Gonzalo Higuain nuk e fsheh se ka zgjedhur Juventusin për një qëllim të vetëm, fitoren e Ligës së Kampioneve. “A është ky viti i duhur për të fituar Ligën e Kampioneve që i iku Juves nga duart në vitin 2015? Shpresoj që po, kjo është arsyeja pse erdha te Juvja”, shprehet Higuain në një intervistë të dhënë për UEFA-n.
“Të fitosh 6 tituj radhazi do të ishte një rekord, ashtu si edhe Kupa e Italisë e tretë radhazi. Natyrshëm që Liga e Kampioneve është një ëndërr që duam ta kthejmë në realitet. Por nuk duhet të harrojmë këto dy trofe të tjerë”, theksoi sulmuesi argjentinas.
Pengesa e Juventusit në çerekfinale është pretendentja kryesore për fitoren e trofeut, Barcelona, e cila vjen në këtë duel pas një përmbysjeje të çmendur ndaj PSG-së. “Futbolli ndryshon në një sekondë, dhe një skuadër që të gjithë e shihnin si të mbaruar, arriti në çerekfinale, do të kenë shumë besim në vetvete pas një kualifikimi të tillë”, deklaroi ai.
“Barcelona kaloi një natë të errët në Paris, por nuk besoj se mund të përjetojë një të dytë të tillë. Do të luajmë në fushën tonë takimin e parë ndaj duhet të mundohemi të shfrytëzojmë në maksimum faktorin fushë për të pasur një mundësi më shumë në Barcelonë. Nuk kemi luksin të heqim këmbën nga gazi as për një fraksion sekonde”, deklaroi Higuain.
Higuain ka besim
E kërkon Konte, Andrea Pirlo drejt Chelsit në verë
Antonio Konte duket se ka gjetur zëvendësuesin ideal për vendin e lënë bosh në stafin e tij teknik nga Stiv Holand, i cili do t’i bashkohet përfaqësueses angleze. Ish-mesfushori i bluve, Rei Uillkins, ka zbuluar se palët janë në bisedime që futbollisti italian të varë këpucët në gozhdë në fund të këtij sezoni dhe t’i bashkohet stafit teknik për të filluar një karrierë të re.
Pirlo u shfaq në fundin e dhjetorit në qendrën stërvitore të Çelsit, por mendohej se kjo ishte thjesht një vizitë kortezie e tij ndaj trajnerit, i cili e ka drejtuar për disa sezone në Itali te Juventusi. Sipas Uillkins, Konte e ka ndarë mendjen që të bëjë mesfushorin ndihmësin e tij dhe kontaktet mes palëve kanë qenë të vazhdueshme.
“E di me siguri se ai ka qenë i pranishëm disa herë në ‘Stemford Brixh’ gjatë këtij sezoni. Ai është personi, të cilin Konte dëshiron si ndihmës. E ka drejtuar te Juventusi deri në moshën 34- vjeçare. Ai është emri i përzgjedhur për të zëvendësuar Holand”, deklaroi Uillkins për mediat angleze.
Beshiktash kërkon Mario Mandzukiç
Beshiktas ëndërron Mario Mandzukiç. Kjo është ajo që publikohet te e përditshmja turke “Fotomac”, që në faqen e saj të parë ka publikuar foton e sulmuesit kroat të Juventusit, duke bërë që te tifozët të shpërthejë e ashtuquajtura “Mario-mania”. Sipas kësaj të përditshmeje, klubi turk tashmë ka hyrë në kontakte me përfaqësuesit e futbollistit, duke i dhënë mesazhin se, nëse ai largohet nga Juventusi duhet të zgjedhë Beshiktasin, pasi me këtë skuadër mund të luajë për të fituar kampionatin e Ligën e Kampioneve.
Mesazhi ishte i shoqëruar edhe nga një video, ku shfaqen imazhet e tifozerisë së skuadrës, që sipas “Fotomac” duket se i bëri shumë përshtypje sulmuesit të përfaqësueses kroate. Tashmë ajo që mbetet është vetëm të verifikohet e gjithë kjo histori që flet për interesin reciprok mes klubit turk dhe futbollistit.
Këshilltarët e djathtë të Tiranës i bashkohen sheshit të lirisë
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi 16 projektvendimet sipas rendit të ditës pa praninë e opozitës. Këshilltarët e djathtë bojkotuan mbledhjen. Opozita bojkotoi mbledhjen e Këshillit Bashkiak në shenjë solidarizimi me protestën 47 ditore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. I pyetur për këtë, kreu i grupi këshilltarëve të PD-së, Leonard Olli tha: “Kemi vendosur bojkotimin e mbledhjes së këshillit për të qenë pjesë integrale e protestës në çadër. Nuk mund të jemi pjesë e farsave të pseudoreformave”.
Spaleti i vetofrohet Interit
Humbja e papritur kundër Sampdorias vë në pozita shumë të vështira tashmë Stefano Piolin, sepse ndoshta nga e hëna në mbrëmje ëndrra “Champions” ka sfumuar përfundimisht për milanezët. Edhe pse nuk ka dyshime se trajneri italian ka ditur t’u japë një identitet të qartë zikaltërve, pas atij starti katastrofik me holandezin Frank De Bur, sërish Pioli nuk ka bërë atë hapin e madh në lojë dhe sidomos në rezultate, në mënyrë që klubi të justifikojë edhe shpenzimet e bëra sivjet, përveçse ato që paralajmëron për në merkaton e verës.
Për këtë arsye, tashmë emri i Antonio Kontes sa vjen dhe bëhet një hije më mbytëse për trajnerin aktual. Edhe pse kjo pistë është disi e vështirë, duke parë se nga ana tjetër, edhe anglezët e Çelsit i kanë ofruar rinovimin, Konte është një ëndërr e madhe për Interin, për të cilin grupi “Suning” do ta presë “gjeneralin”, ndonëse jo pafund.
Ndërkohë, një tjetër hipotezë ka lindur në orët e fundit. Bëhet fjalë për trajnerin e Romës, Luçiano Spaleti, i cili pas eliminimit të djeshëm nga gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, me shumë mundësi, do t’u japë lamtumirën verdhekuqve, duke qenë se ai vetë u shpreh se nuk do ta pranonte rinovimin, nëse e mbyllte vitin pa trofe.
Prandaj, në këtë pikë, mësohet se menaxheri i Spaletit ia ka ofruar klientin e tij klubit të Interit. Në Milano e kanë pëlqyer gjithmonë figurën e tij dhe ndoshta, nëse Konte nuk do të surprizojë dhe do të zbarkojë në “Pinetina”, mund të jetë Luçiano Spaleti, ai që mund të pasojë Piolin, pa harruar se edhe Juventusi e sheh atë si zëvendës të Alegrit.
Eliminimi nga Kupa e Italisë në gjysmëfinale nga Lazio duket se e ka vulosur lamtumirën e 58-vjeçarit nga verdhekuqtë. Spalleti iu shmang pyetjeve për largimin e tij të mundshëm pas derbit, por drejtuesit e Romës kanë nisur të vlerësojnë emrat për zëvendësimin e tij. Kandidatët për të marrë drejtimin e Romës në përfundim të sezonit aktual janë të shumtë, madje në listë janë përfshirë edhe Montella e Gasperini.
Për trajnerin aktual të Milanit do të ishte një rikthim në kryeqytet, ku ka shkruajtur historinë me golat e tij, por edhe tre muaj si trajner i brendshëm pas largimit të Claudio Ranierit më 2011-ën.
Pikërisht në verë të këtij viti Luis Enrique, i cili është sërish kandidat për verdhekuqtë, mori drejtimin e skuadrës.
Sipas mediave italiane, Montella është në pritje të zhvillimeve të reja te Milani. Aeroplanthi dëshiron të qëndrojë në stolin e kuqezinjve, por kërkon garanci financiare nga projekti kinez.
Në kryeqytet, ka dalë në skenë edhe emri i Gian Piero Venturës, i cili po bën shumë mirë tek Atalanta. Priten gjithashtu lajme edhe nga PSG për të ardhmen e Emery, që gjithashtu është kandidat potencial për të marrë drejtimin e Romës.
Ja pse nuk dorëzohemi
Besa PETRITI
Përshëndetje qytetarët e rinj dhe të bukur të Republikës së re. Përshëndetje të rinj dhe të reja që së bashku jemi gdhirë 46 ditë edhe netë pa u dorëzuar, pa hequr asnjëherë dorë nga ëndrra jonë e vetme për të krijuar një të ardhme, ashtu si prindërit dhe mësuesit tanë na kanë mësuar, ta ndërtojmë në bazë të vlerave, në bazë të dinjitetit, punës dhe krenarisë tonë.
Të shmangemi nga modeli i atyre që na qeverisin. Ata nuk i përkasin botës tonë, ata i përkasin botës së krimit, të cilën ne duhet patjetër ta rrëzojmë. Unë e di që nuk është e thjeshtë të protestosh dhe të ngresh zërin në një vend si i yni për 46 ditë. Dhe më e thjeshtë është të ikësh dhe të largohesh. Ne të gjithë kemi vendosur të rrimë këtu.
Ne kemi vendosur të ndërtojmë vendin tonë në bazë të vlerave, moralit dhe gjithçkaje që prindërit dhe mësuesit tanë na kanë mësuar. Lulzim Basha është lideri i partisë tonë, i cili na ka në krah në çdo moment dhe unë sot jam e bindur se të gjithë të rinjtë dhe të rejat duan të jenë në krah të tij. Çadra ndodhet në një pozicion midis dy godinave. Këtu është Kuvendi dhe këtej është Kryeministria. Dy godina, të cilat na kanë nxirrë faqen. Atje çdo ditë bëhet parada e milionave dhe miliardave.
Dhe këtu keni dëgjuar çdo ditë bashkë me mua të flitet për bukën e gojës. Çdo ditë në të dy godinat buzëqeshja është thjesht fasadë dhe servilizëm. Ndërsa këtu, shpresa është frymëzim, ne çdo ditë frymëzohemi. Atje Europa e keni parë se si ka mbyllur dyert, ndërsa këtu është Europa. Ne duhet t’i themi sot Europës që jemi ne të rinjtë shqiptarë, nuk janë kriminelët, jemi ne që kemi studiuar dhe kemi ëndrra për të ardhmen tonë. Ndaj sot të gjithë së bashku me optimizëm në krah të Lulzim Bashës për të ecur përpara për ndërtimin e Republikës së re, sepse kjo është republika që na përket ne.
Fitore për Atletiko Madrid
Atletiko e Madridit ruajti me fanatizëm vendin e 3-të në klasifikim duke u mjaftuar me vetëm 1 një gol përballë Sociedadit në kryeqytet. Në “Vincente Calderon”, ndeshja megjithatë nuk ishte e mërzitshme sidomos në pjesën e parë, ku pati shumë raste për shënim, por në këtë pikë të sezonit me kalendarin që vazhdon e ndeshjet e këmbët që rëndohen mjafton dhe vetëm 1 finalizim për të arritur objektivin. Goli i skuadrës së Simeones ishte megjithatë futboll i pastër, me mbrojtësin që mbylli mrekullimisht mirë një trekëndësh me Torresin duke i dhënë 3 pikët të tijve.
Pas këtij suksesi Atletiko konfirmohet si forcë e 3-të në Spanjë, ndërsa largon disi nga zona europiane skuadrën baske. Athletic Bilbao e shfrytëzoi maksimalisht faktorin fushë për të qëndruar në zonën europiane teksa mundi 2-0 katalanasit e Espanyolit në “San Mames”. Aduriz ishte heroi i vendasve me një dygolësh që në pjesën e parë, që e çojnë në 12 numrin e realizimeve të tij në këtë sezon.
Artan Fuga: Pse mbështes idenë e Republikës së re
“Të rinjtë duhet t’u bashkohen përpjekjeve dhe idealeve për zgjedhje të lira, të ndershme”. Kështu shprehet profesori i njohur Artan Fuga në një intervistë për dy të rinj, aktivë për zgjedhje të lira, ndërsa thekson se ka ardhur koha që më në fund shqiptarët të votojë të lirë e larg presioneve dhe shitblerjes së votës. “Shqiptari të votojë sikurse e meriton, i qetë, pa presione, pa e detyruar ta shesë votën nga varfëria, pa i hipur mbi kokë ministra dhe ministresha, drejtorë dhe drejtoresha, agallarë dhe agallesha që i bëjnë presione me vendet e punës sikur shtetin ta kenë pronë të tyre, zyrat sikur t’i kenë sipërmarrje private, t’u shurdhojnë veshin propagandistë të neveritshëm që të zezës i thonë të bardhë duke veshur qyrkun e administratorëve gjoja, e liberalëve gjoja, e ideologëve prej balte e bloze, duke u përdorur bashkë me lloj-lloj të korruptuarish si vemje. Këta të rinj dhe qindra si këta rreth idealeve për zgjedhje të lira janë shpresa e këtij vendi, dalë nga familje shqiptare të ndershme, të rinj seriozë, pa frikë, sepse u besojnë idealeve që vetëm liria na çon përpara!”, shprehet profesor Fuga.
– A duhet të angazhohen të rinjtë në politikë?
Rëndë. Sa më shumë në politikë, sa më shumë në shoqëri civile, në shoqata të pavarura, në aktivitete qytetare. Por do t’i hiqja një gjë, që me angazhimin politik nuk mund të bëjnë karrierë. Jashtë partitë nga politikat e burimeve njerëzore në administratë. Për mua, më e rrezikshme është blerja e vendit të punës sesa e thesit me miell. Pra, ti më jep votën unë të jap vend pune në administratë. Politika shqiptare do të emancipohet kur të rinjtë të futen në politikë, por duhen bërë tri reforma të mëdha. Punonjësi i administratës publike duhet të ketë vërtet status të nëpunësit civil, ku asnjë parti të mos ndërhyjë.
E dyta, asnjë parti politike të mos shpërndajë tendera. S’ka punë ministri (që është njeri politik) me tenderat, por sekretari i Përgjithshëm që s’ka lidhje me politikën. Tenderat duhen bërë transparent dhe të respektojnë barazinë e shanseve. Reforma e tretë e rëndësishme është që drejtësia të shkëputet nga kthetrat e politikës, në mënyrë që secili të gjejë të drejtën e vet. Pra, nga njëra anë po të rinj në politikë, nga ana tjetër zero privilegje. Atëherë po, që do të kemi të rinj që do të merren masivisht me politikë për idetë e tyre dhe për të përcaktuar fatin e Shqipërisë.
– Problemet e zgjedhjeve…
Mendoj se sistemi dhe ligji elektoral janë antikushtetues. Kemi dy norma të së drejtës, Kushtetutën dhe ligjin. Nuk mund të interpretohet Kushtetuta sipas ligjit, por ligji sipas Kushtetutës. Në Kushtetutë flasim për votim të drejtpërdrejtë çka do të thotë, unë zgjedh deputetin tim pa ndërmjetës. Çfarë bën ligji? Ai nuk ma lejon këtë, pasi zgjedhjen e bën kryetari i partisë.
E dyta, zgjedhjet duhet të jenë të barabarta, por ato nuk janë të tilla, sepse unë si individ nuk mund të kandidoj pa qenë anëtar partie. Vetë fakti që unë jam anëtar partie më jep më shumë të drejta për të kandiduar për deputet sesa një individi tjetër. S’janë të drejta sepse themi unë kam votuar për këtë parti sepse dua të zgjedh këtë njeri, por në varësi të emrit në listë votat i shkojnë dikujt tjetër. Një deputet që zgjidhet kështu nga do të orientohet? Po sigurisht nga kryetari sepse fati i tij nuk varet nga elektorati. Varet në radhë të parë nga vendi që zë në hierarkinë e emrave në listë. E kush e ka në dorë këtë? Kryetari. Pra, ne nuk kemi deputetin ligjvënës, por kemi deputetin orator dhe militant. Kryetarët janë kaq të mbrojtur nga ky ligj sa kjo sjell politizim të shtetit që është kundër shtetit ligjor.
– Vijmë te një problem tjetër, shitblerja e votës…
Shitja e votës ndodh kur populli shikon që vota e tij është e devijuar, nuk është e drejtë, nuk është e barabartë, nuk ndikon në zhvillimin e shoqërisë. Qytetari do të thotë unë këtë votë nuk e kam më fenomen politik, i ka humbur vlera politike. Në këtë moment ai përpiqet që ta kthejë në investim. Pra, në një letër me vlerë. Shto këtu frikën se ti ke një thes me miell nëse jep votën, por nëse nuk e jep do të kesh pasoja të tjera. Çfarë bën qytetari? Optimizon zgjedhjen e tij. Thotë, më mirë rri edhe në punë edhe marr thesin me miell. E treta, mos ia vini fajin kulturës së ulët politike të shqiptarit sepse këtë e kanë bërë të gjithë popujt e botës, kur janë gjendur në këtë situatë. Këtu emancipimin nuk e sjell vetë populli, e sjell elita, politikanët vizionarë, intelektualët që mendojnë ose bashkimi i këtyre të dyjave. Mendoj se duhen mbështetur ato parti e ata politikanë, që nuk duan të futen në zgjedhje me këtë ligj elektoral dhe me këtë situatë administrative që kemi sot. Po nëse nuk do të kisha zgjedhje tjetër? Atëherë në këto kushte unë nuk do e çoja kot votën time. Do të votoja për zgjedhjen time, por në asnjë mënyrë nuk do ta ndërroja me asgjë, jo për shkak të idealit, por sepse ajo çka fitoj në raport me atë çka humbas është e vogël. Nuk mundem ta ndërroj mundësinë time për një Shqipëri më të mirë për 5 lekë.
– Profesor Fuga jeni një nga mbështetësit më të zëshëm të idesë së Republikës së re. Por ç’nënkupton realisht kur kërkoni themelimin e një Republike të re?
Një zgjedhje të deputetëve nga populli, të drejta politike për qytetarin, ndarje të pushteteve që është elementi i parë, thelbësor i një shteti demokratik, status të vërtetë punonjësi civil, qeverisje që nuk bëhet nga parti politike, por të decentralizuar, demokraci dhe pushtet lokal shumë i fuqishëm, kthim të pushtetit lokal te qytetari, arsim të lartë të rinisë shqiptare derisa të vijë në nivel europian, jo shtet dypartiak siç është sot, por një shtet jashtë partiak, mbipartiak. Ne kemi kaluar nga një shtet njëpartiak i kohës së komunizmit te shteti dypartiak që është thuajse e njëjta gjë, madje më keq. Unë jam i mendimit se çfarë është e mirë për Europën, është e mirë dhe për Shqipërinë.
– Por a ka ëndrra e pritshmëri profesori në Republikën e re?
Unë ëndërroj një Shqipëri të zhvilluar mendërisht, një shqiptar dinjitoz, një Shqipëri dinjitoze. Nuk e dua Shqipërinë ku politikanët, ata që quhen shërbëtorët e popullit të jenë më të pasurit e një populli të varfër. Dua një Shqipëri të zhvilluar ekonomikisht, dinamike dhe konkurruese. A është e bëshme kjo? Po, absolutisht brenda dy dekadave mund të bëhet.
Intervistuan Ornela Zani & Marash Z. Logu
Hoffenheim mposht Bayernin e Mynihut
E martë fitoresh për vendasit në Bundesligë, me Bajernin e Mynihut, që gjithashtu i lejoi vetes një hap fals përballë Hoffenheimit, që me këtë fitore është shumë pranë arritjes historike të pjesëmarrjes në Champions. Një gol i kroatit Kramariç në pjesën e parë i dha 3 pikët skuadrës vendasve, përballë bavarezëve që gjithsesi kanë një largësi sigurie nga ndjekësit në renditje. Borusia e Dortmundit gjithashtu hodhi një hap të rëndësishëm drejt zonës Champions pasi mposhti 3-0 në shtëpi Hamburgun që nuk e përballoi dot forcën e vendasve.
Në pjesën e parë ishte Castro që zhbllokoi rezultatin, ndërsa vetëm në 10 minutat e fundit, Kagawa vendosi në kasafortë rezultatin me golin e 2-0, ndërsa rezultati përfundimtar u vulos nga Aubameyang në të 92-tën. Me të njëjtin rezultat 3-0 fitoi dhe Werder Bremen që mundi Schalken duke konfirmuar momentin e mirë që po kalon teksa regjistroi suksesin e 6-të në 7 ndeshjet e fundit.
Gbreselassie hapi rrugën e të tijve drejt fitores me një goditje të saktë me kokë, ndërsa në të 76-tën, Kruse dyfishoi rezultatin nga pika e bardhë përpara se Eggestein në të 80-tën të siguronte fitoren e të tijve, që ngjiten tashmë në vendin e 8-të dhe shohin pranë dhe Europën.
Ibra: Skuadër kotele
Në fazën e parë ishte Evertoni që barazonte në fund ndaj United, ndërsa këtë herë Djajtë e Kuq u përgjigjën në të njëjtën mënyrë duke shënuar golin e barazimit pikërisht në minutën e fundit falë një 11-metërshi të shndërruar në gol nga Ibrahimoviç që u rikthye me gol për të tijtë. Një pikë që evitoi humbjen për skuadrën e Mourinhos, që ka 20 ndeshje në Premier që nuk mposhtet, por që gjithsesi largon shumë nga zona Champions Djajtë e Kuq, të paktën nëpërmjet kampionatit.
Phil Jagielka ishte autori i golit të epërsisë për Blutë e Liverpool-it që konfirmohen si një kundërshtar i vështirë për të besuarit e Mourinhos, që patën dhe mungesën e fatit me vete, si në rastin e Herrerës në të 31-tën, ndërsa në pjesën e dytë skena ishte e tëra për Ibrën, që pa t’i anulohej një gol në të 71-tën, humbi një super mundësi në të 89-tën nga një pozicion relativisht i mirë për të, ndërsa në të 94-trën nga pika e bardhë shënoi golin e barazimit duke zgjatur thjesht numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje, pasi në total United me nëntë barazime shtëpiake ka lënë shumë pikë të vlefshme përpara publikut të tij.
Zlatan Ibrahimoviç nuk arrin ta përtypë barazimin 1-1 ndaj Evertonit duke dalë kundër shokëve të skuadrës. Sulmuesi i Manchester United nuk zgjedh gjuhën diplomatike, madje zgjedh fjalët e ashpra duke krijuar një situatë të pazakontë. “Unë jam një luan, shokët e mi janë kotele. Është një dështim ky sezon sepse as nuk e mbaj mend vitin kur jam renditur i dyti në kampionat”.
Moment negativ për Manchester United sepse pas sulmit të Mourinhos ndaj skuadrës në përfundim të ndeshjes ndaj West Bromvich, në skenë del shtatlarti suedez. Barazimi i tretë rresht në “Old Trafford” dhe klasifikimi është pasqyra e një sezoni pothuajse katastrofik në Premier League. Djajtë e Kuq renditen në vendin e pestë me 4 pikë diferencë nga Manchester City dhe në këtë mënyrë, kualifikimi për në Champions League bëhet një mision pothuajse i pamundur. As rikthimi i Ibrahimoviç nuk rikthen fitoren për të besuarit e “Special One” edhe pse gjiganti suedez shënoi golin e barazimit në minutën e 94. “Nuk arrita të fitoja dhe skuadra ime dështoi. E ndiej shumë presionin. Klasifikimi është tregues i qartë i momentit që po kalojmë sepse renditemi në atë vend që meritojmë”, theksoi gjithashtu 35-vjeçari. Një deklaratë që paralajmëron një largim të mundshëm të Ibrahimoviç në fund të sezonit pasi oferta e Los Angeles Galaxy nga MLS vazhdon të qëndrojë pas portës së Manchester United.


















