Kryeministri Edi Rama i është kthyer shprehjes së vjetër, që siç duket e përdor sa herë që vjen në studiot e emisioneve televizive në “News24”. E tillë ka qenë edhe të enjten skena, ndërsa kreu i qeverisë përmend Zotin në emisionin “Të paekspozuarit”.
Pasi gazetari Ylli Rakipi i ndërpreu fjalën, Rama acarohet dhe ndërhyn menjëherë, duke shtuar se: “O Zot, më ler të mbaroj. Sa herë që vij këtu përmend Zotin”. Pak kohë më parë kreu i qeverisë tha po të njëjtën gjë në emisionin “Studio e hapur” të Eni Vasilit.
DEBATI
Rakipi: Më thuaj një kompani serioze…
Rama: Shell. Është serioze?
Rakipi: Çfarë ka bërë, tregoju shqiptarëve.
Rama: Po tregoju ti, se ti rrjep pula, pjek pula dhe ikën. Gënjen more zotëri, se nuk ka thënë 300 mijë vende pune. Rri ha pula këtu ti me Lubonjën dhe Bushatin dhe i jep gjellë qensh shqiptarëve.
Rakipi: Pse jam gjë kryeministër unë?
Rakipi: Pula ke ti 4 vjet që ha sa të kanë rënë qerpikët e syve.
Rama: Ylli mos e kalo tani…
Tallja e gazetarit Rakipi me Ramën: Të kanë rënë qerpikët
Berisha: Dua të qëndroj te Atalanta
Etrit Berisha e bën të qartë se mbetet Atalanta zgjedhja e tij e parë edhe për sezonin e arshshëm. Portieri shqiptar kartonin e të cilit e zotëron Lazio, kërkon që klubi bergamask të vihet në lëvizje për ta blerë nga kryeqytetasit, pasi gjatë këtij sezoni ai ka shpërthyer përfundimisht me fanellën zikaltër. “E pranova Atalantën pasi fola me drejtorin Sartori dhe trajnerin Gasperini, të cilët më dhanë besim. Fjalët e tyre ishin shumë të rëndësishme për mua”, thekson Berisha në një intervistë për mediat italiane.
Në vijim të intervistës ai shton se bëri zgjedhjen e duhur për t’u larguar nga Lazio gjatë verës së shkuar sepse Atalanta ishte skuadra ideale për të nxjerrë në pah cilësitë e tij. “Ëndrra ime? Të luaj në Champions League sepse deri në këtë pikë të karrierës kam përjetuar vetëm fazën paraeliminatore të këtij kompeticioni. Gjithashtu shpresoj që në të ardhmen të jem pjesë e një skuadre të madhe në Itali ose në një kampionat tjetër. Nuk kam diskutuar ende me drejtuesit e Atalantës, por do të më pëlqente shumë nëse do ta vazhdoja aventurën me Atalantën”, thekson portieri shqiptar që gjatë këtij sezoni numëron 21 ndeshje si titullar në Serie A, duke e ndihmuar skuadrën të qëndrojë në vendin e 5 që siguron edhe biletën e fundit për në Europa League.
Meta: Sjelljet diktatoriale ndaj opozitës, të gabuara
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha në studion e “Arena” me gazetarin Dritan Hila, se retorikat për reformën në drejtësi, nuk e kanë ndihmuar zbatimin e saj. Ai tha se kush ka frikë nga zgjedhjet ka frikë nga reforma në drejtësi.
Meta: Unë nuk kam pasur asnjë shqetësim përveç shqetësimit që të bëhej me konsensus. Unë e dija mirë kush ishin pasojat e mosbërit me konsensus. Komisioni i Venecias ka luajtur një rol të rëndësishëm për të rrëzuar shumë përpjekje të çuditshme dhe jo të argumentuara. Ato ndryshime që ne kemi kaluar janë ndryshime që do të ndihmojnë për të sjellë transformim të sistemit të drejtësisë. Por e gjithë fushata atëherë, edhe tani Vetting, Vetting është më shumë pjesë e një retorike elektorale sesa vullnet për të zbatuar këtë reformë serioze. Ndërkohë nuk na ka penguar kjo reformë për të luftuar drogën, krimin dhe kanabisin.
Pyetje: Bëjnë aluzione segmente të shtypit dhe politikës se kjo reformë pengohet nga Berisha dhe ju sepse kanë frikë se do të jenë viktimë të kësaj reforme dhe do të goditen prej saj.
Meta: Këtë frikë e kanë ata që i janë shmangur transparencës së kësaj reforme. Qëndrimet e mia kanë qenë më transparente se e çdo aktori vendas dhe ndërkombëtar. Qëndrimet e mira kanë qenë të njëjta me Ramën, Bashën, ndërkombëtarët dhe madje u kam thënë mos vazhdojmë takojmë njëri-tjetrin kështu dhe mos kuptojmë ç’po ndodh. Kjo duhet bërë me konsensus, ndryshime kushtetuese në mënyrë të njëanshme me atë përbërje që kishte Parlamenti dhe me ato probleme të dekriminalizimit do të thotë jo vetëm një konflikt dhe moszbatim i kësaj reforme, jo vetëm bllokimi i dialogut politik, por edhe shumë pasoja të tjera për vendin. Të gjitha këto kanë qenë përpjekje për të më kompleksuar mua, gjë tërësisht absurde në mbajtjen e qëndrimeve parimore.
Edhe sot mund të dëgjojmë që shiko se po ndihmohet çadra me qëndrime të tilla etj. Sjelljet përjashtuese për të mos thënë diktatoriale ndaj opozitës janë shumë të gabuara. Ashtu siç është i gabuar fjalimi i Bashës apo Berishës. Por në fund fare opozita ka një protestë paqësore, bojkoti është i dënueshëm, por kauza për zgjedhje të lira dhe të ndershme është e drejtë, por ne si mazhorancë nuk duhet të tregojmë frikë. Kjo është e domosdoshme sepse kjo do të thotë se ai që ka frikë nga zgjedhjet e lira ka frikë edhe nga reforma në drejtësi.
PD: Goditja amerikane ndaj një diktatori
Presidenti Trump urdhëroi dje në orët e para të mëngjesit goditjen me 59 raketa tomahok të bazës ushtarake në Siri, prej ku u lëshuan pak ditë më parë bombat me gaz helmues që shkaktuan vdekjen e dhjetëra civilëve mes tyre dhe shumë fëmijë.
Përveçse një operacion me efektivitet të lartë ushtarak, kjo është një përgjigje e drejtpërdrejt ndaj një diktatori, i cili nuk kursen jetë civilësh të pafajshëm për t’i shërbyer pushtetit të tij.
Përgjigjja amerikane është edhe një shpresë e rindezur se rendi demokratik botëror në mbrojtje të jetës dhe të drejtave e lirive të njeriut ka garant vendin më të fuqishëm dhe demokratik të globit, SHBA.
Urdhri i presidentit Trump është një konfirmim i lidershipit moral të padiskutueshëm të SHBA në zhvillimet ndërkombëtare.
Partia Demokratike përshëndet këtë akt të jashtëzakonshëm në mbrojtje të jetës dhe dinjitetit njerëzor dhe ndihet krenare për partneritetin unik strategjik me SHBA dhe Presidentin Trump.
Partia Demokratike do të jetë përherë në krah të SHBA dhe nesër në qeverisjen e vendit do ta ngrejë këtë partneritet në nivelet më të larta historike.
Berisha takon kampionin e botës në pesha të rënda
Ish-Kryeministri Berisha priti dje në një takim boksierin tashmë legjendë e boksit botëror, Erzen Rustemi, kampion bote në peshat e rënda. Më 18 mars, Erzen Rustemi u ndesh në qytetin Aarhus, të Danimarkës me argjentinasin e famshëm Rameres “El Tigre”, të cilin e rrëzoi përtokë që raundin e parë dhe e nxorri nga ringu në raundin e dytëm duke fituar kështu titullin kampion, kurorën e madhërishme te “Mbret i Boksit” në botë, kurorë të cilën pak vite më parë e ka mbajtur dhe Evander Holyfield. Duke kujtuar takimin që ka patur me ish-kampionin e botës, Holyfield në një ballo në ceremoninë e inaugurimit të presidentit George Bush, Berisha i shprehu Erzen Rustemit kënaqësinë e madhe për këtë takim, tashmë me kampionin shqiptar të boksit në botë. Ai i shprehu kampionit Rustemi urimet më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë.
Zbardhet borxhi i vërtetë i ARMO, 200 milionë dollarë te tatimet
Pasi është mbajtur e fshehtë për vite, është zbardhur më në fund borxhi që shoqëria e përpunimit të naftës ARMO ka ndaj tatimeve. Shifra nuk është publikuar as nga institucionet shtetërore e as nga vetë kompania, por nga një shoqëri përmbarimore, e cila ka nxjerrë në shitje pronat e ARMO-s për llogari të tri kreditorëve. Sipas dokumenteve të kompanisë përmbarimore, detyrimet e papaguara tatimore të ARMO-s janë 200 milionë dollarë dhe jo 50 milionë dollarë, siç është raportuar gjatë këtyre viteve. “Për Drejtorinë Rajonale të Tatimpaguesve rezulton detyrim i pashlyer në vlerën 21,723,595,114 lekë”, thekson kompania përmbarimore. Shoqëria përmbarimore raporton gjithashtu edhe një shifër më të madhe borxhi të ARMO-s ndaj Albpetrol, e cila nuk është 30 milionë dollarë, siç raportojnë institucionet shtetërore, por 5.1 miliardë lekë, afërisht 50 milionë dollarë. Deri tani, borxhi i ARMO-s, vlerësohej në rreth 250 milionë dollarë, 200 milionë ndaj bankave dhe 50 milionë ndaj tatimeve. Me detyrimet e reja ndaj tatimeve e Albpetrol, ky borxh i afrohet shifrës 500 milionë dollarë. Në muajt e fundit të vitit të shkuar, qeveria ia kaloi ARMO-n kompanisë Ionian Refining dhe Trading Company me qëllim riaktivizimin e saj. U pretendua se IRTC, arriti të gjejë gjuhën e përbashkët me bankat kreditore të ARMO-s, si dhe punonjësve të saj për rifillimin e punës nga 1 shtatori.
Por, po gjatë këtyre muajve disa zyra përmbarimore u vërsulën për bllokimin apo ekzekutimin e llogarive dhe pasurive të kompanisë për llogari të kreditorëve të saj, ndërkohë që u shënua edhe një aksident i rëndë ku gjeti vdekjen një prej punonjësve. Praktikisht u shitën në ankande të gjitha pronat e ARMO-s, përfshirë dy rafineritë dhe pronat e saj në Vlorë, të cilat u blenë nga vetë IRTC. Ndërkaq Ionian Refining dhe Trading Company, ka vazhduar punën gjatë gjithë këtyre muajve. Kompania është themeluar nga një shoqëri e regjistruar në Ishujt Virxhin britanikë, e njohur si parajsë fiskale. Përfaqësues ligjor i degës shqiptare rezulton Taulant Musabelliu, ndërsa i kompanisë mëmë Ali Hasan Rahman.
Brenda 2 muajve gjobiten 25 karburante
Brenda 2 muajve janë gjobitur 25 karburanate me masa administrative që fillojnë nga 100.000 lekë deri në 2 milionë lekë të reja.Inspektorati Shtetëror Teknik thotë se në janar-shkurt karburantët janë gjobitur për shkak të mungesës së cilësisë, por edhe për mungesë dokumentacioni. Në total, të gjitha karburantet janë gjobitur me 8.2 milionë lekë të reja. Bie në sy se një pjesë e karburantëve ndodhen në rrethe.
Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial publikon rezultatet e inspektimeve të ushtruara në subjektet e tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve dhe të lëndëve djegëse, pajisjeve nën presion dhe instalimeve elektrike për muajin janar 2017.Fokusi i kontrolleve të kryera ishte zbatimi i dispozitave të Ligjit nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, Ligji nr. 32/2016, datë 24.03.2016 “Për garantimin e sigurisë së punës së pajisjeve/instalimeve nën presion”, si dhe VKM nr. 212, datë 16.3.2016 “Për përcaktimin e kushteve dhe të rregullave teknike për përpunimin e bombolave të mbushura me gaz të lëngshëm të naftës (GLN)” dhe Ligji nr. 8734, datë 01.02.2001 “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe instalimeve elektrike”, i ndryshuar. Nga inspektimet e bëra nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial për periudhën janar 2017 janë gjobitur 10 subjekte.
Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) publikon rezultatet e inspektimeve të ushtruara në subjektet e tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve dhe të lëndëve djegëse, pajisjeve nën presion dhe instalimeve elektrike për muajin shkurt 2017.Fokusi i kontrolleve të kryera ishte zbatimi i dispozitave të Ligjit nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, Ligji nr. 32/2016, datë 24.03.2016 “Për garantimin e sigurisë së punës së pajisjeve/instalimeve nën presion”, si dhe VKM nr. 212, datë 16.3.2016 “Për përcaktimin e kushteve dhe të rregullave teknike për përpunimin e bombolave të mbushura me gaz të lëngshëm të naftës (GLN)” dhe Ligji nr. 8734, datë 01.02.2001 “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe instalimeve elektrike”, i ndryshuar. Nga inspektimet e bëra nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial për periudhën shkurt 2017 janë gjobitur 15 subjekte.
Falimentojnë prodhuesit e karotës në Divjakë

Në Divjakë tonelata karote po shkojnë dëm për shkak se janë bllokuar eksportet. Çmimi i saj ka rënë deri në 20 lekë. Karota e Divjakës po kalbet. Prej disa muajsh eksporti i saj është bllokuar për arsye të paqarta, kurse tregu vendas është mbingopur. Çmimi i saj ka kapur limitet nga 20 deri në 45 lekë/kg. Fermerët thonë se po falimentojnë. “Këtu nuk ecën fare. Në qoftë se e pe te tregu që është bllokuar nga 20 zetora rrinë atje, edhe për më tepër që çmimi varion nga 20 lekë deri te 45 lekë që shesin më të mirën”, shprehet një fermere. Karotat po përdoren ushqim për kafshët dhe fermerët janë të pikëlluar. “Do të rrijmë një ditë dhe ditën tjetër po nuk u shitën i çojmë atje tek stalla e lopëve, ia japim një tjetri. Pa lekë, pa asgjë, na merre s’e nuk e dua”, shprehet një tjetër fermer. Ata tregojnë se shërbimet e bimës janë bërë sipas standardeve për eksport ndërkombëtar dhe rrugët u janë mbyllur. “Shumë e mirë është cilësia, nuk flitet që të mos të jetë e mirë pasi ajo nuk rritet as me hormone, me asgjë”, shprehet fermerja. Për momentin vetëm lakra po shitet dhe jashtë tregut shqiptar. “Për momentin jo, kanë marrë për të marrë, por për momentin jo. Është e bllokuar”. Fermerët në Divjakë i mbjellin tokat bujqësore çdo muaj me perime. 80% e prodhimit të përgjithshëm shkon për eksport. Ky është viti i parë që karota nuk eksportohet, kurse shumë prodhues kanë lidhur kontrata për eksportin e shalqinit, i cili fillon në muajin maj.
Alarm! Kosova po zbrazet
“Mos harro. Më lajmëro kur të mbërrish”, e porosit Agimi vëllain, Afrimin derisa ia jep përshëndetjen e fundit në Aeroportin e Prishtinës. Për një vit nuk do të shihen. Ndërsa është hera e parë që do të qëndrojnë kaq gjatë larg njëri–tjetrit.
Të dy kanë punuar në një ordinancë stomatologjike në Prishtinë. Ndërsa nga e hëna, Afrimi do të fillojë punë të re në profesionin e njëjtë në Spitalin Universitar në Bern në Gjermani. “I ka ra shumë më mirë. E kanë thirr vetë në spital si doktor”, tregon me krenari për arritjen e vëllait Agimi që shpreson të ndjekë rrugën e tij. Ai sapo ka mbushur 53 vjeç, por thotë se do të mund të japë kontribut më të madh në një shtet ku dija vlerësohet. Kjo duket të jetë bindja e shumë kosovarëve të arsimuar dhe përgatitur mirë për tregun e punës”, shkruan Gazeta Fjala. Të dhënat statistikore konfirmojnë shqetësimin e madh dhe rrezikun që po i kanoset shtetit më të ri në Evropë. “Kuadrot po ikin nga Kosova”, e thotë edhe kryeekonomisti i Bankës Botërore në Kosovë, Agim Demukaj. Sipas tij, vetëm vitin e kaluar Gjermania ka lëshuar rreth 5 mijë viza pune, që sipas tij paraqet shqetësim për perspektivën e vendit, shkruan Gazeta Fjala. Ndërkaq, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli thotë se institucionet e vendit, duhet të marrin masa që të përmirësojnë ambientin e të bërit biznes në mënyrë që të thithen më shumë investime, të cilat rrisin produktivitetin dhe krijojnë mundësi për kosovarët të mbeten në tregun e brendshëm të punës. “Nevojitet përmirësim në produktivitet dhe konkurrueshmëri. Kosova duhet të fokusohet jo vetëm në shërbime, por edhe në IT, bujqësi-industri e të pajisë njerëzit me aftësi adekuate për tregun e punës”, thotë ai. Megjithatë i tërë rajoni po ballafaqohet me ikje të qytetarëve për kushte më të mira pune. Por, Kosova duket të jetë më specifike. Kosovarët nuk po kërkojnë azil më në Evropë. Por Evropa po i kërkon ata. Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë se qytetarët e Kosovës, kanë hequr dorë dhe më nuk janë të interesuar që të kërkojnë më azil në vendet e BE-së dhe në zonën Schengen. Kjo pasi që, këto dy viteve të fundit ka rënë numri i azilkërkuesve që dëshirojnë të shkojnë në BE. Në vitin 2015, mbi 73 mijë qytetarë kishin kërkuar azil në vendet e BE-së në vitin 2016 kjo shifër ka rënë në 10 mijë. “Si rezultat i masave dhe politikave të ndërmarra numri i kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës në vendet e BE dhe zonës Schengen ka rënë nga 73,2015 të vitit 2015 në 10,220 në vitin 2016. Ndërsa, numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës të ripranuar deri në fund të nëntorit 2016 është mbi 13,000”, thuhet në raport. Lidhur me këtë çështje, sociologu, Ferdi Kamberi, për Gazetën Fjala, ka thënë se janë disa faktorë që ndikojnë në rënien e emigracionit duke thënë se një pjesë e madhe e shoqërisë kosovare, vendet perëndimore i kanë menduar si “parajsë”, vende të cilat japin para pa punuar dhe kanë një perspektivë krejt tjetër. Mirëpo që me vizitën e këtyre vendeve, sipas tij mendimi i tyre është ndryshuar dhe nuk është ashtu siç e kanë menduar. Përveç kësaj Kamberi vlerëson se një ndër arsyet e tjera është edhe se Kosova, po ju ofron mundësi personave që të shkojnë në vendet perëndimore për punësim sezonal e jo që të kërkojnë azil. “Punësim ky, i cili mund të jetë indikator në përmirësimin e të ardhurave, statusit social, ekonomik dhe që të krijohet një perspektivë më e mirë e shoqërisë”.
Qeveria teknike, e vetmja zgjidhje
Deputeti austriak, Michael Hammer iu bashkua dje protestës së opozitës për zgjedhje të lira në ditën e 49 të protestës në sheshin e lirisë. Deputeti austriak, një njohës i mirë i zhvillimeve politike në rajon dhe veçanërisht në Shqipëri, deklaroi dje se qeveria teknike mbetet e vetmja zgjidhje për kapërcimin e krizës politike në kushtet kur besimi tek qeveria aktuale ka rënë.
“Siç e shikoni edhe ju, ka ardhur momenti që besimi për qeverinë aktuale nuk është i madh, ndaj është momenti të gjejmë një alternativë tjetër për zgjedhje të lira. E vetmja zgjidhje për zgjedhje të lira dhe të ndershme është një qeveri teknike.
Vendi im është një mbështetës shumë i fortë për Ballkanin dhe Shqipërinë. Dhe ne jemi për një Shqipëri europiane sa më shpejt. Por duhet të kemi parasysh që për Shqipërinë, gjithashtu është shumë e rëndësishme që të ndjekë detyrat e Bashkimit Europian dhe një ndër to është zhvillimi i zgjedhjeve të lira. Është shumë e rëndësishme të bëhet reforma zgjedhore, si dhe që procesi i zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të bëhet në mënyrë objektive”, tha Hammer.
Deputeti austriak shprehu shqetësim në lidhje me problemin e drogës. Ai tha se ky tashmë nuk është vetëm një problem për Shqipërinë, por edhe për Europën. Hammer beson se vetëm një qeveri teknike mund të eliminojë të gjithë faktorët që ndikojnë tek rënia e zgjedhjeve të lira.
“Unë kam folur shumë shpesh me qeverinë duke i kërkuar asaj që lufta kundër drogës dhe korrupsionit të jetë më e fuqishme. Po ashtu, dekriminalizimi të bëhet dhe po ashtu, reforma në drejtësi të marrë rrugë. Kanabisi juaj nuk është problem vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Europën, por është momenti që ta mposhtim atë”, tha Hammer.
Deputeti austriak u shpreh se zgjedhjet e lira nuk mund të jenë një privilegj, por janë një detyrim për shoqëritë demokratike. “Dëshiroj të theksoj që elementi më i rëndësishëm i një demokracie moderne janë zgjedhjet e lira. Nuk është një e drejtë e qytetarëve të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme, por është detyrim për ta që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të lirë dhe të ndershme”, tha ai.
Deputeti austriak deklaroi se në rast se në Shqipëri do të ketë zgjedhje të lira, atëherë fitorja do të jetë në anën e opozitës. Ai shprehu besimin se pas zgjedhjeve të lira, Shqipëria do të ketë një kryeministër të ri dhe ai do të jetë, Lulzim Basha.
“Jam shumë i nderuar që kam ardhur këtu tek ju si një mik i Shqipërisë dhe si mik i shqiptarëve dhe mbi të gjitha, si një mik i Partisë Demokratike shqiptare. Z. Basha më kërkoi që unë të vij e të tregoj mbështetjen time në një çështje kaq të rëndësishme për ju, siç është demokracia dhe zgjedhjet e lira.
Që nga viti 2011 kur kam ardhur për herë të parë në Shqipëri, kam patur takime me ish-kryetarin e Partisë Demokratike, z. Berisha dhe me z. Lulzim Basha, e në atë periudhë, kam vënë re se si Shqipëria është zhvilluar nga ana kulturore, ekonomike dhe industriale dhe jam i lumtur që Shqipërinë ta mirëpresim në Bashkimin Europian. Kjo ka qenë një periudhë e mirë për Shqipërinë, por unë pres që një periudhë akoma më e mirë të vijë me një kryeministër të ardhshëm, si z. Lulzim Basha.
Një Shqipëri demokratike ka nevojë për zgjedhje të lira dhe për media të lirë, por Shqipëria nuk i ka të tilla. Ju falënderoj që jeni këtu prezent për të mbështetur zgjedhjet e lira.
Unë dhe partia që përfaqësoj do të jemi një mbështetje e madhe dhe pak më vonë do të ketë një tjetër përfaqësues nga Austria në mbështetje të Shqipërisë. Nëse vërtet në Shqipëri do të ketë këtë herë zgjedhje të lira, atëherë patjetër që do të ketë një qeveri të drejtuar nga Lulzim Basha.
Unë jam i sigurtë që herën tjetër që do të vij në Shqipëri, Lulzim Basha si kryeministër do të ketë bërë gjithçka të mirë për ju”, tha Hammer.
Enton DACI
















