16.5 C
Tirana
E martë, 18 Nëntor, 2025

Kondogbia: Është i mundur Champions

Geofrey Kondogbia nuk dorëzohet. Mesfushori i skuadrës së Interit u bëri apel shokëve të tij, që kurrë nuk duhet të tërhiqen në arritjen e objektivave sezonalë, edhe atëherë kur matematika nuk lë shumë hapësira për të shpresuar, në një mision siç është kualifikimi për në Champions League. “Asgjë nuk ka përfunduar. Personalisht jam i idesë që nëse kërkon me të vërtetë diçka, atëherë duhet të luftosh deri në fund. Besoj fort te kjo skuadër, sepse i ka të gjitha mundësitë për të arritur kualifikimin për në Champions. Ka ende shumë  ndeshje për t’u luajtur. Nuk do të jetë e lehtë, por nëse japin maksimumin asgjë nuk është e pamundur”, u shpreh Kondogbia.
Më tej, francezi foli dhe për marrëdhënien e tij me trajnerin Stefano Pioli si dhe iu përgjigj edhe pyetjes nëse duhet të jetë apo jo 51-vjeçari në krye të stolit zikaltër sezonin e ardhshëm. “Trajneri më ka transmetuar besimin e tij dhe unë e falendëroj për këtë gjë. Ai e mori ekipin në një moment të vështirë dhe sot falë tij jemi më të organizuar taktikisht. Përsa i përket të ardhmes së tij, mund të them që fokusi ynë kryesor është kampionati”, tha ai.
Jashtë vëmendjes së Kondogbia nuk mund të qëndronte as derbi i Madoninës, që do të luhet më 15 prill, Inter-Milan. 24-vjeçari deklaroi se ai së bashku me shokët e tij të skuadrës dhe mbështetjen e tifozëve do të japin gjithçka për ta fituar.

Bayern-Dortmund betejë gjigantësh

Bayern Munchen është në rrugën e duhur për titullin e këtij sezoni, por itinerari për rikonfirmimin kampion të Bundesligës kalon edhe nga sfida me Dortmundin. Këtë të shtunë, në Gjermani luhet beteja klasike e dy gjigantëve, ndërkohë që bavarezët nuk janë në kushte optimale. Thomas Muller, Douglas Costa dhe Manuel Neuer mbeten ende në dyshim për ndeshjen që do të zhvillohet në “Allianz Arena”. Anësori Costa u rikthye këtë mesjavë në stërvitje, por ende nuk e ka lënë pas plotësisht dëmtimin në gju, ndërsa Muller dhe portieri i kombëtares gjermane punuan të veçuar.
Problemeve të trajnerit Ançeloti iu shtua dhe dëmtimi i Robert Lewandowskit në seancën e fundit, por vet polaku hoqi çdo dyshim se do të mungojë ndaj Dortmundit. Bayern kërkon titullin e pestë radhazi, gjë që përfaqëson një rekord në Bundesligë dhe, për të shtuar kuotat e tij, shërben avantazhi prej 10 pikësh me Leipzigun.
Ndërkohë, Borussia Dortmund, që e ka fituar titullin kampion në vitet 2011 dhe 2012 para rinisjes së dominimit të bavarezëve, objektiv real ka një vend në Champions. Skuadra verdhezi ka shënuesin më të mirë të kampionatit, por Aubameyang me 25 golat e tij nuk ka qenë mjaftueshëm për të përmirësuar vendin e katërt.

Ançeloti kërkon tripletën

Ançeloti nuk fshihet, Bayerni i tij kërkon të përsërisë suksesin e Jup Heynckes me triumfin e trefishtë. Veç të tjerash në Gjermani, situata është mëse e favorshme, 7 javë nga fundi i Bundesligës, bavarezët kanë 10 pikë avantazh ndaj Leipzig, ndërsa në Kupën e Gjermanisë i pret gjysmëfinalja me Borussia Dortmund. E vështira vjen në Champions, ku në rrugën e Bajernit është Reali i Madridit. Ançeloti gjithsesi karikon skuadrën. “Kur përjeton një moment pozitiv si ky në të cilin ndodhemi, synimi është për t’i dhënë vazhdimësi sa më gjatë të jetë e mundur”, tha Ançeloti.
Italiani përballet me ish-skuadrën e tij, me Realin fitoi La Deciman, megjithatë raportin me Bajernin e përshkruan si një dashuri me shikim të parë. “Ndihem i përfshirë në këtë ambient shumë të bukur, dhe në këtë qytet shumë të bukur. Bajerni është një klub fantastik. Në këto 9 muaj të parë janë ndier shumë mirë. Kam gjetur një skuadër shumë të përgatitur dhe kam synuar të përcjell idetë e mia. Në fillim nuk bëmë shumë mirë, por pas pauzës dimërore kemi patur më tepër rendiment”, tha trajneri i Bajernit.
Te Bajerni, Ançeloti ka gjetur një grup kampionësh, por edhe individualitete të spikatura që nuk ngurron t’i lëvdojë. “Neuer është si një kompjuter, shumë serioz dhe profesional në gjithçka bën. Është dhe argëtues si djalë, por më simpatiku është Myller, dhe kjo pjesë e karakterit e ka ndihmuar edhe në momentet më të vështira. Levëandoëski është qendërsulmuesi më i mirë i Botës në këtë moment, i ngjan shumë Inzaghit, por ka edhe lojën në ajër dhe është shumë i fuqishëm. Një lojtar që bën gol në çdo ndeshje dhe sipas meje një kandidat për të fituar Topin e Artë”, përfundoi Ançeloti.

Leipzig vijon të fitojë, Freiburg shpëton nga “zona e ftohtë”

Leipzigut i mjaftoi vetëm një pjesë loje ndaj Mainzit për të ruajtur vendin e dytë në klasifikim me një diferencë prej katër pikësh me ndjekësit. Në fillimin e pjesës së dytë në katër minuta, miqtë zgjidhën takimin me dy gola të shpejtë të Sabitzer dhe Wernerit.
Samperio u duk sikur i dha shpresë vendasve në të 69-tën, por Keita në të 81-tën riktheu në dy gola epërsisë e Leipzig. Gjithsesi rezultati përfundimtar u vendos nga Muto që shënoi në të 91-tën. Freiburg u shkëput përfundimisht nga zona e rënies, pasi mundi 1-0 në transfertë Wolfsburgun. Një gol mjaft i bukur i Niederlechner i dha 3 pikë kuqezinjve, me vendasit që dominuan lojën, por gabuan shumë përpara portës dhe pas kësaj humbjeje e shikojnë veten shumë të rrezikuar. Fitore minimale regjistroi dhe Gladbach që mundi 1-0 Herthën falë një goli të Benesit, që në pjesën e parë. Me këtë sukses dhe Gladbach është në pozita të qeta ndërsa Hertha komplikon disi situatën për zonën europiane.

Chelsea fiton supersfidën me Manchester City

Deri në përfundimin e Premier League nevojiten dhe 8 javë, por Chelsea duket se ka vendosur një dorë te trofeu i kampionit pasi kaloi një tjetër pengesë të vështirë si City, që u mund për të dytën herë këtë sezon nga blutë londinezë. Në “Stamford Bridge”, ndeshja u mbyll 2-1 për skuadrën e Kontes, me takimin që u vendos i gjithi në pjesën e parë sa i përket golave, por që do të kishte patur një fund tjetër dhe për fatet e kampionatit nëse Stones do të kishte realizuar në minutën e 91-tën. Gjithsesi ndeshja në Londër ishte menjëherë me një ritëm të jashtëzakonshëm me Chelsean që kaloi në epërsi pas vetëm 10 minutash me Eden Hazard.
Skuadra e Guardiolës megjithatë arriti të baraspeshojë shpejt rezultatin kur Aguero shënoi në të 26-tën. Gjithsesi Hazard ishte ylli i mbrëmjes për Chelsea-n dhe në të 35-tën shënoi dhe golin e fitores, pasi Caballero i kishte kthyer fillimisht penalltinë. Blutë e Londrës menaxhuan mirë këtë epërsi dhe City shfaqi problemet e njëjta duke gabuar shumë përpara portës me Chelsean që mundi të marrë 3 pikë shumë të rëndësishme në garën për titullin pas kësaj fitoreje duke ruajtur diferencën me Tottenham, që fitoi 3-1 në transfertë me Swansean.

Sampaoli apo Spalletti drejt stolit të Interit?!

Humbja me Sampdorian ka vënë në dyshim të ardhmen e Stefano Piolit në stolin e Interit. Pas një ecurie shumë pozitive trajneri italian ka humbur pikë në sytë e drejtuesve të klubit, sepse barazimi ndaj Torinos dhe sidomos disfata ndaj skuadrës doriane kanë përkeqësuar ndjeshëm pozitat e Interit në tabelën e klasifikimit dhe gjasat janë që Pioli të largohet në fund të këtij sezoni. Ëndrra e pronarit Zhang Jindong është t’ia besojë skuadrën një trajneri shumë të njohur dhe me eksperiencë, por me Konten që ka konfirmuar qëndrimin e tij te Chelsea dhe Diego Simeonen që do të vazhdojë aventurën me Atleticon e Madridit deri në vitin 2018, misioni nuk do të jetë i lehtë për drejtuesit e klubit zikaltër. Së fundmi në skenë kanë dalë dy emra të rinj si pasues të mundshëm të Piolit. Bëhet fjalë për një argjentinas dhe një italian, por ata nuk janë Simeone dhe Konte. Në listën e drejtorit sportiv Piero Ausilio kanë përfunduar emrat e Jorge Sampaolit dhe Luciano Spalletit. Ish-trajneri i Kilit ka bërë mirë me Sevillan në këtë sezon dhe mund të jetë njeriu i duhur për të rikthyer Interin në rrugën e sukseseve, ndërkohë përsa i përket Spalletit pasi i shkeli syrin Juventusit ky i fundit do të ishte i gatshëm të merrte edhe drejtimin e Interit. Spalletti nuk po rinovon kontratën e tij me Romën dhe nuk do të ishte çudi ta shihnim në krye të skuadrës milaneze.

Konte largon Interin

Një e mërkurë e rëndësishme ajo që lamë pas në futbollin europian, jo vetëm për sa i përket ndeshjeve të luajtura në arenat më të rëndësishme të kontinentit, por edhe pas tyre me konfirmime që shuajnë në njëfarë mënyre zërat e merkatos që bëhen gjithnjë e më të fortë me afrimin e verës. Një ndër çështjet më të diskutuara për shembull ka qenë ajo e vazhdimësisë së Antonio Kontes, te Chelsea, me të ardhmen e trajnerit italian që ishte vënë në diskutim, por vetë Konte pas fitores me Manchester City-n e Guardiolës që e afron akoma më tepër me titullin kampion në Angli në sezonin e tij të parë në Premier League, bëri të ditur se synon të vazhdojë aventurën e tij me blutë e Londrës.
“Tani të shtrëngojmë dhëmbët dhe luftojmë pasi sunojmë të arrijmë një sukses që ndoshta nuk pritej, për më pas do të kërkojmë të ndërtojmë diçka të rëndësishme për sezonin e ardhshëm”.
Me pak fjalë Konte mendon vetëm për Chelsean dhe e ardhmja e tij pritet të jetë ende në “Stamford Bridge”, edhe pse në futboll asgjë nuk mund të jetë e sigurt. Sinjale të rëndësishme edhe nga Juventusi, aty ku Massimiliano Allegri u kualifikua për në finalen e Kupës së Italisë ku e pret Lazio edhe pse u mund 3-2 në ndeshjen e kthimit në “San Paolo” nga Napoli. Bardhezinjtë janë në garë për trofe në të tria frontet dhe tekniku aktual nuk ka ndër mend të largohet.
“Synimet e mia për të ardhme? Të vazhdoj me Juventusin. Ndihem mirë këtu dhe do të kemi kohë për të biseduar me klubin që ka prioritete të tjera në këtë moment para se të flasim bashkë”.
Në këtë mënyrë edhe Allegri largon zërat e merkatos pasi ishte kuotuar si një ndër pasuesit e mundshëm të Arsene Wenger te Arsenal, ndërkohë që emri i tij ishte përmendur edhe për një kalim të mundshëm te Barcelona.

Austria flet troç: Zgjedhje me të gjitha partitë, baza e demokracisë

Në distancë, Edi Rama dhe Lulzim Basha nuk i kanë kursyer ftesat për dialog që sjell kapërcimin e krizës politike që po kalon vendi.
Por një hap konkret deri më sot nuk është hedhur. Leximin politik të deklaratave të tyre e kanë të ndryshëm edhe Ambasadorët e akredituar në vendin tonë.
Ai austriak Johan Sattler ndryshe nga qëndrimi i koleges së tij gjermane të bërë publik më parë se në zgjedhje marrin pjesë ato parti që dëshirojnë, ai deklaron se demokracia kërkon pjesëmarrjen e të gjithëve në proçes.
“Ne po hyjmë në një vit zgjedhor, viti elektoral jo vetëm në Shqipëri është paksa më i vështirë sa vitet e tjera. Gjëja më e rëndësishme është që partitë politike dhe njerëzit të ulen me njëri-tjetrin dhe të dialogojnë, sepse dialogu është esenca e demokracisë. Ajo çfarë kemi parë ditët e fundit janë zhvillime shumë të mira, kam dëgjuar ftesa për dialog. Kam dëgjuar praninë e këtyre ftesave për dialog, mendoj se po shkojmë në drejtimin e duhur. Gjëja më e rëndësishme është të flasin, dhe jo të mos kemi dialog. Dhe besoj që në fund do të kemi një proçes elektoral gjithëpërfshirës. Që partitë të marrin pjesë në proçesin zgjedhor, kjo është gjëja më e rëndësishme, baza e demokracisë janë zgjedhjet” shprehet ambasadori austriak.
Deklaratat Ambasadori i bëri pas vizitës në shkollën austriake në Shkodër, ku pa nga afër proçesin mësimor që zhvillohet në këtë institucion të rëndësishëm që prej 10 vitesh ka hapur dyert në Shkodër.
Më pas, ai vizitoi qendrën komunitare, ku u njoh me shërbimet që jepen aty. Sattler sëbashku me një delegacion të Ambasadës dhe gazetarët po sheh nga afër edhe investimet që shteti i tij ka bërë në këtë qark.

Meta, ministrat dhe deputetët e LSI braktisin fjalimin e Ramës në Parlament

Rama është injoruar totalisht dje nga aleatët e tij në koalicionin qeverisës. Gjatë seancës plenare, punimet e së cilës tashmë janë shndërruar në një teatër tragji-komik, aleati kryesor i Ramës në koalicion, Meta është larguar nga salla e Parlamentit në momentin që Rama mori fjalën të fliste.
Kreu i LSI që është në të njëtën kohë edhe Kryetar i Parlamentit ka braktisur fjalimin e Ramës në Parlament. Ai nuk është i pranishëm në seancë. Ajo që bie në sy është se Ramën e kanë braktisur edhe të gjithë ministrat e LSI si dhe deputetët e kësaj force politike. Ndërkohë e njëjta situatë u përsërit edhe nga aleati tjetër i koalicionit qeverisës PDIU.
Rama po kalon momentin e vetmisë së madhe dhe një ngricë politike.

Spaho: Rama mban shpresë për zgjedhjet tek partizat prostituta politike

Deputeti Edmond Spaho tha dje se Rama, “si Ramiz Alia, me partizat e tij të gatshme për të bërë prostitutën politike” po përpiqet t’i trembë me alternativën që do të zhvillohen zgjedhje pa opozitën. Spaho tha se, prova është Kavaja dhe le ta provojë se do të shohë si do i rrëshkasë toka nën këmbë. Spaho paralajmëroi se çdo përpjekje e Ramës për të çuar vendin në zgjedhje pa qeveri teknik e pa pjesëmarrjen e opozitës do të ketë përballet me qëndresën e opozitës dhe popullit shqiptar që sot është vendosur në krye të betejës kundër pushtetit të inkriminuar.
“Zgjedhje pa opozitën në Shqipëri ka tentuar të mbajë vetëm Ramiz Alia, ai u përpoq me zuskat e Partisë së Punës, me Frontin Demokratik, Lidhjen e Gruas, Bashkimin e Rinisë së Punës së Shqipërise dhe me ca bishta të tjera të krijonte gjoja zgjedhje pluraliste. Edhe sot, Rama nën shembullim e Ramiz Alisë po përpiqet me disa partiza që janë vetë ofruar për të bërë prostitutën politike të na kërcënojë se do të mbajë zgjedhje pa PD-në. Do të mbajë zgjedhje pa opozitën. Po i themi Edi Ramës dhe partizave të tij të gatshme për të bërë prostitutën politike, le ta provojnë të mbajnë zgjedhje pa opozitën e PD-në. E kanë mundësinë në Kavajë. Ta provojnë dhe do të shohin si do i rrëshkasë toka nën këmbë. Nuk ka më në Shqipëri që për hir të stabilitetit të sakrifikohet demokracia. Sakrifikimi i demokracisë çoi në rrënimin e saj, por dhe të vetë stabilitetit. Prandaj zgjedhjet e lira, qeveria teknike dhe standardet do të sigurojnë stabilitet dhe një të ardhme demokratike për Shqipërinë”është shprehur Spaho.
Për Spahon, nuk ka dialog pa qeveri teknike dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve.
“Në kushtet aktuale politike ku çdo ditë po lëvizim drejt qeverisë teknike. Edi Rama me njerëzit e tij vazhdon të na bëjë thirrje për dialog e negociata, por pa qeveri teknike e pa shtyrë datën e zgjedhjeve. Atëherë për çfarë të negociojmë apo të dialogojmë. Përpiqen të na trembin me atlernativën që do të zhvillojmë zgjedhje pa opozitën. Na bëjnë thirrje të braktisim çadrën e t’ju braktisim ju, e të kthehemi në Parlament a thua se nuk ishim ne që ishim 4 vjet në Parlament” është shprehur Spaho.