16.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Nëntor, 2025

FIFA, miliona humbje pas skandalit të korrupsionit

Skandalet e futbollit që vuajti kohët e fundit dhe që ndryshuan totalisht skenarët për postet drejtuese, do t’i kushtojnë jo pak FIFA-s. Kostot mbi çështjet e shumëdiskutueshme të korrupsionit dhe investimet e dështuara për t’u finalizuar, e kanë çuar në 391 milionë dollarë faturën e minuseve në bilanc për vitin 2016, diçka që pritet të rëndohet për këtë vit.
Sipas ekspertëve, mbrojtja në gjykata, pagesa e shumë studiove të avokatisë për të mbrojtur dhe për të mbajtur të pastër imazhin e saj, kanë pasur një sforcim jo të paktë në financat e qeverisë së futbollit botëror. Mes dështimeve është dhe investimi i konsideruar pa asnjë plan i muzeut të futbollit dhe hotelit luksoz në Zurich, diçka që ka dështuar për t’u ngritur në pritshmëritë e komitetit drejtues.
Por pavarësisht faturës negative, presidenti Gianni Infantino mbrojti tezën për të shpërndarë parà në federatat anëtare për të zhvilluar futbollin. “Ne duhet të sigurohemi që çdo çek të ardhurash të investohet më së miri në këtë lojë. Departamenti i Zhvillimit në FIFA është një dëshmi e gjallë e këtij përkushtimi”, tha presidenti Infantino. Ndërkohë, paga e tij vjetore u konfirmua në 1.5 milionë dollarë, gati gjysma e asaj që i kushtonte paga e Sepp Blatterit arkave të FIFA-s.

Celina shuan shpresat e PSV për titullin

PSV Eindhoven largohet përfundimisht nga beteja e titullit kampion. Skuadra e Phili Cocu barazoi 2-2 në transfertën e Twentes, duke qëndruar në 7  pikë diferencën me vendin e parë ku qëndron Feynoord. Ishte Unal që në minutën e 7 kaloi vendasit në avantazh pas asistit të sulmuesit Bersant Celina. Locadia barazoi rezultatin 10 minuta më pas, duke rikthyer në lojë skuadrëm kampione. Në fillim të pjesës së dytë, Moreno gjeti golin e avantazhit të PSV, duke krijuar iluzionin se skuadra mike do të arrinte të dilte me 3 pikë nga kjo transfertë, por në minutën e 2 shtesë, Celina shënoi golin e katërt të ndeshjes, duke shuar përfundimisht shpresat e Cocu dhe skuadrës së tij për të kërkuar titullin e dytë rresht.

Courtois: Chelsea duhet të mbajë Hazard

Chelsea ka nevojë për Eden Hazard. Këto janë fjalët e portierit të “Bluve të Londrës” Thibaut Courtois, i cili ka këshilluar drejtuesit e tij që të mos pranojnë asnjë ofertë në drejtim të Hazard. Zërat e fundit në merkato flasin për një interesim të Realit të Madridit në drejtim të sulmuesit, madje mendohet se ka dhe një ofertë konkrete nga ana e “Los Blancos” për Hazard që kap shifrat e 120 milionë eurove. Courtois, shprehet i bindur se shoku i tij i skuadrës nuk duhet të largohet nga “Stamford Bridge”.
“Chelsea duhet t’i refuzojë të gjitha ofertat që do të vijnë në drejtim të Hazard. Cilësitë që ai ka i dimë të gjithë dhe ndihmesa që ai i jep skuadrës në çdo ndeshje është e madhe, por jo vetëm, gjithashtu edhe në arritjen e objektivave sezonalë, kontributi i tij është thelbësor”, u shpreh Courtois. Njësoj si Hazard edhe gardiani i Chelsea përflitet për një transferim të mundshëm te Reali i Madridit, por ai që u jep fund zërave është vetë Courtis. “Dëshira ime është të jem pjesë e kësaj skuadre edhe për shumë kohë. Ndihem si në shtëpinë time dhe nuk kam arsye për t’u larguar”, tha ai.

Reali luan gjithë sezonin në prill

Në përfundim të muajit prill, Reali i Madridit do të jetë më i qartë për shanset e tij në kampionat dhe Ligën e Kampioneve. Skuadra e Zinedin Zidanit do të luajë shtatë ndeshje në tri javë, me një mesatare prej një dueli çdo tri ditë. Një kalendar shumë i ngjeshur, i cili ka nevojë për një programim të detajuar të formës së futbollistëve, në mënyrë që ekipi të mos bëjë hapa falsë në secilin prej kompeticioneve, ku edhe synon të triumfojë.
Aktualisht merengesit kryesojnë renditjen e La Liga-s, ndërkohë që në Champions do të përballen me një nga rivalët më të vështirë të mundshëm, Bajernin e Mynihut. Sikur të mos mjaftonte fakti që do t’u duhet shumë energji prej sasisë së ndeshjeve, ajo që bie në sy është edhe forca e kundërshtarëve që do ketë përballë. Duke nisur që nga dita e shtunë, Reali do të luajë derbin e Madridit përballë Atletikos, ku një hap fals mund t’i vështirësonte ndjeshëm mundësitë për titullin.
Të mërkurën ata do të jenë në Gjermani, ku do të përballen me vendasit e Bajernit, për të luajtur tri ditë më vonë në një tjetër transfertë, kundër Gijonit në Spanjë. Ditën e martë të javës pasardhëse, pra më pak se 72 orë më vonë, në “Santiago Bernabeu” do të luajnë “aktin e dytë” kundër skuadrës së Karlo Ançelotit, Bajernit. Pasi të kenë mësuar fatin e tyre në Ligën e Kampioneve, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale apo jo, vështirë se do të kenë mjaftueshëm kohë në dispozicion për të festuar apo hidhëruar.
Të dielën e së njëjtës javë i pret një tjetër finale vendimtare, pasi luajnë ndaj rivalëve direkt për titullin kampion, Barcelona. Por, prilli nuk do mbyllet me kaq, pasi do të jenë Valencia dhe Deportivo ato që do të plotësojnë “mozaikun”. Një sfidë tejet e vështirë për trajnerin Zinedin Zidan, i cili do të ketë edhe presionin më të madh për të bërë përzgjedhjet e duhura në formacion.

Tare sherr me mbrojtësin e Romës

Derbi i Romës në Kupën e Italisë është mbyllur të martën me Lacion që është larguar triumfuese nga “Olimpiko” pasi ka siguruar biletën për në finalen e turneut. Por sigurisht që një përballje kaq e nxehtë nuk mund të mbyllej pa incidente. Nëse janë evituar ato në fushë apo në tribunë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për pas ndeshjes, ku protagonistë janë bërë mbrojtësi i Romës, Rudiger dhe Igli Tare.
Ngjarja ka ndodhur në parkingun e stadiumit, kur Rudiger sapo kishte hyrë në makinën e tij bashkë me brazilianët Emerson, Peres dhe Gerson. Sipas dëshmitarëve që kanë treguar gjithçka për “Il Tempo”, në ato momente pranë makinës kalonte Tare, i cili po shkonte qetësisht drejt automjetit të tij, ndërsa Rudiger i ka thënë diçka.
Mbrojtësi i ka folur në gjermanisht Tares, i ndërgjegjshëm se drejtuesi shqiptar i Lacios e njeh në mënyrë perfekte këtë gjuhë, meqë ka jetuar dhe luajtur atje për 7 vite. Tare i ktheu përgjigje menjëherë, ndërsa Rudiger doli nga makina duke nisur një përplasje të fortë verbale në gjermanisht me tone të larta. E vetmja gjë që dëshmitarët kanë kuptuar në ato momente ishte thirrja “hajdut” në italisht nga mbrojtësi i Romës, ndërsa situata u tensionua ndjeshëm.
Por siç ndodh zakonisht pas ndeshjeve të tilla, në parkingun e stadiumit ishte një prani e ndjeshme forcash rendi, të cilat kanë bërë të mundur që palët të mos përplaseshin edhe fizikisht. Gjithçka ka përfunduar me largimin e romanistëve.
Rudiger ka qenë një personazh qendror në derbi gjatë këtij sezoni, duke provokuar herë pas here lacialët. Ai fillimisht dha një intervistë duke deklaruar se nuk e njihte fare si skuadër, duke ndezur derbin gjatë të cilit Strotman lagu me ujë në fytyrë Kataldin dhe nisi një zënkë të madhe në fushë.
Pas atij dueli, Luliç nuk u kursye me frazën “Rudiger shiste çorape në plazh, tani bën si fenomen”, duke përfunduar i dënuar nga komisionet disiplinore, ndërsa Tare i doli në mbrojtje. “Ishin fjalë të thëna pa u menduar mirë, të nxitura nga ndonjë batutë e tepruar e Rudiger”, tha ai. “Sqarimi” me këtë të fundit, duket se është bërë të martën në parkingun e stadiumit “Olimpiko”. Tani të gjithë presin me padurim episodin e radhës në derbin e kampionatit më 30 prill.

Një Inter italian

NAPLES, ITALY - NOVEMBER 30: Danilo D'Ambrosio of Internazionale Milano in action during the Serie A match between SSC Napoli and FC Internazionale Milano at Stadio San Paolo on November 30, 2015 in Naples, Italy. (Photo by Francesco Pecoraro/Getty Images)

Interi blindon një nga lojtarët që ka spikatur më shumë që nga momenti që drejtimin e skuadrës e ka marrë Stefano Pioli. Danilo D’Ambrosio, mbrojtësi i krahut të djathtë, i cili së fundmi u grumbullua për herë të parë edhe në kombëtaren italiane, ka rinovuar zyrtarisht kontratën e tij me klubin zikaltër deri më 30 qershor të vitit 2021.
Në këtë mënyrë e ardhmja e mbrojtësit 28-vjeçar do të vazhdojë të vishet me ngjyrat zikaltër. Ky është një moment i artë për Danilo D’ambrosion, i cili do të jetë një nga italianët e shumtë që do të jenë pjesë e Interit sezonet në vazhdim, pasi pronarët e rinj kinezë e kanë bërë të qartë strategjinë e tyre, për të italianizuar sa më shumë skuadrën.
I transferuar nga Torino te Interi në janar të vitit 2014, D’Ambrosio gjatë kësaj periudhe ka koleksionuar 97 paraqitje me skuadrën zikaltër në të gjitha kompeticionet teksa numëron dhe 7 gola të realizuar e 5 asiste. Në këtë sezon, 28-vjeçari italian është mbrojtësi i krahut që është aktivizuar më shumë te Interi ndërsa pozicionohet i dyti pas Mirandës në repartin e prapavijës përsa i përket topave të rikuperuar. Që Interi i ri do të jetë më shumë italian sinjalet e para po jepen sepse pas blerjes së Gagliardinit nga Atalanta, drejtori sportiv Piero Ausilio ka arritur marrëveshjen me Sassuolon për transferimin në Milano në përfundim të këtij sezoni të Domenico Berardit.
Vlera e kartonit të lojtarit të përfaqësues italiane të 21-vjeçarëve do t’i kushtojë arkave të klubit zikaltër rreth 40 milionë euro, me Interin që pritet të përfshijë në marrëveshje edhe Gianluca Caprarin, lojtar i cili është në pronësi të Interit, por aktualisht luan i huazuar te Pescara.
Ndërkohë, trajneri italian, Stefano Pioli pritet të largohet nga skuadra e Interit në fund të këtij edicioni. Sipas “Sport Italia”, nerazzurrët tashmë kanë nisur bisedimet me trajnerin e Romës, Luciano Spalletti.
Ky i fundit pritet të largohet nga ekipi romak gjatë verës, derisa pritet ta marrë drejtimin e Interi. Por, sipas mediave italiane kandidat për ta marrë drejtimin e Interit janë edhe Diego Simeone (Atletico Madrid) dhe Jorge Sampaoli (Sevilla).

Neymar, lojtari që pëson më shumë faulle në Spanjë

Luis Enrique ka kërkuar shpeshherë në media që arbitrat të jenë më të kujdesshëm ndaj Neymarit. Trajneri i Barcelonës është i shqetësuar që ndaj tij shkaktohen shumë ndërhyrje të gabuara dhe mbrojtësit mundohen që ta ndalin në mënyrë të pandershme.
“Neymar rrezikon të dëmtohet rëndë, nëse nuk është i kujdesshëm. Duke qenë se nuk e ndalojnë dot sportivisht, atij i ndërhyjnë shumë ashpër dhe arbitrat duhet ta mbrojnë. Nuk është normale kjo gjë”, tha Luis Enrique pak kohë më parë”. Në fakt, edhe statistikat i japin të drejtë, pasi sulmuesi i katalanasve është lojtari që ka pësuar më tepër faulle në kampionatin spanjoll.
Ai është në krye të listës me 108 ndërhyrje të gabuara në dëm të tij, duke lënë pas Dani Sebajos të Betisit me 85 dhe Petros të Betsit me 76. Pavarësisht se në organikën e vet Barça ka mjaft lojtarë të tjerë që janë driblues të mirë, përfshirë edhe Messin, askush prej tyre nuk ka mundur të përfshihet në listën e dhjetë të parëve në këtë klasifikim.
Përgjatë këtij edicioni, Neymar ka ndryshuar edhe stilin e tij të lojës, duke marrë shumë aksione individuale në fushë dhe më pas të shërbejë me asiste për partnerët e repartit të avancuar, çka ka dhënë shumë efektivitet para portës. Ajo që bie në sy në renditjen e futbollistëve më “të dhunuar” është se pjesa më e madhe e tyre janë lojtarë që luajnë në krah të mesfushës, të cilët kanë edhe më tepër liri për aksione individuale.

Rodriguez nuk kursen fyerjet ndaj Zidan

James Rodriguez nuk duron më zëvendësimet e vazhdueshme dhe minutazhin e kufizuar që i vë në dispozicion Zinedin Zidan. Kolumbiani ka reaguar ashpër në momentin e zëvendësimit gjatë ndeshjes ndaj Leganes, i pakënaqur që francezi nuk po e linte në fushë.
Ndërsa po kryhej zëvendësimi në minutën e 71-të, kolumbiani u filmua duke sharë Zidan. “Atë të mamit, nuk më lë një ndeshje të plotë”, ishin fjalët e futbollistit. Më pas, ai kaloi para trajnerit pa i folur, ndërsa goditi me grusht pankinën në shenjë zemërimi dhe faktin që nuk luan një ndeshje të plotë që nga dhjetori.
Nga ana tjetër, Zidan u mundua të qetësonte polemikën me yllin kolumbian gjatë konferencës për shtyp. “Është logjike që është i inatosur. Zëvendësohet shpesh, por nuk kam asgjë kundër tij, ndonëse vazhdoni të ma bëni këtë pyetje. Përkundrazi, jam i lumtur me të”, tha francezi.

Dule-Ramës: Mëse e sigurtë, nuk ia ke idenë fundit

Ish-aleati i Edi Ramës dje në opozitë, dhe sot në opozitë me Rilindjen, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka shigjetuar sërisht shefin e qeverisë për qëndrimin që po mban me zgjidhjen e krizës politike. Në një postim në Twitter, Vangjeli e konsideron një narciz ndërsa shkruan: “Vendi në krizë, Rama në narcizmin e vet! Por si të gjitha edhe mitin e Narcisus e di përgjysëm”. Por Dule nuk ndalet me kaq, ndërsa paralajmëron Edi Ramën se qëndrimi i tij prej narcizi ka edhe pasoja, ndërsa e përmbyll reagimin e tij duke shkruar: “Mëse e sigurtë që nuk ia ka idenë fundit”. Por kujt i referohet Dule si fund? Në mitologjinë e Narcisius, thuhet se ai ishte djali i Zotit të lumenjve Kepius dhe i Nimfës Liriope. Ai ishte krenar, se ai i injoronte ata që e donin. Nemesis e vuri re këtë sjellje dhe e joshi Narcisiunsin në një pellg, ku ai pa imazhin e tij në ujë dhe ra në dashuri me veten, duke mos e kuptuar se ishte thjeshtë një imazh. I paaftë për t’u ndarë nga bukuria e imazhit të tij që reflektohej në ujë, Narcisiun humbi dëshirën për të jetuar. Ai vijoi të këqyrte refletimin e imazhit të tij në ujë deri sa vdiq.

Strakosha titullar deri në fund të sezonit

Thomas Strakosha parashikohet të jetë titullar deri në fund të sezonit te Lacio, pasi Federiko Marketi rrezikon një ndalesë të gjatë për shkak të përsëritjes së dëmtimit në gju. Sipas mediave italiane, portieri i parë i Lacios vazhdon të ndjejë shqetësime dhe aktualisht, stafi mjekësor po e këshillon që ai t’i nënshtrohet operacionit.
Përsëritja e vazhdueshme e dëmtimit në gjurin e djathtë e ka kthyer problemin e 34-vjeçarit në kronik dhe rrezikon që të dëmtojë ndjeshëm karrierën e tij në vazhdim. Ndaj ndërhyrja kirurgjikale mund ta ndihmojë për të zgjidhur këtë problem dhe për të qenë në 100% në fillimin e sezonit të ardhshëm.
Ndërsa Marketi po mendohet për të ardhmen, Strakosha duket se ka të sigurt të paktën edhe për 2-3 javë të tjera vendin e titullarit në portën e Lacios. Megjithatë, përtej Adriatikut parashikojnë që në fund, Marketi të vendosë t’i nënshtrohet kësaj ndërhyrjeje dhe që Strakoshës t’i besohet porta e Lacios deri në mbyllje të sezonit, në Serinë A, si dhe finalen e Kupës së Italisë.
Ky është një lajm i mirë edhe për kombëtaren shqiptare të futbollit, e cila luan në qershor një sfidë shumë të rëndësishme për objektivat e saj, ndaj Izraelit. Strakosha është tani zëvendësi i parë i Berishës dhe pritet të luajë nga minuat e parë në atë sfidë, ndaj aktivizimi i rregullt me Lacion do ta sillte drejt kësaj sfide në formën më optimale.