14.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Nëntor, 2025

54 kg kokainë dhe armë nga Shqipëria bllokohen në Itali

Policia italiane sekuestroi dje 54 kg kokainë dhe armë në dy operacione dhe vuri në pranga katër shqiptarë. Mediat italiane shkruajnë, se dyshohet se droga dhe armët janë futur nga Shqipëria. Fillimisht policia italiane sekuestroi 44 kg kokainë në Romë dhe vuri në pranga një 45-vjeçar shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Në momentin që shqiptari ka parë policinë përpara, ka tentuar që të ikë me vrap, por është kapur nga agjentët. Drogën, ai e kishte ndarë në ‘bukë’ dhe e kishte fshehur në vende të ndryshme të makinës së tij rregulluar posaçërisht për trafik. Pas arrestimit është bërë edhe një kontroll në banesë, ku i janë gjetur edhe 150 mijë euro dhe dy pistoleta të mbushura, gati për t’u përdorur.
Po ditën e djeshme në një tjetër operacion, policia italiane sekuestroi rreth 10 kg kokainë e heroinë. Droga është sekuestruar nga karabinierët e Chieti-t në Itali, të cilët kanë arrestuar edhe tre shqiptarë. Në pranga janë vënë Armando Greca, 25 vjeç, Moris Greca 21 vjeç e Amendea Japuaj 23 vjeçe. Zyrtarë të policisë italiane i kanë bërë publike detajet e operacionit, pasditen e djeshme. Droga, sipas karabinierëve, nëse do të hidhej në treg do të gjeneronte rreth 1 milion euro.
Efektivët kanë kryer një kontroll rutinë në makinën tip “Smart For Tëo” që drejtohej nga Moris Greca, ku u gjetën 900 gr kokainë e cilësisë së lartë, të ndara në dy paketime. Ajo që i ngjalli dyshime agjentëve ishte sjellja nervoze e të riut.
Automjeti i 21-vjeçarit ndiqej nga afër nga një tjetër makinë, nën drejtimin e së cilës ishte kushëriri i Morisit, Armando, me precedentë të mëparshëm për drogë. Efektivët kanë kryer një kontroll në banesën ku dy të rinjtë jetonin me qira në komunën “Francavilla al Mare”.
Aty ishte edhe e dashura e Morisit, Amendea Jaupaj, e cila ishte lënë në shtëpi për të ruajtur sasinë prej 9 kg heroinë, shkruajnë mediat italiane. Droga u gjet brenda një valixheje. Sasia e drogës u sekuestrua, ndërsa tre të rinjtë shqiptarë u arrestuan me akuzën e posedimit të drogës me qëllim trafikimin dhe u dërguan në paraburgim, në burgun e “Madonna del Freddo”.
Droga shpërndahej si pica. Dorëzohej nëpër shtëpitë e Romës Veriore. Dozat e porositura me telefon dorëzoheshin me makina. Në pranga kanë përfunduar 5 shtetas shqiptarë mes 22 dhe 50 vjeçëve, të cilët akuzohen për shpërndarje droge. Hetimi zbuloi përgjegjësitë e qarta të pesë anëtarëve të grupit të shqiptarëve, të cilët vepronin me role të mirëpërcaktuara në ambientet e furnizimit dhe shpërndarjes së kokainës në Romën e Veriut, shkruan “Il messaggero”.
I gjithë aktiviteti i paligjshëm menaxhohej nëpërmjet një “call center” të vërtetë, i vendosur fizikisht në një apartament në Riano (RM), ku “operatorët” brenda në shtëpi, merrnin kërkesa telefonike nga shumë blerës të zonës së Romës së Veriut, i jepnin udhëzime anëtarëve të tjerë të grupit, (secili me një kompetencë territoriale të përcaktuar mirë) në mënyrë që të bëheshin dërgesat e drogës.
Të ashtuquajturit ‘kuaj’ për dorëzime, kishin në përdorim mjete, të cilat u sekuestruan në operacion, të pajisura me funde të dyfishta të përgatitura për të fshehur drogën që do u shitej konsumatorëve.
Midis tyre, ishte një makinë brenda së cilës kishte pasur një ndarje fikse në kroskot, që hapej vetëm nëpërmjet futjes së marshit indietro. Gjatë fazës së ekzekutimeve të ndalimeve është arrestuar një 25-vjeçare, partnere e një prej të dyshuarve, pasi në shtëpinë e saj u gjetën 870 gram kokainë e fshehur në një ndarje në kuzhinë. Kontrollet e kryera në shtëpitë e 5 shqiptarëve kanë nxjerrë edhe 24 mijë euro, që dyshohet se kishin ardhur nga aktiviteti kriminal.

R.POLISI

Negociatat e Ramës me Metën, edhe PDIU kundër zgjedhjeve pa opozitën

Pas 90 minutash qëndrimi në zyrën e kryetarit të parlamentit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama u largua për të vijuar bisedat me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Ky është takimi i dytë mes dy udhëheqësve të koalicionit qeverisës, pas darkës të dielës. Por në mes të këtij harku kohor shumë gjëra kanë ndryshuar. Të hënën LSI-ja doli me propozime konkrete që pavarësisht terminologjisë, ishin në linjë me kërkesat e opozitës: një “Qeveri besimi”ku zoti Rama mund të jetë kryeministër vetëm nëse arrin të bindë opozitën, dhe paralajmërimi i qartë se zgjedhjet pa opozitën do të ishin një farsë në të cilën LSI-ja nuk pranon të bëhet palë.
I njejti qëndrim u mbajt mbrëmë dhe nga deputetja Mesila Doda, e PDIU-së, aleatit tjetër të së majtës, duke kufizuar në këtë mënyrë dhe më shumë zgjidhjet e kryeministrit. Ky i fundit, u përgjigj dje me tone të moderuara ndaj LSI-së, por bëri të qartë gjithashtu se nuk tërhiqet e për pasojë zgjedhjet do të duhet të mbahen më 18 qershor dhe se cështja e qeverisë është e lidhur me vullnetin e shumicës që e ka zgjedhur.
Se çfarë kanë biseduar sot të dy drejtuesit kryesor të së majtës kjo është e paqartë, por mesa duket palët kanë lënë ende hapësira për diskutime. Zoti Rama pati konsultime me një sërë bashkëpunëtorësh të tij, dhe pas mesditës në godinën e qeverisë hyri dhe Petrit Vasili, përfaqësues i lartë i LSI-së dhe i pranishëm dhe në darkën mes kryeministrit dhe zotit Meta.
Marrëdhëniet mes dy partnerëve janë në pikën më të ulët, dhe ndarjet janë shumë të thella. Propozimet e LSI-së nuk lënë shumë shtigje zgjidhjesh alternative, sikundër dhe pozicioni i zotit Rama. Megjithatë duket sikur ka një përpjekje për të shpëtuar martesën e tyre të vështirë nga një divorc përfundimtar.
Ndoshta kësaj i druhet opozita e cila dje nuk shfaqi ndonjë entuziazëm për qëndrimin e zotit Meta, ndërsa sot kreu i saj Basha theksoi se nëse do të ketë dialog ai nuk do të jetë një pazar i pisët mes politikanësh të shumicës dhe opozitës, “por do të jetë dialogu politik që përmes standardit europian për zgjedhje të lira dhe të ndershme – themeli i gjithçkaje – përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do ti japë fund njëherë e përgjithmonë republikës së vjetër, rrugëve të vjetra, mënyrave të vjetra dhe gjithçkaje të kalbëzuar në këtë vend”, nënvizoi zoti Basha.

2 ton drogë në tunelin e ushtrisë, Gjykata le në burg pronarin e tokës

Gjykata ka dhënë dje masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Andreja Gjinaj për sekuestrimin e 2 ton droge në një tunel ushtrie në fshatin Rreth-Baz në Mat, i dyshuari ka deklaruar se lëndën narkotike dhe një armë tip automatik e ka gjetur rreth një muaji më parë në breg të lumit dhe e ka transportuar tek prona që e kishte marrë me qira për mbjelljen e prodhimeve bujqësore.
Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Matit ka rezultuar se: Më datë 02.04.2017, në një konstruksion metalik (konteiner), si edhe në një tunel të ndodhur në fshatin Rreth-Baz, Bashkia Mat, janë gjetur një sasi e konsiderueshme lënde bimore, e dyshuar lëndë narkotike, në sasinë 2 ton e 69 kg, si dhe një armë zjarri e llojit automatik.
Rezulton se konstruksioni metalik, si dhe tuneli në fjalë ndodhet në tokën në pronësi të shtetasit S. D.
Në lidhje me këtë ngjarje, shtetasi S. D. ka deklaruar se është i vërtetë fakti se ai ka në pronësinë e tij një pasuri të ndodhur në fshatin Rreth-Baz, Bashkia Mat, por këtë pronë, prej rreth një viti, ia ka dhënë me qira shtetasit Andreja Gjinaj.
Edhe shtetasi Andreja Gjinaj ka shpjeguar se ai ka marrë me qira para rreth një viti tokën në pronësi të shtetasit S. D. Në këtë pronë, në momentin që ai e ka marrë me qira, ka qenë si konteineri metalik, ashtu edhe tuneli.
Përsa i përket lëndës bimore, e cila dyshohet të jetë lëndë narkotike, si edhe armën e zjarrit të llojit automatik model 56, kalibër 7.62 mm, ai ka shpjeguar se i ka gjetur në breg të lumit para rreth një muaji. Ai i ka transportuar që nga vendi ku i ka gjetur për tek prona që kishte marrë me qira dhe i ka futur brenda në konteiner, si edhe në tunel.
Në bazë të hetimeve paraprake, Prokuroria e Matit dyshon se shtetasi Andreja Gjinaj ka konsumuar veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim; dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

Futet heroinë në burgun e Drenovës

Një sasi prej rreth 12 gram drogë e llojit heroinë është gjetur brenda ambienteve të burgut të Drenovës në Korçë. Bëhet e ditur se rreth orës 24:00 pas mesnatës së djeshme, është ndërmarrë një operacion blic pranë këtij institucioni. “Nga kontrolli është konstatuar një sasi prej rreth 10-12 gram lëndë narkotike e dyshuar heroinë e fshehur në tualetin e dhomës së takimeve me familjarët. Menjëherë pas konstatimit të lëndës narkotike janë kryer veprimet e para proceduriale si dhe është njoftuar Policia e Korçës si dhe Prokuroria e Rrethit”, thuhet në komunikatë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pas lajmit të raportuar se në burgun e Drenovës është gjetur një sasi lënde narkotike. Përmes një komunikate ky institucion sqaron ngjarjen.
E vërteta e sasisë së kapur qëndron krejt ndryshe. Pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative, strukturat e specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në bashkpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, rreth orës 12 pas mesnatës së djeshme kanë ndërmarrë një operacion blic pranë kësaj IEVP. Nga kontrolli është konstatuar një sasi prej rreth 10-12 gram lënde narkotike e dyshuar heroinë e fshehur në tualetin e dhomës së takimeve me familjarët.
Menjëherë pas konstatimit të lëndës narkotike janë kryer veprimet e para proceduariale si dhe është njoftuar Policia e Korçës si dhe Prokuroria e Rrethit. Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve u mor në mënyrë të menjëhershme masa e pezullimit të shefit të Policisë së IEVP Drenovë si dhe e disa punonjësve të tjerë të policisë.
Ndërkohë vijojnë hetimet nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për rastin në fjalë si dhe për nxjerrjen e përgjegjësive. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, duke falenderuar mediat për pasqyrimin e rastit, ju bën me dije se është në interesin dypalësh pasqyrimi i versionit zyrtar të vërtetë dhe jo i teorive të pavërteta.

Skandal, pacientët në dorë të infermierëve ngelës e me leje të falsifikuar

Studentët e Mjekësisë dhe Mësuesisë duhet t’i nënshtrohen provimit të shtetit, që të mund të marrin licencën e të ushtrojnë profesionin e tyre. Por dy infermierë në Fier, Gjergji Nazo dhe Eraldo Mekolli, nuk e kanë kaluar provimin e shtetit dhe janë në punë. Drejtori i Urdhrit të Infermierëve, Sabri Skënderi thotë se ka lëshuar leje provizore 1-vjeçare. Por në Qendrën Shëndetësore Nr. 3 në Fier, ku punojnë Nazo dhe Mekolli, ata kanë dorëzuar leje definitive 5-vjeçare.
Emisioni investigativ “STOP” mësoi se lejet e tyre janë të falsifikuara dhe Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet për këtë çështje. Gazetarët e emisionit “STOP” iu drejtuan Agjencisë Kombëtare të Provimeve, ku studentët e Mjekësisë dhe Mësuesisë i nënshtrohen provimit të shtetit. Drejtoresha e AKP, Rezana Vrapi, tregon se personat, të cilët nuk janë të pajisur me licencë nuk kanë të drejtën e ushtrimit të profesionit. “Nëse studentët rezultojnë me më pak se 50 pikë nuk mund të pajisen me licencë, pasi totali i pikëve të provimit është 100”.
Drejtori i Urdhërit të Infermierit, Sabri Skënderi thotë se Gjergji Nazo dhe Eraldo Mekolli janë të pajisur me një leje provizore 1-vjeçare për të ushtruar profesionin e infermierit.
“Gjergji Nazo dhe Eraldo Mekolli i janë nënshtruar 2 herë provimit dhe janë rrëzuar”. Ndërkohë, Gjergji Nazo dhe Eraldo Mekolli punojnë në Qendrën Shëndetësore Nr.3 në Fier.
Problemi rezulton shumë herë më i madh nga çfarë ishte konstatuar në fillim. Dy infermierët kanë falsifikuar lejen e ushtrimit të profesionit. Madje, Prokuroria e Fierit ka nisur një procedim penal për Gjergji Nazon.
Drejtoresha: “Ja, kjo është, kanë ardhur, që unë e kam protokolluar shkresën në datën 8 Shtator 2016, kanë lënë procesverbalin për sekuestrimin e sendeve nga oficeri i policisë, filani. Shkrimi pak jo i qartë dhe nuk e lexoj dot për momentin. Kështu që kanë ardhur me vendimin e prokurorit. Sendet e gjetura vlerësohen si prova materiale ose sende të lidhura në një vepër dhe janë këto”.
Shefi i Burimeve Njerëzore pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë Fier thotë se, fenomeni i falsifikimit të Urdhërit të Infermierit është shumë më i madh. Shumë infermierë ushtrojnë profesionin me leje të falsifikuar dhe pa marrë provimin e shtetit pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
“Ka disa emra në të gjithë rrethin e Fierit në Qendrat Shëndetësore me probleme të tilla dhe Prokuroria i ka sekuestruar dhe këto dy dosje edhe nëpër qendra të tjera”.
Gazetarët e emisionit “STOP” shkuan pranë Prokurorisë së qytetit të Fierit dhe kërkuan që të dalin në një vendim sa më të shpejtë, pasi këta infermierë kanë kontakt të përditshëm me pacientë të ndryshëm, të cilëve mund edhe t’ua rëndojnë shëndetin nga paaftësia e tyre për të ushtruar këtë profesion.

Ish të pëndjekurit: Filmat propagandistikë të diktaturës nxisin urrejtjen

Ish te perndjekur politike, duke protestuar ne Bulevardin "Deshmoret e Kombit", ne diten e 100 vjetorit te lindjes se diktatorit komunist Enver Hoxha, ku kane kerkuar hapjen e dosjeve te krimineleve te kohes se diktatures dhe denimet e tyre.

Shoqatat e ish të përndjekurve politikë i janë drejtuar me një letër instancave më të larta shtetërore për të ndaluar shfaqjen e filmave propagandistikë të diktaturës komuniste. “Ditët e fundit në vendin tonë është hapur debati në opinionin publik për transmetimin apo jo të filmave të diktaturës. Këta filma propagandistikë të diktaturës komuniste nxisin urrejtjen midis shqiptarëve, u bëjnë jehonë gjyqeve të Partisë së Punës, që shajnë dhe fyejnë shtresën e persekutuar politike, fenë dhe besimet fetare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vatikanin, Britaninë e Madhe dhe vendet perëndimore si dhe ngrenë lart në piedestal figurën e diktatorit dhe regjimin komunist. Këto filma duke u parë nga shikuesit sidomos brezi i ri mbajnë gjallë dhe aktivizojnë kanalin nostalgjik të komunizmit”, thuhet në letrën e shoqatave të ish të përndjekurve politikë.
“Këto filma janë edhe një fyerje e madhe për shtresën tonë të përndjekurve politikë, që na paraqesin neve si armiq të klasës, të popullit, të partisë, shërbëtorë të imperializmit, të borgjezisë dhe të shërbimeve sekrete të huaja etj., duke cenuar integritetin moral të shtresës tonë. Këto filma të diktaturës janë një ridënim për ne, kur mijëra familje nuk kanë gjetur eshtrat e njerëzve të tyre të pushkatuar nga diktatura komuniste si dhe na rikujtojnë xhelatët dhe torturat.
Ata që kanë përjetuar komunizmin e dinë shumë mirë që nuk është ashtu siç jepet nëpër këto filma ku pulat, vezët e ushqimet jepeshin me tollona, ku nuk kishte ilaçe dhe fëmijët e vegjël vdisnin për një antibiotik, ku nënat rrinin gjithë natën në radhë për të blerë një shishe qumësht, ku rinia riedukohej nëpërmjet aksioneve apo zboreve ushtarake apo duke lexuar librat e diktatorit, po të kaloje kufirin të vrisnin sikur të ishe kafshë e egër dhe ngjarje të pabesueshme.
I harruan këto gjëra drejtuesit dhe stafi i stacioneve televizive që po të ishte sot në fuqi regjimi i kaluar ndoshta do të ishin punëtorë të thjeshtë dhe të varfër pa makina dhe shtëpi luksoze.
Diktatori komunist e konsideronte kinematografinësi artileri e rëndë e regjimit të tij për të shkatërruar dhe helmuar mendjen e njerëzve. Eshtë ky diktator që në fjalimet e tij shante dhe fyente SHBA, Vatikanin dhe vendet perëndimore, gjoja si vende armike të Shqipërisë, kur sot ato janë aleatët më strategjikë dhe vendet më mike të vendit tonë”, thuhet më tej.
Shoqatat e ish të përndjekurve politikë shprehen se, filmat nuk mund të zhduken, sepse ata janë pjesë e arkivave dhe objekte studimi. Ato duhet të kenë të drejtën e autorit dhe janë trashëgimi shtetërore. Shoqëria e sotme demokratike nuk duhet të qëndrojë indiferente ndaj transmetimit të tyre, sepse këto filma janë në kundërshtim më parimet e Kushtetutës së Shqipërisë. Kjo sepse këto filma janë megafona të propagandës së Partisë së Punës, që po ringjallin dhe ripërtërijnë nostalgjinë për diktatorin, diktaturën dhe realitetin e shtetit totalitar komunist. Shikimi i tyre nga rinia dhe fëmijët është tepër i dëmshëm.
“Duhen seleksionuar një pjesë jo e vogël filmash me shkallë më të pakët propagande dhe me vlera të spikatura artistike, duke e shoqëruar para shfaqjes me një bisedë në studio ku të tregohen vlerat negative të tyre. Duhet të veprohet me ligj që të parandalojmë propagandën komuniste në mënyrë që të distancohemi nga e shkuara diktatoriale komuniste ashtu siç bënë të gjitha ish-vendet komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore si Polonia, Gjermania, Çekia, Hungaria etj.
Si përfundim të gjitha shoqatat tona të Ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë edhe në përkrahje të Institutit të Studimeve të Krimeve Komuniste etj., kërkojmë të ndalohet transmetimi i filamve propagandistikë të diktaturës komuniste në stacionet televizive të vendit tonë”, thuhet ndër të tjera.

Pushojnë nga puna burrë e grua për motive politike dhe i heqin pensionin vjehrrës

Një qytetare nga Mati ka denoncuar pushimin e saj nga puna si infermiere, pushimin e burrit nga OSHEE dhe heqjen e pensionit të vjehrrës së saj për motive politike. Infermierja Albana Lika i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku e informon për pushimet nga puna të saj dhe të burrit pa asnjë shkak vetëm për motive politike.
“Qytetarja dixhitale denoncon: Persekutimin e egër politik të një familje, në të cilën OSHEE pushon bashkëshortin për motive politike. DSHP pushon bashkëshorten infermiere nga detyra për motive politike. Vjehrrës pas 18 vitesh i hiqet pensioni. Familja me 5 vetë me zero të ardhura. Ndaj padrejtësisë nuk reagon asnjë institucion i shtetit kanabist!”, shkruan Berisha në Facebook.
“Mirëmbrëma Dr Berisha, të kam shkruar në Instagram direkt dhe me sugjeruat t’iu shkruaj këtu. Po ua rishkruaj shqetësimin tim; Mirdita Dr. Berisha, duke shpresuar që jeni pikërisht ju e nëse më lejon të marr pak nga koha dhe vëmendja juaj e vyer dua të ndaj me ty një shqetësim timin besoj i shumti në nr… në Shqipërinë tonë. Unë quhem Albana Lika me profesion infermiere, nënë e dy fëmijëve të mitur, bashkëshortja e besoj e të vetmit PD-ist në rrethin e Matit besnik e të pa përlyer në parti të tjera. Këtë të fundit ndoshta nuk e shpreha në gjuhën e politikës fushë të cilën nuk e njoh, nuk e kam studiuar. Influenca e tim shoqi në politikë sipas këtyre në pushtet (t’më falësh pasi nuk di si t’i quaj realisht nuk kanë emër) më kanë hequr nga puna si infermiere në DSHP urdhër politik. Këtë të fundit nuk arrij akoma ta konceptoj kur shkollën, punën i kam fituar me konkurs. Vij nga një familje ku kontribuojmë për shkollim dhe punësim me dinjitet por ja që nuk ndodh kështu. Këtu në Mat u mjaftoka një Kasap ku pasi shkarkoi 54 punonjës në OSHE ka ndikim dhe në institucione të tjera një ndër këto dhee DSHP (Drejtoria e Shëndetit Publik Mat) me drejtuese Drita Lalaj. Shkarkim pa asnjë motivacion ligjor, pa asnjë lajmërim në shkrim krejtësisht politik (ku e kam denoncuar në Stop “Tv Klan”).
Do të lutesha të marrësh në konsideratë dhimbje të tilla si pasojë të dëmit ekonomik nga këto shkarkime nga puna. Unë dua vetëm të punoj t’iu vij në ndihmë fëmijëve me nevoja speciale, pasi jam kualifikuar dhe në këtë fushë. Me shumë respekt Albana Porja Lika. Do të lutesha të marrësh në konsideratë dhimbje të tilla si pasojë të dëmit ekonomik nga këto shkarkime nga puna.
Theksoj se pasi hoqën tim shoq Besim Lika (jurist OSHE), i hoqën vjehrrës sime pensionin pas 18 vitesh pensioniste, pastaj më hoqën mua. Nuk di në mund të gjej një arsye të më heqin nga shkolla vajzën 9-vjeçare meqë e ka bekuar Zoti vajzën këtyre prindërve.
E kam depozituar ankimimin tim në këto institucione; UISH
Avokati i Popullit MSH
Komisioni i Diskriminimit , institucione të cilat nuk e ushtruan funksionin e tyre ligjor, por provuan qartazi që janë politizuar që nga roja i godinës e gjer tek ato të autorizuar me ligj për shqyrtimin e dosjes sime”, shkruan qytetarja Albana Lika.

Refuzojmë llokmat dhe karriget në pazaret e krimit/Ditët e fundit të Ramës në qeveri. Asnjë pazar me kauzën e zgjedhjeve

Kryetari i opozitës ka shpalosur dje në ditën e 47 të protestës së opozitës një pjesë të planit të Ramës për të kompromentuar dialogun politik, si dhe joshjen që do të tentohet t’i bëhet opozitës me llokma të pushtetit. Basha tha se të gjitha këto do të hidhen në koshin e plehrave dhe nuk do të ketë pazar që do të mund të ngrihet mbi kauzën e protestës dhe lëvizjes popullore për zgjedhje të lira përmes një qeverie teknike me objektiva të qarta në luftën ndaj bandave dhe drogës.
“Republika e vjetër do të shpresojë që, përmes një dialogu fasadë, të arrijmë zgjidhje fasadë, ku Partia Demokratike dhe opozita të bëhen pjesë e teatrit të kukullave në shkëmbim të pazareve, në emër jo të interesave të shqiptarëve, por të interesave të kupolës. Me pak fjalë, që Partia Demokratike dhe opozita të marrë karriget e saj dhe llokmat e saj në kupolën kriminale të republikës së vjetër. Kjo është shpresa, ky është projekti”, tha Basha.
Kryetari i opozitës i ka bërë paralajmërime të tilla për të ruajtur kompaktësinë e kauzës së protestës dhe interesave të saj, të cilat do të jenë të palëkundura dhe me besim të plotë tek Basha. Ai është shprehur se projektin do ta shpalosë gjatë orëve të ardhshme, ndonëse nuk ka dhënë detaje të shumta në lidhje me këto oferta.
“Disa prej jush e dinë këtë. Orët në vijim do ta shpalosin këtë para jush. Komploti i republikës së vjetër mbështetet nga autorët e këtij mjerimi dhe komploti ekonomik, që është kryeministri aktual dhe çeta e tij politike, por edhe nga oligarkët që janë mësuar të vjelin miliona jo përmes punës së ndershme po përmes tenderave korruptivë dhe koncesioneve që nuk duan të mbarojnë dhe nga kriminelët që duan të vazhdojnë ta mbjellin Shqipërinë me drogë e ta mbajnë Shqipërinë një pikë kyçe të trafikut të heroinës dhe kokainës. Dhe nga pronarët e mediave të korruptuara, të cilat janë një pjesë e korporatës që përfiton milionat e shqiptarëve duke treguar gënjeshtra nga mëngjesi në darkë. Dhe po ashtu, një grushti avokatësh ndërkombëtarë të kësaj qeverie që paguhen me paratë e korrupsionit dhe paratë e narkomafias shqiptare”, tha Basha.
Kryetari i PD e ka bërë të qartë se sfida është shumë e fortë se përballë nuk është thjesht dhe vetëm një individ, por një aleancë që kalon kufijtë e mazhorancës, duke u njehsuar me avokatët ndërkombëtarë që paguhen me paratë e drogës tek mediat e kapura nga pushteti dhe tek krimi i organizuar.
“Ky është një rreshtim impresionues. Politikanë me pushtet, oligarkë me miliarda, kriminelë me kobure, pronarë mediash që kanë pothuaj të gjitha ekranet dhe gazetat e Shqipërisë, të gjithë bashkë. Por unë u them se: sot, njësoj si këto 47 ditë dhe më shumë se ditën e parë të kësaj lëvizje, jam po aq i vendosur dhe më i inkurajuar se kurrë, sepse e di që në këtë përballje nuk përfaqësoj as hallin tim, as interesat e mia dhe as interesat politike të ngushta të një partie politike, por përfaqësoj interesat dhe shpresat e gjithë shqiptarëve të ndershëm, të cilët janë forca dhe siguria, të cilët janë bekimi i republikës së re që po vjen.
Ndaj, nëse, do të ketë dialog politik që e kemi kërkuar që prej ditës së parë, ky dialog politik nuk do të kthehet kurrë në një pazar të pistë të disa politikanëve të opozitës me disa politikanë të mazhorancës që të vazhdojë komploti ekonomik, që të vazhdojë komploti politik, që të vazhdojë republika e vjetër, që të vazhdojë mashtrimi, dështimi, vjedhja, papunësia”, tha Basha.
Kreu i opozitës është shprehur vetëm për një dialog të një standardi europian që do të garantojë çlirimin e vendit nga republika e vjetër.
“Por do të jetë dialogu politik që përmes standardit europian për zgjedhje të lira dhe të ndershme – themeli i gjithçkaje – përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë republikës së vjetër, rrugëve të vjetra, mënyrave të vjetra dhe gjithçkaje të kalbëzuar në këtë vend që mban peng interesat, mban peng shpresat, mban peng zhvillimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ky është mandati që ju i keni dhënë opozitës, ky është mandati që i keni dhënë Lulzim Bashës më 18 shkurt.
Dhe ky mandat, do të përfaqësohet me seriozitet, përgjegjësi dhe vendosmëri në çdo dialog politik, nga i cili nuk do të kthehem kurrë me fitore për veten time, me fitore për partinë time, por vetëm me fitoren për Shqipërinë, për shqiptarët, për Republikën e re”, tha Basha.

Republika e vjetër kërkon status quo

Kryetari i opozitës deklaron se në këtë betejë 47-ditore të protestës dhe lëvizjes popullore nga njëra anë dhe pushtetit të krimit nga ana tjetër qëndrojnë dy botë të ndryshme. E para, synon të rrëzojë status quo-në e shndërrimit të Shqipërisë në delen e zezë të Europës për krimin e organizuar, drogës dhe mungesën e demokracisë dhe tjetra ta mbajë atë në këmbë duke pasur sërish pushtet për të vjedhur shqiptarët përmes tenderave dhe koncesioneve.
“Detyra aktuale e republikës së vjetër është të ruajë këtë gjendje, të ruajë dhe të mbrojë me çdo kusht e me çdo çmim këtë status quo. Sepse kjo është status quo-ja, kjo është gjendja që u siguron atyre pushtetin politik dhe përmes pushtetit politik, pasuritë dhe pasurimin e tyre kriminal dhe të jashtëligjshëm që të vazhdojnë të rrisin taksat, të vazhdojnë të vjedhin përmes tenderave që i marrin vetëm oligarkët e lidhur me Edi Ramën, të vazhdojnë të vjedhin përmes koncesioneve fantazmë që janë skemat e marrjes së pikës së fundit të gjakut nga konsumatorët dhe qytetarët shqiptarë.
Që të vazhdojnë të vjedhin e zaptojnë e të grabisin pasuritë publike të Shqipërisë e shqiptarëve, minierat, bregdetin, naftën, gjithçka që duhet dhe mund të prodhonte mirëqenie dhe të mira materiale për shqiptarët, por në fakt nuk i prodhon, sepse i vjedh kupola e republikës së vjetër, kupola e republikës së vjetër nuk do të ndalet para asgjëje që t’i ruajë privilegjet dhe mundësitë për të vazhduar të vjedhë shqiptarët, për të vazhduar t’i trajtojë shqiptarët si një tufë delesh.
Kjo është republika e vjetër. Mos harroni, përballë kemi një kupolë kriminale. Qeveria, qeveritarët, kryeministri Edi Rama janë kriminelë dhe hajdutë, janë përfaqësuesit e republikës së vjetër, janë padronët e republikës së vjetër dhe ata kanë një mision, të mbajnë me çdo kusht pushtetin që të vazhdojnë të vjedhin me çdo kusht Shqipërinë”, tha Basha.

Bashkimi popullor, makthi i Ramës

Përballë një aleance të krimit të organizuar i vetmi rrezik i republikës së vjetër është revolta popullore dhe çadra e protestës. Basha u shpreh se nuk mund të ketë më një teatër me kukulla politike, por vetëm një përballje të fortë me republikën e vjetër. Lëvizja popullore e nisur më 18 shkurt nuk do të ndalet deri në realizimin e plotë të kërkesave që tashmë janë artikuluar nga kryetari i opozitës Basha.
“E vetmja forcë, i vetmi rrezik, e vetmja mundësi për t’u përballur me këtë gjendje aktuale, me këtë republikë të vjetër, me këtë komplot politik dhe ekonomik ndaj gjithsecilit prej shqiptarëve të djathtë e të majtë, e vetmja forcë për t’u përballur, e vetmja forcë që mund ta ndalë, e vetmja forcë që mund ta përmbysë, jeni ju, është bashkimi i qytetarëve shqiptarë.
Ja pse bashkimi popullor i 18 shkurtit dhe protesta non stop në këtë çadër të lirisë është makthi dhe tmerri i Edi Ramës dhe i kupolës së republikës së vjetër. Sepse për herë të parë në këto katër vite shfaqja me kukulla ka marrë fund dhe populli është bashkuar për të marrë në dorë fatet e tij.
Për herë të parë, interesat e republikës së vjetër kërcënohen, kërcënohet pushteti i tyre. Sepse bashkimi popullor ka deklaruar dhe ka marrë vendim se as nuk do të hyjë dhe as nuk do të pranojë dhe as nuk do të lejojë zgjedhje fasadë, zgjedhje të teatrit të kukullave, zgjedhje për republikën e vjetër, zgjedhje për politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar.
Se ne jemi këtu me një zotim për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje për qytetarët, zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje për republikën e re. Kjo betejë ka ardhur duke u ngritur nga dita në ditë dhe sot e gjithë këtë javë ndodhemi në një javë vendimtare të zhvillimeve”, tha Basha.

Komploti më i rëndë i republikës së vjetër ndaj qytetarëve, është ai ekonomik

Kryetari Lulzim Basha bashkëbisedoi me sipërmarrës, përfaqësues shoqatash dhe pronarë biznesesh të falimentuara, për shkak të situatës ekonomike në vend. Ata denoncuan faktin se ndodhen pranë falimentimit për shkak të rritjes së taksave dhe gjobitjeve selektive. Këtë e konfirmoi edhe Bujar Muço, nënkryetar i shoqatës së biznesit të vogël e të mesëm në Shqipëri duke theksuar se qeveria i trajton bizneset jo si partner, por si kundërshtarë.
Gjatë bisedës shtimi në numër, mbivendosja dhe rritja e taksave u identifikua nga sipërmarrësit e vegjël si problem kryesor. Si shembull, Lefter Troja, ish-pronar i një biznesi të vogël duralumini dha taksën e tabelës, taksën për shkollat e reja, e cila u taksohet si në familje edhe në biznes qytetarëve sot. Bujar Pula, sipërmarrës me pronësi një bar-kafe sot ndodhet pranë falimentimit. Ai theksoi se hapësira publike paguhet 10 herë më shtrenjtë se katër vite më parë.
Nikollaq Neranxi, sipërmarrës dhe kryetar i shoqatës për mbrojtjen e tregtarëve tha se ekonomia shqiptare dhe bizneset sot janë më në rrezik se kurrë. Ai argumentoi se bizneset shpesh gjenden të akuzuar për rritjen e çmimit të produkteve që ofrojnë për konsumatorin, por shkak i kësaj janë rritja e çmimit të shportës për çdo shqiptar. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, rritja e çmimit të naftës, rritja e çmimit të TVSH në më të lartin në rajon, taksa mbi ndërtesën dhe shumë të tjera të dyfishuara përgjatë katër viteve të Rilindjes në pushtet.
Kreu i shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesëm për Tiranën, Antonio Likaj, theksoi se fuqia blerëse e shqiptarëve ka rënë me 40%, gjë që ka ulur ndjeshëm xhiron e bizneseve, të cilat sot taksohen edhe më shtrenjtë se dje dhe gjobiten padrejtësisht. Situata bëhet e papërballueshme, sidomos për bizneset e vogla, kur taksidarët vendosin gjoba represive dhe selektive. Rasti i Lefter Trojës me biznes duralumini, ilustroi hallin e sipërmarrësve, të cilët gjobiten padrejtësisht nga shteti. Kreu i shoqatës së biznesit të vogël e të mesëm për Shqipërinë, Albert Nasko denoncoi ato që i quajti “fushata represive të task forcave të shtetit”. Mbi 20 mijë biznese janë mbyllur vetëm në vitin e fundit në Shqipëri, gjë e cila do të thotë se minimalisht 20 mijë të papunë i ka sjellë kjo qeveri Shqipërisë vetëm në një vit.
Kreu demokrat, Lulzim Basha tha se biznesi i vogël dhe i mesëm janë shtylla e ekonomisë shqiptare dhe kolonë punësimi për shqiptarët.
“Biznesi i vogël, sipërmarrja e vogël dhe e mesme është shtylla, kolona kurrizore e ekonomisë shqiptare. Mbi 80% e prodhimit shqiptar, e atij që e quajmë Prodhimi i Brendshëm Bruto vjen si rezultat i biznesit të vogël, i sipërmarrjes së vogël dhe natyrisht i fermave dhe i fermerëve shqiptarë. Është pra, jo vetëm kolona e ekonomisë shqiptare, por dhe kolonë e punësimit të shqiptarëve, kolonë e burimit të të ardhurave, të rrogave. Kolonë e mirëqenies, sigurisht në kushtet normale të një ekonomie normale dhe të një shteti funksional. Sa më mirë sipërmarrja aq më mirë ekonomia”.
Zoti Basha tha se nëse pagat dhe pensionet e shqiptarëve nuk rriten, në kushtet e inflacionit, fuqia blerëse e shqiptarëve bie dhe ky është i gjithi rezultat i një komploti të bërë në kurriz të shqiptarëve.
“Asnjë vend të ri pune, rritje pagash zero dhe në fakt me pseudorritjen e premtuar, nuk shlyhet as 1/3 e efektit gërryes të inflacionit, pra të rritjes së çmimeve që ulin fuqinë blerëse të shqiptarëve, qofshin të punësuar në sektorin publik, qofshin të vetëpunësuar apo punësuar në sektorin privat. Ekonomia shqiptare është shkatërruar nga një qeveri e lidhur me krimin dhe nga pushtetarë të korruptuar kokë e këmbë. Por gjendja ekonomike e vendit para së gjithash është rezultat i një komploti të madh kundër qytetarëve shqiptarë. Para se të jetë një komplot politik, republika e vjetër është një komplot ekonomik”, tha Basha.
Z. Lulzim Basha theksoi se kupola e Republikës së vjetër nuk do të ndalet përpara asgjëje që t’i ruajë privilegjet e saj, ndaj shqiptarët e bashkuar prej 47 ditësh janë frika e kësaj qeverie.
“Për herë të parë në këto katër vite, shfaqja me kukulla ka marrë fund dhe populli është bashkuar për të marrë në dorë fatet e tij. Për herë të parë, interesat e republikës së vjetër kërcënohen sepse kërcënohet pushteti i tyre, sepse bashkimi popullor ka deklaruar dhe ka marrë vendim se as nuk nuk do të hyjë as nuk do të lejojë zgjedhje fasadë, zgjedhje të teatrit të kukullave, zgjedhje për politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar. Ne jemi këtu me një zotim për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje për qytetarët, zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje për Republikën e re”.
Zoti Basha tha se kjo do të jetë një javë vendimtare për të ardhmen e vendit, gjatë të cilës republika e vjetër do të provojë të mbijetojë. Kryedemokrati ritheksoi vendosmërinë e tij për të mos pranuar pazare politike në emër të pushtetit.
“Republika e vjetër do të shpresojë që përmes një dialogu fasadë të arrijmë zgjidhje fasadë, ku Partia Demokratike dhe opozita të bëhen pjesë e teatrit të kukullave në shkëmbim të pazareve në emër jo të interesave të shqiptarëve. Nëse do të ketë dialog politik, që e kemi kërkuar që prej ditës së parë, ky dialog politik nuk do të kthehet kurrë në një pazar të pistë të disa politikanëve të opozitës me disa politikanë të mazhorancës, që të vazhdojë komploti ekonomik, politik. Por, do të jetë dialogu politik që përmes standardit europian për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë republikës së vjetër, rrugëve të vjetra  dhe gjithçkaje të kalbëzuar në këtë vend që mban peng interesat, shpresat, mban peng zhvillimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
Lulzim Basha i premtoi qytetarëve se nga çdo dialog i mundshëm politik për zgjidhjen e krizës do të përfaqësojë kërkesat e popullit me seriozitet dhe nuk do të kthehet kurrë pa siguruar fitoren e kauzës së qytetarëve.

Çadra si simbol i shtëpisë së lirisë

Nga Azgan Haklaj

Partia Demokratike dhe ansambli i opozitarizmit shqiptar, të përndjekurit politikë, rinia, intelektualët, veteranët dhe mbarë shqiptarët në të katër anët kanë mbi 7 javë që kanë jetësuar protestën më të gjatë, më madhështore në tërë historinë e shtetit shqiptar. Të vendosur përpara godinës me maskë të qeverisë, simbol të korrupsionit dhe krimit të organizuar e të mafies politike, qytetarët shqiptarë janë të vendosur t’i thonë jo zgjedhjeve të bandës politike në pushtet, baronëve të drogës e të krimit të organizuar, republikës së hashashit e të palmave, t’i thonë boll më, largohu qeverisë së varfërisë që i ka çuar banorët e këtij vendi në kufijtë e mbijetesës. Rama Ik!
Teksa dëgjoja Kryeministrin e vendit z. Rama, të parin dhe të fundit në historinë e Evropës që banon në një bunker-shtëpi të blinduar duke u tallur me çadrën e protestuesve m’u kujtua historia e profetëve dhe e perandorëve, burrështetasve të shquar të historisë së njerëzimit dhe mendova: a ka lexuar ndonjë faqe nga kronikat e lashta e të reja ky zotëri?
Nga profeti Moisi te Aleksandri i Madh, për Pirron apo Kirin, Jul Qezarin apo Gjergj Kastriotin. Në çadra bashkë me shtabet e tyre kanë qëndruar korifejtë që kanë ndryshuar fatet e botës. Aleksandri i Madh, Pirroja i Epirit, Gjergj Kastrioti, Ali Pashë Tepelena para se të hynin në betejë kërcenin bashkë me luftëtarët për t’ua hequr emocionet. Ju e quani tallava atë çadër lirie, ku po përplasen dy botë, e shkuara dhe e ardhmja. E shkuara jeni ju z. Kryeministër, e ardhmja është Republika e re që po lind. E nesërmja e Shqipërisë euroatlanike me një qeveri siç thoshte Abraham Linkolni nga populli, e popullit, për popullin po vjen. Verdikti i sovranit ka vendosur: qeveri teknike me bazë të gjerë politike, zgjedhje të lira dhe të ndershme, Kryeministër Lulzim Basha. PD dhe opozita kanë hyrë në çadër për një betejë e kauzë të shtrenjtë e të shenjtë ta kthejnë çadrën që ju guxoni të talleni z. Kryeministër në një Krujë të dytë.
Mbi bedenat e kësaj kështjelle lirie valëvitet çdo ditë madhështor flamuri i Skënderbeut. Kjo nuk është betejë me shtiza, shpata apo topa, por një betejë e qytetarëve të lirë, të cilët të udhëhequr nga lidershipi i opozitës janë të vendosur në qëndresën e tyre stoike të mbjellin dhe të konsolidojnë institucionin bazë të shtetit të së drejtës, votën e lirë. Kjo betejë do t’i tregojë vendin qeverisë më të korruptuar, më të inkriminuar, më të papërgjegjshme të historisë kombëtare. Shqiptarët do ta shembin republikën e kanabisit, që e ka shndërruar Shqipërinë në Kolumbinë e Evropës. Republika e re po lind sipas modelit evropian të qytetarëve të lirë e të barabartë para ligjit. Shteti i së drejtës po vjen, ku njerëzit të jetojnë të sigurtë, me dinjitet e mirëqenie jo të mbajtur peng nga shteti mafioz apo të marrin rrugët e botës nga mjerimi dhe frika e së nesërmes. Ajo, të cilës Rama dhe banda e tij mafioze ia kishin frikën tashmë është realitet i hidhur për qeverinë e drogës dhe trafiqeve, për hajdutët dhe vrasësit me imunitet, për kriminelët e jakave të bardha. Ata po jetojnë orët e fundit në ngrehinën e tyre, shtëpinë e krimit, e cila u projektua 4 vjet më parë më dt. 1 prill. Simbolika e kësaj dite, e cila është e pagëzuar si dita e rrenave tregon qartë e pa ekuivok filozofinë politike e moralin e “rilindjes” mavi të binomit oligarkik, Rama-Meta.
Marrëveshja e turpshme e 1 prillit Rama-Meta tregon qartazi se ata i mban bashkë oktapodi kriminal me bashkautorësi dhe se shtyrja tinëzare për pak më vonë e çertifikimit të kësaj ujdie të re është pazar hipotekor dypalësh për të mbajtur në këmbë njëri-tjetrin. Çadra e protestës së opozitës shqiptare ka hyrë në javën e tetë të saj dhe është shndërruar tashmë në një kala të pamposhtur lirie. Ashtu si Kruja e Shkodra, ashtu si Verduni i Francës e Çana- kalaja e Turqisë në Luftën e Parë Botërore. Dje z. Basha i tregoi mbështetësve të tij qëndrestarë, qeverisë dhe aleatëve ndërkombëtarë se populli shqiptar është i gatshëm të ngrihet në lartësinë dhe dinjitetin e tij kombëtar e historik të mos pranojë asnjë marrëveshje politike që nuk garanton dekriminalizimin e plotë të Parlamentit, qeverisë, institucioneve të shtetit dhe në mënyrë të veçantë të drejtësisë.
Ky aksion i madh politik i PD dhe opozitës që e mbështet nuk ka kthim mbrapa dhe është i destinuar të kurorëzohet me fitore historike për të gjithë shqiptarët. Lulzim Basha ka folur dje jo vetëm me staturën e kryetarit të opozitës dhe të kryeministrit të ardhshëm, por me elokuencën brilante, me vendosmërinë dhe admirimin për protestuesit ka veshur mantelin e lirisë, të ideatorit dhe arkitektit të Republikës së re. 2 prilli është dita në të cilën 26 vjet më parē Shkodra, metropoli i qëndresës, historisë së qytetërimit e demokracisë u skuq me gjakun e Arben Brocit, e të shokëve të tij martirë. Shkodra, emblema e Shqipërisë ua ktheu shpejt përgjigjen kmerëve të kuq, klikës komuniste me fitoren spektakolare më 22 mars 1992 duke e kthyer qytetin krenar të Teutës, Gentit, Balshajve, Bushatllinjve, Mjedës e Gurakuqit, Hodo Sokolit e Kazazëve në bastionin më të fuqishëm antikomunist të Evropës. Sot çdo shqiptar në trojet tona etnike ka të drejtën legjitime të ndihet krenar e të thotë: Nderim e mirënjohje të përjetshme Shkodrës e martirëve të saj.
2 prilli dhe gjaku i derdhur për liri e demokraci është apel e thirrje për vazhdimin e qëndresës. Protesta e gjatë, e vendosur dhe heroike e burrave dhe grave, djemve dhe vajzave nga të katër anët e vendit ka marrë tashmë përtej politikës një karakter kombëtar. Protesta është e pandalshme dhe e vendosur deri në fitore. Kjo çadër madhështore me të cilën Rama guxon të tallet madje në mënyrë cinike i jep leje opozitës të varë veten, nuk është vendosur rastësisht në sheshin “Nënë Tereza”. Nëse Rama nuk dëgjon zërin e sovranit për t’u larguar e për t’i hapur rrugë një qeverie teknike me bazë të gjerë politike, me mandat kushtetues e kohë të mjaftueshme për të garantuar dekriminalizimin e politikës, të drejtësisë dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, nëse Rama ka fobi për Shën Terezën e sjelljen tereziste të protestuesve atëherë opozita do t’i drejtohet Sheshit Skënderbej. Rama e di mirë fundin e atyre që u përballën me Gjergj Kastriotin. Kur bien ministrat e qeveritë ngrihen kombet thoshte Napoleon Bonaparti. Rama ik! Hap krah e mos na pengo në rrugën tonë evropiane. Është urdhër i prerë i sovranit.

Si epitaf mbi varrin e konsensusit vullnetmirë

Oerd BYLYKBASHI

Mbushen 15 vjet nga marrëveshja historike politike Berisha-Nano e 5 prillit 2002, e cila pati për dëshmitarë edhe dy ambasadorë që lanë gjurmën e tyre në vendosjen e konsensualitetit politik në Shqipëri, gjermanin Geert Ahrens i OSBE dhe danezin Jorgen Grunnet i Këshillit të Europës.
Me atë marrëveshje që u parapri nga 5 muaj negociata konfidenciale dhe publike (22 shkurt 2002 dhe 17 mars 2002) ku kam patur fatin të marr pjesë, mori fund kriza politike e zgjedhjeve të masakruara e të vjedhura të viteve 2000 dhe 2001 dhe kriza e zgjedhjes së presidentit me vota të një mazhorance të vjedhur dhe u vendos fillimi i reformës konsensuale zgjedhore, zgjedhja konsensuale e presidentit, ndryshimi i Prokurorit të Përgjithshëm dhe shefit të SHISH.
‎Ajo ishte marrëveshja që shtroi rrugën për një dekadë reformash dhe politike, kushtetuese dhe ligjore konsensuale, e cila u mbyll për fat të keq me miratimin me konsensus të Kodit Zgjedhor në 2012. Ishin ato reforma kushtetuese dhe ligjore që stabilizuan vendin dhe mundësuan MSA, anëtarësimin në NATO, pranimin e aplikimit për anëtarësim në BE, liberalizimin e vizave, siguroi rotacionin politik paqësor të 2005 dhe atë të 2013‎. Ky i fundit siguroi edhe statusin e vendit kandidat.
Rama nuk arriti kurrë të prodhonte konsensus të tillë. Mbeti një lojtar i kësaj loje, maksimumi një mesfushor, por nuk arriti kurrë të ishte protagonisti i barabartë i një konsensusi politik. Asnjëherë nuk pati kurajën të nënshkruante një marrëveshje politike me kundërshtarin e tij. Por ta linte me kaq, përsëri do të ishte mirë.
Përkundrazi, në katër vitet e fundit ‎bëri ç’mos që ta shkatërronte konsensualitetin në politikë.‎ E nisi në 2013 me prishjen e paktit kushtetues për të mos futur kriminelë në Parlament e politikë vetëm e vetëm që të merrte pushtet. Vazhdoi me reformën e njëanshme territoriale që kishte vetëm qëllim elektoral për kapjen e pushtetit dhe me të cilën shkatërroi një nga themelet e stabilitetit politik e demokratik, vazhdoi më tej me reformën e njëanshme të drejtësisë ku theu edhe konsensusin kushtetues të 22 korrikut 2016, dhe e përmbylli me mosbërjen e një reforme konsensuale zgjedhore, për herë të parë pas 15 vitesh.
Ndokush mund të thotë se këto reforma patën bekim ndërkombëtar. Po, e mbështetur, asistuar dhe bekuar nga ndërkombëtarët ishte edhe reforma e njëanshme zgjedhore e 2000 që ishte po aq e rëndësishme sa ç’është sot Reforma në Drejtësi e 2016. Ajo reformë i dha të gjithë kontrollin e zgjedhjeve qeverisë socialiste, prodhoi katastrofat e zgjedhjeve lokale të 2000 dhe Dushkun dhe masakrën e zgjedhjeve të 2001. Më pas iu deshën 10 vjet ndërkombëtarëve të tjerë të stabilizonin gabimin e reformës së vitit 2000. Nëse nuk mësojmë vetë nga historia, historia ta jep leksionin me forma të tjera.
Kjo është trashëgimia politike e Ramës që e sheh veten reformator me kazëm dhe qysqi në dorë. Ky përvjetor e nxjerr zbuluar këtë kazmaxhi që bën marrëveshje vetëm kur është i dobët ose në hall, përndryshe i vë kazmën çdo gjëje të arritur me besim e konsensus. Ky përvjetor e tmerron Ramën sot kur Opozita dhe aleatët e tij po i kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme‎ të bëra nga një qeveri teknike, ku ai nuk do të jetë kryeministër.
Sot është gjithmonë e më i vetmuar, dhe duke i mbyllur derën arsyes, i ka mbyllur derën edhe konsensusit të gjerë që do risjellë normalitetin, stabilitetin dhe rikthimin në rrugën e integrimit si vend pa krim, drogë e pa korrupsion. E kujt i duhet një kryeministër i tillë, që krihet në “pasqyrën magjike” të 1 milion votave të shkuara e të konsumuara dhe pyet pasqyrën kush është më e bukura e mbretërisë?
Marrëveshja Berisha-Nano e 2002 sot e ka mbaruar funksionin e saj. Madje trashëgimia e saj është vrarë nga Rama dhe të gjithë ata që e bënë mbret, e mbajtën mbret dhe e sollën deri në këtë derexhe, pavarësisht pendesave. ‎Sot më shumë se kurrë, është nevoja për një konsensus të ri që bazohet mbi moral dhe parime. Atij që konsensusi i duket antivlerë apo diçka e keqe dhe e dëmshme, duke perifrazuar Oscar Wild, bën mirë të riekzaminojë ndërgjegjen e tij, sepse me siguri diçka i është qelbur në shpirt!
Të gjitha këto “pseudoreforma” të Ramës në 4 vitet e fundit, të cilat kanë dërrmuar apo rrënuar kolonat dhe themelet e Kushtetutës dhe kanë deformuar përfundimisht arkitekturën e saj, bashkë me vrasjen e politikës konsensuale, bëjnë të nevojshme një ngrehinë kushtetuese të re, krejt të re, që Opozita e ka pagëzuar Republika e Re. Por që në çdo rast në themel duhet të ketë parimin europian të konsensusit për vlerat dhe çështjet themelore.