Antoine Griezmann te Real Madrid? Ndoshta është një sinjal që duhet marrë seriozisht. “L’Equipe” dy ditë më parë hodhi bombën e merkatos, duke zbuluar prapaskenën e klubit “Los Blancos”, që ka nisur të punojë pas kuintave për të rrëmbyer sulmuesin francez nga rivalët e të njëjtit qytet. Ishte pikërisht Griezmann, që shënoi golin e barazimit në sfidën e “Santiago Bernabeut”, por shumë shpejt ai mund të festojë me fanellën “Los Blancos”, pasi ai mbetet në krye të listës së dëshirave të trajnerit Zidane dhe presidenti Perez, po bën gjithçka për ta transferuar në klubin e tij. Në një intervistë dhënë për mediat spanjolle, ai e lë të hapur mundësinë për një transferim të mundshëm te Reali i Madridit. “Nuk përjashtoj asnjë mundësi edhe pse momentalisht jam shumë i limtur te Atletico”.
Një përgjigje që nuk i kënaq aspak tifozët e skuadrës “Los Colchoneros” që do të merrnin një goditje të rëndë në rast se bisedimet finalizohen me sukses. “Nuk mund të them po ose jo, sepse do ta fusja veten në telashe. Në futboll nuk i dihet asnjëherë çfarë do të ndodhë dhe nuk e di nëse është i mundur një transferim nga Atletico tek Real Madrid. Një gjë të tillë e kanë bërë vetëm pak lojtarë në të shkuarën”, shton sulmuesi. Një deklaratë që synon të testojë terrenin, sepse prapa kuintave klubet po punojnë për të arritur një marrëveshje, duke parë edhe dëshirën e lojtarit. Në këtë rast, Atletico e pafuqishme për ta mbajtur lojtarin kërkon të përfitojë sa më shumë për të mbushur arkën me paratë e kushërinjve të pasur. Fjalë për mbajnë të hapur spiralen dhe që mbushin me shpresë tifozët e Realit.
Griezmann: Unë te Reali? Ndoshta
Dzeko e Salah sulmi më i mirë i Seria A
Nëse Roma vazhdon ndjekjen nga Juventusi dhe matematika i lejon ende të shpresojë, kjo ecuri ka të bëjë shumë edhe me ecurinë e sulmit verdhekuq, e në veçanti të Muhamed Salah. Kjo për faktin se, nëse Edin Dzeko me 34 gola të shënuar këtë sezon, është vetëm dy gola larg rekordit të tij personal, egjiptiani po përjeton vitin e tij më të mirë të karrierës. Me golin ndaj Bolonjës që erdhi pikërisht me një asist nga boshnjaku, Salah, ka arritur kuotën e 15 golave dhe jo vetëm, pasi ka dhënë edhe 11 asiste.
Roma është skuadra më e mirë e fazës së dytë në Serinë A, ku ka grumbulluar 30 pikë, një më tepër se Juventusi dhe madje ka edhe sulmin më të mirë për sa i përket dysheve titullare. Dzeko dhe Salah formojnë një çift me rendimet jashtëzakonisht të mirë, të dy së bashku kanë shënuar 49 gola, duke dhënë 21 asiste. Në kampionat askush nuk është si ata, pasi kanë shënuar në total 35 gola, ndërkohë që Dybala dhe Higuain, dyshja e Juventusit kanë shënuar 29 gola, Mertens dhe Insigne te Napoli kanë shënuar 32 gola. Nëse Dzeko dhe Salah nuk ndalen, Roma mund të ketë ende ndonjë shans për të ëndërruar një përmbysje të pabesueshme ndaj Juventusit në fundin e sezonit.
Sadiku, sërish protagonist te Lugano
Armando Sadiku nuk di të ndalet, sulmuesi i Kombëtares Shqiptare shënoi sërish për Luganon në fitoren 4-2 ndaj Sion në javën e 27 të Superligës Zvicerane, ku protagonist i padiskutueshëm ishte dhe Ezgjan Alioski, i cili shënoi 3 gola. Shqiptaro-maqedonasi, i cili e nisi në sulm bashkë me Sadikun, shënoi 2 herë nga pika e bardhë e 11 metërshit, ndërsa në rastin e golit të dytë u shërbye pikërisht nga Sadiku që shpërtheu në të djathtë për t’i dhënë një asist perfekt. Gjithsesi Sion pas avantazhit 3-0 të skuadrës së Tramezzanit ishte duke rihapur lojën me shënimin e dy golave, dhe pikërisht kur ndeshja mund të merrte një drejtim të rrezikshëm, ishte Sadiku, ai që vulosi shifrat me një gol vërtet të bukur për nga estetika e finalizimit. Stopim perfekt dhe goditje fluturimthi me të majtën për golin e 4-2 që çon Luganon në vendin e 5 të klasifikimit, me formacionin e Tramezzanit, që tani mund të synojë Europën falë një faze të dytë vërtet të mirë, ku ka qenë thelbësor kontributi i Sadikut që ka shënuar 6 gola në 8 ndeshje në të cilat është aktivizuar, rendimet fantastik ky për sulmuesin që synon që në verë të bëjë hopin e madh të karrierës në nivel klubesh.
Shqiptarët në formacionin e javës
Shqiptarët kanë qenë protagonistët kryesorë të kësaj jave në kampionatin zviceran të futbollit dhe këtë e tregon më së miri fakti se tre prej tyre janë rreshtuar në formacionin ideal të ndeshjeve të fundit. Nuk mund të mungonte Armando Sadiku, i cili e ka bërë rrugë tashmë praninë në formacionin më të mirë, meqë shënon me një rregullsi të admirueshme (6 gola në 8 ndeshje). “Partneri ideal i Alioskit në sulm. Jo plotësisht në formën më të mirë fizike dhe gjithsesi vendimtar, me asistin te goli i dytë i Alioskit dhe golin e shkëlqyer të 4-2”, shpjegon e përditshmja “Blick”.
Sigurisht që aty ishte edhe shqiptari që luan për Maqedoninë, Alioski, me tre golat e tij dhe asistin për golin e Sadikut. Një sinjal i qartë se po kthehet edhe ai në formën më të mirë, pasi kishte shënuar vetëm 1 herë në 11 ndeshjet e mëparshme në kampionat.
Emri i tretë është ai i Benjamin Kolollit, i cili po shkëlqen me fanellën e Lozanës. Mbrojtësi i Kosovës cilësohet si një nga futbollistët më me perspektivë në kampionatin zviceran të futbollit dhe tregoi talentin e tij me një supergol në fundjavë. Ndërkaq, kishte një shqiptar edhe mes zhgënjimeve të javës. Bëhet fjalë për sulmuesin e Vaduzit, Albion Avdiaj, i cili pas disa paraqitjeve shumë pozitive, zhgënjeu në humbjen ndaj Lucernës, duke shpërdoruar një mundësi të pastër para portës.
Këshilltari i Trump: Ne jemi me protestën

Kryetari Lulzim Basha pasdite të djelën priti në Sheshin e Lirisë, Bob McEwen, një nga figurat qendrore të Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtar i Kongresit Amerikan për 25 vite dhe president i Këshillit për Politikat Kombëtare. McEwen, një ndër pesë këshilltarët për politikat e jashtme gjatë fushatës së Presidentit amerikan, Donald Trump, ka vizituar Shqipërinë në vitin 1991, kur shoqëronte Sekretarin e Shtetit të kohës, James Baker në vizitën e tij zyrtare.
Mik i shqiptarëve që ndihmoi në anëtarësimin në NATO, Bob McEwen tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin një Shqipëri të lirë dhe të begatë.
“Ka vetëm dy mënyra ku mbështetet për një qeveri. Njëra është tek sundimi i armëve dhe tjetra është tek besimi dhe ndërgjegja e qytetarëve. Kur një shtet mbështetet tek armët dhe përdorimi i forcës, ai vend jeton në varfëri. Kjo ishte pjesa dërrmuese e historisë së Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore. Më pas, erdhi revolucioni i besimit tek njerëzit. Dhe përparimi që kemi parë ndër vite është rezultat i saj. Kjo duhet të ruhet, të mirëmbahet”.
McEwen theksoi se Shqipëria gjatë viteve të demokracisë arriti të zinte vendin e saj mes kombeve të lira, pikërisht prej lirisë.
“Pikërisht, sepse aleatët e NATO i besojnë Shqipërisë, ne jemi kaq të shqetësuar për atë çfarë po ndodh sot këtu. Administrata e re në SHBA dhe miqtë e Shqipërisë nëpër botë, qëndrojmë në krahun tuaj sot këtu. Çështja nuk është aspak e komplikuar. Ata, të cilët e duan Shqipërinë në shërbim të të gjithëve janë të bashkuar. Ka vetëm një kundërshtim. Ai lider, i cili refuzon të bashkohet me pjesën tjetër, nuk e vlerëson si duhet rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.
Në një apel të qartë drejtuar Edi Ramës ai shtoi: “Ne, jemi rreshtuar në krah të qytetarëve që besojnë në demokraci. Eshtë koha që ai të ulet në tavolinë, të bashkohet me pjesën tjetër dhe të besojë tek kjo Shqipëri e re. Shqipërisë që pjesa tjetër e botës e do dhe adhuron”, deklaroi McEwen.
Miku i nderuar amerikan shprehu respektin e thellë për atë çka qytetarët shqiptarë po bëjnë sot.
“Kur SHBA-të po luftonin për pavarësinë, kishin një aleat të vetëm në qeverinë e Britanisë së Madhe. Emri i tij ishte Edmund Burke dhe ai tha: Gjithë çka duhet, që një tirani të lulëzojë, është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë. Nëse ju nuk bëni qëndresë, kombi juaj do të jetë në rrezik. Ju po bëni atë çka duhet bërë. Fëmijët tuaj do të nderojnë atë që ju po bëni sot. Kombi juaj është në udhëkryq. Të shkojë pas në sundimin e forcës apo të bashkohet tek besimi i qytetarëve”.
Bob McEwen nuk ka asnjë dyshim se çfarë do të zgjedhin qytetarët shqiptarë sot.
“Ishte më e vështirë herën e parë. Por është e rëndësishme që të bëhet ashtu si duhet këtë herë. Të mbroni demokracinë. Miqtë e Shqipërisë anë e mbanë botës dhe në veçanti në NATO, ju besojnë. Ne i besojmë popullit. Dua t’ju siguroj se qytetarët e Shqipërisë do të jenë në lutjet e mia. Asgjë e madhe nuk është arritur pa sakrificë. Ju po e bëni qëndresën, bota po ju sheh dhe po brohoret për ju. Ju do të jeni të suksesshëm. Zoti ju bekoftë!”
Kreu demokrat Lulzim Basha tha se, kjo lëvizje e madhe popullore po marshon drejt fitores së sigurtë që do t’i japë qytetarëve shqiptarë zgjedhjet e lira dhe të ndershme të standardit europian, amerikan, demokratik.
“Shqiptarët e thjeshtë, të djathtë e të majtë janë të bashkuar në këtë shesh për të siguruar lirinë e tyre. Kjo betejë luftohet për Shqipërinë, për Europën dhe për Amerikën, për ato vlera euroatlantike që na bashkojnë”.
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, citoi Thomas Jefferson në Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Vargje që flasin për barazinë, lirinë dhe të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur si jetojnë. Eshtë pëlqimi dhe e drejta e qytetarëve për të diktuar rrugën që do të përshkojë vendi. Vetëm vota e lirë dhe e ndershme mund të çojë një vend përpara.
Dybala: Mos më krahasoni me Mesin
Nuk i pëlqejnë krahasimet me Lionel Mesin, sidomos në këtë moment kur do të jetë kundërshtar me bashkëkombasin e tij në çerekfinale të Championsit. Paulo Dybala dëshiron të jetë Paulo Dybala, duke larguar presionin që vjen nga vënia në peshore me sulmuesin e Barcelonës. “E admiroj Lionel Mesin, sepse ka fituar disa Champions, ndërsa unë ende ëndërroj për të parin. I kuptoj krahasimet që më bëhen me të, por unë nuk dua të jem Mesi i ri apo Mesi i ardhshëm. Si Mesi apo Maradona nuk mund të ketë të tjerë, ai nuk më është shprehur kurrë se jam trashëgimtari i tij. Ai nuk flet shumë dhe ne nuk është se kemi patur marrëdhënie shumë të ngushta”, u shpreh Dybala.
Dybala ndalet më pas te marrëdhëniet me Allegrin dhe bashkëpunimin me Gonzalo Higuain. “Ndonjëherë Allegri më thotë të shkoj deri afër Buffonit për të nisur aksionin. Ndihem mirë sepse më ka dhënë liri veprimi nga e majta në të djathtë. Është ajo që dua më shumë të bëj. Nuk është e lehtë të luash larg portës, sepse mua më pëlqen shumë të shënoj, por ndihem shumë mirë edhe kur udhëheq lojën. Më duket se me Gonzalon luaj prej 5 vitesh. Në çdo seancë stërvitore mundohemi ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin. Me Higuainin në krah është e lehtë të japësh asiste për gol”, tha ai.
Për të ardhmen edhe vetë 23-vjeçari është i paqartë, pasi zërat e lidhin me klube të mëdha si Barcelona apo Real Madrid. “Nuk e di, mund të ndodhin shumë gjëra. Ndihem mirë në një ambient ku të gjithë më duan. Duhet të rritem më shumë për të luajtur me Barçën apo Realin, kampionët e mëdhenj janë të tjerë. Nuk mjaftojnë vetëm fjalët që të ndihem futbollist i madh”, përfundoi Dybala.
Turpërohet Interi
Shpresat e Interit për të luftuar për Europën kanë marrë një goditje shumë të rëndë dje, pasi skuadra e Stefano Piolit është mundur në mënyrë të papritur me rezultatin 2-1 nga Krotone. Skuadra që lufton për mbijetesë në elitën e futbollit italian dhe që aktualisht gjendet në zonën e ftohtë të klasifikimit, ka shfrytëzuar pasaktësitë e njëpasnjëshme të zikaltërve në fillimin e ndeshjes duke i ndëshkuar dy herë brenda pak minutash. Falçineli ishte autor i të dy golave, fillimisht me penallti e më pas falë një pasigurie të mbrojtjes zikaltër që i hapi rrugën sulmuesit drejt portës.
Interi rrezikoi disa herë të pësonte edhe golin e tretë në pjesën e parë, por shfaqi një lojë krejtësisht ndryshe në pjesën e dytë, pasi Pioli aktivizoi Eder dhe Palacio. Zikaltërit shkurtuan diferencën me D’Ambrosion dhe pastaj iu afruan shumë rrjetës me disa mundësi të mira shënimi, mes të cilave edhe një shtyllë të Eder. Por Krotone i rezistoi deri në fund vrullit të Interit duke arritur të marrë një fitore historike, e cila e ndihmon gjithashtu në luftën për mbijetesë.
Roma hedh pas menjëherë atë eliminim në Kupën e Italisë nga rivalët e Lazios, duke u rikthyer te fitorja në kampionat. Një 3-0 ndaj Bolonjës që i mban verdhekuqtë në ndjekje të Juventusit, 6 pikë ndaj bardhezinjve. Vendimtare për Romën forma e mirë e Fazio dhe Mohamed Salah, autorët e dy golave të parë, ndërsa rezultati 3-0 u vulos nga i zakonshmi Edin Dzeko.
Një javë para derbit ndryshojnë vend në renditje rivalët milanezë. Kuqezinjtë e Milan parakalojnë Interin falë një fitorje 4-0 ndaj Palermos, në një ndeshje që karikon me optimizëm ambientin kuqezi. Milani shënoi pas vetëm 6 minutave me Suson, dyfishoi pastaj në të 19 me Pasalic dhe shkoi në dhomat e zhveshjes në avantazhin e 3 golave falë një finalizimi në minutën e 37 nga Carlos Baka. Në të dytën edhe një tjetër nga Delofeu që sigloi të katërtin me një të djathtë fluturimthi dhe Milanin që ngjitet në vendin e 6-të.
Super Napoli fiton duelin e drejtpërdrejtë me Lazion për një vend në Champions, një 3-0 ndaj kryeqytetasve që blindon vendin e tretë duke mbajtur 7 pikë Lazion. Në këtë mënyrë Hysaj fiton derbin e shqiptarëve me Strakoshën me të dy futbollistët e kombëtares që ishin titullarë. Napoli në avantazh që në minutën e 25 me Callejon që çoi topin lehtësisht në rrjetë pas goditjes së Hamsik. Napoli ishte superior dhe gjeti golin e dyfishimit në pjesën e dytë, me Insignen që mposhti për herë të dytë Strakoshën. Goli i 13 në kampionat për Insigne që thyen rekordin e tij personal në një sezon të serisë A e madje shënoi edhe në 14 në minutat e fundit duke kompletuar dygolëshin e tij personal për të vulosur rezultatin.
Manchester United rikthehet te fitorja në Premier League
Manchester United fiton 0-3 me Sunderlandin në “Stadium of Light” dhe i bën presionin rivalëve të City-t për vendin e katërt në Premier League. “Djajtë e Kuq” kanë katër pikë më pak se Citizens, por një ndeshje më shumë për të zhvilluar. Skuadra e Jose Mourinhos e zgjidhi ndeshjen që në pjesën e parë, kur fillimisht realizoi Zlatan Ibrahimoviç, me një goditje të saktë nga jashtë zonës.
Largimi i Larsson në fund të pjesës së parë me karton të kuq, ua bëri më të thjeshtë fitoren “Djajve të Kuq” që realizon edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë. Mkhitarian në një pozicion të prirët e detyroi portierin Pickford ta nxirrte për herë të dytë topin nga rrjeta. Për të ardhur më pas te goli i Rashford një minutë para përfundimit të kohës së rregullt, i shërbyer nga Ibrahimoviç. Nga ndeshja në ndeshje veniten shpresat e Sunderlandit për qëndrimin në Premier League, ndonëse matematika ende e mban në lojë.
Ndërkohë, Paris Saint Germmainn mposhti 4-0 Guingamp në “Parc de Prince” për të rivendosur diferencën prej tri pikësh me Monacon kryesuese, që një ditë më parë triumfoi 0-1 në fushën e Angers. Parisienët vuajtën shumë derisa gjetën golin, por më pas dominuan lehtësisht ndaj një kundërshtari ndjeshëm më inferior në cilësi.
Feyenoord ngec me Zwollen, PSV fiton dhe i afrohet
Feyenoordi i Roterdami barazoi 2-2 në fushën e Zwolles në javën e 30 të Eredivizies duke lëshuar më shumë terren ndaj Ajaksit në garën për titullin kampion. Tashmë diferenca mes skuadrës së Giovvani van Bronghorst dhe “harkëtarëve” është ngushtuar në vetëm një pikë, diferencë kjo e papërfillshme kur kanë mbetur edhe 6 javë deri në fund të sezonit.
Zwolle realizoi dy gola të njëpasnjëshëm brenda 13 minutave lojë. Mening përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit për finalizimin që zhbllokoi takimin, ndërsa Van Polen i shërbyer nga Holla i çoi shifrat në 2-0.
Feyenoordi u zgjua në minutën e 26-të me Berghiues që shpërtheu nga e djathta drejt qendrës duke realizuar një gol të bukur prirët me portën. Në një rast të ngjashëm i njëjti futbollist ktheu baraspeshën në rezultat në minutën e 54-rt, por vetëm kaq, pasi Feyenoordi nuk mundi të shënonte një tjetër gol që do të mund t’i siguronte fitoren. PSV Eindhoveni shkatërroi 5-0 Willem II në “Philips Stadion” dhe e sheh kreun vetëm 5 pikë larg. Pas shumë përpjekjesh të dështuara, formacioni i Philip Cocu arriti të shënonte në shtesën e pjesës së parë me Isimat-Mirin.
Kaq mjaftoi që Eindhoveni të shpërthente me goleadë në fraksionin e dytë, teksa realizuan Van Ginkel dy herë, Pereiro dhe Guardado, për ta mbyllur po me Van Ginkel në minutën e 86.
Tjetër fitore për Valencian, mposht edhe Granadan
3 fitore radhazi për Valencian në La Liga. Skuadra e trajnerit Voro, triumfoi edhe në transfertën andaluziane përballë Granadës me shifrat 1-3, duke ngjitur në kuotën e 39 pikëve dhe duke siguruar përfundimisht mbijetesën. Në stadiumin “Los Carmenes” gjithçka rezultoi e thjeshtë për Valencian që u vu në vështirësi nga Granada vetëm në 15 minutat e para. Pavarësisht mungesave të lojtarëve të tillë si Gaya, Nani, Rodrigo dhe kapitenit Enzo Perez, Los Che zgjidhën gjithçka falë një dygolëshi të shpejtë të Simone Zazas. Në harkun e 3 minutave nga e 19-ta në të 21-tën ish-sulmuesi i Juventusit dhe West Ham, ndëshkoi dy herë portierin meksikan të vendasve Ochoa duke i çuar shifrat në 0-2.
Në pjesën e parë Valencias iu anulua edhe një tjetër gol për pozicion jashtë loje, ndërkohë që miqtë vulosën suksesin me golin e tretë që u realizua nga talenti Santi Mina në minutën e 55-të. Finalizimi i Ponces në të 65-tën i vleu thjesht për statistika Granadës që nga java në javë është gjithnjë e më pranë rrëzimit në Segunda Division.

















