19.5 C
Tirana
E martë, 18 Nëntor, 2025

BB: Në katër vite pagat u ulën, 45.5% e shqiptarëve në varfëri

Banka Botërore deklaroi se rrogat në Shqipëri kanë rënë për katër vite me radhë, duke rrudhur të ardhurat e punonjësve me një intensitet të paprecedentë as për ekonomitë e zhytura në krizë të thellë. Edhe pse deklaron se ekonomia shqiptare ka shënuar rritje me 3.2 për qind më 2016-ën, Banka vëren se standardi i jetesës për shumicën e qytetarëve, që mbahen me të ardhurat nga puna është përkeqësuar. “Pagat nominale vazhduan rënien, e cila ka filluar që në fund të vitit 2013, por  ky trend duhet të lehtësohet në vitin 2017 nga përfundimi i ngrirjes së rrogave në sektorin publik”, thuhet në raport. Rënia e pagave nominale nënkupton se punëtorët në Shqipëri po përballen me një krizë të paprecedentë të ardhurash. Kjo pasi, përveç rënies së rrogave në vlerë nominale, niveli i tyre i mirëqenies është përkeqësuar edhe nga rritja e çmimeve. Rënia e pagave në vlerë për katër vite me radhë është një dukuri e paprecedentë as për vendet në krizë të thellë financiare, si Greqia apo Portugalia.

Qeveria ngriu pagat

Qeveria shqiptare prej tre vitesh ka vendosur ngrirjen e pagave në sektorin publik, edhe pse çmimet kanë vazhduar të rriten. Që nga viti 2013 kur erdhi në pushtet qeveria e majtë, pjesa dërrmuese e buxhetorëve nuk ka përfituar asnjë rritje të pagës në vlerë. Por për shkak se çmimet kanë vazhduar të rriten, ngrirja e pagave në vlerë nominale ka çuar në rënien reale të tyre.  Në periudhën 2004-2009 Shqipëria ka qenë vendi i dytë me rritjen më të lartë të pagave në rajon. Sipas Bankës Botërore, paga reale gjatë kësaj periudhe është rritur me gati 10 për qind në vit duke çuar në një përmirësim të fortë në standardin e jetesës së punonjësve. Por veçanërisht pas vitit 2012, kjo tendencë u përmbys dhe pagat filluan të uleshin me ritme të shpejta. Në tre vitet e fundit pagat reale për pjesën dërrmuese të punonjësve në sektorin shtetëror kanë rënë me mbi 8 për qind, nga rritja e çmimeve, ndërsa në sektorin privat rënia e rrogave ka qenë edhe më e thellë.

Shifrat e varfërisë

45.5% e shqiptarëve jetojnë në kushtet e varfërisë. Sipas statistikave më të fundit të Bankës Botërore, për vitin 2016, ende afërsisht gjysma e shqiptarëve jetonin me më pak se pesë dollarë amerikanë në ditë. Ndonëse ngelet ende mjaft e lartë, shkalla e varfërisë ka shfaqur një tendencë të lehtë rënëse gjatë viteve të fundit. Sipas Bankës Botërore, shkalla e varfërisë ka zbritur me 1.7 pikë përqindje në tre vjet, nga niveli prej 47.2% ku qëndronte në vitin 2013. Në vitet e fundit, përmirësimi i rritjes ekonomike dhe i treguesve të punësimit duket se ka dhënë disa efekte të vogla në uljen e shkallës së varfërisë. Burimi i të dhënave dhe mënyra e matjes nga Banka Botërore nuk është e qartë, po të kemi parasysh se anketa e fundit zyrtare nga INSTAT për matjen e standardit të jetesës në Shqipëri është bërë në vitin 2012. Megjithatë, edhe përtej këtyre shifrave, mjafton vetëm të llogarisim rreth 607 mijë pensionistë dhe 82 mijë familje që jetojnë me ndihmë ekonomike në vlerë të papërfillshme për të kuptuar se përmasat e varfërisë janë ende tejet të mëdha. Të ardhurat e këtyre shtresave janë të gjitha poshtë minimumit jetik, që, sipas një studimi të porositur vitin e kaluar nga Avokati i Popullit, llogaritet në 16 mijë lekë në muaj.

FMN: Shqipëria një nga tre vendet e vetme në Europë ku janë ulur rrogat

Gjendja ekonomike e familjeve shqiptare të varura nga puna është përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme vitet e fundit. Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se Shqipëria është një nga tre vendet e vetme në Europë, ku pagat reale kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme gjatë tre viteve të fundit. Në raportin e fundit monitorues mbi ekonominë shqiptare, FMN deklaron se gjatë periudhës 2013-2015 rrogat reale në Shqipëri u ulën me 1.7 për qind, duke lënë më pak lekë në xhepat e qytetarëve. Paga reale shpreh fuqinë e vërtetë blerëse, duke u zhveshur nga inflacioni. Sipas FMN, kjo e bën Shqipërinë një nga tre vendet e vetme të Europës, ku të ardhurat nga puna kanë shënuar rënie. Dy vendet e tjera janë Serbia dhe Mali i Zi, ku rrogat reale gjatë viteve 2013-2015 kanë rënë respektivisht me 2 për qind dhe 0.3 për qind. Në të gjitha vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore pagat gjatë tre viteve të fundit janë rritur nga 3 për qind në Slloveni deri në 20 për qind në Bullgari. Rënia e rrogave në Shqipëri është udhëhequr nga qeveria, e cila i ngriu pagat për punonjësit e administratës për tre vjet me radhë, ndërkohë që çmimet kanë vazhduar të rriten, duke gërryer fuqinë blerëse të qytetarëve. Por kjo politikë e qeverisë duket se është ndjekur edhe nga sektori privat, i cili i ka mbajtur të pandryshuara rrogat për punonjësit ose madje i ka ulur ato. Sipas Bankës Botërore të ardhurat nga puna përbëjnë burimin kryesore të të ardhurave për familjet shqiptare. Ulja e rrogave do të thotë se niveli i mirëqenies për pjesën më të madhe të familjeve është përkeqësuar.

Borxhi i jashtëm rritje me 228 milionë euro, 77% e ka qeveria

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Borxhi  i Jashtëm Bruto (ku përfshihet borxhi publik dhe ai privat) u shtua gjatë vitit të kaluar me 3 për qind ose 228 milionë euro. Banka e Shqipërisë raportoi se, në fund të muajit dhjetor të vitit 2016 Borxhi i Jashtëm Bruto (BJB) i Shqipërisë shënoi rreth 7,862 milionë euro. Gjatë tremujorit të katërt të vitit stoku i BJB u rrit me rreth 7 milionë euro, ndërsa zgjerimi vjetor shënon 228 milionë euro. Në rreth 77% të vëllimit, BJB është në trajtën e borxhit afatgjatë, kryesisht në formën e huave të zotëruara nga qeveria e përgjithshme. Borxhi afatshkurtër zotërohet kryesisht nga bankat. Sektori i qeverisë së përgjithshme zotëron pjesën kryesore të BJB, me rreth 43% të vlerës. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis bankave (17%), sektorëve të tjerë (16%), autoritetit monetar (1%) dhe hua midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt (22%). Sektori i qeverisë së përgjithshme mban peshën kryesore në stokun e BJB-së. Në harkun kohor të një viti, borxhi i jashtëm i këtij sektori është zgjeruar me 4% dhe në fund të muajit dhjetor 2016 shënon 3,401 milionë euro. Borxhi i qeverisë së përgjithshme përbëhet nga huatë afatgjata, obligacionet dhe dëftesat. Teprica e huave afatgjata u rrit me rreth 170 milionë euro, ndërsa ajo e obligacioneve është ulur me 30 milionë euro – si pasojë e blerjes së obligacionit të emetuar nga sektorë rezidentë. Huatë e qeverisë së përgjithshme përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ‘90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve. Në fund të periudhës, huatë e riskeduluara përfaqësonin 1% të stokut të huave afatgjata të këtij sektori. Stoku i borxhit të autoritetit monetar ose Bankës së Shqipërisë ra përgjatë vitit me rreth 17%, në reflektim të shlyerjeve të huave të garantuara nga qeveria dhe në fund të muajit dhjetor 2016 shënon 63 milionë euro. Në masën më të madhe ky borxh përbëhet nga alokimet e SDR-së (93%), ndërsa huatë afatgjata të akorduara nga FMN-ja zënë rreth 7%. Në fund të periudhës, stoku i borxhit të jashtëm bruto të sistemit bankar shënon rreth 1,350 milionë euro, në zgjerim me 69 milionë euro referuar fundvitit 2015. Përbërësit kryesorë të borxhit të bankave mbeten “monedhat dhe depozitat” në maturitet afatshkurtër dhe “huatë”, respektivisht në rreth 86% dhe 13% të totalit të borxhit të bankave. Stoku i borxhit të sektorëve të tjerë shënoi 1,281 milionë euro, në rritje gjatë vitit me 5 milionë euro. Borxhi i jashtëm në formën e huave midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt “investime direkte–huave ndërkompani” arriti nivelin prej 1,767 milionë euro, duke u zgjeruar në harkun kohor të një viti me 26 milionë euro. Nga pikëpamja e instrumenteve financiarë, akumulimi i stokut të borxhit të jashtëm vijon të mbetet i përqendruar në formën e “investimeve të tjera” (me 70% të stokut të borxhit), kryesisht “hua”. Në harkun kohor të një viti, stoku i borxhit në formën e “huasë” u zgjerua me 154 milionë euro dhe në fund të muajit dhjetor 2016 shënon 3,957 milionë euro. Në të njëjtën kohë, borxhi në formën e “monedhave dhe depozitave” dhe ai në formën e kredive tregtare u rritën respektivisht me 106 dhe 12 milionë euro, ndërsa detyrime të tjera të borxhit të jashtëm ranë me 54 milionë euro. Në fund të dhjetorit 2016, borxhi afatgjatë i Shqipërisë arriti në 6,077 milionë euro dhe përfaqëson 77% të totalit të borxhit. Në harkun kohor të një viti, borxhi afatgjatë u zgjerua me 87 milionë euro. Rreth 56% e stokut të borxhit afatgjatë zotërohet nga sektori i qeverisë së përgjithshme, i ndjekur nga investime direkte–hua ndër kompani (rreth 26%) dhe sektorë të tjerë (rreth 15%). Në fund të periudhës, borxhi afatshkurtër shënoi rreth 1,785 milionë euro. Në harkun kohor të një viti, borxhi afatshkurtër u zgjerua me 141 milionë euro. Sektori i qeverisë së përgjithshme dhe ai i autoritetit monetar zotërojnë vetëm borxh afatgjatë. Struktura e BJB sipas monedhave në dhjetor 2016 monedha evropiane (EUR) është monedha kryesore në emërimin e detyrimeve të Shqipërisë ndaj botës, me rreth 66% të totalit në fund të periudhës. Vlera e përgjithshme e tërheqjeve ose fluksi i borxhit të ri gjatë tremujorit të katërt të vitit 2016 për të gjithë ekonominë ishte 85.2 milionë euro. Tërheqjet e borxhit të ri gjatë këtij tremujori për të dy sektorët, publik e privat, shënuan përkatësisht vlerat 47.3 dhe 37.9 milionë euro. Rreth 52% e vlerës së borxhit të tërhequr gjatë periudhës i përket qeverisë së përgjithshme, ndërkohë sektorët e tjerë kanë marrë rreth 27% të borxhit të periudhës. Shërbimi i borxhit (pagesat e principalit dhe të interesit) për të gjithë sektorët e ekonomisë, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2016, shënoi vlerën 121.8 milionë euro. Nga këto, rreth 56 milionë euro u paguan nga qeveria e përgjithshme, 54 milionë euro nga sektorët e tjerë, 11 milionë euro nga sistemi bankar dhe 0.2 milionë euro nga autoriteti monetar. Nga vlera gjithsej e shërbimit të borxhit gjatë periudhës rreth 89% ka shkuar për shlyerje të kryegjësë (principalit) dhe rreth 11% ka shkuar për shlyerjen e interesave. Sektorët e tjerë mbajnë peshën kryesore në shlyerjet e principalit për tremujorin e katërt të vitit 2016, me rreth 52 milionë euro ose 49% të vlerës së përgjithshme të principalit, ndërsa qeveria e përgjithshme mban peshën kryesore në shlyerjen e pagesave të interesit, me rreth 12 milionë euro ose 84% të vlerës së përgjithshme të interesave të paguara nga ekonomia.

Është aq krizë sa po falimenton edhe “gabi”

Nga rezultatet e sondazhit të revistës “Monitor”, edhe dyqanet që tregtonin veshje dhe këpucë të përdorura janë prekur nga kriza. Kolë Ndou, i cili tregtonte veshje të përdorura në Kamëz, tha se ky biznes nuk e leverdiste më, tani ai është i papunë. Kërkesë për pezullim aktiviteti ka bërë edhe Rexhep Hakaj, Shpëtim Ismaili, Arnold Zalli dhe Rikejda Mema, të cilët dhanë si motiv të mbylljes së aktivitetit, rënien e punës. Të njëjtin lloj aktiviteti, të tregtimit të veshjeve dhe këpucëve të përdorura ushtronin dhe Krenar Fejzaj, Sofia Neço dhe Nure Likaj. Sipas zonjës Neço, edhe në këtë fushë tregtimi, kohët e fundit është shtuar shumë konkurrenca.
Sokol Xhelili, i cili tregtonte rroba të përdorura që nga 2013-a, tha se çmimi i shumicës për rrobat e përdorura është rritur. Për një kilogram rroba të përdorura, zoti Xhelili tha se çmimi varionte nga 1,000 deri në 2,000 lekë. “Nuk po na dilte asnjë rrogë”, tha ai.
Të njëjtën arsye dhanë për “Monitor” edhe Pranvera Avdillari me Alime Hoxhën, të cilat e kishin hapur aktivitetin në të njëjtin vit me zotin Xhelili. Duket sikur shqiptarët kanë maninë për të kopjuar bizneset e njëri-tjetrit. Në fakt, duket se konkurrenca është rritur shumë në këtë sektor dhe të gjithë po tentojnë të kapin konsumatorët që duan të shpenzojnë më pak. Nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme së Doganave, importi i mallrave “të dorës së dytë” është rritur vitet e fundit. Të dhënat e INSTAT e konfirmojnë këtë tendencë. Importet e veshjeve të përdorura kanë shënuar rritje të ndjeshme dhe të pandalshme gjatë katër viteve të fundit. Për 5-mujorin 2016 ato arritën në 1 miliard lekë (rreth 8 milionë euro), me një rritje prej 17% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një tjetër biznes që po shënon rritje është edhe ai i këpucëve dhe sidomos atleteve të përdorura, për të cilat gjithsesi nuk ka të dhëna për importet nga INSTAT, por është e dukshme që numri i tyre, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera, sa vjen e shtohet. Shumë dyqane po ndryshojnë destinacion, duke u kthyer në tregtues të mallrave të përdorur.
Biznesi i mallrave të përdorura (kryesisht veshje, këpucë, çanta) u zhvillua menjëherë pas viteve ’90 kur vërshuan ndihmat dhe që mori emrin popullor “gabi”. Më pas, ritmi ra, teksa të ardhurat e konsumatorëve u rritën dhe preferencat u zhvendosën drejt veshjeve të reja. Por vitet e fundit, tregtia e veshjeve dhe këpucëve të përdorura është “sofistikuar”, duke u zhvendosur nga rruga e fushat në dyqane të mirëfillta (që paguajnë taksa) dhe duke u bërë një prej bizneseve që po përfiton nga kriza.
Të dhënat afatgjata të INSTAT tregojnë se rritja e ndjeshme ka filluar në vitin 2013, pikërisht kur kriza e pas 2009-s filloi të jepte efektet në konsum. Në vit importohen rreth 13 milionë kilogramë veshje të përdorura, me një vlerë importi prej rreth 18 milionë eurosh më 2015-n, sipas INSTAT.

Formalizimi i bizneseve mbetet në tentativë

Leonard Laçi, për më shumë se 10 vite, ofronte shërbime funerale në qytetin e Pukës. Një vit më parë, në kuadër të nismës për formalizimin, regjistroi biznesin në QKR. I pyetur nga “Monitor” për shkaqet e mbylljes, ai deklaroi se pati rënie të aktivitetit. Falimentimi i këtij biznesi 10-vjeçar tregon se bizneset në Shqipëri janë aq të varfra, sa nuk mund të mbyllin as detyrimet. Tahir Vata, shofer nga qyteti i Kukësit, u detyrua të merrte licencë për shkak të porositësit të tij, Nika-Bl, për të kryer transportin e hekur-nikelit. Në historikun e biznesit të tij tregohet se është pezulluar dhe aktivizuar disa herë aktiviteti i tij, për të cilin ai tha se e bënte për të mos paguar sigurimet kur ishte pa punë. Fatmir Bastari vendosi që aktivitetin e këmbimit valutor, të cilin e kishte ushtruar prej vitesh në të zezë, ta formalizonte duke hapur një pikë këmbimi monedhash. Biznesi i tij mundi të mbijetonte vetëm për katër muaj. Fatmirit nuk i buzëqeshi fati, ai liston si arsye shumë faktorë, nga taksat deri në keqmenaxhim. Edhe Flori Trashi nga Durrësi, prej 5 vitesh operonte në grumbullimin e skrapit dhe tregtimin e tij. E formalizoi biznesin më 2015-n. Më pas e mbylli pasi nuk mund të mbyllte dot detyrimet. Tani është i papunë. Avni Tobli, kontabilist, ka kaluar në zyrën e tij rreth 550 biznese në pesë vitet e fundit, nga të cilat gati gjysma janë mbyllur. Zoti Tobli tha se 10% e bizneseve falimentojnë në mënyrë sistematike. Shpeshherë, shkak është menaxhimi i dobët, mungesa e inovacionit dhe konkurrenca e ashpër. Ndërsa, 40% të subjekteve për shkak të krizës. Pjesa tjetër, 50%, nuk kanë qenë ndonjëherë biznese të mirëfillta dhe janë pjesë e grupit të reformës për formalizim, të cilët regjistruan bizneset e tyre dhe duke mos ia dalë me pagesat e detyrimeve, sot po mbyllen.

Bar-kafetë, biznesi klishe i shqiptarëve

Nga 300 bizneset shqiptare të anketuara, 62 prej tyre ishin bar-kafe, afërsisht 41%. Bizneset e reja përballen gjithmonë me riskun e falimentimit, të paktën në 5 vitet e para të krijimit të tyre. Pavarësisht dëshirës për të krijuar një biznes të qëndrueshëm, ekziston një risk sistematik (i vazhdueshëm) që çon bizneset në falimentim. Jo të gjithë ata që krijojnë një biznes, kanë aftësitë e duhura menaxheriale për ta drejtuar atë. Një pjesë e të anketuarve shpreheshin se nuk iu eci dhe se nuk e patën menduar mirë. Disa zgjodhën zonën e gabuar, kurse të tjerë llojin e aktivitetit. Konkurrenca e fortë kërkon jo vetëm një menaxhim të mirë, por edhe të sjellësh diçka të re, gjë që e cila sot mungon në Shqipëri. Odise Tito nga qyteti i Durrësit, i cili kishte një bar-kafe dhe e ka mbyllur para pak kohësh, tha se “me një xhiro prej 10 mijë lekësh në ditë nuk mund të paguaja as dritat, jo më të mbyllja detyrimet e tjera”. Françesko Laskaj nga Puka, aktualisht i papunë, ka bërë kërkesë për të pezulluar bar-kafenë, të cilën e kishte në janar të vitit të kaluar. Për “Monitor”, ai tha se po kërkon të hapë sërish të njëjtin lloj aktiviteti. Gentjan Çela nga Tirana, sipërmarrës i një biznesi të vogël, ka çregjistruar biznesin e tij të bar-kafesë. Tani ai e nxjerr jetesën me anë të pikës së lotos. I pyetur nga “Monitor” për arsyet se pse vendosi të pushonte aktivitetin, ai tha se bari nuk nxirrte as shpenzimet e veta, ndërsa pika e lotos është më ndryshe. Megjithëse fitimet nga pika e lotos nuk ishin të larta, ai tha se të paktën po i siguronte jetesën.
Edhe Verije Rakipllari e mbylli bar-kafenë “Wall Street”, që pavarësisht emrit, thotë se nuk i eci. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, numri i bar-kafeve në Shqipëri në fund të vitit 2015 ishte 13,612. Me një popullsi prej 2.88 milionë banorësh, Shqipëria ka 473 bar-kafe për 100 mijë banorë. Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, shteti i vetëm në botë që na e kalon është Spanja, i cili renditet si vendi me numrin më të lartë të bar-kafeve në botë, në raport me popullsinë. Në Spanjë ka 270 mijë bar-kafe për 46 milionë banorë apo 587 bar-kafe për 100 mijë banorë, shumë më i lartë se vendet e tjera, që në pjesën më të madhe kanë më pak se 200 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas statistikave globale. Spanjës i afrohet vetëm Shqipëria, me 473 bar-kafe dhe Qipro. Kjo e fundit dikur mbante rekord, por për shkak të krizës së viteve të fundit, shumë bare janë mbyllur. Në Qipro, numri i bar-kafeve ka rënë vitet e fundit nga 7,500 në pak mbi 5,600, sipas një raporti për mikpritjen në Europë nga HOTREC. Me një popullsi prej 1.19 milionë banorësh, Qipro ka 470 bare për 100 mijë banorë, një shifër e përafërt me Shqipërinë. Ndërsa në Spanjë dhe Qipro ka një nivel shumë të lartë turizmi, të shtrirë gjatë gjithë vitit, që janë ndër konsumatorët kryesorë të bareve, në Shqipëri, në pjesën dërrmuese, klientët janë vendas. Të hapje një bar-kafe, edhe poshtë pallatit, ka qenë forma më e thjeshtë që shumë shqiptarë menduan të bënin para apo thjesht edhe të mbijetonin. Ndonëse shumë falimentojnë, edhe më shumë hapen të reja. Sipas INSTAT, më 2015-n, numri i bar-kafeve u rrit me 31%, nga rreth 10.4 mijë në 13.6 mijë, pra shtesa neto ishte rreth 3200 bar-kafe të reja (në këtë shifër ka dhe lokale të vogla që mund të jenë formalizuar, pas aksionit të tatimeve në tremujorin e fundit 2015). Po, sipas INSTAT, numri i restoranteve në fund të 2015-s ishte 4,061 edhe ai i rritur me 22%. Teksa në vend kishte gjithsej 104 mijë biznese në fund të 2015-s, në mënyrë unike rreth 18% e totalit të bizneseve në Shqipëri janë bar-kafe dhe restorante.

Më mirë me pagë, se me biznes

Tingëllon si paradoks, por ja që shqiptarët janë të mendimit se është më mirë që të jesh i punësuar se të kesh biznesin tënd privat. Ardit Nexhipi tha se e mbylli aktivitetin e tij, pasi kishte gjetur një punë më të mirë, me një pagë më të kënaqshme se fitimet që nxirrte nga biznesi i tij. Edhe Ilir Zoto, me aktivitet bar-kafe në kryeqytet, dha të njëjtën arsye për pezullimin e aktivitetit të tij.
“Nuk më leverdiste ta mbaja më. Tani punoj diku tjetër ku marr më shumë të ardhura se sa në biznesin që kisha”, tha ai gjatë intervistës. Të njëjtën arsye për mbylljen e aktivitetit dha edhe Ardit Lisi, Demir Kanina, Altin Blushi dhe Alfred Gjipali, të cilët nga sipërmarrës kanë kaluar në rrogëtarë. Dy kategoritë më të goditura nga kriza janë bar-kafe dhe tregtia me pakicë, të cilat përbënin rreth 50% të të gjitha përgjigjeve të sondazhit. Enelida Caka nga Tirana, tha se tregtia ka rënë gjysmë për gjysmë krahasuar disa vite më parë. Këtë ajo e kishte konstatuar gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj, tregti me pakicë. Këtë fakt e pohon dhe zoti Durim Halla, i cili kishte një minimarket në zonën e Yzberishtit. Përpos rënies së fuqisë blerëse, zoti Halla tha se hapja e supermarketeve të mëdha ka nxjerrë jashtë loje të gjithë dyqanet e vogla. “I madhi e ha të voglin”, u shpreh ai.
Zinxhiri i supermarketeve të mëdha kanë “nxjerrë jashtë loje” dyqanet ushqimore të lagjeve. Pjesa më e madhe, duke mos konkurruar dot supermarketet që tregtojnë një gamë të gjerë produktesh, shpesh edhe me çmim më të lirë, për shkak se një pjesë e mirë e tyre janë distributorë të disa prej produkteve kryesore, kanë falimentuar. Me një normë të ulët fitimi, 10% mbi xhiron, dyqanet e gjetën të pamundur të mbijetojnë, duke i shtuar gjithë kësaj situate dhe rënien e fuqisë blerëse, e cila është pranuar nga të gjitha bizneset e kontaktuara nga “Monitor”. Edhe individët që janë marrë me tregtimin e veshjeve deklarojnë se ka një rënie të fuqisë blerëse, si dhe një konkurrencë të shtuar në këtë fushë. Shkëlzen Ivana, me dyqan pranë ambasadës amerikane, tha se përveç rënies së fuqisë blerëse, konkurrenca nga tregtia online ishte shumë e fortë. “Arrita të mbijetoj vetëm një vit, tani jam i papunë – tha zoti Ivana. Falimentimi i biznesit të vogël, së bashku me pasojat ekonomike, ka dhe pasoja sociale, pasi pjesa më e madhe e tyre kanë qenë biznese familjarë. Shumica dërrmuese e të pyeturve thanë se ishin të papunë. Bujar Cani nga Durrësi, kryefamiljar, pas falimentimit të biznesit të tij, tha se nuk ka gjetur më punë.

Marrë me shkurtime nga “Monitor”

Rama po përpëlitet, dialog me modalitete për qeverinë teknike

– Unë kam qenë në çadrën tuaj dhe ishte detyrimi juaj të vinit në studio. Këto janë vendimtare edhe për ju edhe për forcat e tjera politike. Rama ka deklaruar sot që ju po i shmangeni ftesës së tij. Duket se ka përpjekje për një takim pavarësisht se Rama ka thënë se është i pafuqishëm sepse jeni ju që po i shmangeni takimit. Kam dy ditë që pres vendin dhe orën. Nuk ka as vend, as orë, thotë Kryeministri.
Kjo është një deklaratë e pasaktë dhe e gënjeshtërt, sepse ne kemi ftuar shumë palë politike të mbajnë përgjegjësi për këtë moment krize që po kalon vendi. Kemi qenë të hapur që dialogun ta zhvillojmë jo sot, por çdo ditë në këto 48 ditë proteste që nga dita e parë, që nga 18 shkurti e deri më sot. Dialog nuk do të thotë të bëjmë monologje secili për hesap të vet, siç ndodhi më 6 qershor gjatë Reformës në Drejtësi. Ne shkuam të përgatitur me terma juridikë dhe politikë dhe si përgjigje mora që zoti Rama kishte ardhur me një fjalim të përgatitur në xhep. Ishte takim i synuar për t’u përdorur politikisht. Me dialogun që kërkojmë, duam të japim zgjidhje. Për këtë arsye, që prej ditës së sotme stafi im ka kontaktuar stafin e Kryeministrit duke treguar gatishmëri për përgatitjen e takimit, i cili të ketë premisa për zgjidhjen e krizës. Jo thjesht të shkojmë aty, secili të thotë ato që ka në mendje dhe pastaj të bëjmë disa fotorafi e disa filmime. Kjo është fasadë. Unë jam shprehur që prej ditës së parë se koha e fasadave i takon republikës së vjetër.

– Ju po thoni që jeni i gatshëm për takim me axhenda të paradiskutuara?
Për një takim të përgatitur sepse kriza është e rëndë dhe kërkon vullnet të vërtetë.

– Zoti Rama thotë se kriza është vetëm në çadrën tuaj…..
Se çfarë thotë ai e kam dëgjuar, por se çfarë thonë shqiptarët duhet ta dëgjojë ai dhe çdokush tjetër që mendon se kjo është diçka e shpikur dhe jo reale.

– Kur është kontaktuar stafi juaj nga stafi i Ramës? Apo i ka kontaktuar stafi juaj?
Kontakti ka qenë që prej mëngjesit të ditës së sotme midis stafit tim dhe stafit të zotit Rama.

– A ka ndërmjetës ndërkombëtar ose shqiptar për takimin?
Nuk ka as ndërmjetës shqiptar, as ndërkombëtar.

– Me cilin nga stafi i Ramës po negocioni?
Stafi im është mandatuar për të përgatitur takimin, ndërkohë që nga stafi i Ramës ende nuk është mandatuar dikush.

– Si e parashikoni ju përgatitjen e takimit?
Në radhë të parë, të siguroj që ky nuk do të jetë takim për të bërë fotografi e për të buzëqeshur para kamerave, por që do të ketë objektiv dialogun politik në funksion të zgjidhjes. Opozita bashkë me qytetarët e kanë parashtruar zgjidhjen. Një qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të fokusohet te zbatimi i plotë i dekriminalizimit, i luftës ndaj drogës dhe përgatitja për zgjedhje të lira.

– Edi Rama ka përjashtuar diskutimin e kushteve për qeveri teknike dhe për shtyrjen e zgjedhjeve, të cilat shkelin Kushtetutën. Në këtë aspekt nuk ka dialog?
Të zgjohemi dhe mos të bëjmë sikur nuk kemi qenë këtu këto 48 ditë. Kjo protestë ka këtë vendim, largimin e këtij kryeministri dhe të kësaj qeverie sepse Shqipëria është e mbushur me drogë dhe institucionet janë të mbushura me kriminelë.

– Po si prisni të vijë në takim kur i vini ultimatum?
Vendimi është i 18 shkurtit. Dua t’i kujtoj qytetarët, para 5 javësh gjatë një takimi me aleatët kanë dalë ftesat për dialog. Sot, në kushtet kur edhe brenda koalicionit qeveritar është shprehur gatishmëria, urgjenca për një dialog politik për t’i dhënë zgjidhje krizës, nuk mund t’i kthehemi prapë çështjes së para 5 javëve.

– Qeveri teknike, asnjë kusht tjetër? Po atëherë pse do të bëhet takimi?
Për të përcaktuar modalitetet sesi do të biem dakord për qeverinë teknike. Ka shqiptar që nuk e di pse qytetarët janë bashkuar në këtë lëvizje?

– Në negociatat politike shkohet për të zgjidhur një ngërç. Nëse ju shkoni me ultimatum, Rama është shprehur prerazi që nuk do të ketë qeveri teknike…
Dy rrugë ka si zgjidhet kjo, njëra është rruga e dialogut politik për qeveri teknike, me anë të së cilës ne do u mundësojmë të gjithë shqiptarëve të votojnë të lirë, të pakërcënuar. Rruga tjetër është rruga e përballjes me qytetarët…
Rruga tjetër nëqoftëse nuk ka dialog politik për këtë, është rruga e përballjes me qytetarë që ka nisur në 18 shkurt dhe nuk do të ndalojë deri sa të realizojmë qëllimin që kemi. Zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm me një qeveri teknike.

– Fakti që po këmbëngulni për një axhendë le të nënkuptohet se nuk doni të bëhet takimi, sepse kjo axhendë është një lloj kushtëzimi?
Absolutisht nuk është kushtëzim, nuk është kushtëzim për dialog për qeveri teknike.
Kushtëzimi qytetar i 18 shkurtit është qeveria teknike dhe duhet të jesh në mars të mos e kuptosh. A ka shqiptar që nuk e di këtë që kemi parashtruar.

-Ka një vendim të qeverisë që nuk e jep qeverinë teknike
…Atëherë ne do të vazhdojmë të përballemi.

–  Atëherë dialogu është i vdekur që në gjenezë
Atëherë ftesa e Ramës gatishmëria e Ramës për dialog është hipokrizi, sepse nuk kemi për çfarë të ulemi përveçse të përcaktojmë modalitetet e qeverisë teknike.

-Atëherë po jua përsëris edhe një herë, e vetmja mënyrë me të cilën uleni është të dialogoni për të përcaktuar modalitetet e qeverisë teknike?
Unë nuk jua përsëris këtë, po pyes për çfarë tjetër mund të uleshim me Ramën?

– Zoti Rama mund tju pyeste, përveç qeverisë teknike dhe shtyrjes së zgjedhjeve a ka çdo mënyrë tjetër që ju mund të bashkëpunoni për të gjetur një zgjidhje kësaj krize?
Përgjigja për këtë është : Po, kishte para një viti. Jo nuk ka më. Është e prerë dhe e shterruar për një vit me radhë, sepse çfarë ka ndodhur. Shqipëria është mbushur me drogë dhe miliardat e drogës po influencojnë tek zgjedhjet siç e pamë në Dibër. Kriminelët janë akoma në detyra shtetërore në kundërshtim dhe me sfidim të ligjit në fuqi të Dekriminalizimit, Kushtetutës që ndryshuam bashkarisht. Spo përmend presionin që i bëhet administratës, policisë, arsimit, shëndetësisë, ushtrisë, gjithë sektorit publik, që  është e përditshme. Por vetëm këto të dyja mjaftojnë në kushtet e shterrimit të Reformës Zgjedhore, sepse në maj të vitit të kaluar ne bëmë propozimin për Reformën Zgjedhore dhe në ato kushte, kur propozuam votimin elektronik, zoti Rama e kishte në dorë t’i hapte dritën jeshile dhe ne nuk do të kishim sot legjitimitetin që kemi për të kërkuar largimin e kësaj qeverie për të mbrojtur zgjedhjet. Por në kushtet kur kemi shterruar çdo mundësi institucionale që unë e kam kërkuar me ngulm. Çdo mundësi për ta zgjedhur këtë, në suazën e institucioneve që kanë rënë të gjitha, meqë ra fjala, i vetmi institucion që qëndron në këmbë është qeveria, sepse i ka rrëzuar të tjerat dhe tani do të rrëzojë zgjedhjet, është një qeveri teknike.

-Ajo që po kuptoj unë është se nëse zoti Rama nuk pranon të flasë për qeverinë teknike, ju nuk shkoni në takim?
Ç’kuptim ka të ftosh palën për dialog që ka 48 ditë që ka parashtruar në kërkesën për qeveri teknike si zgjidhje e vetme për  krizën politike.

-Ndoshta ka një keqkuptim dhe unë po tentoj ta sqaroj?
Jo nuk ka keqkuptim, ka një hile. Hilja është PO jam i hapur të diskutoj për qeverinë teknike. Në këtë moment ftesa është,  urdhëro atëherë, ta përgatisim që të mos dalim atje e të bëjmë shfaqje. Ta përgatisim si e mendon pala juaj krijimin e qeverisë teknike, si e mendon pala jonë dhe si do ta strukturojmë dialogun për të arritur një marrëveshje për këtë çështje. Kjo është mënyra normale, kështu e kupton opozita dhe pjesa tjetër është truku që flasin për dialog po asgjë nuk është…….

-A ju ka thënë Rama stafi i tij që është gati të flasë për qeveri teknike?
Ditën e djeshme që ka qenë kontakti i parë. Po i janë përgjigjur interesit tonë, kur ne kemi parashtruar dy çështje: krijimin e qeverisë teknike dhe mandatin e kësaj qeverie për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme. Kanë thënë dakort. Sot në mëngjes, kur stafi ka kërkuar rakordimit e nivelit të lartë për të rakorduar dialogun për këto çështje, nuk kanë pranuar, refuzon përgatitjen e një takimi që do të trajtojë një çështje kaq komplekse.

-Sot negociatat kanë mbetur në ngërç?
Sot, nuk ka patur takim midis stafeve, të deleguarit tim për të takuar që në mëngjes të deleguarin e palës tjetër në mënyrë që të strukturojnë të përgatisin një takim për çështje kaq sensitive. Pse është e rëndë kjo, sepse, ndërkohë që refuzohet kjo, kemi dy gjëra, kemi Kryeministrin në Parlament që përsëri refuzon qeverinë teknike dhe kemi një shprehje, një zhargon politik që shkon krejtësisht kundër frymës së dialogut dhe kjo na bën ne të besojmë jo vetëm mua se oferta paska qenë falco. Se në fakt edhe pse u tha se, po jemi të gatshëm të diskutojmë këto, nuk janë të gatshëm, t’i diskutojnë.
-Pra ju po prisni tani një përgjigje nga Rama që të përcaktojë një këshilltar, një axhendë. Nëse këshilltari, negociatori i tij përcaktohet dhe axhenda bihet dakort, çfarë parashikohet? Në axhendë do të jenë të gjitha pikat apo thjesht këto dy çështje?
Sigurisht që këto janë dy çështje shumë komplekse. Ne duam të kuptojmë në radhë të parë, që ka vullnet për dialog për këto dy çështje, sepse në momentin që bihet dakort dhe pala tjetër një ditë thotë PO dakort për këto dy çështje dhe të nesërmen del në deklarata për shtyp, në takime me aleatët e vet, në Parlament dhe thotë nuk ka qeveri teknike, atëherë ne kuptojmë se nuk është e sinqertë.

-A do ishit ju të gatshëm të mbylleshit në një zyrë apo në një dhomë tek për tek me Ramën për të zgjidhur këtë çështje?
Unë nuk besoj në fabula të tilla, që zgjidhje të mëdha që kërkojnë racionalitet politik, kërkojnë përgjegjësi të mëdha vijnë thjesht nga takimet tek për tek.

-Keni frikë ta takoni tek për tek?
Sigurisht që nuk kam asnjë frikë dhe nuk kam pse të kem frikë. Por çështja qëndron këtu; që nuk do të projektojmë takime të tilla nga të cilat varen fatet e njerëzve. Nga zgjedhjet e lira varen fatet e njerëzve, varet mirëqenia e tyre, varet nëse do të ketë shanse për më shumë punësim, për më shumë siguri, për më shumë arsim, shëndetësi, etj. Por i them si vullnete personale a thua se ne jemi gjysëm zotër.
Nuk jemi. Ne jemi qytetarë të këtij vendi që kemi marrë përgjegjësi para shqiptarëve dhe këto përgjegjësi duhet t’i kryejmë me seriozitet, duhet t’i kryejmë me përgjegjësinë më të lartë dhe përkushtimin ndaj fateve të shqiptarëve.
Prandaj për çështjen e formatit, unë pres propozimin e palës tjetër dhe sigurisht, unë do të konsultohem me aleatët dhe forumet e mia.

Nuk ka kohë për të bërë zgjedhje me 18 qershor

-Pra mund të shkojmë në zgjedhje edhe në datën 18 qershor?
Jo në gjykimin tim, sigurisht që jo. Për faktin e thjeshtë, sepse ka vetëm pak kohë për të kryer detyrat e veta bazike në veçanti në raport me dekriminalizimin, në raport me një luftë efektive kundër drogës dhe parave të drogës dhe në raport me çështjet esenciale që garantojnë votën e shqiptarëve.

– Nëqoftëse kjo datë është e pamundur kur mendoni se është data më e mirë për zgjedhjet?
Për mua kjo është një çështje standardesh dhe jo kohe. Nëqoftëse standardet plotësohen dhe për këtë duhet një qeveri teknike që të ketë mandatin e plotë për t’i plotësuar këto standarde, atëherë data do të jetë më afër. Sa më shumë zvarritet ky proces aq më shumë largohet dhe data e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

-Sot zoti Berisha ka bërë një deklaratë ku thotë se Rama mund të qëndrojë deri në datën 18 qershor. Ka një kontradiktë mes jush dhe zotit Berisha. Jeni dakort me këtë deklaratë?
Ky është mendimi i zotit Berisha. Qëndrimi zyrtar i Partisë Demokratike është ai që shpreha unë, natyrisht që nëqoftëse Rama qëndron në zyrë deri më 18 qershor zgjedhjet do të shtyhen shumë më shumë, sesa nëqoftëse ai vendos t’i hapë rrugë qeverisë teknike, tani. Pra i vetmi efekt i qëndrimit të tij më gjatë në zyrë, është shtyrja, shtyrja e zgjedhjeve. Unë gjykoj se kjo nuk i shërben as zgjidhjes së krizës, as vendit, as interesave të shqiptarëve. Nuk kam komunikuar me zotin Berisha, por mendoj se është më shumë një shprehje sesa një platformë politike, sepse platforma jonë politike është qeveria teknike një orë e më parë, sepse koha nuk pret.

– Pra, ju është propozuar një tryezë tek për tek ju dhe z.Rama apo të shoqëruar me aleatët?
Nuk kemi arritur në çështjen e formatit. Sepse përmbajtja, thelbi i asaj që do të bëjmë është më e rëndësishme. Ajo që presin shqiptarët është zgjidhja e krizës përmes një marrëveshje politike që do t’i hapë rrugë krijimit të një qeverie teknike për të bërë detyrën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërsa nga ana jonë nuk është këmbëngulur për një format të caktuar. Sigurisht presim propozimet e palës tjetër për formatin që ata dëshirojnë apo kanë në mendje.

Intervistoi: Blendi Fevziu

“The Wall Street Journal”: Dyert e Soros po mbyllen në Europë

E përditshmja “The Wall Street Journal” shkruan në lidhje me atë që e quan “shtrydhjen” e instituteve të ngritura nga miliarderi amerikan George Soros, në ato vende të Europës, ku ka një shtim të retorikës së nacionalizmit. Dru Hinshou e nis artikullin, duke përmendur ligjet e sapomiratuara nga Parlamenti hungarez, të cilët do të shërbejnë si baza për mbylljen nga ana e qeverisë, të një universiteti në Budapest, i cili është themeluar nga Sorosi. Të martën, Parlamenti i Hungarisë votoi që, çdo universitet, i cili vepron vetëm në Hungari, por që është i regjistruar jashtë Bashkimit Europian, duhet të sigurojë një marrëveshje ndërkombëtare mes qeverive të dy vendeve, për të vazhduar funksionimin. Sipas qeverisë, ky ligj do të prekte vetëm një institucion: Universitetin e Europës Qendrore në Budapest, i cili u themelua në vitin 1991 nga miliardezi amerikano-hungarez.
Eshtë lëvizja e radhës kundër George Sorosit, i cili e gjen veten të sulmuar nga një seri qeverish në Europën Lindore dhe Qendrore, të cilat duan që të ndalë financimin e fondacioneve të tij. E para është Hungaria, nga e cila Sorosi u largua në moshën 16 vjeç, pasi i kishte mbijetuar Holokaustit. “Vitin e ardhshëm, Sorosi dhe forcat e tij do të shtrydhen e dalin jashtë”, u betua pak kohë më parë në një fjalim radiofonik, Kryeministri radikal i Hungarisë, Viktor Orban.
Dhe nuk ka ndërmend të ndalet këtu. Javën e ardhshme, Orbani ka ndërmend t’i kërkojë Parlamentit të miratojë ligje, që u kërkojnë agjencive të ndihmës të regjistrohen pranë qeverisë, nëse marrin financime domethënëse nga jashtë. Praktikisht të gjithë agjencitë që do të prekeshin, janë të paktën pjesërisht të financuara nga George Sorosi.
Zëdhënësi i qeverisë hungareze akuzoi miliarderin se ka filluar të futet në gjëra që shkojnë pak më tej se arsimimi, dhe se po ndjek agjendë politike. Ironia qëndron në faktin që vetë zëdhënësi, Zoltan Kovacs është diplomuar në universitetin e Sorosit. “Ai është internacionalist”, tha Kovacs.
Ndërkohë, udhëheqës në Sllovaki, Poloni dhe Maqedoni, kanë propozuar rregulla të ngjashme, që kanë në shënjestër pikërisht Sorosin. Janë të gjitha masa të krahasueshme me ato që janë miratuar në Rusi, ku media shtetërore vazhdimisht fajëson Sorosin për provokim të krizës së imigrantëve në Europë.
Ndërkohë në Hungari, shkruan WSJ, Orbani e ka shndërruar vendin e tij në një shembull udhëheqës të një nacionalizmi të shekullit të ri. Edhe pse, Fondacioni për Shoqërinë e Hapur që financohet nga Sorosi, dikur ka financuar edhe partinë e Orbanit, Fidesz, si dhe i ka dhënë kryeministrit të ardhshëm një bursë gjashtëmujore studimi në Oksford. Pamfletet e tij të hershme politike, Orbani i ka printuar në printerat e dhuruar prej Sorosit.
Ndërkohë, qeveria e Gjermanisë është deklaruar haptaz kundër ligjit për mbylljen e universitetit, ashtu sikurse edhe Departamenti i Shtetit i SHBA. Qeveria hungareze këmbëngul se ka autoritetin për të rregulluar prurjen e parave të huaja, që ndikojnë në opinionin e qytetarëve të saj.

Klani Ndoka, për çdo natë dy skafe me drogë drejt Italisë

Klani Ndoka në Lezhë nis për çdo natë nga dy skafe me drogë nga Rana e Hedhun drejt Italisë. Denoncimi është bërë nga një qytetar nga Lezha, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Qytetari dixhital denoncon: Dy skafe të fuqishme ngarkohen me kanabis në Shëngjin tek Rëra e Hedhun! Skafet i lëviz klani Ndoka, konkretisht Xhevahir Ndoka!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje zoti Sali Berisha. Desha t’iu informoj se 2-3 herë në javë në Shëngjin të Lezhës vijnë 2 skafe me motora shumë të fuqishëm për t’u ngarkuar me hashash te Rana e Hedhun me urdhër të Ndokave, më saktë të Xhevahir Ndokës. Policia e di mirë, por ndan fitimin dhe nis edhe drogën e vet, po mujte publiko po mos më nxjerr. Të përshnes nga zemra”, shkruan qytetari.
Në këtë trafik droge janë të përfshirë edhe drejtuesit e policisë, pasi marrin përqindjen e fitimeve kolosale. Të gjithë në Lezhë e dinë për trafikun e klanit Ndoka, por kanë frikë ta ngrenë zërin. Edhe pse ka patur denoncime në polici, policia nuk ka ndërhyrë në asnjë rast për bllokimin e skafeve me drogë.
Para katër ditësh u bllokuan 2 ton drogë në një tunel ushtrie në Mat, pas hetimeve të Prokurorisë. Kjo sasi droge ishte planifikuar për t’u trafikuar drejt Italisë. Lënda narkotike u gjet e futur në thasë në një tunel të ushtrisë dhe një konteiner në vendin e quajtur “Shullani i Vilës”. Nga kontrolli i ushtruar në tunel u gjetën dhe u sekuestruan 73 thasë, ndërsa në konteiner u gjetën 139 thasë me kanabis të papërpunuar, pas peshimit rezultoi mbi 2 tonë. Gjithashtu po gjatë kontrollit të ushtruar, policia gjeti në brendësi të konteinerit edhe një armë zjarri tip Kallashinkov.
Ndërkohë, tunelet e ushtrisë janë të mbushura me tonelata kanabis. Ish-Kryeministri Berisha deklaroi para pak ditësh se mbi 10 mijë ton kanabis janë depozituar nga policia në tunelet e ushtrisë dhe Rezervat e Shtetit për ta trafikuar jashtë shtetit.

“Hakmarrja për Drejtësi” në trafikun e drogës

Në Vlorë, trafiku i drogës drejt Italisë drejtohet nga vetë krerët e Policisë dhe anëtarët e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”. Qytetarët nga Vlora bëjnë të ditur se, anëtarët e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi” dërgojnë nga 3-4 ngarkesa me drogë për çdo natë në Itali. Qytetarët vlonjatë ngrenë shqetësimin se, janë më shumë se 40 të zhdukur në det për drogën, por policia fsheh rastet e njerëzve të zhdukur në det, ndërsa mbron trafikantët e drogës. Denoncuesit flasin me emra dhe me shifra rreth asaj çfarë ndodh në det me trafikun e drogës drejt Italisë. Në Vlorë, Roland Shyti, nipi i Hajredin Shytit nis të paktën tre-katër gomone në natë drejt brigjeve. Jo vetëm kaq, por ai mbrohet nga policia.
Një oficer policie në Komisariatin e Vlorës denoncoi para pak ditësh se, droga e kapur në Triport-Zvërnec ishte e drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, Jaert Çela. Oficeri i policisë përmendi emra konkretë të zyrtarëve të policisë që organizojnë trafikun e drogës në Jug të vendit drejt Italisë.
Oficeri shkruante se, drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë nuk ka lajmëruar shefin e Komisariatit të Policisë, ndërsa ky i fundit gjatë operacionit ka kapur ngarkesën e drogës si dhe shefin e Krimit të Organizuar në këtë drejtori që bënte organizimin e trafikut, por më pas personat përgjegjës janë lënë të lirë. Oficeri i policisë bëri të ditur se, përplasja mes drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, Jaert Çela dhe shefit të Komisariatit, Behar Caka është shumë e fortë.
Ndërsa një oficer policie në Komisariatin e Vlorës deklaroi para dy ditësh se, skafi me 1 ton kanabis që u gjet pak ditë më parë i braktisur në brigjet e Karaburunit ishte i vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa. Sipas tij, në komisariat po ushtrohet terror që të mos përmendet emri i vëllait të ministrit Xhafa.

Nipi i nënkryetarit të Bashkisë merr peng inxhinierin e pyjeve

Banditët e PS kanë ushtruar dhunë dhe kanë tentuar të rrëmbejnë me makinë inxhinierin e pyjeve në Pukë vetëm pse ai ka denoncuar nipin e nënkryetarit të Bashkisë së Fushë Arrëzit, Ndue Doda për masakrën në pyje. Inxhinieri Pashuk Lulashi i është drejtuar me një mesazh kreut të Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, duke i kërkuar ndihmë, pasi jeta e tij po rrezikohet nga banditët e PS. Ai shkruan se, Mikel Mark Doda, nip i nënkryetarit të Bashkisë së Fushë Arrëzit ka tentuar ta rrëmbejë me forcë në makinën e tij.
“Tentativë rrëmbimi nga nipi i nënkryetarit të Bashkisë së Fushë Arrëzit, Ndue Doda. E kam denoncuar për vjedhje në pyje me vlerë 50 milionë lekë. Ka tentuar të më fusë me forcë në mjetin e tij. Më ka gjuajtur me shkelma. Dua ndihmën tuaj, ing. Pashuk Lulashi”, shkruan inxhinieri i pyjeve të Pukës në mesazhin dërguar kreut të Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi.
Inxhineri i Pyjeve në Pukë, Pashuk Lulashi, denoncoi para pak kohësh masakrën pyjore që po bëhet nga njerëzit në pushtet. Ai deklaroi se kishte gjobitur me nga 50 milionë lekë gjobë vëllezërit e nënkryetarit të Bashkisë Fushë Arrëz. Ai kishte njoftuar zyrtarisht instancat shtetërore për masakrën që po bëjnë në pyje njerëzit me pushtet, por nuk u muar asnjë masë.
Inxhinieri Lulashi i është drejtuar me një mesazh edhe ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ku e informon për dënimet sipas ligjit për personat që kanë kryer masakër në pyjet e Pukës, por për këtë arsye, ai është pushuar nga puna. “Mirmbrëma z.Lefter Koka, ministër Mjedisi. Denoncova, godita krimin në pyjet e Pukës, mora shkarkim. Godita krim të veshur me pushtet, sepse proçedova vëllezërit e zëvendës/bashkiakut Fushë Arrëz 2 herë nga 50 milionë. Sepse krushku i Inspektorit të ISHMP, zoti Pal Vata vjedh pyllin dhe unë Pashuk Lulashi e godita, gjobë 50 milionë. Dëmet janë të bëra në Pukë. Do i referoj sipas fotove që disponoj”, shkruan inxhinieri Lulashi në mesazhin dërguar ministrit Koka. Ai thotë se i ka dërguar ministrit edhe fotot e prerjes së pyjeve nga njerëzit me pushtet.
Pyjet në Pukë po priten në mënyrë masive për biznes nga njerëzit me pushtet. Për çdo natë makina të mbushura me drogë kalojnë nën hundën e policisë, ndërsa askush nuk e ndal këtë masakër. Hapja e zonave për mbjelljen me kanabis është qëllim kryesor i kësaj masakre. Lënda drusore shqiptare përdoret gjithashtu për eksport apo për industrinë përpunuese. Banditët e PS që qëndrojnë pas kësaj masakre kërcënojnë inxhinierin dhe cilindo që guxon që të ngrejë zërin për mbrojtjen e pyjeve.
Në të gjithë vendin, pyjet po masakrohen nën kujdesin e Ramës dhe banditëve të tij në pushtet. Në pyjet e Librazhdit po bëhet një masakër e vërtetë prej kohësh, pasi kontrabandistët janë njerëz të afërt të pushtetarëve dhe të deputetit të PS, Taulant Balla. Policia e Librazhdit as që guxon t’u afrohet kamionëve me lëndë drusore të kontrabandistëve të Ballës. Kontrabandistët u janë vërsulur pyjeve të Qarrishtës, Shebenikut e Stravanit të Librazhdit, me ditë e me natë, pa kursyer asgjë.
Motosharra vazhdon të godasë në çdo kohë në zemër të pyjeve. Nëse do të dalësh pyjeve të Stravanit, Sopotit, rrugës shikon makina që gulçojnë nga ngarkesa e lëndës drusore. Ndërsa, banorët ndjehen të kërcënuar dhe nën një presion të madh. Kjo masakër pyjore sigurisht që nuk është vepër e fshatarëve të varfër të zonës, por e njerëzve që kanë mbështetjen e qeveritarëve. Banorët e zonës, të frikësuar dhe nga presioni, flasin nën zë se në pyjet e Stravanit është një masakër e vërtetë, me largimin e specialistëve të pyjeve është shtuar akoma më shumë shkatërrimi i çdo druri që është në këmbë. Madje, banorët e kësaj zone shprehen se, janë të terrorizuar nga të “fuqishmit” dhe agallarë që nuk mundet të hapësh as gojën, “pasi na bëjnë dhe presione të ndryshme për të mos folur”.

Superoperacion i Antidrogës në Itali, sekuestrohet 1 ton drogë

Policia italiane, Njësia e Antidrogës ka realizuar një superoperacion që ka përfunduar me 267 arrestime dhe më shumë se 1 ton drogë të sekuestruar, shkruajnë mediat italiane. Operacioni i koduar “Pusher2” u krye nga 103 skuadra policie, të koordinuara nga Shërbimi Qendror Operativ i Drejtorisë Qendrore të Antikrimit kundër trafikut të drogës. Nga 267 të arrestuar, 250 janë burra dhe 17 janë gra. 133 janë italianë dhe 134 janë të huaj.
Konkretisht janë konfiskuar: 60 kg kokainë, 4 kg heroinë, 805 kg hashash, 300 kg dhe 50 bimë marijuanë dhe 70 gr drogë sintetike dhe variante të saj. Faza kryesore e operacionit u zhvillua në 29-31 mars. Ndër zbulimet qe një laborator për trajtimin, magazinimin dhe paketimin e drogës, kryesisht marijuanë. Më shumë se 43 kg kokainë u zbuluan në një furgon të vogël dhe në një makinë të vogël që u zbulua nga hetuesit në Romë.
Makinat ishin modifikuar, u ishte ndërtuar një ndarje sekrete prej një shqiptari që u arrestua. Hetuesit romanë zbuluan dhe dy armë të mbajtura paligjshmërisht, një prej tyre madje e vjedhur, 300 fishekë dhe 150 mijë euro në kesh si dhe materiale për paketimin e drogës si dhe 700 kg hashash.

17-vjeçarja gjendet e vdekur në tualetin e shkollës në Fier

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 14:40 në qytetin e Fierit. Një nxënëse u gjet e pajetë në tualetin e një shkolle. 17-vjeçarja nga fshati Sheqishtë ishte nxënëse në degën “Dizajn” në shkollën profesionale italiane “Murialdo” në qytetin e Fierit. Përpara se të shkonte në orën e praktikës, të cilën e zhvillon jashtë shkollës, vajza shkoi më parë në tualet. Atje i kishte rënë të fikët, ndërsa koka i kishte ngecur midis dy kaldajave dhe derës.
Dy vajza të tjera të shkollës kishin vajtur në tualet dhe mbetën të shokuara teksa panë përtokë adoleshenten, e cila ishte nxirë në fytyrë. Ndonëse u përpoqën ta ndihmonin, vajzat nuk po i hiqnin dot kokën nga vendi ku kishte ngecur.
Menjëherë lajmëruan policinë dhe autoambulancën. Teksa po transportohej për në spital, vajza ishte ende në jetë, por nuk mundi më tej t’i mbijetonte goditjeve në trurin e vogël. Raportohet gjithashtu se, adoleshentja kishte edhe thyerje të qafës. Ekspertiza mjeko-ligjore do të zbardhë më shumë rreth shkaqeve të vdekjes.
Ndërkohë, Policia e Fierit ka marrë në pyetje familjarë të 17-vjeçares për të zbuluar nëse vajza ka pasur probleme shëndetësore apo problem të tjera, të cilat mund ta kenë çuar në vetëvrasje. Para 3 ditësh, prindërit e 17-vjeçares e kanë çuar vajzën në spital, pasi ishte ndjerë keq. Mjekët e Spitalit të Fierit i kishin dhënë mjekim për grip.