19.5 C
Tirana
E martë, 18 Nëntor, 2025

Trump: “Sulmi në Siri është turp për njerëzimin”

Presidenti Donald Trump tha se sulmi me armë kimike në Siri ishte “një fyerje për njerëzimin”. Ai i bëri komentet ndërsa ulej për bisedime në Shtëpinë e Bardhë me mbretin e Jordanisë Abdullah.
I pyetur nga gazetarët nëse SHBA do të ndërmerrnin veprime, ai tha: “Këtë do ta shihni”, pa dhënë hollësi të tjera.
Një ditë më parë zoti Trump bëri një deklaratë me shkrim ku e denonconte sulmin si “akt i dënueshëm”, që “nuk mund të injorohej nga bota e qytetëruar”.
Në një konferencë të përbashkët shtypi me Mbretin Abdullah, zoti Trump tha se qëndrimi i tij rreth Presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad dhe Sirisë ka “ndryshuar shumë”.
Ai përsëriti akuzat se administrata Obama bëri një “kërcënim bosh” për qeverinë e Asadit, kur tha se përdorimi i armëve kimike do të rezultonte në pasoja.
Presidenti Trump tha se “nuk ishte një nga ditët tona më të mira për ne si vend”, kur administrata e mëparshme dështoi të vepronte.
Ai pohoi se tani “këtë përgjegjësi e kam unë” dhe se “unë do ta kryej atë me krenari”.

Takimi me Mbretin Abdullah në Uashington
Axhenda e takimit në Shtëpinë e Bardhë me Mbretin Abdullah përfshinte, veç sulmit me armë kimike në Siri edhe diskutime për mundësinë e rigjallërimit të bisedimeve izraelito-palestineze të paqes.
Monarku jordanez dhe presidenti i ri amerikan patën një takim të shkurtër gjatë mëngjesit të lutjes në Uashington në muajin shkurt, por bisedimet mes tyre pritet të jenë më thelbësore. Përveç diskutimeve private, dy udhëheqësit do të kenë një konferencë të përbashkët shtypi dhe një drekë pune.
Mbreti i Jordanisë, i cili luan rolin e një emisari të botës arabe, sjell mesazhin e një interesimi të ri për një marrëveshje paqeje me Izraelin, që do të përfshinte njohjen e shtetit hebre nga vendet arabe dhe myslimane, në shkëmbim të krijimit të një shteti të ri palestinez në Bregun Perëndimor, Gazë dhe Jeruzalemin Lindor.
Në një takim të nivelit të lartë javën e kaluar, udhëheqësit arabë ripërtërinë ofertën që i kishin bërë fillimisht Izraelit në vitin 2002, por Izraeli ka refuzuar të tërhiqet nga vendet e pushtuara në Luftën Gjashtëditore të vitit 1967.

Blushi e merr seriozisht rolin e opozitës së emëruar nga Rama

Blushi tha se nuk do të bojkotojë asnjë palë zgjedhje. Edhe nëse mbahen më 18 qershor tha Blushi, LIBRA do të hyjë në zgjedhje. Ai e ka marrë seriozisht rolin e opozitës së emëruar nga Rama dhe shansi i madh i tij është që zgjedhjet të bëhen pa opozitën sepse vetëm në këtë mënyrë fitojnë edhe Rama edhe Blushi. Rama do të jetë kështu me gjasme Kryeministër dhe Blushi me gjasme opozitë.
“Nëse PD nuk hyn në zgjedhje Rama do të përfundojë me të paktën 80 mandate dhe s’ka nevojë për askënd për të qeverisur dhe është totalisht jashtë kontrollit. Nëse LSI nuk hyn në zgjedhje, Rama përfundon me 100 mandate, dhe askush në këtë Republikë s’mund ta kushtëzojë më, madje mund të ndryshojë Kushtetutën e Shqipërisë duke e kthyer në një republikë si ajo e Erdoganit”.

Jo dialogut farsë dhe me fjalime të parapërgatitura

“Nuk duan një dialog ashtu siç e ka përcaktuar populli më 18 shkurt, ashtu siç ushton jehona e 18 shkurtit, ditë për ditë në këtë shesh, por duan një dialog fasadë, një dialog me fjalime të parapërgatitura”, tha Basha. Kryetari i opozitës ka qenë i prerë në qëndrimin e tij refuzues ndaj një dialogu farsë dhe me fjalime të parapërgatitura sikurse ka ndodhur edhe në takimin e fundit mes Bashës dhe Ramës. “Ju e mbani mend se për çfarë e kam fjalën, e kam fjalën për të ashtuquajturin dialog të 6 qershorit të vitit të kalur, ku opozita shqiptare shkoi e gatshme, me vullnet dhe e përgatitur për të dhënë zgjidhjen e saj për një drejtësi të vërtetë e të pakapur, e cila nuk mbronte, por ndëshkonte korrupsionin dhe krimin. Ndërsa, pala qeveritare erdhi me të vetmin synim, të ruante projektin e kontrollit politik mbi drejtësinë dhe po me këtë qëllim erdhi me fjalim të parapërgatitur, pra, qartësisht me objektivin për të refuzuar zgjidhje. Ky nuk është dialog, këto janë monologje, monologje shterpë nga ato që ju keni dëgjuar me shumicë në këto tri vite e gjysmë, në tribunën e Parlamentit, në fshatra dhe qytetet tona, të dielë për të dielë nga Facebook-u. Nëse për çdo monolog, qytetarët shqiptarë do të kishin përfituar një mijë lekë, sot do të ishin milionerë”, tha Basha.
Kryetari i PD u shpreh i hapur vetëm për një dialog të vërtetë me në qëllim të vetëm, daljen nga kriza politike përmes krijimit të qeverisë teknike me një mandat të qartë për luftën ndaj krimit, drogës dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira. Basha i dha përgjigje kështu ftesës jo të sinqertë të Ramës, të cilën e përsëriti edhe në Parlament.
“Monologje shterpë nuk pranoj dhe nuk do të pranoj! Jemi të hapur siç e kemi thënë prej ditës së parë për një dialog të vërtetë politik me dy objektiva: ndërtimin e qeverisë teknike, me mbështetje të gjerë politike me përcaktimin e mandatit të kësaj qeverie për; dekriminalizimin e plotë të institucioneve të shtetit shqiptar, luftën e vërtetë kundër drogës dhe parave të drogës dhe; krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Për dialog në funksion të zgjidhjes që i shërben çdo shqiptari, ftoj dhe mirëpres çdo faktor politik të përgjegjshëm dhe ky është momenti t’i bashkëngjis mirënjohjes sime, që besoj që është edhe çdo qytetari shqiptar, pavarësisht bindjeve politike, për përgjegjshmërinë e treguar nga njëri prej partnerëve të koalicionit para tre ditësh, edhe përfaqësuesit politik të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, për qëndrimin e shfaqur”, tha Basha.
Kryetari i opozitës iu përgjigj ftesës për dialog farsë me përballje qytetare. “E  hapur mbetet ftesa për dialog, për qeverinë teknike dhe mandatin e kësaj qeverie teknike. Por nëse lojërat me cicmicet janë përgjigjia e vetme e republikës së vjetër, dhe atyre që kanë filluar të numërojnë mbrapsht orët e privilegjeve të pushtetit, atëherë nga ky shesh ju themi se përballja do të jetë përgjigja jonë deri në fitore”, tha Basha.

Rama lobing në Uashington me paratë e ARMO-s

Rama po bën gjithçka për të mbajtur në këmbë pushtetin e tij okult dhe në funksion të këtij pushteti ai po hedh miliardat e krimit dhe të korrupsionit. Basha u shpreh se, beteja është me këtë lum parash të pista që kërkojnë të kthejnë në pazar edhe dialogun politik me qëllimin e vetëm të mbajtjes në këmbë të këtij pushteti të republikës së vjetër.
“Lobistët e paguar me paratë e drogës, të narkomafies shqiptare dhe lobisti i paguar në Uashington me paratë që vidhen nga ARMO dhe nga nafta shqiptare, nuk duan tia dinë nëse ju keni bukë për të ngrenë, bukë për të ushqyer fëmijët tuaj, para për t’u blerë atyre këpucë, libra apo lapsa për shkollën. Sepse për ata, Shqipëria nuk është një vend me qytetarë që vuajnë, nuk është një vend me peshën e madhe të padrejtësisë qeveritare, por është një bankë që nxjerr dhe pastron paratë e drogës, paratë e krimit, paratë e vjedhjes së pasurive të shqiptarëve, siç është nafta, siç është ARMO-ja pasuri kombëtare që sot financon lobingje të ndyra në Uashington, kundër lirive dhe të drejtave të shqiptarëve”, u shpreh Basha.
Kryetari i opozitës deklaroi se, megjithëse përpjekjet e parave të pista që po tentohen për të blerë dhe mbajtur në këmbë pushtetin, Uashingtoni është në aleancë me shqiptarët ashtu sikurse ka qëndruar përgjatë gjithë historisë.
“Por Uashingtoni dhe Europa kanë qendruar jo sot, por tash 100 vjet e gjithmonë, jo në krah të hajdutëve, kriminelëve të korruptuar, por, në krah të shqiptarëve, në krah të Shqipërisë, në krah të kombit shqiptar, siç qendrojnë edhe sot në krah të kësaj lëvizje popullore, në krah të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në krah të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë së vërtetë”, tha Basha.
Kryetari i PD ka paralajmëruar se këta përfaqësues të botës së errët të pushtetit të krimit dhe korrupsionit se po vjen dita që do t’i kthjenë të gjitha paratë që u kanë zhvatuar shqiptarëve dhe që po i përdorin për këto lobingje. “Ora po vjen që, do t’i kthejnë paratë e naftës shqiptare, që do të përgjigjen një më një për paratë e narkomafies shqiptare, me të cilat kanë lobuar kundër demokracisë, kundër lirisë së zgjedhjeve, kundër të drejtave themelore të njeriut. Do të kthejnë paratë dhe do të mbajnë përgjegjësi përpara drejtësisë shqiptare, para drejtësisë amerikane dhe para drejtësisë së vendeve të Bashkimit Europian”, tha Basha.
Për Kryetarin e PD beteja do të jetë e vështirë për shkak se pushteti nuk është i gatshëm që të pranojë rrotacionin politik përmes votës së lirë për shkak të miliardave që janë vjedhur dhe projekteve të reja për të zhvatur vendin.
“Ata kanë shumë për të humbur, miliardat e buxhetit të shtetit që kurrë nuk i dhanë për shqiptarët, por i përvetësuan në xhepat e tyre dhe në llogaritë e tyre bankare, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ata kanë shumë për të humbur, miliardat e drogës që i përfitojnë, duke skllavëruar qindra e mijëra fermerë të pashpresë për bukën e tyre të gojës, dhe fëmijët e familjet e tyre.
Miliardat e nxjerra nga droga e narkomafies shqiptare paguajnë sot lobistë të korruptuar europianë dhe amerikanë për të mbajtur në këmbë republikën e vjetër në kurriz të shqiptarëve të ndershëm. Me miliardat dhe milionat e naftës shqiptare paguhen të tjerë lobistë amerikanë dhe ndoshta dhe të tjerë për të mbajtur në këmbë republikën e krimit, republikën e korrupsionit me petrodollarët e korrupsionit, duke shfrytëzuar pasuritë që duhet të shkonin për pensionistët shqiptarë, për ndihmën sociale, për investimet në gjithë pellgun naftëmbajtës dhe anembanë Shqipërisë. Ky është komploti më i madh në histori dhe ky është komploti më i poshtër dhe më tinzar në histori, sepse ka përpara maskën, fasadën e një pseudodemokracie”, tha Basha.

Republika e krimit dhe korrupsionit po shembet

Kryetari i opozitës deklaroi mbrëmë në ditën e 47 të protestës se republika e vjetër e krimit, drogës dhe korrupsionit po shembet nën peshën e zullumeve dhe mëkateve.
“Po shembet, sepse pesha e zullumeve dhe e mëkateve kundrejt shqiptarëve të ndershëm është e madhe, por po shembet, sepse po e shembni ju, qytetarët e lirë, qytetarët dinjitozë të lëvizjes më dinjitoze, europiane, euroatlantike që ka njohur Shqipëria në këto 100 vite. Republika e vjetër, është mbi të gjitha, komploti më i madh kundër shqiptarëve. Është një komplot politik, është një komplot ekonomik, është një komplot kundër lirive dhe të drejtave të çdo shqiptari të ndershëm. Në këtë komplot përfitojnë një grusht njerëzish dhe pushtetarësh, të cilët kanë bërë zap partitë e tyre përmes aleancës me krimin, kanë shndërruar territorin e Shqipërisë tonë të dashur në një hambar droge dhe një infrastrukturë për prodhimin, kultivimin dhe trafikimin e drogës drejt gjithë vendeve europiane”, tha Basha.
Kryetari i PD ka sqaruar skemën e në komploti kundër qytetarëve në të cilin marrin pjesë oligarkë të botës së krimit dhe të korrupsionit. “Në këtë komplot, marrin pjesë një grusht kriminelësh në shërbim të këtij grushti politikanësh të korruptuar dhe një grushti oligarkësh që kanë shtënë në dorë të gjithë paratë e shtetit dhe buxhetit përmes tenderave korruptivë, të gjitha pasuritë e vendit përmes koncesioneve korruptive. Një grusht politikanësh të korruptuar, një grusht kriminelësh që i mbajnë në këmbë, një grusht oligarkësh që vjelin ditë për ditë pasuritë e shqiptarëve, ky është komploti ekonomik kundër çdo shqiptari, kundër mirëqenies së çdo familjeje. Ky komplot po bën gjithçka që ka në dorë për të mbajtur në jetë republikën e vjetër, republikën e vjedhjes, republikën e krimit, republikën e pashpirtësisë, që është e shurdhët ndaj zërit qytetar, e shurdhët ndaj vuajtjeve të shqiptarëve të thjeshtë”, tha Basha.

Shqiptarët jo delet e një komploti politik e ekonomik

Basha refuzoi çdo dialog që imponohet nga një komplot ekonomik dhe politik me paratë e pista të krimit, duke u shprehur se shqiptarët nuk do të pranojnë të trajtohen si dele. “Shqiptarët nuk do të pranojnë më kurrë të jenë delet e një komploti politik dhe ekonomik, drejtuar kundër të drejtave të tyre, kundër ekonomisë së tyre, kundër mirëqenies së tyre, dhe për këtë arsye, jemi sot këtu, sepse në mënyrë që kjo të marrë fund, Shqipëria duhet të ketë jo vetëm këtë herë, por që nga kjo herë, çdo herë, vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ne e dimë se, nëse pranojmë kompromise dhe pazare në kurriz të këtij interesi të madh kombëtar, asgjë nuk do të ndryshojë në këtë vend. Asgjë nuk do të ndryshojë në institucionet e kalbura e të korruptuara të republikës së vjetër. Asgjë nuk do të ndryshojë në mirëqenien e shqiptarëve, në fuqinë e tyre blerëse, në nivelin e rrogave dhe pensioneve, në cilësinë e shëndetësisë dhe arsimit. E njëjta lojë, i njëjti teatër kukullash, e njëjta fasadë do të vazhdojë të shfaqet në sytë e shqiptarëve.
I njëjti monolog do t’u këndohet ditë për ditë e natë për natë. Asgjë nuk do të ndryshojë, po nuk shporrëm një herë e mirë krimin  dhe po nuk i dhamë fund, fund, fund, problemit dhe kërcënimit të jashtëzakonshëm që droga paraqet.
Kërcënim për shëndetin e shqiptarëve, për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për ekonominë tonë dhe për sistemin tonë demokratik. Por, ne jemi këtu jo vetëm, sepse jemi të vendosur që mos ta lëmë më këtë gjendje, jo vetëm, sepse besojmë se asgjë nuk do të ndryshojë, nëse kjo betejë nuk fitohet e plotë me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe me qeveri teknike, ne jemi këtu, sepse ne të gjithë besojmë dhe së bashku punojmë, që asgjë të mos jetë më si më parë”, tha Basha.

Turqia konfirmon se Assadi ka përdorur armët kimike

Turqia tha se rezultatet e autopsisë tregojnë se në një sulm në provincën Idlib të Sirisë janë përdorur armët kimike.
Sulmi, që ka ndodhur të hënën në qytetin Khan Sheikhoun, ka lënë dhjetëra njerëz të vrarë dhe qindra të plagosur.
Agjencia turke e lajmeve “Anadolu” citoi ministrin turk të Drejtësisë, Bekir Bozdag, të ketë thënë se rezultatet e autopsisë së tri viktimave “konfirmojnë se presidenti sirian, Bashar al-Assad ka përdorur armë kimike”.
Bozdag tha se ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kanë marrë pjesë në autopsitë e kryera në Turqi.
OBSH nuk ka dalë ende me komente.
Aktivistët sirianë thanë se 86 njerëz janë vrarë në sulmin e 4 prillit.
Tridhjetedy të plagosur janë dërguar për trajtim mjekësor në Turqi dhe tre prej tyre më pas kanë vdekur.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë akuzuar regjimin e Assadit për kryerjen e sulmit.
Siria dhe aleatja e saj, Rusia, kanë fajësuar rebelët.

Berisha-Ramës: Dorëhiqu! Të kanë braktisur të gjithë!

Nga Sheshi i Lirisë, aty ku opozita bashkë me qytetarët vijojnë prej 47 ditë qendresën për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ish-Kryeministri Berisha i bëri thirrje Edi Ramës të dorëhiqet, ndërsa i kujtoi atij se sot Rama ka tejkaluar “vijën e kuqe” dhe është braktisur nga të gjithë. Ndaj dhe për Berishën, kauza e opozitës ka triumfuar në të drejtën e saj. “Edi Rama sot të kanë braktisur të gjithë, sot të kanë braktisur dhe aleatët e tu. Pse? Se u pëlqen opozita? Jo absolutisht, por se kauza e opozitës është një kauzë e drejtë. Sepse, ata e dinë shumë mirë se ti me drogën i bëre gjëmën votës së shqiptarëve, emrit të shqiptarëve, emrit të Shqipërisë. Përsëri le të kthehemi te beteja jonë pse ne kërkojmë qeverinë teknike dhe nuk pranojmë të bëjmë zgjedhje me Edi Ramën. Sepse Edi Rama, si asnjë tjetër në Shqipëri, por dhe si asnjëri tjetër në Europë e mbushi Parlamentin me vrasës, me trafikantë, me pengmarrës, me kriminelë. Po pse ne, ju, shqiptarët në përgjithësi u dashkan të përfaqësohen nga trafikantët, nga vrasësit në Parlamentin e tyre? Këta burra dhe gra që janë këtu vetëm për të shpëtuar ju nga kriminelët, dolën gjashtë muaj nga Parlamenti, bojkotuan Parlamentin, dhe në fund ky çfarë bëri? I nxorri nga dera dhe i futi nga dritarja. Ka nxjerrë aty Denarin për t’u lëshuar çertifikatat kriminelëve më të rrezikshëm. Pra, të dashur qytetarë, ky nuk pranon të shkëputet nga krimi. Nuk mund të pranojmë ne të shkojmë me banda dhe banditë në zgjedhje”, tha Berisha. Ish-kryeministri vlerësoi qendresën dhe sakrificën e çdo qytetari që iu bashkua Sheshit të Lirisë për të mbrojtur si asnjëherë më parë votën e lirë. “Këto 47 ditë e shndërruan këtë çadër në shtatmadhori të lirisë, në shtatmadhorinë e revolucionit, e shndërruan atë ndërtesë (Kryeministrinë) në maskë dhe kashtë. Jo çadra, por Rama ka mbledhur leckat, ka mbledhur zhgarravinat, i gatshëm në çdo moment t’ia mbathë si mbatharak që është. 47 ditë revolucion, revolucioni më paqësor në historinë e Shqipërisë, në historinë e Europës. Këtu në këtë shesh, këtu në këtë çadër me qindra mijëra burra dhe gra kanë sakrifikuar, kanë protestuar, kanë kaluar netë pa gjumë, kanë bërë qindra e qindra kilometra për të ardhur këtu, të ngrënë dhe të pangrënë, në vuajtje, por nuk i kanë lejuar vetes as shprehjen më të vogël të dhunës, të urrejtjes me dhunë, por në mënyrën më fisnike bënë gjithçka për të bindur dhe shqiptarin e fundit se po luftojmë për të, po luftojmë për fëmijët e tij, se nuk po luftojnë për pushtet e priviligje, por po luftojnë për dinjitetin e tyre, për votën e lirë”, tha Berisha. Ish-kryeministri u kërkoi qytetarëve të angazhohen në një dialog për të përhapur mesazhin dhe rëndësinë jetike që ka garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe fakti këtë mund ta garantojë vetëm krijimi i një qeverie teknike. “Unë ftoj qytetarët të angazhohen në një dialog me çdo shqiptar, veçanërisht me ata që mbështesin akoma Edi Ramën. Ata mund t’u thonë ju se pse doni t’i prisni mandatin, ju njerëz të ligjit e të Kushtetutës pse nuk lejoni atë të mbarojë mandatin? Asnjë kundërshtim nuk kemi ne. Nëse është i lidhur aq shumë pas asaj karrigeje le të firmosë e të ikë më datë 18, të krijojmë qeverinë teknike, të bëjmë zgjedhje të lira. A e meriton ai këtë? Kurrën e kurrës nuk e meriton, por ne nuk ngatërrojmë atë me qytetarët shqiptarë. Vetëm u themi atyre, pse ne kërkojmë qeverinë teknike”, u shpreh ish-kryeministri. Ish-Kryeministri Berisha denoncoi sërish dje, skandalin më të fundit të Ramës me Tahirin, atë të vjedhjes së 28 dosjeve kriminale dhe zhdukjes së tyre me qëllim mbrojtjen e bandave dhe krimit të organizuar si dhe lidhjet e tyre me këto banda. “Ti (Rama) flet për policinë. Nuk ka institucion në tokë që kam respektuar më shumë. Por si mund të respektoj unë dhe t’i besoj asaj policie që e veshi vendin me vellon e zezë të drogës. A e kupton t’i që atë polici e ke shkatërruar, e ke asgjësuar nga baza deri në krye të saj. Iku ministri, vodhi hajduti bashkë me Çipën 28 dokumenta kryesore të krimit. Pse shkoi Xhafa, xhelati i diktaturës aty, pikërisht për të fshehur këto. Në këtë mënyrë do ta bësh Shqipërinë? Jo nuk të lëmë ne ta bësh këtë. Boll dhe ik”, u shpreh Berisha.

Pa qeveri teknike asnjë shans për zgjedhje

Në mënyrë kategorike, Berisha hodhi poshtë çdo përpjekje e synim të Ramës për të futur vendin në zgjedhje pa qeveri teknike, e pa pjesëmarrjen e opozitës. Ish-kryeministri i bëri thirrje Ramës, “Të them studio mirë historinë e pushtetit. Çadra sot është pushteti moral shpirtëror i mbarë shqiptarëve. Mos dëgjo ata intrigantë që ke rreth teje, të cilët nuk mendojnë gjë tjetër nga mëngjesi deri në darkë, vetëm sesi të vjedhin më shumë se ti. Kjo është e vërteta. Ik, largohu, hapi rrugën zgjidhjes. Ata që vinë tek ti dhe të thonë të qëndrojmë vetëm, ata kanë hall vetëm të vjedhin. Ta dish mirë, Shqipërinë vetëm në zgjedhje nuk e çon dot. Mund ta çosh veten ti në çdo drejtim tjetër, por jo Shqipërinë vetëm në zgjedhje. Paqja është forcë e të gjitha forcave, ndaj dhe mos e merr shpirtin paqësor të kësaj çadre si dobësi, sepse do të shohësh një mjerim që as në ëndrra nuk e ke parë kurrë nëse nxehet revolucioni. Revolucionin mos e nxeh. Ky është sugjerimi. Shko tani, jep dorëheqjen dhe të bëjmë zgjidhjen e qytetëruar siç u ka hije shqiptarëve. Ke tejkaluar çdo normë, çdo standard, çdo vijë të kuqe, çdo moral, ik shporru, largohu!”

Sot socialistët janë të mashtruar e të zhgënjyer nga Rama

Ashtu si gjithë qytetarët shqiptarë, sot socialistët janë gjithashtu të mashtruar e të zhgënjyer nga Rama dhe qeverisja e tij, i cili gjithë pushtetin e tij e vendosi në shërbim të narkotrafikut dhe krimit të organizuar. Berisha solli në vëmendje faktin se, fuqizimi i narkotrafikut kërcënon seriozisht stabilitetin e vendit dhe mbi të gjitha gjithë shoqërisë. “Mendoni për një moment lumin e drogës, të parave të drogës, të armëve të drogës, të bandave të drogës, që të gjitha të lidhura me partinë e tij dhe me atë vetë direkt. Kurse ne të tjerët, që nuk deshëm drogën dhe që me një fjali të vetme mund t’i jepnim zgjidhje problemit, por atë nuk e bënim kurrë. Sepse ne e dimë që ajo fjali kushtonte qindra e qindra jetë për fëmijët shqiptarë. Nëse do thonim të legalizojmë drogën, dhe të paktën nuk merrnim armiqësinë e drogmenëve, të atyre të mashtruarve të tjerë që e mbjellin dhe e shesin pa e kuptuar se çfarë bëjnë. Por ne nuk e bëjmë kurrë atë, sepse kjo do të thotë t’ua drogosh të ardhmen fëmijëve tanë. Historia ka faktuar se, vendet që kanë mbjellë drogën vetëm janë shkatërruar dhe nuk janë bërë, vetëm janë coptuar. Ndaj ne nuk e themi kurrë. Drogën e udhëhoqi Edi Rama, ndaj të dashur socialistë dhe qytetarë shqiptarë, që ndjeheni të mashtruar qoftë edhe nga droga duhet të kuptoni drejt, se vota me drogën nuk shkojnë, se ne po luftojmë këtu në këtë çadër dhe do luftojmë në mbarë Shqipërinë, sepse nuk mund të pranojmë kurrë t’ia falim votën drogës dhe krimit”, tha Berisha.

A.Shahini

SHBA: Mbështetje çdo zgjidhjeje që garanton zgjedhje të lira

Tre senatorët Martin Golden, Chris Murphy dhe John Bonaçiç konfirmojnë vëmendjen e administratës Trump ndaj zhvillimeve në Shqipëri, si dhe në Ballkan gjithashtu, ndërsa shprehen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin plotësisht çdo zgjidhje politike që do të çonte vendin në zgjedhje të lira. Senatorët janë njohur me krizën që po kërcënon stabilitetin në Shqipëri, ku zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është i kërcënuar nga droga dhe krimi në një takim të zhvilluar me këshilltarin e Presidentit Nishani, Klevis Balliu. Ai ka patur javën e fundit një sërë takimesh në Uashington e Nju Jork, ku u prit nga senatorët Golden, Murphy e Bonaçiç, si dhe një numër anëtarësh të Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut. Balliu u takua edhe me shefen e Departamentit amerikan të Shtetit për Trafikimin e Qenieve Njerëzore, Susan Coppedge.
Gjatë takimeve u diskutua kriza politike e Shqipërisë, si dhe u nda shqetësimi ndërkombëtar për shndërrimin e vendit tonë në një adresë fatkeqe të prodhimit dhe trafikimit të narkotrafikëve. Këshilltari i Presidentit Nishani, Klevis Balliu shprehu shqetësimin për situatën paraelektorale në vend, çka po e bën të pamundur mbajtjen në Shqipëri të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ai theksoi se sipas denoncimeve dhe raporteve të organizatave të specializuara ndërkombëtare, duket se qeveria është e implikuar në këtë trafik, prandaj edhe për këtë arsye mbase është e nevojshme krijimi i një qeverie teknike, e cila do të siguronte stabilitet dhe do të krijonte parakushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Gjatë takimit me senatorin Martin Golden, ky i fundit konfirmoi faktin se, “SHBA mbështet plotësisht çdo zgjidhje politike që do të çonte vendin në zgjedhje të lira”. Senatori Golden u shpreh se, “në Uashington, momentalisht jemi në një administratë në tranzicion, por jam i bindur se administrata Trump do t’i kushtojë rëndësinë e duhur Shqipërisë dhe Ballkanit. Administrata Trump do të jetë një administratë, e cila do të përmirësojë gabimet e së kaluarës”, tha ndër të tjera senatori Golden.
Këshilltari i presidentit Nishani, Klevis Balliu u takua edhe me senatorin e shtetit Konektikat Chris Murphy, si dhe senatorin e Nju Jorkut, John Bonaçiç. Pas ekspozesë së Balliut mbi gjendjen në Shqipëri dhe krizën që po vë në rrezik stabilitetin e vendit, senatorët u shprehën se, “SHBA është e interesuar për intensifikimin e luftës kundër trafikut të drogës”. Ata theksuan se SHBA do të vijojë të informohet edhe më tej mbi çështjet e ngritura nga këshilltari i presidentit Nishani, në mënyrë që Shqipëria të ndihmohet të ecë përpara drejt demokratizimit të plotë të saj.
Gjatë vizitës së tij në Nju Jork, Klevis Balliu u takua me disa anëtarë të Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, me të cilët ndau mendime lidhur me ndihmën që mund të japin autoritetet amerikane për daljen e Shqipërisë nga kriza e rëndë politike, financiare dhe e sigurisë. Gjithashtu, këshilltari i Presidentit Nishani takoi në Uashington DC këshilltarin për marrëdhëniet ndërkombëtare të kongresmenit Eliot Engel, Jason Stainbaun. Gjatë takimit, këshilltari i Presidentit e informoi Stainbaun mbi situatën e rëndë ku ndodhet sot Shqipëria për shkak të mbjelljes masive të trafikut të drogës dhe reperkusioneve që sjell kjo ekonomi e kriminalizuar. Gjithashtu, Balliu shprehu shqetësimin se në rast se do të shkohet në zgjedhje pa opozitën, vendi mund të kalojë në destabilitet, çka do të ishte një kthesë mbrapa në procesin e vështirë të anëtarësimit të vendit në BE. Gjatë vizitës, këshilltari i Presidentit Nishani për marrëdhëniet ndërkombëtare takoi në Uashington shefen e Departamentit amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore, Susan Coppedge. Gjatë takimit, Balliu e informoi zonjën Coppedge mbi përmasat shqetësuese që ka marrë trafiku i drogës në Shqipëri dhe shprehu shpresën në një angazhim më të madh të Departamentit të Shtetit për çështjen e drogës, pasi nëpërmjet saj po trafikohen edhe qenie njerëzore. Coppedge mirëpriti ekspozenë e Balliut dhe deklaroi se do t’i kushtojë vëmendjen e duhur çështjes së trafikut masiv të drogës në Shqipëri.

A.Shahini

Policia në Ballkan ushtron dhunë ndaj refugjatëve

Hungarian riot police uses a water cannon against protesting migrants on the Serbian side of the border, near Roszke, Hungary September 16, 2015. Hungarian police fired tear gas and water cannon at protesting migrants demanding they be allowed to enter from Serbia on Wednesday on the second day of a border crackdown. REUTERS/Marko Djurica - RTS1EGH

Refugjatët janë bërë viktima të dhunës policore në itinerarin e Ballkanit. Një studim i organizatës “Oxfam” ka mbledhur të dhëna për një sërë keqtrajtimesh, deri rrahjen e ecjen lakuriq në dëborë.
Sipas raportit të “Oxfam” me titull “A dangeroues ‘game'” – “‘Një lojë’ e rrezikshme” të prezantuar në Berlin tërhiqet vëmendja për dhunën e ushtruar ndaj refugjatëve nga policët në rajonin e Ballkanit. Sipas të dhënave të mbledhura, refugjatët në itinerarin e Ballkanit shpesh qëllohen, rrihen edhe iu merren edhe sende personale.
“Oxfam” kritikon faktin që shumë refugjatë nuk kanë mundësi për procedime të drejta të kërkesës së azilit. Studimi rendit keqtrajtime si në Hungari, ku policët i kanë detyruar refugjatët të ecin lakuriq në borë, në disa raste derdheshin mbi ta kova me ujë të ftohtë. Nga këto keqtrajtime kanë qenë të prekur edhe fëmijët.

“Shokuese dhe e turpshme”
Për këtë studim “Oxfam” ka marrë të dhëna nga Qendra e Beogradit për të Drejtat e Njeriut (BHCR) dhe nga Qendra e Avokatëve të Rinj në Maqedoni, ku janë marrë në pyetje 140 vetë që kanë kërkuar ndihmë në Serbi dhe Maqedoni. Robert Lindner, referent për krizat e konfliktet në “Oxfam”, thotë se “njerëz, të cilët kanë përjetuar dhunë të pashoqe në vendlindjen dhe ikin prej saj, përjetojnë sërish dhunë në Europë”. Kjo është e turpshme dhe shokuese. Të tri organizatat bashkëpunuese në këtë studim kanë kërkuar nga qeveritë e Serbisë, Maqedonisë, Kroacisë, Hungarisë dhe Bullgarisë të marrin masa për t’i dhënë fund këtyre shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Coutinho, kryegolshënuesi brazilian i Premier League

Philippe Coutinho ka hyrë në historinë e futbollit anglez, me golin e shënuar sot ndaj Bournemouth. Sulmuesi brazilian i Liverpool, ka shënuar në minutën e 40’ golin e 29 të tij në Premier League, duke u bërë braziliani që ka shënuar më shumë gola në këtë ligë. Në fakt, po kaq gola ka shënuar edhe Juninho Paulista me Middlesbrough, por Coutinhos, 24-vjeçar, i duhet vetëm një gol tashmë për të kryesuar i vetëm këtë renditje. Kjo shifër është një tregues i qartë se Premier League angleze nuk ka qenë liga e preferuar e yjeve të futbollit brazilian.
Coutinho është transferuar të Liverpool në vitin 2013, nga Interi i Milanos dhe që prej asaj periudhe është duke zhvilluar ndeshje mjaft të mira dhe ka demonstruar një rritje konstante. Braziliani ka luajtur 130 ndeshje për “The reds” dhe ka shënuar 29 gola, duke u shndërruar një nga futbollistët më të rëndësishëm të ekipit të Klopp. Coutinho grumbullohet dhe ka një rol të rëndësishëm edhe te kombëtarja braziliane.

Barcelona “prova e zjarrit” për Juven

Gjysmëtitulli në xhep, finalja e Kupës së Italisë e arritur tashmë dhe Champions League me mundësi reale. Juventusi po i afrohet sprintit përfundimtar të sezonit futbollistik europian, me ëndrrën e një “triplete” ende të pathyer, pavarësisht vështirësive dhe oshilacioneve, me tifozët bardhezi që shpresojnë që deri në qershor, në muzeun e klubit të shtohen 3 trofe.
Ndaj Napolit këtë mesjavë, loja ishte e mirë për thuajse një orë, por ai që u tregua më efikas, Gonzalo Higuain fitoi me meritë kopertinat, ashtu siç kishte bërë kur Juventusi e bleu nga Napoli. Mjaftuan kështu 3 ditë, që “Zonja e vjetër” të vendoste një tjetër gur në murin që e çon te titulli i 6 radhazi, si dhe e afron më shumë me finalen e 3 radhazi në Kupën e Italisë.
Dy transfertat ndaj Napolit tashmë janë lënë pas, por kundër Barcelonës në kupën “me veshë të mëdhenj” do të duhet më shumë impenjim, e mbi të gjitha personalitet. Katalanasit mbjellin “terror” në mbrojtjet kundërshtare, por në prapavijë kanë shumë të çara që mund të rezultojnë fatale në Champions. Numërimi mbrapsht ka nisur, por nëse në Itali është diçka më e lehtë në këto dy muaj, në Europë, Juventusi luan gjithçka, përfshi një vend në historinë e futbollit në rastin e “tripletës” eventuale.

“Mesazh” De Laurentisit

Në futboll nuk mjafton kurrë vetëm dëshira dhe Juventusi tregoi përsëri diferencat e tmerrshme që ka me të gjitha skuadrat e tjera italiane, duke siguruar pa shumë vuajtje finalen e 17 të Kupës së Italisë, sidoqoftë për hir të statistikave, apoli fitoi ndeshjen me rezultatin 3-2. Gonzalo Higuain edhe njëherë tjetër iu desh që të duronte vërshëllimat dhe ofendimet, por këtë herë kishte vendosur që të reagonte në të gjitha mënyrat dhe nuk po flasim vetëm në fushën e lojës, me dy golat e tij.
Ish-sulmuesi i Napolit duket se e kishte programuar mirë në kokën e tij rikthimin e dytë brenda 72 orësh në “San Paolo” dhe këtë herë nuk ngurroi që të tentojë të ketë një “kontakt” me tifozët. Me të mbërritur me autobus në dhomat e zhveshjes, ultrasit e Napolit e ofenduan rëndë dhe ai fillimisht ngriti një dorë lart, e cila më pas do të mësohej se çfarë kuptimi kishte. Me të zbritur në fushën e gjelbërt për nxehjen, “Pipita” këtë herë nuk pati frikë dhe nuk ngurroi që të shkonte shumë pranë tribunës së ultrasve, fillimisht, duke mbyllur veshët, në shenjë se “nuk kërkon t’i dëgjojë vërshëllimat dhe fjalët e tyre”, por në të njëjtën kohë vazhdoi të bënte me gjest drejt tribunës “VIP” për të sqaruar se cili ishte fajtori i largimit të tij nga Napolit dhe si për t’i përshëndetur bëri gjestin e puthjes ndaj tyre.
Akoma më i kuptueshëm për të gjithë sportdashësit, ky gjest u bë pas golit të tij të parë, ku nëse Gonzalo nuk festoi në nder të tifozëve, shfryu nervozizmin personal, duke bërë me gisht nga Aurelio De Laurentis, ndaj të cilit ulërinte: “Fajtori je ti!”.
Këtë do ta përsëriste edhe pas golit të dytë, me numrin një të Napolit që mundohej të shmangte shikimin e tij nga sulmuesi i Juventusit. Pas golave të Gonzalos dhe shpërthimit të tij, të gjithë kamerat u fiksuan te De Laurentis, ndaj të cilit shpërtheu edhe vëllai menaxher i futbollistit, Nikola Higuain: “Sa e dashuroj fytyrën e De Laurentisit sa herë që sheh vëllanë tim të shënojë. Sapo e shijoj këtë humbje të Napolit”, do reagonte ai, menjëherë pas golit të dytë.
Pas ndeshjes, padyshim që De Laurentis e ka marrë mesazhin e Nikolas dhe e ka hequr nga miqtë e tij, me vëllanë e Gonzalos që vazhdoi të sulmojë: “Edhe më ke bllokuar në profilin tënd. E sheh sa rëndësi kam ende në mendimet e tua Aurelio…”.
Përplasja pritet të vazhdojë në Gjykatë, pasi mediat italiane kanë mësuar se pjesë e shpërthimit të sulmuesit ndaj drejtuesit të Napolit ishte edhe një hesap i palarë i aspektit financiar mes palëve. Sipas sulmuesit të Juventusit, De Laurentis i detyrohet ende 600 mijë euro që nuk i ka paguar për shfrytëzimin e të drejtave të imazhit të Higuain në edicionet 2014-2015 dhe 2015-2016.
Ndër aktet e gjyqit është paraqitur si provë edhe një e-mail, nëpërmjet të cilit Higuain lajmëronte Napolin se do të ushtronte të drejtën e pagesës së klauzolës për të shkuar te Juventusi. Mesazhi ishte dërguar disa javë para fillimit të procedurave të transferimit të lojtarit te bardhezinjtë.