Kryetari i degës së PD në Lushnjë, Myslim Murrizi ka denoncuar një skandal në bashkinë e këtij qyteti. Murrizi deklaron se kryetarja e Këshillit Bashkiak të Lushnjës edhe pse ka dalë në pension është njëkohësisht edhe pjesë e administratës së kësaj bashkie dhe merr dy rroga. Denoncimi është bërë nga një punonjëse e Bashkisë së Lushnjës, e cila shkruan se, Elida Gjermeni vijon të bëjë të dyja punët, edhe pse ka dalë në pension.
“Pas denoncimit të bërë një vit më parë nga ana ime që zj Elida Gjermeni kishte konflikt interesi, duke qenë kryetare e Këshillit Bashkiak Lushnjë ishte dhe pjesë e administratës së kësaj bashkie së bashku me zj Ana Nako, kryetare e Këshillit Bashkiak Divjakë dhe drejtoreshë gjimnazi në Divjakë. Sot më ka ardhur një letër nga një punonjëse e Bashkisë Lushnjë”, shkruan Murrizi, duke publikuar të plotë denoncimin e punonjëses së Bashkisë Lushnjë.
Zoti Myslim! Jam një punonjëse e Bashkisë Lushnjë. Dua tju vë në dijeni se zj. Elida Gjermeni (Koreshi) pas publikimit që bëtë ju në fb për konflikt interesi, pasi punonte në Qendrën Kulturore të Fëmijëve dhe njëkohësisht Kryetare e Këshillit Bashkiak, mori lejen e dy viteve dhe gjoja u shkëput nga puna.
Mbas dy muaj leje, Kryetari i Bashkisë e mori përsëri në punë me shpresën që u harrua. Sot, ajo vazhdon të paguhet në Qendrën Kulturore të Fëmijëve (hapni borderot e QKF) dhe shkelja është edhe më e rëndë, sepse ajo ka mbushur moshën e pensionit në qershor të 2016.
Mirë që ka konflikt interesi, pasi është Kryetare e Këshillit Bashkiak dhe punon në administratën e Bashkisë, por ajo punon në shkelje të ligjit të sigurimeve shoqërore se ka dalë në pension.
Këta pensionistë punojnë në dy vende kundra ligjit, kurse qindra apo mijëra të rinj rrinë pa punë.
Po ashtu edhe bashkëshorti i saj Vladimir Gjermeni, që ka dalë në pension qysh vjet më datë 1 qershor 2016 vazhdon të jetë drejtor i Shkollës së Mesme Mekanike Lushnjë.
Këta janë të pangopur zoti kryetar dhe vetëm këta duhet të marrin nga 2-3 rroga nga taksat e qytetarëve lushnjarë. Denoncoj këtë rast po munde”, shkruan punonjësja e Bashkisë Lushnjë.
Kushërira e ministres Gjermeni pensioniste paguhet me dy rroga në shtet
Ja si mashtroi Rama për rrogat e arsimtarëve, policëve dhe ushtarakëve
Rritja e rrogave për policinë, ushtrinë dhe arsimin ka qenë një mashtrim nga qeveria e “Rilindjes”. Mjaft punonjës policie, ushtarakë, mësues dhe edukatore i janë drejtuar me mesazhe ish-Kryeministrit Berisha ku e informojnë se rritja e pagës jo vetëm që nuk u rritën ashtu siç deklaroi e Rama dhe Tahiri, por ato pësuan rënie të ndjeshme.
Në një postim në Facebook, Berisha shkruan: Ja se si mashtroi Edvini për rrogat e arsimtarëve, policëve dhe ushatarkëve e punonjësve të tjerë. “Qytetarët dixhital denoncojnë: Mashtrimin e Edvinit dhe ministrave banditë për rritjen e rrogave të: -arsimtarëve, policëve, ushtarakëve. Sipas tyre, rrogat jo vetëm nuk u rritën ashtu siç deklaroi Edvini dhe sejmenët e tij, por ato pësuan rënie të ndjeshme!”, shkruan Berisha, duke publikuar të gjithë mesazhet e qytetarëve.
“Mirëmbrëma Doktor. Para disa kohësh u trumpetua me të madhe rritja e pagave në Policinë e Shtetit deri në 70% të pagës aktuale. Sipas VKM nr.200 datë 15.03.2017 është shtuar vetëm vjetërsia në punë që është 1% për çdo vit pune, por jo më shumë se 25% në total. Kjo pagesë ka qenë e miratuar në ligjin për Policinë e Shtetit, por deri tani nuk është paguar. Me këtë VKM asgjë nuk është ndryshuar tjetër, pasi të gjitha pagesat janë sipas VKM nr.1135 datë 5.8.2008″”, shkruan punonjësi i policisë.
“Doktor përshëndetje. Aktualisht jam mësues në Drejtorinë Arsimore Qarku Tiranë. Doja t’iu bëja me dije në lidheje në ngritjen e pagës për mësuesit. Doktor më shumë se 45% e mësuesve në Shqipëri kanë ulje page nga 70 mijë të vjetra në muaj deri në 100 mijë. Doktor, nëse do ishte mundësia doja një takim me ju tju sqaroja më hollësisht për këtë problem madhor për mësuesit”, shkruan mësuesi nga Tirana.
“I nderuar dr.Berisha. Po përdorim zërin tënd për të shprehur revoltën tonë. Jam edukatore kopshti dhe pas katër vitesh pa asnjë qindarkë rritje të pagës. Nga “qi-viria” e Rilindjes vjen dhe qershia mbi tortë: Dje, kam marrë rrogën, si unë dhe koleget e mia kanë pasur ulje të saj deri në 5000 lekë të reja. Kjo mund të verifikohet lehtësisht, duke kërkuar informacion pranë bashkive përkatëse. Kjo qevri në vend të rrisë rrogat vetëm shet mend, duke i ulur ato dhe duke i shitur për arritje të larta ashtu sikundër tha për 187 mijë vendet e punës që ka hapur këto tre vjet…. Çudi, vetëm ata i shohin!?!”, shkruan edukatorja.
“Përshendetje Zoti Berisha, besoj që e keni dëgjuar me zë dhe figurë zoti Rama dhe Tahiri kur deklaruan që për punonjësit e policisë rritja do të jetë 17%, por jo. Çdo gjë kishte qenë një mashtrim nga këto që dinë të bëjnë më mire, sepse rritja që ata deklaruan ishte 1000 lekë. Publikoje të lutem mashtrimin e radhës. Anonim, të lutem se këto janë dhe hakmarrës”, shkruan punonjësi i policisë.
“Përshëndetje zoti Berisha, unë që po të shkruaj jam qytetari dixhital. Isha në një bankë për të tërhequr rrogën time dhe vura re disa punonjës policie që po qëndronin në radhë dhe që ishin shumë të lumtur për dy arsye, e para se më në fund ju kishte dalë rroga dhe së dyti, sepse ishte rritur me një shumë marramendëse prej 10 mijë lekësh të vjetra nga 100 që ishin premtuar. Më ka ardhur shumë keq për punën dhe sakrificën që bëjnë çdo ditë dhe shpërblehen me këtë pagesë qesharake”, shkruan qytetari.
“Mirmbrëma zoti Sali. Unë që po ju shkruaj jam një qytetare nga Tirana, mora t’iu shkruaj juve personalisht se im shoq punon ushtarak në FA të Ushtrisë te Min. Mimi strpcizës, më fal që e quaj kështu se edhe unë femër jam, por mos të dalë të bëjë propagandë se çfarë bëj për ushtrinë. Është data 4 prill nuk kemi marrë rrogat. Jetoj vetëm me një rrogë 4 vetë në shkollë duhet të shkojnë me çfarë, lekë s’ka, të lutem anonim”, shkruan qytetarja.
Dy të vdekur në aksident në Tepelenë
Dy persona kanë gjetur vdekjen në një aksident rrugor që ka ndodhur në aksin Tepelenë-Levan. Aksidenti tragjik ka ndodhur në vendin e quajtur Mogila, kur një automjet tip “Ford” ka dalë jashtë rruge, duke përfunduar disa metra më tej. Nga aksidenti kanë humbur jetën shtetasit Syrjan Sina dhe Luan Bilbili, ndërsa ka mbetur i plagosur shtetasi Erjon Sinani, jashtë rrezikut për jetën. Paraprakisht dyshohet se një qen i ka prerë rrugën mjetit, duke bërë manovrimi e mjetit drejtuesi ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar disa metra poshtë në kanal.
Hidhet në erë me tritol një lokal në Fushë-Krujë
Një lokal është hedhur në erë gjatë natës në një lokal në Fushë-Krujë. Burimet nga policia bëjnë të ditur se, shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur rreth orës 02:25 në autostradë, në kryqëzimin e Granzës. Sipas burimeve të policisë, është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi lënde plasëse në lokalin e shtetasit M.Ç.
Sipas burimeve, nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale, janë thyer xhamat e dritareve, janë dëmtuar muret si dhe është dëmtuar dera. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor për zbardhjen e ngjarjes. Policia bëri të ditur se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri në orët e vona të ditës së djeshme nuk pati asnjë të ndaluar nga policia. Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit në lokal, ndërsa pronari i lokalit ka bërë të ditur se nuk ka patur konflikte me asnjë njeri.
Maskat grabisin nën kërcënimin e armëve një biznes në Tiranë
Një grabitje ndaj një firme private ka ndodhur ditën e djeshme në Fushë Prezë. Katër persona të armatosur dhe me maska kanë arritur të neutralizojnë rojet dhe të marrin shumën prej 700 mijë lekësh. Pas largimit të tyre, rojet private kanë njoftuar policinë. Bëhet e ditur se, ngjarja ndodhi rreth orës 4 e 20 minuta të mëngjesit të djeshëm. Autorët goditën fizikisht një nga rojet e kompanisë së Sigurisë dhe më pas e izoluan. Më pas, ata hynë në ambientet e administratës ku morën nga kasaforta një shumë prej 70 mijë lekësh të reja.
Sipas dëshmisë së rojeve të sigurisë, dy nga autorët ishin të armatosur, ndërsa dy të tjerët kontrolluan zyrat. Ishin punonjësit e policisë private që lajmëruan sallën operative të policisë për grabitje. Hetuesit sekuestruan pamjet e kamerave të sigurisë së objektit dhe të disa bizneseve të tjera të zonës. Dyshimet e Policisë lidhen me një grup keqbërësish që veprojnë në trekëndëshin Fushë-Krujë-Vorë-Tiranë.
“Më datë 06.04.2017, rreth orës 04:23, ka ardhur një telefonatë tek Nr. 112, nga salla operative e një firme Sh.P.S.F.-je (polici private), se në Fushë Prezë, tek një firmë kanë hyrë 4 persona të armatosur. Menjëherë janë nisur shërbimet e policisë, ku kanë marrë kontakt me rojet e kësaj firme, të cilët kanë deklaruar paraprakisht se: Katër persona, ku dy prej tyre dyshohet të kenë qenë të armatosur kanë hyrë brenda rrethimit, ku personat e armatosur kanë arritur të neutralizojnë rojet, ndërkohë që dy personat e tjerë, kanë kontrolluar zyrat e kësaj firme. Këta shtetas kanë arritur të marrin një shumë monetare prej 70.000 lekësh”, thuhet në njoftimin e policisë. Policia ende nuk ka mundur të zbulojë autorët.
Para tre ditësh u grabit nën kërcënimin e armës një kazino në lagjen nr.2 në Korçë, pranë Kinemasë. Dy persona të armatosur dhe të maskuar janë futur në kazino dhe kanë kërcënuar punonjësit, duke u vendosur armën në kokë. Më pas, ata kanë arritur të marrin një shumë parash dhe janë larguar në drejtim të paditur për policinë.
Prokuroria zbardh vrasjen e shqiptarit në Gjermani
Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me autoritetet gjermane ka arritur të zbardhë vrasjen e ish-policit Kujtim Prenga në 9 janar të këtij viti në qytetin e Viselhovesid. Hetuesit gjermanë kanë arritur të gjejnë në vendin e ngjarjes gjurmë e ADN-je dhe pamjet filmike që zbuluan vrasësit.
Ata kanë qenë tre persona dhe janë shtetas shqiptarë me precedent penale dhe arrestimi i tyre do të kryhet shumë shpejt. Shkak për këtë krim sipas hetuesve shqiptare është e kaluara kriminale e viktimës 46-vjeçar, i cili ka qenë i dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale në vendin tonë.
Ngjarja në bazë të hetimeve ka ndodhur për motive hakmarrjeje. Kujtim Prenga u qëllua me 5 plumba në sy të vajzës së tij në kohën kur do ta merrte nga shkolla. Ai u qëllua nga dy persona, të cilët lëviznin me një motor. Viktima ndodhej në Gjermani prej disa muajsh i strehuar në një kamp azilantësh sëbashku me familjen e tij. Sipas akuzës, dyshohet se Prenga është vrarë për shkak të detyrës si punonjës policie në të kaluarën e tij në Shqipëri. Disa muaj para vrasjes, Prenga ishte strehuar në një kamp emigrantësh në Gjermani, bashkë me familjen.
Mik apo armik, pikëpyetjet e takimit Trump-Xi Jinping
Opinioni pret me interes takimin e nivelit të lartë mes Donald Trump dhe Xi Jinping. Trump gjatë luftës elektorale e sulmoi verbalisht ashpër Kinën. Tani ai duhet të vendosë marrëdhënie pune me të, mendon Miodrag Soriç.
Mik apo armik? Mënyra se si Donald Trump e sheh botën shpesh karakterizohet nga shablloni bardhezi. Kinën deri më tani 70-vjeçari e ka klasifikuar në kampin armiqësor, kryesisht për arsye ekonomike. Kjo për faktin, se prej dekadash Pekini ka të ardhura nga tregtia në shifra miliardëshe. Ishte kjo arsye e mjaftueshme për kandidatin për president Trump që në çdo fjalim elektoral ta sulmonte Kinën: administratat e mëparshme kanë lejuar, që Pekini t’ia hedhë SHBA-së, theksonte ai. Trump u premtoi përkrahësve të tij, që sapo të hyjë në Shtëpinë e Bardhë do ta ndryshojë këtë.
E çfarë veprash do t’i pasojnë këto fjalë? Këtë pyetje i shtron vetes tani jo vetëm presidenti kinez Xi, i cili takohet për herë të parë personalisht me Trumpin. Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje u intereson të gjitha vendeve, që kanë të ardhura të mëdha nga tregtia me SHBA-në – ndër to Gjermania, Kanadaja dhe Meksika.
Frymë pozitive me investime të reja?
Xi, i cili nuk preferon të surprizohet, duhet ta ketë ndjekur me shumë kujdes vizitën e kancelares gjermane në Uashington. Merkel ia doli, që ta zbusë indinjatën e Trumpit për gjoja tregtinë jo korrekte bilatere, duke tërhequr vëmendjen për angazhimin e ekonomisë gjermane në SHBA. Edhe Xi do të ketë me vete në bagazh investimet miliardëshe në ekonominë e SHBA-së. Por a i mjafton kjo Trumpit?
Në samitin amerikano-kinez ka mjaft pikëpyetje: në rastin më të keq një luftë tregtare e kamufluar ose e hapur. Nëse Amerika i rrit barrierat doganore, shpejt ose vonë do të bjerë rritja e ekonomisë botërore – e kjo do të ketë pasoja të rënda për shumë vende. Me secilin president tjetër të tilla frikëra do të ishin minimale, sepse së fundi edhe vetë SHBA-ja ka vuajtur nga një rritje e paktë ekonomike. Por me këtë zotëri të moshuar e impulsiv gjithçka është e mundshme. Interesi i Trumpit – apo aftësia e tij? – një raport ky i ndërlikuar për t’u kuptuar. Durimi i tij për të përballuar situata të vështira politike është i paktë. Mënyra se si ai dështoi me reformimin e “Obamacare”, është vetëm njëri prej shembujve. Pra, është e vështirë të parashikohet suksesi pa i analizuar të gjitha detajet. Presidenti kinez i kushton rëndësi faktit, që atë ta trajtojnë me respekt. Ai është gjithsesi përfaqësuesi i asaj fuqie, që shpejt ose vonë do ta verë në pikëpyetje dominancën e Amerikës në politikën botërore.
Pekini i duhet Uashingtoni si partner
Qysh tani vetëm me ndihmën e Pekinit mund të ushtrohet më shumë presion ndaj Koresë së Veriut ndaj politikës së saj aventureske atomike dhe të raketave bërthamore. Pikërisht në kohën që zhvillohet samiti në Florida Kim Jong Un ka deklaruar një provë të re rakete. Trump do të kërkojë ndihmën e Kinës, distancimin e Pekinit ndaj Penjanit. Por a është ai i gatshëm të bëjë lëshime në konfliktin për ishullin në Detin e Kinës Jugore? Ndërkohë ai flet pak për këtë. Pekini – përkundër vullnetit të fqinjëve të vet – ngre pretendimin ndaj këtij rajoni të rëndësishëm strategjik detar.
Vështirë se mund të priten suksese të vërteta mbi njërën apo tjetrën çështje në këtë samit të parë të dy politikanëve. Tani synohet më shumë që ata të njihen bashkë, të krijojnë besim të ndërsjelltë dhe të zhvillojnë një marrëdhënie funksionuese pune. Shumë tema të rëndësishme do të trajtohen në plan sekondar si: politika për klimën, lufta kundërt terrorit, të drejtat e njeriut apo marrëdhëniet me Tajvanin.
Mik apo armik? Trumpit do t’i duhet të mësojë, që vende të tjera të fuqishme ndonjëherë mund të jenë njëkohësisht edhe miq edhe armiq.
Haradinaj sërish para gjykatës franceze
Gjykata franceze në Colmar pritet të marrë një vendim në lidhje me rastin Ramush Haradinaj.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i partisë politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte.
Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë, pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi. Pas seancave gjyqësore më 9 shkurt dhe 2 mars, dje gjykata shtyu vendimin për Haradinajn për më 27 prill.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Haradinaj nuk shprehet shumë optimist se në seancën e radhës mund të ketë ndonjë vendim pozitiv për të.
“Është seancë ballafaquese. Prokurori do të paraqesë të gjeturat përfundimtare, pse janë përmbushur kriteret për ekstradim në Serbi, ndërsa ne, mbrojtja do të paraqesim argumentet që kjo kërkesë është e pabazuar, e motivuar politikisht, s’ka bazë ligjore dhe duhet të hidhet poshtë”.
“Teorikisht ekziston mundësia e vendimit, por në bazë të praktikës së deritanishme të vonesave, pra, mund të pritet që vendimi të shtyhet edhe për ditë apo javë”, tha Haradinaj.
Ai ka përsëritur se pafajësia e tij është vërtetuar dy herë me proceset gjyqësore ndaj tij të zhvilluara në Tribunalin e Hagës. Haradinaj mendon se ndalesa e tij nuk ka të bëjë me asgjë tjetër, por siç thotë ai, “krejt kjo çështje është politike”.
“Baza e ndalimit tim është krejtësisht politike. Do të thotë aktakuza burimin e ka në vitin 2014, një aktakuzë që është nisur para proceseve gjyqësore që i kam kaluar në Tribunalin e Hagës”.
“Në të vërtetë këto gjëra në Francë ndodhin, procesi është gjyqësor, por baza e këtij procesi është krejtësisht politik”, tha Haradinaj.
Sidoqoftë, ai tha se respekton dhe beson në drejtësinë ndërkombëtare.
“Pra, respektoj ligjin ndërkombëtar, por nuk e njoh juridiksionin e Serbisë mbi mua. Këtë juridiksion të tashëm dhe të atëhershëm. Ne i kemi nda rrugët me të. Shikojeni absurdin, presidenti i qeverisë, i zgjedhuri ishte ministër i qeverisë së Millosheviçit në kohën kur ka ndodhur gjenocidi në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.
Asnjëri nga udhëheqësit e shtetit serb, ka vijuar ai, nuk e ka kaluar ndonjë proces gjyqësor ku do të vërtetohej pastërtia e tyre dhe mospërfshirja në krime.
“Unë kam kaluar dy herë në instancën më të lartë të ligjit ndërkombëtar edhe sot vazhdon keqtrajtimi”, ka thënë ai.
“Kjo bie në konflikt me kërkesën që i është bërë Kosovës për Gjykatën Speciale, për pastrim. Pra, ky nuk qenka pastrim, ligji ndërkombëtar. E vetmja mënyrë për t’u pastruar shqiptarët, sipas kësaj logjike, është të na gjykojë Serbia, Beogradi”, u shpreh Haradinaj.
Prishtina zyrtare, ka theksuar ai, duket të jetë e pafuqishme në rastin e tij.
Sipas Haradinajt, institucionet e Kosovës kanë marrë një pozicion inferior ndaj Beogradit edhe në dialog edhe në pozicione të tjera.
Ndërkaq, ekspertë të çështjeve penale, kanë deklaruar se ka ende gjasa që procesi të zvarritet, për shkak se organet kompetente të drejtësisë në Francë, nisur nga gjykatat, duhet të shqyrtojnë qëndrueshmërinë, vlefshmërinë dhe vërtetësinë e provave që Serbia i ka deponuar për këtë rast.
Kuvendi i Kosovës, javë më parë, miratoi një rezolutë me të cilën kërkoi pezullimin e dialogut me Serbinë, deri në lirimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Vendimi i Kuvendit të Kosovës u përcoll menjëherë me respektim nga qeveria e vendit.
Dështon mbledhja e OKB-së për Sirinë
Pas sulmit të dyshuar me gaz toksik në Siri, SHBA kërcënon me veprim të mëvetësishëm, në rast se Këshilli i Sigurimit nuk bie dakord për një reagim të përbashkët. Mbledhja përkatëse në OKB përfundoi pa rezultat.
“Nëse OKB-ja vazhdon të shkelë detyrimin e saj për veprim kolektiv, atëherë ne do të jemi të detyruar që të ndërmarrim masat tona”, tha në Nju Jork ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley. Bashkë me Francën dhe Britaninë e Madhe, SHBA-ja paraqiti një projektrezolutë, përmes së cilës duhej të dënohej ashpër sulmi. “Edhe sa fëmijë duhet të vdesin më, derisa Rusia të veprojë?”, pyeti Haley në Këshillin e Sigurimit duke treguar fotografi të viktimave të sulmit të dyshuar me gaz toksik. Rusia duhet ta shfrytëzojë influencën e saj ndaj Sirisë në mënyrë që “t’u jepet fund këtyre akteve të tmerrshme”, kërkoi ambasadorja e SHBA-së.
“Diplomatë, që nuk bëjnë asgjë”
Rusia e hodhi poshtë projektrezolutën. Zëvendësambasadori rus në OKB, Vladimir Safronkov e sulmoi direkt homologun e tij britanik, Matthew Rycroft: “A e keni verifikuar atë që keni shkruar? Kjo projektrezolutë është përgatitur me nxitim dhe jo saktë”, akuzoi Safronkov britanikun. Ministria e Jashtme në Moskë ndërkohë paralajmëroi prej akuzave të nxitura për fajin adresuar qeverisë siriane dhe kritikoi projektrezolutën si “antisiriane” dhe “të papranueshme”.
Rycroft u shpreh i zhgënjyer në sfondin e mbledhjes urgjente pa rezultat. “Derisa Rusia të ndryshojë qëndrimin, Këshilli i Sigurimit do të mbetet i bllokuar”, deklaroi ambasadori britanik. “Ky është realiteti i trishtueshëm, ndaj të cilit bota është ambientuar. Ju na shihni ne si një tryezë diplomatësh që nuk bëjnë asgjë, na janë lidhur duart, të detyruar prej ngurtësisë ruse”.
1,7 miliardë euro nga Gjermania
Ndërkaq pjesëmarrësit në Konferencën e Donatorëve për Sirinë në Bruksel miratuan një ndihmë prej gjithsej gjashtë miliardë dollarësh, siç vuri në dukje pas takimit Komisari i BE-së, Christos Stylianides. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel premtoi për Gjermaninë një ndihmë shtesë prej rreth 1,7 miliardë eurosh për viktimat e luftës civile në Siri. Mbeti e paqartë nëse shuma e përgjithshme prej gjashtë miliardë eurosh do të vihet tani e plotë në dispozicion apo nëse kjo rezulton si shumë e përgjithshme duke përfshirë edhe ndihmat e paguara deri tani.
Gjatë sulmit të dyshuar me gaz toksik në qytetin sirian Çan Sheihun në krahinën Idlib të martën (04.04), sipas të dhënave të fundit kanë gjetur vdekjen të paktën 86 vetë dhe mbi 160 të tjerë janë plagosur. OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë) mendon, se gjatë sulmit është përdorur gazi toksik që dëmton sistemin nervor. Rebelët sirianë, Turqia dhe vende të tjera bëjnë përgjegjëse ushtrinë siriane për këtë sulm. Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur, se një avion sirian ka goditur një punishte municionesh të opozitës.
VATRA: Shqipëria e kriminalizuar, droga është kryefjala e ditës
Dalip Greca
Udhëheqja e organizatës VATRA zhvilloi një bisedë të thelluar me këshilltarin e Presidentit Nishani, Klevis Balliu, në të cilën u shpreh shqetësimi për përkeqësimin e krizës politike në Shqipëri.
Të shtunën më 1 prill 2017 në mesditë një përfaqësi e VATRA-s u takua me Klevis Balliun, këshilltar për marrëdhënie ndërkombëtare të Presidentit të Republikës, Shkëlqesisë së Tij z. Bujar Nishani, i cili është duke kryer një vizitë pune në SHBA. Kryetari i VATRA-s, Dr. Gjon Buçaj, duke i uruar mirëseardhjen në VATRA mysafirit, tha se VATRA ndjehet e vlerësuar nga institucioni i Presidencës. Marrëdhëniet e VATRA-s me presidentin Bujar Nishani kanë qenë të ngrohta dhe në mirëkuptim të plotë. Gjatë mandatit të tij, Presidenti Nishani e ka vizituar dy herë selinë e VATRA-s, përveç takimeve të tjera, ndërkohë që ka vlerësuar e dekoruar figurat themeluese të VATRA-s dhe martirët e saj, që lanë Amerikën dhe u kthyen në Shqipëri për ta bërë Shqipërinë demokratike, por u ndëshkuan me plumba, u plasën në burgjet e diktaturës dhe kampet e internimit nga regjimi komunist. VATRA është nderuar nga Presidenti i Republikës me Urdhrin e Flamurit dhe për këtë i është mirënjohës Presidentit. Federata Panshqiptare e Amerikës e ka ndjekur me vëmendje veprimtarinë kombëtare të institucionit të Presidencës dhe e vlerëson gjithpërfshirjen e Presidentit për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë në trojet e tyre etnike dhe në diasporë.
Më pas kryetari i VATRA-s e informoi mysafirin për qëndrimet dhe veprimtaritë e Federatës VATRA, e cila në momentin e tanishëm është në prag të Kuvendit të saj vjetor, që do të zhvillohet më 10 qershor 2017. Në prag të Kuvendit janë duke u zhvilluar takimet e degëve që funksionojnë në shtetet e Amerikës së Veriut dhe në Kanada, të cilat gjatë analizave të punës, bëjnë zgjedhjet e reja të drejtuesve të degëve konform Kushtetutës së VATRA-s dhe zgjedhin delegatët për në Kuvendin e VATRA-s në raportin një delegat për 10 anëtarë. Kryetari i VATRA-s parashtroi qëndrimet e VATRA-s për zhvillimet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës dhe shfaqi shqetësimin për situatën e krijuar në Shqipëri, ku mungon dialogu politik dhe situata mbetet tejet e tensionuar. Për vatranët, ashtu si për shumicën e shqiptarëve të Amerikës, është e papranueshme që për 25 vjet demokraci, kemi një Shqipëri tejet të varfër, qytetarë që e shohin zgjidhjen vetëm duke emigruar, një Shqipëri e kriminalizuar, ku droga është kryefjala e ditës. VATRA ndjehet e shqetësuar për kriminalizimin e pushtetit dhe Parlamentit, për korrupsionin e lartë në të gjithë nivelet e shtetit, për kultivimin masiv dhe trafikimin e drogës, ku raporti i Departamentit të Shtetit e paraqet realisht alarmante situatën, ku është pesëfishuar prodhimi dhe trafikimi i drogës, por nga ana tjetër VATRA mbetet e shqetësuar edhe për bllokimin e Reformës në Drejtësi dhe është kundër bojkotit të jetës parlamentare. VATRA ka besim se faktori ndërkombëtar, veçanërisht SHBA, nuk do të lejojnë që drejtësia të kapet nga ekzekutivi. Qeveria nga ana e saj nuk ka pse sillet me arrogancë ndaj opozitës, por të dialogojë me të për të gjetur zgjidhjen e krizës. Zgjedhjet pa opozitën e kthejnë Shqipërinë në kohën e Ramiz Alisë. Palët duhet të dialogojnë dhe të gjejnë zgjidhje afatgjata për t’i dhënë fund njëherë e mirë shitblerjes së votës, një fenomen karakteristik për Shqipërinë e tranzicionit. Shqipëria duhet t’i shmanget një destabilizimi të mundshëm, që vjen nga tensionimi mes palëve, ndryshe demokracia mbetet në udhëkryq dhe rrezikon jo vetëm Shqipërinë, por të gjithë rajonin. VATRA ka mendimin se Presidenti i Republikës duhet të rrisë rolin mbi palët dhe të bëhet pjesë e zgjidhjes së krizës, duke ofruar bisedimet në tavolinë.
Rreth këtyre problemeve diskutuan edhe zv.kryetarët Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, Dritan Mishto, Marjan Cubi, Zef Balaj, Dalip Greca dhe Lek Përlleshi. Debati për zhvillimet në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, por veçanërisht për krizën politike në shtetin shqiptar, arriti në përfundimin e përbashkët që VATRA, ashtu siç ka vepruar edhe në të shkuarën të mbajë qëndrim jo vetëm me deklaratë publike, por edhe të informojë në linjën e saj Departamentin e Shtetit dhe politikanët amerikanë.
Këshilltari i Presidentit, Klevis Balliu falënderoi për pritjen e organizuar dhe solli përshëndetjet e Presidentit Nishani. Ai informoi për takimet e zhvilluara në Shtetin e Nju Jork-ut me politikanë të niveleve të ndryshme dhe u ndal në takimet e tij në Albany, ku u takua me anëtarë të Senatit dhe Kongresit të Shtetit të Nju Jork-ut. Po ashtu, ai informoi edhe për takimet e planifikuara në Uashington, ku do të takojë kongresmenë e senatorë. Këshilltari i Presidentit informoi mbi situatën aktuale në Shqipëri dhe iu përgjigj pyetjeve.


















