Një milion euro dhuratë për të gjitha federatat europiane. Një fond shtesë solidariteti, nga i cili do të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe Shqipëria dhe Kosova. Ky është vendimi i UEFA-s, pas rezultateve të shkëlqyera financiare të konfederatës kontinentale të futbollit, pas raportit të përfitimeve nga organizimi i Kampionatit Europian Francë 2016.
Shifra prej një milion eurosh do të lëvrohet menjëherë për 55 federatat europiane anëtare, ndërsa presidenti Ceferin deklaroi se fondi i solidaritetit do të vazhdojë të shpërndahet edhe në të ardhmen. Fondi është mjaft i rëndësishëm për të ardhurat e federatave më të vogla, si janë Shqipëria dhe Kosova, për të zhvilluar futbollin kombëtar në të gjitha nivelet, duke përfshirë këtu edhe kompeticionet e fëmijëve dhe të femrave.
“UEFA nuk ka për qëllim të akumulojë pasuri. Në një kohë që federatat vuajnë për zhvillimin e futbollit në territorin e tyre dhe në një shoqëri individualiste, solidariteti mbetet një tipar i pandryshueshëm i ADN-së së UEFA-s”, tha Ceferin në fjalimin e tij gjatë Kongresit të zakonshëm në Helsinki.
Presidenti i UEFA-s deklaroi gjithashtu se do të mbrohen vlerat e futbollit, kundër cinikëve, sepse ky është një sport që duhet t’i bashkojë njerëzit dhe jo t’i ndajë. “Në një botë të trazuar, futbolli u jep njerëzve arsye të ëndërrojnë. Ëndrra e futbollit është e gjallë”, deklaroi ndër të tjera Ceferin, që theksoi se me dhjetëra miliona lojtarë të regjistruar dhe qindra milionë tifozë, futbolli është lëvizja më e madhe sociale në Europë.
UEFA, 1 milion euro për Shqipërinë dhe Kosovën
Berisha: Na duhej një fitore jashtë
Etrit Berisha u rikthye titullar dhe la pas dëmtimin duke e ndihmuar ekipin e Atalantës të fitonte ndaj Xhenoas. Portieri i kombëtares kaloi një dëmtim që e la atë jashtë një ndeshjeje të mëparshme me skuadrën bergameske. Gjatë ditëve të grumbullimit me kombëtaren, ai erdhi në Shqipëri pas humbjes së kuqezinjve ndaj Italisë, por nuk u aktivizua as ndaj Bosnjës. Në fundjavë, Berisha u rikthye në katërkëndëshin e Atalantës, e cila fitoi, duke lënë pas krahëve disfatën e rëndë kundër Interit 7-1.
“Ishte shumë e rëndësishme të arrinim rezultat në transfertë. Jam i kënaqur që arritëm të kalonim Interin. Skuadra luajti shumë mirë dhe tregoi karakter, duke mos u tronditur pas humbjes që pësuam me zikaltrit. Duam të vazhdojmë kështu”, tha Berisha pas ndeshjes.
Strakosha: Suksesin ia dedikoj familjes
Thomas Strakosha regjistron një tjetër arritje historike në sezonin e tij të parë me Lazion si zgjedhje e parë. Gardiani shqiptar që zhvilloi një 90 minutësh fantastik edhe në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Italisë kundër Romës, shijon suksesin. Disa pritje vendimtare në 180 minuta dhe një biletë për finalen e madhe të qershorit. Strakosha ka fituar besimin e trajnerit, tifozëve dhe klubit duke hedhur kandidaturën për të qenë zgjedhje e parë në sezonin e ardhshëm. 22-vjeçari kuqezi shfaqet i emocionuar në prononcimin e tij për mediat italiane, duke theksuar se ai bashkë me skuadrën arritën një objektiv të rëndësishëm që është edhe finalja e tij e parë me skuadrën e parë të Lazios.
“Në Kupën e Italisë kam fituar ndaj Romës edhe me të rinjtë dhe kjo është një ndjesi e bukur. Jam shumë i lumtur, por dua të punoj akoma edhe më shumë. Ia dedikoj këtë arritje familjes time që edhe në momente të vështira më kanë mbështetur. E kemi merituar këtë finale sepse jemi ndeshur me kundërshtarë të fortë, duke treguar vlerat që kemi si skuadër. Nëse tifozeria do të na mbështesë përherë kështu, do të jetë shumë e vështirë që kundërshtarët tanë të na mundin. Mbështetja e tyre për ne është shumë e rëndësishme, kemi një tifozeri magjike që nuk krahasohet me asnjë skuadër tjetër”, shprehet Strakosha, i cili ka rritur shanset për të luajtur titullar në finalen e qershorit edhe pse rikthimi i Marchettit mund ta komplikojë disi situatën.
Roma eliminohet nga kupa

Lazio dhe Thomas Strakosha presin biletën e parë për në finalen e Kupës së Italisë. Bardhekaltrit u mposhtën 3-2 në derbin e kthimit me Romën dhe me rezultat të përgjithshëm 3-4 kualifikohen për në sfidën e fundit të kompeticionit, ku do të përballen me fituesin e çiftit Juventus–Napoli. Skuadra e Simone Inzaghit i shuajti shpresat e verdhekuqve për një përmbysje të madhe që në pjesën e parë, kur Milinkoviç–Saviç fare pranë portës shtyu drejt rrjetës një top të kthyer nga portieri Alisson.
Vetëm 5 minuta zgjati ky avantazh i parë për Lazion, pasi El Sharaawy, përfitoi nga një shpërqendrim i mbrojtjes bardhekaltër për golin e 1-1. 10 minuta nga starti i pjesës së dytë, Ciro Immobile, i nisur nga pozicioni i rregullt që nga mesfusha, nuk gaboi përballë Alisson, për t’i dhënë goditjen përfundimtare Romës. Në të 66-ën Muhamed Salah me intuitën e tij ndoqi aksionin e El Sharaawy-t, që u ndal nga shtylla, për ta detyruar Strakoshën që ta nxirrte për herë të dytë topin nga rrjeta.
Në të 90-ën Strakosha nuk arrin të kontrollojë goditjen e Nainggolan, me Salah që ndjek aksionin dhe pasi shmang portierin shqiptar shënon të tretin të verdhekuqtë, por që nuk e shmangu eliminimin, pasi Romës i nevojiteshin edhe dy gola të tjerë për të siguruar finalen.
“Shëndetësia falas” dhe e vërteta me Qendrën e Sterilizimit
Demokrati Tritan Shehu ka reaguar në lidhje me aktualitetin politik në vend, ndërsa nuk kurseu sulmet për Kryeministrin Edi Rama. Me anë të një statusi në faqen e tij të Facebook, Shehu pohoi se dje Rama mashtroi me disa foto që publikoi për publikun, që kishin të bënin me instrumentet e Qendrës së Sterilizimit. “Teatralitet për të maskuar dështimin e ‘shëndetësisë falas’! Dje z. Rama kërkoi të ‘trukojë’ kolapsin e politikave të tij shëndetësore me disa foto e imazhe të Qendrës së Sterilizimit dhe instrumenteve kirurgjikale. Së pari, Qendra e Sterilizimit pranë QSUT është ndërtuar e tillë moderne para mandatit të z. Rama dhe do të ishte shumë më rentabël të vihej në funksionim jo nëpërmjet një lloj ‘koncesioni’, por nëpërmjet kualifikimit të disa specialistëve shqiptarë duke ngelur publike. Dhënia e saj privatit së bashku me një marrëveshje pagesash ndaj tij prej deri në 100 M euro në 10 vite për të gjithë vendin, koston shumë, dëmton vendimmarrjen e çdo spitali, si dhe krijon një monopol privat absolut në treg. Së bashku me disa ‘koncesione’ të tjera të tilla si ai i check up, laboratorëve etj., sistemit tonë të varfër shëndetësor i janë ‘rrëmbyer’ fonde të mëdha, duke përkeqësuar në dramaticitet gjendjen e tij. Në këtë mënyrë qytetarët po paguajnë gjithmonë më shumë për një shërbim shëndetësor shumë larg standardeve, duke u rrezikuar shëndeti i tyre. Kjo është shëndetësia ‘falas’ që tashmë edhe Rilindja nuk po e përmend”, shprehet ai.
Alitalia në grevë, pezullohen 60% e fluturimeve, 5 me Shqipërinë
Greva e sindikatave në Itali ka “paralizuar” thuajse tërësisht transportin ajror. Në grevë janë edhe punonjësit e transportit publik në Milano. Alitalia ndërkohë është në grevë 24 orëshe, pasi punonjësit kundërshtojnë planin e shkurtimeve. Ky plan parashikon shkurtimin e 2000 vendeve të punës, si dhe shkurtimin e pagave nga 20% deri në 30%. Kompania ajrore është në vështirësi serioze prej kohësh dhe humbjet financiare përllogariten në më shumë se 1 milion euro në ditë, deri më tani nuk ka pasur ende asnjë plan serioz për të dalë nga kriza. Plani i shkurtimeve vjen si një zgjidhje e përkohshme, për të shtyrë sadopak në kohë kolapsin financiar të kompanisë. Vetë Alitalia ka lajmëruar se nga greva 24-orëshe do të preken 60% e fluturimeve të datës 5 prill, si ato kombëtare ashtu edhe ato ndërkombëtare, duke nënvizuar gjithashtu se, 92% e pasagjerëve janë të siguruar, duke i rimbursuar biletën apo duke i mundësuar fluturimin nëpërmjet linjave të tjera ajrore. Nga aeroporti “Nënë Tereza” ndërkohë, njoftohet se janë anuluar tri fluturime në mbërritje, ai i orës 17.25 nga aeroporti “Fiumicino” i Romës, ai i orës 22.55 nga aeroporti i Barit, si dhe ai i orës 23.25 nga aeroporti “Fiumicino”. I anuluar rezulton të jetë edhe fluturimi në nisje i orës 18.15 për në Romë, si dhe ai i orës 23.45 për në Bari.
Rënia e interesave, bonot 12-mujore zbresin sërish poshtë 2%
Interesat e bonove të thesarit regjistruan një tjetër rënie në ankandin e kësaj jave. Bonot me maturim 12-mujor zbritën sërish poshtë nivelit të 2%, për herë të parë që nga nëntori i vitit të kaluar. Interesi mesatar i ponderuar ishte 1.79%, në rënie për të gjashtin ankand radhazi. Interesat ranë edhe për bonot me maturim 6-mujor, në nivelin 1.52%, nga 1.7% që kishin qenë në ankandin e muajit të kaluar. Ulja e interesave po vjen kryesisht si rrjedhojë e një kërkese të lartë të tregut financiar për të investuar në instrumentet e borxhit qeveritar. Nga 12.2 miliardë lekë bono të ofruar në ankande nga Ministria e Financave, kërkesat totale arritën në afro 14.1 miliardë lekë. Në një masë të caktuar, rritja e investimeve të bankave në bono mund të lidhet me një periudhë më të vakët të kreditimit të sektorit privat. Megjithatë, për ekspertët shpjegimi kryesor mund të jetë roli i Bankës së Shqipërisë. Ata mendojnë se në rritjen e kërkesës për bono mund të ketë ndikuar shtimi i likuiditetit të injektuar në treg nga Banka e Shqipërisë, përmes marrëveshjeve të riblerjes. Pasi qeveria vuajti në fund të vitit të kaluar për të siguruar financimin e nevojshëm në lekë, mesa duket, Banka Qendrore ka ndërhyrë për të rritur përkohësisht likuiditetin në treg, çka ka sjellë rrjedhimisht edhe një ulje të interesave. Ulja e interesave të bonove, për momentin, i ul presionet për rritjen e interesave të depozitave dhe kredive bankare. Çmimi i parasë në sistem duket se do të ngelet i lirë edhe gjatë këtij viti, si përcjellje e politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë dhe si rrjedhojë e rritjes ende nën potencial të ekonomisë.
Faturat e energjisë 40% më të larta, si po vjedh OSHEE qytetarët
Nuk mjaftoi që rriti çmimin e energjisë elektrike, por qeveria dhe OSHEE po mbifaturojnë qytetarët nga 30 deri në 40 për qind më shumë se konsumi që ata kanë harxhuar. Informacion për mbifaturimet e energjisë vijnë nga të gjitha rrethet, ku qytetarët ankohen për çmimin e kripur të faturës, e cila në më të shumtën e rasteve ose nuk korrespondon me atë që tregon sahati, ose vendoset aforfe. Familje pensionistësh me dy anëtarë u kanë ardhur fatura prej 12 mijë apo 15 mijë lekë të reja, për shkurtin dhe janarin, megjithëse në më të shumtën e rasteve kanë zgjedhur si alternativë ngrohjeje gazin si për ngrohje ashtu dhe për gatim. Eshtë një formë tjetër e rrjepjes së qytetarëve. Ata shprehen se, pasi ankohen, u kërkohet që të paguajnë një herë faturën më pas të shohin për ndonjë ulje në faturën e muajit pasardhës.
Shpërdorimet
Burime nga OSHEE shprehen se mbifaturimi i qytetarëve është zgjedhur si formë për të mbyllur gropën energjetike që ky institucion ka ndaj të tretëve, KESH, OST apo operatorëve privatë. Në vitin 2015 u ndërrmor një aksion masiv i energjisë për borxhet e prapambetura, ku qindra qytetarë përfunduan burgjeve, ndërsa rreth 12 të tjerë vranë veten si pasojë e presionit policor dhe faturës së pabërballueshme. Të dhënat zyrtare shprehen se nga ky aksion u arritën të mblidheshin rreth 30 miliardë lekë. Para të cilat qytetarët morën dhe kredi që t’ia paguanin Ramës. Por në rast se vëren statistikat, borxhi ka ndejtur thuajse në të njëjtat nivele sidomos për sa i përket KESH dhe OST. Me paratë e mbledhura u paguan një pjesë e operatorëve privatë që prodhojnë energjinë të afërt me energjinë, por borxhi ndaj KESH mbeti në nivelet e 37 miliardë lekëve. Në total borxhi nga 99.3 miliardë lekë, që ka OSHEE zbriti vetëm me 6 miliardë lekë. Nuk dihet ende ku kanë përfunduar 24 miliardë lekë të tjera nga 2015-ës, por shifra të përafërta nga mbledhja e prapambetur e borxheve raportohen dhe për vitin 2016. Investimet kanë qenë minimale ose të papërfillshme, ndërsa blerja e energjisë nga jashtë është reduktuar dhe për shkak të reshjeve të mira që ka shoqëruar në këto dy vite. Burime nga OSHEE shprehen se, paratë ose vidhen me anë të tenderave fiktivë, ose përfundojnë për të mbyllur gropën e doganave dhe tatimeve, e cila thellohet nga viti në vit. Gjiknuri do të dilte me të madhe në fillim të këtij viti të thoshte se, arkëtimet e energjisë shkuan 125 miliardë lekë vitin që shkoi, por nuk dha shpjegim pse janë dhënë vetëm 6 miliardë lekë në tre vjet për të mbyllur borxhin energjisë.
Vjedhja
Me sa shihet, zgjidhja janë sërish qytetarët. Mbifaturimi po bëhet për të mbuluar humbjet, jo nga mospagesat, por këtë herë nga vjedhja e hapur që po bëhet në këtë kompani. Një grusht njerëzish kanë privatizuar gjithçka. Jo më kot, Rama do të thërriste nga Durrësi një marifetçi për këto punë siç është Adrian Çela, ish-nënkryetar i Bashkisë së Dakos. Ky i fundit, ishte dhe ndër flamurtarët për votimin e vettingut, kur deklaronte se duhej votuar sa më shpejt. Eshtë i habitshëm fakti se si të gjithë personat, të cilët janë më së shumti të akuzuar për korrupsion në instancat shtetërore kërkonin me një urgjencë të pashpjegueshme një reformë, e cila godiste gjyqësorin. Çela dhe këtë herë duket se e ka gjetur zgjidhjen, duke mbifaturuar njerëzit, të cilët janë të detyruar të japin 30-40 për qind të të ardhurave për të shlyer faturat e kripura. Një tregues i qartë i vjedhjes së hapur dhe në mes të ditës që po ndodh në një nga sektorët më jetikë të vendit siç është energjia.
KLSH: OSHEE po rrjep qytetarët, por refuzon të shlyejë borxhet
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se kompanitë publike OSHEE, KESH dhe OST kanë korrur fitime të rëndësishme, por kanë refuzuar të shlyejnë borxhet. Raporti i KLSH-së evidenton si kompaninë më problematike OSHEE-në. Sipas KLSH-së, këto tre operatorë duhet të hartojnë një program të saktë për shlyerjen e borxheve sipas afateve të përcaktuara në marrëveshjen e ratifikimit të huasë. Ministria e Energjetikës ka publikuar raportet për fitimet e kompanive publike të energjisë, ku sipas të dhënave tre kompanitë publike, OSHEE, KESH dhe OST në total kanë një fitim rreth 14,2 miliardë lekë ose 104 milionë euro. Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, është shprehur se hapat që janë ndërmarrë kanë krijuar një efekt pozitiv në financat publike. Nga ana tjetër, borxhet e ndërsjellta të operatorëve publikë janë në nivele tepër të larta. Borxhet e të tretëve ndaj OSHEE-së janë ulur, por mbeten të larta. Në bazë të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim, detyrimi i mbetur i OSHEE ndaj CEZ AS, deri më datë 20 shtator 2016, është 5.8 mld lekë – konstaton KLSH. Sipas përcaktimit në ligjin nr.170/2014, “Për ratifikimin e Marrëveshjes së huasë”, KLSH ka vërejtur se nuk ka një studim të saktë, mbi prognozën e ecurisë së shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella, veçanërisht në skedulin e pagesave dhe objektivave të vendosura ndaj OSHEE. Gjithashtu OSHEE, OST dhe KESH, të hartojnë një program të saktë për pagesat e detyrimeve të ndërsjella, sipas afateve të caktuara në projektin e rimëkëmbjes”, shkruhet në raportin e KLSH. Megjithëse Shqipëria për herë të parë në 2016 ishte një eksportuese neto e energjisë, ka patur një rënie të konsumit të energjisë në vend. Konsumi i energjisë është ulur me 2.3% në 2016-ën. Të dhënat krahasuese, shkruan “Monitor” tregojnë, se është ulur konsumi nga konsumatorët e mëdhenj që janë biznese, konsumi i të cilave ra me 17% më 2017. OSHEE-ja më herët këtë çështje e ka raportuar si një tendencë e konsumatorëve, të cilët nuk shpërdorojnë energjinë elektrike, për shkak të shtrëngimit të politikave dhe grumbullimit të faturave. Por të dhënat e vitit të fundit tregojnë, se rënia erdhi nga konsumatorët e mëdhenj të energjisë (bizneset e mëdha).
PD: Qytetarët po paguajnë 50% më shumë se sa harxhojnë
Alarmin për mbifaturimin e energjisë elektrike do e jepte Partia Demokratike që në fillim të shkurtit, me anë të sekretares për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma. Përmes një deklarate për mediat, Grida Duma tha se për shkak të mbifaturimeve, qytetarët sot paguajnë 50% më shumë energjinë elektrike, një fenomen i cili duket se nuk ka të ndalur edhe sot kur data shënon 4 prill. Edi Rama nuk u mjaftua vetëm me rritjen e çmimit të energjisë për qytetarët, por edhe i mbifaturon ata. Me mijëra ankesa kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria për abuzimet me faturat e energjisë elektrike. Qytetarëve u është dashur të paguajnë 50% më shumë se kostoja reale e energjisë së konsumuar. Qytetarët thonë se, pasi ankohen, u thuhet paguajeni një herë, dhe flasim muajin tjetër. Kjo është vjedhje, nuk ka emër tjetër. Edi Rama jo vetëm e rriti çmimin e energjisë elektrike, por vazhdon t’i vjedhë qytetarët dhe bizneset. Ata që nuk janë të lidhur me qeverinë, se miqtë e qeverisë nuk paguajnë. Dhe atë që nuk paguajnë miqtë e qeverisë, e nxjerrin tek qytetarët, duke i mbifaturuar. Jo vetëm rriti çmimin e energjisë, por Edi Rama la për muaj të tërë në errësirë familjet pa asnjë të ardhur, sepse nuk paguanin dot energjinë dhe shtyu drejt vetëvrasjes shumë kryefamiljarë. Më 18 shkurt ne duhet të protestojmë për mashtrimin, abuzimin dhe vjedhjen që Edi Rama po u bën shqiptarëve. Më 18 shkurt duhet të protestojmë në emër të Klajdi Muçës, Arif Dodës, Barbulla Pepës, Resmie Allës, Qamil Zelës, Llazar Nasit, Altin Myftarit, Gjovalin Gjinit, që u vetëflijuan dhe vdiqën nga të ftohtët, sepse nuk paguanin dot dritat. Më 18 shkurt të protestojmë për qindra kryefamiljarë të papunë që nuk kanë para për të siguruar energjinë elektrike për fëmijët e tyre. Më 18 shkurt të ndalim padrejtësinë dhe me votë të lirë t’i hapim rrugën një qeverie për qytetarët.
Liberalizohet tregu energjetik
Liberalizimi i tregut energjetik në Kosovë ka nisur në fillim të këtij muaji. Këtij procesi i ka paraprirë miratimi i pakos së tretë të ligjeve për energji në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, ligje këto në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian. Adelina Murtezaj Bajrami, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Zyrën e Rregullatorit për Energji, në një përgjigje dërguar përmes postës elektronike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se liberalizimi i tregut i mundëson konsumatorëve që të zgjedhin në mes furnizuesve (operatorëve) të ndryshëm që operojnë në treg. “Gjenerimi i energjisë dhe furnizimi do t’i nënshtrohen tregut të lirë dhe roli i Rregullatorit do të jetë mbikëqyrës, duke siguruar se të gjithë aktorët zbatojnë rregullat e tregut të lirë dhe nuk lidhin marrëveshje në dëm të interesit të konsumatorëve. Me këtë qëllim, tashmë ZRRE ka licencuar edhe dy furnizues të tjerë përveç KESCO Sh.A,HEP sh.a dhe GSA sh.a”, thekson Murtezaj – Bajrami. Ndërkohë distribuimi dhe transmisioni si bartës të energjisë elektrike janë funksione monopolistike dhe do të jenë gjithmonë të rregulluara. Përderisa prodhimi dhe furnizimi i energjisë do të jenë funksione që i nënshtrohen tregut të lirë.
Rritja e çmimeve më 2016-n, 78% u krijua nga ushqimet
Rritja e çmimeve të ushqimeve dominoi rreth 78% të rritjes së përgjithshme (inflacionit) më 2016. Sipas të dhënave të detajuara nga Banka e Shqipërisë, inflacioni në tremujorin e katërt 2016 shënoi një rritje 1.9%. Në këtë masë, 1.5% i takon kontributit që dhanë rritja e çmimeve të ushqimeve të përpunuara me 0.6% dhe ushqimeve të përpunuara (fruta dhe perime) me 0.9%. Inflacioni mesatar vjetor i vitit 2016 rezultoi në nivelin 1.3%. Sipas Bankës së Shqipërisë, profili i tij u karakterizua nga një rënie e shpejtë në tremujorin e parë, një stabilizim në vlera të ulëta gjatë tremujorit të dytë dhe rritje progresive në tremujorin e tretë dhe të katërt. Norma mesatare e inflacionit gjatë gjashtëmujorit të parë ishte në nivelin 0.7%, ndërkohë që ajo e gjashtëmujorit të dytë shënoi vlerën 1.9%. Reduktimi i inflacionit në muajt e parë të vitit erdhi si pasojë e goditjeve të ofertës, të shprehura në rënien e inflacionit të çmimeve të ushqimeve të papërpunuara, të naftës dhe të shërbimeve të lidhura me të. “Rënia e shpejtë e inflacionit në fillim të vitit nuk ishte një dukuri e veçuar e ekonomisë shqiptare: inflacioni i Eurozonës dhe i vendeve të rajonit u luhat po ashtu në vlera shumë të ulëta, madje dhe negative, në këta muaj”, analizoi banka. Nga ana tjetër, rritja e inflacionit në gjysmën e dytë të vitit reflektoi dobësimin e goditjeve të ofertës dhe forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste, si pasojë e ngushtimit të hendekut negativ të prodhimit. Ecuria e inflacionit vijon të përcaktohet në masën më të madhe nga kontributi i inflacionit të çmimeve të ushqimeve. Të dy kategoritë kryesore të ushqimeve, ato të përpunuara dhe ato të papërpunuara, pësuan një rënie të inflacionit gjatë gjashtëmujorit të parë në reflektim të rënies së përgjithshme të çmimeve të ushqimeve në tregjet botërore. Më tej, inflacioni i tyre shfaqi shenja rikuperimi gjatë gjashtëmujorit të dytë, në përgjigje të rënies së presioneve dezinflacioniste nga çmimet e huaja dhe të kostove më të larta prodhuese në industrinë përpunuese ushqimore për tregun vendas. Prirje rritëse ndoqi edhe inflacioni i kategorisë “Mallra të konsumit joushqimor”, i ndikuar kryesisht nga ecuria e çmimeve të karburanteve në vend. Pas një periudhe të gjatë me kontribut negativ në inflacionin total (dhjetor ’14-gusht ’16), kjo kategori ktheu kahun drejt vlerave pozitive në rritje. Kontribut pozitiv në dy muajt e fundit të vitit ka gjeneruar edhe rritja e çmimeve të artikujve të tjerë të kësaj kategorie. Ecuria e çmimeve në kategorinë “Strehim” iu rikthye kontributeve të lehta pozitive në inflacionin total nga tremujori i dytë i vitit 2016. Gjithashtu, inflacion dhe kontribut në rritje, në muajt e verës, ka shënuar edhe kategoria “Shërbime”, kryesisht nga rritja e çmimeve të shërbimeve të transportit.















