14.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Nëntor, 2025

Mesi me “listë të zezë”

Humbja me Malagën ka kthyer tensionin në radhët e Barcelonës ku tani duket se ekziston një problem që e ka emrin Lionel Mesi. Sipas mediave spanjolle, ky i fundit ka identifikuar lojtarët, të cilët sipas tij nuk janë në lartësinë e Barcelonës ndaj kërkon mosaktivizimin apo largimin e tyre.
Sipas mediave në Spanjë, Mesi pas ndeshjes i ka kërkuar llogari Luis Enrikes se pse aktivizoi në duelin ndaj Malagës futbollistët Andre Gomes, Zheremi Matië dhe Denis Suarez. Ndërkaq, mendohet se ai ka bërë të qartë se në sezonin e ardhshëm nuk do të dëshironte si shokë skuadre Arda Turan, Zheremi Matië, Andre Gomes, Lukas Dinje dhe Pako Alkaser.
Por çështja nuk mbyllet këtu, pasi Mesi ka dhënë edhe mendimin e tij se kush duhet të jenë objektivat e klubit në verë. Bernardo Silva dhe Kilian Mbape të Monakos, Hektor Bejerin i Arsenalit, Vinicius Zhunior dhe Ousman Dembele të Borusia Dortmund janë futbollistët që ai do të dëshironte të shihte si shokë skuadre në “Kamp Nou”.

Denoncimi i mësuesit: Nikolla po kthen klasat e shkollave në zyra të PS

Fushata elektorale ka filluar me vrull dhe ministra e deputetë socialistë kanë dalë nëpër fshatra që t’i mbushin mendjen shqiptarëve se në 4 vite kanë punuar. Në terren ka dalë edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila ka në patronazh të saj, zonën Lezhë-Mirditë. Dhe për këtë arsye, bashkë me deputetin Pjerin Ndreu i zhvillojnë takimet nëpër klasat e shkollave. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Sali Berisha me anë të një mesazhi të shoqëruar me foto në faqen e tij në Facebook. “Në Banditistan, Madam Vila dhe Pjerin Ndreu bëjnë fushatë elektorale në shkolla!. Z. Doktor, mirëdita. Jam mësues në Lezhë, po të dërgoj një foto të ditës së fundit ku Lindita Nikolla dhe Pjerin Ndreu lëre që kanë shkel ligjin dhe kanë filluar fushatën elektorale para fillimit zyrtar, por përsëri duke shkelur ligjin bëjnë fushatë në institucione publike në shkolla dhe kjo është për të qeshur e për të qarë se nuk u shkon kush mbrapa … Po shëtisin katund më katund nëpër Lezhë me të njëjtët fytyra nga shkolla në shkollë. Respekt për ty dhe më fal shumë për shqetësimin dhe anonim të lutem se me këta belaja të gjen nga s’e pret”, thuhet në denoncimin e publikuar nga Berisha.

Menaxhimi i plazheve, situata nuk ka ndryshuar, ngërç standardizimi

Situata e bregdetit shqiptar mbetet e njëjtë pa asnjë ndryshim në raport me vitin e kaluar duke shfaqur ngërçin e menaxhimit problematik. Është ky konstatimi  i kreut të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare dhënë në një intervistë për mediat. “Nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh nga viti i kaluar, për arsye se ende nuk po finalizohet një model i qartë i administrimit të vijës bregdetare, pra të plazheve. Ne si institucion kemi kërkuar disa herë në prezantimet tona një model të ri, risi, të bazuar tek eksperienca pozitive e fqinjëve tanë, veçanërisht Malit të Zi, i cili është më mirë se ne në administrim. Kjo konsiston në një administrim vertikal, ku planifikimi, standardizimi, çertifikimi dhe mbledhja e të ardhurave të bëhet nga një institucion i caktuar, si institucioni jonë, nën varësinë e MZHETTS”, tha Tare. Lidhur me sektorin e turizmit në tërësi, Tare vlerëson se ka ecuri pozitive sepse këtë e tregojnë shifrat, por sërish Shqipëria s’ka arritur të krijojë diçka që ta identifikojë. “Mendimi im në 20 vjet që merrem me turizëm është që Shqipëria ende nuk ka mundur të krijojë një produkt, i cili është unik për Shqipërinë. Pra, një vend ku ti shkon sepse do që të ndjesh pjesën shqiptare”, tha kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare.

Kompanitë e huaja transferuan 200 milionë euro nga Shqipëria

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Kompanitë e huaja transferuan mbi 200 milionë euro fitime nga Shqipëria gjatë vitit të kaluar. Shifra, e cila është thuajse sa 2 për qind e prodhimit kombëtar u bë publike nga Banka e Shqipërisë. Në bilancin e pagesave, BSH raportoi se vetëm në tremujorin e fundit të vitit, kompanitë e huaja që kanë aktivitet në Shqipëri transferuan mbi 68 milionë euro fitime në vendet e tyre. Sipas analizës së bankës, nga këto 31 milionë euro janë në formën e pagesave të dividendëve dhe të fitimit të ri investuar, ndërsa 37 milionë euro në formën e pagesave të interesave. Edhe pse ekonomia shqiptare është në vështirësi kompanitë e huaja ia kanë dalë të ruajnë fitime të larta, të cilat më vonë i transferojnë në vendet e tyre të origjinës kryesisht në formën e dividentëve. Përjashto vitin 2013, kur kriza arriti kulmin e saj, kompanitë e huaja kanë transferuar sistematikisht mbi 200 milionë euro fitime në vit nga Shqipëria. Historikisht kompanitë e huaja me fitimet më të larta në vend kanë qenë bankat dhe kompanitë celulare. Megjithatë vitet e fundit këto dy segmente kanë regjistruar rënie të fitimeve dhe janë zëvendësuar nga kompanitë në sektorë të tjerë, veçanërisht ato që gëzojnë kontrata koncesionare dhe licenca ekskluzive monopol. Në shumë raste këto koncesione zotërohen nga kompani të huaja dhe gjenerojnë fitime marramendëse, deri në 50 për qind.

Paratë e humbura në gjyqe

Largimet nga puna në administratën publike kanë çuar qindra ankime në gjykata kundër shtetit shqiptar. Këto konflikte bashkë me të tjera që individë dhe biznese kanë pasur me shtetin kanë çuar një faturë për të shlyer nga buxheti në vitin 2016 në mbi 8 miliardë lekë, vlerë kjo e barabartë me 58 milionë euro. Shifra është bërë publike nga Avokatura e Shtetit në kuadër të një analize që ka zhvilluar për aktivitetin e vitit 2016. Mirëpo avokati nuk e ka zbardhur vlerën e detyrimeve që vijnë nga çështjet ndërkombëtare qoftë të humbura apo të fituara. Sipas të dhënave zyrtare nga Avokati i Shtetit, vlera totale e çështjeve që janë diskutuar në gjykime brenda vendit në vitin 2016 është afërsisht 120 miliardë lekë ose afërsisht 1 miliard $ amerikanë nga të cilat 93% janë fituar nga shteti shqiptar në gjyqe të përfaqësuara nga avokatët e shtetit në gjykatat kombëtare. Mirëpo e keqja është se çështjet e pafituara ndonëse janë vetëm 7% e totalit, kanë një vlerë prej 8 miliardë lekësh, që qeveria shqiptare duhet të shlyejë ndaj palëve të treta nga taksat e shqiptarëve. Teksa vlerat e detyrimeve për gjykatat ndërkombëtare mungojnë, ish-pronarët që u janë drejtuar atyre kanë lajmëruar se, zhvillimet janë në favor të tyre. Ky vit, nëse përfundon siç ka nisur, do të jetë një katastrofë për financat kombëtare. Myrshit Vorpsi, nga Shoqata Pronësi me Drejtësi pohoi se, qeveria shqiptare rrezikon të paguajë një faturë të kripur për kompensimin e 82 dosjeve për kompensim prone në Gjykatën e Strasburgut, pohoi se Gjykata e të Drejtave të Njeriut nuk ka pranuar kërkesën e qeverisë shqiptare për të kompensuar dosjet në proces në bazë të zërit kadastral 1944, ku toka truall kompensohet si tokë bujqësore.

Gjysma e familjeve shpenzojnë mbi 10% të të ardhurave për energji

Banka Botërore ka publikuar raportin periodik mbi energjinë e qëndrueshme që shërben si një kornizë globale për sektorin. Ky raport publikohet çdo dy vjet dhe është një bashkëpunim i Bankës Botërore me institucione mjaft të rëndësishme, si: Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (PNUD), Organizata Botërore e Shëndetësisë, Këshilli Botëror i Energjisë, etj. Në këtë raport të gjerë merret në analizë edhe Shqipëria. 46% e familjeve shqiptare shpenzojnë më shumë se 10% të të ardhurave të tyre për energji, thuhet në këtë raport. Pavarësisht se vlerësohet të jetë një ndër vendet që ka bërë progresin më të madh në drejtim të asaj që konsiderohet gatim i pastër, pra që procesi kryhet nëpërmjet burimeve të rinovueshme, Shqipëria është në vendin e katërt nga fundi në Europë. Vetëm 67.1% e popullsisë shqiptare ka akses në gatim të pastër, ndërkohë që për pjesën dërrmuese të vendeve europiane norma fiksohet në 100%. Ky është ndër objektivat kyç të kësaj kornize. Më keq se vendi ynë janë vetëm Bosnje-Hercegovina, Maqedonia dhe Gjeorgjia. Me një normë në 38.7%, Shqipëria vlerësohet si një ndër vendet që ka normën më të lartë të energjisë së rinovueshme në raport me totalin e energjisë së prodhuar në rang kontinenti.

Shqiptarët po fitojnë më pak

Ndonëse treguesit e punësimit raportohen të kenë shënuar përmirësim të ndjeshëm muajt e fundit në sektorin privat, kjo nuk është reflektuar në paratë që mbledh buxheti nga tatimi mbi të ardhurat personale. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, zëri i tatimit mbi të ardhurat personale solli 5.4 miliardë lekë në buxhet për periudhën janar-shkurt 2017, me një rënie prej 5.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe në raport me planin e parashikuar kur u hartua buxheti (që u la pothuajse i njëjtë me faktin e 2016-s), të ardhurat nga ky zë janë 6.1% apo 354 milionë lekë më pak. Situata është e ndryshme nga viti i kaluar, ku në janar-shkurt 2016, të ardhurat nga TAP u rritën me 44%. Për gjithë vitin 2016, të ardhurat nga TAP u rritën me gati 6%, për të arritur në 31.5 miliardë lekë. Sipas të dhënave të detajuara nga Tatimet, për vitin 2016, peshën kryesore në mbledhjen e TAP e zënë të ardhurat nga tatimi mbi pagën në sektorin privat, me 35% të totalit, më pas renditen pagat në sektorin shtetëror, me gati 20%, tatimi mbi të ardhurat e tjera në burim, me rreth 15%; nga qiratë rreth 12%; nga interesat rreth 9% e të tjera. Kontabilistët shpjegojnë se aktualisht ka një diferencë të madhe mes taksimit të individëve me paga të larta dhe bizneseve të vogla, çka po nxit një skemë të shmangies ndaj taksave, teksa individë me paga të larta po regjistrohen si persona fizikë (biznes i vogël) dhe faturojnë kompanitë që ata punojnë, në mënyrë që të shmangin tatimin mbi të ardhurat personale, që për pagat e larta arrin deri në 23%. Për pagat, që prej vitit 2014, taksimi (Tatimi mbi të Ardhurat Personale-TAP) është progresiv. Nga zero deri në 30 mijë lekë, TAP është zero, nga 30,001 deri në 130 mijë lekë është 13% e shumës mbi 30 mijë lekë dhe nga 130 001 lekë e më lart është 23% e shumës mbi 130 mijë lekë. Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurave nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel. Në të kundërt, bizneset e vogla janë pothuajse të përjashtuara nga taksat. Që nga fundi i vitit 2015, për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë, tatimi është zero, ndërsa bizneset me xhiro nga 5-8 milionë lekë, tatimi i thjeshtuar është 5%. Mbi 8 milionë lekë, bizneset kategorizohen si i madh dhe paguajnë 15% tatimfitimi. Pikërisht këto shtigje ligjore po i nxisin individët me paga të larta të gjejnë strehim si biznes i vogël.

Degët bankare u pakësuan edhe gjatë vitit 2016

Vitin e kaluar, bankat vijuan uljen e numrit të degëve dhe agjencive. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i degëve bankare në fund të vitit 2016 zbriti në 503, nga 518 që kishte qenë një vit më parë. Në vitet e fundit, bankat janë përballur me shpenzime të larta dhe rënie të përfitueshmërisë, sidomos për shkak të nivelit të lartë të kredive me probleme. Kjo ka bërë që ato të shtrëngojnë politikat e zgjerimit të rrjeteve, madje të mbyllin një pjesë të mirë të degëve jo eficente. Që nga viti 2012, numri i degëve dhe agjencive bankare është ulur me 53 njësi. Përveç nevojës për të ulur shpenzimet, tkurrja e rrjetit të degëve do të jetë edhe një domosdoshmëri në modelin e biznesit në afatin e gjatë, duke pasur parasysh rolin në rritje të teknologjisë në shoqëri dhe ekonomi. Zgjerimi i shërbimeve në distancë përmes internetit dhe telefonave të lëvizshëm do ta ulë domosdoshmërinë e një pranie të zgjeruar fizike të degëve bankare. Sidoqoftë, Shqipëria është ende larg masivizimit të shërbimeve bankare në distancë dhe krahasuar me vendet e tjera, ka një depërtim të ulët të njësive bankare. Sipas Bankës Botërore, në vitin 2015, Shqipëria kishte 21.9 degë bankare për 100 mijë banorë, duke mbajtur vendin e parafundit në rajon, para Kosovës. Vendet e tjera kanë një përqendrim të degëve bankare në intervalin mes 25 dhe 30 degë për 100 mijë banorë, me përjashtim të Malit të Zi, ku dendësia e njësive bankare është shumë më e lartë, me 43 për 100 mijë banorë.

Tatimet: Tarifat për studentët u rritën me 246% më 2016

Rritja e tarifave për të studiuar në universitetet publike ka ngjallur jo pak pakënaqësi ndërmjet grupeve të interesit dhe shoqërisë në përgjithësi, teksa kanë më shumë ndjeshmëri në aksesin në arsimin publik. Shifrat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve tregojnë se të ardhurat nga tarifa e regjistrimit në arsimin e lartë gjatë vitit të kaluar arritën në 8 milionë euro (1,079,850,000 lekë), ndërsa më 2015, të ardhurat nga kjo tarifë ishin vetëm 311 milionë lekë ose 2,2 milionë euro.
Madje arkëtimet në këtë drejtim kanë qenë shumë më të larta se pritshmëritë pasi, plani i të ardhurave nga kjo tarifë ishte 380 milionë lekë më 2016, teksa u grumbulluan gati tre herë më shumë. Por të ardhurat nga tarifa e regjistrimit në arsimin e lartë, janë vetëm një nga të katër zërat e tarifave që vilen aktualisht.
Sipas ligjit të ri për arsimin e lartë që u miratua në vitin 2015 numërohen katër tarifa që vilen ndaj studentëve që ndjekin arsimin e lartë. Ato janë: 1- “Tarifa e aplikimit” është vlera monetare që paguan studenti për aplikim në një program studimi. 2- “Tarifa e konkurrimit” është vlera monetare që paguan studenti për të konkurruar pranë institucionit të arsimit të lartë për të fituar në një program studimi, në ato raste kur institucioni parashikon zhvillimin e konkursit. 3- “Tarifa e regjistrimit” është vlera monetare që paguan studenti për t’u regjistruar në një program studimi. 4- “Tarifa e shkollimit” është vlera monetare që paguan studenti për ndjekjen e një programi studimi pranë një institucioni të arsimit të lartë. Këto tarifa përcaktohen nëpërmjet vendimit të Këshillit të Ministrave dhe udhëzimeve të posaçme.