12 vende më poshtë në renditjen e FIFA-s. Është kjo “fatura” e humbjeve me Italinë dhe Bosnje-Hercegovinën në termat e klasifikimit botëror për kombëtaren shqiptare. Organizmi botëror i futbollit publikoi renditjen e përditësuar për muajin prill, ku Shqipëria renditet në vendin e 66, 12 shkallë më poshtë se muajin e kaluar pasi ka rezultuar një ndër skuadrat më të penalizuara të paktën në kontinent, për sa i përket renditjes së FIFA-s. Për Shqipërinë ky është pozicioni më i keq që nga 2011 ndërkohë që siç tregon edhe grafiku, kurba e lëvizjes në këtë renditje për 2017 vjen pothuajse në pikiatë. Për sa i përket rivalëve në grupin e eliminatoreve të Rusi 2018, Spanja vijon të qëndrojë e palëvizshme në vendin e 10-të, Italisë fitorja ndaj kuqezinjve dhe ajo në miqësoren me Holandën i kanë shërbyer për të ngjitur 3 vende duke u renditur në shkallën e 12, Maqedonia ka bërë një katapultim të vërtetë, plot 33 vende më sipër, diçka që i dedikohet jo vetëm fitoreve ndaj Lihtenshtejnit dhe Bjellorusisë, por edhe faktit se ishte shumë pas në klasifikimin e FIFA-s ku aktualisht zë vendin e 133, Izraeli ka humbur 7 vende duke u renditur i 63, ndërsa Lihtenshtejni ka humbur 5 vende duke u klasifikuar i 189. Nuk ka qenë një muaj pozitiv as për përfaqësuesen e Kosovës që u mund nga Islanda në “Loro Boriçi”, me skuadrën e Bunjakit që ka humbur 6 pozicione duke u renditur tani në vendin e 170, ndërsa kurba e një viti në klasifikimin e FIFA-s flet qartë për një fillim të vështirë. Renditja Botërore e FIFA-s ofron një zhvillim të bujshëm edhe për sa i përket kreut, me Brazilin, që pas plot 7 vitesh rikthehet të jetë në krye të klasifikimit, një lëvizje e bujshme për Selecaon që rimerr këtë vend pas fitoreve ndaj Paraguajit dhe Uruguajit që i siguruan edhe kualifikimin në fazën finale të Rusi 2018. Brazili zbret në vendin e dytë kështu rivalët Argjentinas, ndërkohë që në shkallën më të ulët të podit vazhdon të qëndrojë Gjermania.
Shqipëria bie 12 vende në renditjen e FIFA-s

Kreu i senatorëve të Forza Italia: Romani: Zgjedhjet me qeveri teknike
Kreu i senatorëve të Forza Italia, Paolo Romani ka folur qartë dhe pa dorashka kortezie, duke deklaruar se Shqipëria duhet të shkojë drejt zgjedhjeve me një qeveri teknike. Romani është shprehur se kjo mund të ishte zgjidhje më e mirë për t’i dhënë fund krizës poluitike në Shqipërië. Ai ka paralajmëruar se Italia nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj kësaj krize politike.
Italia ka qenë gjithmonë aleati kryesor i procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe duhet të vazhdojë të mbajë këtë rol udhëheqës dhe mbështetës në këtë tranzicion delikat. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë kanë rrënjë historike, dhe kanë vazhdimësi dhe sot në marrëdhëniet dypalëshe.
“Vendi ynë nuk mund, pra, të jetë indiferent në lidhje me krizën politike në këtë kohë në Shqipëri”, kjo u deklarua nga Paolo Romani, president i senatorëve të Forza Italia.
“Një krizë politike që është e lidhur në një situatë të komplikuar nga prania e fortë e krimit të organizuar që është i angazhuar në prodhimin e kanabisit, nga të dhënat e fundit kemi një rritje të prodhimit, dhe të trafikut të kanabisit në drejtim të territorit tonë ku institucionet tona, së bashku me institucionet shqiptare, protagoniste në përballjen dhe kontrollin e territorit”, thekson ai.
“Në këtë skenar, nënvizon Romani, është e rëndësishme që zgjedhjet e ardhshme të bëhen nga një qeveri kujdestare, e mbështetur nga shumica dhe opozita, siç kërkohet edhe nga Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, që përfaqëson Lëvizjen Socialiste për Integrim, pjesë e mazhorancës në qeveri, në gjendje për të përmirësuar klimën e konfrontimit politik mes partive kryesore, Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën, përkatësisht qeverisë dhe opozitës, për t’i dhënë vendit një ligj të ri zgjedhor, pas dështimit të Reformës Zgjedhore që ishte për diskutim në Parlament, dhe për të siguruar zgjedhje demokratike dhe të lira”.
“Vetëm në këto kushte, procesi i integrimit në Bashkimin Europian, të Shqipërisë mund të shkojë përpara pa pengesa dhe nën kujdesin më të mirë”.
Italia duhet të luajë një rol promotor në të gjitha vendet europiane për të mbështetur Shqipërinë në një ecuri pozitive të kësaj faze dhe në arritjen e objektivit final, hyrjen në Bashkimin Evropian. Forza Italia është në të njëjtën kohë edhe forca politike në Itali, e cila ka në krye të Parlmentit Europian përfaqësuesin e saj.
Real Madrid fiton edhe pa BBC, mund Leganes
Reali i Madridit nuk gabon edhe pa treshen e famshme sulmuese BBC. Pa Ronaldon dhe Bale dhe me Benzema që qëndroi gjatë gjithë kohës në stol, Los Blancos triumfuan me rezultatin 2-4 në derbin e vogël të Madridit ndaj modestëve të Leganes. Për të udhëhequr Realin drejt një suksesi që e afron gjithnjë e më shumë me titullin kampion në La Liga mendoi Alvaro Morata që me një tregolësh bëri liderin e vërtetë në mungesës të treshes, Ronaldo-Bale-Benzema.
Serinë e golave në fakt e hapi James Rodriguez që shtyu në rrjetë topin pas një inkursioni personal të Asensios që bëri gjithçka mirë duke i servirur golin e avantazhit kolumbianit. Më pas skena ishte e gjitha për Moratën që realizoi dy herë në harkun e 5 minutave duke ia bërë më të thjeshta gjërat Realit. Por Los Blancos ndërlikuan gjithçka vetë sepse vendasit e Leganes në të 32 dhe 34-tën shënuan dy gola të shpejtë me dy brazilianët, Gabriel dhe Luciano duke rihapur sfidën. Por vetëm kaq për Leganes në këtë ndeshje sepse në fillimin e pjesës së dytë Morata shënoi sërish duke fiksuar rezultatin përfundimtar të këtij takimi në 2-4, me Realin që ruajti kreun duke u ngjitur në kuotën e 71 pikëve.
Tjetër shans i humbur për James
James Rodriguez ishte një nga protagonistët e mëdhenj të sfidës mes Leganes dhe Realit të Madridit që u fitua me rezultatin 2-4 nga Los Blancos. Mesfushori kolumbian ishte autori i golit të parë që zhbllokoi ndeshjen pas një inkursioni fantastik të Asensios. Por pavarësisht golit rendimenti i yllit të Los Cafeteros ishte i ngjashëm me atë të sfidave të fundit përpara merkatos së janarit sepse gjatë këtij viti paraqitjet e James kanë qenë disi më pozitive. Dëshira e numrit 10 është të shkëlqejë me Realin, por ankthi për të bërë mirë sa herë që i jepet mundësia për të luajtur titullar nga trajneri Zidane po e shtyn James Rodriguez-in të gabojë shumë dhe të humbasë pikë në sytë e teknikut francez.
Ndryshe nga kolumbiani në sfidën e javës së 30-të të La Ligas ndaj modestëve të Leganes, takim në të cilin Reali kishte shumë mungesa, emra të tillë si Morata, Asensio, Vazquez dhe Kovaçiç, shkëlqyen duke lënë shenjën e tyre dhe duke u treguar të gjithëve se e meritojnë të qëndrojnë te Los Blancos edhe sezonin e ardhshëm. 25-vjeçari kolumbian ndërkohë është ndër emrat e parë në listë që mund t’i japë lamtumirën klubit merengues në verë. James kërkohet nga Liverpooli, por edhe nga Interi e Manchester United. Fakti që Rodriguez nuk ndihet më i lumtur në Madrid u kuptua edhe në momentin kur Zidane e zëvendësoi në minutën e 72-të të ndeshjes me Iscon. James në momentin që u ul në stolin e rezervave shfaqi gjithë irritimin e tij, një tjetër shenjë se e ardhmja e mesfushorit amerikanojugor do të jetë larg Madridit.
Vuçiç zbulon paktin me Ramën për kthimin e Shqipërisë brenda Jugosllavisë së re
Aleksandër Vuçiç ka lëshuar nga një media prestigjioze amerikane një mesazh të fortë provokativ për rajonin, duke paralajmëruar rikthimin e ish-Jugosllavisë dhe ndërlidhjen ekonomike aty, të Shqipërisë.
Në një intervistë për “Politico” në SHBA, ai ka deklaruar se bashkimi ekonomik dhe doganor i Ballkanit Perëndimor është në fakt një rikrijim tregu i Jugosllavisë së vjetër, plus Shqipërinë.
“Nëse të tjerët bien dakord ne do të bëhemi një treg prej 20 milionë njerëzish. Është një treg domethënës. Do të jemi në gjendje të tërheqim shumë më tepër investitorë. Mendoj se këtë edhe të tjerët e kuptojnë… Bëhet fjalë për ‘Jugosllavinë e vjetër plus Shqipërinë’. Kjo është ide politike pa rrezikim të sovranitetit të këtyre shteteve. Do të nxisë ekonomitë tona”, shprehet Vuçiç, aktualisht kryeministër në detyrë dhe president i zgjedhur.
“Politico” shkruan gjithashtu se aleati kyç i Vuçiç nuk është në Bruksel, por në Berlin, duke lënë të kuptohet se është Gjermania që mbështet iniciativa të tilla. Një zhvillim krejtësisht i përmbysur me 25 vite më parë, sa kohë që ish-kreu jugosllav Millosheviç do të deklaronte hapur se aktori kryesor në shkatërrimin e Jugosllavisë kishte qenë Gjermania.
Ende nuk dihet se cili është roli i Shqipërisë dhe Edi Ramës në në gjithë këtë projekt provokativ, por kjo deklaratë e Vuçiç, përkon me një pjesë të motivacionit që artikuloi kryeministri francez kur i dha urdhrin Komandant i Legjionit të Nderit. Projektit që duket se ka marrë bekimin e plotë të kryeministrit të Shqipërisë, zuri fill me Nismën e Berlinit dhe është konsoliduar gjatë takimeve të shumta publike apo jo, mes Ramës dhe Vuçiç.
Gazeta austriake për Vlahutinin: Vila u ble me çmim të tejfryrë
Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes Paneuropiane në Austri, Rainhard Kloucek ka botuar në revistën e përmuajshme vjeneze “Paneuropa Austri”, një analizë për rënien e ndikimit të BE dhe sidomos dështimin e saj në Ballkan. Ai ndalet gjerësisht edhe mbi Shqipërinë, duke përmendur akuzat ndaj ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, si dhe kthesën e papritur të shefit të zyrës së OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchard. “Në Shqipëri, Komisioni i BE-së është venë nën presion prej disa javësh. Kjo është për shkak të një biznesi të pasurive të patundshme, nga shefja e zyrës së Komisionit në Tiranë, socialistja kroate Romana Vlahutin. Kështu, në një zonë prestigjioze të kryeqytetit shqiptar, Tiranës, me emrin ‘Rolling Hills’, u ble një rezidencë me një çmim të tejfryrë. Në atë zonë normalisht paguhet rreth 2000 euro për metër katrorë për sipërfaqen e banimit, por Komisionit Europian i kushtoi më shumë se 4700 euro për metër katrorë”, shkruhet në analizën e botuar në gazetën austriake.
Më tej Rainhard Kloucek përmend edhe problemin me kanabisin në Shqipëri dhe shefit të zyrës së OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchard. “Një problem tjetër në Shqipëri është legalizimi de fakto i kultivimit të kanabisit nga qeveria socialiste e Edi Ramës. Kjo çoi në situatë absurde që kompanitë që janë në kërkim për punëtorë, të cilat nuk ishin në gjendje për të plotësuar vendet e lira, sepse njerëzit preferojnë të merren me kultivimin e kanabisit. Ndërsa problemi është i njohur mirë në Shqipëri dhe në rajon, ajo është diskutuar rrallë në mediat e vendeve të BE-së. Përmes kësaj linje biznesi, qeveria është duke mbledhur shuma gjigante parash për të blerë votat në zgjedhjet e ardhshme të parashikuara për këtë vit. OSBE-ja (në vitin 2017 Austria ka kryesimin) – mban në Shqipëri një zyrë me rreth 80 punonjës të mirëpaguar – ka të bëjë me çështje në nivel shkencor.
Ju mund të krijoni një studim për të shqyrtuar përse shqiptarët e rrisin kanabisin në një mënyrë të tillë kaq të madhe. Në fund, kështu mendon një bashkëbisedues, mund të dalë në arsyen se shqiptarët rrisin kanabis, pasi ata mund të fitojnë shumë shpejt shumë para. Ky përfundim mund të nxirret edhe pa kërkime të shtrenjta shkencore. Përveç kësaj, shefi i zyrës së OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchard, ka bërë një prapaktheu të çuditshme. Pasi ai tha në një intervistë televizive se nga biznesi i kanabisit rreth dy miliardë euro janë gati për blerjen e votave për zgjedhjet e ardhshme, ai i rishikoi këto deklarata 24 orë më vonë në një takim me ministrin e Brendshëm dhe deklaroi se kjo nuk është e bërë nga qeveria e tanishme, por qeveria e mëparshme”, shkruan Kloucek.
Më të diskriminuarit për tregun ajror
Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka numrin më të ulët të shoqërive ajrore me kosto të ulët (2), duke lënë pas vetëm Moldavinë (1). Megjithatë vlerësohet si treg tërheqës. Në raportin e SEE news (Njësia Inteligjente për Europën Juglindore) për tregun e shoqërive ajrore me kosto të ulët për vitin 2017 thuhet se: “Pavarësisht rritjes së shpejtë të këtij tregu në vende si Rumania, Bullgaria apo Serbia, destinacione tërheqëse për zhvillimin e tregut ajror me kosto të ulët janë edhe Kroacia, Bosnje–Hercegovina, Shqipëria dhe Mali i Zi”. Sipas raportit transporti ajror botëror i pasagjerëve u rrit me 6% në terma vjetorë, duke arritur në 3.7 miliardë persona referuar të dhënave të International Civil Aviation Organization (ICAO). Kjo shifër është lehtësisht më e ulët në krahasim me një vit më parë ku rritja ishte 6.8% dhe numri i pasagjerëve arriti në 3.5 miliardë. Megjithatë rritja është në vlerat e regjistruara më 2013 dhe 2014 ku ishin mesatarisht 5.5%. Në Europë vendet që shënuan rritjen më të madhe të pasagjerëve, të cilët fluturuan përmes aeroporteve kryesore ishte Islanda me 29.9% dhe Bullgaria me 15.2%. Bullgaria dhe Rumania ishin tregjet me rritjen më të madhe në Europën Lindore sa i përket kapacitetit të zënies së avionëve. Në Bullgari rritja u vlerësua në 25.4% në krahasim me Europën, e ndjekur nga Rumania me 21.6%. Ndërsa vende të tilla si Serbia, Mali i Zi apo Sllovenia e Moldavia regjistruan rritje me rreth 10%. Në vitin 2016 kompania më e mirë me kosto të ulët në Europë ishte Dutch Transavia. Prezenca e saj në rajonin e Europës Juglindore është e kufizuar megjithatë së fundmi ajo do të nisë operimet edhe në Tiranë. Ndërsa referuar statistikave të SEE nëse, gjatë katër viteve të fundit Shqipëria ka njohur rritje të numrit të pasagjerëve, ku vihet re nga grafiku se 2016-a ka shënuar mbi 2 milionë pasagjerë. Mungesa e linjave të fluturimit me kosto të ulët dhe e aeroporteve dytësore i ka detyruar shqiptarët që t’u drejtohen fqinjëve për të realizuar udhëtime të volitshme. Destinacione europiane që arrihen nga Prishtina, Shkupi e Podgorica me një çmim më të ulët krahasuar me atë që mund të merrej nga Tirana, shtoji kësaj edhe faktin se për një pjesë nuk ka fluturime direkte. Edhe agjencitë e udhëtimit që ofrojnë ture kulturore apo edhe biletat i programojnë ato me nisje nga aeroporti i Prishtinës, Shkupit madje edhe Podgoricës. Sipas drejtuesve të këtyre agjencive bëhet fjalë për udhëtime që zgjasin nga 4-5 ditë. Në rastet kur klientët dëshirojnë të marrin transport nga agjencia çmimi i ofertës rritet me 25 euro për person. Janë kryesisht ture kulturore që përfshijnë disa destinacione.
Zhduken fitimet e kompanive, vetëm 10 milionë lekë te Financat
Janari i këtij viti ka thelluar më tej trendin rënës të të ardhurave nga kompanitë shtetërore. Në janar të këtij viti kanë derdhur fitim në Ministrinë e Financave vetëm 2 kompani shtetërore, me një total prej 10 milionë lekësh.
Në këtë mënyrë vijon të thellohet rënia drastike e fitimeve që derdhin në shtet kompanitë shtetërore e shfaqur nga viti 2014, i cili ka arritur rekordin negativ vitin e shkuar.
Kështu zbardhen fitimet e derdhura në buxhet nga 9 kompanitë kryesore shtetërore, ku bëjnë pjesë portet, Operatori i Transmetimit të Energjisë, Zyrat e Regjistrimit të Pasurive, Enti Rregullator i Ujit apo Shtypshkronja e Letrave me Vlerë.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, deri në dhjetor 2016, kompanitë shtetërore kanë derdhur në total vetëm 84 milionë lekë fitime, afërisht 800 mijë dollarë.
Shifra është rreth 8 herë më e ulët se në fundin e vitit 2015, kur këto kompani kanë derdhur një fitim total prej 529 milionë lekësh, rreth 5 milionë dollarë. Ndërkohë që viti rekord ka qenë 2014-a kur kompanitë shtetërore kanë derdhur një fitim prej 1.3 miliard lekësh, afro 13 milionë dollarë. Nga të dhënat zyrtare, shifra prej 800 mijë dollarësh rezulton më e ulëta duke nisur nga viti 2008, kur kompanitë shtetërore kanë derdhur rreth 4 milionë dollarë fitime. Në janarin e këtij viti kanë derdhur fitime vetëm Qendra Tregtare për Zhvillim dhe Enti Rregullator i Ujit.
Normat e interesit, BSH këshillon bankat për më shumë kujdes
Në pritje të rritjes së normave të interesit në tregjet ndërkombëtare, Banka e Shqipërisë ka vënë në monitorim bankat tregtare që t’u përgjigjen reagimeve pa cenuar stabilitetin financiar, në raportin vjetor të 2016 përgatitur për Kuvendin. Për shkak të mospërputhjeve midis aktiveve dhe detyrimeve të ndjeshme ndaj lëvizjeve në normat e interesit, sektori është i ekspozuar ndaj një rritjeje të shpejtë të normës së interesit. Ndonëse probabiliteti i rritjes së shpejtë të normave të interesit është aktualisht i ulët, Banka e Shqipërisë iu ka rekomanduar bankave të përfshijnë vlerësimin e këtij rreziku në analizat e tyre dhe të veprojnë për minimizimin e tij në rast se ai vlerësohet i rëndësishëm. Niveli i pozicioneve të hapura neto valutore paraqitet në rënie krahasuar me një vit më parë, duke sugjeruar ekspozim të kufizuar ndaj rrezikut (luhatjeve) të kursit të këmbimit. Në dhjetor 2016, në nivel sektori, pozicioni i hapur valutor “në blerje” shënonte 7.0% të kapitalit rregullator (nga 7.7% në dhjetor të vitit 2015). Por megjithëkëtë fakt Banka e Shqipërisë ka lançuar një nismë për deeuroizimin e mëtejshëm të ekonomisë.
21% e punonjësve u vonohen pagat, 55% u cenohen marrëdhëniet në punë
Gjatë vitit 2016 rreth 70,000 punëmarrës më shumë kanë marrë shërbimin e inspektimit nga inspektoret e punës për të drejtat e tyre të ligjshme. E ndërsa është rritur njohja me të drejtat, është rritur edhe ndërgjegjësimi sa i takon cenimeve në vendin e punës. Sipas raportit të detajuar të Inspektoratit të Punës vihet re se pjesën më të madhe e zënë ankesat e ardhura për “Cenim të marrëdhënieve të punësimit” me 54.7%, ku përfshihen: pretendime të punëmarrësve në lidhje me zbatimin korrekt të kontratës individuale të punës me punëdhënësin apo mosrespektim i dispozitave ligjore në lidhje me orët shtesë të kryera dhe të papaguara, punës së papaguar në turnin e dytë e të tretë, në ditët e pushimit javor dhe të festave zyrtare etj. Ndërsa 21% janë ankuar se nuk u paguhen pagesat e prapambetura. Sipas inspektoratit përpjekjet më të mëdha janë bërë për të ndërgjegjësuar subjektet dhe jo për t’i ndëshkuar. Sipas të dhënave numri i subjekteve të sanksionuara gjatë vitit 2016 ishte 117, me vlerë rreth 32 mln lekë, nga të cilat: 74 gjoba me vlerë 21.7 lekë në inspektimet e planifikuara, 27 gjoba me vlerë 6.5 mln lekë në inspektimet për shkak ankese, 16 gjoba me vlerë 3.7 mln lekë në inspektimet për shkak aksidenti. Po sipas këtyre të dhënave për 419 subjekte më shumë janë mbajtur masa urgjente të pezullimit të punës, nga të cilat: 405 subjekte më shumë, për parregullsi flagrante të marrëdhënieve të punës (konstatim informaliteti), 14 subjekte më shumë për parregullsi flagrante për problematika që lidhen sigurinë dhe shëndetin në punë.
Shifra 2016
– Janë inspektuar 3700 subjekte më shumë krahasuar me një vit më parë;
– 1200 punëmarrës më shumë se një vit më parë, janë përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore;
– Janë raportuar 117 subjekte, të cilat u evidentuan në të zezë, në të cilat 128 punonjës punojnë krejtësisht të pambrojtur;
– Është arritur të formalizohet marrëdhënia e punës për 98% të 475 punëmarrësve informal të konstatuar;
– Nga 353 ankesa të ardhura në ISHPSHSH, 236 prej tyre ose 67% u zgjidhën në favor të ankuesve;
– 124 subjekte më shumë se një vit më parë, kanë ngritur Këshillat e Sigurisë dhe Shëndetit në punë;
– 4700 subjekte më shumë se një vit më parë, përdorin pajisje mbrojtëse kolektive dhe individuale;
– 270 punëmarrës më pak janë konstatuar të diagnostikuar me sëmundje profesionale krahasuar me një vit më parë;
– Këtë vit, 31 punëmarrës më pak të aksidentuar në punë.

















