13.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Nëntor, 2025

Konservatorët Europianë: Zgjedhjet me qeveri teknike

Drejtues të lartë të Aleancës Konservatore Europiane, parlamentarë britanikë, si dhe nga vende të tjera të BE iu bashkuan mbrëmjen e djeshme qëndresës opozitare në sheshin e lirisë. Ata ndodhen në Tiranë në kuadër të zhvillimit të Samitit të Lirisë, temë e lidhur me ndikimin e diktaturës në vendet që e kanë përjetuar atë. Në fjalën e tij, presidenti i Konservatorëve Europianë, Jan Zahradil shprehu mbështetjen e fuqishme ndaj kauzës së opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duke bërë një paralelizëm mes vendit të tij Çekisë dhe Shqipërisë si dy vende që kanë vuajtur regjimin diktatorial, Zahradil tha se e vetmja rrugë për të tejkaluar trashëgiminë komuniste janë zgjedhjet e lira. “Sot jemi këtu nga shumë vende të Europës, një delegacion europian, nga Anglia, Polonia, Estonia, edhe Islanda madje, mos të harroj edhe Armeninë. Unë vetë vij nga Republika Çeke dhe ka diçka të përbashkët, vendi im dhe vendi juaj, dhe çfarë është e përbashkëta, është e shkuara jonë e trishtë komuniste, të cilën ne po përpiqeni ta luftojmë. Si mund ta tejkalojmë ne këtë trashëgimi? Ka vetëm një rrugë, përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Ne e dimë sa e rëndësishme është, që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin lirshëm, nëse ju pengojnë të zgjidhni lirshëm atëherë nuk ka aspak demokraci”, tha Presidenti i Konservatorëve Europianë. Ai deklaroi se populli shqiptar ka mbështetjen e Konservatorëve Europianë në këtë lëvizje. “Ndaj dhe jemi këtu, për t’iu mbështetur në luftën dhe në kërkesën tuaj që qeveria të dëgjojë për të organizuar zgjedhje të lira për të gjithë shqiptarët, në mënyrë që demokracia të triumfojë. Ne do t’iu mbështesim. Është lufta juaj, por ne jemi këtu t’iu mbështesim plotësisht, ju mund të mbështeteni tek ne. Ju keni këtu politikanë të besueshëm dhe me eksperiencë, të cilët janë demokratë të vërtetë. Mbështetini ata, votoni për ata dhe ju duhet të jeni të sigurtë se demokracia do të jetë më e fortë, më transparente, më njerëzore, më e vërtetë”, u shpreh Zahradil. Nga ana e tij, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vlerësoi mbështetjen e Konservatorëve Europianë, ndërsa theksoi se sot kauza e shtetit të lirë po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje për krijimin e qeverisë teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Kam nderin e madh të falënderoj me mirënjohje të ftuarit tanë të veçantë, drejtuesit politikë të partive konservatore europiane që ndodhen sonte bashkë me ne dhe në mbështetjen tuaj dhe kauzës sonë të madhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ata vijnë nga vende djep të demokracisë si Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe vende që vuajtën bashkë me Shqipërinë shkatërrimin, diktaturën, terrorin komunist, por që ia kanë dalë të ngrihen e të qëndrojnë fuqishëm vetëm falë lirisë dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Si anëtare e Partisë Popullore Europiane, PD është jashtëzakonisht e nderuar dhe e privilegjuar që ashtu siç ka në krah të saj Partinë Republikane dhe zotin Fatmir Mediu të ketë sot në krah Aleancën e Konservatorëve dhe Reformistëve Europianë, partinë historike të lirisë, Partinë Konservatore të Britanisë dhe parti të tjera që kanë bërë historinë e lirisë europiane dhe Europës së lirë”, tha Basha.

Parlamentari britanik: Shqipëria, në një moment historik kthese

Anëtari i njohur Parlamentit britanik, Jeffrey Clifton Brown e cilësoi kauzën e opozitës dhe popullit shqiptar si një moment historik kthese për Shqipërinë, moment i cili do të kurorëzohet me garancinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Parlamentari britanik shprehu mbështetjen e fuqishme të Anglisë ndaj qëndresës opozitare, duke ftuar gjithë qytetarët të vijojnë qëndresën deri të fitoren e saj. “Unë vij nga Parlamenti anglez, një nga demokracitë më të vjetra në botë, nuk ndodhi aksidentalisht, ndodhi sepse të parët tanë luftuan për të. Sot ne jemi këtu të mbështesim Bashën dhe zotin Mediu. Ne kemi qëndruar gjithmonë, Anglia gjithmonë ka qëndruar në krah të individëve të forcave që luftojë për lirinë dhe sot qëndrojmë edhe për Shqipërinë. Unë e ndjej që ne sot jemi këtu në një moment historik kthese për Shqipërinë. Miqtë e mi vazhdoni luftoni dhe ju do të keni zgjedhje të lira dhe të ndershme. Liria juaj do të vijë dhe ju do të bëheni vend modern europian”, u shpreh parlamentari britanik.

Hannan: Me Bashën fitorja është e qytetarëve

Një nga njerëzit më të rëndësishëm në politikën europiane e britanike në Partinë Konservatore, një nga emrat më me autoritet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Daniel Hannan përshëndeti qëndresën e opozitës nga sheshi i lirisë, ndërsa kërkoi vijimin e qëndresës duke u bërë thirrje të rinjve të jenë pjesë aktive e kësaj lëvizjeje. Hannan shprehu bindjen se sot shqiptarët gjejnë shpresën për të ardhmen e tyre tek lidershipi i Bashës. “Miqtë e mi, burimi më i rëndësishëm i shqiptarëve është kurajoja e qytetarëve të saj, kurajo juaj. Baballarët tuaj luftuan për pavarësinë nga lindja apo edhe nga perëndimi. Ata luftuan të rrëzonin një nga diktaturat më të egra në Europë dhe sot i takon gjeneratës suaj për të hequr e larguar krimet e fundit të komunizmit. Nuk ka forcë në politikë më të fuqishme se sa ëndrra e lirisë. Ju keni tek zoti Mediu e Basha liderë integriteti dhe kurajoje. Unë nuk kam dyshim që ata do t’iu drejtojnë ju drejt një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm e monitoruar nga një trup i pavarur, nga një qeveri teknike. Dhe me këtë lidership të ndershëm miqtë e mi fitorja do të jetë e juaja!”, u shpreh Hannan.

Arben Shahini

Khan Sheikhun, qyteti fantazmë

Khan Sheikhun është një qytet fantazmë, rrugët janë të shkretuara dhe të heshtura sikur të ishin duke mbajtur zi për viktimat dhe mizoritë që ndodhën vetëm pak ditë më parë. I vetmi kujtim nga ajo që ndodhi është një krater i zi në pjesën veriore të qytetit ku u lëshua raketa e mbushur me agjentin nervor që vrau mbi 70 persona në një nga sulmet kimike me më shumë të vdekur dhe të plagosur gjatë gjashtë viteve të fundit në Siri. E vetmja gjë që ka mbetur nga provinca Islib nën kontrollin e rebelëve është era kundërmuese që të shpon hundët dhe copa të vogla ngjyrë jeshile të raketës. Shtëpitë përreth janë zbrazur dhe të pabanueshme.
Simptomat e viktimave janë ato të gazit sarin, agjentit nervor që u lëshua kundër zonës nën kontrollin e opozitës afër Damaskusit në vitin 2013, ku mbetën të vrarë mbi 1 mijë persona. Pas sulmit, qeveria pretendoi se e kishte dorëzuar arsenalin e armëve kimike. Moska, mbështetësja kryesore e Bashar al-Assadit në luftë, tha se qeveria siriane kishte goditur centralin ku prodhohet gaz helmues nga rebelët në Khan Sheikhun dhe kishte pasur rrjedhje gazi si pasojë e goditjes.
“The Guardian” ishte media e parë perëndimore që vizitoi vendin e sulmit dhe ekzaminuan depon dhe kapanonet ku ishte lëshuar raketa dhe nuk gjeti asgjë, përveç një hapësire të braktisur të mbuluar me pluhur dhe kapanonë gjysmë të shkatërruar të mbushura me grurë të kalbur dhe mbetje kafshësh.
Rezidentët thanë se kapanonet ishin dëmtuar nga sulmet ajrore gjashtë muaj më parë dhe që atëherë nuk janë përdorur më. “Mund t’i shihni vetë. Këtu nuk ka asgjë përveç grurit të kalbur dhe mbetjeve të kafshëve të ngordhura, pasi edhe ato janë mbytur nga sulmi kimik”, tha një person në vendngjarje. Rezidentët janë përgjigjur me mosbesim për pretendimet e Rusisë.
Nuk ka asnjë provë të ndonjë ndërtese të goditur gjatë ditëve të fundit ose javëve të fundit dhe njerëzit e vrarë e të plagosur janë pasojë e sulmit kimik. Shtëpitë e zonës ishin të padëmtuara nga jashtë. Nuk kishte asnjë zonë të kontaminuar afër ndërtesës, sepse kontaminimi buronte nga një vrimë e hapur në rrugë.
“The Guardian” intervistoi dëshmitarë, ndihmësit e parë, të afërmit e viktimave dhe të plagosurit në përpjekje për të rindërtuar ngjarjen dhe sulmin. Ata ofruan detaje të qarta që hedhin dritë mbi një incident që ka shtyrë të gjithë botën të dënojë ashpër brutalitetin e luftës në Siri. “M’u duk sikur erdhi Dita e Gjykimit”, thotë Hamid Khutainy, një vullnetar i mbrojtjes civile në Khan Sheikhun.
Dëshmitarët thanë se sulmet ajrore nisën pas orës 6:30 të mëngjesit ditën e martë, me katër bombardime në qytet. Në fillim ata menduan se ishte një tjetër sulm i tmerrshëm ajror, derisa panë që ndihmësit e parë në terren filluan të rrëzoheshin në tokë. Khutainy tha: “Ata na bënë thirrje se po humbisnin kontrollin. Nuk ia kishim idenë se çfarë po përpiqeshin të thoshin derisa dëgjuam thirrjet: Ejani na merrni, nuk ecim dot më! Kështu, ekipi i dytë dhe i tretë u drejtua në vendngjarje me maska të thjeshta fytyre. Era kundërmuese ndihej 500 metra larg”.
Njerëzit përshkruajtën me lot në sy skenar horror në vendin e sulmit. Të plagosurit dridheshin nga konvulsionet në tokë, u dilte shkumë nga goja, buzët ishin mavijosur dhe humbnin ndjenjat herë pas here. “Gjeta fëmijë të shtrirë në tokë teksa lëshonin frymën e fundit me buzët e mavijosura”, thotë Abu al-Baraa, i cili jeton afër zonës së sulmit dhe vrapoi menjëherë për të ndihmuar kur arriti të kuptonte se çfarë kishte ndodhur vërtet.
Teksa qëndronte në anën tjetër të rrugës me kraterin e raketës në mes ai shtoi: “Kishte njerëz në çati dhe bodrume. Njerëz të shtrirë nëpër rrugë. Kudo që hidhje sytë kishte njerëz të vdekur”. Pacientët e mbytur dhe ata që kishin vdekur u dërguan menjëherë në qendrën më të afërt të mbrojtjes civile dhe klinikën e ndërtuar buzë një shpati mali për t’i rezistuar sulmeve të shumta ajrore. Të vdekurit u shtrinë në një kapanon aty afër teksa punonjësit e emergjencës shpëlanin të plagosurit me ujë të rrjedhshëm dhe u jepnin atropinë, një ilaç që kuron agjentin nervor.
Por teksa punonjësit mjekësorë përpiqeshin të mbanin në kontroll krizën, tetë ose 10 sulme të tjera u drejtuan drejt klinikës mjekësore dhe qendrës së mbrojtjes civile. Kapanoni u shkatërrua duke rënë mbi të vdekurit dhe qendra u nxor jashtë shërbimi. “Ndoshta pilotët kishin dëgjuar mitin se mund të rikthehesh në jetë 48 orë pasi ke vdekur nga gazi sarin, kështu vendosën të sulmonin edhe një herë”, tha një zyrtar i grupit rebel Ahrar al-Sham, i cili ishte në vendngjarje. “Falënderoj Zotin që do të vijë Dita e Gjykimit edhe për ata”.
Banorët e zonës thanë se kishin parë avionët zbulues në ajër dhe kishin dyshuar se zona do të goditej përsëri atë ditë. Vendi u mbush me rrënoja. Brenda qendrës, mjetet spitalore, krevatet, instrumentet kirurgjikale dhe kutitë e ilaçeve janë mbuluar me pluhur ose janë thyer në tokë. Nuk kishte armë asgjëkundi dhe dhomat ishin në errësirë pasi ishte shkëputur energjia elektrike.
Në një varrezë aty afër, varret ishin ende të rinj nga funeralet e një dite më parë, dheu ishte ende i freskët. Në një cep ishin ngritur 18 varre me emrat e shkarravitur mbi gur. Brenda ndodheshin trupat e 20 njerëzve të vdekur, përfshirë edhe dy fëmijë të vegjël që ishin varrosur bashkë me nënat e tyre. Të gjithë ishin pjesëtarë të së njëjtës familje.
Abdulhamid al-Yousef, një nga të mbijetuarit e paktë të kësaj familjeje fatkeqe priste ngushëllimet në shtëpinë e tij në Sheikhun, një ditë pasi kishte varrosur gruan dhe binjakët e tij 9-muajsh, Ahmed dhe Aya, duke mbajtur me zor lotët. Yousef kishte vrapuar menjëherë për të ndihmuar viktimat e tjera të sulmit, por kur u kthye zbuloi se familja e tij kishte vdekur, bashkë me motrat, nipërit dhe mbesat.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Trump rikthen autoritetin amerikan

Robert Charles

Përdorimi i gazit sarin nga ana e qeverisë siriane këtë javë në zonën që ndodhet nën kontrollin e rebelëve, Khan Sheikhoun, qoftë i urdhëruar apo jo nga qeveria e Bashar al-Assadit, shënon një pikë kthese në politikën e jashtme dhe politikës së sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Presidenti Trump dënoi ashpër sulmin kimik duke theksuar se ka ndryshuar mendim për Assadin dhe ditën e enjte pasdite lëshoi 60 raketa në bazën ajorore Al-Sharyat në zonën e Homsit. Raportimet e fundit nga sulmi tregojnë për dëme të mëdha në bazën siriane.
Kjo përgjigje e vendosur kinetike ishte tepër e rëndësishme në shumë nivele. Kjo i thotë Assadit se loja me gazin sarin ka përfunduar. Kjo i thotë Koresë së Veriut të përmbahet sepse mund të jetë shteti tjetër në radhë. Kjo i tregon Rusisë, Kinës dhe kritikëve amerikanë se Obama ka ikur vërtet, se ditët e mosangazhimit kanë marrë fund dhe ditët e kundërpërgjigjes kinetike sapo kanë filluar. Amerika nuk do të rrijë më e ulur në heshtje.
Si ish-asistent i sekretarit të Shtetit dhe zyrtar i inteligjencës së marinës, e njoh vështirësinë e balancimit të kundërpërgjigjes kinetike dhe demokracisë dhe mundësinë e gabimeve të mëdha. Presidenti Trump arriti të gjejë balancën ideale. Ai e bëri të qartë kundërshtimin e tij ndaj përdorimit të gazit sarin, vendosi pritshmëri globale për ndryshimin e diplomacisë dhe kundërpërgjigjes dhe ofroi shpagimin që kishte premtuar, duke u zotuar se vazhdon të qëndrojë plotësisht i angazhuar.
Kjo nuk është një fitore aksidentale, është kritike. Kundërpërgjigjja e besueshme ndaj gazit sarin varej nga reagimi i fortë i Shteteve të Bashkuara, veçanërisht pas qëndrimit zhgënjyes të së shkuarës. Përdorimi i gazit sarin nga Assadi, agjenti nervor i shpikur nga nazistët në vitin 1939, përfaqëson një ndryshim rrënjësor diplomatik.
Trump e kuptoi menjëherë këtë. Agjentët nervorë janë ndaluar që pas Luftës së Parë Botërore, për shkak të efekteve të tmerrshme që sjellin. Fotografitë e publikuara nga Kombet e Bashkuara këtë javë, përfshirë ato të fëmijëve që vdesin nga gazi sarin konfirmuan horrorin që imagjinohej nga të gjithë. Presidenti Trump nuk hezitoi dhe i përçoi të gjithë botës një mesazh të qartë: “Mos kujtoni se po luaj blofin! Ja ku e keni një goditje që ta dëgjojë e gjithë bota – në fakt, 60 të tilla!”. Pritet që Kombet e Bashkuara të dënojnë sulmin kimik bashkë me një thirrje të unifikuar drejtuar Rusisë për të hequr dorë nga mbrojtja e Assadit.
Thënë kjo, sulmet amerikane kundër bazës ajrore siriane ishin pa dyshim të planifikuara mirë dhe proporcionale. Ato treguan se sa lehtë mund të arrijë Amerika, po të dojë, të pushtojë bazat ajrore ruse e siriane, përmes penetrimit të lehtë të hapësirës ajore siriane pa iu dridhur dora. Rusia nuk ka për ta harruar këtë!
Situata të sjell ndërmend sulmin e Reaganit kundër Libisë në vitin 1986 dhe të Izraelit kundër centralit bërthamor iraken në vitin 1981. Sulmi i Reaganit kundër Libisë më 1986-ën, Operacioni El Dorado, ishte një kundërpërgjigje kundër bombardimit të një diskoteke në Berlin nga Libia, presidenti nuk humbi aspak kohë dhe e goditi Muammar Qaddafin. Jo çuditërisht, Qaddafi nisi menjëherë reformat e brendshme, atë që u quajt si “revolucioni brenda revolucionit”. Reagani ndryshoi rregullat e lojës. Po kështu, sulmi i vitit 1981 kundër Irakut, Operacioni Opera, kishte për qëllim të arrinte efekte materiale dhe ia doli.
Çfarë presim më pas? Angazhim të vazhdueshëm dhe konstruktiv. Prioriteti kryesor është t’i japim fund përdorimit të gazit sarin përgjithmonë. Ky sulm mund të jetë i mjaftueshëm për t’ia arritur qëllimit, por mund edhe mos të jetë. Përgatituni për një tjetër! Nëse duhet një sulm tjetër, kësaj radhe do të godasë komandën, kontrollin, komunikimet, kompjuterët dhe inteligjencën siriane.
Kështu, sulmi tjetër kinetik mund të godasë Drejtorinë e Inteligjencës së Forcave Ajrore siriane ose Byronë Kombëtare të Sigurisë, dy institucione të përfshira në sulmet kimike të mëparshme. Ish-gjenerali sirian, Adnan Sillou, ka thënë dikur se: “Vetëm dy persona kanë autoritetin e nevojshëm për të urdhëruar sulme kimike përveç Assadit… kokat e këtyre dy institucioneve”. Një tjetër mundësi është të goditet njëri ose të dy, përmes një sulmi të fortë kibernetik.
Diplomatikisht, kundërpërgjigjja kinetike, strategjia e re amerikane dhe dënimi ndërkombëtar universal kundër Assadit duhet të përdoret për të bindur Rusinë të mos mbështesë më liderin sirian. Ky duhet të jetë prioriteti i sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson kur të vizitojë Moskën muajin e ardhshëm. Tani ai ka kapitalin e nevojshëm për të punuar.
Presidenti Trump po rivendos lidershipin moral të Amerikës, siç bëri dikur presidenti Reagan. Ky event nxori në pah kapacitetin e tij dhe të gjithë duhet të jemi të kënaqur për këtë. Ai e dëgjoi thirrjen, nuk hezitoi, nuk u mor me deklarata dhe nuk u kundërpërgjigj në Twitter.
Ai bëri atë që do të kishte bërë Ronald Reagan. I doli situatës përballë, i besoi diplomatëve të tij të lartë dhe liderëve ushtarakë për pritshmëritë globale dhe lëshoi një grusht në zemër. Mesazhi u dërgua. Të shpresojmë që ky mesazh të jetë dëgjuar pastër në krahun tjetër dhe shpejt do të kuptojmë nëse ka arritur deri në Moskë.
I duhet njohur meritë e jashtëzakonshme ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson dhe sekretarit të Mbrojtjes, Jim Mattis për gatishmërinë e tyre. Teksa diplomacia ngrihet në nivelet optimale, Amerika duhet t’i japë Rusisë të gjitha arsyet për t’u bashkuar me koalicionin ndërkombëtar për të përshpejtuar largimin e Assadit. Gazi sarin është i patolerueshëm, pikë. Kjo e bën Assadin të patolerueshëm gjithashtu.
E vetmja gjë që ka mbetur për t’u bërë është një fjalim i stilit të Reaganit nga Zyra Ovale ku shpjegohet se bota e civilizuar nuk do të tolerojë më përdorimin e gazit sarin dhe – në 100-vjetorin e hyrjes së Amerikës në Luftën e Parë Botërore – ky lloj nuk do të lejohet më kurrë. Amerika është ringritur si lider moral dhe duhet të ftojë edhe një herë botën t’i bashkohet.

Robert Charles është ish-asistent i sekretarit të Shtetit në administratën e presidentit George W. Bush. Ai ka shërbyer në administratën e Reganit dhe Bushit.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Amerika, një sistem i themeluar mbi liritë

Sharmi i politikës amerikane
Shtetet e Bashkuara janë sot superfuqia e vetme. Sharmi i tyre qëndron në fuqinë ekonomike, në pasurinë natyrore, në pasurinë materiale, në forcën ushtarake dhe në aftësinë novatore, kulturore e teknologjike që e kanë bërë djepin e shpikjeve më të rëndësishme të shekullit XX. Por më duket se ka një tërheqje akoma më të madhe që çlirohet nga institucionet dhe mekanizmat demokratike të saj që e bëjnë politikën amerikane më të admiruarën dhe më të imituarën, por edhe më të urryerën e më të përçmuarën. Veçantia e sistemit politiko–kushtetues amerikan na jepet në radhë të parë nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara e vitit 1787 që është akoma sot ligji themeltar i një kombi që numëronte në fillimet e tij 3 milionë banorë dhe që sot u afrohet 320 milionë qytetarëve me origjinë, kulturë, besim fetar, racë dhe etni shumë të ndryshme. Mrekullia e një vijueshmërie kushtetuese të paprecedent bashkekzistues me një ndryshim të thellë politik e social qëndron në karakterin e thjeshtë, por thelbësor, të projektit kushtetues që nuk pretendoi atëherë dhe nuk ka pretenduar kurrë më pas të përshkruajë se cila shoqëri dhe çfarë demokracie duhej të ishin të realizuara, por deshi vetëm të përcaktojë rregullat, të cilave duhej t’u përmbaheshin populli dhe shtetet e unionit. Parimet e vetme themelore janë ato si të thuash “filozofike” të pavdekësuara në preambul: “I konsiderojmë në mënyrë aksiomatike këto të vërteta: se të gjithë njerëzit u krijuan të barabartë; se nga Krijuesi i tyre janë pajisur me të drejta të caktuara të pamohueshme, midis të cilave janë jeta, liria dhe ndjekja e lumturisë. Se për t’i ruajtur të gjithë këto të drejta u krijuan midis njerëzve qeveri, që e nxjerrin pushtetin e tyre legjitim nga konsensusi i të qeverisurve dhe se çdo herë që një formë qeverie do të demonstrohet pengesë për arritjen e këtyre qëllimeve, populli do të ketë të drejtën që ta modifikojë apo abrogojë…”. Është Kushtetuta mbi 200-vjeçare e pandryshuar bashkë me sistemin politik fleksibël që ka realizuar atë kuadër stabiliteti dhe lirie që ka favorizuar zhvillimin ekonomik, social, civil të vendit. Urdhërimet e saj kanë emra të thjeshtë të bërë tashmë fjalor i përditshëm: federalizëm, presidencializëm, demokraci elektorale, ndarje e pushteteve, liri dhe të drejta individuale.
Federalizmi qe shpikja e vërtetë e shtatëqindës e një formë shteti në gjendje që t’u japë një unitet të fortë shteteve që kishin fituar pavarësinë nga kurora britanike, por që tentonin të frenonin shtytje centrifuge. Presidencializmi arriti që të farkëtojë një tip ekzekutivi njëherazi demokratik, si mishërim i sovranitetit popullor dhe në gjendje të sigurojë unitet, stabilitet dhe efikasitet. Demokracia federale, e themeluar mbi mekanizma automatikë votimi me afate fikse të pamundura nga çdo shtyrje dhe manipulim, siguroi ushtrimin efektiv të sovranitetit popullor në të gjitha postet lokale, shtetërore dhe federale. Ndarja dhe veçimi i pushteteve garantoi që çdo njeri që dispononte pushtet të mos abuzonte me të nga momenti që natyra njerëzore është e keqe dhe vetëm institutet dhe ligjet mund ta mbajnë nën fre. Së fundi, u përcaktua shenjtëria e lirisë dhe e të drejtave personale të sanksionuara, përveçse nga ligji natyror, nga karizma kushtetuese për të mbrojtur çdo individ nga arroganca e çdo pushteti. Është thënë se në fronin më të lartë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara janë ulur edhe personazhe me intelekt e moral të ulët dhe se, në periudha të caktuara politika amerikane ka qenë pre e njerëzve të paskrupuj të poseduar nga paranoja që shikonin kudo fantazmën e antiamerikanizmit. Është e vërtetë: por pavarësisht kësaj demokracia amerikane i ka duruar provës së kohës, nuk ka njohur përbindëshat e shekullit XX – nazizëm, komunizëm, fashizëm – dhe ka arritur gjithmonë të absorbojë rrjedhjet iliberale që lindnin nga gjiri i saj. Kjo është arsyeja për të cilën demokracia amerikane vazhdon të përfaqësojë një model regjimi liberaldemokratik, institucionet e së cilës kanë dhënë provë të mirë në kohë megjithëse është përballur me situata shumë të ndryshme. Në periudhën e parë të republikës, federalizmi i sapolindur siguroi unifikimin e vendit dhe atë të entiteteve shtetërore me fizionomi laramane. Sigurisht, në vitet ‘60 të 800, shpërthimi i Luftës Civile ku u ndeshën dy konceptime të kundërta të shtetit federal, por edhe pas konfliktit mizor, federata amerikane arriti të rikompozohet në një shtet të lehtë që favorizoi zhvillimin kapitalist, të cilit i detyrohet transformimi i Shteteve të Bashkuara në fuqinë më të madhe industriale të botës. E gjithë historia amerikane demonstron sesi kuadri politik dhe institucional amerikan ka qenë më i përshtatshmi për lulëzimin e vlerave të lirisë, demokracisë, drejtësisë dhe mobilitetit social, megjithëse në praninë e xhepave të mëdhenj të pabarazisë dhe të konflikteve tipike të modernizmit.

Federalizmi
Struktura federale e Shteteve të Bashkuara nuk doli nga një doktrinë politike: qe mekanizmi empirik për të bërë bashkë 13 shtete të reja (ish-koloni) që synonin të ruanin autonomi e identitet dhe njëkohësisht, të krijonin një qeveri qendrore në gjendje që të siguronte zhvillim ekonomik, paqe sociale dhe mbrojtje ushtarake. Kongresi me Dhomën e Përfaqësuesve të formuar në funksion proporcional të popullsisë dhe Senati me 2 përfaqësuesit e njëjtë për çdo shtet qe motori i krijesës së re institucionale. Krijimi gjenial u bë kështu prototipi i shtetit federal modern që mbështetet mbi dy rende të ndryshme qeverisëse jo të mbivendosur nga pikëpamja hierarkike që ushtrojnë pushtetin dhe autoritetin mbi të njëjtën popullsi dhe të njëjtin territor.
Dialektika federaliste midis Uashingtonit dhe shteteve ka qenë në qendër të politikës e të historisë së Shteteve të Bashkuara. Me kalimin e kohës, federalizmi është interpretuar ndryshe: në mënyrë “kompetitive” kur shikohet në Kushtetutë një kontratë midis shteteve të ndryshme sovrane, të cilëve u janë rezervuar të drejtat e kërkuara jospecifikisht qeverisë federale; në mënyrë “bashkëpunuese” kur konsiderohen shtetet më pak të rëndësishëm dhe Kushtetuta si një ujdi në të cilën theksohet fort qytetaria bashkëkohore si e kombit, ashtu edhe e shtetit. Tradicionalisht, federalizmi kompetitiv është shoqëruar me konservatorët dhe federalizmi bashkëpunues me progresistët, anipse sot dallimi nuk është më aq i dukshëm si dikur. Sferat e kompetencave të qeverisë federale dhe të qeverive shtetërore kanë ndryshuar rrënjësisht në kohë. Evolucioni ka ecur në kahjen e një ndryshimi progresiv të pushteteve federale, me rritjen e funksionit social publik të Welfare State dhe me zhvillimin e detyrave ushtarake e ndërkombëtare të Warfare State. Me zgjerimin e ndërhyrjeve të Uashingtonit është rritur vetë qeveria federale. Megjithatë, shteteve u mbetet ende një sferë e gjerë tagrash që burojnë nga vetëqeverisja lokale. Shtetet ruajnë kompetenca të plota legjislative mbi të drejtën civile, të drejtën penale, të drejtën tregtare dhe rregullimin e qeverive lokale, si dhe ushtrojnë pushtet mbi rendin publik, arsimin, shëndetësinë, të drejtën familjare me martesën dhe divorcin, pse jo dhe mbi vetë përkufizimin e krimeve si në rastin e dënimit me vdekje.

Presidenca
Shtetet e Bashkuara janë një republikë presidenciale. Presidenti ka pushtetet dhe i ushtron funksionet si të kreut të shtetit, ashtu edhe të kreut të qeverisë. Sipas nenit 2 të Kushtetutës, “Presidenti është i veshur me pushtet ekzekutiv”, zgjidhet drejtpërsëdrejti nga populli për jo më shumë se 2 mandate dhe se duhet të marrë kurrfarë miratimi nga Kongresi. Për 4 vjet qëndron në detyrë pa mundur që të hiqet, përveçse me impeachment. Është lideri i vetëm i zgjedhur kombëtarisht dhe për pasojë, mishëron dhe simbolizon unitetin e vendit, fuqinë dhe virtytet e tij. Nga 1790, në mënyrë të pandërprerë dhe pa përjashtim, çdo 4 vjet në datë fikse amerikanët kanë zgjedhur Presidentin e tyre. Demokracia amerikane karakterizohet për madhësinë e pushteteve të përqendruara në duart e kreut të ekzekutivit, të balancuara nga kontrollet e Kongresit dhe të Gjykatës Supreme.
Në kuadrin e pushtetit ekzekutiv, Presidenti mund të miratojë “Urdhra Ekzekutivë”, është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe mund të mobilizojë Gardën Federale. Midis pushteteve kushtetues gjyqësorë të tij është edhe emërimi i të gjithë gjykatësve federalë, para së gjithash anëtarët e Gjykatës Supreme dhe pushtetin e faljes për krimet penale. Edhe në fushën legjislative, Presidenti luan një rol të rëndësishëm për sa një pjesë e mirë e ligjeve të diskutuara në Kongres vjen nga Presidenti kur përdor në maksimum pushtetet e tij. Nëse Kongresi mund t’i bllokojë me veto projektligjet presidenciale, po ashtu Presidenti, në bazë të pushtetit të peshave dhe kundrapeshave, mund t’i vendosë veton çdo ligji të votuar nga Kongresi. Në planin politik, Presidenti është kreu i partisë së tij gjatë gjithë mandatit presidencial. Presidentit i bashkëngjitet një zëvendëspresident i zgjedhur bashkë, një kabinet i përbërë nga krerët e ministrive (aktualisht 14) dhe “agjencitë e pavarura”, që të gjitha bashkë përbëjnë administratën, funksionarët kryesorë të së cilës – rreth 3000 – emërohen nga kreu i ekzekutivit.
Karshi këtij realiteti të ri politiko–administrativ është zhvilluar një konflikt i hapur midis pikëpamjes së liberalëve, të cilët duan që organizmat administrativë t’i mbrojnë më shumë qytetarët nga praktikat jokorrekte dhe asaj që i akuzojnë për mungesë përgjegjësie, shpërdorim e keqpërdorim dhe dëshirojnë të bëhet një hap i fortë prapa. Por kritika më serioze drejtuar burokracisë është se ndodhet jashtë kontrollit popullor. Pavarësisht se Shtëpia e Bardhë, Kongresi, grupet e interesit dhe opinioni publik e kontrollojnë në thelb punën e saj, për shumë amerikanë burokracia aktuale është tejet e madhe, tejet e kushtueshme dhe tejet ndërhyrëse. Reduktimi i rrezes së saj të veprimit, një objektiv mbi të cilin janë çimentuar shumë teoricienë e politikanë që i kundërvihen Big Government, është gjithsesi e vështirë pasi sistemi politik amerikan bazohet mbi pluralizmin, filozofia e të cilit bën që të gjithë interesat të gjejnë një shumëfishtësi qendrash institucionale përfaqësimi.

Kongresi
Pushtetet legjislative i përkasin një Kongresi të përbërë nga Senati dhe nga Dhoma e Përfaqësuesve. Senatorë dhe kongresmenë zgjidhen me afat fiks dhe Presidenti nuk e ka pushtetin e shpërndarjes së tij. Sot senatorët janë 100 në përfaqësim të 50 shteteve dhe qëndrojnë në post 6 vjet. Kongresmenët janë 435 dhe qëndrojnë të gjithë në post 2 vjet. Është karakteristikë e parlamentarëve amerikanë lidhja e ngushtë me votuesit e kolegjeve të tyre. Në fakt, demokracia amerikane është kryesisht e mbështetur mbi momentin elektoral shumë më tepër sesa nga përkatësia partiake: raporti midis përfaqësuesit dhe të përfaqësuesit është i vazhdueshëm, i detyruar dhe i institucionalizuar. 3 pushtetet kryesore të Kongresit të listuara në Kushtetutë kanë të bëjnë me “shpatën”, “çantën” dhe “tregtinë ndërshtetërore”, por me kalimin e kohës janë copëtuar nga interpretimi i Gjykatës Supreme dhe i legjislacionit. Partia mazhorancë kontrollon punët e komisioneve (22 në Dhomë dhe 17 në Senat), duke emëruar kryesuesit që ushtrojnë influencë të madhe. Në të kaluarën, për kryesuesit vlente vjetërsia në post, por sot procedohet me caktime të mazhorancës. Përkatësia e të zgjedhurve në të dy partitë – demokrat apo republikan – ka rëndësi të paktë në mos për shpërndarjen e përgjegjësive në komisione. Etiketa partiake vlen shumë pak në Kongres, kohezioni politik nuk ekziston dhe është krejtësisht munguese disiplina në votime.
Dialektika Kongres–Presidencë është thelbësore në regjimin e ndarjes së pushtetit dhe të peshave e kundrapeshave. “Qeveria e përçarë” mund të funksionojë mirë, siç ndodh shpesh, edhe me Presidentin nga një parti dhe mazhorancën e Dhomave të partisë tjetër. Për 30 vjet, nga pasLufta e Dytë deri më 1974, Kongresi ka qenë në krizë, duke i pasur Presidenti të zgjeruara pushtetet e tij qysh nga New Deal. Franklin Delano Roosevelt arriti që të bëjë të miratohen të gjitha programet e tij edhe mjaft novatorë; Harry S. Truman e sfidoi hapur Kongresin kundër ligjit Taft-Harley që pengonte kontrollin e qeverisë ndaj kontratave kolektive; Dwight D. Eisenhower u kujdes pak për kundërshtimin e mazhorancës demokrate në Kongres, që në fakt nënshtroi John Fitzgerald Kennedy. Por pas vitit 1964, presidentët e errësuan krejtësisht Kongresin: me Lyndon Johnson, 80% e ligjeve vinte nga ekzekutivi dhe Richard Nixon deklaroi qartë se nuk do t’i zbatonte ligjet kur nuk përkonin me idetë e tij. Me aferën (1974) Kongresi krejtësisht i rinovuar arriti një shpagim dhe luajti një rol hegjemonist gjatë presidencave Gerald Ford e Jimmy Carter; por me Ronald Reagan, George Bush senior dhe me Bill Clinton sërish gjilpëra e peshores anoi nga ana presidenciale.

Gjykata Supreme
“Në Shtetet e Bashkuara rrallë ngrihet një çështje politike që herët apo vonë nuk shkon në një çështje juridike”, vëren Alexis de Tocqueville tek “Demokracia në Amerikë”. Vërejtja që mbetet aktuale nuk duhet interpretuar në kuptimin e nënshtrimit të pushtetit gjyqësor ndaj atij politik, por të influencës që Gjykata Supreme ushtron mbi evolucionin institucional dhe mbi linjat drejtuese politike të vendit. Pushteti gjyqësor federal i ndarë në 3 shkallë ka si majë Gjykatën Supreme. Kongresi ka pushtetin që të ngrejë apo abrogojë gjykatat federale dhe të përcaktojë numrin e gjykatësve federalë, por jo të abrogojë gjykatën. Të gjithë gjykatësit federalë emërohen nga Presidenti dhe konfirmohen nga Senati: Kushtetuta ruan pavarësinë e tyre duke përcaktuar se ata ruajnë zyrën e tyre deri kur nuk do të pësojnë impeachment.
Alexander Hamilton në vitin 1788 hartoi detyrat e gjykatës: “Detyra e gjykatës është që të deklarojë nul të gjitha ligjet kundër frymës së shprehur të Kushtetutës”. Vendimet nuk duhet të merren domosdoshmërisht me unanimitet: përveç palëve bëhen publikë emrat e gjykatësve që miratojnë dispozitivin përfundimtar, edhe pse nuk bien dakord për motivacionet (Concurring Opinion) dhe të atyre që nuk e miratojnë dispozitivin përfundimtar (Dissenting Opinion). Pesha politike e gjykatës buron nga Judicial Review, domethënë nga pushteti i kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve qofshin ato federalë apo shtetërorë, që mund të përmblidhet në 3 parime: a) pushteti i gjykatave federale për të invaliduar ligjet federale, shtetërore dhe lokale në qoftë se shkelin Kushtetutën; b) supremacia e ligjeve apo e traktateve federale kur hyjnë në konflikt me ligjet lokale dhe shtetërore; c) roli i Gjykatës Supreme si autoriteti i vetëm final në interpretimin e Kushtetutës.
Gjykata Supreme ka qenë instrumenti i ekspansionit të pushtetit federal, u ka imponuar kufizime shteteve, ka ndërhyrë thellësisht në çështjet ekonomike të vendit dhe ka rregulluar raportet sociale midis qytetarëve. Pas rizgjedhjes së parë të Roosevelt më 1937, qëndrimi i saj u bë më i hapur dhe liberal me miratimin e ligjeve të New Deal dhe qysh atëherë vendimet e rëndësishme, më shumë sesa ekonomia dhe pronësia, kanë pasur të bëjnë me çështjet e barazisë, të drejtave individuale e të minorancave raciale dhe lirisë fetare.
Në gjysmëshekullin e fundit gjykata ka luajtur një rol të rëndësishëm për faktin se e ka zgjeruar për qytetarët mundësinë që të gjejnë dalje për çështje që nuk kanë pasur sukses në seli legjislative dhe ekzekutive. Por roli politik i sistemit gjyqësor mund të duket në kontrast me teorinë demokratike sipas së cilës pushteti për të bërë ligjet është vetëm i popullit apo i përfaqësuesve të zgjedhur të tij. Gjithsesi, duket se në një bilanc historik gjykata ka kontribuar për t’i mbajtur të ndara të 3 pushtetet dhe ka mbrojtur të drejtat individuale të sanksionuara në Bill of Rights, duke forcuar përfundimisht karakterin liberal të strukturës kushtetuese amerikane. Ekuilibri midis ndërhyrjes së gjyqësorit dhe sovranitetit të politikës është i garantuar edhe nga sistemi i peshave dhe kundrapeshave: me ndërhyrjen e ekzekutivit dhe të legjislativit, gjyqësori sillet në demokraci, ndërkohë që shërben si qen roje i Kushtetutës kur dy pushtetet e tjera tentojnë që ta tejkalojnë duke shkelur parime thelbësore.

Bipartitizëm, parti të treta dhe grupe
Janë zgjedhjet presidenciale ato që modelojnë bipartitizmin amerikan: çdo kandidat për postin e Presidentit ka mbështetjen e një prej dy partive të mëdha të momentit. Dhe është për të mbështetur një kandidat që formohen partitë federale, që nga ana tjetër nuk ekzistojnë. Nga mesi i 800, skena politike amerikane ka qenë e dominuar nga dy koalicione të mëdha të quajtura parti, por se parti në kuptimin europian nuk janë: demokratë dhe republikanë. Bazat e tyre sociale e rajonale janë ndryshuar ndjeshëm në epoka të ndryshme dhe grupe që i përkasin një koalicioni shkëputen për të kaluar nga ana tjetër. Megjithatë, sistemi kombëtar ka mbetur bipartiak si në zgjedhjet presidenciale, ashtu edhe në të gjitha zgjedhjet e tjera lokale dhe shtetërore dhe kjo për shkak të modaliteteve të zgjedhjes. 100 senatorët dhe 435 kongresmenët, 50 guvernatorët e shteteve, kryebashkiakët e qyteteve dhe të gjithë postet e tjera lokale, shtetërore dhe federale zgjidhen me sistemin uninominal–mazhoritar. Kriza e sistemit bipartiak në vitet ‘70 buronte nga rritja e numrit të votuesve të deklaruar si të pavarur që nuk identifikoheshin me një prej dy partive të mëdha. Ndërkohë janë shtuar grupet ekstrapartiakë të interesuar vetëm për një objektiv specifik.
Sipas traditës, demokratët mbahen si “partia e njerëzve të thjeshtë”. Tradicionalisht gëzojnë mbështetjen e minorancave etnike dhe fetare joprotestante, të sindikatave e të grave dhe kanë një ndjekje të mirë në zonat metropolitane, sidomos në shtetet industriale të Nordest e të Midwest. Kurse republikanët konsiderohen si “partia e njerëzve që posedojnë”, tradicionalisht e rrënjosur në grupet e elitës së ashtuquajtur WASP, domethënë e bardhë (White), anglosaksone (Anglo Saxon) dhe protestante (Protestants). Quhen “parti të treta” të gjithë ata kandidatë që konkurrojnë për presidencën me një etiketë partiake të ndryshme nga demokratja dhe republikania. Megjithëse në këtë shekull pak kanë pasur ndonjë sukses të konsiderueshëm, kandidatë – partitë e treta në rrethana të caktuara kanë luajtur një rol të rëndësishëm si në rastin e konflikteve për skllavërinë, industrializimin apo të drejtat civile. Përgjithësisht, jeta e një partie të tretë ezaurohet gjatë një zgjedhjeje presidenciale.
Por në Shtetet e Bashkuara procesi vendimmarrës kalon nëpërmjet mekanizmash që përtej institucioneve dhe partive përfshijnë edhe grupet e interesit. Ndërthurja e të tri elementëve është e fortë, duke qenë se partitë janë të dobëta dhe grupet që veprojnë në skenën ekonomike, sociale, mjedisore, fetare dhe civile janë të shumtë dhe aktivë. Grupet nuk përfaqësojnë një alternativë, por një komplement të partive: për të kuptuar diversitetin e roleve, mund të thuhet se partitë i zgjedhin dhe grupet nuk i zgjedhin kandidatët në zgjedhje. Pavarësisht kësaj ndarjeje të roleve, partitë dhe grupet janë në këtë pikë të ndërthurur saqë mund të thuhet se nganjëherë grupe të caktuara përfaqësojnë krahun e djathtë apo krahun e majtë të një partie të caktuar.

Liria dhe të drejtat
Ka një numër të caktuar idesh që mbajnë mendimin politik amerikan dhe midis këtyre, rëndësi të veçantë kanë ato lidhur me liritë dhe me të drejtat. Premisa se ka disa të drejta natyrore nga të cilat askush nuk mund të privohet dhe që duhen mbrojtur nga ndërhyrjet e çdo autoriteti. Kjo shpjegon arsyen për të cilën u miratuan më 1791 10 amendamentet e para të Kushtetutës federale, të njohur si Bill of Rights me qëllim që të bëhej e qartë se akte të caktuara kundër të drejtave themelore dhe procedurale të njeriut janë të ndaluara dhe se disa të konsideruara si mungesë kufizimesh, në veçanti kufizimet e vendosura nga pushteti publik, duhet të jenë të garantuara. Është ky thelbi i konstitucionalizmit amerikan që ka ushqyer ngurrimin e fortë të qytetarëve amerikanë për të kërkuar ndërhyrjen e qeverisë në zbatimin e të drejtave të caktuara apo të pranojnë se liri të caktuara civile mund të shkelen nga subjekte private apo që t’u lejohet autoriteteve në rrethana të veçanta të privojnë nuk ka rëndësi se cilin individ nga të drejtat themelore të tij.
Do të donim t’i përmbyllnim këto shënime mbi sistemin politik amerikan duke cituar atë që Max Lerner pohon tek “America as a Civilization”: “Liria mund të shikohet pjesërisht si një funksion i mënyrës sipas të cilës pushteti shpërndahet, ndahet dhe përhapet në shoqëri. Amerikanët tentojnë të mendojnë se qeveria është armiku kryesor i lirisë dhe e konsiderojnë historinë e lirisë në Amerikë si historinë e një lufte manikease midis engjëjve (individualistë) të dritës dhe armatës (qeveritare) të errësirës. Atje ku pushteti është përqendruar, qoftë ajo burokraci publike, një grup i fortë biznesor, një sindikatë e madhe, një staf ushtarak, një perandori e fuqishme masmediatike apo një kishë e disiplinuar, këtu njerëz që kanë për zemër ruajtjen e lirisë duhet të ndërhyjnë për ta izoluar pushtetin dhe për të penguar që ai të kombinohet me koagulime të tjera pushteti”.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Rënia e demokracisë “Obama”

Douglas Heaven
“BBC”

Besimi në institucionet politike, por edhe në vetë procesin politik, ka rënë në nivele historike. Shtetet e konvertuar së fundmi në demokraci në Europë dhe Lindjen e Mesme, janë duke rrëshqitur drejt regjimit autoritar. Liderët populistë janë duke fituar vota. Gjithmonë e më shumë shoqëri të botës janë duke u shkëputur nga sistemi qeverisës që ka qenë themeli i vendeve të zhvilluara për breza të tërë.
“Vendet si Rusia, Lindja e Mesme dhe Kina marrin shumë vëmendje”, thotë Joan Hoey i Njësisë së Inteligjencës së Ekonomisë në Londër. “Megjithatë, problemi i vërtetë ndodhet këtu, në zemër të demokracive të konsoliduara të Perëndimit”. Këndvështrimi i egër i ekspertit ndahet nga shumë të tjerë. Shtetet perëndimore po shqetësohen për shëndetin e demokracisë për herë të parë që pas Luftës së Dytë Botërore, thotë Larry Diamond, një sociolog politik në Universitetin e Standfordit në Kaliforni. “Nuk kemi parë asgjë të tillë për dekada me radhë dhe nuk e dimë se ku po shkojmë”, thotë ai. “Nuk e dimë sa serioze është”.
Diamond prej kohësh vëzhgon mbarëvajtjen e demokracisë nëpër botë dhe ka vënë re se ka hyrë në fazën që ai e quan “recesion të lehtë, por të vazhdueshëm” prej rreth një dekade. Vende të botës relativisht të reja në sistemin demokratik – si vendet e ish-Bashkimit Sovjetik në Europën Lindore apo shtetet që luftojnë me pasojat e Pranverës Arabe – janë duke rrëshqitur gradualisht drejt autoritarizmit. Por vitin e kaluar, gjithçka ndryshoi. Demokracia është tani në rrezik edhe në vendet më të pjekura të botës, thotë ai. “Tani mund të flasim për krizë të vërtetë”.
Në fakt, rënia e demokracisë është matur. Që pas vitit 2006, Hoey dhe kolegët e saj kanë publikuar një raport të quajtur Indeksi i Demokracisë, i cili ofron renditjen e pothuajse të gjithë vendeve të botës me një vlerësim nga 1 deri në 10. Këto kombinohen në të dhënat rajonale dhe sondazhe të shumta të zhvilluara në 167 vende për të matur cilësinë e proceseve politike, lirive civile, funksionimit të qeverisë, pjesëmarrjes publike dhe kulturës politike. Secili nga shtetet më pas klasifikohet si demokraci e plotë, demokraci me të meta, regjim hibrid ose regjim autoritar.
Rezultatet e vitit të kaluar nuk janë aspak të kënaqshme. Në përgjithësi vlerësimi mesatar tregoi se 72 vende kishin rënë në klasifikim gjatë vitit 2015 dhe vetëm 38 ishin ngritur. Numri i “demokracive të plota” kishte rënë nga 20 në 19. Gjatë administratës së ish-presidentit Obama, Shtetet e Bashkuara kanë rënë në klasifikim dhe janë renditur nga “demokraci e plotë” në “demokraci me të meta”. Sipas raportit rreth gjysma e popullsisë së botës (49,3%) jetojnë në një prej formave të demokracisë, por vetëm 4,5 për qind e tyre jetojnë në demokraci të plotë, gjysma krahasuar me vitin 2015.
Raporti i Indeksit të Demokracisë nuk është i vetmi që flet për transformimin e rrezikshëm që po përjeton politika globale. Andrew Reynolds, një shkencëtar politik i Universitetit rë Karolinës së Veriut dhe themelues i Projektit të Integritetit Elektoral, i cili vlerëson cilësinë e demokracive nëpër botë flet për të njëjtën situatë të rrezikshme. Atëherë çfarë po ndodh? Çfarë fshihet pas dobësimit të sistemit politik që ka drejtuar botën e ekonomive të zhvilluara për dekada me radhë?
Një shembull i pranueshëm është që bota vazhdon të reagojë nga krizës financiare globale dhe politikave të egra ekonomike që e pasuan atë. Kriza ka pasur një efekt të jashtëzakonshëm dobësues të demokracisë, duke ndryshuar mënyrën se si njerëzit shihnin liderët e tyre politikë. Sipas këtij këndvështrimi, efektet do të jenë afatshkurtër dhe kur ekonomitë të jenë ringjallur përsëri plotësisht, politika do të normalizohet. Megjithatë, ajo çfarë po shohim sot nuk është një lëkundje e përkohshme, thotë Hoey.
Niveli i besimit publik në institucionet demokratike në Shtetet e Bashkuara është reduktuar prej vitesh. Sipas një sondazhi të zhvilluar në vitin 2015 nga “Pew Research Center” në Washington që studion trendet demografike, vetëm 19% e njerëzve thoshin se kishin besim që qeveria do të bënte gjënë e duhur shumicën e kohës. Në vitin 1958, kur Studimi i Zgjedhjeve Kombëtare drejtoi të njëjtën pyetje në një sondazh, 73% e popullsisë amerikane kishin besim tek qeveria.
Disa mund të argumentojnë se kjo ndodh për shkak se qeveritë e ditëve të sotme nuk e ndjekim më parimin “qeveri e popullit, nga populli, për popullin” njëlloj si Abraham Lincoln. Gjatë shekullit të fundit, biznesi i qeverisjes është bërë gjithnjë e më teknokrat, me pozicionet e pushtetit që mbahen nga një numër më i madh politikanësh për nga profesioni dhe ekspertë të politikës. Shumë nga partitë e vjetra dikur kishin lidhje më të ngushta me një numër specifik njerëzish,  por këto lidhje u tendosën deri në pikën e këputjes.
Ndarjet e vjetra ndërmjet të majtës dhe të djathtës dikur i jepnin votuesve alternativa të qarta, por këto ndarje janë bërë më ambigue, veçanërisht pas Luftës së Ftohtë. Partitë përfaqësojnë dy vizione konkurruese të mënyrës se si duhet të funksionojë shoqëria.

Kur injorohen kërkesat e popullit
Si rezultat i rritjes së frymave populiste, elita politike – ku përfshihen edhe një pjesë e mirë e mediave – papritur po flasin për nevojën e mbrojtjes së demokracisë. “Por nga se duhet të mbrohet demokracia, nga njerëzit që janë ngritur kundër elitës?”, pyet Hoey. Duke përfshirë publikun në debatin politik më të rëndësishëm të dekadave të fundit, Brexit ishte një shembull i papërsëritshëm i përfshirjes popullore në diskursin politik. “Njerëzit që nuk kishin votuar prej vitesh, papritur dolën për të marrë pjesë në jetën politike”.
Megjithatë, shumë e identifikojnë frymën populiste të kohëve të fundit si problem, jo si shprehje të një problemi akoma më të thellë. Votuesit e Brexit dhe Donald Trumpit po stigmatizohen duke u etiketuar si njerëz “fanatikë” dhe “të mjerueshëm” (nëse përmendim fjalët e Hillary Clintonit) apo si persona që janë “gënjyer” nga politikanët. Por të injorosh nevojat dhe kërkesat e miliona njerëzve është tepër e rrezikshme dhe nuk mund ta çojë shoqërinë asgjëkundi.
“Partitë politike kanë filluar t’i shmangen diskutimit të problemeve të vërteta që kanë rëndësi për popullin”, thotë ajo. “Nëse nuk drejtohen pyetjet e mëdha, rreth shoqërisë në të cilën duam të jetojmë, atëherë çfarë na mbetet? Nëse njerëzit kanë kërkesa specifike të dukshme, ato duhet të adresohen, jo të shmangen, sado të vështira të jenë. Na nevojiten përplasjet e opinioneve dhe nëse duam të ringjallim demokracinë e dikurshme, kjo është ajo që duhet të bëjmë. Nuk ka zgjidhje të tjera”.
Për Hoey, Brexit dhe zgjedhja e Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara janë tronditje të forta elektorale tepër të rëndësishme dhe të mira për demokracinë në periudhën afatgjatë. “Gjatë gjithë këtyre viteve të fundit, askush nuk është interesuar për ecurinë e demokracisë”, thotë ajo. “Papritur të gjithë janë duke diskutuar sërish për këtë çështje dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme”.
Arsyeja përse shumë vende kanë demokraci përfaqësuese – në të cilën populli zgjedh përfaqësuesit për të marrë vendimet për llogari të tij – apo struktura të tjera, si dhomat e dyta të qeverisë, është që vullneti i popullit të balancohet me gjëra të tjera si barazia dhe liritë civile. Disa shtete kanë Kushtetuta që përkufizojnë qartë të drejtat e patjetërsueshme të popullit. Shumica e tyre kanë sisteme të pavarura të drejtësisë. “Shteti ka nevojë për frena, njëlloj siç kanë makinat. Nëse ke vetëm pedalin e gazit, automjeti nuk është aspak i sigurt”.
“Kur njerëzit thonë haptazi se nuk arrijnë ta tolerojnë dot më emigracionin, kur nuk janë më të sigurt nëse do të kenë mundësi të dalin në pension apo nuk kanë garanci për të ardhmen e fëmijëve të tyre, elita politike duhet të hapë veshët dhe të dëgjojë, për t’i zgjidhur gjërat përpara se të nxitet një revolucion”, thotë Diamond. Por vetëm të flasësh për të këto çështje nuk mjafton, nevojiten zgjidhje të thjeshta edhe eficente.
Për të konkurruar kundër rivalëve më autoritarë, Diamond mendon se politikanët e ditëve të sotme do të duhet të hapen rrugë, duke u distancuar pak nga politikat ekonomike dhe sociale liberale – si barazia, emigracioni dhe tregtia globale – krahasuar me trendet e viteve të fundit. Por edhe pse demokracia ka pësuar një regres, shumica e njerëzve janë të bindur se ajo është forma më e mirë e qeverisjes që njerëzit kanë shpikur ndonjëherë, kulmi i evolucionit politik.

Nuk ka alternativë ndaj demokracisë
Në vendet jo demokratike nëpër botë – si në vendet aziatike dhe në Afrikën e NënSaharasë – sondazhet tregojnë se njerëzit kërkojnë gjithmonë e më shumë demokratizimin e vendit. Teksa Kina bëhet gjithnjë e më e pasur dhe me ekonomi moderne, të rinjtë e shtresës së mesme rrisin aspiratat e tyre për demokraci, thotë Hoey. “Të kërkosh lirinë është natyra thelbësore e qenieve njerëzore”. Demokracia është i vetmi sistem legjitim i zgjedhjes së liderit të një shoqërie.
“Nuk shoh asnjë shtet të qëndrueshëm autoritar”, thotë Diamond. Ai beson se qeveritë në vende si Kina, Rusia dhe Irani do të rrëzohen një ditë. “I vetmi regjim autoritar në botë që duket se funksionon mirë është Singapori dhe nuk jam i sigurt që edhe ky regjim do të zgjasë për shumë kohë”, thotë ai. “Nuk mund të ndërtosh teorinë e një qytet-shtetit me vetëm pak miliona banorë”.
Megjithatë, jo të gjithë mendojnë se gjërat janë kaq të prera. Daniel Bell në Universitetin Tsinghua në Pekin argumenton se shumë ide perëndimore rreth demokracisë mund të konsiderohen dogma. Si shkencëtar politik kanadez i edukuar në Mbretërinë e Bashkuar, Bell ka kaluar shumë vite duke jetuar dhe punuar në Kinë. “Në Perëndim kemi tendencën ta ndajmë botën në regjime të mira demokratike që përcaktojnë rrugën që duhet të ndjekin të gjithë të tjerët dhe regjimet e këqija autoritare që i përkasin anës së gabuar të historisë”, thotë ai.
Bell thekson se shtetet jo demokratike mund të marrin forma të ndryshme. Ka diktatura të drejtuara nga familjet si në Korenë e Veriut, diktatura ushtarake si në Egjipt, monarki si në Arabinë Saudite. Secili regjim është ndryshe. Disa të tjerë, si në rastin e Kinës dhe sistemit të meritokracisë – ku zyrtarët e qeverisë nuk zgjidhen nga populli, por emërohen dhe promovohen në bazë të kompetencave dhe performancës së tyre – nuk janë regjime që duhet të hidhen mënjëherë poshtë. “T’i fusësh të gjithë këto regjime në të njëjtin grup është qesharake”, thotë Bell. “Nuk është mënyra e duhur për të kuptuar si shkojnë gjërat në Kinë.
Partia Komuniste e Kinës ka 88 milionë anëtarë. Anëtarësia menaxhohet nga Departamenti i Organizimit, i cili është praktikisht Departamenti i Burimeve Njerëzore. Për të qenë një pjesëtar i partisë, kandidatët duhet të kalojnë një sërë ekzaminimesh. Promovimi nga nivelet e ulëta në ato të larta – në princip – është thjesht çështje performance. Problemi i vërtetë në këtë lloj regjimi është mungesa e transparencës për mënyrën se si vlerësohet dhe matet merita e secilit zyrtar të emëruar.
Perëndimi është përpjekur shpesh të eksportojë formën e duhur të demokracisë nëpër botë, herë me pushtet të fortë, herë me pushtet të butë. Bashkimi Europian përpiqet të përhapë vlerat perëndimore dhe rregullin e ligjit tek anëtarët e rinj, por mënyra më e mirë e rritjes së demokracisë nëpër botë është shembulli i mirë, që demokracia të mos shihet si një produkt perëndimor i imponuar me zor. Me klimën politike që po shkon drejt nacionalizmit, Shtetet e Bashkuara dhe Europa Perëndimore janë distancuar pak nga qëllimi i eksportimit të demokracisë nëpër botë dhe sipas Hoey, kjo nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe. “Nëse Perëndimi kërkon të promovojë demokracinë, duhet ta bëjë atë përmes shembullit të mirë”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Nga Britania e Madhe tek Anglia e Vogël

Michael O’Sullivan

Kryeministrja britanike, Theresa May, u përtyp shumë herë përpara se t’i bënte thirrje nenit 50 të Traktatit të Lisbonës dhe të niste procedurat e daljes së Britanisë nga Bashikimi Europian. Sipas saj, Brexit do të transformojë Mbretërinë e Bashkuar duke e kthyer atë në “Britaninë globale”. Por ajo që fshihet në të ardhmen nuk dihet nga askush. Mbretëria e Bashkuar prej kohësh jeton pa perandorinë e saj dhe tani do të jetojë pa Bashkimin Europian gjithashtu.
Singapori, Zvicra dhe Norvegjia përmenden shpesh si modele për të ardhmen e Mbretërisë së Bashkuar teksa do të fillojë të ndjekë politikat tregtare jashtë Bashkimit Europian. Kjo është një situatë mjaft ironike pasi të tre shtetet në fjalë nuk janë aspak dakord me bindjen e Britanisë së Madhe dhe rëndësinë që ajo i jep vetes në çështjet botërore.
Eksperienca e shteteve të vogla duhet të shihet si mësim nga Britania e Madhe. Nëse shohim Zelandën e Re apo Singaporin, do të ishte naive të mendohej se arritja e marrëveshjeve të reja të tregtisë së lirë me tregje të mëdha si Kina dhe India. Periudha e negocimit për marrëveshjet FTA është e gjatë edhe në kushte të favorshme dhe sot ka një re proteksioniste mbi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera.
Situata tregon se edhe ekonomitë e vogla që e njohin mirë angazhimin global janë pesimiste përballë Brexit, politikanët ekonomikë që nga Holanda tek Zelanda e Re dhe Singapori e kuptojnë se integrimi rajonal ka rëndësi të madhe dhe se Brexit do të ketë efekte të mëdha negative. Vendet e vogla në periferi të BE-së si Norvegjia dhe Zvicra e kanë kuptuar se të përfitosh nga Bashkimi Europian kërkon kufizimin e politikëbërjes së pavarur të brendshme. Duke pasur parasysh eksperiencën e këtyre vendeve, britanikët duhet t’i ulin pritshmëritë e tyre për sasinë e kontrollit që do t’u rikthehet në dorë pas daljes nga bashkimi.
Qeveria e May ka bërë disa deklarata që sinjalizojnë se cilat lloje politikash do të ndjekë vendi pas Brexit. Kancelari Phillip Hammond për shembull, ka folur për taksa të ulëta, model të lehtë rregullash, por ky model i suksesshëm për qytet-shtetet e vogla si Singapori, Hong Kongu apo Dubai nuk garanton sukses për një ekonomi të G20-ës. Ndërkohë, May ka sugjeruar se Britania do t’i rikthehet politikës industriale, edhe pse është e paqartë se çfarë do të thotë me këtë.
Mbretëria e Bashkuar ka një nivel të lartë autonomie për të formuar strategjinë e saj ekonomike, por Brexit do ta detyrojë me siguri të ndërtojë një axhendë gjithëpërfshirëse që thekson qartë prioritetet e vendit. Teksa bën këtë, vendi duhet të mësojë nga historia e suksesit të ekonomive të vogla.
Si fillim, vendet e vogla investojnë shumë në njohuri dhe kapitalin njerëzor në të gjithë nivelet, që nga edukimi i detyruar fillor e deri tek ai universitar apo programet e mësimit dhe trajnimit gjatë gjithë jetës profesionale. Këto investime i mundësojnë njerëzit të përfitojnë nga mundësitë që ofron globalizimi për të rritur produktivitetin dhe pagat.
Së dyti, vendet e vogla kanë politika të rritjes të krijuar specifikisht për të nxitur konkurrencën në ekonominë globale. Këto masa mund të kenë forma të ndryshme, që nga investimet në infrastrukturë të cilësisë së lartë tek kapitali njerëzor, e deri tek politikat sektoriale që ndihmojnë industritë. Por të gjitha politikat janë krijuar për të forcuar pozicionin e vendit në frontin e produktivitetit brenda hallkave të ekonomisë ndërkombëtare.
Së treti, për shkak se vendet e vogla janë tepër të ndjeshme nga tronditjet e jashtme, ato kanë ngritur një sërë masash për të menaxhuar riskun ekonomik dhe për të garantuar mbijetesën, këtu përfshihen sigurimet e zhvilluara sociale, tregje pune fleksibël, politika aktive të tregut të punës dhe hapësirë fiskale për të stimuluar ekonominë.
Negociatat e ardhshme të Brexit do të imponojnë sfida të mëdha për Britaninë e Madhe, por përtej menaxhimit të këtyre bisedimeve, Britania duhet të zhvillojë edhe politika që të mundësojnë lundrimin e vendit në një mjedis më të vështirë të ekonomisë ndërkombëtare. Kjo do të kërkojë që vendi t’i bëjë gjërat ndryshe nga sa është mësuar t’i bëjë gjatë dekadave të fundit.
Në fakt, vetë mbijetesa e Britanisë varet nga kjo. Brexit dhe paaftësia e politikanëve për të zhvilluar strategji koherente dhe të fortë ekonomike ka nxitur lëvizjen për pavarësi të Skocisë. Shumë janë të bindur se modeli i ekonomisë së vogël do të funksiononte shumë mirë për Skocinë. Është e vërtetë se do të kishte shumë sfida të mëdha ekonomike që duhet të adresonte dhe mund të ketë nevojën e një njësie më të madhe ekonomike, por nuk është e qartë nëse Britania mund t’ja ofrojë këtë siguri, veçanërisht gjatë rrugës së daljes nga tregu i përbashkët dhe bashkimi doganor i BE-së.
Pavarësia mund ta lejojë Skocinë që të zhvillojë politika në përputhje me ekonomitë e tjera të vogla të suksesshme – jo duke kërkuar të qëndrojë brenda Bashkimit Europian. Teksa Skocia përballet me sfidat e Brexit, do të ketë mundësinë të zhvillojë edhe politikat që i shkojnë më për shtat.
Britania zgjodhi të largohet nga Bashkimi Europian sepse kishte një vizion tjetër të së ardhmes, por së shpejti do të duhet të ndjekë modelin e vendeve të vogla si Zvicra dhe Norvegjia. 40 vite pasi është distancuar nga Zelanda e Re për t’u bashkuar me Komunitetin Europian Ekonomik, Britania e Madhe mund të ketë së shpejti më pak akses në tregun europian se Zelanda e Re. Udhëtimi nga Britania e Madhe drejt Anglisë së Vogël sapo ka filluar.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Nuk është vetëm faji i kolesterolit

Gjithçka ka filluar në vitin 2014, me një kontroll rutinë. Isha 44 vjeç dhe ndjehesha mjaft në formë. Kisha marrë pjesë në një seri garash triatloni me distanca olimpike. Bëja ushtrime fizike çdo ditë, luaja futboll, vrapoja dhe shëtisja me biçikletë. Më duhet ta pranoj se treguesi im i masës trupore tentonte gjithmonë drejt mbipeshës, por gjëja nuk më preokuponte aspak. Jam njeriu tipik me kockën e rëndë. Problemi ka filluar kur një infermiere më ka bërë një analizë gjaku për matjen e nivelit të kolesterolit dhe më ka thënë që të kthehem një herë tjetër. “Më duket se aparati nuk funksionon”, është justifikuar. “Nuk më ka dhënë kurrë një rezultat kaq të lartë”. Nuk ishte i prishur. Analizat e mëpasme kanë konfirmuar se vlera ime e kolesterolit ishte sa dyfishi i një njeriu të shëndoshë. Ka mundësi, më ka thënë mjeku, është çështje gjenetike. Ndryshimi i dietës dhe i stilit të jetesës nuk do të shërbente. Zgjidhja e vetme ishte që të merrja statinat. Kështu kam hyrë në klub. Gjatë 30 viteve të fundit këto ilaçe, që mundësojnë të reduktohet niveli i kolesterolit, janë bërë ndër më të shiturit në botë dhe nuk është për t’u habitur, po të kesh parasysh se sëmundjet kardiovaskulare janë midis shkaqeve kryesore të vdekjes. Linjat drejtuese zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar thonë se një njeri me nivele normale kolesteroli duhet të marrë statina nëse ka më shumë se 10% probabilitet që të ketë një infarkt apo një iktus në harkun e 10 viteve. Në Shtetet e Bashkuara pragu është në 7.5%.
Pavarësisht, kësaj, isha pak i vetëdijshëm për faktin që ekzistojnë mendime të kundërta për statinat, por edhe për faktin që kolesteroli është vërtet i dëmshëm për zemrën. Kështu, duke parë se në lojë ishte shëndeti im, kam vendosur të kërkoj një përgjigje më të qartë. Në rajonet më të pasura të botës, sëmundjet kardiake dhe iktuset shkaktojnë 25% të vdekjeve. Në këtë kontribuojnë faktorë të ndryshëm, por në përgjithësi mendohet se kolesteroli është një prej përgjegjësve kryesorë. Kolesteroli, një biomolekulë yndyre e sintetizuar sidomos nga mëlçia, formon paretet e qelizave dhe mbulesat mielenike që mbrojnë neuronet e trurit. Ka rol në procese biologjike që shkojnë nga sinjalizimi qelizor tek prodhimi i vitaminës D, si edhe mund të kontribuojë në luftimin e infeksioneve. Por dyshohet prej kohësh se ka një anë të errët. Më 1913, patologu rus, Nikolaj Aniçkov demonstroi se tek lepujt e ushqyer me kolesterol të pastër të nxjerrë nga e verdha e vezës niveli i kolesterolit në gjak rritej. Qysh atëherë dimë se një tepri e kolesterolit, e transportuar në gjak nga lipoproteinat, mund të ngjitet në paretet e arterieve, duke reduktuar rrjedhjen e gjakut, duke e bërë më të mundur formimin e koagulave dhe duke shkaktuar të ashtuquajturën arteriosklerozë.

Zbulimet e para
Lidhja midis kolesterolit dhe sëmundjeve kardiake është njohur gjerësisht më 1984, kur u botua një kërkim i Lipid Research Clinics Coronary Primary Prevention Trial. Autorët e studimit kishin ndjekur rreth 3800 burra në moshë të mesme dhe kishin demonstruar se një nivel më i ulët i kolesterolit të “keq”, me dendësi të ulët lipoproteine, ishte i lidhur me një rrezik më të ulët infarkti, pak a shumë fatal dhe me një nevojë më të ulët të ndërhyrjeve të by pass. Në këtë pikë kanë hyrë në skenë statinat. Këto ilaçe nxisin prodhimin e një enzime themelore për akumulimin e kolesterolit në mëlçi. Në Shtetet e Bashkuara produkti i parë me bazë statine është miratuar më 1987 dhe në dekadën e mëpasme janë komercializuar shumë të tjerë. Teste të ndryshme klinike kanë demonstruar se statinat e reduktonin ndodhjen e infarkteve dhe të iktuseve në njerëzit me nivel të lartë kolesteroli apo në ato që gjithsesi qenë në rrezik sepse pinin duhan, nuk bënin ushtrime fizike apo qenë mbipeshë. Studime të mëtejshme kanë demonstruar se përfitimet e statinave zgjerohen edhe tek personat që kanë rreziqe më të vogla. Studimi Jupiter, i botuar më 2008, ka analizuar efektet e marrjes së rosuvastatinës në 17800 subjekte pa simptoma të mëparshme shqetësimesh kardiake. Qenë njerëz me një nivel kolesteroli më të ulët se ai i marrë në konsideratë për trajtimin me statinat, por një nivel më i lartë i një bioshënuesi të njohur për korelacionin e tij me një rrezik më të madh problemesh kardiake në të ardhmen. Në harkun e 5 viteve, ndodhja e infarkteve midis njerëzve që merrnin statina ishte më shumë se përgjysmuar. Më 2013 këto rezultate e kanë shtyrë American Heart Association që t’i azhurnojnë udhëzuesit e saj lidhur me marrjen e statinave.
Në Mbretërinë e Bashkuar, National Institute for Health and Care Excellence (NICE) ka marrë të njëjtin vendim më 2014. Kur në spital mjeku im më ka këshilluar që të marr çdo ditë një “dozë minimale” prej 20 miligramësh atorvastatinë për të ulur nivelin tim të kolesterolit dhe parandaluar problemet e ardhshme kardiake, po ndiqte vetëm një orientim të përgjithshëm. Por qysh nga fillimi studime si Jupiter kanë shkaktuar polemika. Sa për të filluar, nëse është e vërtetë se midis vullnetarëve të marrë në konsideratë infarktet janë përgjysmuar, duhet pasur parasysh edhe se shpeshtësia absolute e infarkteve midis popullsisë së studiuar ka qenë gjithsesi e ulët. Vetëm 99 persona nga 17800 kanë pasur një infarkt vdekjeprurës gjatë periudhës në të cilën është zhvilluar studimi dhe 31 prej tyre merrnin statina. Kjo do të thotë se më pak se 05% e personave të trajtuar me rosuvastatinë ka përfituar dhe kjo hedh një dritë ndryshe lidhur me efikasitetin e ilaçit. Kërkime të tjera ngrinin dyshime të ngjashme. Për shembull, siç nënvizonte një editorial i Annals of Internal Medicine të vitit 2014, dy meta – analiza të studimeve të kryera midis 2012 dhe 2013 kanë arritur në konkluzione të kundërta lidhur me efikasitetin e statinave, edhe pse nivelet e vdekshmërisë që kishin hasur ndryshonin me më pak së gjysmë pike përqindjeje.
Një metër matës alternativ i efikasitetit të ilaçit është i ashtuquajturi NNT (Number Needed to Treat), numri i njerëzve që i duhet nënshtruar terapisë për një periudhë të caktuar kohore që të nxjerrë përfitim. Uebsajti nnt.com, i menaxhuar nga një konsorcium mjekësh dhe hulumtuesish që synon të fusë në të dhënat e kërkimeve perspektivën e pacientëve, sugjeron që subjektet tashmë të prekura nga shqetësime kardiake kanë një përfitim të dukshëm nga marrja e statinave: në harkun e 5 viteve, i shpëtojnë jetën 1 njeriu në 83 (1.2%). Por për njerëzit që kanë sëmundje kardiake të sqaruara nuk është e mundur të bëhet një pohim kaq i pastër. Një tjetër meta – analizë e kryer më 2013 nga ekipi i John Abramson të Harvard University ka zbuluar se, “për të penguar një infarkt koronar apo një iktus është e nevojshme të trajtohen me statina 140 njerëz me rrezik të ulët për 5 vjet”. Dhe jo vetëm: në këtë periudhë Abramson nuk ka hasur asnjë reduktim të koeficentit të vdekshmërisë së përgjithshme për çfarëdolloj shkaku. Sipas studiuesit, këto shifra tregojnë se nuk është e nevojshme të jepen statina dorëlëshuar. “Mjekët duhet t’i diskutojnë këto të dhëna me pacientët e tyre”, shton Abramson. “Pse t’ua imponosh vendimin kur në rastin më të mirë është një çështje gjykimi personal?”. Të tjerë nuk janë dakord. Si Rory Collins, drejtor i Cholesterol Treatment Trialists (CTT) Collaboration në Oxford, që ka akses në databazën më të madhe të studimeve lidhur me statinat. Collins nënvizon se në shkallë të gjerë edhe një numër i ulët NNT-je është ekuivalent me qindra mijëra njerëz të shpëtuar nga infarkti. Ia vlen gjithsesi barra qiranë, edhe pse nuk arrijnë të jetojnë më gjatë. “Në qoftë se njihni ndonjë që ka pasur ndonjë infarkt apo iktus jo fatal, dijeni se kjo gjë ua ka ndryshuar krejtësisht jetën si nga pikëpamja fizike, ashtu edhe psikologjike”, thotë ai. “Është absurde të thuash se gjëja e vetme për t’u konsideruar është vdekja nga infarkti”.
Në momentin e diagnozës isha në formë të shkëlqyer, por maturia nuk është asnjëherë e tepërt. Kështu, duke ndjekur këshillën e mjekut, kam nisur të marr një tabletë statine në ditë. Në fillim gjithçka ka shkuar mirë. Kam marrë pjesë deri në një garë tjetër triatloni, por një vit më pas ndjeja lodhje kur stërvitesha. Në fushën e futbollit isha i ngathët. Nëse një ditë stërvitesha më shumë – të themi për 2 orë – përfundoja në mbrëmje duke u rrotulluar në divan me muskujt që më thimbin sikur të kisha grip. Dhembja muskulore – ose mialxhia – është efekt kolateral i statinave i përmendur më shpesh. Nuk më është dashur të shkoj shumë larg për të gjetur dikë që vuante prej saj: edhe ime më merrte statina për të ulur nivelin e kolesterolit. “Herë pas here e ndërpres kurën”, më ka thënë ajo. “Nuk e duroj të jem gjithmonë kaq e dobët dhe në dhembje. Më bëjnë të ndjehem 10 vite më të plakur”. Sipas një analize të botuar në shtator të 2016 nga Liam Smeeth i London School of Hygiene and Tropical Medicine mbi bazën e testeve klinike të kryera nga Collins, terapia me bazë statine shkakton dhembje muskulore në “rreth 50–100 pacientë nga 10000 të trajtuar për 5 vjet”, më pak se 1%. Por në studime të tjera pacientët me dhembje qenë shumë më tepër – një e katërta apo një e treta e totalit – dhe në një studim të kryer në Paris 87% e pjesëmarrësve ankohej për dhembje.

Objektivi i gabuar?
Qeniet njerëzore janë të sugjestionueshëm dhe mund të ndodhë që, nëse dikush flet për dhembje muskulore të shkaktuara nga statinat, edhe njerëz të tjerë fillojnë e i ndjejnë. Por disa hulumtues theksojnë se, për shkak të një projektimi të gabuar të studimeve, njerëzit që vuajnë nga efekte kolaterale tentojnë që të tërhiqen përpara fillimit të testit të parë zyrtar. Smeeth po kryen një studim tjetër lidhur me dhembjet muskulore, pasi thekson se deri më tani nuk kanë ndonjëherë prioritet. “Kemi kryer testime në mbi 100000 njerëz, por qenë të preokupuar sidomos nëse njerëzit vdisnin për shkak të ndonjë infarkti apo iktusi. Dhembjet muskulore dhe lodhja nuk kanë qenë objekt i një matjeje të duhur”, thekson ai. Frika se mos statinat mund të shkaktojnë diabetin është më pak konkret. Sipas Food and Drugs Administration (FDA) amerikane, “përdorimi i statinave mund të sjellë një rrezik paksa më të madh të rritjes së nivelit të sheqernave në gjak dhe të diabetit të Tipit 2”. Por Richard Lehman nga Cochrane, një OJF që analizon të dhënat e disponueshme mjekësore, beson se këto të dhëna varen nga mënyra sesi përkufizojmë diabetin. Edhe pse statinat shkaktojnë një rritje të lehtë të nivelit në gjak, është e pamundur që të shkaktojnë llojin e dëmeve të lidhura me një diabet të rëndë dhe afatgjatë. Nga kjo pikëpamje, thotë Lehman, efektet e dëmshme të statinave janë “në përgjithësi minimale dhe të kthyeshme”. Shpresoj që të ketë të drejtë. Pas dy vitesh statinash kisha pushuar së shkuari në palestër. Kisha hequr dorë nga të vrapuarit dhe shkova të notoja gjithnjë e më pak. Nuk mund ta duroja dhembjen dhe poshtërimin e të qenit kaq i dobët dhe i ngathët. Në fund i kam thënë mjekut tim se duhej të mos merrja më statinat pasi po bëhesha shumë sedentar. Edhe kjo ishte i dëmshme si të kisha kolesterol të lartë apo jo?
Ky mendim pasqyron frikërat e kujt mendon se përqendrimi shumë mbi kolesterolin dhe statinat nuk kontribuon në përmirësimin e shëndetit të zemrës, por mund deri edhe ta përkeqësojë. Përfitimet e dikutueshme të statinave për kë nuk ka probleme kardiake dhe efektet e tyre kolaterale ende jo mirë të studiuara i kanë shtyrë shumë të kërkojnë se të dhënat bruto të studimeve të shqyrtohen më në thellësi. “Nëse shikohen në mënyrë të pavarur të gjitha të dhënat, përfshi rezultatet e testeve klinike, zbulohen gjëra që deri më tani nuk i dinim”, thotë Fiona Godlee, drejtore e British Medical Journal. Godlee i ka bërë një apel qeverisë për t’i kërkuar një analizë të pavarur të të dhënave, duke shkaktuar një luftë të vogël me Collins. Ai dhe ekipi i tij i CTT-së kanë akses në pothuajse të gjitha të dhënat, por këto të dhëna nuk janë pronësi e tij dhe Collins thekson se për shkak të numrit të kompanive farmaceutike, organizata bamirësie dhe ente publike të përfshira është e pamundur të sigurohen premisat e nevojshme për t’i bërë publike. “British Medical Journal po më akuzon në mënyrë false se kam të gjitha të dhënat mbi efektet e dëmshme kolaterale dhe se nuk i bëj të disponueshme”, pohon ai.
Disa rezultate të reja duket se e rrisin konkluzionin. Më 2016, Judith Finegold nga Imperial College i Londrës ka zbatuar një model për të dhënat e disponueshme; ka zbuluar se mosha mesatare e një 50-vjeçari që nuk pi duhan, nuk vuan nga diabeti dhe ka një nivel kolesteroli dhe tensioni gjaku në normë mund të rritet mesatarisht me 7 muaj falë terapisë parandaluese me statinat. Por kjo mesatare është e rreme. Sipas Finegold nuk mban parasysh faktin që 7 njerëz në 100 do të fitonin mesatarisht 99 muaj (më shumë se 8 vite) jetë, por për 93 të tjerët nuk do të ketë kurrfarë avantazhi. Në qershor të 2016, NICE e ka konfirmuar këtë rezultat, duke u shprehur qartë se pacientët që marrin statina marrin pjesë në një lloj lotarie. Ka mundësi që këto ilaçe shpëtojnë jetën e dikujt, por nuk mund ta dimë se të kujt, thotë Smeeth. “Dhe nuk do ta dimë kurrë, pasi ata që përfitojnë nuk do të kenë kurrë më infarkt”. Duhet vetëm të shpresojmë të jem një prej këtyre fatlumëve. Kam luajtur loto kombëtare vetëm tri herë dhe në asnjë prej këtyre rasteve nuk kam pasur ndjesinë se do të kap gjë. Por një herë kam fituar 5000 paund. Është e qartë se jam me fakt, por edhe nëse njerëzve, të cilëve u është diagnostikuar një sëmundje kardiake duhet të vazhdojnë t’i marrin ato tableta, nuk është e thënë se pjesa tjetër e jona duhet ta bëjë. Ndoshta do të rifilloj t’i pi kur do të jem sërish në formë dhe do të provoj një ilaç të ndryshëm, por sigurisht që nuk do ta konsideroj si dhuratë nga Zoti, ashtu siç bëja më parë.
(Michael Brooks për New Scientist)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Veseli tregon sekretet e “mësuesit”

Karriera e Frederik Veselit mund të kishte marrë një rrjedhë krejtësisht tjetër po të mos ishte për Zdenek Zeman. Trajneri çek, i cili aktualisht drejton Peskarën, e cilësoi si bast personal mbrojtësin shqiptar duke e afruar dy vite më parë te Lugano dhe që aty, karriera e shqiptarit u ringjall pas disa eksperiencave aspak të lumtura në Angli.
Ndaj Veseli do t’i jetë gjithmonë mirënjohës teknikut, të cilin do ta ketë sot si kundërshtar në fushën e lojës me Empolin në një betejë të zjarrtë për mbijetesën. “Është e vërtetë, mundësia që m’u dha për të punuar me Zeman ishte shumë e rëndësishme për karrierën time. Kam mësuar shumë prej tij, nga të gjitha pikëpamjet dhe ajo që më ka mësuar më ka shërbyer dhe po më shërben shumë edhe në këtë aventurë në Serinë A”, shpjegoi lojtari për “Il Tirreno”.
Sipas mbrojtësit, edhe pse Zeman njihet më shumë për lojën ofensive, ai i jep shumë rëndësi edhe prapavijës. “Nuk është i pakujdesshëm sa i përket mbrojtjes. Pastaj unë isha mësuar me një lloj të veçantë loje nga sezonet e mëparshme në Angli. Loja e tij ofensive të mundëson të njohësh me detaje se si lëvizin dhe çfarë kërkojnë qendërsulmuesit. Kjo të ndihmon shumë pastaj kur zbret në fushë dhe duhet të mbrosh zonën apo portën tënde”, theksoi Veseli.
Ndaj kundër Peskarës, sot, duhet shumë kujdes. “Pikërisht. E para sepse në këto muaj kam kuptuar që në Serinë A nuk ka asgjë të thjeshtë, pastaj sepse skuadrat e Zeman janë gjithmonë të paparashikueshme. Janë të afta të sigurojnë arritje të mëdha dhe e dimë që nuk kemi luksin të nënvlerësojmë askënd”, tha ai.
Veseli i është kthyer rregullsisë në fushën e lojës, fillimisht me kombëtaren e Shqipërisë e më pas ndaj Romës, duke luajtur në qendër të mbrojtjes dhe duke treguar se mund ta mbulojë këtë rol. “Jam i lumtur nga paraqitjet e mia, sigurisht, aq sa të lejon fakti që jemi mundur. Por në përgjithësi jam i lumtur që më në fund po ndjehem mirë fizikisht pasi kisha që te ndeshja me Milanin që vuaja nga shqetësimet. Tani po stërvitem me rregullsi dhe kjo mendoj se është parë në fushën e lojës.
Ndeshja me Italinë? Ishte një mundësi e shkëlqyer dhe falënderoj De Biazin që ma dha. Në ato dy ndeshje me kombëtaren munda të nxjerr në pah punën që kam bërë te Empoli në stëvitje. Ndaj edhe kundër Romës u ndjeva i gatshëm për të luajtur në qendër të prapavijës”, ishin fjalët e 24-vjeçarit, i cili mund ta mbulojë këtë pozicion edhe në takimet e mbetura nga ky sezon në Serinë A.

Mos e shit Ronin!

Në një intervistë për “Sky Sport”, ish-sulmuesi italian, Christian Vieri ka rrëfyer me nostalgji për kohën që luajti te Interi dhe ka ripërshkuar vitet më të bukur të karrierës së tij, pikërisht ato të kaluara me fanellën numër 32 të Inter. “Duhej të fitonim dhe nuk ishim ndërtuar për ta bërë një gjë të tillë: Juventus dhe Milan ishin më të fortë. Kemi humbur një titull për fajin tonë, 5 majin e 2002-it dhe ka qenë shumë e rëndë. Sipas mendimit tim, po të kishim fituar atëherë, gjithçka do të kishte ndryshuar. Por, pas atij zhgënjimi, Ronaldo është larguar, Cuper është shkarkuar pas katër muajsh, shumë lojtarë të tjerë kanë vendosur të largohen”, ka thënë Bobo në emisionin “Zotërinjtë e Futbollit”.
Më 1999, Massimo Moratti bleu Vierin nga Lazio, kishte siguruar dy sulmuesit më të fortë në botë në atë periudhë, nga ku trajneri italian Capello tha në atë kohë që dyshja më e mirë sulmuese që ka pasur ndonjëherë Seria A ishte pikërisht ajo “Bobo-Roni”. Por fati i keq ka dalë kundër tyre, për shkak të dëmtimeve respektive, në tri sezone kanë arritur të luajnë bashkë vetëm 14 ndeshje.
“Dëmtoheshim me radhë. Nuk kemi luajtur kurrë 20-30 ndeshje bashkë. Por ishim dyshja e ëndrrave, ishim perfekt”. “Ia kam thënë duke iu lutur presidentit: ‘Mos e shit, mos e shit! Ka fituar Botërorin dhe tani do e shesësh? Ne po e presim dhe tani do e shesësh? Po unë çfarë të bëj këtu? Por duhej bërë një zgjedhje mes tij dhe Cuper. Ajo që ishim unë dhe Ronaldo tek Inter nuk do të fshihet asnjëherë! Dy më të fortët që kanë luajtur ndonjëherë për Interin!”, ka thënë ish-qendërsulmuesi, që akoma sot nuk arrin ta pranojë shitjen e Ronaldos te Real Madrid në vitin 2002.
Bobo Vieri mbetet shumë i lidhur me ngjyrat zikaltër, madje ai ka falur edhe Massimo Morattin që e ka përgjuar në kohën kur ai luante për Inter. “Në kohën që nuk po e kuptoja se pse u largua në atë mënyrë Ronaldo dhe i lutesha Morattit, ai më bëri diçka tjetër, kuptova se më kishte përgjuar. Nuk kishte asnjë arsye për ta bërë: nuk bëja asgjë! Të gjithë thoshin se Vieri dilte natën, por unë dilja vetëm të dielave, si të gjithë. Për këtë arsye unë shikoj vetëm aspektet më të bukura të asaj kohe: golat, shokët e skuadrës. Gjithçka ka qenë e bukur sepse të jesh titullar me Inter është një gjë e madhe. Më pas, koha shëron çdo plagë. Tashmë nuk mendoj më për atë. Moratti-n e kam falur, ka qenë presidenti im për gjashtë vite, më ka blerë për 90 miliardë lireta, më ka paguar gjithmonë shumë dhe do t’ia di gjithmonë për nder”, ka përfunduar Vieri.

Interi, 150 milionë euro për merkaton

Interi bën gati milionat. Merkatoja e verës pritet të jetë shumë aktive për klubin zikaltër. Periudha e gjatë jo fort pozitive që ka kaluar skuadra, me shumë gjasa pritet të përfundojë. Do të ketë largime dhe afrime, në mënyrë që Interi t’i rikthehet denjësisht luftës për titull kampion në Itali, por edhe garës në kupat e Europës. Drejtuesit e klubit i kanë idetë e qarta, në lidhje me Interin e së ardhmes dhe për ta vënë në zbatim planin e tyre, kanë përgatitur dhe një fond që kap shifrat e 80 milionë eurove, por po të shtosh edhe futbollistët që priten të largohen, kjo shumë shkon në 150 milionë euro.
Në listën e atyre që pritet të bëjnë gati valixhet janë, mbrojtësi Jeison Murrilo dhe dy mesfushorët Ever Banega së bashku me kroatin Marco Brozoviç. Largimi i tyre do t’i sjellë të ardhurat e mjaftueshme zikaltërve për të realizuar një merkato cilësore. Në krye të listës së dëshirave qëndron, mesfushori kolumbian i Realit të Madridit, James Rodriguez, i cili kohët e fundit ka shfaqur pakënaqësi për minutat e pakta që i janë vënë në dispozicion tek “Los Blancos”. Gjithashtu transferime të rëndësishme do të ketë edhe në repartet e tjera.