14.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Nëntor, 2025

Godelli shpallet kampion Europe

Daniel Godelli shkruan historinë. Peshëngritësi shqiptar i rikthyer në këtë sport pas një pezullimi 2-vjecar fitoi medaljen e Artë në stilin e shkëputjes në kampionatin europian që po zhvillohet aktualisht në Split të Kroacisë, duke ngritur në mënyrë të pabesueshme në provën e tretë peshën 161 kg. Pasi gaboi në dy provat e para me 156 dhe 158, Godelli u shfaq me i guximshëm se kurrë duke rritur shtangën me 3kg  të tjera dhe falë një prove force arriti ta kalonte sukses provën e fundit për të fituar medaljen e artë në shkëputje. Vetëm vendi i 6-sht për Erkand Qerimajn në shkëputje me shkodranin që ngriti vetëm 155 kg në provën e parë.
Daniel Godelli më në fund i ka hedhur pas krahëve shumë vështirësi duke i rikthyer si kampion në majën e Evropës.
Peshëngritësi Daniel Godelli ka marrë medaljen e artë në stilin e shkëputjes në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Split të Kroacisë. Ishin dy peshëngritës shqiptarë që garonin paralelisht në peshën deri në 77 kg, pikërisht Daniel Godelli dhe Erkand Qerimaj. Shkodrani e nisi me 155 kg stilin e shkëputjes dhe e ngriti me sukses në provën e parë. Godelli starton me 156 kg, por në provën e parë ka dështuar.
Në provën e dytë, Qerimaj ka tentuar të ngrejë 158 kg, por nuk ia ka dalë dot. Të njëjtën peshë ka provuar edhe Godelli, por sërish ka dështuar dhe u duk sikur ai u tërhoq fare në stilin e shkëputjes. Erkandi edhe në provën e tretë kërkon të ngrejë po 158 kg, por sërish nuk mundet dhe e mbyll garën në vendin e gjashtë me këtë peshë. Në fund fare ishte radha e Godellit, që me 161 kg tentoi gjithçka për gjithçka. Me vështirësi arrin ta ngrejë, por një triumf i padiskutueshëm. Flamujt kuqezi në sallë filluan të valëviteshin. Medalje ari në shkëputje, kampion Europe.

Çalja, medalje bronzi në Europian

Briken Çalja shpresonte të kthehej me medaljen e kampionit të Europës për peshën deri në 69 kilogramë nga aktiviteti që po zhvillohet në Kroaci. Por shtangisti shqiptar ka gabuar në shkëputje në të tre provat e tij dhe është detyruar të kënaqet vetëm me një të bronztë në shtytje, në një aktivitet ku mund të ishte përfaqësuar edhe më mirë.
Çalja kishte pretendime për medalje të artë, ndaj që në fillim të garës kishte caktuar pesha të larta për të filluar si në stilin e shkëputjes, ashtu edhe në shtytje, duke vendosur përkatësisht peshat 145 kg dhe 175 kg, të njëjtat me të cilat kishte filluar garën në Rio 2016, ku zuri vendin e 6-të.
Por shtangisti shqiptar duket se nuk i kishte bërë mirë llogaritë me peshën fillestare në shkëputje, pasi nuk arriti të realizonte asnjërën nga provat me 145 kilogram dhe humbi mundësinë për medalje si në këtë stil, ashtu edhe në dygarësh.
Shpresa e vetme e tij për sukses mbetej shtytja dhe Çalja vendosi që të ulte peshën fillestare me 5 kilogramë, duke realizuar provën e parë me peshën 170 kilogram. Ai u pozicionua menjëherë mes medalistëve në këtë stil me realizimin e peshës 175 kilogramë në provën e dytë, por më pas nuk ngriti të tretën me 178 kilogramë dhe mbylli aktivitetin me medaljen e bronztë.

Protesta në Serbi: Vuçiç është gënjeshtar!

Në Serbi kanë filluar protestat e të rinjve që nga 4 prilli. Nuk ka organizatorë zyrtarë, por të rinjtë thonë se nuk do të ndalen derisa “Ai të largohet!” Bëhet fjalë për presidentin e sapozgjedhur Aleksandar Vuçiç.
“Vuçiç o hajdut, i ke vjedhur votat”, jehonte mbrëmë në rrugët e Beogradit. Fishkëllima, vuvuzela dhe protesta të zëshme kishte më së shumti para godinës së Parlamentit të Serbisë, ku për të dytën natë me radhë u mblodhën me mijëra demonstrues të moshës 20-30-vjeçare. Ata thonë se po demonstrojnë kundër diktaturës.
“Më vjen të vjell nga ky pushtet. Për një kohë kaq të shkurtër kanë bërë gjëra të tmerrshme. Familja ime ka shumë probleme dhe po na kërcënojnë”, thotë Milena (18-vjeçare), e cila për herë të parë ka votuar në këto zgjedhje. Së bashku me shoqen e saj klithin me zë të lartë: “Ku janë votat tona?!”.

“Mendojmë me kokën tonë”
Të pakënaqur me rezultatet e zgjedhjeve dhe atmosferën e keqe në vend për zgjedhje, protesta ka pasur në Beograd, Novi Sad, Nish dhe dhjetëra qytete të tjera në gjithë Serbinë. Organizatorë zyrtarë të protestave nuk ka. Njerëzit janë mbledhur duke ftuar miqtë e tyre përmes rrjeteve sociale apo personalisht.
Në mesin e mijëra të rinjve megjithatë ka dhe të tillë që shpërndajnë pankarta me kërkesën: “Duam balotazh në zgjedhje”. Ata thonë se kështu po luftojnë kundër errësirës informative dhe kundër censurës në Serbi. “Askush nuk na ka organizuar, por ne duam të kontribuojmë për më shumë demokraci në vend”.
Pa kërkesa të qarta politike dhe pa fjalime – qëndrimi i vetëm që mund të supozohet është “duam balotazh”. Në protesta shihen edhe pankarta “Ai nuk është presidenti ynë”. E kush është? Për këtë nuk flet askush. Në mesin e protestuesve dëgjohen emra të disa kandidatëve. Disa bëjnë thirrje për protesta paqësore, të tjerët distancohen nga protestat. Ndërsa shumë figura publike thonë “Bravo për fëmijët!”.

Çe Guevara dhe takijat serbe…
Sheshi qendror në Beograd “Nikolla Pashiç” buçet nga protestat, ku kujtohen edhe mashtrimet e Vuçiçit në media. Sipas vlerësimeve të para, protestat po përcillen nga shumë pjesëtarë të shërbimeve sekrete dhe më pak policë. Më së shumti policë ka afër “Murit serb të vuajtjeve” pranë Kuvendit, ku janë vendosur fotografitë e personave të zhdukur serbë gjatë luftës së Kosovës.
Në krye të turmës janë vënë persona me daulle. Kujdestarët e veshur me të gjelbër drejtojnë kolonat, ndërsa rruga e protestës caktohet spontalisht. Në kolonë shihen flamuj të Serbisë dhe fotografi të mëdha të Çe Guevarës. Por edhe veshje të grupit “Anonimus” apo grupeve të tjera muzikore, si dhe takija serbe. Gjithandej jehon “Vuçiç hajdut”, “Ku janë votat tona?”…
“Këtu kam ardhur të kundërshtoj Vuçiçin, sepse ai është diktator, autokrat dhe despot. Serbia është shndërruar në një vilajet të Vuçiçit”, thotë Nikolla (31 vjeç) për “Deutsche Wellen”. Pak më larg Marko Antiç mban një pano me mbishkrimin “Nuk duam diktaturë”. “Ky njeri (Vuçiçi) është gënjeshtari më i madh në historinë e popullit serb”, thotë Marko.

“Pensionistët janë me ju”
“Çfarë po ndodh?”, pyet një shitëse. Pas shpjegimit tonë, ajo përgjigjet: “Kanë të drejtë, sepse njerëzit po jetojnë në kushte shumë të vështira”. Ndërsa një shofer autobusi thotë: “Ata janë vetëm fëmijë, nuk dinë asgjë”. “As fëmijët e mi nuk kanë ndonjë të ardhur, por këta këtu janë pa edukatë dhe pa prindër”, thotë ai.
Por ka dhe shumë të moshuar që janë bashkuar me protestuesit në kolonë. Ata fotografohen pranë pankartave “Vuçiç hajdut, ke vjedhur votat” dhe “Bravo ju qoftë”. “Pensionistët janë me ju”, shkruan në një pankartë pak më larg. Njëri prej të moshuarve thotë se ka ardhur për të mbështetur fëmijët në kërkesat e tyre. Ndërsa Dragica Vukoviç (70) shton: “Kam ardhur për shkak të fëmijëve, sepse një fëmijë më ka ikur në Vjenë dhe nuk do të doja që të shkojë edhe fëmija im i dytë”. Të gjithë këta kanë votuar, por nuk dihet se ku kanë shkuar votat e tyre”.

Rrugëve të revolucionit
Të zemëruar me Vuçiçin dhe mediat e tij, kur kalojnë pranë godinës së Radio Televizionit të Serbisë apo gazetës “Informer”, ata qëllimisht lehin  “AV, AV (inicialet e Aleksandar Vuçiçit)”. Demonstruesit mendojnë se në Serbi po mbretëron një censurë e plotë mediatike. Ndërsa para godinës së qeverisë, ndizen edhe mjete piroteknike. Shëtitja përfundon aty ku ka filluar – para Kuvendit të Serbisë me porosinë “Shihemi nesër në të njëjtën kohë”. Në pyetjen tonë deri kur do të protestojnë, një i ri përgjigjet: “Derisa ai nuk largohet” dhe duke fryrë në vuvuzela largohet në drejtim të Bulevardit të Revolucionit!

Bashkimi Europian fajëson Assadin për sulmin kimik

Kush e ndërmori sulmin e dyshuar me gaz në Çan Sheiçun? E ngarkuara me Politikën e Jashtme e BE, Mogherini sheh pa dyshim te qeveria siriane e Assadit. “Mesa duket, përgjegjësia kryesore për aktin është te qeveria e pushtetmbajtësit Bashar al-Assad, sepse është ajo që ka përgjegjësinë që ta mbrojë popullin dhe të mos sulmojë”, theksoi e ngarkuara me Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini. Sulmi në Çan Sheiçun në provincën veriperëndimore Idlib është një “kujtesë e faktit se gjendja në vend vazhdon të jetë edhe më tej dramatike”, shtoi Mogherini në kuadër të konferencës për ndihmën ndaj Sirisë në Bruksel.

Sulm i qëllimshëm i Forcave të Armatosura siriane?
Qeveria e SHBA foli për një incident të papranueshëm dhe njëkohësisht tërhoqi vëmendjen në faktin se Assadi është një realitet politik. Sulmi nuk mund të injorohet nga “bota e civilizuar”, tha zëdhënësi i Donald Trumpit, Sean Spicer në Uashington. Spicer bëri përgjegjëse për sulmin qeverinë siriane. Njëkohësisht ai e akuzoi ish-Presidentin Barack Obama se kishte dështuar me strategjinë e tij në Siri duke i mundësuar incidente të tilla.
Ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson beson se kemi të bëjmë me një sulm të qëllimshëm të Forcave të Armatosura qeveritare. “Kjo përmban të gjitha shenjat e një sulmi prej regjimit, i cili ka përdorur në mënyrë të përsëritur armë kimike”, tha Johnson në një konferencë të përbashkët shtypi në Londër me homologun e tij gjerman, Sigmar Gabriel.
Gabriel deklaroi, se nëse konfirmohet që njerëzit janë bërë viktimë e një sulmi me gaz helmues, për të cilin e mban përgjegjësinë regjimi sirian, ky do të ishte një akt mizorie pa të dytë. Për këtë arsye, në luftë kundër terrorizmit nuk duhet të mbështetemi te qeveria e Assadit, kërkoi Gabriel. Edhe aktivistë sirianë bënë fajtor për bombardimin avionë luftarakë të qeverisë.

Qeveria siriane e Rusia distancohen
Qeveria e Damaskut hodhi poshtë kategorikisht çdo faj. Një gjeneral sirian, i cili donte të mos e thoshte emrin, deklaroi se ushtria nuk ka përdorur gaz helmues në Çan Sheiçun. Edhe forcat e armatosura ruse i kundërshtuan supozimet, se mund të kenë qenë të përfshira në sulm. Në rajonin e prekur nuk ka pasur fluturime ruse për bombardime, bëri të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes.
Sipas të dhënave të Qendrës siriane të Vëzhgimit për të Drejtat e Njeriut, në një sulm ajror të martën në mëngjes u vranë të paktën 70 civilë, midis tyre njëmbëdhjetë fëmijë të vegjël. Më shumë se 60 vetë u plagosën. Organizata siriane UOSSM foli së fundi për 65 të vrarë dhe 350 të plagosur. Ndihmës të tjerë folën për 100 viktima dhe 400 të plagosur.
I ngarkuari i OKB-së për Sirinë, Steffan de Mistura kërkoi një sqarim të gjerë të sulmit, ku dyshohet se është përdorur gaz helmues. Ende nuk ka “konfirmim zyrtar dhe të besueshëm”, tha De Mistura në Bruksel. Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të merret të mërkurën me incidentin. Deri tani, në luftën e Sirisë gaz helmues kanë përdorur si trupat qeveritare, ashtu edhe Shteti Islamik. Kjo është konstatuar në një raport të një komisioni hetimor të OKB-së.

Irak, 26 të vdekur nga sulmi i ISIS

Së paku 26 vetë janë vrarë dhe 40 të tjerë janë plagosur, nga një sulm i militantëve të Shtetit Islamik (IS) në qytetin Tikrit në Irak, kanë njoftuar përfaqësues të sigurisë së Irakut dhe zyrtarë mjekësorë.
Koloneli policor, Khalid Mahmoud, tha dje se afro 10 militantë, përfshirë dy sulmues vetëvrasës, kishin hyrë në këtë qytet gjatë natës.
Raportohet se cak i sulmit të tyre ishte një pikë e kontrollit policor dhe një shtëpi e një shefi të policisë, i cili është vrarë së bashku me katër anëtarë të familjes së tij.
Mjeku në spitalin kryesor të qytetit Tikrit, Nawfal Mustafa, tha se gjithsej 26 trupa të pajetë janë dërguar në spital, përfshirë 14 trupa të policëve.
Ky sulm u bë derisa forcat e qeverisë së Irakut e vazhdojnë ofensivën për ta rimarrë kontrollin ndaj qytetit Mosul, që është baza e fundit e fuqishme e grupit ekstremist, Shteti Islamik, në Irak.

Me Donald Trump një presidencë si asnjë tjetër

“Presidenca e Donald Trumpit është e pangjashme me asnjë presidencë tjetër, në historinë 230-vjeçare të Republikës amerikane”, shkruan në një artikull të zgjeruar “Financial Times”. Tre gazetarë të së përditshmes prestigjioze janë ulur dhe kanë biseduar me presidentin e Amerikës, Donald Trump, duke prekur disa prej temave më të nxehta.
Ai është i pari komandant i Përgjithshëm që nuk ka mbajtur asnjëherë një detyrë në qeverisje; një manjat pronash të paluajtshme dhe reality TV, që ka ndryshuar pesë herë parti. Shfaqet si populist, por ka punësuar kabinetin më të pasur të historisë. Këshilltarët e tij kryesorë, bashkë me dhëndrin, kanë së bashku një pasuri prej 2 miliardë dollarësh.
Pavarësisht polemikave të ndezura të ditëve të para, shkruan “FT”, teksa Donald Trumpi i afrohet 100-ditëshit të parë në detyrë, duket se ka më shumë metodikë prapa “çmendurisë”, se sa mendojnë kritikët.
Trumpi dhe ekipi i tij e shohin botën e 2017-ës, të shenjuar prej nacionalizmit ekonomik dhe politikanëve të fortë si Vladimir Putini i Rusisë dhe Narendra Mondi i Indisë apo presidenti i Kinës, Xi Jinping. Ata e shohin si një vend, ku SHBA duhet të ndjekë fuqishëm interesat e veta. “Unë besoj në aleanca. Unë besoj në marrëdhënie. Dhe besoj në partneritete. Por aleancat nuk kanë funksionuar gjithmonë mirë për ne”, u thotë Trumpi gazetarëve të “FT”.

Aleatët
Për aleatë si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Japonia, qasja e Trumpit është shqetësuese, për shkak se ajo injoron rolin që SHBA ka luajtur në ruajtjen e paqes, nga Europa Perëndimore deri në Gadishullin korean dhe Perëndimin e Paqësorit. Frika e të gjithëve tashmë është se SHBA, mbrojtësja e rendit liberal të bazuar në rregulla përgjatë shtatë dekadave të fundit, po bën një ndryshim historik, nga një superfuqi altruiste në një superfuqi egoiste. Në intervistën për “FT”, Trumpi thotë se nuk po luan aspak me blofin. “Kemi një problem shumë serioz në botë sot. Madje kemi më shumë se një, por ky nuk është një ushtrim… nuk është se vetëm po flas. SHBA ka folur shumë dhe shihni ku na ka çuar kjo, askund…”.
Presidenti amerikan beson ende se aleatët e kanë patur të lehtë nën ombrellën ushtarake të SHBA.

Konkurrentët
Presidenti nuk është aspak i kënaqur edhe me mënyrën se si kanë shkuar gjërat me konkurrentët e Amerikës. Sidomos me Kinën, presidentin e të cilës do e takojë këtë javë dhe që sipas Trumpit, ka shfrytëzuar rregullat e tregtisë globale në favorin e vet. Sipas Trumpit, Amerika ka qenë shumë e butë. “Nuk ka funksionuar për paraardhësit tanë. Shihni se ku jemi. Kemi një deficit tregtar 800 miliardësh”, thotë Presidenti.
Përpara inaugurimit, shumë ekspertë druheshin se Presidenti Trump do të ishte rrezikshëm i luhatshëm në politikën e jashtme. Por kombinimi i disa figurave të forta në ekipin e tij të sigurisë kombëtare, sidomos James Mattis, sekretar i Mbrojtjes, si dhe roli qetësues i Jared Kushnerit, dhëndri me shumë influencë, duket se po e stabilizon “anijen”.
E ndërkohë që është tip që nuk kërkon falje, Donald Trumpi nuk ka problem të bëjë ndryshime madhore. Në intervistën që ka dhënë për “FT”, presidenti amerikan thotë se nuk ka asnjë mëri me Angela Merkelin, edhe pse shumëkush ka parë refuzimin për të shtrënguar duart. “Pata një takim shumë të mirë me Kancelaren”, thotë Trump. “Shtrënguam duart pesë herë. Pastaj kur ishim ulur secili në vendin e vet, një gazetar tha, shtrëngoni duart. Mesa duket nuk e dëgjova”.
Presidenti amerikan nuk ka kursyer as mendimet mbi Brexit. “Kur ndodhi Brexit, mendova se edhe vende të tjera do të ndiqnin shembullin. Por tani mendoj se Bashkimi Europian po e mbledh veten”, thotë Trumpi në bisedën me gazetarët e “FT”.

Politika gjermane ndaj Afrikës, kërkim i një strategjie

Qeveria gjermane do ta shfrytëzojë Presidencën e saj të G-20-ës për të mobilizuar më shumë ndihmë për Afrikën. Por një strategji të përbashkët ajo ende nuk ka – dhe koha nuk pret. Gerd Müller-i e ka me ngut. Ministri i Zhvillimit është i ftuar në Berlin në African Economic Forum, një konferencë e shoqatës së sipërmarrësve “Shoqata e Afrikës” dhe e Fondacionit Westerwelle. Ai është shumë i gëzuar që viti 2017 është viti i Afrikës, thotë Müller. “Kemi mbështetje të gjerë të ministrit gjerman të Financave dhe të ministres së Ekonomisë”. Pas aktivitetit, ai do të shkojë te ministri i Jashtëm, Sigmar Gabriel, tregon Müller. “Ne duam t’ia afrojmë atij Afrikën edhe më shumë, por ai është i hapur dhe na mbështet në të gjithë hapësirën”.
Qeveria gjermane do ta mbështesë Presidencën e G-20-ës për të mobilizuar më shumë burime për Afrikën. Ministri të ndryshme kanë paraqitur koncepte dhe punojnë për to. Ministri i Zhvillimit, Müller paraqiti në janar “Planin Marshall për Afrikën”. Ministria e Financave po zhvillon me shtete të tjera të G-20-ës të ashtuquajturin “Compact with Africa”. Dhjetorin e kaluar, Ministritë e Zhvillimit dhe të Ekonomisë zhvilluan një dokument të përbashkët strategjik për më shumë tregti dhe investime në Afrikë.

Koordinime të vështira për një strategji të përbashkët
Angazhimi i ri për Afrikën i qeverisë gjermane është një “gjë e shkëlqyer”, thotë Helmut Asche, profesor i Afrikanistikës në Universitetet e Mainz-it dhe të Leipzig-ut. “Por nuk është sekret që koordinimi i dikastereve për këto dy iniciativa, i thënë butë, mund të kishte qenë më i mirë. Kjo nuk është e panjohur as për partnerët afrikanë”. Megjithatë kjo shihet gjithnjë e më shumë në këtë mënyrë edhe në ministritë e ndryshme.
Sepse një koncept i përbashkët i qeverisë gjermane për Presidencën e G-20-ës ende nuk ekziston. Edhe për planin Marshall dhe për “Compact with Africa” ka shumë pyetje të hapura. Si për shembull, sa para shtesë mund të mobilizohen me të dyja konceptet. Në komunikatën përfundimtare të takimeve të ministrave të Financës të G-20-ës gjen vetëm 15 rreshta të varfër për Compact. Por në qershor në Berlin do të zhvillohet konferenca e G-20-ës. Në korrik pason në Hamburg takimi i nivelit të lartë të shefave të shteteve dhe të qeverive. Pastaj nis fushata elektorale. Pas zgjedhjes në shtator do të zhvillohen fillimisht negociata për koalicionin qeveritar.

Ekonomia ka dëshira konkrete
Edhe përfaqësues të ekonomisë e vështrojnë angazhimin e Afrikës të qeverisë gjermane me vëmendje të madhe. Sepse më shumë investime private për Afrikën luajnë një rol kyç në koncepte. Përmes shtimit të investimeve të huaja në Afrikë dhe shtimit të projekteve të përbashkëta të bashkëpunimit për zhvillimin dhe të ekonomisë kushtet e jetesës në Afrikë do të përmirësohen.
Ekonomia shpreson se me mbështetjen e krahëve nga politika, do të ketë kushte më të mira tregu në Afrikë. Sipërmarrjeve gjermane u duhet prej vitesh të luftojnë për të mos mbetur pas në Afrikë. Porosi fitimprurëse për projekte të mëdha shpesh fitohen nga firma kineze. Ndaj sipërmarrësit shpresojnë që angazhimi për Afrikën të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve.

Bankat greke në krizë

Në Greqi po bien dukshëm depozitat bankare – vetëm në shkurt nga vendi në krizë janë larguar rreth 750 milionë euro. Ekspertët thonë se aktualisht kemi ashpërsimin më të madh të kontrolleve financiare.
Lartësia e depozitave bankare në Greqi paraqet një indikator të rëndësishëm të gjendjes ekonomike dhe krizës në vend. Analistët dhe depozituesit ishin shumë kureshtarë të shohin raportet më të fundit për gjendjen në bankën greke. Raporti është shqetësues: vetëm në shkurt në Greqi ka rënë niveli i depozitave bankare në vlerë prej 750 milionë eurosh. Prej fillimit të vitit 2017, bankat greke kanë shënuar një minus të madh prej gati katër miliardë euro. Në këtë mënyrë kursimet e grekëve janë në nivelin më të ulët që nga janari i vitit 2015 dhe aktualisht kapin një shumë prej 128 miliardë euro.
A është tërheqja e parave nga klientët një reagim tjetër ndaj debateve për mundësinë e daljes së Greqisë nga Eurozona? Panagiotis Petrakis, profesor i ekonominë në Universitetin e Athinës thotë: “Të dhënat e fundit tregojnë hyrje më të vogla të kapitalit në vitet e fundit”.
Kujtojmë se në qershor 2015 qeveria ka futur kontrollet e kapitalit, me qëllim që të evitojë largimin e mjeteve financiare nga Greqia. Asokohe niveli i depozitave private dhe sipërmarrjeve në banka ishte pak më shumë se 120 miliardë euro. Prej futjes së kontrollit financiar, nga bankat mund të tërhiqen në javë vetëm 420 euro. Por rregullat janë lehtësuar vitin e kaluar dhe kjo ka mundësuar hyrjen, por edhe daljen më të shpejtë të parave nga vendi.

Ashpërsim i ri së shpejti?
Në verën e vitit 2015 thuhej se kontrollet do të zgjasin vetëm disa ditë apo javë. Ndërkohë që tani flitet se kontrollet mund edhe të ashpërsohen madje. Profesori Petrakis thotë se nuk do ta habiste sikur kjo të ndodhë dhe që limiti javor të ulet nga 420 në 380 euro. Edhe opozita paralajmëron nga rregullat më të ashpra. Shefi i bankës qendrore Jannis Stournaras paralajmëron nga rreziqet e masave të përshpejtuara. Duhen shikuar mundësitë për përfundimin sa më të shpejt të reformave, thotë ai. Vetëm disa ditë më vonë, është kërkuar edhe reforma e sistemit të pensioneve. Majtistët kanë paralajmëruar nga rreziqet e këtyre masave. Nëse pasiguria vazhdon, bankat greke do të kenë nevojë për kapital të freskët, komenton gazeta “Kathimerini”. Mediat pohojnë se bankat e atjeshme kanë nevojë për konsolidim.

Duka nuk arrin të zgjidhet në UEFA

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, nuk ka mundur të zgjidhet në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, ku Shqipëria përfshihej për herë të parë në histori me një kandidaturë të sajën. Gjatë kongresit të 41 të organizmit europian, që po mbahet në Helsinki, ku pas tërheqjes së kazakut Boranbayev dhe qipriotit Lefkaritis, 11 pjesëmarrës ishin në garë për 8 vendet e Komitetit Ekzekutiv. Duka u rendit i 9-ti, duke mos kaluar dot pragun e nevojshëm për t’u bërë pjesë e organit të rëndësishëm vendimmarrës të UEFA-s. Pas votimit të 55 vendeve  anëtare të UEFA-s, ku për herë të parë mori pjesë edhe Kosova, ishte vetë presidenti Ceferin, ai që shpalli rezultatet e votimit.
Edhe pse mori preferencën e pothuajse gjysmës së vendeve anëtare të UEFA-s, Duka në kuotën e 25 votave të fituara, nuk mundi të bëhej pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Megjithatë në vetvete kandidatura e tij mund të konsiderohet një hap i rëndësishëm për futbollin shqiptar, një moment historik pas kualifikimit të Kombëtares në Europianin francez, pasi për herë të parë Shqipëria arriti të kandidohej me një emër të sajin në një organizëm të nivelit më të lartë vendimmarrës europian, diçka e paimagjinueshme për fusha të tjera qeverisëse përveç asaj të futbollit.

Çalja një medalje bronzi në Europian

Briken Çalja shpresonte të kthehej me medaljen e kampionit të Europës për peshën deri në 69 kilogramë nga aktiviteti që po zhvillohet në Kroaci. Por shtangisti shqiptar ka gabuar në shkëputje në të tre provat e tij dhe është detyruar të kënaqet vetëm me një të bronztë në shtytje, në një aktivitet ku mund të ishte përfaqësuar edhe më mirë.
Çalja kishte pretendime për medalje të artë, ndaj që në fillim të garës kishte caktuar pesha të larta për të filluar si në stilin e shkëputjes, ashtu edhe në shtytje, duke vendosur përkatësisht peshat 145 kg dhe 175 kg, të njëjtat me të cilat kishte filluar garën në Rio 2016, ku zuri vendin e 6-të.
Por shtangisti shqiptar duket se nuk i kishte bërë mirë llogaritë me peshën fillestare në shkëputje, pasi nuk arriti të realizonte asnjërën nga provat me 145 kilogram dhe humbi mundësinë për medalje si në këtë stil, ashtu edhe në dygarësh.
Shpresa e vetme e tij për sukses mbetej shtytja dhe Çalja vendosi që të ulte peshën fillestare me 5 kilogramë, duke realizuar provën e parë me peshën 170 kilogram. Ai u pozicionua menjëherë mes medalistëve në këtë stil me realizimin e peshës 175 kilogramë në provën e dytë, por më pas nuk ngriti të tretën me 178 kilogramë dhe mbylli aktivitetin me medaljen e bronztë.

Juventusi bën ofertën për James Rodriguez

Juventusi planifikon të ardhmen dhe në qendër të objektivave bardhezi mbetet një prej emrave kryesorë të futbollit botëror, kolumbiani i Real Madrid, James Rodriguez. Zërat e merkatos zbulojnë se “Zonja e Vjetër” ka trokitur në derën e skuadrës Los Blancos me një ofertë konkrete për të djegur në kohë konkurrencën e Barcelonës dhe Manchester United.
Në Spanjë janë të sigurt se, klubi torinez kanë bërë hapin e madh për të bindur presidentin Florentino Perez, por për momentin nuk ka detaje. Juventusi mendohet se ka vendosur në pjatën e ofertës edhe një pagë të majme për lojtarin, i cili do të thotë fjalën e fundit për destinacionin e tij të ardhshëm, pasi aventura e tij në Madrid duket në Perëndi.
Tre vjet më parë, kolumbiani u ble nga Reali i Madridit për 80 milionë euro, por nuk ka arritur ta justifikojë për asnjë moment këtë shumë. Gjithsesi, klubi spanjoll nuk synon ta falë dhe kërkon të arkëtojë sa më shumë nga shitja e mundshme e James. Gjatë këtij sezoni, lojtari nuk ka gjetur shumë hapësira në Spanjë. Zidane preferon Izcon dhe kolumbiani ka nisur të studiojë ofertat. Gjithsesi, një konkurrent i fortë në këtë garë është edhe Barcelona që mund ta bindë Realin vetëm nëse arrin tek një ofertë marramendëse, por kjo mbetet një pistë e vështirë për momentin, pasi Perez nuk synon të forcjë një rival direkt.