Sekretariati i Komunitetit të Energjisë paralajmëroi Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën për moszbatimin e rregullave për eficiencën e energjisë. Në një njoftim zyrtar të institucionit, që merret me politikat ndërkombëtare të energjisë, thuhet se sekretariati i qëndron mendimit se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina kanë shkelur në mënyrë të vazhdueshme ligjin e Komunitetit të Energjisë, duke mos miratuar të gjitha dispozitat ligjore të nevojshme për të arritur një nivel të mjaftueshëm të zbatimit të dispozitave të Direktivës 2006/32/KE, objektivi i të cilit është që të promovojë dhe monitorojë shërbimet e energjisë dhe masa të tjera për përmirësimin e efikasitetit energjetik. Për më tepër, sekretariati pohon se duke mos miratuar Planin e Veprimit të Eficiencës së Energjisë siç kërkohet nga direktiva, këto palë kontraktuese janë ende në shkelje të detyrimeve të tyre që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë. Qëllimi i direktivës është të bëjë të mundur përdorimin fundor të energjisë më ekonomike dhe efikase, duke vënë objektiva dhe stimuj, si dhe duke krijuar kornizat institucionale, financiare dhe ligjore të nevojshme për të eliminuar barrierat e tregut dhe defektet, të cilat pengojnë përdorimin final të energjisë. Në rastin e Shqipërisë, mosplotësimi përfshin mungesën e legjislacionit dytësor për zbatimin e Ligjit të Eficiencës së Energjisë dhe mungesën e përshtatjes së një Plani të Veprimit për Eficiencën e Energjisë. Pas paralajmërimit, Shqipërisë i është kërkuar që të korrigjojë çështjet e identifikuara të mosrespektimit brenda afatit prej dy muajsh. Si anëtare e Komunitetit të Energjisë dhe angazhimeve të tjera të marra prej saj, Shqipëria është e angazhuar për të ndjekur prirjen e Bashkimit Europian për eficiencën e energjisë, duke adoptuar legjislacionin në përputhje me Acquis të BE për Eficiencën e Energjisë, Energjive të Rinovueshme etj., dhe të përgatisë periodikisht Planet Kombëtare të Veprimit, monitorimin dhe raportimin mbi realizimin e objektivave të energjisë së rinovueshme, eficiencës së energjisë dhe reduktimit të emetimeve të gazrave me efekt serrë. Objektivi konkret afatmesëm i vendosur nga qeveria shqiptare në këtë kontekst, është ulja e konsumit të energjisë prej 9% deri në vitin 2018. Në zbatim të këtyre detyrimeve, në nëntor 2015, Parlamenti i Shqipërisë miratoi Ligjin Nr. 124 dt. 05.11.2015 “Për eficiencën e energjisë”, si mekanizëm për transpozimin e Direktivës 2012/27 të BE “Për eficiencën e energjisë”, si hap të parë drejt transpozimit të plotë të direktivave të BE-së për eficiencën e energjisë. I botuar në Fletoren Zyrtare numër 201, të 24 nëntor 2015, ky ligj ka hyrë në fuqi më 9 dhjetor 2015 duke parashikuar që të sillte rezultatet e para dhe ngritjen e institucioneve të reja brenda 12 muajve në vijim. Kur kanë kaluar mbi 15 muaj nga hyrja në fuqi e dispozitave të tij, situata e hartimit të akteve dytësore paraqet vonesa të theksuara. E njëjta situatë me shkelje të afateve konstatohet edhe në lidhje me ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të parashikuara nga ligji. Nëse nuk ecet me shpejtësi dhe bllokohet procesi, kjo mund të ndikojë negativisht në rekomandimet që Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, – një institucion që ka për qëllim të zgjerojë tregun integral të energjisë së BE-së në Europën Juglindore e më tej përmes një kuadri ligjor detyrues – do të japë për Shqipërinë, me efekt në marrëdhëniet që vendi ka me të tretët për energjisë, deri në huatë ndërkombëtare që i jepen shtetit shqiptar për energjinë.
Kosovë, investimi i parë strategjik në sektorin minerar
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka marrë pjesë në prezantimin e kompanisë “Esaan”, e cila ka shpalosur planet e saj për investime në sektorin minerar në Kosovë, respektivisht krijimin e vendeve të punës. Kjo kompani prezantimin e ka bërë në Prishtinë para studentëve të gjeoshkencës së Universitetit “Isa Boletini” nga Mitrovica, kuadro që mund të jenë pjesë e investimeve që planifikon të bëjë kompania. Ministri Stavileci tha se arsyeja që kanë dashur të kenë një prezantim të tillë para studentëve është se kompania “Esaan” si synim ka krijimin e vendeve të reja të punës, gjë që mund të jetë një mundësi edhe për studentët që në të ardhmen të jenë pjesë e kësaj kompanie. “Ne kemi aprovuar Ligjin për Investime Strategjike përmes, të cilit do të hapet një dritare e re për të pasur investime. Kemi investitorë, të cilët e kanë parë si mundësi të jashtëzakonshme sektorin minerar. Jemi në diskutime se si ta gjejmë një balancë në mes të përfitimeve ekonomike të ambientit dhe aspekteve sociale. Një projekt është i suksesshëm vetëm atëherë ku ka bilanc ekonomik mjedisor dhe social”, ka thënë ministri Stavileci. Ndërsa, drejtoresha e kompanisë “Esaan”, Serpil Enirel, tregoi se para 5 vjetësh kjo kompani ka hapur degën e saj edhe në Kosovë dhe ka dy licenca dhe se është në pritje për t’i finalizuar investimet. “Gjatë kësaj periudhe ne kemi finalizuar studimet tona eksploruese dhe jemi në proces të studimit të fizibilitetit. Ne e kuptojmë që ka fusha të tjera shtesë për t’u hulumtuar dhe duam të dimë çfarë ka dhe nëse ka diçka për t’u investuar ne duam të investojmë dhe ne kemi një plan, të cilin e kemi prezantuar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik”, ka thënë ajo. Rektori i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, Alush Musaj, tha se sektori i minierave në Kosovë shihet vetëm si profesion për meshkujt, por jo edhe për femrat. “Ne mendojmë që Kosova po shkon kah zhvillimi duke iu ofruar studentëve këto programe si kjo. Këtë mundësi që ju është dhënë sot shpresoj që do ta shfrytëzojnë studentët dhe mendoj se ata do ta gjejnë në të ardhmen një Kosovë më të zhvilluar”, theksoi Musaj.
BB: Si gënjen qeveria Rama për punësimet!
Banka Botërore ka rrëzuar dje pretendimet e ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, i cili deklaroi se në vend janë hapur rreth 200 mijë vende pune. Mirëpo në raportin e publikuar dje mbi punësimet, BB shprehet se vetëm Shqipëria dhe Bosnja nuk kanë pasur rritje të të punësuarve në rajon. “Njëfarë rimëkëmbje ekonomike ka shtuar punësimin prej vitit 2014, më shumë për gratë sesa burrat. Më 2016 rreth 5.8 milionë njerëz janë punësuar në vendet e Ballkanit Perëndimor, afërsisht 300,000 më shumë se 2010, përsëri me numër më të madh vendesh pune për gra sesa për burra. Punësimi është rritur në të gjitha vendet përveç Shqipërisë dhe Bosnjës”, thekson raporti. Nga ana tjetër aty është bërë i ditur dhe fakti se punësimet në Shqipëri bëhen politikisht. Raporti thekson se Shqipëria është vendi kryesor ku ka të punësuar individë pa arsim dhe të pakualifikuar. “Përqindja e punonjësve me arsim të lartë është rritur në përgjithësi në rajon në vitet 2010 e 2016. Ndërsa Shqipëria paraqiste një rast të veçantë me numrin më të madh të punonjësve pa arsim apo kualifikime dhe me numrin më të vogël të njerëzve me aftësi të larta në Ballkanin Perëndimor”, thuhet aty. Banka Botërore shprehet në raportin e saj se në Shqipëri ka pasur rritje të punësimit në radhët e personave mbi 64 vjeç, ndërsa për të rinjtë niveli është shumë i ulët. “Çuditërisht punësimi u rrit më shumë për punonjësit më të vjetër 55 deri në 64 vjeç në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo grupmoshë pati rritje mesatare 20 për qind në shumicën e vendeve dhe rreth 67 për qind në Shqipëri. Shifra shpjegohet pjesërisht me rritjen e popullatës së kësaj grupmoshe. Ndërsa për grupmoshën parësore (25-54 vjeç), punësimi është rritur në përgjithësi (përveç Bosnje-Hercegovina), por ka pasur stanjacion të rritjes së punësimit për të rinjtë, veçanërisht në Shqipëri, por dhe në Bosnje e Maqedoni. Kjo mund të shpjegohet dhe nga numri i vogël i të rinjve në përgjithësi, ose nga zgjatja e periudhës së arsimimit. Kjo e fundit konsiderohet si pozitive, pasi papunësia dhe mungesa e aktivitetit te të rinjtë është më e madhe te të arsimuarit më pak”, thuhet aty.
Arritja e objektivave
Në raportin e Bakës Botërore për punësimin në Ballkan, thuhet se vetëm Shqipëria dhe Kosova janë mbrapa me përmbushjen e planeve. Aty deklarohet se synimi është të kapë shifrën e 44.4 për qind, por kjo është shumë larg. “Rritja e punësimit është një nga objektivat kryesore të agjencisë së Evropës Juglindore dhe në vitin 2015 punësimi në rajon qëndronte në 39.9 për qind, sipas shifrave të popullatës së aftë për punë, por ende larg objektivit prej 44.4 për qind. Serbia e Maqedonia janë më afër objektivave kombëtare, ndërsa Shqipëria dhe Kosova mbeten shumë prapa”, thuhet aty. Nga ana tjetër janë dhënë dhe arsyet se përse ka pasur ndryshime të të punësuarve. Nga ana tjetër theksohet se mbështetja për të rinjtë është modeste. “Rastet e punësimit për të rinjtë me aftësi të larta e të mesme mbeten gjithashtu larg atyre të vendeve evropiane. Një shikim më i detajuar tregonte se punësimi i të rinjve me aftësi të larta ishte rritur në Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi ndër vitet 2010 e 2016. Përqindja e marrjes në punë të punonjësve me aftësi të mesme është rritur ndër vitet 2010 e 2016, më shumë në Shqipëri dhe Serbi, por jo në Maqedoni. Në Bosnje e Hercegovinë, përqindja kishte mbetur e pandryshuar”, thuhet aty.
Në Durrës ndodh ndotja më e madhe e detit në prag sezoni
Ajo çfarë ka ndodhur në Portin e Durrësit mëngjesin e djeshëm është një situatë e paprecedentë. Nëpërmjet një tubacioni, i cili nuk dihet prej ku e ka pikën e nisjes, në det kanë përfunduar mijëra litra mbetje urbane duke krijuar ndotje masive brenda basenit ujor. Ishin peshkatarët, të cilët ngritën alarmin se gjatë mëngjesit të djeshëm ishin bërë shkarkime masive nëpërmjet tubacionit të kanalizimeve të ujërave të zeza brenda Portit të Durrësit, duke shkaktuar ndotje dhe një erë kutërbuese në të gjithë portin. Ujërat e zeza kanë vërshuar në Portin e Durrësit ndërkohë që ndotja është konstatuar paraditen e djeshme nga peshkatarët dhe nga punonjësit e kalatës lindore të portit. Peshkatarët e Durrësit kanë dhënë alarmin dje në mëngjes për një ndotje të madhe të detit për shkak të shkarkimit të ujërave të zeza. Drejtoria e Mjedisit në Durrës ka monitoruar situatën dhe ka konfirmuar se kjo është ndotja më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë. Ata kanë njoftuar autoritetet e mjedisit portual për situatën e krijuar nga një derdhje e dyshimtë e ujërave të zeza në kalatën lindore të portit, ku ndodhet dhe kalata e peshkimit. Menjëherë inspektorë të Mjedisit dhe Shëndetit Publik kanë nisur hetimet për të zbuluar burimin e kësaj ndotjeje me qëllim marrjen e masave ndaj personave përgjegjës. Shkak i ndotjes dyshohet të jetë një derdhje e dyshimtë e ujërave të zeza në kalatën lindore të portit, aty ku dhe ndodhet kalata e varkave të peshkimit. Dyshimet e para bien mbi shkarkimet e paligjshme të kryera nga gropat septike të hotelerisë në plazhin e qytetit. Sipas peshkatarëve në orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë sipërfaqja e ujit të detit ishte e ndotur totalisht. Ndotja ishte shkaktuar nga rrjedhja e ujërave të zeza nëpërmjet tubacionit të ujërave të bardha që gjenden në këtë kalatë. Menjëherë kanë shkuar inspektorët e mjedisit, të cilët kanë konstatuar ndotjen e ujit. Shefi i mjedisit pranë Portit të Durrësit, Eno Hasa tha se ka kërkuar ndihmën e Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve për të zbuluar shkaktarët e kësaj ndotjeje. “Sot në mëngjes kemi marrë informacione nga specialistët e terrenit që monitorojnë komplet kalatën numër 10, ka pasur një derdhje të ujërave të zeza për shkak të një tubi. Kemi njoftuar Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve, Inspektoratin Mjedisor të Durrësit, ku të gjithë bashkë po ngrejmë një grup pune për të evidentuar shkakun e këtij problemi dhe për të parë se nga vjen kjo ndotje”, u shpreh Hasa. Autorët e ndotjes mund të jenë disa, por nuk përjashtohet mundësia që ato të cilët pastrojnë gropat septike të hoteleve mund t’i kenë zbrazur autobotet në pusetën e tubacionit të ujërave të bardha që shkarkohen në det. Ndërkohë që një prej peshkatarëve, tha se shpeshherë ka patur shkarkime, por mëngjesin e djeshëm shkarkimet kanë qenë shumë të larta e të paprecedenta. Madje peshkatarët thonë se u është dashur të braktisin anijet për shkak të erës së rëndë dhe ndotjes së ujit të detit. Plazhet dhe cilësia e tyre janë një ndër problemet kryesore gjatë sezonit turistik, ku pushuesit shpeshherë shprehin shqetësimet e tyre në lidhje me cilësinë e ujit dhe papastërtinë që mbizotëron.
Sa janë ata që të duan ditën e fundit!? E di?!
Frrok Çupi
Gjysma e titullit është “E di?”, “nuk është Edi”. Sepse vërtet shkrimi është për Edin që nuk e kishte menduar këtë ditë.
Jo vetëm një kryeministër, por ka plot njerëz që nuk e mendojnë “ditën e fundit” dhe këta i përkasin kategorisë së njerëzve të trashë, ose asocial, ose të marrë. “Dita e fundit” është një kategori jo thjesht biologjike, por në radhë të parë kategori filozofike. Fjala e urtë më popullore, që haset në mjedise të ngushta dhe në mjedise jo të ngushta, është kjo: “Jetoje të sotmen si të jetë dita e fundit”.
Më të çmendurit, që nuk e mendojnë ditën e fundit, janë disa politikanë, por kategoria e politikanëve të prapambetur. Këtu rreth e rrotull kishim Millosheviçin e Serbisë, Causheskun e Rumanisë, dhe brenda vendit tonë vetë Enver Hoxhën. Ditën e fundit ata u shfaqen si dordolecë, sepse atë të fundit nuk e kishin “projektuar” as brenda vetes, as me miq.
… Çfarë po mendoja në momentin kur po shikoja pamjen dhe gjendjen e kryeministrit Edi Rama, duke bredhur sa në një peshkatore, aq edhe në një avion për jashtë vendit; sa në një Twitter, aq edhe në një ngërdheshje nervoze me vete… Sinqerisht që nuk e lidh me faktin e njohur që Edi Rama vjen nga një familje bllokmenësh që i rrëzuan jetën popullit shqiptar; por po e shikoja si një “kavje”- se si të bën ajo gjëja e keqe që gjatë rrugës nuk ke menduar për ditën e fundit. Edi tani po ecën me zor, po frikësohet nga Çadra dhe nga macet e zeza që kalojnë rrugës; trembet nga gazetarët e shkretë që nuk mbajnë mend më shumë se një pyetje dhe 50 fjalë në gjuhën shqipe, më shpesh shkon në Paris se në Surrel; Veton Surroi i Kosovës i shfaqet si fantazmë vetëm pse i duket se “Surroi” është si “Surrel”…
Ka njëmijë halle mendja njerëzore kur i afrohet fundit. Nuk thonë kot se ata që e shikojnë fundin veç një sekondë, me siguri kanë qenë njerëz të mirë gjatë rrugës së jetës.
Agonia është gjëja më e keqe. Kryeministri Rama, veç gabimeve tragjike që ka bërë gjatë rrugës si qeveritar, po bën gabimin më të madh ndaj vetes: Po zgjat agoninë; nuk po dorëzohet para principit, para më të mirës që duhet bërë!…. Nuk po flas si ata kundërshtarë që i thonë tjetrit “Je në agoni”, dhe e tregojnë me gisht; por po flas si njeriu njeriut. Agonia e një kryeministri ose e një qeverie, ose e një mbreti të keq, ose e një diktatori… nuk i bën ndonjë të keqe të madhe popullit, turmës dhe të nënshtruarve. Sepse në mos sot, nesër, populli shpëton prej litarit… Jo, të keqen më të madhe ia bën vetes; kjo është për gjynah.
Ia bën vetes, sepse ndjell njerëz mizerrabël që të të vijnë te koka e të të thotë: “Më ke mua këtu, mos e çaj…!”. Nuk di çfarë do të thoshte psh., deputeti Braçe pas fjalës mos e çaj… Kokën?- do të thoshte ai. Por ti e lë veten në agoni që të kalojnë pranë shtratit ata që të ndotin më keq. Në një qytet të Veriut ka qenë një lider rajonal i Partisë së Punës. Ditën e fundit, kur u sëmur, priti-sipas mendjes së vet-që të brofnin në spital burra e gra, komunistë e heronj të Punës Socialiste, udhëheqës e popull pa fund… Mirëpo askush nuk u duk. Prit e prit e… bosh. Më në fund hyn një endacak i qytetit që njerëzit e merrnin për budalla. Udhëheqësi u tërbua e tha me vete “ja dita e fundit”. I marri që hyri e pyeti me përkëdhelje se “ku të dhemb, shoki…?”. Ai nuk u përgjigj. T’i përgjigjej “vrimës së fundit të kavallit”?. “Vrima e fundit” donte t’i gërryente nervat dhe e pyeti prapë: “E ku të dhemb, o shoki…?” . “Kan e kan”, u përgjigj udhëheqësi, “veç b…. nuk më dhemb”… “Ah bre shoki….!, si nuk të bani zoti krejt b…”- rënkoi i ardhuri para udhëheqësit në ditën e fundit.
Zoti Rama, në ditët e agonisë po pret “vizita”. E ka vizituar deputeti Erion Braçe dhe ka deklaruar se “nuk i dua demokratët në qeveri”. Rama mendon se ky është trimi. Po trima të tillë ta vrasin mizën në lule të ballit. Se këta vetëm servilosen, nuk duan t’ia dinë për ligjësitë e demokracisë…
E ka vizituar një ministre, që thonë se e ka kushërirë. Edhe kjo ka folur si para “të sëmurit në spital”. “Rama nuk ka zgjedhur veten, por populli”- ka thënë ajo si për të treguar se po i rri te koka si teze.
Ka folur edhe kryetari i Bashkisë, Veliaj. Ky e ka quajtur protestën qytetare dhe kërkesën për qeveri besimi si “logje”. Në fakt, Veliaj po mendon ditën e fundit për vete, është më i mençur se Rama që nuk e ka menduar. Ai lëshon një fjalë për “të sëmurin” e pastaj shikon punët e veta.
Ai i ka parë të tjerët që nuk ishin “vrimë e fundit”, por “vrimë e parë”, që sot janë kilometra larg pushtetit. Koço Kokëdhimën po e urren për vdekje zoti Rama. Sepse ditën e fundit, Kokëdhima po i thotë, si kapedani: “Hë, ti deshe të bësh luftë!, se me zgjedhje pa opozitën ka vetëm luftë!?”…
Më keq se Koço i duket Ilir Meta. Iliri nuk i ka dhënë as numrin e telefonit të presidentit serb Tadiç që inauguroi koalicionin Rama-Meta në vitin 2013. Të paktën t’i bënte një thirrje Tadiçit e t‘i thoshte “a vjen pak se ky shoku yt ma bëri kështu e ashtu…, ditën e fundit”.
O Zot, edhe këtë detaj e paska mbajtur Meta për ditën e fundit.
Edhe tre a katër vetë që kryeministri thërriti në zyrë sot në mëngjes, i thërriti si besnikë, por në fakt kjo ishte hera e fundit që i vijnë. Ata po shikojnë ku ta lidhin rrjetën e pushtetit.
Edhe vetë socialistët kanë nisur të kërkojnë në “thes”, se cili mund të jetë kryetar në vend të këtij që shkoi…
Duhet përsëritur jeta në një planet tjetër, që të mos gabosh më…
/Veritas.com.al/
Rama drejt largimit të sigurtë si pjesë e problemit…
Nga Kastriot Islami
Rama është më i vetmuar se kurrë. Jo vetëm opozita, por edhe aleatët kryesorë po i kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri që siguron besimin e të gjithëvë. Përveç opozitës që është shprehur për një qeveri pa Ramën kryeministër, edhe të gjithë forcat e tjera politike janë të angazhuara për të shkuar në zgjedhje vetëm me një qeveri pa Ramën kryeministër, që dikush e quan “qeveri teknike”, dikush tjetër “qeveri besimi” apo dikush tjetër “qeveri kujdestare të zgjedhjeve të lira e të ndershme”. Jemi në një fazë, kur të gjithë janë bashkuar në një pikë që mund të formulohej se “zgjedhjet e lira e të ndershme mund të garantohen vetëm nga një qeveri pa Ramën kryeministër”.
Të gjithë po pozicionohen kundër Ramës, duke e stigmatizuar atë si problemin. Këtë qëndrim që po konsolidohet çdo ditë po e ushqen edhe vetë Rama, i cili po bën ekzaktësisht të kundërtën e asaj që i kërkojnë të gjithë të tjerët të bëjë. Rama në mënyrë direkte apo indirekte, eksplicite apo implicite, qoftë edhe kur shprehet i gatshëm për dialog thotë: jam i gatshëm të lëshoj gjithçka përveç karrikes së kryeministrit. Edhe ai vetë e kupton se ky është një qëndrim i paarsyeshëm, por nuk gjen forca për të vepruar ndryshe, sepse është i paaftë të zgjidhë dilemën mes “fundit të tmerrshëm” dhe “tmerrit pa fund”…
Rama çdo ditë e më shumë po bindet se po doli nga zyra e kryeministrit nuk do të mund të futet më kurrë aty. Pra e shikon largimin nga posti i kryeministrit si fundin e tmerrshëm. Duket që kjo paranojë po e mbërthen çdo ditë e më shumë… Kjo sigurisht e ka izoluar dhe e ka bërë më të vetmuar, duke i krijuar perceptimin se të gjithë, përveç kupolës së ngushtë, ndjehen më të çliruar dhe më të sigurtë jashtë kontrollit dhe arrogancës së tij. Prandaj, ata po largohen dhe në ditët në vijim edhe më shumë do t’i largohen. Të gjithë presin që ai të vetëlargohet, duke mos përjashtuar që në momentin e përshtatshëm edhe ta largojnë.
Të gjithë forcat politike kërkojnë largimin e Ramës nga drejtimi i qeverisë, si kushtin e vetëm për të hapur rrugën e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Këtë e kërkojnë haptas PD dhe të gjithë forcat opozitare. Kjo nënkuptohet nga propozimi i LSI. Kjo nuk përjashtohet edhe nga propozimi i PDIU…Kjo me shumë gjasa është një dëshirë e socialistëve të zemëruar me Rilindjen. Madje kjo qarkullon edhe në kokën e atyre personazheve që kanë ambicjen për t’i zënë vendin, duke e konsideruar këtë si momentin e volitshëm për të projektuar të ardhmen e tyre në krye të PS, po ashtu siç Rama kishte vepruar 12 vjet më parë.
Me frikën e madhe të largimit nga zyra e Kryeministrit që po e shtyn çdo ditë e më shumë në vetëizolim, Rama është tashmë pjesë e problemit, madje në një gjendje të pakthyeshme. Ai po rrëshket drejt përplasjes që mund të jetë e “butë” si një përplasje politike në Parlament ose e “fortë” si një përballje me qytetarët në protestë. Por në çdo rast, Rama është vetëm një hap larg largimit se e ka konsumuar kohën e vetëlargimit. Rama, duke qenë një frikacak tipik edhe mund të vetëlargohej, por frika këtë radhë është përtej limiteve tipike për të, duke e shtyrë të ngurtësohet në karriken e kryeministrit dhe për pasojë, duke e zhvendosur në trajektoren e largimit të ‘butë” ose “të fortë”. Opozita në mbështetje të qytetarëve në protestë është e gatshme për të dy opsionet, kurse aleatët po përpiqen më shumë ta fusin në trajektoren e largimit të “butë”. Një gjë është e sigurtë, Rama nuk mund të jetë më pjesë e zgjidhjes dhe do të largohet si pjesë e problemit. Të gjithë po ashtu e perceptojnë si humbës dhe jo si fitues dhe përgjithësisht aleatët nuk dëshirojnë të jenë në një varkë me të, ndonëse ka ndonjë që llogarit se mund të përfitonte më shumë, duke qëndruar me humbësin, të cilit do të jepte një të shtyrë, duke u hedhur në anën e fituesit pas zgjedhjeve…Dhe kjo gjendje natyrisht do të jetë me pasoja edhe në rezultatin zgjedhor që do të jetë katastrofik për Sektin Rama, rezultat që të gjithë, aleatë apo kundërshtarë, e dëshirojnë dhe e presin me padurim. Dhe Rama e ndjen këtë gjë, e cila e shtyn të saldohet më fort pas kolltukut të kryeministrit e kështu vice versa.
Koalicioni Opozitar: Katër detyrat e qeverisë teknike
Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe partitë aleate të Koalicionit Opozitar u mblodhën dje pasdite në një takim ku u rikonfirmua qëndrimi se e vetmja zgjidhje për daljen e vendit nga kriza është krijimi i një qeverie teknike me një mandat të qartë prej katër pikash, të cilat do të garantonin organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Përmes një deklarate për mediat, koalicioni shprehet i gatshëm për të nisur dialogut politik me të gjitha palët për të diskutuar mbi krijimin e qeverisë teknike, ndërsa veçon katër detyra të rëndësishme që duhet të udhëheqin mandatin e kësaj qeverie. Në kushtet kur zgjedhjet e lira janë të kërcënuara nga narkotrafiku dhe krimi i organizuar, Koalicioni Opozitar thekson se mandati i qeverisë teknike duhet të sigurojë zbatimin e ligjit për dekriminalizimin, luftën kundër narkotrafikut dhe krimit të organizuar, përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe zbatimin e reformës në drejtësi sipas variantit kushtetues të miratuar më 22 korrik të vitit të kaluar. “Koalicioni Opozitar shpreh gatishmërinë e plotë për të punuar me të gjitha forcat politike pa asnjë paragjykim, për krijimin e qeverisë teknike, duke i dhënë asaj një mandat të fortë për: 1- Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit. 2- Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës. 3- Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. 4- Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut. Kjo është e vetmja garanci për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të votojnë lirisht, të zgjedhin lirisht dhe vota e tyre të mos tjetërsohet”, thuhet në reagimin e Koalicionit Opozitar. Gjithashtu opozita i bën thirrje Ramës që të heqë dorë nga përpjekjet për të bllokuar mundësitë e nisjes së dialogut për zgjidhjen e krizës duke vendosur kushte të qëllimta në mbrojtje të pushtetit të tij. “Koalicioni opozitar konfirmon se rruga e vetme e daljes nga kriza është krijimi i qeverisë teknike, me mbështetje të gjerë politike, që do të punojë për të realizuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. Duke përshëndetur hapin e hedhur mbrëmë nga LSI për t’u bërë pjesë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike në vend, Koalicioni Opozitar rikonfirmon gatishmërinë për nisjen e dialogut politik për qeverinë teknike dhe fton Edi Ramën të heqë dorë nga kushtet dhe të vendosë interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë para interesave personale të pushtetit të tij”, thuhet në reagimin e shpërndarë për mediat pas takimit të Koalicionit Opozitar në selinë e Partisë Demokratike.
Reagimi i aleatëve
Aleatët e Koalicionit Opozitar e kanë cilësuar qëndrimin e kreut të LSI mbi moszhvillimin e zgjedhjeve pa opozitën, si dhe angazhimin e palëve në krijimin e një qeverie besimi si vërtetimin e kauzës së drejtë të ngritur nga opozita. Kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste dhe një nga aleatët kryesore të opozitës, Agron Duka, ka përshëndetur qëndrimin e LSI, e cila deklarohet se nuk ka zgjedhje pa opozitën. Sipas Dukës, kjo deklaratë vërteton atë që opozita dhe PAA ka thënë vazhdimisht, edhe nëpërmjet një letre drejtuar nga forca politike që ai drejton Ilir Metës, më datën 20 shkurt 2017. “Z. Meta, vërtetoi edhe një herë, se qëndrimet që ne si opozitë e bashkuar kemi mbajtur këto 46 ditë, për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe garantimin e kushteve, mospërfshirjen e administratës në fushatë, për financimin kriminal dhe të paligjshëm të zgjedhjeve, heqjen dorë nga qëndrimet përjashtuese, intensifikimin e luftës kundër kanabisit etj., janë të drejta dhe realiste”, deklaron kreu i PAA.
A.Shahini
Vëllai i ministrit Xhafa te skafi me 1 ton drogë
Skafi me 1 ton kanabis që u gjet pak ditë më parë i braktisur në brigjet e Karaburunit ishte i vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa. Denoncimi është bërë nga një oficer policie në Komisariatin e Vlorës, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Oficeri i policisë shkruan se, skafi dhe droga në të i përkasin Agron Xhafës, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa, por në komisariat po ushtrohet terror që të mos përmendet emri i vëllait të ministrit Xhafa.
“Oficeri dixhital denoncon: Agron Xhafën, vëllain e Fatmir Xhafës si pronarin e skafit me 1 ton drogë të kapur në Karaburun, njëri nga skafistët u gjend i mbytur kurse tjetri është zhdukur. Policia hesht dhe ushtron terror të mos përmendet vëllaçko Agroni!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të Policisë së Vlorës.
“Përshëndetje zoti Berisha. Desha t’iu informoj se në Policinë e Vlorës, por edhe në qytet, të gjithë e dinë se skafi me 1 ton drogë që u gjet i braktisur në Karaburun ka qenë i Agron Xhafës, vëllait të ministrit të Brendshëm. U gjet njeri nga skafistët i mbytur dhe një tjetër është zhdukur dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij. Në Komisariatin e Vlorës ushtrohet terror që të mos përmendet emri i vëllait të ministrit Xhafa. Ju lutem bëje publike, me respekt”, shkruan oficeri.
Trafiku i drogës drejt Italisë drejtohet nga vetë krerët e Policisë së Vlorës dhe anëtarët e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”. Një oficer policie në Komisariatin e Vlorës denoncoi tre ditë më parë se, droga e kapur në Triport-Zvërnec para një jave ishte e drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, Jaert Çela. Oficeri i policisë përmendi emra konkretë të zyrtarëve të policisë që organizojnë trafikun e drogës në Jug të vendit drejt Italisë.
Oficeri shkruante se, drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë nuk ka lajmëruar shefin e Komisariatit të Policisë, ndërsa ky i fundit gjatë operacionit ka kapur ngarkesën e drogës si dhe shefin e Krimit të Organizuar në këtë drejtori që bënte organizimin e trafikut, por më pas personat përgjegjës janë lënë të lirë. Oficeri i policisë bëri të ditur se, përplasja mes drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, Jaert Çela dhe shefit të Komisariatit, Behar Caka është shumë e fortë.
Qytetarët nga Vlora bëjnë të ditur se, anëtarët e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi” dërgojnë nga 3-4 ngarkesa me drogë për çdo natë në Itali. Qytetarët vlonjatë ngrenë shqetësimin se, janë më shumë se 40 të zhdukur në det për drogën, por policia fsheh rastet e njerëzve të zhdukur në det, ndërsa mbron trafikantët e drogës. Denoncuesit flasin me emra dhe me shifra rreth asaj çfarë ndodh në det me trafikun e drogës drejt Italisë.
Në Vlorë, Roland Shyti, nipi i Hajredin Shytit nis të paktën tre-katër gomone në natë drejt brigjeve. Jo vetëm kaq, por ai mbrohet nga policia. Rama u ofroi shqiptarëve, kanabisin dhe vdekjen vetëm e vetëm për të pasuruar oborrtarët e tij me 30% që u merrnin trafikantëve. Është e thjeshtë, vetëm sasinë e kanabisit që është kapur të llogarisim 30%, ndërsa sasia e pakapur që është futur në Itali e Greqi është shumë herë më e madhe. Sasia e drogës që kapet, shitet sërisht nga drejtorët e Policisë së Shtetit. Ndaj nuk ka asnjë procesverbal për drogën e asgjësuar, ndërsa Prokuroria nuk njoftohet të jetë prezent kur “gjoja e asgjësojnë”.
Shqetësimin për rritjen e këtij trafiku e kanë shprehur ditët e fundit vetë zyrtarët e lartë të agjencive ligjzbatuese italiane. Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane, Franko Roberti dha sërish para pak ditësh alarmin për trafikun e drogës nga Shqipëria. Sipas tij, mbërrijnë në brigjet e Pulias, kryesisht në Leçe dhe Bari nga Shqipëria dhe që transportohen me gomone. Franco Roberti deklaroi se, tonelata me kanabis po zbarkojnë gjithnjë e më tepër në rajonet e Puglias dhe Kalabrisë.
Droga alarmon Italinë, ROS mobilizohet për të kapur tonelatat nga Shqipëria
Sasitë e konsiderueshme të drogës që po dalin nga Shqipëria kanë shqetësuar edhe vendet fqinje, që kanë filluar të marrin masa. I tillë është rasti i Italisë. Një bateri njerëzish të stërvitur për të luftuar krimin do të krijohet këtë muaj në provincën e Foggia-s në Itali. Bëhet fjalë për Njësinë e Antikrimit të ROS, grupimi i posaçëm special i karabinierëve të Italisë, që do të varet nga Prokuroria e Qarkut.
Këtë e ka njoftuar zyrtarisht Giuseppe Governale, komandanti i grupimit të posaçëm special të karabinierëve. Sërish, në vëmendjen e hetuesve do të jenë trafiqet e drogës nga Shqipëria në Itali, me zbarkimet e marijuanës në Gargano, në gjirin “San Felice”, shkruajnë mediat italiane.
Gjithashtu, raportohet se do të nisë një aktivitet i Policisë Gjyqësore italiane, koordinuar nga Antimafia e Barit, në bashkëpunim me forcat shqiptare të policisë, për të ndaluar trafikun e drogës për në Puglia, nga brigjet shqiptare.
Edhe autoritetet greke kanë dhënë alarmin për trafikun e drogës nga Shqipëria. Vetëm në 3 muajt e përë të këtij viti janë kapur në Greqi 3.5 ton drogë nga Shqipëria me vlerë 10 milionë euro. Shifrat janë bërë publike nga policia greke, e cila thekson se pjesa më e madhe e lëndëve narkotike të kapura kanë hyrë nga Shqipëria dhe kanë qenë të destinuara për tregun grek.
Vlera e sasisë prej 3.5 ton drogë të kapur në Greqi shkon në rreth 10 milionë euro. Kryesisht është trafikuar kanabis sativa, por nuk kanë qenë të pakta rastet e kapjes të heroinës dhe kokainës. Sipas mediave greke, çmimi i heroinës varion 15-30 euro për gram dhe 12 mijë deri në 20 mijë euro për kilogramë. Kurse çmimi i kokainës është disa herë më i lartë, 60-100 euro për gram dhe 30 mijë deri në 60 mijë euro për kilogram.
R.POLISI
Badiguardi i Ramës ndërton pa leje dhe kërcënon banorët

Njëri nga badiguardët e Ramës ka nisur një ndërtim lokali në Tiranë, duke bllokuar edhe dritaren e një familjeje dhe kërcënon banorët që të mos ankohen. Denoncimi është bërë nga një qytetar nga Tirana, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, badiguardi i Edvinit ndërton siç do vetë!
“Qytetari dixhital denoncon: Lal plehun që lejon ndërtime në kundërshtim me ligjin, badiguardin e Edvinit që i zë dritaren e dhomës së gjumit me ndërtimin e tij!”, shkruan Berisha, duke publikuar mesazhin e qytetarit nga Tirana.
“Përshëndetje, doja të bëja një denoncim dhe mesa duket ju jeni i vetmi person që na dëgjon këto kohë. Përpara shtëpisë time, Kryetari i Bashkisë ka dhënë leje për të ndërtuar një lokal ku shkel të gjitha rregullat dhe normat. Përveç faktit që ka dhënë leje për lokal, personat që po e ndërtojnë po dalin jashtë asaj leje dhe po bëjnë ndërtim me themele përballë dritares së dhomës së gjumit. Jemi ankuar si pallat tek Bashkia edhe tek Policia e Shtetit, por asnjë gjë nuk kanë bërë.
Vijnë vërdallosen me makinë rreth pallatit dhe largohen, personi që po e ndërton është një nga badiguardët e Kryeministrit. Deri këtu e kuptuam se si ky ka marrë këtë lloj leje. Nuk e dimë si të sillemi më tani, sepse këto po na bëjnë dhe presion. Ka ngelur vetëm të ballafaqohemi vetë, pasi shteti nuk na vjen në ndihmë”, shkruan qytetari.
Me Veliajn në krye të Bashkisë së Tiranës kanë lulëzuar edhe lejet e ndërtimit. Në shumë vende në kryeqytet shihen tabela, të cilat lajmërojnë ndërtime të pallateve shumëkatëshe. Anës rrugëve dhe në vende, të cilat për banorët është një shqetësim, makineritë e shumta punojnë natë e ditë për të ndërtuar pallatet e reja. Në tabelën që vendoset për të informuar se çfarë objekti po ngrihet, dokumenti shoqërues që është leja e ndërtimit në fund të saj shihet firma e Erion Veliajt, kryetarit të Bashkisë Tiranë. Edhe pse premtoi që nuk do të jepte asnjë leje ndërtimi, përsëri ky premtim është thyer dhe në Tiranë pallatet po mbijnë si kërpudhat.
Sipas disa ekspertëve të fushës, lejet e ndërtimit që janë dhënë gjatë kohës së moratoriumit, para dhe pas miratimit në Këshillin Bashkiak të planit të përgjithshëm, janë të jashtëligjshme. Në vitin 2015 u miratua një vendim nga Këshilli i Ministrave që ndalonte të gjitha ndërtimet në vend, për arsye të ndryshme. Në këtë vendim thuhej qartë, që nuk do të lejoheshin ndërtime të cilat nuk do të ishin të rëndësishme dhe që nuk prisnin dot derisa të binte fuqia e moratoriumit. Prandaj, çdo leje ndërtimi që është dhënë asaj kohe është nul. Por gjatë kësaj kohe, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dhënë leje për t’u ndërtuar pallate. Duke parë vendimin mund të themi se këto leje janë të paligjshme.
Gjatë gjithë kësaj kohe qeveria dhe policia kanë vazhduar aksionet për të gjitha ata që ndërtonin pa leje, sepse më parë ishte miratuar moratoriumi për lejet e ndërtimit. Sipas një vendimi të qeverisë për një vit nuk do të lejohej asnjë ndërtim, dhe çdo ndërtim do të bëhej kur të miratoheshin planet e reja urbanistike në çdo qytet. Por ky vendim vlente vetëm për qytetarët, të cilët mundoheshin që të ndërtonin një çati, pasi për kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj lejet ishin si më parë.

















