14.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Nëntor, 2025

Trump nuk bën shaka, sulmi që i paralajmëron të gjithë

Pas sulmit me raketa që ka urdhëruar gjatë natës, kundër një baze ajrore siriane në Shayrat, presidenti i SHBA i është drejtuar kombit me një fjalim, prej ku lexohet qartë ndryshimi i kursit në marrëdhëniet me Damaskun: “Të martën e kaluar, diktatori sirian Bashar al-Assad kreu një sulm të tmerrshëm me armë kimike, kundër civilëve të pafajshëm. Duke përdor një gaz vdekjeprurës, Assadi shkaktoi vdekjen e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm. Për shumë prej tyre, ishte një vdekje e ngadaltë dhe brutale. Edhe vogëlushë të mrekullueshëm u vranë mizorisht në këtë sulm barbar. Asnjë fëmijë nuk duhet të vuajë nga një tmerr i tillë. Këtë mbrëmje urdhërova një sulm ushtarak kundër një baze ajrore në Siri, prej ku nisi sulmi kimik. Është në interesin jetik të sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të parandalojë dhe mos lejojë përhapjen dhe përdorimin e armëve kimike vdekjeprurëse”.
“Nuk mund të ketë asnjë dyshim, ka vazhduar Trumpi, se Siria ka përdorur armë kimike të ndaluara, duke shkelur detyrimet e saj ndaj konventës mbi armët kimike, si dhe ka injoruar udhëzimet e Këshillit të Sigurisë së OKB-së. Vite të tërë përpjekje për të ndryshuar sjelljen e Assadit kanë dështuar dhe kanë dështuar në mënyrë shumë dramatike. Si pasojë, kriza e refugjatëve vazhdon dhe rajoni është i destabilizuar, duke kërcënuar kështu SHBA dhe aleatët e vet. Këtë mbrëmje u bëj ftesë gjithë kombeve civile që të bashkohen me ne, në përpjekjen për t’i dhënë fund masakrës dhe gjakderdhjes në Siri, si dhe për t’i dhënë fund terrorizmit, të të gjithë llojeve”.
Trumpi duket se ka ndryshuar radikalisht mendim në lidhje me atë që, pak vite më parë në Twitter, e quante “marrëzi”: goditjen e regjimit të Damaskut. Ishte 5 shtatori 2013 kur ai shkruante: “Sërish, udhëheqësve tanë të marrë, u them mos sulmoni Sirinë. Nëse e bëni do të ndodhin shumë gjëra të shëmtuara dhe nga kjo luftë SHBA nuk do të fitojnë asgjë!”.
Edhe në atë kohë flitej për sulme kimike të Assadit, me Obamën që kërcënoi me ndërhyrje ushtarake kundër Damaskut, por që më pas hoqi dorë për shkak të presioneve të forta nga Rusia, e cila doli garante në ndërmjetësimin e krizës, si dhe duke u angazhuar për çarmatimin e arsenalit kimik të regjimit sirian.
Tani Trumpi ka ndryshuar mendje. Përse? Presidenti kërkon të lëshojë një sinjal të fortë: mjaft me dobësinë e Uashingtonit, atë të epokës Obama, nga e cila shumëkush ka përfituar deri sot. Amerika rikthehet protagoniste. Raketat kundër bazës ajrore siriane janë vetëm një paralajmërim. Trumpi nuk do të futet në një luftë dhe as nuk e ka ndërmend, pavarësisht dukjes, që të ndërpresë dialogun me Rusinë. Por duke përplasur grushtet në tryezë, po kërkon të përcjellë mesazhin se muzika ka ndryshuar. Asgjë nuk do të jetë si më parë. Dhe të gjithë, Kina, Rusia dhe Irani, janë të paralajmëruar.

Reagime pozitive pas sulmit të SHBA kundër ushtrisë siriane
Sulmi i ushtrisë amerikane kundër Sirisë gjen jehonë pozitive në disa vende. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault tha se, ky është paralajmërim ndaj një “regjimi kriminel”. Edhe Turqia e përshëndeti sulmin amerikan.
Zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulus tha për televizionin “Fox”, se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i mbetet besnike qëndrimit të ashpër kundër “barbarizmit” të Assadit. Nga ana e saj qeveria britanike e përshëndeti sulmin si përgjigje ndaj “sulmit barbar me armë kimike”, tha zëdhënësi i kryeministres, Theresa May. Edhe Arabia Saudite e mbështeti sulmin amerikan, ndërsa Irani e dënoi atë.
Pak ditë pas sulmit me gaz toksik në Siri, ku humbën jetën 86 vetë, mes tyre mjaft fëmijë, ushtria amerikane sulmoi me raketa një aeroport të ushtrisë siriane. Presidenti Donald Trump tha se ai e ka urdhëruar sulmin. Kjo është hera e parë, që SHBA sulmon trupat qeveritare siriane, deri më tani sulmet e saj përqendroheshin në luftën kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik. Sipas të dhënave siriane kanë humbur jetën 5 vetë dhe janë plagosur 7 të tjerë. Sulmi u krye nga bazat amerikane në Detin Mesdhe dhe konsiderohet si veprim unikal.
Ndërsa ministri sirian i Informacionit, Omran al-Subi është shprehur, se sulmet ishin “të kufizuara” dhe “të pritshme”. Ai tha se, nuk pret shkallëzimin e gjendjes.

Rusia e dënon sulmin amerikan
Nga baza ajrore e sulmuar, Al-Shairat duket se ka ardhur sulmi me armë kimike ndaj një qyteti të kontrolluar nga rebelët, Çan Shaiçun, tha Trump. Ai bëri fjalë për një akt në mbrojtje të interesave kombëtare. “U bëj thirrje të gjitha kombeve të civilizuara të na bashkohen ne”, tha Trump. Sipas të dhënave amerikane, Moska ishte njoftuar më parë për këtë sulm amerikan. Qeveria ruse ka paralajmëruar nga “pasojat negative” të sulmit amerikan kundër qeverisë siriane. “Presidenti Putin i sheh sulmet amerikane si agresion ndaj një vendi sovran e kundër së drejtës ndërkombëtare”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov në Moskë.
Sulmi amerikan ka shkaktuar rënien e bursave, rritjen e çmimit të naftës dhe rekordin e vitit në çmimin e arit. Ekonomia gjermane shprehet e shqetësuar, se sulme të tilla kanë pasoja të rënda për ekonominë. Deputeti gjerman i Të Majtës, Jan van Aken e kritikoi sulmin “si çmenduri” dhe se tani ka rrezik që gjendja të shkallëzohet.

Petrit Vasili: Kjo qeveri ka humbur besimin e popullit

Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili ka deklaruar se qeveria Rama e ka humbur besimin e popullit dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve. I ftuar në “News24”, ministri Vasili theksoi se nuk është asgjë e jashtëzakonshme shtyrja e zgjedhjeve dhe për këtë ka precedent në të kaluarën. “Nuk është ndonjë problem shtyrja e datës së zgjedhjeve. Kjo ka ndodhur edhe në të shkuarën kur ka vullnet politik. Berisha i shtyu zgjedhjet më 2007-ën dhe edhe pse ai i humbi ato, por ama fitoi stabiliteti i vendit”, tha ministri i Drejtësisë. Sa i përket vetingut dhe reformës në drejtësi, Vasili tha: “Ai që po bllokon arritjen e zgjidhjes së krizës politike duke tentuar të dërgojë zgjedhje pa opozitën, apriori bllokon edhe reformën në drejtësi dhe këto të dyja janë pashmangshmërisht të lidhura. Prandaj bëjmë thirrje që Kryeministri si institucion duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Vasili tha se zgjedhjet pa opozitën synojnë kapjen totale të drejtësisë. “Zgjedhjet janë më të rrezikuara se kurrë më parë. Qëndrimi i tij ishte për të thënë se kemi një kryeçështje dhe zgjidhja e saj është kryethënia e të gjitha zgjidhjeve. Pa zgjidhen e saj nuk mund të kemi zhvillim ekonomik. Unë zgjedhjet e njëanshme nuk i kam kuptuar. Aq më tepër një mazhorancë si e jona që është evidente sa i takon fuqisë që ajo ka në vota, që të delegjitimoi çdo institucion, duke iu futur aventurave të personalizuara. Zgjedhjet që do të mbaheshin nga një grup njerëzish do të ishin gabim. Kush minon zgjedhjet në mënyrë indirekte, por të qëllimshme, minon edhe reformën në drejtësi”, tha Petrit Vasili.

Alarmi i Mustafajt: Duhet parë gjendja psiqike e Ramës

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj komenton zhvillimet politike në vend, duke thënë se Ilir Meta ka ambicie serioze për të marrë postin e Kryeministrit të vendit. Ndërsa sa i përket vendosmërisë së Ramës për të shkuar në zgjedhje pa opozitën, Mustafaj citon Fatos Lubonjën, i cili ka thënë se Rama është i sëmurë psikik. “Ne kemi parë situata të ngjashme kur opozita bojkotoi zgjedhjet. Nuk ishte në Parlament, qeveria ishte jofunksionale. Nëse Rama e ushqen veten me iluzionin se mund të bëjë pa opozitën, duhet parë gjendja e tij psikike, siç thotë Lubonja. Kam përvojë të gjatë si negociator, qoftë kush isha diplomat, por dhe kur isha në opozitë, kur punoja si këshilltar i Berishës. Në këtë rast vetëm ftesa nuk janë ato që dërgon Rama. Për mua ato janë në mënyrë të drejtpërdrejtë tentativa të Ramës për të sabotuar dialogun. S’duhet të thotë ‘Hë mo Lul ku do shihemi?’. Këto janë fyerje të drejtpërdrejta, të fodullëkut të tij. Basha kësaj here po sillet si një njeri që do negociata. Nuk besoj se nga ana formale Basha po bëhet pengesë”, deklaroi Mustafaj për “News 24”. Ish-ministri shtoi se nëse nuk zgjidhet kriza, Shqipëria ka mundësi të shkojë drejt një skenari maqedonas, ku prej muajsh vendi është futur në ngërç për shkak të moskrijimit të qeverisë së re. Ai u ndal gjerësisht tek thirrja e Ramës për dialog. Po ashtu, theksoi se kryeministri po tallet me ftesat e tij ndaj Bashës. “Ne kemi parë situata të ngjashme kur opozita bojkotoi zgjedhjet. Nuk ishte në parlament, qeveria ishte jofunksionale. Nëse Rama e ushqen veten me iluzionin se mund të bëjë pa opozitën, duhet parë gjendja e tij psikike, siç thotë Lubonja. Kam përvojë të gjatë si negociator, qoftë kush isha dhe diplomat, por dhe kur isha në opozitë, kur punoja si këshilltar i Berishës. Në këtë rast vetëm ftesa nuk janë ato që dërgon Rama, pro janë në mënyrë të drejtpërdrejt tentativa të Ramës për të sabotuar dialogun.  S’duhet të thotë ‘Ëh mo Lul ku do shihemi?’ Këto janë fyerje të drejtpërdrejta, të fudullëkut të tij. Vjet është bërë një takim Basha-Rama dhe kryesorët nuk takohen në takimin e parë. Sheshohen gjërat si fillim. Ata bëjnë atë që është shtrimi i trasesë për të cilin do ecin dy liderët. Basha kësaj here po sillet si një njeri që do negociata, do punojnë ekipet disa orë, në mënyrë që të arrihet në një takim të lidershipit. Nuk besoj se nga ana formale Basha po bëhet pengesë.”, theksoi ai.

Koordinatori i OKB: Stabiliteti politik dhe dialogu shumë të rëndësishëm

Stabiliteti politik dhe dialogu janë shumë të rëndësishëm. Këtë mesazh adresoi koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri, Brian J. Williams nga Berati, i cili inauguroi rikonstruksionet e investuara nga fonde të Bashkimit Europian. Williams hoqi paralele midis investimeve në arsim dhe stabilitetit në vend. “Unë nuk kam asnjë mesazh specifik për zgjedhjet, dua të them që stabiliteti politik dhe dialogu janë shumë të rëndësishme sepse ato ndihmojnë vendin në investime, në programet sociale, turizëm dhe ekonomi”, tha Williams.  Plot 130 fëmijë të lagjes “Barikada” do të kenë më shumë mundësi tashmë të frekuentojnë kopshtin e rikonstruktuar të kësaj lagjeje, gjendja e të cilit linte shumë për të dëshiruar.

Aleanca e Konservatorëve në BE: Pa zgjedhje të lira nuk ka demokraci

Plenary session week 37 2013 in Strasbourg

Grupimi i tretë më i madh dhe me më influencë në BE, Aleanca Konservatore mbështet fuqimisht kauzën e opozitës për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndërsa deklaron se pa zgjedhje të lira nuk ka demokraci. Deklarata vjen nga Presidenti i Aleancës Konservatore dhe Reformiste Europiane, Jan Zahradil, i cili deklaroi dje në Tiranë se mbështet protestën e opozitës dhe kërkesën e saj për zgjedhje të lira. Zyrtari i lartë europian kërkon nga palët që të gjejnë zgjidhje. Zahradil i ka cilësuar si serioze çështjet e ngritura nga opozita në lidhje me kërcënimin e zgjedhjeve të lira nga droga dhe krimi në pushtet. Sipas tij, akuzat se procesi zgjedhor është i kërcënuar, mund të manipulohet apo që disa njerëz mund të mos të lejohen që të votojnë janë shqetësuese dhe sigurisht duhet të trajtohen nga palët për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë, çka do të garantonte zhvillimin normal të zgjedhjeve në respekt të plotë të vullnetit të lirë të qytetarëve. “Kërkesa e opozitës për standarde janë çështje serioze. Nëse flasim për mos të marrë pjesë në zgjedhje, unë shpresoj që mos të shkohet aq larg dhe të gjendet një zgjidhje që më në fund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Ne shpresojmë që situata të zgjidhet në mënyrë që të gjitha partitë në Shqipëri të marrin pjesë në një proces të hapur e transparent zgjedhor. Sepse pa këtë mundësi, pa garantuar lirinë dhe ndershmërinë në zgjedhje, nuk ka më demokraci. Dhe nëse ekzistojnë këto akuza, që thonë se procesi zgjedhor është i kërcënuar, mund të manipulohet apo që disa njerëz mund të mos të lejohen që të votojnë, atëherë kjo është një situatë serioze dhe ne padyshim mbështesim plotësisht, ata që duan ta parandalojnë këtë situatë”, tha Zahradlin. Zyrtari i lartë i BE ndodhet në Tiranë me rastin e një konference që Aleanca e Konservatorëve dhe Reformistëve europianë është duke mbajtur këtu. ACRE (Alliance of Conservatives and Reformists in Europe) është duke zhvilluar Samitin e Lirisë në Shqipëri, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, ku vuajtjet që sollën idetë e marksizëm-leninizmit dhe mbyllja pas Perdes së Hekurt të bllokut lindor, vazhdojnë të reflektojnë akoma probleme në rehabilitimin e shoqërive postdiktatoriale.

PR anëtarësohet me të drejta të plota te Konservatorët Europianë

Partia Republikane anëtarësohet me të drejta të plota në Aleancën e Partive Konservatore dhe Reformiste Europiane. Një hap i tillë u ndërmor gjatë Samitit të Lirisë të këtij grupimi politik (i treti në Evropë), me ftesë të Partisë Republikane shqiptare. Në një konferencë për shtyp, në prani edhe të presidentit të ACRE, Jan Zahradil dhe Daniel Hannan, sekretar i Përgjithshëm i ACRE, kryetari i PR-së, zoti Fatmir Mediu, shprehu së pari mirënjohjen dhe vlerësimin që i është bërë Partisë Republikane nga ky grupim politik, shumë i rëndësishëm dhe me influencë në Evropë. Mediu u shpreh gjithashtu se Partia Republikane, tashmë radhitet aty ku i takon, si promotore e vlerave të djathta në politikë dhe në shoqëri. “Edhe me mbështetjen e ACRE, ne do të vazhdojmë të punojmë akoma më shumë për një shoqëri të lirë dhe demokratike, për tregje të lira, për taksa të ulëta, për të njohur dhe forcuar të drejtat që burojnë nga prona e lirë”, u shpreh Mediu. Gjithashtu, Mediu u shpreh se statusi i ri i Partisë Republikane është një obligim dhe rrit përgjegjësinë politike, për të luftuar në mbrojtje të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauza madhore e opozitës shqiptare në këto momente.

A.Shahini

Merkel dhe Hollande: “Assadi mban përgjegjësi”

Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti i Francës Hollande thonë se Presidenti sirian është i vetmi që mban përgjegjësinë. Ndërsa Putini i ka quajtur sulmet amerikane në Siri “agresion kundër një kombi sovran”.
Kancelaria gjermane ka lëshuar një kumtesë të përbashkët të Kancelares Angela Merkel dhe Presidentit francez, Francois Hollande – disa orë pas sulmeve amerikane në bazat siriane. Në kumtesë thuhet: “Presidenti Assad është përgjegjësi i vetëm për këto zhvillime. Sulmet e tij me mjete kimike dhe krimet ndaj popullit duhet të sanksionohen, ashtu siç Franca dhe Gjermania kanë kërkuar në verën e vitit 2013, pas masakrës në Ghuta”.
Kjo kumtesë është miratuar së pari në Berlin dhe në Paris – pas një telefonate mes Merkelit dhe Hollande. Por në kumtesë thuhet se Gjermania dhe Franca kërkojnë një përgjigje të përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare dhe një zgjidhje politike për kalimin e pushtetit në Siri.

Po Rusia?
Moska si partneri më i ngushtë i Bashar el-Assadit e ka cilësuar sulmin në bazën siriane si sulm edhe kundër interesave ruse. Presidenti Vlladimir Putin e ka quajtur bombardimin amerikan si agresion ndaj një kombi sovran. Sulmet ajrore janë kundër të drejtës ndërkombëtare dhe paraqesin një pengesë serioze për krijimin e një koalicioni ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit.
Në orët e para të mëngjesit ka reaguar edhe Izraeli. Kryeministri Benjamin Netanjahu ka mbështetur sulmet. Presidenti Donald Trump ka dërguar “një mesazh të fuqishëm”, se përdorimi i armëve kimike nuk do të tolerohet, kumtoi Netanjahu. Izraeli e mbështet fuqishëm vendimin e Trumpit dhe shpreson se mesazhi ka mbërritur jo vetëm në Damask, por edhe në Teheran, Penian dhe gjithandej. Edhe Arabia Saudite e ka mbështetur ndërhyrjen, të cilën e quajti një “vendim të guximshëm” të Trumpit.

Dënime nga Teherani
Irani e ka kritikuar ashpër bombardimin amerikan në Siri, citon agjencia “Insa” një zëdhënës në Teheran. Sulmet e këtilla do të forcojnë terroristët në Siri dhe do të përkeqësojnë gjendjen në këtë vend të përfshirë nga lufta qytetare, si dhe në rajon.

Po Bundestagu?
Në Berlin priten me kureshtje reagimet e partive politike. Jürgen Trittin nga Partia Ekologjiste tha se “këto ndërhyrje janë të kontestueshme nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare”. Këtë ndërhyrje ai e sheh si një përpjekje të administratës amerikane që të mos tregojë dobësi, tha Trittin. Konfrontimet mes SHBA dhe Rusisë ai i quan si tepër të rrezikshme. Zgjidhja përfundimtare nuk mund të anashkalojë Kombet e Bashkuara, tha ai për Deutschlandfunk.
Për të njëjtën radio politikani i CDU-së, Roderich Kiesewetter tha: “Ne duam që ndërhyrja kundër regjimit të Assadit të bëhet mbi bazat e të drejtës ndërkombëtare”. “Ne nuk guxojmë të biem në nivelin e Rusisë”, theksoi ai duke shtuar se ashpërsimi i gjendjes është i panevojshëm.

Japonia zgjat sanksionet ndaj Koresë Veriore

Japonia ka vendosur që t’i vazhdojë edhe për dy vjet sanksionet e njëanshme ndaj Koresë së Veriut, për shkak të kërcënimit nga raketat bërthamore të veriut, ka thënë qeveria përmes një deklarate.
Vendimi i qeverisë japoneze, vjen pasi nuk është shënuar asnjë përparim për çështjen e rrëmbimit të qytetarëve japonezë nga Koreja e Veriut gjatë viteve të ‘70-ta dhe ‘80-ta.
Tokio gjithashtu ka dënuar testet bërthamore të Phenianit dhe një serie të lansimeve të raketave balistike.
“Japonia do të bëjë të gjitha përpjekjet për të arritur te zgjidhja e plotë e çështjeve të rëndësishme si rrëmbimet, raketat dhe testet bërthamore”, ka thënë ministri i Jashtëm japonez, Fumio Kishida.

Gjeopolitika e Xi Jinping, çfarë pritet nga Trump?

Mu Chunshan

Gjatë Sesionit të 6-të të Pleniumit të 18-të të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste kineze, të mbajtur tetorin e kaluar, Presidenti kinez, Xi Jinping ka siguruar titullin e bërthamës (hexin) të lidershipit. Hu Jintao, paraardhësi i tij, nuk e ka pasur ndonjëherë këtë nder në 10 vite si sekretar i Përgjithshëm i Partisë. Kurse Xi i kanë mjaftuar 4 vjet për t’u bërë lideri i 4-ët kinez që e merr një titull të tillë pas Mao Ce Dunit, Ten Hsiao Pinit dhe Zhang Zeminit. Në të vërtetë, qysh përpara se të bëhej “bërthama” e partisë, Presidenti aktual kinez e kishte kaluar Hu në termat e strategjisë gjeopolitike, duke tronditur botën me disa prej lëvizjeve të tij. Ndoshta pikërisht kjo është një prej elementëve për të cilën kinezët e vlerësonin.
Vizioni gjeopolitik i Xi manifeston 3 karakteristika. E para, është përdorimi i mjeteve ekonomike për të arritur objektiva politikë dhe strategjikë. Masa më e rëndësishme gjeoekonomike e planifikuar prej tij është padyshim Belt and Road Initiative (BRI). Kjo për Kinën e sotme ka një rëndësi të krahasueshme me atë të programit të “reformës dhe hapjes” të promovuar në të kaluarën nga Deng dhe me zhvillimin e ekonomisë të parafiksuar nga Zhang. Midis 10, 20 vjetësh, BRI-ja do të prodhojë një influencë pozitive mbi zhvillimin e Kinës dhe historia do ta njohë si marka e epokës Xi.
Ka shumë shembuj të tjerë përveç Rrugës së Re të Mëndafshit që mund ta dëshmojnë këtë fenomen. Për shembull, bashkëthemelimi i New Development Bank të vendeve BRICS dhe e Contigency Reserve Arrangement të saj, fondit strategjik të kapitaleve rezervë, ku Kina ka kontribuar në masën 40%. Në vitin 2014, Pekini ka caktuar një hua 5 miliardë dollarëshe për të financuar projektet e përbashkëta të Organizatës së Bashkëpunimit të Shanghait; në vijim ka vënë në dispozicion një kapital prej 3 miliardë dollarësh për të promovuar bashkëpunimin me vendet e Europës Lindore dhe ka investuar në projekte për zhvillimin e centraleve me energji bërthamore në Mbretërinë e Bashkuar. Ka mbështetur edhe ekonomikisht projektin e vendeve latinoamerikane për krijimin e hekurudhës që do të lidhë Oqeanin Atlantik me Oqeanin Paqësor. Së fundi, ka propozuar themelimin e Asian Infrastructure Investment Bank (AIIB).
Arsyeja e gjithë kësaj është e lehtë për t’u kuptuar. Pas 30 vjetësh, politika e “reformës dhe hapjes” i ka mundësuar qeverisë dhe sipërmarrjeve kineze që të kenë para të mjaftueshme për të influencuar botën me ekonominë, instrument pushteti që vendet e tjera e pranojnë më me lehtësi sesa ajo politike dhe ushtarake. Veç kësaj, për Republikën Popullore ka ardhur momenti që të ndryshojë rregullat e lojës gjeopolitike të vendosura nga vendet perëndimore. Nga kjo pason aktiviteti më i madh kinez në skenën ekonomike botërore, politika më e ashpër dhe prania ushtarake në rritje. Ja karakteristika e dytë e gjeopolitikës së Xi: ndërvarësia dhe guximi më i madh. Qëllimi i këtij qëndrimi është të ruajë sa më mirë interesat kombëtare dhe ta bëjë botën të mësohet me një Kinë të ndryshme nga e kaluara. Në të njëjtën kohë, Pekini tenton të influencojë rendin botëror dhe rajonal për t’i ndryshuar në mënyrë uniforme interesat e veta.
Në kapërcyellin midis pranverës dhe verës së 1989, në Kinë janë verifikuar ngjarje politike shumë serioze (protestat dhe masakra e Sheshit Tiananmen, shënimi im) dhe vendet perëndimore kanë vendosur sanksione kundër Pekinit. Në atë kohë kishin kaluar vetëm 10 vite nga nisja e programit të “reformës dhe hapjes”. Ekonomia ishte e prapambetur dhe Kina nuk ishte kushedi se çfarë e fortë në planin politik dhe ushtarak. Në atë kohë Ten Hsiao Pini nënvizonte se Kina duhej “të ruante një profil të ulët dhe t’i ndiqte objektivat në mënyrë diskrete” (tao guang yang hui, you suo zuo wei). Domethënia e kësaj shprehjeje është të mos kesh ngut për të rënë në sy, të mos reagosh në mënyrë të tepruar ndaj provokimeve të të tjerëve, të promovosh zhvillimin në heshtje dhe në të njëjtën kohë t’i bësh gjërat që janë brenda mundësive dhe të rëndësishme për interesat tona. Nëse ndiqet kjo metodë, të tjerët do ta mësojnë se nuk je lehtësisht i mundshëm dhe vështirë se do të sulmojnë.
Gjatë epokës së Zhiang dhe Hu, politika e jashtme kineze ka ndjekur gjithmonë parimin e “mbajtjes të një profili të ulët”. Për pasojë, kur më 1999 NATO ka bombarduar ambasadën e Republikës Popullore në Beograd, Pekini nuk ka reaguar dhunshëm. Më 2001, një avion ushtarak amerikan është përplasur me një kinez në hapësirën ajrore e Republikës Popullore. I pari është detyruar të bëjë një ulje emergjence në Ishullin Hainan dhe piloti ka vdekur. Megjithatë, reagimi i qeverisë kineze nuk i ka tejkaluar pritshmëritë perëndimore. E njëjta gjë vlen edhe për çështjen e tensioneve me Japoninë lidhur me Ishujt Diaoyu (Senkaku për Tokion, shënimi im) dhe fërkimet në Detin e Kinës Jugore. Në të gjithë këto fusha Kina nuk ka pasur një sjellje të tepruar.

Çfarë ka ndryshuar Xi?

Sapo ka hyrë në skenë, Xi e ka tejkaluar parimin e vendosur nga Ten Hsiao Pini. Kina e sotme është më e fortë sesa më parë: është ekonomia e dytë e botës dhe influenca politike dhe ushtarake e saj ka pasur një rritje të jashtëzakonshme gjatë 20 viteve të fundit. Kështu, ndërsa në të kaluarën qeveria e vinte më shumë theksin tek “mbajtja e një profili të ulët”, me Xi është përqendruar mbi “ndjekjen e objektivave në mënyrë diskrete”. Në të vërtetë, Xi ka shkuar shumë përtej kuptimit fillestar të shprehjes dhe Republika Popullore i “ka ndjekur qëllimet e saj në mënyrë të ashpër”. Për shembull, në fund të vitit 2012, përplasja midis Kinës dhe Japonisë për çështjen e Ishujve Diaoyu është intensifikuar dhe ka përcaktuar ndërprejren e vizitës reciproke nga ana e politikanëve të nivelit të lartë, masë e vlefshme akoma sot.
Duke filluar nga viti 2013, grindja midis Kinës dhe vendeve të lagura nga Deti i Kinës Jugore ka pësuar një eskalim të mëtejshëm. Forcat e Armatosura kineze kanë ndërtuar ishuj artificialë në këtë anë të detit dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë mundur të bëjnë asgjë. Në vitin 2014 Pekini ka dërguar për herë të parë në historinë e tij 700 ushtarë këmbësorie për të kryer operacione paqeruajtjeje në Sudanin Jugor, me qëllim që të garantojë sigurinë e vendburimeve të naftës dhe të bashkëkombasve. Më 2016, Republika Popullore ka ndërtuar në Xhibuti strukturën e parë ushtarake logjistike kineze jashtë vendit, duke krijuar një precedent për ekspansionin ushtarak jashtë nga kufijtë kombëtarë.

Raportet e reja amerikano-kineze

Karakteristika e tretë e vizionit gjeopolitik të Xi qëndron në rëndësinë e atribuar “marrëdhënieve midis fuqive të mëdha”. Në marsin e 2016, Raporti për Punën e Qeverisë i miratuar në përfundim të dy seancave plenare të Kongresit Kombëtar të Popullit dhe të Konferencës Politike Konsultative të Popullit kinez trajtonte prioritetet e politikës së jashtme në këtë renditje: marrëdhëniet midis fuqive të mëdha, diplomacia periferike (domethënë me vendet fqinje), raportet me vendet në rrugën e zhvillimit dhe ato multilaterale. Kurse në të kaluarën qeveria ishte mësuar të konsideronte prioritare dosjen e dytë dhe të tretë. Në mënyrë të qartë, Xi ka ripërcaktuar prioritetet gjeopolitike kineze. Në një kontekst të tillë, për Pekinin marrëdhënia më e rëndësishme është ajo me Shtetet e Bashkuara. Viti që jemi do të ketë një domethënie të veçantë për raportet kino–amerikane. Mënyra e pazakontë e vepruarit e Presidentit të ri amerikan, Donald Trump i shton ndryshore të reja politikës amerikane ndaj Kinës. Veç kësaj, në vjeshtë do të mbahet Kongresi XIX i Partisë Komuniste të Kinës dhe pushteti i “bërthamës” do të forcohet në mënyrë të paprecedent. E gjitha vota do të vëzhgojë sesi këto dy figura të forta, Trump dhe Xi, do të programojnë të ardhmen e raporteve kino–amerikane.
Sjellja e fundit e Presidentit amerikan lidhur me çështjen e Tajvanit dhe Detin e Kinës Jugore përshkruan pakënaqësinë e tij ndaj Kinës, por nuk demonstron akoma ndryshimin e orientimit të Uashingtonit ndaj Pekinit krahasuar me administratën e mëparshme. Për më tepër, reagimet e Trump shpesh janë emotive. Për shembull, kur Kina ka rikuperuar dronin nënujor amerikan në Detin e Kinës Jugore, Presidenti amerikan ka shkruar në Twitter se Pekini e kishte vjedhur dhe se mund ta mbante. Qeveria kineze, njëlloj si qytetarët amerikanë, ka nevojë që t’i përshtatet Trump dhe ekipit të tij. Për këtë arsye, megjithëse duke iu përgjigjur kritikave dhe veprimeve të tij, Pekini nuk e ka gjykuar kurrë personin. Në thelb, Kina pret dhe vëren banorin e Shtëpisë së Bardhë, duke ushqyer shpresa për të. Jo rastësisht, po atë ditë që është zgjedhur Trump, Xi i ka dërguar një telegram urimi dhe 5 ditë më pas të dy krerët e shteteve edhe kanë folur në telefon. Rregulli i komunikimit midis Presidentit kinez në fuqi dhe atij të zgjedhur amerikan është në fuqi prej më shumë se 10 vjetësh. Kjo do të thotë se raporti kino–amerikan mbetet pak a shumë i qëndrueshëm.
Për çfarë kanë folur të dy udhëheqësit? Në artikullin prej vetëm 400 karakteresh të botuar nga agjencia “Hsinhua”, agjencia kineze e shtypit, Xi ka përmendur 5 herë fjalën bashkëpunim (hezuo). Padyshim që kjo demonstron se Pekini kultivon shpresa për sa u përket raporteve kino–amerikane. Megjithatë, nëse Trump do të adoptojë masa thelbësore për ta ndryshuar politikën amerikane lidhur me çështjen e Tajvanit apo tema të tjera që kanë të bëjnë me interesat themelore të Kinës, Xi sigurisht që do të reagojë në mënyrë të ashpër. Mjafton të mendohet mënyra me të cilën këto 4 vitet e fundit Pekini ka adoptuar iniciativa politike ushtarake dhe ekonomike. Në të njëjtën mënyrë, Xi nuk do të qëndronte pa lëvizur përpara provokimeve të jashtme, në ndryshim nga paraardhësi i tij; më shumë, do t’i sulmonte Shtetet e Bashkuara në shumë mënyra. Nëse një ditë një gjë e tillë do të ndodhte, konflikti midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në kontekste të ndryshme gjeopolitike do të ishte i pashmangshëm. Raporti midis dy vendeve do të arrinte fundin, duke paragjykuar sigurinë globale.
Megjithatë, duke analizuar stilin e Xi, duket se objektivi i tij është që t’i japë Kinës një pozicion gjeopolitik, ekonomik dhe ushtarak që të korrespondojë arsyeshëm me nivelin e zhvillimit të saj. Republika Popullore nuk synon që të kalojë Shtetet e Bashkuara dhe të bëhet “polici i botës” i ri. Mendimi i Xi është konform me realitetin e zhvillimit të shpejtë të ekonomisë kineze në 30 vitet e fundit dhe nuk shkon përtej aftësive të vendit. Për këtë, Presidenti kunez nuk kërkon përplasjen me Shtetet e Bashkuara. Më shumë, nëpërmjet reformës së ekonomisë dhe politikës, kërkon që të konsolidojë pozicionin e Partisë Komuniste dhe realizojë “ëndrrën kineze” (Zhongguo meng), domethënë rilindjen e vendit. Kështu që kërkohet një mjedis i jashtëm i favorshëm dhe i qëndrueshëm. Në gjuhën zyrtare kineze quhet një “periudhë mundësie strategjike” (zhanlue jiyu qi). Nëse Trump do të vazhdonte në thelb politikën e ndjekur nga paraardhësit e tij ndaj Republikës Popullore, ka shumë të ngjarë që Xi do të vendoste një raport të mirë me të dhe ndoshta, mund të bëhet mik me të.

(Mu Chunshan, gazetar me banim në Pekin, ka qenë pjesë e një projekti investigues kërkimor të mbështetur nga Ministria e Arsimit lidhur me influencën e medias së huaj në modelimin e imazhit të Kinës)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Erkand Qerimaj: Tani medalje në Botëror

Dy medalje në Europianin e peshëngritjes në Split të Kroacisë. Argjend në shtytje dhe bronz në dygarësh. Për Erkand Qerimajn, ky ishte kurorëzimi i punës disa mujore përpara startit të evenimentit dhe një emocion i jashtëzakonshëm.
Erkand Qerimaj: “Emocionet ishin shumë të mëdha. Pesha e përfaqësimit në Europian dhe ajo e ngritjes së flamurit është një peshë e madhe psikologjike. Punova shumë që ta arrinim këtë qëllim”.
Erkandi zbuloi edhe përqendrimin në momentet e garës, kur prova e fundit me 193 kg në shtytje i siguroi dy medaljet, por edhe pengun rreth faktit që rezultati mund të ishte edhe më i mirë.
Erkand Qerimaj: “Përpara garës, edhe me trajnerin tim, nuk jam marrë me asnjë nga rivalët dhe nuk e kam ditur sa kanë ngritur të tjerët. Profesori nuk më kishte treguar, në mënyrë që të isha i fokusuar te shtanga. Për mua ishte e rëndësishme t’i bëja detyrat mirë me shtangën dhe në provën e fundit i bëra detyrat shumë mirë, duke marrë medalje argjendi në shtytje dhe medaljen e bronzit në dygarësh me një provë. Me vendin e dytë, dola barazim në dygarësh dhe vetëm për një kilogram më tepër mund ta kisha marrë unë vendin e dytë”.
Në konkurrimin e peshës deri në 77 kg, në pedanë spikati rivaliteti me kuqeziun tjetër Daniel Godelli.
Erkand Qerimaj: “Në një farë mënyre për mua Godelli është si të gjithë të tjerët në pedanë. Por, e rëndësishme për të gjithë është që dy shqiptarë hipën në podium. Ai hipi në stilin e shkëputjes, ndërsa unë në shtytje me argjend dhe në dygarësh me bronz”.
Qerimaj vazhdon të shijojë suksesin e arritur në Kampionatin Europian, tre vjet pas medaljes së artë në Izrael, ndërsa objektivi i radhës është medalja në Kampionatin Botëror.
Erkand Qerimaj: “Pas medaljes së vetme në dygarësh si pjesëtar i ekipit shqiptar në dygarësh dhe argjendit në stilin e shtytjes, synimet për medalje janë për botërorin e ardhshëm. Por, njëherë për njëherë t’i gëzohemi këtyre medaljeve”.
Argjendin në shtytje dhe medaljen e broznit në dygarësh, Erkand Qerimaj ia dedikon familjes, trajnerit, por edhe të gjithë shqiptarëve.
Erkand Qerimaj: “Emocioni i parë ka qenë për djalin dhe familjen time. Normalisht ngritja e flamurit shqiptar i dedikohet të gjithë shqiptarëve, sepse kjo përcjell një emocion pozitiv në të gjithë botën, për atë kam luftuar. Për mua është një fat i madh që kam Zef Kovaçin, mjeshtrin më të mirë. Kemi shumë vite që punojmë bashkë. Për mua, ai është si prind, shok dhe psikolog përveçse si trajner”.

Duan 3 pikë në derbi

Sezonin e ardhshëm Reali i Madridit mund të ketë një trajner të ri. Në javën më vendimtare të sezonit me Realin që do të sfidojë fillimisht Atleticon në derbin e Madridit dhe më pas Bayern Munich në sfidën e parë të çerekfinaleve të Champions-it, trajneri francez Zinedine Zidane la të kuptohet se e ardhmja e tij në krye të klubit merengues është në dyshim. “Nuk e di nëse do të jem pjesë e skuadrës edhe sezonin e ardhshëm dhe kjo është një nga arsyet që nuk kam programuar asgjë për të ardhmen. E di se çfarë do të thotë të drejtosh Realin e Madridit në të mirë dhe në të keq, prandaj ajo që më shqetëson është vetëm ndeshja e radhës, nuk e di se çfarë do të ndodhë më vonë”, u shpreh Zidane.
Ishin pikërisht këto deklarata që tërhoqën vëmendjen e gazetarëve në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ndaj Atleticos. Në këtë fazë të sezonit çdo ndeshje është shumë e rëndësishme për Los Blancos. Në derbin e Madridit, Realit i rikthehet në dispozicion treshja e famshme sulmuese BBC.
“Në këtë sfidë ne kemi shumë nevojë për mbështetjen e publikut. Presim që tifozët tanë të na japin një tjetër shtysë për ta mposhtur Atleticon në “Bernabeu”. Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për ne e dimë që do të vuajmë, por do të bëjmë gjithçka për të marrë tre pikët. Ronaldo, Bale dhe Benzema janë mirë dhe janë gati për të ndihmuar skuadrën në këtë fund sezoni. Por Reali nuk është vetëm BBC, pasi të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm për ne. Duam ta fitojmë La Ligan dhe nuk e mendojmë aspak dështimin”, tha trajneri i madrilenëve.
Antoine Griezmann ylli i Atleticos së Madridit deklaroi se, Los Colchoneros janë favoritë në derbi, por ndryshe nga sulmuesi francez, trajneri Diego Simeone mendon se kjo sfidë nuk ka favoritë. El Cholo konfirmoi mungesën e Kevin Gameiros, ndërsa zbuloi edhe një detaj shumë interesant.
“Më krenar më bën fakti që kemi barazuar ndaj Barcelonës në “Camp Nou” sesa të fitojmë ndaj Realit në “Bernabeu”. Për ne nuk ka shumë rëndësi se kë kemi përballë. Është një ndeshje si gjithë të tjerat dhe do të hymë në fushë vetëm për 3 pikët, pasi kemi nevojë për pikë për të arritur objektivat tona. Reali do të na vendosë në presion në 20 apo 25 minutat e para. Mendoj se bashkë me BBC do të jetë në fushë Isco, pasi me të ata mund ta kontrollojnë më mirë topin sesa me Casemiron. Është një ndeshje ku nuk ka favoritë për suksesin final.