Shembulli më i mirë për të kuptuar se si funksionojnë takimet e Ramës ishte ai i Cakranit, ku babai i një trafikanti droge hiqej si mbështetës i Partisë Demokratike. Në fakt personi në fjalë njihet në të gjithë zonën si një person që ka zaptuar tokat e pronarëve të ligjshëm me forcë, ndërsa djali i tij merrej me trafik të paligjshëm të bimëve narkotike. Denoncimi ka ardhur në adresën e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha nga një banor i asaj zone. Ja se çfarë shkruan. “Për dijeni tënden Kryetar, ai qytetari që bisedonte në Cakran me Ramën dhe që bënte humor kinez quhet Xhafo Shenaj dhe ka zaptuar tokën e pronarëve të ligjshëm. Djali i këtij fshatarit Xhafo Shenaj që bisedoi sot me Ramën në Cakran është trafikanti dhe kultivuesi më i madh i hashashit në Cakran. Që nuk bën asnjë punë dhe shëtit me makinë mbi 50 mijë euro. Prandaj dhe ky i bënte elozhe Ramës dhe ironi Bashës, sepse vetë Rama e di që ky Xhafo Shenaj ka parcela të mbjella në bashkëpronësi me Armando Subashin.
Shoqëruesit e Ramës e rrëmbejnë para takimit
Shoqëruesit e Ramës kanë rrëmbyer dje në Fier një invalid me emrin Kapo Tafilaj i cili kërkonte të ballafaqohej me Ramën për problemet që kishte. Policët që kujdeseshin për “qetësinë” e Ramës në këtë takim e kanë marrë dhe e kanë ndaluar rreth dhjetë kilometra më tej personin, i cili kishte vendosur t’i thoshte disa të vërteta në sy.
“Një skandal në përmasa të paimagjinueshme ka shoqëruar vizitën e sotme të kryeministrit Edi Rama në Cakran të Fierit.
Për të mos prishur regjinë e takimit, ku personat që do të merrnin çertifikatat e legalizimit para kamerave dhe që do të përshëndesnin kryeministrin, ishin përzgjedhur, të tjerët, të njohur si kundërshtarë politikë, janë ndaluar të marrin pjesë në takim. Ndërsa një rast i rëndë, denoncon rrëmbimin nga Policia të një personi dhe shoqërimin e tij me makinë dhe lënien rreth 10 kilometër larg Cakranit, në rrugë nacionale. 55-vjeçari Kapo Tafilaj, nga fshati Hambar, invalid, i njohur si demokrat në gjithë zonën e Cakranit ka denoncuar dhunimin.Ai denoncoi se si e rrëmbyen 4 policë dhe me makinë e dërguan dhe e lanë në Poçem, rreth 10 kilometër larg nga Cakrani.
-Çfarë ju ka ndodhur sot zoti Tafilaj?
Pasi mësova se në Cakran do të vinte kryeministri Edi Rama, u nisa të merrja pjesë edhe unë në takim, se kisha edhe disa gjëra për t’i thënë. Rrugës, më dalin 4 persona civilë që m’u prezantuan si policë. Pa më dhënë asnjë shpjegim, më futën në një makinë dhe dolëm në rrugën nacionale. Kur arritëm në Poçem, pasi morën një telefonatë, më lanë në anë të rrugës dhe u kthyen.
-I njihni ju ata policë?
Si fytyrë po.
-Si të trajtuan, të thanë ndonjë gjë rrugës?
Nuk më dhanë asnjë sqarim, vetëm më thanë “bëjmë detyrën”. Nuk më keqtrajtuan.
-Ju i kërkuar sqarime se me urdhër të kujt po “e bënin këtë detyrë”?
I pyeta, por nuk më dhanë sqarime, ndërsa në momentin që më rrëmbyen pashë dy policë të zonës, të plotfuqishmit, Gramozin dhe një tjetër, emri i të cilit nuk më kujtohet, që ju thanë 4 civilëve “merreni këtë”.
-Tani ku ndodheni, u kthyet në shtëpi?
Po, po, u ktheva në këmbë.
-Por çfarë do t’i thoshit kryeministrit, për të cilin policët nuk ju lanë?
Do denoncoja “zaptimin” e fshatit Hambar, që nuk i ka mbetur asnjë metër tokë e lirë dhe se legalizimet që shpërndau sot i përfitojnë të fortët e militantët e PS-së. “Plaç të preftë. Burrë i poshtër. Ke 4 vjet që na gënjen”, do t’i thosha.
Vjedhja e dokumentave sekrete në polici, Prokuroria nis hetimet
Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet për zhdukjen e 28 dokumentave super sekrete nga kasaforta e Policisë së Shtetit. Prokuroria e Tiranës bëri të ditur se prej më shumë se 10 ditësh janë duke u kryer hetimet për zhdukjen e dokumentave nga kjo kasafortë, e cila ka qenë në varësi të drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit. Ndër të tjera, Prokuroria ka sqaruar se hetimet po kryhen pa emra konkretë për zyrtarë të policisë të përfshirë në këtë skandal të zbuluar nga kontrolli i brendshëm në polici, SHKB dhe proçedimi është regjistruar me akuzën e “shpërdorimit të detyrës e nxjerrjes së sekretit shtetëror”.
28 dokumentat super sekret nga kasaforta e Policisë së Shtetit janë vjedhur dy javë para se Tahiri të pushohej nga detyra e ministrit të Brendshëm. Tahiri u shkarkua nga Rama si ministër i Brendshëm më 11 mars, ndërsa më 27 mars mori detyrën si ministër Fatmir Xhafa. Dokumentat top sekret ruhen në kasaforta me kode tepër sekret dhe që hapen vetëm në prani të ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Krimit të Organizuar në Polici, Ardian Çipa.
Pak ditë më parë, ishte ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili referuar denoncimit të “komisarit dixhital” denoncoi zhdukjen e 28 dokumentave nga kasaforta super sekrete. Në një postim në Facebook, Berisha shkruante se, në kasafortën e Ministrisë së Brendshme, Ardian Çipa dhe Saje qorri kanë vjedhur dokumentat super sekrete, ndërsa Xhafa dhe Çako përpiqen të fshehin zhdukjen e dokumentave. Berisha i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit të ndërhyjë me urgjencë për të prerë duart e krimit në dokumentat super sekrete të luftës kundër tij dhe të vendosë para ligjit autorët e këtij akti të rëndë kriminal, për të cilët e gjithë Policia e Shtetit flet dhe ka dijeni!
“Komisari dixhital informon zhdukjen e 28 dokumentave super sekrete për krimin, nga kasaforta super sekrete e Policisë së Shtetit. Në ministri të gjithë e dinë se ato i kanë vjedhur Ardian Çipa dhe Saje qorri. Xhafa-Çako përpiqen të fshehin zhdukjen e dokumentave.
I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të ndërhyjë me urgjencë për të prerë duart e krimit në dokumentat super sekrete të luftës kundër tij dhe të vendosë para ligjit autorët e këtij akti të rëndë kriminal, për të cilët e gjithë Policia e Shtetit flet dhe ka dijeni!”, shkruan Berisha, duke publikuar edhe mesazhin e komisarit të policisë.
“Mirëdita Doktor, desha t’iu informoj se te Drejtoria e Krimit të Organizuar ku është Ardian Çipa kanë humbur 28 shkresa tejet të rëndësishme me siglën tepër sekret. Për këtë zhdukje të dokumentave top sekret, të cilat ruhen në kasaforta me kode tepër sekret dhe që hapen vetëm në prani të drejtorit Çipa, kanë një javë që kanë pezulluar vetëm nivele të ulëta drejtimi. Të gjithë e dinë se mbrapa kësaj vjedhje qëndrojnë direkt Tahiri dhe Çipa, pasi bëhet fjalë për informacion të klasifikuar tepër sekret. Ju lutem shumë bëjeni publike, sepse Xhafa dhe Çako po bëjnë presion të madh për të mbyllur skandalin”, shkruante komisari i policisë.
Ministria e Brendshme nuk bëri asnjë reagim pas publikimit të skandalit nga ish-Kryeministri Berisha për zhdukjen e dokumentave sekrete. Po ashtu as nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk pati asnjë reagim për këtë super skandal shtetëror. Vjedhja e dokumentave sekrete është bërë qëllimisht nga Tahiri dhe Çipa për të zhdukur gjurmët e krimeve. Për të larë duart nga ky super skandal, janë pezulluar nga puna disa punonjës policie, që nuk kanë patur asnjë lidhje me zhdukjen e dokumentave sekrete, sepse ato ruhen në kasafortën që hapet vetëm me kod sekret në prani të ministrit dhe drejtorit të Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
Në zhdukjen e dokumentave sekrete është përdorur e njëjta skemë si në rastin e djegies së Laboratorit të Kriminalistikës në fillim të muajit nëntor të vitit 2015, ku u zhdukën provat e drogës të sekuestruara nga Prokuroria. Pas zhdukjes së monstrave të drogës së sekuestruar u lanë të lirë trafikantët e drogës, të cilët kishin bashkëpunuar me krerët e policisë për trafikimin jashtë shtetit.
Policia pranoi rënien e zjarrit, por deklaroi se kishte patur vetëm dëmtim të kabujve elektrikë në katin e dytë të godinës të Laboratorin Shkencor. Ndërsa fotografitë e publikuara nga ish-Kryeministri Berisha tregonin se zjarri kishte rënë në korridorin ku ndodhej droga dhe dosjet kriminale. Një oficer policie i shkruajti Berishës atëherë se, nga zjarri i qëllimshëm u dogjën 240 kg drogë dhe 49 dosje të krimeve të rënda.
Berisha ishte informuar nga një oficer policie, sipas të cilit, natën, çunat e krimit i kanë vënë në katin e dytë zjarrin Laboratorit të Policisë Shkencore, ku mbaheshin dhe shqyrtohen provat e narkotikëve dhe dokumentat më të rëndësishme të dosjeve të bandave, përfishirë këtu dëshmitë e shumta për lidhjen me krimin dhe bandat e trafiqeve të Tahirit.
R.POLISI
Sekuestrohen 1.5 ton drogë në det, helikopteri italian hap zjarr
Një gomone e ngarkuar me 1.5 ton kanabis u kap pasditen e djeshme rreth orës 16:00 në një operacion që nisi që një natë më parë. Gomonia me motorë të fuqishëm nga 400 cv drejtohej nga 3 shqiptarë dhe ishte nisur nga brigjet e Vlorës. Burime zyrtare thanë se ajo është nisur nga Jugu i Shqipërisë, ndërsa u pikas në afërsi të Korfuzit dhe është bllokuar nga Guarda di Finanza italiane. Policia shqiptare tha se kishte njoftuar Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë, por janë sinjalizuar dhe janë aktivizuar edhe njësitë e Guardia di Finanza në Bari e Taranto si dhe Frontex. Më pas, gomonia u pikas në afërsi të Kalabrisë ku ka nisur ndjekja në det të hapur.
Ndjekja filloi mbrëmjen e 6 prillit dhe përfundoi rreth orës 16:00 të 7 prillit në pjesën fundore të Greqisë. Në pamjet e ndjekjes të publikuar nga policia, duket qartë se si helikopteri i Frontex ka hapur zjarr ndaj gomones me 3 shqiptarë. Në ato pak sekonda të bëra publike duket se si dy herë helikopteri ka hapur zjarr mbi gomonen, pasi shihen gjurmët në ujë. Kjo me siguri ka qenë një lëvizje paralajmëruese nga forcat italiane për të ndalur gomonen.
Sasitë e mëdha të drogës që po dalin nga Shqipëria kanë shqetësuar edhe vendet fqinje, që kanë filluar të marrin masa. I tillë është rasti i Italisë. Një bateri njerëzish të stërvitur për të luftuar krimin do të krijohet këtë muaj në provincën e Foggia-s në Itali. Bëhet fjalë për Njësinë e Antikrimit të ROS, grupimi i posaçëm special i karabinierëve të Italisë, që do të varet nga Prokuroria e Qarkut.
Këtë e ka njoftuar zyrtarisht Giuseppe Governale, komandanti i grupimit të posaçëm special të karabinierëve. Sërish, në vëmendjen e hetuesve do të jenë trafiqet e drogës nga Shqipëria në Itali, me zbarkimet e marijuanës në Gargano, në gjirin “San Felice”, shkruajnë mediat italiane.
Shqiptari kapet me 40 kg drogë në Itali
Një 49-vjeçar shqiptar është arrestuar pasditen e djeshme nga policia italiane e Tarantos. Mediat italiane thonë se policia ka sekuestruar një sasi prej 40 kg drogë të llojit marijuanë. Teksa patrullonin në zonën mes Tarantos e San Giorgios, agjentët vunë re prezencën e një makine të dyshimtë. Nën drejtimin e automjetit ishte 49-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur nga mediat lokale, që shkruajnë se gjatë kontrollit, ai shfaqi shenja nervozizmi. Pas kontrollit në brendësi të bagazhit të makinës, u gjet sasia e drogës e ndarë në 11 pako. Hetimet vijojnë për të zbuluar burimin dhe destinacionin e drogës.
Para dy ditësh, policia italiane sekuestroi 54 kg kokainë dhe armë në dy operacione dhe vuri në pranga katër shqiptarë. Mediat italiane shkruajnë, se dyshohet se droga dhe armët janë futur nga Shqipëria. Fillimisht policia italiane sekuestroi 44 kg kokainë në Romë dhe vuri në pranga një 45-vjeçar shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Në momentin që shqiptari ka parë policinë përpara, ka tentuar që të ikë me vrap, por është kapur nga agjentët. Drogën, ai e kishte ndarë në ‘bukë’ dhe e kishte fshehur në vende të ndryshme të makinës së tij rregulluar posaçërisht për trafik. Pas arrestimit është bërë edhe një kontroll në banesë, ku i janë gjetur edhe 150 mijë euro dhe dy pistoleta të mbushura, gati për t’u përdorur.
Po ditën e djeshme në një tjetër operacion, policia italiane sekuestroi rreth 10 kg kokainë e heroinë. Droga është sekuestruar nga karabinierët e Chieti-t në Itali, të cilët kanë arrestuar edhe tre shqiptarë. Në pranga janë vënë Armando Greca, 25 vjeç, Moris Greca 21 vjeç e Amendea Japuaj 23 vjeçe. Zyrtarë të policisë italiane i kanë bërë publike detajet e operacionit, pasditen e djeshme. Droga, sipas karabinierëve, nëse do të hidhej në treg do të gjeneronte rreth 1 milion euro.
Efektivët kanë kryer një kontroll rutinë në makinën tip “Smart For Tëo” që drejtohej nga Moris Greca, ku u gjetën 900 gr kokainë e cilësisë së lartë, të ndara në dy paketime. Ajo që i ngjalli dyshime agjentëve ishte sjellja nervoze e të riut.
Trafik droge nga Shqipëria, goditet grupi i trafikantëve në Greqi
Policia greke ka asgjësuar një tjetër grup kriminal që kishte trafikuar më shumë se 100 kg kanabis të sjellë nga Shqipëria, si dhe kokainë e heroinë. Në fakt, është një çështje që kishte filluar të zbardhej qysh në nëntor të vitit të kaluar, kur policia kishte kryer disa arrestime në flagrancë në zonën e Agrionios. Bëhet fjalë për zbulimin dhe sekuestrimin e sasive të ndryshme të drogës, deri në fund të muajit shkurt.
Ndërkaq, Njësia Antidrogë i ka dhënë grupit kriminal goditjen përfundimtare të enjten dhe të premten paradite, me arrestimin e 10 personave të tjerë në zona të ndryshme të Etoloakarnanisë. 8 prej tyre janë grekë, ndërsa dy janë shtetas shqiptarë, të moshës 29 dhe 36 vjeç. Si pjesëtarë të të njëjtit grup kriminal janë identifikuar edhe një tjetër shtetas shqiptar dhe dy grekë, të cilët janë arrestuar më herët dhe aktualisht po vuajnë dënimet në burgjet greke. Këta të tre, si dhe dy shtetasit shqiptarë që u arrestuan të premten, ishin pesëshja drejtuese e grupit.
Sipas komunikatës së policisë, nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se grupi kishte trafikuar dhjetë muajt e fundit të paktën 100 kg kanabis, një kg heroinë dhe 100 gr kokainë. Ndërsa fitimi nga i gjithë ky trafik përllogaritet në 220.000 euro.
Gjatë kontrolleve të ndryshme në banesat e të arrestuarve, të kryera në prani të prokurorëve, janë sekuestruar sasira të vogla drogash të ndryshme, pesë peshore precizioni, pesë automjete dhe një motoçikletë, një armë gjahu dhe 12 fishekë, 24 blloqe shënimesh me numra telefonash si dhe shënime për shuma parash.
Autoritetet greke kanë dhënë alarmin për trafikun e drogës nga Shqipëria. Vetëm në 3 muajt e përë të këtij viti janë kapur në Greqi 3.5 ton drogë nga Shqipëria me vlerë 10 milionë euro. Shifrat janë bërë publike nga policia greke, e cila thekson se pjesa më e madhe e lëndëve narkotike të kapura kanë hyrë nga Shqipëria dhe kanë qenë të destinuara për tregun grek.
Vlera e sasisë prej 3.5 ton drogë të kapur në Greqi shkon në rreth 10 milionë euro. Kryesisht është trafikuar kanabis sativa, por nuk kanë qenë të pakta rastet e kapjes të heroinës dhe kokainës. Sipas mediave greke, çmimi i heroinës varion 15-30 euro për gram dhe 12 mijë deri në 20 mijë euro për kilogramë. Kurse çmimi i kokainës është disa herë më i lartë, 60-100 euro për gram dhe 30 mijë deri në 60 mijë euro për kilogram.
Rendi jashtë kontrollit të policisë, 3 të plagosur me armë në Elbasan
Krimi godet përsëri në Elbasan. Tre persona janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një restorant në dalje të Elbasanit. Ngjarja është regjistruar rreth orës 14:30 minuta, kur midis dy grupeve ka pasur fillimisht sherr me fjalë dhe më pas me sende të forta deri në përdorimin e armëve. Sipas policisë “4- 5 persona janë përfshirë në konflikt. Si pasojë e konfliktit me sende të forta e më pas me armë zjarri janë plagosur tre persona, nga këta, 2 me armë zjarri dhe 1 me sende të forta”.
I plagosur mbetën A. Gjini dhe K. Gjini, të cilët janë rezidentë në Angli dhe kishin vetëm pak kohë që ishin kthyer. I plagosuri i tretë është H. C. Konflikti dyshohet të ketë nisur midis A.GJ dhe H.C.
K.Gjini dhe H.C kanë plagë të shkaktuara nga arma, ndërsa K. GJ me plagë thikë. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Kirurgjinë e Elbasanit, ku janë jashtë rrezikut për jetën. Dy nga të plagosurit janë me mbiemër Gjini dhe vëllezër mes tyre dhe njëri me mbiemër Copja. Ngjarja ka krijuar panik dhe terror tek qytetarët dhe klientët në lokal, që është një ndër më të njohurit në këtë qytet.
Në vendngjarje policia bashkë me grupin hetimor panë vendin e ngjarjes ku rreth 15 gëzhoja gjendeshin në tokë, dhe mjeti tip BMW me targë AA 448 KT, të cilin grupi hetimor po kryen veprimet hetimore. Policia ende nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët e krimit. Nuk dihen ende shkaqet e ngjarjes, por sipas policisë dyshohet për një konflikt të vjetër mes palëve.
Ngjarja e djeshme ndodh vetëm pas pak ditësh, ku një person u plagos në një atentat pranë Gjykatës së Elbasanit. Edhe në këtë rast, policia nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët.
Rendi ndodhet jashtë kontrollit të policisë, ku përditë ndodhin vrasje dhe plagosje me armë në mes të qyteteve të vendit, ndërsa autorët largohen në drejtim të paditur për policinë.
Dy të vdekur në dy aksidente në Fier
Dy persona humbën jetën brenda pak orëve në dy aksidente rrugore në qytetin e Fierit. Në orët e para të mëngjesit, një 35-vjeçar vdiq pasi makina që drejtonte doli nga rruga dhe u përplas me murin rrethues të një banese. Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Fier–Libofshë në afërsi të fshatit Libofshë, kur makina tip “Ford” fokus doli nga rruga. Drejtuesi i mjetit Elton Dhamo, banor i zonës mori plagë të rënda dhe humbi jetën rrugës për në Spitalin e Fierit. Nuk dihen shkaqet, por policia dyshon për shpejtësi tej normave të lejuara.
Disa orë më vonë në lagjen “15 Tetori” një “Merecedez Benz” përplasi për vdekjen drejtuesin e një motori. Ai po kalonte në anë të rrugës, ku makina e mori para. Policia ndaloi drejtuesin e makinës deri në sqarimin e plotë rrethanave të ngjarjes. Dy aksidentet vijnë pas atij tragjik që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në Tepelenë, ku dy vetë humbën jetën dhe një i tretë u plagos, pasi makina me të cilën po udhëtonin doli nga rruga.
Masakrohet me thikë nëna e dy fëmijëve në mes të Durrësit
Një plagosje me thikë ka ndodhur në qytetin e Durrësit. Një 34-vjeçare ka pësuar plagë të rënda pas goditjes me thikë nga një i ri 33-vjeçar. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:50, në lagjen Nr.17 të qytetit të Durrësit, pas një konflikti për motive të dobëta mes dy personave. 34-vjeçarja me inicialet S.V është dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Mësohet se dy të rinjtë kishin një lidhje dashurie mes tyre. Shkak për konfliktin mes tyre dyshohet të ketë qenë refuzimi i propozimit për martesë që 33-vjeçari i kishte bërë gruas me inicialet S.V. Pas sherrit, ai e ka goditur tre herë me thikë gruan, e cila mësohet se ishte e divorcuar me dy fëmijë, ndërsa autori ishte beqar.
Ndërkohë, policia bëri të ditur se është vënë në ndjekje të 33-vjeçarit M.S, banues në Durrës. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së rrethit për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Zjarr në Komisariatin e Policisë Kavajë
Një incident i pazakontë ka ndodhur në Komisariatin e Policisë së Kavajës, mbrëmjen e të enjtes. Sipas policisë, rreth orës 23:37, në parkingun brenda Komisariatit të Policisë Kavajë, ka rënë zjarr në pjesën e përparme, të automjetit tip “Citroen”. Si pasojë e flakëve të këtij mjeti, që është në pronësi të punonjësit të policisë J. B, është dëmtuar në pjesën e përparme të derës dhe automjeti tip “Mercedes Benz”, i parkuar pranë automjetit tip “Citroen”, pasi ishte i bllokuar nga ana e Specialistëve të Komisariatit si provë materiale.
Shërbimet zjarrfikëse bënë të mundur shuarjen e zjarrit dhe nga veprimet e kryera rezultoi se, shkaku i zjarrit ka qenë aksidental, si pasojë e një mase elektrike, në pjesën e baterisë së automjetit tip “Citroen”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë për vlerësim.
Korrupsioni, lirohet ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve
Ish-zv/drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Iljaz Labi, lë qelinë e burgut pas 10 muajve izolim. Janë pesë gjyqtarë të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, të cilët vendosën ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në atë të “arrestit shtëpiak”. Bëhet e ditur se, arsyeja e ndryshimit të masës është fakti se Labi ka probleme shëndetësore dhe për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, ku ka marrë edhe statusin e të penduarit. Pasi ka qenë dëshmia e Labit, ajo që ka çuar në pranga ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto, për akuzën e “korrupsionit të zyrtarëve të lartë”.
Sipas Prokurorisë, ish-zv/drejtori Labi ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ku ka treguar të gjithë skemën e abuzimeve me tenderat e ushqimeve nga burgjet. Në dëshmi, ai ka sqaruar se ka luajtur rolin e ndërmjetësit mes kompanive fituese të tenderit të ushqimeve dhe shefit të tij tashmë i arrestuar Artur Zoto. Për këtë tender, ka thënë Labi në Prokurori, Zoto kishte kërkuar 20% të vlerës totale, por që me ndërmjetësimin e ish-zv/drejtorit kompanitë kanë paguar vetëm 10% të shumës, para të cilat Labi pretendon se ia ka dorëzuar shefit të tij, Zoto në zyrë. Me dorëzimin e parave, sipas Iljaz Labit, ish-drejtori i Përgjithshëm ka firmosur dhe shpallur fituesit e tenderit të ushqimeve. Nga ana tjetër, vetë Zoto pas arretimit ka mohuar përfshirjen në afera korruptive, duke akuzuar ish-vartësin e tij Labi për mashtrim.
Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj Iljaz Labit dhe përfaqësuesve të kompanive fituese të tenderit të ushqimeve ka nisur dhe ndodhet në fillesat e tij. Ndërsa për ish-drejtorin e Përgjithshëm, Zoto hetimet po vazhdojnë të veçuara nga të dyshuarit e tjerë.
Zoto që u dorëhoq nga detyra pak kohë më parë, dyshohet se është i përfshirë në korrupsionin me tenderat e ushqimeve, për të cilat u arrestua zv/drejtori i burgjeve Iljaz Labi. Një seri bisedash të përgjuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë ngritur dyshime të forta për implikimin në aferat korruptive në tenderat e ushqimit në burgje, dhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Artur Zoto. Në dosjen hetimore, ndodhen dhjetëra procesverbalë me biseda të transkiptuara, të cilat tregojnë se drejtori Zoto, tashmë i dorëhequr ka qenë në dijeni të këtyre aferave korruptive, dhe se Iljaz Labi nuk bënte asnjë hap, pa miratimin e Zotos. Ndaj këtij të fundit prokuroria nuk lëshoi asnjë urdhër-arresti. Por dy ditë pas operacionit të arrestimit të zvendësit të tij, Iljaz Labi dhe katër biznesmenëve Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani e Nexhmi Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka dhënë dorëheqjen, duke e justifikuar largimin se ishin motivet personale dhe familjare të tij, që e çonin në largimin nga kjo detyrë.
Përballja vazhdon deri në fitoren e plotë
Partia Demokratike nuk bën asnjë tërheqje nga qëndrimi i saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme për krijimin e një qeverie teknike. Në ditën e 49 të qendresës nga Sheshi i Lirisë, kryetari i PD, Basha u shpreh se vendimi për krijimin e një qeverie teknike që do të garantoi zgjedhje nuk ndryshon. Basha u ndal dje tek mungesa e informacionit që partnerë të Shqipërisë kanë në lidhje me krizën e thellë që ka përfshirë vendin për shkak të narkotrafikut dhe krimit të organizuar, ndërsa tha se ka edhe disa personalitete të tjera që duan të informohen mbi këtë situatë dramatike që Shqipëria po përjeton sot.
“Kërkesa jonë, vendimi jonë nuk ndryshon; vetëm qeveri teknike. Ka miq dhe dashamirës të Shqipërisë që për një arsye apo një arsye tjetër nuk kanë informacionin e plotë, me ta kemi e duhet të kemi durim, me ta kemi e duhet të kemi të hapur rrugën e dialogut për t’i informuar mbi këto të zeza që i janë shkaktuar Shqipërisë nga droga me lidhje qeveritare.
Por ka edhe të tjerë që nuk duan të informohen. Atyre, pavarësisht se nga vijnë dhe çfarë posti mbajnë u them: Të mbyllësh sytë para krimit dhe drogës, dhe kërcënimit që këto sjellin për votën e lire, do të thotë që je ose i papërgjegjshëm, ose i korruptuar nga paratë e narkomafies shqiptare.
Nga kjo betejë, ky bashkim i madh popullor, kjo lëvizje e madhe popullore nuk mund të kthehet përveçse me fitore totale, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Nuk mund të dorëzohet kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në duart e atyre që shkaktuan drogën, duke sjellë krimin në pushtet”, tha Basha.
Kreu i PD tha se, sot të gjithë shqiptarët janë të ndërgjegjshëm për pushtetin që narkotrafiku dhe krimi i organizuar ka marrë përmes Ramës. Ndaj dhe Basha theksoi se, droga dhe krimi janë dy arsyet thelbësore, prej të cilave PD ka ngritur kauzën e saj se zgjedhjet janë të kërcënuara dhe kjo qeveri nuk mund t’i garantojë ato.
“Dita e sotme, agimi i sotëm e afron më shumë orën e fitores së lëvizjes më të madhe popullore, ditën e fitores së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, vetëm me një qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të bëjë të mundur largimin e kriminelëve nga institucionet, do të luftojë drogën dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Nuk ka shqiptar dhe shqiptare që nuk e di zezanën e drogës dhe krimit, që është gjëma më e madhe që qeveria e Edi Ramës i shkaktoi Shqipërisë dhe shqiptarëve.
As kriminelët nuk erdhën vetë në institucione dhe as droga nuk mbiu nga shiu e nuk u rrit nga dielli. Kriminelët në institucione i solli Edi Rama për të mbajtur pushtetin e tij politik, dhe me kriminelët shkatërroi totalisht institucionet shqiptare, ekonominë shqiptare, liritë dhe të drejtat e shqiptarëve dhe e mbushi Shqipërinë me drogë.
Këtë ne e kemi denoncuar që ditën e parë. Na u desh një punë e madhe, por sot Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në raportet e tyre më serioze për drogën dhe krimin e kanë konstatuar të zezën mbi të bardhë gjendjen dramatike të vendit. E pra, droga dhe krimi, janë dy arsyet e jashtëzakonshme për kërkesën tonë për zgjidhje të jashtëzakonshme, ndaj kërcënimit të jashtëzakonshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh kreu i PD.
Largimi i Ramës nga karrigia kryeministrore, rruga e vetme
Largimin e menjëhershëm të Ramës nga zyra kryeministrore, Basha e konsideron si rrugën e vetme që do t’i japë drejtim garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Ndaj rruga e vetme është largimi sot, një orë e më parë, i Edi Ramës nga karrigia kryeministrore dhe hapja e rrugës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për fat të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, nuk kanë munguar e nuk mungojnë miqtë e vërtetë të Shqipërisë, të cilët i kanë dhënë mbështetje totale të kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzës së dekriminalizimit, luftës pa kompromis kundër drogës dhe korrupsionit qeveritar, që synon të shkatërrojë zgjedhjet e shqiptarëve.
Këta miq, kanë folur nga kryeqytetet e tyre, kanë dërguar mesazhet e tyre të përshëndetjes dhe mbështetjes së protestës, dhe për qytetarët e bashkuar, në këtë lëvizje të madhe kombëtare, evropiane dhe euroatlantike.
Dje, kryetari i grupit të Forza Italia në Senatin Italian e tha qartë mbështetjen e plotë për një qeveri teknike të vullnetit për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj sot kam nderin dhe kënaqësinë e madhe të përshëndes me mirënjohje e t’i uroj mirëseardhjen dhe në emrin tuaj e të qindra mijë qytetarëve shqiptarë të bashkuar në këtë lëvizje të madhe, Kryetarit të Komitetit të Kontrollit Demokratik të Forcave të Armatosura, deputetit të Partisë Popullore Austriake, të Austrisë mike dhe aleate, zotit Michael Hammer”, tha Basha.
Jo monologje, përballja vazhdon deri në fitore
Opozita dhe populli shqiptar është i vendosur për të vijuar qëndresën dhe përballjen deri në fitoren e kauzës për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kreu i PD, Basha tha se opozita refuzon monologjet që Rama ka ofruar deri tani si dëshmi e faktit se ai nuk do dialog për zgjidhjen e krizës politike. Basha sqaroi se, negociatori i PD është në pritje të kontakteve nga ana e negociatorëve të Ramës për të nisur bisedimeve, por mungesa e një lëvizjeje konkrete dhe shfaqja e Ramës vetëm përmes monologjeve mediatike tregon se, ai në të vërtetë është duke iu fshehur dialogut me opozitën.
“E dini që çdo ditë, çdo orë që kalon dhe ju jeni këtu, ai ju përgjon nga dritarja, dhe ka 49 ditë që nuk qeveriset më Shqipëria. Puna e vetme e tij është të përgjojë çadrën dhe të lidhë kokën me peshqir sa herë që flet çadra. Tani, ka shprehur dëshirën të vijë në çadër. E qartë, e qartë, unë them se një shteg duhet t’ia lëmë.
Po, të vijë me dorëheqjen e firmosur, po dialogut. Ka 36 orë që negociatori i Partisë Demokratike dhe i opozitës, pret të dërguarin e Kryeministrit, për të përgatitur një dialog në funksion të zgjidhjes së krizës politike.
Por Kryeministri nuk do dialog. Do monolog, monologje shterpë për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe për t’iu shitur dokrra ndërkombëtarëve, gjasme sikur është i angazhuar për zgjidhje”, tha Basha.
Kreu i PD refuzoi në mënyrë kategorike çdo përpjekje të Ramës për ngritjen e një dialogu, që nuk do të ketë në qendër të tij zgjidhjen e krizës politike dhe krijimin e qeverisë teknike.
“Nuk do të lejojmë dhe as nuk do të pranojmë. Do të ketë vetëm dialog për zgjidhje, për zgjidhjen e krizës politike përmes formimit të një qeverie teknike me mbështetje politike që të realizojë zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit, luftën efikase kundër drogës dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Për këtë dialog, i përgatitur me qëllim që të ketë sukses e jo të shkojë drejt dështimit dhe konferencave për shtyp me fjalime të parapërgatitura, kemi 36 orë që i kemi vënë në dispozicion negociatorin tonë dhe do ta ketë në dispozicion në qoftë se me të vërtetë do dialog. Përndryshe, përballja vazhdon deri në fitore”, u shpreh kreu i PD.
Arben Shahini


















