14.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Nëntor, 2025

Skandali i ujërave të zeza në Portin e Durrësit, reagon kreu i Mjedisit

Të vënë në dijeni për shkarkimin e ujërave të zeza në port, Drejtoria e Mjedisit e Durrësit nisi në vendngjarje një grup inspektimi. Drejtori i Mjedisit, Eneo Hasa, deklaroi se kjo është hera e parë që bëhen shkarkime të ujërave të zeza dhe nuk dihet se si përfunduan brenda në det ujërat e zeza. Nuk dihet nëse kanë përfunduar si rezultat i një manovre të gabuar nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve apo nëse janë hedhur nga ndonjë anije në kanalizimin e rrjetit të ujërave të bardha e përfunduan në det. “Situata do të hetohet, për të parë se prej ku nis ky tubacion i shkarkimit të këtyre ujërave në kalatën lindore”, u shpreh Hasa. Drejtoria e Mjedisit, Sigurimit Teknik, Epidemiologjik dhe Emergjencave, mori mostrat e ujit të basenit, për të bërë analizimin e shkallës së ndotjes bakteriale. Policia e sigurisë portuale dhe përfaqësuesit e ujësjellësit, kanë mbërritur në kalatën lindore me kërkesë të Drejtorisë së Mjedisit. Elton Doda, inxhinier i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, mohoi kategorikisht që shkarkimi i ujërave të ndotura të jetë bërë nga ndërrmarrja e kanalizimeve të qytetit. “Ndonjë anije ose traget mund t’i ketë derdhur në rrjetin e ujërave të bardha e kanë përfunduar në akuarium”, pohoi Doda. Sipas inxhinierit, problemi qëndron në faktin se tubacioni shkarkues nuk dihet se kur është ndërtuar dhe prej ku zë fill, por asnjë prej punonjësve të kanalizimeve nuk ka bërë asnjë manovër për të shkarkuar ujërat e përdorur në rrjetin e kanalizimeve të portit”. Peshkatarët, në një situatë të tillë janë larguar nga anijet, pasi uji i ndotur dhe era e rëndë janë premisë për përhapje infeksionesh.

Ciko: Bizneset e Kosovës kundër nismës së Ramës për bashkëpunim doganor

Afërsia gjeografike mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe përdorimi i gjuhës së përbashkët nuk reflektohet edhe në ekonomi. Eksperti i çështjeve tregtare, Ilir Ciko deklaron në rubrikën ‘Para e pasuri” të gazetares Aurora Sulçe se, ka një shqetësim të rritur kohët e fundit nga biznesi për nivelin e ulët të bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik mes dy vendeve. Ciko shpjegon se, bizneset kosovare janë kundër projektit të qeverisë shqiptare për bashkëpunimin doganor mes dy vendeve. “Bashkëpunimi doganor është një projekt që përfshin edhe vendet e tjera të rajonit, të cilat duke qenë se janë vende më të mëdha mund të kenë fitime më të larta nga ky projekt. Nivelin e ulët të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve, unë e shoh si një kundër reagim të bizneseve kosovare”, deklaron Ciko. Ai shpjegon se mes dy vendeve ka barriera të shumta, që përkeqësojnë klimën e të bërit biznes, ku kryesoret janë pagesat në dogana dhe mungesa e harmonizimit të legjislacionit. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, eksportet tona drejt Kosovës arritën në vitin 2016 vlerën e 16.6 miliardë lekëve, duke shënuar një rënie prej 4.3 miliardë lekësh kundrejt vitit të mëparshëm. Ndërsa importet vlerësohen në 5.8 miliardë lekë, me rritje vjetore modeste prej vetëm 400 milionë lekësh. Duket se ecuria e shkëmbimeve tregtare ka vijuar e dobët edhe gjatë këtij viti. Të dhënat zyrtare të disponueshme janë ato të dy mujorit 2017. Për këtë periudhë, eksportet tona drejt tregut kosovar vlerësohen në 2.3 miliardë lekë nga 1.7 miliardë që ishin në janar-shkurt 2016; ndërsa importet kanë shënuar vlerën e 860 milionë lekëve, me rritje vetëm 335 milionë kundrejt dy mujorit të parë të vitit 2016. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me investimet. Në Kosovë, operojnë 903 biznese shqiptare me një total investimesh prej 28.6 milionë euro vitin e kaluar. Kundrejt 2015-ës, investimet shqiptare në vendin fqinj janë ulur me 11.5 milionë euro. Ndërsa në Shqipëri, ofrojnë shërbimet e tyre 600 biznese kosovare, me një total investimesh prej 15.6 milionë euro për 2016-ën. Kundrejt vitit parardhës, vlera e investimeve kosovare në Shqipëri është dyfishuar, por mbetet ende në nivele të ulëta.

Saviano: Droga e Shqipërisë një nga katër burimet e financimit të ISIS

Bomba e Roberto Savianos në “Euronews”: Shteti Islamik kultivon marijuanë në Shqipëri. Shkrimtari i famshëm italian që ka denoncuar dhe raportuar mbi mafian italiane, i cili jeton në fshehtësi dhe mbrojtje speciale për shkak të kërcënimit me vrasje nga ana e mafies, ka dhënë një intervistë për “Euronews” në lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Ndër të tjera ai ka pohuar:
Të gjitha gomonet që kalojnë Mesdheun menaxhohen nga kartelet, por jo nga kartelet italiane siç mendojnë të gjithë. Mafia nuk ka gisht në këtë trafik. Janë grupet turke, libiane dhe libaneze që kanë investuar në trafikimin e njerëzve dhe Evropa nuk ka as idenë më të vogël për këtë zhvillim.
Kartelet që menaxhuan mbërritjen e sirianëve në Evropë janë të gjitha pjesë e mafies turke, e cila është e njëjta mafie që menaxhon heroinën që vjen nga Afganistani.
Shteti Islamik (SHI), Kalifati, për shembull, ka tri burime kryesore fitimi, të gjitha nga aktivitete kriminale: shantazhi ndaj bizneseve, kontrabanda e naftës dhe kontrabanda e veprave të artit. Burimi i katërt është droga – katagoni që është një lloj metaamfetamine ose marijuana që SHI kultivon në Shqipëri. Ne kemi zgjedhur të mos thellohemi shumë në kuptimin e situatës dhe ta lexojmë atë në mënyrë sipërfaqësore si një përplasje qytetërimesh, kur në fakt kemi të bëjmë me një përplasje mes grupeve kriminale. Më parë ka pasur disa akuza të tilla edhe nga burime të tjera.

Kreu i Antimafias, Roberti: Po financohet radikalizmi

Prokurori i Antimafias italiane, Franco Roberti bëri të njëjtën deklaratë më 23 shkurt gjatë një vizite në Tiranë. Ai deklaroi se trafiku i drogës drejt Italisë është rritur me shpejtësi vitet e fundit, ndërsa foli për rrezikun që një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet mund të shkojë për të financuar radikalizmin islamik. Këto komente ai i bëri në përfundim të një takimi që pati me kryeprokurorin shqiptar, Adriatik Llalla dhe disa prokurorë të tjerë shqiptarë.
I shoqëruar dhe nga prokurorët e Barit, Lecces dhe Catanzaros, kreu i Antimafias italiane, Franco Roberti tha se vizita e tij në Tiranë kishte të bënte me nevojën “për të kuptuar, së bashku me kolegët shqiptarë se çfarë ka çuar në shumëfishimin e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë, si dhe të kuptonin se çfarë mund të bëjmë për të përmirësuar strategjitë tona të përbashkëta dhe bashkëpunimin tonë”.
Sipas tij një ndër shkaqet ai ka përmendur rritjen e kërkesës nga Italia, si dhe fakti se duke qenë se për trafikantët, importimi është më i lehtë se kultivimi i kanabisit në Itali, Shqipëria rezulton rruga më e favorshme.
Duke iu referuar të dhënave që ai tha se i kishte marrë nga prokurorët shqiptarë të Krimeve të Rënda dhe të Prokurorisë së Vlorës, në dy vitet e fundit trafiku i substancave narkotike drejt Italisë është trefishuar.
Ai foli dhe për rrezikun e lidhjeve mes narkotrafikut dhe aktiviteteve terroriste: “Është më shumë se sa një hipotezë investigative. Ne jemi të bindur, siç dhe e verifikuam, se të paktën një pjesë e të ardhurave të paligjshme nga trafiqet e drogës, ka mundësi të financojnë aktivitetet e radikalizmit islamik, pra potencialisht, aktivitetet terroriste”, u shpreh prokurori italian.
Së bashku me kryeprokurorin Llalla ata folën për një forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit dy palësh, si për hetime të përbashkëta ashtu dhe për shkëmbimin e shpejtë të informacionit. Pala italiane ka emëruar dhe një prokuror ndërlidhës në Tiranë.
“Sot interesi i përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë është që të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, gjithnjë e më shumë të ndërlidhur mes tyre. Për fat të keq, korrupsioni është një instrument i privilegjuar i krimit të organizuar, edhe për t’u infiltruar nëpër institucione, në administratën publike dhe në ekonominë e ligjshme”, deklaroi kreu i Antimafias italiane Roberti.
Për rreziqet që vijnë nga trafiku i drogës javë më parë foli dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borschardt. Në një intervistë për emisionin “Tonight”, në “Ora News”, duke iu referuar përhapjes së fenomemit të kultivimit të marijuanës vitin e kaluar, ai foli për më shumë se 2 miliardë euro para të pista në qarkullim nga ky aktivitet, duke u shprehur se, “ekziston risku se këto para mund të përdoren për të blerë deputetë”.

Në grahmat e fundit të pushtetit, Rama vijon kapjen e institucioneve

Ervin Koçi, ish-deputet i Partisë Socialiste u zgjodh dje kreu i Autoritetit Mbikëqyrës Financiar (AMF). Emërimi i tij në krye të AMF është një përpjekje e dëshpëruar e Ramës për të kapur edhe ato pak institucione që nuk ishin në kontrollin e mazhorancës. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku e ka cilësuar si skandaloz emërimin e Koçit dhe si dëshmi e vënies së të gjitha institucioneve të pavarura nën kontrollin direkt të Ramës. “Sot në krye të Agjencisë për Mbikëqyrjen Financiare është vendosur ish-deputeti i Partisë Socialiste. Nuk jam marrë e nuk merrem kurrë me kolegët, por uzurpimi politik i institucioneve të pavarura që ka ndodhur në këto 4 vite është i paprecedentë. Vendosja e ish-deputetit është një tregues i botëkuptimit totalitar që kryeministri ka për institucionet. Ai i mendon ato ose si objekt shantazhi ose si objekt miklimi. Të gjithë jemi në dijeni se, shkarkimi i drejtueses së djeshme të agjencisë nuk qe për arsye performance. Ish-kryetarja e Agjencisë u miratua vetëm një vit më parë me propozim të PS dhe në rezolutën e kaluar në Kuvend në dhjetor të vitit të kaluar, propozoheshin rekomandime për zbatim për tregun problematik të sigurimeve, por asnjë masë për ndërrimin e kreut. Pra, kush është arsyeja që kryeministri shkarkon ish-kryetaren dhe emëron ish-vartësin e tij? Asnjë arsye më shumë se sa kapja politike”, thekson Tabaku. Deputetja demokrate dënon gjithashtu mënyrën se si po trajtohen vendet e punës, ku aktualisht në prag të fushatës zgjedhore janë hapur 2500 vende pune me kontratat të parakohshme, një mjet ky për të blerë vullnetin e lirë të qytetarëve gjithashtu. “Sot, kapja politike e AMF është në vazhdën e kapjes politike të pjesës më të madhe të institucioneve të pavarura. Mbas Autoritetit të Medias, Autoritetit të Konkurencës, Komisionerit për të Dhënat Personale, Institutit të Statistikave dhe nisjes së procedurave për Avokatin e Popullit pa opozitën (ndryshe nga sa u veprua dje nga Partia Demokratike në qeverisje), radhën e pati dhe AMF. Në fillim të 2013, kur kryeministri premtonte majtas e djathtas, theksonte se djemtë e vajzat më të mira që kanë studiuar jashtë do të vijnë në krye të institucioneve të pavarura. Sigurisht, si shumë premtime të tjera dhe ky u harrua. Më i rëndësishëm është pushteti. Çdo gjë në funksion të tij. Sot administrata publike është mbushur me militantë partie, duke humbur kujtesën institucionale. Institucionet e pavarura drejtohen nga deputetë, vartës të kryeministrit apo dhe ish-funksionarë të lartë të PS. Krimi ndaj institucioneve vazhdon edhe sot, ku Rama Republika ka hapur para zgjedhjeve 2500 vende me kontratë 3-mujore në administratë”, thekson Tabaku. “Godinat publike janë shndërruar në selitë apo zyra të propagandës së pushtetit. Duke rikonfirmuar se qëllimi përfundimtar i kryeministrit është dhunimi i zgjedhjes, se kryeministri vuan nga ndjesia për të zgjeruar pushtetin e tij deri në institucionin e fundit që mban demokracinë në këmbë. Ai po përpiqet sot që nga zyra e tij të prodhojë edhe opozitën e re. Duke na kujtuar thënien e famshme të regjimit komunist, “I gjithë pushteti në dorë të sovjetëve”! Prandaj kjo duhet të ndryshojë! Përpjekja 46 ditore e shqiptarëve është akti më i guximshëm dhe qytetar për të rrëzuar autokracinë dhe mendësinë totalitare të qeverisë dhe rilindjes. Përpjekje që do të kulmojë me krijimin e demokracisë institucionale, që nuk do të jetë në shërbim të një pale, por në shërbim të qytetarëve. Kushdo që ka frikë nga kjo demokraci përpiqet të minojë institucionet dhe kërkesat legjitime të opozitës”, thekson Tabaku. Prej 8 vitesh deputet dhe me profesion ekonomist, Koçi u propozua nga qeveria për postin e lënë të lirë nga Enkelejda Shehi. Ai kaloi dhe votimin në Komisionin e Ekonomisë. Kandidatura e Ervin Koçit do të votohet në Kuvend në seancat e ardhshme. Ish-deputeti i Qarkut Fier dha dorëheqjen më 24 mars. Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve të Fierit, zoti Koçi linte të kuptohej se po dorëzonte mandatin e deputetit për të marrë një tjetër post të rëndësishëm: Ju informoj se tërhiqem nga të gjitha angazhimet e mia politike dhe do të aspiroj për të marrë përgjegjësi publike si një mundësi e re për të dhënë kontribut të mëtejshëm si dhe për të vazhduar zhvillimin profesional. Ish-kryetarja e AMF-së, Enkelejda Shehi u shkarkua nga detyra më 9 mars, pas rreth 5 vitesh në krye të institucionit. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e sistemit financiar jobankar dhe operatorëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë sektor.

A.Shahini

Raporti, të fundit për turizmin, na e kalojnë dhe vendet pa det

Sektori i turizmit në Shqipëri vazhdon të jetë i pazhvilluar dhe në nivelet më të ulëta se në çdo vend tjetër në rajon (po të përjashtojmë këtu Bosnje-Hercegovinën, e cila ka vetëm një dalje të ngushtë në det që ia ka dhënë Kroacia për arsye doganore dhe ekonomike, pra nuk llogaritet aspak si vend që ka turizëm detar). Pra, Shqipëria ka lënë mbrapa në këtë renditje vetëm Bosnjën, e cila nuk ka fare turizëm detar. Shqipëria renditet e 98-a nga 136 vende të marra në studim në raportin e Forumit Ekonomik Botëror për sa i përket indeksit të konkurrueshmërisë së turizmit. Megjithëse me një vijë të gjatë bregdetare dhe potencial për të zhvilluar turizmin, Shqipëria arrin t’ia kalojë vetëm Bosnje-Hercegovinës në rajon. Sipas treguesve në raportin e Forumit Ekonomik Botëror, Shqipëria është më pak konkurruese krahasuar me rajonin për sa u përket çmimeve, transportit ajror dhe burimeve natyrore dhe kulturore. Në dy kategoritë e fundit janë marrë në vlerësim numri i atraksioneve natyrore dhe kulturore të njohura si trashëgimi botërore, numri i specieve të njohura, zonat e mbrojtura, numri i stadiumeve dhe pallateve të sportit. Sipas të dhënave në raport, mbërritjet e turistëve ndërkombëtarë në Shqipëri përllogariten rreth 3.7 milionë, ku mesatarisht një turist shpenzon rreth 395 dollarë. Industria përbën 6% të PBB-së së vendit dhe në total janë të punësuar 51 mijë individë apo 5.5% të totalit të të punësuarve në vend. I renditur i pari nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi numëron 1.5 milionë turistë ndërkombëtarë, të cilët shpenzojnë mesatarisht 578 dollarë për turist. Në vendin fqinj, sektori i turizmit kontribuon në PBB-në e vendit me 11.3% dhe 10.3% e individëve janë të punësuar në turizëm.

Qeveria teknike, teknokracia përgjigje për krizën

Eleni QIRICI

Teknokracia është sistemi qeverisës dhe administrativ, i cili bazohet në autoritetin e dorëzuar tek teknicienë profesionistë, një formë qeverisëse e zbatuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që pas Luftës së Parë Botërore.
Është një formë qeverisjeje që bazohet në besimin e plotë se, progresi apo përparimi i aftësive/veçorive profesionale në të gjithë sektorët jetikë të vendit, shkencës dhe teknologjisë, bën që sistemi aktual i instaluar politik – shoqëror – ekonomik qeverisës të konsiderohet i vjetëruar. Në rastin tonë, ndoshta edhe i degraduar në disa drejtime specifike.
Teknokracia pra është në thelb një sistem politik dhe ekonomik që bazohet në aplikimin e drejtë dhe pa devijime të ligjit, mes profesionalizmit, ekspertizës dhe formës kategorike në vendimmarrje, udhëhequr nga qëllimi i ligjit dhe jo nga pasojat që sjell zbatimi i tij.
Është pra një sistem qeverisës politik apo ekonomik, në të cilin vendimet merren nga specialistë, profesionistë, që ushtrojnë aktivitetin e tyre, duke qenë të bazuar kryesisht mbi të dhënat korrente dhe mbi objektivat e vendosur me konsensus politik, mes një marrëveshje me pëlqimin e të gjitha palëve, duke marrë më pak parasysh faktorin njeri.
Teknokraci do të thotë qeverisje mes vetive dhe aftësive profesionale, në një kuadër strikt formash, rregullash, veprimesh, ndërhyrjesh, në ndryshim nga qeverisja mes koncepteve, pikëpamjeve, si për shembull:
– Diktatura (qeverisja mes pikëpamjeve të një individi);
– Aristokracia (qeverisja mes pikëpamjeve të klasës më të lartë);
– Plutokracia (qeverisja mes pikëpamjeve të më të pasurve); apo
– Demokracia (qeverisja mes pikëpamjeve të të gjithëve).
Demokracia, ndonëse është sistemi më i shumëpranuar, më i pëlqyeri dhe i votuari, më humani dhe progresivi, në momente të caktuara na vërteton se është sistem i cënueshëm. Teksa përballemi me një fenomen të tillë, një prej formave që rehabiliton sistemin, është krijimi i Qeverisë teknike.
Jemi në rastin tipik, Demokracia sot në Shqipëri është e cënuar. Demokracia është e mbërthyer nga një krizë e thellë politike, sociale dhe ekonomike, ndaj dhe ka të nevojshme më shumë se kurrë, krijimin e një Qeverie teknike, drejtimin mes saj, për një periudhë të caktuar kohore, në shërbim të rikthimit në mirëfunksionim të demokracisë së cënuar, deri dhe në rrezik legjitimiteti, me pasoja mbi banorët e këtij vendi, si dhe mbi vetë shtetin.
Një vend i kapur, pushtuar, mbërthyer, ndoshta në rrezik zaptimi nga ekonomia e nëndheshme e bazuar tek:
*narko-kultivimi dhe narko trafiku;
*konçesionet e pakontrolluara, të pastudiura përsa i përket vazhdimësisë, qëndrueshmërisë, efektivitetit dhe efiçiencës së tyre, që duhet të kenë objektiv fundor, jo thjesht dhe vetëm fitimet e konçensionarit, por duhet të kenë objektiv përfitimet direkte dhe indirekte që burojnë prej tyre tek nënshtetasit shqiptarë dhe vetë shtetit shqiptar;
*korrupsioni në administratën publike që ndikon direkt në të ardhurat e çdo nënshtetasi shqiptar dhe përkeqësimin e nivelit të jetesës së çdokujt dhe,
*kriminalizimi i ligjvënësit dhe ligjzbatuesit,
janë sirena e alarmit për çdo politikan të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm, për t’i mëshuar faktit të krijimit sa më shpejt të një Qeverie teknike.
Qeveria teknike nuk është momenti i shpëtimit, por i kthesës përfundimtare për të zhbërë keqfunksionimin e sistemit dhe fillimin e instalimit të mirëfunksionimit të mekanizmit “shtet” në drejtim vertikal dhe horizontal të hierarkisë së pushteteve të ndërvarur, mes ekspertizës dhe profesionalizmit, me busull ligjin ekzistues dhe zbatimin e tij rigoroz për këdo, për kudo, për çfarëdo, gjatë gjithë kohës.
Shqipëria sot, mendoj se nuk ka nevojë për zgjedhje më shumë, sesa ka nevojë për Qeveri teknike.
Ia vlen të bëjmë zgjedhje nën pushtetin dhe hijen e narkotrafikut fillimisht? Apo ia vlen të krijojmë një Qeveri teknike që do i vendosë barrierë narkotrafikut për të mos ndërhyrë në proçesin zgjedhor, duke i blerë, duke i tjetërsuar, duke i cënuar zgjedhjet?
Ia vlen të bëjmë zgjedhje nën pushtetin e të kriminalizuarve në ligjvënës dhe në ligjzbatues fillimisht? Apo ia vlen të krijojmë një Qeveri teknike që do i çojë para ligjit të gjithë ata që janë subjekt dhe objekt i ligjit të dekriminalizimit?
Ia vlen të bëjmë zgjedhje monopartiake pa opozitën? Apo ia vlen që mes një Qeverie teknike të sigurojnë zgjedhje pranë, ndoshta shumë pranë standardeve europiane?
Ne të gjithë e kemi një përgjigje.
Qeveria teknike – Teknokracia përgjigje për krizën.

Republika e kukullave

Lulzim Basha

Ekonomia shqiptare është shkatërruar nga një qeveri e lidhur me krimin dhe nga pushtetarë të korruptuar kokë e këmbë.
Sepse gjendja ekonomike e vendit para së gjithash është rezultat i një komploti të madh kundër qytetarëve shqiptarë.
Republika e vjetër është komploti më i madh kundër qytetarëve shqiptarë në 100 vitet e fundit. Është republika e maskave, republika e kukullave që bëjnë teatër nga mëngjesi në darkë në mënyrë që të vjedhin, të zhvasin nga xhepat e pasuritë e shqiptarëve, nga mëngjesi deri në darkë.
Republika e vjetër është një komplot kundër çdo qytetari i ri apo i moshuar, me shkollë të lartë apo me arsim të mesëm, i punësuar, i papunë apo biznesmen i ndershëm. Republika e vjetër, mos harroni, është një komplot kundër gjithsecilit prej jush, kundër ju të gjithëve bashkë, kundër popullit shqiptar!
Por para se të jetë një komplot politik, republika e vjetër është një komplot ekonomik.
Si mundet ndryshe të mbahet në pushtet një klikë, një grusht njerëzish që rrit taksat, që me paratë e taksave të rritura nuk bën asnjë investim që ndihmon ekonominë, nuk hap asnjë vend të ri pune. Por për shkak të taksave të rritura mbyll qindra mijëra biznese, 27 mijë për të qenë të saktë vetëm në një vit – sikur të marrim nga 1 të punësuar, 27 mijë familje shqiptare vetëm në një vit kanë humbur të ardhurat si rezultat i komplotit ekonomik – i taksave të larta të republikës së vjetër dhe qeverisë së inkriminuar të Edi Ramës.
Asnjë vend të ri pune, rritje pagash zero dhe në fakt me pseudorritjen e premtuar nuk shlyhet as 1/3 e efektit gërryes të inflacionit, pra të rritjes së çmimeve që ulin fuqinë blerëse të shqiptarëve, qofshin të punësuar në sektorin publik, qofshin të vetëpunësuar apo punësuar në sektorin privat.
Vende pune jo. Investime ekonomike që rrisin ekonominë jo. Rritje pagash dhe pensionesh jo.
Vetëm rritje taksash dhe rritje të kostove kryesore të ekonomisë, siç është nafta, siç është energjia elektrike, siç është uji i pijshëm, siç janë çmimet bazë të shportës dhe ushqimeve të shportës.
Ky është komploti ekonomik që drejtohet kundër çdo babai dhe kundër çdo nëne, kundër çdo fëmije shqiptar, kundër çdo të moshuari dhe çdo të moshuare.
Sepse, me paratë e taksave të rritura, me paratë e çmimit të rritur të naftës dhe të energjisë elektrike, me të vërtetë.
Nuk bëhen investime që t’ju ndihmojnë ju dhe përmirësojnë jetën tuaj;
Nuk financohet shëndetësia që të jetë më e gatshme, më e aftë, më e përgatitur dhe më e mirëpajisur për të ndihmuar pacientët tanë dhe familjarët e tyre;
Nuk ndihmohet rinia, e cila sot nuk paguan më pak, por paguan më shumë për t’u futur në universitete;
Nuk ndihmohen pensionistët, të cilët me pensionin e sotëm blejnë më pak se para 4 vitesh;
Me të vërtetë nuk ndihmohet askush nga qytetarët e thjeshtë;
Por ju e dini, pasurohen në mënyrë marramendëse një grusht njerëzish, të cilët janë një grusht pushtetarësh, një grusht oligarkësh, një grusht pronarësh mediash që kanë për detyrë të shfaqin teatrin e kukullave nga mëngjesi deri në darkë dhe një grusht kriminelësh të lidhur me ta. Kjo është kupola e republikës së vjetër. Kjo është qeveria e krimit dhe korrupsionit.
Biznesi i vogël, sipërmarrja e vogël dhe e mesme është shtylla, kolona kurrizore e ekonomisë shqiptare. Mbi 80% e prodhimit shqiptar, e atij që e quajmë Prodhimi i Brendshëm Bruto, vjen si rezultat i biznesit të vogël, i sipërmarrjes së vogël dhe natyrisht i fermave dhe i fermerëve shqiptarë.
Është pra, jo vetëm kolona e ekonomisë shqiptare, por dhe kolona e punësimit të shqiptarëve, kolonë e burimit të të ardhurave, të rrogave. Pra, kolonë e mirëqenies, sigurisht në kushtet normale të një ekonomie normale dhe të një shteti funksional. Sot, biznesi i vogël është në ditën e tij më të zezë dhe këtë ju e dëgjuat dhe e dini vetë. Sepse shumë prej jush jeni marrë apo merreni apo keni të afërm, miq të njohur kushërinj komshinj, të cilët nuk e fshehin dot më gjendjen e mjeruar të sipërmarrjes së vogël apo të mesme, gjendjen e mjeruar të sipërmarrjes shqiptare në tërësi.
Gjendja e sipërmarrjes është e lidhur drejtpërdrejt me gjendjen e ekonomisë, pra me gjendjen ekonomike të qytetarëve shqiptarë.
Sa më mirë sipërmarrja, aq më mirë ekonomia, aq më shumë vende pune ka, aq më mirë paguhen të punësuarit. Aq më mirë konkurrojnë mallrat, shërbimet, me cilësi dhe me çmime. Sa më keq sipërmarrja, sa më e keqe klima e biznesit, aq më keq ekonomia, aq më pak vende pune hapen, në fakt, vendet e punës mbyllen dhe vendet ekzistuese të punës nuk kanë asnjë siguri për nesër.
Pagat mbeten në vendnumëro, që do të thotë se në kushtet e inflacionit, fuqia e shqiptarëve bie.
Ky është realiteti që ju e njihni fare mirë, përfaqësues të biznesit dhe të sipërmarrjes folën këtu dhe ata që vijnë e flasin në këtë çadër, të lirë e pa frikë, përfaqësojnë në fakt realitetin e qindra mijëra sipërmarrësve dhe të punësuarve anembanë Shqipërisë.
Nuk dua të ndalem gjatë me ekspozimin e një të vërtete, e njeh, e sheh çdokush, e provon në lëkurë, çdokush me përjashtim të atij që fshihet prapa fasadës së pushtetit të korruptuar e të inkriminuar.

SKANDALI/ Si po vihet nën kontroll politik AMF

Çfarë po ndodh me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare? A po vendoset nën kontroll politik një institucion, i cili duhet të garantojë lirinë e tregut të sigurimeve? Të gjitha të dhënat të çojnë në një emërues të përbashkët: Po, AMF s’mund të jetë e pavarur në përfaqësim. Deri tani ka qenë, por nuk do të jetë më me përfaqësimin e ri. Pse? Le t’i marrim gjërat me radhë. Para pak javësh, Kuvendi shkarkoi Enkelejda Shehin që mbante detyrën e drejtueses së AMF.
Sapo në skenë doli kërkesa për largimin e saj, u duk nën dritën e diellit “pazari” që po bëhej me këtë institucion. Për të zëvendësuar Shehin, maskat e qeverisë si ministri i Financave, Arben Ahmetaj, konia e Ramës, Taulant Balla, si dhe vampiri i tregut të sigurimeve që në fillimet e tij, Anastas Angjeli, kanë vendosur një përfaqësues politik. Të gjitha këto lëvizje bëhen në funksion të lidhjeve okulte të ministrit të Financave dhe deputetit Balla dhe vampirit të sigurimeve Angjeli, për të hapur kompani sigurimesh dhe për të vjedhur paratë e qytetarëve. Ky grup i strukturuar korruptiv dhe tejet i rrezikshëm është duke përgatitur letrat për t’u futur në tregun e sigurimeve dhe më pas paratë të ndahen mes tyre, kumbarit Ahmetaj, sekserit Balla dhe vampirit Angjeli.
Nën lobingun e këtyre personave, Qeveria ka propozuar ish-deputetin Ervin Koçi si anëtar të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë dhe funksionin e drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit për periudhën e mbetur deri në mbarim të mandatit të filluar nga Shehi. Koçi dha dorëheqjen si deputet në Kuvendin e Shqipërisë për të marrë detyrën e re. Kandidatura e tij do të votohet seancën e sotme plenare. Por këtu lind edhe shkelja ligjore. Pasi sipas nenit 5 të Ligjit Nr. 9572, datë 3.7.2006 “PËR AUTORITETIN E MBIKËQYRJES FINANCIARE, pika 3, 4 dhe 5 përcaktojnë qartë atë çfarë nuk mund të përfaqësojë zoti Koçi si anëtar bordi. Sipas këtij neni, anëtari i bordit duhet të jetë “me përvojë profesionale të paktën 7-vjeçare, nga e cila, të paktën, 5 vjet në njërën nga këto fusha ose në disa prej tyre të marra së bashku: a) financë-kontabilitet; b) administrim i shoqërive tregtare; c) këshillim ligjor i shoqërive tregtare; ç) hartim legjislacioni; d) shkencë e aktuarëve; dh) sigurime shoqërore dhe pensione. Me integritet moral dhe profesional dhe “Të paangazhuar në funksione drejtuese partiake”. A i plotëson këto kritere anëtari më i ri i bordit që pritet të jetë dhe kryetar i AMF deri në mbarim të mandatit të nisur nga e shkarkuara Shehi?
Detyra e drejtuesit të AMF-së, është një detyrë tejet e rëndësishme dhe në këtë kuadër historikisht është zgjedhur një figurë teknike dhe jo politike. Deri tani. Por për efekt vendimesh korruptive, siç treguam, disa figura të PS-së kanë vendosur ta thyejnë këtë rregull, duke e vënë AMF-në në shërbimin e tyre. Për këtë arsye, ne si opozitë e kundërshtojmë ashpër këtë vendim korruptiv. Aq më tepër që me anë të kësaj skeme korruptive, jo vetëm pasurohen në mënyrë të paligjshme, Ahmetaj, Balla dhe Angjeli, por ky emërim është në dëm të qytetarëve shqiptarë. Në këtë mënyrë, ne premtojmë betejë kundër emërimit, duke u shprehur të bindur se do ta rrëzojmë këtë emërim në Gjykatën Kushtetuese.

Arben SHAHINI

Tahiri e Çipa zhdukin dokumenta sekrete nga kasaforta e Policisë

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Ardian Çipa, kanë zhdukur dokumenta tepër sekrete nga kasaforta e Ministrisë së Brendshme. Denoncimi i këtij skandali shtetëror është bërë nga një komisar policie, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, në kasafortën e Ministrisë së Brendshme, Ardian Çipa dhe Saje qorri kanë vjedhur dokumentat super sekrete, ndërsa Xhafa dhe Çako përpiqen të fshehin zhdukjen e dokumentave. Berisha i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit të ndërhyjë me urgjencë për të prerë duart e krimit në dokumentat supersekrete të luftës kundër tij dhe të vendosë para ligjit autorët e këtij akti të rëndë kriminal, për të cilët e gjithë Policia e Shtetit flet dhe ka dijeni!
“Komisari dixhital informon zhdukjen e 28 dokumentave super sekrete për krimin, nga kasaforta super sekrete e Policisë së Shtetit. Në ministri të gjithë e dinë se ato i kanë vjedhur Ardian Çipa dhe Saje qorri. Xhafa-Çako përpiqen të fshehin zhdukjen e dokumenteve.
I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të ndërhyjë me urgjencë për të prerë duart e krimit në dokumentat super sekrete të luftës kundër tij dhe të vendosë para ligjit autorët e këtij akti të rëndë kriminal, për të cilët e gjithë Policia e Shtetit flet dhe ka dijeni!”, shkruan Berisha, duke publikuar edhe mesazhin e komisarit të policisë.
“Mirëdita Doktor, desha t’iu informoj se te Drejtoria e Krimit të Organizuar ku është Ardian Çipa kanë humbur 28 shkresa tejet të rëndësishme me siglën tepër sekret. Për këtë zhdukje të dokumentave top sekret, të cilat ruhen në kasaforta me kode tepër sekret dhe që hapen vetëm në prani të drejtorit Çipa, kanë një javë që kanë pezulluar vetëm nivele të ulëta drejtimi. Të gjithë e dinë se mbrapa kësaj vjedhje qendrojnë direkt Tahiri dhe Çipa, pasi bëhet fjalë për informacion të klasifikuar tepër sekret. Ju lutem shumë bëjeni publike, sepse Xhafa dhe Çako po bëjnë presion të madh për të mbyllur skandalin”, shkruan komisari i policisë.

Pse nuk reagon Ministria e Brendshme?

Ministria e Brendshme nuk bëri asnjë reagim pas publikimit të skandalit nga ish-Kryeministri Berisha për zhdukjen e dokumentave sekrete nga kasaforta e Policisë së Shtetit. Po ashtu as nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk pati asnjë reagim për këtë superskandal shtetëror. Mosreagimi i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit tregon se dokumentat sekrete janë vjedhur qëllimisht për të zhdukur gjurmët e krimeve. Për të larë duart nga ky superskandal, janë pezulluar nga puna disa punonjës policie, që nuk kanë patur asnjë lidhje me zhdukjen e dokumentave sekrete, sepse ato ruhen në kasafortën që hapet vetëm me kod sekret në prani të ministrit dhe drejtorit të Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
Vjedhja e dokumentave sekrete është bërë qëllimisht nga Tahiri dhe Çipa për të zhdukur gjurmët e krimeve. Në zhdukjen e dokumentave sekrete është përdorur e njëjta skemë si në rastin e djegies së Laboratorit të Kriminalistikës në fillm të muajit nëntor të vitit 2015, ku u zhdukën provat e drogës të sekuestruara nga Prokuroria. Pas zhdukjes së monstrave të drogës së sekuestruar u lanë të lirë trafikantët e drogës, të cilët kishin bashkëpunuar me krerët e policisë për trafikimin jashtë shtetit.
Policia pranoi rënien e zjarrit, por deklaroi se kishte patur vetëm dëmtim të kabujve elektrikë në katin e dytë të godinës të Laboratorin Shkencor. Ndërsa fotografitë e publikuara nga ish-Kryeministri Berisha tregonin se zjarri kishte rënë në korridorin ku ndodhej droga dhe dosjet kriminale. Një oficer policie i shkruajti Berishës atëherë se, nga zjarri i qëllimshëm u dogjën 240 kg drogë dhe 49 dosje të krimeve të rënda.
Berisha ishte informuar nga një oficer policie, sipas të cilit, natën, çunat e krimit i kanë vënë në katin e dytë zjarrin Laboratorit të Policisë Shkencore, ku mbaheshin dhe shqyrtohen provat e narkotikëve dhe dokumentat më të rëndësishme të dosjeve të bandave, përfishirë këtu dëshmitë e shumta për lidhjen me krimin dhe bandat e trafiqeve të Tahirit.

Si u dogjën provat në Laboratorin e Policisë Shkencore

Në fillim të muajit nëntor të vitit 2015 iu vu zjarri qëllimisht Laboratorit të Policisë Shkencore për të zhdukur provat e drogës me qëllim lirimin nga burgu të trafikantëve. Policia bëri të ditur atëherë se zjarri ishte shkaktuar nga një llampë, por pas hetimeve të Prokurorisë rezultoi se zjarri ishte i qëllimshëm. Si pasojë e zjarrit u dogjën të gjitha provat me qëllim pushimin e 30 dosjeve penale dhe lirimin nga burgu të 12 trafikantëve të drogës. Burime nga Prokuroria bënë të ditur atëherë se ishin djegur mostratat e disa aksioneve të fundit të ndërmarra nga Policia. Burimet nga Prokuroria thanë se, janë djegur rreth 20 mostra, të cilat janë marrë si prova në aksione të ndryshme.
Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 240 kg hashash, sasi këto të paketuar dhe vendosur në qese plastmasi me cilësinë e provës materiale, së bashku me vendimin e Prokurorisë për kryerjen e akt-ekspertimeve të lëndës së sekuestruar. Hetuesit thanë se, zjarri që ka shkrumbuar të gjitha këto prova që ishin vendosur në korridor për shkak të mungesës së hapësirës.
Vënia e zjarrit në Laboratorin e Policisë Shkencore, u denoncua fillimisht nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili deklaroi se zjarri ishte i qëllimshëm për të zhdukur provat e drogës së konfiskuar në disa operacione të fundit. Më pas, ky superskandal u denoncua publikisht edhe nga ish-Kryeministri Berisha, i cili publikoi në rrjetin social Facebook një foto ku dukej qartë djegia e Laboratorit të Policisë Shkencore. Pas këtyre deklaratave, reagoi edhe Policia e Shtetit, e cila pranoi rënien e zjarrit në Laboratorin Shkencor.

R.POLISI