14.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Nëntor, 2025

Tenderi i dyshimtë, Tahiri edhe 390 milionë lekë të tjera për mobilim zyre

Pas tenderit 1 milion euro për moblimin e zyrave të godinës së re të Ministrisë së Brendshme, një tjetër tender është shpallur së fundmi, ku ofrohet një shifër prej 390 milionë lekësh me të njëjtin objekt prokurimi, mobilim i zyrave të ministrisë.  Një tender i shpallur në kohën kur Saimir Tahiri mbante postin e ministrit të Brendshëm synon të zhvasë një shumë të mirë parash nga buxheti i shtetit për mobilim zyrash në një kohë që pak kohë më parë, e njëjta ministri kishte shpallur një tjetër tender për mobilim zyrash që kapte vlerën e qindra milionëve lekëve, kjo pas rikonstruksionit të godinës së re. “Procedura e Prokurimit është ‘Procedurë e hapur’. Objekti: ‘Blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim zyrash’. Fondi limit: 38 782 990 (tridhjetë e tetë milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e dy mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë) lekë pa TVSH. Afati për lëvrimin e mallit: Brenda 45 ditëve nga momenti i lidhjes së kontratës. Hapja e ofertave do të bëhet në datën 20.04.2017, ora: 10:00. Afati i fundit për pranimin e dokumenteve në datën 20.04.2017, ora: 10:00”, thuhet në Buletinin e Prokurimeve Publike. Janë plot 390 milionë lekë të shpallura nga Ministria e Brendshme për tavolina e karrige, të cilat sipas tenderit të shpallur më parë duhet të ishin blerë ndërkohë. Në marsin e vitit të kaluar, Ministria e Brendshme shpalli një tender për mobilimin e të gjitha zyrave pas rikonstruksionit të plotë të godinës së ministrisë. Shifra e tenderit ishte 1 milion euro ose 1.3 miliardë lekë. Ajo çka e bën këtë tender dyshues është pikërisht fakti se vjet, në këtë kohë, ministria shpalli një tender me po të njëjtin objekt. Ja çfarë shkruhej në shpalljen e tenderit 1 milion euro për mobilimin e zyrave të Ministrisë së Brendshme. “Godina e Ministrisë së Brendshme, në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë prej më shumë se një viti. Ajo ishte e amortizuar pjesërisht, teksa kishte lagështirë të plotë në bodrum. Gjatë kësaj kohe, Ministria e Brendshme është zhvendosur përkohësisht në godinën e Gardës së Republikës, nga krahu i digës së Liqenit Artificial. Edhe për rregullimin e këtyre ambienteve, ministria ka bërë disa tenderë. Rregullimi i plotë i Ministrisë së Brendshme do t’u kushtojë arkave të shtetit disa miliona USD. Vetëm për mobilimin e zyrave, tenderi është më shumë se 1 milion USD, ndërsa kjo kosto është shumë herë më e lartë për rregullimin e plotë”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Brendshme. Por sikur të mos mjaftonte kjo shifër, Ministria ka shpallur sërish një tender për mobilim zyrash me një shifër të konsiderueshme parash. Ky tender vjen në serinë e vjedhjes së parave publike përmes mënyrës më të shpejtë që tashmë po zbatojnë të gjitha institucionet e veçanërisht ministritë. Pas denoncimit të publikuar në gazetë vetëm pak ditë më parë për dy tendera me shifra marramendëse të shpallura nga Ministria e Mjedisit ku vihen në dispozicion 1 milion euro për një studim dhe 1.5 milionë euro për një projekt absurd që konsiston në dixhitalizimin e pemëve, të tjera tendera dalin në sipërfaqe me objekte nga më të çuditshmet, qëllimi i të cilave është vetëm zhvatja e parave të buxhetit të shtetit dhe vënia e tyre në përdorim të fushatës zgjedhore. Ndërkohë një zhvatje e madhe parash është përgatitur në një dorë të vetme përmes një tenderi që Ministria e Brendshme pak javë më parë ka shpallur për blerje karburanti me një shifër marramendëse prej 44 miliardë lekësh. Kjo shifër kaq e madhe parash është e pazakontë krahasuar me gjithë tenderat e tjerë që janë shpallur për të njëjtin zë “blerjen e karburantit”.

A.Shahini

Veliaj, 25 milionë lekë për karrige me qira

Shpenzime marramendëse nga buxheti i destinuar për shërbime publike për Tiranën përfundojnë në organizim aktivitetesh dhe eventesh të Erion Veliajt. Një tjetër tender i shpallur nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, tregon se si për marrje karrigesh me qira në shërbim të eventeve të Veliajt ofrohen jo pak, por 25 milionë lekë.
“Lloji i procedurës së prokurimit: Kërkesë për Propozim. Objekti i Kontratës: ‘Shpenzime të tjera qiraje (karrige, stage, stenda)’. Fondi Limit: 2 500 000 (dy milion e pesëqind mijë) lekë Pa TVSH. Burimi i financimit: Bashkia e Tiranës. Afati i lëvrimit: nga dita e nënshkrimit të kontratës deri më 31.12.2017”, thuhet në Buletinin e Prokurimeve.
Një tjetër tender i çuditshëm vjen edhe nga një drejtori e vetme në Bashkinë e Tiranës, e cila për mirëmbajtjen e printerave dhe fotokopjeve ofron shifrën prej 31 milionë lekësh të vjetra. “Lloji i procedurës së prokurimit: Kërkesë për Propozime. Objekti i kontratës/marrëveshjes kuadër: ‘Shërbimi i mirëmbajtjes së pajisjeve të printimit, fotokopjimit dhe skanimit për vitin 2017’. Fondi limit: 3.160.000 (tre milion e njëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë pa TVSH. (Burimi i financimit: Vënë në dispozicion nga buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2017). Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin: Nga momenti i lidhjes së kontratës deri më 31.12.2017”, thuhet në tenderin e shpallur në Buletinin e Prokurimeve Publike.

Abuzimet

Numri i tenderave të kontestuar shënoi një rritje të ndjeshme gjatë vitit të kaluar, duke sinjalizuar se, institucionet publike kanë rritur dozën e abuzimeve financiare. “Gjatë periudhës 1 janar 2016–31 dhjetor 2016, janë regjistruar dhe marrë në shqyrtim pranë Komisionit të Prokurimit Publik 1,393 ankesa në total, për prokurimet publike, koncesionet, lejet minerare dhe ankandet ose 19.4 për qind më shumë se një vit më parë”, deklaroi KPP në raportin vjetor të vitit 2016. Por rritja e numrit të ankesave nuk është treguesi i vetëm, i cili dëshmon se abuzimet me paratë e taksapaguesve janë rritur. Një tjetër indikator shqetësues është edhe pjesa e tenderave, koncesioneve apo ankandeve që konstatohen me shkelje. Sipas KPP, gjatë vitit që shkoi, nga 1393 ankesat e shqyrtuara rezultoi se vetëm 40 për qind ishin tendera të rregull, ndërsa 60 për qind e tyre kishin shkelje serioze të ligjit, duke çuar në deformimin e rezultatit, por edhe rritjen e kostove për qytetarët. Gjatë kryerjes së veprimtarisë së tij, Komisioni i Prokurimit Publik për vitin 2016, në shumë raste ka konstatuar paligjshmëri në veprimet apo mosveprimet e autoriteteve kontraktore dhe për rrjedhojë ka vendosur anulimin plotësisht ose pjesërisht të tenderave. Në një pjesë të rasteve për këto shkelje, Komisioni ka kërkuar edhe nisjen e hetimit administrativ nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik. Sipas raportit në 11 për qind të tenderave janë shkelur procedurat ligjore. Për këto raste, Komisioni ka kërkuar anulimin e tenderit apo ankandit. Për 41 për qind të rasteve, Komisioni i Prokurimit ka kërkuar nga autoriteti kontraktor të bëjë rivlerësimin e procedurës për shkak të shkeljeve në vlerësim, por edhe gjatë hartimit të tenderit.

Afera dhe pazare, Veliaj vijon traditën e Ramës, kullë në bulevardin e ri

Një kompani arabe do të investojë 250 milionë dollarë amerikanë për të ndërtuar një kullë të madhe ikonike në Tiranë, e cila do të përdoret për turizëm. Qeveria ka dërguar me urgjencë në Parlament, një projektligj ku përcaktohet procedura e negociimit me kompaninë “Al Habtoor Investment LLC”, e cila ka bërë propozimin. “Me anën e këtij projektligji autorizohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Financave, Bashkia Tiranë dhe Avokatura e Shtetit për fillimin e negociimit të marrëveshjes për realizimin e këtij projekti”, thuhet në dokument. “Al Habtoor” është pjesë e një konglomerati të njohur me qendër në Dubai, e cila zotërohet nga sheiku Khalaf Ahmad Al Habtoor, i listuar nga Forbes si një nga njerëzit më të pasur në botë me një pasuri rreth 2.5 miliardë dollarë. Projekti ka të bëjë me ndërtimin e Kullës Ikonike, në zgjatim të bulevardit të ri të Tiranës. Në kërkesën e interesit kompania ka kërkuar të marrë pa kosto pronësinë e një sipërfaqeje prej 25 mijë metër katrorë. Bëhet fjalë për një parcelë trekëndore në zgjatim të bulevardit të ri të Tiranës. Veç tokës pa pagesë, kompania ka kërkuar përjashtimin nga taksat doganore, TVSH-ja, tatimi mbi fitimin apo çdo lloj takse tjetër mbi kapitalin për 15 vjet nga fillimi i veprimeve tregtare. Sipas ligjit Komisioni i Negociimit të Marrëveshjes, në përfundim të procedurave të negociimit harton një raport, të cilin ua dërgon për shqyrtim ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe ministrit të Financave. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe ministri i Financave, brenda afatit kohor prej 30 ditësh nga data e paraqitjes së raportit, shprehen nëse janë dakord ose jo me propozimin e paraqitur.

Tkurrja e vendeve të punës, alarmi që vjen nga bizneset

Nga Ornela Liperi

Në sistemin bankar, në vitin 2016 u shtuan neto vetëm 28 të punësuar. Vendi i preferuar i punës për shumë të rinj me arsim të lartë, që janë në kërkim të një perspektive për karrierë dhe paga të kënaqshme, vitet e fundit nuk është më lehtësisht i disponueshëm, si disa vite në parë, kur punësimi rritej me ritme dyshifrore. Sistemi është në stanjacion, një pjesë e madhe e bankave janë me humbje dhe oreksi i tyre për t’u zgjeruar është minimal: vitin e kaluar u mbyllën 15 degë, duke zbritur në 503, sipas të dhënave zyrtare nga Shoqata e Bankave. Në total, në fund të 2016-s kishte gati 7 mijë persona që punonin në banka. E njëjta tendencë konstatohet në shoqëritë e telekomunikacioneve, edhe ato ndër më të preferuarat dhe të paguarat. Teksa normat e fitimit kanë rënë dhe konkurrenca është rritur, operatorët po tregohen të rezervuar në hapjen e vendeve të reja të punës dhe vitet e fundit, numri i të punësuarve ka mbetur në rreth 420-450 për Vodafone dhe Telecom Albania, ndërsa Albtelecom e ka reduktuar numrin e tyre në rreth 860 (sipas të dhënave të fundit të 2015-s), pas ristrukturimit dhe shkrirjes me Eagle Mobile. Nuk ka më shumë shpresa as për doktorët në spitalet private, që tashmë duket se i kanë plotësuar nevojat për personel dhe ndryshe nga periudha 2012-2014, kanë shumë më pak kërkesa për mjekë të rinj. I vetmi sektor që ka parë rritje vitet e fundit ka qenë call center, që tërhoqi një sërë kompanish italiane të transferonin aktivitetin e tyre në Shqipëri, duke shfrytëzuar koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohjen e gjuhës italiane nga të rinjtë. Por e ardhmja e këtij sektori, pavarësisht avantazheve të dukshme, është vënë në pikëpyetje pas sulmit të hapur të qeverisë italiane, që po u vë barriera sipërmarrjeve të këtij sektori dhe mungesës së kundërpërgjigjes nga qeveria shqiptare. Shqipërisë i mungojnë dukshëm kompanitë e mëdha private me më shumë se 450 të punësuar dhe hyrjet e reja numërohen me gishta vitet e fundit. Sa më të mëdha ndërmarrjet aq më shumë janë në gjendje të amortizojnë goditjet e krizës dhe rënies së konsumit, si rrjedhojë e ekonomisë së shkallës, ndryshe nga të vegjëlit, që janë më të brishtë. Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, në bazë të listës së 100 punëdhënësve më të mëdhenj në vend, në të përfshihen 45 sipërmarrje me kapital privat (me më shumë se 450 punëtorë), 11 janë kompani me kapital shtetëror dhe 44 të tjera janë ente shtetërore (bashki, spitale, ujësjellës, drejtoritë e policive etj.). Nga këto 45 ndërmarrje private dominon sektori i këpucëve, që punon kryesisht me material porositësi, me 11 të tilla, 7 janë në fushën e call center, 5 janë banka, 3 janë subjekte të sigurisë fizike, 4 janë baste sportive, 2 arsim privat, të tjerat janë në fushën e televizionit, prodhimit të naftës, minierave, ndërtimit (rrugëve) etj. Mungojnë sipërmarrje të mëdha prodhuese apo dhe biznese të teknologjisë së informacionit, drejt të cilave po orientohet sot e gjithë bota. Nga 45 punëdhënësit më të mëdhenj privatë në vend, 7 janë nga sektori i call center, e ardhmja e të cilit nëse nuk evoluon dhe nuk përshtatet, mbetet në pikëpyetje. Këto 7 sipërmarrje kanë së bashku 10 mijë të punësuar.

Varësia nga call center

Nga 45 punëdhënësit më të mëdhenj privatë në vend, 7 janë nga sektori i call center, e ardhmja e të cilit nëse nuk evoluon dhe nuk përshtatet mbetet në pikëpyetje. Këto 7 sipërmarrje kanë së bashku 10 mijë të punësuar. Punëdhënësit më të mëdhenj në vend (pa entet publike). Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) është punëdhënësi më i madh në Shqipëri. Në fund të vitit 2015, kompania kishte rreth 6 mijë të punësuar. Intercom Data Service (IDS) është punëdhënësi i tretë më i madh në vend (pas OSHEE dhe Drejtorisë Arsimore Tiranë) dhe i pari nga sipërmarrjet private, me rreth 3 mijë të punësuar. E përqendruar në aktivitetin e thirrjeve telefonike, IDS është nga pionierët e parë të këtij sektori në vend, që vitet e fundit ka punësuar mijëra të rinj shqiptarë, madje po tërheq edhe të rinj italianë, teksa po diversifikohet dhe në shërbimet online të marketingut. Renditjen e vijon Top Bast, një subjekt që vepron në aktivitetin e lojërave të fatit, me gati 2200 të punësuar. Më shumë se hapje reale e vendeve të punës, ky rezulton një formalizim, pas aksionit të qeverisë në vitin 2015 në këtë sektor. Në renditjen e punëdhënësve më të mëdhenj janë dhe operatorë të tjerë të këtij segmenti si I T S G A, Loto Sport dhe Top Start. Të katërta kompanitë deklarojnë gati 5 mijë punonjës, pothuajse dyfishim në raport me 2014-n. Dy sipërmarrjet e tjera të mëdha call center janë Albanian Marketing Service (Teleperformance) dhe Albacall, me përkatësisht 2150 dhe 1800 të punësuar. Ky sektor dominon dukshëm në renditjen e kompanive më të mëdha për nga pesha në punësim. Në total, nga 43 mijë punonjës të punësuar nga 45 më të mëdhenjtë, 23% i përkasin call center. Operatorë të tjerë të mëdhenj janë PARR, Professional Marketing Albania, Tregi Marketing Group, FIBER. Sektori i fasonit vijon të jetë punëdhënës i madh, sidomos në prodhimin e këpucëve që ka përparuar në raport me tekstilet dhe pjesa më e madhe e sipërmarrjeve e kanë mbyllur ciklin, duke rritur vlerën e shtuar. Alba Shoes Group mbetet më i madhi për numrin e të punësuarve, me rreth 1200 punonjës. Më pas renditen Remal, Fital, Donianna, Endi sh.p.k., Dophil. Nga bizneset e veshjeve, më i madhi është Naber-Shijak. Center Shqiptare Berat, me aktivitet në fabrikimin e letrës dhe kartonit të valëzuar dhe ambalazhit me karton, ka rreth 1000 të punësuar. Nga bankat, kryesimin e kanë Raiffeisen dhe BKT, së bashku me Credins e Intesa Sanpaolo Bank. Sipërmarrjet e naftës, që kryesojnë renditjen sipas qarkullimit vjetor, janë kryesisht tregtues të mëdhenj (Kastrati) dhe me kapital intensiv (Bankers Petroleum) dhe punësojnë nga rreth 500 persona secili.

Çfarë do të ndodhë me call center

Intercom Data Service (IDS), që është kompania më e madhe e punëdhënësve privatë në Shqipëri kishte rreth 3000 të punësuar në fund të vitit 2015. Agron Shehaj, administrator i sipërmarrjes, thotë se numri i të punësuarve edhe aktualisht ka mbetur i pandryshuar. “Është e vështirë të rritesh kur je i madh”, thotë ai, ndërsa shton se edhe konkurrenca është shtuar. Shehaj pohon se do të mbajë pozicionin që ka me IDS-në, ndërsa pret rritje shumë të madhe te kompania tjetër Localweb, agjencisë së webmarketing e krijuar në Itali në gusht 2013, ku mbi 250 të rinj punojnë në zyrat e Tiranës. Përmes internetit (Google, Facebook) ata gjejnë klientë për bizneset me të cilët ata kanë kontrata. “Me Localweb jepet shërbimi i reklamës në web për sipërmarrjet e mesme dhe të vogla në Itali”, thotë Shehaj. Investimi për Localweb është në radhë të parë një diversifikim në një fushë me shumë potencial, që është tregu dixhital. Ai nuk ka në qendër biznesin e call center, por webmarketing, që nuk preket nga ndryshimet e ligjit në Itali. “Ne nuk po bëjmë një call center më të mirë, ne po shkojmë përtej call center”, ka pohuar Shehaj. Në fakt, kalimi në një tjetër nivel, përtej thirrjeve, po shihet si “shpëtimi” për sektorin e qendrave telefonike, për të cilin interesi vijon të jetë shumë i lartë, por që po sulmohet fort nga Italia. Më 1 prill hyri në fuqi ligji i ri i delokalizimit në Itali, i miratuar nga qeveria italiane në dhjetor të vitit të kaluar, që tenton të forcojë masat ndaj fenomenit “dumping” në sektorin e call center, që kanë sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit në Itali, ku një pjesë e madhe e vendeve të punës është transferuar në Shqipëri, për shkak të avantazhit të kostos së fuqisë punëtore dhe njohjes së gjuhës italiane. Ligji vendos sanksione deri në 150 mijë euro për shkelje si mosdeklarimi i origjinës nga bëhet telefonata, mosruajtjen e të dhënave, mosnjoftimi i delokalizimit, mosdeklarimi i numrit të punonjësve, transferimi i punonjësve etj. Për shembull, mosinformimi i vendit nga bëhet thirrja shoqërohet me një sanksion administrativ prej 50,000 eurosh për çdo ditë të shkeljes së ligjit, pavarësisht nga numri i thirrjeve “jo të rregullta”. Operatorët e tregut pohojnë se ky presion ka filluar të ndihet. Kompanitë e mëdha italiane kanë filluar që të reduktojnë kontratat në Shqipëri. Telecom Italia Mobile (TIM), platforma televizive me pagesë Sky dhe Fastweb (fibra optike), të cilat kanë kontraktuar operatorë shqiptarë për shërbimet e call center, po tërhiqen gradualisht. Sektori i call center në Shqipëri ka 25 mijë të punësuar dhe ka njohur një zgjerim të shpejtë vitet e fundit. Por, ndërsa të paktën ndërmarrjet e mëdha do t’i mbijetojnë presionit italian, nuk pritet që rritja të vazhdojë me ritme të njëjta, ndërsa ka sinjale se disa subjekte kanë filluar të mbyllen. Qeveria italiane duket e vendosur për të mos lejuar as transferimin e kompanive të tjera në Shqipëri dhe po u bën presion kompanive celulare, televizive të internetit të mos rinovojnë kontratat me operatorët shqiptarë. “Il Sole 24” shkruan se legjislacioni “antizhvendosje” në industrinë e call center, miratuar në ligjin e buxhetit (ndër më kufizueset në BE) ka filluar të tregojë rezultate. “Vetëm në janar janë vënë 20 sanksione në raport me 30 që u zbatuan gjithë vitin e kaluar – ka pohuar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Carlo Calenda. Hapi i dytë, tani, është që të shmanget lëvizja dhe brenda Europës, në mënyrë që kompanitë të mos kalojnë nga Shqipëria në Rumani. Tani për tani, kemi marrë OK nga 12 nga lojtarët kryesorë, ne duam që të arrijmë deri në 15”. Çështja është që në skenarin aktual ekonomik, “sektori i call center ka nevojë për një nivel mbrojtjeje të veçantë”, ka shpjeguar zyrtari i qeverisë.

Mbylljet e mëdha të kompanive me potencial të lartë punësimi

Disa kompani, punëdhënës të mëdhenj, nuk janë më në treg si “Kurum”, që shpalli falimentin për arsye ristrukturimi në shkurt 2016. Në vitin 2015, ai kishte më shumë se 500 punonjës. Transatlantic Albania, që shfrytëzonte me koncesion dy vendburimet e naftës dhe gazit në Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul, me gati 500 punonjës, i është prishur kontrata nga Albpetrol. Megjithatë, shfrytëzimi i burimeve është marrë në dorë nga kjo e fundit, që ka hapur sërish garën. Përpunuesi i naftës, ARMO, me mbi 1000 të punësuar në fund të 2014-s vijon të jetë në një situatë të komplikuar, edhe pasi u mor në shfrytëzim nga kompania offshore IRTC ku një pjesë e madhe e punonjësve po i kërkojnë pagat e prapambetura përmes përmbarimit ose gjykatës.
Kuarta, shoqëria e tregtimit me pakicë të naftës (që ka qenë pjesë e ish-grupit Taçi Oil) me rreth 400 të punësuar më 2014-n, është tashmë e falimentuar. Ndërsa këta punëdhënës të mëdhenj kanë dalë nga lista, nuk shihet të ketë hyrje të reja të sipërmarrjeve private, me më shumë se 400 të punësuar, më 2015-n. E vetmja kompani e re, e renditur në listën e punëdhënësve më të mëdhenj është JEU, e hapur më 2014-n dhe me aktivitet në fushën e material-porositësit. Mungojnë dhe investimet e huaja në industri apo fusha të tjera përveç gazsjellësit TAP, që do të gjeneronin vende të reja pune me ritëm të shpejtë.
Bizneset, të paktën në afatin e shkurtër, kanë deklaruar një ngrirje të investimeve, për shkak të situatës së paqartë politike, që nënkupton më pak vende pune të hapura. Ka një orientim pozitiv drejt turizmit, teksa bizneset po i alokojnë në këtë sektor investimet e tyre, por dhe këtu është problematike cilësia e fuqisë punëtore dhe rreziku se këto investime mund të kthehen në një flluskë për shkak të infrastrukturës së dobët dhe shfrytëzimit të turizmit për një periudhë të shkurtër të vitit. Shqipëria ka një numër të lartë të punësuarish në turizëm dhe listohet si vendi i tretë në botë që siguron punësim të lartë në këtë sektor, sipas të dhënave të World Travel and Tourism Council (WTTC). “Shqipëria vjen si surprizë në vendin e tretë, ku 24% e vendeve të punës (një në 4) janë si rezultat i turizmit. Për 50 vjet e mbyllur nga bota, Shqipëria ende nuk mund të quhet destinacion i profilit të lartë turistik, por turistët tërhiqen nga produktet turistike të panjohura kryesisht në Rivierën shqiptare dhe Alpet e Shqipërisë. Markat ndërkombëtare ende mungojnë në vend, po sipërmarrja është duke lulëzuar dhe kjo do të thotë që autenticiteti është pika më e fortë e turizmit shqiptar”, thuhet në raportin e World Travel and Tourism Council të publikuar së fundi mbi impaktin ekonomik të udhëtimeve dhe turizmit, fokusuar tek shtetet që krijojnë më shumë vende pune nga turizmi.

Masakra e Stokholmit

Një kamion i vogël u përplas të premten në një kompleks dyqanesh të Stokholmit, duke vrarë të paktën tre persona, sipas njoftimeve të medias suedeze. Autoritetet kanë arrestuar një person lidhur me sulmin.
Policia e Stokholmit konfirmoi vdekjen dhe plagosjen e shumë vetëve. Janë konfirmuar katër të tillë
Kryeministri suedez Stefan Lofven, e quajti ngjarjen “sulm terrorist”.
Ai tha se “Qeveria është duke bërë çdo gjë për të sqaruar se çfarë ka ndodhur. Ne kemi këshilluar njerëzit që të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin këshillat e policisë,” tha Kryeministri.
Mbreti Carl Gustaf i Suedisë shprehu ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre në një deklaratë të shkurtër.
Disa udhëheqës evropianë, përfshirë kancelaren Angela Merkel dhe kryetarin e Bashkisë së Londrës, Saddiq Khan, kanë lëshuar deklarata ku kanë shprehur solidaritetin me Suedinë.
“Një nga qytetet më dinamike të Evropës është goditur mesa duket nga njerëz që I duan të godasin atë dhe mënyrën tone të jetesës”, tha Presidenti i Komisionit Evropian. Jean-Claude Juncker. “Një sulm ndaj njërit prej vendeve tona anëtare, është një sulm ndaj të gjithëve ne”.
Incidenti ndodhi në një qendër tregëtare në një nga rrugët më të ngarkuara të qytetit, pranë stacionit qendror të metrosë.
Përplasja e kamionit me qendrën tregtare ndodhi rreth orës 15 sipas orës lokale. Pati raportime për të shtëna dhe u raportua për njerëz që largoheshim me vrap nga zona e incidentit, bëri të ditur televizioni suedez SVT.
Një kamion i rrëmbyer raportohet se goditi në qendrën tregtare Ahlens në rrugën me qarkullim të dendur Drottninggatan, një zonë qendrore këmbësorësh dhe pazari në qendër të qytetit, në afërsi të stacionit kryesor hekurudhor të Stokholmit.
Policia u ka bërë thirrje njerëzve që të qendrojnë larg qendrës së qytetit, pas raportimeve për shtënie me armë në dy pika të tjera të qytetit. Në televizionin suedez u treguan pamje tymi që dilnin nga qendra tregtare.
“Policia mori një thirrje emergjente që një person në një kamion ka plagosur njerëz të tjerë në Drottninggatan”, shkroi policia suedeze në twitter.
Ajo nuk e konfirmon arrestimin e një të dyshuari, siç u raportua në media më parë.
“Unë pashë të paktën tri të vdekur, po ndoshta janë më shumë”, tha raportuesi i radios suedeze, Martin Svenningsen. Shërbimi Informativ suedez tha se ka gjasa që numri i të vdekurve të rritet.
Qeveria e Gjermanisë u shprehu të afërmve të viktimave dhe forcave të shpëtimit mbështetjen e saj. “Mendimet tona janë te njerëzit në Stokholm, te të plagosurit, të afërmit, forcat e shpëtimit dhe te policia”, bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert përmes twitterit. “Ne qëndrojmë të bashkuar kundër terrorit”, shtoi ai.

Kush është banda e Rilindjes që po helmon Fierin

Nga Jonida Tashi

Sot, pranë këtyre banorëve nuk gjendet asnjë përfaqësues qeveritar qoftë edhe lokal. Deputeti i përhershëm i zonës, Ervin Koçi, djalë i lindur ngjitur me fshatin Verri, atë që gjendet buzë rrugës në Vajkan, e la mandatin për t’iu rikthyer karrierës së tij si ekonomist, fill pasi mori edhe një mesazh nga banorët që i kërkonin ndihmë. Ndjesën për asgjë që nuk bëri dot në aq vite për banorët e fshatit të tij më së pari, por jo vetëm, e bëri në postimin e tij në Facebook. Aty mori guximin të fliste, se në Kuvend se ka thënë kurrë një fjalë për asnjë shqetësim që kanë banorët në zonën e Fierit. As për ata maratonomakët e Zharrzës që u dergjen në protesta, greva e marshime epike për të kërkuar lekët për shtëpitë që po u shemben nga kompania private e lejuar nga shteti për të nxjerrë naftë. Po, u ka shkuar në derë një herë kur ka shoqëruar drejtues të partisë, ku ai bën pjesë për t’u kërkuar votën, që e kanë marrë pa vështirësi, pasi zona njihet si e majtë ashtu sikurse është konsideruar edhe i gjithë Fieri, si një nga bastionet e socialistëve.
Ndërsa administratori i Njësisë Administrative Mbrostar, Gëzim Dhima, kushëriri i parë i deputetit Ervin Koçi, as i ka rënë në mendje halli i këtyre banorëve dhe pse i ka shoqëruar në distancë në protestat para Bashkisë. Pas administratorit, një tjetër njeri i afërt i Ervin Koçit, kushërira e tij e parë, drejtoresha e shkollës së mesme dhe 9-vjeçare “Vasil Sota” Verri, Aurora Bualli, mban nën presion nxënësit që të mos largohen nga mësimi për të shkuar në protestë. Ndërsa, kur i janë dashur kushëririt deputet për mitingje politike porta e shkollës është hapur në të dyja anët, e mësuesve u është bërë presion për pjesëmarrje, në të kundërt, duhet të iknin nga puna. Të tjerë të punësuar ka nga fisi i Ervin Koçit pranë institucioneve në Fier. Rilindja udhëheq me bandë, ky është një rast që e dëshmon mirë, ku një pjesë e Fierit drejtohet nga fisi i Ervin Koçit, që qeveria i ka besuar së fundi edhe detyrën e drejtuesit të një prej institucioneve më të rëndësishme të kontrollit të tregjeve, që është Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Por e keqja për banorët e fshatit Verri, që nuk kanë parë kurrë asnjë ndihmë nga shteti nuk mbaron me djalin e zonës së tyre. Banorët kanë protestuar edhe para Bashkisë se Fierit, duke kërkuar sqarime nga kryetari i saj, Armando Subashi, që për hir të interesave të tij personale, hesht dhe lejon që një kompani fantazëm të nisi punimet në një tokë që ai pretendon se banorët e zonës ja ka dhënë vetë investitorit. E vërteta nuk është kështu! Asaj toke i ka dalë pronar i biri i Sabri Godos, Arben Godo, vëllai i doktoreshës së mirë onko-hematologe për fëmijë, Anila Godo. Arben Godo nuk ka asnjë lidhje me fshatin, as e di si jetohet aty apo çfarë dëmi do t’u shkaktohet banorëve, shumë prej të cilëve si zë gjumi natën nga meraku. Por për merakun e tyre sot nuk kujtohet askush.
Ministri i Mjedisit, Leter Koka, pasi lejoi ndërtimin e një inceneratori në zonën e Elbasanit, firmosi edhe kontratën e dytë koncensionare në dhjetor të vitit 2016, kësaj radhe për Fierin. Koka me siguri nuk pyeti e as dëgjoi ekspert, as ambientalistë, as i hyri llogarive të ndotjes, madje-madje harroi që jemi në prag fushate dhe si bëri hesapet mirë as me votat. Sot, pasi banorët i janë drejtuar zyrtarisht, ministri u ka bërë të ditur se nuk ka dhënë leje për ndërtimin e inceneratorit e se kontrata është ku duan të ndërtojnë një fabrikë helmuese.
Policia e Shtetit, siç ka dhe emrin, po i dhunon, po i  përndjek, po u bën presion banorëve të fshatit, duke i dërguar fletëthirrje që të paraqiten në Prokurori, njerëzve që s’kanë pasur kurrëfarë lidhje me krimin në jetë, por veç me punën dhe tokën që duan t’ua helmatisin. Deri tani kanë proceduar 18 banorë, të tjerë po kërcënojnë çdo ditë. Mendojnë se me frikë do të munden të mposhtin njerëzit e punës. Kreu i Bashkisë, Armanado Subashi, u ka dërguar fjalë banorëve të fshatit me të besuarit e tij se të gjithë do të përfundojnë në burg dhe inceneratori do të bëhet. Këta njerëz shtetin e kanë shndërruar në pronë private, që e përdorin si dhe për çfarë të duan. Para se të mbërrihej në Verri, lufta për mos lejimin e inceneratorit ishte zhvilluar nga banorët e fshatit Mbyet, pastaj ata në Mbrostar. Po shëtisin vend më vend për të gjejtur një copë tokë ku të ndërtojnë një impinat vdekje, e që njerëzve po ua shesin si mundësi punësimi, ndërkohë që për fshatin nuk janë kujtuar asnjëherë dhe tani që u ra mendja po kërkojnë ta zhdukin.

Një sinjal për qeveritë që po helmojnë njerëz

Frrok ÇUPI

Ku po shkojnë qeveritë që helmojnë njerëz?…
Presidenti Trump urdhëroi sot në mëngjes, (ora 2:00- sipas orës sonë) sulmin ajror me 59 raketa cruise kundër regjimit të Assad në Siri. Shtëpia e Bardhë nisi luftën kundër “vdekjes së ngadaltë” që praktikojnë qeveritë barbare pas Luftës së Dytë.
Presidenti Trump, në mesazhin drejtuar kombit amerikan, tha se “vdekja e ngadaltë” e njerëzve të pafajshëm, e burrave të pa mbrojtur, e grave dhe e fëmijëve, ‘e atyre fëmijëve aq të bukur’ më krijoji ‘impakt të lartë’. Sulmi me armë kimike mbi njerëz u urdhërua nga diktatori i Sirisë.
Lufta e Amerikës mbi shkaktarët e “vdekjes së ngadaltë” sot ishte e fuqishme; aq e fuqishme sa bashkoi botën (jo sa “tronditi botën!”). Bota qenka ngarkuar pak nga pak, dalëngadalë, me rrezikun e “vdekjes së ngadalshme”, ja pse njerëzimi u bashkua menjëherë rreth Trump, të cilin establishmentet dhe elitat e dështuara e kishin kundërshtuar pa fund…
Sulmi ishte edhe aq “njerëzor”; maksimumi njerëzor sa mund të jetë sulmi mbrojtës ndaj njerëzve. Pentagoni deklaroi menjëherë, se sulmi ishte kryer në “fushën ajrore” siriane nga ku u lëshua bombardimi me gaz nervin mbi njerëz të pafajshëm sirianë, por me kujdesin që të mos kishte trupa, as rus dhe as sirian dhe rreziku të ishte minimal.
Por nuk qëndron vetëm këtu sensi “njerëzor”.
Amerika, përmes presidentit Trump, lëshoi tre sinjale pro-njerëzve që helmohen nga qeveritë e tyre:
Sinjali i parë,
Shtatëdhjetë e ca vjet pas Luftës së Dytë barbare, barbarëve që mbetën si “anti-nazistë”, por komunistë e liberalë, iu hiqet nga dora arma e vdekjes “së ngadaltë”. Trump dhe aleatët e tij në Amerikë e në mbarë botën, deklaruan se akti i Shteteve të Bashkuara paralajmëroi: “Jo më kurrë, armë helmuese!”. Përjetësisht iu hiqet e drejta qeverive që të vrasin njerëz të pafajshëm përmes “dashurisë prindërore” se po ‘iu pastrojnë qytetin’, se po ‘iu sjellin ca plehra për përpunim nga jashtë’, se ‘po iu shtojnë mirëqenien me demontim të armëve kimike’. Në Shqipëri po ndodh, në mënyrë shumë të zakonshme, që qeveria vret “ngadalë”. Statistikat e fundit thanë se 17 nga 100 vdekje, ndodhin për shkak të “helmimit”. Shifra që nxori krye, sigurisht, është vetë e frikësuar dhe nuk tregon gjithë të vërtetën… Me sulmin mbi Siri, Amerika tha drejtpërdrejt kështu: “Që të mos guxoni më me helme!”.
Sinjali i dytë,
Senatori Rand Paul kërkoi që Presidenti të marrë leje në Kongres për sulmin në Siri. Kështu u bë. Senatori tha se, “duhet leje” sipas ligjit, meqë nuk po sulmohet direkt Amerika. Por leja u dha lehtësisht. Argumenti: janë sulmuar me helme njerëz të pafajshëm në botë. “Botë” është kudo jashtë Amerikës, për amerikanët: Edhe Afrika, edhe Europa, edhe Ballkani. Në qoftë se shqiptarët rrezikohen nga helmet, morëm mesazh se Kongresi Amerikan e jep lehtësisht lejen për të sulmuar qeverinë shkaktare. Sinjali për vendet me regjime të dobëta, për autokratë në krye, për arrogantë dhe perversë që “vrasin ngadalë” dhe bëjnë propagandë të shpejtë, u dha nga Amerika. Tani ka më shumë shpresë për “delet” dhe “milingonat”, siç quhen njerëzit e zakonshëm prej qeverive të tyre.
Sinjali i tretë,
Presidenti Trump, duke argumentuar sulmin amerikan, tha se në aktin barbar helmues të presidentit Sirian, “kryqëzohen shumë linja”. “Shumë-shumë linja”, përsëriti presidenti Trump. Amerika e perceptoi  rrezikun kryesor në “kryqëzimin” e shumë linjave; të cilat në disa raste “kapërcejnë vijën e kuqe”.
Në linjat e rrezikshme të helmimit të njerëzve të pafajshëm janë konstatuar tek kryqëzohen interesat mafioze që përbëjnë linja kundër njeriut; imponimi mbi jetën e njerëzve me qëllim përfitimet private financiare; demontimi i armëve kimike në territore ku banojnë njerëz; ruajtja dhe depozitimi në tunele dhe në gropa i lëndëve toksike që iu sjellin njerëzve, sidomos fëmijëve- shtrembërime tragjike jetësore ose vdekje të ngadaltë.
Linja më e rëndësishme që kryqëzohet me sulmin kimik të Sirisë, është kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike. Ka vende ku kjo “bombë” përgatitet nga qeveria. Qeveria e Shqipërisë është shpallur ndër të rrallat në botë që kultivon, përgatit dhe shpërthen nëpër Shqipëri dhe në botën njerëzore, helmin narkotik.
Qeveritë që kultivojnë helmet narkotike tani janë objekt i sulmit; ajror ose jo ajror.
… Kam pyetur veten shpesh kur kam dëgjuar që thonë se “Amerika do të nisë një mesazh” për “qeverinë e drogës” në Tiranë… po pse thonë kështu? Ndoshta njerëzit presin që Amerika t’i lutet qeverisë: “aman mos kultivo drogë dhe mos vrit më njerëz të pafajshëm, … fëmijë të bukur!”. A vërtet e mendon këtë “delikatesë” qeveria që helmon njerëz?!
Pas Sirisë…, nuk e besoj.

/Veritas.com.al/

Si autobusët më nxënës mbushin takimet e Ramës

Ajo çka ndodhi dje në Fier me takimin e Ramës atje, është një tjetër dëshmi se me këtë kryeministër nuk mund të shkohet në zgjedhje. I mbetur vetëm e pa përkrahës, kreu i qeverisë ka dhënë urdhër që të gjitha shkollat e Qarkut Fier të mbyllen dhe nxënësit të jenë në Apoloni në orën 12:00, për të ndjekur takimin që Rama do të zhvillonte me “banorët” atje. Drejtorët e shkollave janë urdhëruar të ndërpresin mësimin ose ta bëjnë me orë të shkurtuara me qëllim që pjesëmarrja të ishte sa më e madhe. Nxënës shkollash nuk u vunë re vetëm në takimin e Apolonisë, por dhe në takimet e stisura dhe me skenar të parapërgatitur që Rama ka zhvilluar me shpërndarjen e tapive. Burime nga Qarku Fier shprehen se dhe në këtë proces ai është treguar selektiv, duke u përpjekur të nxjerrë para kamerave vetëm personat që njihen si militantë të PS-së, të cilët kanë përfituar me listë nga ky proces.

Ndërprerja e mësimit

Rreth orës 10:30, në qendër të Fierit ka pasur lëvizje më shumë se zakonisht. Përpara Prefekturës, janë rreshtuar autobuzët, të cilët u mbushën me nxënës, kryesisht të gjimnazeve. Të gjithë kanë shkuar atje të detyruar dhe përpara presionit për ulje të mesatares në rast se nuk shkojnë në atë takim. Orët ose janë bërë të shkurtuara ose nuk është bërë mësim fare, në kundërshtim kjo me çdo ligj të arsimit në vend. Jo më kot ishte zgjedhur dita e premte për këtë qëllim. Burime nga PS në këtë qark thanë për “RD” se Rama ka pasur më parë njoftime se pjesëmarrja e banorëve të Fierit do të ishte “anemike” dhe ka stisur një takim me “ata që votojnë për herë të parë”. Të njëjtat burime shprehen se në përgjithësi drejtorët e shkollave janë pjesë të strukturave të PS-së në atë rreth dhe prej kohësh është ndërrmarë një fushatë presionesh ndaj maturantëve për të votuar pushtetin aktual, duke i sjellë në kujtesë atë çka ndodhi me maturantët vitin e shkuar. Paramilitarë të PS-së, shihen çdo ditë në shkolla në përpjekje për të rekrutuar sa më shumë 18-vjeçarë, duke parë se rënia e votave e nxjerr dukshëm humbës Ramën në qarkun ku ai, jo pa ironi e quan hambar të votave. Zgjidhja tashmë duket se janë maturantët, duke përdorur si kartë të ardhmen e tyre, një xhest jashtëzakonisht i shëmtuar për këta të rinj, që duhet ta nisin jetën me kompromise votash. Të rinjtë dje, ishin të detyruar të shihnin një kryeministër të xhindosur, që fliste me një gjuhë mllefi. Duhet të shihnin Elisa Spiropalin, modelin e korrupsionit në dogana se si ja linte fjalën “shokut Gramoz” një relike e komunizmit, para sfondit me slloganin “Shqipëria që duam”. Pra, të rinjve të sjellë me pahir në atë takim u kish vënë si Spiropalin dhe Ruçin.

Absurdi i shkollës në Verri

Sjellja më absurde ishte ajo e drejtoreshës së shkollës “Vasil Sota” në fshatin Verri. Drejtoresha Aurora Bualli, është kushurirë e parë e ish-deputetit të këtij qarku Ervin Koçi, i cili u votua si drejtor i AMF. E njëjta drejtoreshë, e cila pengon të rinjtë të protestojnë për landfillin në këtë fshat, i cili rrezikon jetët e tyre dhe të familjarëve të tyre, vuri dje në dispozicion autobusët për t’i dërguar në takimin e Ramës. Prej ditësh në këtë fshat, banorët janë ngritur në protestë për të penguar ngritjen e landfillit atje, por fëmijët e tyre janë detyruar që të shkojnë në takimin e Ramës, për të dëgjuar parajsën që ai do të ngrejë në katër vitet e ardhshme. Për të dëgjuar se si po pengohet rruga e tij drejt pushtetit, se si po pengohet vettingu e të tilla broçkulla. Ndërkohë që landfilli, i cili rrezikon jetët e njerëzve në këtë fshat, del në plan të dytë. Një sjellje tipike prej diktatorësh dhe shërbyesve të tyre kjo, nga ai që u kish premtuar “rilindje” kombëtare, por që në pragun e shtëpisë po u sjell plehrat e botës, ndërsa fëmijët po ja ushqen me propagandën false jo vetëm të tij, por edhe të veglave të tjera si fjala vjen Elisa Spiropali, Gramoz Ruçi e të tjerë.

Reagimi i “Nisma Thurje”:  Kjo që po ndodh është turp

Drejtoresha e shkollës “Vasil Sota” në Verri ju ka bërë presion nxënësve që të mos dalin në protestë kundër impjantit të djegies së plehrave. Ama sot (dje), të njëjtët nxënës i vuri në rresht për një dhe mbushi plot autobusin për t’i çuar në takimin me Edi Ramën, duke e ndërprerë mësimin. Leksioni që marrin nxënësit është: Jo vetëm ulni kokën përballë atyre që duan t’ju helmojnë, por edhe duartrokisni.
Turp!

Flet Gjergji Thimo: Njëri nga ata që më goditi ishte polic

Koleksionisti i veprave të artit, Gjergji Thimo është dhunuar barbarisht nga dy persona mbrëmjen e të enjtes. Thimo është goditur me levë në kokë dhe në trup nga dy persona, njëri prej të cilëve ishte polic civil. Thimo bën të ditur se të enjten rreth orës 19:00 të mbrëmjes i kanë zënë pritë dy persona në afërsi të shtëpisë së tij tek “Don Bosko”, kur ai po kthehej nga Tv “Klan, ku po përgatiste një emision për ikonat e zhdukura. Dy personat e kanë ndaluar para shtëpisë dhe i kanë thënë; mos fol më kundër kryeministrit. Më pas, ata i kanë thënë se do të të zhdukim si Santon dhe do të të hedhim në Vain të Lezhës. Pasi e kanë kërcënuar se do t’i zhdukin familjen e kanë qëlluar me levë në kokë dhe në trup dhe janë larguar.
Pas dhunës fizike të ushtruar ndaj tij, Gjergji Thimo ka njoftuar drejtuesit e emisionit “Stop” në Tv “Klan”, duke u treguar se ishte dhunuar nga dy persona dhe ndodhej në gjendje të rëndë. Menjëherë në shtëpinë e tij kanë shkuar drejtuesit e emisionit dhe gazetarët, të cilët e kanë filmuar të mbuluar me gjak. Më pas, Thimo ka marrë ndihmën e parë në spital dhe aktualisht ndodhet në banesën e tij jashtë rrezikut për jetën.
Dhuna ndaj koleksionistit ndodh në një situatë, kur ai është rikthyer në vëmendjen e mediave, për shkak se regjizori, Saimir Kumbaro, ishte në përpjekje për të xhiruar disa ikona të koleksionit të tij, të sekuestruara tashmë nga policia dhe që duhet të jenë nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, por regjizori raportoi në media se ikonat kanë “avulluar”, çka hedh dyshime se ato janë përvetësuar. Gjergji Thimo tha se, ditën e premte ishte planifikuar një intervistë e tij e detajuar në emisionin “Fol me mua fol me ata”, të gazetarit Enkel Demi në RTSH rreth fatit të pikturave që iu sekuestruan nga policia dhe që kanë humbur pa lënë gjurmë.
Gjergji Thimo është koleksionisti i ikonave të sekuestruara nga qeveria Rama, në muajin nëntor të vitit 2013. Ai u arrestua i akuzuar se veprat që kishte koleksionuar ishin vjedhur. Pavarësisht përpjekjeve për të provuar të kundërtën, Gjergji Thimo u dënua me burg dhe vetëm para dy muajsh fitoi lirinë.
Në një intervistë për gazetën “RD” Thimo u shpreh se, dy personat, njeri prej të cilëve polic, kishin 1 muaj që e ndiqnin nga pas.

-Zoti Thimo, kur ndodhi ngjarja?
Të enjten në mbrëmje sapo kishte filluar të errësohet. Mund të ketë qenë ora rreth 7:00 e darkës kur po kthehesha për në shtëpi nga televizioni “Klan” ku prej disa ditësh po jap një intervistë për emisionin investigativ “Stop” për zhdukjen e ikonave. Më dolën dy persona në rrugë para shtëpisë dhe filluan të më kërcënonin.

-Çfarë të thanë?
Thanë, ky është ai që shkon te çadra dhe shan kryeministrin. Më thanë do të të zhdukim si Santo dhe do të dërgojmë në Vain të Lezhës. Më thanë se do të më zhdukin familjen po shave përsëri kryeministrin. Më pas, më goditën me levë në kokë dhe në trup, ku si pasojë pësova hemoragji. Pastaj u larguan qetësisht.

-I njihje dy personat që të sulmuan?
Njërin nga ata të dy që më goditën e njoh, është polic civil me një xhiboks kafe të errët. Ka qenë edhe në operacionin e policisë, kur më sekuestruan ikonat në vitin 2013.

-Po më pas si veprove?
Lajmërova drejtuesit e emisionit investigativ “Stop” të televizionit “Klan” dhe erdhën për 5 minuta i gjithë stafi i “Stop”. Më filmuan ashtu siç isha i mbuluar me gjak.

-A bëre denoncim në polici?
Jo, nuk bëra. Kështu më thanë edhe gazetarët e “Klan”-it që të bëj denoncim në polici, por u thashë s’kam pse të bëj denoncim, sepse njëri prej të dyve ishte polic dhe nuk e prek njeri. Policia i di se kush janë, por nuk do që t’i arrestojë.

-Si mendoni ju, pse u dhunuan?
Ka 1 muaj e ca që më ndiqnin nga pas. Mendoj se më përgjojnë bisedat kur flas me gazetarët për emisionin e zhdukjes së ikonave. Ditën që më dhunuan fola me regjizorin Saimir Kumbaro, i cili po përgatit një dokumentar për zhdukjen e ikonave. Po atë ditë më mori në telefon edhe një gazetare e TVSH dhe më tha që të shkoja në emisionion e Enkel Demit për të dhënë një intervistë. Telefoni më përgjohet vazhdimisht. Mendoj se shkaku i dhunës është një presion për të më mbyllur gojën që të mos flas kundër Edi Ramës. Po asnjë nuk më frikëson. Do t’i them të gjitha, se si më janë zhdukur ikonat dhe aty ka gisht vetë Edi Rama.

Përgatiti:
Rexhep POLISI