i arrestuar me bujë në Napoli në vitin 2009, si një prej urdhëruesve kryesorë të vrasjeve për llogari të Kamorras dhe pjesë e një prej familjeve më të mëdha mafioze. Në vitin 2001, ditën e Shën Valentinit, ai është plagosur në këmbë, gjatë një shkëmbimi zjarri me automatik, ku mbeti i vrarë në derën e shtëpisë shoku i tij, Ferdinando Latino. Kjo ngjarje ndodhi gjatë një përleshjeje të armatosur mes dy klaneve të Kamorras, klanit Piccolo- Letizia dhe atij Belfiore. Policia italiane arrestoi për këtë ngjarje 10 persona, ndërsa Salvatore Letizia arriti t’u shpëtonte prangave. Por 6 vjet më vonë, nuk e pati këtë fat. Më 21 janar të vitit 2007, ai u arrestua në një zonë industriale të Napolit, bashkë me mikun e tij Giovanni Timbone, pasi u kapën me pistoleta që ua kishin fshirë numrat serialë. Ata u ndaluan nga grupi i Antimafias dhe në momentin e arrestimit Letizia mbante veshur një jelek antiplumb. Mediat italiane kanë shkruar disa herë rreth bëmave të tij, duke e konsideruar si një person mjaft të rrezikshëm, vrasës gjakftohtë dhe shumë të fuqishëm, i mbështetur nga klani kamorrist që ai drejtonte.

Megjithatë, atë që nuk arriti ta bënte drejtësia italiane e bëri drejtësia shqiptare, duke e mbyllur Lettizian në burg përjetë.

Kjo është një panorame vetëm e atyre krimeve që janë dokumentuar si të kryera nga vrasës të huaj me pagesë. Por të dhënat operative të Policisë flasim edhe për ngjarje të tjera, ende të pazbardhura, për të cilat ka dyshime që janë realizuar nga shtetas të huaj, por edhe nga Kosova.

Vitet e fundit, dëshmitë e disa bashkëpunëtorëve të drejtësisë, por edhe bisedat që dolën në skenë pas zbërthimit të platformave të enkriptuara Encrochat dhe SKY, treguan se autoritetet tashmë nuk kanë përballë vetëm disa kriminelë apo me grupe që veprojnë në mënyrë lokale, vetëm në Shqipëri apo zona të izoluara. Tashmë autoritetet ligjzbatuese po përballen me një krim të organizuar që lëviz në Europë, qarkullon sasi të konsiderueshme parash dhe përveç eksportimit të parave të krimit, po eksporton edhe kriminelë, vrasës profesionistë siç mendohet të ketë qenë Salvatore Letizzia apo Eftimio Eftimiu. Shumë vrasje që sot janë pa autor, ashtu sikurse është edhe ekzekutimi i bankierit Artan Santo, janë verifikuar edhe në këtë drejtim. Si krime të realizuara nga vrasës të huaj me pagesë.

Shqipëria është tashmë një vend shumë i ekspozuar ndaj fenomeneve më të sofistikuar të krimit të organizuar sidomos të atij italian, por jo vetëm. Kur grupeve kriminale u priten burimet, infrastruktura dhe e ndjejnë veten të ekspozuar përballë drejtësisë, edhe për shkak të shumë vrasësve shqiptarë që u kthyen në të penduar, për të realizuar qëllimet e tyre, synojnë vrasës që është më e vështirë të identifikohen, por edhe të kapen.

Megjithatë, siç e thamë edhe në fillim të këtij emisioni, koha ka treguar se në fakt asnjë krim nuk është i përsosur. Dikur do të gjendet me doemos një provë. Dikush, diku patjetër që mund të ketë parë e mund të dijë diçka.

Edhe vrasësi më profesionist e ka një pikë të dobët. Ndodh që edhe ai gabon.

Zbulohet skema mashtruese online, AKSK apel qytetarëve: Mos jepni të dhënat tuaja! Ja si duhet të mbroheni

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka identifikuar një skemë mashtrimi online që kishte si objektiv vjedhjen e të dhënave bankare të qytetarëve shqiptarë.

Mashtrimi kryhej përmes mesazheve telefonike ku, duke u shtirur si Posta Shqiptare, qytetarëve u dërgohej një njoftim për një “dërgesë” që nuk mund të dorëzohej pa përditësuar të dhënat personale.

Mesazhi përmbante një link të rremë, ku klikimi i tij çonte në një faqe që kërkonte të dhënat e kartës së kreditit, duke vënë në rrezik sigurinë financiare të përdoruesve.

Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të mos hapin linqe të dyshimta dhe të raportojnë çdo tentativë mashtrimi pranë strukturave të sigurisë kibernetike.

Njoftimi i AKSK:

KUJDES: Mos bini pre e mashtrimeve online!

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për të bllokuar një skemë mashtruese që synonte vjedhjen e të dhënave bankare përmes mesazheve të rreme në emër të Postës Shqiptare.

Domaini i rrezikshëm është raportuar dhe dërguar për bllokim te AKEP.

Kjo fushatë nuk ka lidhje me një aktor të sponsorizuar specifik, por është një tjetër përpjekje për të vjedhur të dhënat e kartave të kreditit, njësoj si rastet e mëparshme që janë hasur nga imitues të Postës Shqiptare.

Kujdes! Mos jepni në asnjë rast të dhënat tuaja bankare apo të kartës përmes formave të dyshimta!

AKSK vijon monitorimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet përgjegjëse për të parandaluar çdo përpjekje për mashtrim digjital.

Nuk ka dyshime, futbollisti 22-vjeçar zgjidhet lojtari më i mirë i finales së Ligës së Kombeve

Mbrëmje magjike për mbrojtësin Nuno Mendes, i cili ka fituar edhe trofeun e lojtarit më të mirë të finales së Ligës së Kombeve. 22-vjeçari i cili është pjesë e PSG-së, zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme, duke bërë diferencën në fushën e lojës.  

Mendes shënoi edhe golin e parë të portugalisë, teksa ishte protagonist me inkursionin e tij nga e majta, te goli i dytë i shënuar nga Kristiano Ronaldo. 

mendes

Mbrojtësi i majtë i Portugalisë, nuk u mjaftua me kaq, teksa ekzekutoi në mënyrë mjeshtërore edhe 11-metërshin. Një vlerësim mëse i merituar.