Mançester Siti u rikthye te fitorja pas disfatës së mesjavës kundër Çelsit, duke triumfuar 3-1 në shtëpi përballë Hull Sitit. Rezistenca e miqve në “Etihad Stadium” zgjati gjysmë ore, deri kur Ahmed El Muhamedi shënoi gabimisht në portën e vet.
Paskëtaj gjithçka u bë më e thjeshtë për “Qytetarët”, të cilët thelluan epërsinë me Serxho Agueron tri minuta pas pushimit mes pjesëve dhe vulosën suksesin me mesfushorin Fabian Delf në të 64-n. Ekipit mik nuk i mjaftoi goli i Andrea Ranokias pesë minuta para fundit, i dyti radhazi për ish-qendërmbrojtësin e Interit.
Me këtë fitore ekipi i Pep Guardiolës forcon pozitat në vendin e katërt me 61 pikë, dy më pak, por me një ndeshje më tepër në dispozicion se Liverpuli. Këta të fundit nuk gabuan, duke marrë një fitore të çmuar 2-1 në fushën e Stok Sitit. Skuadra e Jurgen Klopit u gjend në disavantazh pas golit të Xhonatan Uoltersit një minutë para pushimit, por përmbysi gjithçka brenda dy minutash me të përhershmin Kutinjo (70’) dhe supergolin e Firminjos (72’).
Takimet e tjera dhanë këto rezultate: Midëllsbrou 0–0 Bërnli, Uest Bromuiç 0–1 Sauthempton dhe Uest Hem 1–0 Suonsi.
Siti dhe Liverpuli fitore për Champions-in
Gabon Reali, ndalet nga Atletico
Real Madridi ka bërë një hap fals drejt titullit të La Ligas, duke barazuar 1:1 me Atletico Madridin në “Santiago Bernabeu”. Djemtë e Zinedine Zidane krijuan më shumë raste dhe ishin më të rrezikshëm se ata të Diego Simeones. Ata kaluan të parët në epërsi përmes Pepes në minutën e 52-të dhe ishin duke fituar deri në atë të 85-të, kur Antoine Griezmann shokoi vendasit duke shënuar për rezultatin përfundimtar 1:1. Pas këtij barazimi, Reali ka shkuar në kuotën e 72 pikëve, tri më shumë se Barcelona që në ndeshje e radhës mund të barazojë me pikë Los Blancos, nëse fitojnë ndeshjen në udhëtim te Malaga.
Problemi i Junajtid është Ibra
U largua nga stafi i Zhoze Murinjos si një i padëshiruar dhe pas shumë kohësh, rikthehet të flasë për Mançester Junajtidin. Në fakt, ai nuk ka dashur të ndalet shumë te tema e largimit, por të komentojë ecurinë e “Djajve”. Bëhet fjalë për legjendën Rajan Gigs, i cili thotë se ekipi i drejtuar nga Murinjo e ka shumë të vështirë t’i fitojë ndeshjet, për faktin se është i varur nga Ibrahimoviç.
Sipas Gigsit, Junajtid triumfon në një ditë kur Ibra është mirë, ndërsa kur është në vështirësi lojtari, edhe ekipi nuk funksionon. “Problemi më i madh për Mançesterin nuk është fakti nëse Ibrahimoviç qëndron apo largohet. Për mendimin tim, problem është fakti që skuadra nuk shënon gola me futbollistë të tjerë dhe është e varur nga ecuria e suedezit.
Është e çuditshme që të gjithë fokusohen te kjo temë, nëse ai rinovon kontratën apo jo. Te Junajtid duhet të shqetësohen pse fatet e skuadrës i ka vetëm ai në dorë dhe disa lojtarë të tjerë. Te Mançesteri kanë shënuar Mata 6 gola dhe Pogba 4. Pjesa tjetër e skuadrës nuk është prezente në këtë aspekt. Në ditët e sotme, mesfushorët janë të rëndësishëm për ecurinë e një ndeshjeje. Mjafton të shihni atë që ndodhi vitin e kaluar. Vardi shënoi shumë gola, por edhe Mahrez e ndihmoi shumë Leiçesterin”, tha Gigs.
Përveç mungesës së cilësisë dhe nuhatjes për gol që kanë mesfushorët e Junajtid, Gigs thotë se problemi qëndron te fakti që edhe trajneri nuk u ka vënë objektiva të rëndësishëm lojtarëve.
“Unë në çdo sezon duhet të shënoja të paktën 10 gola dhe të jepja 15 asiste. Në këtë mënyrë do të jepja kontribut për 25 gola të skuadrës. Ky ishte synimi im në momentin kur niste kampionati. Diçka të tillë na e kërkonte vetë trajneri Ferguson, i cili na vinte nën presion dhe na detyronte në njëfarë mënyre që të shënonim”, tha Gigs.
43-vjeçari ishte i përzgjedhuri i UEFA-s në muzeun e trofeve në Egjipt dhe foli për raportin me Murinjon. “Nuk kam marrë ende asnjë ftesë nga ai për të parë një ndeshje apo për të vizituar ekipin në stërvitje. Ndoshta do të vijë më vonë”, tha Gigs duke qeshur.
De Shiljo: Synojmë Ligën e Europës
Matia de Shiljo, në kuadër të një eventi të organizuar nga “Fondacioni Milan”, foli për mediat në lidhje me sezonin kuqezi, objektivin Europë dhe të ardhmen e tij. Kapiteni aktual kuqezi shprehet i përqendruar në ecurinë e skuadrës dhe i qetë për sa i përket paktit të tij me “Djallin”.
– Si e shihni këtë fundsezoni?
Kemi akoma tetë ndeshje nga të cilat varet pjesëmarrja jonë në Europë. Objektivi ynë është pikërisht Europa League dhe do të japim maksimumin për të arritur.
– Pas dëmtimit të dy kapitenëve, tani shiriti është në krahun tuaj, si ndiheni?
Është një përgjegjësi në çdo skuadër, sidomos te Milani dhe kur mendoj se kush e ka mbajtur në të kaluarën, është një emocion edhe më i madh. Premtoj impenjim maksimal për ta nderuar siç duhet.
– Ju pret një javë e vështirë, Palermo dhe Interi në fushë, ndërsa shitja e klubit në zyra?
Skuadra mendon për ndeshjet dhe pikët që na nevojiten për të hyrë në Ligën e Europës. Shitja e klubit nuk është detyra jonë.
– Pankina ndaj Peskarës thuhet se ishte ndëshkuese pasi ka zëra që mund të visheni bardhezi…
Unë jam i qetë, mendoj për skuadrën, për rezultatet dhe të nderoj shiritin që më është besuar. Kam ende një vit kontratë dhe dëshira ime dihet, por nuk jam unë ai që duhet të shkoj te drejtuesit, por janë ata që duhet të më kontaktojnë. Në momentin e duhur do të ulem të bisedoj për të gjetur zgjidhjen më të mirë të përbashkët.
– Nga tetë ndeshjet që ju kanë mbetur, kush do të jetë më e rëndësishmja?
Derbi apo takimet direkte me Romën dhe Atalantën, mund të na ndihmojnë shumë në rast se fitojmë, por mendoj se çdo ndeshje ka shumë vlerë. Fundja, edhe ndeshjet ndaj Palermos, Krotones apo Empolit vlejnë po tri pikë.
– Si e shihni rrugën drejt Europës?
Shpresonim në humbjen e Interit, por më shumë se sa skuadrat e tjera duhet të shohim renditjen tonë duke u munduar deri në fund për të siguruar Europën, që është edhe objektivi ynë kryesor.
Nuk kam asnjë plan
Zinedin Zidan është në garë për të fituar dy kompeticione sivjet, duke luftuar si në kampionat, edhe në Ligën e Kampioneve. Trajneri i Realit konfirmon për herë të parë se nuk e ka të sigurt qëndrimin në krye të ekipit edhe edicionin e ardhshëm. Francezi ka komentuar dhe debatin me James Rodrigezin apo menaxhimin e kalendarit të ngjeshur…
– Sa e rëndësishme është mbështetja e tifozëve tuaj në derbi?
Shumë. E di që në “Santiago Bernabeu” do të jetë një atmosferë elektrizuese, e cila do të na ndihmojë si gjithnjë. Na jep më tepër vetëbesim dhe motivim.
– Do të vazhdoni ta zëvendësoni James Rodrigezin?
Sigurisht. Nuk është një luftë, por raporte midis trajnerit dhe lojtarit, të cilat nuk do të ndryshojnë. Si mendoni ju? James dhe unë kemi të njëjtin interes. Tani duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës dhe kaq.
– E dini që ka lojtarë, të cilët kanë nevojë të ndihen titullarë?
Kemi edhe nëntë ndeshje deri në fund të kampionatit. Për mua janë të gjitha të rëndësishme. Në sulm nuk kam vetëm Ronaldon, Benzemanë dhe Bejlin. Edhe ata e dinë që ne jemi një grup i bashkuar. Kalendari është shumë i ngjeshur dhe gjithsecili do të ketë mundësinë e tij për të treguar atë që zotëron.
– Si e prisni Atletikon në derbin e sotëm?
Nuk ka për të qenë një ndeshje e lehtë. Nuk e di se si do të zbresin në fushë taktikisht. Ajo që më intereson është vetja jonë. Nëse arrijmë të japim maksimumin, të mos bëjmë gabime dhe t’i finalizojmë si duhet rastet për shënim, jam optimist që do të fitojmë. E sigurt është që do të jetë një ndeshje e luftuar dhe e bukur për t’u parë.
– Treshja Ronaldo-Benzema-Bejl është më në formë se kurrë në këtë fund të edicionit…
Ky është edhe objektivi ynë, që ata të jenë në maksimumin e tyre në momentin më të rëndësishëm të edicionit. Kjo nuk do të thotë se do të jenë gjithnjë ata të tre titullarë, pasi do të ketë edhe ndeshje ku Kristiano apo Garet mund të qëndrojnë pushim. Gjithçka do të varet nga kundërshtari që do të kemi përballë. Duhet t’i menaxhojmë me zgjuarsi energjitë.
– Keni folur me Kristianon për ta lënë pushim?
Nuk kemi bërë plane. Do të flas me të dhe do ta vendosim. Ashtu do të ndodhë edhe me pjesën tjetër të lojtarëve. Të gjithë e dinë që kjo është e rëndësishme.
– Do të ishte një dështim po të mos dilnit kampionë në Spanjë sivjet?
Nuk e di, ne do e tentojmë. Jemi këtu për të realizuar këtë objektiv. Njerëzit mund ta cilësojnë edhe dështim, por ne nuk e konsiderojmë si mundësi. Do të luftojmë deri në ndeshjen e fundit. Jemi në garë si në kampionat, edhe në Champions.
– Varet e ardhmja juaj nga ecuria në kampionat ose në Champions? Jeni i sigurt që do të jeni në krye të Realit sezonin e ardhshëm?
Jo, nuk jam aspak i sigurt. Nuk jam duke përgatitur asgjë për vitin tjetër. Dua të përfundoj pjesën e mbetur të këtij edicioni. Unë e njoh këtë klub dhe e di presionin që ka drejtimi i Realit, me të mirat e këqijat e veta. Jam i përgatitur për të gjitha variantet. Nuk kam menduar as për fazën përgatitore.
– A është Ronaldo, lojtari juaj më i rëndësishëm?
Jo vetëm ai. Ronaldo stërvitet në mënyrë fenomenale, ka një potencial unik dhe është shumë i rëndësishëm. Por, në ekipin tonë nuk ka hierarki në këtë aspekt. Në ndeshjet e rëndësishme, Kristiano është i aftë të bëjë diferencën, edhe për shkak të eksperiencës që gëzon. Është lojtar dhe një djalë shumë pozitiv, që transmeton vetëm energji.
Jo vetëm Donnarumma, dhe të mëdhenjtë gabojnë
Javën e kaluar, ai që konsiderohet si portieri i së ardhmes në Itali bëri një gafë jo të vogël në ndeshjen me Pescarën, që i kushtoi një gol Milanit. Por gabimet, sidomos mes dy shtyllave janë pjesë e lojës, madje dhe mes të mëdhenjve, pasi në futboll gabimi herët apo vonë ndodh. Siç i ka ndodhur në të kaluarën dhe Buffonit, me të cilin Donnarummën e krahasojnë shpesh. Topi i kthyer pas, kontroll jo i mirë dhe përfundimi, topi në rrjetë. Tek Milani është ende i freskët dhe gabimi dy vjet më parë në Parma, me Diego Lopez që në të njëjtin aksion, jo vetëm gaboi, por dhe u dëmtua duke lënë fushën e lojës, ndërsa fajin në derën e De Sciglos.
E rrallë, por ndodh që autogolin ndonjëherë e shënon dhe portieri, siç i ka ndodhur këtë sezon Handanoviç. Në kategorinë e portierëve bujarë bëjnë pjesë dhe Daniele Padelli dhe Andres Consigli që kanë sajuar autogola të pamundur, ndërsa Gojkoecea spikati për autogolin e tij në stil zhytje volejbolli. Gafa që megjithatë kanë ndihmuar këta portierë të bëhen të mëdhenj duke mësuar nga gabimet e tyre e duke realizuar dhe pritje të tilla.
Futbolli në San Marino pushtohet nga droga dhe bastet
Futbolli i San Marinos pushtohet nga skandalet. Rrethit vicioz të basteve të jashtëligjshme, duket se nuk i ka shpëtuar dot as një vend i vogël siç është San Marino. Liga modeste e këtij kampionati është vënë nën hetim nga ana e autoriteteve vendase. Shkak është bërë një takim i luajtur në “Kupën Titano” i zhvilluar në mes të muajit mars, ku kryesuesit e kampionatit Virtus, janë mundur nga një autogol kundrejt skuadrës së vendit të fundit në tabelën e klasifikimit San Giovani, ndërkohë që momentalisht të dy skuadrat janë jashtë kompeticionit. Fakte të çuditshme këto, për autoritetet vendase dhe që i ka bërë ata të nisin një proces hetimor.
Përveç personave që janë thirrur për të dhënë dëshminë e tyre, policia ka vendosur të bëjë një kontroll surprizë në qendrën stërvitore të Virtus dhe në fakt surprizat nuk munguan. Në makinën e portierit 22-vjeçar, uniformat blu gjetën një sasi të konsiderueshme droge. Autoritetet më të larta të Republikës së San Marinos së bashku me Federatën e Futbollit vendas, kanë shprehur gatishmërinë e tyre për bashkëpunim, si dhe për t’i shkuar deri në fund kësaj ngjarjeje. Skandali pritet të marrë përmasa akoma edhe më të mëdha në ditët në vazhdim.
Villarreal dominon në “El Madrigal”
Villarreal nuk dorëzohet në garën për Champions. Nëndetësja e Verdhë mundi 3-1 në “El Madrigal”Athletic Bilbaon duke bërë që baskët të rrëshkasin katër pikë pas tyre. Skuadra nga komuniteti valencian e shfrytëzoi në maksimum faktorin fushë duke luajtur shumë mirë përpara publikut të tyre, aq sa dhe fillimin e pati të shpejtë me një gol të Victor Ruizit. Gjithsesi epërsia e vendasve nuk zgjati shumë pasi Laporte mundi të barazojë 3 minuta më pas rezultatin.
Ndeshja mori tërësisht krahun e Villarrealit në pjesën e dytë, kur Bakambu e hapi fraksionin me një gol shumë të shpejtë. Ndërkohë që fitorja e vendasve u sigurua në të 59-tën pas golit të Adrian Lopezit. Dhe dalja me të kuq e Ruizit 16 minuta para fundit nuk është se ndryshoi kahun e rezultatit me Villarreal, që tashmë e sheh veten 4 pikë larg zonës Champions duke shpresuar për një hap të gabuar të Sevillas.
S’ka fitues në “Waldstadion”
Werder Bremen regjistroi rezultatin e tetë pozitiv radhazi, por barazimi në Frankfurt me Eintracht ka shijen e një humbje për jeshilët, që kryesonin deri në 0-2. Skuadra më e mirë e momentit në Gjermani, Werder i bëri një nisje fantastike dhe ndeshjes së “Waldstadion” teksa në pjesën e parë arriti të krijojë një epërsi të dyfishtë, me Jonuzoviç që ngriti i pari siparin e golave në të 37-tën. 6 minuta më pas u mendua se ndeshja ishte praktikisht e mbyllur kur Bartels dyfishoi rezultatin, por vendasit pas pushimit hynë të karikuar në fushë me Abraham që pas vetëm 3 minutash mundi të shkurtojë diferencën.
Eintracht megjithatë nuk kishte përfunduar ende pasi në të 73-tën Fabian realizoi përmbysjen e vendasve pasi u tregua i saktë nga pika e bardhë. Kjo pikë e marrë ndryshon pak megjithatë sa i përket klasifikimit për skuadrat, me Werder që i largohet gjithmonë e më shumë zonës së ftohtë e madje afrohet me Europën, për të cilën lufton aktualisht dhe Eintracht që ka në total 38 pikë, 2 më shumë se jeshilët.
Skandal, ushqimet e skaduara në Tiranë dërgohen në rrethe
Konsumatorët shqiptarë gjithmonë e më shumë të pasigurtë për ushqimet që konsumojnë duket se janë ndërgjegjësuar më shumë për të denoncuar rastet e konstatuara të ushqimeve të skaduara. Sipas Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit zgjidhje për të garantuar sigurinë ushqimore është funksionimi i organeve kompetente, si dhe vetingu për të vendosur në detyrë ekspertë dhe jo militantë. Pavarësisht se para mbërritjes në tavolinat e konsumatorëve ushqimet kalojnë në një sërë hallkash duket se, ende këto të fundit nuk funksionojnë si duhet. Drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Hasan Stafa ngre shqetësimin se produktet e skaduara tërhiqen nga tregu kryeqytetas për t’u dërguar në rrethe. “Skadon produkti në Tiranë, kapet në Tiranë dhe ai produkt në vend që të asgjësohet, por vendoset një etiketë tjetër dhe dërgohet në një zonë periferike”, thotë Stafa. Ai thotë se një numër i lartë denoncimesh janë referuar në instancat përkatëse. Stafa: Ne kemi rast që kemi çuar te ISUV analizat e produkteve të veçantë, po hetojmë fabrika që përpunojnë mishin dhe e kthejnë në nënprodukte, ashtu sikurse po shikojmë dhe kemi dyshimet tona për imitacione në etiketa. Sipas Stafës ashtu sikundër në politikë edhe në organet drejtuese të sigurisë ushqimore duhet veting për të larguar nga postet të papërgjegjshmit dhe për të vënë aty ekspertë. Stafa: Kërkohet një profesionalizëm, kërkohet një veting, pastrim i strukturave të administratës shtetërore nga militantët dhe të kthehen në punë profesionistët. Produktet dhe nënproduktet e mishit dhe ato me origjinë shtazore rezultojnë të jenë ndër më të shumtat të konstatuara në tregje jashtë datës së skadencës apo jashtë kushteve të tregtimit ndaj për këtë arsye 2 javët e fundit sipas të dhënave të mbrojtjes së konsumatorit këto produkte janë braktisur nga konsumatorët.

















