Iu dha dje lamtumira kantautorit të njohur shqiptar, Francesk Radi. Homazhet për nder të tij u zhvilluan në mjediset e Radio Tiranës, ku muzikanti punoi dhe kontribuoi për shumë vite. Me këngët e Çelantanos shqiptar në sfond, Francesk Radit, artistë të njohur dashamirës të artit dhe politikanë, kanë kryer homazhe në nder të kantautorit shqiptar në ambjentet e Radio Tiranës.
Françesk Radi është i mirënjohur për publikun shqiptar jo vetëm si këngëtar, por edhe si kompozitor dhe instrumentist. Ai i përket brezit të artistëve të viteve ’70, të cilët edhe nën regjimin komunist u përpoqën të sillnin një frymë të re në muzikën e lehtë shqiptare, veçanërisht pop-rrok.
Dy këngët që e bënë atë të njohur për dashamirësit e muzikës ishin “Adresa” dhe “Biçikleta”. Me zërin e tij të veçantë, Radi u bë pjesëmarrës i shumë festivaleve të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, përfshi këtu edhe Festivalin e 11-të në vitin 1972, ku interpretoi këngën “Kur dëgjojmë zëra nga bota”.
I goditur nga regjimi, Radi punoi për një periudhë kohe si mësues në Pukë, instrumentist dhe këngëtar në Estradën e shtetit. Këngëtari dhe kompozitori i njohur Francesk Radi humbi betejën me sëmundjen. U nda nga jeta në moshën 67-vjeçare pas një hemoragjie cerebrale.
Në fillim të viteve ‘90-të, ai u angazhua si redaktor muzike pranë Redaksisë së Krijimtarisë Muzikore në Radio Tirana. Po në këtë kohë, Radi iu rikthye festivalit të këngës, duke dominuar skenën e tij nga viti ‘93 deri në 2010-ën. Françesk Radi, spikati për ritmet e veçanta që solli, sikundër për interpretimin karakteristik të tij.
Mariza Ikonomi, bashkëpunimin me Francesk Radin te “Telefonatë zemrash” e cilëson si momentin më të veçantë në jetën artistike.
“Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, janë disa nga hitet e e Françesk Radit, të cilat kanë mbetur në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare. Bashkëshortja Tefta Radi në fund të ceremonialit falenderoi të gjithë të pranishmit për nderimin që i bënë artistit. Këto janë duartrokitjet e fundit që Francesk Radi merr nga dashamirësit e tij të muzikës nga kjo jetë.
Bashkëshortja e tij, Tefta Radi përloti të gjithë me fjalët e saj gjatë homazheve. “Dua thjesht t’ju përshëndes, t’ju falënderoj për respektin ndaj Frankos. Dua të them se, unë u dashurova me Frankon atëherë kur të tjerët kishin frikë t’i flisnin dhe prej tij u bëra kopje e tij, mësova si të dashuroj, si të punoj dhe si të kem dinjitet. Faleminderit të gjithëve për respektin”, tha ajo e përlotur dhe me zërin që i dridhej.
I jepet lamtumira e fundit kantautorit të njohur, Françesk Radi
Skandali me abonetë e studentëve në tregun e zi
Kamera e fshehtë e emisionit investigativ “Stop” ka sjellë me zë e figurë abuzimet me çmimin e aboneve të studentëve në tregun e zi. Gazetarët pyesin në disa vende, se si mund të sigurojnë abone me çmim normal, por kjo përpjekje rezultoi një mision i pamundur. Në këtë moment, hyn në lojë “çmimi alternativ”. Me 50% më shumë, mund të gjesh abone, pa qenë student, madje me shumicë, pasi shitësit ambulantë dinë me hollësi ku dhe si të sigurojnë abonetë me çmimin e kripur. Aboneja e studentit është kthyer në luks për studentët dhe burim i madh fitimi për tregun e zi.
Përderisa në tregun e zi gjenden abonetë e studentit me shumicë dhe mund të përfitohen shumë kollaj, por me çmim më të lartë, pse në Rezidencën Studentore qindra e mijëra studentë qëndrojnë në radhë deri në orët e para të mëngjesit për të përfituar abonetë?
Drejtoresha e Shërbimit Studentor, Ornela Dume, tregon se në Rezidencën Studentore janë të regjistruar mbi 4500 studentë, prej të cilëve vetëm 1520 studentë janë pajisur me abone për muajin prill.
“Studenti mund të paraqesë kërkesën e tij pranë rezidencës ku banon ose në Drejtorinë e Shërbimit Studentor nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 8 të darkës. Numri është pa limit! Nuk ka më një limit numrash, ku ne të na jepen X numër abonesh dhe ne të mos dimë kujt t’ia japim më parë. Përkundrazi, bëhet një listë zyrtare, e cila i drejtohet Transportit Publik, ku janë të gjitha të dhënat për të shmangur çdo lloj abuzimi”.
Gazetarët e emisionit “Stop” iu drejtuan edhe Bashkisë së Tiranës, nga ku morën përgjigje nëpërmjet emailit, ku sqarohet se Bashkia e Tiranës është ajo që përgatit numrin e aboneve dhe ia kalon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku bëhet dhe printimi i tyre.
“Operatorët e Transportit ose agjencitë përkatëse të tyre realizojnë tërheqjen, shitjen e biletave të pajtimit mujor (aboneve) tek qytetarët e interesuar, proces i cili bëhet tërësisht nga operatorët privatë të licencuar për transportin qytetas. Për këtë arsye, Bashkia Tiranë i është drejtuar Policisë së Shtetit (shkresa nr.prot., 3463, datë 26.01.2017) duke kërkuar bashkëpunimin me strukturat e saj për evidentimin e rasteve dhe marrjen e masave në ndalim të krimit ekonomik, shfaqur si fenomen në këtë sektor”.
Dy të vrarë në Durrës, tronditet qyteti bregdetar
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Durrësit. Dyshohet se nipi ka vrarë gjyshen dhe më pas veten, ndërsa policia bëri të ditur se po heton edhe për vrasje nga persona të tjerë. Burimet bëjnë të ditur se Ersid Curri, 25 vjeç dhe gjyshja e tij, 80 vjeçe, ishin mbyllur në shtëpi. Gjithçka është zbuluar vetëm pasi e moshuara, Hurme Curri, nuk i përgjigjej telefonatave të familjarëve. Për këtë arsye, ata kanë shkuar në banesë, ku janë përballur me pamjet e rënda.
25-vjeçari jetonte me gjyshen, për të cilën dyshohet se e qëlloi me breshëri automatiku në shtratin e saj. Më pas duhet të ketë vrarë veten me plumb në gojë. Policia gjeti automatikun pranë trupit të tij. Nuk dihet pse dhe për çfarë, kur i riu shkrehu armën e zjarrit mbi të moshuarën e shtrirë, por fqinjët treguan se pas burgut Curri sillej frikshëm.
Policia shkoi në vendin e ngjarjes, pasi u njoftua nga familjarët në Itali, të cilët nuk merrnin përgjigje në telefonin e 80-vjeçares. Dy trupat e pajetë dhe të vrarë ishin në të njëjtën dhomë.
Ersid Curri, 25 vjeç, 1 vit më parë doli nga burgu ku qëndroi për rreth 10 vjet. Pasi u dënua se vrau një bashkëmoshatarin e tij pas një sherri në diskotekë, kur ishte vetëm 14 vjeç. Por vrasjet e kanë ndjekur këtë familje që në atë kohë.
Pas burgosjes së Ersidit, u vra vëllai i tij shtatë vjet më parë me plumb pas koke në sheshin “Pranvera”. Gjashtë muaj pas vrasjes së tij, u vra edhe babai i Ersidit. Për këto arsye dyshohet se kemi të bëjmë me vrasje dhe jo vetëvrasje. Nga policia nuk ka një variant përfundimtar zyrtar për ngjarjen, nëse ajo është një krim familjar dhe vetëvrasje, apo diçka fshihet pas gjithë kësaj skene.
Maskat terror në Korçë, grabisin një kazino në qendër të qytetit
Grabitet nën kërcënimin e armës një kazino në lagjen nr.2 në Korçë, pranë Kinemasë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm rreth orës 03:40. Sipas burimeve, dy persona të armatosur dhe të maskuar janë futur në kazino dhe kanë kërcënuar punonjësit, duke u vendosur armën në kokë. Më pas, ata kanë arritur të marrin një shumë parash dhe janë larguar në drejtim të paditur për policinë. Policia konfirmoi lajmin dhe bëri të ditur se është lajmëruar për ngjarjen nga punonjësit e kazinosë.
“Jemi njoftuar se në një ambjent lojërash fati (kazino) dy persona të maskuar ku njëri prej tyre dyshohet të ketë qenë i armatosur, duke kërcënuar personelin, kanë marrë një sasi lekësh dhe më pas janë larguar. Nga veprimet e para rezulton, se nuk ka pasur persona të dëmtuar gjatë grabitjes. Grupi hetimor po punon për identifikimin, kapjen e autorëve, si edhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Korçës. Policia nuk jep asnjë shifër se sa ishte shuma e parave të grabitura, por burimet bëjnë të ditur se bëhet fjalë për grabitjen e më shumë se 5 milionë lekëve.
Para katër ditësh u grabit një supermarket që ndodhet vetëm pak metra larg Drejtorisë së Policisë se Korçës. Nën kërcënimin e armës, mësohet se ai arriti të marrë nga kasa 100 mijë lekë. Këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë bëri që policia të identifikojë në kohë autorin e dyshuar të krimit, i cili kishte pak ditë që kishte përfunduar një tjetër dënim për grabitje.
Po ashtu para dy ditësh maskat grabitën një pikë e grumbullimit të skrapit në periferi të kryeqytetit. Tre perona të maskuar kanë lidhur rojen e objektit që ndodhet në Vaqarr. Më pas, kanë thyer zyrat e biznesit duke u futur brenda tij. Nuk bëhet me dije sasia e parave që autorët kanë grabitur. Autorët janë larguar me një makinë të tipit “Benz”, me ngjyrë gri.
Sulmohet me armë magazina e një biznesmeni në Tiranë
Një firmë ndërtimi në Tiranë është sulmuar me breshëri kallashnikovi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të mbikalimit të Gërdecit në aksin rrugor Durrës-Tiranë, rreth 300 metra larg autostradës. Sipas policisë është qëlluar drejt një firme të prodhimit të inerteve të ndërtimit me pronar Pëllumb Salillari.
Policia bëri të ditur se një person ka qëlluar me kallashnikov, ndërsa nga të shtenat nuk u lëndua asnjë person. Në vendngjarje policia gjeti mbi 20 gëzhoja kallashnikovi. Policia tha se ka sekuestruar kamerat e sigurisë, megjithatë nuk ka mundur të identifikojë autorin. Nga pamjet duket një person, i cili qëllon me automatik dhe më pas largohet me një automjet, por për shkak të errësirës, targat nuk dallohen.
Policia ka ngritur disa pista hetimi për të zbuluar motivet e ngjarjes. Një prej tyre është edhe një konflit i pronarit të kësaj firme për pronësinë e një guroreje në Krujë. Po ashtu, grupi hetimor nuk përjashton as prishjen e kontratave të kësaj firme ndërtimi me subjekte të tjera.
Zëri i Amerikës: Edi Rama në pozita tejet të vështira
Në Shqipëri Lëvizja Socialiste për Integrim tha se vendit i duhet një “Qeveri besimi” duke paralajmëruar qartë se ajo nuk do të pranojë të hyjë në një proces zgjedhor që nuk ofron garanci për pjesëmarrjen e opozitës dhe se në një rast të tillë ajo nuk mund të jetë në koalicion me socialistët. Në përfundim të mbledhjes së kryesisë së LSI-së, kryetari i saj Ilir Meta deklaroi se forca që ai kryeson është e gatshme të vërë në dispozicion të zgjidhjes politike që nga mandati i tij si kryetar i Parlamentit deri te mandatet e ministrave të tij dhe postet politike që LSI mban. Lëvizja Socialiste për Integrim bëri një hap befasues mbrëmjen e së hënës, duke i dhënë një kthesë të re zhvillimeve politike në vend, 24 orë pas një darke të gjatë që kreu i saj Ilir Meta pati një natë më parë me kryeministrin Edi Rama. Ndonëse fjalën e tij ai e nisi duke folur për rëndësinë “imperative të një dialogu urgjent dhe të një zgjidhjeje politike” pasi “çdo vonesë e çon vendin në drejtime të panjohura, të pakontrolluara dhe me pasoja të paparashikueshme”, zoti Meta ishte fare i qartë kur u shpreh se, “vendi në këto momente ka nevojë në mënyrë të veçantë për një qeveri të besimit për zgjedhje të gjithpranuara nga të gjithë”. Një qeveri, e cila sipas tij duhet të ketë disa objektiva, të cilat janë praktikisht ato për të cilat po këmbëngul prej më shumë se 6 javësh opozita, e cila është e drejtpërdrejtë në kërkesën për një “Qeveri teknike”. Kështu zoti Meta përmendi se “Qeveria e besimit” duhet “të garantojë mospërfshirjen e administratës publike në zgjedhje dhe në veçanti të Policisë së Shtetit. Të garantojë një luftë të ashpër dhe pa asnjë kompromis ndaj fenomenit të drogës dhe ndaj çdo përpjekjeje për financime kriminale dhe të paligjshme të zgjedhjeve, si edhe të garantojë dhe realizimin e plotë, të thellë dhe transparent të procesit të dekriminalizimit. Realizimi i reformës zgjedhore është po kështu një kusht i domosdoshëm dhe një detyrim ende i papërmbushur dhe i pakapërcyeshëm si një garanci e patjetërsueshme për realizimin e zgjedhjeve me standarde më të larta, për realizimin e një gare zgjedhore me kushte të barabarta për të gjitha partite”, u shpreh zoti Meta. Por cili është kuptimi sipas LSI-së i “Qeverisë së besimit”? “Qeveri e besimit për ne nuk duhet parë si çështje forme, por duhet parë si çështje përmbajtjeje. Pra, edhe kjo qeveri kështu siç është mund të jetë qeveri e besimit nëse jep garancitë e duhura dhe merr angazhimet e duhura për të realizuar ato objektiva që unë përmenda pak më parë”, shpjegoi zoti Meta, ndërsa më pas, i pyetur nëse “Qeveria e besimit në zgjedhje e parashikon zotin Rama si Kryeministër apo e përjashton atë?” ai u përgjigj se “padyshim që e presupozon zotin Rama, por për këtë ai duhet të punojë që t’i japë besim opozitës për zgjedhje”, gjë të cilë e djathta e ka përjashtuar kategorikisht. Zoti Meta shkoi më tej kur tha se në funksion të zgjidhjes politike partia e tij “vendos të vënë në dispozicion të zgjidhjes politike në vend të gjitha mandatet e saj politike që nga mandati i kryetarit të Kuvendit, mandatet e ministrave të saj, si edhe të gjithë postet politike të përfaqësimit të saj”. Një deklaratë, e cila duket më shumë një paralajmërim për një tërheqje të saj nga qeveria, ndonëse shpjegimi ishte se, “kjo do të thotë se nëse përfaqësuesit e opozitës mendojnë se me këtë ofertë tonën, kanë një mundësi rikthimin në institucione për të kontribuar për zgjedhjet, ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë në emër të interesave të vendit”. Megjithatë paralajmërimi bëhet mëse i qartë kur LSI-ja nënvizon se “nëse lidershipi i Partisë Socialiste, nuk do të tregojë përgjegjshmëri maksimale dhe vullnet politik për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe dhënien e të gjitha garancive të mundshme për opozitën, që ajo të jetë pjesë e procesit zgjedhor, LSI jo vetëm nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të tillë, por as edhe një farse elektorale të mundshme”. Qëndrimi i LSI-së e vë në një pozitë tejet të vështirë kryeministrin Rama, i cili deri më tani ka kundërshtuar çdo mundësi për një qeveri teknike të kërkuar nga opozita, si dhe ka këmbëngulur se do të ishte i gatshëm të hynte në zgjedhje edhe pa opozitën. Një pozicion që duket se do të jetë i detyruar ta rishikojë pas daljes publike të aleatit të tij kryesor.
Berisha: Rama të heqë kushtet për dialogun mbi zgjidhjen e krizës
Ish-Kryeministri Berisha ka ironizuar dje reagimin e Ramës pas qëndrimit publik të aleatit të tij në qeverisje, Ilir Meta, i cili hodhi poshtë çdo mundësi për zhvillimin e zgjedhjeve pa opozitën. Paraditen e djeshme, Rama në përpjekje për të mos u tërhequr nga qëndrimi i tij mbi krijimin e qeverisë teknike vendosi kushte për të zhvilluar dialog me opozitën. Përmes një reagimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Berisha e cilësoi Ramën me një personazh të shkrimtarit Erih Maria Remark, i cili kishte luhatje mendore në qëndrimet e tij. Berisha i bëri thirrje Ramës të heqë çdo kusht dhe bllokim dhe t’i përgjigjet kërkesave të opozitës duke i hapur rrugë dialogut. “Ndaj kërkesës së kreut të opozitës Lulzim Basha për dialog pa kushte, Rama përdor për bllokim kushtet dhe si mburojë Kushtetutën. Mirëpo për Edvinin, libri themelor i shtetit një herë quhet Kushtetutë e herën tjetër prostitutë! Kështu, në vitin 2007 kur ai kërkoi shtyrjen, dhe zgjedhjet u shtynë tre muaj vetëm për çertifikatën e gjendjes civile për zgjedhësin, e cila në Tiranë dhe 70% të vendit lëshohej nga bashkitë socialiste, ajo nuk ishte Kushtetutë, por ishte thjesht prostitutë! Kurse tani që Rama ka mbushur vendin me drogë, banda, krim dhe që opozita kërkon qeveri teknike dhe shtyrje të zgjedhjeve për të patur zgjedhje të lira, Rama mbron karrigen e tij duke thënë se shtyrjen e zgjedhjeve nuk e lejon Kushtetuta, sikur nuk ishte Kushtetuta që lejoi shtyrjen e zgjedhjeve në vitin 2007 apo sikur ajo lejon mbushjen e vendit me drogë dhe krim, të lidhur direkt me Edvinin. Kësaj i thonë: karrigia e para! Në veprat e Remarkut është një personazh në një spital psikiatrik, i cili për shkak të sëmundjes, në varësi nga hëna ndërronte emrin kur i shkonte e dashura për vizitë, një herë e priste si Albert e herën tjetër si Robert! Me këtë rast i bëj thirrje Edi Ramës të heqë çdo kusht dhe t’iu përgjigjet thirrjeve të opozitës, por edhe të aleatit në qeverisje të tij, mos të bllokojë, por të nisë menjëherë dhe pa kushte dialogun për zgjidhjen e krizës së rëndë të vendit!”, shkruan Berisha në reagimin e tij.
Manjani: Zgjedhjet pa opozitën janë diktaturë
Për ish-ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani është paradoksale ajo që thonë disa analistë pranë qeverisë se një çadër nuk mund të heqë dot kryeministrin. “Një çadër nuk mund të heqë Kryeministrin, thonë analistët e qeverisë. Nëse Kryeministri nuk bind dot një çadër si mund të bindë një popull?!”, shkruan Manjani. Ai reagoi edhe mbrëmë duke thënë se LSI-ja e hodhi hapin e saj drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes. “Asnjë dilemë! Zgjedhjet pa opozitën janë diktaturë! Në fillim zgjedhjet pastaj koalicionet! Tani radhën e ka qeveria jo më LSI-ja!”, shkruante mbrëmë Manjani.
Fundi i horrave, Basha për Ramën: Dialog ose përballje
Kryetari i opozitës ka paralajmëruar dje Ramën se është koha që të vendosë mes ofertës së opozitës për dialog politik për krijimin e qeverisë teknike ose përballjes së pashmangshme me Republikën e re për të cilën ai shprehu sigurinë e fitores. Basha tha dje se kjo është një javë vendimtare për kapërcimin e krizës politike.
“Kjo është javë vendimtare për betejën tonë. Rrugët që shtrohen para nesh janë fare të qarta. Rruga e parë që kemi kërkuar dhe për të cilën ftojmë sot çdo aktor të përgjegjshëm politik, është dialogu politik për formimin një orë e më parë të qeverisë teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Rruga tjetër në kushtet e kokëfortësisë, e papërgjegjshmërisë të një qeverie që nuk do dhe një kryeministri që refuzon të vendosë interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve para interesave të pushtetit të tij, është rruga e përballjes së pashmangshme dhe fitores së pashmangshme të Republikës së re të qytetarëve shqiptarë, të zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Basha.
Kreu i PD u shpreh se shqiptarët nuk do ta lëshojnë sheshin e protestës deri në arritjen e fitores, e cila nuk do të kalojë nga pazaret dhe kompromiset.
“Rrugë tjetër nuk ka e nuk ka për të pasur. Ne nuk do ta lëshojmë këtë shesh. Ne nuk do ta lëshojmë këtë betejë me kompromise, me pazare, me gjysmë arritje, me gjysmë marrëveshje. Në djall pazaret politike. Ky është vendimi dhe beteja e qytetarëve dhe do të jemi këtu me një objektiv: fitoren e qytetarëve, fitoren e Republikës së re”, tha Basha.
Asnjë pazar me fatin e zgjedhjeve
Kryetari i opozitës deklaroi dje se nuk do të ketë asnjë pazar me fatin e zgjedhjeve të lira, i cili është interesi kryesor i qytetarëve. “Asnjë pazar nuk mund dhe nuk do të luhet me fatin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dhe unë u jap fjalën njësoj si ditën e parë, sot e çdo ditë, se nuk do të pranoj, nuk do të kërkoj dhe nuk do të lejoj asnjë pazar në kurriz të interesave të qytetarëve shqiptarë, në kurriz të interesave të popullit tim”, tha Basha.
Basha tha se Rama është identifikuar sot si problem kryesor për zgjedhjet e lira në vend dhe se opozita do t’i shkojë deri në fund betejës politike. “Pengesa e vetme, njeriu i vetëm që vendos pushtetin e tij, karrigen e tij, mbi interesat publike të çdo shqiptari e shqiptareje, ka orët e fundit për të reflektuar dhe për t’iu përgjigjur qytetarëve në kërkesën e tyre legjitime, patriotike, europiane dhe euroatlantike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ne kemi në dorë të parashtrojmë zgjidhjet. Ne kemi në dorë të japim rrugën përmes së cilës Shqipëria, jo vetëm mund, por 100% do të ecë drejt Republikës së re të standardit europian, të republikës së qytetarëve dhe jo republikës së politikanëve.
Por ne, kemi po kështu, potencialin, vendosmërinë, kurajon, energjinë, sot më shumë se dje, nesër më shumë se sot për t’i shkuar këtij vendimi deri në fund”, tha Basha.
Kryetari i PD tha se zgjidhja e propozuar nga opozita nuk është një zgjidhje radikale, por një zgjidhje politike përmes dialogut dhe krijimit të qeverisë teknike. “Kjo lëvizje ka hyrë tashmë në historinë kombëtare dhe në historinë e Ballkanit dhe të Europës, si lëvizja më europiane dhe më euroatlantike, paqësore, demokratike, por e vendosur, për të mos bërë asnjë milimetër prapa kur vjen fjala për standardin europian dhe euroatlantik të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Prandaj kemi parashtruar prej ditës së parë një zgjidhje për këtë krizë të thellë, produkt i republikës së vjetër dhe i politikës së inkriminuar që qeveris sot Shqipërinë. Jo një zgjidhje radikale, jo një zgjidhje e ashpër, por një zgjidhje politike që iu ofron Shqipërisë dhe shqiptarëve një rrugë të paqtë drejt rivendosjes së demokracisë përmes garantimit të votës së lirë.
Mbrëmë, duke vendosur këto interesa parësore për Shqipërinë, një nga dy partnerët kryesorë të koalicionit qeverisës ka bërë zgjedhjen e tij dhe ne i themi; nëse kjo zgjedhje është e sinqertë: Mirë se vjen tek Shqipëria e para, shqiptarët të parët! Nuk kemi kërkuar dhe as nuk kërkojmë pazare politike, aleanca të kurdisura në kurriz të interesit qytetar.
Por ky është rasti t’i drejtojmë një thirrje të drejtpërdrejtë njeriut që tashmë është identifikuar zyrtarisht edhe logjikisht si pengesa e vetme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, njeriut i cili ka vënë dhe po vë pushtetin e tij dhe karrigen e tij para Shqipërisë, para demokracisë, para zgjedhjeve të lira dhe të ndershme: të reflektojë dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes. Sigurisht, përmes një dialogu politik, një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të zbatojë deri në fund ligjin për dekriminalizimin, duke nxjerrë çdo person të inkriminuar nga çdo zyrë e shtetit, nga Parlamenti tek bashkitë dhe çdo institucion shtetëror; e cila do të luftojë me vendosmëri kundër fushatës së kultivimit të drogës dhe kundër parave të pista të drogës dhe bandave që janë bërë gati t’i vërsulen votës së lirë të shqiptarëve; e cila do të përgatisë kushtet europiane, standardet europiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku çdo shqiptare dhe çdo shqiptar do të mund të votojë i lirë dhe vota e çdo shqiptari do të numërohet pa u tjetërsuar.
Kjo është ftesa dhe kërkesa. Ky është vendimi i marrë më 18 shkurt. Jo për pushtet në tavolinë, por për pushtetin e qytetarëve përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.
Pushtetin do ta marrin qytetarët
Kryetari i opozitës deklaroi dje se po afron dita kur pushtetin nuk do ta kenë më një grusht pushtetarësh që ndajnë pasuritë publike me një grusht oligarkësh pjesë e klientelës së qeverisë, por se pushtetin do ta marrin në dorë qytetarët.
“Dita po afron ku pushtetin nuk do ta kenë më një grusht politikanësh, por do ta kenë qytetarët shqiptarë, do ta keni ju. Ku vendimmarrja nuk do të jetë monopol i kryeministrave, i ministrave apo pushtetarëve arrogantë, por do të jetë tërësisht ekspozim i vullnetit, i dëshirave dhe projekteve tuaja. Ky është premtimi bazik i Republikës së re.
Unë e kam parë këtë ditë që po agon me qindra herë me sytë e mendjes e të shpirtit dhe e di se edhe ju e keni parë e keni ëndërruar këtë ditë. Ëndrra po vjen, ëndrra do të bëhet realitet.
Por për këtë na duhet qëndresë e vendosur deri në fitore. Republika e vjetër, mos harroni, ka në këtë lojë miliarda euro për të humbur. Nuk janë miliardat e tyre, por janë miliardat e shqiptarëve, janë miliardat tuaja me të cilat janë pasuruar dhe janë bërë të pushtetshëm.
Por unë e di dhe e kam ditur që nga dita e parë, që nga 18 shkurti, kur populli iu përgjigj masivisht thirrjes për një Republikë të re dhe e di sot edhe më qartë nga vendosmëria dhe kurajoja juaj, se bashkimi ynë, qëndresa jonë, kjo lëvizje e madhe popullore, kombëtare e demokratike ka qenë prej ditës së parë dhe sot akoma më shumë, më e fortë se interesat kriminale dhe korruptive të republikës së vjetër”, tha Basha.
46 ditë protestë e pandalshme
Basha shprehu një mirënjohje për të gjithë ata që i janë bashkuar protestës së opozitës duke kujtuar se ajo vijon e pandalshme në 46 ditë, duke qenë një rast unikal në historinë jo vetëm të Shqipërisë.
“46 ditë më parë ju, burra, gra të rinj dhe të reja nisët një marshim historik, kombëtar dhe qytetar për të drejtën më të shenjtë, mbi të cilën ngrihet demokracia, të drejtën për të votuar të lirë e të padhunuar. Të drejtën për zgjedhje të lira e të ndershme.
46 ditë më parë Shqipëria ishte një vend i shpresës së vrarë, një vend ku askush nuk kishte më fuqinë, kurajon dhe energjinë të ndërtonte dhe të thurte ëndrrat për të nesërmen. Dhe kjo, sepse republika e vjetër ishte shndërruar, jo në një vend për të gjithë shqiptarët, por në një bandë të korruptuar të larjes së parave të pushtetarëve të korruptuar dhe të kriminelëve në pushtet.
Republika e vjetër është një komplot nga i cili përfitojnë një grusht pushtetarësh, një grusht oligarkësh dhe kriminelët e lidhur me ta. Qëllimi i republikës së vjetër nuk ka qenë, nuk është e nuk mund të jetë, aq më pak këto ditë të fundit të saj, mirëqenia, përparimi, punësimi i qytetarëve shqiptarë, por ka qenë pasurimi dhe pushteti i këtij grushti njerëzish i kësaj elite të korruptuar politike, e cila qëndron në pushtet vetëm, për të vjedhur paratë e buxhetit përmes tenderave korruptivë. Vetëm dhe duke zhvatur pasurinë kombëtare që i përkasin çdo shqiptari dhe brezave që vijnë, me koncesione korruptive. Vetëm për ta shndërruar vendin në tri vite e gjysmë në një hambar të madhe droge, në qendrën e krimit të organizuar në Ballkan dhe lavatriçen e parave të pista të pushtetarëve.
Për t’i ruajtur këto, kjo elitë e korruptuar politike, kjo republikë e vjetër e ka të domosdoshme kapjen e zgjedhjeve, e ka të domosdoshme të zëvendësojë vullnetin e secilit prej jush, gjykimin popullor me votë, me diktatin e krimit dhe parave të pista të korrupsionit”, tha Basha.
Shqipëria, e para
Për Bashën është e qartë se Rama nuk pranon të bëjë zgjedhje të lira pasi e di shumë mirë se nëse shqiptarët votojnë të lirë atëherë ky do të ishte fundi i pushtetit të Ramës, fundi i pushtetit të krimit dhe të korrupsionit.
“Kjo është arsyeja pse në më shumë se një vit, republika e vjetër as nuk u kujtua dhe as nuk iu përgjigj thirrjes së PD, thirrjes së opozitës dhe thirrjes së qytetarëve, të djathtë e të majtë, për të përgatitur zgjedhje të lira e të ndershme. Sepse republika e vjetër e di fare mirë se zgjedhjet e lira e të ndershme, janë fundi i rrugëve të vjetra, janë fundi i allishverisheve të vjetra, fundi i pazareve të vjetra, fundi i pushtetit të inkriminuar e të korruptuar dhe fillimi i pushtetit të qytetarëve.
Ne jemi në këtë betejë tash 46 ditë, në këtë lëvizje të madhe që është më e madhe se PD, është më madhe se opozita, sepse është lëvizja e një populli të tërë që ka vendosur ta rrëzojë republikën e vjetër, jo për pushtetin e PD, as për pushtetin e Lulzim Bashës, por për të ardhmen e shqiptarëve, për të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha Basha.
Kryetari i opozitës ka prezantuar edhe sloganin e ri të opozitës “Shqipëria e para”. “Në këtë shesh, nga dita e parë kur e stolisëm me flamurin tonë kombëtar e çdo ditë pas kësaj, kemi qenë dhe jemi këtu me një moto: ‘Shqipëria e para, shqiptarët të parët!’. Dhe duke vënë interesin e çdo qytetari mbi interesin e çdo politikani dhe të gjithë politikanëve të marrë së bashku, jemi e do të jemi të vendosur deri në fitoren e kësaj kauze kombëtare dhe demokratike.
Republika e vjetër e mbushi Shqipërinë me drogë për një arsye: Që me paratë e drogës dhe me forcën e krimit të organizuar, të majmur e të forcuar nga droga, t’i merrnin qytetarëve shqiptarë, jo vetëm demokratëve, por edhe socialistëve të ndershëm, edhe gjënë e fundit që iu kishte mbetur, të drejtën për të votuar si njerëz të lirë. Kjo hata e paparë dhe e padëgjuar në Europë, ka një autor, ka një emër, ka një përgjegjës dhe ky është kryeministri i vendit, ky është Edi Rama”, tha Basha.
Enton DACI
Vlora dhe Gjirokastra, epiqendra e kultivimit të drogës
Halili, një 22-vjeçar nga Tepelena dëshmoi këto ditë para gjykatësve për sulmin ndaj policisë verën e vitit të kaluar, gjatë një aksioni antimarijuanë në fshatin Krahës të Tepelenës. I akuzuar se qëlloi dhe plagosi një polic me armën e gjahut, Halili u tha gjykatësve se kishte pirë shumë marijuanë atë ditë kur forcat e policisë mbërritën në parcelën që ai ruante, ku ishin mbjellë rreth 1300 bimë marijuanë. Pronari i parcelës ende është në kërkim pasi ditën e operacionit nuk u arrestua nga policia. Skena të ngjashme pritet të përsëriten në gjykatat shqiptare pasi viti 2016 me kultivimin masiv të narkotikëve shënoi një rritje të krimeve për këtë vepër penale. Sipas Raportit Vjetor mbi Gjendjen e Kriminalitetit për vitin 2016, të sapopublikuar nga Prokuroria e Përgjithshme shqiptare,”veprat penale kundër prodhimit dhe kultivimit të narkotikëve në vitin 2016 kanë një rritje prej 38,7% të numrit të procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2015″. Qarku Vlorë dhe Qarku Gjirokastër shënuan gjatë vitit 2016 përqindjen më të lartë të kriminalitetit në shkallë vendi në raport me numrin e banorëve dhe kjo ka ndikuar ndjeshëm nga shtimi i kultivimit dhe trafiqeve të lidhura me lëndët narkotike. Sipas të dhënave të raportit të Prokurorisë së Përgjithshme koeficienti i kriminalitetit për 100 mijë banorë ishte për të dy qarqet më i larti në Shqipëri (për Vlorën 1711 ndërsa për Gjirokastrën 1507). Sipas raportit, në Prokurorinë e Shkallës së Parë Gjirokastër janë regjistruar 863 procedime penale, me një rritje prej 0,5% në krahasim me vitin 2015, ndërsa në Prokurorinë e Shkallës së Parë Vlorë janë regjistruar 2416 procedime penale, me një rritje prej 1,3% në krahasim me vitin 2015. Në këto dy qarqe të dhënat policore dhe të Prokurorisë tregojnë se si kultivimi dhe trafiku në pjesën dërrmuese shënuan rritje dhe janë pjesë e aktivitetit të grupeve kriminale. “Rreth 30% e sipërfaqes së kultivuar me bimë narkotike gjatë vitit 2016 në Shqipëri i përket Qarkut të Gjirokastrës”, tha pak ditë më parë në një takim vendor Gillef Locchi, shefi i Misionit policor të BE-së PAMECA pranë policisë shqiptare. Edhe raporti i Prokurorisë vlerëson se, “Gjatë vitit 2016 janë shënuar rritje në numrin e procedimeve thuajse për të gjitha veprat penale që lidhen me krimin e organizuar”. “Vendin kryesor në këtë rritje e zënë procedimet penale që lidhen me kultivimin dhe prodhimin e lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, vlerësohet në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas raportit peshën kryesore në këtë grup e zë “Trafikimi i narkotikëve”, me 47%, ndërkohë që në vitin 2015 ky tregues ka qenë 33,7%. Sipas Prokurorisë nga të dhënat statistikore në vitin 2016 vërehet tendenca në rritje e procedimeve të regjistruara për veprën penale “trafikimi i narkotikëve” prej 18,3%, në krahasim me vitin 2015. Aktiviteti i shtuar kriminal në dy qarqet kufitare me vendet fqinje, përkatësisht Gjirokastrës me Greqinë dhe Vlorës me Italinë ka rikthyer në këto dy rajone trafiqet dhe format e krimit, sidomos të lidhura me narkotikët. Kjo reflektohet dhe në numrin e lartë të kërkesave për riatdhesime nga Greqia dhe Italia të bëra nga autoritetet shqiptare. Raporti i Prokurorisë vlerëson se “gjatë vitit 2016 janë paraqitur 132 kërkesa ekstradimi për shtetasit shqiptarë apo të huaj, të cilët janë arrestuar ose lokalizuar nga autoritetet policore të shteteve të tjera pasi janë shpallur në kërkim ndërkombëtar mbi bazën e një vendimi të dhënë nga gjykatat shqiptare”. Sipas raportit krahasuar me vitin 2015, gjatë vitit 2016 vërehet rritje e numrit të kërkesave të paraqitura nga autoritetet shqiptare për ekstradimin e shtetasve nga jashtë në masën 23,4%, për shkak se gjatë kësaj periudhe është rritur numri i shtetasve shqiptarë të arrestuar nga autoritetet e huaja. “Nga të dhënat statistikore konstatohet se gjatë vitit 2016, numri më i madh i kërkesave për ekstradim vijon t’i jetë paraqitur autoriteteve greke, italiane dhe gjermane përkatësisht me nga 30, 24 dhe 25 kërkesa, vlerëson raporti.


















